• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2014

Kastat në Indi dhe klasat në Shqipëri

December 4, 2014 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/ New York/
29 Nëntori është dita më veçantë në historinë moderne të Shqipërisë. Për disa, ajo është dita e çlirimit, për të tjerë – dita robërisë; për disa, ajo është dita e përfundimit të luftës me fitore të nacionalçlirimtares, për të tjerët – dita e fillimit të tiranisë komuniste. Për mua, më shumë nga të gjitha, 29 Nëntori është dita e ndarjes dhe e përçarjes së dhunshme të popullit shqiptar, ndarje dhe përçarje që vazhdojnë edhe sot dhe nuk dihet se sa do të zgjasin. Komunizmi iku së bashku me terrorin e tij, ndarja dhe përçarja mbetën.
Deri në fillim të viteve 1940, populli shqiptar ka qenë një dhe brenda tij nuk ka pasur grindje apo armiqësi. Ka pasur grindje dhe armiqësi midis elitave politike, por jo midis vetë popullit. Ideologjia e tij deri në këtë kohë ka qenë ideologjia kombëtare. Elitat e popullit kishin dallime e mosmarrëveshje për mënyrat dhe rrugët që do të duhej të ndiqeshin për të realizuar sa më mirë çështjen kombëtare në të gjitha aspektet, por ato nuk ishin armike për vdekje të njëra tjetrës. Pas kësaj kohe, në skenë u fut komunizmi, komunizmi i ideologjisë se internacionalizmit, i cili më shumë se miqësinë me popujt e tjerë, pati kujdes ndarjen dhe futjen e armiqësisë brenda popullit të vet. Komunizmi futi në Shqipëri farën e përçarjes. Ai e ndau këtë popull, në një anë në komunistë, dhe, në anën tjetër, në jo komunistë dhe antikomunistë: në “ne” dhe “ata”. Grindjet dhe ndarjet tashti kaluan nga elitat, te populli: brenda fisit, brenda familjes, duke krijuar në këtë mënyrë ndarjen më të madhe në historinë e popullit shqiptar, ndarje që u shoqërua me armiqësi dhe tragjedi të panumërta, ndarje që vazhdon edhe sot, ndonëse e pa shoqëruar me tragjedi si më parë.
Ishte fillimi i viteve 90, kur sapo ishin liruar të burgosurit dhe të internuarit politikë. Së bashku me disa shokë, shkuam për vizitë te një shok tjetër, familja e të cilit ishte komuniste e flaktë. Në dhomën e bukur e të mirë ku na pritën, krahas njerëzve të familjes, të veshur e të mbajtur shumë mirë, binte në sy edhe një person tjetër që stononte ndaj atij ambienti: dukej i heshtur, i dobët, i tharë, i nxirë, i veshur keq, me një kasketë të vjetër në kokë. Të jepte përshtypjen se kishte hequr keq. Atë e kishin ulur në një kolltuk në krye të dhomës dhe një nga gratë e shtëpisë i mbante gjithë dashuri dorën. “E shihni këtë – na u drejtua neve – ky është dajoja. Sapo e kanë liruar nga internimi. Nuk e njihnim fare, s’e kishim parë kurrë. Ah, ç’na bëri ai Enver Hoxha! Na ndau nga njerëzit, nga njerëzit e dashur, nga njerëzit e afërm. Dajo, – i drejtohej atij që e quante dajo – je rehat, hë, shtriji këmbët, mirë je? Ah mor Enver Hoxha ç’ na bëre, na ndave nga njerëzit!” – përsëriste. Nuk di se sa zgjati ai qëndrim dashamirës ndaj “dajos”, por, me siguri, jo gjatë. Kur u pa që “dajoja” me shokë, ata që u liruan nga burgjet dhe internimet, jo vetëm që nuk patën ndonjë zë të fortë në Shqipërinë e ardhme, por as ndonjë zë të mekur, u abandonuan si më parë.
Trishtohemi dhe njëkohësisht edhe çuditemi kur mësojmë se në Indi shoqëria ishte e ndarë në kasta në formë hierarkike dhe se ekzistonte edhe një grup që ndodhej jashtë kastave, që quhej grupi i të paprekshmëve, i cili shfrytëzohej, shtypej e përbuzej, që prej kohësh që s’mbaheshin mend, nga pjesa tjetër e shoqërisë, nga shoqëria e kastave. Por, nuk na ka shkuar mendje se edhe ne në Shqipëri gjatë komunizmit kemi jetuar në një sistem apo në një shoqëri të ndarë në kasta apo, ç’është e njëjta gjë, në klasa që ishin më të theksuara e më të kundërta se ato që qenë vendosur në Indi; se edhe ne kemi pasur një klasë shumë të ngjashme me të paprekshmit indianë, madje edhe më të mjerë, edhe më të shtypur, edhe më fatkeqe, edhe më të persekutuar se ajo: “klasën e të deklasuarve”.
Ai që ka pak njohuri nga shoqëria indiane, e di se ajo shoqëri ka qenë e ndarë në kasta të vendosura në formë piramidale me në krye brahminët të cilët pasoheshin nga kshatriat, vaishnavat dhe, në fund sudrat. Pas tyre vinin ata që nuk futeshin në asnjë kastë, ata që ishin lënë jashtë kastave, të paprekshmit. Në ngjashmëri me kastat indiane edhe shoqëria shqiptare kishte brahminët e saj, ata që quheshin udhëheqja e lartë e partisë dhe pushtetit; kishte kshatriat e saj – komunistët e ndryshëm dhe rrethet e tyre që drejtonin në nivele më të ulëta; kishte vaishnavat e saj – intelektualët e ndryshëm, ata që quheshin kuadro, apo monopol i partisë; kishte sudrat e saj – punonjësit dhe punëtorët e zakonshëm dhe, në fund, shoqëria shqiptare, kishte edhe të paprekshmit e saj, të deklasuarit – ata që nuk hynin në asnjë klasë, ata që ishin jashtë klasave. Këta ishin ata që komunizmi i përcaktonte si reaksionarë, si të prekur, si kulakë, si me biografi të keqe, si armiq të partisë, si armiq të popullit, si kriminelë lufte, si sabotatorë të pushtetit popullor, ishin ata që nuk përfitonin triskën e frontit: atë triskë që po të mos e kishe, të pinte e zeza dhe, po ta kishe, nuk të hynte në punë. Këta, çfarëdo që të bënin, sado që të punonin, sado ndershmëri të tregonin, sado zgjuarsi dhe kulturë që të kishin, nuk e përmirësonin dot biografinë e tyre, gjendjen e tyre. Ata lindnin si të deklasuar dhe vdisnin si të deklasuar.
Pas mbarimit të luftës dhe marrjes së pushtetit, komunistët, të pajisur me forcën që u a jepte totalitarizmi tiranik dhe pozicioni i fitimtarit, iu kthyen kundërshtarëve të tyre të luftës si dhe të gjithë të tjerëve të konsideruar si kundërshtarë potencialë të paqes: nacionalistëve, intelektualëve, tregtarëve, demokratëve, klerikëve, të cilët i kthyen në pre të sadizmit të tyre. Me kundërshtarët fillestarë të regjimit që u shpëtuan vrasjeve dhe me pasardhësit e tyre, u krijua bërthama e grupimit të ri, e klasës së re, e klasës së të deklasuarve, tek e cila do të shfrynte të gjithë sadizmin e tij komunizmi shqiptar.
Komunizmi shqiptar, që erdhi në pushtet me parullën e zhdukjes së klasave, me parullën e krijimit të një shoqërie të lirë e pa klasa, krijoi klasat e veta dhe, ç’është më e keqja, i vuri ato të luftonin me njëra-tjetrën.
Të paprekshmit indianë ishin ata që ishin dhe në grupin e tyre nuk mund të kalonin persona nga kastat e tjera, ata nuk mund të shtoheshin nga jashtë me të gjallë; në të paprekshmit shqiptarë, në të deklasuarit shqiptarë, kalonin vazhdimisht persona, familje dhe fise nga klasat e tjera që e zmadhonin dhe e zmadhonin pambarimisht atë klasë.
Nga shteti indian nuk bëhej ndonjë luftë kundër të paprekshmëve indianë, madje, nga një pjesë e popullsisë nuk kishte as përbuzje ndaj tyre, përkundrazi mund të shprehej edhe njëfarë keqardhjeje për të ta, por për të deklasuarit shqiptarë nuk mund të shprehej asnjë keqardhje. Mbi ta binte e gjithë ligësia e shtetit të komunist dhe e servilëve të tij. Mbi ta binte e gjithë propaganda e regjimit komunist, e gjithë shtazëria dhe urrejtja e sigurimit, e policisë, e hetuesisë dhe gjykatave të kohës, e gjithë vepra e artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë.
Për çudi, sistemi që pretendonte se do të ndërtonte shoqërinë pa klasa, shoqërinë e të barabartëve, shoqërinë e mos shfrytëzimit të njeriut prej njeriut, madje të trajtimit të njeriut si “kapitalin më të çmuar”, u bë sistemi që krijoi klasat më të ndara në histori, që krijoi shoqërinë e të ndryshmëve, shoqërinë që u ndërsye e gjitha të luftonte, të shfrytëzonte dhe të poshtëronte në maksimum klasën e deklasuar.
Regjimi komunist jo vetëm që krijoi klasat apo kastat, por i vuri ato edhe në luftë më njëra-tjetrën; ai krijoi luftën e klasave që ishte një vazhdim i natyrshëm i luftës civile në kushte paqeje. Për atë regjim lufta e klasave ishte “forca lëvizëse e shoqërisë”, një luftë që përbënte veprimin më diabolik të komunizmit. Lufta e klasave zhvillohej në mënyra nga më të ndryshmet dhe objektivi kryesor i saj ishte goditja e vazhdueshme dhe e fuqishme e atyre që nuk konsideroheshin si përkrahës të regjimit, apo që konsideroheshin si kundërshtarë të tij, goditje që kryhej nga të gjitha klasat e tjera, por që viheshin në lëvizje dhe ndërseheshin nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste dhe e shtetit komunist. Ai regjim kishte krijuar një gjendje të tillë që të deklasuarve shqiptarë nuk mund t’u afroheshe, nuk mund t’u flisje, nuk mund t’u merrje vajzën apo djalin për nuse apo për dhëndër, nuk mund të shkëmbeje vizita, nuk mund t’i kishe në rrethin tënd, nuk mund t’i ftoje në gëzime a hidhërime familjare, sepse jo vetëm të “ndotnin”, si të paprekshmit indianë, por të kthenin edhe ty në të paprekshëm, në të deklasuar. Kjo kategori njerëzish, jo vetëm që detyrohej të bënte punët më të ulëta e më të rënda, por bënte edhe punët më të rrezikshme. Ajo punonte për hapje tunelesh, për tharje kënetash, për ndërtime tarracash bujqësore, për nxjerrje mineralesh etj. Në qoftë se u bënë disa ndërtime në kohën e komunizmit, dhe në të vërtetë u bënë, të paprekshmit shqiptarë kanë një pjesë të madhe të punës në to.
Kur dy persona akuzoheshin për të njëjtin faj, ai me biografi jo të mirë, i deklasuari, do të dënohesh gjithnjë shumë herë më rëndë se tjetri që ishte me biografi më të mirë, se ai që qe “i yni.” Për të njëjtën punë, shpërblehej shumë më shumë “i yni” se “ai tjetri”.
Në qendrën time të punës, u ndërtua nga vetë punonjësit e tij një ndërtesë banimi ku do të strehoheshin kryesisht punonjës që ishin me kushte të vështira banimi dhe që do të punonin për ndërtimin e tij. Kur pallati u ndërtua dhe erdhi puna për ndarjen e apartamenteve, u tha se si kriter për ndarjen e tyre do të ishte masa e punës së kryer nga secili. Njërit prej atyre që kishte punuar sa dhjetë të tjerë, iu dha apartamenti më i keq. Ai u ngrit në mbledhjen që u bë për ndarjen e pallatit dhe tha se atij, për shkak të punës së madhe që kishte bërë, punë që e dinin të gjithë dhe nuk e vinte në dyshim askush, i takonte një apartament më i mirë se ai që i caktoi drejtoria dhe organizata bazë e partisë. Por, për fatin e tij të keq, ai qe i afërt me kastën e të paprekshmëve, kështu që drejtori u ngrit e i tha “Ty nuk të takon apartament tjetër. Biografia tënde nuk është e mirë!” I mjeri punonjës kuptoi se me pretendimin që paraqiti ishte rrezik të humbiste jo vetëm apartamentin që i dhanë, por edhe punën. Kështu, i dëshpëruar, u ul pa e zgjatur. Njeriu me “biografi të keqe,” i paprekshmi, i deklasuari, shërbente vetëm për shfrytëzim dhe për përbuzje.
Dy klasa e kundërta: brahminët shqiptarë dhe të paprekshmit shqiptarë ishin krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Brahminët kishin zonën e tyre të banimit, të ndarë nga pjesë të tjera banimesh dhe të mbrojtur me mure, me gardhe e me roje vigjilente që të shihnin me dyshim dhe me inat kur u kaloje pranë. Ata kishin shërbyes, kuzhinierë, dado për rritje të fëmijëve, makina, shoferë e truproje të shumta. Ata kishin vendet e tyre të pushimit. Ata kishin farmaci e klinika speciale mjekësore ku kuroheshin për urgjenca, se për sëmundje të tjera shkonin jashtë vendit. Ata kishin dyqanet e tyre të blerjes së ushqimeve dhe veshmbathjes.
Edhe të paprekshmit kishin vendet e tyre të banimit, getot e tyre, të ndara nga ato të të tjerëve. Ato ishin burgjet, kampet e internimit, kampet e punës, fshatra të caktuara enkas për ta, ishin kasollet a stallat, ishin bodrumet e shtëpive të tyre në katet e sipërme të të cilave banonin pjesëtarë të kastave më të larta. Ata nuk shkonin dot në shkolla të larta, në ushtri do të bënin pjesë në repartet e punës në të cilat ose do të punonin në bujqësi, ose në ndërtime tunelesh, duke punuar vazhdimisht në rrezikun e shpërthimit të minave. Shumë nga pjesëtarët e të paprekshmëve nuk kishin as varre, sepse vriteshin apo vdisnin nëpër burgje dhe burgu nuk ia jepte trupin e të vdekurit familjarëve të tij.
Gjendja e tyre ishte e mjerë dhe i vetmi ngushëllim për ta ishte se mësonin se kishte edhe më keq, se e keqja nuk kishte fund, se sado keq të ishe, kishte dhe një që ishte edhe më keq. Ata sikur e dinin urtësinë kineze që thoshte “Qahesha e ankohesha se nuk kisha këpucë, përderisa pash një që nuk kishte as këmbë.” Dhe, kjo i mbante disi gjallë.
Ndryshe nga të paprekshmit indianë, të paprekshmit e komunizmit shqiptar, të deklasuarit, as që mund të mendohej se mund të ngriheshin dhe të kërkonin trajtim të njëjtë me të tjerët. Ata ishin aq të shtypur e të frikësuar dhe regjimi ishte aq i gatshëm për të mbytur çfarëdo përpjekje për trajtim të barabartë, saqë as mund të mendohej që ndonjë prej tyre të kërkonte ndonjë të drejtë. Atyre as që duhej t’u shkonte nëpër mend se diçka mund të ndryshonte.
Të të kategorizonin si të deklasuar, si reaksionar, si të prekur, si me biografi të keqe, ishte fatkeqësia më e madhe. Ata pa skrupuj, ç’farë nuk bënin për të shpëtuar nga ai kategorizim. Në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue,” At Zef Pllumi tregon:
“Ndërsa punojshem ne lulishten e komandës, atje në Zejmen, nji nanë erdh me takue djalin e vet, që ishte në burgun ordiner dhe e ndjeva tue i thanë: ‘Të falënderojmë, o djalë, që nuk na korite e nuk u dënove si armik i pushtetit, por vetëm për hajni…’ Pra bota kishte ndrrue krejtësisht: braci ishte i ndershëm, ndërsa armiku i pushtetit, marre e turp!”
Djali, megjithëse kishte kryer aktin e vjedhjes, aktin e dënuar që prej fillimit të botës nga të gjitha fetë, nuk e kishte “turpëruar dhe degraduar” familjen, ajo nuk do të kalonte në kategorinë e të deklasuarve, në kategorinë e atyre që do të vuanin gjithë jetën si armiq të regjimit!
Kur një nga bashkëshortët goditej si i paprekshëm, në një shumicë rastesh, bashkëshorti tjetër e divorconte në vend atë. Kur një person merrte pjesë në një film a shkruante një libër dhe më pas, për arsye të ndryshme, kalonte si i paprekshëm, filmi a libri ktheheshin automatikisht në të paprekshëm dhe hiqeshin nga qarkullimi. Kur një person arrestohesh dhe dënohesh për agjitacion e propagandë, për tentativë arratisje, apo për “krime” të tjera politike, e gjithë familja dhe fisi i tij deri në tre breza kthehesh automatikisht në të deklasuar. Kur dikush kthehesh befas në të deklasuar, të gjithë i largoheshin, të gjithë e mohonin, edhe njerëzit më të afërm, pa lë më kolegët e shokët.
Njëlloj si të paprekshmit në Indi që u ishin nënshtruar fatit, që nuk mund të dilnin nga gjendja e mjeruar, që e pranonin atë gjendje si një dënim që merrnin për një të kaluar jo të mirë të tyre në jetën paraardhëse, ashtu dhe të deklasuarit shqiptarë duhej ta pranonin gjendjen e tyre si ndëshkim për një punë jo të mirë të bërë nga prindërit e tyre, nga gjyshërit e tyre, nga pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre, apo qoftë edhe nga kushërinj të afërt apo të largët.
Klasa e të deklasuarve shqiptarë u krijua, u mbajt dhe u shtua si pasojë e sadizmit komunist, për të shfrytëzuar një kategori njerëzish dhe për ta mbajtur atë kategori të shtypur, në mënyrë që të mos kishte mundësi ti shkonte mendja e të ngrihesh për të rrezikuar a rrëzuar komunizmin dhe komunistët, ajo u mbajt edhe si kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë të tjerët. Klasa e të deklasuarve u mbajt gjatë gjithë kohës larg të tjerëve, e mjeruar, e pamësuar, e pazhvilluar, e frikësuar. Qëndrimi për një kohë të gjatë i kësaj klase në këtë gjendje, pati efektet e veta. Nga ky shkak, ajo, edhe kur ranë brahminët si klasë dhe si ideologji, pra kur ra komunizmi, nuk qe në gjendje të kuptonte se ç’ndodhte, madje as që kishte dëshirë të kuptonte, mjafton të dëgjonte se si ish-brahminët, ish-komunistët fanatikë, tashti të “konvertuar” në miq të të paprekshmëve, kritikonin e nëmnin regjimin e tyre të mëparshëm më shumë nga ç’do të dinin t’i kritikonin e t’i nëmnin vetë ata. Të deklasuarit u habitën dhe u kënaqën me kaq dhe nuk kërkuan kurrë më shumë.
E gjithë ajo që ndodhi me atë klasë të mjerë nuk u dokumentua kurrë zyrtarisht. E vërteta e plotë nuk doli kurrë në shesh. Vetë ish-të deklasuarit si grup, apo si klasë, nuk u interesuan aq për të, sasa për të përfituar ndonjë copë nga pronat e shtetëzuara, apo ndonjë këst pagese për burgjet e kryera pa faj, nga ata që i mbajtën në atë gjendje për afro gjysmë shekulli. Përpjekje individuale për të dokumentuar atë që ndodhi pati nga disa idealistë, por përpjekje kolektive, apo zyrtare nuk pati kurrë. Njeriu transformohet kur mbi të ushtrohet vazhdimisht e për kohë të gjatë dhunë e gjithanshme degraduese fizike dhe psikike.
Nga të gjitha të këqijat e komunizmit shqiptar, krijimi i klasave dhe vënia e tyre në luftë me njëra tjetrën pra, lufta e klasave, ishte, ndofta, krimi më i rëndë në historinë e popullit shqiptar. Komunizmi e ndau Shqipërinë në atë kohë dhe ajo ndarje vazhdon gati njëlloj edhe sot. Komunizmi e la Shqipërinë mbrapa në atë kohë, duke e privuar nga një elitë intelektuale dhe morale dhe e lë atë mbrapa edhe sot nga mungesa e një elite të re që do të dilte nga elita e vjetër.

Nju Jork, nëntor 2014 Ilir Hashorva

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe klasat, Ilir Harshova, Kastat në Indi, ne Shqiperi

Kryeministri Rama takim me Tony Blair në Tiranë

December 4, 2014 by dgreca

Kreu i qeverisë Edi Rama, u takua mëngjesin e sotëm me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair. Ky i fundit është njëherësh edhe këshilltari i kryeministrit Rama.
Takimi, i cili nuk ishte njoftuar për mediat, u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë. Ndërkohë që priten të zbardhen detaje të tjera lidhur me këtë takim.

Filed Under: Featured Tagged With: Kryeministri Rama takim me, ne Tirane, Tony Blair

Bunk-Art dhe reliket e tij

December 4, 2014 by dgreca

Elementet e periudhës së komunizmit të vendosura në bunkerin e nëndheshëm “Bunk’Art” vijojnë të jenë më të vizituarat nga qytetarët e shumtë.
Përveç dhomave të udhëheqësve politikë të asaj kohe si, Enver Hoxha apo Mehmet Shehu, me mjaft kureshtje janë përcjellë edhe objekte të ndryshme që rivijnë në këtë kohë deri në ditët tona. Nje nga 106 dhomat më të vizituara është edhe “Muzeumi i Ndërlidhjes”. Kjo hapësirë i është dedikuar pikërisht komunikimit gjatë asaj periudhe ku aparaturat janë mjaft avangarde për kohën.
Një sllogan i regjimit komunist, por që edhe sot e kësaj dite, përdoret nga të gjithë ushtritë e botës është: “Pa ndërlidhje, nuk ka komandë dhe pa komandë, nuk ka fitore”.
Një pjesë e bunkerit, që për arsye sekreti, edhe sot është e ndarë nga pjesa tjetër e tunelit, ishte e destinuar për impiantin e ndërlidhjes.
Në këtë dhomë janë ekspozuar disa nga aparatet origjinale të përdorura në vite nga ushtria shqiptare. Ato që duken më modernë ishin instaluar në repartin e ndërlidhjes së këtij bunkeri të inauguruar nga Enver Hoxha me 28 qershor të 1968.
Përpos veçantisë së kësaj dhome në korridoret jashtë saj ekpozohet një foto e ish-diktaktorit Enver Hoxha, i cili foton e ka realizuar pikërisht në vendin ku është vendosur.
Që prej datës 22 nëntor kur është çelur, Bunk’Art vijon të jetë mjaft i vizituar, me një fluks të lartë qytetarësh të të gjitha moshave, të cilët duan të njihen me këtë pjesë të historisë në vendin tonë.
Bunkeri i nëndheshëm 5-katësh ofron instalacione artistike, dokumente historike origjinale dhe objekte muzeale që tregojnë rreth periudhës së komunizmit.(Sipas ATSH)

Filed Under: Kulture Tagged With: Bunk-Art, dhe reliket e tij

Shqipëri, më shumë se gjysma e grave, të dhunuara

December 4, 2014 by dgreca

Nga Zina Tosku/
Në Shqipëri, më shumë se gjysma e grave janë të dhunuara. Këtë e tregon studimi i kryer nga INSTAT “Femrat dhe meshkujt në Shqipëri, gjetjet kryesore”, të tetorit të këtij viti.
Sipas këtij studimi, rezulton se më shumë se 59% e grave dhe vajzave në Shqipëri kanë pësuar të paktën një herë gjatë jetës dhunë në familje. Ndërkohë, 53% e tyre kanë pohuar se dhunën e kanë pësuar gjatë vitit të fundit. Sipas studimit, me rritjen e moshës së grave ka një tendencë në zbritje të dhunës në familje ndaj tyre. Pra, nga 64% në grupmoshën 18-24 vjeç në 58% në grupmoshën 45-55 vjeç .
Kush përjeton dhunën, si viktima ose dëshmitarë, mësojëndërmjet të tjerave, të ketë frikë, ta evitojë dhunën ose të bëhen njëlloj të dhunshëm si dhunuesi.
Por, ajo që e bën të vështirë këtë fenomen është fakti se gratë e dhunuara shpesh herë nuk janë të gatshme të kërkojnë ndihmë dhe të flasin për dhunën.
Disa nga arsyet pse gratë nuk kanë kërkuar ndihmën e shërbimeve shëndetësore ose ligjore, ka qënë dhe fakti se duhet të paguanin për to.

Dhe për shumë gra të dhunuara, pagesa është një pengesë. Ndërkohë, studimi sjell një tjetër fakt intersant, sipas të cilit, gratë me arsim fillor ose të ulët kanë më shumë gjasa të kërkojnë ndihmë për dhunën në familje, në krahasim me gratë më të arsimuara.
Ndërkaq, sipas gjetjeve të tetorit 2014, femrat me arsim të lartë dhunohen më pak dhe dhuna është më e pranishme në zonat rurale krahasuar me ato urbane. Sa i përket rasteve të dhunës, bazuar mbi statistikat zyrtare të INSTAT, dhuna nis te manifestohet kryesisht gjatë vitit të dytë dhe të tretë të martesës.
Në vendin tonë dhuna në familje u shfaq si problem shqetësues në vitet `90, kur vendi po përjetonte ndryshime të mëdha politike dhe shoqërore. Ndonëse si fenomen dhuna në familje kishte ekzistuar shumë kohë përpara tranzicionit, rastet e dhunës në famije pësuan rritje të ndjeshme në vitet `90, në kohën kur familjet pësonin trysni si pasojë e tranzicionit.

Por, dhuna në familje ndaj grave nuk është dukuri e re në Shqipëri, por i ka rrënjët në traditat dhe zakonet patriarkale që prej kohësh i kanë dhënë formë shoqërisë sonë.
Prej vitit 1991, Qeveria Shqiptare ratifikoi një sërë konventash të rëndësishmë për parandalimin e dhunës në familje. Ndër to janë, Konventa e OKB-së për të Drejtat Civile dhe Politike 1991; Konventa e OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore 1991; Konventa e OKB-së për të drejtat e fëmijëve 1992; Konventa e OKB-së kundër Torturës dhe Dënimeve ose trajtimeve të tjera mizore 1994; Konventa e OKB-së për eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj grave 1994; Konventa Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut 1996; Konventa Europiane për Parandalimin e Torturës dhe të Dënimeve 1996; Konventa Europiane për Parnadalimin dhe Luftën kundër dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje 2013.
Në vitin 1998, qeveria e Shqipërisë miratoi Kushtetutën e re, e cila promovon parimet e barazisë dhe mos diskriminimit, si dhe mbrojtjen e respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të të drejtave e lirive të njeriut.
Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave, e përkufizon atë si “çdo akt dhune me bazë gjinore që sjell ose ka gjasa të rezultojë në lëndime ose vuajtje fizike, seksuale ose psikologjike të grave përfshirë dhe kanosjet për akte të tilla, shtrëngime apo privime arbitrare të lirisë si në jetën publike ashtu dhe private”.
Dhuna në familje ndaj grave është një problem i përhapur global, që kapërcen kufijtë dhe ndodh në të gjitha kulturat dhe shoqëritë anembanë botës. Sipas një studimi të kryer në 35 vende të botës para vitit 1999, 10% deri në 69% e grave raportonin se ishin dhunuar fizikisht në një moment të jetës. Për të luftuar këtë fenomen, media ka një rol dhe peshë të rëndësishme në sensibilizimin e opinionit publik.

Media, sipas Këshillit të Europës “luan një rol të rëndësishëm në formimin e qëndrimeve dhe vlerave të individëve si dhe shërben si një instrument i dobishëm për ndryshimet sociale”.
Duke u bazuar në vlerat universale të familjes, Organizata e Kombeve të Bashkuara e përkufizon dhunën në familje si një akt që rezulton në heqjen arbitrare të lirisë.
Dhuna në familje është një nga format e krimeve më pak të raportuara dhe zakonisht konsiderohet si një çështje private, si rrjedhojë nuk dihen me saktësi përmasat dhe frekuenca e fenomenit. Megjithatë, studimet e kryera tregojnë se dhuna në familje, sidomos ajo ndaj grave dhe vajzave, është rritur gjatë periudhës së tranzicionit.
Vështirësia e grumbullimit të informacionit mbi dhunën në familje vjen dhe si pasojë e gjendjes ekonomike të viktimave, të cilat në shumë prej rasteve janë të varfra.
Në Konferencën e Katërt Botërore të Pekinit e mbajtur në shtator 1995, dhuna në familje u përkufizua si “një problem mbarëbotëror dhe që duhet trajtuar si i tillë.” Po në këtë konferencë është theksuar se “dhuna ndaj gruas përbën dhunim të të drejtave njerëzore, si dhe një pengesë në arritjen e barazisë, zhvillimit dhe paqes”.
Në Deklaratën “Kundër Dhunës ndaj Gruas”, bërë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, është dhënë përkufizimi i parë zyrtar, në të cilin thuhet se “dhuna ndaj gruas në familje do të konsiderohet çdo akt i bazuar në përkatësinë gjinore që rezulton në, ose mund të rezultojë, në lëndime fizike, seksuale apo psikologjike, ose që shkakton vuajtje tek gratë, duke përfshirë edhe kërcënime për akte të tilla, detyrimin apo privimin arbitrar të lirisë, pavarësisht nëse këto ndodhin në publik apo në jetën private”.
Në 24 nëntor të këtij viti, ministri i Mireqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, nisi fushatën sensibilizuese 16-ditore kundra dhunës me bazë gjinore. Sipas tij, këtë vit janë raportuar 3000 raste dhune dhe janë dhënë 1800 urdhër mbrojtjeje, ndërkohe që janë rritur raportimet me 30% të rasteve të dhunës. Ministri Veliaj ka kërkuar nga djemtë dhe burrat që t’i bashkohen kësaj fushate sensibilizuese pasi “trimëria” e tyre duhet të bejë që të dalin kundra traditës, pra të dhunimit të grave e vajzave.
Në vitin 2005, OBSH në një studim te gjere për dhunën ndaj grave në familje, tregoi se 13% deri në 61% e grave kanë pësuar dhunë fizike. Ndërkohë, në vitin 2013, OBSH kreu një analizë mbi 155 studime të kryera në vende të ndryshme të botës dhe konstatoi se 30% deri në 37% e grave kanë përjetuar dhunë

Filed Under: Analiza Tagged With: më shumë se gjysma e grave, shqiperi, të dhunuara

Teknikat e IS-it për ndikim te fëmijët

December 4, 2014 by dgreca

Një zyrtar i anti-terrorizmit në Kirgizi, tha më 3 dhjetor se qëllimi i videove që i prodhojnë Shteti Islamik, në të cilët shihen fëmijët ushtarë, mund të jetë përdorimi i teknikave të programimit neuro-linguistik, për të ndikuar te fëmijët dhe të rinjtë.
Bakyt Dubanayev, përfaqësues kirgiz kundër terrorizmit, tha se militantët e Shtetit Islamik nuk janë duke luftuar vetëm një “luftë me armë zjarri”, por po bëjnë edhe “luftë psikologjike dhe informative”.
“Synimi i terrorizmit është që të shpërndajë frikë, panik dhe terror, dhe kjo është pikërisht qëllimi i atyre videove të cilët shfaqin ekzekutime me heqje koke të shtetasve të huaj. Videot ku fëmijët shfaqin agresion, retorikë ushtarake dhe janë të armatosur, kanë të njëjtin qëllim”, tha Dubanayev.
Këto deklarata të zyrtarëve anti-terrorizëm vijnë pas lëshimit të një videoje nga militantët e Shtetit Islamik, ku shihen fëmijë nga Kazakistani duke marrë pjesë në ushtrime ushtarake në Siri.
Shpërndarja e kësaj videoje, u dha shqetësim të madh edhe Kazakistanit, edhe fqinjit të tij, Kirgizisë. Astana bllokoi shpërndarjen e kësaj video, dhe qeveria kirgize u kërkoi mediave në Bishkek ta largojnë videon nga faqet e internetit.
Ministria e Brendshme e Kirgizisë gjithashtu paralajmëroi se më 25 nëntor e kishte dërguar videon te prokurori i përgjithshëm.
Duke komentuar videon, Dubanayevtha se fëmijët kopjojnë çfarëdo që shohin, qofshin ato Spiderman, Batman, apo fëmijë militant në një kamp trajnimi të Shtetit Islamik.
“Nëse fillojmë t’ua tregojmë atyre [fëmijëve], fëmijët militantë, atëherë çfarë garancie ka që ata nuk do të tregojnë interesim për të. Kolegët e mi kazakë nënvizojnë se Shteti Islamik ka specialistë të teknologjisë informative. Është e mundur që ajo video është e dizajnuar duke përdorur teknika neurolinguistike”, tha Dubanayev.
Prezantimi i të kundërtës?
Reagimi i Bishkekut ndaj kësaj videoje reflekton frikën në rritje të Kirgizisë për Shtetin Islamik, përshirë shqetësimet që propaganda e grupit militant do të çojë deri te radikalizmi i qytetarëve kirgizë dhe se këta qytetarë mund të shkojnë në Siri e Irak për të luftuar me IS-in.
Komiteti Shtetëror për Siguri në Kirgizi ka thënë se rreth 150 qytetarë të këtij vendi janë duke luftuar në Siri dhe 8 janë vrarë gjatë luftimeve.
Web faqja Knews.kg, më 3 dhjetor citoi Kadyr Malikov, drejtorin e Qendrës së Pavarur të Religjionit, Drejtësisë dhe Politikës në Bishkek, derisa kishe paralajmëruar se video të natyrës së tillë ngjallin një interesim të “gabuar” në mesin e të rinjve.
Këshilla e Malikovit se si të kontrollohet kjo situatë, ishte sugjerimi që të rinjve kirgizë t’iu prezantohet e kundërta e këtyre videove të bëra nga Shteti Islamik.
“Ka shumë video, por ne nuk bën të harrojmë të prezantojmë opinionin e ekspertëve. Në të kundërtën, gjërat mund të kenë efektin e kundërt”, tha Malikov.
Përgatiti: Gresa Kraja

Filed Under: Rajon Tagged With: për ndikim, te fëmijët, Teknikat e IS-it

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT