• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2014

Vlerësohet kontributi i ish Presidentit Moisiu, në 85 vjetorin e lindjes

December 3, 2014 by dgreca

Nga Shefqet KERCELLI/
Me rastin e 85 vjetorit të lindjes së ishpresidentit Alfred Moisiu, paraditen e datës 1 Dhjetor 2014, në auditoriumin e Ministrisë së Mbrojtjes, u organizua një ceremoni simbolike për të nderuar kontributin e vecantë të zotit Moisiu si ushtarak dhe burrë shteti. Në këtë ceremoni morën pjesë Ministrja e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-major Jeronim Bazo, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ushtarakë të rangjeve të ndryshme, bashkëpunëtorë dhe kolegë të zotit Moisiu, familjarë, etj. Fillimisht Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Bazo e uroi zotin Moisiu për 85 vjetorin e ditlindjes. .Është kënaqësi për ne, që organizojmë ditlindjen tuaj në këtë ambient ushtarak dhe nuk ka kuptim të ishte ndryshe, pasi Forcat e Armatosura janë shtëpia juaj e dytë, theksoi Gjeneral Bazo. Zoti Alfred Moisiu, një pinjoll i denjë i familjes Moisiu, është një personalitet i rëndësishëm i jetës politiko-ushtarake në Shqipëri, pasi i ka shërbyer mbi 70 vjet me përkushtim, ndershmëri e krenari vendit të tij. Së pari spikat kontributi i tij si ushtarak, duke ecur në gjurmët e babait të tij, Gjeneral Spiro Moisiut, një nga drejtuesit kryesorë të luftës kundër pushtuesve nazifashistë. Gjatë karrierës ushtarake zoti Alfred Moisiu kreu detyra të ndryshme, herë me ulje, herë me ngritje, ashtu si dallgët e detit, për shkak të konjukturave të ndryshme politiko-ushtarake, por dhe karakterit të tij antikonformist dhe respektit për profesionin e ushtarakut. Ai është dëshmimtar dhe pjesmarrës i të gjithë periudhave e reformave të rëndësishme që ka pësuar ushtria shqiptare të paktën për 5 dekada. Një karrierë dhe eksperiencë të admirueshme dhe brilante që kulmoi me atë të Komandantit të Përgjithshëm të FA Shqiptare, gjatë funksionit të Tij si President i Republikës së Shqipërisë. Në këtë detyrë të rëndësishme zoti Moisiu ka mbështetur fuqishëm cdo program që synonte reformimin dhe modernizimin e FA, përpjekjet për arritjet e standarteve të NATO-s dhe integrimin e vendit në strukturat EuroAtlantike. Në fakt Zoti Moisiu ka qenë një nga pionierët e parë të transformimit të FA shqiptare dhe integrimit në NATO. Mbas ndryshimeve politike të viteve ’90, në pozicionin e Ministrit dhe zv/Ministrit të Mbrojtjes, bashkë me të ndjerin zotin Zhulali, Zoti Moisiu hartoi programet e para të bashkëpunimit me aleancën e NATO-s në kuadrin e Pfp. Si ishushtarak më kujtohet dashamirësia e tij për të inkurajuar cdo ushtarak shqiptar në përvetsimin e programeve të përbashkëta me ushtarakët e aleancës, të përfitimit maksimal në këto programe, njohjes me gjuhën angleze, etj. Kështu, në një seminar të parë të zhvilluar për mediat, nivel tepër i lartë, në maj të 1994-ës, nën drejtimin e zotit Geoge Piterson, ishdrejtor i medias së Korpusit të SHBA në Evropë, kur erdhi puna që duhet të diskutonim, si përfaqsues të medias për palën shqiptare, ne kishim ndrojtje dhe merak, por zoti Alfred me atë “babaxhanllëkun” e fisnikërinë karakteristike, më vuri dorën në shpatulla dhe më tha, Hë, Shefqet, mos ki asnjë emocion, folë, do e shohësh se ka për të dalë mirë! Kështu i lehtësonte Ai ushtarakët shqiptarë. Kështu e mbaj mend unë ushtarakun madhështor Alfred Moisiu qysh atëhere. Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë më lartësohet para syve figura e këtij njeriu me vlera të vecanta për ushtrinë dhe popullin shqiptar. Jo vetëm kaq, por Ai pamvarësisht funksionit si zv/Ministër Mbrojtje, në Qershor të vitit 1994, bashkë me një grup intelektualësh dhe ushtarakësh shqiptarë krijuan Shoqatën Shqiptare të Atlantikut, e para e këtij lloji në Ballkan. Shoqata dhe më pas Këshilli i Atlantikut, nëpërmjet programeve, iniciativave, konferencave, takimeve të zhvilluara, publikimeve dhe mendimeve të shprehura, ka qenë një faktor determinant dhe i parapriu integrimit të vendit tonë në NATO. Mbasi evidentoi karrierën e zotit Moisiu dhe kontributet si ushtarak e burrë shteti, Gjeneralmajor Bazo u shpreh: “Duke vlerësuar këto kontribute tepër të rëndësishme, do të dëshiroja të shtoja se ju zoti Moisiu jeni modeli i një ushtaraku karriere, i një njeriu që me vlerat dhe etikën që posedoni, jeni pa diskutim një shembull për t’u ndjekur”. Në vijim të aktivitetit, Ministrja e Mbrojtjes zonja Kodheli, theksoi vlerat e padiskutueshme të zotit Alfred Moisiu, ato familjare, ushtarake dhe si shtetar. Pikërisht në emër të këtyre vlerave, duke i uruar jetë të gjatë dhe aktive, zonja Kodheli i dorëzoi z.Alfred Moisiu “Medaljen e Mirënjohjes” me këtë motivacion: “Për kontributin e dhënë si pjesëmarrës në mbrojtjen e vendit”, ndërsa Gjeneralmajor Bazo i dhuroi një pamje me flamurin kombëtar dhe hymnin e shkruar në të, të cilat kanë qenë udhërëfyes në jetën e këtij ushtaraku të paepur. Dhe aktualisht, pamvarësisht pozicionit jetësor si pensionist, Alfredi ndjek nga afër cdo zhvillim të Forcave tona të Armatosura, dhe mbështet cdo reformë që i shërben modernizimit, rritjes së kapaciteteve operacionale dhe pjesmarrjes së forcave tona në operacionet paqëruajtëse të NATO-s. Ai është ndër ato personalitete që asnjëherë se ka ulur zërin për të mbrojtur interesat e FA, por dhe ngjarje që janë anashkaluar nga studjuesit, historianët dhe politikanët tanë. Psh. Zoti Moisiu, ka mbështetur fuqishëm me fakte dhe argumente ngritjen e memorialit kushtuar ushtarakëve amerikanë që kontribuan për clirimin e Shqipërisë në Luftën e II-të Botërore. Lidhur me ceremoninë e ngritjes së këtij memoriali, Gazeta “Dielli” shkruan se, Ishpresidenti Alfred Moisiu, pjesmarrës në përurimin e memorialit në Korcë, më 8 maj 2014, kërkoi nderimin e kontributit të këtyre ushtarëve, kontribut që pak njihet në Shqipëri, sepse regjimi komunist e fshehu qëllimisht.. Gjatë kohës së monizmit, psh. vihej në dukje kontributi i sovjetikëve, të cilët përfaqësoheshin vetëm nga dy persona në Helmës, në mesin e 1944-të, dhe nuk dhanë asnjë kontribut në luftë. Roli i tyre ishte zbulimi në interes të Ushtrisë së Kuqe dhe mbështetës për marrjen e pushtetit nga Partia Komuniste, pas luftës. Këto janë faktet, tha Moisiu. Në vijim Ai theksoi se pa SHBA, kombi shqiptar nuk do të ishte sot në këto pozita. Ndoshta ne nuk do të ishim sot këtu, nëse më 1919 presidenti Uillson nuk do t’iu vinte fre kryqëzatës për copëtimin e Shqipërisë, ashtu si 90 vjet më vonë, në vitin 1999 presidenti Klinton, do të udhëhiqte përpjekjet e NATO-s për t’i dhënë lirinë gjysmës tjetër të këtij kombi. Dhe në këto 23 vite të tranzicionit, kanë qenë amerikanët që kanë qenë më pranë kombit shqiptar. Prandaj shqiptarët thonë se e kemi për zemër Amerikën”, u shpreh ish-presidenti Moisiu. Ai ka mbështetur projektin e ngritjes së një memoriali të tillë në Tiranë. Një njëri energjik, me vullnet e shpirt sakrifice, Ai mbetet një ushtarak i përjetshëm i vendit tonë. Një vlerë e shtuar e zotit Moisiu është kujdesi që tregonte ai për kushtet e jetësën e ushtarakëve të cdo niveli, të cilën kam pasur rastin ta shoh kur shërbeja në shtabin e Divizionit të Shijakut. Interesi i Tij për zgjidhjen e problemeve social-ekonomike të ushtarakëve ishte në maksimum, madje gjatë takimeve që organizonte me shtabet e asaj kohe në njësitë kryesore të FA, këshëllonte dhe jepte porosi deri tek organizimi i aktiviteteve e sistemit të rekracionit në ushtri. Si ishushtarak dhe studjues kam lexuar shumë për figura të shquara ushtarakësh në SHBA, Angli e kudo, por me bindje them se zoti Alfred Moisiu, është i ngjashëm me këto figura, nga niveli, thjeshtësia, erudicioni, aftësitë drejtuese dhe organizuese, ndaj shpesh them me vete, jam me fat që kam qenë pjesmarrës në mjaft aktivitete që ka drejtuar ky lider i shquar i kombit tonë! Në fund të kësaj ceremonie të organizuar në MM, ish-presidenti Moisiu, falënderoi Ministren e Mbrojtjes Kodheli, Gjeneralmajor Bazon dhe ushtarakët e tjerë për vlerësimin e lartë që i bëjnë figurës së tij me rastin e 85-vjetorit të lindjes. “Unë kam punuar dhe do të punoj për vendin tim derisa të kem frymë, sepse kështu jemi edukuar ne ushtarakët, sepse kështu na do atdheu, sepse kështu na do Shqipëria dhe populli”, u shpreh Ai. Por z.Alfred nuk ishte thjesht një ushtarak bashkëkohor i kalibrit botëror, Ai mbi të gjitha ishte njeri si gjithë të tjerët, që ka provuar genocidin e sistemit komunist, por kurrë nuk ju nënshtrua atij. Ka jetuar e vuajtur halle personale e familjare njëlloj si qytetarët e këtij vendi. Këtë Zoti Moisiu e ka shprehur dhe në mjaft intervista në media apo biseda me kolegët. Por Ai dhe familja e Tij kanë qenë të nderuar dhe respektuar nga të gjithë qytetarët shqiptarë. Kështu unë mund të them një rast, kur isha oficer i ri në vitet 1983, në Kavajë, po pija kafe në lokalin në qendër të qytetit, nga të paktët e asaj kohe. Befas shokët e mi të tavolinës u ngritën në këmbë. Unë i them c’patët? O mik, po kalon Alfred Moisiu, më thanë! E kisha dëgjuar si emër, por, po e shihja si portret. Alfredi kaloi serbes në trotuarin përbri xhamisë së qytetit, me kapele republike në kokë, dhe qysh atëherë portreti i tij fizik nuk ka asnjë ndryshim. Me atë fakt të thjeshtë kuptova që familja Moisiu dhe Alfredi kishin rënjë të thella në popull dhe respekt të jashtëzakonshëm, pamvarësisht detyrave që kreu në atë kohë. Theksoj se, krahas dimesionit ushtarak, zoti Alfred ka dhe një dimesion tjetër, atë të një burrështetasi civil. Me sa duket gjeneza familjare, studimi i vazhdueshëm, profesioni i ushtarakut, hallet e sakrificat familjare, eksperienca jetësore, e përgatitën Alfredin si burrë shteti, vlera që Ai i tregoi, në vitet 2002-2007, si President i Republikës së Shqipërisë. Është Ai që vuri në vend figurën e presidentit, i dha dimesionin e merituar e respketuar për shtetin shqiptar dhe mbarë kombin. Me thjeshtësinë, gjakftohtësinë, sinqeritetin që e karakterizon, futi në hullinë e duhur dhe zgjidhi mjaft probleme jetike të shtetit shqiptar. Ai diti të verë frymën e bashkëpunimit e debatit konstruktiv, para konfliktualitetit të ashpër politiko-partiak, futi urtësinë popullore në zgjidhjen e cështjeve të rëndësishme të kombit shqiptar, vecmas ato të sigurisë. Zgjodhi stafin më të mirë të këshilltarëve të vet në cdo fushë, i parapriu mjaft sfidave të rëndësishme të shtetit shqiptar, të cilat dhanë rezultatet e veta në 2008. E pra, këtë mund ta bënte vetëm Alfredi! Një njëri fisnik, shpirtmadh, këmbëngulës, i lidhur fort me fatet e Shqipërisë. Ai i dha vendin e vet dhe autoritetin e duhur pozicionit të Presidentit të RSH, që do shkruhet me gërma të arta në historinë e popullit shqiptar. Pikërisht evidentimit të këtyre vlerave të spikatura si burrë shteti i shërbeu aktiviteti i organizuar pasditen e datës 1 Dhjetor më mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Në këtë ceremoni morrën pjesë ishpresidentë të RSH, personalitete të larta civile e ushtarake, të kulturës, historisë, miq e kolegë, etj. Me këtë rast për të pranishmit u shfaq një dokumentar kushtuar familjes Moisiu. Ndërkohë që u evidentuan përsëri dhe vlerat e padiskutueshme të këtij njeriu të madh, që po le gjurmë të pashlyera në historinë e kombit tonë, si ishushtarak e ishpresident. Zoti Alfred Moisiu, me kontributin e tij në fusha të ndryshme, është pjesë dinjitoze e sagës së Moisive në Shqipëri. Ndaj le ti urojmë së bashku, Gëzuar 85 vjetorin! U bëfsh 100! Shëndet e mbarësi në familje!

Filed Under: Featured Tagged With: e lindjes, Ish presidenti Moisiu, ne 85 vjetorin, vleresohet

Pse nuk mund të festojmë 70-vjetorin e çlirimit

December 3, 2014 by dgreca

Nga Át Vitor Demaj, OFM/
Hymje/
Kur grekët e vjetër filluen me u marrë me histori, menduen me trajtue historinë si shkencë për dy qëllime. Ata thojshin se historia shërben për me mësue prej gabimeve të maparshme; dhe që këto gabime të mos përsriten ma. Grekët mendojshin se natyra e njeriut âsht lehtësisht e manipulushme e se ngjarjet edhe ato mâ tragjike mund të përsriten. Historiani duhet të grumbullojë fakte, ngjarje, dëshmi të njerëzve që jetuen ato ngjarje, dokumente, të kërkojë nëpër arkiva, të lexojë libra të shkruem posaçe për atë periudhë. Grekët mendojshin se tue u a mësue historinë brezave të rij do të parandalonin problemet e së kaluemes. Tue studiue historinë edukoheshin e formoheshin breznitë e reja me të mirat e me të këqijat e të parëve tyne. Edhe sot shërben për né që ta njohim historinë për me njoftë të kaluemen e sidomos që ajo të mos përsritet.
Ketë vit u banë kremtimet për 70-vjetorin e çlirimit të Shqipnisë. Historianët e historisë sëré e kanë nxjerrë kryet, nostalgjikët e sistemit komunist japin sentenca, ndërkohë që rikthehet frikshëm fotografia e Enver Hoxhës në mbledhje publike. Simboli i së keqes vijon të mbijetojë në mendjet e disa shqiptarve. Bile hija e tij po i ndjek mbrapa. Ambasadori amerikan e dënoi qartë rikthimin e figurës së Enver Hoxhës e ndërkohë shumë prej nesh heshtën.
Nëse e shikojmë me objektivitet ketë vit i bjen të kujtojmë 70-vjetorin e fillimit të tiranisë, të diktaturës mâ çnjerëzore të popullit tonë. Nuk duem të paragjykojmë të vramët gjatë Luftës së Dytë Botnore, sidomos të ramt ndër partizan e komunista. Për komunistatpat deklarue P. Anton Harapi, në vjetin 1944se veprojshin me krye në thes, pa e dijt se kush po i udhëhiqte. Nuk dijshin se kush po i drejton. Shumë sish kishin luftue për nji Shqipni të lirë e jo për diktatorin e vrasësit e tij. Historinë nuk mund ta lexojmë vetëm nëpërmjet nji date ose mbas nji rase të caktueme, atë duhet ta kontekstualizojmë dhe ta lidhim me atë se çka ndodhi mâ vonë. Ajo çka erdhi mâ vonë nuk lejon kurrqysh që 29 nandori i vjetit 1944 të jetë ditë gëzimi.
1 Asgjasimi fizik i Klerit katolik
Kaluem prej pushtimit fashist në ferrin komunist. Nuk kaluem në liri, por prej pushtimit në diktaturë. Shqiptarët nuk e panë lirinë mbas nandorit të vjetit 1944. Në ketë humbje të madhe, peshën kryesore e mbajti Kisha Katolike. Ajo humbi gjithçka.
Po rreshtojmë ngjarjet në trajtë kronologjike që vuejti Kisha Katolike e Françeskanët Shqiptarë.
Kleri katolik me qendër në Shkodër u konsiderue prej qeverisë shqiptaro-jugosllave si qendra anti-shqiptare e cila duhej shfarosë nji orë e mâ parë. Hapi i parë vjen e kryhet në kumbonaren e Gjuhadolit ku përkrah flamurit shqiptar, i cili valvitej i vetëm që prej 13 qershorit të vjetit 1913, vihet edhe flamuri jugosllav.
Menjherë fillon persekutimi. Vritet në malet e Dragobisë prej komunistave françeskani i parë Át Lekë Luli. Ky do t’u paraprinte çetës së ardhshme të martirëve. Forcat jugosllave vrasin në pabesi fratin Leonard Tagaj, famullitar i Hotit e Grudës. Fill mbas Át Leonardit, vritet edhe Át Bernardin Llupi, i cili kishte përshkrue në kujtimet e tij luftën ndërmjet ushtrisë serbe e Dukagjinit në vjetin 1915. Në janar të vjetit 1945 arrestohen Át Gjon Shllaku, Át Giovanni Fausti e Át Daniel Dajani. Pushkatohen sa dalin në gjyq si anmiq të popullit me datën 4 mars 1945.
Arrestojnë Dom Ndre Zadejen, i njoftun prej publikut për kulturën e tij të gjanë. E pushkatojnë pa gjyq. Fill mbas tij në tortura të paimagjinueshme vdes publicisti e përkthyesi Dom Lazer Shantoja.
Gjimnazet e Fretënve e të Jezuitëve konsideroheshin si qendra anmiqsore të cilat simbas regjimit të ri enverian veprofshin kundra interesave të kombit.
Në Dukagjin arrestojnë Pater Anton Harapin. Mbasi e mbajnë për disa muej nën tortura në burgun e Tiranës, e pushkatojnë në shkurt të vjetit 1946. Sot as vorri i tij nuk gjindet.
Terrori vazhdon nëpër kisha e kuvende. Anmiqt e popullit duhen asgjasue me çdokusht. Ky kje urdhri prej Tirane i drejtuem prej qeverisë jugosllave.
Kuvendi i Gjuhadolit në Shkodër kje qendër e vertetë kulture e humanizmi. Në ketë kuvend jetuen e vepruen personalitetet mâ të randesishëm të kombit tonë, si Át Gjergj Fishta, Át Shtjefën Gjeçovi, Mons. Vinçenc Prennushi, Át Pal Dodaj, Át Pashk Bardhi, Át Marjan Prelaj, Át Ambroz Marlaskaj, Át Bernardin Palaj, Át Donat Kurti, Át Anton Harapi, Át Martin Gjoka, Át Justin Rrota, etj., të cilët hodhën themelet e kulturës shqiptare. Po në Kuvendin françeskan kreu vizita të shpeshta Faik Konica e shumë figura të shqueme të Shqipnisë. Ndërsa martiri i kombit Luigj Gurakuqi kishte zyrën e tij në kuvendin e fretenve. Në dhetor të vjetit 1946 Kuvendi i Gjuhadolit kthehet në burg, ose siç e quen P. Zefi “Burgu i Kishës”. P. Pal Dodaj-n e torturojnë memetoda nga mâ çnjerëzoret. P. Bernardin Palaj-n e gozhdojnë e Marie Tucin e fusin nji thes bashkë me nji mace. Maria vdes prej torturave të shumta. Ishte vetëm 22 vjeçe. Për nji pagëzim pushkatohet në vjetin 1971 Dom Shtjefen Kurti. Ndërkaq folkloristin e njoftun Dom Lekë Sirdani bashkë me Dom Pjetër Çunin i mbysin në nji gropë të ujnave të zeza në Koplik.
Po në vjetin 1946 u arrestuen tre Ipeshkëvij, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Frano Gjini, Imzot Jul Bonati, Provinciali i Françeskanëve e disa klerik të tjerë. Ato u mbajtën të burgosun në Kuvendin e Gjuhadolit. Në shkurt të vjetit 1948 pushkatojnë pothuejse krejt kryesinë e Kishës katolike, Imzot Frano Gjinin, P. Ciprijan Nikën bashkë me P. Mati Prendushin, Provincialin e françeskanëve. Mons. Vinçenc Prennushi do të vdesë nën tortura në mars të vjetit 1949. Vdesin si martir tue i fal të gjithë. Trajtoheshin si kriminel Imzot Luigj Bumçi e Imzot Gaspër Thaçi, Imzot Bernardin Shllaku, Imzot Ernest Çoba, Imzot Antonin Fishta, Imzot Pjeter Demaj e shum meshtar të tjerë. Kisha Katolike po shkonte drejt asgjasimit të plotë.
Persekutimi vijonte. Torturat ishin nga mâ të ndryshmet. I groposnin nëpër nevojtore, i banin me pi urinën e tyne, i lejshin të varun nëpër mure, pemë e shkallë përditë e net sidomos gjatë dimnit, i djegëshin nën stjetull me vezë të nxehta, u mbushnin me kryp e uthull plagët, i djegëshin në zjarrm, kuja nën thoj, i rrashin me konop të lagun, përdorojshin korentin në veshë e gojë e në pjesë mâ delikate të trupit, i linin pa gjumë, i shtinin nëpër biruca në ujë për shumë ditë rresht gjatë dimnit, i kryqzojshin nëpër dysheme, i shtrijshin të plagosun në prush, i lidhnin me të dekun etj. Ndërkohë që gjatë natës dëgjoheshin britma vuejtjeje që u vinin prej plagëve, partizanët këndonin kangë revolucionare për mos me i dëgjue populli vuejtjet e martirëve.
Arqipeshkvin e Shkodrës, Mons. Ernest Çoben, mbasi u mbyllën kishat, e detyruen të punonte si pastrues nëpër rrugët e qytetit. Ky ishte Aqipeshkëvi i fundit. Vdes i helmuem prej sigurimsave të shtetit.
Fishtës prej urrejtjes së madhe në vjetin 1967 i nxjerrin eshtnat prej vorrit e ia hedhin në Lum të Kirit. Në vorrin e tij kishin mbetë vetëm pak eshtna, me të cilat mbas rihapjes së Kishës në vjetin 1990, rishtas iu ndërtue vorri po në Kishën e fretënve në Gjuhadol-Shkodër.
Bashkë me martirët që i përmendem, janë edhe shumë të tjerë të cilët hoqen mundime të shumta për të vetmin faj, për besimin në Krishtin e bashkimin me Papën e Romës e se deshtën Shqipninë e shqiptarët. Ndër këta po përmendim Át Frano Kirin, Át Mark Harapin, Át Nikoll Mazrrekun, Át Gegë Lumaj, Át Klement Miraj, Át Benedkit Dema, Át Marin Sirdani, Dom Frano Ilia, Dom Mark Dushi, Át Leon Kabashi, etj.
Dishmitarët okularë si P. Zef Pllumi, P. Konrad Gjolaj, Dom Simon Jubani, Gjovalin Zezaj, e shumë të tjerë na tregojnë se cila kje ftyra e vërtetë e komunizmit. P. Donat Kurti, mbasi kreu 17 vite burg jetoi në nji vorfni të skajshme brenda nji kolibe, i braktisun e i harruem prej të gjithëve. Bash si P. Donati jetuen e vdiqën shumë meshtarë në nji vorfni të skajshme, të detyruem në punë të vështira e në nji kalvar të pafund mundimesh, shamjesh, vuejtjesh e mjerimi.
1 Shkatërrimi i veprës kulturore
Po trajtojmë grabitjen e bibliotekave, të arkivave e Dioçezave, të famullive, të kuvendeve, etj. Bilanci âsht vërtetë tragjik. Biblioteka e famshme françeskane, e cila përdorej edhe si redaksi e Hyllit të Dritës, kthehet në gjykatore prej tiranit. Shkatërrohet krejtësisht tue shembë për dhé raftat me libra të vjetër për Shqipninë e shqiptarët. Shumë prej librave nuk dihet se ku përfunduen. Nji pjesë e tyne i kaluen bibliotekës së qytetit të Shkodres, nji pjesë bibliotekës kombëtare në Tiranë e nji pjesë jo e vogël shkatërrohet. Biblioteka françeskane numronte mâ shumë se 20.000 vëllime.
Të njajtin fat pat edhe Arkivi i fretënve. U shkelën me kambë dokumentat e vjetër. Partizanët thojshin se historinë “do ta bëjmë ne e kështu nuk na duhen gjë këto dokumente”. Simbas dëshmisë së P. Zef Pllumit, arkivi fillonte me dokumenta qysh prej vjetit 1415, vijonte me dokumenta të shekujve XVI-XVIII përfundonte me Luftën e Dytë Botnore. Arkivi përmbante shkrime origjinale të arbëneshëve të Italisë, letërshkëmbim të vlefshëm rreth ngjarjeve që sollën pamvarësinë e Shqipnisë, dorëshkrimet të P. Gjergj Fishtës, P. Shtjefen Gjeçovit, P. Pal Dodaj, Luigj Gurakuqit, Imzot Prennushit, P. Ambroz Marlaskaj, etj.
Mbas shkatërrimit të bibliotekës dhe arkivit i erdhi rradha Muzeumit të themeluem prej P. Shtjefen Gjeçovit. Shumë prej objekteve të mbledhuna aty nuk dihen se ku përfunduen. Përveç Muzeut të Gjeçovit u shkatërrue edhe oda muze ndertue për nder të poetit kombëtar P. Gjergj Fishtës. Në odë kjenë vendos sendet personale e dorëshkrimet e poetit. Njikohsisht u grabit edhe Pinakoteka e ndertueme prej P. Gjergj Fishtës me piktura shum të vjetra. U sekuestrue Shtypshkroja Françeskane e cila që prej vjetit 1916 kishte nxjerrë në dritë nji shumësi botimesh me vlerë të paçmueshme për kulturën tonë. Bashkë me mbylljen e Shtypshkrojes Françeskane, u mbyll edhe shtypshkroja e Jezuitëve e cila funksiononte që prej vjetit 1870. Kjo shtypshkrojë pat funksionue edhe para pamvarësisë së Shqipnisë.
Me urdhën të premë prej Tirane u mbyllen revistat kulturore Hylli i Dritës e Leka e bashkë me to edhe revistat me karakter kryesisht fetar e kulturor,Zani i Shna Ndout e Lajmëtari i Zemrës së Krishtit.
Umbyll kolegji Saverian e bashkë me të edhe shkollat që drejtoheshin prej etenve Jezuit. U shembë për dhé Muzeu i tyne e u grabit koleksioni i çmueshëm i Numizmatikës. Mbyllin Liceun Klasik të Françeskanëve i cili kje themelue që në vjetin 1921. Përveç Gjimnazit, në atë kohë françeskanët drejtonin mâ shum se 20 shkolla fillore. Sikurse Liceu Klasik edhe këto shkolla u mbyllen me pretekstin se ishin reaksionare. Edhe shkolla femnore e motrave Stigmatine në të cilën u edukuen e u formuen shum të reja, u mbyll.
Arkivat e zyrave famullitare si dhe të kuvendeve ishin shum të pasun me materiale rreth historisë e gjuhësisë shqiptare. Vetëm arkivat e zyrave famullitare të Françeskanve mbajshin dokumenta të shekullit XVI e në vijim. Të gjitha u shkatërruen. Persona të papërgjegjshëm grabiten e djegen ketë pasuni të çmueshme të kulturës tonë. U mbyllen edhe Shoqnitë, si ajo Antonjane, muzikore, fetare-kulturore të themelueme prej Françeskanëve, Jezuitëve e prej klerit dioçezan. Rreth këtyne shoqnive kjenë edukue rinija, e u formuen brezat e ardhshëm në muzikologji, gjuhësi, histori, etnologji, etj.
Vala e persekutimit vijon. Mehmet Shehu hedh në erë me dinamit Kishën mesjetare të Vaut të Dejës, ndërsa në vjetin 1967 me mbylljen e kishave fillon nji periudhë e ré persekutimi. Përveç burgosjes e pushkatimeve të meshtarëve, shkatërrohen veprat e artit, kishat e vjetra, afresket nëpër kisha e kuvende. Kishat u kthyen në kinema, pallat sporti, magazina, tue përçudnue artin fetar e arkitekturën e tyne. Digjen librat e meshëve. Shumë prej kishave të vjetra që sot do të ishin monument kulture janë shembë për dhé. Gurët e këtyne kishave u përdoren prej regjimit për me ndërtue mjedisete realizmit socialist. Vejnë dorë deri edhe nëpër vorre, tue hek kryqat e tue i zavendësue me “yllin e kuq”.
Përmbyllje
Për Kishën Katolike dhe për Françeskanët, 70-vjetori nuk kje festa e lirisë, por fillesa e pushtetit të së keqes e eliminimit fizik dhe e asgjasimit në masë të veprës kulturore që kishin ndërtue gjatë shekujsh. Nuk jemi shkëput ende préj Diktatorit! Vijon të shfaqet si hukubet nëpër mitingje. Jo vetëm Kisha Katolike por kréjt Shqipnia vuejti diktaturën e pashembullt të pushtetarëve komunist. Kini nderim për vuejtjen dhe eleminimin fizik që i shkaktuen popullit shqiptar e në veçanti Kishës Katolike e njerëzve të saj. Komunizmi në Shqipni nuk kje thjeshtë nji diktaturë, por Enver Hoxha me klanin e tij kreu genocid ndaj popullsisë shqiptare.
Ky përvjetor duhet të përkujtonte viktimat e sistemit që ai vet shkaktoi. Prandej, nuk duhet të festojmë, por duhet të reflektojmë që e keqja të mos përsritet.

Filed Under: Analiza Tagged With: 70-vjetorin, At Viktor Demaj, e Çlirimit, Pse nuk mund të festojmë

25 vjet më parë Imzot Pjetër Bogdani në New York

December 2, 2014 by dgreca

Nga Klajd Kapinova
/
Nisma dhe përmbatja e librit
Para 5 viteve, sëbashku me mikun tim zotin Tonin Mirakaj, aktivistin e palodhur të komunitetit shqiptaro-amerikanë, vatristin dhe publicistin veteran, ish Kryetarin e Këshillit të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mir” (sot “Zoja e Shkodrës”, Hartsdale, New York), filluam të punojmë për përgatitjen e botimit të kumtesave kushtuar Imzot Pjetër Bogdanit.
Sot me të drejtë në shtypin e ditës përkujtohet 25-vjetori i vizitës së parë të linderit paqësor të demokracisë dhe lirisë së Dardanisë martire Dr. Ibrahim Rugovës, një vlerësim mëse i merituar edhe në të adhmen. Por nga ana e tjetër, po ky shtyp i ditës ka 25 vite, që ka harruar me ose pa qëllim përkujtimin e personaliteteve të tjera, që morën pjesë në Simpoziumin historik dhe kulturorë.
Kështu ka 24 vite, që nuk shkruhet dhe vlerësohet sa duhet nga media e komunitetit tonë dhe në vendlindje figura e madhe e disidentit të mirëfilltë e Prof. Arshi Pipës. Në një takimi zyrat qendore të Federatës Panshqiptare të Vatrës këtu në New York, ishte hartuar me shumë të drejtë një listë e antarëve të Organizatës Panshqiptare “Vatra” (1912) me emërat e shumë figura të shquara të komunitetit tonë, që kanë bërë shumë për cështjen kombtare shqiptare.
Kjo listë iu dergua Presidentit të Shqipërisë zotit Bujar Nishani, i cili, me të drejtë në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë 24 Nëntor, bëri dekorimin e tyre me titullin me të lartë “Nderi i Kombit”.
Kujtojmë, se antikomunisti stoik, vatristi Prof. Pipa, ka qenë Kryetar i “Vatrës” dhe editor i gazetës “Dielli” (1909) për disa vite.
Duhen falënderuar Krytari i Vatrës zoti Dr. Gjon Bucaj dhe editori i gazetës “Dielli” zoti Dalip Greca, që pranuan se ishte bërë një harresë e paqëllimshme ndaj shkodranit të shquar disident Prof. Arshi Pipa dhe së shumë shpejt edhe ai do t’i bashkohet konstelacionit të njerëzve të shquar të Shqipërisë…
* * *
Përmbledhja studimore, që ofrohet sot për herë të parë për lexuesit shqiptarë, ka në qendër të vëmendjes përsonalitetet e studiuesit shqiptare, sikurse dhe studiuesit dhe shkrimtarët, që për shumë dekada kanë jetuar në botën e lirë deri sa komunizmi rrëzohet në Shqipëri.
Cilët ishin shkencëtarët e albanologjisë që u mblodhën në New York?
1. At Danjel Gjeçaj O.F.M. (1913-2002), kapelan i katolikëve shqiptarë në botën e lirë, një ndër shqiptarët më të njohur asokohe për vepra fetare dhe kombëtare, shkrime e perkthime etj.

2. Prof. Arshi Pipa (1920 -1997), pedagog univesiteti në Amerikë, shkrimtar disident dhe botues i një serë veprash të çmueshme në prozë, poezi, kritikë letrare, publicistikë, editor etj.

3. Dr. Ibrahim Rugova (1944-2006), shkrimtar, studiues i apasionuar i figurës poliedrike të burrit të madh dhe eruditit Imzot Pjetër Bogdanit, kritik letrarë, politikan dhe më vonë udhëheqës i shquar i LDK-së dhe President i Parë i Republikës së Kosovës Martirë.

4. Prof. Martin Camaj (1925-1992), albanolog, linguist, shkrimtar modern, pedagog universiteti në Gjermani, i mirenjohur për shumë vepra letrare etj.

5. Prof. Dr. Engjell Sedaj (1943-2006), shkrimtar dhe studiues i begate ne lemin e historise, me nje seri veprash.
Në librin e ri me 220 faqe, shoqëruar me foto origjinale historike të vitit 1989 dhuruar nga zoti Tonin Mirakaj, janë përfshirë kumtesat shkencore-historike, që botohen për herë të parë, kushtuar Imzot Pjeter Bogdanit.

Në hyrje të librit botuesi z. Tonin Mirakaj, tregon arsyet e daljes me vonesë të kumtesave në fjalë. Ai mbasi thekson rëndësinë e këtij Simpoziumi, për komunitetin shqiptaro-amerikanë (mbajtur 25 vjet më përpara) e gjen me vend arsyen e botimit të kumtesave historiko-shkencore, që i shtohet sot fondit të artë të kulturës shqiptare, duke hedhur dritë mbi figurën shumë të njohur të shekullit XVII, që punoi dhe jetoi pranë popullit të tij, që e deshti me mish e shpirt.

Përshkrimi historik i Simpoziumit nga editori i librit

U mbushën 25 vjet nga koha kur në Campus Center të Fordham University Bronx, NY (më 7 tetor të vitit 1989), në kujdesin e kishës katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” në New York, u mbajt seminari shkencor, në përkujtim të 300–vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit. 
Gjatë ditës së semnarit historik e kulturor, në nderim të personalitetit të shquar të historisë dhe kulturës shqiptare Imzot Bogdanit, u mbajt një rend dite.
Hapja u drejtua nga z. Tonin Mirakaj, kryetar i këshillit të kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në NY, ndërsa lutja fetare, për kujtimin e shpirtit të prelatit të pavdekshëm u bë nga I Përndershmi Dom Pjetër Popaj.
Më pas të pranishmit, u ngritën në këmbë e nderuan dhe shoqëruan me këngë hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë, të kënduar me një pathos të veçantë nga aktivistët e palodhur të kishës: Fran Shala dhe Miliana Mirakaj.
* * *
Shpesh njerëzit e artit dhe kulturës, qoftë në trojet etnike shqiptare dhe diasporë, ku punojnë dhe jetojnë bashkëkombasit tanë, kur dëgjojnë të flitet e të shkruhet, për një seminar, për një figurë të rëndësishme të historisë dhe të kulturës sonë, i shtyn kurioziteti të bëjnë pyetjen: Si e gjejnë kohën mërgimtarët tanë në Amerikë, të merren me organzimin e kuvendit, me përmbajtje dhe nivel të lartë shkencor, mbi përkujtimin e figurës shumëplanëshe të Imzot Pjetër Bogdanit, i cili ndërroi jetë afërsisht 320 vjet më përpara!? 

E natyrshëm vjen edhe përgjigjia. Komuniteti shqiptar në ShBA, ndonëse i pakët në numër, në disa shtete metropolitane kryesore, është përpjekur, sipas kushteve dhe rrethanave, mjeteve e burimeve financiare të tubohet, duke formuar klube, organizata, shoqata patriotike, kulturore, krahinore, duke vënë shpesh emertime, që përkojnë me figurat kryesore të historisë së popullit tonë. 

Në këtë mënyrë, linden e u zgjeruan aktivitetet me profil shumëplanësh mbi përkujtimin e historisë, figurave, dokeve, zakoneve, traditave, gjuhës, artit, kulturës, muzikës, pikturës etj., që në formë fragmentare u bartën nga kolonët e parë emigrantë shqiptarë, që u vendosën në ShBA. 
Breznitë shqiptare këtu, kanë ruajtur shumë nga tradita e të parëve të tyre, por sigurisht në masë të pakët, mbasi Amerika qindramilionësh vazhdimisht bluan me zhvillimin e integrimin e saj të vrullshëm kulturat e popujve të mëdhenj e të vegjël, të cilët bëjnë sakrifica të mëdha për t’i mbijetuar asimilimit të pashmangshëm. 

Duhet thënë se rolin kryesor të mbijetesës, në komunitetin e vogël heterogjen (nga të gjithë trojet etnike) shqiptarë në Amerikë (para vitit 1990 të shekullit XX), e kanë luajtur qendrat fetare të komunitetit, ku në mënyrë të veçantë spikat me efektivitet origjinal atdhetar kisha katolike në New York. 
Që prej 16 Qershorit 1962, kur themelohet Lidhja Katolike Shqiptare–Amerikane (The Albanian American Catholic League) në St. Cyril’s Slovenian Catholic Church, 62 St. Mark’s Place, New York, është bërë traditë ecja në gjurmët e paraardhësve shumëshekullore të prelatëve dhe shoqërive të ndryshme fetare, kulturore e patriotike të vendlindjes, të mbahen gjallë e të pasurohen më tej vlerat tona kulturore…

Si lindi ideja dhe suksesi?

Ideja qëllimmirë, për të përkujtuar dhe nderuar personalitetin e madh të shek. XVII, Imzot Pjetër Bogdanin dhe veprën e tij, u paraqit në fillim, në mbledhjen, që mbajti këshillit i kishës katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronx, NY (në muajin dhetor të vitit 1988), nga z. Gjek Gjonlekaj, aktivist i njohur në komunitetin katolik dhe ish-gazetar i Radios “Zërit të Amerikës”, administratori i kishës, I Përndershmi Dom Rrok Mirdita dhe krejt këshilli i kishës, përmes kryetarit të saj z. Tonin Mirakaj e miratoi njëzëri idenë e mirëseardhur. 
Që nga ai moment i gëzueshëm, u vendos bashkërisht, që në mbledhjen e parë në Vitin e Ri 1989 të zgjidhet një komision, që të fillojë përgatitjet e nevojshme, të caktojë pikat e projektit të rëndësishëm, duke përfshirë me saktësi e detaje kohën, vendin si dhe të vendoset se kush do të jenë ligjëruesit shkenctarë, në fushën e studimeve të letrave shqipe dhe albanologë të shquar, që do të kumtojnë më temat e tyre për rastin solemn të përkujtimit të arqipeshkvit shqiptar.
Për organizimin, puna filloi pa humbur kohë. Ishte një ide dhe punë serioze, që kërkonte shumë mund, kohë, durim, shpenzime monetare etj., tashmë kishte filluar të bëhet realitet, falë angazhimit serioz të këshillit të kishës, përmes kryetarit dhe stafit, që e shoqëronte atë. 
Kështu me 12 shkurt 1989, këshilli i kishës, zgjodhi komisionin përgatitës të seminarit, të përbërë prej zotërinjve: Tonin Mirakaj kryetar dhe antarët e nderuar: Gjek Gjonlekaj, Preç Koçaj, Ndoc Shkreli, Pretash Curanaj, Gjelosh Rukaj, Aleks Mirdita, Simon Simolacaj, Fran Shala.
Më 24 maj 1989, në ambientet e kishës shqiptare, grupi i punës përgatitore i kryesuar nga z. Tonin Mirakaj dhe administratori i kishës I Përndershmi Dom Rrok Mirdita, morën pjesë në takimin e parë, për të diskutuar programin dhe procedurat e tjera që duheshin, për mbarëvajtjen sa më të mirë të punimeve të seminarit në fjalë. 
Të gjithë ishin të impenjuar seriozisht dhe me një ndjeshmëri të lartë atdhetare, që manifestimi më i rëndësishëm kulturor, të dalë me një nivel sa më të lartë dhe miqtë e ftuar ta ndjejnë vetën si në shtëpinë e tyre. 

Në këtë mbledhje, u bisedua rreth organizimit me karakter ndërkombëtar të tubimit, si i vetmi në llojin e vet, në komunitetin shqiptar të Amerikës dhe një rast unikal në botën shqiptare asokohe të mergatës. 
Vetë prania e personaliteteve të shquara në evenimentin special, tregonte sesa me seriozitet e kishte marrë komisioni përgatitës, organizimin deri në detaje të tubimit, në përkujtim të klerikut, letrarit, dijetarit dhe personalitetit te ndritur të historisë së popullit shqiptar ipeshkëvit Bogdani, duke nderuar dhe respektuar kësisoj jetën dhe veprën e tij, në dobi të kombit të vet.
Karakteri ndërkombëtar, vinte nga fakti, se folësit profesionistë, do të ftoheshin nga Gjermania, Italia, Kosova dhe ShBA. Për të pasur kohën e mjaftueshme, për organizimin u caktua, që seminari të mbahet në ambientet e Fordham University në Bronx, New York, më datën 7 tetor 1989.

Në lajmërimin e hartuar nga komisioni përgatitës, që mban datën 3 korrik 1989, ndër të tjera lexojmë: “Këshilli i kishës katolike shqiptare në New York, adminstratorit I Përndershmi Dom Rrok Mirdita dhe ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj, lajmërojnë të gjithë bashkësinë shqiptare, se me datën 7 tetor 1989, do të mbahet një “Seminar Përkujtimor”, me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Ipeshkvit të kishës katolike, teologut, shkrimtarit, themeluesit të letërsisë shqipe dhe patriotit të madh shqiptar Imzot Pjetër Bogdanit… Të gjithë shqiptarët pa përjashtim janë të mirëpritur.
Për dashamirët dhe ata që studiojnë kulturën dhe letërsinë shqipe, është një rast shumë i përshtatshëm e i rrallë, ku, kanë për të pasur mundësinë të dëgjojnë vërtetë mjeshtër të albanologjisë shqiptare, sipas temave të përzgjedhura.”
Në atë mbledhje u vendos, që seminari të mbahet në restorantin “Eastwood Manor”, 3371, Eastchester Road, Bronx, New York, aktiviteti ishte parashikuar të fillonte në orën 12:30 të ditës, duke vijuar deri në orën katër të mbasditës.
Mirëpo në tubimin tjetër organizativ po për këtë problem, u vendos përfundimisht, që aktiviteti shkencorë, të mbahet në Fordham University, duke lëshuar me këtë rast edhe lajmërime të reja, për komunitetin shqiptar në Amerikë.
U vendos gjithashtu, që të ftohen si kumtues: Atë Danjel Gjeçaj O.F.M. nga Roma (Itali) Prof. dr. Martin Camaj Mynihu (Gjermani), Prof. Arshi Pipa (ShBA).
Aktivisti i palodhur i komunitetit tonë, gazetari z. Gjek Gjonlekaj, në mbledhje, propozoi, që të ftohen edhe ligjerues nga Kosova, duke përmendur dhe përshkruar me një Curricum Vitae esenciale emrat e dy albanologëve të shquar, si: Prof. dr. Ibrahim Rugova dhe Prof. dr. Engjëll Sedaj. 

Grupi përgatitor, i kryesuar nga zoti Mirakaj, kishte menduar edhe alternativën tjetër. Kështu, nëse ishte e pamundur ardhja e studiuesve nga Kosova, për arsye objektive, të situatës së ndezur politike në ato vite në krahinën autonome, u mendua, që të ftohen Imzot Nikë Prela (1918-1996) ipeshkëv i Kosovës dhe Imzot Pjetër Perkoliq arqipeshkëv i Tivarit dhe Primat i Serbisë.

Administratori i Kishës, I Përndershmi Dom Rrok Mirdita dhe komisioni, pranoi këtë propozim, për vijimsinë e realizimit të programit të përkujtimit me propozimet e reja, nëse mungojnë studiuesit e shquar kosovarë.

I kudondodhuri e i palodhuri, z. Mirakaj, pa vonesë, u angazhua drejtpërdrejtë me formalitetet e tjera të rëndsishme, duke u dërguar menjeherë ftesat zyrtare personave të lartpërmendur, në emër të këshillit të kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” New York.
Pa vonesë, u nisën me postë të gjithë ftesat zyrtare, për studiuesit profesionistë të jetës dhe veprës së Imzot Bogdanit, të cilat u konfirmuan me përgjigje pozitive mbas disa ditësh nga Patër Danjel Gjeçaj, Prof. Arshi Pipa, Prof. dr. Engjëll Sedaj dhe Prof. dr. Martin Camaj. 

Të gjithë të ftuarit special si kumtues, shprehen kënaqësinë për insiativën e mirëseardhur dhe pranuan me shumë dëshirë e kënaqsi shpirtërore, për të marrë pjesë në evenimentin shumë të rëndsishëm mbarëshqiptarë. 
Profesor Martin Camaj, duke kërkuar ndjesë, në pamundësi për të qenë atë ditë fizikisht në New York si ligjërues, me postë dërgon punimin shkencorë, që në ditën e seminarit u lexua nga dikush tjetër. 
Për të mos pasur përsëritje në temat e autorëve që kishin marrë për studim, u kerkua për efekt edhe të programit ose fletëpalosjes, (që do t’u jepej edhe të pranishmëve në auditorin e Universitetit), studiuesit të përcaktojnë dhe dërgojnë mundësisht titujt e temave të tyre me profile të ndryshme mbi Imzot Pjetër Bogdanin dhe veprën e tij.

Jo të gjithë konfirmimet kishin mbërritur në qendrën e komisionit organizues të seminarit. Mungonte përgjigja e ftesës pozitive ose negative nga albanologu Prof. dr. Ibrahim Rugova. Kështu në lajmërimin, që komisioni përgatitës lëshoi më 3 korrik 1989, për mbajtjen e seminarit, nuk gjindej emri i tij. Të gjithë ishin të shqetësuar, pse nuk kishte asnjë përgjigje nga Dr. Rugova. 
Nga ana e tjetër, sikurse kujton z. Tonin Mirakaj: “Ai e kishte marrë ftesën dhe ishte përgjigj pozitivisht, por se përgjigja e tij me shkrim kishte “humbur” në “postën” ish-Jugosllave askohe.”
Profesor Engjëll Sedaj lajmëroi z. Tonin Mirakaj, se Prof. dr. Ibrahim Rugova e ka marrë ftesën dhe është përgjigjë pozitivisht. Por sërisht enigma vijonte të brente komisionin, i cili i bazuar në konfirmimin e Prof. dr. Engjëll Sedajt, u dërgon menjëherë dy albanologëve kosovarë garancitë dhe biletat e udhëtimit me linjën ajrore të kompanisë jugosllave “JAT”, për një qëndrim në ShBA për 10 ditë.

Me datën 30 gusht z. Gjek Gjonlekaj, mundi të gjente numërin e telefonit privat të Prof. dr. Ibrahim Rugovës, të cilin ia dha z. Tonin Mirakaj. Mbas disa përpjekjeve, z. Mirakaj, ra në kontakt direkt me albanologun. Ai u gëzua shumë për ftesën, nderimin dhe vlerësimin, që kisha katolike shqiptare në New York dhe komuniteti shqiptar i kishte bërë atij, për të qenë një mik i nderuar midis mërgimtarëve në Amerikë.
Në bisedë e sipër Dr. Rugova, konfirmoi se e kishte marrë ftesën dhe shtoi, se: “Jam përgjigjur pozitivisht se do të marre pjesë me shumë gëzim, porse përgjigja ime ka “humbur” në postë…”

Aktivisti Mirakaj, mbasi e falënderoj për bisedën e ngrohtë që po zhvillonin, e vuri në dijeni, se garancitë dhe biletat e udhëtimit Jugosllavi-New York dhe kthimi me linjën ajrore “JAT”, ua kishte dërguar dy ditë më parë me postë, në adresën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, pranë Universitetit të kryeqytetit.

Nga ana e tjetër Prof. dr. Ibrahim Rugova, u interesua për temat e folësve në seminar, në mënyrë që të mos kishte përsëritje të kumtesave nga studiuesit. Në këtë bisedë, iu dha tema e caktuar për atë qëllim: “Historia shqiptare në veprën e Bogdanit”. Ai e pranoi me shumë kënaqësi, duke përshëndetur në telefon: “Mirë u pafshim në New York!”
Publicisti veteran z. Tonin Mirakaj, gjithë ditën e gjatë orëve të mbasditës, përveç punës së përditshme, lëvizte në shumë drejtime, për përgatitjen deri në detaje e të gjithë programit të caktuar, për realizimin sa më mirë e me detajet më të vogla të simpoziumit. Ai pa vonesë lajmëron meshtarin Të Përndershmin Dom Rrok Mirditën, aktivistin z. Gjek Gjonlekaj dhe antarët e tjerë të komisionit, për bisedën e zhvilluar në telefon me albanologun e mirënjohur Prof. dr. Ibrahim Rugovën. 
Ishte koha e përshtatshme, për të gjetur një auditor të madh dhe shumë komod, për ligjëruesit dhe pjesëmarrësit e shumtë, që do të nderonin figurën e prelatit e atdhetarit të madh shqiptar. 
Komisioni nën drejtimin e z. Mirakaj, bie në kontakt me menaxheret dhe stafin e Fordham University në Bronx, New York.
Qëllimi kryesor i tyre ishte sigurimi i një salle komode me kapacitet të madh vendesh, podiumi dhe elementët e tjerë të fonisë. 
Zoti, po ndihmonte me bujari të gjithë aktivistët e kishës, që kishin njetin dhe vullnetin e mirë. U sigurua salla e Universitetit e u shpërndanë menjëherë lajmërimet qendrave të informimit radiove dhe mediave informuese të shkruar të komunitetit tonë.

Dr. Rugova, ishte një problem!?

Me ardhjen e Dr. Rugovës, u plotësua lista e folësve, duke krijuar kësisoj portretet e personaliteteve të shquara të kulturës dhe letërsisë së botës shqiptare.

Kujtojmë, se asokohe Dr. Rugova, njihej vetëm si një shkrimtar, edukator, albanolog i letrave shqipe, por se në politikë ishte në fillim të aktivitetit të tij. Në këtë mënyrë, lajmi i ardhjes së tij në New York, përbënte një ngjarje të rëndësishme për të gjithë mërgatën tonë në Amerikë. Lajmi i gëzueshëm, solli një problem të madh, për organizatorët e aktivitetit kulturor. Fakti, se ai tashmë po bëhej një person publik me reputacion në rritje, bëri që organizatorët të mendonin më shumë për sigurinë e tij. Tashmë, ai duhej ruajtur nga ndonjë rrezik i papritur ose i organizuar nga elementë keqbërës, që në këtë rast mund të turpëronte kishën dhe komisionin organizues. 

Nga të gjithë grupi i punës, u mendua, që për profesorët e ardhur nga Kosova Prof. dr. Ibrahim Rugova dhe Prof. dr. Engjëll Sedaj, të sigurohej vendqëndrimi në një ndër hotelet më të mira dhe me eksperiencë, në ruajtjen e diplomatëve botërorë, pra me reputacion të njohur në këtë vend.
Për këtë qëllim, u shfrytëzua miqësia e djalit të aktivistit Tonin Mirakaj, të riut Danjel Mirakaj, i cili me dëshirë të madhe u takua me miqtë e vet në Manhattan East Hotels. U sigurua një suite me dy dhoma fjetjeje komode dhe dhomë pritjeje në “Beekman Towers” në 49 th Street, në katin e 17-të (Manhattan, New York) nga dritaret e së cilës, shihej për bukuri ndërtesa e madhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

Një vend shumë i përshtatshëm, për mysafirët e shtrenjtë, u rezervua nga vetë kisha dhe komunitetit ynë në New York. Prof. Dr. Ibrahim Rugova, ishte shumë i gëzuar dhe emocionuar se gjendej përballë OKB. Ndërsa po i hedhte një vështrim përkëdhelës ndërtesës prej xhami të Kombeve të Bashkuara nga dritarja, Prof. Rugova, me buzëqeshje tha: “Aty në atë ndërtesë do të zgjidhet problemi i Kosovës!”

Për arsye sigurie, nuk u lajmërua nga mediat e komunitetit ora e mbërritjes së tij. Në aeroport profesorët kosovarë, u pritën nga një grup i vogël, i përbërë nga administratori i kishës katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mir” I Përndershmi Dom Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj, kryetari i këshillit të kishës z. Tonin Mirakaj, z. Gjek Gjonlekaj dhe antarë të komisionit përgatitës. Përveç makinave personale, familja Biberaj, kishte dërguar një limozinë për mysafirët, në shenjë respekti dhe vlerësimi të lartë.
Nga aeroporti “J.FK.”, automjetet në karvan u nisën për në “Beekman Toërs”, ku lanë valigjet e mysaferëve e u ngjitën sëbashku të gjithë në banesën e aktivistit z. Tonin Mirakaj në Fifth Avenue, Manhattan, New York, ku u kalua një mbrëmje shumë e gëzueshme.
Nga kjo darkë dhe mikpritje tipike bujarie shqiptare, z. Mirakaj, ruan shumë mbresa e kujtime të pashlyeshme. 
Ndër të tjera, ai rikujton: “Profesor Rugova, pinte shumë duhan, cigare mbas cigares pa ndërprerje. Ai edhe kur hante bukë, cigaren e mbante të ndezur në njenen dore. Gjatë darkës bashkëshortja ime Miliana, kur e pa me cigare të ndezur, u afrua të merrte pjatën. Duke buzëqeshur profesor Rugova, iu drejtua asaj: jo zonjë, se kështu e kam unë, ushqim dhe duhan bashkë! Të gjithë që ishim aty qeshëm dhe atmosfera u bë edhe më e gëzueshme. Ata ndieshin si në shtëpinë e tyre, duke kaluar kështu orët e imta të mbrëmjes ngrohtësisht. Në atë mbrëmje, ndër të ftuarit ishte miku im doktor Salvatore Delprete, i cili kishte vënë re me habi mënyrën sesi Profesor Rugova e pinte duhanin pa ndërprerje. Dr. Delprete, kishte pa gjithashtu, ndonëse nuk e kuptonte gjuhën shqipe, se Prof. Rugova, ishte një njeri me rëndësi nga mënyra se si njerëzit silleshin rreth tij. Tonin, më tha: “Thuaj Profesorit, se duhani ka me i marrë jetën, po e vazhdoj në atë mënyrë!”.
I thashë Dr. Rugovës çka tha doktori. Mbasi e falënderoj doktorin, për kujdesin që tregoi, tha: “Eshtë e vërtetë, se duhani do të më shkurtoj jetën, por në këtë kohë, nuk mundem ta lë duhanin. Ndoshta një ditë, dikur në të ardhmen, kush e di!?…”

Mbas darkës mysafirët, u shoqëruan në “Beekman Towers” që të shlodhen dhe të përgatitën për seminarin, që fillonte me datën 7 tetor 1989, në ora 10 të mëngjesit…
Qysh në orët e para të mëngjesit vjeshtor, grupi organizativ, me në krye z. Tonin Mirakaj, administratori e kishës, I Përndershmi Dom Rrok Mirdita dhe Dom Pjetër Popaj, ishin në ambientet komode, ku pritej të mbahej tubimit. 

Salla e madhe e Fordham University, ishte e mbushur plot e për plot dhe qindra bashkëatdhetarë të tjerë qëndronin në koridor në pritje. Dyert ishin të hapura dhe nga dritaret e mëdha ata që nuk kishin mundur të gjenin vend për t’u ulur prisnin të ndiqnin fillimin dhe zhvillimin e takimit kulturor dhe përkujtimor, kushtuar burrit dhe prelatit të madh të kombit.
Pjesëmarrja e madhe e bashkëkombasve i kishte kaluar parashikimet e organizatorëve të tubimit atdhetar. 
Në kohën e caktuar, në mes duatrokitjeve dhe buzëqeshjeve mirëseardhëse kryetari z. Tonin Mirakaj, hapi siparin e punimeve të seminarit, dhe ftoi Të Përndershmin Dom Pjetër Popaj, që të thotë Lutjen Shpirtërore të rastit. Mbas lutjes, simbas programit të detajuar me kujdes, u kënduan hymnet kombëtare të ShBA dhe Shqipërisë, përmes zërit melodios nga aktivistja e kishës zonja Miliana Mirakaj dhe zoti Fran Shala.
U këndua, gjithashtu kënga “Trim vigan Pjetër Bogdani” nga kori i kishës katolike shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe shoqëruar në piano nga kompozitori kosovar Gjon Gjevelekaj.
Sërisht z. Mirakaj, paraqiti kryetarin e seminarit, Të Përndershmin Dom Rrok Mirdita.
Ndër të tjera, në fjalën e tij tha: “Për të kryesue seminarin, komisioni përgatitës, ka zgjedhur një person, me të vërtetë të kualifikuar, në kuptimin e plotë të fjalës. Ky për një kohë të gjatë mëse 24-vjeçare, është në shërbim të Zotit dhe bashkëatdhetarëve të tij, dhe 16 vjet prej këtyne, në shërbim të komunitetit katolik shqiptar në New York me rrethe… Krahas me ushtrimin e detyrës së tij si bari shpirtnuer i komunitetit katolik, ky ushqen një dashuni të zjarrtë për gjuhë, kulturë, letërsi dhe tradita kombëtare, të cilat janë bazë e ekzistencës së grupeve etnike këtu në Amerikë dhe mbahen, ruhen dhe përtrihen, me aktivitete fetare e shoqnore.”

Gjatë kohës, që përmendeshin me radhë emrat e personaliteteve pjesëmarrës, duatrokitjet frenetike shoqëruan gjithësecilin. Por salla, ushtoi edhe më shumë, kur u përmend emri i Prof. dr. Ibrahim Rugovës, liderit të ri të popullit martir të Kosovës.
Folësit u paraqitën me radhë, sipas programit nga I Përndershmi Dom Pjetër Popaj, z. Tonin Mirakaj e I Përndershmi Dom Rrok Mirdita. Kur erdhi radha, punimi shkencor i Prof. dr. Martin Camaj, u lexua nga kryetari i seminarit, I Përndershmi Dom Rrok Mirdita.
Perkujtimi kulturor përfundoi në ora 5 mbasdite, me fjalën përmbyllëse të kryetarit dhe meshtarit katolik, Të Përndershmit Dom Rrok Mirdita. 

Administratori i Kishës, Dom Rrok Mirdita, tha: “Mbyllja e seminarit, do të merrete shumë kohë me falenderue të gjithë ato që kanë punue, për ketë tubim kulturor, që të dalë më sukses. Megjithatë, nuk mundem kurrsesi pa përmend disa prej tyne. Kujt ma parë me u falenderue, se profesorave këtu, njerëz të shquem të shkencës së albanologjisë, të cilët, jo vetëm se kanë derdh djersë e mund, por janë lodhë me ardh prej larg. I falënderoj të gjithë, që na e bane të mundun me e njoftë ma mirë viganin e letërsisë dhe prelatin e naltë të kishës katolike Imzot Pjetër Bogdanin. Falënderoj komisionin përgatitës, me në krye z. Tonin Mirakaj, i cili nuk u kursye asnjëherë, nuk kursej kohë as të holla për të bërë të mundur daljen me sukses të këtij seminari. Falënderoj zotnijtë: Gjek Gjonlekajn, Preç Kaçaj e shumë të tjerë, të cilët do ti përmendim në darkën që do të kemi. Nuk mund të lë papërmend, bijën shqiptare Pashka Elezaj, e cila jo vetëm na zbukuroj sallën, por edhe na ofroj ma tepër afër Bogdanin, me pikturen që ajo me mjeshtëri e realizoi. Falënderoj Prof. dr. Engjëll Sedajn, për pikturën e bukur të Bogdanit, që ai na dhuroj. Këto bahen pasuni e Shoqnisë “Pjetër Bogdani”, e cila, qysh më sot i ka rranjët edhe këtu, sepse ishte ai, i cili, punoi e jetoj shumë për ruajtjen e thesarit të çmueshëm letrar e kombëtar deri sa kaloi në amshim. Ai ruajti si dritën e synit gjithçka kombëtare. Në këtë mënyrë, ne mund ti japim vlerën, që meriton këtij kolosi të ndritun të kombit tonë, duke e radhitur kështu me dinjitet në vendin e metiruar në panteonin e artë të kulturës shqiptare.”

Darkë gazmore

Në mbrëmje të datës 7 tetor 1989, në ora 7 mbasdite, komisioni përgatitës i seminarit, organizoi një darkë gazmore, në respekt të folësve të shquar nga Europa dhe Amerika, në restorantin “Eastwood Manor” Bronx, New York, ku morën pjesë mëse 700 bashkatdhetarë, që kishin ardhur nga shtete të ndryshme të Amerikës.
Darka u kryesua nga krytari i këshillit të kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” z. Tonin Mirakaj, i cili mbas një përshendetje të shkurtër, u paraqiti pjesëmarrësve mysafirët e shquar në tryezen e nderit. Midis tyre shquheshin At Danjel Gjeçaj O.F.M., Dom Rrok Mirdita administrator i kishës shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mir”, Prof. dr. Ibrahim Rugova, Dom Pjetër Popaj ndihmësadministrator i kishës “Zoja e Këshillit të Mirë”, Prof. dr. Engjëll Sedaj, Prof. Arshi Pipa dhe gazetari i “Rilindjes” në Prishtinë z. Agim Fetahu. Darka, kaloi mes një atmosfere të ngrohtë dhe miqësore. Të gjithë miqtë e nderit e ndjenin vetën si në shtëpinë e tyre. 

Kryetari i darkës njoftoi pjesëmarrësit, se gjatë kësaj darke festive, fjalimet janë të kufizuara nga vetë fakti se me fjalime kishte kaluar e gjithë dita në Fordham University, duke i lënë vendin muzikës dhe humorit popullor në tavolinat, ku tashmë ndanin gëzimin e përbashkët të gjithë bashkëatdhetarët tanë.

Muzika me instrumente tradicionale popullore me këngëtarë të komunitetit, ishte pjesa më e bukur dhe një mënyrë më shumë, për të ndjerë vetën të gjithë si në një shtëpi të madhe. Kësisoj grupi muzikor dhe kërcimtarët e “Rozafatit” (1978), e ngritur pranë Qendrës Kulturore të kishës, bëri që të këndonin të gjithë me gojë e zemër këngët e bukura të gurrës origjinale popullore, të drejtuar me mjeshtëri nga aktivisti z. Fran Shala. Një kërcim artistik, që solli kënaqësi për të gjithë, ishte “Vallja e Rugovës”, e vjetër sa vetë historia e krahinës me të njëjtin emër, që u interpretua me ndjesi zemre e kënaqësi shpirti nga grupi i njohur “Rozafat”.

Një javë me mysafirët

Suksesi më i madh sa pritej asokohe, ishte ruajtur në ditën e seminarit, ku u tubuan mijëra shqiptarë nga disa shtete të Amerikës. Media i bëri jehonë, duke e pasqyruar nëpër faqet e gazetave dhe revistave që botoheshin në Amerikë, ndërsa në Shqipëri sundonte një heshtje varri. 
Kështu gazeta “Zëri i Atdheut” (Tetor–Nëntor 1989), në një artikull redaksional me titull: “Madhështia e një Seminari”, ndër të tjera shkruante: “Nji tjetër arsye, që e zgjoi kërshërinë e mërgimtarëve shqiptarë për këtë eveniment historik, kombëtar, fetar e kulturor, ishte ajo, që kisha katholike shqiptare i ftoi me marrë pjesë në ketë seminar dy shkollar shqiptar nga Kosova, përndryshe studijues të rrastë të Pjetër Bogdanit dhe veprës së tij gjeniale: Prof. dr. Ibrahim Rugova Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës – njeni ndër përfaqsuesit ma eminent të kulturës shqiptare jo vetëm të Kosovës dhe kolegu i tij Prof. dr. Engjëll Sedaj – që të dy profesorë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Pjesëmarrja me aqë shumicë dhe rangu aq i naltë akademik i ligjëruesve të rastit të lejshin me kuptue pamvarsisht, se gjindeshim në njenën nga dy qendrat krysore të kulturës shqiptare – në Tiranë a Prishtinë… Shtojmë, sesi në seminar, ashtu edhe në darkë, mori pjesë z. Tom Christo, shqiptar i gjeneratës së parë i lindun këtu në ShBA nga New Hamshire, i cili, njiherit asht edhe kandidat në vitin që vjen i Partisë Republikane për senator të Shteteve të Bashkuara t’Amerikës, ku u njoh dhe u përshëndet me shumë mërgimtarë shqiptarë.”

Ndërsa radio “Zëri i Shqiptarëve të Lirë” (Edicioni i parë i lajmeve, më 28 Nëntor 1989), dhe “Revista Radiofonike e Shqiptarëve të Amerikës”, komentuen shumë favoreshem mbi zhvillimin e punimeve të Seminarit. 
Jo larg tyre mbetën edhe gazeta e vjetër e komunitetit tonë “Dielli” e Federatës Panshqiptare “Vatra”, e cila në kolonat e saj shkrimore, i la një vend të rëndësishëm zhvillimit të punimeve të seminarit.

Revista “Koha e Jonë”, që asokohe dilte në Francë, botoi një artikull analitik mbi tubimin kulturor, duke e ilustruar figurën e Imzot Pjeter Bogdanit me përkujtimin, që kisha katolike “Zoja e Kshillit t’Mir”, nën udhëheqjen e klerikëve Të Përndershëmve Dom Rrok Mirdita e Dom Pjetër Popaj dhe Kryetarit të Këshillit të Kishës z. Tonin Mirakaj, mundën që të korrin suksesin e një pune të madhe përkushtuese dhe vullnetare për mbarëvajtjen e seminarit.

Koha e lirë mbas seminarit me miqtë special të ftuar nga Kosova, si: Prof. dr. Ibrahim Rugova dhe Prof. dr. Engjell Sedaj, Prof. Arshi Pipën dhe At Danjel Gjeçaj O.F.M., kaloi në një atmosteferë miqsore me darka e shetitje të lira, në ambientet e bukura të Manhattan–it, New York.
Profesorët Rugova e Sedaj, udhëtuan në Washington D.C., të shoqëruar nga antari i komisionit përgatitës z. Simon Simolacaj, ku kaluan dy ditë të këndshme. Atje i priti Drejtori i Seksionit për Europën Lindore në Radion “Zëri i Amerikës” z. Frank Shkreli.
Në Washington D.C., patën disa takime private, me zyrtarë të Qeverisë dhe Kongresit Amerikan.
Me kërkesën e mysafirëve të shquar, me ke u takuan nuk u bë publike. Atë dëshirë të tyre e ruajmë edhe sot. Është një fakt i pamohueshëm, se në këto takime private dhe publike që pasuan mbas përfundimit të punimeve të seminarit, filloi aktiviteti diplomatik i Dr. Ibrahim Rugovës.
Ditën që u kthyen për në vendlindje studiuesit kosovarë Rugova dhe Sedaj, u përcollën për në aeroportin “John F. Kennedy.” nga meshtarët e kishës “Zoja e Kshillit t’Mir” Të Përndershmit Dom Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj, z. Tonin Mirakaj, antarët e komisionit përgatitës të seminarit z. Gjek Gjonlekaj, z. Simon Simonlacaj dhe një grup shqiptarësh, ndër të cilët shquheshin vëllezërit Sabit dhe Seidi Bityçi, z. Zef Camaj etj.
Gjatë kësaj jave, duhet përmendur bujaria fisnike tradicionale shqiptare e zotërinjve: Simon Simolacaj, Tonny Shkrelit, Nikollë Shala, Fran Shala, Sabit dhe Seidi Bityçi e të tjerë, që nuk kursyen asgjë, për ta bërë sa më të këndshme qëndrimin e profesorëve të nderuar në New York. Biletat e udhëtimit airor për profesorët kosovar u paguen bujarisht nga z. Ndoc Shkreli.

Letra urimi për Seminarin

Kur seminari tashmë kishte javë, që kishte mbyllur siparin njëditor në New York, në kishën katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe në postën private të kryetarit të këshillit të kishës z. Tonin Mirakaj, vijonin të vinin letra përgëzimi, për suksesin dhe kënaqësinë, që u dha shqiptarëve seminari ndërkombëtar, kushtuar figurës së madhe të Imzot Pjetër Bogdanit nga miq, shokë, dashmirë, bashkëatdhetarë në shtete të ndryshme të botës.
Midis tyre, po veçoj letrën, që kleriku françeskan Atë Danjel Gjeçaj O.F.M., i ka dërguar mikut të tij të ngushtë z. Mirakaj, ku ndër të tjera shkruan: 
“Fort i dashtuni Tonin! 
Sot e kam marrë letrën tande dhe artikullin: për të tria të falem nderës me zemër. Falënderimet e mija ma të ngrohtat – thonë toskët – janë ato të punës sate e të familjes sate për kishën shqiptare, e cila, ban pjesë të gjallë të kishës sonë martire të vendit tonë të robnuem e njiheri asht gjymtyrë e kishës së përbotshme të katholiçizmit.
Më vjen mirë, për lajme e jehonë, qi ka lanë seminari i 300-vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit dhe gëzohem tejet qi mundi juej s’ka shkue pa sodisfaksion. Edhe ky asht ndër njerëz i nevojshëm dhe ngushllues. Më gëzoi kumtimi, se me vullëndetin e mirë të disave e me ndihmën e të tjerëve, ka për t’u plotsue ndërmarrja aq e vlefshme e aq e lartë, sa asht nji vepër e tillë madhështore. 
Nji Shqipni të vogël dhe nji kishë të fuqishme, me ndihmën e Zotit, duhet të ndërtojmë në botën e madhe të Amerikës, prej kah rishtas, me ndihmen e Atij të Lumit, kemi për t’i qitë themelet e reja kishës së Shqipnisë së lirë. Ashtu e premtoftë Zoti e na ndihmoftë Zoja e Shkodrës! Un prej anës seme, kam mbetë fort kondon, me ardhjen teme atje si nga ana e Dom Rrokut e Dom Pjetrit, ashtu edhe nga ana e jote me Milianën: për këta e kam dijtë që me kohë se s’më mungon dashtnia e juej. 
Mos u lodhni kurrë në ndihmë, qi mundeni me i dhanë meshtarëve zelltarë t’uej mbasi çdo mund i derdhun rreth tyne asht meritim para Zotit e Atdheut.
- Prej Dom Anton Kçirës, kam marrë letër e më difton se asht rregullue mjaft mirë, dhe se tash për tash punët janë premtuese. Natyrisht, kurrnji vepër e madhe s’kryhet pa vështirsi, por besoj se Dom Antoni, asht i pjekun e ka për të dijtë me i kalue të tana pengesat.
Përsa i përket botimit të simpoziumit, un kishem me thanë, se në kje se botoni edhe ndonji artikull apo përmbledhje anglisht, atëbotë asht ma mirë të botohet atje: po kje krejt shqip me pa gabime del këtu nën kujdesin tem. Çmimin e përpikët s’mund e dij pa pasë tekstin, por bane hesapë kund 400-500 mij gjashtëmbëdhetë faqëshin, përse kështu çmohet shtypi. Nënkuptohet, se këtij çmimi, i duhen shtue fotografitë e kopertina. Me kaq edhe nji herë falënderimet e mija e njimij shëndete ty, Milianës fort e fort, Danjelit, Eleonorës dhe Dianës. 
Mbetem me dashtëni i juaji At Danjel Gjeçaj.”

Ndërsa në letrën që Akademik Prof. dr. Engjëll Sedaj (Prishtinë, 26.10.1989), i ka dërguar z. T. Mirakaj, përshkruan me mirënjohje mbresat e pashlyeshme të vizitës së fundit në New York, ngrohtësia e bashkëatdhetarëve, treguar ndaj të gjithë referuesve në tubimin kulturor, shkruan: 
“Fort të dashurit Tonin dhe Milianë! 
Kaluan dhjetë ditë, që kur u kthyem nga New York – u, por kurrsesi të kalojmë në jetën e këtushme: mendje dhe mbresat e atjeshit, mikëpritja e përzemërtë dhe shumë e ngrohtë e shtëpisë Tuaj dhe kujdesi atëror, madje edhe për gjendjen materiale tonën ndikoi që para së gjithësh, ju të dytë, të bëheni anëtarë edhe të familjeve tona.
Me mallëngjim e përkujtoj atë natë të parën, kur ne, të lodhur nga rruga, nuk ishim në gjendje sa duhet të marrim pjesë aktive në atë pritje: në aeroport, në shtëpi dhe gjetiu.
Vendosja në hotel, kontaktet me njerëz dhe mbi të gjithat seminari i suksesshëm, i organizuar mirë nga ju dhe i mirëpritur nga pjesëmarrësit, shkaktoi kënaqësi dhe më dha zemër që për atë botë, atje diku përtej detit të gjërë, të bëj edhe me tepër në planin kulturor, që të ushqhen ata njerëz me ndonjë mendim të mirë dhe me shëmbëlltyrat tona të ndritshme nga e kaluara e lavdishme.
Ç’është e vërteta, ne më tepër ishim mysafirë tuaj, sesa pjesëmarrës të seminarit për Bogdanin. Çdo gjë lidhej me Tonin dhe në çdo vend disi takoheshim me te dhe Milianën. 
Falënderoj nga zemra dhe fëmijët tuaj, të cilëve, ju kemi çrregulluar rendin e ditës, mësimin etj.
Këtu lajmi mbi pjesëmarrjen tonë në seminar, u mirëprit dhe madje në Fakultetin tonë menjëherë u përkrah inisiativa, që pikërisht më 6 dhjetor të bejmë një mbrëmje përkujtimore për Imzot P. Bogdanin. 
Më 21 tetor, ishim në Zym të Hasit në “Takimet e Gjeçovit”, ku temë e vetme ishte përvjetori i Bogdanit. Për jetën dhe veprën e tij fola nja një orë dhe interesimi vërtet ishte i madh, në këtë vendlindje të tij. 
Mendo, se edhe në Rektorat, është pranuar insiativa, sikur edhe në Akademinë e Shkencave, që të shënohet ky përvjetor. Kam pranuar shumë ftesa nëpër shkolla dhe biblioteka të qyteteve, për të folur për Bogdanin e madh. Këtë do ta bëjmë me kënaqësi gjithkund.
Ju marrë grykë dhe ju përshëndesim përzemërsisht: Engjëlli, Jozefina, Oliveri dhe Leonora. Prof. dr. Engjëll Sedaj”.

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vjet më parë Imzot Pjetër Bogdani, Klajd Kapinova, ne New York

Përvjetori i 70-të i lindjes së presidentit legjendar të Kosovës, Ibrahim Rugova

December 2, 2014 by dgreca

Sot ishte përvjetori i 70-të i lindjes së presidentit legjendar të Kosovës, Ibrahim Rugova/
* Thaçi: Me Rugovën kam pasur bashkëpunim në momentet kyçe të historisë sonë të re
Haradinaj: Rugova, udhëheqës i papërsëritshëm/
Pacolli: Ibrahim Rugova e bëri botën të njohë Kosovën/
Sot është 70-vjetori i presidentit legjendar të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë në vitin 2006. Në kuadër të këtij përvjetori janë planifikuar ceremoni të ndryshme përkujtimore, duke filluar me homazhet pranë varrit të tij.
Njeriu i rrugëtimit të shtetit të Kosovës dhe i paqes
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë.
Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.
Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.
Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare.
Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.
Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.
Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.
Autor i dhjetë librave (shih më poshtë), Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.
Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe edhe parti e grupe të tjera.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.
LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.
Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

– Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
– Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.
– Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
– Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).
– Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë.
– Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Çmimin e Evropës për vitin 2004. Bartës të mëhershëm të Çmimit të Evropës janë:
– Mbreti i Spanjës Huan Karlos, – Helmut Kol, – Ronald Regan-i, – Oto fon Habsburg dhe – Emil Konstantinesku.
– Në vitin 2004, Gjenerali Xheri Bek, komandant i Brigadës Multinacionale të KFOR-it Lindja, i cili ishte për një vizitë lamtumirëse te Presidenti i Kosovës ditën e hënë më 16 shkurt 2004, ia dorëzoi Dr. Rugovës fletëlavdërimin e nënshkruar nga zëvendësguvernatorja e Pensilvanisë, znj. Kethrinë Bejkër Noll (Catherine Baker Knoll).
“…Në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, dua t’ju shpreh lavdatë për arritjet tuaja të jashtëzakonshme dhe t’ju falënderoj për miqësinë tuaj ndaj Shteteve të Bashkuara.” (znj. Kethrinë Bejkër Noll)
– Në vitin 2004, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën më 2 shkurt 2004, pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës. Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.
“Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka patur kurajon që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit”.
“Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjëherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t’i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian që të mos dekurajohet”. (Z. Oto fon Habsburg)
– Më 9 shtator 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
Pas një sëmundje të rëndë, presidenti Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006 në Prishtinë, në moshën 61-vjeçare.
Haradinaj: Rugova, udhëheqës i papërsëritshëm/
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e vlerëson Presidentin historik të Kosovës udhëheqës të papërsëritshëm.
Haradinaj shprehet sot se “populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët përjetë do ta kujtojnë Presidentin Rugova dhe veprën e tij”.
“Sot, në 70-vjetorin e lindjes, e përkujtoj si udhëheqës të papërsëritshëm të popullit tim dhe si mik”, thekson Haradinaj.
Pacolli: Ibrahim Rugova e bëri botën të njohë Kosovën/
Ibrahim Rugova kishte meritën historike se e bëri botën të njohë Kosovën, shprehet sot Presidenti i Aleancës Kosova e Re, zv/kryeministër i qeverisë në përfundim të mandatit, Behgjet Pacolli, në 70-vjetorin e lindjes së Presidentit histotik kosovar.
“Ka shumë popuj të vegjël apo dhe më të mëdhenj sesa Kosova, kauza e të cilëve sot në botë dhe luftërat për këtë kauzë janë të panjohur ose nuk merren në konsideratë. Në kohërat tona nëse kjo kauzë nuk njihet, gjasa që ajo të zgjidhet, të adresohet janë të vogla. Ibrahim Rugova, ditëlindjen e të cilit kujtojmë sot, kishte meritën historike se ishte i pari që e bëri botën të njohë Kosovën, të kuptojë genocidin mbi popullin e Kosovës, të vlerësojë luftën e Kosovës, t’i krijohet respekt për popullin dhe kombin tonë, shprehet Pacolli.
Ai vijon se, “pa këtë njohje, a ndërkombëtarizim siç e quajmë, s’do të kishte ardhur faza e ndërgjegjësimit të qendrave të mëdha të vendosjes për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës” dhe se, “ishte më pastaj lufta çlirimtare që i përshpejtoi cilësisht proceset, mbështetur dhe mbi këtë trashëgimi të vyer të Ibrahim Rugovës”.
Pacolli vlerëson se, “vepra politike e Ibrahim Rugovës përfaqëson një trashëgimi të madhe jo thjesht për LDK-në, e cila falë drejtimit të tij ishte parti udhëheqëse e skenës politike të Kosovës. LDK-ja e drejtuar prej Rugovës mishëronte një kuadër të gjerë interesash të qytetarit duke i harmonizuar ato më së miri, çka i garantonte dhe rezultate të larta zgjedhore”. Lideri i AKR-së, më tej shkruan se, “LDK-ja e Rugovës sillej me dinjitet me partitë e tjera kundërshtare dhe mu prej kësaj, sot kur ai s’është më, rivalët e tij më të fortë i referohen trashëgimisë së tij politike si një monumenti të përbashkët kombëtar. Vepra e tij bashkoi shumë para vdekjes, por akoma dhe më shumë pas vdekjes”.
“Popujt e vegjël kanë nevojë për mite, mbi të cilat themelojnë konceptin e tyre shtetëror të mëpastajmë. Rugova ishte dhe mbetet një mit i dobishëm për shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, me idetë e veta për aleancat ndërkombëtare të Kosovës, me sjelljen e vet të moderuar politike, me paqen që përcillte me sjelljet dhe fjalët e tij. Ja pse unë e kam quajtur atë themelues të pavarësisë së Kosovës, dhe një nga figurat më të mëdha shqiptare të fundshekullit të 20-të. Nderim të përjetshëm figurës së tij!”, shkruan Pacolli në Facebook, ku poston edhe një foto me Rugovën.
Thaçi: Me Rugovën kam pasur bashkëpunim në momentet kyçe të historisë sonë të re/
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kujton se “sot shënojmë ditëlindjen e Presidentit të ndjerë Dr Ibrahim Rugova”. “Kosova Republikë, e pavarur dhe demokratike, e orientuar thellësisht nga komuniteti euro-atlantik, ka qenë synim i Presidentit të parë me të cilin kam pasur bashkëpunim në momentet kyçe të historisë sonë të re”, thekson Thaçi.
“Familja e tij dhe populli i Kosovës sot janë krenarë për punën e tij të palodhshme për liri dhe pavarësi”, shprehet kryeministri i Kosovës, Thaçi
_Fotografia, kortezi Gazeta “ZERI”

Filed Under: Histori Tagged With: i lindjes së presidentit legjendar të Kosovës, Ibrahim Rugova, përvjetori i 70-të

Drejtësia e munguar Shqipëri-Serbi-UEFA nuk ia vuri veshin argumentave të FSHF-së

December 2, 2014 by dgreca

Shqipëria do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë…/
Federata Shqiptare e Futbollit u njoh të martën në mbrëmje me vendimin e Komisionit të Apelit, tek i cili shpresonte që të gjente më tepër drejtësi, në lidhje me vendimin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës për ndeshjen e Serbi – Shqipëri, zhvilluar në Beograd më datë 14 tetor 2014 dhe të ndërprerë në minutën e ’41 të takimit. Ky vendim i këtij Komisioni, la në fuqi të gjitha vendimet e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s në lidhje me këtë takim të papërfunduar.
Ne nje deklarate te FSHF-se theksohet se pavarësisht argumenteve juridike dhe fakteve të dokumentuara me foto dhe video, si edhe mbrojtjes profesionale të avokat Antonio Rigozzi dhe studiove ligjore, të prenotuara nga FSHF, përsëri asgjë nuk ndryshoi. Pavarësisht nga qëndrimi i njëjtë politik i Komisionit të Apelit, FSHF është e indinjuar për mosmarrjen parasysh e fakteve të vërtetuara të dhunimit të lojtarëve shqiptarë, te pushtimit të fushës nga tifozë dhe persona të inkriminuar, të thirrjeve raciste “vritini shqiptarët”, të hedhjes në fushë të sendeve të forta dhe fishekzjarreve dhe të shumë elementëve të pasigurisë.
Megjithatë, gjatë seancës së pyetjeve, kanë dalë shumë fakte të reja dhe deklarata kontradiktore, të zyrtarëve të ndeshjes, që deklaruan për këtë takim, të cilat akoma më shumë na bindin se në shkallët e mëtejshme, Shqipëria do të gjejë drejtësinë.
Federata Shqiptare e Futbollit, e pakënaqur me këtë vendim njofton opinionin dhe median, se do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë, pranë Gjykatës të Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë, edhe më shumë e binduar se i takojnë tre pikët e fitores, së kësaj ndeshjeje. FSHF do të vazhdojë betejën e saj ligjore, e qartë në qëndrimin e saj, se vetëm kështu do të fitojë vetëm futbolli. Një lojë e pastër, pa dhunë dhe pa racizëm, perfundon deklarata e FSHF-se.

Filed Under: Sport Tagged With: nuk jep drejtesi, Shqiperi-Serbi, Uefa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT