• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

DEMOKRACIA KOMUNISTE E SHQIPËRISË

January 17, 2015 by dgreca

“Nipi i Spiro Kolekës arreston nipin e Enver Hoxhës” ( A1 Report TV)/
Nga Kolec TRABOINI/
Çeshtja e revoltës së studentëve në dhjetor 1990 por edhe shkurt 1991 është e diskutueshme se sa ka arritur (ose jo) të fusë duart Sigurimi në mes tyre për ta çuar gjithë këtë lëvizje në kahjen që i interesonte Ramiz Alisë. Por gjithsesi, ne që e kemi përjetuar atë kohë e ato ditë e kemi ndjerë që ata që po ulërinin më shumë nëpër mitingje apo në rrugë ishin të gjithë sigurimsa ose të siguruar se nuk do të kishin pasojë, madje kishte edhe me pistoleta sigurimi nëpër xhepa. Nuk ishte aspak e vështirë të vihej re se pushteti po kalonte nga komunistët tek po komunistët. Mjafton të sjellësh emrat e personave që i kishin zgjedhur për pardesy të bardha, o komunistë ose bashkëpunëtorë të sigurimit. Siç merrnim ushqimet me listë, Ramiz Alia i zgjodhi politikanët e të ardhmes me listë.
Të gjithë pardesytë e bardha, të piketuar për udhëheqës duheshin mbrojtur nga sigurimi i shtetit në situata të turbullta nëse gjendja dilte jashtë kontrollit. Lexoni emrat e atyre që u gjenden dhe formuan Partinë Demokratike. Dhe dëgjoni pohimin fantastik të Preç Zogajt kur në një emision TV ku tha se në formimin e partisë të gjithë ishin të ftuar, pra formimi ishte i hapur, çfarë nuk ishte aspak e vërtetë, po nuk thotë se kush e hartoi listën dhe si na u gjendën ta zëmë i biri i kriminelit komunist Josif Pashko, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, pra i ati ka qenë kryetar gjykate në dënimet me vdekje të nacionalistëve shqiptarë kur e morën pushtetin komunistët, çfarë shënonte jo çlirimin por robëruan popullin. Ky do të përfaqësonte përmbysjen e madhe të komunizmit, ku bashkë me ish agjentët e sigurimit që u gjendën në atë mbledhje. Pra bijtë po përmbysnin baballarët?! Po kush kishte qenë armiku kryesor i komunizmit në dyzet vjet, kush kishte hequr mizoritë në burgje e internimet.Ku ishin bijtë e të pushkatuarve, pse nuk i bënë vend as dhe njërit. Preç Zogaj është një poet i mirë, por një politikan i keq, sepse kushtëzohet prej pengut të vet në diktaturë, është si puna e kalit që nëse e rreh një herë ai nuk bën më për kalë shale, por veç të mbrehet në karrocë, kështu që mbrehur në karrocë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Mirë këta të PD-së që gjetën një ish sekretar partie e komunist prej 24 vjetësh dhe e vunë në krye, është afër mendsh që nuk mund të vinin një njeri që nuk kish qenë komunist e nuk kishte lidhje me udhëheqësit komunistë. Po kush i thirri këta, kush i bëri vend në atë formim të partisë “opozitare”? Padyshim krejt udhëheqës-ekipi i Partisë së re u hartua nga të dërguarit e Ramiz Alisë. Kishin përvojë komunistët në këtë drejtim dhe ka një përqasje aspak të çuditshme në mes të formimit të PD dhe të PKSH. Më 8 nëntor 1941 të gjitha letrat i luante jugosllavi Miladin Popoviç, i cili gjeti tek Enver Hoxha dishepullin e vet a më mirë të thuash gjeti shërbëtorin e vet siç e thotë edhe Liri Belishova në intervistën e vet tek gazeta “Panorama” 15 janar 2015.
Kështu ndodhi edhe në dhjetor 1990 kur Ramiz Ali kish afruar pranë studentëve njerëzit e vet për të parë mundësitë për të ndikuar në çdo lëvizje që ato do të bënin. Sigurimi shqiptar ka qënë shumë i zhvilluar, dinte edhe sa lugë kishe në shtëpi, siç thoshte populli dhe nuk na paska qënë në gjendje të kontrollonte zhvillimet në qytetin e studenteve. Problemi i saj ishin disa studentë të cilët për shkak të temperamentit të tyre ishte e vështirë t’i përpunoje, prandaj dhe për të krijuar një solucion zbutës u dërgua tropojani i mjeksisë. Le ta mbulojnë sa të duan, të gjithë që në atë kohë i kanë përjetuar ngjarjet kanë thënë, nga na doli ky doktori si udhëheqës politik, e kur u shfaqën Gramoz Pashko dhe Aleksander Meksi e të tjerë, nga na dolën edhe këta. Por këto dilema nuk i kishte as ministria e brendshme, as Komiteti Qendror i Partisë së Punës. Gjithçka shkonte sipas parashikimit anipse të dërguarit e Ramiz Alisë i dolën fjale e nisën të mendojnë për vete, por gjithnjë duke e ruajtur mesazhin që ishte dhënë, që udhëheqja e komunistët pavarësisht që për 40 vjet kishin shtypur me egërsi me dhunë, nuk do të pësonin asgjë dhe pushteti do t’u jepej bijve të tyre dhe jo reaksionit, nacionalistëve e ballistëve. Pra kemi dy formime që përqasin aq shumë, një formin nga Miladin Popoviçi 1941, tjetri prej Ramiz Alisë 1990, ndryshimi i vetëm është se ky i fundit u bë nga një shqiptar dhe jo nga një jugosllav.
Kulmi ka qënë kur na doli edhe ministri i diktaturës Gjinushi e bëri dhe ai parti bashkë me Lisjen Bashkurtin që ka qënë sekretar i parë i Komitetit Qëndror të Rinisë Komuniste dhe në atë kohë dërgova një shkrim rreth diplomacisë së shtetit komunist e riciklimit të komunizmit dhe ia dërgova Frrok Çupit në gazetën e sapo dalë RD, në fund të janarit 1991, por nuk ma botoi. Më kishte botuar më parë më 16 janar shkrimin “Vlera e simboleve kombëtare” ku kërkoja heqjen e yllit nga flamuri kombëtar, por këtë për riciklimin e komunistëve jo. Prandaj kam mendimin se gjithçka ka qenë e manipuluar veç rasteve kur kjo nuk ka qenë e mundur. Xhelil Gjoni ish anëtar i Byrosë Politike që ka dalë së fundi me një intervistë ka të drejtë kur thotë se ishte piketuar rruga nëpër të cilën do të ecte demokracia me pikatore, sepse ja ku jemi, vërtet iku Xhelili nga pushteti asokohe, por ja ku mbeti i biri. U bë ministër i brendshëm i biri. A mendohej kjo në dhjetor 1990 apo në shkurt 1991? E keni deputet edhe sot e kësaj dite. Po të kish ndodhur demokracia e vërtetë kjo vazhdimësi e pjellë komuniste nuk do të kishte më vend në parlament, as në ndonjë post qeveritar, nuk do të kishte as bashkëpunëtorë të sigurimit ministra e deputetë. Prandaj është jo pandehmë, por bindje e plotë se siç e planifikuan ashtu ndodhi. Por Xhelil Gjoni gënjen kur thotë se mitingu që organizoi ai kundër atyre që u futën në ambasada më 2 korrik 1990, ishte i lirë. Jo. Ka pas urdhër të rreptë nga Komiteti i Partisë së Tiranës që duhej të ishin të gjithë punonjësit në miting tek Pallati i Kulturës, dhe po mungove pushoheshe nga puna. Për këtë kishin vënë edhe njerëz të merrnin firmat nëpër institucione që do të shkoje patjetër në miting (Janë gjallë njerëzit që i vunë ata të Byrosë së Partisë të na i merrnin firmat në Kinostudio në korrik 1990). Pra ka qenë miting me detyrim dhe me firmë ndryshe nuk do të shkonte asnjë veç komunistëve. Por edhe gjendja reale që kemi ende dhe sot e kësaj dite tregon se demokracia e vërtetë me dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare nuk është bërë kurrë ndaj edhe më tej Shqipëria do të jetë e kapur prej pinjollëve të tyre, edhe kur këta shtiren si demokratë të mëdhenj. Ja edhe mendësinë e medias që ka kurajën të shpalosë në publik edhe lajme të këtij lloji, “A1 Report TV” i Koço Kokëdhimës, i quajturi sejmeni i Pali Miskës së Byrosë Politike(thonë se ia ka shitur televizionin Karlo Bolinos, por politika vazhdon njësoj) pikërisht në këtë TV, thuhet se “Nipi i Spiro Kolekës arreston nipin e Enver Hoxhës”. Pra edhe prej televizionit që është afër Qeverisë e përkëdhelet prej saj, konsiderohet luftë brenda llojit. Konkluzioni që del është se që nga viti 1944 e sot pushtetin vazhdojnë ta kenë komunistët e pinjollët e tyre. E vetmja gjë që ka ndryshuar është liria për të folur dhe shkruar, por edhe kjo e kufizuar se nuk ka një Media plotësisht të lirë e jashtë politikës në Shqipëri. Nuk gjen dot një organ që kritikon të dy palët e politikës, partive të cilat nuk janë opozitare, por thjesht kundërshtare, sepse nuk i ndajnë idetë e platformat, por thjesht kolltuku për të cilin bëhet lufta. Gjithsesi demokracia komuniste e platformës së Ramiz Alisë me pikatore ka triumfuar, duam apo nuk duam ne, duan apo nuk duan ta pranojnë të huajt, dielli me shoshë nuk mbulohet.

Filed Under: Analiza Tagged With: DEMOKRACIA KOMUNISTE, e Shqiperise, Kolec Traboini

SHQIPTARET NGA WASHINGTON DC PROTESTUAN PARA SHTEPISE SE BARDHE

January 17, 2015 by dgreca

PROTESTE NE WASHINGTON NE PERKRAHJE TE PROTESTES MBAREPOPULLORE TE GJAKOVES PER SHKARKIMIN E MINISTRIT JABLLANOVIQ/
16 janar 2015, Uashington, SHBA. Në pamundësi për të qenë prezent këtë të Shtunë në Gjakovë, shqiptarë nga Uashington DC u mblodhen para Shtëpisë së Bardhë për të përkrahur në mënyre simbolike protestën mbarëpopullore që do mbahet atje për të kërkuar shkarkimin e Ministrit për Kthim dhe Komunitete Aleksandër Jabllanoviq nga qeveria e Kosovës.
Të gjithë ishin të pajtimit se deklaratat e z.Jabllanoviq ishin fyese dhe kundërthënëse, posaçërisht për një përfaqësues të lartë të Republikë së Kosovës. Mohimi i masakrave dhe i së kaluares së brishtë të Kosovës nga Ministri Jabllanoviq dhe mungesa e veprimit të duhur nga qeveria e Kosovës, solli indinjatë të thellë mes këtyre profesionistëve të cilët u solidarizuan për të mbështetur thirrjet për shkarkimin e këtij ministri.
Korresp. I Diellit.

Filed Under: Komunitet Tagged With: ne perkrahje, Shqiptaret E WASHINGTON, TE GJAKOVES, TE PROTESTES MBAREPOPULLORE

JETA- NJË PIKË LOTI

January 17, 2015 by dgreca

-Për BETIM MUCON-/
NGA VAID HYZOTI/
Vetëm një pikë loti, që e ruajmë, e fshehim, e mbajmë të vagullt në vetvete. Kaq dhe vetëm kaq qënka jeta. Se të ishte ndryshe, ti s’duhej të ikje.Të ishte ndryshe, do më përgjigjeshe në telefon. Po ti, Betim i shtrenjtë e hodhe pikën e lotit, e nxore nga vetja duke na mbushur ne me pikëllim të pamatë. Kur them “ne”, e di që s’jam i vetëm. Ndonëse miq prej afro 40 vitesh-se ti dije t’i mbaje gjatë miqtë me mirësinë e pazakontë që kishe-nuk jam i vetmi që mbart këtë pikëllim, që pësoj këtë tronditje. Dhe është hera e parë në të gjithë këto vite që më vjen të qortoj. Të qortoj unë që të nderoja, të adhuroja. Është hera e parë në gjithë këto mote shoqëri që ti nuk je korrekt me mua dhe me shokët e tu. Nuk je i përpiktë me familjen tënde, që na preve në besë.Na tradhtove deri aty ku nuk mban më.Na tradhtove me vdekje…
Nuk mund dhe nuk dua të ta falim. Se nuk mund të të percjellim. Duam të të mbajmë. Dua unë dhe të gjithë ata që të kanë njohur sadopak. Sot bisedova me Martën, gruan dhe shoqën tende. S’e di se c’thamë mes gulceve të dhimbjes. Me Martën që krenoheshe se ajo është e fortë, e zonja. Por e pashë se as unë dhe as ajo nuk kishim më kurajo që t’ ia përcillnim njëritjetrit. Kanë ardhur të gjithë fëmijët në shtëpi. Erdhi Sagita, gëzimi dhe modeli yt, që s’ankohet kurrë, që ia del vetë jetës, Fedora-dhimbja jote, Zinardi, që aq shumë është burrëruar dhe ka hap të sigurtë në ditët e tij. E ti s’e ndjen atë gëzim të punës tënde. Se ti e nxore lotin e jetës , që na mban të gjallë. E nxore atë lot të ftohët dhe të na përvëlosh të gjithëve.
Nuk e di si do të ndërroj të përjavshmen e pikëpjekjeve tona. Edhe pse larg, një telefonatë, një e-mail ishte biseda jonë. Më thoje c’po shkruaje. Kishe etje përherë të lëvizje nga një vend në tjetrin. O kishe kuriozitet të njihje dhe oborret e cdo fshati të botës në rendjen tënde të pambarimtë. Pas kaq kohësh më erdhe të më piqje në Neë York 10 ditë më parë. Ishe me Martën në “Neë Yorker” hotel në 8 avenue.”Merr gruan se ju ftojmë për darkë”. Më ftoje në shtëpinë time të darkonim. E ti nuk lëvizje, s’ishe fare tolerant nganjëherë. Nuk e di si shkuan ato 4 orë që kaluam bashkë. Nuk u ngopëm dhe e lamë të pinim kafe të nesërmen me Roland Gjozën. Dhe erdhe përsëri. Ishe i veshur bukur, si prej argjendi, me atë mjekrrën e hijshme, me atë trup atleti që kishe fituar nga gym-i e lëvizjet e shumta. Folëm për letërsi e shkrimtarë e më pas u nise për në Ëashington D.C. Të përcollëm me sy. Dhe më pas…Më thanë se dje në mëngjes nuk u zgjove nga gjumi. Me thanë se nuk do të zgjoheshe më kurrë. Unë po ha veten me dhëmbë se mos të morëm me sysh. Se takimet tona më lënë dhe më linin gjithnjë një mbresë të vecantë. Se janë të paktë ku mirësia dhe pastërtia shoqërore shtrihen e zotërojnë tërë qënien tonë.Tani…të kam në libra. Në librat e përkthyera prej teje që m’i dhe herën e fundit, si dhe në vëllimin anglisht “The lost kites” (Balonat e humbura)…Përse i vurë këtë titull. Prapë me qiejt. Jo, vetëm ti s’mund të jesh i humbur . Janë të shumtë ata që të mbajnë me penjëzat e zemrës, mik i shtrenjtë Betim ! Në një varg tëndin në librin”Karusel” thua se “Bota-një pikël uji”. Ndërsa jeta qënka një pikë loti, që ne e mbajmë të ngrohtë. Ah, Betim, -Pse e hodhe atë lot kaq shpejt?
Vaid Hyzoti
Shkrimtar
Neë York

Filed Under: ESSE Tagged With: JETA- NJE PIKE LOTI, per Betim Mucon, Vaid Hyzoti

Maratona e leximit dhe ajo e religjionit

January 16, 2015 by dgreca

Shkruan: Marjana Bulku,New York/
Debatet e kohëve të fundit që kanë përfshirë aktorë të ndryshëm të politikës ,fesë, medias, etj ,në themel të tyre kanë Njeriun , atë prej mishi dhe gjaku, mëkatar dhe hero,tradhëtar dhe të besës, virtuoz dhe monstruoz, inspiruesin,rebelin, misionarin, ordinerin…Eshtë kaq e larmishme qënia njerëzore ndaj shpesh është vështirë dhe mbase e padrejtë ta kategorizosh si mallin në vitrinë siç sapo unë gabimisht bëra. Por ajo që dua të them është diferenca që përbën dallimin thelbësor mbi çdo lloj humanoidi , është e drejta, ky koncept antik që ka shoqëruar çdo fazë të evolucionit shoqëror. Tërësia e të drejtave që artikulohet sot, përfshirë këtu edhe ato të kafshëve , më bën të ndërhyj drejt e në thelbin e fenomenit që ka pushtuar çdo mjedis mediatik sot . E drejta kushtetuese mbi lirine si paraprijëse e të drejtës njerëzore ,bazuar në ato shpirtërore ku hyn edhe besimi fetar është ajo që ka mbetur nëpër ”vitrina” pa prekur ende siç duhet ,aty ku duhet, mendjen ,shpirtin. Falë kontakteve sistematike me librat, në mjediset e bibliotekës ku kam pasur rastin të punoj përkohësisht kam pasur fatin të shfletoj ,shqyrtoj literaturë fetare të të gjitha besimeve, nuk më kanë ndryshuar botkuptimin tim mbi fenë të cilës i përkas, përkundrazi ma kanë përforcuar atë. Madje mendoj se sa më shumë lexon dhe ndjek aspekte të tilla mësohesh të kuptosh sesa vlerë ka besimi fetar, a duhet besimi fetar, si mund të ushtrohet ai, pa garuar, pa iu imponuar me asnjë lloj mjeti tjetrit.
Kam dëgjuar 18 -vjeçarë gjimnazistë që leximin e kanë përtim,ashtu siç kam degjuar edhe nga ata besimtarë 18 -vjeçarë që të mahnisin me fuqinë e mendimit dhe thellësinë e gjykimit. Preferencat fetare nuk mund të më minimizojnë simpatinë që të krijon individualiteti njerëzor që konsolidohet përmes leximit të Biblës apo Kuranit,ajo që maksimalizohet përballë të rinjve të tillë është respekti për personalitetin e ndërtuar me studim pavarësisht religjionit.Ashtu siç shokohem nga besimtare që trumpetojnë besimin pa lexuar asnjë faqe të librave të shenjte ku ata ulërasin se besojnë. Besimi i sinqertë është i heshtur, i qartë , ndriçues.Studimi , ky akt që konsolidon besimin, dhe skalit kulturën e maturimit. Ky ka qenë përfundimi im i kahershëm që e kam mbrojtur edhe përmes debatit pse jo si një mjet i shëndetshëm edhe pse i munguar (a nuk na janë imponuar bindjet ne historikisht pa thirrur logjikën dhe faktet por duke i anashkaluar ato?!).
Çështja që mbetet ende e debatueshme është thellësisht humane: A duhet të përbuzen mendimet që lindin nga besimi dhe adhurimi?
Ajo që lind nga mendimi quhet bindje ndërsa ajo që lind nga besimi quhet ndjenjë. A duhet ti vriten njeriut këto?!
Jemi pikërisht aty ku e drejta si koncept i përgjithshëm përfshirë dhe ato të kafshëve merr kuptim human duke prekur ndjenjat ,hendekun që na ndan .
Rasti i Francës rihap dhjetra teza për të cilat miliona zëra, shpirtra ,mëndje sot janë aktive ,por edhe veprimet gjithashtu ( të dhunshme dhe të padhunshme).Kur shpallej pluralizmi e njeriu ishte i lirë të besonte jo vetëm në një parti, për ne shqiptarët në mënyrë të dyfishtë na u shfaq edhe një tjetër liri, ajo e besimit…Dhe sikurse çdo liri tjetër ajo vinte nga një rrugë e gjatë ku koha kishte bërë të vetën,,, Librat e shenjtë ashtu si ato shkencor kishin qenë viktima dhe nuk ka dënim më të madh për humanoidët se sa tu mohosh të drejtën e iluminimit të mendjes.Liria u shfaq si koncept por a u kuptuan ndonjëherë se ajo është tërësi të drejtash dhe përgjegjësish. Kur flitet për lirinë , në të është fjala, lapsi, mendimi, kundërshtimi, rregulli, reagimi. Ajo është një tërësi që të kufizon nëse e shkel dhe të lartëson nëse e respekton. Kjo kohë edhe pse me ngjarje të dhimbshme na e rikujtoi këtë. Edhe nëse dikush e ka të pamundur për ta kuptuar ; Kujdes. Edhe nëse mjedisi politik a shoqëror nuk na edukoi me konceptin e lirisë ka tjera mjedise ku ajo mund të mësohet…Për të mos abuzuar me lirinë nuk do rendis mjediset që kristalizojnë atë por ju kujtoj LIBRIN. Ka gjithmonë një kohë për t’ju kthyer librave,leximit, atje flitet me zë të ulët, atje ka pafund rafte, zgjedhje, liri, atje nuk të sheh askush shtrëmbër për zgjedhjen që bëre. Një maratonë leximi do ia kalonte çdo marshi apo ecje -paradë me duar shtrënguar por me shpirtra të lënguar.
New York
Janar 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe ajo, e religjionit, Maratona e leximit, Marjana Bulku

Një dhuratë për “Charlie Hebdo”, nga Helidon Haliti

January 16, 2015 by dgreca

Figura e një gjeli i cili simbolizon krenari, bishti i të cilit është ngjyrosur me ngjyrat e flamurit francez dhe lapsa mbi të të cilat simbolizojnë lirinë e fjalës, është dhurata që piktori shqiptar Helidon Haliti do t’i bëjë kolegëve të tij të revistës “Charlie Hebdos” në shenjë solidarizimi ndaj sulmit terrorist të ndodhur disa ditë më parë:
Ideja për pikturën i ka ardhur teksa dëgjontë edicionet informative, të cilën ditën e hënë do ia dhurojë ambasadës franceze në Tiranë.
Piktura “Gjeli” është fryëmzuar në studio gjatë kohës që ai përgatitet për një ekspozitë të madhe, që mendon ta çelë në vitin 2016.
Ndërkohë që në vitin 2012 ai çeli një ekspozitë të përmasave të mëdha në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, e cila u prit me admirim, jo vetëm nga vizitorët, por edhe nga mediat dhe kritikët e artit.

Filed Under: Kulture Tagged With: nga Helidon Haliti, Një dhuratë, për “Charlie Hebdo”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT