Shkruan: Marjana Bulku,New York/
Debatet e kohëve të fundit që kanë përfshirë aktorë të ndryshëm të politikës ,fesë, medias, etj ,në themel të tyre kanë Njeriun , atë prej mishi dhe gjaku, mëkatar dhe hero,tradhëtar dhe të besës, virtuoz dhe monstruoz, inspiruesin,rebelin, misionarin, ordinerin…Eshtë kaq e larmishme qënia njerëzore ndaj shpesh është vështirë dhe mbase e padrejtë ta kategorizosh si mallin në vitrinë siç sapo unë gabimisht bëra. Por ajo që dua të them është diferenca që përbën dallimin thelbësor mbi çdo lloj humanoidi , është e drejta, ky koncept antik që ka shoqëruar çdo fazë të evolucionit shoqëror. Tërësia e të drejtave që artikulohet sot, përfshirë këtu edhe ato të kafshëve , më bën të ndërhyj drejt e në thelbin e fenomenit që ka pushtuar çdo mjedis mediatik sot . E drejta kushtetuese mbi lirine si paraprijëse e të drejtës njerëzore ,bazuar në ato shpirtërore ku hyn edhe besimi fetar është ajo që ka mbetur nëpër ”vitrina” pa prekur ende siç duhet ,aty ku duhet, mendjen ,shpirtin. Falë kontakteve sistematike me librat, në mjediset e bibliotekës ku kam pasur rastin të punoj përkohësisht kam pasur fatin të shfletoj ,shqyrtoj literaturë fetare të të gjitha besimeve, nuk më kanë ndryshuar botkuptimin tim mbi fenë të cilës i përkas, përkundrazi ma kanë përforcuar atë. Madje mendoj se sa më shumë lexon dhe ndjek aspekte të tilla mësohesh të kuptosh sesa vlerë ka besimi fetar, a duhet besimi fetar, si mund të ushtrohet ai, pa garuar, pa iu imponuar me asnjë lloj mjeti tjetrit.
Kam dëgjuar 18 -vjeçarë gjimnazistë që leximin e kanë përtim,ashtu siç kam degjuar edhe nga ata besimtarë 18 -vjeçarë që të mahnisin me fuqinë e mendimit dhe thellësinë e gjykimit. Preferencat fetare nuk mund të më minimizojnë simpatinë që të krijon individualiteti njerëzor që konsolidohet përmes leximit të Biblës apo Kuranit,ajo që maksimalizohet përballë të rinjve të tillë është respekti për personalitetin e ndërtuar me studim pavarësisht religjionit.Ashtu siç shokohem nga besimtare që trumpetojnë besimin pa lexuar asnjë faqe të librave të shenjte ku ata ulërasin se besojnë. Besimi i sinqertë është i heshtur, i qartë , ndriçues.Studimi , ky akt që konsolidon besimin, dhe skalit kulturën e maturimit. Ky ka qenë përfundimi im i kahershëm që e kam mbrojtur edhe përmes debatit pse jo si një mjet i shëndetshëm edhe pse i munguar (a nuk na janë imponuar bindjet ne historikisht pa thirrur logjikën dhe faktet por duke i anashkaluar ato?!).
Çështja që mbetet ende e debatueshme është thellësisht humane: A duhet të përbuzen mendimet që lindin nga besimi dhe adhurimi?
Ajo që lind nga mendimi quhet bindje ndërsa ajo që lind nga besimi quhet ndjenjë. A duhet ti vriten njeriut këto?!
Jemi pikërisht aty ku e drejta si koncept i përgjithshëm përfshirë dhe ato të kafshëve merr kuptim human duke prekur ndjenjat ,hendekun që na ndan .
Rasti i Francës rihap dhjetra teza për të cilat miliona zëra, shpirtra ,mëndje sot janë aktive ,por edhe veprimet gjithashtu ( të dhunshme dhe të padhunshme).Kur shpallej pluralizmi e njeriu ishte i lirë të besonte jo vetëm në një parti, për ne shqiptarët në mënyrë të dyfishtë na u shfaq edhe një tjetër liri, ajo e besimit…Dhe sikurse çdo liri tjetër ajo vinte nga një rrugë e gjatë ku koha kishte bërë të vetën,,, Librat e shenjtë ashtu si ato shkencor kishin qenë viktima dhe nuk ka dënim më të madh për humanoidët se sa tu mohosh të drejtën e iluminimit të mendjes.Liria u shfaq si koncept por a u kuptuan ndonjëherë se ajo është tërësi të drejtash dhe përgjegjësish. Kur flitet për lirinë , në të është fjala, lapsi, mendimi, kundërshtimi, rregulli, reagimi. Ajo është një tërësi që të kufizon nëse e shkel dhe të lartëson nëse e respekton. Kjo kohë edhe pse me ngjarje të dhimbshme na e rikujtoi këtë. Edhe nëse dikush e ka të pamundur për ta kuptuar ; Kujdes. Edhe nëse mjedisi politik a shoqëror nuk na edukoi me konceptin e lirisë ka tjera mjedise ku ajo mund të mësohet…Për të mos abuzuar me lirinë nuk do rendis mjediset që kristalizojnë atë por ju kujtoj LIBRIN. Ka gjithmonë një kohë për t’ju kthyer librave,leximit, atje flitet me zë të ulët, atje ka pafund rafte, zgjedhje, liri, atje nuk të sheh askush shtrëmbër për zgjedhjen që bëre. Një maratonë leximi do ia kalonte çdo marshi apo ecje -paradë me duar shtrënguar por me shpirtra të lënguar.
New York
Janar 2015
Tarabosh Liqeni says
Ne teresi jam dakord me shkrimin tuaj, por ndoshta ju ka kaluar ( pa dashje ) sqarimi i nje momenti thelbesor ne tragjedine e Parisit qe, per mendimin tim, duhet te behet i qarte per te gjithe: Sot, kunderveprimi per lendimin e ndjenjes fetare nuk duhet te jete vrasja, gjaku dhe terrorizmi, por mjetet demokratike si demostrimi publik ose kunderpergjigje ne shtyp pa perjashtuar edhe masat ndeshkuese administrative dhe gjyqesore ne perputhje me kushtetuten a vendit ku zhvillohet ngjarja…
marjana says
Apsolutisht kundra dhunes! Ajo nuk eshte kurre zgjidhje!
Shefqet says
Bukur, nje shkrim qe ka plot filozofi brenda.
urime
Shefqeti