• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

Mbrojtja e identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve nga Kuvendi i Arbërit

January 16, 2015 by dgreca

Më 14 e 15 janar të vitit 1703 në Mërqi afër Lezhës u organizua Kuvendi i Arbërit, Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare me dëshirën e Papës Klementit XI Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit.
Është thënë se Kuvendi apo Koncili i Kishës katolike i trojeve shqiptare u mbledh në një situatë tejet të vështirë: populli shqiptar, këndej të krishterët e në mënyrë të posaçme katolikët, pësonin trysnin e sundimit otoman, që dalëngadalë, por me vendosmëri e në mënyrë sistematike punonte për kalimin e popullsisë shqiptare në fenë islame.
Të joshur nga premtimet dhe lehtësirat që turqit krijonin e u jepnin myslimanëve, një pjesë e mirë e shqiptarëve kaloi në fenë islame, ose mbeten të krishterë të fshehtë, do të thotë që në shtëpi e mbanin fenë dhe doket e krishtera, ndërsa në jetën publike paraqiteshin si myslimanë e kishin edhe nga dy emra. Është fjala për ‘kriptokatolikët’ apo ‘laramanët’, fenomen ky ende sot e kësaj dite i pranishëm në disa zona shqiptare siç është në Kosovë ajo e Karadakut afër Gjilanit e Vitisë, apo në zonë të Istogut e të Mallishevës. Ky fenomen apostazie u dënua nga Kuvendi i Kishës së Arbërit.
Ndërsa, përsa i përket Kishave, perandoria otomane fillimisht nuk i prishte, por as nuk lejonte që të bëheshin meremetime, apo të ndërtoheshin Kisha të reja, duke e përkufizuar e më vonë duke ndaluar jetën dhe veprimtarinë e Kishave, e si pasojë erdhi deri te rrënimi i pashmangshëm i sa e sa Kisha dhe kuvendeve rregulltare – manastireve të krishtera në trojet shqiptare. Në mënyrë të veçantë kuvendet apo manastiret e murgjve Benediktinë e Domenikanë. Përveç aspektit shpirtëror, këndej fetar, luftimi i Kishave nga Turqit ishte edhe luftim kundër orientimit të shqiptarëve drejt kulturës perëndimore evropiane.
Në kushte të këtilla, pra, mblidhej Kuvendi apo Koncili Kishtar Kombëtar Shqiptar në Mërqi, më 14 e 15 janar të vitit 1703, në të dielën e dytë pas Krishtlindjes, në Kishën e Shën Gjon Pagëzuesit. Qe pikërisht kryeipeshkvi imzot Zmajeviçi, ai që e mbajti fjalën e hapjes së këtij Koncili vendor kishtar. Në të bie në sy gëzimi dhe shpresa që, pas kaq shekujsh të tiranisë turke, u bë e mundur një mbledhje e tillë. Njëkohësisht, imzot Zmajeviçi u kujtoi të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës të Kuvendit të Arbërit detyrën që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare të popullit, e të punojnë për përtëritjen dhe rritjen e klerit si dhe për lirinë fetare të kultit e të popullit.
Kujtojmë se në Kuvendin e Abërit, episkopati shqiptarë, në njërën anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve, lirinë fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera dhe në anën tjetër gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror nën sundimin otoman me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë.
E vendimet e Kuvendit të Arbërit qenë të rëndësishme pikërisht për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për ringjallërimin e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman. Ky Kuvend kishtar, pra, mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çështjet më jetike për shqiptarët: identitetin fetar e identitetin kombëtar shqiptar.
Materialet e punimeve të Kuvendit të Abërit në gjuhën latine, u hartuan nga imzot Vinçenc Zmajeviçi dhe u botuan në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u botua në Romë i përkthyer nga dora e shkrimtarit të njohur shqiptar, dom Engjëll Radojës më 1868. U përsërit nga i njëjti shkrimtar më 1872. Rëndësi e dorës së parë iu dha qartësisë së gjuhës, në mënyrë që dekretet e Kuvendit Kishtar të ishin sa më të kuptueshme për masat e popullit.
Botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbënit çmohet porsi i pari botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot. Ato dalin nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal për Shqipërinë veriore e të mesme. Në këto akte gjejmë një material shumë të çmueshëm për gjendjen e vështirë ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat themelore njerëzore që u mohoheshin sistematikisht e me një tragjedi të mirëmenduar të turqve.
Teksti shqip i Kuvendit të Arbenit është një dëshmi e rëndësishme e 1706-es për historinë e shkrimit të shqipes, e po kështu ka edhe vlera të mëdha për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve.(Kortezi Almarina Gegvataj)

Filed Under: Histori Tagged With: identitetit kombëtar e fetar, Mbrojtja e, nga Kuvendi i Arbërit, te shqiptareve

Kosova dhe Mali i Zi zotohen për thellim bashkëpunimi,- Serbo-malazezet protestojne

January 16, 2015 by dgreca

Foto: Vetëm disa qindra metra larg Vilës Gorica, ku janë mbajtur takimet e Thaçit, janë mbledhur qindra protestues me flamuj të Serbisë dhe Rusisë./
Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi Igor Llukshiq, kanë vlerësuar se marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Podgoricës janë të mira dhe miqësore dhe se disa çështje të pazgjidhura së shpejti do të tejkalohen.
Thaçi po qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi, për herë të parë në këtë shtet.
“Miqësia e popullit të Kosovës dhe e malazezëve është shumë e gjatë dhe e mirë. Është një miqësi më e vjetër se shtetet tona dhe paraqet model edhe për vendet e tjera. Unë jam sot këtu për të punuar, për të thelluar këtë bashkëpunim ndër-institucional midis Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë Thaçi.
Edhe homologu i tij malazez është shpehur në të njëjtën frymë, duke thënë se marrëdhëniet midis dy vendeve janë përmbajtjësore.
Llukshiq ka kujtuar se, vitin e kaluar, janë nënshkruar nëntë marrëveshje midis Malit të Zi dhe Kosovës.
“Në këtë kontekst, këtë vit duhet të ndikojmë që në nivelin e ekspertëve, sa më shpejt të përfundojë puna e demarkacionit të kufirit dhe të përgatisim gjithçka për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje gjatë vitit 2015”, ka thënë Llukshiq.
Në aneksin VIII, artikullin 3, të Planit të të dërguarit të posaçëm të Marti Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, thuhet se territori i Kosovës “do të definohet nga kufijtë e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në kuadër të Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, ashtu siç ishin përcaktuar më 31 dhjetor të vitit 1988, përveç ndryshimit me marrëveshjen për demarkacion të kufirit ndërmjet Republikës Federale të Jugosllavisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, më 23 shkurt 2001”.
Thaçi në Podgoricë është pritur me protesta të personave të zhvendosur nga Kosova dhe të një pjesë të opozitës pro-serbe.
Vetëm disa qindra metra larg Vilës Gorica, ku janë mbajtur takimet e Thaçit, janë mbledhur qindra protestues me flamuj të Serbisë dhe Rusisë.
Të tubuarve u është drejtuar kryetari i Asociacionit të të Zhvendosurve nga Kosova, Millenko Jovanoviq, i cili ka akuzuar autoritetet e Malit të Zi, se me vizitën e Thaçit, po bëjnë përpjekje “të legalizojnë spastrimin etnik në Kosovë”.
Jovanoviq i është drejtuar me fjalë fyese Thaçit, duke e quajtar, siç ka thënë ai, “kasap të Drenicës”.
Ai po ashtu ka akuzuar Thaçin për, siç është shprehur, “trafikim të organeve” të pengjeve serbe.
Masa ka brohoritur edhe mesazhe si “Vrisni shqiptarët”.
Protesta është përcjellë nga një numër i madh i forcave të sigurisë, të cilat kanë bllokuar rrugët përreth.
I pyetur të komentojë protestat kundër vizitës së tij dhe akuzat që e lidhin me krime lufte, Thaçi ka thënë se duhet të respektohen mendimet e njerëzve.
“Ne jetojmë në shoqëri demokratike. Mali i zi është shtet i tillë, në të cilin respektohen opinionet e ndryshme. Njerëzit kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre dhe ne duhet t’i respektojmë”.
Duke iu përgjigjur së njëjtës pyetje, Llukshiq ka thënë se Thaçi është i mirëseardhur dhe se me të ka pasur bisedime mjaft konstruktive.(Kortezi:Valona Tela)

Filed Under: Rajon Tagged With: Kosova dhe Mali i Zi, protestojne, Serbo-malazezet, zotohen për thellim bashkëpunimi

Filloi Gjykimi i bosit ndërkombëtarë të drogës Naser Kelmendit

January 16, 2015 by dgreca

Naser Kelmendi, ndodhet në listën e zezë të SHBA-ve, si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës/
Në Prishtinë filloi procesi gjyqësor kundër Naser Kelmendit, shtetas boshnjak me prejardhje nga Kosova, i cili ndodhet në listën e Shteteve të Bashkuara si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës.
Akuza e ngarkon atë me veprat penale krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikeve të rrezikshëm.
Akuza e ngarkon atë si drejtues të një grupi të organizuar kriminal, për vrasjen në vitin 2007 të myslimano-boshnjakut Ramiz Dalaliç, i cili qe bërë një figurë kryesore në krimin e organizuar pas luftës, përfshirë edhe prodhimin dhe përpunimin e 100 kg drogë të tipit heroinë, 150, mijë tabletave “ecstasy”, etj.
Në fillim të procesit ai tha se nuk ndjehet fajtor për akuzat.
Naser Kelmendi i lindur në vitin 1958 në Pejë, në Kosovën perëndimore u arrestua më 6 maj të vitit 2013, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtarë, të lëshuar nga autoritet boshnjake dhe që atëherë mbahet në paraburgim në Kosovë.
Mediet në disa vende Ballkanike e cilësojnë atë si një prej njerëzve kryesor të krimit të organizuar ne rajon, ndërsa në listën amerikane emri i Naser Kelmendit radhitet përkrah atij të kreut të kartelit meksikan të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.
Më 1 qershor 2012, nga Departamenti i Thesarit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Naser Kelmendi është identifikuar nën aktin për Bosët e Narkotikëve të Jashtëm, si një trafikant i lëndëve narkotike.(VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: Filloi Gjykimi i bosit, Naser Kelmendit, ndërkombëtarë të drogës

SULEJMAN PRRENJASI, ANETARI I AKADEMISE EUROPIANE TE PIKTURES

January 16, 2015 by dgreca

-Sulejman Prrenjasi, piktori që hapi mbi 20 ekspozita në gjithë Italinë/
-Ibrahim Kodra duke shpërthyer në një bravo për piktorin e sapozbuluar nga Shqipëria thotë: Ja ku e keni Shqipërinë/
-Marrja e kartës së Antarit të Akademisë Europiane të Pikturës pati jehonë në Itali dhe Shqipëri/
Nga Albert Z. ZHOLI/
“Një jetë me dashuri për pikturën” një film dokumentar për piktorin Sulejman Prrenjasi, realizuar nga regjizori Kristaq Janushi,as.regjizor Lulzim Sula,Monrtazhi Alda Sula,Teksti Petrit Ruka dhe lexim teksti nga Agim Xheka me rastin e 80 vjetorit të Antarit të Akademisë Europiane të Pikturës. Fshati Lubonjë është fshati ku e rrit piktori, ku u edukua dhe formoi talentin e tij për pikturën.Tirana është vendi ku jetoi dhe punoi dhe vazhdon jetën piktori dhe Italia vendi ku me ndihmën e të birit hapi studion e tij. Njohja me piktorin e madh Ibrahim Kodra dhe hapja e mbi 20 ekspozitave në gjithë Italinë, përbën kulmin e krijimtarisë së tij.
Drejt vendlindjes
Sa më shume plaket njeriu, aq më shumë mendja dhe këmbët e çojnë drejt fëminisë. Artisti shkon e takohet edhe njëherë me shumë shok të fëmijërisë në rrënjët e fshatit Lubonjë në rrethin e Korçës. Megjithëse ka lindur në një fshat të Skraparit ku ka ikur 5 vjeç që andej dhe fëminia e tij është e tëra këtu. Imazhet e para plot ngjyra i ka marë në këto anë dhe në këto peisazhe që janë të shtrenjta për të. Këtu pa për herë të parë ngjyrat rrëzëllitëse të pranverës dhe të luleve, të ujrave dhe të qiellit që nuk do ti harrojë kurrë dhe po kështu botën e pikturës që e pa e e zbuloi në kishën e fshatit që u bë shkolla e parë e vizatimit të tij. Një takim magjik me pikturën që nuk e tradhëtoi kurrë në jetë.

Lubonja me bukuritë e saj
Lubonja me bukuritë e saj, me afresket e kishës së saj mbeti e para dhe fundit shkollë e ngjyrave për piktorin e ardhshëm, i cili nuk do të bëjë shkollim akademik. Këtu ai filloi vizatimet e para duke shkuar çdo ditë pas mësimit në tre kishat e Lubonjës. Muret e tyre plot afreske dhe piktura u bënë e para dhe e fundit akademi artesh në zemrën e tij. Aty zbuloi linjat e pafundësisë së ngjyrave. Këtu zemra e tij bëri magji me këtë art të mrekullushëm dhe kjo magji e ndoqi tërë jetën,duke i hapur hap pas hapi rrugën drejt suksesit.

Piktori naivist
Fati nuk e deshi që të mbaronte as liceun e as Akademinë e Arteve, por kjo nuk e pengoi të ndjekë pasionin e tij të madh, botën e ngjyrave. Dështimi në një konkurs, ku fati luan trillet e rastit dhe të rrethanave nuk e trishton, nuk e thyen nuk e brengos. Eshtë një njeri i thjeshtë dhe pasi ka punuar gjithandej pas ushtrisë vendoset në Tiranë.Punon si në ndërmarje të zakoneshme ndërtimi dhe më vonë si elektricist dhe duke bërë një jetë të varfër dhe plot mundime, por sapo mbaron punën e tij këmbët i hanë të dal nga Liqeni i Tiranës, të pikturojë dhe të ndjehet i lumtur. Ekspozita e tij e parë është hapur në vitin 1997,e cila korr një sukses te merituar. Të gjithë janë të emocionuar nga kjo pikturë naiviste, plot gjetje dhe ngjyra. Piktori nuk vjen nga bota akademike, nga bota e studiove, përkundrazi është rropatur me një jetë plot varfëri, dhe kushte për tu marë me art që së paku kërkon një jetë normale. Por nëqoftëse jeta e tij është zakoneshme arti i tij flet për dhunti dhe talent të jashtëzakonshëm.

Emigracioni i të birit dhe fati
Ikja edjalit në emigracion dhe brengat janë derdhur në disa nga pikturat që vizitorët i shikojnë për herë të parë. Madje shumë kush nga ata nuk e di që disa nga telajot kanë vizat e dyshekut të djalit që i ka ikur në emigracion dhe babai i ka kthyer në telajo për të derdhur shpirtin e tij të madh. Më në fund duket sikur rruga e suksesit është hapur dhe Sulejman Prenjasi i vijnë ftesa për të hapur ekspozita të tjera me punët e tij në Itali. Fati e ka bërë të vetën. Piktori takon në Milano të famshem Ibrahim Kodra dhe piktori me famë botërore entuziazmohet nga piktura e tij duke shpërthyer ne një bravo të madhe për piktorin e sapozbuluar nga Shqipëria. Ja ku e keni Shqipërinë thotë Maestro Kodra duke drejtuar dorën nga punimet e tij. Dhe me ndihmën e tij i vijnë ftesat me radhë për të hapur ekspozita ngado në gjithë Italinë. Sulejmani tani gjendet tashmë në faqet e shtypit italian dhe atij shqiptar,duke shijuar pas kaqe vjetesh sakrifice dhe vullneti kenaqesine qe jep flaka e pasionit qe nuk u shua kurrë. Marja e kartës së Antarit të Akademisë Europiane të Pikturës pati jehonë në Itali dhe Shqipëri
Admirimi për piktorin e madh Ibrahim Kodra
Admirimi që kishte (dhe ka) për piktorin e madh Ibrahim Kodra e çoi ti bënte një dhuratë (kur ishte gjallë) mjeshtrit shqiptar me famë botërore, duke e vendosur midis trungut të një lisi shekullor që duket sikur ka mbirë në mes të sheshit Skënderbej në mes të Tiranës. Ndërsa në veprat e reja e në ekspozitat e tjera shfaqet gjithmonë e më shume drama e Kosovës që aso kohe ëprjetoi tragjedinë e saj të fundit në luftën çlirimtare. E kuqja e flamurit shqiptar ndihet dhe përflak kudo në tabllotë e tij të kesaj kohe. Eshtë ngjyra e bukur që vjen qysh prej fëminisë, nga tjegullat dhe zjarri i dimrave të tij, prej Lubonjës së Korçës.

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Z. Zholi, në gjithë Italinë, piktori që hapi mbi 20 ekspozita, Sulejman Prrenjasi

Flet Pandeli Gëllci: Si ndërhynte Ministria e Brendshme në sportin e volejbollit

January 16, 2015 by dgreca

Intervistë me një nga korifejtë e volejbollit spektakolar të viteve ’70, ish-trajnerin historik të ekipit të volejbollit, “Skënderbeu” të Korçës, profesor Pandeli Gëllci./
Bisedoi:Raimonda MOISIU/
E kush nuk do të dëshironte të përligjte sot, të sillte në kujtesë, elitën e shquar historike të sportit shqiptar, ata që bënë historinë e futbollit shqiptar, si legjendat, Arben Minga, Ilir Përnaska. Foto Strakosha, me armatën e tyre nga pas, apo në historinë e lojërave me dorë, për femra e meshkuj, si trajnerët historikë: Kreshnik Tartari, Pandi Gëllci, Vangjel Koja, Th. Kuke, apo legjendën Asllan Rusi e shumë të tjerë, të cilët, me mprehtësi e zell, talent e përkushtim, me njohuritë dhe eksperiencën e tyre ekstensive në taktikat e lojës -na dhanë volejbollin spektakolar të viteve ’70, një volejboll me përmasa jo vetëm evropiane, por në shkallë botërore. Me “fenerin internetik”, në dorë gjeta një nga këta korifenj të volejbollit shqiptar, aty – në Quincy Massachuset, USA, -bashkëqytetarin tim korçar, profesorin e nderuar Pandeli Gëllci, ish-trajnerin historik, të skuadrës së volejbollit, për femra: “Skënderbeu” të Korçës, me të cilin zhvillova një intervistë. Bashkëkombasit e tij shqiptarë e kanë cilësuar: “Shkolla e volejbollit shqiptar”, “Kollosi i Volejbollit, “Mbreti i Volejbollit” dhe ish-Presidenti Rexhep Mejdani i jep titullin “Nderi i sportit shqiptar” Ndërsa të huajt: “Një nga trajnerët më të mirë që ka Europa”. Rusi Karpol: “Është vështirë të gjesh në botë një trajner kaq të talentuar që të dijë të stërvitë njëherësh fillestarë e të rritur”. Ndërsa amerikani Terry Condon -Head Volejball Coach, UMass, Boston: “Pandeli është një njeri jashtëzakonisht i përkushtuar me njohuri, plot talent e tregon një interes gjenial. Ai është një trajner ekstensiv”. Por mbi të gjitha profesor Pandi Gëllci karakterizohet nga një modesti e fisnikëri e veçantë. Cilat janë sakrificat, dashuria, pasioni për sportin e bukur të volejbollit, sfidat, konseguencat, mbijetesa, dhe si arriti ai ta ngrejë volejbollin korçar në lartësinë europiane e botërore, në një kohë kur Shqipëria ishte nën regjimin komunist dhe e mbyllur totalisht nga bota

-I nderuar profesor, së pari ju faleminderit që pranuat të intervistoheni. Kush është Profesor Pandeli Gëllci dhe diçka nga fëmijëria e juaj?

Kam dashur, dëshiroj e do të dua që për fëmijërinë time të theksoj: Qarjen e parë, të ardhjes në jetë e lëshova në Korçë, duke përkëdhelur gëzimin e dy prindërve të mi, Dhoksi e Vasil. Vdekja shume shpejt, pas lindjes sime, e babait tim, më çoi në Dardhë, fshatin e mamasë, për të zgjidhur vështirësitë e jetës ekonomike të kohës. Kështu gjatë 13 viteve të fëmijërisë, përfshi edhe pubertetin u ndodha, jo vetëm në kudhrën autoritare të dashurisë, sakrificës, punës së gjithanshme dhe të shumëllojshme, predikimit fetar, këmbënguljes, pranimit të së vërtetës, dhe kundërshtimit hapur të së keqes, nga ana e mamasë sime, por edhe në dhuratat intelekt-formuese -organizuese të komunitetit të Dardhës. E kam për nder që të mësuarit tim filloi dhe hodhi shtat në shkollën moderne të këtij fshati, nën drejtimin e mësuesve fshatarë dhe nxënësve, -zor që e njihnin grindjen. Ky formim, ishte stimulimi i prezantimit në shoqërinë e Korcës, së lindjes, në të cilën përparova si një nxënës dhe një aktivist i shumanshëm, midis tyre edhe i sportit. Kam mbaruar Institutin e Lartë Pedagogjik, në Tiranë, në vitin 1957, u diplomova si mësues i gjuhës ruse, kam qenë pedagog dhe zv/drejtor në Pogradec, më vonë pedagog dhe zv/drejtor në shkollat e mesme të qytetit tim, Korçës, e më vonë në Institutin e Lartë Bujqësor, Sot Universiteti Fan S. Noli.
-Ndonjë kujtim nga jeta e shkollës së mesme apo e lartë?

Kam shume kujtime nga shkolla e mesme. Do ju përmend njërën, që më ka mbetur në kujtesë. Flitej se midis Korçës e Shkodrës, ruhej një miqësi e vjetër. Kjo edhe në linjën e sportit. Në vitin 1952, nëntor-dhjetor, kam qenë dëshmitar dhe aktor i një prezence të tillë mbresëlënëse. Në muajin nëntor erdhi në Korçë një ekip i gjerë e kompleks i shkollave të mesme të Shkodrës. I pritëm shumë mirë, duke zhvilluar aktivitete sportive, biseda, veprimtari të tjera argëtuese. Unë u aktivizova në basketboll dhe volejboll. Ishte kënaqësi e madhe. Fushat u mbushën me nxënës e qytetarë. Mezi pritej kthimi i vizitës. Ajo u vendos në ditët e fundit të dhjetorit. Megjithëse pragu i vitit te ri, ne e ndjemë veten si në shtëpinë tone. Ndeshjet u shoqëruan me vizita të ndryshme. Në to gufonte jo thjesht përpjekja për fitore, por solidariteti i ndërsjelltë në mënyrën e realizimit. Ndërsa për jetën e shkollës së lartë do të doja të kujtoja dhimbshëm një moment, të ndryshëm nga i pari. Shumëkush e dinte që unë dëshiroja të ndërroja fakultetin për diferenca në vite, që kishte mësimdhënia e kësaj lënde në Korçë. Mos pranimi i kërkesës më bëri të mbyllem në vetvete e të pasigurt, mbasi unë vija aty me cilësi studimi shumë të mira. Ndërsa iu vura rusishtes, duke neglizhuar lëndët e tjera, një pjesë e kolektivit, më afroi dhe inkurajoi për aftësitë e mija. Shenjë vlerësimi shërbeu kalimi shumë i mirë i gjuhës shqipe me profesorin kompetent por edhe rigoroz.

-Si trokiti te ju dashuria për sportin, në mënyrë të veçantë pasioni për volejbollin?

Fshati Dardhë ka patur vlera të gjithanshme. Me lojërat e verës, ajo na bëri të shkathët, me ato të dimrit na bëri të fortë, të guximshëm, dhe rezistentë. Në Korçë unë spikata në përdorimin e “hekurushkave”, në tatëpjetën e rrugës së ngrirë prej nesh. Me rritjen në moshë, lindi mundësia e përdorimit të skive. Ndërsa çdo ditë luaja futboll, shpesh herë merresha me volejboll. Të luajturit volejboll, më ka joshur qysh në klasën e tretë të shkollës fillore. Mësuesi ynë Dh. Kere ishte i pari që na njohu me rregullin kryesor të saj. Lënia e rrjetës gjithmonë në oborrin e shkollës dhe struktura e fshatit na ndihmuan që ta shfrytëzojmë si mjet argëtimi. Prandaj, me zhvendosjen time në qytetin e Korçës, që në shkollën unike, kam luajtur volejboll. Në vitin 1951, duke qenë në shkollë të mesme, kam marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar të Volejbollit, nën drejtimin e Mjeshtrit të Lojërave me dorë F. Meka. Në shkollën e lartë u aktivizova në tre sporte, por volejbollin e stërvita çdo ditë me shokët. Merrja pjesë në Skuadrën e Institutit të Lartë. Më vonë kur u formua skuadra “Studenti”, për herë të parë, luajta me të në kampionatin e kryeqytetit. Duke qenë në prag të profesionit të mësuesit, mendova se mjeti më i mirë për të mësuar nxënësit lëndën, që do u jepja, do të ishte ngritja e një ekipi volejbolli, në shkollën ku punoj. Për të qenë më i saktë në përgatitjen e tij, u pajisa me materiale në gjuhën ruse për këtë sport. Nxënësit e mi, pogradecarë, të dashuruar pas volejbollit, sapo panë te unë pasionin për këtë lojë, u mblodhën rreth meje. Pa e kuptuar stërvitja morri formën dhe ekipi u bë i njohur. Në përfundim të vitit të parë, ekipi i shkollës me tre të jashtëm, mori barrën e përfaqësimit të rrethit. Zumë vendin e tretë. Në vitin 1960, u shpallëm kampion për Kategorinë e Dytë, duke i dhënë Ekipit Kombëtar të të rinjve tre lojtarë. Këto tre vite stërvitje dhe vetëmohimit praktik të djemve pogradecarë, janë diploma ime autodidakte të Volejbollit të Madh.

-Ç’mund të na thoni si u gjendët trajner i skuadrës së volejbollit, “Skënderbeu”?

Isha në Korçën time të zemrës që nga gushti i vitit 1962. Megjithëse transferimi im u pranua në kushte të vështira kuadri, për vlerën si trajner, deri në maj 1965 nuk u pa ndonjë interes për mua. Një ditë të bukur Maji, të vitit 1965, kur po zhvillohej një lojë e femrave të volejbollit, ishte edhe titullari i rrethit. Përgjegjësia e tij mesa u pa, u ndje nga mënyra e të luajturit dhe nga humbja e cila e shpuri ekipin në kategorinë e dytë. Të nesërmen u thirra në Komitetin Ekzekutiv, për të marrë këtë ekip. Fillova të mendoj se si mund të organizohej ky ekip i vështirë. Dikujt i deklarova praninë e vështirësive, por kurrsesi nuk do të lejoja diskreditimin.

-Falë kontributit të çmuar energjik, brilant, plot talent e profesionalizëm, ç’mund të na thoni se ku qëndronte forca e suksesit tuaj, në volejbollin korçar, që me pasion të veçantë arritët të ngrinit një skuadër në nivel kombëtar e botëror?

Pak më lart iu shpjegova, se në Korçën time, unë isha kthyer si një trajner i Kategorisë së Parë, vendase. I rëndësishëm ishte fakti se praktika e stërvitjes ishte një zbërthim dhe evidentim i asaj që rekomandonte teoria Dhe teoria mbi volejbollin e ndjekur prej meje ishte ajo e shkollës më të mirë botërore, për kohën. Momenti më ndihmoi të kapërcej inferioritetin e ndjerë nga mbivlerësimi i trajnerëve të cilët vinin nga të qenët kuadro të edukimit fizik. Praktika krahasuese tregonte se pesha e njohjes rëndonte në favorin tim. Me fillimin e stërvitjes provova të tërheq mendimin e trajnerëve më të mirë të Shqipërisë, për të parë ku isha unë ndaj njohurive të tyre. Përgjigjet e tyre shprehnin njohuri të krahasueshme me të mijat. Mbetej si domosdoshmëri, fillimisht, organizimi i stërvitjes korrekte. Dëshiroj të mësoni një dukuri. Ditët e para disa nga vajzat, që rrëzuan, ekipin, refuzuan të mësuarit metodikisht drejt. Si pedagog, vendosa të zë lepurin me qerre. Ato u lodhën duke luajtur, por pa fituar kënaqësinë e gjuajtjes, për të cilën, përpiqeshin. Ditën tjetër u organizua mbrapsht, metodikisht, por e ashtuquajtura gjuajtje sigurohej prej meje. Iluzioni, se ato dinin të sulmonin, u rrëzua. Kërkuan t’i nënshtroheshin, organizimit stërvitje-mësim, lojë kontroll-shprehish. Një sekret tjetër i punës sonë është njohja e së resë botërore, sa më shpejt, që në lindje, dhe vënia e shpejtë në praktikë. Në këtë mënyrë, ne u njohëm, me konceptet e Periodizimit, të Etapave, dhe përmbajtjes së tyre, të llojeve te Mikro, Messo, Makrociklieve, të relatives, midis Volumit dhe Intensitetit, në etapë e mikrocikël. Kjo ndihmoi zgjerimin e vazhdueshëm, të të gjithave koncepteve, të nevojshme, duke përdorur metodikën e posaçme. Gjithë ekipet e volejbollit të femrave të vendit u stërvitën 2 orë në ditë. Ekipi ynë kaloi tre orë më 1973, në 5 orë, tre herë në javë, stërvitje mëngjesi dhe lojë zyrtare pasdite, sepse, jo vetëm D. Matsu, një “arkitekt” i volejbollit, bëri 4 deri 8 orë në ditë, por edhe mjeshtrat botërorë, teoricienët, Matvejev, Smirnov, Angelman, dhe Ozolin, qysh më 1971, na rekomanduan, metodat e stërvitjes funksionale. Në rrugë ngjitëse stërvitja u mbështet në shtyllat: Stërvitje fortë-Periodizim -shkencor me praktikë funksionale: Teori -Edukim-Riaftësim. Këtu qëndron esenca e punës së fortë me femrat qysh sa mbushin moshën 15-vjeçare, këtej lindën talentet në një periudhë 3-4 vjeçare: Dhorkë Koco, Myska, Vali, Tamara, Kalemi, Aliko, Ropi, Ismaili, Duni, Qirici, Tasho, Mico, Mati e pas tyre, Stavre e Burda.

-Profesor, më kujtohet që ndeshjet me klubin e volejbollit të “Dinamos” për femra, të udhëhequra nga një tjetër korife, të mirënjohurin, ish-profesorin dhe trajnerin tim z. Kreshnik Tartari, ishin “shume ndeshje të forta”. Si ishin marrëdhëniet tuaja kur humbnit apo fitonit me skuadrën kundërshtare?

Një fitore me “Dinamon”, sillte kënaqësi jo vetëm të mundësisë së klasifikimit maksimal, por edhe të epërsisë të metodave të stërvitjes. Në mënyrë si është ushtruar influenca e Ministrisë së Punëve të Brëndshme në volejbollin për femra, fitorja ishte një “grusht”, mbi të keqen. Me të gjithë kolegët e mi ruaja e ruaj marrëdhënie miqësore. Për Zotin Kreshnik Tartari dëshiroj të sjell shprehjen e tij shprehur zj. Ibrahimi (sekretares së tij): -A e njihni? Është Pandi Gëllci, rivali im më i madh. Kemi mbetur miq falë qëndrimit të tij. Kolegët e mi në Korçë çuditeshin kur më shihnin në stërvitje të nesërmen e humbjes, më aktiv. Unë synoja cilësinë, humbjen ja lija keqdashësve.

-Ju arritët të grumbullonit në skuadrën tuaj, volejbolliste nga më të mirat në historinë e lojërave me dorë, që mund t’i quaj me plot gojë “Gjigandet” e volejbollit shqiptar spektakolar të viteve ’70, si: të ndjerën Tamara Nikolla, apo shuteren më të mirë të vendit Dhorkë Kocon, Myzejen Hoxhën, Kalemin, Foton Qiricin, etj. Si arritët i nderuar profesor ta realizonit këtë?

Më vjen mirë që volejbollistet e mija i quani “Gjigande”, të tilla janë. Unë numrit të atyre që sapo përmende do ju shtoj edhe te tjera, duke i krahasuar me simotrat e tyre, të ekipeve kombëtare. Të tilla janë Duni, Silva Turdiu, Tasho, Mico, Aliko, Burda, Stavre, Eva Kavaja, Ela Tase, Mati. E lashë në fund emrin e Ismailit. Jo se e harrova. Ajo është supertalent i pasimit shqiptar. Nëqoftëse është nënvlerësuar, e kam për nder, detyrë e krenari unë ta kujtoj. Fitorja e Ekipit Kombëtar në Turqi, ajo me Kinën, në Shqipëri, janë gëzime të nivelit shembullor të organizimit të lojës prej saj. Këto u bënë talente në sajë të diferencimit të aftësive të tyre drejt talentit. Një pjesë i takon grupit me aftësi të mira fizike, edukative, dhe intelektuale, me të cilat ato udhëhoqën veten e tyre, ose fizike, intelektuale, në procesin e stërvitjes për të fituar një talent të veçantë. P.sh. Kalemi nuk luante një lloj me lojtaret Tamara e Duni, në të njëjtin pozicion, por ajo paraqiste veten të tillë me ato elemente teknike që kishte mundur, te ngritur në talent, duke e bërë të pakapshme nga kundërshtari.

-Ju jeni martuar me ish-mësuesen time të fillores, të dashurën e nderuarën Roza, sa ju kanë mbështetur bashkëshortja dhe familja, në atë kohë, të bukur por shumë punë, stres, edhe kur shijonit gëzimin e fitores e kur humbnit?

Sukseset e punës sime dhe cilësinë profesionale, të verifikuar në ballafaqimet botërore ia dedikoj, Rozës, bashkëshortes sime. Ajo përballoi nevojat familjare për të patur kohë të mjaftueshme për tu marrë me stërvitje deri në atë masë sa ajo pranoi të mbajë rreth 8 muaj një volejbolliste në shtëpi.

-Cilat kanë qenë ndeshjet që të kanë lënë më shumë mbresa?

Ndeshja me ekipin kombëtar të Kinës, në Korçë, me atë jugosllav në Rumani, me “Dinamon”, në Vlorë dhe me Kampionen polake në Korçë. Ndeshja e parë ka qenë e një cilësie të krahasuar në nivelin botëror. Ela Tase në ndihmë, ka bërë lojën më të bukur, Pronjari po ashtu, i dha përgjigje çudisë sime përse unë e mora. Katër korçaret e talentuara të lojës, Tamara, Kalemi, Ismaili dhe Aliko, ishin dëshmi e gjallë e punës së bërë me ngarkesa të larta. Në Rumani, Tase, kulmore, refuzoi ndërrimin e propozuar nga trajneri i klubit të saj, në momentin që jugosllavet, ishin vënë poshtë, katër korçaret, e përmendura më lart, e zbërthyen bllokun e lartë me lojë të shpejtë. Shaka dhe Iftiu, në ndërrim, midis tyre i shërbyen fitores. Në Vlorë, “Skënderbeu”, fitoi, ndaj “Dinamos”, por përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme, thirrën, arbitrin, para setit të pestë, për t’i dhënë fitoren “Dinamos”. Ndeshja me polaket u fitua, Duni, Ismaili, Tasho, Mico, Burda, e Mati: Llogaritje matematikore e forcë në sulm, dhe mbrojtjen e dyanshme. Loja-Konfirmim, e përllogaritjeve, shkencore, të marrjes së Formës Sportive.

-Aktualisht ndodheni jashtë atdheut, në SHBA, A i ndiqni zhvillimet në sportin shqiptar, ç’mund të na thoni për volejbollin sot në Shqipëri?

Tregoj shumë interes për volejbollin, veçanërisht atë korçar. Më vjen keq që ende, është larg, asaj që duhet. Korça ka elemente, adapt femëror, Universitetin dhe para. Duhet kthyer së pari, dashuria për Korçën. Për këtë është e pamjaftueshme të qenit korçar, fizikisht. për të qenë i tillë duhet të ekzistojnë brenda vetes, virtyte morale madhore.

-Ka rastisur që të kanë kritikuar?

Në sport ka shumë të tilla. Unë i ndaja kritikat. Respektoja ato që dilnin nga thelbi i zemrës, të shikuesve, të shumtë, të cilët, mbushnin këndin sportiv apo Pallatin e sportit. Te tjerat të cilat dilnin nga mediokriteti profesional, bëja sikur nuk i dëgjoja. Ndërsa ato që mbanin erë përfitimi profesional, aq me keq antikorçarizëm, ju qëndroja përballë me aftësi logjike e kurajo qytetare.

-Një fenomen i shëmtuar sot në sportin shqiptar është shitja e ndeshjeve. A ndodhte kjo në atë kohë?

Po ndodhte. Disa persona e përdornin si kumar. Ndonjë sportist e përdorte për interesa personale. Kishte kohë që një volejbollistja ime vepronte në këtë mënyrë. Oreksi i madh e bëri të bjerë viktimë e atyre që deshën të përfitonin. U gabua duke më akuzuar se unë e akuzova pa arsye. Por ndodhja para titullarit të rrethit rrëzoi “të keqen”. Frymëzuesit mezi morën frymë kur unë u shpjegova me fakte qëndrimin e saj.

-A është i kënaqur profesori me atë ç’ka ka arritur në atë kohë?

Jam shumë i kënaqur. Studiova shkencë, punova për të krijuar shkencë në bukuri, luajta me model shkencor që i takon shekullit të 21. Aktivizimi si trajner në Greqi, Kroaci, dhe USA. me cilësi stërvitore rezultative ma jep këtë të drejtë.

-Si ndjeheni kur lexoni dhe dëgjoni se ka korrupsion në sportin shqiptar? Dhe nuk ka më volejboll spektakolar si dikur? Si mund të ndihmojë shoqëria shqiptare për reduktimin e këtij fenomeni të shëmtuar?

Është një problem me të cilin nuk mund të pajtohet karakteri im. Është korrupsioni që u bë shkaktar, për largimin tim, nga Ekipi “Skënderbeu”, në vitin 2002. Në rast se do të vazhdojë ta drejtojë sportin korrupsioni, volejbolli shqiptar do të mbetet, mbrapa. Le të mos fryhet dikush se mund të fitojë me Qipron, apo Gjibraltarin. Volejbolli shqiptar ka fituar ndaj “shkollave më të përparuara në botë”, si me Italinë, Rumaninë, Poloninë, Kinën, etj, Por në ç’gjendje është sot krahasuar me to: A e mposhtim sot volejbollin e klubeve greke e turke? Më vjen keq ta them, por volejbolli është pjesë e jetës së përgjithshme se ajo është mbërthyer keq. Unë mendoj se duhet të fillojë edukimin e vetvetes në dy drejtime: Duke vendosur trajnerë dhe drejtues të verifikuar për figura të pastra. Të zbulohet e dënohet çdo rast shkeljeje. Në SHBA, kohët e fundit u konstatua se një fituese olimpike përdorte drogë. U dënua nga gjykata dhe u detyrua të kërkojë falje publike. Ju hoq medalja.

-A ka ndonjë gjë në jetën tuaj që ja sheh gjurmët edhe sot?

VOLEJBOLLI!-Ai është profesioni e jeta ime. Nëpërmjet tij provova kënaqësinë e punës shkencore, të shprehur në art. Volejbolli kërkoi nga unë aftësimin e vazhdueshëm pedagogjik, psikologjik, njohjen adaptimin dhe vendndodhjen e gatishmërisë fizike, të lidhur me shkathtësinë (ajrore e tokësore), krijimin e shprehjes origjinale zhvendosjeje në fushë, të kërcimit. Ai më bëri pronar të teknikës, duke përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së topit me aftësitë bashkëkohore për të dalë në ekzekutimin taktik, elegant, e spektakolar. Volejbollit i atribuoj, njohjen fiziologjike të njeriut, për të vjelë aftësitë maksimale të tij, në moshë e aftësi të caktuara. për këto arsye e ndjej veten kompetent, të pavarur e të paplakur edhe këtu në SHBA, ku jetoj. Aktivizimi im në UMASS, dhe një marrëveshje e pritshme janë diplomë e kohës. Kështu e kam parë dhe e shoh të qrnët trajner.

-Çasti më i vështirë për profesorin…?

Prill- Maj 1976. Sekretari i Federatës së lojërave me dorë deklaroi në një mbledhje speciale, se “Dinamo”, nuk dëshironte të dërgonte lojtaret e veta në Ekipin kombëtar, të Th. Kukes. Kuptohet pse. Ju dërgua një letër një titullari të lartë qeveritar për këtë. Kërkohej edhe mendimi im, diskutimi im që u parapri nga fjalët “Ky është qëndrim reaksionar”. Sugjerova fillimin e stërvitjes, diskutohej qëndrimi i im dhe i TH.Kukes të mos ndërpritej. O Zot i madh! Çfarë intrigash, prapaskena deri në “terrorizëm të hapur shtetëror”. Duke i drejtuar letër ministrit të Arsimit të kohës, për të nderuarin Thoma Kuke e qëndrimin një farë Pandi Gëllci. Falsifiteti i këtij veprimi jo vetëm u diskreditua me humbjen e ekipit, por edhe me rithirrjen time si trajner i parë.

-Jetoni në Quincy, Massachuset, SHBA, a e ndiqni volejbollin amerikan dhe çfarë do të dëshironit të kishte volejbolli shqiptar nga ai amerikan?

I njoh të gjitha e i ndjek të gjitha nivelet e volejbollit amerikan. ai plotëson të gjitha kërkesat e të interesuarve, në shkolla e jashtë saj. Niveli më i mirë është ai kombëtar. Ai është konkurrues për top- rezultat Pas këtij janë kolegët dhe Universitetet, që kanë nivel shumë të mirë. Divizioni i parë -quhet. Koncepti për stërvitjen ndryshon nga ai shqiptar. As trajneri dhe as lojtari nuk diskuton se sa orë stërvitje do të kryejë 3-6-apo 8 orë.

-Cilën ëndërr, nuk keni realizuar?

Kam dëshirë të punoj me një ekip të Divizionit të parë, Do të vija në provë veten dhe dy tregues themelorë, që më kanë munguar: Gjatësia e lojtareve dhe në të njëjtën kohë mundësia e të qenit të tyre lojtare të përgatitura për disa vjet. ëndërroj të ballafaqohem.

-Diçka që doni të shtoni për veprimtarinë tuaj?

I kam borxh atij kolektivi vajzash, i cili në shtrirje kohore është i madh dhe i ndryshëm, i paharruar. Puna, lodhja, sakrificat, kontributi, gëzimi i fitores, pjekuria si e prisnin humbjen, dhe eleganca e lojës, janë të paharrueshme. Ndjej përgjegjësi moralë ndaj volejbollit korçar e kombëtar, që eksperienca dhe historia, e cila u krijua me modele të avancuara të kohës, të vlerësohet dhe eksperimentohet, të mos neglizhohet për interesa përfitimi, si kanë bërë deri më sot.

-Mesazhi që doni t’i përcillni brezave të ardhshëm të sportit shqiptar, në veçanti atij korçar?

Mesazhi im është ky: Shqipëria dhe Korça, si në volejboll edhe në degë të tjera të sportit i ka potencialet, talentet, burimet energjike, intelektuale, fizike e mendore, për aftësi konkurruese, në Evropë e botë. Trajnerë të mirë e të afirmuar, vendi ynë ka plot. Të jetosh e të bësh sport volejboll, përballë krijuesit e metodistit V. Koja, teoricienit të talentuar A. Kona, trajnerëve K. Tartari, Çifti Lala, LL. Llupo, I Cironaku, F. Sharofi, L. Tase, Gorenxa dhe femrave M. Hoxhalli dhe A. Demiri, ta kesh nder, meritë dhe fat. Duhet hequr dorë nga metodat burokratike për të vendosur specialistin sipas konsideratave politike e personale. Specialisti është produkt i trurit të aftë dhe investimit të madh. Duke mësuar me punën e fortë dhe të madhe, nuk ka rezultat pa punë, , nuk ka garë pa ndeshje pa riaftësim, të organizimit. Vonesa ka pasoja për cilësinë. Shpresoj që volejbollin e Korçës ta shoh me cilësi udhërrëfyese, atë shqiptar mbi nivelin europian

Intervistoi: Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Pandeli Gellci, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT