• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

“Charlie Hebdo”, karikaturë për 4 klerikët shqiptarë

January 15, 2015 by dgreca

Në numrin e fundit të revistës satirike ‘Charlie Hebdo’ që doli ditën e mërkurë në shenjë homazhi për 12 të vrarët në aktin terrorist të 7 janarit dhe u shit në 5 mln kopje në disa gjuhë të botës gjendet edhe një karikaturë kushtuar 4 klerikëve shqiptarë, marshimi i të cilëve në homazhet e mbajtura në nder të viktimave u prit me duartrokitje të shumta nga qytetarët e mbledhur në rrugët e Parisit.
Përfaqësues të 4 feve mbajnë secili moton ‘Je suis Charlie’, shprehje që pushtoi ditën që nga sulmi i përgjakshëm dhe shoqërohen nga mbishkrimi: ‘Nouveaux Amis’-Miq të rinj.
15 janar 2015 (gazeta-Shqip.com

Filed Under: Komente Tagged With: : Miq të rinj, ”Charlie Hebdo”, karikaturë për 4 klerikët shqiptarë

Kontinenti i goditur

January 15, 2015 by dgreca

Nga Ismail Kadare*/
Goditja ishte e rëndë, dramatike. Ishte më e pakta gjë që mund të thuhej. Fjalët se Europa ishte goditur mu në zemër të saj nuk mungonin pothuajse në asnjë formulim lajmesh. Kishte në to befasim, dhimbje, tmerr, si për diçka që ndodhte për herë të parë.
Pavarësisht prej hijes së saj prej zonje të rëndë, Europa nuk ka qenë e pagoditshme. Madje kishte ndodhur që dy nga katër gadishujt e saj, atë Iberik dhe atë Ballkanik, ia kishin shkëputur me forcë shekuj më parë. I përkas njërit prej popujve ballkanas , që e ka humbur dy herë Europën: në shekullin e XV dhe atë XX, në komunizëm. Mendoj se popujve që u ka rënë një fat i tillë, kanë një qasje të veçantë, tepër të ndjeshme, për atë që ndodhi.
Ndonëse e përsëritur, tragjedia jepte, siç u tha, përshtypjen e diçkaje të re, të panjohur. Nën ndriçimin e saj, u qartësua befas edhe një herë, raporti i kontinentit europian me krejt globin tokësor. Është e vërtetë se ky konsiderohet si kontinenti që më shumë se kushdo, ka përfituar prej planetit tokë, por ndërkaq është po ai që më shumë se kushdo i ka dhënë këtij planeti. Ajo çka Europa ka dhënë, i përket një sfere të epërme, asaj të vlerave shpirtërore: mendim, art, letërsi, demokraci, gjer te liria e shprehjes, për të cilën u godit.
Tipari i parë i këtyre vlerave bën pjesë në aktet më sublime të njeriut. Ndryshe nga pasuritë lëndore tokësore, ndryshe nga pyjet, nafta, bankat, që secili vend i gëzon për vete, vlerat shpirtërore i nënshtrohen ligjeve të tjera. Asnjë popull ose familje popujsh nuk i krijon ato vetëm për vete, por njëherësh, aty për aty, qysh në ditën e parë të krijimit të tyre, natyrshëm ua fal, pra ua dhuron tërë popujve. Kështu Europa krijoi Danten, Shekspirin, Bethovenin, vetë Parisin, për vete dhe për krejt botën. Ky ka qenë, me sa dukej, ai zbulim që u qartësua befasisht, si nën ndriçimin e një rrufeje: mirënjohja planetare për Europën, kontinentin e goditur. Bashkë me mesazhin se Europa është e shtrenjtë për krejt njerëzimin, ndaj ajo jo vetëm ka të drejtë, por e ka për detyrë të mbrohet. Për vete dhe për të gjithë.
Shkrimi është botuar në gazetën franceze “Le Monde”

Filed Under: Featured Tagged With: Ismail Kadare, Kontinenti i goditur

Horri nuk bëhet fis

January 15, 2015 by dgreca

Nga Mesila Doda/
Deputetja demokrate, Mesila Doda, reagoi pas lajmit se familja e Ermal Hoxhës mendon se arrestimi i tij ka për qëllim diskreditimin e diktatorit Enver Hoxha.
“Familja e te akuazuarit per narkotrafik Ermal Hoxha, reagon sot dhe thote se akuzat behen per te diskredituar emrin e Enver Hoxhes.
Me sa duket pafytyrsia nuk paska fund per disa njerez.
Besoj se nuk ka asnje nevoje per te diskredituar akoma emrin e Enver Hoxhes sepse nuk ka asnje personazh tjeter me te zi e me te urrryer ne historine e shtetit shqiptar, si njeriu qe e privoi kete vend nga gjysme shekulli histori normale njerzore, si njeriu qe vrau e dogji kombin e vet, shkak edhe sot qe ky vend vazhdon te mbetet peng i komunistve dhe krimit. Te mbrohesh pas nje mostre diktatori te vdekur eshte edhe me keq, dhe me e pamoralshme se te justifikosh krimin ordiner.
Krimi me sa duket, eshte bere nje kostum qe i shkon per shtat brez pas brezi disa njerzve.
Perkunder kesaj, me vijne nder mend qindra shembuj pinjollesh te dyerve te nderuara te ketij vendi, te cilet pasi u rriten internimeve e burgjeve sepse gjyshi kriminel kishte vendosur ti shprishte ADN ketij vendi dhe ti zhdukte cdo pjesez te memorjes historike, sot jane shembuj te shkelqyer ne Evrope dhe ne bote, ne art, shkence e politike. Mbesa e Musine Kokalarit kandidon per deputete ne Suedi, nipi i Enver Hoxhes kandidon per trafiqe ne Shqiperi. Shkoi haka te i zoti. Bari nuk behet dot lis, dhe horri nuk behet dot fis,”shkruan Doda në FB.

Filed Under: Editorial Tagged With: Horri nuk bëhet fis, Mesila doda

Flet balerina dhe koreografja Adela Muçollari: Të jesh një balerinë është një magji

January 15, 2015 by dgreca

-Unë jam një artiste profesioniste dhe kërcej në një tempull të shenjtë/
-Princi im do jetë ai që do më bëjë mua të ndihem princeshë në krahët e tij/
-Dashuria për mua është diçka qe kur ti zgjohesh je e lumtur/
-Karakteri dhe dinjiteti janë dy gjëra që duhet të ketë çdo femër/
Intervistoi:Albert Z. ZHOLI/
Një balerinë dhe një koreografe që po paraqitet me dinjitet në të gjitha kompeticionet. Sipas saj “Të jesh një balerinë është një magji, një profesion që të jep një sodisfaksion të jashtëzakonshëm”.Aktivitetet e saj janë të shumta pasi ka një kalendar të ngjeshur në TKOB. Mund të përmendim së fundi baletet si “Inpackt & Table” “Coppelia” dhe premiera e fundit “Risvegiol Dell Umanita”….etj.
-Si lindi dëshira për të konkurruar si balerinë?
Në fakt ka qenë një ëndërr e nënës, pasi unë kam qenë 3 vjeç e gjysmë kur e kam nisur ketë rrugë. Ajo kuptoi talentin tim dhe dëshirën për të kërcyer.
A nuk je paragjykuar në këtë profesion?
Jo absolutisht që jo. Unë jam një artiste profesioniste dhe kërcej në një tempull të shenjtë si është Teatri Operës e Baletit. Të jesh një balerinë është një magji, një profesion që të jep një sodisfaksion të jashtëzakonshëm.
-Kush ju mbështeti më shumë nëna apo babai?
Nëna ime është gjithçka në jetën time. Ajo është krenaria ime, ajo më ka qëndruar çdo ditë të jetës sime pranë dhe më ka mbështetur çdo moment të jetës sime. Ajo është mbretëresha jetës sime.
-Cila ishte shfaqja e parë dhe ku?
Shfaqja e pare ka qenë në moshën 5-vjeçare kur unë kam kërcyer “Vdekjen e “Mjellmës” në spektaklin “Talentet e Reja”
Si u ndjetë kur mbaruat shfaqjen e parë?
Mbaj mend që zemra më rrihte fort. Kisha shumë emocione dhe isha sikur po fluturoja duke kërcyer në atë skenë.
Cilat janë aktivitetet tuaja të fundit dhe çmimet?
Aktivitet janë të shumta pasi unë kam një kalendar të ngjeshur në TKOB. Mund të përmend së fundi baletet si “Inpackt & Table” “Coppelia” dhe premiera e fundit “Risvegiol Dell Umanita”….etj
– Sa role keni realizuar?
Kam 6 -vite që jam pjesë e Teatrit të Operës e Baletit. Kam pasur shume role solistike në skenë si brenda dhe jashtë vendit..
-Cili është baleti më i mirë që keni realizuar?
Baleti më i mirë për momentin mendoj qe ka qenë baleti “Coppelia”. Pasi në atë balet kam marrë vlerësime maksimale nga shume profesionistë dhe kritikë arti.
-Ku është vështirësia e të qenit balerinë?
Te jesh balerinë është shumë e vështirë. Duhet ti kushtosh shumë kohë këtij profesioni. Ka orë të tëra të mbushura me punë në sallën e baletit. Duhet të arrish perfeksionin dhe kjo gjë kërkon shumë përkushtim që të jesh në majë.
-Ky është një profesion me kufizim moshe, si e keni menduar të ardhmen?
Po, është e vërtetë që baleti ka kufizim moshe, pasi të kem mbaruar karrierën time si prima balerin do jem një pedagoge shumë e përkushtuar për një faze të dytë të karrierës sime.
-Jeni supersticioze dhe tek cilat numra, sende apo fenomene besoni?
Jo nuk jam fare supersticioze. Besoj shumë në veten time dhe mbështetem te puna ime. Ajo nuk me ka zhgënjyer asnjëherë deri tani.
-Njeriu ka dhe s’ka idhuj në jetë, ose më mirë të themi ka dhe udhërrëfyes të së mirës, ju keni të tillë. Apo cilat modele keni për zemër?
Kam punuar me shumë maestro të baletit. Nga secili nga ata kam marre vlerat më të mira të profesionit. Gjëra të cilat më udhëheqin edhe sot në jetën time artistike dhe sot punoj me maestron Ilir Kerni. Ndërsa për sa i përket modelit si balerinë është Luccia Lacarra
-Çfarë është më e shtrenjtë sot për një femër të emancipuar?
Për mua gjëja më e shtrenjtë është familja ime dhe karriera ime.
-Përveç baletit, keni ndonjë profesion apo hobi që ngjitet në nivelet e një talenti të dytë?
Profesioni ime përveç baletit është dhe koreografia pasi unë kam studiuar për të qenë një profesion pak më vonë në jetën time
– Jeni e dashuruar dhe ç’ është dashuria për ju?
Po jam e dashuruar. Dashuria për mua është diçka qe kur ti zgjohesh je e lumtur..
– Cilat janë lidhjet me muzikën dhe librin?
Kam një lidhje shumë të ngushtë me muzikën. Më pëlqen ta dëgjoj në çdo moment.
Librat zakonisht i lexoj në mbrëmje një moment për tu relaksuar. Libri që po lexoj është “Ana Karenina” Tolstoj (vëllimi 2)
– Si e ideoni princin e kaltër?
Princi i kaltër ekziston vetëm në përralla..haha. Princi im do jetë ai që do më bëjë mua të ndihem princeshë në krahët e tij
– Kur çoheni në mëngjes në dimër?
Mëngjeset e mija janë të njëjta, ora 7:20, pasi unë jam në punë çdo ditë e bëhem gati.
-Mendimi juaj për operacionet plastike?
Nuk është se jam kundra në momentet që njerëzit kanë nevojë për to pse jo mund ti bëjnë. Kështu do ndihen më të bukur ..hahaha
– Më shumë ju pëlqen shoqëria me femra apo me meshkuj?
Shoqërohem nga të dyja gjinitë dhe kam miq të mirë.
-Ku i kaluat festat e fundvitit?
Pranë familjes. Preferoj qe festat t’ia kushtoj familjes sime
– Cila është gardëroba juaj?
Ne gardërobën time gjen çdo gjë. Për çdo vend unë kam veshjen e duhur
– Çfarë pëlqen më shumë tek një mashkull?
Më pëlqen sinqeriteti dhe qëllimi për të qenë dikush për jetën e tij
-Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?
Karakteri dhe dinjiteti janë dy gjëra që çdo femër duhet të ketë.
-Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?
Nuk mendoj qe femrat shqiptare kane probleme, thjesht mendoj që duhet të vlerësojnë veten dhe mos të jenë të varura në jetë.
– A ndiheni e vlerësuar?
Ndihem një femër shumë e vlerësuar dhe e kënaqur për jetën time deri më sot.

Filed Under: Interviste Tagged With: Adela Muçollari:, Albert Zholi, është një magji, Flet balerina dhe koreografja, Të jesh një balerinë

Kleçkat burokratike dhe bashkësia protestante shqiptare

January 15, 2015 by dgreca

Nga Petro Luarasi/
Rreziku nga terrorizmi dhe masat që duhet të merren për parandalimin e tij në botë diskutohen gjerësisht me gjakftohtësi në rangjet më të arenës ndërkombëtare. Ndërkohë, me dhjetra njerëz të pafajshëm, rracash, kombësish e besimesh fetare të ndryshme, vriten përditë në Ukrainë, Siri, Irak, Sudan e më gjerë. Por vetëm masakra e Parisit, e propaganduar gjerësisht si sfidë e fundamentalizmit islamik, i shkundi qarqet politike evropiane. Disa krerë shtetesh e etiketuan ngjarjen si krim të llahtarshëm mbi të drejtat universal të shoqërisë njerëzore, të tjerë u kundërpërgjigjën duke e cilësua si hipokrizi, manipulim racist, gjuhë të urrejtjes dhe islamofobisë. Prandaj mediat i quajtën disa deklarata politike si ‘’hipokrite’’, me ‘’standarte të shumëfishta’’ vlerësimi.
Solidariteti dhe vlerat shqiptare.
Masakra ndaj redaksinë së revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”, e pasuar edhe nga dy akte të tjera kriminale, ku u vranë 17 persona, ishte paralajmëruar dhe dyshohet të jetë shkaktuar nga publikimet ndër vite të materialeve irrituese dhe nga disa karikatura satirike për profetin Muhamet, por edhe për krerikë islamikë dhe katolikë. Qarkullojnë edhe opinione për arësye më të thella të masakrës, e konfliktit si pasojë e situatës së acaruar ndërkombëtare, të interesave politike, ekonomike dhe gjeostrategjike, ku pak a shumë përzihen disa fuqi të mëdha.
Presidenti francez shpalli tri ditë zie kombëtare duke i kërkuar popullit të qëndrojë i bashkuar përballë terrorit të fundamentalistëve islamikë. U organizua edhe “Marshimi i Unitetit” në Paris ku morën pjesë, krahas mbi një milion njerëzve, edhe qindra personalitete të politikës, fesë dhe kulturës botërore.
Atje kombi shqiptar u solidarizua me thirrjen ngadhënjimtare ‘’edhe unë jam Çarli’’ duke u përfaqësuar në manifestim me krerë politikë e fetarë dhe mediat nga Shqipëria e Kosova. Mbi të gjitha publiku vlerësoi harmoninë e bashkësive fetare shqiptare , me katër përfaqësues të kryesuar nga Udhëheqësi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj. Marshuan krahpërkrah krerët myslimanë bektashianë e synitë dhe të krishterë ortodoksë e katolikë, të cilët u duartrokitën e brohoritën në sheshin “Republika” si dhe kur vendosën kurora me lule për nder të viktimave. Edhe në këto momente dhimbjeje e qëndrese ndërkombëtare kombi shqiptar arriti të shfaqë me nder e krenari një nga visaret e tij të rrallë.
Në këtë ditë solemne, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se e konsideron sulmin ndaj Francës së vlerave të lirisë, të barazisë dhe të vëllazërimit si një sulm ndaj gjithë Evropës. Ai e konsideroi praninë e katër përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare, si një mesazh të qartë për të mbajtur lart flamurin e vëllazërisë e harmonisë fetare, të barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve si dhe për të mos rënë në kurthin e urrejtjes, të përçarjes dhe të frikës. Mesazhe kuptimplotë shprehu edhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Përse mungoi kreu protestant?!

Edhe familja ime u indinjua nga aktet terroriste të Parisit dhe u solidarizua me popullin francez në dhimbjen për njerëzit e masakruar, sikurse çdo njeri i etur për liri e demokraci, për unitet e mirëkuptim ndërfetar. Ndoqëm me vëmendje lajmet, diskutimet dhe opinionet për vlerat tona përfaqësuese kombëtare. Krahas krenarisë së ligjshme si shqiptarë, u habitëm pa masë, madje u shqetësuam, kur pamë se në ceremoni nuk u përfaqësua edhe komuniteti protestant shqiptar ndërkohë që edhe mediat u treguan indiferente ndaj kësaj mungese të rëndësishme.
Nuk mund të anashkalohet nderimi e përgjegjësia kundrejt kontributeve të vyera atdhetare të rilindasve shqiptarë të përktësisë protestante, apo të nënvlerësohet për veprimtaritë bamirëse dhe social kulturore të VUSH-it në të mirë të kombit shqiptar deri në ditët tona. Për më tepër, bashkësia protestante kontribuon shumë, në raport me numrin e besimtarëve të saj, edhe për mirëkuptimin dhe tolerancën ndërfetare në Shqipëri e Kosovë që provohet nga aktivitetet në terren dhe takimet e përbashkëta, të përshëndetur nga krerët e shtetit e qeverisë, të pasqyruara gjerësisht nga mediat edhe gjatë vizitës së Papës në Shqipëri.
Pikërisht për këto vlera e kontribute madhore shekullore përgjatë periudhës së viteve 1892-2015 në trojet shqiptare, kjo bashkësi është ligjërua si fe zyrtare në Republikën e Shqipërisë(Ligji Nr.10 394, datë 10.3.2011 për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkësisë fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella). Kur njihet veprimtaria e rëndësishme që kanë kryer drejtuesit e VUSH-it Pastor Fitor Muça, Pastor Ali Kurti, Pastor Akil Pano në Shqiperi apo Pastor Driton Krasniqi nё Kosovё. Mjafton të kujtojhen vlerat e simpoziumit shkencor “Miq pёr Perёndinё-Dritё pёr popullin-Uratё pёr Mёmёdhenё” ku studjues të ndryshëm dëshmuan pёr trashёgiminё ungjillore si vlerё kombёtare tё Shqipёrisё, mbi rolin e Kishёs Ungjillore nё formёsimin kombёtar dhe shtetbёrjen e Shqipёrisё, për pёrkthimet biblike shqip si ndihmesё e veçantё pёr kulturёn shqiptare dhe themelimin e Shkollës së Parë të Vashave në Korçë. (Andi Dina, Simpozium shkencor “Miq pёr Perёndinё-Dritё pёr popullin-Uratё pёr Mёmёdhenё”, 2 Janar 2013)
Apo të përmendim mesazhet e rëndësishme nga takimi ndërfetar :’’Mesazhe paqeje nga bunkeri që tentoi të zhdukte fenë’’
(http://www.nacionalalbania.al/2014/11/mesazhe-paqeje-nga-bunkeri-qe-tentoi-te-zhdukte-fene/

Shqetësimi i rilindasve
Natë e ditë ndjej brengë, vegime ngjarjesh e personazhesh historike, atdhetarë rilindas e bashkëkohës: protestantë, ortodoksë, katolikë, myslimanë synitë e bektashi, në përpjekjet kolektive, në sakrificat madhore për çeljen e shkollave shqipe, për botimin dhe shpërndarjen e librave shqip, për çeljen e shkollave të para kombëtare laike shqipe, për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe me gërma latine, për zhvillimin me sukses të dy Kongreseve të Manastirit, abetaret dhe Kongresit Kombëtar të Lushnjës, etj, etj. Më thërresin shpirtat e shenjtë rilindasish të mallkuar dhe shkishëruar prej klerikëve shovenëve: Gjerasim Qiriazi me vëllezër e motrat, Naum Veqilharxhin, Kostandin Kristoforidhi, Koto Hoxhi, Nikolla Naço, Grigor Cilka, por edhe Elena Gjika, Asdreni, Konica, Noli, Naim Frashëri, Vangjel Meksin, Grigor Gjirokastriti, Panajot Kapitarin, por edhe Koto Hoxhi, Thanas Sina, Kristo Shuli,Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, si edhe im gjysh Petro Nini Luarasi, me amanetet e tij të përgjakura.
(https://sites.google.com/site/vushorg/ngjarje-fakte/historia-e-kishes-ungjillore-ne-shqiperi)
Të gjithë këta rilindas u kërkojnë llogari pasardhësve shqiptarë, rilindasve të kohës sonë, përse ia mënuan përfaqësimin, shpirtin dhe vlerat grigjës protestante në marshimin solidar të Parisit. Si t’iu them o rilindas të rinj, o vëllezër e motra shqiptare, pa dallim feje, krahine e ideje? Si të justifikoj përfaqësuesit e shtetit, të bashkësive të tjera fetare dhe mediat që nuk po bëzajnë per këtë indiferencë ndaj komunitetit protestant shqiptar, si një nga të pesë komunitetet e ligjëruara fetare? Kur ftohen turlilloj njerëz si perfaqësues të shqiptarëve ne Paris dhe jo një nga pesë shtyllat e unitetit fetar kombëtar, me rrënjë të thella historike e botëkuptimore angloamerikane, kjo është pakujdesi, nënvlerësim, keqdashje apo …., hej burra!!!

Aktualitet e perspektivë
Vërtet gëzohemi për idenë, përfaqësimin dhe imazhin pozitiv në Paris, por dhe sa më i suksesshëm do të kishte qenë përfaqësimi i të pesë komuniteteve të ligjshme fetare shqiptare në vëmendjen e opinionit publik botëror!!! Sidomos kur Vellazeria Ungjillore Shqiptare (VUSH) këtë vit do të perkujtojë njohjen si bashkesi fetare e ligjshme në Shqiperi, efekti do të ishte edhe më i madh, do të ishte një vlerë e shtuar për shtetin dhe besimtarët shqiptare, sikurse pesë gishtat e dorës, grusht bashkuar për unitetin kombëtar dhe besimin tek Zoti.
Do të ishte edhe një mesazh domethënës për ndërgjegjësimin dhe bashkëpunimin më të madh të qeverisë me komunitetin protestant e më gjerë për problemet me të cilat po përballen. P.sh si të mos mbulohen apo anashkalohen ndjeshmëria e ortodoksëve fanolistë, sikurse edhe besimtarëve katolikë, për tu drejtuar nga klerikë shqiptar apo mbi përkrahjen e shtetit, kontrollin e burimeve financiare, materiale, njerëzore, propagandistike dhe aktivitetit ligjor ndaj të gjitha bashkësive fetare. Në mënyrë që jo vetëm të respektohet ligji, por edhe të zbatohen realisht strategjia, objektivat dhe nismat promobvuese për tolerancë fetare, mirëkuptim e vëllazërim, gjithnjë për të mirën e popullit. Le t’ia lemë lexuesit shqiptar të gjykojë mbi deklaratat dhe ngjarjet, maskat dhe fytyrat e paradoksit demagogjik, të cilat analisti Kastriot Myftaraj pretendon të jenë realisht ‘’Teatër hipokrizie politiko-religjioze në mes të Parisit’’, (http://everteta.al/teater-hipokrizie-politiko-religjioz-ne-mes-te-parisit/ )
Githsesi, sikurse u shpreh studenti Alex Fougneri, “Hipokrizia e liderëve botërorë nuk e ul sinqeritetin e miliona njerëzve që marshuan’’ edhe ‘’kleçkat’’ burokratike nuk e ndalin dot misionin e bashkësisë protestante shqiptare, tok me të tjerat, në misionin e tyre ndaj kombit shqiptar e Zotit.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe bashkësia, Kleçkat burokratike, Petro Luarasi, protestante shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT