• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

9 “kombe” diskutuan kupën e kombeve në Montreal

January 15, 2015 by dgreca

Shqipëria u paraqit denjësisht në këtë ngjarje të madhe sportive/
Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada/
Montreali, si shumë qytete të Amerikës së Veriut është në vetvete një OKB teksa këtu jetojnë (pothuajse…) të gjitha kombet që përbëjnë të famshmen OKB e nganjëherë edhe kombe që nuk e kanë marr ende statusin anëtar. Kjo larmi, që është një pasuri më vete, reflektohet në shumë sektor por sidomos në kulturë, muzikë, restorante dhe në mediat e komuniteteteve përkatëse. Si kanadez, ne jemi krenar me atdheun e adoptuar por nuk mund të harrojmë traditat më të mira të atdheut natyral e ndër këto tradita që na bëjnë krenar është futbolli, kjo lojë magjike që duhet thënë se ka filluar të bëhet gjithnjë edhe më interesnate në Amerikën e Veriut ku dominojnë hokeji, basketbolli, futbolli amerikan dhe bejzbolli.

Një kupë kombesh?

Ideja e një kupe futbolli që të mbledhi 8-9 ekipe ishte rrjedhë logjike pas disa vitesh të një kupe për shqiptarët e Montrealit por, pas një ndeshje miqësore mes emigrantëve shqiptarë dhe atyre kamerunez, shumë nga pjesmarrësit më kërkuan të rimblidhemi me 3-4 ekipe. Por kur mendon tre-katër ekipe, thua, pse jo 8 ekipe? Por, të thënit dhe të bërit shpesh rrinë larg…

Argëtim dhe bamirësi …
Duke diskutuar me miq të mi që kanë eksperiencë në organizim aktivitetesh, ideja e bashkimit të argëtimit dhe bamirësisë na dha idenë që të bashkëpunojmë me një organizëm që ndihmon të rinjtë të integrohen në tregun e punës. Dhe vetë ideja e bërjes së kupës në një nga rajonet më të prapambetura të Montrealit do të kishte domethënien e vetë. Kështu, bashkuam forcat me organizmin “Rond-Point Jeunesse au travail” dhe filluam punën e gjatë e të vështirë të bashkimit të 8 ekipeve që na dolën 9 …

Dita e kupës
Dita e 11 janarit ishte festive për pjesmarrësit sepse çdo njëri nga ekipet donte të paraqitej sa më mirë. Shumica e drejtuesve të ekipeve në mbledhjen e fundit të komitetit organizator na theksuan se janë të gëzuar që do të luanin për qejf dhe për bamirësi por kuptohet që egoja të shtyn edhe pak më tej për të merituar përfaqësimin e “kombit” tend. Kështu, aktiviteti na dha kënaqësi dhe duele të bukura dhe mbresëlënëse me lojra të bukura të të gjithë ekipeve që nga Italia, Benini, Rumania, Franca, Algjeria, Maroku, Amerika Latine, Kanadaja dhe kuptohet edhe nga Shqipëria jonë.

Vlerësim i aktivitetit nga politika ….
Organizmi “Rond-Point Jeunesse au travail” me drejtoreshën Bouchra Klaoua dhe me të palodhurën Ginella Diaz dhe vullnetarët kishin krijuar kushtet për një aktivitet pa të meta. Por, ndonëse nuk pati aq spectator sa do të kishim dëshiruar, jo vetëm “kombet” pjesëmarrëse por edhe politika nuk ndenji indiferente ndaj kësaj ngjarje të madhe të sportit amator në Montreal. Kështu të pranishëm ishin deputeti federal z. Emmanuel Dubourg, deputetja provincial Rita De Santis, kryetari I bashkisë së Montrealit të Veriut z. Gilles Deguire, z. Robert Richard si përfaqësues I Arkës së Kursimeve Desjardins. Të gjithë lavdëruan aktivitetin dhe faktin që ai shërben për të afruar më shumë komunitetet që jetojnë në Montreal por edhe të rinjët që duan të integrohen në punë dhe shoqëri.

Fituesit
Ndonëse të gjithë pjesëmarrësit mund të konsiderohen fitues të aktivitetit, I takoi Kanadasë dhe Marokut të diskutojnë kupën në finale. Maroku ia doli të thyej barazimin 2 me 2 në minutën e fundit duke merituar kështu kupën e kombeve 2015.

Mediat

Dua të përmend pranin e mediave të komuniteteve të ndryshme në aktivitet. Po përmend një kanal televiziv dhe një gazetë rumune, media të pavarura dhe një gazetë latino-amrikane që në një artikull qysh në titull uron që aktivitetit të kthehet në traditë…
Si shqiptar do të ndihesha keq nëse nuk do të kishte një ekip shqiptar në këtë aktivitet. Nuk ka se si te mos ndihesh mirë dhe krenar që edhe kuq-e-zinjtë u përfaqësuan denjësisht në këtë aktivitet. Falenderimi i takon z. Ardian Cela që mundi të bashkoj një grup të mirë futbollistësh dhe ti paraqes ata me uniformën e kombëtares sonë. Faleminderit të gjithë djemëve që sakrifikuan dhe luajtën në emrin e shqiptarëve të vendosur në Montreal. Ata ishin që nga Saranda deri në Prishtinë duke përfaqësuar të gjitha krahinat tona. Nuk mund të mos rri pa falenderuar gjithë ata shqiptarë(dhe ishim më të shumtë se komunitetet e tjera…) që ishin në shkallë për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës. Nuk mund t’i përmend emrat e tyre një nga një por edhe pse disa prej tyre më thane “ e kemi për detyrë…” përsëri, faleminderit. Dua të falenderoj bizneset shqiptare pasi jo pak por katër prej tyre ndihmuan finaciarisht në mbarëvajtjen e aktivitetit. Së fundi falenderimi u takon edhe vullnetarëve që punuan për t’a realizuar aktivitetin me sukses.

Filed Under: Komunitet Tagged With: 9 “kombe”, Ajet Nuro, diskutuan, kupën e kombeve, ne Montreal

Më shumë vrau Boko Haram se sa që vdiqën nga Ebola

January 15, 2015 by dgreca

Nigeria ka arritur sukses që ta vë nën kontroll epideminë e Ebola-s krahasuar me shtetet tjera afrikane, mirëpo në të njëjtën kohë ky shtet është fuqishëm i prekur nga organizata terroriste Boko Haram/
Shkruan: XHAVITI ÇITAKU/
Fillet e para të sëmundjes vdekjeprurëse Ebola u raportuan në dhjetor të vitit 2013 në një vendbanim malor në Guine afër kufirit mes Liberisë dhe Sierra Leone. Më pas udhëtarët e bartën virusin përtej këtyre shteteve dhe në mars të vitit të kaluar në Liberi vdiqën tetë veta ndërsa në Sierra Leone gjashtë sish.
Nga Ebola vdiqën 8235 persona…
Në fund të muajt qershor të vitit që e lamë pas ishin të infektuar 759 veta, ndërsa kishin vdekur 467 nga kjo epidemi që përfshiu këto shtete afrikane. Ndërkaq, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2013 shifrat e të sëmurëve nga Ebola kishin shënuar rritje të madhe. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë WHO që i dha për opinion me katër janar të këtij viti që sapo ka filluar, shihet se 20.747 njerëz janë të infektuar. Nga ky numër i të infektuarëve vdiqën 8235 veta në shtetet e Afrikës Perëndimore.
… Boko Haram vrau mbi dhjetë mijë persona
Nigeria ka arritur sukses që ta vë nën kontroll epideminë e Ebola-s, mirëpo në anën tjetër ky shtet afrikan po ballafaqohet me një problem shumë më të madh, të cilin po ia sjell organizata terroriste Boko Haram. Gazeta Nacional Post bën me dije se Boko Haram në këtë vend ka vrarë më shumë se dhjetë mijë veta vetëm gjatë vitit të kaluar. Po ashtu më shumë se një milionë banorë kanë qenë të shtrënguar të shpërngulën nga ky vend për të gjetur shpëtim në Çad dhe Kamerun. Dhe ç’është edhe më keq vrasjet ende po vazhdojnë.
Masakër e përgjakshme gjatë vikendit të shkuar
Me dhjetë janar, ditë e diel, shumë byro informative të botës raportuan se Boko Haram kishte kryer një masakër të përgjakshme. Ende nuk është e qartë se sa persona janë të vrarë, por thuhet se mund të jenë mbi dy mijë. Sulmi i kësaj organizate terroriste ishte koncentruar në qytetin Baga të Nigerisë që shtrihet afër kufirit me Çadin. Një dëshmitar i kësaj masakre të paparë që kishte arritur të shpetoj i kishte thënë Agjencisë AFP se duke ikur kishte shkelur në kufoma në një gjatësi prej pesë kilometrash.
Këto të dhëna kaq trishtuese duhet të zgjojnë ndërgjegjen e shteteve të fuqishme për të ndihmuar këtë shtet afrikan për të luftuar kundër kësaj organizate e cila po fut tmerr e frikë banorëve të këtij vendi. Nëse nuk ndihmohet Nigeria atëherë skenat e përgjakshme sikurse ajo e këtij vikendi që e lamë pas do të përsëritën, ndoshta, me një ritëm edhe më të shpejt.

Filed Under: Analiza Tagged With: Boko Haram, Më shumë vrau njerëz, nga Ebola, që vdiqën, se sa, Xhavit Citaku

Rikthim në shtëpi apo hilja e radhës ?!

January 14, 2015 by dgreca

Nga Nebil Çika/Minerva/
Kryetari i PD-së Lulëzim Basha ka zgjedhur një simbolikë tërësisht antikomuniste për nisur ofensivën e tij opozitare “Drejt Lirisë” . Ai ka zgjedhur Shkodrën dhe revoltën antikomuniste te ndodhur 25 vjet qe kulmoi me hedhjen ne ere te simbolit te terrorit komunist bustit te diktatorit famëkeq sovjetik Stalin, gjë qe cofi ne burg organizatorët dhe autorët e sajë. Ngjarja më një simbolike të fortë antikomuniste , gjithashtu edhe qyteti e rrethi ku ndodhi ajo duket sikur janë zgjedhuar nga z. Basha jo pa q՗llim. Shkodran je nga simbolet e qëndresës por edhe e persekutimit komunist ne Shqipëri ishte edhe një bastion i PD-së deri në zgjedhjet e parafundit. Ne zgjedhjet e 2013 PD- e rrezikoi seriozisht Shkodrën duke mare rezultatin ,me te ulet elektoral ne 23 vite pluralizëm politik . Shkaku ishte mosmirënjohja dhe veçanërisht rrëshqitja majtas e PD-se gjatë qeverisjes së sajë. Shkodra përveç te qenit simbol dhe bastion është edhe termometri apo lakmusi politik i PD-së pasi rezultati elektoral ne Shkodër ka reflektuar ne mënyrë të vazhdueshme atë te gjithë Shqipërisë. Zgjedhjet e 2013 nuk janë i vetmi moment i ftohjes së PD-së me Shkodrën dhe krejt te djathtën politike e elektorale në të gjithë vendin. Ne vitin 1996 ne zgjedhjet lokale te zhvilluar ne vjeshtë Shkodra i dha goditjen e parë të fortë PD-së qe nga krijimi i sajë një paralajmërim qe u injorua pe rate qe do vinte pas 1997. Për këtë kishte një arsye të fortë. Si ne përzgjedhjen e kandidateve për deputetë edhe ne ato për pushtetin vendor PD-ja rrëshqiti fort majtas gjë që çoi në reagimin e Shkodrës. Z. Bersha doli atëherë me dy slogane politike e elektorale që trembën votuesin e deri atëhershëm te PD-së jo pa të drejtë . “Bashkë vuajtës dhe bashkëfajtorë” dhe “Me ne fitojnë të gjithë” ishin dy sloganet qe e bene PD-ne një han pa porta, pa filozofi të qartë politikë , te djathte jo e jo ! Ne zgjedhjet lokale te 1996 PD-ja humbi Shkodrën kalanë e antikomunizmit shqiptar , e cila zgjodhi me djathtas,pavarësisht dështimit e zhgënjimit qe pësoi edhe nga ajo zgjedhje për te njëjtat arsye si me PD-në. Sinjali ishte i qartë ! Pa përkrahjen e bazës se djathtë antikomuniste PD e ka te pamundur ta marre pushtetit apo edhe ta mbajë atë. 1997 dhe 2013 e tregojnë me se miri një gjë të tillë. Këtë e dine edhe kundërshtaret e sajë komunistë qe përpiqen me çdo kusht ta ndajnë PD-në nga baza e sajë antikomuniste dhe disa herë ja kanë dalë pasi ka qenë vetë PD që ua ka lehtësuar punën me largimin dhe rrëshqitjen e sajë majtas.
Ne fjalën e tij në Shkodër kryetari i Ri i PD-së Lulzim Basha paralajmëroi një “rikthim te mundshëm në shtëpi te PD-së. Ai vlerësoi demonstratën antikomuniste të Shkodrës të Janarit 1990 por theksoi se PD është partia e Lëvizjes Studentore dhjetor 1990, një vit me vone se Shkodra. Edhe pse pasojnë njëra tjetrën, dy lëvizjet, kane ndryshime thelbësore. E para u organizua nga qytetarë shkodrane kryesisht kundërshtarë te regjimit dhe ish të përndjekur politikë dhe organizatorët e autorët e sajë u dënuan e ndëshkuan pa mëshirë nga regjimi komunist .Tjetra e dhjetorit u organizua nga studentë pedagoge e intelektuale te konsideruar si njerëz te pushtetit komunist te cilët nuk u dënuan nga regjimi, por ftuan të bëjnë partinë e tyre. Një ndryshim i madh ky midis dy lëvizjeve ndoshta edhe pers hak te rrethanave me te renduar te regjimit një vit me vonë. Dikush mund te ma hedhe poshtë këtë te fundit pasi mund te me sjelle si shembull një tjetër ndëshkim edhe me te rende për Shkodrën katër muaj me vonë , Masakrën e 2 prillit 1991. Serish regjimi nuk e toleroi e as e fali Shkodern antikomuniste . 4 djem te sajë u vranë serish pasi nuk parakun vazhdimin e pushtetit komunist pas zgjedhjeve të para. Shkodra dhe gjithë antikomunistet shqiptar kishin 50 vjet qe e prisnin ketë ditë. Serish nga të vrarët asnjë komunist apo bir komunisti përkundrazi djem te ish te burgosurve politikë ! Te jete prapë rastësi ?! Kam vene re se drejtuesit e PD-se përfshi edhe Bashën e nisin historinë e PD-së tek lëvizja e dhjetorit 1990 gjë që ne fakt është e saktë si kohe fizike por nuk është korrekte politikisht dhe elektoralisht . Si demonstrata qe Basha përkujtoi i dje ne Shkodër qe daton para lëvizjes se dhjetorit 1990 Shkodra dhe Shqipëria ka edhe shume te tjera. Eshtë Postriba dhe Malësia e Madhe, Mirdita dhe Zhapokika. Spaçi dhe Qafe Bari eje. Janë mijëra te vrarë te burgosur internuar e persekutuar ne themelet e te djathtës shqiptare. Ka një gabim thelbësor ndoshta edhe te qëllimtë ne perceptimin ne origjinës njëherazi edhe ekzistencës se PD-së. Përcaktimi me i saktë do të ishte antikomunizmi , se ne fakt ky e ka mbajtur ne këmbe sa here ajo është rrezuar për vdekje nga goditja e kundërshtarit edhe për faj të sajë. Ne se nuk është antikomuniste atëherë perse duhet te ekzistojë? Për komuniste ja ku e kemi PS-në. Edhe ajo ka pranuar pluralizmin , ekonominë e treguat dhe demokracinë sipas mënyrës se saje. Antikomunizmi bën diferencën. Ne kohën kur PD i vidhet atij ka përfunduar keq e me keq, si në 1997 apo 2013. Shkodra, Kavaja dhe te tjera bastione antikomuniste e kane paralajmëruar te dy herët .
Në krye të radhës shpreha jo pa frike dyshimin tim në se ky veprim i z. Basha mund te jete edhe hilja e radhës e PD-së për te djathtën antikomuniste dhe për këtë kam arsye dhe argument. Sa herë PD-ja ka qenë në opozitë dhe ka kërkuar te marrë pushtetin është mbështetur fort teka antikomunistet historike dhe sa here është larguar nga ata ka renë nga pushteti. Ne zgjedhjet e para pluraliste te 31 marsit 1991 PD humbi zgjedhjet( e vetmja parti antikomuniste në të gjithë lindjen) pasi ishte e distancuar fort nga antikomunistet historikë ish të përndjekurit politikë. Po kështu edhe ne 1997 e 2013. Ne fakt PD-ja ka pasuar me shumë retorikë me shumë se aksion antikomunist. Për të qenë i sinqertë sa herë ka qenë në pushtet PD-ja e ka harruar antikomunizmin dhe i është kthyer, motamo si sot në Shkodër. Nuk dua te paragjykoj z. Basha te cilin e njoh si bure te fjalës por i “djegur nga qulli jam i detyruar ty fry kosit. Lidershipi i PD ka manifestuar deri tani , një mosmirënjohje te pa pare sidomos ndaj antikomunisteve historikë një karakteristike tipike komuniste e ngjitur nga e kaluara. Unë besoj se z. Basha per moshën , edukimin dhe ambientin nga vjen ne politike ka pak ose aspak lidhe me komunizmin dhe tiparet politike te tij . Kjo me bën të besoj që ky është një kthim ne shtëpi, një fillim i ri PD –elektorat qe pritet te reflektohet edhe ne filozofi , program politik dhe përfaqësim politik te sajë ne se do që ofensiva e nisur nga Shkodra te jete e suksesshme. Kujdes , Shkodra dhe gjithë e djathta shqiptare nuk ,besoaj se do ta hajë për te tretën herë, “sapunin për djathë” !(Marre nga MINERVA)

Filed Under: Analiza

CHARLIE JAM UNË!

January 14, 2015 by dgreca

Arti e kultura, artistët shqiptarë në përgjithësi me të vërtetë janë një “Charlie” në llojin e vet, ndërkohë që hipokrizia jonë është një histeri kolektive aq e papërgjegjshme saqë kemi guximin ta shpalosin edhe në Paris./
Nga KOLEC TRABOINI/
E kuptoj kryeministrin shqiptar që u gjend në solidaritet e në marshimin që u bë në Paris me nisiativën e presidentit francez François Hollande. Është e kuptueshme dhe e mjaftueshme, sepse Franca është vendi i lirisë së vërtetë të mendimit dhe shprehjes së lirë të ideve në barazi të plotë dhe pa asnjë pengim. Por e kuptojmë edhe si një artist, piktor që ka jetuar në rrugët e Parisit, e ka ndjerë atë klimë e mjedis lirie që të jep krah dhe frymëzim për të guxuar e për të mos pasur frikë në synimet e artit. Ky solidaritet është i dobishëm megjithëse edhe në rastin e Ramës si kryeministër ka një defiçencë jo të vogël, me shkakun se ai shkon në mbrojtje të një kauze të lirisë së shprehjes dhe shkrimit kur në vendin e vet ka një humbellë në këtë drejtim. Nuk e di sa e ka ndjerë diferencën, por shtypi në Shqipëri, është afirmisht e lexueshme dhe e kuptueshme se nuk është i lirë. Jo se këtu ligjet e lirisë së shtypit nuk ekzistojnë, por se këtu shtypin dhe median i kanë krijuar jo si një armë për lirinë e qytetarit, por si një vegël me të cilën partitë të realizojnë qëllimet e veta për marrjen e pushtetit dhe gëzimi i privilegjeve që të sjell ky pushtet. Pra anipse vendi i Ramës dhe solidariteti i tij në marshimin e Parisit ishte legjitim, ai ishte gjithësesi i mangët. Në Francë obskurantizmi pleksur me terrorizmin kërkuan ta vrasin lirinë e të shprehurit dhe disi ia arritën, sepse masakra e 7 janarit ka lënë kudo një ndjesi frike e tmerri se deri ku shkon instikti i hakmarrjes barbare. Marshimi nuk është se tregoi forcë, por ishte një mënyrë për të dalë nga gjendja e shokut, ngaqë u pa kaosi i krijuar nga tre terroristë dhe policia franceze, për t’i thënë gjërat hapur, u gjend në befasi dhe e papërgatitur, madje vuri në lëvizje një makineri të rëndë me mbi 80 mijë policë dhe u deshën tre ditë që kjo tragjedi të merrte fund me 17 viktima. Marshimi ishte si të thuash një qetësim i frymëmarrjes, qetësim i qytetarëve e presidenti francez, që situata të mos përshkallëzohej bëri deklaratën publike se kjo masakër nuk kishte të bënte me myslimanët, por me terroristë. Një thënie e mençur e në kohën e duhur. Pra anipse terroristët u hakmorën barbarisht për vizatimet në “Charlie Hebdo” ata nuk përfaqësonin fenë siç pretendonin, por thjeshtë një organizim terrorist. Po si u mor ky mesazh nga tanët, pra ata që konsiderohen përfaqësuesit apo të deleguarit tanë në pushtet? Mesa duket ata as që e nuhatën përse e tha këtë fjalë në theksim presidenti francez dhe, sikur të thoshte të kundërtën, këta tanët sajuan një grup me katër barinjt të katër perëndive, myslimane, ortodokse, katolike dhe ajo e dervishëve dhe me veshjet e tyre na u shfaqën në Marshimin e Parisit madje me pompozitet sikur po çudisnin botën. Shumëkush mbase edhe kanë pyetur se përse ky delegacion kaq i rëndë nga një vend kaq i vogël që nuk ngre asnjë peshë në arenën evropiane. E megjithatë u gjendën, e megjithatë në sajë të grupit të servantëve të medias shqiptare për pushtetin e politikën, në Shqipëri na transmetuan “mesazhin” që këta katër barinjtë e grigjave te feve i paskan përcjellur botës dhe bota që na qënka “mahnitur” nga kjo “tolerancë” ngjyra ngjyra. Se pari duhet thënë se në Paris nuk ish përsëritur nata e Shën Bartolemeut, nuk ishte çeshtja protestanë e katolikë, nuk kishin luftuar e vrarë tempollarë kryqëzatash me myslimanët e shkretëtirave, pra nuk kishte ndonjë krisje fetare në zemër të Europës, që ne të shkonim me salvaxhentet tona dogmatike për t’u mësuar francezëve se si duhej ta kishin tolerancën, si duhej t’i zgjidhnin punët në mes të sekteve të ndryshme fetare, e kujt, Francës. E pikërisht ne që nuk jemi në gjendje të merremi vesh me njeri tjetrin as në plan laik e as ne plan fetar. Këtu hipokrizia është në shkëlqim e për këtë me të vërtetë mund të jemi më të parët e Europës, sepse të zezën e shesim për të bardhë dhe anasjelltas. Kryekreje se atë mall të vjetruar së tepërmi me emrin tolerancë mund ta reklamojnë tek ata që nuk na njohin, ta zëmë në Afrikë, por Europa na njeh më së miri. Në planin laik ne e kemi tolerancën zero në mes të dy forcave politike pozitë-opozitë, nuk dimë të merremi vesh për asgjë, i mjeri popull e sheh veten në mes të dy forcave politike që kanë për qëllim pushtetin dhe që e majta merr veprime radikale si e djathtë. Kërkojnë të privatizojnë edhe shëndetësinë sipas një ministri, Arben Demeti, që as nuk e ka idenë e programit politik të partive të majta. Përkundër kësaj e djathta që tanimë ka kaluar në opozitë mbron problematikat që konsiderohen të majta. Këto sikur kanë një top dhe hidh e prit tek njeri-tjetri. Si mund pra këta qeverisësit e politikanët tanë të shkojnë për të treguar ndonjë farë vlere në marshimin e paqes e kundër dhunës në Paris. Akoma më tej në këtë Shqipërinë tonë nuk kemi një media të lirë, të gjitha janë blerë, a më saktë janë vetëshitur. Janë tellallë të politikës. Pra për çfarë duhej shkuar për të qenë solidarë për shtypin e lirë kur vetë media shqiptare është kokë e këmbë shërbëtorja e bindur e politikës. A e dinë qeveritarët tanë se televizioni francez 24 me lajme anglisht, kur po zhvillohej marshimi, dha një tabelë për të treguar se dhe një lloj hipokrizie në mes të atyre të huajve që janë shfaqur solidarë për këtë marshim, duke e ilustruar mendimin me disa tabela treguese për lirinë e shtypit të këtyre vendeve. Ishin 5 klasifikime me ngjyra sipas lirisë e ndalimeve të shtypit e medias, e bardhë, e verdhë, portokalli, e kuqe dhe e zezë. Vendi i Shqipërisë sa i përket lirisë së medias dhe e shtypit në përgjithësi, ishte tek ngjyra portokalltë, që nëse i ndajmë në përqindje vendi ynë shkon në 50 përqind i lirë. Ku vemi kësisoj? Çfarë mund t’i tregojmë botës kësisoj? Për çfarë modeli shqiptar bëhet fjalë? A jemi për t’u dhënë mend të tjerëve apo për t’u qarë me lot. Por them se edhe ky klasifikim është disi i toleruar sepse në Shqipëri media është mbi 90 përqind e manipuluar nga politika dhe qeverisja dhe me pronar biznesmenë që nëpërmjet lajkave që u bëjnë pushteteve përfitojnë të ardhura të mëdha, sepse po të mos ishin përfitimet nga shteti shqiptar nuk mund t’i mbanin mediat e tyre në këmbë. Kjo thotë gjithçka e ne në vend të marrim mësime prej heroizmit dhe martirizimit të ekipit të revistës “Charlie Hebdo” shkojmë të shesim dokrra lisi në Paris. Në aspektin fetar nuk jemi më mirë. Është e vërtetë që e kemi të ndarë shtetin nga feja, por ama shteti i përkëdhel drejtuesit e institucioneve të kultit dhe bën edhe atë që nga taksat e popullit i darovit këto institucione duke qenë shtet laik. Këto institucione nga ana e tyre marrin edhe donacione nga jashtë çfarë është një problem i madh, sepse donacionet i kanë brenda edhe kushtëzimet e veta. Ata, çobanët e grigjave të Zotit mund të duken të qeshur para kamerave në Paris, por ama problemet janë këtu e nuk i morën me vete. Se gjithkush e di ngatrresën e fundit me Kishën e Shën Shtjefnit në kalanë e Shkodrës për të cilat pretendon edhe komuniteti mysliman dhe përçarja është e madhe madje edhe e ashpër e nervoze me fjalë. Të gjithë e dinë se si u ngritën myslimanët e Shkodrës me klerikët e vet për shtatoren e Nënë Terezës në hyrje të qytetit, të gjithë e dinë se si e rrëzoi “nata” shtatoren e Nënë Terezës në Mitrovicë, të gjithë e dinë se sa shqiptarë kanë shkuar e shkojnë të nxitur prej imamëve të papërgjegjshëm në Irak e Siri duke u bërë vrasës, të gjithë e dinë se çfarë bënë fetarët ortodoksë që morën eshtrat e shqiptarëve e mbushën me to varret e ushtarëve grekë. Të gjithë e dinë edhe reagimin e Forumit Rinor Mysliman në Kosovë që doli hapur në përkrahje të terroristëve dhe duke e konsideruar të drejtë masakrën që u bë në Paris, e kjo është qershia mbi tortën demagogjike të përrallës “mbi tolerancen” me të cilën na mburren aq shumë sa na u bë e neveritshme si term. Po atëherë pse i mori pushteti shqiptar katër udhëheqësit fetar në Paris, përse shkuan, kush i ftoi, shkuan me mesazhin e shtypit të lirë, lirisë së mendimit, apo për të treguar tematika të tjera që nuk ishin në opsionet e Parisit. Sepse, siç e thamë që në krye, presidenti francez e kishte bërë të qartë se nuk kemi të bëjmë me një çeshtje fetare. Pra e parë në këtë aspekt ishte një shkuarje kot, për një spektakël veshjesh priftërore, hoxhore dhe dervishore. Për çfarë tjetër. Kush ishte vrarë në Paris? Ndonjë peshkop? Mos ishte bërë masakër në ndonjë kishë, xhami apo sinagogë? Kishte ndonjë përplasje fetare fatale në Francë që këta tonët me shembullin e vet të madh do t’i paqetonin gjakrat. Asnjë motiv nga këto nuk qëndron. Sepse po të kishte ndodhur ndonjë krisje fetare në Francë, së pari do të gjendej menjëherë Papa i Romës, gjithashtu kryetari i Ortodoksisë në Patriarkanën e Stambollit, do të vinte i pari i fesë Ortodokse ruse nga Moska po edhe i Budizmit nëse nuk do të protestonte Kina. Por Papa Francesku i kish peshuar punët mirë, se nëse do të kishte shkuar do të tingëllonte si një masakër fetare prandaj nuk shkoi. Po këta tanët ku dinë nga politika e hollë. Këta i bien trashë e trashë. Dhe shkuan. Shkuan në një marshim për lirinë e shtypit e medias, për lirinë e mendimit, kundër obskurantizmit madje kundër çdo lloj obskurantizmi pa asnjë dallim qoftë edhe fetar. E megjithatë dikujt i intereson të dalë e të shesë sapunin për djathë në Europë. Dhe meqë andej u panë me skepticizëm se cilin paska ka marrë malli të shohë priftërinj e hoxhallarë apo dervishlerë nëpër rrugët e Parisit, se ishin edhe në zi njerëzit e jo në ditë festash e paradash. Dhe megjithatë shkuan. Nuk harruan të marrin me vete edhe disa gazetarë të njohur si kalemxhinj e fjalamanë partish që i lëpihen pushteteve prej të cilave përfitojnë dhe nuk kanë të bëjnë në asgjë me shtypin e lirë për të cilin u martirizuan gazetarët e kartonistët e “Charlie Hebdo”. Edhe këta gazetarë shqiptarë, sejmenë partish e qeverish shkuan për turizëm. Se ne shqiptarët, bujarë me paratë e shtetit, e kemi zakon t’i darovitim shërbëtorët e tarafin, por jo ata që nuk kanë mendjen tonë e nuk na përkulen deri në tokë. Nëse do te flisnim për “Je Suis Charlie” do të thonim se Charlie sot në Shqipëri janë mediat që përdhunshëm në stil taliban i kanë kthyer në shërbëtorë të politikës, është Kinostudio, ajo vepër arti e qendër kinematografike që e shkatërruan mediatikët sejmenë të politikës, janë edhe shkrimtarët dhe artistët shqiptarë të cilëve qeveria e djeshme u mori ndërtesën të cilën sipas disa të dhënave jo zyrtare qeveria e sotme do t’ia kalojë në përdorim ambasadës franceze. Nëse ndodh kjo e konsiderojmë një masakër në mes të Tiranës, një turp për Francën e lirive e mendjeve të ndritura, që i dha dritë njerëzimit, sepse ajo po i vë kulturës shqiptare një prangë dhe shkrimtarët e artistët shqiptarë paskëtaj kanë të drejtë të thonë me zë të lartë: “Je Suis Charlie”- pra jam unë, edhe mua më kanë vrarë!

Filed Under: Analiza Tagged With: CHARLIE JAM UNË!, Kolec Traboini

NË KAMPIN E TEPELENËS, KOMUNISTËT LANË TË VDISNIN NGA URIA MË SHUMË 300 FËMIJË

January 14, 2015 by dgreca

Bisedoi : Nebil CIKA/MINERVA/
Agim Musta rrëfen për shfarosjet në kampet e internimit në diktaturën komuniste
Në emisionin “Rrno për me tregue” këtë javë ka qenë i ftuar studiuesi dhe ish-i përndjekuri i regjimit komunist Agim Musta. “Ngjarja që do të trajtojmë është shumë e dhimbshme për historinë e vendit. Bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri, madje mund të jetë e vetmja diktaturë komuniste në Europën Lindore që ka kryer të tilla krime: internimi, vrasja e fëmijëve dhe moshave të vjetra. Unë do ta përkufizoja si “holokausti shqiptar”. Krimet që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri mund të quhen të barasvlershme me krimet që ka kryer nazizmi në Gjermani. Në kampet e internimit si ai i Tepelenës dhe i Porto-Palermos kanë ndodhur vrasje makabre. Treqind fëmijë të vrarë, shumë djem të moshës së re të verbuar dhe varrosje e kufomave të të dënuarve politikë. Për të trajtuar këtë ngjarje tragjike që i ka ndodhur kombit, kam të ftuar zotin Agim Musta, një studiues i krimeve të komunizmit dhe një ish-i burgosur politik”, – tha në hyrjen e emisionit gazetari Çika.
– Zoti Musta, ç’mund të na thoni për këtë ngjarje të rëndë që i ka ndodhur vendit?
– Internimet e diktaturës në Shqipëri filluan në 22 dhjetorin e vitit 1944, sidomos në pjesën veriore të Shqipërisë. Me qindra familje nga Veriu i vendit u dhunuan dhe u plaçkitën. Komunistët u vodhën atyre çdo gjë, deri te pulat që kishin në kotec. Mundën të shpëtonin vetëm disa para që kishin fshehur në pjesët intime të trupit. Këtë gjë e pohon edhe ish-oficeri i Sigurimit Lekë Mëlyshi, vëllai i Pal Mëlyshit, Heroi i Popullit në diktaturën komuniste. Familja e Abaz Kupit ka bërë 51 vjet internim. Këto familje meritojnë të futen në librin “Gines”. Vajza e tij, Lirie Kupi, ka vuajtur 51 vjet internim: 4 vjet gjatë kohës së pushtimi fashist dhe 47 vjet gjatë kohës së diktaturës komuniste në Porto-Palermo.
– Nuk është vetëm familja Kupi, ka edhe shumë familje të tjera që janë internuar në këto kampe përqendrimi, të cilat i kanë përjetuar të dyja llojet e internimit: ato të fashizmit dhe të komunizmit. Në librin tuaj ju keni trajtuar disa lloje internimesh që janë bërë në Shqipëri. Flisni për Perandorinë Otomane, kohën e Zogut, pushtimin e Italisë dhe komunizmin. Cili është ndryshimi ndërmjet këtyre?
– Kampet italiane dhe komuniste ndryshojnë si nata me ditën. Ali Kelmendi, ish-kapter, agjent i KOMINTERN-it, që nisej me shërbim. Ai kishte ardhur në Shqipëri për misionet e tij dhe u diktua nga forcat e Sigurimit. Atë e çuan në internim në Gjirokastër. Po çfarë internimi ishte ai i Ali Kelmendit? Atë e caktuan nga prefektura e Gjirokastrës që të ushqehej në një restorant të klasit të mirë dhe të rrinte në një dhomë komode, të flinte aty. I vetmi kusht që i vunë ishte të paraqitej një herë në dit në komandën ushtarake të Gjirokastrës. Kjo gjë i bën shumë historianë dhe studiues të çuditen nga toleranca që kishte regjimi i Zogut. Në kohën e Zogut ishte me rregull që personat internoheshin vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave, duke bërë një analizë shumë të thellë. Dhe jo si në kohën e diktaturës, që edhe një kapter i thjesht i policisë kishte të drejtë të internonte njerëz. I tillë ka qenë përfaqësuesi i minoritetit grek Vasil Shahini, që e vranë komunistët në Gjirokastër më 1943. As në sasi nuk mund të krahasohet periudha e Zogut me atë komuniste. Në kohë e mbretërisë të internuarit numëroheshin më gishta, ndërsa në periudhën komuniste ishin me shumicë njerëzit e internuar. Gjithashtu kishte ndryshim rrënjësor edhe në trajtimin që u bëhej të internuarve. Trajtimi komunist ishte për shfarosje, gjë që e pohon Kadri Hazbiu në gjyqin që iu bë më 1983-shin. “Në mënyrë të paligjshme ne sekuestruam dhe përvetësuam së bashku me pushtetin lokal pasurinë e personave”, -thotë ai
– Zoti Agim, të qëndrojmë në kampet e përqendrimit. Sipas librit tuaj, por dhe sipas dokumenteve të arkivave të komunizmit, në shumë fshatra të thella të Shqipërisë kishte njerëz të internuar, por ju keni veçuar disa kampe, që mund të quhen “kampe të shfarosjes”. Bëhet fjalë për kampin e Tepelenës dhe kampin e Porto-Palermos. Më kanë bërë përshtypje një shifër që ju keni publikuar: 400 persona të vdekur, 300 prej tyre ishin fëmijë. Cilat ishin arsyet që kanë ndodhur këto vdekje? Cilat ishin shkaqet?
– Unë do t’ju tregoj një fakt, të cilin ma kanë thënë në burg. Vetë djali i Qazim Mulletit, të cilit i bëhej parodi, më ka thënë se brenda një periudhe 6-mujore ka varrosur dhe shfarosur rreth 350 fëmijë. Shumica e fëmijëve kanë vdekur nga uria. Gratë që ishin të internuara i çonin në malin e Luzatit për të prerë dru ose për të mbledhur gurë dhe i linin fëmijët pa ngrënë. Edhe ndërkombëtarët habiten tej mase kur dëgjojnë këto gjëra. As në Rusinë staliniste, që është pjella e komunizmit botëror, nuk kanë ndodhur të tilla krime makabre.
– Në libër thuhet se kampi ishte i ndërtuar në një fushë të minuar he shumë fëmijë kanë vdekur duke luajtur në fushat e minuara. Ishte e qëllimshme ngritja kampit në këtë fushë të minuar?
– Gjatë luftës italo-greke, që filloi në tetor të vitit 1940 dhe përfundoi në maj të vitit 1941, këto fusha u minuan ngaqë aty ishte një repart i madh ushtarak. Kazermat e repartit u përdorën për internimin e njerëzve nga komunistët. Pikërisht me tërheqjen italiane kishin mbetur shumë municione ushtarake të paplasura.
– Një nga detajet për kampin e Tepelenës ishte dhe zhvarrosja e kufomave të fëmijëve, të cilët i varrosën në breg të lumit. A gjenden sot gjurmë të këtyre krimeve?
– Kjo ishte metodë e komunistëve. Këtë në burg ma ka thënë vetë gjenerali i sigurimit. Në fillim kufomat i varrosnim me gëlqere të pashuar, më pas i varrosnin buzë lumenjve dhe përrenjve, me qëllim që, kur ata të vërshonin, t’i merrnin kufomat dhe t’i çonin në det. Nga këto metoda nuk janë gjetur as 20% e kufomave, pasi pjesa tjetër ka përfunduar në det.

Filed Under: Interviste Tagged With: 300 FËMIJË, komunistet, LANË TË VDISNIN NGA URIA MË SHUMË, NË KAMPIN E TEPELENËS, Nebil Cika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT