Opinion Nga Hajro Çini/
Lexova me shumë interes intervistën e ambasadorit të pushuar dhe në ikje Arvizu, dhënë gazetës Mapo dhe më bënë disa gjëra përshtypje, si nga vetë intervista, edhe pse në tonin e saj e balancuar krahasuar me daljet e mëparshme publike të tij, ashtu edhe historia e disa ambasadorëve amerikanë në Tiranë.
Ambasadori Arvizu deklaroi:
“Por, mendoj që në fund, njerëzit duhet të pyesin: A ka ndonjë cen të brendshëm në sistemin amerikan që zgjedhin këta ambasadorë që arrijnë me qëllime të caktuara dhe pastaj largohen me një histori të caktuar? A ka ndonjë gjë të gabuar në themel tek këta individë, përfshi edhe mua, apo mos problemi qëndron diku tjetër?”
Krejt papritur kjo pyetje e Ambasadorit të pushuar Arvizu më zgjoi dhe më shkuan në mëndje me rradhë disa ambasadorë. Më konkretisht, Limpreht, Withers dhe vetë Arvizu.
Të tre përfunduan në mbështetës të fortë të komunizmit shqiptar, të përfaqsuar nga partia socialiste, edhe pse vetë kjo parti paraqitet si e dyzuar. Në pamje të parë ajo përpiqet të shitet si e majtë “europjane”, ndërsa në thelb është po ajo që ka themeluar dhe drejtuar Miladin Popoviçi më 8 nëntor 1941. Fakti më kokëfortë është mbeshtetja e heshtur për Enver Hoxhën nëpër ceremonira, si dhe dekorimet për eksponentët kriminalë të asaj partie.
Po ashtu, erdhën si ambasadorë, me plane e projekte, me dëshirë për të avancuar në karrierë dhe të tre përfunduan me mandate të ndërprerë para kohe, dhe të larguar edhe nga shërbimi diplomatik. Është vërtet shumë interesant ky fakt, menjëherë sapo largohen nga ambasada në Tiranë e shohin veten të papunë.
Vijnë të admiruar në Tiranë dhe ikin të sharë. Natyrisht ky do të ishte problem vetëm i shqiptarëve, në rast se ata do të vazhdonin aktivitetin e tyre në shërbimin diplomatik amerikan, por fakti kokëfortë që ata përjashtohen prej atij shërbimi ka shumë të bëjë edhe me vetë Ambasadorët.
USA është e vetmja superfuqi sot në botë dhe një shtet me një histori sa të lavdishme aq edhe të suksesshme. Vetëm gjatë shekullit të kaluar, USA e vetme, ndryshoi fatet e luftërave botërore. Gjermania ishte në fitore në luftën e parë botërore. Kishte shpartalluar Rusinë dhe nxjerrë jashtë lufte. Kishte degjeneruar Francën dhe ishte shumë aftër arritjes së një marrëveshje xhentëllmenësh me Anglinë, por gjithnjë fituese ishte Gjermania. Hyrja e USA në luftë, ndryshoi drejtimin e fitores. Lufta e dytë ishte pasqyrë e së parës, si nga renditja e forcave ashtu edhe nga ecuria dhe përfundimi. Përsëri pa USA drejtimi i fitores mund të ishte krejt tjetër.
Po ashtu, ishte kërcënimi bërthamor amerikan që mbrojti Europën Perëndimore nga rreziku barbar rus, si dhe ishte madhështia e USA, e udhëhequr nga Presidenti i Madhërishëm Reagan që gjunjëzoi përfundimisht perandorinë e djallit (BRSS) si dhe i dha fitoten e luftës së ftohtë perëndimit.
USA mbetet fuqia më e madhërishme politike, ekonomike, financiare dhe ushtarake e kohës. Ajo sapo kaloi një krizë të tmerrshme financiare. Vitaliteti i kombit amerikan shkëlqeu përsëri, duke e lokalizuar krizën vetëm në sektorin finaciar dhe bankar, duke mbrojtur stabilitetit makroekonomik, duke mos lejuar që kriza financiare të shndërrohej në krizë morale, shoqërore apo kombëtare. Përballja me krizën dhe dalja prej saj u bë kryesisht brënda kontureve të vitalitetit amerikan. Brënda 5 vitesh. Për herë të parë në historinë e tij DOW JONES kaloi kuotën e 18,000 pikëve. Vetëm një komb i tillë mund të ndryshojë historinë në mënyrë kaq brilante dhe kaq mahnitëse. Ndryshe ndodhi, fjala vjen, me Greqinë, Portugalinë, Spanjën dhe Italinë. Të gjithë kërkuan ndihmë nga Gjermania. Pa të do të kishin kaluar katastrofa të patejkalueshme.
Pse atëherë, gjithë ky komb, gjithë kjo superfuqi, gjithë ai vitalitet dhe elastikë që, veç Gjermanisë, nuk e arrin dot asnjë komb tjetër, të ketë ambasadorë të nivelit të Arvizusë apo Withers?!
Duke qënë superfuqia e vetme ushtarake e botës, USA mund ti zgjidhë shumë lehtë edhe problemet diplomatike. Batalionet e mëdha – shprehej Napoleon Bonaparti – kanë gjithnjë arsye. Fuqia ushtarake e një kombi është zakonisht në përpjestim të zhdrejtë me cilësinë dhe kualitetin e diplomacisë. Sa më i fuqishëm të jetë ushtarakisht një komb, aq më pak diplomaci i nevojitet. Për këtë shkak diplomacia amerikane nuk ka nevojë të jetë në nivelin e ushtrisë amerikane. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe cilësia e ambasadorëve në Shqipëri nuk mund të jetë, me fjala vjen, të atyre në Angli, Gjermani, Kinë apo Japoni. Dhe duke qënë e vogël nuk ka as vëmendjen e plotë të Departamentit të Shtetit, kështu që ambasadorët Amerikanë në Tiranë kanë shumë më shumë liri dhe janë shumë më pak nën vëzhgim se në vende të rëndësishme. Po ti shtosh kësaj situate edhe nivelin e lartë të korrupsionin në Shqipëri, si dhe aftësitë korruptuese të komunistëve shqiptar, të përfituara nga ata sllavë, ekuacioni bëhet edhe më i komplikuar. Për kujtesë, Rusia shfrytëzonte, nëpërmjet shantazhit dhe korrupsionit, homoseksualitetin e shefit të shërbimit sekret të Austro-Hungarisë dhe kishte në dorë të gjithë informacionin ushtarak të saj më 1914. Sllavët janë mjeshtra në këtë fushë, dhe unë nuk kam dyshim se edhe pjella e tyre politike në Shqipëri ka trashëguar këtë ves.
Thënë më shkurt, ambasadorët amerikanë në Tiranë nuk mund të jenë të një niveli tjetër. Por unë shpresoj se Ambasadori i ri Zoti Donald Lu do të jetë i një cilësie shumë më të lartë. Shpresa ime mbështetet në faktin që ai ka shërbyer në Indi, ku niveli korrupsionit është proverbial, dhe ai ka qëndruar atje shumë i kthjellët.
Duke përfunduar, edhe pse në disa dalje publike si kjo për të cilën fola, zoti Arvizu bëri disa lajthitje diplomatike duke cilësuar Ramën si Kryeministri që i duhej Shqipërisë, një shaka shumë e hidhur për shqiptarët, apo kur mori rolin e një shefi të hershëm kuadri dhe bëri lajthitjen tjetër kur sugjeronte emrat e antarëve të ekipit drejtues të një partie të rëndësishme në Shqipëri, gjëra për të cilat nuk më la shije të këndëshme, (dhe që janë kategorikisht jashtë dhe kundër statusit të një dipolomati) ai është përsëri një njeri i këndshëm, i sinqertë sidomos në dashurinë platonike që shfaq për bjonded shqiptare si dhe shprehjen e kësaj dashurie dhe unë i uroj ambasadorit të pushuar Arvizu, Vitin e Ri Gëzuar, si dhe udhëtim të mbarë për në USA.
Archives for January 2015
RISHKTIMI I HISTORISE(II)
Disa përjetime dhe mendime për të ashtuquajturën luftë antifashiste nacional çlirimtare/
Nga Niko Kirka- ish I burgosur politik që nga viti I largët 1946/
(Vijon nga numri i djeshem)
Nacionalistët me çetat e tyre qe aty këtu bënin luftime kundër pushtuësit edhe sëbashku me komunistët ishin më të shumtë në numur se komunistët ( pohohet se Safet Butka kishtë 150 luftëtarë, kurse Petrit Dumja me Josif Pashkon rreth 50), por këta të fundit ishin shumë më të organizuar e më të disiplinuar. Kështu që të dëtyruar nga rrethanat, pranuan të marrin pjesë në atë që u quajt Mbledhja e Mukajt, por, sipas zakonit, me shumë hile e me qëndrime tepër ambigue. Përfaqësia e tyrë ishte heterogjene, pak komunistë të nivelit të dytë, pa autorizim të plotë dhe me udhëzime as mish as peshk. Jugosllavët fshiheshin në hije, kurse çiraku I tyre ndejti larg. Megjithkëtë nacionalistët iu shtrinë dorën dhe I trajtuan si të barabartë. Krijimi I Komitetit për shpëtimin e Shqipërisë me nga 6 anëtarë, luftë kundër forcavë pushtuëse, çështja e Kosovës të zgjidhej me parimin e vetvendosjes, forma e regjimit dhe e qeverisjes me votim të përgjithshëm, demoktatik e të lirë, janë dëshmia më e mirë kësaj. Isha 16 vjëçar në atë kohë dhe e mbaj mënd shumë mirë se me sa gëzim e shprësë u prit thirrja drejtuar shqiptarëve. Por këtë nuk mund ta pranonin jugosllavët që synonin gllabërimin ë Shqipërisë. Pas Tëmpos, dy emisarët e më pas çiraku I tyre e kthyen fletën. Është tronditës shpërthimi I Ymer Dishnicës:”Letra jote e fundit më ra si rrufe në qiell të kaltër”. Nuk ndikoi as gëzimi i madh që ngjalli aksioni I përbashkët kundra armikut nën komandën e Abas Kupit. Shfajësimi së ishin shumicë dhe se kishin bërë luftën, pra nuk mund të pranonin të ishin të barabartë me Ballin, I demaskon më mirë se, deri sa kishin vendosur që çdo gjë do ta vendoste populli me votën e tij të lirë, atëherë fitoren në zgjedhje e kishe të siguruar e nuk kishe pse trembej. Dhe për të mbyllur çdo rrugë bashkimi në të ardhmen, filluan vrasjet e nacionalistëve. Kështu filloi vëllavrasja, pra lufta civile. Mbas një muaji kapitulloi Italia dhe forcat e saja ushtarake në Shqipëri shumicën I vrau ose I mori rob gjermani, një pakicë vanë si batalioni Gramshi me komunistët, kurse shumica u shpërndanë fshatrave si argatë dhe u riatdhesuan më vonë pas lufte. Pra dukë marë parasysh këtë të vërtetë historike a mund të festojmë sot 70 vjetorin e çlirimit nga Italia fashiste se I hodhëm në det ata?! Ata që këndonin “Bijtë e Stalinit jemi ne, që derdhim gjakun anembanë, sa të valojë përmbi dhe, flamuri drapër dhe çekan” e mbanin në ballë yllin komunist, kishin dalë të luftonin jo për atdheun e pushtuar, por për fitoren botërore të komunizmit kundër synimit të Boshtit për rindarjën e botës. Ajo që bie në sy kur lëxon librin e P. Milos është paralelizmi midis Jakomonit që I raporton rregullisht Duçes për karakteristikat e veprimtarinë e “kolaboracionistëve” të vet dhe Miladin Popoviçit që raporton tek Titua të njëjtat gjëra për “kolaboracionistët” e tij!
Tani të asyetojmë analizën për periudhën njëvjeçare (vjeshtë 1943-vjeshtë 1944), pra futjen e trupave gjërmane në Shqipëri. Me kapitullimin e Italisë nuk kishte më asnjë pikë dyshimi që luftën e kishin fituar aleatët dhe kapitullimi pa kushte I Gjermanisë naziste ishte vetëm çështje kohe. Pra qëndrimi I forcave gjermane në Shqipëri për të siguruar rrugët e ndërlidhjes të forcave kryesore të tyre në Greqi ishte I përkohëshëm. Përvoja në gjithë Europën tregonte se një goditje sa do e vogël ndaj tyre afer zonave te banuara, shkaktonte raprezalje të egra, barbare ndaj popullsisë civile. Ultimatumi gjerman ishte: ose një regjim ushtarak gjerman me pasojat që diheshin, ose një shtet shqiptar në punët e brendëshme të të cilit ne nuk ndërhyjmë, me një qeveri që të siguronte rendin e brendshëm. Historikisht është e njohur që bashkëpunimi e tradhtia e një individi me pushtuësin e vëndit të tij është ose ideologjia e përbashkët me të, ose përfitimet matëriale prej tij. Ata që qeverisën vëndin në atë kohë nuk pajtoheshin më ideologjinë naziste, sidomos në tëorinë e racave. Ata refuzuan në mënyrë kategorike të dorëzonin hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri, për më tepër mbrojtën edhe ata që erdhën nga vëndet e tjera.Është rasti të vemë në dukje që “kuislingët” e Tiranës mbrojtën njerëz të ndryshëm që strehuan hebrenjtë dhe ne mburremi sot botërisht se ne shqiptarët jemi njerëz të besës, kurse pak më vonë, po shqiptarë, të terrorizuar nga raprezaljet e egra të komunistëve, prenë në besë duke ia dorëzuar sigurimit famëkeq, miqtë pjestarë të fisit!! Përsa I përket përfitimeve materiale, edhe komunistët më fanatikë nuk përmëndin gjë, në pamundësi për ta sajuar. A mund, me ndërgjegje të qetë, t’I quajmë tradhëtarë Patër Anton Harapin, Lëf Nosin, Mehdi Frashërin, Mihal Zallarin, etj.?! Në atë kohë e në ato kushte, në shërbim të vëndit, ata vunë peng jo vetëm jetën e tyre, por edhe dinjitetin që I karakterizonte. Synimi I tyre ishte që vëndi ta kalonte me sa më pak humbje atë gjëndje të përkohëshme. Sa ia dolën? U munduan të ndalnin vëllavrasjen, por përpara vendosmërisë komuniste “për të marë e mbajtur me gjak pushtetin”, lufta civile filloi e vazhdoi deri në fund. Paskali e të tjerë thonë se kur vëndi është nën pushtim nuk ka luftë civile. Kush e ka thënë e ku është shkruar nuk jepet shpjegim. Po Greqia nuk ishte nën pushtim kur Eami komunist luftonte kundër Edesit nacionalist që përfaqësonte qeverinë greke në mërgim? Mendoj se njerzit më kompetentë për këtë janë ushtarakët dhe oficerët englezë që vepronin në vënd, në dokumentet e tyre, me plot gojën e pa asnjë hezitim, e cilësojnë luftë civile vëllavrasjen midis shqiptarëve, përmëtepër identifikojnë si nxitës të saj sërbin Dushan Mugosha. Në raportin që I dërgon Enver Hoxhës në prill 1944 Mehmet Shehu thotë se në luftimet për çlirimin e Pogradecit me rrethina, ku nuk kishte asnjë gjerman, nga robërit e kapur shqiptarë e kosovarë pushkatuan 40 veta dhe se dogjën Starovën. E me një farë ngazëllimi shton se nesër nuk do të ketë më Starovë! Nuk e dij nëse ndonjëri nga të bijtë do të vejë ndonjë ditë në Starovë për të lypur falje, ashtu si bëri gjermani në Borovë? Dhe një problem nuk e zgjidh dot: kur Mehmeti çliroi Pogradecin në prill, nga kaluan forcat gjermane në tetor për të vajtur në Tiranë? Pra si kudo nëpër Shqipëri, aty ku nuk kish gjermanë, goditeshin shqiptarët kundërshtarë më të pakët në numur e me disiplinë gadi të shturrur, “çlirohej vëndi” për të ikur përsëri sa fillonin të dukeshin forcat gjermanë që po largoheshin. Se si luftonin kundër gjermanëve e pasqyron mirë letra e Hoxhës për Nako Spiron:”..për ne fakir fukarenjtë që jemi këtu të mbyllur si miu në vrimë.” Edhe në kujtimet e Gjeneral Davis-it përshkruhet se si tentuan disa herë pa sukses të dilnin nga rrethimi e se si Hoxha I tha që do të iknin vetëm pak veta e më von do ktheheshin t’I merrnin, por ia mbërriti çeta e Azis Biçakut, sigurisht të njoftuar nga miqtë e Sami Bahollit. Ata që kanë qënë të pabesë me shokët e tyre, sigurisht nuk do të hezitonin ta bënin këtë për të shpëtuar vehten e tyre në kurriz të oficerëve englezë që I urrenin. Edhe autokollonën e fundit gjermanë, të shkatërruar e të copëtuat nga bombardimet e mitralimet e vazhduëshmë të aviacionit englez, nuk e ndalën dot të hynte në Tiranë e sëbashku me ata ushtarë që luftonin aty, të ikte nga Tirana në datën e paralajmëruar të 17 Nëndorit. Nuk kam dëgjuar dhe as lëxuar ndonjë shkrim për ndonjë luftim ose rrënien e ndonjë partizani për “çlirimin” e Gjinokastrës, Korçës, Beratit, Vlorës, Ëlbasanit, Durrësit,etj. Më e vërtetë është të thuhet kur iku gjermani I fundit. Data nuk ka asnjë rëndësi. Sipas Marenglen Kasmit, më 3 tetor ishtë dhënë urdhëri nga Shtabi I Përgjithshëm për tërheqjen e trupave gjermane nga Greqia e Ballkani. Kanë të drejtë grekët kur nuk përkujtojnë ditën kur iku gjermani, sepse nuk e detyruan ata. Ata përkujtojnë 28 tetorin kur Metaxa I tha “jo” ultimatumit Italian, ashtu si I tha edhe Zogu më 7 prill.
Nga fundi I majit të 44-ës, kur shihëj I afërt largimi I gjermanit, komunistët të komanduar nga dyshja jugosllave filluan pregatitjet për marrjen e pushtëtit dhe bënë Kongresin ë Përmetit. Zgjodhën delegatë kë donin e si dinin, hodhën poshtë vendimet e Pezës për pluralizëm pa dallim krahine e ideje, ndaluan hyrjen e Zogut në vënd, deklaruan mosnjohjen e marëvëshjeve të shtetit lëgjitim të mëparshëm, përvijuan parametrat e “demokracisë popullore”, pra përcaktuan rrugën që do të ndiqnin për vendosjen e diktaturës të proletariatit.
Pak muaj më vonë, në pleniumin e Beratit, emisarët ë Titos, për t’I nënshtruar plotësisht, I turpëruan duke I detyruar të pranojnë ato që kishin bërë si kolaboracionistë lakej të tyre! Aty Enver Hoxha pranoi faktin që nuk kish pasur komitet qëndror dhë çdo gjë e kish bërë e vendosur vetëm Miladin Popoviçi! Malëshova deklaroi se kishin vepruar si një bandë terroristësh! Gogo Nushi pranoi se kishin pushkatuar më shumë se njëqind persona, civilë të parmatosur, jo se kishin faj, por se mendohej që do t’I kishin kundërshtarë politikë në të ardhmen! Pra, e përsëris, lufta për Tiranën nuk u bë për ta çliruar nga pushtuësi, I cili terthorazi kish deklaruar se sipas planit operativ të largimit do ta linte më 17 nëndor, por për ta spastruar nga atdhëtarë të ndershëm që në të nesërmen do të kundërshtonin politikën antishqiptare të tyre! Çfarë ndodh më shumë në një luftë civile?! Në librin e tij P. Miloja, që ka aq për zemër Enver Hoxhën, mendon se e mbron kur thotë që ai nuk foli sinqerisht, por ishte taktikë dinake e tij. Por në vënd t’I verë vetulla, I nxjerr sytë. Enveri I tij (tamam ashtu si ishte) është një individ pa sedër, pa skrupuj, pa personalitet, I pabesë, hileqar, I gatshëm të bëhet baltë për ta shkelur kur ia do interesi.
Me urdhër të Titos brigadat partizane futen në Kosovë e që atëhere bëhen zyrtarisht komunistë kuislingë që vrasin e presin vëllezrit e tyre për t’I lënë nën sundimin jugosllav. Fillon kështu ai prostituim politik I komunistëve kuislingë me sërbët deri në 48-ën, pastaj me rusët dëri në 61-in, më vonë me kinezët deri sa I hedhin në plehra si ato lavirat e plakura që nuk vlejnë më. E më në fund, të tmerruar se populli I uritur mund të shpërthejë , nxjerrin nga depot në thellësi të maleve arin e thësarit të shtetit (atë ar që e kish vjedhur Zogu në 39-ën!) dhe e përdorin për të blerë ushqime, për të rruajtur amanetin e Enver Hoxhës që të mos merrnin kredi nga shtetet e huaja!!
Teza se komunistët e rënditën Shqipërinë me fitimtarët e Luftës së Dytë nuk është e vërtetë. Anglo-amerikanët asnjëherë nuk I pranuan komunistët shqiptarë si aleatë as gjatë luftës, as më vonë në Kombet ë Bashkuara. Në pranverë të 45-sës, si studentë na kanë nxjerrë në demostrata për të kërkuar të mernim pjesë në mbledhjen e San Franciscos për krijimin e OKB-së, ku u pranuam mësëfundi më 1955 sëbashku me Mongolinë etj. Por edhe Stalini nuk na konsideronte si alëatë, deri sa pyeste Gjilasin se kur do ta gëlltisnin Shqipërinë! Komunistët shqiptarë I mbështeste vetëm Titoja, po jo si aleatë, vetëm si yzmeqarë të nënshtruar. E në shënjë mirësjelljeje ndaj tij na pranuan në Konferencën e Paqes në Paris.
Edhe teza tjetër se komunistët mbrojtën tërrësinë territoriale të Shqipërisë nuk qëndron. Kush e rrezikontë atë? Pretendimët greke për t’ashtuquajturin Vorio-Epir të mbështetur fillimisht nga Churchilli. Por për kryeministrin britanik vetëm “interesat e vëndit të tij ishin të përjetëshme” dhe në atë kohë ato kërkonin të mbështetej Titoja për t’u shkëputur nga sundimi stalinian, gjë që do kish si rrjëdhojë sigurimin e Greqisë të lidhur me Përëndimin e mbrojtjen nga krahët të Italisë e Turqisë. Pra u ndihmua Titoja ta gllabëronte Shqipërinë më anën e çirakëvë që kish pregatitur. Kështu shpjegohet mos përmëndja e Shqipërisë në marrëveshjen që u arrit në Moskë midis Stalinit e Churchill-it, sipas projektit të këtij të fundit, për ndarjen e zonavë të tyre në Ballkan. Dhe që u shit jo një pjesë, po gjithë vëndi tek slavët nga komunistët kuislingë të Tiranës e vërtetojnë marrëveshjet e 47-ës për bashkimin doganor, parifikimin e monedhës, shoqëritë e përbashkëta, ëtj.
Në përfundim po ju drejtoj dy pyetje historianëve Frashëri, Puto, Milo e ndonjë tjetri: Në se komunistët shqiptarë të mos kishin tradhëtuar Mbledhjen e Mukajt dhe Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë të vazhdonte sipas programit luftimët kundër forcave gjermane deri sa I fundit prej tyre të largohej nga Shqipëria, të shtrinte zbatimin e ligjit e të rendit në të gjithë vëndin, të organizonte vërtet zgjedhjë të lira e demokratike, të orientonte Shqipërinë sipas amanetit të Rilindasve tanë të mëdhej se “për shqiptarët dielli lind andej nga perëndon” si do të ishte Shqipëria jonë sot? Sigurisht një anëtar I vjetër I Natos e I Bashkimit Europian, me një sistem demokratik të stabilizuar, me një ekonomi të zhvilluar e me një nivel jetese të begatë e të qëndrushëm. Pra nuk do të mahnisnim mbarë botën me ato pamje tronditëse anijesh të stërmbushura mizëri, si bleta kur rroit, me shqiptarë të llahtarisur e lebetitur që iknin nga vëndi I tyre!!
Dhe pyetja tjetër: në përplasjen historike midis nacionalistëve e komunistëve kush është fituësi? Ç’ka mbetur nga ajo që bënë komunistët duke rrobëtuar popullin e tyre për gadi 50vjet? Një sistem që filloi me triska e mbaroi me tallona.Të rinj që ndonëse të terrorizuar tepër thellë, urrejtjen e tyre të ndrydhur në shpirt e shpërthyen dukë pshurur e tërhequr zvarrë statujat e tyre. Po e përmbyll me një thënie popullore:”Ç’të të kujtoj moj qepë, çdo kafshatë e lot”!
Ndërsa nacionalistët, të munduar e të cfilitur, por krenarë e të pamposhtur, qëndrojnë fitimtarë para historisë, se ideali I tyre, çështja për të cilën punuan e luftuan-Bashkimi mbarë kombëtar-po bëhet realitet. Të parët tanë ikën nga kjo botë dukë lënë një atdhe të vogël me 28.000 km/katrorë. Ne sot me dy shtete shqiptare kemi një atdhe rreth 40.000 km/katrorë. Nesër, në kuadrin e Europës së Bashkuar ku kufijtë shtetrorë shuhen, bota shqiptare do shtrihet në një atdhe shumë më të madh. Pra do të realizohet ëndra e ideali I nacionalizmës shqiptare që “çdo shqiptar, në trojet e tija, të jetë I lirë dhe I qetë e I lumtur të gëzojë të mirat matëriale të krijuara nga puna e prona e tij” Ja kush është fitimtari!
Tani që po flitet për rishkrimin e historisë ata komunistë nostalgjikë trurrjedhur të çdo moshe qofshin, të nëmur e të përqeshur, të ulin kokën të mbuluar nga turpi për gjëmën që I shkaktuan vëndit te tyre. Historia I ka dënuar përgjithmonë.
New Jork 31 Dhjetor 2014
Niko Kirka ish I burgosur politik që nga viti I largët 1946.
KUMTET E ATJONIT
NË KUJTIM TË ATJON ZHITIT/
“Kur fati na ka hequr një shok, nuk ka ilaç më të mirë se sa mundësia për të shijuar kujtesën e tij e për të rizbuluar atë që është thënë mprehtësisht, apo trajtuar urtësisht prej tij.”- Nikollë Makiaveli/
Shkruan Eugjen MERLIKA, ITALI/
Kanë kaluar vetëm pak ditë nga ai mëngjez ogurzi i 20 dhjetorit 2014, kur bota shqiptare u trondit nga një lajm i kobshëm, i papritur dhe rrënqethës deri në kufijtë e të pabesueshmes, një lajm i përhapur me shpejtësinë marramendëse të mjeteve bashkëkohore të informimit : Atjon Zhiti, djali i vetëm 19-vjeçar i poetit e shkrimtarit, ndër më të njohurit e të respektuarit e saj, Visar Zhiti, u nda nga jeta. Gjëma e familjes Zhiti ishte në vetvete një tragjedi me përmasa të jashtzakonëshme, që kushtëzoi humorin e festave të fund vitit për shumë shqiptarë në të gjithë globin, të cilët shprehën hidhërimin e afërsinë shpirtërore me familjen e të ndjerit në forma të ndryshme. Kjo pjesëmarrje e opinionit publik, në mënyrë kaq të ndieshme, në tragjedinë e njërës prej familjeve më përfaqësuese të shoqërisë shqiptare, dëshmoi një vlerë të trashëguar të tij që, fatmirësisht, mbetet ende e pranishme. Ajo shprehu, së pari, keqardhjen dhe dhimbjen e thellë për ndërprerjen e një jete Djaloshi, ende të njomë, që mbyllte rrethin e saj, mizorisht, në një aksident me motorr, këtë vrasës bashkëkohor të dhjetra mijra të rinjsh në të gjithë botën. Së dyti shprehu solidaritetin kundrejt prindërve të dërmuar nga pesha e stërmadhe e humbjes, për të cilët jeta tjetërsohet e largohet nga rrjedha e zakonshme, zbrazet nga kuptimi i saj normal, duke i u afruar një gjëndjeje dëshpërimi të tillë që gjen shprehjen e tij më të përshtatëshme në vargjet monumentale të Çajupit.
“Tani rroj pa shpresë, ndaj s’dua të rroj
Se dhe Perëndinë tani s’e besoj.”
Atjon Zhiti ndërroi jetë shumë shpejt, në një moshë që vetëm ndonjë gjeni i parakohshëm mund të lerë vulën e tij në jetën e shoqërisë apo të Vendit ku jeton. Studenti i filozofisë në Universitetin Katolik të Milanos e kishte nisur atë rrugë dhe, nëpërmjet dy shkrimeve të botuara në të përditëshmen MAPO në shkurt dhe maj 2014, e të një të treti, të vënë në internet nga Balkan Web në ditët e fundit, kishte ravijëzuar portretin e tij në fushën e publiçistikës. Ai mund të ketë patur edhe shkrime të tjera, të cilët nuk i njoh, por për mendimin tim modest, edhe këta tre shkrime mjaftojnë për të dhënë profilin e një publiçisti filozof, që ka pak ose aspak të ngjajshëm në gazetarinë shqiptare.
Vlerat e vërteta në fushën sociologjike apo letrare, nuk maten detyrimisht vetëm me vëllimin e prodhimit. Kritika botërore është e një mëndjeje në vlerësimin e poetit Edgar Allan Poe që, simbas saj, do të kishte patur vendin e tij në letërsinë e madhe, edhe sikur të kishte shkruar vetëm poezitë “Korbi” dhe “Annabel Lee”. Tre shkrimet e Atjon Zhitit, përkatësisht : “A jemi gati për atë që duam?”, “Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe Shteti…..”, “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia”, janë artikuj që do të kishin nderuar edhe publiçistë të shquar, madje edhe me dhjetra vjet veprimtari. Janë modele të mendimit bashkëkohor mbi filozofinë e politikës dhe kanë një kostante që i përshkon e mbetet përherë e pranishme : është shqetësimi për realitetin shqiptar, për anët e tij t’errta, për sëmundjet e tij kronike, për rrugën në të cilën ecën shoqëria dhe institucionet e saj. Analiza e Djaloshit filozof është sa e thellë aq edhe e gjërë. Ajo merr jetë nga një vëzhgim i mprehtë dhe i imtë i së vërtetës jetësore, mbi të cilën përsiatja vepron katërcipërisht me thikën e kirurgut, duke operuar mbi një trup që ka të meta të lindjes, por më shumë të edukimit, të cilat Autori i ri i vendos mirë në kohë e që përkojnë me 70 vitet e fundit të historisë shqiptare.
Shkrimi i parë është tfillimi i një pyetjeje që djaloshi i drejton së pari vetes e, më pas, edhe mjedisit të ngushtë e më pak të ngushtë të bashkatdhetarëve të tij : “ A është vërtetë vendi i im i gatshëm për atë çka aspiron dhe, a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë së ambicjes dhe të veprimit të duhur, apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?”. Pyetja vjen si përfundim i një arsyetimi 360° mbi Shqipërinë dhe botën në të cilën ajo hedh hapat e saj. Autori ka lindur më 1995, në periudhën e pas komunizmit, është përfaqësues i një brezi që nuk njeh “mëkatin origjinal”, i cili vazhdon të ndikojë dukshëm atë shoqëri, të cilën Ai e kërkon më të zhdërvjelltë, më të urtë, më të moralshme, më të shëndoshë. Komunizmin Ai e njeh si dukuri shoqërore më shumë nga librat e çmuara të babait të tij se sa nga “kujtimet e veteranëvet”, apo nga “veprat” e historishkruesve të tij. Ai nuk merret me të si dukuri historike apo shoqërore, e quan të kaluar, e hedh mbas krahëve e shikon përpara. Por perspektiva e një Vendi, që ecën si kërmilli në një botë që vrapon, e bën të kthehet mbrapa në kujtesën historike, në rrënjët, në kohë të lashta kur, në këtë truall lulëzonte një kulturë e ardhur nëpërmjet fuqisë së armëve dhe fatalitetit historik, por që kishte rezultatet e saj në mësimet që jepte në rrugën e qytetërimit. Qytetërimi nuk është vetëm luftë për lirinë, është edhe përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një bashkësi njerëzish që të mos jetë “pré e depredimeve të barbarëve, pré e nepotizmit, pré e korrupsionit, pré e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, pré e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.” Kjo është tablloja e shoqërisë shqiptare sot, në sytë e një të riu të ndritur, që ka ruajtur virgjërinë intelektuale, si rrallë kush ndër moshatarët e tij, një i ri që është i vetëdijshëm për gjëndjen e atdheut, “një rrethinë e errët” në “mega-qytetin” e dukurisë së globalizimit. Filozofi i ri e shikon me dhimbje këtë tabllo e arrin në përcaktimin e diagnozës së një gjendjeje, të cilën mendon t’a ndryshojë duke vënë gishtin mbi plagën më të majisur të saj, korrupsionin. Me dhimbje vë ré se mungon “kujtesa kolektive”, që duhej të na bënte të nxirrnim mësimet e duhura nga e shkuara jonë, për të mos i përsëritur gabimet e saj sot e, aq më tepër nesër. Shqetësimi për këtë gjëndje merr përmasa sarkastike, kur Autori, në kontekstin e një bote ku nuk mungojnë shembujt e luftës kundër korrupsionit, vëren se në Vendin e tij “mëkatarët gjithashtu janë tepër naivë për të ditur se ç’bënin e ç’bëjnë e jo më për të pranuar fajet e tyre.”. Më shumë idhtar i filozofisë klasike e i parimeve tolstojane për ndryshimin e shoqërisë, se sa i “gijotinës”, Atjon Zhiti arrin në përfundimin se “Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë.” Është shprehje e një strategjie të qartë, në të cilën tejduket roli i drejtuesit në një rrugë që është pothuaj e pashkelur, në përvojën tonë si komb. A do të kishte patur fuqinë dhe përkrahjen për t’i a dalë në krye me sukses ? Mosbesimi bëhet i detyruar….
Shkrimi i dytë është një traktat i shkurtër mbi koncepte të njohura si ligji dhe e drejta, si shteti, origjina dhe institucionet e tij, shoqëria dhe politika që prodhon ajo, raportet në format e ndryshme të organizimit e të mbarështimit të marredhënieve shoqërore e të mënyrave të ndryshme të qeverimit. Duke anashkaluar pjesën teorike të shpalosjes së koncepteve, hasim edhe në këtë shkrim konstatime, që nuk janë gjetje të fshehtash misterioze, por fotografime të përpikta të një realiteti prej një idealisti që ruan me ngulm opinionet e tij, duke mos pranuar asnjë kompromis për hir të rrethanave apo “llogarive” të s’ardhmes. Për Të Shqipëria politike, një Vend ku “ligji e ligjshmëria në këtë tokë paradoksesh….. janë të kundërt e përplasen”, “ku të gjithë ne kemi mundësi të barabarta të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona” , ku qytetari, edhe kalimtar, mbetet i “vrerosur ndaj mahnitjes karshi shëmtisë, shëmtisë jo vetëm konkrete”, me standartet e saj anadollake e komuniste, mbetet e papranueshme, duke paraqitur simptoma të rrezikëshme që kërkojnë një ndërhyrje të shpejtë.
“Pa dyshim një Shtet i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet”. Nuk kursen askënd Djaloshi filozof e, para një palëvizshmërie alarmuese të shoqërisë, që është gangrenizuar në format e projektet fillestare të ndryshimit të regjimit, në krijimin e një polarizimi pasuror ku pushteti është kthyer në një oligarki, ku pasuria e paligjëshme ka pushtuar institucionet dhe rrezikon demokracinë, duke vënë në pikëpyetje moralin dhe vlerat e trashëguara, Ai thërret në ndihmë “revolucionin jo të dhunshëm” të Sokratit të lashtë, por përfundon duke nxjerrë në pah një fragment të Faik Konicës, mbas një gjykimi tepër lartësues e subjektiv për të. Fragmenti është një seri pyetjesh në lidhje me rolin e të rinjve në ndryshimet shoqërore të Shqipërisë. Mbetet problemi i përjetshëm, ai i shpresës tek të rinjtë, tek vrulli i tyre, tek pastërtia e idealeve, tek gatishmëria për të luftuar në sendërtimin e tyre, tek horizonti i hapur dhe mos pajtimi me “kënetën”, ujin e palëvizshëm. Autori është i bindur se duhet të jetë brezi i tij që duhet të kërkojë me forcë ndryshimet, larg demagogjisë e premtimeve të pambajtura të baballarëve të tyre, “studentëve të dhjetorit”, që çdo vit përkujtojnë, pa patur kurajën asnjëherë të bëjnë “mea culpa”, për gjëndjen e cila revolton Atjonin, e për të cilën kanë dhe ata një pjesë përgjegjësie….
Shkrimi i tretë “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia” me shumë dhimbje mund të quhet “testamenti” i Djaloshit Zhiti. Është një “lectio magistralis” mbi gjëndjen e Shqipërisë e plagët më të thella të shoqërisë së saj, që kanë në qendër të tyre një term që përdoret, pa kursim, edhe në shkrimet e tjera : korrupsioni. Është kjo sëmundja që kërcënon t’ardhmen e Shqipërisë, që e mban atë jashtë proçeseve përbashkuese të kontinentit, që çorodit funksionimin e institucioneve, duke filluar nga ata të Drejtësisë, që krijon mosbesim në Shtetin, brënda e jashtë tij, që mbjell pasiguri e skeptiçizëm tek ata, si Atjoni, që e shohin t’ardhmen e tyre të lidhur me atë të Atdheut. Pyetjet vazhdojnë edhe në këtë shkrim, është një bashkëbisedim i hapur e i sinqertë i Djaloshit me Vendin e tij, në të cilin Ai i ve një pasqyrë para syve Atdheut. Autori sulet me tërbim kundër një rendi gjërash, në të cilin “seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit”, ku rrezikohet kataklizma e shoqërisë, mbasi “Kur politika nuk dallohet më nga rruga, pasoja e menjëherëshme dhe e pashmangëshme është një mynxyrë”. Për të shmangur këtë rrezik “Urgjentisht duhet katalizatori i një reforme intelektuale e morale”. Ai sheh në një prirje përtrirëse të klasës politike, që duhet të ketë burrërinë të njohë mangësitë e gabimet e saj “një rreze drite që na lejon të dalim nga terri i shpellës së injorancës tonë”. Djaloshi iluminist, që kalon në sitën e parimeve të gjithë spektrin e njohur të shoqërisë, vëren me keqardhje se “populli” ose “shoqëria” i qëndron larg, si kundrejt një murtaje politikanit vizionar dhe ideologut idealist”. Shkrimi në mbyllje pasqyron këtë zhgënjim, sepse ai sheh se ata që mbajnë ”monopolin” e së vërtetës, që drejtojnë politikën janë bartës e propagandues të “pseudo të vërtetave e pseudo vlerave” dhe shton : “Shëmbujt i kemi vazhdimisht përpara, prej shtatëdhjetë vitesh. Fasada është e bukur, plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat….”
Këta ishin disa nga kumtet që na la Djaloshi filozof, Atjon Zhiti, që dëshmojnë përmasat e personalitetit, të karakterit e të intelektit të tij, ai i një pararendësi të iluminizmit shqiptar, nëse do të vijë ndonjëherë…..
20 dhjetori 2014 qe një ditë e zezë jo vetëm për familjen Zhiti, së cilës i shoi dritën e syrit, por edhe për Shqipërinë, që pësoi humbjen e njërit prej bijve të saj më të vlefshëm, një pionieri të palodhshëm të përparimit, një shprese, një rreze drite, që ndoshta do të kishte qënë një nga pishtarët ndriçues të s’ardhmes së saj. “Vdes i ri ai që për qiellin është i shtrenjtë” shkruante 2200 vjet më parë Menandri, athinasi i madh i komedise.
I përjetshëm qoftë kujtimi i ëmbël i Atjon Zhitit, së bashku me idetë që lëvrinin në mëndjen e Tij e që i shërbenin gjithmonë të njëjtit synim : lartësimit shpirtëror, kulturor dhe moral të shqiptarëve e të Shtetit të tyre e institucioneve të tij, të një bote të vogël, me të cilën Ai ishte i lidhur në një dashuri të sinqertë që ushqente për të.
Dhjetor 2014
Konfrontimi i rrënjëve të tatëpjetës së Kosoves
nga Shirley Cloyes DioGuardi/
Gjashtë vite pasi “pavarësia e mbikqyrur” filloi në Kosovë dhe 15 vite pasi sulmet ajrore të NATO-s i dhanë fund luftës gjenocidiale në Kosovë, dhjetori i 2014 shënon një pikë kthese dëshpëruese në historinë më të re të Kosovës. Ngërçi gjashtë mujor në procesin politik të Kosovës që pasoi zgjedhjet e përgjithshme me 8 qershor dhe që mbaroi me ndarjen e koalicionit që kundërshtonte kthimin e Hashim Thaçit në pushtet si kryeministër dhe të partise së tij, Partisë Demokratike të Kosove (PDK), e ka thelluar deficitin demokratik të Kosovës. Me zgjedhjen nga Parlamenti i Kosovës me 8 dhjetor të Isa Mustafës si kryeministër, Hashim Thaçit si zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm, Kadri Veselit, ish kryetarit të shërbimit të dyshimtë sekret (SHIK) si Kryetar i Parlamentit, bashkë me emërimin e një numri të madh ministrash dhe zëvendësministrash, politika elite që e ka ndaluar Kosovën të lulëzojë e të përparojë gjatë dekadës së fundit është kthyer në pushtet.
Përderisa Beogradi ka marrë çdo masë të mundshme që nga fundi i luftës për të mbajtur dominimin e tij mbi Prishtinën dhe për të destabilizuar Kosovën e rajonin, dhe përderisa Përëndimi ende ka për ti dhënë Kosovës sovranitet të plotë dhe ta pranojë atë në institucionet ndërkombëtare, shumica e elitës politike të Kosovës mban përgjegjësinë për përkeqësimin politik dhe ekonomik të vendit sepse ata kanë dështuar që të angazhohen seriozisht në shtet-ndërtim. Në vend se të mbështesin sundimin e ligjit, ata i kanë mbushur xhepat e tyre duke kërkuar haraç dhe duke emëruar në pozita të rëndësishme anëtarë të pakualifikuar të familjeve të tyre. Në vend se të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, aktivitetet e tyre privatizuese kanë çuar në projekte të diskutueshme që i kanë pasuruar ata dhe partnerët e tyre të huaj. Si rezultat, papunësia tani është të paktën 40% (është mbi 60% në grupmoshat 18-30 vjeç) dhe rinia kosovare po braktis vendin masovisht, kryesisht në mënyrë ilegale.
Në kundërshtim me deklaratat e tyre se ata nuk luajtën rol në dhënien fund të ngërçit politik të pas-zdhedhjeve, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ushtruan presion të madh mbi LDK-në, e cila fitoi 30 vende në zgjedhjet e fundit të Kosovës, që ta linte koalicioinin dhe të formonte koalicion me PDK-në, e cila fitoi 37 vende në Parlamentin me 120-vende. Perëndimi preferoi status-quo në mënyrë që të çonte përpara politikën e saj që ta paqësojë Serbinë, të cilën ata në mënyrë të gabuar e shohin si motorrin e ardhshëm të zhvillimit ekonomik dhe politik në Evropën Juglindore.
Bashkimi Evropian e ka dështuar popullin e Kosovës duke bërë retorikë të thatë për sa i përket dhënies fund të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, përderisa në të njëjtën kohë bëhet bashkë me anëtarët e korruptuar të elitave politike të Kosovës. BE-ja është bërë pjesë e problemit me zbulimin e kohëve të fundit nga një britaneze se gjykatësit dhe prokurorët që përfaqësojnë EULEX-in kanë mbrojtur politikanë të pushtetshëm duke mbuluar evidencë të korruptimit të tyre. BE-ja gjithashtu e ka kthyer Kosovën në “geton” e fundit evropiane duke e shpërblyer Serbinë e duke mos i dhënë Kosovës liberalizimin e vizave – diçka që Parlamenti i Kosovës duhet të shqyrtojë menjëherë.
Liberalizimi i vizave është thelbësor jo vetëm për zhvillimin ekonimik, por edhe për arsyen se izolimi i Kosovës i ka dhënë ngritje depërtimit të rrezikshëm e të paparë të islamit radikal. Përderisa kosovarëve nuk u lejohet të udhëtojnë për në Evropën Perëndimore apo Bashkimin Evropian, ata janë të lirë të udhëtojnë për në lindje në Turqi e më tej. Fundamentalistat islamikë nga bota arabe kanë qenë duke financuar lëvizje politike, ndërtuar xhami aty ku kurrë nuk ka pasur në Kosovë, dhe duke u dhënë para grave që jetojnë në varfëri si këmbim që ato ti veshin shamitë dhe ti dërgojnë bijtë e tyre në shkolla fetare. Për herë të parë që nga 1912 (kur okupimi 425 vjeçar i trojeve shqiptare nga Perandoria Turke Osmane u përmbys) fundamentalistat islamikë, të refuzuar gjerësisht nga shqiptarët në gjithë Ballkanin, ia kanë dalë që të infiltrojnë një popullsi laike muslimane, të cilët kanë jetuar krah për krah me fqinjët katolikë, të krishterët ortodoks, dhe hebrenjt në harmoni për vite e shekuj të tërë. Islami radikal është në kundërshtim me modelin shqiptar të islamit, thelbi i të cilit është toleranca ndërfetare, respekti, dhe mirëkuptimi.
Qeveria e SHBA-ve gjithashtu e ka dështuar popullin e Kosovës duke iu bashkuar BE-së në ngritjen elitave politike të korruptuara të Kosovës. Në këtë proces, Amerika e ka abuzuar fuqinë e saj tek shqiptarët, grupi etnik më pro-Amerikan e pro-demokraci në Evropën Juglindore. Duke ia dorëzuar pushtetin pas luftës pothuajse pa përjashtim atyre që do t’u bindeshin kërkesave të Perëndimit, Perëndimi dështoi që të shrytëzonte expertizën dhe shkollimin e shumë profesionistëve kosovarë. Duke qenë e dyta kundrejt Evropës, administrata e SHBA-ve i ka mundësuar Beogradit që të hyjë në vakumin e krijuar nga mungesa e unitetit dhe vendosshmërisë së 28 shteteve anëtare të BE-së, pesë nga të cilat refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet i pavarur.
Në të njëjtën kohë, shumë kosovarë e mendojnë vetveten si minoritet i shtypur, të nënshtruar ndaj tekave të Serbisë, Rusisë, dhe BE-së që konspirojnë kundër vendit më të ri në botë. Realiteti është që shqiptarët janë shumica dërrmuese e shtetit të ri dhe në vend se të vajtojnë rreziqet e vërteta e të imagjinuara ndaj egzistencës së Kosovës, zyrtarët e zgjedhur duhen të përqëndrohen në punë të qeverisjes, policisë, ofrimin e energjisë, ujit, shkollimin adekuat, dhe kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët, dhe të paraqitjes së masave anti-korrupsion në çdo institucion publik, si lokal ashtu edhe në nivel qëndror.
Qeveria e Kosovës e ka fuqinë ta ndryshojë të ardhmen e bisedimeve Prishtinë-Beograd duke marr kontrollin mbi marrëdhëniet me serbët në Kosovën veriore. Gjithashtu, ajo ka fuqinë që ti rezistojë krijimit të gjykatës speciale për krime lufte për Kosovën, kur as shumë pak trupa serbë paramilitare e militare nuk janë sjellur para drejtësisë për okupimin 10-vjeçar të Kosovës, dëbimin e një milion kosovarëve, dhe vrasjen e dhunimin e mijërave pa u ndëshkuar fare prej 1998-1999. Qeveria e Kosovës mund të përqëndrohet në sjelljen e kësaj padrejtësie para vëmendjes ndërkombëtare. Kjo thjesht është çështje e vullnetit politik.
Kosova mund të jetë e suksesshme, por nuk do ta arrijë atë po qe se kosovarët nuk ngriten përballë problemeve dhe nuk bëhen zot të fatit të tyre. Përndryshe, Kosova do të vazhdojë të rrësqasë në një gjendje të limbos politike dhe ekonomike dhe ajo do jetë në mëshirën e fuqive të huaja. Ka ardhur koha që kosovarët, sidomos të rinjtë, ta shfrytëzojnë momentin dhe të nisin veprime jo të dhunshme që të sjellin vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj tatëpjetës që e ka marrë Kosova. Është po ashtu koha që burrat dhe gratë e afta në diasporën shqiptare – shumë prej të cilëve ia kanë kthyer shpinën Kosovës që kur pavarësia u deklarua me 2008 – ta ndihmojnë Kosovën që të dalë nga situatata dëshpëruese sociale dhe ekonomike në të cilën ajo gjendet. Përndryshe, Kosova do të vazhdojë të rrësqasë në një limbo ekonomike e politike, dhe do të jetë në mëshirën e vazhdueshme të fuqive të huaja.
Ky shkrim është përkthyer në shqip nga Luan Mazreku.
„ HOPE & PEACE“ MBËSHTET LIGJIN E LUSTRACIONIT DODA & IDRIZI
Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane me Seli në New York – SHBA (The Women’s Organization “Hope& Peace”) ndjek vazhdimisht me vëmendje situatën politike, ekonomike e sociale në vend. Me anëtaret tona shpesh bisedojmë rreth ngjarjeve të ndryshme, kryesisht për të drejtat e gruas e fëmijëve në familje e shoqëri.
Në takimin tonë të rradhës në qendër të diskutimeve ishte hapja e dosjeve të ish sigurimit të shtetit shqiptar gjatë periudhës së regjimit komunist. Nga njoftimet e fundit jemi shumë të indinjuara që në Parlamentin Shqiptar anashkalohet Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionin i sjelle nga shoqeria civile dhe mbeshtetur nga studentet e dhjetorit, të persekutuarit politike dhe dy deputetë të parlamentit të Shqipërisë, i cili megjithëse është depozituar në parlament nga deputetët prej më tepër se një muaji nuk merret në konsideratë, përkundrazi, qeveria miraton një ligj, që sipas deputetes Doda, është i përgatitur me qëllimin e pastër për të mbrojtur krimin politik të djeshëm dhe për të rënduar vetëm ata që dikur u shtrënguan nga sistemi.” Ligji i paraqitur nga shoqëria civile, ish të përndjekurit politikë, studentët e dhjetorit dhe deputetët Doda e Idrizi, ka gjetur mbështetjen e diasporës shqiptare. Z. Lek Mirakaj, Pellumb Lamaj, të dy ish të burgosur politikë, shpesh në media e kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre për hapjen e dosjeve e zbatimin e ligjit të lustracionit, po ashtu qendrim të qartë dhe pa asnjë ekuivok ka mbajtur edhe Liga Qytetare Shqiptare Amerikane kryesuar nga Z. Joseph DioGuardi dhe Znj. DioGuardi të cilët janë prononcuar pro hapjes së dosjeve.
Edhe ne si organizatë gruaje në SHBA (disa nga ne ish anëtare të Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike të Shqipërisë) nëpërmjet kësaj deklarate paraqesim shqetësimin tonë ndaj makinacioneve të qeverisë shqiptare, e cila ndërsa deklaron se është për njohjen e së vërtetës, ashtu si thotë me të drejtë deputetja Dodaj, fut në Parlament një ligj paralel, ndërsa tregon arrogance dhe nuk do t’ja dijë fare ndaj ligjit që e kanë sjellë ata që i kanë provuar në kurriz vuajtjet e diktaturës.
Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane me Seli në New York “Hope& Peace” e mbështet ligjin për hapjen e dosjeve dhe lustracionin paraqitur në Parlament nga shoqeria civile dhe mbeshtetur nga studentet e dhjetorit dhe të persekutuarit politike. Organizata jonë i bashkohet të gjithë mbështetësve të kësaj kauze të rëndësishme për të ardhmen e vendit, ndërkohë ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare dhe kryeministrit të Shqipërisë të mos bëhet pjesë e farsave që kanë qëllim anashkalimin e një procesi të hapur dhe fair.
Të mos harrojmë se nga akuzat fallco të ish sigurimit të shtetit u vranë mizorisht njerëz të pafajshëm. Burra, gra e fëmijë, nëna, motra, vëllezër, djem e vajza të reja nuk gëzuan moshën e tyre më të re e të bukur, sepse diktatura bashkë me viktimat e pafajshme do të dënonte edhe të gjitha familjet deri në shtatë breza.
Këto krime mostruoze duhen publikuar. Kemi pritur gati gjysmë shekulli ndërgjegjësim, pendesë, por askush nuk e ka deklaruar një të tillë. Priti populli shqiptar që vuajti diktaturën më e egër në Europë që dosjet të hapeshin. Por më kot, çdo shpresë ishte e humbur.
Nga individë të ndryshëm thuhet se dosjet janë zhdukur, janë hapur e janë ndryshuar. Ata individë që kanë guxuar e kanë vënë dorë tek këto dosje duhet të dalin përpara drejtësisë, sepse kjo tregon se kanë vijuar akoma manipulimet për të fshehur genocidin dhe masakrimin popullit tonë edhe gjatë tranzicionit.
Llogjika është e thjeshtë, përderisa ish të burgosurve, ish të pushkaturave e ish të internuarve politikë u është njohur botërisht e drejta e dëmshpërblimit politik ashtu duhen të bëhen publike edhe emrat e autorëve të krimeve.
Organizata jonë këtë deklaratë për shtyp njëherësh do ta dërgojë edhe pranë organizmave ndërkombëtarë, me shpresë që e drejta e këtij populli të vuajtur padrejtësisht të vihet në vend, jo për hakmarrje, por për dinjitet njerëzor.
Për Organizatën – The Women’s Organization “Hope & Peace”
Themeluese
Mimoza Dajçi
- « Previous Page
- 1
- …
- 61
- 62
- 63
- 64
- 65
- …
- 68
- Next Page »