Lamtumira e fundit për një agjent të OSS/
Nga Peter Lucas, Lowell Sun/
Nick Kukich vdiq të hënën e shkuar.
Mund të mos thotë shumë në mes të gjithë gjërave, por duhet.
Duhet sepse Nick ishte pjesë e numrit në pakësim të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, që shkuan në luftë për të mposhtur nazizmin dhe fashizmin, në mënyrë që Amerika të mbetej e fortë, e lirë dhe demokratike. Ai ishte pjesë e Gjeneratës së Madhe. Nick, që vdiq në një azil në Delaware, ishte 99 vjeç dhe e kishte jetuar jetën plotësisht.
Bir i emigrantëve serbë, Nick punonte në minierat e qymyrit në Ohio kur ishte adoleshent. Më pas u bashkua me ushtrinë amerikane në nisje të luftës. Ai u bë rreshter në artileri. Për shkak se fliste rrjedhshëm serbisht, ai u rekomandua që të ishte pjesë e Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS), e cila ishte paraardhësja e luftës e CIA-s.
OSS kishte një program të luftës, që stërviste amerikanët etnikë për t’i dërguar prapa linjave të armikut në vendet e origjinës së tyre. Në vitin 1943, Nick ishte në një anije me trupa, që ishte drejtuar për nga Afrika e Veriut.
Por disa gjëra qesharake ndodhën gjatë rrugës. Kështu ai përfundoi pas radhëve të armikut në Shqipëri, jo në Serbi, ku ndihmoi partizanët komunistë të luftojnë kundër gjermanëve.
Bashkë me të ishte edhe marinsi Sterling Hayden, në atë kohë një yll i famshëm filmash, që kërkoi të mbetej anonim duke u bashkuar me OSS. Hayden, një burrë shumë i pashëm, kishte punuar si marinar dhe peshkatar, përpara se të zbulohej nga Hollivudi dhe të kthehej në një yll filmash. Edhe ai përfundoi në Shqipëri.
Nick Kukich, Sterling Hayden dhe pjesa tjetër e burrave që luftuan në Luftën e Dytë Botërore ishin shumë të ngjashëm me ushtarët amerikanë në filmin e shkëlqyer “Snajperi amerikan”. Ose e thënë më saktë, të rinjtë në këtë film janë si ata.
Në të dy rastet, të dy grupet luftuan për shkak se Amerika ishte sulmuar. Ata besonin në vendin e tyre dhe në mënyrën amerikane të jetesës. Ata besonin se vendi ia vlente të mbrohej, nuk ka rëndësi nëse është nazizëm apo terrorizëm islamik. Ata i dolën përpara rrezikut për të mbrojtur vendin. Kjo i bën ata patriotë.
E kam njohur Nick Kukich kur nisa të hulumtoj për librin tim “OSS gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri”. Në atë kohë ai ishte një nga vetëm katër të mbijetuar nga kontigjenti me 35 deri në 40 ushtarë që luftuan në Shqipëri. Puna e tyre ishte të ndihmonin partizanët që të sulmonin gjermanët, të mblidhin të dhëna dhe të shpëtonin pilotët amerikanë të rrëzuar, të cilët ktheheshin nga bombardimi i fushave të naftës në Ploiesti, Rumani.
I graduar toger, Nick ishte gjithashtu në betejën e Tiranës, kur partizanët komunistë, me ndihmën e Aleatëve, mposhtën gjermanët në kryeqytetin shqiptar dhe morën vendin. Atëherë, si tani, armiku i armikut tonë është miku ynë.
“Kishte shumë gjermanë të vdekur në rrugë,” më tha Nick. “Partizanit u vidhnin çizmet, edhe nëse ishin gjallë. Shumë partizanë nuk kishin këpucë. Dreqi e mori, është luftë”.
Misioni i Nick në Shqipëri nisi në dhjetor të vitit 1943, kur ai dhe të tjerë agjentë të OSS u transportuan përmes detit Adriatik nga Bari drejt Gadishullit të Karaburunit në disa shpella. Pikërisht nga këto shpella të ftohta, të errëta dhe të lagështa, të njohura edhe si “Seaview”- OSS ngriti një rrjet inteligjence për të monitoruar aktivitetin e divizioneve gjermane.
Aleatët druheshin se këto divizione, nëse nuk ngacmoheshin nga grupet e rezistencës shqiptare, do dërgoheshin si përforcime në Itali, ku aleatët po hapnn rrugën për t’u përballur me gjermanët. Shërbimi i Nick ishte i paçmuar. Gjermanët nuk arritën të dërgojnë trupa nga Shqipëria në Itali.
Janë gjëra marramendëse. Megjithatë ai nuk e humbi kurrë sensin e humorit.
Kur vizitoa “Seaview” si pjesë e kërkimeve të mia në vitin 2005, shkova tek një nga shpellat e Gadishullit të Karaburunit me një skaf peshkatarësh. Edhe pse ishte një ditë shumë e nxehtë, aty brenda ishte lagështi, errësirë dhe ftohtë, ashtu siç e kishte përshkruar Nick. Më bëri të mendoj se si kanë jetuar ata njerëz aty.
Ndërsa po dilnim jashtë, kapa celularin dhe e telefonova Nick.
Ai u habit kur i thashë se po e merrja nga shpella.
“A gjete gjë,” më pyeti.
“Vetëm një pale mbathje të vjetra, që kishe lënë pas,” bëra shaka.
“Epo mos i sill në shtëpi. Kam mjaftueshëm suvenirë”.
Të qoftë dheu i lehtë.
Archives for January 2015
Husamedin Feraj në shërbim të dikujt !
Nga Fahri XHARRA/
Vështirë e kam të pranoj dikend në shoqëri i cili e mbanë për këshilltar Prof.Dr.Husamedin Ferajn. Nuk jam për lëçitje por së paku për përrallosje të atyre
“intelektualëve “ të cilët të shtyer nga largqoftit u munduan t`i njollosin figurat e kombit , figura të cilat edhe popujt më të civilizuar i kan për lakmi .Të njollosin historinë tonë!
Më vjen mirë që “ teoritë “ e Huses u pranuan më në fund vetëm në foltoret e xhamive , atyre xhamive të porositura , të prapametura dhe anti shqiptare. Më vjen keq që besimtari shqipëtar i fesë muslimane në Shqipëri, Kosovë Maqedoni , Mal të Zi dhe në diasporë duhet të ndëgjojë ligjërimet e hoxhëve të porositur dhe të frymëzuar ndër të tjerash edhe nga shkrimet e profit tonë nga Tirana . Fajet i ka Shqipëria !
“Mëndja e robëruar është pasojë e shpirtit dhe e trupit të robëruar. Robëria i njeh një mijë mënyra me të cilat e skllavëron mendjen e të robëruarit dhe mendja si e tillë përkundër lirimit të saj fizik mbetet prapë në kthetrat e lartmadhërisë së saj ish-robërisë.- a po jo Zoti Prof. ? por ti si u mashtrove ?
“KADAREJA, GABI I MENDIMIT SHQIPTAR” shkruan Husamedini dhe vazhdon:
“Kjo është vetëm një parafjalë, një fillim i butë për mbrapshtitë e shumta të Ismail Kadaresë në fushën e mendimit shqiptar, posaçërisht e mendimit politik. Kadare ka një ngjashmëri me atë që quhet tregu “gabi” në Shqipëri nga që ushtrohet më së shumti nga gabelët, ose së paku kështu perceptohet. Fjala është për tregun që merr në Perëndim mallra të përdorura, të vjetruara ose që thjesht nuk përdoren më nga të zotët e tyre, ndodhë edhe “firmato”, dhe i shet me çmime mjaft të lira, nganjëherë me kile”, thotë Feraj.
“Racionaliteti i këtij tregu është se këto lloj mallrash blihen më lirë. Edhe Kadare ka shkuar në Perëndim ku merr ide e mendime të përdorura dikur, të vjetruara tani dhe jua shet shqiptarëve. Problemi është vetëm se i mungon racionaliteti i tregut të gabit (gabelit fxh): tregtarët e gabit i tregtojnë ato mallra, sepse janë më të lira, ndërsa idetë, si të vjetra si të reja kushtojnë njëlloj, në kuptimin se si një libër i shekujve të kaluar, si i sotëm kushton gati njëlloj,” na shkruan filozofi Dr. Hysamedin Feraj, i cili me shkrimet filozofike ka filluar qysh në kohën e monizmit duke shkruar për karakterin reaksionar te rokut..
Na pate lënduar Profesor , por fajet ishin nga Shqipëria që as ajo nuk dinte në atë kohë se çka donte. E kishin trullusur , Shqipërinë e gjorë.
Po Skënderbeu , çka të zuri udhën ? iu frigove asaj statuje të madhe të tij dhe u mundove që së paku ta minimizosh në shkrimet tuaja. Fjala e keqe vret e shkrimi me qëllime të këqija vret edhe më shumë : “Debati për mendimin politik të Skënderbeut është i hershëm. Orientimi i tij politik është vënë në dyshim dhe madje është kundërshtar nga një pjesë e shqiptarëve që për të gjallë dhe gjatë kohës së veprimtarisë së tij si nga Hamza Kastrioti, Dukagjinasit, Moisi Golemi etj., dhe ka vazhduar deri në ditët e sotme. Në dy vitet e fundit ky debat është rikthyer.”( H.F. Debati mbi Skënderbeun).
Ja me pak fjalë, “profesorllyki” i Husamedin Ferajt.
Fahri Xharra ,30.01.15 Gjakovë
Marshimet e vdekjes
Nga Aurel Dasareti, USA/*
Shkatërrimi i komunizmit dhe “çlirimi” nga Serbia nuk solli ndonjë formë të re më progresive në organizimin shoqëror në Shqipëri-Kosovë… Pseudo-demokratët patën një etje të madhe për t`u pasuruar në mënyra të pista, prandaj ngritën institucione të tilla për t`i realizuar dhe konkretizuar këto etje. Jeta profesionale e tyre si “politikan” përbën një shembull të qartë të interesit personal, kriminalitetit, paditurisë, tradhtisë. Veprimet e tyre tradhtare janë të drejtuara kundër sigurisë shtetërore dhe pavarësisë.
***
Të përkujtojmë viktimat e gjenocidit serb…ndaj shqiptarëve; për të mos harruar tragjeditë masive në të kaluarën dhe të tashmen: jo vetëm për burrat që luftuan trimërisht për vendin e të parëve të tyre, dhe dinjitetin e tyre si qenie njerëzore, por edhe për të gjithë shqiptarët e tjerë: bijtë e pambrojtur, gratë dhe të moshuarit të cilët humbën jetën e tyre, viktimat e pafajshme të agresionit barbar serb.
***
Në arshivën familjare e gjeta një dokument të shkruar dikur nga një i afërm, dëshmitar i cili në vitet 1912-1913 i shpëtoi Golgotës Shqiptare:
“Marshimet e vdekjes. Ata shqiptarë që nuk vdiqën nën tortura, u detyruan të nisin në marshimet e vdekjes. Gjatë rrugës ata vdiqën si mizat. I nxehti i padurueshëm, torturat dhe mungesa totale e ujit dhe bukës e bënë punën e vet. Edhe kur ushtarët dhe xhandarët serbë kishin ujë të mjaftueshëm me vete e derdhnin por nuk na jepnin neve, ose kur kalonim pranë disa vrimave me ujë, të burgosurve nuk u lejoheshe me pi. Gratë dhe fëmijët zakonisht detyroheshin të shikojnë se si burrat e tyre, baballarët dhe vëllezërit keqtrajtohen dhe vriten përfundimisht. Dhe, vinte radha e tyre të masakrohen. Nuk mund të jetë ndonjë dyshim se qëllimi i dëbimeve ishte që sa më shumë shqiptarë të vdisnin. Gratë dhe fëmijët ishin veçanërisht të pambrojtur ndaj abuzimit para se ata u vranë. Në çdo katund gratë shqiptare u përdhunuan dhe pastaj vrarë më pas. Ato që e kundërshtuan këtë u masakruan menjëherë ose u keqtrajtuan aq keq sa që vdiqën pavarësisht. Vajzat e reja dhe fëmijët ishin dëshmitarë të prerjes me thikë të kokës së prindërve të tyre nga serbët. Pastaj, madje edhe vajzat e reja që në realitet ishin vetëm fëmijë u dhunuan seksualisht, shumica prej tyre më pas u vranë…”
***
Mizoritë e kryera nga serbët kundër shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës 1998-1999 nuk janë të ndryshme nga ato të kryera në 1912-1913, siç përshkruhet në dokumentin “Golgotha Shqiptare” nga Leo Freundlih, humanisti madh, hebreu që protestoi kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913 ku serbët vranë më tepër se 500.000 shqiptarë.
Njeriu pa emocione, nuk mund të luftojë për asnjë ide; për të luftuar është e domosdoshme të duam atë për të cilën luftojmë, dhe të urrejmë atë kundër së cilës luftojmë.
***
Kosova kalon çaste kritike. Nevojtarët protestojnë, por mes tyre ka edhe disa provokatorë, agjentë (të rekrutuar nga mashtruesi kronik Hashim Thaçi dhe reptili Isa Mu(t)stafa) që shkatërrojnë pronat dhe sulmojnë policinë, me qëllime djallëzore të gatuara në kuzhinat e padronëve serb – të provokojnë kundërveprime.
Ndërkaq, punëtorët e rendit publik, policia e verbët, ka marrë urdhra politike nga tradhtarët dhe rrahin protestuesit paqësor, vëllezërit dhe motrat e veta të gjakut. Më e rrezikshme është kur zjarrfikësit ndezin shtëpitë, atëherë nuk ka kush do t`i shuan zjarret…Kjo sepse protestat mund të kalojnë në luftë qytetare – vëllavrasjeje.
***
Është tragjike-komike që “patriotët / intelektualët e diasporës” në vend që të bashkohen rreth një subjekti të vetëm, të bëhen një model për shqiptarët e trojeve, kontribuojnë edhe më tepër në përçarjet e tyre. Kanë formuar degë ose nëndegë të partive antikombëtare që veç ekzistojnë në Atdhe. Vetëm në Gjermani dhe Zvicër numri i degëve (nëndegëve) të LDK-së dhe PDK-së është më i madh se numri i emigrantëve. LDK-ja e sotme e Mu(t)stafës qysh moti ka devijuar, nuk është më ajo e Rugovës, kjo sa për freskimin e mendjes së fanatikëve partiak.
***
Çfarë kërkesash duhet të përmbushë një individ për të qenë një intelektual i vërtetë?
Patrioti dhe intelektuali i vërtetë nuk është i gatshëm të heqë dorë nga atdhedashuria, ndershmëria, burrëria, liria dhe përgjegjësia për hir të skemave apo programeve, për një shkollë, parti, fe, rrymë apo klan. Si mund një individ të jetë një intelektual i pavarur dhe autonom kur ai ka zgjedhur të regjistrohet në një grup të caktuar të të kuptuarit?!
Intelektual do të thotë të sillesh në mënyrë racionale dhe objektivisht reflektues në mjedisin tënd. Të jesh intelektual nuk do të thotë domosdoshmërish të jesh veçanërisht i zgjuar; ajo më shumë kuptohet si një mënyrë e veçantë për të aplikuar inteligjencën tënde në takimet tua me botën. Intelektuali duhet të qëndroj fortë pas disa vlerave të caktuara, por të ketë mosbesim në ideologjitë dhe partitë më të mëdha shqipfolëse, sepse janë tradhtare.
***
Detyra jonë është jo vetëm të informojmë për sendet dhe ngjarjet por të përcaktojmë cilësitë dhe ndjenjat që duhet t`u zhvillojnë popullatës: dashurinë pa kufi ndaj Atdheut, gjuhës shqipe, zotësisë në punë, disiplinën, thjeshtësinë, cilësinë për të thënë të vërtetën, guximin për të reaguar s`bashku kundër padrejtësisë dhe tradhtisë kombëtare, dashurinë për njëri tjetrin, nderimin për më të mëdhenjtë dhe kujdesin ndaj më të vegjëlve.
Mbi të gjitha kemi nevojë që edhe në trojet e arbrit të sundojë ligji, i njëjtë për të gjithë, askush para ligjit. Ideologji të skajshme, të djathta ose majta, bëjnë të lindë një shoqëri e mbyllur, në të cilën individi i nënshtrohet kolektivit, shoqëria sundohet nga shteti, kurse shteti është në shërbim të një dogme që pretendon të jetë mishërim i së vërtetës përfundimtare. Në një shoqëri të tillë nuk ka liri. Dhe, një shoqëri që ka liri të pakufi tjetërsohet në anarki.
I sfilitur nga vetëdija për pafuqinë e vet, për vetminë e vet, shqiptari në vend që të kërkojë përgjegjësi ose kap për fyti qeveritarët e vet mashtrues – shkaktarët e tragjedisë së tyre, në mënyrë joligjore braktisën Atdheun. Kërkon të kapërcejë barrën e tij ekzistenciale duke arritur një gjendje ekstazike të ngjashme me gjendjen e transit, duke rifituar kështu njësimin e brendshëm dhe njësimin me natyrën. Janë të ndryshme mënyrat për t`ia arritur kësaj, si për shembull kjo puna e “emigrantëve taze”. Ajo pjesë e popullsisë naive të Kosovës që ikën në Perëndim, nuk e din se pas 2-3 muajsh do të dëbohen nga “nikoqirët” dhe do të kthehen prej nga u nisën edhe më të varfër, nuk e kanë kuptuar se shanset për azil, qëndrim dhe punësim në Perëndim janë zero, përveç nëse ndonjë trim prej tyre martohet me ndonjë homoseksual atje. Qeveria kriminele e PDK dhe LDK-së nuk i burgosin pronarët kriminel të autobusëve. Marshimet e vdekjes vazhdojnë…
*ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)
9-vjeçarja nga Kosova, Erza Muçolli e treta në “France’s got talent”
Këngëtarja nëntëvjeçare me origjinë nga Kosova e që jeton në Francë, Erza Muçolli, ka përfunduar në vendin e tretë të garës “Franca kërkon një talent”, dhe pse mediat franceze dhe profesionistët e muzikës e kanë cilësuar fituese morale të këtij spektakli, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mbrëmja e finales së “France’s got talent”, një format mbarëbotëror që për Francën organizohet nga televizioni M6, u mbajt të martën mbrëma, dhe tërhoqi vëmendjen e audiencës franceze.
Kësaj radhe, ky spektakël zgjoi interesim të madh edhe mes shqiptarëve pasi ndër pesë finalistët e këtij spektakli ishte edhe vogëlushja me origjinë nga Kosova, e cila për nëntë javë rresht përcolli emocione të forta për publikun që e ndoqi nga ekrani. Në finale nëntëvjeçarja e talentuar në fushën e muzikës u radhit e treta në këtë talent-shou francez.
Në natën finale, Muçolli në skenë u paraqit si një engjëll i shndritshëm, me një prej këngëve tradicionale parisiene, duke i rrëmbyer zemrat e publikut që e shoqëroi gjatë gjithë këngës me duartrokitje dhe brohoritje, ndërsa juria filloi të kërcente sikur të ishte pjesë e koreografisë së këngës.
Edhe pse Erza nuk e fitoi çmimin e talentit më të mirë të Francës, ajo ishte fituesja morale e këtij edicioni, pasi skualifikimi i saj u kontestua me brohoritje nga publiku në sallë.
Sipas mediave franceze dhe kritikëve të këtij vendi, Erza në këtë eveniment ringjalli këngën klasike parisiene.
E veçanta e prezencës së Muçollit në këtë spektakël muzikor qëndronte jo vetëm te talenti dhe interpretimi i këngës franceze “Eblouie pa la nuit”, por edhe te vlerësimi që i bëri publiku francez që ndodhej në sallë, i cili nuk reshti së duartrokituri 9-vjeçaren shqiptare, që po krahasohet me këngëtarë të njohur botërorë.
“Erza Muçolli është vetëm 9-vjeçare, por edhe një talent i madh”, “Erza, fituesja morale e ‘France’s Got Talent 2015 në M6’?”, ishin këto vetëm disa komente të mediave e ato të profesionistëve të muzikës, që theksuan se vogëlushja kosovare bëri për vete jurinë e këtij evenimenti nga më prestigjiozët të Francës.
Edicionin e nëntë të “France’s Got Talent” e fitoi grupi “Le bagad de Vannes” , i cili njëherësh ka fituar 100 mijë euro dhe do të marrë pjesë në një festival në Montreal. Vendi i dytë i takoi 49-vjeçares Marine.
Erza Muçolli është prezantuar në disa emisione në mediat franceze për festat e fundvitit të kaluar. Ajo madje po krahasohet edhe me këngëtaren franceze të njohur në botë Indila. Muçolli ka disa vjet që jeton në Francë së bashku me familjen e saj, e cila ka mbërritur atje në vitin 1991.
Babai i saj, Mehmet Muçolli, është me prejardhje nga Zabeli i Drenasit dhe së bashku me gruan e tij, Luljana Muçolli, dikur ishin pjesë e shoqatave kulturore artistike në Kosovë.(Sipas ATSH)
Më 29 janar 1622 Pjetër Budi i dhuron “Doktrinën e Kërshtenë” Bibliotekës së Vatikanit
29 Janar/ Si sot, më 29 janar të vitit 1622, ipeshkvi e shkrimtari i shquar shqiptar, imzot Pjetër Budi i dhuroi Bibliotekës Apostolike të Vatikanit kopjen origjinale të veprës së parë të tij “Doktrina e Kërshtenë “ (Dottrina Christiana), përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit që u botua në Romë më 1618.
Në fund të faqes së veprës shkruan “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622″ (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622.
Veprat e ipeshkvit të jashtëzakonshëm imzot Pjetër Budit (1618-1621). Dy breza pas dom Gjon Buzukut, vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë, ajo e Imzot Pjetër Budit (17) (1566-1622), autorit të katër veprave fetare, me përmbajtje të doktrinës së krishterë, në gjuhën shqipe. Imzot Pjetër Budi lindi në fshatin Gur i Bardhë në krahinën e Matit. Po të rrinte në vendlindje nuk do të kishte marrë shkollimin e nevojshëm të rregullt, prandaj vajti e mësoi për prift në të ashtuquajturin Kolegj Ilirian të Loretos (Collegium Illyricum i Zonjës Sonë të Lurias), në jug të Ankonës në Itali, ku do të studionin shumë shqiptarë e dalmatë me emër.
Në moshën njëzetenjëvjeçare shugurohet meshtar katolik dhe dërgohet menjëherë në Maqedoni e Kosovë, në atë kohë pjesë të krahinës kishtare të Serbisë nën juridiksionin e Argjipeshkvit të Tivarit (Antivari), ku dhe shërbeu në famulli të ndryshme në dymbëdhjetë vitet e para. Më 1610 përmendet si ‘kapelan i kristianizmit në Shkup’, kurse më 1617 si kapelan në Prokuple në Serbinë jugore.
Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër Portës.
Më 1599, Budi u emërua Vikar i Përgjithshëm (vicario generale) i Serbisë, vend që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, ai jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të nderë. Misioni i tij kishtar ishte nga shumë anë një veprimtari e jashtëzakonshme për përforcimin e jetës shpirtërore të grigjës besimtare që kishte në udhëheqje e nën mbrojtje si dhe kultivimin e vetëdijes kombëtare e të vlerave etnike e kulturore të popullit.
Imzot Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët myslimanë.
Më 1616 Pjetër Budi shkoi në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikëqyrur botimin e veprave të veta. Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një shtegtim tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë, te shenjtërorja e njohur e Shën Jakut Apostull. I kthyer në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e Kuries Romake , çka do të thotë të Selisë së Shenjtë të Romës kundrejt gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë të armatosur.
Më 20 korrik 1621 u bë ipeshkëv i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), do të thotë. i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe njëkohësisht fetar e Kishtare dhe e natyrës politike e kombëtare.
Një nga synimet e tij ishte që të rriteshin thirrjet meshtarake vendore, pra shqiptare, të rritej kleri vendas për të plotësuar nevojat shpirtërore e posaçërisht edhe ato kombëtare, pasi për veprimtaritë ungjillëzuese e apostolike, përkujdeseshin edhe misionarët e huaj, edhe pse jo gjithmonë arrinin t’i plotësonin nevojat e shqiptarëve vendas, veprimtari kjo që nuk do të arrihet të realizohet për shkakun e shumë vështirësive që ekzistonin, nga mungesa e strukturave si Seminare, Kisha e shkolla filozofie e teologjike, deri te mjetet për mirëmbajtje të studentëve e tjera.
Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjeve, ipeshkvi imzot Pjetër Budi u mbyt duke kaluar Lumin Drin. Është hamendësuar të ketë qenë viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur këtë figurë të rëndësishme kombëtare e kishtare, ndonëse dëshmitë për këtë nuk janë të sigurta (18).
Të dhënat biografike që kemi për këtë autor vijnë nga një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën imzot Pjetër Budi ia drejtonte kardinalit Goxadinit (Gozzadini) në Romë, në të cilën ai parashtron planet e strategjinë për një kryengritje në Ballkan kundër otomanëve. Në këtë letër ai theksonte edhe: “… gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur kurrë përpjekjet për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë, me modele fetare, duke shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë të Serbisë edhe në atë të Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët tona.”
Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e Maqedoni, ipeshkvi imzot Budi i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit të veprave me përmbajtje fetare të krishterë tashmë të humbura. Përndryshe, si mund të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë faqe brenda pesë vjetësh?
Vepra e parë e imzot Pjetër Budit është Dottrina Christiana ose Doktrina e Kërshtenë, një përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe një ndër kopjet origjinale ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna: “Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de’ Superiori.”
(Vepra “Doktrina e Krishterë”, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Shën Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani Kardinal i Kishës së Shenjtë të Shën Marisë in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e Eprorëve.) E shënuar me dorë në fund të faqes është “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622″ (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).
Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte Kardinal dhe Jezuit, i kanonizuar dhe deklaruar doktor i Kishës më 1930, vepra Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin e në mbrojtje të të vërtetave të Kishës katolike romake. Vepra Doktrina Kristiane ‘e vogël’ e tij, një vepër që Kundërreforma kishtare e rekomandonte posaçërisht për përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër gjuhësh, përfshirë gjuhën angleze, uellse, arabe (1613) dhe greke (1616). Përkthimi shqip i Doktrinës Kristiane prej imzot Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.
Doktrina Kristiane në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregata Propaganda Fides e Selisë së Shenjtë në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Kongregatës Propaganda Fides kishte ende gjithsej 960 kopje të librit(19).
Me interes të madh letrar e fetar, si katekizëm, përmbajtje e doktrinës së krishterë, vepra ka edhe pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare apo shpirtërore në shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrinën e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një pjesë janë origjinale.
Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera. Ballina mban titullin:
“Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam linguam a Petro Bvdi Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini Nostri Gregorii XV liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti. 1621. Svperiorvm permissv.”
(Ritual romak dhe Pasqyrë rrëfimi. Përkthyer në gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër Budi, peshkop i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp me bujarinë e zotit tonë më të përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621. Me lejen e eprorëve.)
Po në dorëshkrim në fund të faqes është “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622″ (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Kjo vepër ende ruhet në Vatikan (Barberini VI. 56).
Ky botim përmban: 1) Rituale Romanum ose Rituali Roman, një përmbledhje prej 319 faqe lutjesh dhe kungatash me komente në gjuhën shqipe; 2) një vepër e shkurtër me titull Kush thotë Meshë keto kafshë i duhetë me shërbyem, 16 faqe shpjegime meshash, dhe; 3) Speculum Confessionis ose Pasëqyra e t’rrëfyemit, një përkthim 401 faqesh ose, më saktë, një përshtatje e Specchio di Confessione të Emerio de Bonis, i cilësuar nga Budi si “një lloj bashkëbisedimi shpirtëror fetar shumë i dobishëm për ata që nuk kuptojnë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare shqipe.”
Si Rituali Roman ashtu edhe Pasqyra e të Rrëfyemit kanë shtojcë në vargje në gjuhën shqipe. Gjuha e përdorur nga Budi në veprat e tij është një formë arkaike e gegërishtes që ruan disa tipare fonetike interesante(20). Eqrem Çabej (1908-1980) ka vërejtur se Budi është munduar më fort të ndjekë një farë norme letrare se të shkruajë thjesht në dialektin vendës të tij, gjë që përsëri mund të merret si tregues i ekzistencës së një farë tradite letrare në Shqipërinë veriore. Alfabeti i përdorur prej tij është i ngjashëm me atë të paraardhësit, Gjon Buzukut, ndonëse Budi në asnjë vend nuk e zë në gojë Buzukun.
Në shikim të parë imzot Pjetër Budi mund të merret si përkthyes dhe botues tekstesh fetare nga latinishtja dhe italishtja. Në të vërtetë rëndësia e tij si shkrimtar i prozës e kapërcen këtë cak. Parathëniet e ndryshme, letrat baritore, shtojcat dhe passhënimet e vëna prej tij e që arrijnë në mbi njëqind faqe prozë origjinale në shqip, zbulojnë një stil dhe talent të konsiderueshëm. Krahasuar me Gjon Buzukun para tij e me Pjetër Bogdanin një shekull më pas, gjuha e tij është më e mirëfilltë, më e gjallë e idiomatike. Për shembull, për shumë terma të huaj që përdor, ai përpiqet të japë sinonimet me origjinë nga shqipja. Edhe pse jo aq i hollë e i thellë sa Bogdani me leksikun e tij më të madh, Budi mbetet shkrimtari më i vetvetishëm e më prodhimtar i periudhës. Pjetër Budi është gjithashtu shkrimtari i parë në Shqipëri që iu përkushtua poezisë. Veprat e tij përfshijnë rreth 3300 vargje fetare, thuajse të gjitha në strofa katër vargje me rimë të këmbyer. Kjo poezi, nëntëmbëdhjetë poema gjithsej, përfshin si përkthime poetike ashtu edhe poezi origjinale nga Budi vetë, si edhe të paktën një e ndoshta edhe dy vjersha(21) nga një Pal Hasi ose Pali prej Hasit. Pjesa më e madhe e kësaj poezie është tetërrokëshe, që është dhe normë në poezinë popullore shqiptare. Edhe pse poezisë fetare të Budit nuk i mungon stili, meqenëse përmbajtjen e ka imitim të poezisë moraliste italiane e latine të kohës, ajo nuk është mjaft origjinale. Atij i pëlqejnë më shumë temat biblike, panegjirikët dhe motivet universale si, fjala vjen, ai i pashmangshmërisë së vdekjes. As rimat e tij nuk janë gjithmonë elegante, gjë që vjen pa dyshim pjesërisht edhe nga leksiku i tij i kufizuar, që është llogaritur deri në 2453 fjalë(22).
Në parathënien e tij për Doktrinën e Kërshtenë, Budi thotë: “Më parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj të Ditës së Gjyqit të fundit, të shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit.” Kjo Ditë e Gjyqit ishte një përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh, himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të murgut françeskan Thoma nga Çelano (Thomas a Celano). /radiovatikani/
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- …
- 68
- Next Page »