• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2015

…. Tef Palushi, gazmendi i miqve dhe i shoqnisë shkodrane …..

February 1, 2015 by dgreca

…kujtime përsonale prej Tef Palushit…./
Nga Pjeter Logoreci-Vjene/
…Një ndër madhështitë apo vlerat e shumta që ka qytetit i Shkodres, asht humori popullor. Kurdoherë e në cdo situatë, qytetari i Shkodres asht mundue me perballue problemet e ditës me humor apo me ndonji “loje pa zarar” të sajueme aty për aty. Edhe ndër shtërngesat e mëdha të jetës nën diktaturë, në fatkeqsi familjare e natyrore (tërmete përmbytje), në katastrofa financiare apo ekonomike si ajo e skemave piramidale ose mbyllja e ndërmarrjeve e privatizimi i tyne, në kohën e eksodit apo mashtrimit me viza, në kohën e rrumujave të dhunëshme të 97-ës, mbas ndonjë fushate të egër elektorale apo mitungu, mbas ndërprejeve të gjata të dritave, në terr e pa uje,….qyteti ka marrë frymë nëpërmes humorit të dalë nga shpirti i paepun i qytetarve të tij…..
Shkodranët, të “thamë prej murrlanit” apo të “lagshtitun prej shiut e shirokut”, “të mërdhitun” në dimër e të “zhegitun” në verë, me bicikletë apo në mercedes, me xhepa bosh apo në lokal me një kafe, kanë pasuni optimizmin e mendimin pozitiv, tuj gjetë mundësinë me zbutë sadopak problemet e mëdha, apo stressin “se duhet me u pagu fatura e shtrejtë aforfe e dritave” edhe pse në terr.
E kësaj atmosfere ngacmuese, i shtohen edhe “të bamet” e figurave të njoftuna në qytet si “nana e qejfit”, përsona të lindun për humor, me mosha e profesione të ndryshme, që me dhuntinë e tyne “ja zbukurojnë jetën Shkodres”, tue shpotitë problemet e ditës, me shumë inteligjencë e kujdes, si “me lojë”, për ti ikë rrezikut të keqkuptimit nga Shteti – Parti e nga njerzit e politizuem. Në kohë të ndryshme, dolën përsonazhe e emna të ndryshëm, të humorit të rrugës, të kafes, të festave familjare apo kolektive. Brezi im, pat fatin me “u rrit” me humorin e batutat e Pjeter Gjinit, Bik Pepës, Gjosho Vasisë, Tano Banushit, Paulin Prekës, Gëzim Krujës, Paulin Selimit, Mergim Muhjes apo Nexho Shabanit…
Sot shkrimin tim, dëshiroj të ja kushtoj, një prej përsonazheve më gazmor e më me humor të Shkodres, karikaturistit të talentuem, Mjeshtrit të Madh, Shtjefen Palushi. Tefa, sic thirret ai në qytetin tonë, ishte nji person inteligjent, shumë aktiv në artin shqiptar me krijimet e tija në karikatur, ku zotnonte (ashtu si në humor) një stil të vecantë. I dijtun e i edukuem, por që nuk “ta falte sekondin” në shkëmbim batutash, shumë social e miqsor, personalizohej në nji trup të vogël e të dobtë, me zhvillim të kufizuem fizik, gja që nuk e pengoj aspak në të përditshmen e tij. Gjenialiteti i tij dallohej jo vetëm në krijimet e tija, që zanë vend në majat e Olimpit të karikaturës shqiptare, por edhe në kontaktet e përditëshme e shoqnore në qytet apo ambientet e ndërmarrjes ku punonte. Më poshtë, dishroj të përshkruej disa përjetime të mijat personale me Tefen (por dhe te tjera), që shpresoj se do të kënaqin fansat e tij apo lexuesit e shumtë të gazetës.
•
..nuk më kujtohet vjeti….. por di që ishte nji përvjetor i teatrit dhe ishte organizue një mbramje jubilare në shpinë e kulturës të qytetit (Shkodër) ku ishin të ftuem artistë të shumtë…e ndër to dhe Tefa. Për t´ju shmangë “rrumujës” dhe vrullit marramendës të atyne që vallzonin, Tefa kishte xanë nji karrigë në nji qoshe të sallonit, pranë dritareve që shihnin nga oborri e rruga e madhe. Atmosfera ishte ndezë, e ndërsa, pothujse të gjithë vallzonin,… Tefa po kuriozohej tuj pa “qeflitë” tuj u hjedhë e përdredhë për hatër të parisë, drejtorisë e partisë. Ndër kto raste, edhe pse “nën synin vigjilent” të instruktorve të komitetit partisë të rrethit, gjindej ndonji shkak apo ndonji personazh për tu ba “viktimë” e lojnave ngacmuese, por pa të keq, të ndonji prej atyne që “nuk të lanë me dekë rehat”. E atë ditë dikush u kujtue me qitë ne lojë Tefen.
Një grup ngacmuesish, i kërkuen me lutje nji aktores të re që sapo kishte ardhë me punë në teatër, që ta “ftonte Tefen me kcye” …..Të gjithë sa ishin për rreth, të knaqun nga idea, e shihnin vajzën me sy lutës që sikur e shtynin drejt Tefës…. Sigurisht që edhe kuadrot e partisë ishin dakort se pa miratimin e tyne loja do të kthehej në nji punë me “zarar” e ndoshta mund të ndëshkohej… Në fillim vajza nuk ndigjoj se ju duk e pabukur me u tall me nji “sakat”, por ma vonë, mbas kambëguljes së tjerve, edhe asaj filloj me ju dukë “interesant” propozimi…. Shumë kush në sallë e mori vesht “kurthin” që do ti bajshin Tefës dhe po priste të knaqej me reagimin….
Vallzimi i radhës….filloj muzika, …pista ishte bosh sipas parashikimit …të gjithë pritshin “ndodhinë”, kurioz për me pa Tefën se si do të reagonte…: …Vajza e re me hap të lehtë, përshkon pisten bosh tue u drejtue nga “viktima”…..A MUND TE KCEJME BASHKE…..
Tefa, qe me inteligjencen e tij e kishte nuhatë “kurthin” e shokve, tue veshtrue me tallje ftyrat e qeshuna të atyne që e kishin organizue ktë lojë i pergjigjet…..ME KCY????? ….PO PREJ KU ME KCY MOJ MOLLE………?????, e tuj i ba me mundim me gisht nga dritarja e madhe e sallonit shton me buzë në gaz…..PREJ KATIT TE DYT-AAAA???????
•
…ishte koha e festivalit të estradave të ndërmarrjeve në Shkodër dhe grupi i uzinës së telave ishte ndër ma të mirët. Axha Gjosho (Vasia), që ishte një ndër asat e humorit shqiptar, e pregadiste këtë trupë me shumë pasion. U bamë nji grup dhe vendosëm me shku me pa provën gjenerale që bahej në sallën e kulturës të uzinës, në prani të drejtoreshës…. Me grupin ishte edhe Tefa….U nisëm prej stacionit te turizmi me autobuz “fizarmonikë” të linjës së qytetit. Disa u ulen ndej e do mbetem në kambë. Tefa zuni vend pranë dritares dhe meqenëse ishte nxehtë, kërkoj të hapte xhamin e dritares që kishte afër….Dora e gjymtume nuk po e lejonte, por ai prap po mundohej me kokëfortësi….Fatorinoja, nji grue e njoftun në Shkodër, sheh Tefen qi po hiqte zi, e qi donte me hapë se s´ban dhe i drejtohet
G…a: a të xen makina Tef-a…?????
Tefa: ….poooo moooj G…., ba me i dalë përpara …..
•
…nji ditë përpara se me shkue ushtarë Pavlini (i vëllau i Tefës), në darkë u mblodhën një grup i ngushtë shokësh e i shkuene për kafe. Familja Palushi atë kohë banonte në pallatin pranë shpisë së kulturës së Shkodrës, i cili ishte ndertue dikur për të kenë zyrat e degës së mbrendëshme dhe nuk kishte asnjifarë sistemit për nji familje. Dhomat e projektueme për zyra ishin të vogla dhe mjaftonin dy divana (me llastiqe) e nji tavolinë me mbush ambientin e mos me pasë se ku me u sjellë. Shokët e Pavlinit mbushën dhomën e nuk kishte ku me hjedhë ma asnji “biskotë”. Të gjithë ulë në 2 divanat, për rreth tavolinës me nga nji gotë raki përpara….dera ishte e hapun mbasi nuk mund të mbyllej prej ngushticet e shokve të shumtë që kishin ardhë……Aty nga ora 8 e pak(të darkës), po vjen Tefa…….mbramja e mirë….
Të gjithë ngrihen në kambë me respektue artistin e madh….
Tefa, i jep dorën atij qi pat ma afër tue i ba pyetjet e zakonshme kur dy vetë që njihen takohen: …. si je? si janë ka shpija? a je lodhë?….flitte me te dhe i tundte dorën…. e tuj përfundue me të i drejtohet të tjerve: ….ju të tjerët jepnia dorën ktij…
•
…..Me thanë të drejtën, cilido shkodranë rrinte me kënaqësi të madhe me Tef Palushin, mbasi ishte një argëtim i vecantë, humor extra, pa kufi, pa të keq, unik… Edhe unë kur e shifsha i shkojsha, nganjiherë edhe me qëllim, për me e “ngacmu pak” sa me e qitë në gojë e me i hapë rrugë fantazisë së batutave të tij. Nji ditë hyna te klubi i veteranve ku zakonisht u gjejshin artistat, mbasi e kisha lanë me u taku me një autor ……. Në nji ndejse të butë (si tip kolltukut) në anën e majtë të lokalit ishte Tefa me nji gotë përpara, kishte marrë gazeten dhe po i hidhte nji sy. I afrohem e mbasi e përshendes e pyes se mos e ka pa autorin(që unë kerkojshe)?
Nuk e kam pa më thotë, po ulu e prite. U ula i knaqun që “ra në kurthin” tem. Më tregoj qi gazeta Jeta e Re kishte botue do karikatura e fjalë të tjera…..Ndërkohë në klub po hyn nji burrë i madh dhe i pashëm që për nga madhësia ishte sa nji mal. Në Shkodër ai ishte figurë e njohur e partisë dhe punonte në zyrat që ishin në katin e dytë apo të tretë të godinës. Babaxhani të habiste me numrin e madh të kambës sa me i terhjek vemendjen e kujtdo…
-Tefë, i tham, sa asht,….sa nji plep….
Tefa i hjedh një sy burrit që qëndronte në mes të lokalit duke i dhanë “direktiva” me zë të lartë një mvartësi dhe më përgjigjet:
…. E ka pasë plehin e mirë e ka lshu shtat….
•
…në familjen Palushi nuk ishte vetëm Tefa që kishte humor, por edhe i vellai Tonini apo motra Angjelina, nga të cilët kam ndigju disa herë batuta “me mbajtë barkun me dorë” prej gazit. Një herë u takova me Toninin i cili ishte mjeshtër i njohur në artistiken e Shkodrës. Ndërsa po bisedonim ai më zgjati kutinë e duhanit që ishte një punim me rrahje në bakër të cilën ai vetë e kishte realizue. Ndërsa po kundrojshe kutinë-art që me kishte zgjatur e pyes: ….mos asht duhan i fortë??
Tonini: ….sdi cka me të thanë….nuk e kam futë ala me u rrahë me kend….
•
..nji herë po kalojshe para shpisë së oficerave në Shkodër, kur rastësisht takoj Tefen me dy miqtë e tij, Paulinin e Gligorin, qi po delshin prej klubit aty. Tuj kenë qi kishim estraden e ndermarrjes dhe më interesonte një dekor, mendova me gjujtë rastin me e bisedue me Tefen….. Ndërsa po i tregoja Tefës për tematikat e shfaqjes, në trotuarin perballë (nga kinema republika) rastësisht po kalonte S.B, nje nenpunës i naltë i partisë i cili kishte pak kohë që për “merita” ishte transferue në Tiranë. Tefa, i cili i kishte ba komitetit një kërkesë për një ambient, studio punet (që ti jepej një dhomë ma shumë në pallatin ku jetonte, pasi ishte me aftësi të kufizueme) e përshendet S-ne. me qëllim që të merrte vesh prej tij ndonji lajm të mirë në lidhje me kërkesën qi i kishte ba atij…..
S….: Tefë, edhe pse kam ikë, e kam lanë porosi që të interesohen për ty e ta ndjekin problemin tand deri në fund, e do të rregullohet ……
Tefa: faleminders shoku S……, kalosh mirë, ….E meqë kishte kenë në një klasë me të shoqen e S-së i thotë:…..selam bashkëshortes. (tuj shqiptue me zor emnin e grues së S-së)
Me të ndigjue “salamin” …gati e lëshova tuj u shtërngue me mbajtë të qeshunen, mbasi …ishte një “batutë antiparti”…..
•

Nje natë, Tefa, ishte për darkë në familjen e L.GJ-it., nji muzikant me të cilin kishte ruejtë miqsinë qysh prej shkolle. Biseda ra për mikpritjen shkodrane, e Tefa, për me mbajtë biseden gjallë, i thotë grues së L-së, e cila ishte prej Gjinokastre…..e paske shtru taman shkodranshe, meze raki, pilaf me mish e mbrapa ambelcinë…!!!!
Na në Gjinokastër, – krenohet e zoja e shpisë,.. kur na vijnë miq, e shtrojmë ma bukur se ju,…..gjellë të parë, të dytë, të tretë, ambelcina e fruta…..
Tefa – …… po moj po…, por ju nuk të thirrni kurr….
•
…ishe koha e talonit të ushqimit, kur cdo familje merrte nji kg mish në muej. Nga eksporti vinte nji lloj mishi frigoriferi, qi dukej se ishte kofshë nga një kafshë e madhe e shkodranët me humor thojshin se ….asht mish kanguri nga Australia…Mishi para se të shpërndahej, ashtu sic ishte i ngrimë coptohej me sopatë….E në Shkodër nuk pushonte humori i tavolinave në kafe e klube. …Në një grup shoqnor ku ishte edhe Tefa, po tallshin me temën e ditës, …MISHI I KANGURIT…., e secili lëshonte nën za nji batutë. Njeni prej shokëve që rrinte në periferi të qytetit, tregohet ma “objektiv” … kur ske pulë han sorrë, e na në familje e hajmë se nuk kena tjetër. M´kan thanë qi asht mish kanguri, por unë e ha e knaqem me te.
Tefa: .. Po ti kenke me fat mor djalë, se prej atje kur rrin, ti si kanguri, me tre kërcime delke në piacë.
•
Gjatë viteve të socializmit, mundësia e udhtimit nga Shkodra për në Tiranë me tren, ishte e vetmja. Në trenin kinez, ku rraseshim si kinezët, uleshim ndër sedilet që ishin perballë njëra tjetrës dhe për 4 orë (deri në Tiranë), kishte pak variante për të “vra” kohën. Mvarej sipas fantazisë. Mujshe me gjetë fillin e nji bisede me personin perballë apo në krah, të flije me kokën të mbështetun në xham apo të lëshume mbrapa, por kishte edhe nga ato që fiksojshin me sy lakmues ndonji “bukuroshe” a ndoj “tip” përballë apo në krahin tjetër. Një nga ditët, i ulur në formacionin 6 vendesh në tren ndodhej Tef Palushi, i cili udhëtonte për një aktivitet në Tiranë. Pranë tij, të ulur, burrë e grue fshatare nga Lezha. Grueja e ngarkueme me ushqime, filloj ti tregojë se shkonte te i biri që e kishte ushtarë diku afër Tiranës. Tefa, që nuk ja kishte qejfin bisedës, po i hidhte nji sy gazetës tuj e sjellë nëpër duer me vështirësi. Grueja, e cila vërejti problemet fizike të Tefës filloj ta fiksojë e të kuriozohej për Tefen.
Grueja: Po ti moj nanë, a je i martuem? Tefa i pergjigjet tue lujtë me mundim kokën në shenjë mohimit.
Grueja: Na kena tre djelm, dy janë të martuem e me fmi, jena familje e madhe. Po ti sa rob ke në shpi? Tefa fillon me u qeshë, me nji gaz qi dukej ma shumë si kollitje, tuj përsëritë fjalët e fshatares…..
Tefa: …Hahaha, sa rob ke n´shpi?…Hahaha….. Po pse moj shoqe, a po të dukem si skllavopronar…aaa?
•***
….ndonjiherë qëllonte që ndoj Tip, qi e mbante vedin për të mendshem ose qi nuk e njihte mirë Tefen, mundohej me i drejtue atij ndonji batute tallëse, që Tefa e merrte me shumë sportivitet. Nji ditë do djelm qi po rrijshin si “të bukur” para vitrinës te farmacia e dugajve të reja, e ndalojnë Tefen “per me ndez cingaren” dhe njeni fillon me e “ngacmue”….
Djali: A e ke marrë vesht Tefë qi kanë dalë do hapa (ilace)….nji prej tyne me pi, bahesh 5 vjet ma i ri??
Tefa: …. E sa vjec je ba ti?
Djali: kam hi për 20.
Tefa: Pi nja katër prej tyne e hin edhe nji herë ka ke dalë, se nuk i duhesh gja kujt.

Vjene, me 27.1.2015

Filed Under: ESSE Tagged With: gazmendi i miqve dhe i shoqnisë shkodrane .....Pjeter Logoreci, Tef Palushi

Si u dënua tenori italian në Spaç, në emër të dashurisë për një shqiptare

February 1, 2015 by dgreca

DOSIER/ Flet ish i burgosuri politik Gëzim Çela/
-Anxhelo Bertoni ndërkohë që hipte nëpër shkallët e anijes, pa vajzën që e donte dhe filloi të zbriste shkallët e urës së anijes/
-Kur këndonte Anxhelo Bertoni në qeli, tërë burgu heshtte, madje dhe rojat/
-Shpifja komuniste: “Aeroporti është ndërtuar nga ushtria në vitin 1956 me ndihmën e sovjetikëve”.
– Punën në Rinas e kam filluar më 1957, isha vetëm 22 vjeç
-“O ju udhëtarë, kur ecni mbi këto pllaka, mos harroni se kjo vepër e madhe është bërë nga të burgosurit politikë, në kohën e diktaturës komuniste!”/
-N.q.s nuk punonim mbi normë na prisnin hekurat dhe 10 deri në 30 ditë birucë/
-Në kampin e Rinasit kanë punuar edhe: Jusuf Vrioni, Zafer Vila, Skënder Shkupi, doktor Hysenbegasi dhe shumë intelektualë të tjerë/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Kujtimet e ish të burgosurit politik Gëzim Çela janë rrëqethëse deri në pabesueshmëri. Vuajtje, dhunë, poshtërime, uri, të ftohtë, sfilitje, dhunë psikologjike, vapë përvëluese, etje, të gjitha këto i gjeje në kampin, apo burgun famëkeq të Spaçit. Ish intelektualë që nuk shijuan një drekë të mirë, që nuk panë të afërmit kur u ndërronin jetë, kur nuk fjetën njëherë në krevat, nuk e njohën jastëkun apo banjën e ngrohtë me ujë të rrjedhshëm. Por çudia më e madhe është se në këtë burg ka qenë dhe një italian, tenor, i cili për hir të dashurisë nuk u kthye në atdhe pas luftës (pra në Itali), por qëndroi në Shqipëri. Shpërblimi ishte qesharak, e çojnë të dënuar në Spaç. Por ironia e atij regjimi është se kur bëhej fjalë për të komentuar fitoret, edhe ndërtimet e të dënuarve politikë ua motivonin klasës punëtore dhe fshatarësisë kooperativiste. Kështu ka ndodhur dhe me dy aerodromet më të mëdhenj të vendit tonë, të Rinasit dhe të Kuçovës, ku dhe pse ishin ndërtuar nga ish të burgosurit, meritat i morën klasa punëtore.

NJË TENOR ITALIAN, I BURGOSUR POLITIK MË 1973
NË SPAÇ

Kisha veç dy-tri ditë që ndodhesha në burgun me punë të detyrueshme të sforcuar, në Spaç, pas një dënimi prej 15 vjetësh. Kjo ishte hera e dytë.
Ndërkohë që po bisedoja me një mikun tim, dëgjoj një zë nga oborri, që po këndonte një fragment të një opere të Puçinit. Mbeta i tronditur dhe i drejtohem shokut tim:
– Kush është ky artist që këndon me këtë zë kaq të bukur?
– Është një italian, – më përgjigjet ai, – quhet Anxhelo Bertoni.
Më erdhi si një vetëtimë në qiell të hapur.
– Një italian më 1973 në burg?… – e pyeta përsëri i habitur mikun tim.
– Po, – m’u përgjigj ai.
Dhe filloi të më tregojë historinë e këtij ish-ushtari italian:
“Pas kapitullimit të Italisë më 1943, ushtarët e ushtrisë italiane, që mbetën këtu në Shqipëri, u shpërndanë nëpër fshatra: Shumë ishin vendosur në familjet e vendasve, ku edhe punonin. Kështu, Anxhelo Bertoni kishte gjetur vend në një prej këtyre familjeve, ku edhe e trajtuan mirë… Por duke qenë artist (kishte studiuar për kanto në Santa Cicilia), kuptohet që ra në dashuri me një vajzë të bukur, aty ku banonte…

Pas mbarimit të luftës, të gjithë ish-ushtarët italianë që kishin mbetur në Shqipëri, me një urdhër nga shteti ishin mbledhur në portin e Durrësit, ku i priste një anije ushtarake për t’i kthyer në atdhe. Midis tyre ishte edhe Anxhelo Bertoni.
Por për hatër të tij kishin ardhur edhe disa nga familja, ku kishte kaluar jetën për 2 vjet, për ta përcjellë. Me ta ishte edhe vajza të cilën ai e donte.
Ndërkohë që hipte nëpër shkallët e anijes, vështrimi i tij nuk shkëputej nga vajza e tij e zgjedhur, që e përshëndeste me dorën lart. Një ndjenjë e fortë e kishte shtrënguar zemrën e tij, në mënyrë të vetvetishme u kthye mbrapsht dhe filloi të zbriste shkallët e urës së anijes. Ndërkohë, të tjerët qëndronin në anije… Ai zbriti sërish poshtë, duke iu drejtuar asaj që e dashuronte dhe duke e përqafuar. Dhe kështu, ai mbeti këtu për gjithnjë në tokën tonë, duke formuar edhe familjen.

Kjo ishte historia e trishtuar e këtij të burgosuri, i quajtur politik, që ishte bashkë me ne në këtë burg ferri. Por për ne ishte një lehtësim, sepse ai ishte shumë i zoti në të kënduar. Por vetëm se kur qëllonte të afrohej një roje, dhe shenjat tona ia bënin të qartë, duhej që menjëherë ta transformonte një arie të Puçinit në “Bandiera rossa trionferà”, nëse nuk donim të pësonim të këqija të tjera.

KUSH E NDËRTOI
AEROPORTIN E RINASIT?

Gjaku dhe vuajtja e të burgosurve politikë
ne themelin e “Veprave të mëdha”

“Po ne ç’mund të bëjmë?” – thotë Solzhenicini…
Një ditë, pasardhësit tanë do t’i quajnë të pazot brezat tanë. Në fillim i lejuam të na mashtrojnë edhe të na masakrojnë e pastaj i rrethuam me përkujdesje, të shtyjnë pleqërinë e tyre. Mirë pra, le të bëhemi shpirtgjerë, s’do t’i pushkatojmë e s’do t’i torturojmë, asgjë nga ato që na kanë bërë dhe nuk kanë ndërmend të na bëjnë, atëherë të heshtim.
Është folur shumë dhe shkruar për uljen e avionit amerikan në Rinas në vitin 1957, ku punonin të burgosurit politikë. Madje është arritur deri atje sa në një revistë të asaj kohe të Ministrisë së Brendshme, “Në shërbim të popullit”, ulja e detyruar e avionit të quhej si një akt heroik i aviacionit tonë, që arriti të interceptonte armikun sapo hyri në hapësirën tonë ajrore, si po pretendon edhe sot zoti K.

***
Kishin kaluar 37 vjet, kur për herë të dytë po shkelja në aeroportin e Rinasit, jo më si i burgosur, por si udhëtar, prej nga do të merrja rrugën për në SHBA, për të gjetur varrin e babait, që kishte vdekur në Bensalem të Filadelfias. Rrethanat e një realiteti që kapërcen çdo fantazi, sollën që nëpërmjet një krushqie të njihesha me njeriun që jetonte ende dhe e dinte se ku ndodhej varri i tim ati. Hyra në ndërtesën e stacionit (terminalit, siç e quajnë sot) dhe menjëherë m’u ringjallën kujtimet e atyre viteve, kur së bashku me një grup prej 4 vetash, të burgosur, që bënim pjesë në brigadën e parë, brigadën e betonit, kishim ngritur këtë ndërtesë. Mbasi kalova derën e jashtme të stacionit, fillova të hedh hapat mbi pllakat e mëdha të betonuara. Një hapësirë pa fund, deri në malet e Krujës shtrihej para meje. Po orvatesha të gjeja në anën tjetër të pistës kryesore, aty ku ngrihen dhe ulen aeroplanët, vendin se ku kishte qenë dikur kampi me baraka i të burgosurve, ku jetova dhe punova për 3 vjet radhazi. Por asnjë gjurmë nuk kishte mbetur. Aty duhet të ishte të paktën një lapidar ose një pllakë përkujtimore për skllevërit e të burgosurit që lanë rininë, mundin, gjakun, ndonjë dhe jetën për ndërtimin e aeroportit të Rinasit. Po shtrëngohem t’i kthehem edhe një herë së kaluarës, duke marrë shkas nga inaugurimi që u bë këto ditë për terminalin e ri, ku një tufë personalitetesh, si nga e djathta dhe e majta, të kollarisur me kostume të murrëtyer e të rrembëzuar me viza të bardha, ngazëlleheshin me gota uiski mbi pllakat e betonta, të ndërtuara dikur nga të burgosurit. Çfarë kontrasti i kobshëm, po t’i krahasonim këta zotërinj me ata skllevër të rraskapitur, të uritur dhe të rreckosur, që punuan me vite për ndërtimin e këtij aeroporti! Në fjalën e inaugurimit, një zëdhënës i Ministrisë së Transportit, filloi të lavdërojë Bashkimin Sovjetik, që kishte projektuar këtë vepër dhe më pas hyjnizoi Kinën e Mao Tse Dunit, që kishte mirëmbajtur këtë aeroport. Por, çuditërisht, asnjë fjalë për të burgosurit që e ndërtuan këtë aeroport. Pse vallë po ravijëzohen kaq shumë miqësitë e vjetra vëllazërore enveriste me miqtë e dikurshëm? Pse vallë të jenë kaq të thella reminishencat komuniste që po manifestohen sot nga një zëdhënës i ministrisë së një shteti demokratik, deklarata e të cilit më ngjan me ëndrrat e këqija që më shfaqen herë pas here, megjithëse kanë kaluar shumë vite? Por, mjerisht, ky nuk është rasti i vetëm, ku kërkohet që të mohohet dhe të harrohet e kaluara.
Në një gazetë të përditshme shkruhej: “Aeroporti është ndërtuar nga ushtria në vitin 1956 me ndihmën e sovjetikëve”. Ja, prapë një shpifje, pse jo dhe e qëllimshme.
“Një popull që harron të kaluarën, nuk ka të ardhme”.

Historia e vërtetë e Rinasit

Punimet në aeroportin e Rinasit kanë filluar rreth viteve 1952 – 1953 me shpyllëzimin, kurse betonimi nga viti 1955, mbasi kishte mbaruar aerodromi i Urës Vajgurore në Kuçovë, po me të burgosur. Në Rinas kam filluar punë më 1957. Isha vetëm 22 vjeç. Çdo pllakë betoni (në formë 6-këndëshe) e pistës kryesore dhe ato katrore të rrugëve kryesore dhe vendqëndrimeve, duke përfshirë dhe terminalin e vjetër. Ish – kampet e nazizmit ruhen si simbole, kurse kampet dhe burgjet e komunizmit nuk kanë simbolet e tyre. Prandaj, pikërisht aty në aeroportin e Rinasit, ku mijëra udhëtarë kalojnë përditë, duke shkelur mbi ato pllaka betoni, duhej të ishte një lapidar si ai i Termopileve, ku të shkruhej: “O ju udhëtarë, kur ecni mbi këto pllaka, mos harroni se kjo vepër e madhe është bërë nga të burgosurit politikë, në kohën e diktaturës komuniste!”. Betoni sot përgatitet me betoniera moderne, që kanë zëvendësuar punën e lodhshme të njeriut.
Kurse në atë kohë, betonin e të gjithë atij aeroporti e përgatitnin me krahë, lopata, karroca, duke e përzier zhavorrin, çimenton me ujin, ku kullonte shpesh herë djersa, ndonjë herë dhe gjaku që rridhte nga duart tona, të bëra plagë nga lopatat. Thasët e çimentos i mbartnim në kurriz. Policët e punës, që kishin humbur çdo ngjashmëri njerëzore, të indoktrinuar nga teoria e luftës së klasave, na detyronin të përgatitnim betonin, duke pretenduar që djersa e trupit të dukej medoemos mbi peliçet tona (që bota i quante “jorganët” e Stalinit), megjithëse ishte dimër, përndryshe na prisnin hekurat dhe 10 deri në 30 ditë birucë, ku për shtresë kishim vetëm beton (mbasi ky lloj materiali ndodhej me bollëk në Rinas). Një ish – i internuar në kampin nazist të internimit, në Mat’hauzen, që ishte dhe ai me ne, thoshte: “Ky kamp është më i tmerrshëm se Mat’hauzeni”. Po ashtu, regjimi brenda në kamp ishte shumë i rëndë. Reprezaljet ishin të shpeshta, një bisedë e bërë me zë të lartë ishte e dënueshme, deri në izolim në qeli, veçanërisht për ata që shiheshin me sy të keq nga komanda. Lufta e klasave (biografive) vazhdonte edhe më e egër brenda në burg. Dyert e barakave ku shkonin njerëzit për t’u çlodhur mbas punës rraskapitëse gjatë ditës, u hapeshin vetëm pas orës 20:00, kështu që shumë të moshuar prisnin me batanije në kurriz, duke u dridhur nga të ftohtit përjashta, deri sa të hapej dera. Një pjesë e tyre kishin kaluar të gjashtëdhjetë vjetët. E si mund të harrohen të gjitha këto? Komandant kampi ishte Beqir Baja. Në kampin e Rinasit kanë punuar edhe: Jusuf Vrioni, Zafer Vila, Skënder Shkupi, doktor Hysenbegasi dhe shumë intelektualë të tjerë.

Aerodromi i Kuçovës

Një ditë, një miku im i vjetër i burgjeve, më erdhi në shtëpi për të më takuar. Me vete kishte sjellë një gazetë ku shkruhej: “Përurohet aerodromi turko – italian i Kuçovës”. Nën okielon e atij artikulli, ku flitej për historikun, thuhej: “Bazën ajrore e ndërtuan italianët, menjëherë pas pushtimit, në 1939-n.” Pastaj artikulli vazhdonte: “Më 15 maj 1955, në këtë bazë erdhën avionët e parë “MIG 15” dhe nga viti në vit ajo pajisej me avionë “MIG 17”, “MIG CAPUT” dhe “AK 18”, që ishin avionë reaktivë modernë të kohës”. Por nuk thuhet asnjë fjalë se si u shndërrua një aerodrom i vitit 1939 prej asfalti në një pistë moderne prej betoni. Shoku im, Lavdosh Beqo, shumë i revoltuar dhe i indinjuar, filloi të më tregonte si më poshtë: “Në Kuçovë, në Urën Vajgurore, në vitin 1953, u vendos kampi me të burgosur, për ndërtimin e aerodromit ushtarak, i mbështetur financiarisht dhe i mbikëqyrur nga sovjetikët. Komandant kampi ishte Beqir Liço, komisar Xhorxhi Keko, operativ Jorgo Qorri. Në kamp ishin rreth një mijë të burgosur që i kishin sjellë nga kampi i tmerrshëm i Maliqit dhe nga burgu i Burrelit, të cilët dilnin për herë të parë në punë. Ndër të burgosurit kishte shumë figura të shquara, si: Pader Mushkalla, Gjon Shllaku, përkthyesi i letërsisë antike greke, gazetarët Koço Semini, Rexh Meta e të tjerë, që kishin studiuar në universitetet e Amerikës dhe Europës. I gjithë projekti sovjetik u zbatua nga inxhinieri italian i burgosur, Papaleo dhe Hasan Zama, që vazhdoi më vonë në Rinas. Kushtet e punës ishin çnjerëzore, ku ka pasur dhe viktima si në punë dhe nga përpjekjet për arratisje”. Kështu e përfundoi ofshamën e tij të dhimbshme miku im i vjetër që kishte punuar aty. E si mund të harrohen të gjitha këto? Apo një keqdashje e qëllimshme kërkon t’i heqë memorien popullit dhe historisë? Qytetërimet që kanë nderuar si heronjtë fitimtarë, ashtu dhe të mundurit e tyre me dinjitet, kanë mbijetuar. Sepse kanë respektuar, në radhë të parë, njeriun dhe historinë.

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Z. Zholi, Gezim Cela, ne Spac, tenori italian

Përfshirja në politikëberje e familjeve të Përndjekurve Politike domosdoshmëri për demokracinë!

February 1, 2015 by dgreca

Nga Besim Ndregjoni*/
Fisnikëria e të përndjekurve politikë shqiptar, nuk është thjesht kategori subjektive dhe as objektive. Ajo është kompleksiteti i vlerave njerëzore prej të cilave merr kuptim jeta, dashuria, humanizmi, dinjiteti, trashëgimia, prosperiteti, liria, dhe cilësia e jetës ne komunitet. Fisnikëria dhe shqiptaria janë lidhur fort, në një organizëm virtual,duke udhëtuar së bashku që nga Ilirët, Arbërit e deri me sot, në rrugën e gjatë të kombit tonë, vlerat prej të cilave janë frymëzuar brezat dhe kanë kultivuar viganë të jetës publike, politike, artistike, ushtarake dhe humanitare. Në historinë e Shkodrës martire nuk mund të harrohen kontributet e familjeve të mëdha fisnike në mbrojtje të truallit amëtar, që në këtë konferencë të I-rë nuk mund t’i përmend dot të gjithë por disa prej tyre si Bushatllinjte, Hodo Sokoli, Kazazi, Çoba, Lluja, Myftia, Koliqi, Hasani, Isufi, Repishtit etj ( Shkodër), bajraktarët e Shoshit, Hotit, Dede Gjo Lulit e Preng Calit , të Llesh Marashit e shum famijeve të tjera Mirënjohje dhe respekt elitës së ish të Përsekutuarve të Shkodrës e qarkut të saj. Kombit tonë s’i mjaftuan pushtimet e gjata, por si një hije e zezë, u huajt nga qarqet antishqiptare komunizmi, duke shkatërruar e masakruar fisnikërinë kombëtare, ata që mbajtën dorë më dorë, e brez më brez flamurin, identitetin, vlerat më të larta të historisë sonë. Filozofia e dhunës dhe e antivlerës nuk mund të jetonte në paqe me vlerat e fisnikërisë shqiptare. Ndaj dhuna do të ishte arma dhe metoda e realizimit të pushtimit dhe sundimit komunist. Dhuna çnjerëzore filloi me pushkatime, burgosje dhe internime të fisnikëve shqiptarë. Njizete e pese vite mbas levizjes studenteske te dhjetorit 1990, – për liri e demokraci- Shqiperia ka levize. Gjendja ekonomike e shoqërore ka pësue përmiresime, populli jeton pa friken e kerbaçit policor. Me gjithe vorfenine e të metat sociale që e mundojnë, Shqipëria ka avancue drejt anetarsimit në Bashkimin Europian. Europa ashte shtepia e jone, ashte zgjidhja e jone e vetme, si shtet ma pare dhe si komb shqiptar ma vone ! Ky ishte ideali dhe motua e të pushkatuarve dhe të denuarve politikë të Shkodrës e mbar Shqipërise.
Në këtë udhëtim të gjatë , vendi i jonë ka dëshmue dhe padrejtesi të mëdha, njena nga te cilat ashte keqtrajtimi i viktimave të komunizmit. sakrificat tona , qëndrimi i jonë heroik që nuk pranoi nënshtrimin ndaj “luftes se klasave” fenomeni ma negativ i shekullit 20-. Me fitoren tone morale kunder çnjerezimit komunist, ne kemi fitue të drejtën me u quejte “kapitali moral i shoqenise shqiptare”. Kështu dëshmon ish i denuar politikë, shkrimtari, shkodrani i madh Prof.Sami Repishti…
Këtë të drejte e konfirmon pafajesia e jone që ashte edhe stigma ma pozitive e zhvillimit politik ne Shqiperi. Ne i tham “JO!” diktaturës komuniste, jo pushtimit jugosllav, jo pushtimit sovjetik, jo marrezise kineze, jo krimineleve injorante të PKSH dhe PPSH-se. Sot ne kemi të drejtën me akuzue mosperfilljen e pushteteve qeveritare në vendin tonë, sepse jemi të pafajshëm. Pafajesia ashte thelbi i sakrificave tona i rezistences anti-komuniste ne Shqiperi!
Koncepti i qeverisjes në kohën tonë ashte nji sfidë që Shqipëria nuk e fitoi, fatkeqsisht. Mungesa e nji “pranevere shqiptare”, e zgjimit nga gjumi i rande i shqiptareve, tregon ekzistencen e te metave strukturale ne shoqenine tone. Por e meta e madhe sot ashte humbja e frymes se bashkesise qytetare.
Nji shtet dhe shoqeni e ketill nuk mund te ndertohet mbi padrejtesi! Keshtu veproi Europa e qytetnueme e mbasluftes, që dërmoi diktaturën fashiste-naziste. Tek ne, edhe sot, mbas 25 viteve nuk ashte denue krimi komunist 45 vjeçar, me gjithe sjelljen tone fisnike që përbuzi hakmarrjen. Na jemi breznia që keputëm zinxhirin e hakmarrjes, nji fitore historike e shpirtit shqiptar.
Dokumentimi i krimeve komuniste në Shqiperi po nxjerrë në dritë gënjeshtrën, urrejtjen e dhunën që kanë karakterizue rregjimin e gjakut. Sot, në Shqipëri, viktima e komunizmit vuen për bukën e gojës, për nji strehe mbi koke, për nji shërbim mjeksor – vuen për nji fjale të mire. Ashte mekat, ashte harrese, ashte vrasja e dyte e viktimes!
Ne duhet të udhehiqim nji kryqzate që do të shpëtoje dhe Shqipërine tone, Shqiperine e te gjithe shqiptareve.
Sot për të gjithë ne është një ditë e madhe, është dita kur ne i kthehemi historisë së vërtetë dhe merremi me të ardhmen.Të parët tanë na kanë lënë shumë pasuri shpirtërore dhe morale, të cilën e vlerësojnë kombet më të mëdha e të qytetëruara të botës. Është nën përgjegjësinë tonë historike, është njësi matëse e vlerave të pamohueshme tona, për t’i ridhënë kombit fisnikërinë e mohuar, në çdo tregues të jetës, në atë social, kulturor, politik dhe institucional. Çdo qelizë e shoqërisë tek ne duhet te udhëhiqet dhe të frymëzohet nga fisnikëria, nga ato vlera ideale dhe virtyte humane për të cilat ka nevojë të ushqehet shteti demokratik, shteti i së drejtës. Elita historike e kombit, e përndjekur nga regjimi komuniste duke njohur si pikë referimi vlerat më të larta njerezore e ka parë Shqipërinë në përkatësinë e vet Europiane në çdo aspekt të jetës dhe veçanërisht në aspektin politik. Orientimi perëndimor i kombit, mendimi dhe filozofia e jetës së fisnikëve në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë të mundur ruajtjen e marrëdhënieve me kombet e mëdha dhe të nderuara të botës, me kombet që sot më shumë se kurrë janë pranë Shqipërisë sonë, në aspektin e integrimit tonë.
Ndaj sot siç na tregon historia , lind thirrja e madhe për t’i dhënë më të mirën tonë, këtij kombi, këtij shteti, demokracisë, drejtësisë dhe paqes sociale.Por kjo kërkon angazhim dhe pjesëmarrje, gjithëpërfshirje aktive në të gjitha aspektet e jetës. Ashtu si gjithëherët fisnikëria ka qënë në krye të proçeseve historike të zhvillimit soc-politik edhe sot është e nevojshme dhe e domosdoshme për të qënë në krye të integrimit dhe zhvillimit kombëtar. Është përgjegjësi e gjithëkujt prej nesh për t’i bërë shërbim kombit, me angazhimin e vet politik dhe institucional, në këtë kohë të rëndësishme ku kombi ynë po ngrihet krahas me kombet Europiane për të qënë pjesë e Bashkimit Europian, për të qënë i barabartë në vlera me kombet e bashkimit Europian. Historia na ka treguar se fisnikëria Shqiptare iu ka dhënë udhëheqës të shquar edhe vendeve te tjera, duke filluar nga perandoria romake, Vatikanit, ajo bizantine e osmane, e deri në kohët më të vona. Fisnikëria Shqiptare ka shkëlqyer në Greqi, Turqi, Rumani, me Kryeministra që i kanë shpëtuar këto kombe dhe i kanë qyteteruar. Këto personalitete i gjejmë përmes dokumentave në Perandorinë Romake, P.Osmane, Egjipt etje. Është e vështirë të identifikosh me pak rreshta atë që fisnikët shqiptarë kanë kultivuar në shekuj, por është thjesht një përkufizim i asaj që të gjithë ne e ndiejmë se ekziston, e asaj që ne e dimë se kështu është, se fisnikëria e ka gjalleruar këtë komb, se ajo e bën atë më krenar, më të fortë, e më madhështor. Besoj se kjo është dëshira e çdo shqiptari fisnik ish i perndjekur politike. Për të gjitha këto del domosdoshmëri që politika shqiptare të jetë e orientuar, e frymëzuar edhe nga këto vlera. Komunizmi e zhduku këtë raport të natyrshëm të shoqërisë shqiptare me shtetin. Por dekomunizimi i shoqërisë shqiptare kërkon patjetër kthimin e vlerave të fisnikërisë. Në emrin tuaj dua t’i bëj të ditur faktorit politik se, pa përfshirjen dhe pjesëmarrjen e këtyre familjeve të mëdha fisnike në jetën politike dhe shoqërore në të gjitha sferat politike, ekonomike, gjyqësore ,ekzekutive e sociale, ne do të jemi tepër të vonuar, siç kemi qënë gjatë kesaj periudhe të gjatë tranzicjoni në ndërtimin e demokracisë, dhe ndërtimin e shtetit ligjor.
Fisnikëria është baza morale e shtetit që në krijimin e tij. E tillë është ajo në mënyrë të natyrshme, ndaj ne duhet ta konsiderojmë këtë fakt si një domosdoshmëri shtetërore, për të ndërtuar dhe për të patur një komb dhe një shtet mbi baza të shëndosha vlerash, se vetëm në këtë mënyrë do të jemi dinjitoz përpara qytetërimit perëndimor, vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të përmbushim ëndrrat e fisnikëve shqiptarë qe u vrane nga sistemi diktatorial komuniste.
Por absurditeti i nje zhvillimi të këtill cfaqet sot kur sistemi komunist është përmbyse dhe metodat e tia vazhdojne te aplikohen nga qeveritare të indoktrinuem qe refuzojne të pranojnë kuptimin e mirefillte të pronës private: jete të lire e të pavraur nga “shteti”. Eshte absurde kur shihen viktimet e rregjimit komunist te siellen vërdallë zyrë ne zyra me kërkue të drejtën e tyre, pasurine e trashegueme, dhe te sorollaten nga nje administrate shurdhe-memece që ‘sundon” dhe nuk “qeverise”, nga “aparatciket” e sistemit komunist e jo nga “sherbestaret” e demokracise, të shoqërise së lire.
Gjendja e sotme në Shqipëri është mjaft shqetesuese.
Nuk jetohet vetëm me buke dhe per buke. Një jete pa liri, pavaresi e dinjitet nuk vlen te jetohet
Heshtja, vret; indiferenca vret. Eshtë e vështirë me besue se ndergjegja e popullit shqiptar është aq e fjetur sa të lejoje vdekjen e atyre që gjetën guximin me sakrifikue gjithcka, ndoshta edhe jetën e tyre, për një Shqipëri të lirë, dhe një shoqeri shqiptare të lire e demokratike. Dhe për shum kohë armiku ma i madh do të jetë Harresa. Të gjithë të përndjekurit duhet të mobilizohen në një përpjekje me mbajt gjallë kujtimin e viktimave me ruajt në memorien e të gjithe shqiptarëve peshën e randë të krimit komunist dhe kjo asht detyrë kryesore për të gjithë ne që kaluam at kalvar vuajtjsh dhe martirizimi. Apeli i sotëm kombëtar asht jo indiferentizmit , jo heshtjes , PO angazhimit në politikë të këtyre familjeve fisnike ish të perndjkekura politike të regjimit komunist. Angazhimi i këtyre familjeve në politikë do të jetë nji shërbestare e demokracisë , do ti japi qeverisjes dhe shtetit ligjore moralin dhe vlerat njerzore të cilat për 25 vite klasa politike nuk mundi të i ndërtoi dhe të implementoi përpara shoqërise post komuniste. 100.000 familje ish të përndjekura politike e kan tagrin , kan kapacitete për të dhënë kontributin e tyre në politikbërje që shtetit shqiptar , demokracisë së cenuar nga kjo klasë politike 25 vjeçare ti kthehet morali dhe presporiteti i një demokracie fuksionuese në shërbim të vendit.
Le të na shoqëroi në këtë nisëm kombëtare thënja e pavdekshme e ikonës së fesë dhe vuatjes së dhjetra vjeçarve në burgjet e diktaturës komuniste At Pjetër Mëshkalla SJ ( Botue : 1933)
Prej të parëve pritëm një Shqipni të Lirë!
Nipat presin prej nesh një Shqipni të lumtun!
*E dergoi per Diellin vete autori. E falenderojme.- Kumtesë e mbajtur në konferencën rajonale të Përndjekurve Politike në Shkodër 31.1.2015

Filed Under: Analiza Tagged With: e familjeve, për demokracinë!, Përfshirja në politikëberje, Politike domosdoshmëri, te perndjekurve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT