SHËRBIMET MORTORE PËR TË NDJERËN LIRI KUPI TË PREMTEN, VARRIMI TË SHTUNËN/
Të Mërkurën me 15 Prill 2015, pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë në Nju Jork, e ndjera Liri Kupi, bashkëshortja e Fatbardh Kupit, duke i lënë në pikëllim të thellë familjarët e saj të dashur dhe të gjithë rrethin miqësor e të njohurit. E ndjera ndërroi jetë në spital pas një sëmundjeje të rëndë. Liria ishte një ndër qëndrestaret e kampeve të internimit, ku nuk iu nda të shoqit gjatë sagës së vuajtjeve nëpër burgje dhe internimet gjysëmshekullore të diktaturës komuniste.
Familja njofton se shërbimet funerale do të organizohen ditën e PREMTE, me 17 Prill 2015, nga ora 3 pasdite deri në orën 9 të darkës në Shtëpinë Mortore: Schwartz Brothers-Jeffer Memorial Chapel, që ndodhet në adresën :
114-03 Queens Blvd, Forest Hills, NY 11375 , Phone:(718) 263-7600
E ndjera do të përcillet për në banesën e fundit Ditën e Shtunë 9 a.m 10-30, nga Funerali.
Varrimi do të bëhet në Kew Gardens Cimitery, aty ku prehen eshtrat e heroit të 7 prillit, Abaz Kupi.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta e saj Dielli ngushëllojnë bashkëshortin Fatbardh, djemtë dhe vajzat, të gjithë familjen Kupi, të afërmit dhe miqtë.I qoftë i lehtë toka e lirisë!Shpirti në Paqë!
Archives for April 2015
Komunitet-Nje restorant i ri në rrugën “Mother Teresa” në Bronx
Nga Mimoza Dajçi/
“EZ ” – Mediteran Restorant quhet restoranti i sapo hapur në Bronx në rrugën “Mother Teresa”. Eshtë pronësi e familjes shqiptare Bollo, të cilët punojnë pa u lodhur me pasionin që i lidh bisnesi i tyre, por edhe kënaqësinë që u sjell buzeqeshja e klientit. Bashkëshortët Teuta dhe Edmond Bollo kanë pesë vite që jetojnë në Amerikë së bashku me fëmjët e tyre Marino dhe Joana. Për gati 18 vjet jetuan në Greqi, aty ku lindën djalin e vajzën. Përveç punëve të tjera që patën rast të kryenin atje punuan edhe nëpër restorante, duke provuar një eksperiencë të mirë në menazhim restorantesh.
Menuja në restorantin e tyre është e pasur dhe e shumëllojshme, variojnë kryesisht në stilin e traditës shqiptare. Me guzhinën tonë tashmë janë mësuar edhe të huajt, shumë prej tyre i pëlqejnë ushqimet shqiptare.
Sigurisht gatimi përveç dëshirës kërkon edhe vëmendjen e duhur, pasi kemi të bëjmë me jetë njerëzish, por si Teuta dhe Edmondi janē guzhinierë të zot, profesionin e kanë trashëgim nga prindët e gjyshërit e tyre. Koençidencë e bukur edhe bashkëshortë simpatikë edhe gatues të mirë. Sipas Teutës klienti për ata është si pjesë e familjes, prandaj i kushtojnë kujdes të veçantë.
***
Më takon të shkoj tek ky lokal, ngjitur është një lavanteri, shpesh aty laj rrobat e familjes. Kur ndresat rrotullohen vrullshëm nëpër lavatriçet e mëdha e fërkohen nën gurgëllimën e ujit ulem tek Restoranti “EZ” për një çaj të ngrohtë, e shikoj televizor në ekranin e madh vendosur përballë hyrjes kryesore. Përqark mureve disa piktura, e në çdo qoshe nga një vazo me lule. Eshtë lokal i thjeshtë, i këndshëm por shumë i pastër. Çdo gjë shëndrit, që nga gotat, pjatat, mbulesat e pecetat mbi tavolinë. Teuta i jep shumë rëndësi jo vetëm pamjes së restorantit por edhe rregullit brenda. Këtu është jeta jonë thotë ajo, na mban dhe e mbajmë gjallë, diku një punë do të bënin, por Zoti na e bëri mbarë që me fitimet e djersës tonë të kemi këtë bisnes.
Edhe pse i ri si lokal, përveç shqiptarëve ka filluar të tërheqë edhe shumë klientë të huaj. Amerikanët e pëlqejnë byrekun me spinaq, supën me limon e vezë, bakllavan e syltiaçin me qumësht e oriz, etj. Çdo gjë është e freksët dhe gatuar me shije.
Fëmijët e tyre pasi kryejnë detyrat e shkollës, e kur kanë kohë të lirë u vijnë krah prindërve, ata janë studentë shkëlqyer në mësime, Marino është në shkollë të mesme ndërsa Joana ndjek ciklin e ulët 9 vjeçarë. Në restorant shërbehet gjatë gjithë ditës, e mund të ulesh për të ngrënë mëngjes, drekë apo darkë, porosi bëhen edhe jashtë restorantit. Me rastin e festës së Pashkëve Teuta dhe Edmondi u dhuruan klienteve vezë të kuqe dhe shtruan drekë falas për disa familje me të ardhura të pakta në Bronx e më gjerë.
Do t’ju sygjeroja të provonit gatimet në “EZ” – Mediteran Restorant në Bronx, në rrugën “Mother Teresa” besoj do te mbeteni të kënaqur./
Ne foto jane Teuta dhe Edmond Bollo gjate punes ne restorantin e tyre./
DISKRIMINIMI I GJUHES SHQIPE NE SHERBESAT FETARE
Shkruan: Gani MEHMETAJ/
Disa hoxhallarë, Bashkësia Islame e Kosovës, me bashkësitë simotra në Shqipëri, Maqedoni e Kosovën Lindore duan të na bindin se Zoti nuk di shqip. Sipas tyre, Perëndia e kupton vetëm gjuhën arabe, prandaj të gjitha lutjet, ritualët dhe ceremonitë mortore bëhen në gjuhën arabe. Kundër bindjeve të ngulitura thellë në etnopsikologjinë shqiptare se filani është i biri i filanit, hoxhallarët ditën e varrimit të vdekurin e thërrasin në emër të nënës, duke ia vënë në dyshim atësinë! Emërtimet e festave fetare janë në gjuhën turke, por kurrsesi në gjuhën shqipe. Kështu Festës së Flijimit ata i thonë turqisht Kurban Bajram, ndërsa të gjithë shqiptarët besimtarë e jobesimtarë e përsërisin me papagalli në të njëjtën mënyrë. Festës së madhe myslimane i thonë Fiter Bajram. Dikur popullata këto dy festa i quante Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël, pra festa e madhe dhe festa e vogël.
Hoxhallarët dhe kleri mysliman vazhdojnë të na fyejnë ndjenjat kombëtare, e fyejnë intelektin tonë e krenarinë kombëtare, duke na bindur se gjuha shqipe është gjuhë e rendit të dytë, është gjuha e mëkatit, prandaj nuk bën që lutjet fetare të bëhen në gjuhën shqipe, por në gjuhën e beduinëve të shkretëtirës nga e morëm fenë.
Jemi i vetmi komb evropian, që lutjet fetare myslimane i themi në një gjuhë të huaj, të cilën nuk e kupton askush nga popullata shqiptare, nuk e kuptojnë as pjesa më e madhe e klerikëve. Është e kotë që kushtetutat në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni apo Kosovën Lindore e sanksionojnë përdorimin e gjuhës shqipe, përderisa nëpër xhami gjuha e vetme është gjuha arabe. Edhe mbishkrimet nëpër xhami janë në gjuhën arabe, thuajse jemi në Arabi. Lutjet brenda korridoreve të xhamisë po ashtu janë shkruar arabisht, megjithëse askush nga besimtarë nuk e kupton asnjë shkronjë të kësaj gjuhe. Diskriminimi i gjuhës shqipe bëhet ditë me diell dhe askush nuk reagon. Shpërfillja e shkronjave shqipe bëhet me qëllim, dhe askujt nuk i bëhet vonë. Disa thonë se shumica e atyre që shkojnë në xhami janë analfabetë apo gjysmanalfabetë, prandaj kot që ua vë mbishkrimet shqip, kur nuk dinë t’i lexojnë, por megjithatë e kanë shumë më lehtë të luten në gjuhën e nënës, sesa në gjuhë të huaj. Njohësit e gjuhës arabe tregojnë se si besimtarët shqiptarë kur luten në gjuhën arabe, e shqiptojnë tmerrësisht keq këtë gjuhë, saqë në vend të lutjes drejtuar Zotit, u del ndonjë blasfemi a fjalë e pistë, ndërsa ata nuk e kuptojnë se janë lutur tmerrësisht gabim.
Naim Frashëri dikur bëri përpjekje që lutjet fetare t’i përkthente shqip, në mënyrë që të shkëputeshim nga ndikimi skllavërues oriental. Mirëpo, hoxhallarët e shitur këto lutje nuk i vunë në përdorim, përkundrazi i denoncuan hoxhallarët që predikonin shqip para okupatorëve turq e serbë. Rilindësi i madh synonte që shqiptarët myslimanë, sidomos pjesa e paarsimuar të shkëputeshin nga skllavëria shpirtërore turke e arabe, por një gjë të tillë nuk e duan ata që marrin para nga këto shtete.
Është fakt i ditur se hoxhallarët kurrë nuk e kanë vënë flamurin shqiptar nëpër xhami, kurrë nuk e kanë festuar ndonjë festë kombëtare shqiptare, por nuk kanë ngurruar ta ngulin flamurin arab apo turk si për inat të popullatës shumicë shqiptare, nuk kanë ngurruar ta madhërojnë ndonjë personalitet politik turk apo arab (diktatorët e dikurshëm Naserin, Asadin, Sadatin, Gadafin, Mubarakun apo sot Erdoganin).
Besimtarët e diskriminuar në shtetin e vet
Qysh pas vdekjes së Skënderbeut, kur Shqipërinë etnike e gllabëroi shkallë-shkallë Perandoria Otomane, bartëse e islamizmit me terror e vrasje, në emër të myslimanizmit pushtuesi i shpalli luftë shfarosëse kombit e flamurit tonë. Një pjesë e hoxhallarëve të shitur te djalli, nuk ngurrojnë që simbolin e shenjtë-shqiponjën dykrenore, ashtu sikurse okupatorët serbë dikur, ta quajnë sorrë, madje para besimtarëve shqiptarë që dëgjojnë si dele e nuk reagojnë. Hoxha i dyshimtë Irfan që ligjëron sikur ta kishte porositur Serbia, nuk është i vetmi, por ne jemi të vetmit në botë që e durojmë një sharlatan të shitur ta përbaltë historinë tonë kombëtare, në vend se ta arrestoj policia për nxitje të urrejtes. Në dy shtetet shqiptare besimtarët shqiptarë myslimanë janë tmerrësisht të diskriminuar, të denigruar e të fyer: në shtetin e tyre kombëtar nuk guxojnë të luten shqip, nuk guxojnë të zhvillojnë ceremonitë mortore në gjuhën e tyre, nuk guxojnë të bartin simbole kombëtare, nuk guxojnë të madhërojnë bëmat e Skënderbeut, duhet të vënë në kokë kapele arabe ose turke, detyrohen të dëgjojnë fyerje nga më të turpshmet kundër kombit të tyre, kundër traditave e etnopsikologjisë kombëtare. Në vend se t’ua hapin horizontin për të ardhmen e kombit, kleri mysliman në jo pak raste i frymëzojnë e mobilizojnë besimtarët të bëjnë luftë fetare si në Siri e Irak, bie fjala, duke cytur njëkohësisht edhe në luftë kundër bashkëkombësve të vet të fesë tjetër apo kundër jofetarëve.
Islami që nga fillimi u shpalli luftë shqiptarëve, duke i ndjekur më shumë se asnjë komb tjetër. Lufta e islamit kundër shqiptarëve vazhdoi me egërsi gjatë tërë kohës së pushtimit të Perandorisë Otomane, duke e shprishur gjysmën e kombit. Edhe kur Turqia u tërhoq nga territoret shqiptare, ndeshja e egër në mes të islamit e shqiptarizmit nuk pushoi. Herë fitonte islamizmi mbi shqiptarizmin, herë shqiptarizmi mbi islamizmin shkombëtarizues. Në kohën e mbretërisë shqiptare, me dekret iu ndalua besimtarëve shqiptarë që të përkulen, duke u bazuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit se shqiptari nuk bën të përgjunjet a të përkulet. Por më vonë ky dekret u hesht, kështu që vazhdon tradita orientale e faljes me përkulje. Shqiptarizmi e shteti shqiptar kurrë nuk arritën ta detyrojnë islamizmin që ta përfillë as ta pranojë traditën kombëtare e gjuhën shqipe si gjuhë të lutjeve, gjuhë të fesë dhe gjuhë të Zotit.
Fyerjet që u bëhen ndjenjave kombëtare
Myslimanizmi që del nga goja e jo pak hoxhallarëve në Kosovë, në Shqipëri e Maqedoni edhe më tutje e shkel krenarinë tonë kombëtare, e fyen intelektin tonë, e denigron qenien tonë kombëtare, duke e përjashtuar gjuhën shqipe nga lutjet fetare, duke e përjashtuar flamurin kombëtar nga festat fetare, duke i shkelur interesat kombëtare për interesa të serbëve, turqve e arabëve, interesat e të cilëve bien ndesh me interesat tona. Ndërkaq, shteti shqiptar me gjysmështetin e Kosovës e toleron shkeljen e kushtetutës, shkeljen e ligjit, shtrembërimin e historisë, përdhosjen e traditës e të simboleve kombëtare, shpërfilljen e emocioneve të besimtarëve, e lejon rrezikimin e strategjisë kombëtare: përcaktimin tonë për qytetërimin evropian. Shumica e hoxhallarëve predikojnë kundër integrimit tonë në Bashkimin Evropian, predikojnë kundër SHBA-së sikur t’i kishte financuar Serbia.
Ku qëndron arsyeja e kësaj tolerance antikombëtare e denigruese? Si e pranojmë këtë fyerje në shkallë kombëtare? Pse shteti shqiptar hesht para kësaj fyerjeje e denigrimi edhe pas njëqind e ca vjetëve që kur ia mbathi pushtuesi turk? A ka forcë kombëtare e besimtarë që do ta zhbllokojnë këtë situatë absurdi? Janë edhe një varg pyetjesh që imponohen në një situatë të tillë. Janë po ashtu një varg përgjigjesh që duhet të jepen.
Si t’ua heqim nga mendja besimtarëve me tru të shpërlarë se gjuha shqipe është gjuhë e Zotit, se gjuha e nënës së tyre është gjuhë e shenjtë, se gjuha e nënës nuk është gjuhë e kaurit, sikurse çirreshin dikur e sot në kupë të qiellit hoxhallarët proserbë e proturq, mercenarë shkombëtarizues.
Elita shtetërore e elita politike në Tiranë dhe ajo në Prishtinë duhet të nisin e të merren seriozisht me këtë çështje, duhet ta mbrojnë interesin kombëtar, ndërsa interesi shtetëror e kombëtar mbrohet duke e vënë Bashkësinë Myslimane të Kosovës, të Shqipërisë e Maqedonisë në binarë kombëtarë, duke ua përcaktuar rregullat qytetëruese, duke e futur fenë në faltore e jo në rrugë e sheshe, duke i zëvëndësuar simbolet arabe e turke me simbole shqiptare. Çështja e fesë nuk është vetëm çështje e një grushti hoxhallarësh, pavarësisht ndikimit të tyre të madh e fatal që kanë mbi pushtetarët në Shqipëri e në Kosovë, pavarësisht presioneve që i bëhet elitës shtetërore e politike nga Turqia, Serbia e shtetet arabe. Aleancat nuk mbahen me imponime, apo duke lejuar veprimin e forcave rrënuese brenda shtetit që të mos i mbetet hatri Erdoganit apo sheikëve arabë.
Mendja e shitur e intelektualëve
Ndërkaq, mediat bëjnë me dije se një pjesë e kreut të bashkësisë myslimane të Kosovës është e zhytur në afera me paratë e burimeve të dyshimta, një pjesë e mediave financohen nga këto para të pista. Paratë e pista dyshohet se kanë depërtuar edhe në kreun e elitës politike e shtetërore, te deputetët, nëpunësit, policia. Këto para e kanë blerë edhe mendjen e shitur të një grushti intelektualësh, gazetarësh e politikanësh. Prandaj ata shkumëzojnë të na bindin se Turqia na masakroi e persekutoi për të mirën tonë, na islamizoi, sipas tyre, me fenë më të mirë (!), ishte çlirimtare, ashtu sikurse thoshin po këto mendje të shitura dikur për Serbinë e Jugosllavinë. Të vjen të vjellësh kur i dëgjon deklaratat e tyre. Janë aq puthadore, janë aq të padinjitetshëm kur e shtrembërojnë historinë kombëtare, sepse u shitën te anadollakët a të arabët. Fondet e dyshimta që vijnë nga Turqia, Serbia e shtetet arabe, kanë ndikuar që shteti shqiptar dhe ai i Kosovës në vend se të mbështesin forcat kombëtare brenda bashkësisë myslimane të Kosovës e të Shqipërisë, mbështesin forcat antikombëtare e antishtetërore. Sa herë e kanë kërkuar ndihmën e shtetit forcat kombëtare brenda bashkësisë myslimane të Kosovës, shteti e mbështeste kreun e hoxhallarëve të lidhur me shërbimet e fshehta orientale.
Myslimanizmi autokton me simbole kombëtare e lutje shqipe
Elitat politike e shtetërore me përcaktim kombëtar, që do të konsolidohen, duhet të mbështesin klerin mysliman me përcaktim shqiptar e evropian. Sindikata e Bashkësisë Myslimane të Kosovës me disa hoxhallarë të margjinalizuar, që i njoh, janë ithtarë, por edhe e kanë paraqitur projektin për mbajtjen e lutjeve në gjuhën shqipe, për vënien e mbishkrimeve nëpër xhami sipas ligjit në fuqi, ashtu sikurse e kanë paraqitur projektin që besimtarët e klerikët myslimanë të bartin plisa (qeleshe) në xhami e jo kapela turke e arabe. Ata po ashtu janë kundër mbulimit të femrave me tri lloj shamish, varësisht cili shtet islamik i financon (Turqia, Irani a Arabia Saudite). Projekti i tyre më tutje e vë në pah se hoxhallarët duhet të zgjidhen brenda shtetit të tyre e jo të caktohen nga Turqia, Irani, Egjipti e Arabia Saudite; hoxhallarët të arsimohen në Kosovë e në Shqipëri e jo në shtetet arabe; të plotësojnë kushtet morale; të respektojnë simbolet kombëtare e traditën e besimtarëve e jo t’i fyejnë ata; të gëzojnë respektin e komunitetit e jo t’u dërgohen nga qarqe të dyshimta. Po ashtu Bashkësia Myslimane e Kosovës duhet të financohet nga burimet e brendshme e jo nga burime të dyshimta apo nga shtetet islamike. Nisma të tilla ka pasur edhe më herët. Përpjekje që lutjet të bëhen vetëm në shqip, po ashtu janë të pranishme, mirëpo reagimet e kreut të BIK-ut ishin të ashpra e denigruese ndaj klerikëve me përcaktim kombëtar, më tregoi kohë më parë një hoxhë nga Rrafshi i Dukagjinit. Kush i pengon besimtarët të skalisin shqiponjen dykrenore në gurin e varrit? Pas çlirimit kjo dukuri e zëvëndesimit të simbolit oriental me simbolin kombëtar ka nis të bëhet dukuri, jo vetëm në varrezat e dëshmorëve, por edhe në varret e njerëzve të zakoshem, megjithëse ende ka ngurrime, sepse janë aty hoxhallarët antikombëtar që e pengojnë.
Ngjashëm më projektin e klerit mysliman shqiptar veproi edhe Qeveria austriake kohë më parë për ta luftuar terrorizmin islamik, kur propozoi dhe e tumiri që hoxhallarët të cilët predikojnë në Austri të jenë shtetas austriakë, ta dinë mirë gjuhën gjermane. Po ashtu sikurse Parlamenti austriak edhe ne duhet të kërkojmë që asnjë financim serb, turk apo arab të mos derdhet nëpër xhamitë tona, apo nëpër xhepat e hoxhallarëve, sepse në këtë mënyrë jo vetëm financohet terrorizmi, por financohen edhe ato forca brenda bashkësisë myslimane që e luftojnë integrimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian, ashtu sikurse e luftojnë integrimin shpirtëror të shqiptarëve brenda kombit të vet.
A E DINI SE NENKRYETARI I KUVENDIT TE SHQIPERISE KA QENE DHJAK
Historiani Arben Llalla shkruan sot:Pak njerëz e dinë se Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë Vangjel Dule, në fillim të viteve 1990, ka qenë Dhjak, titulli më i ulët fetar në kishën ortodokse, pra ndihmës prift. E gjithë karriera politike e Vangjel Dules i dedikohet vetëm një njeriut, Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastas Janullatos. Fotoja tregon Vangjel Dule me veshje Dhjaku në krahun e majtë të Janullatosit. Kjo është e vetmja foto e Vangjel Dules me këtë veshje.
SHEJTNIJA E TIJ PAPE FRANCESKU DHE GJENOCIDET E QINDVJETESHIT TE NJIZETE
The Wall Street Journal/
Permbledhja e artikullit nga Gjon Kadeli/
Gjate meshes perkujtimore te 100 vjetorit te vrasjeve ne mase te Armeneve, qe u tha ne Kishen e Shen Pjetrit ne Rrome, Pepe Francesku i cilsoi vrasjet ne fjale nga turqit me 1915te si”Gjenocidi i pare” iQindvjetshit 20te. Tuej folun ne ate meshe, Papa permendi edhe gjenocide te tjera te Qindvjetshit te kaluem: gjenocidin qe ngjau gjate kohes se Nazizmit, ate te kohes se Komunizmit, te Ruandes dhe ate te Urundit. Tuej ju referue gjenocidit komunist, qe ngjau gjate 1932-33, ai tha se ajo kishte te bante kryesisht me Ukrainen, ku u krijue nji “uri artificiale”, si pjese e perpjekjeve te Stalinit, per te kolektivizue bujqesine Sovjetike. Gjate kesaj kohe urie vdiqen 7.5 milione njerez, nga te cilet ma shume se 4 milone ishin Ukrainas.
Persa i perket vrasjes se Armeneve, nji numer shtetesh, e kane cilsue zyrtarisht ate veprim, si gjenocid, gjate te cilit, u zhduken nga faqja e dheut, rreth 1.5 milione Armene. Papa tha gjate asaj meshe perkujtimore, se “Asht e nevojshme, dhe ne te vertete, nji detyre” me e perkujtue kete ngjarje, tejet tragjike te Qindvjetshit te kaluem. Ai
shoi se “Me e mshef, ose me e mohue te keqen, asht, si me lane nji plage, qe asht tuej kullue gjak, pa e mjekue.
Nuk asht hera e pare qe nji Pape, i ka cilsue vrasjet ne mase te Qindvjetshit te kaluem, gjenocid. Tuej iu referue gjenocidit te pare te qindvjetshit 20te, Pape Francesku, citoi nji deklarate te perbashket nga Pape Gjon Pali i Dyte dhe udheheqsit te Kishes Armene,
Catholicos Karekeni i IIte te vjetit 2001, i cili ishte i pranishem edhe ne meshen perkujtimore. Pape Francesku shtoi , tuej e quejtun vrasjen e Armeneve, nji nga “Tri vrasjet masive dhe tragjike” te Qindvjetshit te kaluem.
Nderkohe qe Pape Francesku, ka folun edhe rreth persekutimeve te Krishtenve, ne vende te ndryshme, ai me perkushtim ka ba perpjekje, per marredhanje ma te mira, ndermjet Kishes Katolike dhe Botes Islame.
Ai ka shkrue se “Islami i vertete dhe leximi me vemendje i
Kuranit,jane kunder cdo lloi dhune”. Gjate nji vizite ne Izrael, ai
bani nji gjest solidariteti ndaj Palestinezeve, kur u ndal me u lut,
prane nji muri,qe ndante bashkesine Muslimane, me ate Hebreje, ne
bregun perendimore te lumit Jordan. Ai ne publik asht lutun
bashkarisht me Muslimanet ne Vatikan, si edhe ne nji xhami te
Stambollit.
Asht i pamohueshem fakti, se ne raste luftash, qofshin ato, nder
etnike apo ndermjet denominacioneve fetare, Pae twe ndryshem e kane
ngrite zaninin e tyne, per ndalimin e ketyne luftave. Gjate luftes ne
Cecnjadhe ne Bosnje ,Pape Gjon Pali i Dyte bani thirrje te shpesht ,
per ndalimin e ketyne luftave. Si Cecnja, po ashtu edhe Bosnja u
damtuen shume rand nga ato lufta.
- « Previous Page
- 1
- …
- 27
- 28
- 29
- 30
- 31
- …
- 70
- Next Page »