FLET LULJETA PELLUMBI: U jam mirënjohëse pedagogëve të mi,Ibrahim Tukici dhe Luiza Papa (Çako)./
Intervistoi: Fadil Shehu- Florida/
Do të doja të flisnit pak, për momentin e largimit tuaj nga Shqipëria dhe ankorimin e ditëve të para në shtetin gjigand të Nju Jorkut. Ju kujtohen sot ato?
Megjithëse ka kaluar një kohë shumë e gjatë largimi tim nga atdheu im, sërish mendja dhe zemra ime, vështrojnë përjetësisht shqipërinë, vendin me të bukur ku unë e u linda dhe u rrita.
A ishte i vështirë integrimi juaj si qytetare dhe artiste, pasi dihet se në SH.B.A. jetojnë artiste nga të gjitha vendet e botës?
Si për të gjithë, fillimi është i vështirë, kur largohesh nga vendi yt. por për mua nuk ishte e vështirë, sepse unë erdha si artiste këtu në Nju Xhersi, me vizë pune .
Çfarë do të thotë për ju të jesh përjetësisht e dashuruar me magjinë që të ofron kënga?
Për mua kënga është, ajri, toka, pra është pjesë e pandarë e jetës time, një dhuratë që jo gjithëve ja ka falur zoti.
A ka qenë ëndërr e hershme kënga,apo ajo trokiti rastësisht në jetën tuaj?
Kënga lindi me mua qysh në fëmininë time dhe lulëzoi, kur une isha 9 vjeçare në festivalet e këngës, për fatosa dhe pionierë. Ku kam fituar çmimin e parë me Këngën “Lufta në grykën e Holtës”.
Ju keni studiuar për kanto, ku pedagogë keni patur të mëdhenjtë e skenës shqiptare Ibrahim Tukiçi dhe Luiza Papa. Cdo të thoshit për ta?
Po. Unë kam studiuar për kanto në Tiranë, ku pedagogë kam patur “Artisit i Popullit”, Ibrahim Tukiçi dhe “Artiste e merituar”Luiza Papa (Çako),të cilët më dhanë një përvojë shumë të pasur në fushën e muzikës .
A ndjeni ndopak nostalgji sot për pjestarët e familjes artistike“Isuf Myzyri” të Elbasanit, pjesë e së cilës ishit dhe ju?
Mbas shkollës jam aktivizuar dhe kam marrë pjesë me Ansamblin folklorik “Isuf Myzyri”. Ndjej mirënjohje e nostalgji për koncertet e dhëna, brenda e jashtë vendit.
Sa ju ka shërbyer eksperienca e fituar me ansamblin folklorik “Isuf Myzyri”në ecurinë e karrierës suaj artistike?
Eksperienca që kam fituar gjatë asaj kohe, është vërtetë kolosale, duke punuar me artistë dhe muzikantë shumë të talentuar të këtij ansamblit ,ku do të veçoja vëllezërit Zena, Albert Tafani dhe i madhi Sopot Serica .
Spektatori ju ka ndjekur dhe në premierat e trupës së estradës profesioniste të këtij qyteti.
Po, është e vërtetë. Unë kam qenë e angazhuar me këtë trupë artistike, qysh kur isha ende në shkollën e mesme. Patjetër që po të kishje pranë, kompozitorin dhe dirigjentin e shquar, Alfons Balliçi dhe këngëtarë të mirënjohur Mustafa Mehja, Zuzana Qatipi e shumë e të tjerë, suksesi ishte i padiskutueshëm
Sa kohë kontribuat si këngëtare në këto dy foleza të artit elbasanas?
Periudha prej dymbëdhjetë vitesh,si këngëtare e ansamblit”Isuf Myzyri”dhe estradës profesioniste të Elbasanit, padyshim kanë ndikuar në formimin tim si këngëtare. Edhe sot unë ndjej nostalgji për këngët popullore qytetare elbasanase.
Në cilin spektakël apo koncert jeni ndjerë e vlerësuar dhe respektuar më shumë nga publiku?
Pothuajse në të gjitha spektaklet që kam dhënë në mjaftë shtete këtu në Amerikë, jam vlerësuar nga publiku.
Disa prej këngëve të reja të repertorit tuaj, ju i këndoni me këngëtarin shkodran Xhelal Gjurkaj.Si lindi ky bashkëpunim?
Ky bashkëpunim me këngëtarin e talentuar shkodran, Xhelal Gjurkaj, lindi në ditët e para të dashurisë tonë, para 18 vjetësh, ketu në Nju Xhersi, ku banojmë edhe sot.
Mendoni se kënga shërbeu si urë lidhje që ju të njihehshit, dashuroheshit, madje të martoheshit me të, duke patur dy vajza të bukura?
Po. Mendoj se kënga, arti na bashkoi të dyve, ku sot ne kemi një familje të përkryer, me dy vajza, të cilat e bëjnë jetën tonë më të lumtur.
Një nga këngët e reja të repertorit tuaj është dhe ajo me titull”Sa të dua”, me orkestracion të Dritan Papa.Ju e këndoni këtë këngë për bashkëshortin apo ai e këndon për ju?
Po. kjo këngë është duet,e kënduar nga unë dhe Xhelali, orkestruar nga kompozitori dhe orkestruesi shumë i talentuar, Dritan Papa. Këngë e cila na qëndron për shtat të dyve.
Luljetë.Ju këndoni këngë të shqipërisë së mesme dhe të jugut, ku këngët e trevës së veriut, i qëndrojnë më për shtat bashkëshortit tuaj që ështës shkodran. Mendoni se kjo ka bërë që në çdo koncert kënga shqiptare të jetë e ekuilibruar dhe e mirëpritur?
Patjetër, që krahas punës sime shumë vjeçare, në sukseset e këngëve të repertorit tim, sukses ka partneri dhe bashkëshorti im, Xhelal Gjurkaj. Mendoj se këngët e jugut, të shqipërisë së mesme me të cilat jam rritur që fëmijë, këngët popullore me motive të veriut,janë bërë tashmë “pronë”e bashkëshortit tim. Ky gërshetim,ka bërë që kënga shqiptare, të pëlqehet nga spektatori i çdo moshe.
Sipas jush,ç’farë cilësi të veçantë duhet të zotëroj një këngëtare, që kënga e saj të jetë e bukur, e sukseshme?
Që kënga të jetë e bukur, tërheqëse, padyshim duhet që këngëtarja të jetë e talentuar, dhe e kompletuar profesionalisht në e fushën e muzikës. Mos të harrojmë se dhe teksti i këngës, duhet të jetë në harmonizim të plotë me muzikën.
Sa duhet të sakrifikojnë dy bashkëshortë artist në ritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre?
Për ne, edukim dhe e ardhmja e fëmijëve tanë është primare, ku sakrificat janë të pranishme në çdo hapësirë të jetës sonë.
Cilët prej këngëtarëve shqiptarë, konsideroni si model të këngës popullore?
Janë shumë emra të talentuar, por në këto çaste do të veçoja, mbrtëreshën e këngës popullore të shqipërisë së e mesme, Merita Halili.
Nëse nesër, do t’ju jepej rasti për një koncert tuajin recital, cilët prej këngëtarëve do të ofroje me kënqësi si partner në skenë?
Me kënaqësi do të ftoja në skenë këngëtarët, Mustafa Mehja, vëllezërit Zena ,Merita Halili dhe Xhelal Gjurkaj.
Intervistoi: FADIL SHEHU
Florida, Prill, 2015
Archives for April 2015
PREJARDHJA E SHQIPTAREVE?
NGA FAHRI XHARRA/
Do të doja edhe unë në kafen e Rrugës së Ngushtë , në Gjakovë ,pranë kafes italiane, t`i përmblidhja do shkrime të cilat janë brenga më shqetsuese kombëtare ;Prejardhja e shqiptarëve ?
(Kadare : “ Mëngjeset në Kafe Rostand ,faqe 172,; Enver Robelli ““Hoxha” Irfan Salihu llomotit e gënjen për historinë e shqiptarëve dhe të Kosovës . ; Muhamed Mufaku : “Kur romansierët shndërrohen në historianë e historianët shndërrohen në teologë!” Lis Bukuroca : Millosheviçi, hero i shqiptarëve? : Hoxhë Irfan Salihu: Në Kosovë s’ka pasur shqiptarë – ata i solli Turqia (VIDEO) )
Po çka na ligjëroi Hoxha dhe i helmoi dhe qindra të rinj e pleqë?
”-Osmanët u kanë dhënë shqiptarëve me hektarë tokë dhe i kanë sjellë të jetojnë në Kosovë.
– Osmanët i bënë shqiptarët sundimtarë të Ballkanit.
-Gjatë kohës së Rankoviqit shqiptarët “vetë kanë shku” në Turqi.
-Statistikat e vitit 1455 tregojnë se këtu, në Kosovë, vetëm 1 për qind e banorëve kanë qenë shqiptarë.
– Më 1389, kur erdhi osmanliu, ai këtu luftoi kundër hungarezëve dhe Car Llazarit. Osmanliu ia mori serbit Kosovën dhe ua la në dorë shqiptarëve.”
Vetëmohimi kombëtar nga vet shqiptarët kishte filluar herët , ashtu në atë mënyrë që ne nuk guxonim as të flisnim e as të reagonim , se pse bëhej në emër të shkencës ““Në universitetin gjysmë të braktisur, ndërsa shokët copëtoheshin nga tanket, në një kthinë të heshtur, një student nga Peja vijonte të shkruante doktoratën e vet “Zanafilla arabe e shqiptarëve”. Është doktor i ardhshëm Muhamed Mufaku. Ai që do t’i gjendej pranë Serbisë në orët e këqija të saj. Më pranë se tanket. Doktorata e Mufakut tridhjetë e ca vite më parë dëshmon se projekti i turqizmit të Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë një frymëzim i rastit” ( Në kafen Rostand f. 172).
“Hoxhë” Irfan Salihu në të ardhmen mund të prezantohet edhe si myderriz, myezin, myftar e çka jo tjetër, por këta tituj të shpifur nuk do t’i bëjnë të besueshme dhe shkencore përrallat e tij. Megjithatë, është e tmerrshme që imamë të tillë kaq të poshtër lejohen të flasin publikisht nga Bashkësia Islame e Kosovës, e cila gjatë viteve të fundit është shndërruar në çerdhe gjarpinjsh antishqiptarë. Me fenë islame kjo propagandë nuk ka të bëjë asgjë. Paraqitjet si kjo e Irfan Salihut janë pjesë e një agjende antishqiptare dhe tregojnë se në çfarë mjerimi gjendemi si shoqëri. ( Enver Robelli )
Një dikush, me emrin E. Bega, paraqet në shtypin shqiptar të Prishtinës dhe të Tiranës librin “Shqiptarët në botën arabe”. Autori i librit është një tjetër dikush, Dr. Mohamed Mufaku, shqiptar nga Peja, i lindur në Damask, me doktoraturë të vitit 1981 në Universitetin e Prishtinës. Siç është zakoni në paraqitjen dashamirëse të botimeve, E. Bega thekson vlerat e librit, në mënyrë të lexuesit, qofshin në Kosovë, qofshin në Shqipëri, të bëhen të ndërgjegjshëm për to. Ja pjese nga teksti i paraqitjes: “Autori na tregon qysh në fillim se midis shqiptarëve dhe arabëve ekziston një traditë e pasur që flet për prejardhjen e shqiptarëve prej vendeve arabe.Kështu, të dhëna të tilla shpalosen së pari në një histori arabe me titullin ‘Tuarih Tuaf’, në të cilin shpjegohet gjerë e gjatë së shqiptarët kanë origjinë arabe. Me vonë këto të dhëna kalojnë në burimet osmane”. ( (Ismail Kadare )
“Deri tani Kadareja u shfaq me qëndrime antiturke, antiaziatike, antikomuniste e antiislame, që i lidh ato me mjeshtëri, kurse tani merret me “makthin” e “arabizmit” të shqiptarëve _-ankohet Dr. Mufaku .Sa vështirë kur dikush ta paralizon mendimine porositur Zoti Mufaku!
Kadareja e kishte përrallosur historianen franceze Nathalie Clayer dhe librin e saj
” “Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë” për veprën e saj “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar” dhe Mufaku e ndiente vetën të ofenduar me qëndrimin e Kadaresë ; normalisht prekëse kur dikush e then teorinë serbe për “prejardhjen “arabe të shqiptarëve
“E për këtë niset nga disertacioni im “Lidhjet letrare shqiptare-arabe” që u mbrojt në Universitetin e Prishtinës në vjeshtë të vitit 1981, dhe u botua si libër në Tiranë më 2009. Pasi që në hyrje është dashur të shkruhet për lidhjet historike është përmendur një traditë e pasur që trashëgohej me shekuj te shqiptarët e te arabët për “prejardhjen arabe të shqiptarëve”. Edhe pse në disertacion flitet shprehimisht se “këto mendime nuk marrin vlerë shkencore” (f. 28 nga disertacioni i botuar në Tiranë), arsyetohet Muhamed Mufaku. Por nese ““këto mendime nuk marrin vlerë shkencore” atëherë pse shkruhe në një disertacion shkencor . Ik ore , ik!
Perandoria Osmane ashtu si na hodhi neve pas për disa shekuj në fushën kulturore dhe shkencore, këtë realizoi me sukses edhe me vendet arabe. Ndalimi i shqipes nuk u bë për të na mbrojtur nga serbet, por për të na asimiluar tërësisht. Shqiptarët që fituan pozita në perandori, nuk i fituan pse ndjeheshin shqiptarë patriot, por pse ndjeheshin osman dhe të gjithë ata qeveritarë osman, pa përjashtim, nuk kërkuan ndryshimin e ligjit, që ndalonte gjuhën e tyre amtare. (Lis Bukuroca )
Për realizimin e kësaj teme , pranë kafësë zezë italiane u sherbeva me të gjithë këta autorë sepse po shkruhet për mua : Fahriu besohet të jetë konvertuar katolik gjatë qëndresës së tij në Kroaci. ( Në Slloveni . Lublanë isha une fxh)Në Jugosllavinë e Titos dhe Sllobodanit ka qenë modë e shërbimit sekret jugosllav që në bashkëpunim me Kishën Katolike dhe Opus Dein të konvertonte tradhëtarët shqiptarë në katolikë, dhe ti bënte ata armiq të muslimanëve shqiptarë të Kosovës. Fahri Xharra është një nga yjet e racizmit, urrejtjenxitjes dhe histerisë kundër muslimanëve në Kosovë. . Ne po e quajmë Xharrën të sëmurë mendor duke shpresuar që shprehjet e tij të jenë vërtet pasojë e ndonjë sëmundje. Këtë e bëjmë për t’a lehtësuar Xharrën nga përgjegjësia e rëndë morale që mbajnë thëniet e tij që ngjajnë me jezuitët e mesjetës në Europë. Në këtë rast Xharra duhet të kërkojë sa më shpejt mjekim. Nëse dëshiron ai mund t’i vizitojë disa mjekë popullorë muslimanë që t’i këndojnë Kur’an dhe t’ja heqin xhindet që ka në kokë ose ndonjë mjek të njohur psikolog nga mjekët e shumtë që ka Shqipëria dhe Kosova.
Dhe këta që e kërcejnë vallen e dreqit shkruajne ” Katoliku fanatik Fahri Xharra, një prej propaganduesve të Shqipërisë së Madhe dhe nacionalizmit të sëmurë laik-katolik, duhet patjetër të vizitohet tek ndonjë mjek psikolog. Nacionalizmi i tij katolik ekstremist dhe racizmi i tij i theksuar po krijon habi tek opinioni i gjerë.” ( diku në shtypin ekstremist islamik)
Të jesh arab apo turk është privilegj në këtë shoqërinë tonë gjithëpërfshirëse shqiptare.
06.04.15, Gjakovë
Integriteti, personaliteti, respekti dhe karakteri i njeriut!
Opinion Nga Faik KRASNIQI/
Sot çmojmë fort njerëzit me integritet (që kanë integritet). Njeriun me integritet duan të gjithë ta kenë në familje, ta kenë komshi, ta punësojnë (së paku në kërkesën formale), ta kenë mik e bashkëqytetar. Por integriteti ka nevojë për dy shtylla të forta e jo të lehta për t’u pasur. E para është ajo që na shkon në mendje sapo përmendet shprehja “me integritet”: karakteri dhe ndershmëria. Shpesh e mbyllim këtu arsyetimin e të qenit me integritet. Por kjo nuk mjafton. Veç ndershmërisë duhet edhe dija. Ndershmëria dhe karakteri janë virtyte vetëm kur i fusin krahun dijes!
Çfarë është personaliteti?
Personaliteti mund të përkufizohet si një grup i organizuar dhe dinamik i karakteristikave të një personi. Fjala “personalitet” rrjedh nga latinishtja personalitet, që do të thotë maskë. Në mënyrë domethënëse, në teatër e Latine-flet botën e lashtë, maskë nuk është përdorur si një mjet komplot për të fshehur identitetin e një karakteri, por më tepër ishte një konventë të punësuar për të përfaqësuar ose typify që karakteri.
Shumë tipare njerëzore lidhen edhe me gjenetikën e individëve si për shembull sjelljet neurotike të cilat kanë lidhje me praninë e madhe të gjenit të serotoninës. Ajo që nuk dihet është mënyra se si tiparet e personalitetit ndikojnë në gjendjen shëndetësore të organeve të ndryshme të trupit edhe pse për këtë qarkullojnë shumë teori.
Çfarë është respekti?
Të jetosh në harmoni me të gjitha qeniet dhe objektet, pa qenë nevoja të bësh vlerësime pozitive. E keqja është e keqe dhe e mira është e mirë. Duke jetuar në harmoni me to i ke respektuar të dyja. Psh. Armiku që na dëmton është sinonim i të keqes, megjithatë duke harmonizuar veprimet dhe sjelljen tonë për kundrejt rrezikshmërisë së tij ne shfaqim respekt. Si të tillë ne i imponojmë respekt edhe armikut. Kur armiku nuk na respekton, atëherë ky është një tregues se ne kemi rënë moralisht dhe kemi humbur harmoninë me botën që na rrethon. Këtu më vjen ndërmend lufta athino-peloponese ku spartanët edhe pse dolën fitimtarë e respektuan armikun e tyre duke mos e asgjësuar atë krejtësisht.
Qytetshteti i Athinës e humbi përfundimisht luftën, lavdinë dhe prosperitetin e saj me 4o4 vjet para erës sonë, dhe mbas kësaj s’e mori më kurrë veten as lavdinë e dikurshme, por mund të kishte pësuar të njëjtin fat që pësoi Troja. Lakedhemonët (spartanët) i respektonin armiqtë ndaj dhe nuk i asgjësonin(shfarosnin) totalisht ata. Ata thjesht i dobësonin deri në atë masë sa të kishin kontrollin. Kjo njihet historikisht si meritë e tyre.
Kështu që respekti imponon respekt dhe si i tillë mund të bëhet shkas për miqësi të forta dhe të qëndrueshme. Nëse dikush nuk e vlerëson respektin tënd, atëherë kjo është e metë e tij dhe si pasojë ai e humbet vlerën por respekti për ekzistencën e tij si qenie qoftë edhe plot të meta qëndron por i kushtëzuar nga rethanat vetëmbrojtëse. Ajo e fundit “shpirtin ta qis” është shumë e ashpër dhe mizore dhe është barabartë me shfaqen e një të mete gjykimi të ashpër që veprimi i tij zbuloi tek karakteri apo qëndrimi yt. Respekt do të thotë ekuilibrim dhe harmoni me botën dhe qeniet që na rrethojnë. Psh. gjarpri dhe krokodili nuk bëhen kurrë miq, por respekti ynë për ta si qenie është detyrim moral ndaj botës (natyrës) dhe qenieve në përgjithësi. Çdo krijesë dhe qenie ka rolin e saj në jetë dhe botë. Thjesht padituria jonë na bën të pozicionohemi dhe gjykojmë gabim.
Çfarë është karakteri?
Karakteri i njeriut nënkupton veçoritë e tij psiqike (intelektuale dhe morale), sjelljet e tij, të shprehura këto në punë dhe në jetën e përditshme. Me një fjalë mund të thuhet se janë qëndrimet ndaj punës: qëndrim indiferent, përtac, i pakujdesshëm, apo qëndrim entuziast, iniciator, i kujdesshëm. Dhe qëndrimet ndaj njerëzve.
Kurse personaliteti nënkupton veçoritë e tij psiqike, sjelljet e tij, veprimtaritë e tij që e dallojnë atë person nga një tjetër. Për të joshur dikë duhet personalitet. Personalitet moral, intelektual dhe fizik. Një person me personalitet të diskutueshëm nuk mund të josh askënd. Dua të them se kur të tjerët vënë re tek ne se kemi një prirje për t’u dukur, jemi të pandershëm, jemi të pashoqërueshëm (të meta të rënda morale këto) atëherë ata jo që nuk do të na duan por do të na përbuzin. Një femër që ka një humor të gëzuar, rri e lirshme në prani të të tjerëve, ka një ndjenjë sakrifikimi, do të joshë qindra burra edhe nëse nuk është e bukur. Mjafton origjinaliteti. Biles femrat e bukura janë në disavantazh në prani të këtyre femrave. Sepse këto kanë një prirje shumë të fortë për t’u bërë interesante tipike, origjinale. Pra bashkë me këto më tërheqëse. Elementet pozitive të personalitetit janë gjakftohtësia (qetësia), vetëkontrolli i vazhdueshëm, besimi në vetëvete, origjinaliteti, ndjenja e realitetit, shpirti i humorit. Personaliteti nuk mund të fshihet. Nëse ke të meta të tjerët do të ta vënë re. Nëse nuk i ke cilësitë pozitive nuk mundesh t’i shfaqësh në marrëdhënie me njerëzit që të tjerët t’i ndjejnë ato. Napoleoni ja dedikon gjithë madhështinë dhe joshjen e tij faktit se realizoi plotësisht personalitetin e tij. Hitleri për pak sa nuk pushtoi botën sepse ushtronte joshje shumë të forta tek bashkëkombësit e vet, i sundonte ata. Edhe ju mund të fitoni një superioritet të tillë moral, intelektual dhe fizik që kushdo t’ju afrohet ta ndjejë këtë dhe të mos mund t’ju harrojë më kurrë.
” HIRI HYJNOR” I SELISHTE KRYEZIUT
“Hiri hyjnor”, si vepër e dimesioneve të mëdha dhe sprovave të mbijetsës së një populli të tërë./
Referim rreth romanit “ Hiri Hyjnor” të autores Hasije Selishta Kryeziu/
Nga Agron Shele/
“ Kosova është gjaku im që nuk falet ”- Ali Podrimja/
Sa herë që preket tematika e Kosovës mendja të shkon tek gjenocidi më i fundit që u krye nga ushtria dhe mercenarët serbë mbi këtë popullsi, tek krimet nga më makabret, tek të rrëmbyerit me forcë që nuk u kthyen më kurrë, tek dhunimet dhe ai marshim biblik i imponuar nga dëbimi masiv. Sigurisht që për këtë akt të pashembullt dhe mesjetar të ndodhur në miljeniumin e dytë në mes të Evropës është shkruar shumë, por zanafilla e një memorieje inteligjente dhe psiko-filozofike, gërmon nëpër këtë plagë të thellë dhe me bisturinë e mprehtë sjell jo vetëm klithmat e kësaj tragjedie, por dhe metastazat dhimbje të shkaktuar në mënyrë sistematike. Përbrenda kësaj suaze dhe me objeksion të qartë autorja tashmë e njohur Hasije Selishta Kryeziu sjell për lexuesin romanin “ Hiri Hyjnor”, i cili për nga karakteri i rrëfimit, faktet rrëqethëse që sjell, stilistika e përzgjedhur, teatri i ngjarjeve dhe zhvillimeve, ndërtimi strukturor, si dhe trajtesa social-psikologjike, të bën të kuptosh se proza e shkruar vjen jo vetëm si gjurmë që do i shërbejë kujtesës historike, por dhe si vepër e mirfilltë letrëre që do ndriçijë në fonetekën e letrave shqipe. Që në fillim ndeshesh me realitetin e grishës të pasluftës, i cili në mënyrë koshiente përjetohet tronditshëm dhe plekset tek ajo e shkuar plot sakrifica e dhimbje, e cila duke kaluar para spektrit të moshës rinore, por me metastaza nga bota fëmijërore shpreh jo vetëm traumat e shkaktuara nga gjithë kjo tragjedi, por ngre dhe aktakuzën e madhe për denacimin e gjithë kësaj dhune dhe për më tepër mosreflektimin pas gjithë këtyre akteve çmendurie, akte që nuk kanë kriminalizuar instuticione ose segmente të veçanta të një shteti, por gjithë popullin e tij. Narrativiteti i këtij romani dhe mënyra e përshkrimit, i cili përbën dhe gjetjen stilistikore të autores, vjen larg shablloneve të krijuara, ose modeleve të ngurtësuara apo formave klasike, por në paratezë të zhvillimeve dhe marrëdhënieve që krijohen, gërshetohet dhe krijon një trinitet rolesh (ai që e përshkruan, ajo që rrëfehet dhe personazhi kryesor) dhe e gjithë kjo në funksion të plotësimit dhe dhënies së hapësirës së duhur të shtrishmërisë së gjithë subjektit të veprës. Vlen të theksohet se në gjithë këtë shtjellim kemi format dualiste, të cilat vendosin përballë etikat dhe konceptet mentale-shoqërore, kemi përballjen e familjes që e solli në jetë Furtunën (Elizabetën) dhe familjen adoptuese, që ka birësuar një fëmijë në mënyrë krejt spekullative dhe të pa arsyeshme, kemi nënën e vajzës, e cila për t’ u paraqitur si personazh sinjikativ plotësohet me elementët e natyrës ( furtunë dhe stuhi jashtë, furtunë dhe stuhi në shpirtin e saj), por dhe Sllavicën, e cila në mënyrë krejt arbitrare, që me të drejtë alegorizohet nga autorja si shtrigë e djall, fshin jetët e lindura nga skedat e regjistrit themeltar, për ti shitur më pas tek birësuesit e mundshëm. Një tjetër pikë kyçe e këtij romani është dhe trajtesa metafizike dhe gati hipnotizuese e ndërlidhjes midis vajzës dhe babait (Yllit), ndërlidhje që në mënyrë subktive vjen nëpërmjet zërit dhe formave të çrregullta të imagjinatës, që shfaqet si hije netëve të tij të pafundme, e cila thërret pareshtur nga përtej koshiencat dhe kërkon ndjekjen e gjurmëve të jetës, rrënjëve të patjetërsuara të gjakut, vetë hirit hyjnor. Gjithashtu, veçanësia e kësaj vepre qëndron tek forma e komunikimit midis personazheve, konkretisht tek monologu, i cili rrit jo vetëm forcën artistike dhe prek pikat kulminante, por e bën dhe më identifikues dhe grishës për lexuesin, pasi nëpërmjet dialogut të përbrendshëm (Ylli, Shpresa, Elizabeta dhe Zhaku) ravijëzohet koncepti botëkuptimor dhe psikologjik i tyre, si dhe jepet ideja bazë e hedhur nga vetë autorja. Për të analizuar këtë vepër duhet të ndalesh tek aspektet kryesore që përbëjnë dhe thelbin e vërtetë të gjithë kësaj prurjeje prozaike, tek boshti qëndror që e përshkon, tek fryma angazhuese e autores, si dhe përqasja që përafron momentin tragjik e historik të një populli të tërë, sikurse ishte kalvari përjetues i popullit kosovar me refleksionin si proçes, por që fatkeqësisht nuk po ndodh me shkaktarët e vërtetë të saj dhe e gjithë kjo në funksion të qëllimit të madh e të shenjtë, që drama të tilla të mos përsëriten më kurrë.
Përshkrimi si editim i realitetit të përjetuar
Autorët janë ata që i përjetojnë dramat e popullit të tyre më shumë se kushdo. Në këtë kontekst, shkrimtarja Selishta paraqet tablon e gjallë të gjithë atyre ngjarjeve që kanë ndodhur para lufte, gjatë luftës dhe pas saj, përpjekjen e kahershme të një populi martir për të drejtat legjitime të tij. Nisur nga kjo tematikë ajo ndërton teatrin e gjerë të personazheve të saj dhe të gjithë këta të vërtitur rreth kryepersonazhes Elizabeta, e cila është jo vetëm pika referuse qëndrore, por dhe pika ndërlidhëse që i mban të bashkuar dhe pjesë të gjithë zhvillimeve në vepër.
Jehona është personazhi i ftillimit të gjithë fabulës, e cila për nga roli i vendosur ka dimesionin dhe figurën shumëplanëshe, figurë që deshifron dhunën dhe kalvarin e përvuajtjes së vajzës kosovare, figurë që deshifron dramën e Elisabetës, figurë që proklamon përditshmërinë e përjetimit të pasluftës, si dhe figurë që sjell nëpërmjet gjuhës së autores përnjohjen dhe dualizmin mes dy familjeve, të cilat për nga koncepti, hapësira kulturore dhe ajo gjeografike që i ndan përbën dhe pikat më të larta kulminante.
Nga njëra anë operojnë familjarët biokogjikë (Ylli me Shpresën), ndërsa në krahun tjetër familja adoptuese (Zhaku dhe Zhana), të cilët pas shumë peripecish dhe endjesh nëpër hulli botëkuptimesh të ndryshme, i japin zgjidhje problemit, zgjidhje që mjeshtërisht jepet në mënyrë të tërthortë dhe përbrenda vullnetit të vajzës.
Rrëfyesi i vërtetë i gjithë kësaj ngjarjeje, i cili sikurse e cituam edhe më lart plotëson trinitetin e strukturës së ngritur nuk është as mistik dhe as i fshehtë, por identifikohet në vetën e parë “unë”, i cili nëpërmejt epilogut, përpiqet që mbi gërmadhat e jetës së shkuar të ndërtojë një jetë të re (me persoanzhin dytësor Vila), larg dëshpërimit dhe depresioneve të luftës, larg trishtimit dhe dashurisë së humbur “Lamtumirë, Fjolla ime e dashur! Lamtumirë!” .
Personazhi negativ dhe tipizues i gjithë atij pervesiteti shoqëror është Sllavica, e cila me një të rënë të lapsit fshinte jetën e një krijese të lindur, vetëm e vetëm pse ishte foshnjë shqiptare, akt sa makabër aq dhe i tmerrshëm. Ajo që vlen të theksohet është se edhe pas gjithë kësaj drame të shkaktuar tek ky personazh nuk shikohet asnjë shenjë reflektimi, asnjë shenjë fajësie, ide e qartë kjo e autores për të zhveshur dhe diskretituar ligësinë njerëzore, e cila nuk ishte burim i kufizuar, por anë mentale e një shteti të tërë.
Aspekti psikologjik i veprës letrare
Një nga veçoritë kryesore të kësaj vepre letrare është trajtimi psikologjik që i bëhet realitetit shoqëror kosovar, realitet që përkon me fatalitetin dhe dhunën sistematike ekstreme të ushtruar, e cila ka lënë pasoja të shumta dhe përjetimë që ndoshta nuk fshihen kurrë nga kujtesa. Diku ndeshesh me vajzën e dramatizuar, që edhe zhurma më e vogël i humbet arsyen dhe e kalon në gjendje shoku, diku tjetër me babain që falet para bustit të heroit, si të jetë busti i djalit të tij, më pas ndeshesh me fëmijën jetim që falet para shtatores së Nënë Terezës, diku me gruan e leckosur që thërret birin e vrarë, diku tjetër me mësuesen që emërton lulet me emrat e fëmijëve që i kanë vrarë në orën e mësimit, e diku e diku pa fund… Përdorimi i monologut e bën shumë më të theksuar këtë aspekt dhe definiton katërcipërisht idetë dhe përjetimin njerëzor si qënie emocionale, qënie e arsyeshme, qënie humane, qënie shoqërore, por dhe qënie shtazarake. Efekti psikologjik jepet qartë nëpërmjet kryepersonazhes, Elizabeta, e cila shpesh përjeton dualizëm ndjenjash, hera – herës kontradiktore, por bashkëshoqëruese dhe pjesë e pandarë e vizualitetit dhe konceptualiteve mentale të saj. Personazhi tjetër, Ylli, zhytet në iluzione të pafundme dhe ashtu në gjendje haluçinacioni ndjek parandjenjat dhe ëndrrën e tij, ndjek zërin hyjnor dhe imazhet e çrregullta, të cilat dhe ashtu të turbullta hedhin dritëhije mbi egzistencën e vajzës së tij. Monologu i Shpresës është sinjikativ dhe ndër më kulminantët, jo vetëm për trajtimin psikologjik si nënë, por edhe për veshjen e botës së saj me elementët e natyrës dhe ajo që është më e rëndësishme për vetë ndërlidhjen që krijon në raportin si pacinete me Sllavicën ( infermierie -shtrigë).
“Shpresa donte që para syve të kishte vetëm një portret, atë të Furtunës së saj të dashur. Ndoshta kjo do e qetësonte, por nuk arrinte gjithsesi. Gjithçka ishte shndërruar në furtunë. Furtunë brenda, furtunë jashtë. Shpresa zgjaste duart në mënyrë krejt instiktive dhe të pakontrolluar, sikur donte diçka të prekte. Po më kot. Tani nuk lutej më, por mundohej diçka të arrinte.
– Furtuna!
Në mendjen e Shpresës aq shumë ishte fanitur ajo natë e tmerrshme, sa e kishte ndjekur pas për tërë jetën. Në thellësinë e gjendjes së saj patologjike po ringjallej një Furtunë, që kaherë kishte vdekur, por që fatkeqësisht nuk i kishte lënë asnjë kujtim, që së paku ta kishte si shenjë që të ndante së paku ndonjë çast me të.
Fryjti një erë drejt saj, e cila i valëzoi dhe i fluturoi flokët nga supi. Më pas u shndërrua në uragan dhe filloi t’ i tërhiqte më me forcë. Por kurrsesi ti shkulte. Ato ishin ngulitur mirë në kokë, aq thellë ishin rrënjosur, sa dashuria e një nëne që mbetet në zemër për jetë. Ajo erë e tronditi Shpresën. Një pikë loti rrodhi faqeve të saj të purpurta dhe u shpërnda në tokë. Aq i madh ishte, sa që njerëzit filluan të iknin tmerruar. Ishte loti i nënës që mallkonte gjithkënd që i prek dhe i bën keq foshnjës së saj. Vendi përreth ishte boshatisur, aty mbeti vetëm Sllavica. Ajo i përulej Shpresës. Lutej dhe përgjërohej para saj. Shpresa nuk kishte fuqi që ta falte, por as të hakmerrej. Vetëm e shikonte me vështrim mëshirues.”
Fragmenti i shkëputur përflet shumë, rrëfen të parrëfyerën e një nëne, anën dramatike të përjetimit dhe çastin fatal, kur kupton se si dhe kush e ka rrëmbyer foshnjën dhe së fundi pas gjithë kësaj dhimbjeje ajo nuk është më në gjendje të urrejë (rrënjosje karakteri), por vetëm mëshiron.
Shtrishmëria e veprës kapërcen teritorin e vogël dhe të ngushtë dhe rifiton dimesionin e hapësirës, jo vetëm gjeografikisht por dhe atë kulturore, sikurse është Franca. Vendosja përballë e dy kulturave të ndryshme, imponon tek Zhaku trajtim tjetër mental dhe psikologjik të fenomenit, i cili ringrihet mbi veten, pasi si birësues mund të humbiste edhe vajzën, por me ndërgjegjie të plotë ndërmerr gjithë hapat e duhur, që vajza të gjejë prindrit e vërtetë dhe së fundi ai të rifitojë paqen e humbur me veten dhe më pas me mjedisin përjetues.
Vepra e autores Hasije Selishta Kryeziu që në titull të grish dhe të bën të kuptosh se pas këtij hiri hyjnor fshihet diçka shumë më e thellë, shumë më e madhe, shumë më kuptimplote, shumë më identifikuese, ashtu sikurse është rrënja e gjakut që thërret dhe të rikthen tek trungu i etërve, të cilët ashtu nëpër përzhitjen e flakëve të luftrave kanë mbijetuar për të treguar të kaluarën, të sotmen por dhe të nesërmen patjetërsueshme të tyre.
HESHTJA E KRIMIT TË GJENOCIDIT MBAN PLAGËT E HAPURA!
Padia për gjenocid dhe reagimet serbe/
Nga Bardhyl Mahmuti*/
Secili që ka përcjellë me vëmendje rrjedhat politike në Kosovë ka mundur të vërejë se sa herë që është përmendur mundësia për ta paditur Serbinë për gjenocidin e kryer kundër shqiptarëve në Kosovë reagimet serbe janë të menjëhershme.
Ju kujtohen reagimet e ashpra të Serbisë kundër deklaratës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Thaçi. Jo vetëm politikanët e Serbisë, por edhe ata që pretendojnë se janë “ekspertë të së drejtës ndërkombëtare” të këtij shteti pretendonin se Kosova nuk ka të drejtë të paditë Serbinë për gjenocid.
Reagime të njëjta u bënë edhe në raport me iniciativën e PDK-së që Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë, përmes së cilës obligohen institucionet e shtetit të Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme përgatitore për ngritjen e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Më i zëshmi nga reagimet serbe ishte Drejtori i Zyrës së Serbisë për Kosovë, Marko Gjuriqi. Në deklaratën e tij për Radio-Televizionin e Serbisë ai e cilësoi propozimin e PDK-së si “aventurë politike” dhe “hedhje e kripës mbi plagën”.
Sado që qarqet serbe përpiqen ta minimizojë faktin se në Kosovë po shtrohet domosdoshmëria e përgatitjes së padisë për krimin e gjenocidit, reagimet serbe nxjerrin në shesh frikën e pushtetit të Beogradit të përballet me akuzën për gjenocid.
Kjo frikë e ka burimin te faktet e shumta se Serbia e Millosheviqit kreu gjenocidin më të shëmtuar në fund të shekullit XX. Të gjitha provat që posedojmë dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme se shteti serb ushtroi një fushatë të përmasave të mëdha dhe sistematike që kishte për qëllim të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht popullin shqiptarë të Kosovës, si të tillë.
Ngritja e akuzës për krimin e gjenocidit nuk është as “marketing për konsum të brendshëm politik”, as “aventurë politike” e as “hedhje e kripës mbi plagën”. Përkundrazi, heshtja e këtij krimi dhe mosndëshkimi i gjenocidit mban plagët e hapura .
Qeveria e re e Serbisë duhet ta pranojë publikisht të vërtetën se në Kosovë regjimi i Millosheviqit kreu krimin e gjenocidit dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të merr përgjegjësinë që i takon për riparimin e tërësishëm të dëmeve që ky shtet i shkaktoi popullit shqiptar të Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë do të krijoheshin parakushtet për të ngadhënjyer drejtësia dhe të mbylleshin plagët e hapura.
*(Autor i librit «Mashtrimi i madh» në të cilin argumentohet shkencërisht se në Kosovë është kryer krimi i gjenocidit)
- « Previous Page
- 1
- …
- 52
- 53
- 54
- 55
- 56
- …
- 70
- Next Page »