• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2015

KOMUNITET- KA NDERRUAR JETE MILTO NASTI, I BIRI I VATRANIT TE HERSHEM LASKO NASTI

April 4, 2015 by dgreca

ISH KONSULLI DRITAN MISHTO NJOFTON/
Ish- Konsulli i Pergjithshem Dritan Mishto njofton me hidherim te thelle humbjen e vjerrit te tij te dashur Milto Nasti.
Miqte, shoket dhe dashamiret ftohen per lamtumiren e fundit ne LaBella Funeral Home me adrese 70-17 Cooper Avenue, Glendale, NY 11385.
Diten e Marte 7 Prill.
Ne oren 2 pm – 5 pm dhe 7pm – 9 pm.
I ndjeri Milto Nasti ka qene gjithmone prane Federates Panshqiptare Vatra. Ai eshte djali i patriotit Lasko Nasti, ish anetar i hershem i Vatres.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dritan Mishto, Milto Nasti, nderroi jete, Njoftim

Ipeshkvi i Kosovës u uron Pashkët besimtarëve

April 4, 2015 by dgreca

“Historia na dëshmon se një popull i cili ka shpresuar për të ardhmen e vet, s’ka gabuar kurrë”, thekson Ipeshkvi Gjergji./
Prishtinë, 4 prill 2015 – Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, në mesazhin e tij për Pashkët, ka uruar më shumë shpresë për të ardhmen e besimtarëve të krishterë dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Lutja jonë i drejtohet Zotit të Ringjallur, që të na ndihmojë për të ndërtuar një të sotme më pak të dhimbshme dhe një të ardhme plot shpresë”, ka thënë ai.
Ipeshkvi Dodë Gjergji ka shprehur keqardhje për gjendjen e pashpresë që është krijuar në Kosovë dhe për këtë ai i bën përgjegjës udhëheqësit politikë të Kosovës.
“… edhe ata që u angazhuan për liri insistojnë të na bindin se liria është privilegj i disave, prandaj e duan kontrollin mbi lirinë dhe mundësitë, sepse ju shërben për interes dhe pushtet”, thekson Ipeshkvi Gjergji.
Lexojeni mesazhin e plotë i Dodë Gjergjit:
“Meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve,
vëllezërve në fe dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë!
Fort të dashur,
pas lutjes e agjërimit kreshmor, po përgatitemi solemnisht të kremtojmë festën e madhe të Pashkëve, që është festë e Besëlidhjes së Re, festë e Ngjalljes së Jezusit të Kryqëzuar, festë e gëzimit dhe e shpresës së krishterë.
Festa e Pashkëve është kremtim i ngadhënjimit të hirit hyjnor mbi ligështinë njerëzore, i jetës mbi vdekjen, i mëshirës mbi urrejtjen dhe festë e paqes dhe pajtimit mbi hakmarrjen. Me ngjalljen nga vdekja të Jezusit të Kryqëzuar në Kalvar, e mira, njëherë e për gjithmonë, e ka shpall fitoren kundër së keqes. Me këtë akt dashurie, të gjithë njerëzimit iu është kthyer shpresa, sepse Hyji ashtu sikur e ngjalli Jezusin, do të na ngjallë të gjithëve në ditën e lavdisë së Tij.
Në të vërtetë, Zoti, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, është kujdesur që ta mbushë me shpresë zemrën e njeriut besimtar, kurse njeriu duke shpresuar me gjithë zemër s’ka pushuar asnjëherë duke lavdëruar dhe duke e falënderuar Zotin, nëpërmjet lutjes, agjërimit e sakrificës. Këndej në historinë e shpëtimit, Hyji shpeshherë i është ofruar njeriut me ofertën e shpëtimit, me dhuratën e shpresës dhe ka “lidhë besë” me krijesën e vet – njeri. Kujtojmë se si Hyji e nxiste Noehun të shpëtonte familjen e tij dhe farën e jetës mbi tokë; se si Hyji pëshpëriste në zemrat e profetëve, që të shpresonin në Zotin; se si Zoti i foli Moisiut që ta shpëtonte popullin e zgjedhur nga robëria e Egjipti. Dhe më në fund, sesi Zoti e tha fjalën përfundimtare në Krishtin, duke e ofruar vetën e Tij si shpërblim për mëkatet tona, ashtu që të na shpëtonte nga mëkati dhe vdekja. Kështu, mund të themi se e gjithë historia e sipërmarrjes së Zotit, për të na shpëtuar, është vepër dashurie dhe fryt i besëlidhjes. Vetëdija e tillë, plot fe dhe shpresë, na bashkon në mrekullinë e të Ringjallurit, i cili duke ndryshuar zemrat e njerëzve, themelojë një bashkësi të re njerëzore, e cila shpreson dhe beson se nuk do të vdes, por do të jetojë për amshim dhe se Krishti do të vijë përsëri në lavdinë e vet.
Kisha është institucioni i shpresës, që bashkon të bijtë e Zotit në uratë e në dashuri, e së bashku me ta, pret ardhjen e Krishtit me lavdi. Prandaj, të krishterët janë të thirrur që nëpërmjet dashurisë hyjnore, që iu është dhuruar, të mbajnë të ndezur dritën e shpresës brenda zemrave të tyre. (khs. 1 Pjt 3, 15). Kurse, Kisha është institucioni hyjnor në botë me përgjegjësi të veçantë “… që të mbajë të ndezur dhe të dukshëmkandilin e shpresës, sepse duhet të shkëlqejë si shenjë e sigurt shpëtimi dhe të ndriçojë vetëdijen e gjithë njerëzimin duke i çuar ata në përballje me fytyrën e dhimbshme dhe të mëshirshme të Zotit.” (Papa Françesku).
Të dashur miq,
ne të krishterët, edhe pse jemi të bijtë Zotit dhe të shpresës, në të njëjtën kohë jemi edhe protagonistë të jetës shoqërore, dhe brenda saj, angazhohemi të mbjellim vlerat themelore dhe konceptin bazë për mirëkuptimin mes njerëzve, që të gjithë njëzëri t’mund të këndojmë në kor himnin e dashurisë dhe të paqes, në nder të Hyjit Atë.
Mirëpo, kur e vëzhgojmë realitetin tonë atëherë shohim se si keqpërdoren të mirat e përbashkëta, se si rrënohet e ardhmja nga papërgjegjësia. Shohim po ashtu se si njerëzit të zhgënjyer lëshojnë vatrat e tyre familjare dhe ikin, “me krye n’grusht”, në drejtim të panjohur. Pothuajse për çdo ditë dëgjojmë për vrasje dhe vetëvrasje, për mosfunksionimin e sistemit në tërësi, korruptimin e pushtetarëve, arrogancën e të pushtetshmëve dhe pamirësinë e të pasuruarve, e shumë gjëra të ngjashme me këto. Këndej, njerëzit e zhgënjyer, të dëshpëruar e të trishtuar, shpeshherë dhe shumëkund, shtrojmë pyetje të shumta: Si është e mundur që ne, të cilët për hir të paqes, duruam dhunë dhe padrejtësi të paparë, kurse për ndërtimin e saj, nuk jemi të gatshëm të sakrifikojmë asgjë? Si është e mundur që ne kur s’kishim thuajse asgjë, gjenim mundësi për të ndihmuar, për të ngushëlluar dhe për të motivuar vëllazërisht njëri-tjetrin, e tani kur kemi shumë më shumë të mira, s’duam të dëgjojmë për nevojat e njëri-tjetrit. Bile, nganjëherë, duam t’ia grabisim të ardhmen të afërmit tonë! Si është e mundur që ne, të cilët ishim të gatshëm të jepnim jetën në këmbim të lirisë, sot s’jemi të gatshëm të sakrifikojmë asgjë për jetësimin e sajë? Si është e mundur që, pas luftës, njerëzit me shpresë ktheheshin në shtëpitë e djegura dhe të rrënuara, ndërsa sot të dëshpëruar ikin prej shtëpive të rregulluara dhe prej të mirave të krijuara?
E gjithë kjo ngjanë, sepse ata që u angazhuan për paqen, tani përpiqen që ajo të jetë e shterpë, sepse kanë frikë nga frytet e saja. Ata e dinë mirë se, nëse të gjithë do t’i shijojnë frytet e paqes, atëherë s’do të guxojnë ta shfrytëzojnë të mirën e përbashkët, në dobi të familjes dhe miqve të vet. Në anën tjetër, edhe ata që u angazhuan për liri insistojnë të na bindin se liria është privilegj i disave, prandaj e duan kontrollin mbi lirinë dhe mundësitë, sepse ju shërben për interes dhe pushtet. Kështu si “poseduesit e paqes” ashtu dhe “përdoruesit e lirisë”, duke mbjell zhgënjim, po e vrasin shpresën e njerëzve.
Motra dhe vëllezër fort të dashur,
nga përvoja profetike mësojmë se shpresa nuk vdes “[…]edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes[ …]” (Ps 23, 4a). Historia na dëshmon se një popull i cili ka shpresuar për të ardhmen e vet, s’ka gabuar kurrë. Kisha ndër shqiptarë është shembulli më i mirë i guximit për të shpresuar, sepse ajo që nga e kaluara e lashtë asnjëherë nuk është dorëzuar para disfatave dëshpëruese dhe me guxim iu është kundërvu gjitha të këqijave të kohërave. E frymëzuar nga Ringjallja, gjithnjë ka gjetë motivacion për ta rikthye shpirtin e shpresës dhe ka shërbyer si kandil i ndezur shprese në zemrën e kombit, dhe atë në rrethana tepër të errëta.
Të shpresosh është e barasvlershme me të besosh, të mbështetësh në dikë apo diçka që siguron çiltërsinë e ecjes së sigurt drejt të ardhmes. (khs. SS, 1-3). Kjo është shpresë e brendshme, që buron nga zemra e atyre që besojnë dhe me fe shpresojnë në Zotin – Shpresa që nuk zhgënjen. Së këndejmi, edhe sot, guxojmë t’i ftojmë të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të punojnë dhe me dashuri të shpresojnë se mund të ndërtojnë një të nesërme më të mirë, pavarësisht vështirësive dhe sfidave që duhet t’i përballoj e sotmja; që mund të ndërtojmë një shoqëri më të shëndosh, pavarësisht padrejtësive që i përjetojmë; që mund të kemi një jetë më të mirë, pavarësisht se këtë copë jete që quhet “sot” nuk kemi kushtet për ta përdorur më së miri.
Si besimtarë, besojmë thellësisht që Zoti mund të ndryshojë zemrat e njerëzve, që të lanë të këqijat e tyre dhe të vihen në shërbim të së mirës. Ndaj, me shpresë lutemi që shpërdoruesit e paqes dhe keqpërdoruesit e lirisë të kthehen në shërbyes dhe promovues të këtyre vlerave në shoqërinë tonë. Përçarësit dhe mbjellësit e urrejtjes mes vëllezërve, le ta rizbulojnë dashurinë dhe vlerën e pajtimit, që ushtruesit e përgjegjësive shoqërore dhe politike të ndryshojnë mendësinë egoiste dhe dëshirën lakmitare në shërbim dashurie dhe përgjegjësie.
Me këtë njet e për të mira që kemi nevojë, lutja jonë i drejtohet Zotit të Ringjallur, që të na ndihmojë për të ndërtuar një të sotme më pak të dhimbshme dhe një të ardhme plotë shpresë. Kjo nuk do të thotë assesi, një dorëzim fatalist, “kur s’ke çka ban”, por një guxim i shpresës që beson në vetvete, nuk plogështohet e as nuk dorëzohet, por i kundërvihet asaj me dashuri.
Me shpresën e të Ringjallurit – shpresë e mbjellë në zemrat tona, vi tek të gjithë ju me dëshirën e bariut për t’ju uruar: për shumë mot e me zemër t’bardhë Pashkët”, thhet ne mesazhin e Ipeshkvit Gjergji.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Dode Gjergji, Ipeshkvi i Kosovës, u uron Pashkët besimtarëve

AT GJERGJ FISHTA-NGADHNJIJA E KRYQIT

April 4, 2015 by dgreca

NGADHNJIJA E KRYQIT/
1 Nji ditë nder dit atje n’qytet t’amshuem,/
Kur enè ky ligjë t’randë mbarë dheut i vęte,/
Nji Galileas, peshkatár i shuem,/
Atje po zęte./
2 As n’kambë koturn, as togë mbi shtat nuk kishte,/
As shpatë mizore nuk i varej ijes;/
Por veç nji Kryq visari i tij t’tânë ishte,/
T’ tânë shęj’ i madhnijes./
3 Me atë Kryq në dorë atje m’atë ditë ai duli/
E n’sŷ t’Cezarit, t’ Rromës e t’rruzullimit
Në Vatikan ai Krygjen shęjte e nguli
Shęj’n e Shelbimit.
4 Ehu ! kush kisht’ thânë atë herë se n’t’endun t’motit
Cezari e Rroma e rruzullimi unjí
Do t’i a perkulshin gjű’n korís s’Golgotit
Me pervujtni ?
5 Kush kishte thânun se nji bimë zabelit
N’vedi do t’kishte njaq fuqí grumbllue,
Sá shekllit t’ rręjshem fill e prej themelit
Faqe me i ndrrue?…
6 Po, rán n’dritë t’Kryqit idhujt e u rroposen,
Augurt u zhduken, tempujt edhe u rrxuen:
Dodona, Delfi, fallet edhe u sosen
Krejt u harruen.
7 T’ randat veriga u kputen t’robënís,
Tirajt fashiten, doket edhe u dliren;
Habitun fiset t’tâna t’rrokullís,
Kah Kryqi u priren.
8 E n’rreze t’Kryqit, m’t’ cillen vetë Dashtnija
N’mjet tokës e qiellit pezull ndęj per né,
Ata me njohtun xűn se ç’âsht vllaznija
Permbi ketë dhé.
9 Shűjten e dhunshme shkrehi Kanibali,
Robin bujari e thirri vllá n’sy t’Lumit,
E, zęmerdhimbshem, me dorë dhânse ndali
Lott e t’mjeruemit.
10 S’i dau mâ popujt gjuha, e tregu, a fisi,
As s’i dán lume, as male te madhnueshme,
Por u njisuen per Kryq, si degë t’njaj lisi,
Me Fé t’hyjnueshme.
11 Nen ligjë t’dashtnís filloi me gzue atë herë niri
Njatë kohë lirijet prej kahmot t’premtueme,
T’cillen me e dhânun sheklli nuk ka hiri
Veç Krygjes s’lume.
12 T’falem, o Krygjë, shpresa e rruzullimit,
Qi kohen arit, prej Profetësh permendun
E kndue nder kanga, vetem ti njerzimit
Nise m’i a endun.
13 T’ vertetë lirín, po, nierit ti i a prűne,
Popuj e fise me dashtní vllaznove,
T’padijes terrin n’shekull ti perzűne:
Dhén qytetnove.
14 E ků janë rritë veç hijes s’ate burrat,
Qi do t’permenden per sá t’rrjedhe jeta,
Të cillt kerkuen e gjeten t’dijes gurrat
T’kjarta e t’verteta?
15 N’per rreze t’ua Toma, po, e Augustini
Fleten e mendes rrahen nalt kah qiella,
E punët, qi njeh n’Parrěz veç Kerubini,
Na i zbluene t’kthiella.
16 Mjeshtrit i a mbajte doren nder punë t’mbara,
E bukurí Ti para sysh na qite,
Popull a fis qi kurr n’ketë jetë perpara
Njohtun si ki’te.
17 Ti t’shkretë mundqarit i a bekove punen,
E lot mbi dhé nuk lae me rá pa hiri;
Travajët e thyeshme pse shęjtnove e dhunen,
Qi pson i miri.
18 Po, sod këndon robnesha nder travajë,
Kahdo qi âsht shtrî mbretnija e jote e lume,
Ke e din ajo se edhe per fmij të sajë
E ka ‘i jetë t’gzume.
19 O Krygjë, o gurrë, kah rrjedhë per né gjith mshrira.
Deh! Shtrij krahët t’ú kahdo rreh dielli e hâna,
E fise e popuj, sa permbledhë hapsira,
Pershîj të tâna.
20 Pse veç atje, kű kapë mbretnija e jote,
Lirín e pagjen gzon n’ket jetë njerzimi,
Sundon dashtnija, shpresa s’âsht e kote:
Gjindet shelbimi.

Atë Gjergj Fishta, “Ngadhnija e Kryqit”, “Vallja e Parrizit”, bot. II, Shkoder, Sh. Bot. “Atë Gjergj Fishta”, 1941, fq 11-1

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Fishta, NGADHNJIJA E KRYQIT

E Shtuna e Madhe e Pashkëve: Kisha rri pranë varrit të Jezusit

April 4, 2015 by dgreca

Të Shtunën e madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Kisha rri pranë varrit të Jezu Krishtit, duke medituar mundimet dhe vdekjen e Tij. Pra, në këtë ditë të Shtune të Pashkëve, Kisha nuk kremton Eukaristinë – Meshën e Shenjtë. Altari, pika qendrore, në të gjitha Kishat, në këtë ditë është i zveshur në shenjë zie e përkujtimi të mundimit e vdekjes së Shëlbuesit të botës, Jezu Krishtit. Vetëm pas Vigjiljes kremtore – pas kësaj nate të pagjumë të së Shtunës së Madhe të Pashkëve, fillon e gëzimit të Ngjallurit të Krishtit, fillon koha e Pashkëve e cila zgjat për 50 ditë, deri në festën e Rrëshajëve – Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot.
Sonte është Vigjilja e Ngjalljes së Krishtit. Nata më e bukur, Nata më e Shenjtë, pika kulmore e tërë vitit kishtar, thelbi i tërë fesë sonë të krishterë. Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve, gjithçka përkon, gjithçka kondensohet dhe merr kuptim të ri në Dritën e saj shpëtimprurëse. Është një ritual, ai i liturgjisë së shenjtë, i ngarkuar me simbole, një “memorial” – “kujtesë” reale dhe e mistershme e tërë historisë dramatike të shpëtimit të njerëzimit, që realizoi Jezusi. Zoti i prini popullit të zgjedhur gjatë historisë së tij të vështirës deri në tokën e premtuar, deri në çlirimin e tij përfundimtar, që është çlirimi nga mëkati e nga vdekja e amshuar. Pashkët, që do të thonë kalim, tregojnë pikërisht kalimin e njerëzimit nga errësira në dritën e Zotit; kalimin nga mëkati në falje; nga urrejtja në dashuri; nga vdekja në jetë.
Thamë se Vigjilja e Pashkëve është përplot me SIMBOLE. Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve kemi bekimin e dy elementeve të rëndësishme kozmike: zjarri i ri dhe uji, simbole që kanë një domethënie të madhe biblike, që tejkalojnë kufijtë e historisë e të kohës. Një tjetër simbol, është QIRIU i madh, i bardhë që ndizet nga zjarri i ri që bekohet në fillim të liturgjisë hyjnore të kësaj Nate të Pashkëve. Është Qiriu që përfaqëson e simbolizon fitoren e Dritës së Krishtit të Ngjallur mbi errësirën e vdekjes, Dritë që ndodhet midis historisë së vjetër e historisë së re të njerëzimit, është Alfa e fillimeve metakozmike dhe Omega e metahistorisë, simbole të Fjalës së Hyjit që është para të gjitha kohërave dhe që i mbyll të gjitha kohërat, ndërsa data e vitit, e gdhendur në Qiri të Pashkëve, 2015, na tregon se Jezu Krishti rrënjoset thellë në historinë e përditshme, në historinë tonë të sotme, krah për krah me njeriun, për të fituar mbi errësirën e mëkatit, të vdekjes, të pakuptimit, të dhunës, të egoizmit, të asgjësë që josh çdo krijesë, të akullsisë së shpirtit.
Sipas ritit të liturgjisë së Dritës të Natës së Pashkëve, Qiriu i Krishtit të Gjall, zhytet në ujë të bekuar për të simbolizuar frytet e begatshme të Shpirtit Shenjt, në mënyrë që të krijojë bijë të tjerë të Hyjit me anë të Pagëzimit, Sakramentit të rilindjes sonë shpirtërore. Diakoni, duke marrë Qiriun e madh në dorë, simbol i Dritës ë Ngjalljes së Krishtit, gjithnjë sipas ritit të liturgjisë së kësaj Nate të Pashkëve, përshkon Kishën të zhytur në errësirë dhe me zë të madh i kumton asamblesë së besimtarëve të pranishëm Ngadhënjimin e Jezu Krishtit mbi vdekje. Është momenti kulmor i lajmërimit të Ngjalljes së Krishtit. Kështu, Kisha na fton t’i dëgjojmë fjalët që lajmërojnë fitoren e Krishtit të Gjall mbi vdekje, që kumtohen në çdo Kishë për të gjithë.
Kremtimi i Natës së Pashkëve vijon me liturgjinë e Fjalës së Hyjit. Dymbëdhjetë lexime bible nga Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re si një afresk gjigant i “historive të mëdha të familjes”, që nga tregimet e krijimit, nga tregimet e ndrojtura të fillesës deri në vizionet e profetëve dhe në thirrjet e Shën Palit për t’u bërë “njerëz të rinj”.
Pastaj, festa e madhe në tryezën e lulëzuar për të komunikuar me Qengjin e Pashkëve, me Krishtin e vdekur e të ngjallur për ne, që shkëlqen mbi errësirat e mbi vetmitë shkatërrimtare dhe i jep kuptim, shije, shpirt e perspektivë ultrahistorike ngjarjeve dhe jetës njerëzore. Të kuptosh këto simbole, të jetosh realitetin e tyre do të thotë të hysh në më të madhin e mistereve me të cilat është mbështjell njeriu, do të thotë të kalosh “pyllin e simboleve” për të dalë në një kopsht në të cilin një gur i hequr mënjanë le të shihet një varr bosh: janë Pashkët e njeriut e të kozmosit.
Ky është kumti që informon për ngjarjen më të madhe të njerëzimit: çlirimin e tij nga mëkati dhe vdekja e përjetshme. Shpallja e lajmit të gëzueshëm të Pashkëve që kumtohen në Vigjiljen e Pashkëve, kremtim që pasqyron historinë e Zotit me popullin e zgjedhur, me tërë popujt e botës, me ne, që në Ngjalljen e Krishtit kanë (kemi) fituar Jetën e Pasosur. Në këtë lajm të gëzueshëm të Ngjalljes së Krishtit, gjejmë domethënien e vërtetë të Pashkëve dhe të jetës sonë njerëzore.(Kortezi:Radio Vatikani)

Filed Under: Komunitet Tagged With: e Madhe e Pashkëve, E Shtuna, pranë varrit, të Jezusit

E diela e Pashkës

April 4, 2015 by dgreca

TIRANË, 4 Prill /- Besimtarët katolikë kremtojnë të dielën Festën e Pashkës, Ditën e Ringjalljes së Krishtit. Ndërsa përgatitjet për kremtimin e kësaj feste nisin që në mes të javës, më e rëndësishmja është e Diela e Shenjtë e Pashkës. Pak përpara mesnate nis Vigjilja e Pashkës, që në shume raste quhet Shërbesa e Mesnatës.
Ky proçesion i besimtarëve katolikë gjatë mesnatës të kujton proçesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë, që kryhej në kishën e vjetër. Ky është proçesioni i kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë.
Mëngjesorja e Pashkës dhe Mesha Hyjnore kremtohen së bashku me orët e para të ditës së parë së javës me qëllim që t’i japë njerëzve përvojën e ‘krijimit të ri’ të botës dhe t’i lejojë ata të hyjnë mistikërisht në Jeruzalemin e ri, i cili shkëlqen përjetësisht me dritën e Krishtit.

Filed Under: Kronike Tagged With: E diela, e Pashkës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT