Nga Kolec TRABOINI/
Ata që i stigmatizuan komandantët e ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare , të cilët u vranë në Lagjen e Trimave në Kumanovë më 9 maj 2015, të rrethuar dhe në përleshje mbrojtëse të trojeve shqiptare, ( se Kumanova është shqiptare e jo sllave), më vinë kësisoj si të ishin zëra kukuvajkash qaramane në pranverë që duan ta lëshojnë ndonjë vezë ndokund dhe për këtë kanë gjetur faqet e gazetave dhe televizioneve. Kur të keni lexuar shkrimet e Enver Robellit tek “Koha ditore” do të kuptoni edhe konkluzionet mbi konspiracionin e Kumanovës 2015 të Xhemal Ahmetit (përndryshe Jon Leka) tek “Tetova sot”. Njësoj thuaj gjithë analistët e Prishtinës thua se e shohin Kumanovën nga Prishtina me të njëjtën tejqyrë. Gjithçka është konspiracion gjigand i armikut. Sipas këtyre( por edhe Emin Azemit në Shkup që shkon më larg duke shkruar: “njëfarë ‘’lufte heroike’’ ala Vojo Kushi kundër shtetit të Maqedonisë), pra ne shqiptarët nuk bëjmë asgjë, as luftë e as trimëri, veç kokrisje dhe armiku na lëviz me konspiracione si gurë shahu në histori. Kështu shkruanin ca mediatikë në 1998 për UÇK, po kështu në 2001 për ngjarjet në Maqedoni. Këta mediatiket e Kosovës mbështetur edhe nga Shkupi e bëjnë edhe priftin me barrë. Gjithçka që bëjnë shqiptarët ua veshin të huajve, si puna e Dronit në stadium të Beogradit (u bashkuam edhe ca mediatike nga Shqipëria për këtë përrallën me dron ballisti), një mendim skematik gati primitiv gëlon kuintave mediatike. Kështu na thonin në kohën e monizmit e diktaturës.Të gjitha gurët i luan armiku. Të gjitha fajet i ka armiku. Këta mediatikët tanë nuk të lënë as të jesh atdhetar, as të vdesësh për atdhe e për komb – i shërben të huajve thonë. Konspiracione gazetash, sallatë radiosh, televizionesh tregti e paskrupullt lajmesh nga më të çuditshmet. Sikur armiku qënka aq i zgjuar sa na përdor të gjithëve, ndërkohë që na del në media që po ky armik është aq qullac e mediokër sa mund ti vriten deri në 8 policë të armatosur deri në dhëmbë, apo, vini vesh o milet, mund ti ikësh me duar lidhur me pranga siç bëri ai Sulejman Osmani, e të prrallisësh në media se si e qysh ua drodhe pasi u tregove depon e armëve diku në gji të kodrave apo rrezë maleve në fshatin Malinë. Ngjarja në të vërtetë është e thjeshtë e këta kot e ndërlikojnë me konspiracione ndërkombtare sikur gjithë bota merret me ne dhe se nuk kanë punë tjetër. Këtu është kërthiza. . Nuk besoj e ka sajuar shërbimi sekret i ndonjë shteti dërgimin e atdhetarëve shqiptar në Kumanovë, por në nisiativën e tyre për të gjallëruar rezistencën kundër shtypjes që u bëhet shqiptarëve në Maqedoni. Apo këta analistë mendojnë se shqiptarët në Maqedoni jetojnë në lumturi përrallore sa të mos kundërshtojnë e të mos kërkojnë liri. Pra grupi është dekonspiruar( Ali Ahmeti i ka ditur lëvizjet e tyre mirëfilli dhe ishte aleat në qeveri me Nikoll Gruevskin. Kishte edhe njohje të afërt dhe komunikim me pjesëtarët e grupit te UÇK), kësisoj nuk ka qenë vështirë që shërbimi sekret maqedonas ta ketë përgjuar që në zanafillë veprimtarinë e tyre, si puna e zbulimit të një bombe të fshehur dhe kur ta dish ku është e pëlcet kur të duash. Po kjo nuk do të thotë se e vure bombën ti i policisë, por se e manipulon kur ta zbulosh kur e si të duash pa e ditur ai që e ka vënë atë. Këta kur shkruajnë kështu, as e kanë në konsideratë se ka edhe njerëz atdhetarë, të thjeshtë, që sakrifikojnë për atdheun si djali i Dukagjinit trimi Begë Rizaj, të cilin nuk mund ta njollos asnjë gazetë apo bisedë televizive mediokre, sepse si atdhetar e njeri të mirë, besnik, e familjar njeh mbarë Kosova, pjesëtar në tre lufta kombëtare në rradhët e UÇK. Dhe të gjithë këta djem që ranë duke luftuar si heronj të vërtetë i konsiderojnë se punonin për shërbimet sekrete. Punët atdhetare nuk mund ti bëjnë njerëzit disfatistë. Punët atdhetare i bëjnë ata që kanë vizion, plus kurajo për të realizuar idealet e veta edhe duke sakrifikuar. Zbythës kemi pasur shumë në histori, por tashmë ështe koha për të ecur përpara. Dhe popujt i kanë çuar përpara idealistët kombëtare e jo fshatarët pashkollë që kanë rolin e tyre por jo vizionin udhëheqës, prandaj mos na thoni se a duan fshatarët a qytetarët të formësojnë një komb, aq më tepër kombet nuk ndërgjegjësohen e formësohen me plebishite. Se përrallisje pseudo intelektuale në Prishtinë tashmë janë kthyer në humor banal barcaletash mbi krijimin e kombit kosovar. Dhe e quajnë veten intelektualë ata që sajojnë të tilla kukulla prej lecke me të cilat losin në opinionin publik. Jo veç ata që shpik-shpifin kombin kosovar, por edhe këta analistë me këto konkluzione habitore që Kumanovën e bëri armiku e jo shqiptarët atdhetarë anipse të tradhetuar, na fyejnë inteligjencën. Përfundimisht mund të thuhet se Prishtina nuk ka analistë që mund tu besohet. Janë më tepër fantazistë dhe me prirje sajime misteresh si në romanet policore. Edhe kur shfaqet Baton Haxhiu në Tiranë ndjeksit e ekranit të vogël më së shumti qeshin anipse është jo pak për të qarë. Por gjithësesi, është më se e qartë se këndej nga Tirana opinioni publik nuk mund ta hajë fort lehtë sapunin e Prishtinës për djathë. Ata që u vranë nuk ishin as kolonë e pestë e as e pesëmbëdhjetë siç paragjykohen në disa koka dyshuese në gjithçka, por luftëtarë që e donin Shqipërinë e pjesë e grupimit për realizimin e Bashkimit Kombëtar. Përmendem vetëm një emër Beg Rizaj, që udhëhoqi qëndresën duke marrë me sy edhe vdekjen, emri i tij thotë gjithçka, nuk ka burrë që mund të njollosë atë hero prandaj të mos ngutemi. A ka tradhti në këtë histori ku humbën jetën 10 luftëtarë shqiptarë dhe 8 policë sllavo-maqedonë? Sigurisht, tradhtar ka pas mbas shpine edhe Gjergj Kastrioti, por historia e tij është lavdi. Duhet ti japim gjithkujt atë që i takon. Bashkimin Kombëtar e duam të gjithë mos vallë bash për këtë edhe ne jemi pjesë konspiracionesh. Nuk besoj. Ata u detyruan të luftonin. Nuk e nisën sulmin luftëtarët e UÇK-së. Ata u mbrojtën kur kishin përballë një policie të armatosur gjer në dhëmbë, te motorizuar, e që përdori armatim të rënde sikur të ishte në një front të hapur e jo në një qytet. Kemi një dhunë të shfrenuar ushqyer nga racizmi dhe shovinizmi në këtë masakrim që i bëri qytetit të Kumanovës qeveria Gruevski. Djemt e UÇK, në qëndresën e tyre mbrojtëse padyshim janë heronjtë tanë. Kanë lënë fëmijë jetimë, kanë dhënë jetën, a e dini çfarë do të thotë kjo? Çfarë tjetër duhet të japësh për të qënë një dëshmor i Atdheut? E ky nihilizëm për të mos i pranuar trimat si luftëtarë kombëtarë por thjeshte si konspiratorë është për tu parë me kujdes pse ndodh tek ne ajo çfarë nuk ndodh ndër popujt e tjerë. Aq më tepër se nuk ka ngjarje në jetën tonë, nuk ka atdhetar që ka bërë trimëri që të mos i nxjerrin bishta, që të mos e përdhosim figurën e tij me gjoja ca mendime tona gjeniale e duke vënë në dyshim gjithçka. As pikë respekti për djemt shqiptarë që bien për një ideal kombëtar dhe fjala e parë dhe e fundit e nihilistëve është se ata ishin të manipuluar nga armiqtë për ti prishur qetësinë botës. Na ruaj Zot. E neveritshme. Po na e pështirosin çdo gjë që lexojmë me këto fantazmagori konspiracionesh që janë të denja për një çmendi… Por…mund të ndodh edhe ndryshe. Le të fantazojmë fundja edhe ne meqë na sollën deri këtu: mos vallë dikujt i intereson që çdo gjë që bëjnë shqiptarët për zgjimin e ndërgjegjes së tyre kombëtare e dinjitetin të nëpërkëmbur, të drejtën e mohuar për bashkim, ta zgërlaqin, ta fashisin, ta shuajnë duke i vënë soj-soj epitetesh si vegla qorre të armikut e tjera kësillojshe? Le të pyesim edhe ne ashtu siç pyet ta zëmë Enver Robelli në shkrimin e vet: “Kujt i shërben kjo?” Ky shpirt mohimi pra… Vriteni mendjen pak dhe do ta kuptoni groteskun e teorive konspirative mediatike “Kumanova 2015”, si një fantazi guzhine me qepe e me rigon. Përndryshe: Të gjithë zogjtë kanë të drejtë të këndojnë,… mjerisht edhe qyqet!
Dhjetë luftëtarët shqiptare që u vranë në Lagjen e Trimave në Kumanovë më 9 maj 2015:
Beg Rizaj – 1977, Mirsad Ndrecaj – 1979, Xhafer Zimberi – 1972, Valon Kabashi – 1985, Turgaj Gashi – 1978, Arben Rexhaj – 1971, Samit Kastrioit – 1975, Hisen Rushiti – 1965, Fatlum Vishesella – 1983, Nusret Kaloshi -1975.
Archives for May 2015
“Kurir” dhe “Informer”: ALEANCE SLLAVO ORTODOKSE NE BALLKAN?
Paralajmërohet Uashingtoni për një aleancë ortodokse kundër shqiptarëve në Ballkan/
“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas sulmeve “terroriste” në Kumanovë, do të vazhdojnë me politikën e tyre të mbështetjes së pakushtëzuar për shqiptarët dhe nëse BE do të vazhdojë të heshtë mbi rigjallërimin e projektit të “Shqipërisë së Madhe, kjo situatë do të cojë në formimin e Aleancës Ortodokse të Serbisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe ndoshta edhe në Luftën e Tretë Ballkanike”. Kështu shkruajnë dy media pranë qeverisë serbe, “Kurir” dhe “Informer”.
Sipas tyre, ky është konkluzioni i raportit më të fundit të CIA –së për situatën në rajon. Gazetat theksojnë se janë shërbimet sekrete ato që po e paralajmërojnë administratën Obama se mbështetja e mëtejshme për shqiptarët mund t’i shtyjë vendet ortodokse të Ballkanit drejt krahëve të Rusisë.
Analistët e CIA –s propozojnë që SHBA të ketë një përqasje më të balancuar në Ballkan, pasi përndryshe rrezikohet formimi i një Unioni Ortodoks.
“Analistët amerikanë shkruajnë se shtetet e Ballkanit, territoret e të cilit preken nga Shqipëria e Madhe” nuk do të rrijnë duarkryq dhe të shohin se si shqiptarët u vjedhin territorin e tyre. Për më tepër ata janë të bindur se në rast emergjence, serbët, grekët, bullgarët dhe maqedonasit do të bashkojnë forcat në luftën kundër shqiptarëve. Në këtë rast, Ballkani mund të shndërrohet në një rajon si Lindja e Mesme dhe nuk në interesin e askujt, as të SHBA –ve”, thotë një burim diplomatik për “Informer”.
Askush nga qeveria serbe nuk ka pranuar të komentojë mbi këto informacione. Në krahun tjetër, ekspertët vlereësojnë se skenari i Aleancës Ortodokse është një variant i mundshëm, por kjo mund të jetë një tjetër gjemb në sytë e Perëndimit. Analisti Djordje Vukadinovic thotë se bashkimi është një reagim logjik i tentativës për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”.
“Nëse aleanca krijohet, nuk besoj se SHBA do rrijë ta shohë me qetësi, sepse është e qartë që shqitparët janë të preferuarit e tyre. Serbia ka qenë pjesë e një aleance të tillë përpara Luftës së Parë Botërore kur u ndesh me Turqinë”, thotë Vukadinovic.
Cedomir Antic, i Progressive Club, thekson se ideja e bashkimit të Ballkanit ekziston prej më shumë se 1 dekade.
“Nëse ideja nuk do të zbatohet, do të thotë se SHBA e kanë parandaluar atë. Megjitahtë, një aleancë e tillë duhet të eksiztojë, pasi ajo do të mbijetojë edhe në BE dështon. Jam i surprizuar që Presidenti Nikolic nuk e nisi atë kur u ftua të merrte pjesë në festimet e betejës së Kumanovës” thotë Antic.
SHUME SHQIPTARE NE PROTESTEN E SHKUPIT
Ndërkohë, partia në pushtet VMRO-DPMNE për të hënën ka paralajmëruar një kundër protestë, e cila ka në shënjestër opozitën dhe siç thuhet tentimin e saj për të destabilizuar vendin./
Protesta e organizuar sot pasdite në Shkup nga partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM për dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski eshte zhvilluar e qetë dhe pa incidente.Shume shqiptare i jane bashkengjitur kesaj proteste.
Protesta mbahet afër Qeverisë së Maqedonisë, përreth së cilës janë vendosur forcat e rendit. Si asnjëherë më parë, në këtë protestë masive janë duke marrë pjesë të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim përkatësie etnike, bëri të ditur agjencia maqedonase e lajmeve, INA.
Ata po mbajnë pankarta në duar, ku shkruan “Poshtë regjimi mafioz i Nikolla Gruevskit”, “Lamtumirë Nikollë”, “Liri dhe demokraci për Maqedoninë” etj.
Në këtë protestë po marrin pjesë edhe shumica e diplomatëve perëndimorë në vend dhe gazetarë të mediave prestigjioze botërore. Europarlamentari Ricard Hovit i është bashkangjitur protestës së sotme të opozitës para Qeverisë së Maqedonisë.
Siç njofton agjencia maqedonase e lajmeve, Ina, ai është i shoqëruar nga ish- kryeministrit bullgar, Sergei Stanishev. Ky i fundit do t’i drejtohet qytetarëve me një fjalim, kurse Hovit është në cilësinë e monitoruesit të këtij tubimi masiv qytetar, përmes të cilit kërkohet rrëzimi i qeverisë.
Zëdhënësi i partisë opozitare LSDM, Patar Shillegov, thotë se në protestë marrin pjesë mbi 100 mijë protestues. Ai thotë se populli do të qëndrojë para Qeverisë deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski.
Dorëheqja nuk është larg dhe populli do të qëndrojë këtu”, tha ai, ndërsa u shpreh i kënaqur edhe me pjesëmarrjen e shqiptarëve.
Protesta e sotme pason dorëheqjen e disa ministrave nga kabineti qeveritar dhe incidentit të armatosur në qytetin e Kumanovës.
Kryeministri Nikolla Gruevski nuk i është përgjigjur kërkesës së parashtruar për dorëheqje nga opozita. Ai thotë se nuk do të largohet sepse ka legjitimitetin e popullit.
Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev ka inkurajuar qytetarët që të dalin në protestë dhe t’i shmangen provokimeve dhe presioneve të ndryshme.
Opozita maqedonase si organizatore e protestës ka angazhuar mbi 2 mijë të rinj për mbarëvajtjen dhe sigurinë e protestës. Por, pranë qeverisë dhe në disa pjesë tjera është vërejtur prani e shtuar policore.
Mijëra aktivistë dhe simpatizantë të partive opozitare maqedonase, përfaqësues dhe përkrahës të shoqërisë civile maqedonase dhe shqiptare, qytetarë të komuniteteve të ndryshme kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë protestë.
Drejtues lokal të opozitës theksuan më parë se kishin probleme dhe pengesa në transportimin e protestuesve drejt Shkupit. Ndërsa lideri i opozitës Zoran Zaev ka theksuar se nuk do tërhiqen nga protestat dhe do të qëndrojnë të ngujuar para Qeverisë, deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski.
Forca të mëdha policore kanë shtuar masat e sigurisë për protestën, ndërsa edhe opozita maqedonase ka bërë të gjitha përgatitjet për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.
Ndërkohë, partia në pushtet VMRO-DPMNE ka paralajmëruar një kundër- protestë të hënën, e cila ka në shënjestër opozitën dhe siç thuhet, tentimin e saj për të destabilizuar vendin.
Në rrjetet sociale, shqiptarët e Maqedonisë, janë duke bërë thirrje që sa më shumë të dalin sot në rrugët e Shkupit për të kërkuar rrëzimin e Qeverisë së Gruevskit.
Sot, bashkërisht, shqiptarët dhe maqedonët, për herë të parë, kanë dale në rrugë për një kauzë të njëjtë: rrëzimin nga pushteti të Kryeministrit autoritar, Nikola Gruevski, i cili dyshohet për shumë krime të kryera gjatë qëndrimit të tij në krye të Qeverisë.
BRUKSEL – BE-ja diskuton situatën në Maqedoni/
Këshilli për Çështjet e Jashtme i BE-së do të diskutojë nesër për Maqedoninë dhe do të dalë me një qëndrim të përbashkët lidhur me ngjarjet në vend dhe për masat që duhet të ndërmerren, paralajmëroi shefi i diplomacisë bullgare, Daniel Mitov.
“Evropa vepron bashkarisht. Të hënën, në Këshillin për Çështjet e Jashtme do të diskutojmë për Maqedoninë dhe ngjarjet atje, që duhet të çojë drejt pozicionit të vetëm e të përbashkët të të gjithë ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së dhe për masat që duhet të marrim “, deklaroi Mitov për televizionin kombëtar bullgar.
Për komentet në Sofje rreth gjendjes së sigurisë në Maqedoni dhe paralajmërimeve për dërgimin e forcave shtesë në kufi, Mitov tha se për momentin nuk ka shkaqe për shqetësime serioze për sigurinë e Bullgarisë.
“I bëmë të gjitha analizat dhe jemi të gatshëm për çfarëdo lloj variantesh. Për ne, në rend të parë është tërësia territoriale dhe qetësia etnike në Maqedoni. Në Maqedoni, tensionime ndëretnike tani për tani nuk ka”, theksoi shefi i diplomacisë bullgare.
Ndërkohë, partia në pushtet VMRO-DPMNE për të hënën ka paralajmëruar një kundër protestë, e cila ka në shënjestër opozitën dhe siç thuhet tentimin e saj për të destabilizuar vendin.
Murtaja e Justinianit
Nga Niko Ferro/
Keni degjuar per “murtajen e Justinianit”? A e dini Ç’thuhet për këtë epidemi? A ka burime të shkruara për këtë sëmundje vdekjeprurëse? A janë të sakta shifrat e cituara nga Prokopi i Çezaresë? Po për vetë Justiniani çfarë shkruhet?
Në vitin 527 e. s në fronin e Perandorisë Romake të Lindjes, u ngjit Flavius, Petrus, Sabbatius, Justinianus, i njohur shkurtimisht Justiniani I. Nëpërmjet burimeve të autorëve antike, mësojmë se Justiniani , lindi në maj të vitit 482 e. s. Sakaq aty thuhet se ai ishte me origjinë ilire, nga fshati dardan i Taurisiumit. Afërsisht në moshën 13 vjeçare, Justiniani së bashku me të ëmën, shkuan në Kostandinopojë. Këtu ai u shkollua dhe u edukua sipas kulturës, traditës dhe stilit romak të jetesës. Në vitin 520, Perandori Justin, e birësoi si djalin e vetë. Një vit më vonë,Justiniani I u emërua konsull. Gjatë kohës që ai mbante titullin e konsullit, Justiniani u njoh me një aktore teatri, të quajtur Teodora. Mund të themi se “bukuria dhe zgjuarsia e saj e magjepsën aq shumë Konsullin, sa shpejt lidhën kurorë”. Por jo të gjithë ishin dakord me këtë lidhje, kundër martesës së Justinianit me Teodorën, u shpreh edhe e ëma e vetë konsullit, Vegjelenca. Madje këtë lidhje e kundërshtoi edhe vetë ungji i tij, Perandori Justin. Vlen të përmendet se për Teodorën, thuheshin “njëmijë të zeza”. Por përkundër këtyre pretendimeve, Justiniani dhe Teodora u martuan në vitin 525 e. s . Më vonë autorët antik nuk nguruan ta cilësonin Teodorën “një grua të pabesë” “të pamëshirshme” “një grua që bënte gjithçka për të arritur ambiciet e saja ”. Shkurtimisht Teodora pati një ndikim të madh në vendimmarrjet e Justinianit. Ata u martuan përsëri në vitin 527 e. s , pikërisht në kohën kur Justiniani u emërua Perandor.
Me të ardhur në fron, Justiniani ndërmori një sërë masash të cilat synonin konsolidimin e Perandorisë, pra, në fushën administrative , në legjislacion (corpus juris civilis), dhe në fortifikimin e shumë qyteteve të Perandorisë.
Në vija të përgjithshme, mund të themi se politika e ndjekur nga Justiniani ishte restaurimi i Perandorisë Romake. Pikërisht ajo ishte shprehja më madhështore e kësaj aspirate. Rifitimi i trashëgimisë së Romës, pra një e drejtë e perandorit romak, një mision i shenjt i tij, çlirimi i territorit romak nga zgjedha e barbarëve të huaj dhe heretikëve arianë, për t’i kthyer kufijtë e dikurshëm perandorisë, një e pandarë dhe e krishterë.
Në vitin 533 e. s , Justiniani korri suksesin e tij të parë. Me një ushtri e cila numëronte 18.000 vetë dhe me në krye komandantin më të mirë, Belisauri u bë e mundur asgjësimi i mbretërisë vandale. Disa muaj më vonë, ai ndërmori një tjetër fushatë luftarake kundër perandorisë ostrogote. Edhe kjo luftë ngjau me një marshim triumfues. Ndërkohë një tjetër armatë e tij depërtoi në tokat Dalmate, për të luftuar kundër barbarëve të cilët sulmonin dhe plaçkitnin qytetet dhe fshatrat ilire. Të tjera armata ju drejtuan gadishullit Apenine, këtu të gjitha qytetet njëra pas tjetrës, Bari, Napoli, Roma [ju bashkëngjitën perandorisë bizantine]. Në fund u pushtua edhe Ravena, kryeqendra e mbretit ostrogotë Vitixhe, ndërsa vetë mbretin e dërguan të lidhur në Kostandinopojë në vitin 540 e. s
Me pushtimin e Italisë dhe me rivendosjen e pushtetit bizantin u bë i mundur rikthimi i marrëdhënieve të vjetra shoqërore dhe ekonomike. Aristokracia latifondistë rifitoi pronat dhe privilegjet. Pushtimet e mëdha u mbyllën me luftën kundër vizigotëve në Spanjë. Italia, një pjesë e madhe e Afrikës veriore, pjesërisht Spanja dhe ishujt e Mesdheut u ishin shkëputur gjermanikëve dhe ishin vënë nën skeptrin e perandorit romak të Kostandinopojës. Mesdheu u kthye kështu, në një liqen të Perandorisë.
Megjithatë kufiri më i rrezikuar i Perandorisë, ishte veriu i Ilirisë. Më saktë rrjedha e Danubit duke filluar nga grykëderdhja në Detin e Zi për t’u ngjitur deri në grykëderdhjen të dikuesit të tij , të djathtë, Savës. Por kjo nuk do të thotë se kufijtë e tjerë të Perandorisë ishin më të sigurt, kërcënim i vazhdueshëm ishin vizigotët, ostrogotët, avarët persianët, e të tjerë.
Pikërisht në këtë moment delikatë, kur Perandoria Romake e Lindjes po kërcënohej gjithmonë e më shumë nga dyndjet e shpeshta të popujve barbarë, në tetor të vitit 541 e. s në portin egjiptian të Peliusiumit, u shfaq krejt papritur epidemia e murtajës. Pas Egjiptit kjo epidemi goditi qytetet e Palestinës. Ndërkaq në pranverë të vitit 542, u regjistrua edhe në Kostandinopojë. Disa muaj më vonë u përhap edhe në Siri. (Procopius, History II.22.6.)
Epidemia e murtajës, u përhap rrufeshëm në tërë Perandorinë. Ajo bëri kërdi në shtresat më të rrezikuara të popullatës, fëmijët, pleqtë, të varfrit, të uriturit duke shpopulluar krahina të tëra. (Për sa i përket Gadishullit Arabik, dhe vendeve të Evropës Veri-Lindore, nuk ka të dhëna burimore për përhapjen e kësaj epidemie.). Po duket se këtë moment dobësie dhe çorientimi në të cilën ndodhej Perandoria Romake e Lindjes, u shfrytëzua nga ushtritë persiane për të kryer ndonjë ekspeditë plaçkitëse në territoret kufitare me to. I menjëhershëm ishte reagimi i Justinianit, ai dërgoi menjëherë trupa në kufijtë e perandorisë për të mbajtur në vëzhgim lëvizjet e ushtrive persiane. Sakaq në Kostandinopojë ishte përhapur fjala se edhe vetë persianët ishin goditur nga kjo epidemi.
Ndërkaq situate e brendshme e perandorisë paraqitej e vështirë. Me shfaqjen e murtajës çmimet shënuan një rritje rekord e cila ndikoi shumë keq në thesarin perandorak. Njerëzit dhe tregtarët humbën pothuajse të gjithë pasurinë e tyre. Ndërkaq personat që paraqisnin shenja të kësaj sëmundje, ekzekutoheshin menjëherë, jeta në qytet u bë e padurueshme. Pjesa më e madhe e popullsisë preferoi të largohej nga qytetet dhe të strehohej në pyje apo në vende të thella. Sipas Prokopit të Çezaresë “vetëm në Kostandinopojë në një ditë vdisnin rreth 5000 deri 10000 veta” , Problem madhorë ishte mungesa e hapësirave publike për të varrosur trupat. Pjesa më e madhe e tyre hidhej në det ose lihej në vend të hapur. Sakaq në vitin 543 e. s “një tjetër vdekje në masë u shënua në Itali, në Orient dhe në Ilirikun e dobësuar..”,
Në fund Prokopi jep një përmbledhje, “Murtaja që dëmtoi rëndë Perandorinë, nuk i mori të gjithë njerëzit, gjysma e tyre shpëtoi ose u ruajt.
ambledhje opi jep njdhe t Belizshte gotitur nga “Po atëherë nga erdhi kjo epidemi ?
Arkeologu David Patrick Keys, është i mendimit se aty rreth gjysmës së parë të shek VI e. sonë, pati një ndryshim të menjëhershme të klimës me pasoja të mëdha në ekosistem. Kërkimet ai i bazon gjithashtu në burimet historike të autorëve antik. Keys beson se kjo kataklizëm u shkaktua nga shpërthimi i fuqishëm i një vullkani të madhe. Pra këtë ndryshim klimatik ai e lidh me incidentin e ndodhur në vitin 535 e. s, për shkak të shpërthimit të vullkanit të Krakatoa-s në Indonezi). Si rezultat i këtyre çrregullime të motit, mund të ketë sjellë minj të egër [që ishin njëkohësisht mbartës të sëmundjes bubonike] tek minjtë shtëpiakë duke gjetur vend në magazinimet e drithërave ose pranë porteve. Dhe nëpërmjet insekteve bëhej dhe kontakti me njeriun. Keys lokalizon Etiopinë si vendin e origjinës të përhapjes së sëmundjes.
Palaeo-ekologia Eva Panagiotakopulo. ne lidhje me vend origjinën e përhapjes së sëmundjes së murtajës, nëpërmjet një studimi të bërë në gjetjet arkeologjike, përcakton Egjiptin.[si vendi ku shpërtheu kjo epidemi] Këtë zbulim ajo e bazon në gjurmët e gjetura tek insektet përhapës të epidemisë së murtajës. Të cilat rastësisht u zbuluan në sitin arkeologjik të Amarnës në Egjipt. 3)-
Ndërsa mikrobiologu Dr Joseph Hinnebusch në Montana Sh.B.A, mendon se origjina e murtajës duhet kërkuar në Afrikën Veriore, [por vetë autori nuk jep faktet pse kjo epidemi duhet kërkuar në Afrikën Veriore?]
Për t’iu kthyer edhe një herë argumentit: A mund të jenë i saktë, numri i viktimave të dhëna nga Prokopi ? Murtaja e vitit 541 me padyshim erdhi si goditje e papritur për Perandorinë Romake të Lindjes, e cila është përgjegjëse për shfarosjen 1/3 të popullsisë së Mesdheut. Ka mundësi që shifrat e dhëna nga Prokopi i Çezaresë të jenë pak të fryra. Ndoshta ai ka dashur të tregojë se sëmundja e murtajës ishte shkaktarja e vetme e çdo lloj ligësie të rënë në perandorinë Bizantine. [Ndoshta për të treguar Perandorin Justinian, një njeri të paaftë dhe që nuk mund t’i përballonte pasojat e saj?] Ku e bazojmë këtë ? Në një tjetër rresht të shkruar po nga Prokopi, zbulojmë se “Justiniani dhe Teodora ishin përgjegjës për shkatërrimin e Perandorisë”. Dhe se “Justiniani ishte në vetvete si një murtajë e dërguar nga qielli”. Por nuk duhet të harrojmë se ishte Justiniani, ai që fortifikoi dhe rindërtoi krejt nga e para pjesën e brendshme të Ilirisë e më gjerë. Dukë kthyer kështu sigurinë e humbur.
Ndoshta sëmundja e murtajës nuk mund të ketë influencuar dukshëm jetën sociale dhe ekonomike të Perandorisë. Sakaq gjetjet arkeologjike tregojnë të kundërtën ato japin një vazhdimësi të trafiqeve tregtare. Të cilat qëndruan të paprekura dhe vazhduan aktivitetin e tyre në të gjitha qendrat e perandorisë. Gjithashtu në mesin e krizës, Justiniani preu një monedhë ari të quajtur “solid”. Përsëri fill pas kalimit të sëmundjes perandori preu një tjetër monedhë. Megjithatë ajo që vlen të theksohet se efektet e kësaj sëmundje janë është t’i paraqesësh me tregues sasior dhe të përcillen arkeologjikishtë.
KOMUNITET-SOT , SHERBIMET FUNERALE PER SOFIE GJURAJ
Sic eshte njoftuar komuniteti shqiptar në SHBA dhe vendlindje më 13 Maj 2015, pas një sëmundje të pashërueshme, ka ndërruar jetë në moshën 79 vjecare Sofija Gjuraj.
Komuniteti shqiptar mund të shprehë ngushëllime , Sot, ditën e Dielë me 17 Maj 2015, nga ora 2-9 PM në Farenga Brothers Funeral Home, ku do të prehet trupi i së ndjerës.
Të Hënën me 18 Maj 2015, në ora 10 AM arkivoli me trupin e së ndjerës do të vendoset në Kishën “Zoja e Shkodrës”. Mbas Meshës do të përcillet për në varrezat “Gate of Heaven Cemetery” (section 5) Valhalla, New York.
Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA dhe Gazeta Dielli u shprehin ngushëllimet më të thella Familjes Mark Gjuraj, te gjithe Familjes Gjuraj, si të gjithë miqëve dhe të afërmeve.Sofia pastë dritë!
Në Foto: Sofija Gjuraj
- « Previous Page
- 1
- …
- 33
- 34
- 35
- 36
- 37
- …
- 67
- Next Page »