• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

Ismail Qemalit dhe vëllai Erdogan

May 14, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Kishat na i bëri Greqia. Dhe për këtë i jemi mirënjohës Janullatosit. Xhamitë po na i bën Turqia. Dhe për këtë i jemi mirënjohës Erdoganit. Parlamentin po na i ribën Turqia. Dhe për këtë prapë i jemi mirënjohës Erdoganit. Shtëpitë në Gjirokastër po na i meremeton po Turqia. Dhe prapë ne i jemi mirënjohës Erdoganit.
Lind pyetja, po ne, çfarë do bëjmë vet?
1)Në hollet shqiptare të pritjes shtetare, në rrugë, në qoshe . Përmes fotoshopëve në webe të ndryshëm, Rexhep Taip Erdogan, parakalonte përpara relievit të Ismail Qemalit. Por edhe nën tabela rruge po me emrin e plakut të Vlorës. Njeriut që shpalli pavarsinë e Shqipërisë nga Turqia. Nga ecja aq me elegancë dukej sikur sulltani i ri i thoshte shqiptarit rebel se, prapë ke çengeli im ngelët.
Cili është ky sulltan që hodhi para me bollëk për vëllezërit shqiptarë?
Prej kohësh ka shpallur një armik opozitar, me emrin Fetullah Gylen. Madje nën emrin e këtij armiku, që e cilëson si mentor të terrorit, justifikon luftën politike pa kompromis me kundërshtarët e tij politikë. Mbron abuzimet me pushtetin, tenderimet publike, duke i dhënë vetes absolutizmin politik. Kulmin e arriti në dhjetorin e 2013 me arrestimet e pafundme nga fëmijët e ministrave dhe zëvedësministrave, tek prokurorë e gjykatës, shefa policie e gjithfarësoj race që përbente sipas tij një kërcënim për paqjen në Turqi.
Protestave të popullit u është përgjigjur gjithmonë me dhunën e uniformave.
Ndërtoi një pallat presidencial me vlerën 370 milion euro. I filloi punimet kur ishte Kryeministër i Turqisë. Dhe e inaguroi ditën që u bë President i saj.
Eshtë cilësuar një lloj binjaku i Putinit. Pasi e kopjon edhe në formën qeverisëse. Në ndërrimin e pushtetit. Mes miqve e shokëve të sërës së tij. Erdogan, Gyl, dhe së fundmi Davotogluja. Një lloj Lavrovi i Kremlinit.
Dikur na këshilloi të rishikonim tekstet e shkollës në lidhje me periudhën e pushtimit osman. Dje na kërkoi të dënonim terroristët gylenistë. Kështu mos u habisni që pas kësaj, ndonjë nga kolegjet turke, aty në vendin tonë, të mbyllen për sabotazh, a spiunazh kundër shtetit shqiptar dhe atij vëlla turk.
2)Fetullah Gyleni…, dijetari 74 vjeçar që sot jeton në shtetin e Pensilvanisë të Shteteve të bashkuara, para disa muajve dha një interviste. Foli për herë të parë për raportin e tij me vendin e lindjes. Për arsyet e moskthimit aty. Midis të tjerave theksoi se edhe këtu, ku po jeton, shkon të flej me mendimin se mund të mos zgjohet nesër.
Po cili është ky njeri që vërtet shtë kërcënimi real i pushtetit të Erdoganit? Babai i terrorizmit apo babai i asaj lëvizje të moderuar që mban emrin e tij. Dhe që përqafohet pa teserë partie nga shtresat më të përparuara të shoqërisë.
Janë një sërë burrash të po kësaj Turqie që i heqin atij kapelen. Nga Sulejman Demirel, Turgut Ozal, Bulent Exhevit, Mesut Yelmaz etj. Madje edhe stoikja femër, Tansu Çiller.
Eshtë i pari imam, ligjërues i tolerancës fetare për dialog midis feve në botën e gjerë.
Për këtë takohet me Patriarkun e Stambollit, Bartholomeu.
Takohet me Papën Gjon Pali i II në Vatikan.
Pret një përfaqësi të gjerë të hebrejve në Amerikë.
Ideator dhe prezent në Pajtimin Kombëtar . Darke e madhe e Turqisë në dimrin e vitit 1997.
Mikëpritës i përfaqësueve të Bashkimit Botëror të Kishave.
Njeriu që i është rezervuar reportazhi më i madh televiziv për së gjalli në Turqi me mendimin dhe veprën e tij.
Eshtë një ithtar i islamit të moderuar edhe në çështje zakonore si shamia e kokës. Ai nuk ka qënë dhe nuk është për atë.
Ai sot është një manjat i kolegjeve nëpër botë, mbi edukimin dhe fenë. Edhe këtu në Amerikë firma e kolegjeve të tia është e fortë. Në Gjermani po ashtu. Në Afrikë njihet si një baba i përparimit.
E sa të tjera.
A mund të jetë terrorist një njeri i tillë.
3)Shqipëria është bërë shumë pragmatiste. Madje edhe opinionet ishin të natyrës që, çfarë na duhet ne lufta politike e Erdoganit. Na duhen paratë e tia. Megjithëse në historinë tonë, pragmatistët i kemi shfarosur, i kemi shpallur tradhtarë të kombit. I kemi quajtur kuislingë e të tjera. Kurse sot, pragmatizmi nuk është tradhëti. Mjafton që një sulltan, një baron droge, a një alien të derdhi para aty. Të tjerat nuk na interesojnë.
Po a niset vallë mbarë kështu, shtëpia e besimtarëve. Në fund të fundit, a kemi klerikë? A kemi qeveri? A punojmë? A prodhojmë? Sepse çdo tre mujor jepen shifra të kënaqshme bilancesh.
Arritjesh. Sidomos nga doganat.
A ka baltë Shqipëria? A ka çimento? A ka hekur për të bërë kupola?
Ku janë vulnnetarët që ndërtuan hekurudha, që hapën tunele, që ngritën hidrocentrale etj? Ku janë këta njerëz që të vrasin po tu kritikosh Ramën.? Apo kryetarin e Parlamentit që e priti i dobësuar një dorë e gjithë qeshje Erdoganin.?
Ky është sukses qeveritar, mbledhje ndihmash.? A nuk quhesh më i shitur tek tjetri.? I mvarur.? Apo i kapur nga fyti?
A e di Erdogani se ne quajtëm Rilindje periudhën e përpjekjeve për tu shkëputur nga Turqia.? Apo e parë në syrin e tij, Rilindja tashmë i përket Turqisë Erdoganiste?
4)Para një muaji shkrova një reportazh për shtëpinë e ish Kryeministrit tonë, Noli. E gjeta atë shtëpi diku në qëndër të Fort Lauderdalel-it. Këtu në shtetin e Floridës. E nisa në shume editore në Shqipëri, me ndjesinë e sensibilizimit për një vëmendje të qeverisë ndaj kësaj banese ku prehet historia jonë. Mirëpo asnjë nga këto editoriale nuk denjoi ta botonte. Ia nisa edhe Kryeministrisë. As nga këtej nuk mora ndonjë shenjë. Më kujtohet para dy vjetëve, kur i kujtoja Presidentes së Kosovës diçka mbi rolin e njeriut të parë. Të paktën e mora një sinjal. Kjo, jo për vlerën e njërit apo tjetrit, por për atë vlerën e komunikimit. Heshtja është më e keqe se kundërshtimi.
Gjtihsesi, vetëm një njeri biznesi dhe një gazetar që jeton në Amerikë, kërkuan të dhëna më të detajuara. Shkrimin e botuan të gjithë webet jashtë Shqipërisë. Por asnjë brenda saj.
Sot mora përgjigjen e duhur për mosbotimin. Edhe nga opinionistët. Edhe nga qeveritarët shqiptarë. Ata duan sugjerime kur u jep para. Jo të japin para.
Kështu më duhet t’i them Imzot Nolit, që të mos mërzitet pse ia kanë shitur kishën. Pse e kanë braktisur. Jemi në kulmin e lypjes. Njohim dhe respektojmë vetëm atë që na jep.

Filed Under: Editorial Tagged With: dhe vëllai Erdogan, Ilir Levonja, Ismail Qemalit

SI E PASHE UNE VIZITEN E ERDOGANIT NE TIRANE

May 14, 2015 by dgreca

Nga Asllan BUSHATI/
Marrdhëniet e Shqipërise me Turqinë,nga cdo kënd shikimi që ta shikosh pas vitit 1991, kanë qenë dhe jane shumë të mira e herë herë dhe të shkëlqyera. Personalisht midis viteve 1992-1997 kam qenë i ftuar për specializim dhe veprimtari të sigurisë kombëtare të Shqipërise, disa herë nga autoritetet turke në Ankara. Në këto vite kam qenë i ftuar nga Ambasada Turke në Tiranë pothuajse në cdo evendiment të sajë. Kam shkëmbyer mendime dhe dokumenta shumë të rëndësishme për vendin tim me autoritetet e këtij vendi, të cilët në cdo rast kanë treguar për vendin tim, për mu si person , për detyrën dhe postin që kisha një respect, ndieshmëri të vecantë, sinqeritet dhe besueshmëri të madhe. Sot që po shkruaj këto rrjeshta gjejë rastin ti falenderoj me gjithë zemër për gjithcka ata kanë bërë për për Shqiprinë , për mu dhe për cdo autoritet civil e ushtarak shqipëtar.
Turqia në këtë gati cerek shekulli,e ka ndihmuar Shqipërinë në shumë drejtime dhe mbi të gjitha ka bërë shumë investime të cilat kanë hapur vende pune dhe kanë përmirsuar jetën e bashkëkombasve të mi. Statistikat thonë se volume i përgjithshëm i shkëmbimeve tregëtare shkon në 460 milion euro ne vit dhe kjo ka tendencë të rritet më tej. Po ashtu sot mësova se Komuniteti Musliman turk ka vendosur të sponsorizojë ndërtimin e Xhamisë madhe(Namasgjasë) në qendër të Tiranës dhe se Qeveria Turke do te ndihmojë dhe në ndërtimin e godinës së re të Parlamentit Shqiptar. U gezova dhe përsëri i falenderoj institucionet turke për sa më lart përfshi edhe Presidentin Erdogan. Duket se është firmosur dhe një document i ri për ceshtjet e sigurisë midis dy vendeve ,dhe se është rënë dakort për rritjen e shkëmbimeve tregtare deri ne kufijtë e shumës së një milliard eurove në vit dhe shtimin e investimeve në fushën e energjisë etj.
Interesante për mu ishte edhe prononcimi për ceshtjet akute të ditës sic është ai i Kumanovës. Presidenti shqiptarë Nishani mu duk më i drejtpërdrejtë kur tha se:” ajo ishte ngjarje plot hije të dyshimta dhe përpjekje për ta shëndërruar atë në burim konflikti ndëretnik”. Por edhe Presidenti Erdogan tha se sigurimi i paqes është i domosdoshëm. Paqa e stabiliteti ne Maqedoni duhet të sigurohen me bisedime e me zbatimin e marrveshjes së Ohrit.Duhet të bëjmë dallim midis atijë që humbet dhe atijë që fiton, por në rastin e terrorizmit –tha ai- në fakt humbasin të dy palët.
Personalisht do të kisha dashur të flitej më hapur duke thënë troc se në Kumanovë u krye një masakër e vërtetë ndaj shqiptarëve. Dhe se kjo masakër është vepër e autoriteteve Maqedonase me në krye Gruevskin dhe në bashkëpunim me agjenturën ruse,serbe e atë vendase , për të valvitur flamurin e nacionalizmit maqedonas, për të larguar vëmendjen nga veprimtaria anti kushtetuese dhe anti ligjore për të cilat Gruevski akuzohet dhe për ta trasferuar konfliktin e Krimesë e Ukrahinës në Ballkan.
Por vec sa më sipër, në fjalët dhe qëndrimin e Erdoganit, më vinte herë herë nërmend një libër i Dautoglusë me një filozofi neo-otomaniste në frymën e perandorisë Osmane të shekujve 16-17-të. Ky libër në esencë bën thirrje që të futen në një formë të re nën ombrellën e Turqisë së sotme: Shqipëria, Kosova, Maqedonia , Bosnja etj . Më duket se filozofia e këtij libri në shumë aspekte është këthyer në një strategji të menduarit dhe vepruarit të lidershipit te sotëm turk. Po ashtu duket se është edhe mentalitet i Erdoganit, pra një përpjekje për të luajtur në ditët e sotme kartën e Ballkanit kundër BE-së. Kjo lëvizje e Erdoganit në gjykimin tim , është më shumë lëvizje inatëcore se sa realiste . E thënë ndryshe me qënëse Turqia është kandidate për në BE prej dekadash (qysh nga viti 1963) dhe nuk ka shanse tash për tash të pranohet si anëtare me të drejta të plota, në një formë ose në një tjetër t’i bëjë karshillëk Europës Perendimore. Unë mendoj po ashtu se prania e Turqisë në Ballkan , me investime e veprimtari dobipruese për rajonin dhe vetë Turqinë nuk përbën asnjë të keqe, përkundrazi është një gjë e mirë. Por luajtja e kartës anti BE është jo e drejtë ,jo dobipruese dhe për shqiptarët e papranueshme. Shqipëria megjithëse ka qenë nën pushtimin otoman për pesëqind vjet, ajo gjeografikisht, etnikisht, në mentalitet, zakone e tradita, kulturë ,është europiane. Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare ka thënë se Shqipëria ka gabuar dy herë në historinë e saj duke u larguar nga Europa të cilës i përket, së pari nga pushtimi turk dhe së dyti nga pushtimi komunist. Një gabim i tretë do të ishte tërësisht i pafalshëm.
Nga vizita e Erdoganit ne Tiranë mësuam edhe për një të ashtu quajtur marrveshje strategjike midis dy vendeve gjysëm të gatuar nga Edi Rama dhe Erdogan kur ky i fundit ishte Kryeministër i Turqisë. Përmbajtja e këtij documenti nuk është bërë i njohur as të paktën në mënyrë evazive se cilat do të jenë fushat e bashkëpunimit strategjik. Por unë përnjëherëshi sapo e dëgjova si concept ,dyshova dhe do te vazhdoj të dyshoj edhe në të ardhmen se kjo gjë do ti shërbejë kombit tim. Si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare, si intelektual dhe si Nënkryetarë i Federatës Panshqiptare Vatra, gjykoj se partnerë strategjik te Shqipërisë janë: SHBA-ja,Be-ja dhe Nato-ja antarë të së cilës jemi.
Erdogan, ju kërkoi autoriteteve shqiptare të luftojnë kundër disa grupeve të cilat në Turqi konsiderohen armiqësore (për Erdoganin), por që kane veprimtari edhe në Shqipëri në disa fusha si arsimi, biznesi etj. Kërkesa ishte me aq theks sikur Shqipëria është një apendikx i Turqisë. Në këndvështrimin tim kjo është e pa pranueshme, sepse Shqipëria është një vend sovran, i lirë e me kushtetutë e ligje jo të njëjta me ato të Turqisë. Pra veprimtaria e kujdo personi juridik e fizik analizohet e trajtohet vetëm në përshtatje me legjislacionin shqiptar. Këto që po them unë do të kisha dashur ti dëgjoja nga goja e autoriteteve shqiptare.
Por, parë në tërësi, vizita e Presidentit Turk në Shipëri së bashku me delegacionin qe e shoqëronte atë, shpresoj dhe dëshiroj të ketë qenë e suksesëshme dhe ti sherbejë ngritjes së mirëqenies së shqiptarëve dhe forcimit të bashkëpunimit bilateral. Kontestimet e më sipërme në sanjë mënyrë nuk duhen marrë si dashakeqe, por si një mendim opozitarist për ti ndrequr punët më mirë në të ardhmen.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, ne Tirane, Vizita e Erdoganit

Politika e Shkupit dhe Gruevskit po i vret shqiptarët!

May 14, 2015 by dgreca

Nga Beqir Sina/
Ngjarjet e fund-javës së kaluar në Kumanovë, ku janë arrestuar rreth 30 shqiptarë dhe 14 shqiptarët të tjerë janë gjetur të vdekur dhe nuk po u mësohet ende identiteti i tyre, duket se janë edhe një përpjekje tjetër e dështuar e Qeverisë Gruevskit, për tërheqjen e vëmendjes nga kriza e thellë politike, në të cilën ndodhet Maqedonia sot, si rezultat i “pëllcitjes” së politikës ultra nacionaliste gjatë këtyre dy mandateve.
Duke menduar dhe sajuar atë gati çdo ditë se shqiptarët janë ” shkaku i krizave janë ata që “nxisin” konfliktet të brendshme”.
Tendencat, për një përpjekje të këtill, “tërheqjen e vëmendjes”, kjo, qeveri na e dha me “sinjalin” e ndezuar në rastin e Gushincës, por, edhe në situata tjera të provokuara dhe të inskenuara nga qeveria Gruevskit, sidomos, me theks të veçantë këto pesë vitet e fundit.
Dhe, jo më kotë, në opinionin e atjeshm – ku ndodhen edhe ngjarjet tragjike të ditëve të fundit, kanë qarkulluar edhe informata të këtilla, se për skenarë të tillë, janë ndarë nga segmente, që “dëshirojnë destabilizimin” e situatës miliona euro nga buxheti shtetror.
Kësaj i thonë në gjuhën tonë popullore se “Ku ka zë !- Nuk është pa gjë!”
Kështuqë, nuk janë të rastësishm – raste të këtilla, gjatë kësaj qeverisje, në Maqedoni, si ato që ndodhën në Kumanovë. Ku qarqe të caktuara sllavo maqedonase, por ndoshta edhe të ndihmuara edhe nga ndonjë syresh i papërgjegjshëm shqiptar, vënë në shërbim të shërbimeve të caktuara sekrete maqedonase, krijonë dhe inskenojnë skenare makabre me shqiptarët.
Skenarët e tillë sidomos nga faktori politik shqiptar në Maqedoni, duhen parë dhe trajtuar me shumë maturi e kujdes – Kësisoj nga shqiptarët nevojitet përmbajtje dhe shmangie nga provokimet e tilla ogurzeza, skenare që ndjellin vetëm kob, tek shqiptarët, dhe gjithmonë ne kemi dalur vetëm të humbur, deri edhe me jetë njerëzish dhe dëme të konsiderueshme materiale dhe keqtrajtime si në kohën e Millosheviqit në Kosovë.
Kushdo, që ka ndjekur me pak vëmendje sulmin brutal, e policesk me përmasa deri për të bër “spektakël” nga ana e Ministrisë së Brendshme – pra Qeverisë së Maqedonisë në Lagjen e Trimave në Kumanovë, të cilën e pamë me videot e montuara të nxjerra prej tyre, si në filmat e Jams Bond-it, e kupton mënjeher se ky është një skenar i mirë përgatitur nga Gruevski dhe shërbimet sekrete maqedonase.
Skena të tilla çdo shqiptari i kujton atë skenarin e sulmeve blic, të policisë e paramilitareve të makinerisë serbe, mbi vendbanimet shqiptare në Kosovë, gjatë luftimeve të viteve 1998-1999, kur serbët kërkonin armë nga shqiptarët, plaçkisinin dhe arrestonin në masë shqiptarët që të fusnin panik.
Mirëpo më së shumti mbas kësaj ngjarje, mes një mori pyetjesh do të ndaja disa prej tyre:” Atë se : Kush i vrau 14 shqiptarët ? Kush po i vret gati çdo ditë shqiptarët? Kush e ka radhën tani mbas Kumanovës? Kur do të sajohet nga qeveria ndonjë “grup terroristë”, tjetër, pra që e kanë radhën …… tani për ta elNdërkohë, që pyetjet e para e kanë marrë përgjigjen, dhe janë ezaruar, shkruar, komentuar gati çdo ditë, nga gazetar, analist dhe komentator politik, gjatë ngjarjeve të këtyre ditëve, në “spektaklin policesk në Kumanovë” por edhe më para tyre, atëherë natyrisht i vjen rradha pyetjes së fundit për Kumanovën, a e “gatojë” politika e “papërmbajtshme” dhe ultra- nacionaliste e Shkupit, Qeveria e Gruevskit- Kumanovën
Me atë ” urrejten ndaj shqiptarëve” Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski! çdo gjë që bën e bën për poenë politike, si në rrafshin e brendshëm, po ashtu edhe me ndërkombëtarët, ashtu edhe në atë me fqinjët e saj – sa her që i nevoitet atij – kundra shqiptarëve.
Por, të mos zgjatem se të gjithë e dimë, se cili është kuptimi dhe nënkuptimi i asaj “kur njerëzit, qeveria në vend që t’i ushqej me mirëqenien , dhe bashkëjetesen në një vend multi etnik si Maqedonia, atëhere qeveria zgjedh e i “ushqen” njerëzit e saj vetëm me ndenja të forta urrejtje dhe diskriminimi
Sidomos, kur bie fjala në shtete të këtilla multietnike, siç është Maqedonia, çdo njeri nga ne e di se gjuha e “dhunshme” është nacionalizmi, i cili mund të nxis dhunën aktuale, dhe të gjithë e dinë që metaforat me motive nacionaliste , mund të nxisin vrasje…..edhe si këto më të fundit që ndodhën në Kumanovë.
Ky akt kriminel, në Kumanov, që s’ka dyshim se është pjellë, për-rrjedhojë, e politikave ultra nacionaliste të Qeverisë Gruevski, të ndjekura dhe manifestuara nëpërmjet sulmeve të dhunshme policeske, ndaj shqiptarve, kërkon vetëm transparencë. “Se moszbardhja e këtyre vrasjeve dhe shkaku i tyre, natyrisht që do të thotë se situata vërtetë është e rëndë dhe shqetësuese në Maqedoni.”
Kjo është Qeveria, që duhet larguar vetëm për atë se nuk ka bër asgjë për të parandaluar paraqitjen e atmosferës nacionaliste, dhe vrasjeve të tilla, diskriminimit, dhe ndasive kaq të mëdha në të njëjtin shtet. Ku integrimi në shoqëri është një proces i njëanshëm, një vend ku u arritë një marrveshje si “Marrveshja e Ohrit” e cila ka mbetur sakate dhe e pa realizuar aspak.
Ka ardhur koha që kundër këtyre vrasjeve duhet të tregohet vendosmëri aktive gjegjësisht,e shtetit e Qeverisë në rend të parë, dhe më pas e partive politike, qofshin ato shqiptare në qeveri qofshin ato në opozitë. Por, barra më e rendë, natyrisht pikësëpari i bie atyre në koalicion me Qeverinë, pra BDI-së së Ali Ahmetit.
E cila:”Nuk mjafton vetëm duke bërë thirrje qytetarëve të tregohen të përmbajtur dhe që ky rast të mos keqpërdoret për nxitjen e promovimit të tensioneve ndëretnike, dhunës dhe padurueshmërisë, porse duhet që në mënyrë aktive të ndërmerr masa kundër kryesve të këtyre vrasjeve, dhe zbardhjen sa më parë të saj. Sepse, dihet që kemi të bëjmë me një krim ndaj njerëzisë, 14 të vrarë , 30 të arrestuar, dhe dëme të pallogratshme materiale, panik dhe tmerr ndaj shqiptarëve, të pafajshëm dhe të pa mbrojtur.
Ndërsa, çështja tjetër, është se duhet një strategji afatgjate, me shqiptarët në Maqedoni. Të paktën të respektohet e plotë Marrëveshja e Ohrit. Kur dihet dhe po shihet se po përjetohen traumat të këtilla me shqiptarët.Dhe,, nëse këto pas disa vitesh do të harrohen- ashtu siç janë harruar ato që kanë ndodhur më parë në Kondovë, Kumanovë, Haraçinë, Tetovë, Shkup, rasti “Monstra” e të tjer, atëhere çfarë do të presim tjetër, vetëm do të kemi skenare të tilla si ky i Kumanovës,
Përfundimisht, duhet që rrënjësisht të ndryshojë, ky mentalitet, dhe kjo qeveri e cila mendon ta mbaj pushtetin me polici, apo me njerëzit e saj të veshur me pushtet, që mund të kryejn çdo lloj veprimi deri në vrasjeje, ndaj shqiptarve, kur e din se jan të mbrojtur nga shteti që nuk dënon askënd në se je maqedonas.

Filed Under: Analiza Tagged With: Beqir Sina, Politika e Gruevskit, vret shqiptaret

VASIL PANI, NE KRYE TE TABORIT TE SHQIPTARIZMES

May 13, 2015 by dgreca

Në kujtim të 120-vjetorit të lindjes të atdhetarit të shquar dhe kryetarit të VATRËS për shumë vite, VASIL PANIT/
“Vasil Pani ka qëndruar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës”.- Fan Noli/
Nga Anton Çefa*/
Vasil Pani u lind në vitin 1895 në fshatin Dardhë të Korçës në një familje të fisnikëruar nga shqiptarizma e shenjtë e Rilindjes sonë kombëtare. Si shumë dardharë të tjerë, edhe Vasili me babanë e tij, patriotin Josif Pani, për arsye ekonomike emigruan në SHBA. Atëherë Vasili porsa kishte shkelur në të dymbëdhjetat. Qe tamam viti 1907, kur në saje të përpjekjeve të përfaqësuesve të mëdhenj të lëvizjes patriotike e demokratike shqiptare të dhjetëvjetëshit të parë të këtij shekulli, dardharit Sotir Peci, mësuesit martir Petro Nini Luarasi dhe kolosit Fan Noli, u themelua shoqëria “Besa – Besë” në Boston. Bashkë me dardharë të tjerë, në krah të kësaj tresheje madhore u vu edhe babai i Vasilit, Josifi, për të mos iu ndarë asnjëherë veprimtarisë patriotike, së cilës ai iu përkushtua jo vetëm si një emigrant i thjeshtë, por edhe si një intelektual i përgatitur.
Nën drejtimin e Josif Panit, nga shtatori i vitit 1917 deri në mars të 1918-s, në Worcester Mass., doli gazeta e përdyjavshmë politike e shoqërore “Sazani” në shqip dhe anglisht, e cila bëri një propagandë të gjerë për çështjen kombëtare, dhe i shërbeu bashkimit të shqiptarëve të Amerikës rreth Federatës Panshqiptare Vatra. Vetë titulli i gazetës është aqkuptimplotë: Sazani, ishulli më i madh shqiptar, është një nga viset tona që ka bartur më shumë peshën e rëndë të robërisë së huaj. Ai ka qenë i pushtuar nga venedikasit, turqit, anglezët, grekët, italianët dhe gjermanët.
Kur në vitin 1911, ende pa u formuar VATRA, shoqata “Besa-Besën” hapi një fushatë për të ndihmuar Shkollën Normale të Elbasanit, Vasili 15-vjeçar dhuroi një dollar, të mbledhur pak nga pak me kujdesin fëminor, duke dëshmuar zjarrin atdhetar që i ndizej në gji dhe ndjenjën e fuqishme të dashurisë për arsimimin e breznive të reja shqiptare.
Në vitet 1912-1914, bashkë me disa të rinj emigrantë, Vasili shkoi në Shqipëri për të luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut, dhe u rreshtua në çetën e luftëtarëve të kryesuar nga patrioti i madh Themistokli Gërmenji, e cila vepronte në krahinën e Korçës, në fillim kundër pushtuesve osmanë, dhe më vonë kundër grekëve dhe tradhtarëve vendas, që ishin në shërbimm të të huajit.
Me t’u kthyer në Amerikë, më 1914, ai vihet në dispozicion të Vatrës. Zgjidhet anëtar i Këshillit; pak më vonë, sekretar i Federatës dhe, më 1929, kryetar. Nga ky vit deri më 1936 dhe nga viti 1938 deri më 1946, Vasili qe kryetar i këtij institucioni, më i lavdishmi i shqiptarëve të Amerikës; dhe ia kushtoi asaj pjesën më të madhe të kohës së tij. Restorantin e vet në East Camberbbridge. Mass., Vasili e kishte bërë qendër të grumbullimit të shqiptarëve, ku bisedohej për hallet e Shqipërisë. Më të drejtë është thënë: “Ky restorant kishte vlerat e një instituti kombëtar”. Idealit atdhetar, Vasili i shërbeu edhe me shkrime.
“Dielli”, më 11 shtator 1936, shkruan: “Për zotin Pani çështja shqiptare ka qenë një fe mbi të cilën është falur që në kohën që erdhi në moshën të kuptojë. Dëshira dhe ambiciet e Vasilit kanë qenë: t’i shërbejë Atdheut, të bëjë sakrifica, të qenurit gati të mbrojë çështjen kombëtare. Ka çmuar më tepër pasurinë morale që rrjedh nga miqësia dhe vëllazërimi midis shqiptarëve se sa pasurinë materiale.”
Vasil Pani vdiq papritmas në vitin 1947 dhe u varros me nderimet më të mëdha nga diaspora e shqiptarëve të Amerikës. Me këtë rast, “Dielli” shkroi: “Vatra po të mos kishte qenë Vasili mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonë miqtë e Vasilit dhe e pranojnë kundërshtarët e Vatrës.” Dhe: “Me vdekjen e Vasil Panit, Shqipëria humbet një burrë besnik, Vatra një figurë të shquar . . .”
Vatranët do të përulen gjithnjë me mirënjohje para kujtimit të ish-kryetarit të tyre të nderuar dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës do ta kujtojnë me respekt emrin e këtij patrioti dhe veprimtari të palodhur, që siç e ka cilësuar Noli “ka qëndruar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës. Kurdoherë i pari në kishën kombëtare që në krijimin e saj si edhe në Vatrën.”
*Ribotim i redaktuar dhe i plotësuar
* Ne Foto:Ate e bir, Josif e Vasil Pani

Filed Under: Vatra Tagged With: Anton Cefa, ne krye te taborit, te Shqiptarizmes, Vasil Pani

New York, Festa e bukur e Nënave

May 13, 2015 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/
Me rastin e Ditës së Nënave Amerikane Assamblyman Z. Mark Gjonaj organizoi një festë të bukur dhe mjaft interesante për nënat në Bronx, e pranishme në këtë takim ishte edhe Senatorja Amerikane Znj. Ruth Hasell Thompson, e cila ka punuar shumë e ka ngritur zërin për të drejtat e gruas në Senatin Amerikan, duke hartur ligje në mbrojtje të të drejtave të grave.
Festa e Ditës së Nënave i ka fillimet e saj në vitin 1914, për nder të Anna Javers, vajzës së përkushtuar dashurisë së nënës e cila e humbi atë nga një sëmundje në vitin 1908, me këtë rast ajo i drejtohet me një letër kërkesë presidentit amerikan të asaj kohe që dita e nënave të ligjërohej si festë kombëtare. Presidenti i miratoi kërkesën e saj dhe e ligjëroi si Festën e Nënave Amerikane. Si fillim së pari kjo festë nisi për të uruar nënat në mjedise familjjre, më pas mori një hapje të madhe në SHBA, në disa vende të botës.
Edhe Z. Mark Gjonaj megjithëse i ri në këtë funksion të lartë politk ka bërë shumë për të drejtat e gruas në Asamblenë e New Yorkut, ku idetë e tij kane gjetur mbështjen e duhur nga politika amerikane.
Muzikë nga Frank Sinatra dhe këngëtarë të njohur të muzikës jazz e rock shoqëruan drekë festive mes nenave shqiptare dhe atyre amerikane në Bronx. Z. Mark Gjonaj tregon kujdes të veçantë për të dërguar urimet e rastit dhe festuar çdo festë zyrtare shqiptare dhe amerikane me qytetarët në Bronx, çfarë e bën atë më të afërt e më popullor me të gjithë banorët e Distriktit Nr. 80 në Bronx e më gjerë. Fjalët më të mira flasin qytetarët e kësaj zone elektorale për Assamblyman Mark Gjonaj, ata janë të kënaqur nga puna e tij tre vjeçare në këtë post të rëndësishëm e thonë se nuk ndihen të zhgënjyer që i kanë dhënë votën për dy mandate rradhazi.
Assamblyman Z. Gjonaj në Restoranitn “Sanz” në Bronx, përveç të tjerave organizoi edhe sfilatën e modës për të pranishmet ku fitueset morën dhuratat e rastit si, Gruaja për kapelen më të bukur. Gruaja me veshjen më të bukur.
Edhe Senatorja Thompson pasi uroi gratë për festën e nënave, vlerësoi veshjet e tyre për rëndësinë që i kishin dhënë këtij eventi mbarë kombëtar. “Nuk e dija tha ajo se sot këtu do të zhvillohej edhe konkursi për kapelen më te bukur, se edhe unë do të vija këtu me një kapele të bukur që e kam në garderobën time”.
Ajo gjithashtu tha se vitin e ardhshëm do ta lerë funksion politik si Senatore për të konkuruar si Kryetare Bashkie në Mt. Vernon. Por shtoi ajo: “E di, që do të më mungojë shumë Bronxi dhe qytetarët e saj, ku kam kujtime të shumta, pasi së bashku kemi bërë punë të mëdha për mirëqënien e jetës së popullatës në Bronx.
Festa kaloi gëzueshëm, me këngë e muzikë e me humorin e këndshëm e paqësor të Assamblyman Z. Mark Gjonaj.
New York, Maj 2015

Filed Under: Komunitet Tagged With: e Nënave, Festa e bukur, Mimoza Dajci, New York

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT