• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2015

SHERIF BALI, TITANI I LIRIKËS SHQIPTARE

July 13, 2015 by dgreca

NGA BAJAME HOXHA – ÇELIKU/
Nga mesi i viteve 60-të të shekullit të kaluar (saktësisht në dhjetor ‘64, kur ishte në klasën e shtatë) , u ngrit mbi skenën letrare shqiptare ylli i ri i lirikës së asaj kohe, poeti Sherif Bali, nga fshati Balaj i rrethit të Lushnjës. Fillimisht si një dritëz që dridhej mbi Darsi e Myzeqe. Dritëz që e çonin erërat sa nga fashati i tij Balaj në Lushnje , sa nga Lushnja – në Balaj. Xixëllonjë , thanë e aq, si të gjitha xixëllonjat, do të fiket në fundmaj në të hyrë të Lushnjes, pa e ndjekur nëpër rrugë asnjë fëmijë qyteti (i atij qyteti vrastar ku talentet si Sherif Bali i fundosnin thellë duke përdorur grushtin e fortë të partisë, por dhe intrigën e sëmurë e të pashmangur të tyre!) , vetëm në cigaret e të atit ndoshta do të tentojë të feksë ndonjëherë më të rrallë mbasandaj e tutje. Por, në fillim të viteve 70-të , ai shpërtheu akoma më me vrull me ciklet e tij mahnitse poetike, dy në revistën letrare “Nëntori” ( Shtator ‘70, Janar ‘72), dy në gazetën “Zëri i Rinisë” ( Prill ‘71- Dhjetor ‘71). Vjersha që e lanë shtangur lexuesin dhe artdashësin. Lirika si të shkruara në ajër nga një dorë e padukshme. Figura e rima që të godisnin e të vrisnin si rrufetë, por të ringjallnin aty për aty përsëri : madje të bënin më të bukur seç qe!
Ciklin e fundit tek “Zëri i Rinisë” ( Dhjetor ‘71) që kishte 5 vjersha, ia botoi me kokëkrisjen e saj ish redaktorja e faqes letrare, Emine Sadiku, një nga adhurueset e tij më të zjarrta, madje dhe me skica të piktorit Zamir Mati. Fjala ishte dhe për 5 cikle të tjera me nga 5 vjersha (një libër i plotë )nga që u prit mjaft ngrohtë nga publiku, por …u ul Trau …duke e lënë Eminenë brenda dhe Sherifin jashtë,por kjo në të ardhmen i rëndoi asaj shumë, se ia llogaritën , kur e çuan për riedukim në Metalurgjikun e Elbasanit. Kështu ndodhi dhe me ciklin e fundit në “Nëntori” ( Janar ’72 ) : u botua falë këmbënguljes së dashamirësit tjetër të tij, poetit të Kitarës së Jugut Sulejman Matos.
Më kujtohet , në fillimet e demokracisë , një mikesha ime artdashëse, dhe unë si një krijuese e penguar nga regjimi , kur ra fjala për poetët e ndaluar lushnjarë si Faslli Haliti,Bajame hoxha,Elmaz Qerreti etj, veçanërisht u përqendruam te vargjet mbresëlënsëse të poetit Sherif Bali,një nga të përndjekurit. Një vjershë të atyre cikleve botuar në “Nëntori” 9 ( Shtator ‘70 ) me titull : Lumturi Peqini, mikja ime çuditërisht e kishte mësuar përmendësh dhe e recitoi aty për aty. Po e jap atë të plotë , këtu më poshtë, për të parë se sa e freskët është ende kjo kryevepër poetike dhe pas dyzetëepesë vjetësh.
LUMTURI PEQINI
Përsëri në fusha erdhi vjeshta
Me motive misri dhe shalqini
E në ara shkon me këngë buzës
Myzeqarka Lumturi Peqini.

Tok me vjelsit shkoj dhe unë në ara
E mbi një kokërr shalqini
Krejt instiktivisht me majë të thikës
Shkruaj emrin : LumturiPeqini .

Në dyqan kur sot ajo të shkojë
Do shohë emrin shkruar mbi shalqi
E do thotë heshtur : E ka shkruar
Për të lojtur ndonjë djalë i ri.

Por prapë nesër, kur t’lexojë gazetën,
Do shohë emrin : Lumturi Peqini
Dhe ahere do mësojë kush është
Ai djali që shkroi tek shalqini…
Para tre vjetësh , pas kaq shumë vitesh, tek kafe “Opera” në Tiranë takohem përsëri me miken time të hershme, që tashmë është edhe ajo poete, ku midis të tjerash më tha : Këtë herë do të të bëj një surprizë të këndshme, do të të jap dhe dy dorëshkrime origjinale të poetit Sherif Bali të pabotuara deri më sot. Meqenëse edhe ti je një poete e mirë, një kijuese e njohur tashmë në fushën e letrave,do t’i ndjesh akoma më shumë, dhe do t’i quash:perla të poetit sheriff Bali!. Këto ditë, kur erdha nga Brukseli në Shqipëri , e takova poetin në Tiranë, po në të njejtin vend, e ia bëra atij si surprizë këto dorëshkrime të hershme e i mora leje për t’i botuar në librin tim të ri. Po i jap të plota dhe këto dy lirika të papërsëritshme të fillimeve të krijimtarisë së tij.

ASAJ
Ka zënë pa qera…
Ç’t’i dhuroj ?
Tufa lule shirash
Asaj që llozhën e zemrës sime
Të lidhura me kordele vetëtimash?
Eh, moj çupë, të kam dashuruar,
(Edhe kokën e lija për ty.)
Por më mirë ,për mos pasur keqkuptime :
Po i dhuroj fytyrën time!

PASKA SHUMË NJERIU PËR TË UDHËTUAR

Mjaft idile të ëmbla m’u zgjuan
Kur t’i pashë idilikët sy.

Ti më shihje shpesh ndiferente,
Nuk më falje një herë një buzëqeshje.
N’atë moshë n’fytyrëzën tënde
Unë shihja veç atë që më dehte.

N’atë moshë nuk isha i denjë ,
Them dhe vetë – për të tillë dashuri.
Laureshën e merrja mëllenjë
Dhe ullastrën, kuptohet, ulli.

Shkuan vjete mbi rrugët e shtrembëra
E i prishën gjithë gjerdhet e kalbura.
Laureshën tani ma njeh zemra
Pasi flaka gjykimet e varfëra.

Eh, moj çupë ,të kam dashuruar,
(Por sot kokën s’e lej më për ty.)
Paska shumë njeriu për të udhëtuar
Paskan shumë për të parë këta sy.

Pas këtyre cikleve në “Nëntori” , “Zëri i rinisë”, opinioni letrar e më gjerë, filloi të pyesë: Cili është ky letrar? Nga vjen? Ku shkon? Ç’moshë ka? Ç’punë bën? Ç’arsim ka marrë? I kujt është? Pse ka një emër të tillë “Sherif” si të sherifave amerikanë?! (nëse e ka pasë në familje nga ndikimi otoman- prindërit s’duhej ta përtërinin , nëse s’e ka pasë, është e qartë sfida që na bëjnë me këtë emër: Do të vijë koha e Sherifëve dhe këtu!, Aq më shumë kur në qiellin e muzikës një vit më pas u ngrit dhe një Sherif tjetër i madh : Sherif Merdani!) Sidomos mediokërit, pasi ai ua çau tollumbacet e vjetra poetike, qenë të parët që u alarmuan e u idhnuan nga shfaqja e talentit të tij, por… dhe ahere kishte sy magjik ( si sot) nga shikoje që pas derës kush ishte mysafiri i ri që vinte nga jashtë : Ishte syri i partisë! – Si? Birit të kulakut, po i ndizni dritën jeshile ju? ulëriu ky sy. Si guxon ai të shkruaj një emër femre mbi kokrrën e shalqinit,kur poetët tanë të ndritur të realizmin socialist shkruajnë dhe mbi bukën që hanë e mbi ballin e grave e të dashurave të tyre ( pale të vjershave!) PPSH e PARTI – ENVER, JEMI GATI KURDOHERË?! Kaq u desh që të fikej drita jeshile për të. Të ndizej drita e kuqe ( i mjeri diell , që sillte jetën në të gjithë rruzullin, në Shqipëri përdorej për ta shuar atë!)
U duk sikur poetin e përpiu dheu, aq sa çuditeshin kur e shihnin rrugëve të qytetit : si paska dalë nga andej ky ?! Të të ndalohej botimi ahere e të të quanin armik , aq më shumë kur vije nga një familje e pasur pronare tokash , e shpallur kulak , ishte një dënim i pakufizuar në kohë, të cilin mund ta kufizonte vetëm vdekja fizike. Ishte më ndryshe kur dënoheshe me burg : I pandehur, dënohesh me 5 vjetë heqje lirie për sabotim prone të përbashkët; i pandehur dënohesh me 10 vjetë për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor…vinte dita e liroheshe. Mund, ndonjëherë , dhe të rehabilitoheshe. Kurse armiku i klasës si Sherif Bali ishte përherë një i lirë i pa liruar. Aq e vërtet qe kjo, sa jo vetëm s’e lejuan të vazhdonte shkollën e lartë si të gjithë shokët e tij , por dhe pas vdekjes së Diktatorit s’i botuan një varg. Mendo kur në gazetat e revistat letrare asokohe qenë redaktorë letrarë e studiues të njohur si : Dalan Shapllo, Xhezair Abazi, Xhevahir Spahiu , Bardhyl Londo, Rudolf Marku etj. ( hiq Teodor Kekon dhe Petrit Rukën, që patën tentuar si dashamirës të poetit për ta ndihmuar disa herë por kishin hasur në pengesa) Kjo madje dhe pas demokracisë deri ne vitin ’94. Por, a heshti poeti ? Ai ,si kokrra e rërës në guackën në fund të detit, formonte margaritarin e tij. Vetëm se ai , pasi mbaronte margaritarin brenda një guacke, dilte prej andej dhe hynte në një guackë tjetër për të formuar margaritarin e ri, gjë që s’e bëntë dot kokrra e rërës! Kjo u duk qartë kur poeti botoi në gusht të vitit ’94 librin e parë poetik “ Koncert sipas kërkesave të degjuesve” , libër që erdhën e blenë në Tiranë dhe letrarë të njohur nga Kosova! Për të u shkruan shkrime të bujshme nga Dalip Greca ( gazetar i “Vatrës”sot në New Jork ) ,Çelik Petriti , Vladimir Çuni , Halil Jaçellari ,Faslli Haliti,etj. Por, QERSHIA mbi TORTË, për atë libër , qe eseja e jashtëzakonshme “Koncerti i Sherif Balit “e kolosit të Letrave Shqipe,shkrimtarit Koço Kosta. Por …çudi për tu çuditur! , megjithëse ky libër atë vit u përfol për çmim si libri më i mirë i vitit , çmimin (si gjithmonë!) e morën të tjerë!
Kulmi arriti deri aty , kur poeti i shquar lushnjar Faslli Haliti nisi për Gazetën“Drita”një shkrim kushtuar librit dhe cikleve të Sherif Balit.Me gjithë dëshirën e madhe për ta ndihmuar dhe për ta bërë të njohur këtë poet kollos,Faslli Haliti nuk mundi t’ia delte, edhe pse konsideratat e Kadaresë, Ndoc Gjetjes(gojore) e të tijat për Sherif Balin ishin pozitive,por ngeci te ish kryeredaktori i saj Bardhyl Londo i cili s’e botoi me pretendimin : më humbi! Pra, Trau i Ulur për Sherifin , s’paskësh qenë nga biografia por nga poezia! Pas koncertit erdhi libri i dytë “Hënë , përkthemë në qiell” ( ç’guxim !) i botuar në ’97, ku vetëm titulli është një libër më vete! Një Metaforë Aliene! Pas këtij , libri tjetër nga më të çuditshmit ,i pa parë dhe në lirikën botërore , “Autoportreti im në pjepër”, i shkruar në rininë e tij të hershme ( viti ’75) por i botuar 23 vjetë më pas : më ’98. Për këtë libër çuditërisht heshtën, përveç parathënies së mikut të tij të ushtrisë , poetit Demir Gjergji, megjithëse libri u përpi nga lexuesit , aq sa poeti e ribotoi më të plotë në vitin 2000.Për këtë libër nuk heshtën vetëm legjendat. Sidomos një legjendë urbanse- tiranse : Pas vitit 2000, poetit që qe pa shtëpi në fshatin e tij Balaj , shtëpinë e re në Lushnje ia ngriti donatori austriak , artdashësi i madh vjenez, zoti Alfred Kasses . Po pse, kush është Sherif Bali që t’i ngrejë një vilë Vjena ? tha legjenda . Në këtë kohë në Shqipëri, pas librit “Autoportreti im në pjepër” , u përkthye nga Nasi Lera e u botua romani “ Portret ne sepje” i romancieres kiliane Isabel Ajlende . U gjet dhe arsyeja e ngritjes së shtëpisë së poetit: “ Autoportreti im në pjepër” i Balit me “Portret në sepje” i Ajlendes, ai gjoja ishte ankuar se do ta hidhte në gjyq për plagjiaturë Ajlenden. Mos , i kishte thënë ajo , mos e bëj këtë , se do të ta shpërblej : do të të ngre një vilë e do të të përkthej në spanjisht. Ja, pra , megallomanët dhe cmirëzinjtë deri ku arritën! Pas këtij libri , erdhën me radhë librat e tjerë të Balit , njeri më i bukur se tjetri : “Letër me 33 faqe” ( 2000 ), “Poet : A do nuse? “ ( 2004) , “ Vjeshta është mizore” ( 2009) , dhe dy kryeveprat e fundit të sponsorizuara e të botuara nga Shtëpia Botuese “Fan Noli “ prej mikut të poetëve , artdashësit e botuesit Rexhep Hida , : “ Autoportretet e mia ne lejlek” (2011) , krejt ndryshe nga “Autoportreti im në pjepër” , por njëkohësisht dhe vazhdim i tij, siç janë Kosova dhe Çamëria vazhdime të Shqipërisë, apo një kontinent vazhdimi i një tjetri, britmë për artistët e nëpërkëmbur , ndërtuesëve të shteteve moderne, dhe : “Kunata e vogël në mur” ( 2013) duke e kthyer përmbys legjendën e Rozafës , atë legjend me të cilën mburremi përpara botës , legjendë e cila ka mbyllur në mur një femër ( për të mos vazhduar jeta!), as një mashkull të paktën ! , e cila thërret nga muri : O udhëtar / Djalin tim a e ke parë? /Dhe thuaji kujdes / Dy të tretat e njerëzve janë të pabesë! Por , më në fund , fatmirësisht ( FATMIRËSISHTË!) atë na e nxori nga muri Sherif Bali! Si do t’ja bëjmë tani pa këtë legjendë ? Ani, kemi fituar një Titan të lirikës!Pse heshtet për këtë Titan?!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, Sherif Bali, TITANI I LIRIKËS SHQIPTARE

DY DASHURITË E KADRI MORINËS

July 13, 2015 by dgreca

Ne Foto: Gjate vizites ne Shqiperi 21 Shtator 2014, Papa Francesku ne restorantin e Kadri Morines/
Kadri Morin ka lindur dhe është rritur në trevën e njohur tregëtare prej kohës së Mesjetës, -në fshatin Shikaj të komunës së Vaspasit, Kukës. Dhe pikërisht në majën e malit qëgjendet mes lumit Drin dhe Krumës, ngrihet madhështore si vetë historia Kalaja e Lekë Dukagjinit, -e cila- jo vetëm është pasuri e çmuar historike e kombëtare, por ka edhe një domethënie të rëndësishme,përvetë pozitën gjeografike rreth 400 metra mbi nivelin e detit. Sipas zakonit shkrehën edhe pushkën, për ardhjen në jetë të djalit të parë në familje, mbas tre vajzave.Ka lindur në natën e Kadrit, dhjetë ditë para mbarimit të muajit të Ramazanit. Babai i tij një besimtar i devotshëm, e quan birin e vetëm, për hir të natës së shenjtë që lindi, – Kadri. Djaloshi kukësian pavarësisht merakut dhe këshillës të prindërve për të mos shkuar në majë të malit, ai e vizitonte shpesh atë, sepse nuk mundej të jetonte dot pa ajrin e pastër të malit, gurgullimën e luginës, cicërimën e zogjve, gjurmët e historisë dhe hijeshinë e kalasë së Lekë Dukagjinit, të meditonte, biles edhe kur e mbulonte bora.Era e gjakut e thërret për mirënjohje, në ndikimin që pati për formimin e tij shpirtëror, profesional, si ekonomist-bisnesmen dh intelektual. Koha ecën me hapa të ngadaltë, dhe Kadri Morina nuk e pati menduar se në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit 21-ë, do të bëhej një nga investitorët më të suksesshëm e të fuqishëm në ekonominë e tregut shqiptar. Ndonjëherë edhe ka falimentuar, por i vetëdijshëm për uljet e ngritjet e bisnesit, kurajoz dhe i pademoralizuar, me besim e optimizëm, hidhej për sfidën e rradhës. Sot për sot Kadri Morina është një nga investitorët e sukseshëm e të rëndësishëm në ekonominë e tregut shqiptar. Në vitin 1993-e, nën drejtimin dhe përkushtimin e tij, u themelua“Euro-AlbaEA, dhe më pas zgjeroi investimet në fushën e ndërtimit, dhe atë të kulinarisë. Së fundmi investimet i tij i ka shtrirë edhe në Kosovë, me blerjen eKompanisë e Sigurimeve “Dardania”, sfidë e re disa milioneshe.
Kadri Morina përveçse një investitor modest, shëmbullor dhe i suksesshëm në tregun kapitalist shqiptar, gëzon ndjeshëm virtytin e bamirësisë. Bamirësinë e sheh si diçka të shenjtë.Sponsorizimet financiare të këtij investitori lenë gjurmë mirësie e inteligjence. Ka dhënë kontributin e tij financiar në restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut në qendër të Tiranës, jo vetëm për rëndësinë shpirtërore si një kult fetar, që ka kjo xhami, por edhe si një vlerë kombëtare, monumentale dhe historike, por kontribuon në rehabilitimin e afreskeve të xhamisë, pajisjet elektrike,etj, ngjyrimin e afreskeve duke ruajtur origjinalet. Për këtë sponsorizim madhështor e shpirtëror, Shoqata “Tirana”, e vlerëson duke i dhënë titullin më të lartë “Fisnikërija e Tiranës”. Është vlerësuar Qytetar Nderi i Hasit, Durrrësit, në Komunën e Mali të Zi, etj. Ka sponsorizuar në ndërtimin e kulteve fetare, në Peshkopi, Marikaj, Zall Bastar. Sikundër thuhet se; Mirësia prodhon inteligjencë!Sponsorizoi drekën e Papa Franceskut,në vizitën që ky i fundit, bëri në Shqipëri.Jo rastësisht u zgjodh Kadri Morina që Papa të shijonte drekën nga duart e një myslimani, për të treguar virtytin e shpirtit shqiptar, tregues tejet i veçantë ky se Shqipëria është mbretëria e tolerancës fetare që ekzistonnë Ballkan. Investitori dhe filantropisti shqiptar Kadri Morina u dekorua me medaljen e 319-ë nga 4000 medalje që ekzistojnë dhe jepennga Papa Francesku.
Ai vazhdon të ndihmojë financiarisht njerësit në nevojë, njerësit e sëmurë për kurimin e trajtimin e tyre jashtë shtetit.Jep kontributin e tij financiar për Fondacione të ndryshme, Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” Tiranë. Nuk kursehet aspak të sponsorizojë në botimin e librave historikë, Festivalin e Filmit, libra të autorëve të ndryshëm shqiptarësi një dashamirës i artit e letërsisë. Në këtë bashkëbisedim me investitorin dhe filantropistin e suksesshëm, Kadri Morina, ai na rrëfen me modesti dhe përgjigje unike e të admirueshme, se si arrriti ai të ngrejë bisneset e tij dhe investimet ne fusha të ndryshme të ekonomisë së tregut në Shqipëri e më tej.Gjithesesi dy dashurite e tij, sic zbulohen ne interviste jane:Familja dhe Çështja Kombëtare. Për më shumë ndiqni bisedën.
Bisedoi: Raimonda MOISIU/

-Si e filluat karrierën tuaj dhe si u integruat në fushën e bisnesit?Si është eksperienca tuaj duke punuar në sektorë të ndryshëm?

Tradita e familjes sime ka qenë fermerë, në gjëndje të mirë ekonomike për kohën që jetonim.Të parët e fisit kishin emigruar në Turqi, Anadoll , por që edhe kishin bërë prokopi. Mbaj mend që gjyshi na kishte sjellë një tevlik dhe një mulli kafeje. Ishim dy shtëpi të pasura të zonës; Sali Aga dhe gjyshi im -Niman Alia.Te Sali Aga shkonin merrnin këpucët për dasmë, ndërsa te shtëpija e gjysh Niman Alisë- merrnin mullirin e kafesë, për gëzime apo mort. Pozicioni i shtëpisë sonë ka qenë në anë të rrugës së madhe, -ku bashkoheshin lidhjet tregëtare midis Kukësit, Tropojës dhe Prizrenit. Prindërit e mij, si një derë fisnike që ishin, e mbanin derën hapur gjithmonë. Hynin e dilnin shumë mysafirë, veçanërisht tregëtarë, të cilëve u binte rruga për të bërë tregëti. Vija re që gjendja ekonomike e popullit të zonës sonë ka qenë tejet e varfër.Me dashurinë, dëshirën dhe vizionin për t’i parë sa më mirë bashkëfshatarët e mij, vendosa të sfidoj. Morra guximin të reagoj, për këtë gjendje të mjerueshme të tyre. Me aq sa më lejonte pushteti i kohës, takova Ministren e Bujqësisë të asaj kohe Themie Thomain. I them tekstualisht: -:Zonja Ministre, vij nga Kukësi, duam një plan shtesë me 300 kg esencë pishe, se e gjithë organizata e partisë do të mbytet në Drin, populli i zonës është në mes të katër rrugëve. Dhe nuk vonoi shumë, brenda një ore erdhi përgjigjja pozitive nga ministrja, duke na i plotësuar kërkesën.Nga 30 lek që ishte ditë e punës, shkoi në 150. Unë jo vetëm u gëzova nga kjo mbështetje, por tashmëkisha treguar edhe disa vlera dhe ambicje të mijat për t’u marrë me tregëti. Pra prirjet e familjes time për tregëti dhe fakti që përmenda më lart, më maturuan para kohe, për t’i hyrë më pas rrugës së biznesit. Pasi mbarova detyrimin ushtarak, qëndrova në Tiranë, me punësim në Ministrinë e Mbrojtjes, instruktor i rinisë. Që këtu zë fill ambicja ime për bisnes.Në vitin ’90-ë më thërrasin në zyrën e komandës, dhe më kërkojnëtë sjell disa kamiona me patate nga Kukësi. Mendoni flitej për disa kamiona jo për një. Koha ishte e tejet e vështirë. Sepse gjeje patatet, por nuk kishte kamiona. Si fillim gjeta 5 kamiona, ma pas edhe 51-ë kamiona të tjerë dhe çmimi i patates nga 80 lek për kg,-kaloi në 170 lekë për kg. Në disa muaj pata sukses dhe fitime financiare jashtëzakonisht të kënaqëshme. Kjo më inkurajoi dhe më dha forcë e kurajo për të ecur përpara, por edhe me idenë që fitimet t’i investoja në sektorë të tjerë.

-Cila është filozofia e një investitori të suksesshëm në këndvështrimin tuaj? Cilat janë obligimet tuaja të bisnesit tani e në të ardhmen?

Ekziston një thënje popullore shumë sinjifikative: “Paraja e hedh ujin përpjetë!”Kjo proverbë e përfolur qysh në kohën e Lekë Dukagjinit, gjeti vend së pari te të parët e mij, të cilët kishin besimin se një ditë uji do të vinte lart në kala. Dhe vërtet, “uji hidhet përpjetë”sot, në zemër të luginës, ku është ndërtuar Hidrocentrali i Fierzës. Ashtu si në atë kohë edhe sot kur shkoj me pushime në vendlindje shoh gjurmët e mallit e dashurisë, nostalgjinë, ndërrthur ngjarjet dhe kujtimet, sjell ndërmend brezat, në antitezë e analogji me të renë e të vjetrën. Era e gjakut më thërret për mirënjohjen e thellë ndaj tyre, ndikimit dhe efektit që ata/ato patën në formimin tim shpirtëror, qytetar, intelektual dhe profesional veçmas në fushën e bisnesit. Koha bën të sajën, ecën herë me hapa të ngadaltë, herë me hapa të shpejtë, por ai impresioni mbetet ashtu sa afër e larg, si vërshimi i ujit nga Diga e Fierzës, përplasja e tij, që sjell dritën, për të lënë gjurmë të pashlyeshme, me dritësimin e kohës e kujtesës. Nuk e pata shkuar ndërmend se në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit 21-ë, do tëshëndrrohesha në një nga investitorët më të suksesshëm e të fuqishëm në ekonominë e brishtë të tregut shqiptar. Kam pasur ulje e ngritje gtai edhe në falimentim, por nuk jam dorëzuar , sepse jam i vetëdijshëm për rrisqet; uljet e ngritjet e tregëtisë, por me kurajo e besim, pa u demoralizuar hidhesha “në sulm” për sfidën e rradhës.

-Jeni i mirënjohur dhe i cilësuar si një nga investitorët e sukseshëm në fushën e bisnesit veçmas asaj të ndërtimit? A mund të na thoni çfarë ndjesish dhe obligimesh ju shkakton kjo?

Sikundër e përmenda më lart atë kapital financiar që fitova nga tregëtia e patates, e investova fillimisht duke katër fabrika buke nga Turqia-franxolla. Përgati një vit bisnesi eci mirë, me fitime të konsiderueshme dhe të kënaqëshme. Por kjo nuk zgjati shumë dhe më troket në derë falimentimi në disa qindra mijra dollarë. Kur baba im e morri vesh, më qortoi dhe ndërkohë më jep disa këshilla:
-Nuk është bërë kush i pasur me bukë e ujë.
-Para me fajde mos merr kurrë!
-Taksidarin e shtetit shlyeje gjithmonë.
Isha i ri si në moshë e biznes, por isha edhe i vetëdijshëm për sfidat që më prisnin. E dija fare mirë se nuk do të kishte vetëm fitim por edhe humbje. Nuku dorëzova, i vura detyrë vetes;Të humbasësh me klas dhe të fitosh me guxim! Sepse jeta i përket atij që guxon. Kështuqë me atë kapital të vogël që më mbeti, , -si pesë maune- i hyra transportit të çimentos. Qëndroja vetë me orë të tëra në shi e furtunë në karrocerinë e maunes për të mbajtur plasmasin që të mos lagej çimentoja. Në vitin 1993-e, nën drejtimin dhe përkushtimin tim maksimal, u themelua“Euro-AlbaEA. Më pas fillova të zgjeroj investimet në fushën e ndërtimit. Pak-nga-pak. në vitet ’96-ë,’97-ë kur edhe ra shteti, pikërisht në vitin -’98-ë,- së bashku me vëllanë ngritëm një zdrukthari për mobilje, dritare për firmat ndërtuese, të cilat i sillnim nga Sllovenia. Aktualisht vazhdoj të jem investitor në fushën e ndërtimeve e në industrinë imobiliare, ku kam të punësuar qindra veta, dhe administratën me një bord drejtues të kompanisë së ndërtimit. Më pëlqen të riskoj e sfidoj! Para disa viteve me guximin e sfidës së rradhës në investime, bleva një nga lokalet më të mira dhe të mëdhaja në Shqipëri në qendër të Tiranës “Piazza”-apo si njihej në atë kohë –Lokali i Ekrem Bardhës, ndërsa sot jam i lumtur që thonë të “Pazza” e Kadri Morinës.. Lokali është shumë i bukur, ku ndërrthurret modernja me klasiken. Për mua ky është jo vetëm lokal argëtimi e relaksi, por edhe një institucion ku bashkohen e ndërthurren idetë, kulturat, ballafaqohen e takohen brezat. Pra, është një vlerë kombëtare e historike, në qendër të metropolit shqiptar. Të jemi sinqertë dhe transparent se Z.Ekrem Bardha ka bërë një investim madhështor.Unë e kam ruajtur ashtu si e ka lënë ai.Nuk kam bërë asnjë ndryshim, biles edhe personelin që ka pasur ai vazhdon të punojë edhe sot.”

-Ju jeni i angazhuar në kaq shumë fronte njëkohësisht e prapë gjeni kohën të informoheni mbi çështjet aktuale Shqipetare. Si arrini të menaxhoni projektet tuaja të bisnesit, profesionale e filantropike, ambicjet tuaja në fushën e biznesit, dhe obligimet tuaja familjare?
Bamirësinë e shoh si diçka të shenjtë. Krahas investimeve që përmenda më lart, nuk lija pas dore edhe sponsorizimet në fusha të ndryshme dhe ndihmat për njerëzit në nevojë. Kjo vinte edhe si rezultat i ambientit familjar ku isha rritur, ku dera jonë rrinte gjithmonë hapur dhe ndihmonim njerëzit e varfër. Kam dhënë kontributin tim financiar në restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut në qendër të Tiranës, për rehabilitimin e afreskeve të xhamisë, ngjyrimin e afreskeve duke ruajtur origjinalet, pajisjet elektrike etj.Kam financuar në ndërtimin e kulteve fetare, në Peshkopi, Marikaj, Zall Bastar, Durrës. Sponsorizimet e mija shtrihen në fusha të ndryshme, ndihmoj studentët duke ju dhënë mundësinë të studjojnë jashtë shtetit, findacione të ndryshme që nga Shtëpija e fëmijës “Zyber Hallulli” në përkthimin e Kuranit, art, kulturë, p.sh. Festivalin e Filmit në Durrës, në histori e letërsi kam sponsorizuar në botimin e librave historikë e letrare, deri edhe në shërbimet funerale, njerëzit në nevojë, kurimin e fëmijës M. për transplatimin e një organi, dhe vazhdoj të jap kontributin tim financiar për ruajtjen e vlerave kombëtare dhe historike. Fizikisht dhe financiarisht kam ndihmuar luftën në Kosovë, për Kosovën e atdheun jap shpirtin e jetën.

-Ç’ mund të na thoni për zhvillimet politike në Shqipëri. A ndikojnë ato në procesin e zhvillimit të rajonit Ballkanik, në Shqipëri e Kosovë?

Kësaj pyetje po i përgjigjem me një kujtim të dhimbshëm e të hidhur.Ishte vetëm 18 vjeç, dhe punoja si tip menaxheri e veterineri në kooperativë. Dikush këmbëngultë për rihapjen e dosjes së babait që do të më sillte pasoja më vonë. Më implikojnë në Gjyqin e Famshëm të Kukësit, për esencën e rrëshirës së pishës. Mbas një kalvari dhimbjesh dhe terrori psikollogjik shumë të rënduar për moshën time, me një sërë kërcënimesh, pyetjesh e séanca hetuesie,-duke më kërcënuar orë e minutë: “Trego se do të futim në burg, falë qëndresës sime, unë ia arrita të dalë i pafajshëm. Pamvarësisht moshës ishë shumë skeptik se e drejta do të dilte një ditë. E ndjeja që drejtësia nuk ekzistonte. Nuk më dënojnë, por fatkeqësisht miqtë e shokët e tij i dënuan nga 20 vjet. Kishte filluar lëvizja studentore me në krye Azem Hajdarin, dhe e ndjeja që edhe unë kisha ëndrra e aspirata për një demokraci, dhe ju bashkova idealit demokratik duke u rreshtuar në krah të heroit të demokracisë, duke e ndihmuar ekonomikisht dhe me informacion për lëvizjet e ushtrisë. Këtu më duhet të saktësoj diçka tepër të saktë: Ditën që studentët e dhjetorit kanë dalësë bashku me popullin në protestë për të rrëzuar bustin, dolëm me tank, te Pallati i Brigadave, për të ruajtur varrin e Enverit. Urdhri ishte nga lart me municion luftarak të hequr nga tanku dhe armët. Morrëm fishekë manovër për kundërajrorë, vetëm të gjuanim në ajër. Që të nesërrmen e rrëzimit të bustit dorëzova armën dhe rroben ushtarake. Paçka këtyre situatave jo të këndshme që kam kaluar, bisnesin nuk e përzjej me politikën, dhe kërkoj që edhe politika të mos më sjellë asnjë pengesë në investimet e tija. Dua dhe pëlqej në maksimum bashkimin e trojeve, por jo në kuptimin ekstrem., dua Shqipërinë etnike, pa piramida në kufi, një lëvizje e lirë mes trojeve shqiptare. Për çështjen kombëtare dhe Kosovën jam gati të shkrij pasurinë dhe jetën time. Më 17 shkurt 2008 lokali, ditën kur u shpall Pavarësia e Kosovës, TV Shtetëror, lokal e privat jepnin drejtpërsëdrejti pamjet festive nga “Piazza”, në qendër të Tiranës. Nga gëzimi, enthusizmi, dhe mbështetja fizike e financiare që idhashë Kosovës , e shëndrrova lokalin në një ambient festiv, për 24 orë, ku çdo gjë ishte falas, pijet, ushqimi. Më duhet të theksoj se bar restorant “PIAZZA” është kthyer tashmë edhe një qendër e takimeve të figurave të ndryshme si presidenti, kryeministri, partive politike, opozitës, personalitete të huaja të akredituara në Tiranë.
– Kush është Kadri Morina dhe mesazhi tuaj pë komunitetin në të gjitha trojet nga Kosova, Shqipëri deri në Çamëri?

Jam lindur dhe rritur në një trevë të njohur tregëtare të kohës së Mesjetës, -në fshatin Shikaj të komunës së Vaspasit, Kukës. Aty në majën e një mali qëgjendet mes lumit Drin dhe Krumës, ku është ndërtuar Kalaja e Lekë Dukagjinit, -e cila- ka një domethënie të rëndësishme jo vetëm për vetë pozitën gjeografike rreth 400 metra mbi nivelin e detit, por është një pasuri kombëtare e historike. Prindëritmë këshillonin shpesh për të mos shkuar në majë të kalasë. Mirëpo që të shkoje në atë lartësi, nuk të besonte askush. Ndërsa mua më pëlqente të sfidonte.. Më pëlqente shumë të ngjitesha çdo ditë, të mbështesja kokën pranë historisë qindra vjeçare të kalasë dhe meditoja, biles edhe kur e mbulonte bora.
Si familje u lidhëm me luftën nac-çli,-jo direkt-por i ndihmonim. Në shtëpinë ka fjetur shtatë ditë e netë Fadil Hoxha,-mbas betejës në Qafën e Camit të Shënmrisë. Me ardhjen e pushtetit popullor, si gjithë familjet e tjera edhe ne besuam në atë që ata propagandonin se do të sillnin shumë të mira, do të ndërtohej demokracia,-arësyeja që familja ime- Morina-e mbështeti. Familja ime me mbiemrin Morina mbahet nga familjet më fisnike të zonës. Babai im, Tahir Morina kaushtruar zanatin e kuzhinierit.E thërrisnin në besueshmëri të plotë për ta futur në shtëpi. Sepse ashtu e kërkonte zakoni e tradita, nderi i familjes, që për shqiptarin dhe familjen Morina është e shenjtë:-mikun që ta fusje në shtëpi duhet ta njihje mirë, që të mos të shihte fustanin e gruas, motrës, vajzës, të shkurtër apo të gjatë. Edhe sot e kësaj dite bashkëqytetarët e thërresin Babë Tahiri. Tahir Morina ka punuar shumë, ditën e natën, vetëm e vetëm për të shkolluar pesë fëmijët e tij; tre vajza e dy djem. Për fisnikërinë dhe influencën e babës tim, në trevën e Vaspasit tregojnë një histori. Për një kohë, në vitet e para të pushtetit popullor, ai ka qenë sekretar i Partisë. Në një mbledhje të popullit, për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik,-i deleguar ka qenë Tahir Minxhozi. Baba im, Tahiri Morina merr fjalën : “Me lejë Sh.Sekretar, kam një pyetje :Si mund ta ndërtojmë socializmin pa mbështetjen e kësaj fuqie të madhe?! Tahir Minxhozi i ndodhur ngushtë, dhe i befasuar nga guximi i tij, i thotë: “Çohu, çohu ti që bëre pyetjen!Si quhesh?”-Tahir Morina ! -Ty përgjigjen ta jap në mbledhjen e Partisë! Keshtu e mbylli mbjedhjen Tahir Minxhozi. Që në mbledhjen e parë të saj, babain e përjashtojnë nga Partia. Pas 6 muajsh i kërkojnë të bëjë lutje për revizionim dhe deputet. Por burrëria dhe fisnikëria e këtij birifisnik të Kukësit nuk u përul. Por baba, me një mllef shpirtëror i përgjigjet:-Hiqmuni nga sytë, nuk dua t’u shoh më! Që prej asaj dite në shkollë filluan të më shikonin me sy të dyshimtë. Kam qenë një çun i pakët në trup, por tejet i shkathët. Bëja batuta me shokët, më pëlqenin shumë, dhe isha mistrec –pëlqeja t’i vija në lojë shokët,-gjithmonë me dashamirësi, respekt e mirëkuptim. Motrat më ruanin si sytë e ballit se mos lahesha në Drin, në rrjedhën ku bashkohet Drini i Bardhë me Drinin e zi, në Kukësin e vjetër. Më pas vazhdova shkollën e mesme për veteriner, për 4 vjet në konviktin “Kosova” në Krumë.Jeta konviktore me dha suportin e një pjekurie të parakohëshme.Kisha fituar lirinë, pavarësinë, isha vetvetja. Gjithçka duhet ta bëja e përballoja vetë, megjithëse meraku, kujdesi i familjes veçmas vëmendjen e përkushtimin e babës e kisha mbi kokë, jo vetëm financiarisht po e po, por edhe materialisht e financiarisht, dhe tregonte kujdes të veçantë për rezultat e mësimeve.Mbarova të mesmen me mesataren 9.2. Kisha një dëshirë e pasion të vazhdoja shkollën pedagogjike, pa lënë në hije edhe një dëshirë tjetër, për të vazhduar ekonomikun. Për shkaqe ekonomike e arësye familjare kthehem në fshat dhe fillova punë në zanatin e veterinerit. Në të njëjtën kohë aplikova për të vazhduar ekonomikun me korrespodencë. Isha i ri në moshë, kisha ëndrra vizione e aspirata, ambicioz për të bërë karrierë, diplomohem edhe si ekonomist, dhe me pjekurinë e moshës kam kërkuar me këmbëngulje të rihapej dosja e babait tim të shtrenjtë. Sot jam i martuar, dhe kam katër fëmijë. Njërit nga djemtë i kam vënë emrin e gjeneralit amerikan, i cili ndihmoi në Luftën e Kosovës Ëesly Klark. Kumbarë në pagëzimin e fëmijës me këtë emër është rregjizori i famshëm shqiptaro-amerikan, Stan Dragoti. Miqësia me Stan Dragotin, nisi pak vite më parë e pikërisht te Bar-Restorant “Piazza”. Kjo miqësi do të kulmonte në një festë të madhe në zemër të Neë Yorku-t, kur unë udhëtova enkas përtej oqeanit për të festuar kumbarinë me rregjizorin e shquar shqiptaro – amerikan në shenjë respekti e admirimi për rregjizorin dhe gjeneralin amerikan, në pagëzimin birit tim, me emrin: Wesly Klark. Propozim që StanDragoti i madh e priti me shumë gëzim. Ja si m’u shpreh rregjizori i shquar shqiptaro-amerikan, Stan Dragoti: “Unë vetë nuk kam fëmijë, por duke qenë kumbara i djalit tuaj, unë sot u bëra me fëmijë! Të gjithë sa ishin në sallë u emocionuan nga dlirësia e mirësia e shpirtit shqiptar. Ëesley sot është në klasën e dytë fillore. Djali i madh quhet Kreshnik, me rezultate të shkëlqyera në studime, me prirje inteligjence për matematikë, i cili ka fituar Olimpiadën e matematikës.Kreshniku është në vitin e dytë për marrëdhënie ndërkombëtare te Epoka University.Ndërsa djali, Klajdi studion në Cambridge University, me rezultate të shkëlqyera për administrim biznes dhe ka qenë pjesëmarrës në Samitin Botëror të ujit në Stamboll. Vajza Klara ka talent për muzikë dhe dëshiron të bëhet pianiste. Klara krenohet me pjesëmarrjen e saj në koncertin e Selin Dion, në Las Vegas. Ajo ç’ka dua të shpreh këtu, tërë barrën e shtëpisë, kujdesit, rritjes dhe edukimin e fëmijëve ia kan lënë nuses time, Kozetës. Kjo mirëkuptohet për shkak të impenjimeve të mija të shumta ndaj biznesit e investimeve. Në momente të caktuara ndjehem keq, por Kozeta dhe unë me mirëkuptim, besim, respekt e dashuri për familjen e fëmijët tanë i kemi ndarë detyrat. I shpreh mirënjohjen, falenderimin dhe admirimin tim për të:Faleminderit, Kozeta, për këtë familje kaq të bukur që kemi ngritur-, veçmas ju me përkushtimin dhe inteligjencën tuaj.
Bisedoi:Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: dy dashurite, e Kadri Morines, ju tregoj, Raimonda Moisiu

Interview with Seattle Seahawks Offensive Lineman, Kristjan Sokoli

July 12, 2015 by dgreca

Interview with Seattle Seahawks Offensive Lineman, Kristjan Sokoli:/

The Pan-Albanian Federation of America, VATRA, Washington DC branch, sat down with newly drafted NFL offensive lineman Kristjan Sokoli for an exclusive interview. The Albanian-born New Jersey Native talks about his initial contact with the sport, his upbringing and his family support. The 300-pound powerhouse is a man of integrity; he has a great career ahead of him and a jovial personality to go along with it.

• Tell us a little bit about yourself, where were you born? Your family?
A little about myself, I’m 23 years old and just graduated from the University at Buffalo with a major in management and focus in finance. 

• What do you know about your family in Albania, the reasons why they left? 
My family in Albania left for a better opportunity.  They knew it would be a tough transition but that in the long run, it would provide us with a better life and more opportunities in the work place.

• Albania has a harsh history, has that contributed to making you a tough player? 
I definitely feel motivated to work hard because I know how much my parents have been through to put us in this great position, to be living in the best country in the world.  They are definitely the root of my work ethic.

• Do you ever visit Albania? 
I visited two years ago for 2 weeks and look forward to visiting again. Obviously my football schedule makes it tough to travel but I look forward to going back plenty of times in the future.  I love my country.

• Do you remember what America looked like to you when you first got to New Jersey?
It looked like paradise (Laughs).  The cities were full of lights, the supermarkets amazed me with how much they had of everything in them, being able to eat as much as I could anytime was great (More Laughs).  I definitely was not starving by any means in Albania, but just being able to eat any type of food year around, and as much of it as I wanted to, was very cool. (Big Smile)

• What does a typical day of training entail for you, and eating? 
Well, with Seattle right now in Offseason workouts, it’s a bit easier than camp or the season as I’m only going from 8:30 a.m. to about 3:00 p.m. But I get up at 6:30 a.m. to get going and eat a big breakfast.  My schedule on a typical busy day during the season at Buffalo was tough, classes began at 8:00 a.m. to 12:30 p.m., a quick lunch, then football (meetings and practice) from 1:30 p.m. to 6:00 p.m.  Quick dinner, then night class from about 7:00 p.m. to 9:45 p.m. So the grind was real, (Laughs).

• Kristjan, when did you start playing football? 
Eighth grade.

• How has your parents’ support impacted your success in football?
At first they were very much against me playing cutback because of safety and general football stereotypes they had heard about.  But after fighting them relentlessly on it, they realized I had a passion for it and were on board, supporting me every step of the way.  Starting sophomore year of high school my dad paid for my training with Coach Reid who was a trainer my cousin Eddie got me linked up with.

• When you left Albania did you ever think you would be where you are today? 
No.  Man, great question, to think where I was at 9 years old and where I am now…Can someone get my story to a Hollywood director? (Laughter)  I just feel truly blessed and grateful for all the opportunities I’ve been presented with and my ability to make the most of them.

• You are the first Albanian in the NFL, is that a big responsibility? What does it mean to you? 
It sure is.  Certainly I’m very proud of this achievement and I also understand it comes with some extra baggage, good and bad. One thing though is I’ll always do my best to remain true to who I am, the same guy that nobody knew about in high school and over looked, is the same guy I fight to remain even now that I’ve seen some success.  I’m a man of faith and I have core values that I try to stand by firmly. I’m by no means perfect though and that’s something I do hope my fans will understand across the world.

• What message do you have for all your fans in America and abroad? 
Thank you for your support and use my story as motivation to keep working at it every day, whatever your craft may be.  And to all Albanians, I love you and I appreciate you.  Work hard, be good to your family, prosper and God bless!

Filed Under: Interviste Tagged With: Interview with Seattle Seahawks Offensive Lineman, Kristjan Sokoli

Prof. Repishti, vizita e pare ne Shqiperi

July 12, 2015 by dgreca

Nga Pertefe LEKA/
Është kënaqësi për mua të shpreh konsideratat e mija për punën e pakursyer të Prof.Sami Repishtit
në të gjitha fushat:Të historisë,sociologjisë,filozofisë,diplomacisë dhe letërsisë.
E kam ndjekur viziten e parë te Prof.Repishtit që nga Aeroporti i Rinasit deri në përcjellje.
Njerëzit që u bashkuan në këte pritje erdhen pa bujë,pa altoparlante,por me dashuri dhe respekt
për të pritur mikun e tyre,bashkevuajtësin,dajen,xhaxhanë,të afermin e tyre familjar.
Ishte madheshtore pritja që bëri prof.Repishti në oborrin e shtëpisë së madhe te Repishtëve.
Për 15 ditë hynin e dilnin miq e familjarë për të komunikuar,me Prof.Repishtin për ta ndarë së bashku zjarrin përvëlues të komunizmit që kishin akumuluar ndër vite.Në një bisedë me Zonjën Diana Çipi Repishti e cila më tregonte për përshtypjet nga Shqipëria.Më tha:”U kënaqa shumë
kur takova miqtë e Samiut,kanë mbetur të paharruara ato mbrëmje vere kur qëndronim në oborr
dhe prisnim deri vonë njerëzit.Të gjithë kishin dëshirë të komunikonin dhe të bashkonin mendimet e tyre me solidaritet.Edhe pse nuk arrita të vizitoj as Kalanë e Rozafës as shtëpinë time në Gjirokastër unë erdha e mbushur me dashuri dhe respekt për ata njerëz bujarë dhe mikpritës.”
Po ju dergoj nje fotografi kur Prof.Repishti vizitoj shtëpinë tonë në Tiranë përpara nisjes,im shoq,Luani ftoj edhe Mandelen e Shqipërisë Zotin Osman Kazazi i cili ndodhet në foto nga e majta e Prof.Repishtit
Po ju dergoj te fotografuar edhe artikullin që kam botuar për Zotni Repishtin në disa gazeta të kohës,kur ai ishte në Shqipëri.

Filed Under: Featured Tagged With: Pertefe Leka, Prof. Repishti, sipas meje

Ka dicka magjepse Downtown ne Manhattan

July 12, 2015 by dgreca

Nga Shqipe NEBIAJ/
Ka dicka magjepse Downtown ne Manhattan.Shastisja humbja e mendimit i le vendin qe gjithcka funksionon nen drejtimin e nje automati gjigand.Por eshte ndryshe ne kete zone (dhe ne gjithe Ameriken) ku gezimi nuk vjen nga vuajtjet e te tjereve.Ketu dhimbja nuk shpjegohet me trishtim (se do te ishte dicka siperfaqesore) por me perpjekje per ta bere Ameriken shembull te botes se lire, ku te gjithe jane te barabarte ndermejt tokes dhe qiellit.Ketu njeriu ndjehet fajtor jo per lirite qe gjen por per lirine qe kerkon te ngjize te vetvetja.Vazdojme te hecim bashke me Marjana Eskin duke pare dhe shijuar bukurite e kesaj zone te mbarsur me art,biznes dhe histori.Marjana shkon shpesh ne kete zone si artiste i shikon ne detaje bukurite.I afrohemi qendres se World Trade Center,ndalojme dhe veshtrojme gjigandin.Ndjenjat dhe ndijimet me te padukshme cfaqen ne nje rrotullim marramendes.Sa pune eshte dashur per ta bere kete veper.Ka filluar puna ne veren e vitit 2002 per te gjetur studion e projektimit me te mire.Me shume se 400 studjo projektimi moren pjese ne konkurim nga e gjithe bota.Vetem shtate prej tyre u seleksionuan qe krijonin nje besueshmeri konform 12 kerkesave (perfshire qe nga muzeumi memorial,transporti ,kalimtaret,ammbienti,costoja,struktura dhe harmonija e zones etj) qe kerkonte projekti i LMDC ( Lower Manhattan Development Corporation).Ne dhjetor te 2002 ne Winter Garden LMDC lancoje Planin Progres te projektit World Trade Center qe u ndoq nga 100000 vizitore.Nga komentet e vizitoreve u pranuan 8000 me te mirat.Nga projektet me te mira qe u zhvillua ne 4 shkurt 2003 nga LDMC and Port Authority duke perfshire dhe komentet e publikut u caktuan si fituese dy firmat Daniel Libenskind per projektin desing te World Trade Center dhe skuadra THINK per punime shtese.Njera nga kullat eshte quajtur Freedom Tower eshte 1776 feet (nje meter eshte e barabarte me 3.28 feet) e larte dhe perbehet nga 70 kate e dyta eshte e perbere nga 65, e treta nga 60,e katerta nga 55 dhe e pesta nga 50 kate.Ne pranvere te 2003 u be konkursi per Bathtub Memorial Garden ku fitoi perseri firma e Daniel Libenskind.Aty jane gdhendur ne mermer ngjyre gri te gjitha emrat e te reneve ne 11 Shatatorit te 2001 nga nje sulm terrorist ajror.Duke vazhduar gjate bregut te lumit Hudson veshtrojme pamjen e bukur te Downtown.Nje hapesire ndermejt bregut te lumit dhe pjeses se kullave.Godina gjigande qe te kujtojne dhe nje qendrim te forte te atyre njerezve.Para dy vjetesh downtown u permbyt nga Hurricane Sunday dhe ne nje kohe rekord njerezit dhe qeverisja lokale reaguan se bashku per ta kthyer zonen e tyre ne kushte normale.Eshte qytet qe nuk qan por vepron.Po mendoja se ketu merr kuptim shume domethenes fjala “Next”.Ishte nje mbasdite mbreselenese dhe shplodhese.Beme dhe ca foto.

Filed Under: Featured Tagged With: Downtown Manhattan, Shqipe Nebiaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 100
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT