Nga procesi i demarkacionit me Malin e Zi, Kosova pritet t’i humbë 12 mijë hektarë/
Nga ky proces, Kosova pritet t’i humbë mbi 12 mijë hektarë.
Anëtari i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Ali Lajçi, ka kërkuar të ndërpritet procesi i demarkacionit me këtë shtet.
Ai ka thënë se nga ky proces Republika e Kosovës rrezikon të humbet mbi 12 mijë hektarë për faktin se janë deformuar kufijtë e 74’tës. Ai ka thënë se vijat e propozuara janë ekskluzivisht të kadastrave të Malit të Zi, shkruan Epoka e Re.
Lajçi ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk është dashur të aporovojë raportin teknik të Komisionit shtetëror për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ai ka bërë thirrje të ndryshohet përbërja e Komisionit për demarkacion dhe të rishikohet i tërë procesi.(Kortezi:Zeri)
Archives for August 2015
PERSE KJO HESHTJE NE DY PERVJETORET E PROF. ARSHI PIPES?
Gjatë muajit Korrik, Prof Arshi Pipa kishte dy përvjetorë, të vdekjes(20 Korrik 1997) dhe 27 Korrik (1920) atë të Lindjes. Me përjashtim të nje interviste publike të Kryetarit të Vatrës Dr. Gjon Bucaj në Zërin e Amerikvs me 25 Korrik, përcjellë edhe nga disa media në Tiranë, si dhe njoftimet paraprirëse në Gazetën “DIELLI” për Konferencën Shkencore të organizuara nga Federata VATRA, askush tjetër nuk u ndje në këta përvjetorë! Përse kjo heshtje? Si mund ta kalonte në heshtje Shkodra përvjetorin e birit te saj, së cilës ai i besoi të plotë veprën e vet, arkivin dhe gjithcka tjetër? Sivjet ishte përvjetori i plotë i Lindjes, 95 Vjetori dhe institucionet kulturore të vendit? Asgje nga Ministria e Kulturës, Biblioteka Kombëtare, panairet e Librit, klubet e Shkrimtarëve, gazetat, ATSH, madje as Shoqata e Shkrimtarëve në SHBA nuk arriti të bashkëpunonte me Vatrën në Konferencën Shkencore kushtuar 95 vjetori të Lindjes. Arshi Pipa e shkroi veprën e vet ne Amerikë dhe parasëgjithash kjo shoqatë duhej ta kishte vlerësuar veprën e Prof. Pipës,mirëpo në të shumtën e herëve shoqata promovon vetëveten dhe jo shkrimtarët e kalibrit të Arshi Pipës.
Konferenca Shkencore e Vatrës me nivelin e lartë përcolli mesazhe nderimi për profesorin Arshi Pipa. Kumtesat e studiueseve: Anton Cefa, Frank Shkreli, Idriz Lamaj, Mithat Gashi dhe Astrit Lulushi, hodhën dritv mbi jetën dhe veprën e intelektualit te permasave Kombetare. Percjellja e kësaj Konference nga media, Dielli, Bota Sot, Iliria, vecanerisht Televizioni Kultura Shqiptare ne Nju Jork , pergatitur prej Driatn Haxhise, meriton vleresime. Ka ca Tv ne komunitet qe ndjekin vetem veten e vet dhe ca veprimtari krahinash e fshatrash.
Ne mbyllje te Konferences Shkencore, moderatori i kesaj veprimtarie, Dalip Greca-editor i Gazetes Dielli, i kerkoi Vatres qe me rastin e 100 vjetorit te Lindjes, t’i propozohet Presidentit te Republikes qe t’i jape titullin”Nder i Kombit” Prof. Arshi Pipes, i cili eshte dekoruar vetem me Urdherin Naim Frasheri. Emnri i Arshi Pipes i benë Nder vete Kombit!
Thaçi uron fitoren e notares Rita Zeqiri në Rusi
PRISHTINË, 9 Gusht 2015/ Zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar notaren kosovare Rita Zeqiri për fitoren në garën e 50 metrave në botërorin e notit në Kazan, Rusi.
“Jemi shteti më i ri në Evropë, por me sportistë fantastikë. Edhe notarja e re Rita Zeqiri bëri sensacion dhe fitoi garën e 50 metrave në botërorin e notit në Kazan të Rusisë, duke thyer njëherësh edhe rekordin e Kosovës të vendosur nga vet ajo. Një triumf i jashtëzakonshëm i Ritës”, shprehet sot Thaçi në ‘Facebook’.
Në Kampionatin Botëror të notit në Kazan, reprezentacioni i Kosovës përfaqësohet nga katër notarë, dy femra dhe dy meshkuj./b.j/
DOBËSIA E SHQIPTARËVE DHE EKSPANSIONI MALAZES
Nga Sulejman DIDA/
“Krajl Nikolla i Malit të Zi” i autorit Ramiz Lushaj asht nji ese e thuktë me nota biografike të dinastëve të këtij vendi të vogël e ngacakeq, kryesisht në aspektin e ekspansionit kriminal që kanë zhvillue në dam të trojeve dhe etnisë shqiptare. Burimet historike tregojnë se gati 90 për qind e territorit të sotëm të Malit të Zi asht territor etnik shqiptar dhe se nji pjesë e madhe e popullisisë së rracës tonë asht likujdue fizikisht me vrasje dhe ekzekutime masive, asht dëbue me mënyra të ndryshme ndërsa pjesa e mbetun asht asimilue dhe sot thirren me mbiemnat e ngarkuem me sufiksat iç apo viç dhe trajtohen si muslimanë boshnjakë. Ekspansioni represiv kundër shqiptarëve asht ushtrue nga kush ka mundë, nga grekët, sllavët etj. dhe në këtë mes ka ndikuar pa dyshim edhe dobësia jonë si fis me tipare individualiste dhe spontaniteti si dhe nga mungesa e organizimit apo programacionit.
Sllavët sollën në territoret e sotme të Malit të Zi fillimisht një familje. Më pas e ndihmuen atë të shndrrohej në dinasti dhe të rritej në trupin tonë etnik, të ushqehej me gjakun e fisit tonë. Trojet shqiptare u sakrifikuen edhe për shkak të pazareve të Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Duke qenë në kufijt e dy përbinshave, kombi shqiptar u shtyp prej të dyve. Kurrë nuk mund tja kishin dalë Malazezët, po as serbët të mposhtin pjesë të kombit tonë nëse ndeshja mes tyne do të kishte qenë afërsisht e barabartë, ose të paktën ballëpërballë apo tek e fundit nji përballje vetëmpërvetëm. Përkundrazi, Mali i Zi pushtoi nji pjesë të territoreve tona në vitet ’70 dhe ‘80 të shekullit të XIX nën presionin e flotës ruse, asaj franceze etj. dhe me ndihmën ogurzezë të turqve osmanë.
Në përmbushjen e krimit ndaj shqiptarëve, sllavët e Ballkanit nuk harrojnë të shqiptojnë herë mbas here nji ligësi gati të çuditshme, hierarkinë e forcës së krimit. Ne jemi serbë, thonë malazezët, për me trembë shqiptarët e mbetun aty. Ndërsa vetë serbët thonë, ne jemi rusë, për me trembë shqiptarët në tansi. Ju do të lexoni në këtë tekst se kështu identifikoheshin organizatat kriminale malazeze në fund të shekullit XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX që damtonin popullsinë e pambrojtur shqiptare. Malazezët e kthyen në moto vrasjen e shqiptarëve në dyqind vitet e fundit. Në kapitullin 18 të këtij libri lexojmë: “Princi nuk e pret malaziasin ndryshe, por me pyetjen: ku je, more trim, a preve mjaft koka të shqiptarëve?”. Njëjtë qenë indoktrinue edhe serbët, madje edhe serbët banorë të Kosovës. Njëjtë kanë vepruar qarqe të caktueme në Greqi kundër krahinës tonë çame etj. Njëjtë dëshmohen edhe sot
Ky asht nji libërth me penelata të shpejta, një oh në histori, një gotë me ujë i ftohtë që na shkund nga përgjumja. Nji libërth që na kujton se ekspansioni i Malit të Zi vijon sot e kësaj dite dhe që fatalisht udhëhiqet nga drejtuesit e shtetit apo principatës. Për me i kuptue ma qartë e ma thellë rrethanat kërcënuese, për me pa ma kthjelltë rrezikun që na kanoset, duhen ndërmarrë përpjekje ma serioze për botime ma të plota të kësaj teme. Kjo do të ishte nji sipërmarrje e vështirë, por nga ana tjetër asht e domosdoshme që ne ta kuptojmë se jemi humbës të mëdhenj në këto troje, dhe se nuk ban me u heqë sikur nuk po ndodh asgja.
Në fund due me pru në vëmendje mesazhin e një tregimi që ma tha para do kohësh nji rozhajas kur ishte fjala për relacionet shqiptaro-malazeze atje. Ferra i tha hardhisë, a të fle nji natë këtu prane teje, sepse nuk kam ku të pushoj? Po, moj ferrë, pse jo, rri sonte se nuk bahet nami, tha hardhia. Të nesërmen ferra i drejtoi të njatën lutje me kalue natën aty afras. Lutja e ferrës u përsërit edhe ditën e tretë, e hardhia pranoi. Ditën e katërt ferra nuk i merr leje hardhisë por po qëndron si në truallin e vet. Kështu hyn grindja mes tyne derisa thirrën një gjykatës. Shikoji kush i ka rrënjët më thella dhe vendos, i kujt është trualli, tha ferra. Dhe në të vërtetë ferra i kishte depërtuar rrënjët aq thellë sa fitoi prej gjykatësit autoktoni mbi truallin që kishte zaptue. Mbas do kohësh ferra e mbështolli trupin e hadhisë derisa kjo ra e vdiq.
*Studiues, gazetar, poet
ME 13 GUSHT 1983 U SHUA MUSINE KOKOLARI
Nga Pertefe Leka/
Musine Kokalari, personazh në Romanin “Para Agimit” të Sh.Musarajt/
Besa,Shpresa,Dashuria, ata pra na lartësojnë.Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë.M.K./
Koncepti “ E bukura“, si dukuri estetike në letërsinë e realizmit socialist, kishte karakter klasor.Ta paraqesësh të bukur një personazh në gjithë përfshirjen dhe pastaj ta konsiderosh personazh negativ vetëm pse mendon dhe vepron si jokomunist, këte e bënte vetëm ajo rrymë famëkeqe.
Po jap një shembull të jetuar, për ta bërë më bindës, se sa e vështirë ishte për një mësues letërsie të argumentonte karakterin klasor të dukurive estetike.
Nuk do ta harroj kurrë një vizitë në “Lidhjen e Shkrimtarëve” me një grup maturantësh të gjimnazit “Kristoforidhi”, pasi shkolla ishte pak metra larg kësaj ndërtese.Në ate mbledhje, promovohesh një libër me poezi nga një poet i ri, i cili ndër të tjera lexoi edhe një poezi “Lules”.Kur e mbaroi së recituari dikush nga salla u ngrit e tha:-kjo poezi nuk ka karakter klasor.Shefqet Musaraj që e drejtonte mbledhjen iu përgjegj: kësaj poezie shtoji nje varg: “O moj lulja për merak /Ruhu mos të këpusi ndonjë kulak”Kështu poezia e kaloi testin dhe për mua si mësuese më ndihmoi për ta “kuptuar nxënësit“ate falsitet
Ndërsa për personazhin në fjalë (Ermira Velo) që është, Musine Kokalari, e cila është paraqitur e bukur në pamje,e bukur në shpirt e në mendime, autori Sh.M. nuk gjeti dot një varg të tillë që ta kalonte Musinenë në krahun e “të mirëve”, sepse ajo mbeti deri në fund konsekuente e pikëpamjeve të saj:” nuk jam komuniste”
Musine Kokalari, është një personalitet i njohur i historisë dhe letërsisë shqipe .
Gjatë 50-viteve të diktaturës, është njohur nga rinia shqiptare si armike e popullit .
Fotografia e saj shfaqej herë pas here në Muzeumin e Ministrisë së Brendshme, ku ishim të detyruar ta vizitonim me nxënësit e shkollës . Unë personalisht nuk e kam njohur Musinenë por nepërmjet personazhit (Ermira Velo ) në romanin “Para Agimit “, e kam lakuar këtë emër në dhjetra orë mësimi duke e komentuar në menyrë të përsëritur .
Ajo hyri ilegalisht në letërsinë e realizmit socialist me emrin, Ermira Velo, pasi autori e ka njohur dhe ka bashkëpunuar me te gjatë periudhes se luftës kundër okupatorit. Megjithëse i detyruar nga tendenca për të luftuar pozitën e saj klasore dhe pikëpamjet ideologjike,autori e ka paraqitur me kurajo figurën e saj reale të mishëruar në emrin e personazhit( Ermira Velo).
Në përshkrimin e portretit të saj autori shkruan :” Ermira (M.Kokalari) ishte e thjeshtë, e afruar me çdo njeri dhe nuk bënte kurrë dallim midis njerëzve me pozitë dhe atyre që nuk kishin as strehë ku të fusnin kokën. Prekej pa masë nga vuajtjet e të tjerëve dhe nuk kursehej t’i ndihmonte me ç’t’i kish dora .v.1,f.20,”Para Agimit”
“ ..Si mbaroi shkollën e mesme ajo njihej si një nga vajzat me prirje përparimtare “v.1,f.18”Para Agimit”
…Dhe qe një gëzim i madh për te, kur pa të botuar në një revistë shkrimin e saj të parë,shkrimi kish dalë me të vërtetë një xhevahir i vogël letrar siç e gjykuan shumë nga të njohurit e saj .”v,1,f.21”Para Agimit”
Musineja dhe familja e saj, jane paraqitur në një taban të shëndoshë kulturor e patriotik, ashtu siç ishin në të vërtetë . Babai i saj gjykatës dhe vëllezërit me profesione: Jurist,profesor,përkthyes,të cilët ishin njëkohësisht edhe shokët e saj .
Ermira Velo (M.Kokalari) shkruan autori kish nje respekt te madh për të vëllanë dhe ushqehej vazhdimisht nga idete e tij” v1,f.18,”Para Agimit”
Familja Kokalari, në të cilën u rrit dhe u edukua Musineja, kishte gjithë potencialin ekonomik, kulturor dhe patriotik që ajo të trashëgonte vlera pozitive për formimin e saj intelektual.Falë zgjuarësisë krijuese të saj, vullnetit dhe karakterit të fortë, ajo mbaron me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme “Nana Mbretëreshë “dhe më vonë arrinë të bëhet një nga studentët më cilesorë ne Universitetin e Romës ku u diplomua “Doktoreshë në Letërsi”ne vitin 1941, me temën “Literatura Albanese, Naim Frashëri”.
Në Romë iu krijuan të gjitha kushtet për të qëndruar pranë atij Universiteti, por ishte vendosmërisht e bindur se kontributi i saj i duhej Shqipërisë.
Miqësia e familjes me Mit-hat Frashërin ndikoi direkt në pikëpamjet e saj për të ardhmen e Shqipërisë.
Shumë diskutime bëheshin në familjen e saj lidhur me fatin e Shqipërisë në prag të Luftës së dytë Botërore. Cila do të ishte e ardhmja e këtij vendi? Çfarë rruge do të ndiqte Shqipëria? Këto pyetje dhe të tjera e kishin munduar Musinenë dhe e munduan deri në fund të jetës .Vajza e re universitare, hyri në kuvend me elitën e njerëzve më të mënçur që kishte Shqipëria e asaj kohe dhe për këte Shefqet Musaraj nuk e kurseu konsideraten për të gjithë familjen në terësi:
”Mbi të gjitha Ermiren (M.Kokalari) e entuziasmonte një fakt tjetër që provonte se shtëpia e saj kish për të qëndruar gjithmonë një fole patriotizmi, kish filluar të vinte shpesh njeriu që nuk është komprometuar asnjë majë thoi gjatë regjimit të zogut dhe që ka një urrejtje të tmerrshme për italianet.” V1,f.67”Para Agimit”
Nje ndikim tjetër tek Musineja, kishte Branko Merxhani,drejtor i Revistës “Përpjekja Shqiptare”.
Kryeartikulli i shkruar prej B.Merxhanit “Pse nuk jam Marksist ,“me anën e të cilit
argumentonte se komunizmi ishte një eksperiment pa të ardhme, e kishin bërë Musinenë të mendonte akoma më shumë se bolshevizmi ishte një rrezik për Shqipërinë, prandaj ajo rrugë nuk duhej ndjekur. Këte ide,Musineja, e kishte forcuar akoma më shume kur kishte lexuar romanin“Nena “te M.Gorkit, per të cilin kishte thënë: “se s’janë të përshtatshme për në ato gjëra .
Bashkëpunimi me Branko Merxhanin, Shefqet Musarajn,Nexhat Hakiun,Vedat Kokonen e të tjerë, kishin bërë që të njiheshin këto lidhje, të cilat u konfirmuan më vonë nga profesor Nexhat Hakiu në një rreth të ngushtë, se pas figurës se Ermira Velos,është M.Kokalari.
Autori Sh.Musaraj, e ka rritur më shumë figurën e Musinesë në roman,edhe pse e kishte vënë në anën e kundërt të ideologjisë sunduese, si personazh negativ. Figura e saj është vënë midis ideologut të saj Mit-hat Frashërit, nacionalistit dhe demokratit më të madh të kombit shqiptar,(emrin e të cilit autori nuk e ka ndryshuar në roman) dhe Branko Merxhanit,pionierit të filozofisë progresive shqiptare, që në roman njihet me emrin, Zoti Bardhi .
Ajo i adhuronte këto dy personalitete, jo vetëm për nivelin kulturor dhe mendjen e ndritur, por edhe si njerëz të pa komprometuar nga rregjimi. Ajo veproi si ata,duke ndjekur rrugën antikomuniste dhe luftëtare për çështjen e Shqipërisë Etnike;
veçanërisht për Kosovën dhe për një shoqëri demokratike të tipit evropian.”Pa Kosovë e Çamëri,nuk ka Shqipëri”M.K
Për aktivitetin e saj politik e revolucionar gjatë luftës, është më mirë të theksohen fjalët e saj të cilat i ka deponuar në gjyqin special se sa të jepen fragmente nga romani ku autori nuk mund t’i shpëtonte tendencës klasore.Ndër të tjera ajo pohon në gjyq:
Mbas mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si social demokrate dhe kam qenë përgjegjëse e Gazetës, “Zeri i Lirisë “ në të cilën kam botuar artikuj ku flitet për çeshtjen e Kosovës në bazë të kartës se Atllantikut dhe çështjen për të luftuar, jo për qëllime e përfitime të disa klikave, por për demokratizimin e vendit .
Autori, Sh.Musaraj, e ka dhënë personazhin në fjalë deri në mbarim të luftës por dhe aty e lë për të kuptuar se do të fillojë kalvari i vuajtjeve të saj. Ne gjyq ajo pohoi vendosmërisht :“S’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhej faj .Unë jam nxënëse e Sami Frashërit, me mua ju doni të dënoni Rilindjen “.
Kjo deklaratë e fuqishme, ia shtoi vuajtjet: Burg,internim,punë të rënda fizike, deri te sëmundja e pashërueshme e cila ia mori jetën me 14 gusht 1983.
Duke iu referuar epilogut, ajo vete shkruan: “Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha nje gjyq special .Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej e këndej. Njoha punën e punëtorit me norme individuale, njoha punën e punëtorit me normë kolektive në bujqësi e ndertim. Njoha vetminë e vetëkërkuar,shoqerinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky termet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit .Kam 38 vjet që nuk di çdo me thënë familje “
Me pikëllim të madh ajo e thekson fjalën,Familje,sepse tragjedinë më të madhe e pësoi vatra familjare ku ajo mori ngrohtësinë. Dy vëllezërit e saj, Vesim e Mumtaz, u pushkatuan në nëntor të vitit 1944 pa gjyq .I jati vdiq sapo mori vesh menxyrën qe i kishte ndodhur në familje. Në ato mejtime, kur gjendja e rëndë shëndetësore e paralajmeroi se po bashkohej me të dashurit e saj, u kujtua për të lenë diçka nga shpirti i saj bujar që kurrë nuk iu shua. Me mendje të qartë deri në fund ajo shkruan:”Ne se vdes në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokasters. Ato pak kursime edhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut i cili është i domosdoshëm që të demokratizohet dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë “
Thesari tjetër i vyer qe la Musineja, që diktatura e egër nuk mundi t’ia shuante, ishte krijimtaria letrare e cila e radhiti ate në plejaden e shkrimtarëve të viteve 30.
Në botimet e para “Seç me thoshte Nenua plakë “,”Rreth vatrës “,”Sa u tunt jeta “e deri te botimi i fundit “Sikur të isha një lule “, ajo mbetet një vëzhguese e hollë e realitetit . Ideali i saj për barazi shoqërore, i kalonte kufijtë e klasës së cilës i përkiste, duke mos pasur asnjë pretendim material përpara asaj ideje të madhe që donte të realizonte.
Temën për lirinë e individit, e mbronte haptazi dhe me kurajo duke e përjetësuar që në skicat e para .Për të mbrojtur këtë ide, ajo dha shembullin me të lartë, doli e para në Demonstratat Antifashiste dhe në të tjera aktivitete që tani janë bërë të njohura.Tema që e tërhoqi më shumë ishte ajo për emancipimin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj në jetën shoqërore. Që kur ishte studente në Romë u dërgonte mesazhe vajzave shqiptare që të luftonin dhe të merrnin rrugën e shkollimit për t’u bërë forca aktive në progresin shoqëror .
Të gjitha këto e bënë të dalluar Musinenë, si shkrimtare të talentuar, si revolucionare të vendosur në mbrojtjen e pikëpamjeve të saj demokratike dhe si një intelektuale përparimtare .
Pas viteve 90, ajo është ndër të parat disidente që u dekorua me medaljen “Martir i Demokracisë “ Edhe të mbijetuarit e familjes bënë çmos për rehabilitimin e veprës së saj.
Fondacioni “Musine Kokalari, “kryen shumë aktivitete që e plotësojnë njohjen e saj të ndaluar prej shumë dekadash. Shkolla që mban emrin e Musinesë e përjetëson duke e mbajtur si pishtar drite e diturie.
Nga Piedestali ku e vendosi koha, Musineja u flet gjeneratave: ”Besa,Shpresa,Dashuria, ato pra na lartësojnë .Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë .
p.s.Musine Kokalari u lind me 10 shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë. Në vitin 1921 Familja e saj kthehet në Shqipëri .Në nëntor të 1944 arrestohet për herë të parë. Me 23 janar 1946 arrestohet për së dyti, gjyqi komunist e dënoi 20 vjet heqje lirie Me1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internuan ne Rrëshen.Me 1981 sëmuret nga kanceri ku nuk u tregua aspak kujdes nga shteti komunist,vdes me 1983.
- « Previous Page
- 1
- …
- 63
- 64
- 65
- 66
- 67
- …
- 89
- Next Page »