• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

ÇËSHTJA E GJUHËVE AMTARE NË SHËRBESËN E SHENJTË

October 1, 2015 by dgreca

MESHARI I GJON BUZUKUT (1555) NË  KONTEKSTIN E KONCILIT TË TRENTOS (1545-1563)/

Shkruan: Zef Chiaramonte,  Palermo/*

Më lejoni të përmend Ak. Prof. Jorgo Bulo-n si shkencëtarin dhe mikun e mirë që më pati nxitur që të merrem me hulumtimin e deliberata-ve të Koncilit të Trentos dhe me aplikimin e mëpastajshëm të tyre nga ana e Papatit, me qëllim që të sqarohen disa aspekte jo sekundare të veprës së Buzukut.

Status quæstionis

  Vendosja e turqve osmanë në Ballkan, që kishte filluar që nga gjysma e dytë e shekullit XIV, mbartte në vete një tjetër ndarje fetare, përveç asaj ndërmjet Konstantinopojës dhe Romës, që tashmë ishte bërë tradicionale: pushteti i ri, hyqimeti, e favorizonte, kur nuk e impononte, konvertimin e miletit të krishterë në Islam.

  Ndërsa grekët dhe sllavët ortodoksë – hierarkitë kishtare të të cilëv gjetën menjëherë një marrëveshje me Sulltanin  –  do të rezistojnë duke u mbështetur në liturgjinë bizantine të kremtuar në gjuhët e tyre përkatëse, shqiptarët katolikë, të shtypur në shtëpinë e vet nga turqit dhe të izoluar nga Roma, do të mundohen në mënyra të ndryshme të bëjnë qëndresë, duke kultivuar gjuhën e vet dhe duke bërë çmos për ta futur atë në kontekstin liturgjik.

  Vepra më e gjerë dhe më e plotë prej orvatjeve të sprovuara për të futur gjuhën amë në liturgjinë katolike është padyshim ajo e Gjon Buzukut, Meshari i të cilit, në të vetmin ekzemplar që ka mbetur, e që gjendet sot në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, u zbulua herën e parë nga gjysma e ‘700 dhe u ri-zbulua më 1909.

  Nga kjo datë e fundit fillojnë edhe studimet mbi të, përveç dy botimeve kritike nga Namik Resuli (1958) dhe nga Eqrem Çabej (1968).

  Ky studim që po paraqesim sot, i mbështetur edhe në kërkime pranë arkivave të Vatikanit, ka për qëllim të ndriçojë aspekte të Buzukut që kanë të bëjnë me historinë e liturgjisë dhe me historinë e Koncilit dhe të pas-Koncilit të Trentos, dmth. kanë të bëjnë me Reformën Protestante dhe me Reformën e Kishës së Romës ose me të ashtuquajturën Kundërreformë.  

Shërbesa e shenjtë ose, me fjalë greke, liturgjia

  Në lashtësinë greke ambasadorët quheshin liturgë dhe detyra e tyre quhej liturgji: kemi të bëjmë me ushtrimin e një detyre përfaqësuese publike, shtetërore dhe zyrtare, të kryer si përfaqësues të mbarë një kolektiviteti.

  Në mënyrë analoge, në fushën e Krishtërimit, lutjet publike të zyrtarizuara, të caktuara për nga koha e nga rituali, do të quhen liturgji.

  Ashtu si edhe te Hebraizmi dhe më vonë tek Islami, lutjet publike të krishtera ndahen sipas kohëve të kryerjes dhe me fjalë latine gjithpërfshirëse quhen edhe officia. Mbi të gjitha gëzon epërsi Mesha ose Liturgjia Hyjinore, e cila zakonisht celebrohet paradite.

  Lutjet personale, qofshin me fjalë apo në heshtje, ato bëhen gjithmonë dhe vetvetiu në gjuhën amtare, sepse edhe mendimet bazike njeriu i ka në gjuhën e vet.

  Por në ç’marrëdhënie janë gjuhët amtare me liturgjinë, dmth. me lutjen zyrtare publike? Gjuhet amtare, deri para disa shekujsh  – dhe diku diku edhe sot – ishin vetëm gjuhë të folura dhe jo edhe të shkruara, prandaj quheshin “vulgare”, popullore, si p. sh. arbërishtja për shumicën dërrmuese të Arbëreshëve.

  Jo vetëm në antikitet, pra, por edhe sot ndeshemi me qytetërime dhe komunitete analfabete, ku shkrimi është diçka magjike, sakrale dhe mbetet në domenin e pak personave, të cilët i përkasin një klase të veçuar, të sofistikuar, priftërore e cila, duke trajtuar sende sakrale, nxjerr prej tyre një pushtet të madh mbi popull dhe pothuaj edhe mbi klasën sunduese.

  Kujtojmë këtu shkrimin e hieroglifeve, të shpikur në Egjiptin antik nga klasa priftërore, dhe atë të gjuhës etruske, të përdorur deri vonë në Romën antike nga priftërinjtë “aruspicinë”.

  Në periudhën e mëvonshme, me monoteizmin, disa gjëra fillojnë të ndryshojnë.  Për shembull: komuniteti hebrej i zhvendosur në  Aleksandri, liturgjinë e ruante në gjuhën e prejardhjes, ndërsa në sh. III para Krishtit Bibla përkthehet në greqishten e kohës së Lekës së Madh, pra helenishtja, sepse të rinjtë e komunitetit nuk e kuptonin më hebraishten. Kemi të bëjmë me Biblën e 70-ve, Septuaginta.

  Në zanafillën e Krishtërimit, liturgjia ndërtohej në gjuhët e kuptueshme nga popujt që të parët e përqafuan Krishtërimin, për të vazhduar me greqishten dhe latinishten si gjuhë më të përhapura në Perandorinë Romake.

  Ndonëse Shën Vasili i Madh (329-379) i këshillonte ipeshkëvijtë që ta çojnë liturgjinë në gjuhët e popullit, megjithatë me stabilizimin (sh. VIII-IX) e Pentarkisë midis kishave-amë ose 5 Patriarkatëve (Roma, Konstantinopoja, Antiokia, Aleksandria dhe Jerusalemi), edhe gjuhët stabilizohen dhe formojnë një grupim i ashtuquajtur – pa u mbështetur te asnjë ligj, por de fakto – “gjuhë liturgjike”.

  Në trevat e Siujdhesës së atëhershme ilirike, gjuhët liturgjike polarizohen rreth greqishtes dhe latinishtes, sipas frymës së Bizantit a të Romës, ndërsa  me ardhjen e sllavëve ndeshim edhe një gjuhë tjetër, e cila së shpejti ngryhet në rangun liturgjik.

  Me kalimin e kohës, kishat e zgjeruan aq shumë rolin e tyre arsimor dhe kulturor sa që kufijtë midis religjonit dhe kombësisë u mjegulluan.

  Na del pra, se “gjuhët liturgjike” tani janë gjuhë të shkruara, të përpunuara, të zyrtarizuara, të kristalizuara dhe të politizuara, deri sa edhe sakralizohen dhe bëjnë çmos t’i lenë jashtë tempullit gjuhët e tjera. Të cilat, megjithatë, aty këtu ngrenë krye dhe, sidomos te trevat “kufitare”, ndikojnë  mbi aspektin  baritor të religjonit, i cili e ka vështirë frytdhënien pa përdorimin e mjetit gjuhësor amtar.  

 Meshari i Buzukut, ashtu si edhe vepra të tjera të ngjashme të asaj kohe në botën kishtare, lidhet drejtpërsëdrejti me këtë problematikë, pikërisht në një Ballkan të “kolonizuar” nga greqishtja dhe sllavishtja.

  Por, po qe se ende mendojmë se Kisha Katolike, duke ndjekur deri në fund teorinë e gabuar të gjuhëve liturgjike, pati ndaluar njëherë e përgjthmonë dhe kudo përdorimin e gjuhëve amtare përbrenda liturgjisë së saj, së paku do ta gjejmë Mesharin tonë si vepër apokrife dhe Buzukun si prift rebel kundër kishës së cilës i takonte!

  Duke marrë hua një shprehje e Umberto Eco-s rreth rolit që luajnë në letërsi disa vende a disa vepra, do të thoshim se Meshari i Buzukut ngërthen në vetvete kapacitetin për të lindur lexime gjithnjë të reja, pa u sosur e pa u tretur kurrë.

  Kështu, duke i pasur parasysh studimet e bëra deri më sot mbi Mesharin nga studjues të mëdhenj e të apasionuar, dhe duke u mbështetur te dokumentacjoni i Koncilit të Trentos, rileximi ynë niset nga këto bindje personale:

  • Buzuku, prift dhe jo ipeshkëv, për nga mënyra e të shkruarit, rrjedh e vjen nga pellgu verior i Shkodrës, me gjasa nga Shestani;
  • ai do të ketë ndjekur fatin e Arbërve të arratisur, duke shkuar me ta në Friuli, në tokat e Republikës Venedikase;
  • prej aty ndoqi së afërmi punët e Koncilit të Trentos;
  • veprën e tij e ndërtoi sipas parimeve të Kishës Katolike dhe të njëjtit koncil, asokohe ende në zhvillim e sipër,
  • dhe e botoi në Venedik.

Sigurisht se me bindjet tona mund të ketë mospajtime, por dihet se shumë probleme lidhur me Mesharin mbeten ende të hapura, ashtu që studime të tjera do jenë gjithnjë të mirëseardhura në botën shkencore.

Meshari libër-mit

   Pas mitit të krijuar rreth figurës së Skënderbeut në traditën shqiptare, një tjetër mit e ka karakterizuar jetën intelektuale të shqiptarve andej e këndej Adriatikut: kërkimi i një libri të shtypur, i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe deri më sot i njohur, ku për ekzistencën e tij bëhej fjalë në një dokument epistolar të shekullit XVIII, të ruajtur në arkivin e Seminarit Arbëresh të Palermos. Dokumenti në fjalë, pa datë , njofton për një vepër liturgjike në gjuhen shqipe, të quajtur Meshar, të shkruar ndërmjet viteve 1554 e 1555, nga një prift katolik i ritit latino-roman, emri i të cilit bëhet i njohur nga colophon-i, të  shtypur në një vend të panjohur e për të cilën nuk kishin mbetur kujtime në jetën e bashkësisë kishtare.

  Siç dihet, të njëjtin fat pati edhe vepra e dytë të shtypur në gjuhën shqipe, kësaj here fryt i një përpjekjeje të një arbëreshi nga  Siçilia, që kishte qenë një nga nxënësit e parë të Kolegjit Grek të Romës: Katekizmi i Lekë Matrangës, Romë, 1591.

  Gjithashtu edhe kjo vepër ra në humnerën e harresës dhe u rizbulua vetëm në fillim të shekullit XX nga Marco La Piana (1912).

Situata tragjike e katolikëve në trevat shqiptare

  Autorët e veprave të sipërpërmendura, megjithëse bëjnë pjesë në të njëjtin areal  gjuhësor, iu referohen dy traditave kishtare të ndryshme, që të dyja të pranishme ndër shqiptarë, prejardhja e të cilave rrjedh nga ndarja e Perandorisë Romake, nga “vija e Theodosit”, e  cila e ndante në mes territorin e tyre.

  Shqiptarët, si trashëgimtarët e predikimit apostolik të shën Palit drejtuar ilirëve, do t’i nënshtrohen një inkulturimi të dyfishtë të Krishterimit: lindor në gjuhën greke dhe roman në gjuhën latine, jo gjithmonë me një vijueshmëri kronologjike, por patjetër nën të njëjtin jurisdiksion administrativ të Papës së Romës, nëpërmjet Vikarit Papnor në Selanik, së paku deri më 732 (Gjini, 1992).

  Pas kësaj date, Iliriku – ashtu sikundër dhe Siçilia dhe Kalabria si pjesë të të njëjtës perandori me traditë kishtare bizantine por që vareshin nga Roma – u detyrua me forcë nga perandori   Luani III Izauriku të lidhej me Konstantinopojën, për ta goditur Papën i cili kishte marrë pjesë me ikonofilët në krizën ikonoklaste.

  Prej kësaj date, në këtë trevë do të mbizotërojë tradita bizantine, por tradita latine mbijetoi gjithnjë, sidomos në të ashtuquajturin “trekëndësh katolik shqiptar” (Shkodër, Drisht, Danjë, Shas, Ulqin, Tivar) e në manastiret benediktine e domenikane.

   Pushtimi otoman, i filluar në pjesën e fundit të shekullit XIV dhe i përfunduar më 1912, do të ndryshojë tërësisht asetet fetare dhe shoqërore të mëparshme.

   Katolikët shqiptarë që, së bashku me shqiptarët ortodoksë për një kohë të gjatë kishin pësuar shtypjen e perandorive bullgare dhe serbe dhe të  kishave të  tyre përkatëse, siç e vë  në  pah  Iljaz Rexha (2005) në veprën e tij mbi onomastikën e Dardanisë, tani mbetën krejtësisht të izoluar nga Roma, të shkëputur nga trungu i katolicizmit, të vështruar me sy të keq nga Sulltani e nga hierarkitë ortodokse greke dhe sllave të cilat në sajë të tij kishin gjetur një status të ri privilegjesh dhe epërsie.

  E megjithatë shpirti shqiptar mbeti gjithnjë i orientuar kah Perëndimi, si thekson shumë herë Fan Noli. Aspiratat politike dhe kulturore ndaj Perëndimit e gjegjësisht ato konfesionale ndaj Romës, nuk munguan asnjeherë, sikur edhe dëshmojnë historia personale dhe familjare e heroit kombëtar Skënderbeut, vendosja e Parisë shqiptare nëpër oborret e fiznikëve italianë, prania e një Shkolle të shqiptarëve në Venedik, aktivititeti i humanistëve dhe artistëve shqiptarë në Italinë veriore, diaspora e shkodranëve në Friuli (Kamsi, 2005) dhe e Arbëreshëve në pjesën jugore të Italisë e deri në Siçili.

  Pasi refugjatët shqiptarë që u vendosën në veriun e Italisë u asimiluan, vetëm Arbëreshët do të vazhdojnë deri më sot të mbijetojnë, duke u mbështetur te tradita kishtare bizantine, dhe te ruajtja e gjuhës dhe e folklorit të zanafillës.

  Megjithatë, u desh që këto zakone të bëjnë  një  qëndresë të fortë pas Koncilit të Trentos, kundrejt mentalitetit kundërshtor të ipeshkvijve latinë, prej të cilëve vareshin kolonitë arbëreshe, vetëmevetëm sepse në to flitej një gjuhë tjetër dhe meshohej në gjuhën greke.

Buzuku në Indeks?

  Si shkak i ndërprerjes së përdorimit të Mesharit, është fajësuar prej shumëkujt dhe për një kohë të gjatë – së fundmi edhe nga studjuesi i shquar Robert Elsie (2006) – veprimi bllokues i Kishës Katolike kundrejt përkthimit të Biblës dhe përdorimit të gjuhëve amtare në liturgji. Veprim ky, gjoja i intesifikuar pas Koncilit të Trentos nëpërmjet botimeve të ripërsëritura të Index librorun prohibitorum (Indeksi i librave të ndaluar) dhe të 10 Rregullave.

  Në të vërtetë, e vetmja kopje e Mesharit të ruajtur i ka të gjitha karakteristikat që të mund mendojmë se Buzuku pati hyrë në procesin paraprak të Indeksit në Romë.

 Siç dihet, kopjes i mungojnë ballina dhe disa faqe nga mesi i librit: këto janë elementet indiciale që tregojnë se Meshari do t’i jetë nënshtruar procesit fillestar të komisionit përkatës, i cili i jepte në dorë një lektori të besuar pikërisht ballinën dhe disa faqe të veprës objekt ndëshkimi. Qofë se lektori, duke u betuar dhe me anë të një shënimi përbledhës, nuk e konsideronte të rrezikshme veprën, ajo nuk kalonte në fazën e dytë  ndëshkimore dhe nuk radhitej në Indeks.

  Megjthatë, dosja e hapur duhet të kishte mbetur ne arkiv, së bashku me faqet që i mungojnë Mesharit!  

  Por, me gjithë hulumtimet të bëra, dosjen nuk e kemi gjetur. Na duhet pra të pajtohemi me faktin që ajo do të ketë mbetur, dhe pastaj u dogj, në Francë, ku gjithë arkivi i Sant’Ufficio-s dhe arkivat e tjerë të Vatikanit u zhvendosën nën perandorinë e Napoleon Bonapartit.  Mbas rënies së tij, arkivat u kthyen në Romë, përveç materialit të konsideruar pa interes, i cili u asgjësua në vend.

  Mbetet për t’u hulumtuar arkivi i Indeksit të Venedikut, ku ka gjasa të bazuara se vepra të jetë botuar.  Po qe se edhe atje Meshari iu nënshtrua ndëshkimeve paraprake, dosja përkatëse mund të jetë ruajtur dhe mund të na japë ndonjë surprizë!

  Ndërkaq, aksioma e ndalimit të veprës buzukjane me anë të Indeksit nuk vërtetohet në përgjithësi, ngase veprat e futura në  Indeks ishin vetëm ato që  konsideroheshin kundërshtare ndaj doktrinës dhe moralit katolik.

   Por as në veçanti kjo aksiomë nuk vërtetohet: ajo është vënë qëmoti në dyshim nga Çabej (1968) dhe nga Kamsi (1995), pikërisht për sa i përket veprës së Buzukut.

   Kjo aksiomë, në fakt, nuk vërtetohet as nga botimi i parë i Indeksit (1559), botim që sot çdokush mundet lehtësisht ta konsultojë në internet në zërin Index librorum prohibitorum. Në të nuk rezulton e rreshtuar vepra e Buzukut.

  Për më shumë, vepra monumentale në 11 vëllime e Jezùs Martinez De Butanda (1984-2002), Index des livres interdits, na jep fjalën përfundimtare: Buzuku nuk hyri kurrë në Indeksin e librave të ndaluara as nga Inkuizicioni i Sorbonës, as nga ai i Venedikut, as nga ai i Maltës dhe as nga ai i Romës.

  Në fakt, nëse e pranojmë që Reforma Protestante i ka inkurajuar përkthimet e Biblës dhe të liturgjisë në gjuhët amtare, jo gjithmonë është e vërtetë që Kisha Katolike dhe Reforma e saj t’i kenë ndaluar me akte formale dhe me futjen e tyre në Indeks. Duket, përkundrazi, që për krahinat “kufitare”, edhe pas Koncilit të Trentos, Kisha Katolike t’i ketë pranuar dhe këshilluar për arsye pastorale, baritore.

   Arsyet e rënies në mospërdorim të Mesharit, nëse turqit do ta kenë lejuar qarkullimin e tij të lirë në territoret shqiptare të zaptuara, do t’i kërkojmë, ndërkaq, duke parashtruar një ekskurs historiko-liturgjik dhe, mbi të gjitha, duke u hedhur një shikim sa më të thellë dokumentëve zyrtare që pasuan Koncilin e Trentos, sidomos tek ato pjesë  që lidhen me problemin e përdorimit të gjuhëve amtare në Shërbesën e shenjtë.

Pal Sqirò-i (1866-1941): zbuluesi dhe studjuesi i parë i Buzukut

  Si dihet, merita e rizbulimit të këtij inkunabulum-i të letërsisë shqiptare i detyrohet Mons. Pal Sqirò-it, ipeshkvit të Arbëreshëve të Siçilisë, një arbëresh që nga kjo vepër e rigjetur mori frymëzimin për ta futur arbërishten në praktikën liturgjike të Kishës Arbëreshe në Itali më parë se kjo të ndodhte  në Kishën Ortodokse në Shqipëri.

   Lajmi i rizbulimit u dha nga Faik Konica në revistën “Dielli” të Bostonit të datës 18 mars 1910, i ndjekur nga lajmi që i njëjti monsinjor po përvishej për të përgatitur një ribotim të shoqëruar nga një studim i tij.

  Studimet e para mbi veprën e Buzukut, megjithatë, janë botuar nga Justin Rrota në vitin 1930. Rrota pothuajse e fajëson  Sqirò-in që nuk e ka mbajtur besën e fjalës së dhënë rreth ribotimit të veprës buzukiane.  Në të vërtetë, nuk është pavend, ndërkaq, për të pyetur veten, pse vallë Pal Sqirò-i nuk e ribotoi Buzukun dhe as e botoi studimin e tij të paralajmëruar rreth kësaj vepre, e cila mbetet deri më tani dorëshkrim pranë trashëgimtarëve të tij.  

  Përgjigjja qëndron në ndodhitë e rrëmujshme që karakterizuan jetën e tij në dhjetëvjeçarin e mëpasshëm të zbulimit të Buzukut.

Vepra e zbuluar:“Meshar”?

  Vepra që Mons. Sqirò-i zbuloi ndër vëllimet e pakataloguara të Bibliotekës Apostolike Vatikane, kishte tashmë një titull: Meshar.

  Meshar e quajti Mons. Kazazi, argjipeshkvi i Shkupit, kur për këtë e njoftonte Atë Gjergj Guxetën, dhe Meshar vazhduan ta quanin si Guxeta (1682-1765) ashtu dhe pasardhësit e tij në rektoratin e Seminarit Arbëresh të Palermos, përveç Ketës i cili e quante Ritual, nga një burim tjetër dorëshkrim (Demiraj, 2007).

  Duke ndjekur këtë udhëzim, të gjithë e kanë quajtur Meshar, duke u mbështetur, ndoshta, tek terminolgjia që u bë e zakonshme pas botimit të Mesharit Roman i botuar më vonë (1570) nga Papa Piu V.

  Ky meshar, që përfshinte dhe sistemonte disa libra  liturgjikë të përparshëm, ishte bërë tashmë meshari zyrtar – në gjuhën latine – për ritin roman, dmth. për pjesën dërrmuese e katolicizmit.

  Prandaj, sinjalizimi për pasaktësinë e emërtimit nuk është i padobishëm, nëse konsiderohet që vëllimi i botuar së fundmi nën përkujdesjen e UNESCO-s mbi  Kodikët e Shqipërisë (2003) përdor dy herë të njëjtin term “meshar” për të treguar gjëra tepër të ndryshme nga vepra e Buzukut.

  Termi “meshar” është përdorur këtu për kodikunn 70 të Beratit dhe për kodikunn 80 të Gjirokastrës, të cilët rezultojnë me këto përmbajtje: i pari me tekstet e Liturgjisë Hyjnore të Shën Gjon Gojartit dhe të  Liturgjisë së Parashenjtëruarëve, kurse  i dyti me  Liturgjinë Hyjnore të Shën Vasilit të Madh.

  Tekstet e përmbajtura në veprën e Buzukut, në të kundërtën, janë të shumta.

  Ndërsa kodikët e lartërmendur përmbajnë vetëm lëndën e palëvizshme të liturgjive përkatëse, te vepra e Buzukut mungojnë pikërisht ordo missae (pjesa e palëvizshme e Meshës), si edhe canon-i dhe prefatio. Kurse gjejmë sequentia pothuajse të plota me pjesët neotestamentare (epistula dhe ungjilli) dhe, gjatë kreshmëve, postcommunio dhe oratiosuper populum.

  E gjithë kjo, referuar meshave të të dielave dhe të festave të vitit liturgjik të ritit latino-roman, duke i kushtuar vemendje të veçantë meshave pëkujtimore të shenjtërve të urdhërit françeskan dhe të shenjtërve më popullorë të botës shqiptare .

 Të përdorësh, pra, të njëjtën fjalë për të treguar vepra kaq të largëta ndërmjet tyre, të çon jashtë rruge, ngase për të dy kodikët e cituara (që i përkasin traditës bizantine), nuk gjendemi në praninë e një meshari.   

  Më e pëlqyeshme, ndërkaq, do të ishte që të emërtoheshin kodikët me emrin e përmbajtjes së tyre efektive, sikur është traditë pranë Arbëreshëve dhe pranë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, dhe të ruhet termi “meshar” për veprën e Buzukut. Por kjo thjesht vetëm pse tashmë ka hyrë në përdorim, ani se nuk kemi të bëjmë me një meshar, në atë kuptim që i jepet kësaj fjale sidomos që nga aplikimi i Koncilit të Trentos e këndej.

Origjina e Mesharit në Kishën e Romës

   Kur Papa Piu V e publikoi Mesharin Roman, Missale Romanum, libri qe botuar sipas editio princeps (botimit fillestar) të një Meshari Roman të vitit 1474, i cili, që në kohën e vet, ndiqte tipologjinë e një libri liturgjik që zë fill me shekullin XIII, me emrin Liber missalis secundum consuetudinem Romanae Curiae. Ky libër ishte shumë i përhapur në botën katolike, veçanërisht nëpërmjet fretërve françeskanë, të cilët, ndër të tjera, rezultojnë mjaft të pranishëm në krahinat shqiptare të veriut.  Libri i Buzukut, të paktën, për sa i përket pjesës në lidhje me meshët, i përgjigjet një lloji të tillë. Përkundrazi, materiali i ngelur liturgjiko-katekistik, e largon, duke e zhvendosur drejt comes-it: një tipologji që i përket akoma Mesjetës, kur për Shërbesën e shenjtë ekzistonin një mori librash të ndryshëm që do të gjenin sistemim përfundimtar vetëm me hyrjen në fuqi të vendimeve të Koncilit të Trentos dhe me ardhjen në epërsi të ritit roman.

Buzuku krijon një comesanti-osman

  Comes ose Liber comitis ishte në fillim një libër leximesh të përshpirtshme që përmbante një përmbledhje të Shkrimit të shenjtë dhe një antologji të autorëve shpirtërorë.

  Fjala comes, shoqërues, përdorej pra për të treguar njerëz dhe sende. Romakët perdornin një emër të tillë për shoqëruesin e gjykatësit e më vonë për dhe atë të Perandorit; por edhe pedagogu quhej comes, sepse ishte i detyruar që të shoqëronte  kudo nxënësin që i ishte besuar.

  Në të njëjtën mënyrë, libri që shoqëronte të krishterin përgjatë gjithë harkut të jetës, pra vademecum-i shpirtëror, u quajt comes.

  Më vonë fjala tregoi përmbledhjen e perikopeve nga epistulae ose edhe nga epistulae dhe Ungjijtë së bashku (letionarium).  

  Në njërin rast dhe në tjetrin, ndonëse i vonshëm, libri i Buzukut na del si comes.

  Nuk do të na dilte i tillë nëse për comes përdorim termin teknik specifik që u përdor më vonë në fushën e liturgjisë romane për të shënuar librin i cili përmbante incipit dhe explicit të perikopeve biblike që lexoheshin per annum gjatë meshës (capitularia).

  Por nuk është ky rasti i Buzukut.

  Në tërësinë e saj, vepra e Buzukut rezulton një doracak i fesë katolike, një shoqërues, jo vetëm i besimtarëve, që në pjesën më të madhe do të ishin analfabetë, por, mbi të gjitha, i klerit dhe i priftërinjve, sidomos të atyre “endacakë”, e me sa duket i tillë ishte edhe vetë Buzuku.

  Shpërbërja e sistemit tradicional të famullive, e shkaktuar nga zgjerimi i Otomanëve në Ballkan, e bënte tmerrësisht të vështirë veprimin baritor.

  Cili ilaç, pra, do t’ishte më i mirë ndaj rrënimit fetar dhe kulturor, se sa oferta e “përmbledhjeve” në gjuhën shqipe?

   Edhe pranë katolikëve ballkanas të tjerë latinë ndjehej kjo nevojë.  Meshari, në fakt, ndjek publikimet e ngjashme në gjuhët serbe e kroate të kohës, sikur na informon Martin Camaj (1960).

Së këndejmi, vrejmë që edhe pas Koncilit të Trentos sllavët katolikë vazhduan të kryenin Shërbesat në gjuhën “ilirike”.   E çmojmë pra Buzukun për atë që e ka marrë përsipër barrën për të shërbyer hapësirën shqiptare me një hapax, një unicum, duke shfrytëzuar lirinë e mbetur, do të thosha ende mesjetare, në përpilimin e librave liturgjikë dhe duke e parandjerë, ndoshta, njëtrajtshmërinë, uniformitetin e afërt që do të buronte nga aplikimi i  Koncilit.

  Duket qartë, megjithatë, se Buzuku i kishte bërë një vlerësim të saktë rrezikut që i kanosej popullit të tij nga apostazia, si pasojë e të cilës do të humbej automatikisht edhe individualiteti kulturor dhe gjuhësor shqiptar.

  Prandaj, më shumë se sa të druante apo t’i mbante në kosideratë pengesat ipotetike tridentine, ai i vë në veprim forcat e shpirtit për të kundërshtuar një armik tejet të tmerrshëm.

  Nga kjo pikëpamje, Buzuku mbetet plotësisht në hullinë baritore të Kishës Katolike dhe të Koncilit të Trentos.

Koncili i Trentos (1545-1563)

  Nuk duket e rastësishme, në të vertetë, që vepra e Buzukut të gjendet midis fazës së dytë (1551-1552) dhe fazës së tretë (1562-63) të Koncilit të Trentos.

  Koncili, i cili nuk kishte tjetër qëllim përveç se t’u përgjigjej pikë për  pikë tezave të Martin Luterit, qysh në fillim, në sesionin e katërt, më 8 pril të vitit 1546, kishte miratuar Decretum de vulgata editione Bibliorum et de modo interpretandi s. Scripturam, me të cilin përcaktohej teksti kanonik i Biblës latine, sipas Vulgatës së Shën Jeronimit, aso kohe në fuqi, i cili nuk duhej ndryshuar në asnjë mënyrë, qoftë në shtyp e qoftë në interpretim.

  Në të njëjtin sesion, etërit konciliarë kishin shprehur edhe dëshirën që të formulohej një katekizëm. Buzuku duket sikur e përmbush këtë dëshirë me rreshtimin e pjesëve katekistike në veprën e tij.

  Po në çfarë mënyre vihet ai përballë tekstit biblik zyrtar?

Përveç Pal Sqiro-it dhe Gaetano Petrota-s, etj., edhe dy botimet kritike, të përkujdesura respektivisht nga Namik Resuli (1958) dhe nga Eqrem Çabej (1968), kanë vënë në dukje përkthimet e ndryshme të po të njëjtave tekste biblike, si Luka 1, 26-38 dhe Psalmi 130 (129) i cili figuron në Meshar në tri përkthime!

  Fryt i një qëndrimi të rastësishëem, që do të kishte mundur të ndodhte për mungesë të tekstit të plotë ndërsa shtypshkronja shkonte përpara në botim, si shkruan papa Tani Petrota? Ose është fryt i një tradite të mëpërparshme tekstesh të përkthyera në gjuhën shqipe? Sidoqoftë, nëse Buzuku ishte i arratisur me besimtarët e vet nuk ka dyshim se ai nuk ka dashur që të humbiste as një drudhe nga traditat e ndryshme tashmë të formuara dhe të pranishme në popullin për të cilin e kishte marrë përsipër përkujdesjen baritore: kjo është në psikologjinë e të arratisurit!   

  Prandaj, mënyra më e bukur dhe më e mençur për t’i ruajtur ato, ka qenë mu ajo që t’i ketë  sistemuar në  vende të  ndryshme të  Shërbesës së  shenjtë hartuar nga ai vetë.

  Në seksionin XXII, të 17 shtatorit 1562, shtatë vjet nga botimi i Buzukut, Koncili miratoi Doctrina de S.tae Missae Sacrificio. Kapitulli VIII, De Missa vulgari lingua passimnon celebranda, lë të kuptohet se në botën katolike kishte hedhur rrënjë zakoni për të kremtuar në gjuhën e popullit.

  Një praktikë e këtillë, Koncili nuk e ndalon kudo, passim, dhe  mbi të gjitha, nuk do të kishte kuptim ta ndalonte në vendet “kufitare” të kulturave të ndryshme.

   Për katolicizmin, në të vërtetë, problemi i gjuhës liturgjike, në atë kontekst të veçantë, fitoi një rëndësi absolute teologjike. Qëllimi ishte që të ripohohej se frytdhënia e Meshës dhe e sakramenteve qëndron në vetvete dhe nuk varet nga përdorimi i gjuhës së kuptuar nga besimtarët, sikur pohonte Martin Luteri dhe Reforma Protestante.

  Prandaj, një pjesë e etërve të Koncilit ngulte këmbë për adoptimin gjithasajtna të latinishtes, kurse kundërshtimi i një pjese tjetër jo të vogël nga ta, dhe sidomos të ipeshkvit të qytetit ku mbahej Koncili, nuk lejoi që të merreshin masa kundër përdorimit të gjuhëve amtare.

  Koncili, ndërkohë, i la të lira dhe të qeta hapësirat tashmë të formuara me tradita rituale dhe gjuhësore lokale (kemi parasysh këtu traditën glakolike, traditën e komuniteteve lindore të bashkuara me Romën ku bëjnë pjesë Arbëreshët, etj), si dhe format e tjera liturgjike latine, por jo romane, si ajo ambroziane në Milano, ajo lioneze në Francë, ajo mozarabike ne Spanjë, ajo galikane – normane në Siçili, etj.

  Gjithashtu Koncili, më se disa herë i detyron ipeshkëvinjtë dhe barinjtë  shpirtërorë,  të shpjegojnë në gjuhën e vendit (vulgari lingua) frytdhënien dhe dobinë e sakramentëve përpara se t’i mbarështrojnë.  Dhe, “po qe nevoja dhe është e mundur, t’i    mbarështrojnë edhe në gjuhën amtare”.

  I detyron po ashtu që ata vetë, ose nëpërmjet të deleguarve të tyre, të mbajnë pretkun në gjuhën e popullit, duke u mbështetur te pjesët e Besëlidhjes së Re të lexuara gjatë meshës, të paktën të dielave dhe festave .

  Në hapësirën shqiptare, ku feja katolike rezultonte minoritare kundrejt Ortodoksisë greke dhe sllave dhe përballë rrezikut të islamizimit masiv, një arsye e fortë baritore këshillonte një shpjegim të parë të pjesëve të Besëlidhjes se Re nëpërmjet leximit të po atyre në gjuhën amtare, ndërsa kanon-i dhe pjesët fikse të meshës qëndronin latinisht: te Meshari, në fakt, siç e kemi thënë , pjesët fikse mungojnë.

  Falë Buzukut, ndërkaq, populli shqiptar pati një tekst organik në gjuhën e vet për pjesën dërmuese të shërbesës së shenjtë dhe për njohuritë fillestare të doktrinës së krishterë.

  Do të jenë udhëzimet post-konciliare që do ta ngushtojnë fushën e gjuhëve lokale, përmes veprës se ipeshkvijve, të obliguar tash e tutje të banojnë në dioqezat e tyre dhe të sillen porsi “delegatë” të Selisë së Shenjtë.

  Pasi mbaroi koncili, filloi vepra e zbatimit të vendimeve të tij, zbatim gjithnjë e më shtrëngues nga ana e Papatit.

  Kështu, me dispozitën Dominici gregis custodiae e 24 majit 1564, dolën në dritë 10 Rregullat mbi librat e ndaluar.

  Vepra e Buzukut, së paku për tekstet shkrimore, binte nën ndikimin e rregullave III dhe IV.

   Kjo nuk do të thotë, megjithatë, që libra si Meshari ynë, të botuar para dhe pas koncilit, të mos mund të përdoreshin, por e drejta për t’i lejuar tani u takon ipeshkvijve apo Inkuizicionit.

  Përforcohet, kështu, vepra e censurës parandaluese ose e pas botimit, që do të ketë për qëllim pastërtinë e doktrinës katolike kundër Protestantizmit dhe kundër përdorimit të Biblës për shortari ose në mënyrë  të gabuar.

Buzuku i harruar

  Libri i Buzukut pra duhet të shikohet si kulmi i një lloji letrar liturgjik, lloj që kemi arsye të bazuar ta konsiderojmë të lëvruar qëmoti te shqiptarët, jo vetëm në dorëshkrim por ndoshta edhe në botim.

  Përdorimi i gjuhëve amtare në fushën kishtare, sigurisht  jo në mënyrë të përgjithësuar, kishte marrë hov qysh nga shekullin XII në Evropën perëndimore. Nuk ka arsye të përjashtohet mundësia që e njëjta gjë të ketë ndodhur edhe në Evropën lindore, ku, ndër të tjera, përdorimi i sllavishtes kishtare, si zëvendësim i greqishtes dhe i latinishtes, daton qysh prej shekullit IX.

  Si dëshmi të mëtejshme, le t’i kujtojmë rastet tashmë të njohura, pranë kroatëve dhe serbëve katolikë, por edhe pranë shqiptarëve me formulën e Pagëzimit të vitit 1462, për katolikët romanë, dhe me troparin e me ungjillin e Pashkëve të shekullit XIV, për ndjekësit e traditës bizantine.

   Shpikja e shtypit me shkronja të lëvizshme, lehtësoi përhapjen e teksteve, kështu që në kohën e Buzukut i jepet më shumë rëndësi mësimit fetar tek populli nëpërmjet fjalës së shkruar dhe të shtypur: Bibla e përkthyer merrte vendin e parë, e pastaj rreshtohej Mesha.

   Ndalimet, të cilat edhe përpara Koncilit ngriheshin herë pas here në lidhje me leximin e Biblës në gjuhën vulgare, edhe pse të ngjashme me klithmat e Manxonit, ishin të diktuara nga shpërdorimi që i bëhej.

  Reagimi i Kishës Romane, në një epokë në të cilën Papati është akoma i implikuar në ambicie politike dhe ndjekës i relativizmit të pranishëm në humanizmin e perjudhës së Rilindjes evropiane, ndoshta nuk do të vinte në dritë me seriozitetin e reformave – sikur dëshirohej nga shpirtrat më të ndërgjegjshëm – pa leksionin e Luterit.

   S’ka dyshim që ngujimi, mbyllja e Kishës si në një fortesë, me qëllim që t’i ruajë ata që i kishin mbetur besnikë prej çdo kontaminimi me Protestantizmin, kërkonte rregulla të sakta dhe reforma jo indiferente në mjedisin katolik.

  Të kërkuara nga koncili, ato u shtjelluan me tej, duke filluar nga Papa Pio IV.

  Në fushën e liturgjisë ky qëndrim pati si rrjedhojë të menjëhershme uniformitetin e librave për Shërbesën e shenjtë, uniformitet që pati mundësi të përhapej botërisht me zhvillimin e shpejtë të artit tipografik.

   Shumë vepra, ndërkohë, si ajo e Buzukut, zunë të mos përdoreshin më. Jo pse ishin të vëna në Indeks ose në kundërshtim me Rregullat, por sepse ishin jo të plota dhe jo të përputhshme me daljen në dritë të botimeve tipike, zyrtare për krejt Kishën të ritit latino-roman, rit ky që doli fitimtar nga koncili dhe ia grisi apo ia ngushtoi hapësirën riteve të tjera edhe pse po ashtu latine edhe ato.

   Botimet, sigurisht në latinisht, ishin me tirazhe praktikisht të pakufizuara dhe lehtësisht të pranueshme, kështu që ku nuk kishte një traditë të fortë dhe të pakontestueshme të përdorimit të gjuhës amtare, latinishtja fitonte dhe i mbyste traditat dhe gjuhët lokale në liturgji.

  Ndër arsyet e tjera të ndërprerjes së përdorimit të Mesharit, disa prej tyre tashmë të vëna në pah edhe nga Çabej, po radhisim botimet zyrtare: Catechismus ex decreto concilii tridentini, ose Katekizmi Roman, 1556; Breviarum Romanum, 1568; Missale Romanum, 1570; adoptimi i Kalendarit të ri, 1582; Martyrolgium Romanum, 1584;  Pontificale Romanum, 1595/96;  Rituale Romanum, 1614.

  Faktori, pra, që na duket më së shumti i implikuar për t’i katandisur në heshtje, duke i vënë jashtë përdorimit, tekstet dhe përkthimet të mëpërparshme, jo vetëm në shqip por edhe në gjuhë të tjera, është rishikimi i Vulgatës së Shën Jeronimit,  rishikim, ndër të tjera, jo i drejtë e i destinuar, përafërsisht rreth vitit 1592, që të rishikohet pësëri.

  Përsa i përket pikërisht Mesharit, ndonëse mendimi dhe dëshira e Autorit ka qenë përhapja e tij në hapësirën mbarëshqiptare, për arsye kontingjente ai do të ketë shërbyer vetëm brenda komunitetit të shqiptarve të arratisur, ku përdorimi u shua me asimilimin e tyre.

  Qoftë edhe se kopje të librit do të kenë mbërritur në Shqipëri, faktorët e ndryshëm të lartpërmendur dhe situata katastrofale e katolicizmit atje, nuk do t’i kenë lejuar Mesharit përhapjen e dëshiruar në mesin e besimtarëve.

  Mos të harrojmë pra se në trojet shqiptare të zaptuara nga turku, rolin e Inkuizicionit, më shumë se sa Roma e largët, e luante hyqimeti osman i ndihmuar nga Kisha Ortodokse greke dhe serbe.

  Megjithatë, nga vazhdimësia e gjuhës së shkruar mund supozojmë se në mesin e klerikëve, sidomos të atyre përkohësisht jashtë atdheut, për studime o për arsye baritore, vepra e Buzukut do jetë përdorur dhe ruajtur për njëfarë kohe, duke luajtur rolin e udhërrëfyesit për botimet e autorëve të ardhshëm.

Në rizbulimin e Buzukut

  Shekulli XVIII me të mirat dhe këqijat që i dihen, pati një rëndësi të madhe për botën shqiptare dhe arbëreshe.

   Papa Klementi XI, Albani (1700-1721) e drejtoi interesin e Kishës Katolike drejt Ballkanit e dukshmërisht drejt Shqipërisë, nga e cila ishte i vetëdijshëm që rridhte familja e tij. Më 1703 do të kremtojë Koncilin provincial shqiptar, Kuvendin e Arbënit, aktet e të cilit, të shkruara në shqip, përbëjnë një dëshmi të çmueshme të zhvillimit të kësaj gjuhe në krahasim me Buzukun.

   Papa Klementi XII, Corsini (1730-1740) krijoi dy kolegjet për Arbëreshët, në Kalabri dhe Siçili, dhe emëroi në Kalabri një ipeshkëv tjetër për shugurimin e priftërinjve të ritit lindor, pas atij të Romës, për hir të traditës bizantine të Arbëreshëve.

   Benedikti XIV, Lambertini (1740-1758), hodhi themelet e një të drejte kanonike për Italo-Shqiptarët, duke ndikuar, në të mirë apo në të keq, mbi fatet e bashkësisë arbëreshe në Itali.

   Oborri papnor, prandaj, dhe Selia e Shenjtë, ushtruan për më shumë se një gjysmë shekulli një filo-albanizëm të frytshëm, në kuadër të të cilit mons. Kazazi argjipeshkëvi i Shkupit, në vizitë në Romë, pati rastin të zbulonte kopjen e vetme të Buzukut, atëherë të ruajtur në Propaganda Fide, dhe t’ia komunikonte këtë at Gjergj Guxetës, themelues më 1734, e pastaj rektor, i Seminarit Arbëresh të Palermos.

  Letra e Kazazit, që nxjerrte gjthnjë kokën midis letrave të arkivit të Seminarit, kërkonte përgjigje kohë mbas kohe nga mjedisi kulturor arbëresh, deri sa Pal Sqirò-i e gjurmoi dhe me durim e qëndrueshmëri e nxori më në fund në dritë Mesharin.

Frytet e vonshme të Mesharit

  Vendimmarrjet e pas-Koncilit të Trentos, rreth përdorimit të gjuhës latine në liturgji, qëndruan në fuqi në Kishën Perëndimore deri më 1963.

  Nuk besojmë të jemi larg nga e vërteta, nëse mendojmë se Pal Sqirò-i të jetë frymëzuar nga vepra e Buzukut kur, duke u nisur nga viti 1912, domethënë 3 vjet pas zbulimit të Mesharit, filloi të shtypte dhe shpërndante për bashkësitë arbëreshe të Siçilisë Fjala e t’In Zoti, përkthimin arbërisht të pjesëve të Besëlidhjes së Re për ta lexuar ose kënduar gjatë Liturgjisë Hyjnore, Meshës së të dielave.

  Edhe për veprën tjetër të Sqirò-it, përkthimin arbërisht Mesha e Shën Jan Gojartit (Schirò, P., 1964) nuk është e vështirë të ngjitemi deri tek mësimi i Buzukut.

  Megjithëse Kisha Lindore teorikisht lejonte përdorimin e gjuhëve kombëtare në liturgji, dihet sa vështirësi pati për hyrjen e gjuhës shqipe në Kishën Ortodokse.

  Ndërmjet Arbëreshëve, në të kundërtën, nuk pati, para Sqirò-it, ndonjë lëvizje për ta përkrahur përdorimin liturgjik të arbërishtes (Chiaramonte, 2004).

  Zbulimi i Buzukut dhe zelli i Pal Sqirò-it, ndërsa aktivizuan këtë levizje tek Arbëreshët, u bënë edhe një shërbim ortodoksëve të Shqipërisë duke i përcaktuar drejt autoqefalisë së Kishës së tyre dhe drejt promovimit të shqipes në gjuhë liturgjike

KONSULTIME NGA BURIMET ARKIVORE

Arkivi i Kongregatës për Doktrinën e Fesë (ish Sant’Ufficio) :

AKDF, S.O.C.L. 1607-1625, N.2.

AKDF, S.O. Ench. 1603-1788, N.30.

AKDF, Index Libr. XVI, 1

BIBLIOGRAFIA

Barbiellini Amidei, D., Il Seminario Italo-Albanese di Palermo e i Monaci Basiliani. Lugaro, Palermo1924.

  • BERISHA, N. A., “Meshari” vepër e hartuar nga Gjon Buzuku: studim. Marzi (CS), Comet Editor Press, 2014.
  • Bihlmeyer K. – Tuechle H., Storia della Chiesa. Brescia, Morcelliana, 1960, vol. IV. ( Kirchengeschichte. Paderborn).
  • BORGIA, N., Pericope evangelica in lingua albanese del sec. XIV da un manoscritto greco della Biblioteca Ambrosiana. Grottaferrata, Tip. San Nilo, 1930.
  • BULO, J., “Meshari” i Gjon Buzukut midis reformës dhe kundërreformës. Në: <Konferenca Jubilare 450-vjetori i Mesharit  të  don Gjon Buzukut>, Ulqin 27-28 maj 2005. Në: <Dija>, nr. 3/2005, f. 205-210.
  • Camaj, M., Il “Messale” di Gjon Buzuku: contributi linguistici allo studio della genesi. Në: <Shêjzat – Le Pleiadi>, 1960, nr. 3.
  • Çabej, E., Meshari i Gjon Buzukut: (1555) I-II. Botim kritik punuar nga Eqrem Çabej, Universiteti  Shtetëror; Instituti i Historisë e i Gjuhësisë. Tiranë, 1968.
  • Chiaramonte, Z., Arbëreshët dhe përkthimi i Biblës në shqipen standarde. Në: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Bibla shqip dhe tradita. Akte të Seminarit shkencor për 10-vjetorin e përkthimit integral të Biblës në shqipen standarde nga don Simon Filipaj, Tiranë, 24.05.2004. Tiranë, Toena, 2004, fq. 62-69.
  • CHIARAMONTE, Z. G., Il Messale di Gjon Buzuku (1555): un hapax in lingua albanese tra Riforma, Controriforma e Islam. Në: <Rivista Liturgica>, terza serie, anno XCVIII, fascicolo, 6, nov.-dic. 20011, p. 98-157.
  • CONCILIORUM OECUMENICORUM DECRETA, a cura dell’Istituto per le scienze religiose. Bologna, ed dehoniane, 1991.
  • Coquelines, C.,  Bullarum … Romanorum Pontificum … Collectio. Roma, 1730.
  • DEMIRAJ, B., “Un manoscritto rituale in nostra lingua”. Në: <Biblos>, 2007, nr.
  • Denzinger-Schönmetzer, Enchiridion Symbolorum definitionum et declarationum de rebus fidei et morum. Editio XXXIV, Romae, Herder,1967.
  • Du Cange – Du Fresne,  Glossarium ad scriptores mediae et infimae latinitatis. Niort, L. Fabre, 1886.
  • ELSIE, R., Fati i Gjon Buzukut Në: <Shekulli> e përditshmja tiranase, 14.06.2006.
  • Francev, F. – Gianelli, C., Vatikanski Hrvatski molitvenik i Dubrovački Psaltiri,  Zagreb 1934.
  • Gjini, G., Ipeshkëvia Shkup-Prizren nëpër shekuj. Ferizaj, Drita. 1992.
  • HISTORIA E POPULLIT SHQIPTAR, vol III.  Tiranë, Toena, 2002-2007.
  • ISTITUTO DELL’ENCICLOPEDIA ITALIANA, La piccola Treccani: Dizionario enciclopedico italiano, vol. XII,  Roma, Treccani, 1995.
  • Kamsi, V., Gjon Buzuku e Konçili i Trentit. Në: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Tiranë, 1995.
  • Kamsi, V., Buzuku dhe botimi i “Mesharit”. Në: <Dija> Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Konferenca jubilare 450-vjetori i Mesharit të don Gjon Buzukut., Ulqin 27-28 maj 2005, fq. 129-134.
  • KODIKËT E SHQIPËRIS. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë, 2003.
  • Konica, F., Ma i vjetri shkronjës shqiptar i njohur.  Në:  <Dielli>, 1910. viti II, nr. 51.
  • La Piana, M., Il Catechismo albanese di Luca Matranga da un manoscritto vaticano. Tipografia italo-orientale “S. Nilo”, Grottaferrata 1912.
  • Loria, R., Psalmi 130 (129) në Mesharin e Buzukut dhe tradita e humbur e teksteve fetare shqiptare të Mesjetës. Në: Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Filologjisë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 22/1. Prishtinë, 2004, fq. 67-76.
  • MANDALÀ, M., E mbsuame e krështerë a cura di Matteo Mandalà. Caltanissetta, Sciascia, 2004.
  • Marlekaj, G., La più antica publicazione in lingua albenese. Në : <Quaderni dell’Istituto di Filologia>,1958, nr. III, fq. 35-52. Bologna, Università di Bologna, 1959.
  • MARTINEZ DE BUTANDA, J., Index des livres interdits. Sherbrooke-Genëve, Centre d’Etudes de la Renessance, Université de Sherbrooke-Droz, 1984-2002.
  • Petrotta, G., – Schiró, P., Il piu antico testo di lingua albanese: trascrizione fonetica con note e osservazioni grammaticali di Mons. Paolo Schiró e riproduzione dell’Editio Princeps con introduzione di G. Petrotta. Në: <Rivista indo-greco-italica>, Napoli 1932-1933.
  • Ressuli, N., Il Messale di Giovanni Buzuku. Riproduzione e trascrizione a cura di Namik Ressuli. Città del Vaticano, Biblioteca Apostolica Vaticana, 1958.
  • Rešetar, M. – Gianelli, C.,  Dva Dubrovačka iezična spomenika iz XVI vijeka. Beograd, 1938.
  • REXHA, I., Onomastica mesjetare arbane në arealin e Dardanisë. Prishtinë, Europrint, 2005.
  • Rrota, J., Monumenti ma i vjetri i gjuhës shqipe (Buzuku 1555). Në: <Ylli i Drites>, vjeti 1, Shkodër, 1930, fq. 33-55.
  • Rrota, J., Don Gjon Buzuku (1555): pjesë të zgjedhuna e të komentueme për shkolla të mjesme. Shkodër, 1930.
  • Schiró, G. (†1927),  Canti tradizionali e altri saggi delle Colonie  albanesi di Sicilia. Napoli, Tip. Pierro e Figlio, 1923,  f. 487-531.
  • Schiró, P., Mesha e Shën Jan Gojartit përkthyer shqip nga imz. Pal Schiroi botuar me kujdesin e prof. Zef Schiroit (†1965). Palermo, Tip. Boccone del Povero, 1964.
  • Schirò, Z. (†1965), Pal Schiroi. Në: Pal Schiroi, Mesha e Shën Jan Gojartit …. Palermo, 1965, fq.1-16.
  • Schmidt, H., La Costituzione sulla Sacra Liturgia. Roma Herder, 1965.
  • Sciambra M., Indagini storiche sulla comunità greco-albanese di Palermo. Grottaferrata, Tip.”S. Nilo”, 1963.
  • SORCI, P., La liturgia del Messale di Buzuku: nota aggiuntiva. Në: <Rivista Liturgica>, terza serie, anno XCVIII, fascicolo, 6, nov.-dic. 20011, p.158-160.
  • STORIA DEI CONCILI ECUMENCI, con la collaborazione di Giuseppe Alberigo et alii.  Brescia, Queriniana,1990.*
  • *Derguar per Diellin nga vete autori. Kumtesa eshte mbajtur ne: *Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsin.dhe Kulturën Shqiptare Prishtinë, 17-28 gusht 2015

 

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: ceshtja e gjuheve, Gjon Buzuku, Meshari, Palermo, Zef Chiaramonte

Ambasada e SHBA në Tiranë feston 24 vjetorin e rihapjes

October 1, 2015 by dgreca

Federata Panshqiptare e Amerikes  “Vatra” dhe gazeta e saj  “Dielli” e urojnë Ambasaden e SHBA ne kete 24 vjetor per kontributin e rendesishem ne forcimin e marredhenieve miqesore dhe bashkepunimit te gjithanshem Shqiperi-SHBA.Shendet e suksese personelit te saj!/

Ne Foto:Godina e pare e ambasades amerikane ne Tirane, 1929/

Ne nje njoftim te sotem nga kjo ambasadë thuhet:Sot ne festojmë 24 vjetorin e rihapjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. E ndërtuar në vitin 1929, Ambasada Amerikane në Tiranë mendohet se është një nga të parat legata të ndërtuara sipas ligjit Porter të vitit 1926, i cili i dha Departamentit të Shtetit të drejtën për të ndërtuar ambasada dhe godina konsullate për qeverinë e Shteteve të Bashkuara në vende të huaja. Në fillimet e saj, Ambasadori e përdorte ambasadën edhe si rezidencë, duke punuar kështu në një ambient familjar.
Arkitektët Wyeth dhe Sullivan ishin arkitektë që gëzonin respekt në Washington D.C., ku morën famë për vilat e bulevardit Connecticut, të cilat i kishin ndërtuar për klientët e tyre të pasur. Nathan Wyeth (1870-1963) ka projektuar edhe Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në 1909. Frymëzimi për ndërtesën erdhi nga shtëpitë e shekullit të 18-të në plantacionet e Virxhinias, si për shembull Mount Vernon. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u mbyll dhe gjatë Luftës së Ftohtë, shtëpia dhe oborri përreth iu dhanë me qira Ambasadorit Italian. Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën në 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh.  Ambasada Amerikane në Tiranë u rihap në 1 tetor, 1991. Gjatë ceremonisë historike në atë vit, Sekretari për Çështjet Europiane dhe Kanadeze i atëhershëm, Raymond G. H. Seitz, tha se “Marrëdhënia midis dy vendeve tona nis që në fillim të këtij shekulli, kur Presidenti Woodrow Wilson dha mbështetjen amerikane për shtetin shqiptar. Kjo marrëdhënie nuk u harrua kurrë nga ata mijëra amerikanë me origjinë shqiptare…të cilët vazhduan të mbanin lidhje me vendlindjen e tyre përgjatë këtyre viteve.”

Today we celebrate the 24th anniversary of the reopening of U.S. Embassy in Tirana. Built in 1929, the U.S. Embassy Tirana is reported to be one of the first American Legations constructed under the 1926 Porter Legislation that established the State Department’s ability to provide U.S. Government building, embassies and consular buildings in foreign countries. Originally the U.S. Ambassador also resided here, conducting business in a domestic setting.
Architects Wyeth and Sullivan were well respected Washington, DC architects known for their stately Connecticut Avenue townhouses built for wealthy clients. Nathan Wyeth
(1870-1963) also designed the first Oval Office in the White House in 1909. Inspiration for the residence was drawn from 18th century Virginian plantation homes, such as Mount Vernon. Following WWII, Albania focused inward and during the Cold war, the house and gardens were rented to the Italian Ambassador. Diplomatic relations between the U.S. and Albania were reestablished on 15 March 1991, after a break of 52 years. The U.S. Embassy in Tirana was reopened on October 1, 1991. At the historic 1991 ceremony, then Secretary of State for European and Canadian Affairs Raymond G. H. Seitz said “The relationship between our two countries dates back to the early years of this century, when President (Woodrow) Wilson extended American support of the young Albanian state. The relationship was never forgotten by the many thousands of Americans of Albanian origin…who kept contact with their homeland over all these years.”

Filed Under: Vatra Tagged With: 24 vjetori i ambasades, amerikane, Tirane

Free screenings & treatment at local urgent care clinic for seniors and the uninsured

October 1, 2015 by dgreca

Klein & Gjonaj’s Rx for Legionnaires’ Disease: Free screenings & treatment at local urgent care clinic for seniors and the uninsured/

 Bronx, NY– Senator Jeff Klein (D-Bronx/Westchester) and Assemblyman Mark Gjonaj (D-Bronx)
today announced a partnership with ProHealth Urgent Care in Morris Park for free Legionnaires’ disease evaluations and treatment for seniors and uninsured residents.
“Legionnaires’ disease is completely treatable with antibiotics and I do not want any resident of Morris Park who is elderly or uninsured to avoid seeking health care if they believe they might have Legionnaires’ symptoms. Our partnership with ProHealth Urgent Care will ensure that everyone can receive the treatment they need for free. I applaud the doctors at this community clinic for working with elected officials and caring for its neighbors during this time,” said Senator Klein.
“Morris Park residents should not panic, but if they have any of the symptoms of Legionnaires’ disease and don’t have insurance or are elderly they have a place to go for medical care. Please do not wait to seek medical help. ProHealth Urgent Care is showing it’s a real part of this community by offering free evaluations and treatment of Legionnaires’ disease to the uninsured and our seniors. I applaud their partnership with myself and Senator Klein to make this happen,” said Assemblyman Gjonaj.
The announcement comes in advance of a Legionnaires’ disease Town Hall this evening at Maestro’s Caterers, 1703 Bronxdale Avenue at 8 p.m.
ProHealth Urgent Care, located at 1049 Morris Park Avenue, will start offering evaluations and treatment tomorrow, October 2, until Sunday, October 11. Senior citizens and uninsured residents who live within the 10461 or 10462 zip codes can walk in if they experience Legionnaires’ disease symptoms. Co-pays will be waived.

Filed Under: Komunitet Tagged With: and the uninsured, Free screenings & treatment at local urgent care clinic for seniors

LIRIA E SHTYPIT NË EUROPË ËSHTË NË RREZIK!

October 1, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ky është konstatimi i njërës prej organizatave më të mëdha botërore, misioni i së cilës është mbrojtja e fjalës së lirë dhe mbështetja për gazetarët anë e mbanë botës.   Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG) (Committee to Protect Journalists) është një organizatë me qëndër në New York, e pavarur, dhe jo fitimprurëse që punon dhe vepron në mbrojtje të lirisë së shtypit kudo në botë.  Gjatë viteve jemi mësuar të lexojmë nga kjo organizatë raporte dhe kritika ndaj vendeve kun ë mënyrë konsekuente është shkelur liria e shtypit dhe ku dhunohen sistematikisht të drejtat e gazetarëve, vende siç janë Rusia, Kina, Turqia, Irani e shumë vende të tjera autoritare.  Andaj, raporti i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, mbi rrezikun përball të cilit gjëndet liria e shtypit në Europë në këtë moment, ishte disi si i papritur dhe i pari i këtij lloji.

Këtë shqetësim mbi pengesat ndaj lirisë së medias në Europë, KMG-ja e bëri të ditur në një konferencë për gazetarët në Bruksel më 29 shtator 2015, me rastin e shpërndarjes së raportit të parë mbi lirinë e shtypit në vendet e Bashkimit Europian (BE).   Liria e shtypit në Europë është në rrezik, thuhet në raportin e KMG-së dhe shton se Bashkimi Europian e ka për detyrë morale të mbrojë këtë të drejtë dhe të kërkojë njëkohësisht llogari nga shtetet anëtare që shkelin këto të drejta, nënvijohet në raportin me titull: “Një Akt Balancues: Liria e shtypit në rrezik, ndërkohë që BE-ja përpiqet të harmonizojë masat me vlerat” europiane.  Në raport analizohen përpjekjet e BE-së për të balancuar idealet e saja si një udhëheqëse globale në mbështetje të lirisë së shtypit,  me ligjet e disa vendeve anëtare të saj që nuk përputhen me parimet e lirisë së shtypit.  Raporti i KMG-së shqyrton gjithashtu se çka ka ndodhur kur vendet anëtare të BE-së nuk kanë zbatuar angazhimet e tyre në mbrojtje të lirisë së shtypit dhe si rjedhim rekomandon masa specifike që duhet të marrë BE-ja si organizatë në terësi dhe për vendet individuale në veçanti. Në raport theksohet se BE-ja tani për tani nuk ka një mekanizëm të fuqishëm për të kërkuar përgjegjësi nga vendet anëtare të cilat nuk zbatojnë angazhimet e marra në fushën e mbrojtjes së lirisë së medias.

 “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve është i shqetësuar në lidhje me numrin në rritje e sipër të shkeljeve të lirisë së shtypit nga disa vende europiane, të cilat tradicionalisht janë konsideruar si shembuj të mirë të praktikave demokratike”, është shprehur, Jean-Paul Marthoz, korrespondenti i KMG-së në Europë dhe autori i raportit mbi rrezikun që i kanoset lirisë së shtypit në kontinentin europian.  Ai ka shtuar se është gjithashtu i shqetësuar nga “Dështimi i Bashkimit Europian për të ndërmarrë masa konkrete dhe të vendosura, në mbrojtje të të drejtave të gazetarëve.”  Ai theksoi se, “Nëqoftse BE-ja do të mbetet një autoritet global në mbrojtje të lirisë së shtypit, atëherë Bashkimi Europian duhet të përdor të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të ndaluar sulmet kundër gazetarëve dhe për të siguruar që të mos lejohen kërcënimet ndaj gazetarëve dhe ndaj lirisë së shtypit” në territorin e saj, ka thënë autori i raportit të parë të KMG-së në lidhje me kërcënimet ndaj lirisë së veprimit të gazetarëve dhe fjalës së lirë, në 22 vendet e BE-së.

Kjo për më tepër, thuhet në raport, pasi liria e shtypit është një prej faktorëve kryesorë që BE-ja kërkon edhe nga vendet kandidate për antarësim në Bashkimin Europian, vende siç është Shqipëria, por edhe Republika e Kosovës që pritet të bëjë lutje për antarësim – vende këto në të cilat gazetarët janë përballur me sfida të ndryshme gjatë pesë viteve të fundit, sipas KMG-së.

Në raport thuhet  gjithashtu se gazetarët, në vendet që tanimë janë anëtare të Bashkimit Europian si dhe në vendet që shpresojnë  eventualisht të bëhen anëtare  të BE-së, përballen me kërcënime të ndryshme nga qeveritë dhe grupe të ndryshme  ekstremiste.  Raporti thekson se ndërsa politikat e BE-së, në sipërfaqe, duket se mbrojnë lirinë e shtypit, në shumë raste  atyre u mungojnë mekanizmat e nevosjhme  për të mbajtur përgjegjëse vendet anëtare, kur ato shkelin Kartën e Bashkimit Europian për të Drejtat Themelore të Njeriut. Si shembull, raporti i KMG-së pasqyron keqësimin e lirisë së shtypit në Hungari dhe rekomandon që Bashkimi Europian të jetë më i vendosur edhe në mbrojtje të lirisë së shtypit në vendet që shpresojnë të bëhen anëtare të BE-së, vende siç është Turqia, theksohet në raport.

Në lidhje me përkeqësimin e atmosferës së lirisë së shtypit në Hungari, Kati Morton, anëtare e bordit të KMG-së dhe ish-drejtoreshë e kësaj organizate dhe e cila vetë është me origjinë hungareze,  është shprehur me rastin e botimit të këtij raporti se pengesat ndaj lirisë së shtypit dhe ndaj lirisë së gazetarëve në Hungari, “janë në kundërshtim të plotë me vlerat e Bashkimit Europian.”   Kati Morton, gjithashtu ish-bashkshorte e Peter Jennings, njërit prej gazetarëve më të njohur të Amerikës, i cili ka ndërruar jetë vite më parë u shpreh se, “Asnjë shtet anëtar nuk duhet të lejohet të sillet në këtë mënyrë dhe pa ndëshkim”,  ndaj gazetarëve dhe lirisë së shtypit.   Nëqoftse këto vlera janë gjithnjë të rëndësishme për Bashkimin Europian, atëherë Brukseli duhet të provojë se masa të tilla kundër lirisë së shtypit kanë pasoja të drejtë për drejta”, ka shtuar ajo.

Siç duket si një parandjenjë e përkeqsimit të lirisë së shtypit në Europë, në Maj të vitit 2009, një grup prej 48-kryeredaktorësh dhe gazetarësh të njohur nga vendet e Bashkimit Europian, kanë përpiluar dhe nënshkruan në Hamburg të Gjermanisë, “Kartën Europiane mbi Lirinë  e Shtypit”.  Në Kartën prej 10-paragrafësh nënvijohen parimet bazë të lirisë së shtypit dhe të mos ndërhyrjes qeveritare në punën e gazetarëve.  Qëllimi, sipas përpiluesve të Kartës, ishte që parimet e saja mbi lirinë e shtypit të ishin të njëjtat për të gjitha vendet e Europës dhe që njëkohësisht zbatimi i këtyre parimeve të ishte një kusht edhe për vendet që aspirojnë antarësimin në BE.  Është interesant por edhe shqetsues fakti se liria e shtypit, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve është në rrezik në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore — që tani janë anëtare të BE-së ose në ato shtete që aspirojnë të bëhen anëtare — e ku 25 vjetë më parë as nuk ekzistonte liria e shtypit. Sa shpejt kanë harruar!

Botimi i Raporti të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve mbi rreziqet me të cilat përballen gazetarët dhe liria e shtypit në përgjithësi anë e mbanë Europës, nuk është një shënjë e mirë për zhvillimin e demokracisë së vërtetë në atë kontinent  –25 vjetë pas rënjes së komunizmit në Europë.  Duket se elitat politike dhe shoqëritë në përgjithësi ende nuk e kanë kuptuar si duhet se shtypi i lirë që kontribon drejtë informimit objektiv dhe të paanshëm të publikut, është themeli i demokracisë së vërtetë, siç ka thënë edhe Thomas Xhefersoni, njëri prej themeluesve të kombit amerikan, krye-autori i Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara  dhe Presidenti i tretë i Amerikës.  Ai ishte një mbështetës i fortë i demokracisë dhe i të drejtave dhe lirive të individit, përfshirë sidomos lirinë e shtypit  — fjalët e të cilit edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të kumbojnë dhe të influencojnë botën.   Njihet mirë thënja e Xhefersonit në lidhje me lirinë e shtypit dhe me rolin e gazetarit.  Ndonëse ai kritikohej ashpër nga gazetat e kohës së tij, megjithkëtë besimi i tij në lirinë e shtypit dhe të gazetarit ishte aq i fortë, ndërkohë që ka shprehur bindjen se shtypi i lirë luan një rol më të rëndësishëm se vet qeveria.  “Po të detyrohesha të zgjedhë ose të vendosi midis një qeverie pa gazeta, apo në favor të ekzistencës së gazetave pa qeveri, unë nuk do të hesitoja aspak të vendos për këtë të fundit”,  ka thënë Xhefersoni.  

Në përfundim, në raportin e Komitetit për Mbrojtjen e gazetarëve thuhet se “Dështimi i Bashkimit Europian për t’u përballur me këto sfida që prekin jo vetëm gazetarët që veprojnë mbrenda vendeve anëtare, por njëkohësisht minon edhe mundësitë e BE-së për të mbrojtur lirinë e shtypit jashtë kufijve të saj, duke krijuar   kështu një alibi për politikat shtypëse të shteteve autoritare ndaj lirisë së medias në vendet e tyre.  Çfarë të drejte ka BE-ja të kritikojë vendet e tjera të cilat shkelin lirinë e shtypit dhe të drejtat e gazetarit kur vet BE-ja ka mungesa në këtë fushë?  Komiteti për Mbrojten e Gazetarëve nenvijon përfundimin e arritur se bazuar në deklaratat e gazetarëve dhe të mbështetësve të ndryshëm të lirisë së shtypit anë e mbanë Europës, shqetsimet e të cilëve pasqyrohen në raport,  BE-ja “duke mos kërkuar përgjegjësi ndaj vendeve anëtare (që shkelin të drejtat e gazetarit dhe lirinë e shtypit),  ka dështuar që me vendosmëri dhe në mënyrë konsekuente të mbrojë lirinë e shtypit”mbrenda territorit të saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: ËSHTË NË RREZIK!, Frank shkreli, LIRIA E SHTYPIT NË EUROPË

Bruksel- Tahiri u takua me Drejtoren e re për Ballkanin në Shërbimin e Jashtëm të BE-së

October 1, 2015 by dgreca

Bruksel, 01 tetor 2015- Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është takuar në Bruksel me Drejtoren e re për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në Shërbimin e Jashtëm të BE-së, Angelina Eichhorst, pasardhëse e Fernando Gjentilinit i cili ka mbajtur këtë post në të kaluarën.Takimi kishte për qëllim vlerësimin e rrjedhave dhe rezultateve të dialogut të Brukselit në periudhën e kaluar. Të dy bashkëbisedueset u pajtuan se ka pasur arritje mjaft të rëndësishme në Dialogun e Brukselit dhe BE-ja ka dhënë një kontribut të madh për ndërmjetësimin e bisedimeve mes dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Duke marrë parasysh se në Konferencën e Rambujesë dhe bisedimet e Vjenës nuk janë arritur marrëveshje mes palëve, u tha se ky dialog ka shënuar rezultate historike ngase për herë të parë janë nënshkruar marrëveshje në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë ndikuar në normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve dhe përafrimin e agjendave të secilës prej tyre në rrugën e integrimit në Bashkimit Evropian.Ministrja Edita Tahiri theksoi që Kosova ka qenë palë konstruktive në këtë dialog që ndihmon paqen dhe stabilitetin në rajon dhe kërkoi që BE-ja ta nënshkruaj Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me Kosovën sa më shpejtë. Ajo tha se kjo është marrëveshja e parë në mes të shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe ne presim të nënshkruhet në muajin tetor të këtij viti, dhe e cila do t’i jep një motivacionin të ri dialogut të mëtejmë të Brukselit dhe reformave evropiane në Kosovë.  Po ashtu që edhe vendimi për liberalizimin e vizave me Kosovën të merret këtë vit, e që nga viti tjetër qytetarët e Republikës së Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.

Në takim, ministrja Tahiri përmendi sfidat në procesin e zbatimit të marrëveshjeve dhe paradokset që janë në këtë proces, duke thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve kërkon nga Serbia të ndërpres ndërhyrjet në Kosovë duke zhbërë strukturat e mbetura paralele, në respektim të marrëveshjeve të Brukselit.

Në anën tjetër drejtorja Eichhorst e vlerësoi lartë konstruktivitetin e Qeverisë së Kosovës në arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve në dialogun e Brukselit, ajo po ashtu tha se BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar në mbështetje të Kosovës dhe rrugën e saj drejtë BE-së. Ajo premtoi se do të angazhohet për të çuar përpara dialogun e Brukselit dhe fokusi do jetë po ashtu në zbatimin e plotë të marrëveshjeve nga palët.

Në këtë takim, ministrja Tahiri shoqërohej nga këshilltari kryesor politik Dren Zeka, koordinator në dialog dhe sekretari i MAPL-së, Besnik Osmani, koordinator,  ndërsa, Angelina Eichhorst, ishte e shoqëruar nga Anna Maria Boura, këshilltare e lartë e Shërbimit të Jashtëm të BE-së dhe ndërmjetësuese në dialog.

Filed Under: Featured Tagged With: drejtoria e Ballkanit, Ministrja Edita Tahiri, ne Bruksel, takim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT