-Komuniteti i biznesit dhe Qeveria e Kosovës duhet të punojnë ngushtë për zbatimin e politikave të cilat nxisin zhvillimin ekonomik dhe adresojnë konkurrueshmërinë e Kosovës në tregun global/
-Zgjidhja e këtij qorrsokaku politik dhe një Kuvend funksional janë të nevojshëm për të përmirësuar ekonominë, të sjellin Kosovën më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në UNESCO, si dhe të ndihmojnë përpjekjet e Kosovës për liberalizim të vizave-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Tetor 2015/ Sundimi i ligjit, siguria rajonale, zhvillimi ekonomik dhe funksionimi i institucioneve janë elemente kyçe për të ardhmen e Kosovës. Këto ishin pikat kryesore të fjalimit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie para pjesëtarëve të komunitetit të biznesit në një ngjarje të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, gjatë të cilës ai është emëruar zyrtarisht Anëtar Nderi i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane.
Ambasadori Delawie falënderoi Odën ekonomike amerikane në rolin e saj udhëheqës në ngritjen e zërit për çështjet që preokupojnë komunitetin e biznesit, duke shprehur përkushtimin e ambasadës amerikane për të vazhduar mbështetjen për misionin e Odës Amerikane.
Ambasadori Delawie lavdëroi progresin që ka bërë Kosova brenda një periudhe të shkurtër kohore që nga Pavarësia, duke shtuar se Kosova ende vuan pasojat për të tërhequr investime të huaja dhe për të promovuar rritjen e qëndrueshme ekonomike, derisa korrupsioni vazhdon të pengojë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai ftoi komunitetin e biznesit të ngris zërin dhe të vazhdojë të luftojë për të ardhmen ekonomike të shtetit, meqë nuk ka më kohë për t’u humbur, thekson njoftimi dërguar sot nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
“Kriza e emigrimit gjatë dimrit që lam ishte një sinjal i zëshëm dhe i qartë për mua se rinia e Kosovës, e që është resursi më i vlefshëm i saj, ka filluar të humbasë shpresën për të ardhmen në Kosovë”, tha Ambasadori, duke shtuar se ai ka tre prioritete kryesore që duhen adresuar, e që përfshijnë sundimin e ligjit, sigurinë rajonale dhe zhvillimin ekonomik.
Ambasadori Delawie gjithashtu theksoi se ai beson se arritja e progresit të qëndrueshëm në të gjitha këto çështje është esenciale për Kosovën për ta arritur qëllimin e saj dhe për t’u bërë pjesë e të gjitha institucioneve kyçe evropiane. Ambasadori kërkoi nga pjesëtarët e komunitetit të biznesit që të mos lejojnë shtrirjen e korrupsionit në bizneset e tyre, meqë kjo do t’i kushtojë Kosovës me vendet e nevojshme të punës të cilat do të ndihmonin rininë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.
Ambasadori theksoi se SHBA-të kanë investuar 15 milionë dollarë amerikanë për fuqizimin e gjyqësorit dhe sundimit të ligjit, duke trajnuar policinë, prokurorët dhe gjyqtarët. Ai inkurajoi bizneset të ndihmojnë në këto përpjekje duke raportuar çfarëdo dëshmie të korrupsionit.
“Komuniteti i biznesit dhe Qeveria e Kosovës duhet të punojnë ngushtë për zbatimin e politikave të cilat nxisin zhvillimin ekonomik dhe adresojnë konkurrueshmërinë e Kosovës në tregun global”, tha Ambasadori Delawie. Ai tha se ekonomia e Kosovës nuk do të mund të rritet derisa të mos ketë mjedis të përmirësuar për investime, korrupsion të reduktuar, sistem efikas të gjyqësorit për zgjidhjen e kontesteve, si dhe stabilitet politik. Ai komentoi se raportet mediale anembanë botës rreth ngjarjeve të fundit në Kosovë nuk paraqesin pasqyrë të një vendi politikisht stabil.
“Kuvendi nuk është vend për armë, për pengesa, ose për dhunë. Nëse vazhdon ky konfrontim, e ardhmja e Kosovës në Evropë do të vonohet, si dëmi më i vogël në skenarin më të mirë. I dëshiroj Presidentes Jahjaga gjithë të mirat në përpjekjet e saj për të promovuar dialogun politik”, tha Ambasadori i SHBA-ve. Delawie shtoi se zgjidhja e këtij qorrsokaku politik dhe një Kuvend funksional janë të nevojshëm për të përmirësuar ekonominë, të sjellin Kosovën më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në UNESCO, si dhe të ndihmojnë përpjekjet e Kosovës për liberalizim të vizave.
Archives for October 2015
BURRI QË QËNDRON MIDIS LEGJENDËS DHE HISTORISË
8Haxhi Sali Bej Prrenjasi – ndërtuesi i veprave publike dhe kultit në Sulovë/
8Nje nga ndertimet tipike en Shek XVIII ne Sulove/
NGA PËLLUMB GORICA/
Sa më shumë kalojnë shekujt, aq më e trashë bëhet perdja e errësirës për të ndriçuar figura historike dhe kontribute humane. Kujtdo që nis të shkruaj, i duhet të shfletojë dokumenta arkivore, botime e shënime udhëtarësh të huaj, pa harruar legjendat, historitë gojore, këngët e visaret e tjera të popullit, morinë e veprave publike dhe fetare. E sërish, nuk mund të shkruhet gjithçka.
Sulova shtrihet në jug të Shqipërisë, në të manjtë të rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, rrëzë malit Tomorr. Ajo është e njohur për peizazhin e gjelbër, traditat e bukura, histori që enden mbushur me akte burrërie, por edhe edhe prej një njeriu që bëri epokë në këtë krahinë në vitet 1700, Haxhi Sali Bej Prrenjasin, që, si askush përmendet në bisedat e banorëve të krahinës së Sulovës. Ai ishte sundimtar i krahinës dhe gjatë qeverisjes së tij, ( gjysma e shekullit XVIII), ajo ka përjetuar një lulëzim urbanistik. Në atë kohë janë ngritur objekte fetare e publike. Koha, në të cilën ushtroi sundimin e vet dhe historitë e prania reale e ndërtimeve, e bëjnë figurën e tij më të prekshme.
Natyrisht,çka mbërritur në ditët tona nga jeta dhe kontributi i tij, është e mbështjellë me rrëfime dhe fakte të hulumtuara në dokumente. Haxhi Sali Bej Prrenjasi rridhte nga një familje e njohur në Labëri, pjesëmarrëse në luftëra e kuvende. Ai erdhi në krahinën e Sulovës në moshë të vogël, pasi aty kishte të martuar hallën, në derën e bejlerëve të Prrenjasit të Sulovës, derë e parë e qendër kazaje e Sulovës. Halla nuk kishte fëmijë dhe e mori si djalë dhe, kështu ai u bë trashëgimtar i një pasurie të madhe që ajo zotëronte e më vonë i pari i krahinës Sulovë, me ndikim jo vetëm aty, por edhe në gjithë trevat e Jugut. Haxhi Sali Bej Prrenjasi jetoi e veproi në periudhën e pashallëqeve të Shqipërisë. Në rini shkoi në Mekë për haxhillëk dhe kur u kthye, mori emrin Haxhi, me të cilin u thirr e u njoh.Duke iu përmbajtur zakonit të muhamedanizmit, një pjesë të pasurisë e përdori për vepra bamirësie.
Në krahinën e Sulovës, një sërë toponimesh njihen me emrin Haxhi Sali Bej Prrenjasit, si çezma, ujësjellsa, ura, rrugë, xhami etj, ndërtime këto si shenja të zhvillimit ekonomik të saj në periudhën e qeverisjes së tij. Më shumë këto i ndërtoi në Prrenjas të Sulovës, e cila në këtë kohë ishte qendër administrative e Sulovës, kaza. Me këto ndërtime, ky vendbanim u kthye në qytezë mesjetare. Në Prrenjas të Sulovës rindërtoi fortifikimin mesjetar, saraje, xhami, ujësjellës, furrë buke madje edhe burg. Edhe sot ekziston fortifikimi dhe brezat pasardhës. Ata dallohen nga pjesa tjetër e banorëve të Prrenjasit për mënyrën e sjelljes dhe të jetuarit. Ndaj atyre akoma u thërrasin bejlerë. Një pjesë tjetër u zhvendosën në krahina të tjera. Deri vonë janë shikuar me një sy tjetër nga politikat shtetërore, ndërsa nga banorët e krahinës shiheshin me admirim.
Vepra arkitektonike më e madhe ishte ura mbi lumin Devoll në Kadipashaj (Lumas i Elbasanit), e përjetësuar me emrin e tij. Kjo urë ishte i vetmi mjet komunikimi gjatë rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, që përbënte një lidhje të domosdoshme me krahina të tjera e qytetet treg, si Elbasani e Berati, ku kryehej tregti në këto shekuj. Studiues e udhëtarë të huaj, që kanë kaluar në Sulovë kanë shkruar për urën e Haxhi Sali Bej Prrenjasit. Ami Bue në“Rezueil d’itinerarires doms la turquic”, 1854,faqe 319 ka shkruar: “Në mesin e shekullit të XVIII sundimtari Haxhi Sali Bej Prrenjasi ndërtoi urën e (Kadipashajt)mbi Devoll në Gostimë me 3 qemerë. Ndërsa studiuesi Valter Shtylla në botimin e tij “Rrugët dhe urat më të vjetra në Shqipëri’’,faqe 205 shkruan: “Kjo urë është projektuar nga kryearkitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasemi nga Tomorrica”. Lumi Devoll në periudhën e shirave, ishte i pakalueshëm dhe kërkonte patjetër një lidhje. Urë për të cilën tregohen edhe shumë histori gojore. Më e njohur është kjo: “Thonë se beu shkoi tek një hoxhë i mirë nga se po flinte me ankthe çdo natë. Ai e këshillon se duhej të ndërtonte vepra bamirësie për banorët dhe nuk duhet të përfitonte nga ndërtimi i tyre.Ndaj ai e ndërtoi këtë urë,që mbeti ndër breza si punë e mirë e tij”. Me tej historia vazhdon: “Do ta ndërtojmë urën, që të mos e shkulin më valët e lumit Devoll,-u tha banorëve. Në fillim dogji 5 furra me gëlqere dhe i la shumë vite në gropë.Me vonë grumbulloi qindra metra kub gur nga mali i Goricës. Kur u bë gati t’i hynte punës, dërgoi njerëz në Opar, që ti sillnin ustallarë të zgjedhur, më të mirët e asaj kohe në punimin e gurit. Beu i çoi ustallarët në brrylin e lumit dhe aty u kërkoi të ndërtonin një urë të gurtë.
-Filloni nga të doni vetëm urën e dua ta ndërtoni sa më shpejt dhe të fortë,-u tha beu ustallarëve.
Ustallarët iu përgjigjën beut se ishte e pamundur ndërtimi i urës atje. Beu e kuptoi se pa gjë nuk bëhej dhe mori një pale hejbe me monedha floriri e i hodhi në ujë. Ustallarët kur panë monedhat që hidheshin në lumë i thanë: “Kështu mund të ndërtohet ura”. Ata filluan menjëherë nga puna. Beu urdhëroi që kafshët e punës e meshkujt në moshën e duhur në Sulovë,të punonin për urën. Të mbanin materialet: gurët e gëlqeren nga mali i Goricës, drurët nga pylli i Radshit. Ndërtimi qe një punë e vështirë e u shoqërua edhe me shira e shtrëngata, por në fund ura u ngrit e bukur dhe me tre harqe. Mjeshtërit e njohur oparakë i gdhendën gurët mirë e bukur, ngritën këmbë të forta të urës dhe mbi to shtruan trasenë me gurë pllakë të gdhendur si pasqyrë. Një ditë pasi kishte mbaruar së ndërtuari ajo, beu bëri një festë të madhe dhe theri qindra kokë bagëti. Kokët e bagëtive i futi në themelet e urës për kurban. Lëkurët e bagëtive i shiti në pazar të Beratit”.
Në mënyrë të veçantë, Haxhi Bej Prrenjasi do të linte gjurmë në ndërtimin e degëzimeve të rrugës së karvaneve Elbasan-Berat, që kalonte në Sulovë. E rëndë ishte gjendja e rrugëve, sa vendbanimet e Sulovës ishin të veçuara nga njëra- tjetra dhe krahina e harruar dhe e pashkelur. Deri në fillim të shekullit XX ishin rrugë të rregullta. Nga qendra e zotërimeve të tij, në Përrenjas, ai i ndërtoi në disa drejtime: Mollas-Qafë e Grekanit-Përrenjas, Ura e Kadipashajt – Dragot – Qafë e Grekanit – Përrenjas. Darzezë –Kuturqarë – Kukucovë – Përrenjas, për të lidhur zotërimet etij me zonat përreth. (Petrit Basha“Legjenda nga rrethi i Gramshit” faqe160) Këto degëzime i lidhi me rrugën e karvaneve Elbasan-Berat. Tjetër kontribut ishin ujësjellsat që ndërtoi në Grekan, Përrenjas, Tunjë, Dufshan etj. Tepër i njohur ujësjellësi i Përrenjasit, që vinte nga mali shkëmbor i Goricës, ndërmjet një kanali me tuba qeramike e mur guri.
Elementët e trillimit popullor të aty-këtueshëm, Haxhi Sali Bej Prrenjasin, e përmendin edhe si mizor. Gjithsesi, këto nuk e zbehin figurën e tij. Përveç pasurisë që trashëgoi, Haxhi Sali Bej Prrenjasi, siç ishte koha atëherë,s iguroi përfitime dhe mbështetje nga administrata turke me taksa, duke e zgjeruar territorin e pasurinë e tij, akoma më shumë me ara, pyje, bagëti. Megjithë mugëtirën e kohës, rrëfimi i historive vjen i shkruar nga studiuesi i Sulovës, Petrit Basha,në librin “Legjenda nga rrethi i Gramshit”, faqe 159.“Edhe një në Mollas të Elbasanit, Rrapush Venari, nuk ia dorzoi tokën beut dhe ndenji firar arratisur në pyll fshehur, kaçak. Po ta kapte Axhiu e ziente në valë’’. Një tjetër histori e treguar: ‘‘Kush i kundërshtonte e të mos i bindej e ekzekutonte, duke paguar njerëz dhe duke i varur në vidhin shekullor pranë fortifikimit”.
Në fund të viteve 1700, Pashallëku i Beratit, ku bënte pjesë krahina e Sulovës në kohën e sundimit të Haxhi Sali bej Prrenjasit, hyri në luftë me Pashallëkun e Shkodrës. Bushatllinjtë e Shkodrës, me oreksin e madh që kishin, u përpoqën të zgjeronin zotërimet e tyre jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por edhe në Jug. Pengesë u bënë pashallëqet e Elbasanit,Beratit, Peqinit. Pashai i Shkodrës bëri luftë me zotërimet e Kurt Pashës së Beratit. Prandaj në vitin 1785 Mustafa pasha i Pashallëkut të Shkodrës me forca të shumta në Gostimë, buzë lumit Devoll, zhvilloi luftime me forcat e Pashait të Beratit. Për mbështetjen që i dha Sulova Ahmet Kurt Pashës së Beratit,me anën e sundimtarit të Sulovës Haxhi Sali Bej Prrenjasit, Pashai i Bushatllinjëve të Shkodrës me artilieri i shkatërroi kullat e fortifikuara në Sulovë dhe garnizonet e Ahmet Kurt Pashës së Beratit. Historiani, Stavri Naçi në studimin e tij“Pashallëku i Shkodrës nën sundimin Bushatllinjëve”, botim i vitit 1964, faqe165, parashtron rrjedhën e ngjarjeve. “Krahina e Sulovës me Haxhi Sali Beun e Prrenjasit mbante anën e Ahmet Kurt Pashës.Kara Mahmudi i Bushatllinjëve, me qëllim që të mund t’i nënshtronte gjithë sanxhakun dhe për të lehtësuar fitoren kundër Pashës së Beratit, dukej se kishte shpallur faljen e gjithë kundërshtarëve që nuk do t’i kundërshtonin me armë dhe do të kontribuonin në mbajtjen e ushtrisë së tij me ushqime.Haxhi Sali Beu për të fituar kohë, gjersa nga Berati t’i vinin përforcime ushtarësh, njoftoi Bushatlliun me letër, se do të mbante anën e tij dhe do ta ndihmonte me ushqime. Sipas kësaj letre, Kara Mahmudi u nis nga Elbasani ditën e dielë, më 21 Gusht 1785 dhe mbërriti në Gostimë pas katër ditësh, pasi krahinën e Sulovës dhe veçanërisht Haxhi Sali Bej Prrenjasin e fali. Ndërkohë, Haxhi Sali Beut i erdhën përforcim nga Berati dhjetë bajraqe ushtarësh. Atëherë ai shpalli se mohonte gjithçka kishte premtuar. Kështu lufta u bë e pashmangëshme”. Në Arkivin Shtetëror Shqiptar, dosja 22,pasqyrohen këto luftime: “Kara Mahmudi i Bushatllinjëve dërgoi kundër beut të Përrenjasit një pjesë të ushtrisë së vet.Sulmit të shkodranëve Beu i Përrenjasit nuk iu mbajt dot, u thye dhe ia mbathi këmbëve, i ndjekur gjer në afërsi të malit të Tomorrit. Mbi njëqind të vrarë dhe po aq robër mbetën nga forcat e Haxhi Sali Beut dhe njëmbëdhjet të vrarë e gjashtë të plagosur nga ushtarët e Bushatlliut. Për ndëshkim të krahinës së pabindur dhe prijësit të saj, Kara Mahmudi urdhëroi të digjeshin nga gjashtë kulla për çdo fshat,si dhe sarajet e Haxhi Sali Bej Prrenjasit”. Pas kësaj përplasje,pasuria e pozita e Haxhi Sali Bej Prrenjasit në krye të kazasë së Sulovës pësoi rënie. Pasurinë dhe pozitën pas vdekjes e trashëgoi i nipi, Dule Beu e megjithatë, ndikimi i Haxhi Sali Bej Prrenjasit do të vazhdonte gjatë.
Shekujt që kaluan me sundimet e ndryshme, por edhe agjentët atmosferikë kanë shkatërruar mjaft gjurmë të ndërtimeve. Si dëshmi kanë mbetur fragmente dhe kujtimi se dikur këtu ishte një ndërtesë, ujësjellës, rrugë,ura. Por, Haxhi Sali Bej Prrenjasi me kohën dhe bamirësitë e tij në ndërtimin e veprave të domosdoshme, është thesar i historie dhe krenari e krahinës së Sulovës. Studiuesi dhe folkloristi, Petrit Basha në botimet e tij, kohë pas kohe ka sjellë fakte të shumta rreth ndërtimeve dhe rrëfime ndaj Haxhi Sali Bej Prrenjasi. Veçse një monografi për figurën e Haxhi Bej Prenjasit do ta plotësonte me tej atë. Mbetet dëshirë e madhe, që të paktën një ditë do të hidhet dritë më shumë për figurën e tij me fakte e të vërteta historike.
Kosova nënshkruan MSA-në më 27 tetor
-Ky është moment historik për Kosovën/
PRISHTINË, 21 Tetor 2015-B.Jashari/ Ministri kosovar për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, njëherësh kryenegociator për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ka njoftuar sot zyrtarisht Bashkimin Evropian për gatishmërinë e Kosovës për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
“Procedurat e brendshme nga palët janë në përfundim e sipër dhe nënshkrimi do të ndodh javën e ardhshme, me datë 27 Tetor 2015, në Strasburg”, u bë e ditur pak më parë nga Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës.
Deklarata e dërguar thekson se, nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim shënon pikë kthese në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian.
“Ky është moment historik për Kosovën, sepse për herë të parë vendos marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian”, vlerëson Ministria kosovare.
Kosova në takimin e ministrave të mbrojtjes të rajonit
-Për hamonizimin e disa perspektivave të mbrojtjes rajonale si dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë në Evropën juglindore/
PRISHTINË, 21 Tetor 2015/ Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli me ftesë të ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë, Ante Kotromanoviq po merr pjesë në punimet e takimit gjithëpërfshirës rajonal të ministrave të mbrojtjes (Comprehensive Regional Ministerial –CMR), që po mbahet në Dubrovnik.
Konferenca gjithëpërfshirëse e ministrave të mbrojtjes të rajonit është takim i nivelit të lartë për hamonizimin e disa perspektivave të mbrojtjes rajonale si dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë në Evropën juglindore.
Në Dubrovnik janë paraparë edhe diskutime mbi çështje të rëndësishme lidhur me sfidat aktuale në ambientin e sigurisë në rajon dhe më gjerë, me qëllim që të ngritet mirëkuptimi dhe besimi i ndërsjellë si dhe identifikimi i përgjigjeve të përbashkëta, të gjitha këto me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në rajon.
Punimet e takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve të rajonit kanë filluar sot dhe do zgjasin edhe deri në 22 tetor./b.j/
Kujtime per Vllaznit Çuni
….Vllaznit Çuni u shkaterruen familjarisht dhe ekonomikisht.Kola vdiq në Sh.B.A., Gaci në Burrel, ku mbeti edhe pa vorr dhe Rroku s’di se ku ndrroi jetë.
Nga Bep Kuqani, New York/
Shkas per këtë shkrim u ba z. Tomë Mrijaj, i cili më viziton shpesh në këtë institucion ku jam shtrue per mjekime intensive të përditshëm kunder parkinsonit, prostatës dhe tensionit të naltë. Në vizitën e fundit që më bani para afro dy javësh, më solli nji revistë të vjeter: “Lajmëtari i të Mërguemit”, organ i Blokut Kombtar Indipendent, i vjetit 14 numër 18, të botuem në New York, në Janar 1985. Ishte e para herë që më binte në dorë nji revistë e këtij Bloku, ndaj e prita me shumë kënaqsi e kuriozitet.Ajo që më bani nji pershtypje të veçantë ishte rubrika: “Nekrologji”, ku jepeshin rastet e vdekjeve të personaliteteve shqiptare midis dy numrave të kësaj reviste.
“Nekrologjia” e atij numri fillonte me vdekjen e Luftarit të Lirisë së Blokut Indipendent, të ndjerit Kolë Çuni; ku jepej me këtë rast edhe fjala e mbajtun nga Kapidani Ndue Gjomarkaj, i cili nder të tjera kishte thanë: “Jemi mbledhë sot këtu, në këte shtëpi të permortëshme, me përshëndetë dhe me percjellë për në banesën e fundit Kolë Çunin; Luftëtarin e Lirisë së Blokut Kombëtar Indipendent, t cilin disa e patën vëlla fisi, disa të tjerë mik e dashamir, e disa shoq e bashkëpuntor vuajtjesh e sakrificash….”
Dhe Toma më tregoi se ka ndërmend me shkrue diçka për këtë hero që Bloku e dërgoi në malet e Mirditës me luftue kundër vendosjes së regjimit komunist atje; mandej më pyeti:A e ke njoftë ti shkrodranin Kolë Çuni me origjinë dukagjinase? Kjo ishte pyetja me të cilën Toma më ngacmoi që t’i pergjigjem me këte shkrim! Dhe jo vetëm kaq; por pikërisht, sot me 12 Shtator erdhi më mori Toma dhe me çoi te vorret katolike të Nju Jorkut ku prehet Kolë Çuni, tek i cili vendosëm nji tubë lule në shej’ nderimi dhe përkujtimi për jetën dhe veprën e Tij.
Iu përgjigja Tomës me kujtime të ndigjueme dhe të përjetueme personalisht: Kolë Çuni, që u ba më vonë trimi i maleve, nji ndër luftëtarët e lirisë, ndër guximtarët; që luftoi dhamb per dhamb kundër komunizmit në vitet 1945-46; kam pasë fatin me e njoftë qysh kur ishe i vogël, në klasë të parë dhe të dytë të shkollës fillore “Skenderbeg” me drejtor Zef Palin, që ma vonë u ba nji nder eksponentët krysor të Ballit Kombëtar dhe, mësues Kolë Jakovën, vëllanë e të madhit Tuk Jakova. Bahet fjalë këtu per vitet 1936-1937.Nji nder bashkë-nxanësit e mi të të njejtës klasë ka qenë edhe Lazri, ma i vogli nga të katër vllaznit: Kolës, Gacit dhe Rrokut.
Lazri mund të ishte nji vjet ose dy ma i madh se unë; por me sa duket kishte mbetë në klasë të parë si përsëritës. Ai kishte edhe nji veçanti tjeter: në njenën kambë kishte gjashtë gishta dhe këtë e dijshin të gjithë fëmijt e shkollës fillore, të cilët e thirrshin shpesh në tallje “gjashtë-gishtësh”.
Kishte nji natyrë të butë dhe ishte shumë i durueshëm, sepse nuk i përgjigjej askujt kur e thirrshin ashtu. Shtëpinë e kishin në lagjen “Ballabane”, jo larg shtëpisë së mësuesit Kolë Jakova; edhe ata katër vllazen: Tuku, Kola, Frania e Filipi.Tue kene se tre vllaznit e Lazrit këndojshin bukur, tre zanësh; unë shkojshe shpesh ndër ‘ta me i ndigjue e me këndue nga njiherë me ‘ta.
Kola i binte shumë mirë edhe kitarës,me të cilën i shoqnonte kangët. Zanin e parë e bante Gaci,që shquhej per atë za të bukur, që pak kush e kishte; zanin e dytë e bante Rroku dhe të tretin Kola, që shquhej per nji vesh shumë të hollë muzike, si nji artist i vertetë. Ishte kënaqësi me e ndigjue atë “trio vokale”, sidomos gjatë mbramjeve verore kur ishin me pushime shkollore;se edhe Kola ishte student në klasat e nalta të gjimnazit të Jeziutve (në të shtatën ose të tetën).
Unë si fëmi nuk kishem asnji kontakt shoqnor me Kolën dhe as me Gacin, për shkak të diferencave të madhe të moshave; Kola ishte 10-11 vjet ma i madh dhe Gaci 5 vjet. Afinitetin shoqnor e kishem ma shumë me Lazrin dhe shumë pak edhe me Rrokun. Kolë Çuni me linte peshtypjen e nji njeriu të dijtun njilloj si mësuesit tone dhe më impononte nji respekt të veçantë edhe si kangtar dhe kitarist si nji artist i vertetë.
Kjo ka kenë njohja ime me vllaznit Çuni në moshën e fëminisë. Por kjo nuk zgjati shumë; erdhën vitet e ngjarjeve të vrullshme që na ndane; Pushtimi nga Italia fashiste; Lufta NacionalÇlirimtare dhe vendosja e regjimit të E. Hoxhës; që unë në fillim e mendoja dhe e besoja ndryshe pushtetin komunist, si një shtet Demokratik, , që do të garantonte lirinë dhe mirëqenien e të gjithë popullit dhe jo vendosjen e nji diktature, ma të egren në Europe,që do të shtypte dhe të vorfnonte deri nën minimumin e nivelit të jetesës së të gjithë popullit. Kur i kujtoj sot ata vllazen, më ngulshon shpirti prej dhimbjes e prej malit.Per Kolën mora vesht në burg se në vitet 1945-1946* kishte zbarkue në malet e Mirditës për të luftue kundër regjimit të E.Hoxhës dhe pa dashtë me e hymnizue, thonë se luftoi si trim me “flete” maleve të Mirditës, pa iu trembe syni, si antikomunist i vendosun.Në saje të qendresës së ketyne herojve“Flamurtarë të Lirisë”dhe trima guximtarë të pa shoq si shkodrani me origjinë dukagjinase dhe të popullit të kësaj krahine të drejtueme nga dera e Kapidanit Gjon Mark Gjoni; Mirdita kje dhe mbeti kështjella e fundit që u pushtue nga komunizmi pothuejse 9 vjet mbas 29 Nandorit të vitit 1944, d.m.th. deri në vitin 1953. Gjithashtu mora vesht se guximtari Kolë Çuni ka hy në burgun e Shkodrës me letër njoftim dhe dokumenta fallco me takue vëlla Gacin, të cilit i ka sjellë edhe nji kurë të plotë ilaçesh kunder turberkulozit, nga e cila Gaci ishte prekë dhe vuante gjatë periudhës së burgut.
Dhe së treti, po në burg, flitej se Kola me Bep (Zef) Luken në sapo festojshin në Kafen e Madhe natën e Vitit të Ri 1945 – 46(!) ku ndodhej edhe kryetari i degës të punëve të brendshme (emin s’ia mbaj mend); këta të dy po e pritshin jashtë kafes për t’a vra kur të delte jashtë; por nji urdhën që moren me radio, i detyroi të terhiqeshin se do të bahej nji raprezalje e madhe që do të shkaktonte viktima të pafajshme.Asht fakt se, kur mbas disa ditësh drejtoria e burgut mori vesht se Gaci ishte takue me vllanë “diversant”në burg, e morën përsëri dhe e çuen në birucat e degës së punëve të brendëshme, ku e mbajtën afro tre muaj; natyrisht në hetuesi e jo pa tortura: por shyqyr nuk i dhanë tjetër dnim.Fati i zi i yni, solli rastin që të takohem përsëri me Gacin; por kësaj radhe në burgun e madh të Shkodrës, që komunistat e pagzuen me emnin “Burgu i Anmiqve Të Popullit”. Gacin e patën vendosë në dhomën nr. 5, që ishte fare afër WC-së burgut. Këtu, në këte dhomë të vogël, aferisht 5x3m ishin vendosë si sardelet në kuti plot 15 persona; ndër të cilët mbaj mend edhe Tomë Sheldija, At Mark Harapi (vllai i At Anton Harapit) Ernest Perdoda etj. nji tjeter dhomë e vogël, ishte dhe ajo nr. 6, që ishte përballë nr. 5, ku mbaj mend se ishin edhe rreth 12 të dënuem,ndër të cilit ishin: Mërgim Dani, Tomë Leci, Ramadan Sokoli, Gjon Ljarja, Luigj Kçira (që ma vonë u ba prift). Gaci vazhdimisht këndonte;nuk e hiqte kangën nga goja, por me za të ulët që të mos e ndigjonte roja.Në të vertetë roja e ndigjonte fare mirë, por bajshin sikur nuk e ndigjojshin, sepse edhe atyne u pëlqente me e ndigjue; megjithse ishte e ndalueme me kendue, Gacin nuk e futi në burg asnji role.Ai dinte me shumicë gjithfarë kangësh: mund të them të gjitha kangët shkodrane të kohës, nji shumicë kangësh italiane, spanjolle, greke etj. nder ma të bukurat.Në fillim të viit 1950, Gaci hartoi dhe kompozoi edhe nji kangë per ish të fejuemen të cilen e lejuen të ia kendonte në takim. E fejuemja, nji vajze fisnike e priti Gacin pese vjet edhe pse Gaci i thonte vazhdimisht: “kqyr e gjej ndonji fat tjeter se puna e ime ka mbarue) sepse ishte i denuem me 15 apo 20 vjet (nuk me kujtohet mire), por tue nga faljet dhe amnistite, i pat zbrite denimi perfundimisht ne 10 vjet. Melodine e kanges ia pat shkrue ne pentagram muzikanti Ramadan Sokoli dhe fjalet e kanges ishin keto: M’i ke faqet-o kuqe si gjaku/ Me ty o vashe më ka xanë maraku/ Mue marakun m’a kanë shtue,/ Kaçurrelat e tu./Natyra të fali bardh-o si bora,/ Unë permbas teje jeten e bora/ Te dy sytë m’i kanë verbue,/ Kaçurelat e tu./
Por Gacin nuk e lanë ma në burgun e Shkodrës:Pa mbushë dy muej mbasi u kthye nga hetuesi e dytë, e nisën në burgun e Burrelit nga frika se mos takohej prapë me “diversantin guximtar” Kolë Çunin.N’atë burg, Gacin e vendosën në dhomën nr.7,që mbahej si dhoma e të semurëve me T.B.C. N’atë dhome ai gjeti intelektualë të shquem, si Gjergj Kokoshin, Xhevat Korçën, Arshi Pipën, Xhevat Kapshticën etj. Por Gacin kjo shumë pak e ngushllonte, sepse me intelektualë të shquem kishte kenë edhe në dhomën nr.5 të burgut në Shkodër. Këtu e ndjeu vehten si të humbun për arsye se nga të afërmit e tij asnjeni nuk kishte mundësi me i shkue ne takim.Ndaj e kapi nji mërzi e madhe; filloi me ra në pesimizëm; këndonte ma rrallë dhe mbas çdo kange, kur e mbaronte i binte shputë ballit dhe ofshante:“Ah Gac shkreta!”. Megjithate vitet kalonin dhe sidomos, amnistia e vitit 1954 që ia zbriti dënimin në 10 vjet, në nji kohë kur Gaci i kishte mbushë dhe kalue dy-tre muej përmbi 8 vjet dhe tash i kishin mbetë ma pak se 2 vjet; filloi t’i rikthehet alegria, të këndojë pak ma shpesh dhe në kujtim të ish të fejuemes shkroi edhe nji kangë, me këto fjalë: Synin e gojen,/ Qafen e doren/ Besa t’i due/ Besabesi per mue/ Faqet e kuqe/ Lule burbuqe/Besa ti due/ Besa-besë per mue/ Ty kur të ndeshi/ Pse më rin pa za/ Çka e ke menden/ Me mue me ba/ Plasa i mjeri/Jam ba per seri/ Ty tuj t’kerkue/Ty tuj t’krkue/ S’di ku me t’gjetun/Pse m’ke lane vetun/ Due me t’diftue/Due me t’diftue/Ty kur të ndeshi/Pse më rrin pa za/ Çka e ke menden/Me mue me ba!/
Kur i kishte mbetë veç edhe nji vjet me plotsue dënimin; Gaci shkroi edhe nji kange kushtue qytetit ma te dashtun per ‘te: “Shkodres”: O Shkoder ilire O Keshtjellë e lirisë/ Zatetun nga malli per ty du me këndue/ Sa bukur natyra mbi ty ka qendisë/ O Shkoder nuk di me t’harrue/Me male madheshtore, gjelbërore rrethue/ Rozafa deshmija e burrave tonë/ Nuk din m’u perkulun gjithmonë ke qëndrue/ Rozafa, Rozafa e jonë/ O popull i Shkodres O i shtrejtë qytetar/ Per lirinë shqiptare e forta jehonë/Ashtu si kje motit qyteti ma i parë/ O Shkoder do të jeshë pergjithmonë./
Meloditë e të dyja këtyne kangëve ia pat hjedhë në pentagram muzikanti i njohun korçar Fotaq Filipeu, i cili aso kohe ndodhej në dhomen nr 10. Tashma, me kalimin e ditëve, të javëve dhe të muejve; po avitej edhe “Dita e Lirisë”, dita e lirimit nga burgu. I kishin mbetë edhe vetëm 3 muej që të plotësonte dënimin dhe Gaci filloi të qepte dhe inonte nji palë pantallona që i ishin hollue shumë vende-vende, por që ato ishin ma të mirat,që i kishin mbetun per diten e lirimit. Po kështu filloi të pregatiste edhe nji xhaketë, megjithse të vjeter, por që ishte ma e mira që kishte. Gjithe diten merrej me teshat: Qepte, arnonte, inonte, me kujdesin ma te madh qe te dukeshin sa ma të bukura tue këndue lehtë me atë zanin e bilbilit. Arshi Pipa (që ma vonë do t’i kushtonte nji poezi në librin e tij me titull “Libri i Burgut”) i fali nji nji këmishë, relativisht të re, me jakë të rregullt. I falën gjithashtu (nuk di se kush) nji xhup (pulover të bukur) dhe nji palë këpucë të mira. Por…
Qe: nji mbramje, para se me fjetë, ndërsa po i shtrinte pantallonat e laguna pak me ujë permbi dyshek dhe po i mbulonte me nji batanije që te flinte mbi ‘to që të hekuroseshin; kur befas e lëshoi nga dora batanijen, u ul ndejun dhe kapi kryet me shplakat e duerve tue ankue per nji dhimbje shumë të forte ne krye: (Sqaroj se qysh nga ky moment, e deri sa dha shpirt në duert e At Pjeter Meshkalles, që i ndjejti ditë e natë te kryet, tue e lutë dhe tue e ndihmue me sa mundej; m’i tregue Xhavat Meta, se une nuk kam kene ne nji dhome me ‘te). Kështu pra, tregon Xhevati, nga dhimbja e madhe, s’voinoi shumë dhe humbi vetëdijen dh era në gjendje “komo”. Ndejt dy ditë në këtë gjendje dhe në diten e trete dha shpirt; pa mujte me fol asnji fjale; pa mujt me lane asnji amanet… thone se kjo semundje quhej “menenxhit” dhe se ishte e pashërueshme. Ah, Gac Shkreta!Paska kene me të vertetë “Gac Shkreta”! pse ndrroj jetë në moshën 30 vjeçare (datën s’e mbaj mend), por muejin po: ishte mueji Mars i vitit 1956, në prak të Pranveres, kur jeta pertrihet e lulzon e gjithë natyra. “GAC SHKRETA” mbylli sytë përgjithmonë!
Në kjoftë se ka nji Njeri që meriton me e quejt “NDERI I KOMBIT”, ky asht ndër të parët KOLË Çuni, Luftëtar i Lirisë, që luftoi heroikisht me armë kundër vendosjes së regjimit të Enver Hoxhës; që i dhimbsej në shpirt Shqipnia dhe populli shqiptar për vuejtjet e përshkrueshme që do të pësonte nën diktaturën komuniste, te cilen e kundershtoi ballëpërball me te gjitha forcat e tij kunder forcave te ndjekjes se sigurimit.
Do t’ishte në nderin e Presidentit dhania e atij titulli dhe sjellja e eshtnave te tij nga Nju Jorku ku prehet ne nji varr te thjeshte, në varrezat e deshmorëve te Kombit.
Me Rrokun, pata rastin të rishifem rreth tri vjet para takimit me të ndjerin Gac në burgun e Burrelit dhe pikrisht në vitin 1953 në kampin e Vlashukut dhe u shoqnuem vazhdimisht bashke, deri sa u transferova në Puntorinë Qendrore të Artizanatit të Ministrisë së Puneve të Brendshme, në repartin e perkthimeve. Rroku ishte dënue me 10 vjet burgim dhe punë të detyrueme për agjitacion e propagandë kunder pushtetit komunist. Kishte 3 vjet deri n’atë kohë. Edhe Rroku këndonte bukur dhe i pëlqente shumë kanga e “Xhulias”, nji kancionetë italiane e perkthyeme në shqip, të cilën s’kishte natë që s’e kendonim. Rroku bante zanin e parë ndersa unë bajshe pjesën e baritonit dhe zanit të dyte, sepse kisha mesues ne korin e “Shoqnise Antoniane” te Françeskajve.
Ndërsa për Lazrin nuk munda t’a takoj ma asnjiherë qysh kur kena kenë në shkollën fillore “Skënderbeg”. Kur në 2008-tën isha për herë të fundit në Shkodër, pyeta për të dhe më treguen se ishte gjallë, ishte martue, por jetonin në nji vorfni të tejskajshme. Kaq di për vllaznit Çuni. Ata u shkatërruen familjarisht dhe ekonomikisht. Kola vdiq në Sh.B.A., Gaci në Burrel, ku mbeti edhe pa vorr dhe Rroku s’di se ku ndrroi jetë. Vetëm Lazri di që jetonte deri në 2008-tën. Por s’di ma asgja si ka përfundue edhe ai.
* Në fakt grupi i Kolës zbarkoi në Tërbun të Pukës, gusht 1949
- « Previous Page
- 1
- …
- 32
- 33
- 34
- 35
- 36
- …
- 104
- Next Page »