• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

Situata në Vlorë mbetet ende e rënduar nga përmbytjet

October 13, 2015 by dgreca

Qyteti i Vlorës vazhdon të jetë në gjendje të rëndë pas reshjeve të shiut që ranë dy ditë më parë. Edhe pse niveli i ujit ka rënë, në shumë rruge dhe zona ende situata është e rënduar.
Gjithashtu, situata është e rëndë në shumë biznese të cilat janë përmbytur dhe dëmi material është i madh. Në banesat e përmbytura ka nisur pastrimi i baltës. Shumë orendi kanë dalë jashtë funksionit. Ndërkaq, dy shkolla 9-vjeçare, “24 maji” dhe “Zigur Lelo”, nuk kanë bërë mësim ditën e hënë, pasi oborret e tyre kanë qenë nën ujë dhe fëmijët e kanë patur të pamundur hyrjen. Nga ana tjetër, Bashkia e Vlorës ende nuk ka bërë bilancin e dëmeve. Ndërkohë, për hapjen e rrugës në afërsi të Junufrës, ku pati rrëshqitje të mëdha dheu e gurësh, që çuan në bllokimin e këtij aksi, po punohet që nga dita e diel. Deri tani është hapur njëri krah i rrugës. Po ashtu, situata në akset e qytetit është e rëndë për shkak të baltës të lënë pas nga tërheqja e ujit. Më herët, kreu i bashkisë Dritan Leli u shpreh se kjo situatë nuk është parë në Vlorë prej vitesh. Ai konfirmoi se është ngritur shtabi i emergjencës dhe se janë dërguar grupe pune në terren për të ndihmuar dhe për të evidentuar dëmet.SH.K

Filed Under: Ekonomi Tagged With: permbytjet, Situata ne Vlore

DRITËRO AGOLLI DHE EMIGRANTËT…

October 13, 2015 by dgreca

Në 84 vjetorin e lindjes/
Nga takimet e gazetarit me njeriun e madh të letrave shqipe/
Nga Abdurrahim Ashiku-Athine/
DritëroAgolli, të martën më 13 tetor 2015 mbushi 84 vjet jetë; Jetë e një njeriu që me “Baltën e Devollit” në trastë u ngjit rrugëve të thepisura të jetës, rreshtave partizane për tu bërë pjesë e fitores në Luftën e Madhe Antifashiste të Popujve të Botës, bankave të shkollës që nga Gjirokastra në Leningrad, fushave e maleve të Shqipërisë si gazetar, kalasë së madhe të letërsisë si poet e shkrimtar. Ai, me dashurinë dhe thjeshtësinë e tij karakteristike mbetet mbi të gjitha NJERI…
Me këtë NJERI dua të bisedoj sot nga larg, rrugëtimit tim në takimet me Të në një shtëpi-apartament të thjeshtë në qendër të Tiranës, SHTËPI e cila për mua është dhe do të mbetet Kështjella e Kuvendit Poetik e Njerëzor Shqiptar…
Korrik 1996…
Ishin kohë të vështira, ndoshta më të vështirat e jetës sime. Kishte ndodhë vjedhja më e madhe e vullnetit të popullit, 26 MAJI 1996. Kishte ndodhë rrahja dhe gjakosja më e frikshme e kohës që kalonim, në sheshin “Skënderbe“ përpara syrit të kamerave dhe aparateve fotografike nga e gjithë bota, 28 MAJI 1996. Nuk ka nevojë të bëjë ndonjë koment. Janë dy ditë që flasin dhe do të flasin gjatë në historinë e kohës sonë, dy data që do t’u paraprinin “ DIMRIT TË MADH – 1997 “…
Ditët që pasuan, në atë qosh të hartës gjeografike ku kish bërë rrënjë jeta, i ngjanin një mengeneje që çdo ditë shtrëngohej, i ngjanin një kazme që kërkonte të më shkulte rrënjët…
Një ditë të meskorrikut e ndjeva se po më prisnin rrënjën boshtore të qenies sime. Vendosa dhe ika natën. Në anët tona shprehja “Ikje natën” ka në thelb dhimbjen më të madhe njerëzore, shkuljen nga vendi ku ke parë për herë të parë dritën e diellit me dëshirën ta shohësh edhe për herë të fundit. Për dore kisha djalin që sapo i kishte mbushur të katërmbëdhjetat…
Drita më kapi në Tiranë. Kisha një vizë njëmujore. Më duhej të udhëtoja drejt një vendi që i njihja njeriun e lashtë por nuk i njihja njeriun e ri. Veç kësaj kisha mbi supe edhe barrën e një emri arab që kryeredaktori i gazetës më pat thënë se është i papranueshëm për vendin dhe fenë e atjeshme.
Më duhej një fjalë e ngrohtë, një njeri që të më jepte zemër në aktin e madh të ikjes. I rashë një zileje. Dëgjova një zë të ngrohtë, një mirëseardhje zemre. U ngjita në katin e tretë. Derën e gjeta të hapur. Përballë ishte Sadija. Emrin ma kishte dëgjuar por fytyrën ma shihte për herë të parë. Dy hapa më tej, në këmbë, si një lis rrënjëthellë e degëbardhë nga bora e parë e vjeshtë së dytë, buzëqeshur e krahëhapur ishte Dritëroi. E kisha takuar shumë herë, me nga një gotë raki ballë për ballë e me zemrën njerëzore në dorë. Indriti, djali, e kishte lexuar, e kishte recituar por kaq pranë nuk e kishte parë asnjëherë.
U ulëm në atë sallon të thjeshtë rrethuar me piktura e me libra, në atë sallon që nuk e hiperbolizoj po të them se ka nxënë dhe nxë gjithë vendin, ashtu siç nxë tërë botën zemra e shkrimtarit dhe poetit tonë të madh….
Pimë nga një gotë raki nga ajo që Dritëroi e ka zierë nga mushti i manave jo dy por tri herë në këngët e tij për truallin ku lindi dhe mori vrapin e jetës.
Nuk ndenjëm gjatë. Ikëm duke marrë me vete disa adresa dhe numra telefoni, të Aristidh Kolës në Athinë, të DinoKubatit në Salaminë…kurajën dhe ngrohtësinë njerëzore për të kapërcyer kufirin e një jete në kërkim të një jete tjetër…
… Të nesërmen, më 21 korrik 1996, lamë diellin mbi majën e Dajtit dhe ikëm në dhe të huaj…

13 tetor 1977

…Kaluan muaj. Kaloi edhe “Dimri i Madh“. Kaloi edhe “Pranvera e Mbrapshtë“. U shkatërrua Shqipëria. “Kuota Zero“ shënoi temperaturat më të ulëta në historinë e kombit.
Sa ishte “minimalja absolute“ e dimrit shqiptar? Askush nuk e di, ose më mirë të themi “nuk e thotë“. Dhe as do ta thotë ndonjëherë sado komisione parlamentare e ndërplanetare të formohen…
…Në tetor udhëtova drejt Shqipërisë. Nën frikën e pusive, të pritave, kallashnikovëve. Shqipëria ishte e plagosur. Përpiqej të hiqte fashat e zeza mbi plagët që rridhnin gjak të kuq…
Më 13 tetor 1997 isha në Tiranë. Kisha marrë që nga Athina një shishe të bukur me uzo. E pata menduar që me të në dorë të trokas në derën e DritëroAgollit. Ia kisha një borxh, atë lloj borxhi që të jep këshilla e mirë, fjala e ngrohtë, zemra e çiltër. Ma kishte dhënë një ditë korriku dhe desha t’ia ktheja një ditë tetori. Jo të gjithë, as gjysmën, se borxhi që lidhet me fjalën e ngrohtë dhe këshillën e mirë nuk ka çmim, nuk mund të kthehet kurrë.
…U ngjita në katin e tretë dhe si herën e parë përsëri u gjenda ballë për ballë me Sadijen, njeriun dhe bashkëshorten e mirë në kuptimin absolut të fjalës. Mbi majën e malit të letërsisë shqipe “Dimri i Madh” kishte hedhë shumë borë. Një këmishë rozë e hapur paksa në kopsën e parë, një triko që kishte marrë nga kaltërsia e qiellit, një palë pantallona kafe përbënin veshjen e njeriut që u mat me malet për t’u ngjitur e bërë edhe vetë MAL më vete. Para meje ishte Dritëroi i letrave shqipe, për mua më i madhi, më i thjeshti, më njerëzori….
Nuk kishim zënë ende vend kur ra zilja e dera u hap duke sjellë me vete një këngë devollite, një grup njerëzish të qeshur. Gjashtë ishin, Nga ata vetëm njërin njihja, shokun dhe mikun tim të viteve studentore, gazetarin e njohur FuatMemelli. Ishin përfaqësues të Shoqatës “Devolli“. Kishin ardhur t’i uronin kryetarit të tyre shpirtëror, Dritëroit, përvjetorin e lindjes. Nuk e dija se atë ditë Dritëroi mbushte 66 vjeç. Jetova disa çaste që nuk mund t’i harroj kurrë. Mora pjesë në gazin e tyre, bashkova zërin tim në këngën e bukur devollite, qesha si asnjëherë në takimet me njerëz të zemrës.
Disa ditë më vonë do të udhëtoja përsëri drejt Athinës. Kisha marrë me vete ngrohtësinë shpirtërore të një njeriu që tërë jetën ngrohtësi ka përcjellë dhe përcjell.
Nuk kaloi asnjë muaj dhe në adresën time në Athinë dy fotografi të përcjella nga Fuati do të më përjetonin një ditë të paharruar.. ..

30 prill 2009…

…Kur i bie ziles porta kërcet e zëri i Sadies të fton të ngjitësh shkallët…
Kur ngjitesh në kat dera është e hapur…
Kur bën hapin e parë brenda asaj shtëpie të thjeshtë në modelin e vjetër; përpara, në këmbë, si manat shekullorë të njohur për rakinë devollite, si mal majëborë, përpara ke DritëroAgollin…
Sadia të vë përpara gotën e rakisë dhe filxhanin me kafen e nxehtë…
Me Dritëroin e madh nis kuvendi…
Kërkova në “raftin e kujtesës kompjuterike” dhe nxora prej andej paksa nga floriri i fjalës së tij, biseda për emigrantët dhe emigracionin shqiptar, për Gjuhën Shqipe. Veçova prej tyre disa porosi…

VLERËSIME E POROSI TË DRITËRO AGOLLIT PËR EMIGRANTËT

…Tani mund t’i themi në një kuptim tjetër, Rilindësit e Rinj janë Emigrantët. Ata janë njerëz që janë shkolluar këtu në Shqipëri, por që kanë shkuar atje veçanërisht për arsye ekonomike dhe tek tuk edhe për arsye politike. Ata, nën shembullin e Rilindësve të dikurshëm, kanë zhvilluar një aktivitet të vërtetë në lëmin kulturor, që ju përshkruani me hollësi dhe me ndjenjën e dashurisë, jo vetëm thjesht si sentimentalizëm, por me një ndjenjë përgjegjësie dhe sinqeriteti që këta edhe sot po japin atë ndihmesën në Shqipëri, jo vetëm thjesht në lëmin ekonomik. Me atë punë që bëjnë ata ndihmojnë familjet e tyre, por edhe për të jetuar vetë atje, njëkohësisht ndihmojnë edhe vetë popullin grek. Ata punojnë atje për të rritur edhe ekonominë e grekëve, përndryshe ata nuk do të ishin atje sepse nuk do të kishte ndonjë interes ai vend ku janë shqiptarët për ti mbajtur. Ata derdhin djersën atje dhe ngrenë nivelin ekonomik të vetë Greqisë ku janë. Faktet tregojnë se është rritur niveli ekonomik i Greqisë me ndihmën e shqiptarëve që janë atje. Siç kanë bërë në kohën e revolucionit grek që një pjesë e madhe e shqiptarëve që kanë qenë në Greqi atëherë kur ishin kufijtë “brenda perandorisë” dhe u bënë udhëheqës të Revolucionit grek si Kolokotroni, Xhavella, Boçari, Bubulina, Miauli… Ata u bënë edhe deputetë në parlamentin e parë grek, bile flisnin shqip…
…Nga këta, që janë kaq shumë, dalin edhe njerëz të atillë që përpiqen për të mos u asimiluar, që të mos harrojnë vendin e tyre. Ky libër me titullin “Rilindësit e kohës sonë” ka si qëllim që ata të mbajnë jo vetëm kujtesën e Atdheut por të përpiqen që mbi këtë kujtesë të jetë veprimtaria e sotshme. Këta e pasurojnë kulturën shqiptare. Duke qenë kjo kulturë e formuar e Shqipërisë sonë këto gati njëqind vjet pavarësi, gjatë gjithë kësaj kulture që është formuar, tashti ajo pasurohet edhe nga ata që janë përtej kufijve. I shtohet edhe një rrjedhë tjetër këtij lumi të madh, i shtohet edhe një përrua dhe kjo e bën më të madh këtë lum sepse lumi krijohet nga burimet. Francezët kanë një proverb “Pika – pika bëhet lumi”. Këto janë ato ndihmesat e mëdha që unë do të thosha, që përveç përfitimeve të mëdha nga ato drejtimet e tjera që thashë, kemi edhe këtë të pasurimit të kulturës sonë, që ne shpesh e harrojmë, sepse me që ende Shqipëria nuk ka arrirë në atë shkallë sa të bëhet një vend me një nivel të lartë ekonomik që të jetë e pakët fare varfëria, se akoma këtu ka varfëri. Kjo na bën që ta harrojmë ndonjëherë atë anën tjetër të kontributit kulturor. Atje ka edhe disa autorë, përveç jush që jeni baras me po këta gazetarë që jetojnë këtu dhe publicistë. Përveç jush ka edhe të tjerë, ka poetë, ka prozatorë të cilët prej andej botojnë libra me poezi, botojnë romane, botojnë përmbledhje qoftë edhe të artikujve të tyre, qoftë edhe të shënimeve, të librave historikë. Të gjitha këto, që edhe këtu në librin tuaj përmenden dhe shkruhen me një gjuhë të pastër po edhe me një informacion të gjerë, jo thjesht fjalë pa fakte. Ju mbi këto fakte arsyetoni se gazetaria është arsyetim mbi fakte. Ju këtë e jepni me një profesionalizëm të bashkuar me sinqeritetin, me dashurinë për njerëzit edhe me atdhetarizëm. Këtu është edhe vlera e madhe e këtij libri.
…Ata të mos lodhen kurrë për vendin e tyre duke ndjekur edhe shembullin e atdhetarëve të mëdhenj të Rilindjes, por edhe të sotshëm, dhe të punojnë për gjuhën shqipe, shkollën shqipe dhe kulturën shqipe, , shkollën shqipe dhe kulturën shqipe, për tu zhvilluar më tej edhe atje dhe të ruajnë edhe pastërtinë e gjuhës sonë. Të mos e përziejnë me fjalë të huaja të çdo gjuhe, veçanërisht në këtë globalizëm…
…Thamë që në Greqi janë gjashtëqind apo tetëqind mijë vetë, në Itali janë nja tre-katërqind mijë por edhe në vendet e tjera. Mbi një milionë shqiptarë janë jashtë…
Duhet t’i ndihmojë emigrantët, me hapje shkollash, me libra e mjete mësimore, me gjithçka të nevojshme…
…Rreziku më i madh është humbja e gjuhës nga fëmijët. Ne duhet që në familje të flasim shqip, se ke kohë të flasësh në gjuhën e huaj. Në familje duhet patjetër të flitet gjuha shqipe. Vetë shqiptarët që janë atje të përpiqen që të hapin shkolla…

13 tetor 2015

Edhe NJËQIND DritëroAgolli ! Ky është urimi i emigrantëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: 84 vjetori i lindjes, Abdurrahim Ashiku, Driteri Agolli

13 Tetori – nje date, dy poete vigane: Migjeni dhe Driteroi

October 13, 2015 by dgreca

Reflektim ne ditelindjen e dy poeteve/
Nga Sadik ELSHANI/
Me 13 tetor te vitit 1911 lindi Migjeni, ndersa njezet vite me vone, me 13 tetor te vitit 1931 lindi Dritero Agolli. Eshte kjo nje rastesi e rralle, por ndoshta edhe nuk eshte rastesi, qe dy poete te medhenj te letersise sone te kene lindur ne nje date, kuptohet ne kohe te ndryshme, dhe qe te dy te jene nga me te medhenjte poete te brezit te tyre. Secili ne menyren e vet origjinale e pasuroi dhe i hapi shtigje te reja letersise shqipe. Fatkeqsisht, Migjeni u nda nga jeta ne moshe shume te re, pa i mbushur te njezeteshtatat, por jemi fatlum qe Driteroin ne moshen 84 vjecare ende e kemi ne mesin tone dhe e pacim edhe per shume e shume vite te tjera.
Migjeni pa dyshim eshte njeri nder emrat me te dashur ne tere letersine shqipe, sidomos eshte shume i dashur nga rinia shqiptare. Ai ne tere krijimtarine e tij artistike, si ne poezi, ashtu edhe ne proze, solli dicka te re e te papare gjer atehere ne letrat tona, solli nje stil te ri, nje force te re e te fuqishme shprehese. Me Migjenin fillon nje periudhe e re ne letersine shqipe, ndarja nga tradicionalja dhe romantizmi dhe fillimi i realizmit kritik. Konceptet e reja qe futi Migjeni ne letersine shqipe, teknika, figuracioni, vargu i lire dhe forca shprehese, tematika dhe realizmi me te cilat ai i trajtoi problemet e shoqerise shqiptare te viteve te tridhjeta i hapen letresise shqipe rrugen drejt bashkekohesise, drejt moderrnitetit. Migjeni se bashku me Lasgush Poradecin i dhane letersise shqipe vendin e vet ne letersine dhe kulturen europiane.
Paraqitja e Migjenit ne letersine tone eshte nje dukuri qe rralle shfaqet edhe ne letersine boterore. Me fuqine e tij artistike, Migjeni erdhi si nje meteor ne letersine shqipe dhe vdekja e hershme na e mori si nje meteor, por me krijimtarine e tij mbeti ne qiellin tone letrar nje yll qe do te shkelqeje gjithmone. Dhe sa me shume kohe qe do te kaloje, aq me teper ai do te shkelqeje, sepse ka nje magjepsje me vepren e tij, me jeten e tij te shkurter. Shkoi i ri dhe do te mbetet perhere i ri, i fresket dhe aktual. Kush mund t’i harroje poezite e tij, vargjet: “Perdite perendojne Zotat/ dhe rreshqasin trajtat e tyne neper futyrat tona”, “Pak drite! Pak drite, o shok, o vella!”, “Vjeshte ne natyre dhe vjeshte ne fytyrat tona”, “O, si nuk kam nje grusht te forte!…”, “U vodh kanga nga zemra e kombit”, “Rini, rini, thueja kanges ma te bukur qe di”, e shume e shume te tjere. Kush mund t’i harroje tregimet dhe skicat e tij: “Bukuria qe vret”, “Luli i vocerr”, “A do qymyr zotni”, “Legjenda e misrit”, “Historia e njenes nga ato”, etj. Pastaj eshte ky pseudonimi shume i bukur e shume muzikor: Migjeni. Jane pastaj mendimet dhe pyetjet qe gjithmone ia bejme vetes: “Po c’do te kishte bere Migjeni, c’do te kishte krijuar Migjeni, po c’do te kishte ndodhur me Migjenin sikur te kishte jetuar me shume?” Jane keto disa nga arsyet qe kane ndikuar per ta mbajtur gjalle interesimin dhe magjepsjen tone per Migjenin dhe vepren e tij. Migjeni jetoi, aq sa jetoi dhe beri ate qe beri. Ate qe beri dhe na ka lene trashegim, eshte e shkelqyeshme, e perjetshme dhe gjer me sot e paarritshme, e pakalueshme nga askush ne letersine shqipe. Me 27 vite e mbylli ciklin e jetes se tij, e mbylli krijimtarine e tij brilante.
Edhe Dritero Agolli, se bashku me Ismail Kadarene dhe Fatos Arapin, eshte poeti qe i ka prire brezit te tij. Eshte njeri nder shkrimtaret me te dalluar, me te dashur, me prodhimtar e me me ndikim ne letersine bashkekohore shqipe. Krijimtaria e tij letrare eshte mjaft e pasur ne gjini e lloje te ndryshme krijuese: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenare filmash, reportazhe, etj. Por mbi te gjitha, ai eshte i njohur si poet ne kuptimin e plote te kesaj fjale – mjeshter i vertete i vargut. Qe ne krijimet e tij te para ne poezi, ai u paraqit si nje ze i forte origjinal qe solli nje hov rinor, optimizem e freski ne letersine shqipe. Dritero Agolli krijoi nje model te ri te vjersherimit, si ne problematike, ashtu edhe ne figuracion dhe zhvilloi nje teknike mjeshterore shprehese te ndjenjave, vrojtimeve dhe shqetesimeve te tij. Lidhja e forte me token, natyren, me prejardhjen e tij fshatare e shpuri ne formimin e kredos se tij poetike: “S’jam poet, jam fshatar i jugut”. Vargu i tij kundermon me eren e ugarit nga brazdat e tokes se zeze dhe ne ato vargje shpesh rrjedhe edhe shume raki. Ne vargjet e tij mbisundon bota e gjalle, shenjterimi i natyres, i arave, i bagetise, por edhe dashuria ndaj prinderve, respekti per traditen, te kaluaren heroike dhe shqetesimet e jetes se perditshme.
Me shume mjeshteri e perdor frazeologjine dhe urtesine popullore, duke i gershetuar natyrshem vlerat tradicionale te poezise me menyra e forma te reja te shprehjes poetike. Me vargjet e tij plot frymezim, ai krijoi nje bote te re te tijen – nje bote agolliane, ku thjeshtesia e komunikimit, porosite universale (te pergjithshme) dhe shprehja e hapur e plot ndjenja, jane shtylla te forta ku mbeshtetet poezia e tij. Ngrohtesia njerezore e vargjeve te tij ka bere qe lexuesi qe shijon keto vargje, te njejtesohet (identifikohet) me vete poetin. Ky raport i ndersjelle poet – lexues eshte me teper i theksuar te Dritero Agolli se sa te ndonje poet tjeter ne letersine bashkekohore shqipe.
Kjo fryme poetike eshte mjaft e pranishme edhe ne prozen e tij qe eshte mjaft e suksesshme. Vlen te theksohet, se shumicen e krijimeve te Agollit e pershkon nje fryme e holle e humorit, madje edhe ne situata qe mund te jene shume serioze.
Ne kete date te shenuar te letersise sone, te kujtojme e te nderojme Migjenin tone te dashur, ndersa Driteroit t’i urojme shendet, jete te gjate e te lumtur, pleqeri te qete dhe te na dhuroje edhe shume e shume krijimne te bukura artistike.
Keto pak rreshta jane shkruar vetem per kete qellim dhe nuk metojne asgje me teper.
Gezuar!
Filadelfia, 12 tetor, 2015
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: 13 tetor, dy ditelindje, Migjeni dhe Driteroi, Sadik Elshani

KTHEHET NE FESTE DITELINDJA E DRITERO AGOLLIT

October 13, 2015 by dgreca

DITËLINDJA E DRITËROIT: FESTË E BUKUR, ME KËNGË E VALLE…/
Nga Murat Gecaj/
Nuk është hera e parë, që Shoqata Atdhetare-Kulturore “Devolli”, me kryetar Guri Seferin, organizon e feston ditëlindjen e poetit e shkrimtarit dhe personalitetit të shquar të kulturës mbarëkombëtare shqiptare, Dritëro Agolli-“Nderi i Kombit”. Një ngjarje e tillë e shënuar mblodhi në sallën “Unesco”, të Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet, anëtarë të kësaj Shoqate, familjarë të Dritëroit, krijues të fushave të ndryshme, mësues e pedagogë, studiues e publicistë, profesorë e akademikë dhe tjerë.
Në këtë mjedis festiv, veprimtarinë për nder të 84-vjetorit të ditëlindjes së Dritëro Agollit, (Menkulas-Devoll, 13 tetor 1931), e hapi Vasil Fundo. Pastaj, për jetën dhe veprimtarinë e gjithanshme krijuese të tij foli bashkëkrahinasi dhe kolegu i tij i pandarë, prof.Alfred Uçi-Akademik. Ai u ndal në pasurinë e gjerë dhe të bukur krijuese, në poezi e prozë, të këtij miku të dashur të njerëzve tanë të thjeshtë, jo vetëm të krahinës së Devollit, por dhe anembanë Shqipërisë.
Veprat e Dritëroit, prof.Uçi i vlerësoi “perla të mrekullueshme, në poezi e prozë”, ndërsa atë e quajti “poet dhe shkrimtar me zemër të zjarrtë”, me ndjeshmëri të lartë morale e qytetare, si ndaj të mirës e të keqes; me dashuri të pakufshme për vendlindjen dhe njerëzit e saj; krijues me shpirt atdhetari, për njerëzit e thjeshtë të punës, si të fshatit e qytetit.
Dritëroi, ka patur dhe ka gjithnjë në jetë, idealin për njeriun e lirë dhe me shpirt e ndjenja demokratike. Ai ishte dhe mbetet përherë, “devolli e shqiptar, kokë e këmbë”. Tashmë, janë bërë proverbiale vargjet e tij: “Dhe ky plis ngaherë ish i fortë,/shkoi në Evropë, brodhi në Azi,/ por kudo, nga flokët e gjer në thonjtë,/ mbeti devolli…”.
Prof. A.Uçi, në fjalën e tij, përmendi disa vepra të D.Agollit, por veçoi përmbajtjen e librave “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”(Tiranë, 1999) dhe “Zhurma e erërave të dikurshme”(tregime dhe novela), të cilin ia dërguan për karton, në vitet e shtetit monist dhe u botua vetëm në vitin 1999!? Janë me dhjetëra veprat e Dritëroit, në poezi e prozë, të cilat janë kaq të njohura për lexuesit tanë. Ndër to, po përmendim vetëm disa: “Baladë për tim atë dhe për vete”, “Devoll, Devoll: Baballarët”(poezi), “Nënë Shqipëri”(poemë), “Trëndafil në gotë” e “Njeriu me top”(romane), “Dhjetë sy” e “Udhëtoj i menduar” (poezi) etj.etj.
Gjithashtu, prof.Uçi solli kujtime vetjake, nga njohjet e lidhjet shumëvjeçare me Dritëroin, i cili i thoshte, që në rini, se “bukuria është perëndesha e jetës”. Në mbyllje, e uroi me zemër njeriun e mirë, Dritëroin tonë, për shëndet sa më të plotë dhe jetëgjatësi.
Mjaft emoconuese ishte fjala e bijës së Dritëroit, Elona Agollit, si dhe leximi i përshndetjes, që kishte dërguar vetë ai për të pranishmit, në pamundësi ardhjeje në këtë përvjetor të ditëlindjes së tij. Ndër të tjera, aty nënvizonte se dashuria për Atdheun fillon nga familja e vendlindja, të cilat i ka i patur dhe i ka gjithnjë në mendje e në zemër të tij. Kështu, në përshëndetje ai shprehte respektin e mirënjohjen për tërë Devollin e njerëzit e tij, por dhe për bashkëshorten, Sadijen dhe fëmijët e tyre, Elonën e Artanin.
Kjo festë e gëzuar e ditëlindjes së Dritëro Agollit u shoqërua me këngë e vallë të bukura të krahinës, luajtur me shkathtësi e bukuri, nga ansambli artistik i fëmijëve dhe të rinjëve të Devollit. Gjithashtu, u duartrokit nxehtësisht recitimi i disa poezive të Dritëroit, nga artisti i njohur, Dhimitër Orgocka.
Për të ftuarit në këtë veprimtari, u shpërnda edhe gazeta “Devolli”, nr.9(108), shtator 2015, me kryeredaktore Ervehe Barutin.
Të pranishmit e shumtë, në këtë prvjetor të shënuar të ditëlindjes së Dritëro Agollit, i uruan atij me zemër, gjitha të mirat në jetë, si vetjake dhe familjare.
Tiranë, 12 tetor 2015

Filed Under: Reportazh Tagged With: ditelindja, e Dritero Agollit, Festohet, Murat Geaj

Flet Adrian Neritani: Hetimet në Siri do të kryhen në bashkëpunim me agjensi të specializuara

October 13, 2015 by dgreca

NERITANI: Fact Finding Missions (FFM), ose Misionet për Evidentimin e Fakteve janë krijuar (bashkëpunim midis OKB-së dhe OPCW) e po vijojnë punën në gjetjen e evidencës nëse janë përdorur armë kimike në Siri. Raportet e prodhuara deri tani nga FFM kanë konkluduar se armët kimike janë përdorur në Siri. Baza fillestare nga ku do të nisë puna e mekanizmit ku unë bëj pjesë është pikërisht kjo evidencë dhe informacion i gjeneruar nga FFM./
Nga Beqir Sina/
Shqiptari, që do hetojë Presidentin e Sirisë Bashar Al Assad, Adrian Neritani bën pjesë në grupin e hetimit për armët kimike. Zoti Neritani, i cili ka përfaqësuar Shqipërinë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga viti 2006 deri në vitin 2009, tani do të jetë pjesë e e grupit të ekspertëve që do të hetojë nëse në Siri janë përdorur armë kimike kundër civilëve. Për më shumë rreth “misionit” të ri, diplomatik, për gazetën Bota sot, nga Nju Jorku, flet eskluzivisht ish – Ambasadori i Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, avokati Adrian Neritani.
Pyetje- Zoti Neritani, ju keni përfaqësuar Shqipërinë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga viti 2006 deri në vitin 2009 – vit ku bën pjesë edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës. Cili ka qenë atëhere “misioni” i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara për Kosovën?
Adrian NERITANI- Shqipëria në mënyrë proaktive ka luajtur rolin e saj unik në arritjen e pavarësisë së Kosovës, në sigurimin e një paqeje afatgjatë dhe stabiliteti të qëndrueshëm në Ballkan e më gjerë.
Me se u morët gjatë këtyre 6 vjetve prej kur u larguat nga dyert e diplomacisë ?
Me aktivitet privat, kryesisht në fushën e avokatisë në New York dhe konsulencë biznesi ndërkombëtar. Kam punuar gjithashtu si këshilltar ligjor i Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Sesionin e 66-të.
Pyetje- Tani ju do të jeni pjesë e e grupit të ekspertëve që do hetojë nëse në Siri janë përdorur armë kimike kundër civilëve. Cila ishin kriteret në përzgjedhjen e grupit tuaj ?
NERITANI- Më saktë,grupi i ekspertëve quhet Mekanizmi i Përbashkët i Hetimit (Joint Investigative Mechanism), mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së me Rezolutën 2235 (2015). Është hera e parë që krijohet një mekanizëm i tillë në kuadrin e armëve kimike, detyra e të cilit është identifikimi i individëve, grupeve, entiteteve ose qeverive që janë përgjegjëse në përdorimin e armëve kimike në Siri. Nuk është detyrë e këtij Mekanizmi të hetojë nëse janë përdorur armë kimike në Siri, pasi kjo detyrë ka kohë që realizohet nga Fact Finding Missions.
Për kriteret e sakta e procedurat e detajuara në të cilat kalon një vendim marrje e tillë nuk jam në dijeni, por duhet të paktën një kombinim midis propozimit nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe një lloj miratimi nga Anëtarët e Përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
Pyetje- Ju për shkak të karrierës tuaj si diplomat, por edhe si jurist në të drejtën ndërkombëtare do të jeni përgjegjës për pjesën politike të këtij mekanizmi hetimor, apo jo?
NERITANI- Po. Mekanizmi ka një lidership prej tre vetash. Ka segmentin politik dhe atë investigativ. Unë jam pjesë e lidershipit, përgjegjës për segmentin politik.
Pyetje- Cila është pjesa ligjore ndërkombëtare dhe strategjike e grupit tuaj që ka marrë tashmë dritën jeshile nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike për të nisur misionin që ka për qëllim të zbulojë jo vetëm a u përdorën armët kimike por edhe nga kush u përdorën ato ?
NERITANI-Edhe një herë për të saktësuar mandatin e mekanizmit ku unë bëj pjesë. Fact Finding Missions (FFM), ose Misionet për Evidentimin e Fakteve janë krijuar (bashkëpunim midis OKB-së dhe OPCW) e vijojnë punën në gjetjen e evidencës nëse janë përdorur armë kimike në Siri. Raportet e prodhuara deri tani nga FFM kanë konkluduar se armët kimike janë përdorur në Siri. Baza fillestare nga ku do të nisë puna e mekanizmit ku unë bëj pjesë është pikërisht kjo evidencë dhe informacion i gjeneruar nga FFM.
Baza ligjore është Rezoluta 2235 (2015) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe letrat koresponduese të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së drejtuar Këshillit të Sigurimit. Mekanizmiështë organ i pavarur,që ka përgjegjësi dhe raporton vetëm ndaj Këshilli të Sigurimit të OKB-së.
Pyetje- Grupi juaj do ndërmarrë hetimet e përbashkëta, të cilat do të drejtohen nga argjentinasja Virginia Gamba, eksperti gjerman Eberhard Schanze. Çfarë do të kuptojmë me “hetime të përbashkëta” ?
NERITANI- Hetimet do të kryhen në bashkëpunim me agjensi të tjera ndërqeveritare e të specializuara sipas nevojave të investigimit dhe dinamikës që do të krijohet.
Pyetje- Kur do të nisi faza e parë e hetimit me një studim të dokumentave të mbledhura deri tani dhe a do të vijojë edhe me një udhëtim drejt Sirisë nëse do të jetë e nevojshme?
NERITANI- Sipas mandatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, puna hetimore fillon menjëherë pas krijimit të ekipit të plotë mbështetës, të kuadrit të nevojshëm ligjor me të gjithë segmentet e duhura, sigurimit të fondeve të nevojshme për aktivitet dhe ekspertizë profesionale, e kështu me radhë. Në rast nevoje,edhe mund të udhëtohet në Damask.
Pyetje- Kur nisi çështja e perdorimit të armëve kimike SHBA-të, thanë se ishin gati për të sulmuar Sirinë! Çfarë ndodhi ? Rusia, tani po e “bombardon” Sirinë ?
NERITANI- Shumë zhvillime interesante po ndodhin në Siri, në rajon e më gjerë. Shpresoj që të gjendet sa më shpejt zgjidhja e duhur politike për ti dhënë fund kësaj tragjedie të madhe.
Pyetje- Çfarë ndikimi mendon se do të ketë hetimi i juaj – ?
NERITANI- Nuk dua të spekuloj, pasi është ende shpejt për të arritur në konkluzione. Shpresoj që të ketë ndikim pozitiv për të tashmen e të ardhmen. Komuniteti ndërkombëtar është i vendosur që përdorimi i armëve kimike është tejet i rrezikshëm për njerëzimin, por ka edhe përgjegjësitë e tij.
Ju faleminderit ! Suksese !
Ju faleminderit edhe Juve!(Intervista iu dha Gazetarit beqir Sina per Bota Sot)

Filed Under: Interviste Tagged With: Adrian Neritani, hetimet ne Siri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT