Google është duke krijuar një rrjet balonash në stratosferë të cilat do të formojnë një unazë rreth e përqarkt tokës vitin e ardhshëm. Sipas BBC, kjo do i japë mundësi njerëzve që jetojnë në rrugën që do të ndjekë balona që të kenë internet. Kjo deklaratë koincidon me anonçimin e tre rrjeteve telefonike indoneziane, që kanë si qëllim të nisin transmetimin e Projekt Loon vitin e ardhshëm. Planin e saj të balonave me shumë presion Google e ka bërë të ditur dhe më parë, në qershor të 2013, ku rreth 30 ‘zarfa’ plastikë u lëshuan ng Zelanda e Re.
Archives for October 2015
Kosova të vazhdojë me mbështetjen e shqiptarëve në Mal të Zi
-Nga vizita e Komisionit për Shëndetësi të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Republikën e Malit të Zi/
-Delegacioni i Komisionit për Shëndetësi ka takuar komisionin homolog të Kuvendit të Malit Zi, atë për marrëdhënie ndërkombëtare, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malit të Zi, kryetarin e Komunën së Ulqinit, Fatmir Gjeka dhe atë të Komunës Urbane të Tuzit, Abedin Axhoviq, deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi Nikol Gegaj dhe Genc Nimanbegu, ndërsa ka vizituar disa institucione shëndetësore/
PRISHTINË, 29 Tetor 2015/ Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës prej datës 25 deri 27 tetor ka zhvilluar një vizite zyrtare në Republikën e Malit të Zi, ku ka realizuar një sërë takimesh. Njoftimi u dërgua sot nga Kuvendi i Kosovës.
Delegacioni nga Kuvendi i Republikës së Kosovës gjegjësisht Komisioni për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale, vizitën e filloi në Komunën Ulqinit, ku u takua me Kryetarin, Fatmir Gjeka dhe bashkëpunëtorët e tij.
Gjeka, duke ju dëshiruar mirëseardhje në Ulqin delegacionit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, foli për marrëdhëniet tradicionale që Ulqini dhe shqiptarët në Mal të Zi kanë me Kosovën. Ai u ndal në ndihmesën që ka dhënë dhe po jep Kosova në shkollimin e të rinjve, veçoi vizitat tradicionale të turisteve kosovarë në bregdetin e Ulqinit, foli për lidhjet mes bizneseve si dhe për çështje të tjera të rëndësishme nga fusha e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.
Kryetarja e komisionit, Flora Brovina tha se qëllimi i vizitës në Mal të Zi është shkëmbimi i përvojave dhe thellimi i bashkëpunimit të Kosovës dhe Malit të Zi, si në fushën e legjislacionit, shëndetësisë, punësimit dhe tema të tjera me interes të përbashkët për dy vendet tona.
“Ne si delegacion dëshirojmë të njihemi më për së afërmi me problemet e shqiptarëve në Mal të Zi, statusin juridik të tyre, punësimin gjendjen në shëndetësi e sektorë tjerë”, ka thënë Brovina, duke kërkuar që të kuvendarët e Kosovës të njihen me gjendjen e Qendrës së Maternitetit në Ulqin dhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohet. U diskutua po ashtu edhe për kuadrot nga fusha e shëndetësisë, për punëtorët në këtë rast pensionistet që kanë punuar në Kosovë, por që vitet e shërbimit apo stazhi s’po ju njihet. Komisioni u zotua se do të shqyrtojë dhe do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme. Palët u dakorduan që takime të këtij lloji janë në interes të përbashkët, andaj ata duhet shpeshtuar dhe çështjet e ngritura të marrin rrugën e zgjidhjes.
Delegacioni nga Kosova në përbërje të të cilit ishte e dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Mal të Zi, Sentiq, si dhe zëvendësshefi Gjemajli vazhduan takimet me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malit të Zi, më një grup të pensionisteve të cilët kanë punuar në Kosovë si dhe me një vizitë në maternitetin e qytetit.
Nga kryetari Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malit të Zi dhe njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi, Genc Nimanbegu, u njoftuan me statusin dhe gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, po ashtu u njoftuan për përbërjen dhe funksionin e këshillit i cili po luan një rol të veçantë në avancimin e pozitës së Shqiptarëve në Mal të Zi. Në këtë rast nga ana e përfaqësuesve të Këshillit u kërkua që Kosova të vazhdojë me mbështetjen e shqiptarëve. Po ashtu nga ana e përfaqësuesve të Këshillit u kërkuar që Kosova dhe Mali Zi të bëjnë avancimin e bashkëpunimit të nivelit diplomatik në nivel të ambasadorëve.
Delegacioni po ashtu ka realizuar një takim me një grup të pensionisteve të cilët kanë punuar në Kosovës dhe të cilëve nuk po ju njihet stazhi i punës, të cilët para delegacionit paraqiten shqetësimin e tyre dhe kërkuan mbështetje, ku u pajtuan që të kompletojnë lëndën e tyre me dokumentet e nevojshme dhe të procedojnë. Delegacioni u zotua se do të trajtojë seriozisht këtë çështje dhe do të ndërmerr veprimet e nevojshme në bazë të kompetencave të tij.
Delegacioni po ashtu realizoi edhe një vizitë të shkurtër në qendrën e Maternitetit në Ulqin ku nga drejtori u njoftua për së afërmi me gjendjen dhe funksionimin e qendrës së maternitetit dhe shtëpisë së shëndetit.
Komisioni ka realizuar takim si dhe vizitë të hapësirave të Kardiokirurgjisë dhe Urgjencës në Qendrën e Klinikës Spitalore të Malit të Zi, ku u njoftuam për se afërmi rreth funksionimit dhe shërbimeve që ofrohen për qytetaret.
Po ashtu Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës ka takuar Komisionin homolog të Kuvendit të Malit Zi. Komisionet parlamentare të të dyja vendeve shkëmbyen përvojat e tyre sa i përket legjislacionit të miratuara në fushën e shëndetësisë, punës dhe mbrojtjes sociale të fëmijëve, si dhe ligjet që janë në procedurë parlamentare në fushën e shëndetësisë.
Ata u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, si dhe dy komisionet parlamentare në fushat në interesin e përbashkët.
Pas takimit me komisionin homolog, komisioni vazhdoje me realizimin takimeve tjera si vijon:
Delegacioni ka realizuar një takim me anëtarët e Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe emigrantët e Parlamentit të Malit të Zi.
Duke vlerësuar bashkëpunimin e tanishëm mes dy vendeve por edhe nevojën për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, diplomatik si dhe në shumë fusha tjera me interes të përbashkët Brovina dhe Filipoviq u pajtuan se bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe të shëndetësisë janë themelore dhe duhet të jenë afatgjatë, po ashtu u zotuan edhe për një bashkëpunimi më të mirë në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe të përgjithshëme të të dyja vendeve.
Delegacioni ka realizuar një takim me dy deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi Nikol Gegaj dhe Genc Nimanbegu, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve. Njeherit u informuan nga Nimanbegua dhe Gegaj me përbërjen e parlamentit të Malit të Zi dhe marrëdhënieve politike në Mal të Zi. Marrëdhëniet mes dy vendeve po përmirësohen çdo ditë dhe që natyrisht, duhet të vazhdojnë edhe me një intensitet me të shtuar me theks të veçantë në sferën e punësimit – marrëdhënieve të punës gjatë sezonit turistik, si dhe rregullimin e statusit të pensionistëve të cilët kanë punuar në Kosovë dhe nuk po ju njihet stazhi i punës. Nimanbegu shprehu dëshirën e tij që marrëdhëniet diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur për t’u ngritur në nivelin e ambasadorëve.
Delegacioni nga Kuvendi i Republikës së Kosovës gjegjësisht Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka realizuar një vizitë në Komunën e Tuzit ku është takuar me Kryetarin e Komunës Urbane të Tuzit, Abedin Axhoviq dhe bashkëpunëtoret tij, të cilët e falënderuan përzemërsisht delegacionin dhe theksuan se kemi kënaqësinë që për herë të parë të kemi një vizitë të këtij niveli nga Kosova. Po ashtu e njoftuan delegacionin për statusin juridike dhe funksionimin e komunës së Tuzit si dhe për gjendjen e shqiptarëve në këto treva si dhe nevojën e mbështetjes në shumë fushe si në arsim, kulturë, shëndetësi dhe punësim./b.j/
Pensioni i parakohshëm
Ilir Levonja-Florida-USA/
Ne ishim të gjithë arsmitarë. Shkonim bashkë dhe ktheheshim po bashkë. Të gjithë arsmitarë për së pari. Por edhe të ndarë në grupe, për shkak të politikës. Megjithatë tek-tuk ruanim në dukje kolegërinë. Ndërsa përbrenda provonim një lloj dëshire që mezi prisnim çastin të hiqnin njërin apo tjetrin. Kësaj dëshire të heshtur, të mbrapsht, me biseda plot thumba. I shtoheshin edhe dozat e pëshpëritjeve për lartësinë e kualifikimit. Jo ky po e mbaron kështu. Kjo tjetra nuk njeh as kudrinorët. Ajo se ka haberin e vektorit. Ky të planit, etj. Në fakt botën e pëshpëritjeve e prinin të vjetrit. Ndofta edhe për atë se pëshpërimat nuk ishin pa baza. Kualifikimi i tyre karshi të rinjve ishte vërtet mbresëlënës. Sidomos nga ana metodologjike që është dhe baza e mësimdhënies. Të rinjtë kishin në majë të gjuhës justifikimin postulat të atyre viteve. Nuk na duan komunistët. Dhe disa prej të vjetërve kishin qënë vërtet me partinë. Dhe për ironi, atë pranverë viti shkollor, bëhej fushatë. Të vjetrit dominiheshin me prirje socialiste. Kurse të rinjtë, demokratë. Midis të vjetërve dallonte një shakaxhi flokëthinjur. Mësues i shkëlqyer, por socialist fanatik. I thekur. Nga ata që kualifikimin superior e përdorin si mburojë për manovra politike. Duke e ndjerë se era po frynte majtas, fliste hapur, shfaqej socialist i zjarrtë, reformator etj. Se do ndreqte zyrën arsimore sapo të fitonin zgjedhjet. Gjeja e pa rë që do bënte, do hiqte të gjithë ata nuk njihnin kudrinorin apo ndajfoljen.
Në vjeshtë tetorin e bukur, socialistët erdhën në pushtet. Autobuzi vlonte nga humori. Po ndaheshin postet. Pritje dhe ankth. Nga të dya palët. Ata që do prisnin koka, qeshinin. Ata që do u pritej koka, heshtnin. Mësuesi shakaxhi, nuk e mori postin e drejtorit. Ia dhanë dikujt tjetër, ku sipas tij edhe ky, ishte gjysmë i kualifikuar. Shkurt si demoktratët që ai përgojonte.
Të ishte me kaq, gjysmë e së keqes. Por të nesërmen mësuesin shakaxhi, socialistin e thekur, e nxorrën në pension të parakohshëm. Vendi i tij, u duhej socialistëve për dikë tjetër. Se çfarë kualifikimi kishte, të blerë apo të pa blerë. Nga Shkodra, Elbasani apo Gjirokastra. Nuk kishte më asnjë rëndësi. Ai fliste me vete, përmende Beratin. Pedagogjinë e vërtet sipas atij. Ra në mendime. Dhe mua edhe sot e kësaj dite nuk më hiqet nga mendja, ai mësues, ai burr i thinjur, ai kuadër i zhgënjyer, ai militant i devotshëm. Zhgënjimi dhe dëshpërimi njerëzor, përballë manovrave të politikës.
Aryeja që e solla këtë një ngjarje, është një…, reforma. Po vështroja faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Ku u mëshohet me forcë testimeve apo kualifikimeve të mësuesve. Kurrikulave dhe trajnimit global etj. Kjo në raport me Perëndimin. Mirëpo ndërsa në Perëndim, kualifikimet apo testimet bëhen me kompjuterin dhe nën vëzhgimin e kamerave. Biles edhe nga shtëpia. Në Shqipëri me letra, me grup testuesish me miq, provime të natyrës së kohës. Dhe rastësisht fiton ai që sugjeron partia në pushtet. Mirëpo ndërsa në Perëndim, drejtori i shkollës është punë dhënës. Post që e ka fituar përmes një kualifikimi të meritueshëm, me liçensime nga komisione shtetërore. Në Shqipëri punëdhënës është drejtoria arsimore e drejtuar nga partia në pushtet.
Çfarë të shtojmë tjetër? Ah, po dukshmërinë shqiptare, bëje sa për t’u dukur. Si në Perëndim se rezultatet i dimë që tani. Kë do vëm aty, apo atje.
Kështu gjatë këtyre viteve demokraci. Në çdo qeveri të re, flitet për reformë. Flitet për pastrimin e arsimit, për tekstet, kushtet. Ndërkohë nën emrin e saj. Ndodhin reforma të tjera. Ajo e tenderimeve, e shitblerjeve. Ose të tilla si ai i rastit të mësipërm. Ku as demokrati nuk e ka vendin e sigurt kur fiton partia e tij. Por as socialisti kur fiton socialistja.
Kjo është dukshëm lufta e njëriut me njëriun. Dhe arsimtarët janë të përfshirë aty?
POLITIKA DHE ETIKA DJE DHE SOT
NGA Eugjen Merlika/Itali/
“Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka edhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standart, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin.”-ATJON V. ZHITI/
Politika si koncept përfshin një tërësi njohurish, rregullash e ligjesh që merren me themelimin, organizimin dhe mbarështimin e shtetit dhe të jetës publike të një shoqërie e të një kombi. Etika është një term i futur në gjuhën filozofike nga Aristoteli në Athinën e lashtë. Duke shfletuar një enciklopedi universale italiane gjeta këtë përkufizim të fjalës, që ka hyrë në gjuhët e botës ashtu si e pati sajuar filozofi i madh grek në shek. IV p.K. : “Disiplinë politike që merret me probleme morale ose të sjelljes (gr. ethos) në lidhje me mjetet, qëllimet apo shkaqet. Dy degët kryesore të etikës janë teoria e vlerës ose assiologjia dhe teoria e detyrimit. E para studion kuptimin e termave vlerësuese (i mirë, i keq, i dëshiruar) dhe natyrën e së mirës, e dyta kuptimin e termave që shprehin detyrime (i drejtë, i padrejtë, i ndershëm etj.) dhe natyrën e drejtësisë morale.”
Të dy konceptet lidhen me njëri tjetrin sepse janë të ndërshkëmbyeshëm në sendërtimin e tyre praktik. Mbarështimi i shtetit, në të gjitha shfaqjet e tij të larmishme, nëpërmjet marredhënieve që krijohen mes institucioneve dhe shtetasve, apo mes vetë atyre të parave, dashje e pa dashje, i nënështrohet një gjykimi të përhershëm që bazohet mbi parimet dhe kriteret e mirësjelljes, të respektit të ndërsjelltë, të mos përballimit me mjetet e dhunës, qoftë dhe asaj folëse apo konceptuale.
Në historinë tonë të viteve 1944 – 1991, si pasojë e zotërimit të parimit komunist “Partia është e pagabueshme” dhe të mendimit të vetëm të personifikuar prej saj, ai kod etik i pashkruar u mënjanua krejtësisht nga jeta shoqërore. Njësh mendimi, i sanksionuar në ligje, urdhëra e udhëzime të hapura apo të fshehta, i ligjëruar juridikisht me nenin 55 të kodit penal që dënonte penalisht çdo shprehje të opinionit të kundërt me të, u bë për një gjysëm shekulli alfa dhe omega e botës shqiptare. Karakteri i theksuar klasor i sistemit, që i mohonte një pjese të popullsisë, asaj të përndjekur nga regjimi, të drejtat më parake njerëzore, çonte në koncepte të tilla skajore, sa disa nga elementët më thelbësorë të natyrës njerëzore të trajtoheshin si “mbeturina borgjeze e mikroborgjeze”, “të dëmshme” për shoqërinë e, pra, të dënueshme në format më të ndryshme. Në këta kushte edhe etika, me përbërësit e saj të mirësjelljes, të respektit e të edukatës, i u nënështrua kriterit klasor të vlerësimit të dukurive. Në teori ajo zbatohej vetëm me njerëzit “e mirë”, të cilët ishin, kryesisht, shërbyesit më të zellshëm të regjimit, të cilët i hasim sot, me pseudonimet më të ndryshme në faqet e internetit, duke i bërë jehonë asaj mendësie e duke vazhduar së sulmuari ndonjë “të prekur” që “guxon” të shprehë në shkrime mendimet e tij.
Plotfuqia e politikës së dhunës së gjithanëshme e kishte degdisur etikën në hapësirat ndëryjore, duke prerë çdo lidhje mes këtyre dy përbërsësve shumë të rëndësishëm të jetës jo lëndore të shoqërisë sonë deri në vitin 1991. Kjo qe trashëgimia e përcjellë nga gjysëm shekulli komunist, të cilën duhej t’a ndryshonte koha e re dhe njerëzit e saj, kryesisht klasa politike. Por vetë formimi i asaj klase, edhe se e re në moshë, linte pak shpresë në një rikthim të etikës. Të rritur e të shkolluar në institucionet e diktaturës, këta drejtues të rinj të Shqipërisë pas komuniste e kishin të vështirë, sa hap e mbyll sytë, të fitonin shprehitë e një shoqërie demokratike e të përvehtësonin elementet e etikës politike për t’i vënë në jetë në veprimtarinë e tyre. Mendohej se, me kalimin e kohës, me ripërtëritjen e vazhdueshme, me vetë emancipimin e shoqërisë, së cilës i u hapën dyert e botës dhe mundësia për t’u shkolluar në Vende të ndryshme, kjo dukuri e trashëguar do të arkivohej, duke hedhur poshtë opinionet e dashakeqëve të shqiptarëve mbi “pamundësinë” e tyre për të ndërtuar një shtet që të ishte shprehje e një shoqërie të qytetëruar.
Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Arsyet duhet t’i kërkojmë kryesisht në veten tonë, në konceptin, ende të fortë, se kundërshtari politik duhet asgjësuar, se e vërteta absolute është pronë vetiake, se “qëllimi justifikon mjetin” dhe se çfarëdo lloj mjeti është i dobishëm kur arrihet qëllimi. Po t’i shtojmë këtij bagazhi të trashëguar edhe ndonjë shembull negativ nga bota që na rrethon e të cilin e përvehtësojmë pa vështirësi, kuadri plotësohet. Ai ka epiqendrat e tij kryesore në Kuvendet e Tiranës dhe të Prishtinës, ku skenat skandaloze janë të pranishme gjithënjë e më shpesh. “Duelet” neveritëse të personazheve të Tiranës gjejnë jehonë në skena të papërfytyrueshme të kuvendarëve të Prishtinës. Pamjet e ditëve të fundit në Kuvendin e Kosovës janë me të vërtetë rrënqethëse, për nga cilësia e lartë e huliganizmit. Gra të reja, që gjuajnë me vezë kryeministrin e Vendit apo hedhin bomba lotsjellëse në sallën e kuvendit, janë të pakonceptueshme si krijesa të botës shqiptare. Ato bëjnë të dridhen në varre eshtrat e Nexhip Dragës, të Hasan Prishtinës, të Bajram Currit, të Isa Boletinit, të Shotë Galicës, të Xhaferr Devës, të Marije Shllakut, të Shaban Polluzhës e sa e sa burrave e grave që përfaqësuan, që luftuan e flijuan jetën për Kosovën shqiptare. Cilido të jetë motivi i asaj sjelljeje nuk mund të përligjë kurrë atë qëndrim. Këtu nuk flitet më për etikë politike, por për shkelje të rendit publik, gjë e pakonceptueshme për cilindo përfaqësues të popullit.
Ka vite që në Kuvendin e Shqipërisë shpalosen akuza të ndërsjellta për korrupsion, për vjedhje, madje së fundi edhe për komplote vrasjesh. Populli voton deputetë njerëz të paditur apo të dënuar për krime ordinere jashtë shtetit, për më tepër milionerë në euro, e kjo përligjet me mungesën e një ligji që do të kërkonte çertifikatën penale edhe të qëndrimit në Vendet e huaja. A është vetëm “naivitet” i papranueshëm mungesa e kësaj norme, kur gati gjysma e popullsisë shqiptare jeton jashtë Vendit ? Sigurisht që jo. Përgjegjësia nuk mund të bjerë vetëm mbi atë forcë politike që i ka në gjirin e saj këta elementë, sepse ligji nuk u miratua as kur në fuqi ishte kundërshtarja e saj.
Mungesa e etikës shpaloset çdo ditë në politikën shqiptare. Dukuria, si vazhdimësi, nis që me vitet e para të tjetërsimit të sistemit. Etika kërkonte që në impiantin administrativ të shtetit pas komunist, të bënin pjesë edhe përfaqësuesit e njerëzve të dhunuar edhe ata të bashkësive shqiptare jashtë. U bë shumë pak në vitet e para n’atë drejtim e që nga 1997 humbi çdo gjurmë e kësaj pranie. Etika kërkonte që, në vitet 90, të mos luftohej varfëria e shqiptarëve me mjete iluzore, mashtruese e të kundërligjëshme, si “piramidat” financiare. Etika u shkel katërcipërisht kur, me dështimin e tyre, nuk u kthyen paratë e mbetura qytetarëve, siç u mundua të bëjë Qeveria Meksi në muajt e parë të 1997-ës, por u grabitën paturpësisht nga Qeveria Nano, që fitoi edhe zgjedhjet me premtimin e kthimit të tyre.
Etika nuk është vetëm mirësjellje me kundërshtarin në kuvend për sy e faqe, megjithëse edhe kjo është një dukuri e rrallë e për t’u vlerësuar. Etika është luftë për të drejtën, për moralen, mos pajtim me të keqen, me shthurjen, me veprimet kundërligjore, me idenë e përgjithëshme se politika është mjeti për t’u pasuruar. Etika është e lidhur edhe me përfytyresën që kombi jep para botës, nga e cila, fatmirësisht, nuk jemi më të ndarë nga “perdja e hekurt”, por duam të bëhemi pjesë e saj përbërëse.
Çfarë kapitali politik mund të ketë një Vend, në të cilin hapur, prej vitesh fluturojnë paditë për krime të ndërsjellta dhe asnjë “kriminel” nuk dënohet, madje edhe kur jemi para faktit të katër qytetarëve të pa armatosur, të cilët vriten nga plumbat e shtirë nga ndërtesa qeveritare ? Çfarë kapitali moral mund të paraqesim kur të tjerët na fotografojnë parcelat me kanabis e laboratorët e drogës në territorin tonë e kur nuk jemi në gjëndje të kapim vrasësit e një oficeri në krye të detyrës, edhe se n’atë veprim ishin angazhuar qindra forca të rendit ? Çfarë besueshmërie mund të fitojmë kur i drejtohemi të huajve për personel hetues, sepse nuk jemi në gjendje të bëjmë një hetim që përfshin majat e shtetit, madje edhe kur na i bëjnë ato ekspertiza i nxjerrim si të pasakta ? Çfarë besimi mund të frymëzojmë te të tjerët kur, për të zbatuar një rregull të pranuar në të gjithë botën, atë të pagesës së korrentit të konsumuar apo dhënien e kuponave tatimore, duhet të bëjmë një “revolucion” e të shtojmë nenet e kodit penal ? Çfarë reklame i bëjmë Vendit tonë dhe mundësive të tij për të qenë objekt tërheqës për kapitalin e huaj kur, në panairin më të rëndësishëm të ekonomisë botërore për ushqimin, siç qe EXPO 2015 në Milano, paraqitemi me një pavion që ka një gur në hyrje e maketin e një mulliri me ujë brënda, veç projektimit të diafilmave mbi vlerat e personazheve tona të njohura ? Fantazia e organizatorëve është aq e shterpër sa që të mos gjejë mënyrën të paraqesë larminë e prodhimeve bujqësore, blegtorale apo të pemtarisë, që klima e jonë mesdhetare na jep mundësi të shijojmë ?
Do të ishte e padrejtë, pra edhe jo etike, të mos viheshin në dukje dhe ato shfaqje të politikës shqiptare që shkojnë në drejtimin e duhur. Qe një nismë e lëvdueshme e Qeverisë Berisha festimi i njëqind vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, një nismë që nuk gjeti kundërshtim tek Opozita, për sa i përket vlerësimit zyrtar të meritave të firmëtarëve. Qe një ide mbresëlënëse ajo e ekspozimit të portreteve të 40 martirëve të Kishës katolike shqiptare, në rastin e vizitës së parë n’Evropë të Papës Françesku, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por… a pati ndonjë nismë lokale a qëndrore për të emëruar ndonjë shesh, rrugë apo objekt kulturor me emrat e tyre ? Nëse ata janë martirë, nuk duhet të jenë vetëm në fasadën e një dite, sado të rëndësishme, duhet të skaliten në kujtesën e një populli e jo vetëm në fjalët e ndonjë qeveritari në raste përkujtimoresh….
Është e lëvdueshme prirja për të nxjerrë në pah vlerat e vërteta të kombit në përballimin me kombet e tjerë, si harmonia fetare, shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore, apo përkatësia shqiptare e Nënë Terezës, krenarisë sonë. Por këto vlera duhet të paraqiten në tërësinë e tyre të së vërtetës historike, për më tepër në kuadrin e trajtimit të tyre nga regjimi i diktaturës, shumë përfaqësues të së cilës, sidomos në sferën kulturore e intelektuale, janë përsëri veprues. Përndryshe paraqitja e vlerave mbetet gjysmake, nëse nuk shfaqet kurajua dhe burrëria të paditen kundër vlerat e sistemit komunist që, këtë pasuri të paçmuar të kombit, e përdhosi për një gjysëm shekulli.
Si një ish fëmijë e atij kampi, nuk mund të mos falënderoj Qeverinë Rama për pllakën e vendosur në ish kampin e çfarosjes së Tepelenës dhe për fjalët e përfaqësueses së saj n’atë rast, ashtu si edhe për vendimin e dëmshpërblimit për ata që kanë kaluar vite jete në atë skëterrë “socialiste”. Janë të lëvdueshme disa nisma të fundit mbi mbledhjen botërore të përfaqësuesve të besimeve fetare në Tiranë, por edhe ideja e ftuarjes së të rinjve serbë në Shqipëri, me rastin e ndeshjes së futbollit Shqipëri – Serbi. Meriton, simbas mendimit tim, një falënderim rendi publik për zhvillimin pa incidente të asaj veprimtarie sportive.
Ishin këto disa nga përsiatjet e një qytetari të Shqipërisë, që mëton nga politika e Vendit të tij të jetë gjithënjë e më shumë bashkëngjitur etikës, vlerave, moralit. Ndoshta kjo dëshirë do të mbetet një iluzion i paarritshëm por, afër fundit të jetës, mund të jetë më e dobishme të përkundem në të.
Në krye të këtij shkrimi solla një frazë të një Djaloshi, sa të madh në mendime e ideale aq të ri në moshën e përjetëshme e dua t’a mbyll po me një shprehje të Tij, që duhet të nxisë vazhdimisht brezin e Tij : “ Ne jemi një grup të rinjsh të zhgënjyer nga realiteti, që ama ende besojmë, e duan të kontribuojnë në ndryshimin dhe përmirësimin e tij.”
Kemi një nevojë të pamasë për ndryshimin dhe përmirësimin që uron filozofi ëndërrimtar, por a do t’i a arrijmë atij ?…..
Tetor 2015 Eugjen Merlika
Dhurata e Jetës: Uerda Zena, 4 vjeçaria nga Kosova në Nju Jork, vjen për një jet të re….!
Përmes “Gift of Life International” deri më tani janë mjekuar 40 fëmijë me probleme me zemër, ndërsa pritet që 20 deri 25 nga 100 të tjerë që po kontrollohen, të fillojnë trajimin në klinika të ndryshme të botës./
Nga Beqir SINA New York/
WESTCHESTER NY : Mbi katërdhjetë fëmijë kosovar me sëmundje kongjenitale të zemrës janë shëruar në Amerikë, Israel, Kore të Jugut dhe në Itali. Kjo ndihmë po realizohet nga mjekë, profesorë dhe humanistë amerikan, të cilët kanë krijuar një korridor humanitar për popullin e Kosovës, të ndihmojnë në nevojat e shëndetësisë dhe edukimit mjekësor.
Në kuadër të programit Gift of Life International për né jet të re nga Prishtina në Nju Jork, erdhi edhe vogëlushja katër vjeçare Uerda Zena.
Ajo ka mbrritur në aeroportin ndërkombëtar JFK, të Nju Jorkut, së bashku me nënën e saj Fatbardhën – e pritur siç tregojnë edhe fotografitë nga punonjësit e Rotary Club “Gift of Life”, konsulli i Republikës së Kosovës në Nju Jork, Ylber Kryeziu, humanistja e njohur shqiptare në Nju Jork, Albana Krasniqi dhe veprimtari i komunitetit Fatmir Rama.
Uerda, nga Kosova, këto ditë ka për të u operua ashtu si dhe 25 fëmijë të tjerë nga Kosova – që vuajtën nga sëmundje të rënda të zemrës, dhe kan marrë kujdesin e mjeksisë amerikane, falas – duke iu kthyer jetës normale, asaj të përditëshme si gjithë fëmijët e botës.
Uerda Zena, ka lindur me defekt në zemër, mbasi është konstatuar nga mjekët dhe specialistët në Kosovë, se kishte një “vrimë” në zemër – por operacioni i saj nuk mundet të bëhet në klinikat e Kosovës andaj është e nevojshme ndërhyrja kirurgjiklae e mjekësisë më të përparuar në botë – ajo e Shteteve të Bashkuara .
Për këtë ajo ka patjetër të nevojshme, një ndërhyrje krirugjikale korrektuese, quhet ajo, e cila bëhet vetëm në SHBA, megjithëse në Kosovë, e kanë përcaktuar mjaft mirë diagnozën e saj, por nuk qenë në gjendje për të marrë përsipër një operacion kaq të vështirë, ”..në një kohë që gjendja e saj shëndetësore, e 4 vjecares Uerda Zena– ka vazhduar të bjerë çdo ditë” .
Tani, që çdo gjë ka përfunduar me sukses në përcaktimin e problemit, dhe dokumentacionin përkatës me ndihmen e Klubi Rotari në Bronx, në faqen e internetit të kësaj organizate, thuhet se ata jan të lumtur për të njoftuar se morën përsipër të shëroinë me ndihmën e mjekëve në Spitalin “Maria Fareri Children’s Hospital” në Westchester Medical Center, edhe Uerda Zena, e cila është pjesë e programit të saj për Kosovën.
Organizata “Gift of Life International”, e cila ka ndihmuar mbi 18,000 fëmijë nga 67 vende të ndryshme të botës në katër dekadat e fundit dhe tash ndihmon mbi 1000 femijë në vit të cilët vuajn nga sëmundjet e zemrës dhe problemet e saj qysh në fëmijëri, në kuadër të programit të saj deri tani ka kuruar rreth 60 fëmijë nga Kosova nëpëpërmjet degës së saj në Kosovë “Gift of Life Kosova” e cila udhëhiqet nga Dr. Mazllum Belegu.
Përmes “Gift of Life International” deri më tani janë mjekuar 40 fëmijë me probleme me zemër, ndërsa pritet që 20 deri 25 nga 100 të tjerë që po kontrollohen, të fillojnë trajimin në klinika të ndryshme të botës.
Personi kryesor që ka përkrahur shumicën e këtyre projekteve është edhe Governatori i Rotary International për Boston, Klaus Hachfeld, si dhe profesorë të tjerë në kuadër të Universitetit dhe spitaleve te Harvardit.
Ndërsa, njeriu që ka inicuar dhe është bërë udhëlidhëse ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës, është doktori nga Kosova, që është i angazhuar në “Children’s Hospital Boston” që është një nga spitalet universitare të Harvardit, Gani Abazi i cili në një intervistë të tij, për shtypin kosovar, ka bërë të ditur se janë realizuar dhe po vazhdojnë të përkrahen disa projekte për shëndetësinë e Kosovës dhe edukimin shëndetësor përmes Rotary International në Boston dhe Institucioneve dhe Spitaleve të Harvardit.Kurse, për rastin më të ri, Uerden Zena, duke përshëndetur vogëlushen nga Kosova në NY, e cila ka ardhur për një ndërhyrje kirurgjikale, për të shpëtuar jetën e zemrës së saj, konsulli i Kosovës Ylber Kryeziu shkruan në profilin e tij në facebook :” Mireseardhje për Uerden dhe nënën e saj Fatbardha Zena. Falenderime pa fund për Gift of Life me Joe DeVincent, Robbie Donno dhe Albana Krasniqi që po bëjnë të mundur të rrah lirshëm zemra e saj! e kësaj vogëlushe nga Kosova”.
Dr. Mazllum Belegu, Drejtor për Kosovë i organizatës ndërkombëtare bamirëse “Gift of Life Kosova”, shkruan për rastin Uerden në statusin e tij në rrjetin social facebook, se :”Pas një pauze bukur të gjatë, vazhdon dërgimi i fëmijeve me defekte të lindura të zemrës për mjekim në SHBA. Sot në mëngjës, ka udhëtuar për në New York Uerda Zena, bashk me nënën e saj, Fatbardha Zenën, thot Belegu.
Ndërkoh, vazhdon se “Bukuroshja katër vjeçare, nuk kuptonte se çka po ndodhë rreth saj. Ishte mëngjez me mjegullë, por me kohë, u largua mjegulla dhe u hap rruga drejtë shërimit të Uerdes së bukur, e cila sot kah ora 17.00, sipas kohës lokale, do të arrijë në New York, dhe do të vendoset në një familje( amerikane) e cila do të kujdeset për të dhe nënën e saj.”
Dr Belegu shkruan se i dëshirojmë të gjithë intervenim të lehtë dhe të suksesshëm, ndërsa ka postuar në vijim disa foto nga përcjellja e Uerdes për rrugë të gjatë dhe lutur për një kurim të suksesshmë në Amerikë.
Falenderojmë nga zemra – shkruan Dr. Mazllum Belegu, familjen nikoqire Anita dhe Bill Thomas, Rob, Robbie, Albanen, Sue Palo dhe të gjithë të tjerët që ndihmuan femijet me nevojë nga Kosova – të u mundesohet trajtimi që ua shpëton jetën atyre.
- « Previous Page
- 1
- …
- 7
- 8
- 9
- 10
- 11
- …
- 104
- Next Page »