• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

Rastësisht në rrugë

October 4, 2015 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Kohë më parë …/

Ajo i tha përmes telefonit se do e priste në dritare, por nga mbrapa pallatit. Nuk i besohej. Vështroi receptorin por që andej erdhi ai tingulli i mospërfilljes së aparatit kur nga ana tjetër nuk të pret askush. Vërtet i tha eja? Pse habitej? Ndofta nga që u bënë vite që i lutet ta pranojë. Vite përgjërimesh. Ndaj vrapoi përjashta.

Ajo paradite vjeshte e kulluar mes stërkalash dielli dhe zhaurima njerëzore, sikur u harmonizua si me dorë. Edhe zemra brenda gjoksit, rregulloi pampamet. Ndryshe nga përpara pallatit, ku rruga e Ypsilonit vlonte nga lëvizjet. Mbrapa, prehej një qetësi lagjeje. Rrethina e tërë pushonte nën një qiell blu. Aq sa të krijohej përshtypja sikur natyra, bota, njerëzimi, patën rezervuar edhe rastin tënd.

-Dhe sa do vazhdosh të më ndjekësh? – e pyeti ajo.

Ai u hutua. Iu kthjelluan sytë e kaltër deri në një pasiguri këmbësh. Vuri dorën tek muri me tulla.

-Këtë e di ti, jo unë. Varet gjithçka nga ty. Më thuaj po, tani, dhe kaq. Të tjerat janë punë e jonë, e përbashkët. Më kupton. E ardhmja është e të dyve, nuk është më vetëm e imja apo e jotja, – tha ai me qetësi por me rend fjalësh që i dolën vetiu prej anës më të mirë të qënies së tij.

Ajo qeshi.

-Pastaj ata të dy ikin diku siç ikin zogjtë, -vazhdoi ai.

Dhe ajo ia priti…,

-Prandaj edhe ti nuk ke ikur?

Ai iu përgjigj.

-Sa të mbarosh ti shkollën. Të ikim të dy.

Qe koha e ikjeve të para. Natyra në qytet qe e mbarsur me ethet e saj, sikur kishte rënë epidemia e ikjeve. Ikja nuk kishte moshë. Po ndërsa të martuarit kishin hallin e familjeve, të dashuruarit, sidomos djemtë e rinj, të vajzave që donin.

Ajo vetëm sa çoi buzën në gaz. Në qiell për rastësi kaloi një avion. Edhe pse larg, dukej si një krijesë e bardhë. Gati lodër, gati një pëllumb nga ato që varim për zbukurim në pemën e vitit të ri. Lëshonte nga pas një vazhdë të bardhë e cila dikur bëhej fashë e udhtë.

-Ja sikur na i bën për zili, -tha ai.

Ajo çoi sytë nga qielli dhe vetëm sa u tulat në krahët e saj. Ndodhej diçka lart. Qe dritare nga ato ku të duhet të kolovitesh. Çfarë dëshirë e madhe. Vetëm ta puthte pak. Sytë e saj në bojën e mjaltit. Mjaltit të zënë, nga ai i i luleve të drurëve shekullorë. Kishte mbledhur flokët mbrapa, i dukej qafa, nofullat, veshët. Çfarë mrekullie. Sikur ta prekte pak. Por mes tyre ishin hekurat, lartësia. Frika se mos po vinte ndonjë nga fqinjët. Megjithëse ishte qetësi. Ora duhej të ishte njëmbëdhjetë e paradites. Nuk donte ta bënte me fjalë. Por nuk mundi. U ngjit. U kacavier.

-U çmende, – ia priti ajo dhe i përplasi kanatin e dritares, midis një trembje të lehtë dhe një kënaqësie që fytyra e djalit mbarte nervin e burrit.

Ai pa përreth. Qetësi. Megjithëse krrima e kanatës akoma jehonte. Seç qe aty mbrapa një shtëpi me mure guri të lartë. Ku në verandë një grua e moshuar ushqente macen. Plaka nuk ishte asgjëkundi edhe pse dukej sikur po e shikonte.

Iku me kokën ulur. Nga një dritare tjetër u përhap një këngë nga programet e mërzitshme të paraditeve televizive. Nga ato populloret ku përzihen si zhaurimë xhinglash instrumentet muzikore. ”E imja moj/ do të jesh përjetë.” Përbri i kaloi një burrë me biçikletë. Kërrujti fytin dhe aq. Djalëria është kuriozitet. Ndaj atij iu duk sikur burri e kishte me ‘të. Nxitoi. Në atë lagje qyteti ai qe një i huaj. I panjohur. Aq me tepër me ato flokë të gjatë. Me xhiboks bluxhins ku fekste një noçkë kau. Vajza në fjalë nuk i ndaloi më. Sikur panikosej prej tij. Kaluan dy muaj. Por hiç. Madje kur dilte nga shkolla, ecte në krah të katër vajzave. Mes të qeshurave të tyre. As që e shikonte. Ai kullohej tek druri i ekualiptit. Shikonte qoshen e rrugës Ypsilon ku ajo do të kthente. Njerëzit që nxitonin me çantat plot. Zilet e biçikletave që kumbonin hera-herës si të çjerra bagëtish të imta.

-Qënke bërë i tmerrshëm, – tha një nga shokët, në kuptimin që ajo zuri të kthehej në shtëpi e shoqëruar. Pati domethënien që ai nuk duhej ta ndalte më. Ose ta linte rehat. Kurse ai tha shokut se, nuk e mendonte ashtu. Mirëpo një ditë më pas ato, vajzat qëndruan aty pari. Afër tyre. Ata ishin tre djem. Kurse ato katër. Shoku i qeshi me naivitet. E shikoi gjatë dhe zë ulët i tha se ato as që druheshin më fare prej tyre.

-E pastaj, -ia ktheu ai.

-Kur nuk të ka një çikë frikë, ka domethënien që nuk e pjerth fare për ty, -ia ktheu tjetri.

Atë kohë vajza e tij u shkëput nga shoqet duke u përshëndetur dhe nxituar e vetme. Nuk i hodhi sytë fare nga ai. Ai u mendua. ”Çfarë po ndodh? Iku vetëm për të më sfiduar? Apo kërkon ta ndjek nga pas?”. U mendua. Shoku e vështronte po njësoj. me pak ironi. Megjithatë, ai nuk e ndoqi. Dhe, gjysmë ore më vonë, do i dhimbte, do e torturonte, aty e përjetësisht…, ai ngurim, ajo ngathtësi, ajo stepje për të mos i shkuar nga pas. Ajo stepje për të mos këmbëngulur.

Ndërkaq, treshja e vajzave u kthye mbrapsht dhe u shkoi djemve mu tek hundët. Qeshën. Ai vetë nuk i vështroi, veçse në grimë çasti aty afër u ndjeu erën. Parfumin e mishit që i ngjan freskut të luleve.

-Mbaroi nuk ia ndjen më për ty, biles na shpërfillin edhe ne që vimë me ty. Nuk e shikon, kaluan këtu para nesh sikur të mos ekzistojmë fare, -tha i njëjti shok.

-Po ti çfarë pret, përse nuk i shkove nga pas. Ajo për ty u nda nga shoqet, – i tha tjetri shok.

Ai heshti. Pa nga vajza, shpina e saj u tret përetej. Tek qoshku i rrugës Ypsilon, tek pallati me granil të bardhë. Nga ana tjetër vështroi shoqet e saja. Ato sërish qeshnin teksa shkonin trotuarit që ata kishin vite që e ruanin. Nuk i urreu. Qe një lloj lufte nervash nga mendjet njerëzore. Megjithatë ai besoi se i dha kuptim orëve. Dikur edhe shokët e tij ikën. Mbeti vetëm fare. Kujtoi atë ditë kur guxoi e u ngjit tek kangjellat e dritares për ta puthur. Nuk ndodhi. Pastaj kujtoi ca vargje.

Puthja është zanat i së përditshmes,

gabimi që do e bëjmë përjetësisht.

Qeshi hidhur, kështu shkruante në poezitë e tija një shoku i vet. Pastaj prapë asgjë. Vetmi në anë të rrugës. Të ndahesh nuk do të thotë të kesh domosdo arsye të forta.Rruga mbeti ashtu me lëvizje. Mirëpo atij nuk i ikej. U ul në ato telishta hekuri, pranë kaçubave kuadrate prej ligustrash dhe dëshiroi që jeta të ndalte aty. Jo për të mbaruar, jo për t’u ngrirë, jo për t’u fiksuar e mos feksuar më, por thjesht për të patur një pritje tërësisht të përjetshme. Me diferencën në duar, mes një dite me pritje dhe një dite pa pritje. Aty do rrinte. Për të mos e besuar asnjëherë se ashtu mbaroi e gjitha ajo lojë e bukur ndër ato vite pritjesh e përcjelljesh. Për të mos jetuar me mendimin se plaga mbyllet, por nuk ikën. Eshtë aty. Vetëm sa zë kore. Por edhe kur korja bie, mbetet një njollë.

***

Kohë më pas …Fill mbas shtatë vitesh, ndërsa i jepte mjetit të tij një calibra e silvërt, në rrugët e një qyteti bregdetar, plot me palma nga të dya anët. Afër një stacioni treni. Ku ca më tutje ndiheshin dhe dukeshin qiellit feçkat e vinçave të portit. Shfryma e kripës…, në një pas dreke të vakët. Aq sa ata që ishin me ‘të, kolegë të katërt, dy çifte, edhe pse gjysmë të përgjumur nga dreka e bollshme, zunë të diskutonin për plagët e dashurive të para.

-Çfarë bisedash që bëjmë edhe ne, – tha njëri.

-Pas një dreke si kjo po nuk fole të zë gjumi, -ia priti tjetra.

Atij iu kujtua nga koha e largët dielli i rrugës Ypsilon. Binte ashtu deri sa perëndonte. Dhe njerëzit dukeshin si silueta. Vetëm ajo dukej e brajtë, e prushtë madje verdikt i diellit si mbetje në tokë. Qeshi…

-Po ti në timon pse vazhdon të qeshësh? – e pyeti kolegia nga mbrapa.

-Kot, – ia ktheu ai.

Ajo e pëlqente. Edhe ai, madje kishin filluar të dilnin bashkë.

-Ku ishe tani me mëndje. Hë na i thuaj edhe ne, – iu lut ajo.

Por asesi nuk e tha, nuk e tregoi. E ruante si diellin e tij të vogël, të avullt që kushedi se ku ajo ngrohte botën me krela lulesh në këndin e një burri tjetër.

Pikërisht atë çast, nga e majta një grua e re, me fustan të kuq tentoi të kalojë rrugën. Ai frenoi i trembur. U nguros tërësisht, kur pa se ishte pikërisht ajo, vajza e rrugës Ypsilon. I rrahu zemra aq fort, aq me kumbim njësoj si atëhere. Gruaja e re kaloi qetësisht duke shikuar se mos po vinte ndonjë tjetër makinë. Pasi kjo që ndaloi iu bind vështrimit të saj. Bulevardi qe i gjerë. Dhe ajo as që ia hodhi sytë se cili qe njeriu në timon. Ai u gëzua si fëmijë. Dhe nuk i erdhi aspak keq. Aspak. U shplodh që e pa dhe që ajo ishte akoma po njësoj aq e bukur.

-Çu hutove o njëri, po jepi të ikim, – i tha kolegu përbri.

Por ai priti. Duke harruar njerëzishëm koleget mbrapa që po e vështronin me habi. Sidomos ajo me të cilën sapo kishin filluar të dilnin bashkë. Mbajti këmbën lehtë mbi pedalin e gazit deri kur gruaja e rrugës kaloi në anën tjetër, duke i shkelur vizat e bardha, sikur të ecte mbi një tastierë pianoje. Zemra hovte si flutur lëndinash. Gjithçka iu bë e purpurt, rruga e ligustrave, Ypsiloni, hija pas pallatit, shtëpia e plakës, burri me biçikletë etj.

Të nesërmen kolegia që kishte në makinë, ajo që pëlqeheshin, i tha midis të tjerave se nuk ia vlente më lidhja që kishin. Ai u mërzit. Dhe nga darka ktheu një dopio fërrnet. Aty në banak, pinte dhe dikush tjetër në këmbë. Burri, për çfarë nuk i foli. Madje i afruan nëri-tjetrit nga një gotë më shumë.

Dikur ai tjetri i tha me pikëllim:

-E vërteta e dashurive të para i ngjan ekzistencës së dy ishujve që vetëm sa i bëjnë hije njëri-tjetrit. Kur ka erë, i çojnë mesazhe të ujshme. Kur ka shi, bëjnë sikur nuk shikohen. Kur moti është i kthjellët, argalisen për zili të njëri-tjetrit. Vetëm kur i shkund ndonjë tërmet, kur i zhvendos akoma më larg aq sa nuk shihen, vetëm atëhere e kuptojnë se përse u bën ishuj.

Ai fshiu sytë në supet, si një foshnje që shikon diku dhe askund. Një ishull që priste nën shoqërinë e një fari vetmitar. Dhe pritja nuk kishte mbaruar asnjëherë.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, Rastësisht në rrugë

Lamtumirë Nënë!

October 4, 2015 by dgreca

Nga Luan Topulli*

Pak ditë më parë u nda nga jeta Lumturi Dajçi, e ëma e gazetares e veprimtares së njohur në Shqipëri e SHBA – Mimoza Dajçi. Në përkujtim të saj familjarët shtruan një drekë në “Whitby Castle” buzë ujrave të Rye-it.Në ambjentet e këndshme rrethuar me lule të Kështjellës “Whitby” disinjuar në vitin 1852 nga Alexander Jackson Davis nderuan me pjesëmarjen e tyre familjarë, miq e dashamirës të familjes si dhe personalitete të njohura të artit, gazetarisë e shoqërisë civile në New York e më gjerë.

Në emër të familjes falenderojmë Z. Kenny Agosto Zëdhënes i Zyrës së Senatores Ruth Hasell Thompson, Kryetarin e Vatrës Z. Gjon Buçaj së bashku me Znj. Nikoleta Buçaj, Liderin e komunitetit amerikan për Zoning 49 Bronx Z. Joseph Thompsom, stafin mjekësorë të Montefiore Hospital Bronx, ku punojnë Mimoza dhe Merlini, të cilët i kanë shërbyer me devotshmëri të ndjerës, Zv. Kryetarin e Vatrës Z. Asllan Bushati me bashkëshorten Znj. Lume Bushati, anëtarët e Kryesisë së Vatrës Z. Marjan Cubi dhe Z. Zef Përndocaj, ish i dënuari i politik nëpër burgjet shqiptare dhe anëtar i Kryesisë së Vatrës Z. Lek Mirakaj së bashku me bashkëshorten Loli Mirakaj, Kryeredaktori i Gazetës “Dielli” Z. Dalip Greca së bashku me bashkëshorten Znj. Xhemile Greca, Producentin e TV Kultura Shqiptare Z. Adem Belliu me bashkëshorten Znj. Moza Belliu, aktivistët e njohur të komunitetit shqiptar në Amerikë zonjat Rita Saliu, Merita Shkupi, Mjafturie Daci, Adem Saliu, Violeta Mirakaj, Dava Mirakaj, Lena Leka, Dita Lekaj, Halit Daci, Aleks Nilaj, Toni Musaj, Pjerin Tahiri, e shumë te tjerë si dhe mbesat e Lumturisë inxhinieren kimiste Luljeta Alite me të birin inxhinierin kompjuterist Erjon Alite, prokuroren Zamira Mulosmani, etj.

Ceremoninë përkujtimore e hapi nipi i familjes Erion Alite, më pas përshëndetën Kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” Dr. Gjon Buçaj, Nk/ Vatrës Z. Asllan Bushati, Z. Joseph Thompson, Znj. Rita Saliu si dhe infermierja e “Montefiore” Hospital në Bronx Znj. Lulete Johnson.

Lumturi Dajçi lindi në Gjirokastër me 18 gusht 1929, u nda nga jeta më 27 shtator 2015 në “Montefiore Hospital” në Bronx, ajo rridhte nga një familje patriote e njerëz të pushkës, mbesë nga dera e madhe e heroit tonë kombëtar Çerçiz Topulli. Me ardhjen në Tiranë njihet e martohet me të riun Enver Dajçi, i cili edhe ky vinte nga Mitrovica e Kosovës me një histori të mbartur plot heroizma e sakrifica për kombin e popullin shqiptar, nip i Heroit tonë kombëtar Isa Boletini. Biri i Nënë Hajries, heroinës shqiptare, e cila edhe e vetme në Kullë luftoi kundër pushtuesit me armë në dorë duke bërë rezistencë në të gjitha dritaret e Kullës për ti lenë përshtypje armikut se djemtë e Boletinit edhe pas vrasjes barbare të Isës akoma ishin gjallë.

Lumturi Dajçi kjo zonjë e heshtur e qetë, e punëtore, pasi lidhi jetën e saj me familjen Dajçi, ku kunati – vëllai i bashkëshortit Rasim Dajci ishte pushkatuar nga Shqefqet Peci në Prizren ne vitin 1943 ne bashkëpunim me forcat sllavo – komuniste si antikomunist, për çështje biografie e largojnë nga  puna si edukatore nga një kopësht në Tiranë, punësohet si punëtore krahu në një punishte të vogël duhani afër Lumit të Tiranës.

Pas arrestimit të të shoqit Enver Dajçi për agjitacion e propagandë kundra pushtetit popullor, nga tronditja e madhe Lumturia sëmuret rëndë e për gati një vit qëndron e paralizuar në shtrat. Për të u kujdesën vetëm vajzat e saj, në atë kohë 12 e 13 vjeçare Frida e Mimoza, as mjekët  nuk i shkonin për vizitë në shtëpi.

Më pas nëna e katër fëmijëve që i rriti me mund të madh, punësohet në një fabrikë ku montoheshin abozhure. Edhe aty puna me normë e helme, ku i duhej të pastronte ndryshkun nga metali që më pas ai te pregatitej për tu bërë paisje e një mjeti ndriçues. Shumë i pëlqente drita nënë Lumes, shumë e donte jetën e paqen në familjen e saj, e në çdo familje shqiptare. Edhe pse në kushte të rënda ekonomike, ndërkohë që i shoqi vunate dënimim në burg politik, Lumturia e mbrojti familjen me dinjitet e u kujdes për atë e fëmijët e saj. Kësaj gruaje nikoqire dhe shembull për rritjen e edukimin e fëmijëve të saj sot urojmë që shpirti ti prehet në parajsë.

Puna e rëndë me helme akumuluar në mushkëritë e saj bëri që ti rëndohej situata shëndetësore. Çdo punë që ka bërë në jetën e saj thanë mjekët si në kultivimin e duhanit dhe në pastrimin e ndryshkut tek metalet ka lënë gjurmë për keq në mushkëritë e saj, e sot thanë ata kjo është duke jetuar ditët e saj të fundit. Por edhe pse rëndë e në shtrat për një periudhë jo të vogël kohe Mimoza e mbesa e saj Merlini i qëndruan tek koka, i shërbyen ditë e natë me mish e me shpirt që asaj ti lehtësohej dhimbja e të mos vuante nga mos prania e fëmijëve, siç kemi parë e dëgjuar ku disa prindër në Shqipëri po vdesin e lëngojnë në shtrat duke mos patur fëmijët pranë. Dikush i ka në emigracion dikush nga fëmijët do të shijojë jetën e tij larg halleve e kusureve të prindërve, ndonjë nuse e djalit nuk e do vjehrrin e vjehrrën, e kështu me rradhë.

Kur dy pika lotë i rrëshqitën të sëmurës, e sytë ju mbyllën përgjithmonë, Mimoza e puthi lehtë në faqen e ngrohtë e me zë të mekur i tha – Lamtumirë Nënë!…

Dhimbja ishte e madhe. Vdekja gjithashtu…

Shërbimi e sakrificat qe i kanë dhënë nënës së dashur Mimoza e Merlini gjyshes së saj janë vërtetë për tu admiruar nga familjet tona, ndërkohë që kudo ngrihet me të madhe mos braktisja e prindërve, sepse disa prej tyre ndarja nga jeta u mësohet vetëm pas dekompozimit.

Mimoza e donte shumë nënën e saj, prandaj bëri edhe të pamundurën që ta kishte pranë e të kujdesej vetë për atë. Ashtu si çdo fëmijë i mirë e i mbarë që do me zemër e shpirt prindët e tij/ saj.

“Kujdes e shërbim fenomenal – thanë mjekët për Mimozën – ka treguar për nënën e saj. E pakoncepueshme është – thanë ata – që kjo paciente ka jetuar kaq gjatë falë kujdesit të Mimozës”. Dhe ashtu ka ndodhur vërtetë, Mimoza e vajza e saj nuk kursyen asgjë që nëna e tyre të jetonte gjatë rrethuar me dashurinë e fëmijëve. Mimoza punonte natën, turni i tretë në spital, vetëm e vetëm që gjatë ditës të kujdesej për prindët e saj tashmë  të moshuar e të munduar nga jeta e rregjimi i kohës së shkuar, e kurrë nuk u ankua për lodhje e pagjumësi, përkundrazi ndihej e lumtur që i kishte prindët çdo ditë në sy.

Deri aty arriti Mimoza sa i tha mjekëve: “Jepini gjak nënës time nga gjaku im, vetëm mamaja të më shpëtojë”. Por çdo gjë kishte mbaruar, sëmundja e pashërueshme kishte avancuar tek mushkëritë e saj e ishte agravuar së tepërmi.

Lotët në sytë e Mimozës sigurisht nuk kanë për të rreshtur kurrë për Nënën e saj të shtrenjtë, por ndihet krenare dhe e qetë që nëna e saj u nda nga jeta në duart e saj, pranisë së të shoqit, mbesës së saj të dashur Merlinit e mjekëve të mrekullueshëm të spitalit “Montefiore” në Bronx.

Lumturia shumë e donte Zotin, besim të madh kishte tek ai. Dom Nikolin Përgjini e kishte vizituar në shtëpi, disa herë edhe në spital. Ndërsa Dom Pjetër Popaj mbajti një Meshë në emër të saj në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”në Harsdalle New York.  Ajo ishte një nënë e mrekullueshme, unë si nip i saj jam i bindur se do ti mungojë të gjithëve.

Me shumë pompozitet e mbështetje shkoi për në banesën e fundit Lumturi Dajçi. Shumë dashuri e ngrohtësi i dhuroi asaj edhe komuniteti shqiptar në SHBA, ku për ti dhënë Lamtumirën valëvitën për nder të saj në makinat shoqëruese Flamujt Shqiptar e Amerikan që ajo i donte aq shumë.

* Autori i shkrimit, juristi Luan Topulli , eshte nipi i Lumturi Dajcit

New York, 3 Tetor 2015

 

Filed Under: ESSE, Komunitet Tagged With: Lamtumire nene, Luan Topulli, Lumturi Dajci, Mimoza Dajci

Z. Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, në takimin vjetor të Komitetit Kombëtar për politikën e Jashtme Amerikane

October 4, 2015 by dgreca

-Nju Jork, Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshilli Atlantikut, mbajti takimin vjetor/

– Z.Agim Rexhaj,antëtar i rregullt që prej vitit 2004 i këtij Komiteti, u takua me Ambasadoren Rosemary A. DiCarlo, Presidente e Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshillin Amerikan Atlantiku, dhe e informoi për veprimtarinë e Federatës më të vjetër të shqiptarëve  në Botë, VATREN/

 Nga Beqir Sina/

Të mërkurën, 30 shtator 2015, në Nju Jork, Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshilli i Atlantikut, organizoi takimin vjetor, ku kësaj radhe ky takim iu kushtua Afganistanit dhe u titullua :” Afganistani : Një vit në progresin e bërë dhe sfidat përpara tij”.

Në këtë takim, i cili është vjetor, Ambasadorja Rosemary A. DiCarlo, mori detyrën e Presidentes së Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane, dhe Këshilli Amerikan e Atlantikut, mbas largimit të saj si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkauara. Ambasadoria DiCarlo, është njëkohësisht studiuese dhe lektore në Institutin Jackson Yale – të Universitetit për Çështje Globale – Yale .

Njëhereshit, Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshilli Atlantikut, NCAFP, ftoi në këtë takim Shkëlqesinë e Tij Dr. Abdullah Abdullah, Kryeshefi Ekzekutiv i Republikës Islamike të Afganistanit në një bisedë pyetje përgjigje(Q&A) me ambasadorin James B. Cunningham, lidhur me gjendjen në Afganistan, në vitin e parë të Qeverisë së Unitetit.

Në këtë takimin vjetor në Nju Jork, morën pjesë një numër diplomatësh të huaj, akredituar në OKB , dhe institucionet e tjera qeveritare dhe jo qeveritare, analistë dhe politikanë, gazetarë amerikanë e të huaj, anëtarë të Komiteti Kombëtar mbi Politikën e Jashtme Amerikane (NCAFP) , përfshirë dhe anëtarin e tyre, shqiptar, nën/kryetarin e Vatrës, z. Agim Rexhaj – me bashkëshorten e tij, zonjën Laura Rexhaj.

Zoti Rexhaj – i cili i ka shfrytëzuar vazhdimisht takimet e tij me personalitet si anëtar i klubit Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshillit Amerikan i Atlantikut, në Nju Jork, me prezencën e tij, edhe kësaj rradhe ka folur me Ambasadoren Rosemary A. DiCarlo, rreth Kosovës dhe shqiptarëve të Amerikës.

Me thekes të veçantë ai ka folur mbi veprimtarinë dhe historinë e Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, duke e faleminderuar me këtë rast në mënyrë të posaçme, Shtetet e Bashkuara dhe ambasadoren amerikane, për angazhimin e saj në çështjen e Kosovës dhe ndihmën e SHBA për lirinë e pavarësinë e saj – dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

DiCarlo, thuhet se ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në përpjekjet diplomatike për arritjen e pavarësisë së Kosovës. Ajo ka mbajtur një sërë funksionesh në Departamentin e Shtetit kur zhvilloheshin negociatat për statusin e Kosovës, deri sa u shpall pavarësia në vitin 2008.

Ambasadorja DiCarlo është fituese e Çmimit presidencialë “Merita të Shërbimit Diplomatik” dhe të arriturave të përgjithshme në Departamentin e Shtetit, dhe një çmimi meritor “Awards Honor”. Ajo është e nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentia e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, dhe Medaljen Presidenciale “Gjergji Kastriot Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Ajo ka marrë një doktoratë nderi nga Universiteti Haxhi Zeka në Pejë, Kosovë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës së tij në SHBA, në prill të këtij viti, dekoroi ambasadoren amerikane Rosemari A. DiCarlo me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu” me këtë motivacion: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje të thellë për kontributin e saj të spikatur politik dhe diplomatik në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve historike dhe tradicionale amerikano-shqiptare”.

Ndërkaq, në këtë takim me Ambasadori Cunningham, i cili moderojë bisedën me një sërë pyetjesh nga kriza e vazhdueshme në Kunduz, duke filluar me pyetjen nëse rënia e qytetit është një provë për statusin e tranzicioneve politike dhe ushtarake, me të cilat përballet sot, Afganistani, Dr Abdullah, vazhdimisht theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar në të gjithë Afganistanin, përveç domosdoshmërisë dhe mbështetjes së vazhdueshme ndërkombëtare pas shpalljes së tërheqjes, së tyre në vitin 2014.

Filed Under: Vatra Tagged With: agim Rexhaj, amerikane, e Jashtme, në takimin vjetor E Komitetit Kombëtar për politikën, zv/kryetar i Vatrës

Efekte të pakos fiskale në muajin e parë në Kosovë

October 3, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 3 Tetor 2015/Politikat e reja fiskale që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës kanë për qëllim krijimin e një ambienti më të mirë për biznes, nxitjen e investimeve të reja dhe punësimit, promovimin e sektorit të teknologjisë informatike, dhe adresimin e disa çështjeve sociale.Ministria kosovare e Financave deklaroi sot se, elementet kryesore të pakos fiskale përfshijnë: (i) lirimet në importim nga pagesa e TVSh-së për linjat e prodhimit dhe makineritë prodhuese, lëndën e parë që shfrytëzohet për prodhim, pajisjet e teknologjisë së informacionit, pajisjet dhe materialet të importuara për nevojat e mediave të shkruara dhe elektronike; (ii) pushimet tatimore që mund të përfitojnë bizneset varësisht nga niveli i investimeve, numri i vendeve të punës që krijojnë, sektori ekonomik, regjioni etj.; (iii) zvogëlimi i normës së TVSh- për një numër të konsiderueshëm të produkteve bazike: ujë, energji, ngrohje qëndrore, mbledhje e mbeturinave, drithëra, miell, bukë, vaj, qumësht, kripë, vezë, pajisje teknologjike, barna etj.

Ligjet e pakos fiskale, që kanë hyrë në fuqi më 1 shtator 2015 kanë dhënë efektet e para. ATK-ja ka autorizuar 53 kompani për lirim nga TVSH në importin e lëndëve të para.

Në lirimin e importit të lëndëve të para kanë përfituar 25 kompani, të cilat kanë importuar lëndë të para në vlerë prej 1.8 milionë euro. Vlera e TVSH-së së liruar ka qenë 324,632 euro.

Gjatë muajit shtator, 23 kompani kanë shfrytëzuar mundësinë për import të linjave dhe makinerive dhe kanë importuar mallra në vlerë prej 1.6 milionë euro. Vlera e TVSH-së së liruar ka qenë 287,397 euro./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Efekte, fiskale në muajin e parë në Kosovë, të pakos

ANTIKADARE….FUSHATA

October 3, 2015 by dgreca

Ismail Kadare e meriton çmimin Nobel, disa persona po bëjnë fushatë kundër tij!/

Nga Alban Muhaxheri/

Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare edhe këtë vit është në mesin e pretendentëve kryesor për çmimin Nobel. I lindur në Gjirokastër, ai nuk mungon në asnjë listë të agjencive të ndryshme që bëjnë parashikimet e tyre për kandidatët.  Gazetat e njohura botërore; ‘La Repubblica’, Affaritaliani.it, swissinfo.ch, ‘Wyborcza’, ‘Rai News’ dhe ‘Daily Mail’ kanë publikuar këtyre ditëve listat me kandidatët e mundshëm.

Analistë, shkrimtarë dhe deputetët të Kosovës janë shprehur optimist se kësaj radhe Kadare do të ‘kap’ çmimin Nobel për letërsi. Njëri prej personave që ka lobuar qe shumë vite është profesori, Fahri Xharra. Ai në një prononcim për “Zërin” tregon për angazhimin dhe kontributin për pro-Kadares.

“Pse duhet dhënë Kadaresë çmimin Nobel? “Natyra e ka ditur të na nderon me gjeniun e madh, të përzgjedhur nga mëshira e saj, që t`i tregon botës se jemi  një popull që ende frymon që nga lashtësitë mijëravjeçare. Kadareja  është fati historik i një mburrjeje kombëtare.” Të ngritsh zërin pro Kandidatit për Çmimin Nobel, do të thotë të ngritsh zërin pro një populli të tërë, pro popullit tonë e që fatbardhësisht Kadareja është “Nobeli” i kombit shqiptar. E neve kurrë më  tepër se sot nuk na u është dashur ky Kadare.  Po Kadaresë për çmimin Nobel”, ka thënë Xharra.

Image
(Foto: Fahri Xhara & Ismail Kadare)

Sipas tij, kombi ynë do te ndërronte imazhin e tij në botë sikur shkrimtari Ismail Kadare te fitonte çmimin Nobel. Duhet të mblidhen te gjithë shqiptarët e botës ; të gjithë me një mendje pa dallim feje , pa dallim bindjeje politike, pa dallim vetë-urrejtjeje, pa dallim nga veprimet komb vetëvrasëse të intrigave dhe intrigantëve , pa dallim të qëllimeve të njerëzve tanë  që vuajnë nga” vetëm për inat”, pa dallim moshe ,gjinie”, është shprehur ai.

Xharra më tej ka treguar se konferenca e Rambujes e kishte Kadarenë mbrapa. “E dimë mirë që mos të ishte Kadareja, historia e Kosovës do të shkruhej ndryshe? Eh ,sikur historia të  shkruhej ndryshe atëherë edhe kombi shqiptar do të ishte ndryshe”, u shpreh ai.

Kurse për atë se ka persona anti-Kadare që lobojnë kundër tij, Xharra thotë se ky fakt është plotësisht i vërtetë , ngase, sipas tij, edhe nga qeveritarët e Shqipërisë e bëjnë një gjë të tillë. “Nuk po i permendi por turpi le te bien mbi ata”, ka thënë ai.

Image
(Foto: Alma Lama)

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, Alma Lama thotë se Kadare është gjeni i letrave shqipe dhe se është në mesin e pak shkrimtarëve më të lexuar dhe vlerësuar bashkëkohor.  “I përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, laureat i shumë çmimeve prestigjioze letrare”.

“Korpusi i veprave të tij është tepër i pasur, një rrëfintar i shkëlqyer qe në secilën vepër të lë pa frymë me thellësinë e mendimit dhe stilin e përkryer. Kadare duhej ta kishte fituar  me kohë çmimin Nobel, dhe ky nuk është vetëm mendimi imi por i shumë kritikëve të shquar letrarë e i shumë recensentëve të gazetave më të njohura në botë

Ndërsa lidhur me atë se a ka shqiptarë që lobojnë kundër Kadaresë, Lama thotë se personat që mundohen të hedhin baltë mbi personalitetin e tij, pot këta shqiptare që bëjnë diçka të tillë janë mendjengushtë e dështakë, smirëzinj e antikombëtarë.

“Edhe nëse ia dalin të shtrembërojnë realitetin mbi personalitetin e Kadarese ata nuk do të mund ta deformojnë kurrë realitetin e vlerave artistike e filozofike të veprave te tij . Tek e fundit çmimi Nobel nuk është gjithmonë përcaktues për këto vlera, pasi ka fituar ndonjëherë dorë aty edhe politika. E Arti mbijeton veten në sajë të vlerave, jo të rrethanave të kohës”, është shprehur Lama për “Zërin”.

Image
(Foto: Ibrahim Kadriu)

Nga ana tjetër, shkrimtari Ibrahim Kadriu thotë për “Zërin” se, është vonuar ndarja e çmimit për shkrimtarin, Ismal Kadare. Sipas tij, komiteti për ndarjen e çmimeve në vazhdimësi ka bërë manipulime.

“E para punës, është vonuar ndarja e çmimit Nobel për Letërsi ndaj Kadares. Është dashur shumë vite më përpara, por kjo vonesë nuk është kompetencë e shkrimtari e shqiptarë por atë e kanë bërë manipulimet politike në Komitetin për ndarjen e çmimeve. Por, gjithsesi do të shihet mirë që ky propozim vazhdon ndoshta edhe sivjet të ju mbushet mendja dhe t’ia japin”, ka thënë ai.

Kadriu më tej tregon për reagimet që vet Kadareja shpjegon se shumë shqiptarë kanë deponuar shkrime anti-kadare. “Ka nga Shqipëria, spektri politik, qytetarë të ndrshyëm që nuk e durojnë, por e kam parasysh këtë.  Por ka anti-Kadare, pikërisht shkrimtari thotë për një ambasador se ai ka shkruar vetë”, thotë Kadriu. /Zëri/

Filed Under: Kulture Tagged With: disa persona po bëjnë, fushatë kundër tij!/, Ismail Kadare e meriton çmimin Nobel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT