• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Një vrimë e çmendur po çmend një vend

December 25, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Mund të bëhet një analogji fare e thjesht me disa vargje nga Dritëro Agolli. ”Në vendin tim, në vendin tënd/ një kokë e çmendur po çmend një vend” … Analogji me vrimën e këtyre ditëve. Thjesht thuajeni për qejf. Një kor pa fund bubuzhelash nate. ”Në vendin tim e në vendin tënd/ Një vrimë e çmendur po çmend një vend.” Po thuajeni. Kënaquni. Vazhdoni më tej…, ”Në vendin tim e në vendin tënd/ e shpojnë lakrën i fusin mend./Në vendin tim në vendin tend/ Ty të kërruhet tjetrit i dhëmb”.
Një analogji krahasuese, si përshpirtje. Eshtë eksituese kur bërtet në kor.
1)Një burrë, po burrë ama. Nga ata të shtetit shqiptar…, para do kohësh. E zunë gafil në mes të Tiranës duke ndjekur një vrimë. Me makinë luksoze. I përgjërohej. I lutej të kthehej. Të shkonte me ‘të. Po vrima nuk ia vari. U bë gazi i botës i ziu.Tashmë për inatin e asaj vrime. I vërsulet poezisë. Çfarë nuk thotë. Vë në diskutim ekzistencën e poezisë. Prirjen që herë vjen musht i ambël, fllad vere, cigmë dimri. Dhe herë vulgaritet shtresash. Apo intimiteti. Por çështja nuk është vulgariteti, por gjëndja.
Burri i shtetit shqiptar për vrimën e ndoqi atë femër. Për vrimën iu përgjërua. Për çfarë e ndjekim tjetër një femër. Nëse e mendojmë femrën pa atë, vrimën tmerronjëse. Atëherë jemi për t’u mishëruar. Bëjmë sikur, pasi nuk ndjehemi të dashuruar. Nuk ka dashuri pa atë vrimën. Ka, bëjmë sikur. Dhe mjerë fati që na ka rënë për pjesë.
Megjithatë burri shqiptar, demi, kau i atravuar me makina luksoze, që ndoqi një vrimë. I ka pshurrur në kokë hazdizjes që e bëri gazi i botës. Atij në fakt që ishte dhe qënia e gjallë brenda tij. Njeriu i vërtetë. I është kthyer poezisë me një batalion fyerjesh. Dhe shumë nga ne…, e duartrokasim. Çfarë paradoksi.
2)Florentino Arisës një indio nga karaibet. Iu desh një jetë e tërë që të arrinte tek dashuria e tij e madhe. Ajo quhej Fermina Dasa. Gjithë jetë shkriu. Deri sa kapi mbrëmjen e mbrame kur në një deltë lumi mënjanoi jahtin e tij. Diku nën një hënë të kulluar. Diku mes Amazonias dhe shuguritjes së bulkthit. Dihatjes së botës së nxehtë. Kur e ndaloi në rrugë. Dhe shprehu dashurinë Ferminës. Nuk ishte veç një djalosh me xhepa të zbrazët. I varfër, por i fort. Fermina nuk e pranoi. Atëhere ai u pasurua. Iu desh më shumë se pesëdhjetëvite. Iu desh koha në mes dhe vitet që rridhnin si ujët e lumit. Në fakt Fermina nuk e pranoi për çështë të kamjes. Apo varfërisë. Por ishte shkruar ashtu. Ashtu e degdisi Zoti atë dashuri. Megjithatë, rendi për t’u bashkuar erdhi. Ai shkoi natën vonë në dhomën e saj. Ajo e priste me derën hapur. Fikën dritat për të mos parë rrudhat e trupave të tyre. Dhe i thanë kapitenit që të mos e ndalonte më kurrë dhe askund jahtin dashurisë. Pra fundi nuk ishte asgjë tjetër, vrima. E shenjta dhe prostituta. Ashtu si vet poezia e jetës tonë.
3) Nga viti 2000, bagazhin e makinës time e gjeje gjithmonë me libra. Aty rrëmonte shpesh një burrë po prej shteti. Dikur më kërkoi një libër. I thashë me humor se nuk ka çmim për atë. Hodhi njëqind mijë lekë dhe e mori. Bëhej fjalë për vëllimin poetik ”Hukamat e Venusit”. Një krisje e bukur portike, e bardit, poetit plak…, Pano Taçi. Një libër plot dalldira të çmendura nga imagjinata njerëzore rreth seksologjisë. Kur ia thashë poetit, nuk u habit. Madje isha unë që bëra habi. Ai më tha i menduar se që nga 1997-ta, kur e kishte nxjerrur për herë të parë. Ai libër ashtu ishte shitur. Doras, dhe dhjetëfish. Për çfarë bënte fjalë tjetër, për vrimën. Për atë që na djeg dorën. Por që ne nuk përtojmë të digjemi.
4)Kurrë më parë se në këto tri ditë. Ditët e mëdha të Krishtit. Në këto njëzet e pesë vite demokraci. Nuk është hedhur kaq shumë gur mbi poezinë. Kaq shumë gur mbi një poete me emrin Rita Petro. Kaq shumë gur mbi një Çmim, që në një farë mënyre, në kulturën shqiptare është meritokraci e shoqërisë. Ose shkërdhatokraci e quan Dritëro Agolli. Por nganjëherë varet se cili mik ta jep atë çmim. Kësaj radhe i qëlloi Edi Ramës. Dhe Ritës iu vërsulën për së pari kritizerët demokratë. Ata që heshtën kur Berisha lavdëroi Ledi Gagën. Një vrimë absurde e botës moderne. Për së dyti, inatçorët e Ramës, nga krahu i majtë. Ata që pasi u kënaqën kur panë cullak në plazhet e Francës. E bën kryeministër me një milion vota. E mbasandaj të thjeshtit që ndjekin flamurtarët. E më fatkeqit në këtë versje llumi, edhe militantët e fjalës. Sidomos ata që shkruajnë, jo se u ka thënë gjenia brenda vetes. Por etja për të marrë çmime. Ata që ngrysen, gdhihen, ecin, shkruajnë me mendjen vetëm tek çmimet. E kësisoj bash në ditët e Zotit, poezia, Shën Maria apo Shën Prostituta do goditej me gur. E natyrisht përmes saj edhe autorja.
5)Në fakt askush nuk e kupton që ajo çfarë shkrua poeti, nuk i përket poetit. Por ne. Nuk i përket jetës së poetit. Por tonës. Banaliteti që u duket disave, nuk vjen nga poeti. Por nga ne. Herezia seksuale, që shohin disa të tjerë, nuk vjen nga poeti. Por nga ne. Merita e poetit qëndron në ekzistencën sociale si individ që shikon dhe guxon më shumë. Në kuptimine të padukshmes, ndjeshmërisë dhe tabuve. Tenton dhe eksperimenton. Sjell atë që nga njëra anë ne paradoksalisht përgjërohemi. Dhe nga ana tjetër harbutërisht të shënojmë me gisht, të dhjesim në kokë. Të bëjmë nishan krahasues, ose simbol të të sharit. Aq sa tjetrit të dridhet syri, kur të shohi se si pranveron një lëkurë gruaje me pak bimza hepimesh aty-këtu. Ky devijimi që i bëjnë jetës inatçorët, dështakët, burrecët. Duke na mbajtur historikisht në paradoksin midis asaj që është dhe asaj që quhet llafe. Në një farë mënyre, të gjithë burrat janë pamja e zagarëve në kohën e ndërzimit të buqeve. Por s’ke çfarë i bën, kur të bie për pjesë gjëma e mëkatit. Që nuk është asgjë tjetër, jeta jonë po patradoksale.
6)Tani diçka për ata që i njohin vetëm një anë poezisë. Që hera-herës postojnë strofa nga autorë të huaj. Ka autorë në botë që veç pamjes estetikisht të pastër nga morali. I janë kthyer edhe mizerjes. Ia janë kthyer edhe bordurave të shalëve. Edhe tragjedive nga oborret aristokrate apo ato në kasollet fatkeqe të bujkut. Sepse poezia në përgjithësi me gjërat e jetës merret. Përshembull amerikani me prejardhje gjermane Çarls Bukovksi është një shembull i tillë. Princi i jetës rurale, i mizerjes. Kështu e thërrasin. Nuk ka vetëm fjalë të zbuluara lentesh, por edhe të zhveshura. Nuk ka vetëm ndjesi sipërfaqësore për lëkurën, gjirin e gruas, barkun etj. Por edhe për zorrët në ‘të. Problemi apo banaliteti nuk qëndron në faktin se çfarë shikon dhe sjell poeti. Por në atë se sa të përgatiru jemi ne. Të dëgjojmë një suitë muzikore të tillë. Dhe rruga është e hapur. Nuk të pëlqen, vazhdo si një udhëtar. Mbylli sytë. Mos harxho as frymë. Dhe as pështymë. Pasi nuk janë gjëra të poetit, por të jetës. Janë rrobat e trupit që ne ia dimë përmendësh gjymtyrët.
7)Në poetikën tonë (…me kaq pak histori. Edhe pse jemi një komb i lashtë…) janë një aradhë e bukur zërash femëror që sjellin virtualitet detajesh ndryshe. Por pak janë…, ca lule aty-këtu. Kjo poetikë mbahet aty-këtu si rrobat në gozhdë. Tek emrat e tyre. Një nga këto gozhdë është edhe Rita Petro. Them kanë tentuar ndryshe, për natyrën tonë si shqiptarë. Ose për kulturën tonë ca mashkullore në kuptimin që gjoja mbahet vetëm prej burrash zamani. Në fakt jemi një grafomani orientale. Poezi që kanë hapur sipare. Dhe që bukur një gozhdë tjetër diku në Kosovë, me emrin Flora Brovina. E ka cilësuar, grarinë, si ”bimë e zë për tokën e tharë”. Që duhet të kuptojmë tokën mashkullore orientale. Përshembull në fillim të viteve 90-të. Poezia e babait të dashuruar e Rita Petros, apo ”pesë fustanet”, janë tregues të qartë të prurjes ndryshe.
Të fakteve gjysmë të zbulura, të thëna dhe të pa thëna.
Por kjo është jeta jonë. Me ato që edhe pse ekzistojnë, ne na duken blasfemi. Na duken vulgaritet.
Dhe me që jemi në ditëlindjen e të madhit Zot. Ta gjuaj me gurë muzën ai që ka këtë kurajo të jetuari. ”Të duash të rrëfehesh/ Para njerëzve të tu më të dashur/ Pa pritur çastin e vdekjes/ E t’u thuash – Baba, ka shumë kohë që të kam tradhtuar!/ – Burrë, ka ca kohë që të kam tradhtuar!/- I dashur, ka që dje që të kam tradhtuar!” Janë vargje të Ritës, që guxon në kompleksitetin tonë paradaksol. Thjesht dhe vetëm për të na treguar. Këta që jemi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, një vend, Një vrimë e çmendur, po çmend

MITET QË MËSOJNË!

December 25, 2015 by dgreca

(Mbi një kauzë të djegur dhe “ndërgjegjen e dhjamosur”)/
Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/
1.”Kur Krezi të kalojë lumin Halis, do të shkatërrohet një mbretëri”. Kjo kje përgjigja që i dhanë priftërinjtë e Delfit kërkesës për profeci, nga sovrani i Lidisë se si do të ftillohej e përfundonte beteja me persët flokëgjatë. Dhe ai u gëzua shumë e mori krahë. Por do të deshpërohej thellë më pas. Nuk ishte e armikut, por mbretëria e tij që do të shkatërrohej!
Shenjat e kryepriftëreshës që shkumonte si e goditur hënëmarrokshëm tek jepte mesazhin fatthënës, interpretët i përçonin dinakërisht në mënyrë sugjestive: që ashtu të dilte prorë fjala e saj…Ç’ishte rëndësore, prandaj, e parathënmja do të realizohej plotësisht dhe orakulli do vijonte të mbështillej me hirin e mistershëm…
Do t’më kujtohej kjo dromcë antike, kur gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi këtij dimri shtjellën e saj mjegullore të gjahut politik. Isaja e Hashimi, përmes ndërmjetëses së tyre të bindur, i dërguan asaj lutjen për zbardhjen e së drejtës së ndërdyshuar mbi Entitetin serbian të veriut, të negociuar e firmosur me entusiazëm ngadhnjyes në Bruksel. Dhe Kushtetuesja, posi koncili dinak priftëror, u tha dykuptimshëm: me tu bërë e ditur kjo profeci-vendim, një kauzë do të nisë e digjet.
Por, vallë, cila? Ata, të tronditur e bashkuar si kurrë rreth bëmës së përbashkët, presin ankthshëm të digjet e armiqëve (se, pos tyre, nuk kanë armik tjetër!). Veçse, me gjasë, aritmetika kalkuluese nuk do dalë lehtësisht e saktë. As intonacioni i lojës taktike nuk do të ketë tingëllimin e bindshmërisë. Të gjitha zgjidhjet duhet të venë drejt së kundërtes: të thyhet e bëhet pluhur kauza e tyre e poshtër: afeksioni patogjen për të tregtuar toka e të drejta shqiptare..

2.
Lëndëshkelja kushtetuese dhe autorët e saj, janë të ndryshëm. Të tillë do të jenë, natyrisht, dhe shkalla e fajsisë apo konsekuencat penalizuese të saj.

Kushtetuta mund të shkelet për një ndriçim udhësh kur s’ka nëvojë, për një të drejtë ndihmash sociale (si ndodhi me një procedim të Karlsruhes, pas ankesë-sqarimit të një voglusheje), pastaj, tutje, për shamitë a barkcullakimin e vajzave. E të tjera. Po kjo instancë që foli këto ditë, pat rrëzuar dy Presidentë: Pacollin dhe Sejdiun për cënime pasojash krejtësisht më të vogla për ecjen e vështirë të Republikës së re. Madje, do t’bëheshin shkas për një provë të mundshme trollëzimi të kulturës demokratike. Mirëpo rrëzimi i Isasë e Hashimit është ndryshe. Është ultësisht madhor. I ulët për krimin dhe madhor për refuzimin: deshën ta rietablojnë fshehtas Sërbinë e humbur në Kosovë! Atë që kishte fituar djemëria e përgjakur dhe aleatët atllantikë në një orë të dhuruar historie, do ta dorëzonin vetë, shtruar e qetësisht, – në tavolinën e blertë!
Kisha shkruar më herët, duke bërë pyetjen logjike se si do pozicionohej dyshja mëkatare nëse Kushtetuesja do të verdiktonte ndryshe? Me ndjesi e kuptim shteti, apo? Pritmëria e tillë do t’ishte në kufijtë e absurdit. Koncepti i tyre është një miksurë tragjike e otomanizmit (kur sundojnë klanet e familjeve të mëdha), bolshevizmit (kur fuzionohet parti-shteti) dhe mafiokratizmit (kur krimi pushtetohet e bën ligjin mbi gjithçka)… Rezultoi, pra, pikërisht makthi i paralajmëruar: ata deklaruan ngutshëm e cinikisht se jemi legalistë dhe, që këtej, njohim pa hezitim vendimet e epërme konstitucionale!
Ç’ironi! Po vepra e krimit? Faji i pakonsumuar dhe dënimi i tij?
Ndaj, rrjedhimisht, gjyqi që duhet tu bëhët atyre, nuk mjafton të jetë vetëm moral. Apo veç politik. Gjyqi i tyre duhet të jetë ose penal ose popullor! Në shoqëritë vërtetësisht të lira, ky është epilogu i dramës. Ndryshe, e keqja përpetuohet pambarimisht si një ndëshkim i shkruar nga erinitë. Pas hashimisëve të tashëm, do të vinin hashimisët e rinovuar t’një kohe të dytë dhe, kështu, në rreth të mbyllur e paprerë, derisa subatanca e fundme e shtetit të bie si një ngrehë balte, që shkërmoqet nga era dhe shiu..!
3.Gurra e referencave është vërshuese për ata që, së paku, kanë dhuntinë e vullnetit për dije…
E do t’përthithin nektarin e saj nga urtakët, e, poaq, nga demoniakët, që kanë lënë pas dhe shkolla mendimesh e moralesh kontradiktore…
“Fjala duhet të rrezatojë dashuri në komunitet”, thotë, fjala vjen, Libri i vjetër.
Kurse Adolfi gjakbërë, madje dhe ai, aniqë në kulm cinizmi të rrallë, pohonte se “e drejta e qytetarit rrëzon të drejtën e shtetit”.
Ndërkaq, frëngjët, midis këtyre dy kohëve e gjasëve, patën përligjur qyshkur kryengritjen kundër qeverisë, kur ajo do t’merrte n’për këmbë interesat popullorë.
Por kur kasta e denigrantëve, mjerisht, nuk mëson dot dhe në vend të dashurisë – përhap urrejtje dhe, pastaj, në vend të së drejtës së qytetarit – është e drejta e shtetit që shkallmon atë përtokë, ç’i mbetet tjetër një kombi të organizuar? Gjithësesi frymëzimi i ligjshëm që përcaktonte qytetnia e atdheut të Marsejezës, e atyre “që kanë mall për revolucione” : përmbysja me çdo mjet e çmim i zogorisë që kall e bën hí ardhmërinë!..
Si do ta kap sensi kolektiv këtë mesazh të epokës? Kur të heqësh dorë nga lufta, ke hequr dorë nga jeta e madhe..Dhe asgjë, do të pohonte Niçe në vend të përgjigjes, nuk është aq pak objekt i zilisë sonë sa kopeja morale dhe lumturia e dhjamosur e ndërgjegjes së qetë…
Njëmend, a nuk fton ky mot ngjarjesh të mëdha trazim kundërshti e jetë të madhe?…
Berlin, dimër 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: mitet qe mesojne, Rexhep Kasuma

Frang Bardhi, i bardhi i kombit

December 25, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Kur më 1631 boshnjaku Tomko Marnavici kishte botuar një libërth ku pretendonte se Skënderbeu nuk ishte me origjinë shqiptare, por boshnjake, madje nga familja e Marnaviçëve: kjo rrethanë i jep veprës së Frang bardhit një frymë të mprehtë polemike dhe një stil energjik.
Këtë falsifikim Bardhi e quante të “kobshëm„ dhe ai iu vu punës për këtë vepër, se, po të heshtte, i dukej sikur do të tradhëtonte veten dhe atdheun .
Pra , është ndjenja atdhetare ajo që e bren përbrenda autorin. Por fuqia e mendjes dhe e punës së tij bëhet më e madhe kur kjo ndjenjë përkon me drejtësinë e çështjes që mbron. Bardhi do t’i japë popullit të vet atë që i përket, duke pasur parasysh më tepër të vërtetën se sa atdheun, ashtu sic nuk do t’i lejonte vetes të rrëmbente një populli tjetër atë çka i përket atij. Dashuria e tij për atdheun fisnikërohet aq sa është e lartë edhe madhështore ideja dhe ndjenja e së vërtetës “Unë e mora përsipër këtë barrë, – thotë Bardhi, – jo për ndonjë arsye tjetër, veç që të qes para syve të tu të vërtetën lakuriqe, të panjollosur, sepse kjo s’ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura edhe të rrema”.
(“Kurthi i prejardhjeve mbetet nga më të larmishmit në Ballkan. Prejardhja si mburrje. Prejardhja si fyerje. Prejardhja e padurueshme prej tjetrit. Prejardhja e mohuar. Prejardhja e fshehur. Prejardhja e nxjerrë befas si thikë nga mënga, e kështu me radhë.”, shkruan I. Kadare )
Kishte burra edhe aso kohe ! .E kishte Frang Bardhin (1606 – 1643) i cili e kishte dashurinë për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë dhe heroin e tij, për gjuhën dhe traditat e larta. Mendjemprehtësia, kultura, horizonti i gjerë dhe aftësia për t’i përdorur me mjeshtëri argumentet janë karakteristika dalluese të veprës dhe të vetë autorit. Ishte pra Frang Bardhi i cili për të mbrojtur shqiptarësinë e Skënderbeut niset nga argumente të sigurta dhe të shumta historike, pa nënçmuar gojëdhënat. Ai zotëron plotësisht metodën e shkencës historike të kohës dhe vlerëson e krahason në mënyrë kritike burimet historike. Përveç kaq e kaq historianëve në zë që sjell si argumente në mbrojte të tezës së vet të drejtë, Bardhi si një njohës dhe mbledhës i i traditës gojore popullore, për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut, shfrytëzon me mjeshtëri të rrallë gojëdhënat dhe faktin që emri i Skënderbeut dhe kujtimi i tij rrojnë të gjalla në ndërgjegjen e popullit.
“Skënderbeu nuk është i hipur mbi pelë qorre, që ta kapë kushdo për freri e ta lidhë në oborrin e vet, por ata shqiptarë që quhen specialistë të historisë së Gjergj Kastriotit e të periudhës së tij, nuk do të duhej ta bënin gjumin rehat nëse i kanë fqinjë hajdutët si autorin e librit të përmendur. (Vogëlsia ballkanike përballë Skënderbeut, Dr, Skender Blakaj )

Fillimi i shekullit XVII e solli Frang Bardhin, i cili duke vazhduar traditën e Barletit në historiografinë shqiptare dhe duke hapur rrugë në fushën e leksikograisë e të gjurmimeve etnografike, me veprën e tij u bë një figurë e shquar e kulturës shqiptare të shekullit XVII.
Lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606. Ai sikurse edhe Budi, krenohej që i perkiste një familjeje pjestarët e së cilës nuk u rreshtuan me pushtuesit.Kemi pak shënime për jetën e tij por ai lindi aty “Tek shkel turku, nuk mbin bar„.

Frang Bardhi e donte gjuhën shqipe dhe shkruante që t’i ndihmonte “…gjuhës sonë që po bdaret e po bastardhohet sa me parë të ve …„ Bardhin e brente kështu shqetësimi si ta ruante gjuhën shqipe që të mos prishej e të mos humbiste me të kaluar të kohës në kushtet e pushtimit osman, dhe nga ana tjetër t’u shërbente edhe klerikëve katolike shqiptarë që nuk dinin gjuhën latine. Po sot ?

(“Tue pasunë ditë e përditë, të dashunitë e mij, mbassi hina ndë Kolexhë, kujtuem(1) me qish(2)
copë librë keshë me ndihmuem mbënjaanë gjuhënë tanë, qi po bdaretë e po bastardhohetë saa
maa parë të ve(3); e maa fort me ndimuem gjithë atyne qi janë nd’urdhënitë Tinëzot e të shintesë
kishë katolike “( nga Eshref Januzaj , 1996)
(“Rrjedhimisht, vijon Kadare, rënia e kambanës për poshtërim kërkon një përgjegjësi të lartë morale. Një kushtrim të rremë nuk e ndan veçse një hap nga thirrja për krim kundër tjetrit.” )Fjalori i Bardhit është vepra e parë në leksikografinë shqiptare dhe deri diku vepra më e rëndësishme ndër njëzet e dy fjalorët shqip që do të botoheshin më pas deri më 1850. Me sa duket, ka pasur qarkullim të mirë. Më 1759 në depon e Propaganda Fides në Romë(gjendeshin rreth 360 kopje të këtij libri.
Ndihmesa e Frang Bardhit për vetë letërsinë shqiptare, parathënia e tij gjashtë faqesh për fjalorin e parë shqiptar, është modeste. Por duke u nisur nga mungesa e vazhdueshme e shkrimit shqip në gjysmën e parë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, vepra e tij nuk është pa rëndësi të madhe. Si humanist me përkushtim të fortë për përparimin e popullit të vet dhe si dijetar me horizont të gjerë kulturor, ai zë një vend kyç në zhvillimin e kulturës së hershme shqiptare.
Por , ajo që të bënë ta mbash në mend Frang Bardhin ashtu si edhe Budin,sepse “ që në hapat e parë të jetës së vet, si misionar i fesë, Bardhi hyri në konflikt të hapur me klerin e huaj, madje edhe me ungjin e vet, Gjergj Bardhin, të cilin edhe do ta padise si një nga shkaktarët e vullnetshëm të mbytjes së Budit. Konflikti do të ishte aq i ashpër sa me një letër drejtuar Vatikanit vetëm 4-5 vjet pasi kishte ardhur në Zadrimë, do të shkruante: “Në qoftë se do të shpëtoj i gjallë nga telashet që më shkakton kryepeshkopi, qoftë ai vetë, qoftë me anën e zotërinjve turq, do të vij në Romë, për t’i treguar të gjitha dhe për të kërkuar ndihmë.Bardhi e shikonte detyrën e peshkopit jo thjesht si të një misionari kishëtar, por edhe të pregatiste të rinj shqiptarë të shkolluar e t’i vinte fre dërgimit të misionarëve të huaj në viset shqiptare. Ai kërkonte klerikë të arsimuar shqiptarë, që t’u hiqeshin nga duart misionarëve të huaj shkollat që ishin hapur në vendin tonë për qëllimet e tyre të mbrapshta. Ai vetë, kishte nxitur dhe dërguar për studime në Itali, klerikë të vendit, të cilët do të merrnin dorë drejtimin e këtyre shkollave.”
“Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhët të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …” ai i shkrunte Papës.
E nevojshme per tu lexuar:
-Filozofia e argumentimit në veprën “Apologjia e Skënderbeut” e autorit Frang Bardhi. Nga Jeta Deda
-Frang Bardhi (1606 – 1643) nga Eshref Januzaj , 1996
– “Apologjia e Skënderbeut” – Frang Bardhi, citim nga shënimet e përkthyesit të veprës, Stefan I. Prifti
– “Kontribiut për biografinë e Frang Bardhit “ nga Dr. Engjell Sedaj
Fahri Xharra,26.12.15
Gjakovë

Filed Under: ESSE Tagged With: Fahri Xharra, Frang Bardhi, i bardhi i kombit

Mos-harresa, parakusht për pastrimin e memorjes historike dhe aktuale

December 25, 2015 by dgreca

*Kush nuk e njeh historinë të shkruar me djersë, lot dhe gjak, për mua është ‘analfabet’ i rëndë/
*Prof. Dr. Nusret PLLANA, Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1884-1999, botimi i gjashtë i plotësuar, Arkivi Shetëror i Kosovës, 2015/
Nga Prof.dr.Don Lush GJERGJI/
Përgëzoj Autorin Prof. Dr. Nusret Pllaën dhe Arkivin Shtetëror të Kosovës, si dhe bashkëpunëtorët recensentë dhe përkthyesit për punën e madhe dhe meritore të kësaj monografie, e cila dëshmon tmerrin dhe ferrin që kemi pësuar dhe mbijetuar me dekada dhe shekuj. Kjo, në një anë paraqet, dokumenton dhe dëshmon fuqinë e së keqes, frytet e urrjtejes, punë dhe dëshirën për asgjësim dhe shkatëriim të një populli që ka një “faj” të madh dhe të pafalshëm: “Jemi gjallë dhe jemi Shqiptarë”, prandaj duhet t’na asgjësojnë me çdo mjet, mënyrë dhe kohë.
Ana tjetër është “mrekullia e mbijetesës sonë”, e cila s’ka shpjegim tjetër përpos këtij: Zoti nuk e deshi zhdukjen tonë, populli qëndronte, pësonte, vuante, vdiste, masakrohej, por ishte i motivuar dhe me plotë vullnet për jetë, atdhedashuri, vëllazëri gjithëshqiptare. Pra, ndihma e Zotit, aty – këtu edhe e popujve miq, vëllazëria jonë ishte më e madhe dhe vendimtare për mbijetesën tonë.
Në këto dy “binarë” apo peshojë duhet ta masim këtë libër – testament, që na mundëson dhe dhuron Prof. Dr. Nuser Pllana, si qortim dhe klithje e së kaluares, si përcaktim që ne kurrë dhe me askënd mos të sillemi keq, si “Terrori i Sebisë Pushtuese..”, por ta përkujtojmë, nderojmë dhe çmojmë këtë histori dhe martirizim që është mbjellë dhe shkruar me shumë lotë, djersë dhe gjak, për ne dhe brezet pas nesh.
Kjo tokë e bekuar arbërore, në gjiun e saj ruan lashtësinë, autoktoninë, martirizimin, flijimin, dhurimin, atdhedashurinë, martirët e lashtë dhe të afërt, nga Shën Flori dhe Lauri dardan, nga Ulpiana historike, deri te martirët anonim dhe pa varr të fëmijëve, grave, pleqve, plakave, luftëtarëve për Liri dhe Pavarësi, në krye me Adem Jashin dhe shumë të tjerë, për Paqe dhe Pajtim, për bashkëjetesë dhe përparim njerëzor, kombëtar dhe gjithënjerëzor.
Për mua ishte dhe është vështirë shikimi i këtyre pamjeve rrënqethëse dhe tronditëse, leximi dhe meditimi i këtyre fakteve, e jo më përjetimi, përkujtimi, gjallërimi i tyre në mendjen dhe zemrën tonë. Ky kujtim na përndjek dhe shtron këso pyetje dhe qortime: Ne bëmë gjithça për ju, për mbijetesën tonë dhe tuajen, deri te asgjësimi, dëbimi, dhunimi, masakrimi, deri edhe tretja e gjurmëve tona, eshtrave tanë, pa varre, emra, shënime, vizitorë… E ju, a i dini dhe përkujtoni së paku këto ngjarje, apo na keni harruar dhe përjashtuar? Kjo do të ishte vrasja jonë e dytë, nga ju, pasardhësit tanë, më e rëndë se e para!
Shi për këtë urtia jonë popullore thotë: “Mos na nemshin të parët dhe varret tona”, sot po i them unë vetvetes dhe juve, populli ynë shqiptar!
Gjatë këtij promovimi, thënë të vërtetën, jam i hutuar dhe i shqetësuar shumë, sidomos për mospërfilljen tonë të jetës dhe flijimeve të tyre, për mungesën e njohurive, moskujdesin, harresën, deri te injorimi i gjithë këtyre ngjarjeve dhe personave, duke u nisur prej fëmijëve të vegjël, të pambrojtur dhe të pafajshëm, deri te gratë, pleqtë, plakat tona, mos të flasim për luftëtarët tanë në krye me legjendën Adem Jashari dhe flijimtarëve tjerë në stilin e tij.
Në kokën dhe ne zemrën time “bluajnë dhe vlojnë” disa mendime dhe përjetime, shqyrtime dhe përsiatje të pashmangshme.
• Populli thotë: “I meçmi shkruan, i marri mban në mend”, që për ne mund të thuhet jo vetëm për të kaluaren tonë, por edhe për të tashmen e afërt dhe bashkëkohore.
• “Pa histori nuk ka as ardhmëri”, sepse ka ndodhur vetëm ajo që është shënuar, siç tha dikush në stilin cinik dhe ironik, apo si thotë fjala e urtë latine: “Verba volant. scripta manent” që domethënë: “Fjalët fluturojnë, shkrimet qëndrojnë”.
• Kush nuk e njeh historinë të shkruar me djersë, lot dhe gjak, për mua është ‘analfabet’ i rëndë, sepse i shkel dhe poshtërson flijimet e të parëve, prandaj, në një mënyrë mund të themi se është “kriminel” dhe “bashkëkriminel” me ata që na kanë vrarë, dhunuar, djegur dhe përjashtuar, janë munduar të na shfarosin nga faqja e dheut, deri edhe na i kanë tretur varret, eshtrat, gjurmët në trojet tona iliro-arbërore. Mungesa e njohjeve sa më të sakta të këtyre ngjarjeve, është po ashtu edhe mungesë e nderimit dhe falënderimit ndaj të parëve tanë martirë, ndaj së kaluares tonë të përgjakshme dhe të lavdishme, ndaj djepit dhe rrënjëve tona të lashta burimore arbërore, martire, pa të cilat s’ka të tashme dhe të ardhme.
• Prof. Dr. Nusret Pllana është munduar që ta “mbulojë” disi këtë zbrazëti dhe mangësi jetësore, duke bërë atë që është detyrë e institucioneve tona shtetërore dhe kulturore. Mos të harrojmë se mungesa e nderimit dhe falënderimit ndaj vuajtjes, flijimit, dhurimit, gjakut të të parëve , është “vetëvrasje shpirtërore dhe morale” e një populli, siç po ndodhë shpesh me ne sot dhe këtu, të robëruar dhe kufizuar, mos të them të vërbuar, pa pamje historike, perspektivë dhe ardhmëri.
• Përfundimi im dhe ynë do të ishte ky, si një lloj betimi dhe përcaktimi jetësor: “Mos u harroftë dhe mos u përsëritë kurrë më ndër ne dhe askund në botë!”
Ky vëllim “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1884 – 1999”, botimi i gjashtë i plotësuar, është një faktologji e pamohueshme, me fjalë, me të dhëna, me emra, mbi të gjitha me fotografi rrënqethëse dhe tmerruese, që doemos prekin mendjen, trondisin zemrën, mjegullojnë arsyen dhe shtrojnë shumë pyetje pa ndonjë përgjigje. E vetmja përgjigje për ne është kjo: kush udhëhiqet nga e keqja, jeton vetëm për të bërë keq, tejkalon çdo kufi dhe shndërrohet në çmenduri dhe fatkeqësi për ne dhe për të tjerët. Dhe e keqja, sado që duket e fortë dhe, sunduese, është gjithmonë më e dobtë se e mira, e drejta, e vërteta, jeta dhe dashuria. Shi për këtë ne jemi të përcaktuar për vlera dhe virtyte dhe në asnjë mënyrë nuk e pranojmë logjikën dhe sfidat për të keqe, urrejtje, hakmarrje. Mos-harresa dhe kujtimi është parakusht për pastrimin e memorjes historike dhe aktuale.
Prishtinë, 23 dhjetor 3015 Prof.dr.Don Lush GJERGJI

Filed Under: Analiza Tagged With: don Lush Gjergji, mos-harresa, parakusht

Kosova feston Krishtlidjen …

December 25, 2015 by dgreca

…me mesazhet për kombin me të ardhme e bashkëjetesën ndërfetare/
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Festa e Krishtlindjes në Kosovë, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë/
-Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji: Morëm lajmin e gëzueshëm për të gjithë popullin tonë se Papa Fançesku ka miratuar mrekullinë e dytë dhe kështu i ka hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë. Kjo është dhurata më e mirë që na dhurohet për këto Krishtlindje/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Dhjetor 2015/Kombi me të ardhme, Kosova e bashkëjetesës ndërfetare janë theksuar në mesazhin “Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi mbi tokë” të Festës së Krishtlindjes, ku Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji shpreh gëzimin se Papa Françesku i ka hapur rrugë shenjtërimit të shqiptares Nënë Tereza.
“Morëm lajmin e gëzueshëm për të gjithë popullin tonë se Papa Fançesku ka miratuar mrekullinë e dytë dhe kështu i ka hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë. Kjo është dhurata më e mirë që na dhurohet për këto Krishtlindje”, shprehet Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës.
Imzot Gjergji në mesazhin e tij ka theksuar edhe se, “është e domosdoshme të fillojmë të arsyetojmë e të reflektojmë të gjithë, për të bërë një kthim rrënjësor drejt së vërtetës, bashkëndërtimit dhe dialogut qytetërues”.
“Pa dialog, pa mirëkuptim dhe pa pajtim, nuk ka të ardhme për askënd në këtë vend; pa bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, pa respektim të parimeve dhe premtimeve të dhëna, Kosova nuk mund të ketë të ardhme; pa ruajtjen e bashkëjetesës ndërfetare dhe pa mbrojtjen e kulturës qytetëruese të të parëve tanë, s’ka të ardhme kombi në përgjithësi”, është shprehur Ipeshkvi i Kosovës.
Kosova po feston gëzuar Krishtlindjen e 17-të vend i lirë, të 8-tën shtet i pavarur, me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe sot në urimet e drejtuesve më të lartë institucionalë, politikë e fetarë.
E gjithmonëshme kjo vlerë u manifestua edhe në natën e lindjes së Jezu Krishtit, në meshat në të gjitha kishat katolike në Kosovë tradicionalisht të mbushura me besimtarë katolikë dhe qytetarë të besimeve të tjera, në atmosferën e urimeve e festave të fundvitit.
Në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë meshën e natës së Krishtilindjes e drejtoi Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Para meshës, u mbajt Koncerti Klasik i Krishtlindjeve me qëllime humanitare. Pjesë e festimeve është edhe pritja solemne me rastin e Krishtlindjes në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, pranë Katedrales.
Tradicionlisht, në Kosovë, festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjes dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.
Mesha e Krishtlindjes mbahet sot në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë – Prishtinë dhe në kisha të tjera katolike në Kosovë.
Festën e Krishtlindjes e kanë uruar liderët institucionalë, politikë e fetarë të Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe të gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Krishtlindjes, simbol i paqes, solidaritetit, dashurisë dhe mirëkuptimit midis njerëzve.
“Në këtë Krishtlindje, urimet më të mira dëshiroj t’ua përcjell edhe ambasadorëve, përfaqësuesve diplomatikë, komandantit dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, që do të festojnë në vendin tonë”, shprehet ajo.
Edhe në këtë ditë kremte, vijon Jahjaga, të ndalemi e të reflektojmë për punën tonë dhe obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes, ndaj miqve dhe ndaj gjithë shoqërisë.
“Në këtë ditë Krishtlindjeje, me respekt të veçantë, të bëjmë homazhe dhe të nderojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e që sot nuk janë në mesin tonë”, shprehet Presidentja e Republikës.
Duke përcjell urimet më të përzemërta për festën e shenjtë, kryeministri Isa Mustafa, ka theksuar se Krishtlindja përfaqëson paqen, mirëkuptimin, mirësinë, mëshirën, shpresën dhe zemërgjerësinë.
“Krishtlindja sivjet, ka një simbolikë të veçantë për popullin e Kosovës, pasi që shënon miratimin e Papa Françeskut për t’i hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Ai u ka uruar Festën e Krishtlindjes përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, të cilët po japin kontribut të çmuar në ecjen përpara të shtetit të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, në emër të qeverisë theksoi respektin më të thellë për Kishën Katolike dhe komunitetet e tjera fetare, për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në fuqizimin e vlerave të bashkëjetesës, të tolerancës dhe për të mirën e përbashkët të popullit të Kosovës.
Me rastin e Festës së Krishtlindjes, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar vizita nëpër qytete e fshatra, duke takuar besimtarë dhe përfaqësues të fesë katolike.
“Krishtlindja është festë madhështore, që simbolizon lajmin e mirë për njerëzimin, lindjen e shpëtimtarit. Krishtlindja është pjesë e identitetit tonë. Simbol i triumfit të paqes mbi dhunën, të dashurisë mbi urrejtjen, të shpresës mbi dëshpërimin”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kreu i Kuvendit të Kosovës u uroi edhe Vitin e Ri, me dëshirën që 2016-ta të jetë vit i prosperitetit dhe sukseseve të reja për të gjithë qytetarët e vendit.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kosova feston Krishtlindjen, me mesazhe per Kombin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT