• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

KRIJOHET NE NJU JORK FORUMI RINOR I VATRES

December 20, 2015 by dgreca

Nga Lefter UKA/
Mbremjen e se Shtunes, me 19 Dhjetor 2015 ne oren 7 pasdite, prane selise qendrore te Vatres ne Bronx, New York, nje grup te rinjsh nga Nju Jorku, u mblodhen per te krijuar Forumin Rinor te Vatres. Ishin 36 pjesmarres, nga keta 15 u anetaresuan per here te pare ne Federaten Panshqiptare te Amerikes Vatra. Takimi nisi solemnisht me Hymnin Kombetar, duke vazhduar me pas me degjimin ne video te poezise “O moj Shqypni”, te Pashko Vases, interpretuar nga artisti i mirenjohur i skenes dhe ekranit Reshat Arbana. Sipas komenteve te te rinejve kjo poezi u perzgjodh ne pershtatje me gjendjen e rende qe ekziston sot ne dy shtetet shqiptare, Shqiperi dhe kosove si dhe ne trojet etnike en Mal te Zi, Maqedoni, Luginen e Presheves, si dhe ceshtja Came.
Pjesmarresit u pershendeten nga nenkryetari i Vatres Z. Asllan Bushati, i cili shkurtazi i njohu te rinjet me funksionimin organizativ te Federates Panshqiptare te Amerikes Vatra dhe me vendimin e Kuvendit te fundit te Vatres, qe u mbajt ne Jacksonville Florida, per krijimin e Forumit te te rinjeve prane Vatres. Ai e pergezoi komisionin organizator per inisiativen e marre dhe u uroi suksese atyre, duke qene nej krah I fuqishem i Vatres, duke respektuar frymen e saj dhe kerkesat e Kushtetutes se saj.
Kryetari i Vatres Dr. Gjon Bucaj i ka pergezuar te rinjet per nismen e tyre me shprehjen:Mire se erdhet ne VATER!. Ai informoi ata per rrugetimin e Vatres dhe veprimtarite e saj, shtrirjen ne disa shtete te Amerikes dhe ne Kanada, kontributin qe japing deget ne komunitetiin ku jetojne etj. Ai tha se Vatra ka nevoje per energjine e te rinjeve qe duan te kontribuojne nen frymen e Vatres per ceshtjen Kombetare, duke respektuar frymen vatrane, Kanunoren e saj.
Me pas nje nga inisiatoret e krijimit te forumit, dhe me pas kryetari i sapozgjedhur i forumit rinor Z. Saimir Dashi, shpalosi pikat kyce ku do perqendrohet forumi rinor i Vatres ,ku mes tyre spikatnin krijimi i nje networku sa me i gjere i rinise intelektuale shqiptare, krijimi i strategjive per bashkimin e elementeve pozitiv per nje shqiptari natyrale kombetare e shume ide te tjera. Ai tha se forumi ka energji pasi pjesa me e madhe prej nesh qe jemi mbledhur ketu jemi te shkolluar, me dy a me shume diploma, me Mastera, jemi te profesioneve te ndryshme, financierem, jurist, mjeke, bisnesmene. Le ti bashkojme energjite dhe t’I sherbejme vetes dhe ceshtjes kombetare, tha ai.
Dalip Greca, Editori I Gazetes Dielli, qe botohet ne SHBA prej 106 vitesh, i njohur te rinjet me historikun e kesaj gazete dhe rolin e saj historik, ne percjelljen e frymes kombetare tek shqiptaret e Amerikes. Dielli, tha ai, eshte regjistri me i vjeter dhe me i sakte shqiptareve te Amerikes. Gazeta ka nevoje edhe per frymen e rinise. Behuni bashkepunetore te Diellit duke sjelle ne faqet e gazetes shqetesimet dhe problematiken e rinise, i ftoi editori te rinjte.
Ne takim ishin te pranishem edhe Marjan Cubi, anetar I Kryesise se Vatres dhe arketar i saj si dhe z. Zef Perndocaj, nje nga vatranet me te vjeter, qe prej gjysem shekulli ne Vater.
Ne fund u kalua ne zgjedhjet e drejtuesve te forumit. Fjalen e mori Z. Fitim Krasniqi, i cili propozoi kandidaturat. Pas kesaj u kalua ne proceduren e votimit. Zgjedhjet u zhvilluan te lira plotesisht ne menyre demokratike duke dhene rezultatin e meposhtem:

Kryetar i forumit rinor te Federates Panshqiptare te Amerikes Vatra u zgjodh Z. Saimir Dashi, zv/ Kryetar Z. Lefter Uka,
Sekretar Fahri Krasniqi, Arketar. Z. Blendi Rezniqi, dhe anetar. Z. Alen Aliaj.

Forumi kerkoi qe pervec kontributit ne ceshtjen Kombetare, te punohet edhe per te ndihmuar njeri-tjetrin dhe ne teresi rinine shqiptare. Vlen te permendet si shembull pozitiv, Fitim Krasniqi, pjese e komisionit mismetar te krijimit te forumit rinor, i cili ka arrite qe permes biznesit te tij te punesoje rreth 20 te rinj shqiptar.

Filed Under: Vatra Tagged With: i Vatres, KRIJOHET, Lefter Uka, NE NJU JORK FORUMI RINOR, Saimir Dashi

TEK ARBERESHET- MAESTRO PETA DHE KORI”BREZI” NGA HORA PARAQESIN KENGET E KRISHTLINDJEVE

December 20, 2015 by dgreca

Per Diellin:Zef Chiaramonte- Palermo/Itali*/
Dje, dite e shtune ne mbremje, kori BREZI nga Hora e Arbereshevet, i drejtuar nga maestroja Pjeterpal Peta, te Kisha Konkatedrale e Sh. Kollit te Arbesheve ne Palermo prezantoi Kengaet e Krishtlindjeve.
Pas fjales hyrese te famullitarit, papa Kola Kuçit, dhe nderhyrjes se Prof. Zef Chiaramonte-s dhe Prof. Mateo Mandala’-s mbi vlerat e Kengave nga pikepamja e trashegimise se fese dhe te gjuhes tek etnosi arberesh, Pjeterpali drejtoi Korin per nje ese te kengave arbereshe lidhur me Krishtlindjet.
Keto Kenga, qe datojne nga sh. XVIII dhe vazhduan te kryjohen edhe me vone, u botuan ne permbledhjen CANTI SACRI nga poeti Zef Skiroi.
Puna e merituar e maestros Peta sot eshte ajo t’u kete dhene atyre mbeshtetjen e notacjonit muzikal, duke kerkuar versionet ende te kenduara nga plakat e devotshme.
Per me shume, maestro Peta eshte perkushtuar te kryjoje Korin BREZI, i perbere nga brezi i ri te vajzave dhe djemeve, me ane te te cilit Tradita e lashte arbereshe po gjen kembe te reja per te çare rruge drejt se ardhmes.
Sonte Kengat do te ekzekutohen ne teresi ne Katedralen e Sh. Mitrit ne Hore te Arbereshevet.

* Ne foto: Zef chiaramonte Palermo, 20.12.2015

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Hora e Arberesheve, Kori brezi, Maestro Peta, Zef Chiaramonte

Duhet vizion tjetër Jozi

December 20, 2015 by dgreca

Opinion nga lir Levonja-Florida/
A t’i them dy fjalë Jozi. Pasi më është ngulur në kokë një gjë, që… Vendi ynë do ndreqet kur demokrati të merret me demokratin. Dhe socialisti me socialistin. Sidomos kur jemi në pushtet. Përshembull këtë duhet të bëjnë socialistët tani me shtetarët e tyre. Sidomos kur kemi qënë gjatë në pushtet. Dhe ti shyqyr të madhit, nuk ke qëndruar pak. Nga 1996 e këtej. Dhe je akoma aty. Përse e them këtë. Thjesht për të ndryshuar tashmë atë konceptin mbi perceptimin që kemi për njëri-tjetrin. Demokrati karshi demokratit. Dhe demokrati karshi socialistit dhe anasjelltas. Kaq vite demokraci, kaq shumë jemi marrë me njëri-tjetrin sa produkti i urrejtjes sonë ka pjellur me shumicë politikanë të dështuar. Kam parë demokratë provincash me lista parazgjedhore gati. Ashtu siç kam parë socialistë po provincash me lista prerje kokash në administratë. Ashtu siç kam parë barkaliqër të përjetshëm administrash. Të cilët kurrë nuk u hyri gjëmbi në këmbë. Edhe pse në pushtet ishte Enveri.Po kështu dhe kur erdhi Saliu, Nano, ti e me radhë.
Herën e fundit që të dëgjova, qe ajo para pak ditëve. Kur për inat të Taulant Ballës u tregove shqiptarëve për të qindën herë persekutimin tënd, dhjetat, dhe çfarë të them. Respekt për vuajtjet e tua. E sidomos të prindërve. Të familjes tënde. Por nuk bëhet më kështu. Vuajtja nuk është meritë. As dekoratë. Vuajtja është fatkeqësi që të bie për pjesë nga dështakë dhe manjakë regjimesh. Dhe që të mos përsëriten ato. Të mos përsëritet denigrimi, degdisja, përbuzja, racizmi dhe lufta e klasave. Duhet të qeverisin ndryshe. Për hatër të meritës jo të vujatjes. Faza e parë e demokracisë ishin vuajtjet. Faza e dytë ndërtimi i shtetit të së drejtës mbi bazën e ligjit. Mbi të parën ne ishim shumë bujar karshi njëri-tjetrit. Në dy raste me drama të mëdha shekullore. Atë pas mbarimit të luftës së dytë botërore. Kur bëm me shumicë qeverisës të të gjitha niveleve nën emrin e shtëpisë bazë. Dhe pas rënies së socializmit. Po ashtu nën emrin e të persekutuarit, të të përndjekurit bëm shumë administratorë, shtetarë. Madje me shumicë, edhe nga rraca e persekutorëve. Madje edhe krushqi. Megjithëse nga foltoret flasim dhe tregojmë me gisht armiqë, persekutorë, sharlatanë.
Fazën e dytë ne dështuam. Nuk e bëm dot shtetin asnjëherë ligjor. Por ca vite të demokratëve dhe ca vite të socialistëve. Ndaj sot është demode të ankohesh më për persekutim. Sidomos pas 8 vitesh qeverisje. Ne dështuam, pasi nuk i hapëm dosjet. Thënë kjo me qindra herë. Në katërvjeçarin e dytë si demokratë, iu gëzuam pushtetit në një aleancë të brishtë. Aspak natyrale. Madje edhe pse goditjet i merrnin brinjëve. Po prej saj. Më shumë na dhëmbi karrika se sa përsosja e shtetit. Po dështojmë duke thënë se na manipuluan zgjedhjet. Kur ishim ne organizatorët. Po vazhdojmë të dështojmë pasi qëllimin e madh, po e minimizojmë në djegie bunkerësh. Qëllimin e madh po minimizojmë tek ankesat personale të një kohe. E cila duam apo nuk duam ne, jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës. Eshtë kjo arsyeja që nuk ka ndjesë publike ndaj vuajtjeve të familjes tënde. Ashtu sikur është po kjo arsyeja që kurrë edhe si shtet ne nuk morën një herë vendimet e duhura. Në drejtim të ligjbërjes. Të bërjes së shtetit. Nuk mbrohen kauzat e një populli me shokët e djalit apo të vajzës. Përpjekja për reforma të thella. Përpjekja për të pastruar administratën nga ata që tregon me gisht një ambasador i huaj. Ne dështuam, pasi thelluam dasimin dhe luftën klasore. Madje tipare të qarta të saj, gëlojnë edhe mes demokratëve. Ka aty një kulturë gati absurde të vetflijimit për të qënë në rresht. Që je demokrat apo nuk je, sapo thua diçka ndryshe njëshit. Nuk je demokrat kur të mbron ty në luftën absurde me një absurd si Taulant Balla. Nuk është kjo meritë të të mbash ligjëvënese, qoftë ty. Qoftë deri te vet Sali Berisha etj. Ka një kohë pensionimi për çdo qënie njerëzore, aktive. Dhe më vjen keq se ty të ka rënë për pjesë disi më shpejt. Demokratët sot i ngjajnë vëllezërve që shihen në gjyq. Ka një kulturë të dëmëshme sidomos kur e mendon veteveten si vlerë e pazëvendësueshme. Kanjë kulturë të penguese që i kthehesh kryetarit, kur e kupton që nuk merr një vend në strategjitë e reja. Ka një kulturë dështuese e thirrjeve duam babën. Alla Nano kur u thoshte pesë socialistëve të dehur nga ekstravaganca e tij. Se e di që po më luteni, kthehu baba. Na shpëto. Qoftë ti, por deri edhe tek Sali Berisha. Tashmë i përkisni historisë, me të mirat dhe të këqijat. Dhe si histori duhet të mblidheni në stendat e një muze. Në historinë e brishtë të një partije pluraliste. Që në historinë e Shqipërisë nuk është e para.
Duhet një vizion tjetër tashmë Jozefinë. Punuan mjaft për ty demokratët. Një vizion i ri, gjak i ri…

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Vizio tjeter Jozi

Këto nuk duhen harruar

December 20, 2015 by dgreca

Në 25 vjetorin e përmbysjes së komunizmit/
Nga Reshat Kripa*/
Njëzetepesë vite pas ngjarjes së madhe të përmbysjes së regjimit totalitar nga rinia shqiptare, më dalin parasysh ata të rinj dhe të reja që pa iu trembur syri u ngritën me parullat “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo “E duam Shqipërinë si Amerika”. Më kujtohet fëminia dhe rinia ime dhe e bashkëvuajtësve të mij gjashtëdhjetepesè vite më parë kur ngriheshin kundër po kësaj diktature të tmerrshme por me parullën “Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi,”
E pra, ne pranuam më mirë burgun se sa lirinë e cunguar .Pranuam burgun me thirrjen sublime: “Për Liri, për Shqipëri” sepse ky ishte atdheu ynë që lëngonte nën thundrën komuniste dhe ne nuk donim që ky të ishte i tllë. Për këtë qëllim u sakrifikuan mbi 7000 persona që u ekzekutuan apo vdiqën në burgjet e tmerrshme dhe mijra të tjerë që u burgosën apo u internuan dhe kjo luftë vazhdoi për gati një gjysmë shekulli. Ishte revolta e madhe viteve nëntëdhjetë që kurorëzoi këtë përpjekje titanike kundër komunizmit.
Natyrisht, neve që kemi vuajtur më tepër pasojat e regjimit komunist nuk kanë se si të mos na dalin parasysh pamjet e tmerrshme të atyre viteve të errëta. Personalisht mua më shfaqen pamjet e kampit të Shtyllasit në vitin 1954 ku, me urdher të operativit të sigurimit, toger Ademit, Sulejman Dizdari u mbulua me dhe i gjallë dhe ishte vetëm mrekullia e doktor Isuf Hysenbegasit të pa arritshëm që e shpëtoi nga vdekja e sigurtë. Më kujtohet kampi i Bulqizës ku po me urdhër të operativit toger Ademi një djalosh 17 vjeçar nga Mirdita, dha jetën në natën e acartë të janarit 1955 i lidhur në shtyllën e telefonit vetëm e vetën sepse nuk kishte mundur të realizonte normën e lartë të punës së detyruar. E pra, këtë toger Ademin, këtë kriminel, e takova një ditë në vitin 1998. Mendova se do të kërkonte falje për veprat e kryera por kjo nuk ndodhi. Për më tepër, vazhdonte të punonte në Ministrinë e Brendëshme ku drejtonte një nga drejtoritë e saj. Mua m’u errësuan sytë. M’u shfaqën parasysh pamjet e një filmi gjerman, prodhim i pasluftës, që e kam parë në fëmininë time. Ishte historia e një mjeku nazist që në laboratorët e tij eksperimentonte llojet më të tmerrshme të torturave që më vonë ushtroheshin mbi hebrenjtë, robërit e luftës dhe kundërshtarët e regjimit. Me mbarimin e luftës mjeku arrestohet dhe dënohet. I kam harruar sekuencat e atij filmi por më ka mbetur e regjistruar në mendje finalja e tij. Mjeku, i kapur pas hekurave të burgut duke thërritur: Jam i pafajshëm, jam i pafajshëm!” ndërsa prapa tij shfaqeshin dhomat e gazit dhe krimet e tjera të kryera sipas eksperimenteve të tij. Një zgjidhje e përkryer regjizoriale
Filmi kishte një titull shumë kuptimplotë: Vrasësit janë midis nesh” Ndaj unë pyes: Po vrasësit e kohës së përmbysur në vendin tonë ku janë? Duke u nisur nga ndodhitë e fundit të ngjarjeve rezulton se ata janë ende midis nesh, madje, si për ironi, dekorohen nga udhëheqësit e shtetit shqiptar Dhe unë personalisht e ndjej veten mjaft të fyer. E ndjej të fyer sepse shoh kriminelët që na kanë torturuar dhe fyer të ngrihen në majat më të larta të nderimit. Madje jo vetëm kaq por ata i gjen në krye të organeve të Kuvendit të Shqipërisë, në krye të organeve qeveritare, në krye të organeve të drejtësisë. Në këto çaste më vijnë ndër mend fjalët e shprehura nga zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:

Nuk ka asnjë vend ku komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Me keqardhje deklaroj se sot në Shqipëri tendenca është që periudha e sundimit të diktaturës komuniste të kalohet në heshtje, sikur nuk ka ndodhur asgjë., sikur nuk ka ndodhur asnjë lloj genocidi. Më lejoni ta ilustrojë këtë me fakte.
Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshiilit të Europës miratoi rezolutën Nr. 1096 “Masat për të çrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste” rezolutë që në Shqipëri as që u publikua farë, madje një gjë të tillë bëri edhe media e asaj kohe. Përse?
Në vitin 2006 përsëri Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një rezolutë tjetër, atë të përmendur më sipër, me Nr. 1481 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Lidhur më këtë Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”. Çuditërisht, në këtë miratim, deputetët socialist dolën nga salla dhe nuk e votuan. Përse? Unë nuk e di. Ata po të munden le përgjigjen.
Në vitin 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë të dënonte krimet e komunizmit. Çuditërisht lajmi nuk u njoftua nga asnjë burim. Përsëri edhe media heshti. Çdo gjë u mësua vetëm nëpërmjet medias elektronike jashtë atdheut. Më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, kërkohej ngritja e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit.
Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Por ajo mungoi. Përsëri ky lajm kaloi në heshtje.. Të mos harrojmë se krimet e komunizmit në Shqipëri i kalojnë disa herë atyre të kryera në ish vendet e tjera totalitare. Më lejoni t’u jap vetëm një shembull. Sipas deklaratës së përfaqësuesit sllovak, antarit të kryesisë Dr. Peter Bielek, në Kongresin e XVI-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të komunizmit, mbajtur në Tiranë, në Sllovaki dënimi i fundit me vdekje ishte ekzekutuar në vitin 1956, ndërsa te ne në vitin 1988, me varjen në litar të Martirit të Demokracisë, poetit Havzi Nela. Mos harroni! Ky krim u krye kur komunizmi po jepte frymën e tij të fundit. Edhe në çastet e fundit të jetës ai kërkonte gjak . Krahasimin bëjeni vetë, të nderuara zonja dhe zotërinj. Pak më lartë theksova rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë qysh në tetorin e vitit 2006. Le të shohim tani se si janë zbatuar disa nga pikat e kësaj rezolute
:
Pika 8. Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin,
drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore që çoi në izolimin dhe varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe kërkon heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhënë atij e bashkëpuntorëve të tij njga regjimi komunist.
Çfarë është bërë për këtë pikë/ As lëvizja më e vogël. Diktatori vazhdon të ruajë dekoratat e fituara në kohën e totalitarizmit, gjë që nuk ka ndodhur në vendet e tjera ish-socialiste A është e drejtë që një person i njohur si diktator të ruajë dekoratat e pamerituara?

Pika 10. Kuvendi i Shqipërisë kërkon bërjen publike të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dënim-Internimeve.

A keni dëgjuar, të nderuar zonja dhe zotërinj, të bëhen publike këto dokumenta? Madje as Instituti i Hetimit të Krimeve të Komunizmit i ngritur posaçërisht për këtë qëllim nuk i disponon.

Pika 11. Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruar.

Kanë kaluar 25 vjet dhe një ligj i tillë ende nuk është përfunduar. Edhe një i tillë i miratuar disa vite më parë, megjithse gjysmak, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, e përbërë nga gjykatës që prekeshin nga ky ligj. Kur do të përfundojë ky problem në një kohë që ish-vendet e tjera socialiste kanë kohë që e kanë zgjidhur? A do të jetë i dretë formulimi i tij apo përsëri gjysmak si i pari.

Pika 16. Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e një fushatë kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.

Për fat të keq në librat shkollore pothuajse nuk shkruhet fare pë genocidin komunist në Shqipëri. Ende nuk ka një ditë përkujtimore për viktimat e komunizmit. Nuk është ngritur asnjë muzeum dhe nuk është kthyer në muze asnjë burg apo kamp i periudhës totalitare. Është marrë një vendim i Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e një memoriali në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit komunist por, megjithse kanë kaluar disa vite, ende nuk është vënë në zbatim
Me këtë rast dua të falënderoj shkëlqesitë e tyre Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Gjermanisë, për vlerësimin e bërë për të përndjekurit politikë të Shqipërisë duke vizituar kampin famëkeq të Spaçit, veprim që, deri më sot, nuk e ka bërë asnjë pushtetar, asnjë përfaqësues partie, asnjë deputet.
Falënderoj gjithashtu Shkëlqesinë e tij Presidentin e Republikës për dekorimin e martirëve të pushkatuar nga regjimi totalitar në këtë kamp hero dhe që këtë ceremoni e zhvilloi pikërisht në gjurmët e këtij kampi.

Pika 17. Kuvendi i Shqipërisë mbështet organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve,
akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimet totalitare
komuniste.

` Kanë kaluar nëntë vjet nga miratimi i kësaj rezolute dhe ende nuk është gjetur kohë për organizimin e një konference të tillë, në një kohë kur janë organizuar qindra të tjera, deri edhe ato për homoseksualët, shumë herë më pak të rëndësishme se ai i të përndjekurve politikë. A do kenë dëshirën qeveritarët shqiptarë të marrë një nismë të tillë? Ne jemi në pritje.
Këto janë vetëm disa nga pikat e rezolutës në fjalë pasi aty përfshihen edhe rishikimi i datave simbol të sistemit komunist, hartimi i një strategjie kombëtare për eliminimin e pasojave të totalitarizmit, përmbushja e detyrimeve ligjore për zbatimin e statusit të të përndjekurve politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dëmshpërblimin e tyre dhe akordimin e një fondi për gjetjen dhe rivarrosjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike, detyrime që, deri më sot, kanë mbetur vetëm në letër
Para disa muajsh po shetisja me një mikun tim, që ka kryer 29 vjet në burgun komunist, në bulevardin “Bajram Curri” këtu në Tiranë. Kur po arrinim tek vendi ku ky bulevard bashkohet me rrugën e Kavajës, vështroj një pallat të kohës së perënduar me tulla silikate ku në njerën nga fasadat e tij ishte shkruar, që gjatë ndërtimit, me tulla të kuqe: “Rroftë Partia e Punës”. U skandalizova. Si nuk u kishte rënë në sy asnjerit prej kryetarëve të Bashkisë kjo parrullë? Vallë a mund të ketë ndonjë shtet tjetër të Europës Lindore ku mund të ekzistojë parulla të tilla? Unë nuk e besoj. Atë çast mendja më shkoi edhe te raste të tjera të kësaj natyre. Mbi varrezat e dëshmorëve të kombit vazhdon “të ndriçojë” ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët që prehen aty paskan rënë për këtë yll. Për më tepër aty, nën këmbët e tij prehen edhe eshtrat e 22 martirëve të së ashtuquajturës bombë në legatën sovjetike dhe mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende grryejnë eshtrat e martirëve, Në qendër të Tiranës, në fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, një mozaik i madh ku dy të tretat e tij i zenë “luftëtarët e lirisë” me yllin e kuq komunist në ballë dhe ndërtuesit e “Shqipërisë së re Socialiste” me gjokset përpara, ndërsa në një të tretën, paraqiten si liliputë heronjtë e historisë së mëparëshme të këtij kombi A është e denjë për një muze kombëtar një paraqitje e tillë e historisë së tij? Ishin pikërisht këto që më tërhoqën vëmendjen në ato çaste. Ne do të donim që qeveritë shqiptare të zbatonin ligjet dhe vendimet që ata vetë i kanë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe në radhë të parë të rezolutës mbi ndëshkimin e krimeve të regjimit komunist. Vetëm atëherë do të kishin plotësuar detyrimin që kanë ndaj shtresës së të përndjekurve politikë.
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Filed Under: Analiza Tagged With: 25 Vjetori, keto nuk duhen harruar, renies se komunizmit, reshat kripa

NËNË TEREZA – ZEMËR SHQIPTARE

December 19, 2015 by dgreca

Nënë Tereza i shfaqi njerëzimit virtytin që i kish marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi/
Nga KOLEC TRABOINI/
Nënë Tereza tani është kthyer në një simbol, në një virtyt që shpreh tiparet më të larta të popullit që e ka lindur. Të gjithë udhëtarët e botës që kanë kaluar nëpër Iliri-Arbëri-Shqipëri( ku hyn Shqipëria, Kosova, gjysma e Maqedonisë, Çamëria, trojet shqiptare në Mal të Zi, ( kujtoni Bajronin, Pukevilin, Edith Durhamin, Ipen e plot të tjerë), kanë vënë re pikërisht këtë tipar,bujarinë shqiptare, tipar që tek Nënë Tereza jonë u trashëgua e mori përmasat universale të gjenialitetit. Tanimë ky virtyt, si dinjitet e simbol, i përket gjithë njerëzimit por kurrë pa ju mohuar origjinës, Shqipërisë e shqiptarëve. Nënë Tereza i shfaqi njerëzimit, në mënyrën më të devotshme se kurrkush tjetër, virtytin që e kish marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi. Ajo me veprën e saj humane si asnjë tjetër, i lartësoi dinjitetin dhe bëri të njohur e të respektuar popullin shqiptar kudo në botë, pikërisht atëherë kur ky popull ishte poshtëruar e rronte si skllav nën zgjedhën e djajve të kuq të ferrit komunist. Edhe ky moment duhet vlerësuar sepse shumë kush aso kohe mendonte se Shqipëria kish njollën e zezë të diktaturës mizore, ndaj dhe ish lënë në harresë e përbuzje prej qarqeve që vendosnin ekuilibrin e kësaj bote. Është në dinjitetin tonë kombëtar, historik, që ajo kur po merrte çmimin Nobel për Paqe, tha tekstualisht “nga gjaku jam shqiptare”. A ka dëshmi më të madhërishme dashurie se sa kur e shpall faqe botës me krenari të qenit me gjak shqiptar, e pikërisht atëherë kur Shqipëria ishte e deklaruar si sinonimi i dhunës e diktaturës me të tmerrshme në Evropë. Në momentin solemn e kujtoi popullin e Atdheun e vet faqe gjithë njerëzimit. E kjo nuk është pak. Për një popull të vogël e të nëpërkëmbur në histori si i yni, është shumë, është më se e mjaftueshme për ta ngritur Nënë Terezën në piedestalin e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar. Kapur pas rrëfanës se ajo nuk e dinte aq mirë gjuhën shqipe, disa pasionantë interneti, përpiqen ta mohojnë tërësisht, mirëpo harrojnë këta zotërinj se më se shumti nuk ka rëndësi çfarë gjuhe flet, por e vërteta që thua, nuk kanë fort rëndësi fjalët që thotë goja para dashurisë që mban zemra… Ka shumë shqiptarë në botë që e kanë harruar gjuhën shqipe, por në zemër kanë Shqipërinë. Ne nuk mund t’ua shkoqim nga zemra e tyre dashurinë vetëm me shkakun se nuk dinë të flasin shqip sepse ata flasin me gjuhën e zemrës. Dhe një gjë mos e harrojnë ata që duan ta shohin historinë ndryshe nga se ka qenë në të vërtetë, apo duan ta modifikojnë atë për hir të interesave të kohës, se turqit e historisë (e jo të sotmit sigurisht) dihet mirëfilli se i digjnin shqiptarët të gjallë po t’i zinin tek shkruanin gjuhën shqipe, madje nuk kanë qenë aspak më të mirë se grekët, që vranë shenjtorin e shqiptarizues Papa Kristo Negovani, të cilin edhe sot e kësaj dite greku Janullatos ne krye të Kishës Autoqefale Shqiptare dhe pasuesit e tij e mohojnë. Po të përmendje Gjergj Kastriotin, në kohen e sundimit të sulltanëve të egër të Stambollit, ushtareët e Perandorisë Osmane të fshinin nga faqja e dheut, por populli Skënderbeun e mbajti në zemër nëpër shekuj robërie, dhune, gjaku e tmerresh, paçka se me gjuhë të ndaluar. Ja pra çfarë force madhështore ka gjuha e zemrës. Gjuhën mund ta ndalosh të flasë, por zemrën nuk mund ta ndalosh të rrahë për mëmëdheun sa kohë që njeriu është gjallë dhe ka dashuri për atdheun e vet. Atëherë pra, si mund t’i mohohej Nënë Terezës dashuria për Atdheun e vet, si mund t’i mohohej asaj dashuria për nënën që e kishte lindur, për babain Kol Bojaxhiun që ja kishin helmuar pushtuesit serbë, për motrën që i vdiq në Tiranë (diku në një shtëpi përdhese tiranase) e që të gjithë flisnin vetëm shqip, gjuhën e Shqipërisë e të shqiptareve. A thua për këtë e ndaloi Enver Hoxha që të takonte nënën e motrën e vet në Tiranë, se e hante meraku diktatorin se nuk do të mund të merreshin vesh në gjuhën shqipe? Jo për atë zot, nuk ish ky shkaku i mohimit të diktaturës, nuk është ky shkak i vërtetë as dhe sot, prej disave që vazhdojnë ta mohojnë me të njëjtin pasion të egër, sepse: Dashuria para së gjithash është në zemër e jo në fjalë! Kurrë mos harrojmë ta lexojmë e ta rilexojmë thirrjen e Nënë Terezës, drithërimën nga thellësia e shpirtit drejtuar shqiptarëve në vitin 1997, kur shteti po shkërmoqej si një grusht rërë, populli po vuante e rinia po vritej, varret shumoheshin si brenga në truallin arbëror. Në atë letër ka dashuri në përmasat madhështore të personalitetit të saj. Ajo në atë letër është shqiptare në çdo qelizë në çdo frymëmarrje. Ajo në atë letër është më shqiptare se çdokush tjetër ne këtë dhè e, ku e ku në krahasim me ata që, ani pse e flasin gjuhën shqipe standart, shpesh herë e përdorin atdhetarinë si medaljon. Populli ynë ende ka nevojë për figura të mëdha të ndritura që e lartësojnë emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve faqe botës, sepse ata shtojnë admirimin, shtojnë miqtë e përkrahësit e shqiptarëve, çfarë deri në fillim të këtij shekulli më së shumti na kish munguar. Dhe të mos harrojmë se nuk është e lehtë ti lindësh botës të tillë personalitete që nderohen nga mbarë njerëzimi, tej e përtej religjionit, sepse tipari themelor i saj ka qenë humanizmi, përkushtimi për mbarë njerëzimin. Fundja duhet ta dimë, e në mos e ditshim ta mësojmë ( ani pse tejet të vonuar në këtë mësim), se gjuha shqipe para së gjithash duhet të jetë dashuri…e dashuria është gjuhe e përbotshme që i tejkalon të gjithë kufijtë e barrierat me të cilët historia deri më tash mjaft keq i ka ndarë e përçarë popujt. Shqiptarët kryekreje. E së fundi, fjala para se të dale nga goja duhet të kalojë nga zemra. Vetëm atëherë ajo është e vërtetë si drita e diellit, një e vërtetë që gjen strehë ndër zemra të tjera, siç gjenin strehë tek njerëzit, popujt e kombet e tjerë, fjalët e Nënë Terezës, Nënë Terezës sonë me gjak e zemër shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, Nene Tereza, ZEMËR SHQIPTARE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT