• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Obama: Asnjë kërcënim specifik dhe i besueshëm për festat e fundvitit, por jeni vigjilent

December 18, 2015 by dgreca

Presidenti amerikan, Barack Obama deklaroi këtë të enjte se, shërbimet sekrete amerikane dhe zyrtarët e antiterrorizmit nuk kanë marrë ndonjë informacion specifik, të besueshëm, që sugjeron rrezikun e ndonjë sulmi terrorist kundër SHBA-ve. Megjithatë, ai ka thënë se amerikanët duhet të jenë vigjilentë gjatë sezonit të festave të fundvitit. “Nuk duhet të biem prè e frikës, apo të ndërrojmë mënyrën tonë të jetesës”, tha Obama gjatë një fjalimi përpara punonjësve të Qendrës Kombëtare të Antiterrorizmit. “Ne nuk duhet të terrorizohemi. Kemi triumfuar mbi kërcënime shumë herë më të mëdha sesa ky, ndaj dhe do të triumfojmë sërish”. Obama foli pasi ishte njoftuar nga stafi i tij për sigurinë kombëtare mbi nivelin aktual të kërcënimit, mbi përpjekjet për të luftuar grupet ekstremiste dhe propagandën jashtë vendit, si dhe hapat për të forcuar mbikëqyrjen e njerëzve që hyjnë në SHBA me viza. Ky është i dyti informim, që Shtëpia e Bardhë ka nënvizuar gjatë kësaj jave, teksa Presidenti Obama po përpiqet të sigurojë publikun, pas ngjarjeve që ndodhën në San Bernardino të Kalifornisë. Presidenti vizitoi gjithashtu Pentagonin gjatë së hënës për një përditësim të fundit mbi luftën e udhëhequr nga SHBA-të kundër grupit të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Të enjten, Obama theksoi se ishte informuar mbi programin e vizave “K-1”, të cilën shfrytëzuan agresorët e San Bernardinos për të shkelur në tokën amerikane në korrik të vitit 2014. Tashfeen Malik mësohet të ketë kaluar kontrollet mbi formimin e saj si dhe intervistat e drejtpërdrejta, e megjithatë, kreu i FBI-së James Comey i ka thënë presidentit se, zyrtarët mendojnë që ajo ka qenë e radikalizuar përpara se të mbërrinte në SHBA. Malik dhe bashkëshorti i saj, Syed Farook i premtuan besnikëri njërit prej krerëve të Shtetit Islamik në Facebook, duke postuar në momentin që ndodhën edhe të shtënat me pasoja vdekjeprurëse. Obama tha se kërcënimi i terrorizmit është zhvilluar dhe tashmë përfshin edhe grupe më të vogla apo individë, duke e bërë kapjen e tyre shumë më të vështirë. Megjithatë, SHBA-të kanë ndryshuar dhe kanë perfeksionuar vazhdimisht “lojën e tyre” për të qenë në të njëjtën linjë me kërcënimet. Ai tha se Amerika është fokusuar në 3 fusha: të përndjekë terroristët jashtë vendit; të punojë për të parandaluar futjen e tyre në vend; si dhe të përforcojë marrëdhëniet mes autoriteteve ligjzbatuese, komuniteteve lokale dhe sektorit teknologjik për të parandaluar sulmet në vend. Por, “ne duhet të mbetemi vigjilentë”, përfundoi ai.

Filed Under: Opinion Tagged With: asnje kercenim, Obama, por jeni vigjilent

Hipokrizia dhe presioni i BE-së ndaj Kosovës rrezik për Ballkanin

December 18, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl MAHMUTI/
Propozimi për të mos hequr regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës është vendim për të mbajtur të izoluar Kosovën. Përderisa Komisioni evropian, që propozoi këtë vendim, hesht, reagimet në Kosovë janë të polarizuara siç është e polarizuar skena politike dhe mediatike e saj.
Ajo që mund të konstatohet nga këto reagime, qëndrimet që fajësojnë Qeverinë e Kosovës dominojnë dukshëm në raport me qëndrimet tjera. “Kapja e shtetit”, “Krimi i organizuar” dhe “mungesa e shtetit ligjor” janë çështjet ku më së shumti mbështeten ata të cilët fajin e refuzimit të liberalizimit të vizave e shohin në Kosovë.
Në vijim po sjell disa fakte që dëshmojnë se sado i rëndë të jetë funksionimi i shtetit të Kosovës, shkalla e kriminalitetit apo përmasat e korrupsionit vendimi i BE-së është vendim arbitrar që nuk mbështetet në asnjërin nga këto kritere.
Po rikujtoj se më 15 korrik 2009 Komisionit Evropian miratoi propozimin që të hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe të mbetej në fuqi regjimi i vizave për qytetarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. 
A funksiononte shteti ligjor në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni në kohën kur u propozua liberalizimi i vizave. JO! Përkundrazi, të tri shtetet vazhdonin të aplikonin diskriminimin racial kundër shqiptarëve dhe pushteti politik kishte shti në duar çdo pore të institucioneve të drejtësisë. Po përmend vetëm disa shembuj për të ilustruar thëniet e lartpërmendura.
Me direktiva të pushtetit politik u montuan shumë procese gjyqësore kundër shqiptarëve. Që nga rrëzimi i Sllobodan Millosheviqit “pushteti i ri” serb montoi mbi 50 procese gjyqësore në të cilat qindra shqiptarë u dënuam me shekuj vite burg. Për çfarë shteti ligjor mund të flitet në këtë rast? Nga viti 2009 deri në vitin 2015 me dirigjim nga pushteti politik i Beogradit u montuan 36 procese gjyqësore kundër shqiptarëve dhe të gjithë të dënuarit u liruan si të pafajshëm, por pas keqtrajtimeve disavjeçare.
Të njëjtën logjikë e ndoqi edhe pushteti i Shkupit. Publikimi i një pjese të përgjimeve të të bisedave të pushtetarëve të Shkupit dëshmoi se proceset gjyqësore kundër shqiptarëve ishin të dirigjuara nga pushteti politik dhe se ky pushtet kishte ngritur në shkallën më të lartë diskriminimin racial kundër shqiptarëve. Përkundër asaj se të gjithë ata që dëgjuan bisedimet lidhur me proceset e montuara gjyqësore u bindën për kapjen e pushtetit gjyqësor nga politika, shumica e shqiptarëve të dënuar, madje edhe me burg të përjetshëm, ende mbahen në burgjet e Maqedonisë. Jo vetëm kaq, por ky pushtet i kriminalizuar, për të tërhequr vëmendjen nga problemet që nxorën në shesh përgjimet e bisedave të zyrtarëve të lartë shtetëror, u implikua në organizimin e “Rastit të Kumanovës” dhe tragjedinë e Lagjes së Trimave.
Cili nga politikanët udhëheqës të Serbisë, Malit të Zi apo Maqedonisë nuk figuron në raportet për krimin e organizuar në Ballkanin perëndimor? Aleksandar Vuqiqi, Millo Gjukanoviqi apo Nikolla Gruevski? Të gjithë pa përjashtim konsiderohen si koka e krimit të organizuar. E megjithatë Bashkimi Evropia liberalizoi vizat për qytetarët e këtyre shteteve. Arsyetimi i vetëm i mbështetësve të heqjes së vizave për këto shtete ishte se qytetarët e Serbisë, Malit të Ti dhe të Maqedonisë kishin vuajtur shumë nga izolimi!
Cilat janë arsyet që qytetarët e Kosovës, të cilët kanë përjetuar gjenocidin nga Serbia, të mbesin të izoluar?
Zëdhënësit e BE-së mund të thuan çka t’ua zëre goja dhe ta durojë letra. Por, askush nuk mund të thotë se Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë iu hoqën vizat për arsye “të funksionimit si shtete ligjore”, apo për përmasat e “vogla” të korrupsionit dhe kriminalitetit. Kriteret e refuzimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës janë politike dhe ideologjike dhe si të tilla, në kontekstin aktual të përkëdheljes që i bëhet Serbisë, paraqesin një rrezik për ardhmërinë e Kosovës. Rreziku bëhet edhe më i madh nga fakti se BE-ja ushtron presion të vazhdueshëm ndaj Kosovës si në rrafshin politik (përmes marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën) ashtu edhe në rrafshin juridik (përmes krijimit të Gjykatës Speciale për të dënuar luftëtarët e lirisë). Përmes vendimeve të tilla inkurajohet logjika e vjetër serbe që ka për qëllim diskriminimin e shqiptarëve. Kjo logjikë solli luftërat më të përgjakshme dhe krimet më monstruoze në Evropë në fund të shekullit të XX.
Përkundër vërtetësisë lidhur me vështirësitë e funksionimit të shtetit të Kosovës, shkallës së kriminalitetit dhe korrupsionit në vendin tonë vendimi i BE-së për të mbajtur të izoluar Kosovën është vendim politik që nuk mbështetet në kriteret e lartpërmendura. Për këtë arsye, përtej divergjencave të brendshme të cilësdo natyrë qofshin duhet të kemi një konsensus minimal rreth trajtimit të njëanshëm dhe tendencioz të BE-së ndaj Kosovës. Mendoj se është momenti që të gjithë bashkërisht t’i themi STOP hipokrizisë dhe presioneve të BE-së ndaj Kosovës!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Hipokrizia dhe presioni i BE, ndaj Kosoves, rrezik per Ballkanin

ATDHEU JETON EDHE NE KENGE

December 18, 2015 by dgreca

NGA LULZIM MULLIQI/*
Interviste ekskluzive per gazeten”DIELLI” i kengetarit dhe moderatorit te mirenjohur ne mbare boten shqiptare,Naim Abazi,per minikoncertin e tij te shfaqur keto dite ne SHBA.
Naim Abazi eshte nje personalitet tashme i njohur per te gjithe,Jo vetem si kengetar i cili
ka sjellur shume kenge te bukura ne skenen muzikore kosovare,por edhe si moderator i shkelqyer i emisionit me te shikuar televiziv “ODEON SHOW” ne RTV -21 ne Prishtine.
Me nje fond te pasur te kengeve te muzikes popullore dhe me plot larushi,ka bere qe jehona e kengeve te tij te degjohet shume larg,kurse fama e tij te shkoje edhe pertej Oqeanit Atlantik deri ne Ameriken e larget.Ai mbetet si nje adhurues dhe idhull per shume fansa te muzikes popullore dhe shembull i mire per kengetaret e rinj së si duhet qasur dhe te kultivohet kenga e mirefillte e muzikes popullore shqiptare.Ne pergjithesi, Naim Abazi dallohet per interpretimin virtuoz te kengeve atdhetare,epike dhe lirike,si dhe tekstet pikante qe dominojne ne interpretimin e kengeve te tij.Ai gjate kesaj interviste do te rrefej per koncertet e shfaqura ne disa qytete amerikane si ne :Nju Jork,Phoenix,Chicago etj.pastaj per deshiren,pasionin dhe fillet e para te kultivimt te
kenges popullore shqiptare dhe per eksperiencen e tij ne fushen e moderimit televiziv.
DIELLI:Ne fillet e karrieres tuaj muzikore keni qene te njohur per kenget atdhetare.Cilet
Jane heronjte dhe deshmoret e kombit tone te cileve u kenduat per shume vite?
Naim Abazi:Gjate karrieres muzikore u kam menduar shume trimave dhe heronjeve te kombit tone si:Isa Boletinit,Idriz Seferit,pastaj ishte shume e popullarizuar ne vitet e 80-ta,kenga qe beri buje te madhe ne Kosove me titull ” Oj,Kosova Jonë e bukur ”
DIELLI:Ju ishit ne nje minikoncert ne SHBA,me konkretisht ne cilat qytete amerikane?
Naim Abazi:Ne keto dite së bashku me kengetaren dhe bashkeshorten,Mihrije Braha ishim te pranishem me shfaqjen e koncerteve tona ne disa qytete te njohura,duke filluar nga Toronto e Kanadase,pastaj ne Nju Jork,Cikago,Feniks te SHBA-ve.Duhet ta permendi nje fakt shume te rendesishem së kudo ne koncertet tona te shfaqura ne mesin e shqiptareve te Amerikes jemi pritur kudo me duartrokitje nga bashkeatdhetaret tane dhe jemi mahnituar me ndjenjen e tyre atdhetare qe ata kan per ceshtjen shqiptare.
DIELLI:Cili eshte mendimi i juaj per publikun muzikedashes te mergates së Amerikes?
Naim Abazi:Mendimi im per publikun e mergates shqiptare te Amerikes eshte ne superlativ.Ne kemi nje mergate te mrekullueshme e cila e perjeton denjesisht muziken popullore shqiptare dhe me ndjenja kombetare.Ne te gjitha qytete ku kemi shfaqur koncerte festive me rastin e shenimit te 103 vjetorit te Pavaresise së Shqiperise jemi pritur me shume nderime dhe respekt nga mergata shqiptare e Amerikes dhe mu kujtuan vargjet e bukura qe kishte thurur shkrimtari yne i madh,Noli per shqiptaret e Amerikes.Vertete, shqiptaret e Amerikes Jane pjese integruese dhe e pandare e kombit shqiptar,ata jane nje ze i fuqishem i ceshtjes shqiptare ne mergate dhe Atdheun e tyre.
Mergata mbetet gjithmone me dhimbje,me mall dhe dashuri te pashuar per Atdheun.
Publiku i mergates jeton dhe frymon shqip.Une edhe ne emisionet e mia televizive i kushtoj nje hapesire te gjere dhe te vecante mergates,per faktin së Ajo eshte fuqia mbrojtese e ndjenjes kombetare dhe fizikusit shqiptar ne trojet e veta etnike.Dua te them së gjate ketyre koncerteve te shfaqura ne Amerike ,mjaft mbreselenese ishte takimi im me shqiptaret e Arizones,ketu ne SHBA.Pra,ishte nje takim i perzemert me kete komunitet te ri dhe te kosoliduar ku ne kuader te tij takova edhe shume intelektuale te mirefillte si:profesore,juriste,ekonomiste,gazetare etj.Uroj,keshtu së bashku festen e Flamurit dhe te Pavaresise së Shqiperise ta kremtojme te bashkuar qe nga Konispoli e deri ne Bajgore dhe ne nje te ardhme te afert ne Shqiperine e bashkuar.
DIELLI:Cili eshte mendimi i juaj per interpretimin e kenges popullore sot ne Kosove ?
Naim Abazi:Kenga popullore vazhdon te jetoj e fuqishme si ne Kosove,Shqiperi dhe gjitheandej trojeve shqiptare,pavaresisht evolimit te zhanreve te tjera muzikore.Kenga popullore,megjithate vazhdon te mbetet strumbullari kryesore i argetimit te popullit tone dhe vazhdimesise së tradites sone muzikore shqiptare neper vite dhe dekada.
DIELLI: Cilin interpretim dhe zhaner te muzikes do ta kultivoni me teper ne te ardhmen?
Naim Abazi:Kultivimi i muzikes popullore shqiptare mbetet detyre paresore edhe ne te ardhmen,sepse ajo buron nga origjinaliteti i kombit tone me tradite te lashte dhe percillet edhe tek gjeneratat e reja me plot pasion dhe deshire per muziken tone burimore.
Dielli:Cilin nga kengetaret e estrades muzikore nga trevat shqiptare do ta veconit?
Mua me pelqejne te gjithe kengetaret e estrades si nga Kosova dhe Shqiperia.Nuk kam deshire ti marre me emer dhe ti ndaj,sepse te gjithe e kultivojne me mjaft sukses kengen tone te pasur popullore.Ne muziken e sotme boterore nje emer te madh ka bere padyshim kengetarja me prejardhje nga Kosova,Rita Ora,e cila eshte mjaft e talentuar.
DIELLI:Pervec zerit brilant si kengetar,jeni i njohur edhe si moderator i spektaklit televiziv
” ODEON SHOW ” ne RTV-21,C’fare mund te na thoni per moderimin televiziv?
Naim Abazi:Faleminderit per kete pyetje shume te qelluar,pos me kengen Une aktualisht po merrem edhe me moderimin ne nje emision televiziv mjaft te popullarizuar ne RTV-21.Te them te drejten moderimi eshte nje pasion i ri per mua, i cili me ka lindur spontanisht.Ne kete spektakel televiziv mundohem te jem sa me i drejtperdrejte me audiencen dhe telespektatorin ne anen tjeter.Ne emisionet e mia televizive kam te ftuar mysafire te ndryshem te fushave te ndryshme profesionale dhe personalitete te shquara publike,letrare,politike,diplomatike nga te gjitha trevat tona etnike shqiptare,te cilet e begatojne edhe me shume kete spektakel televiziv shume te popullarizuar ne Kosove.
Dielli: Per fund,cili do te ishte mesazhi i juaj per mergaten shqiptare te Amerikes?
Naim Abazi:Uroj,qe edhe ne te ardhmen ti ruani me dinjitet traditat tona kombetare dhe kulturore,si nje pasuri e ruajtur dhe trasheguar brez pas brezi.U mahnita me femijte e lindur ne Amerike,te cilet me aq madheshti e flasin gjuhen e embel e te bukur shqipe dhe frymojne shqip,kjo eshte mergata e Jonë e bukur e cila gjithmone ka qene bartese e denje e identitetit tone kombetar dhe kulturor.Me kete rast i uroj suksese te metejme gazetes me te vjeter ne mbare hapesiren shqiptare “DIELLI” e cila i pasqyron te gjitha aktivitetet e mergates shqiptare dhe eshte nje diell i vertete qe na sjell gjithmone ngrohtesi ne vatrat tona!Gjithashtu i uroj gjithe mergates shqiptare te Amerikes”Gezuar festat e fundvitit dhe shume shendet dhe lumturi ne familjet dhe vatrat tuaja!
*Ne Foto:Kengetari Naim Abazi i intervistuar nga gazetari Lulzim Mulliqi

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Lulzim Mulliqi, me kengetarin, Naim Abazi

Shuplaka e BE-së për qytetarët e mashtruar të Kosovës!

December 18, 2015 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/
Kur ishim të vegjël, kur kërkonim diçka nga prindërit për të na blerë, na thoshin hajt se nesër ta blej, e në fakt kalonin shumë të nesërme…edhe me çështjen e vizave kështu po ndodh.
Mali i Zi mori ftesë për anëtarësim në NATO. Serbia filloi me hapjen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Liberalizimin e vizave e mori edhe Kolumbia e Pablo Eskobarit dhe Ukraina e përgjakur tash e gati dy vite.
E, Kosova ku po shkon dhe çfarë përfitoi deri më tash? As liberalizim të vizave nuk përfituam deri më tash, pavarësisht dhjetëra marrëveshjeve të nënshkruara, pjesa dërrmuese e tyre madje edhe në dëm të shtetit. Kjo tregon se kemi politikëbërës të dështuar dhe idiotë që s’e kanë shokun. Ky vend po më ngjan me një laborator për eksperimente të fuqive të mëdha, prandaj kemi një pushtet dhe një klasë politike të tillë, me lloj-lloj gangsteri, mafiozi, hajni, krimineli, banditi, aventurieri, rrugaçi, vrasësi, debili, psikopati, tradhtari, sepse janë të ndërtuar në laboratorin eksperimental ndërkombëtar.

Përralla me mbret!

BE-ja duke mos liberalizuar vizat për qytetarët e getoizuar të Kosovës, po na tregon qartë se Kosova nuk është shtet, por është një laborator për eksperimentet e tyre djallëzore, që padyshim produkt i këtij eksperimenti janë edhe këta politikanë tanë kriminelë e mafiozë. Përralla me mbret se jemi pjesë e Evropës. Po të ishim pjesë e Evropës, dhe kjo BE po ta kishte seriozisht ndërtimin e një shteti serioz në Kosovë, fati i këtij vendi dhe këtij populli që 16 vjet, nuk do kishte ngelur në dorën e kësaj klase politike mafioze, banditeske dhe kriminale, e aq më pak në dorën e idiotëve si Hashim Thaçi me Isa Mustafën dhe bishtat e tyre!

Po të kishim një lidership serioz e jo të shantazhuar, që sot do t’i kishte ndërprerë bisedimet me Serbinë në Bruksel. Për çfarë të zhvillohen ato bisedime, për t’i bërë favore Serbisë dhe ne mos të përfitojmë asgjë?
Shuplaka e BE-së dhënë Kosovës, për mosliberalizim të vizave edhe për një afat të pacaktuar, nuk ishte shuplakë për politikanët e Kosovës, sepse ata kanë pasaporta dhe dyert e hapur jo vetëm në vendet e BE-së, por në shumicën e shteteve të botës. Shuplaka dhe sinjali i BE-së, ishte për qytetarët naivë të Kosovës, të cilët akoma po i hanë gënjeshtrat dhe mashtrimet e këtyre politikanëve mafiozë. Sinjal më të qartë për këtë popull besoj që BE-ja deri tash nuk ka dhënë, që me shqelma duhet t’i largojnë nga politika këta banditë, kriminelë e mafiozë.
Hashim Thaçi gjoja e përjetoi “rëndë” lajmin për mosliberalizim të vizave, dhe apeloi për protesta para zyrës së BE-së në Prishtinë. Kurse, Isa Mustafa filloi të tallet me qytetarët e Kosovës ‘’se kosovarët mund të jetojnë edhe pa viza’’. Kadri Veseli me këtë deklaratë goditi fortë dy të parët kur tha “BE le të na i marrë vizat neve- politikanëve, jo t’i ndëshkojë qytetarët”.
Megjithatë, Thaçi beson se në javët e para të vitit 2016 do të ndodhë rekomandimi për liberalizim të vizave për Kosovën. Shumë të sigurt për këtë gjë janë edhe Isa Mustafa, Bekim Çollaku dhe Skënder Hyseni!

Ia pinë gjakun me pambuk!

Për shkak të dështimit të liberalizimit të vizave në 2016, përgjegjësinë e ndëshkimit duhet ta paguajë kjo Qeveri mashtruese dhe mafioze, sepse popullata, përveç keqqeverisjes së tij, kapjes së shtetit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe papunësisë së madhe, varfërisë ekstreme dhe padrejtësive të tjera, është në shpërthim e sipër nga stërlodhja e të jetuarit tash e më shumë se 16 vite në kafaz. Dhe me të drejtë, por edhe nga “zemërgjerësia” e përfaqësuesve të BE-së, qytetarët e dërrmuar të Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave në vitin 2016, të cilët kanë mbetur peng i kësaj klase politike mafioze dhe kriminale, dhe po ndëshkohen nga BE-ja, por jo edhe pa fajin e bashkësisë ndërkombëtare, prej të cilëve këta politikanë mafiozë edhe kanë mbështetjen për krimet dhe djallëzitë e tyre.
Me një fjalë BE-ja na tregoi që ky vend me këta politikanë mashtrues, të paskrupullt dhe mafiozë, ka shkuar për lesh, në dreq të mallkuar! Prandaj, s’kemi pse të ndëshkohemi nga BE-ja, për shkak të këtij pushteti kriminal e mafioz, por t’i largojmë nga skena politike dhe t’i fusim të gjithë në burg! Popull, a nuk po e shikon se ky pushtet kriminal e këta politikanë mafiozë po tallen me ty? Zgjohu, mos fli! Tregoja dhëmbët këtyre kriminelëve që po tallen me ty. Mos lejo që fati yt dhe e ardhmja e fëmijëve të tu, të ngelet në duart e këtyre gjakpirësve, të cilët tash e 16 vite po ta pinë gjakun me pambuk!

Filed Under: Opinion Tagged With: e mashtruar, faik Krasniqi, për qytetarët, Shuplaka e BE-së, te Kosoves

Njëri e nis, tjetri e bitis

December 18, 2015 by dgreca

OPINION NGA ILIR HASHORVA-Nju Jork/
Ndoqa punimet e parlamentit më 17 dhjetor, në ditën e protestës së dytë të PD-së. Pika kryesore e rendit të ditës ishte ligji për dekriminalizimin e parlamentit, sipas të cilit persona me të shkuar kriminale nuk do të hynë më në parlament. Ligji u miratua njëzëri. U tha se ishte me 4 nene, por vetëm kaq. Hollësira të tjera, të paktën, unë, nuk di. Në qoftë se ligji nuk fillon me përkufizimin e qartë dhe të drejtë të kriminelit, domethënë cili do të quhet kriminel, ai ligj nuk thotë asgjë dhe, ndoshta, edhe prandaj u miratua pa asnjë kundërshtim. Në qoftë se ligji do të kapet vetëm mbas disa pak personave që kanë kryer krime të kufizuara, kanë vrarë njëri-tjetrin, apo kanë vjedhur njëri-tjetrin, dhe nuk merret me grupe, parti, apo dhe me vetë parlamentin, veprimet e të cilëve ndikojnë negativisht mbi një numër të madh personash, ai ligj nuk ka asnjë vlerë.
Pikërisht këtë ditë, këtë ditë që u miratua ligji i dekriminalizimit, në një parlament që ngjante më shumë me një klasë të shkollës tetëvjeçare, ku nxënësit tallen me mësuesin, bëjnë zhurmë, qeshin, flasin, bërtasin, ikin, vijnë sipas qejfit, u zhvillua një debat i ashpër midis Edi Ramës dhe Sali Berishës në lidhje me dy çështje të cilat i kanë bërë bashkërisht, por secili fajëson tjetrin:
Çështja e parë: Dekorimi i 1000 personave si veteranë të luftës nga ana e PS-së.
Midis të dekoruarve ishte edhe Shyqyri Çoku, personi që ka zhvilluar hetuesinë e At Zef Pllumit, të Sami Repishtit dhe të shumë të tjerëve. Ç’është e vërteta, ndonëse ky person ka kryer hetuesinë e At Zef Pllumit, që tashmë është bërë shumë i njohur me sagën e tij të krimit komunist, nga vetë tregimi i At Zefit, ky hetues nuk del të jetë treguar kriminel, duke pasur parasysh standardet për kriminelin e asaj kohe. Ka pasur hetues e kriminelë të tjerë që i kanë nxjerrë të burgosurit e tyre edhe të gjymtuar, edhe të vdekur. Megjithatë, si hetues i regjimit komunist, Shyqyri Çoku duhet të mbajë njollën e turpit dhe të krimit dhe jo lavdinë e dekorimit. Në listën prej 1000 të dekoruarve me siguri ka edhe shumë të tjerë që kanë marrë në qafë dhe kanë trajtuar edhe më keq se Shyqyri Çoku plot persona të tjerë për të cilët sot nuk ka kush flet. Ata janë të gjithë kriminelë dhe të dekorosh kriminelët, në vend që t’i dënosh, mund të konsiderohesh si bashkëpunëtor në krim: ai që i dekoron nuk është më pak fajtor se krimineli që dekorohet. Por, ai që e ngre zërin më fort kundër këtyre dekorimeve, Sali Berisha, i ka bërë vetë listat mbi të cilat u bazuan dekorimet e PS-së vite më parë, jo për t’i dekoruar, por për t’u dhënë pensione shtesë. A nuk mund të konsiderohet edhe ai që u jep pensione shtesë kriminelëve vetë kriminel? Dhe, a ka ndonjë ndryshim në parim midis atij që u jep pensione shtesë kriminelëve dhe atij që i dekoron ata? Nuk e besoj.
Çështja e dytë: Legalizimet.
Ngrihet Edi Rama dhe mburret e thotë se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij janë kryer 40000 legalizime, ndërsa kritikon qeverinë e Berishës që në tetë vjet ka bërë gjysmën e tyre. Rama mburret me një nga çështjet më të diskutueshme të këtyre 25 vjetëve: me bërjen e të paligjshmes të ligjshme! Nuk besoj të ketë ndonjë kryeministër në ndonjë vend tjetër të botës, qoftë edhe në Afrikë, apo në Amerikën Latine, që të mburret me këto lloj punësh, sepse e di se, nga një anë, nuk e lë kush të veprojë kështu dhe, nga ana tjetër, e di se shteti i tij, për të cilin duhet të jetë i përgjegjshëm, nuk mund të ecë përpara me ligjërimin e të paligjshmes, me absurditetin. Edi Rama, në vend që ta paraqiste veprimin e tij të legalizimeve si një zgjidhje nga halli të një problemi të rëndë të trashëguar dhe të paraqiste njëkohësisht edhe ndonjë plan konkret për kthimin e shpejtë të pronave të pazëna pronarëve të vërtetë, apo t’ua kompensonte atyre me prona të tjera të shtetit apo me pare, mburret se u ka dorëzuar, edhe me dorën e vet, mijëra tapi atyre që kanë grabitur pronat, ndërsa për pronarët e vërtetë nuk thotë asnjë fjalë. Ngrihet pastaj Sali Berisha dhe thotë se meritën e ka ai, pasi ishte ai që filloi legalizimet dhe jo Edi Rama dhe u bën thirrje zaptuesve të trojeve që të mos paguajnë asnjë lek për trojet e zëna për procesin e legalizimit, pasi kur të vijë ai përsëri në pushtet, do t’ua bëjë legalizimin krejtësisht falas. Dhe, a ka ndonjë ndryshim këtu në fajësi midis atij që bën disa mijëra legalizime të pronave të paligjshme dhe atij që bën dyfishin, apo midis atij që e fillon atë proces dhe tjetrit që e përfundon?
Këtyre lloj politikanësh u duhet ndaluar hyrja në parlament, për këta duhet bërë një ligj i fortë, një ligj që të mos lejojë në asnjë mënyrë që ligjet të bëhen prej tyre. Padrejtësinë, apo krimin, pasi padrejtësia është krim, e kanë bërë bashkërisht të dy: Sali Berisha dhe Edi Rama, edhe pse të dy kritikojnë, shajnë e nëmin njëri-tjetrin, se njëri e ka bërë mirë dhe tjetri keq. Më e drejtë dhe më e ndershme do të kishte qenë në qoftë se i pari, Sali Berisha, jo të kritikonte, por të lëvdonte të dytin, Edi Ramën, duke i thënë: “Bravo të qoftë, atë që nisa unë e bitise ti”.

Nju Jork, dhjetor 2015 Ilir Hashorva

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Hashorva, Njëri e nis, tjetri e bitis

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT