• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Agim Rexhaj, zv/ kryetar i Vatrës, i ftuar në pritjen vjetore të kongresmenit Joe Crowley

December 15, 2015 by dgreca

Ne Foto: Zv/Kryetari I vatres Agim Rexhaj me senatorin democrat të Nju Jorkut Charles Schumer gjatë pritjes/

Zv/ Kryetari i Vatrës z. Agim Rexhaj ishte i ftua të Dielën me 13 dhjetor 2015 në pritjen vjetore që dha kongresmeni demokrat Joe Crowley. Z. Rexhaj shoqërohej nga zonja e tij, Laura.

Gjatë mbrëmjes festive, ku morën pjesë shumë personalitete amerikane, z. Rexhaj e informoi kongresmenin për komunitetin shqiptar, dhe në mënyrë të vecantë për Organizatën më të vjetër të Shqiptarëve të Amerikës, Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra.

Po ashtu z. Rexhaj pati rastin që të takonte gjatë mbrëmjes edhe me senatorin e Shtetit të Nju Jorkut Charles Schumer, të cilin e falenderoi për mbështetjen që i jep komunitetit shqiptar. Zv/Kryetari i Vatrës e falenderoi senatorin edhe për pjesmarrjen e tij në festimet e Federatës Vatra me rastin e 100 vjetorit të themelimit , ku senatori ishte i pranishëm dhe përshëndeti gjatë darkës.

Filed Under: Vatra Tagged With: agim Rexhaj, annual Holiday, Joe Crowley, Kongresmeni

U ngrit Shqiponja dhe në Clearwater

December 15, 2015 by dgreca

nga Zamira Rubjeka/

Flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krerëshe u valvit edhe në Clearwater, ku 500 bashkatdhetarë u bënë bashkë. Komuniteti Shqiptar në Tampa Bay si gjithë Diaspora, festoi ditën e Pavarësisë së Shqipërisë me entuziazëm dhe dashuri kombëtare. Këtë radhë pas një pune rigoroze dhe frymë bashkëpunimi ndërmjet organizatave shqiptare të Clearwater në Florida (FL), u arrit një marrëveshje që festa kombëtare të zhvillohet së bashku me një qëllim kryesor dhe të vetëm në mendje, atë të bashkimit kombëtar, duke lënë mënjanë çdo interes personal apo grupor. Këto organizata ishin Vatra Tampa Chapter, Albanian Heritage Foundation of Tampa Bay and AANO. Ky ishte një sukses për komunitetin shqiptar që për herë të parë me dedikim vullnetar festuan së bashku këtë festë madhështore dhe aq simbolike për të gjithë shqiptarët. Meritën e këtij bashkëpunimi e kanë z. Arian Kushta, z. Ardian Kraja, z. Tasim Ruko dhe z. Metat Idrizi me përkrahjen e  të gjithë bordit Vatra Tampa. Në këtë festë performuan i talentuari Devis Xherahu, Ermal Mamaqi dhe e mirënjohura e skenës dhe ekranit shqiptar zj. Silvana Braçe. Hapja e ceremonisë u bë me himnin e flamurit amerikan interpretuar nga e talentuara këngëtarja amerikane Lilly Cruz dhe himni shqiptar u këndua nga vogëlushja shqiptare Altea Ali. Salla kumboi nga zërat e të gjithë pjesmarrësve që këndonin së bashku me këngëtarët me dorën në zemër dhe të emocionuar. Mbi 500 shqiptarë të bashkuar si asnjëherë më parë, u përmalluan për vendlindjen dhe nderuan edhe këtë rradhë gjakun e derdhur për liri dhe demokraci. Ajo që i solli veçanti dhe emocion të thellë ishte dhe pjesmarrja e zonjës Silvana Braçe që me zërin e saj të ëmbël dhe prekës solli një copëz Shqipërie më vehte që u ndie nga të gjithë bashkëkombasit duke sjellë emocione të rralla dhe duke shuar sado pak atë mall që përvëlon çdo ditë të gjithë shqiptarët në diasporë. Vetëm një artiste dhe ikonë si zj. Braçe arrinë të ofrojë publikut momente të tilla magjike. Më tutje shfaqja vazhdoi me valle nga krahina të ndryshme të Shqipërisë e prezantuar  nga grupi “Shqiponjat” që prezanton Shqipërinë me dinjitet çdo vit në Festivalin Folklorik të Saint Petersburg, FL  dhe që është formuar nga fondacioni AHFT. Më vonë vogëlushet e shkollës shqipe”Iliria” recituan në shqip me zërat e tyre plot jetë vjersha patriotike duke e bërë atmosferën më gjallëruese dhe të këndshme. Fjalën e rastit e mbajti Z. Tasim Ruko kryetar i degës Vatra Tampa Chapter ku përshëndeti bashkatdhetarët. Përshëndetje dhe falenderime u bënë dhe nga kryetarët e dy organizatave të tjera Z. Kraja dhe Z. Idrizi.Më pas këngëtari i talentuar dhe i mahnitshëm Devis Xherahu ngriti publikun në këmbë me një këngë patriotike duke mbajtur flamurin shqiptar në një dorë dhe mikrofonin në tjetrën në mes të vëllezërve dhe motrave shqiptare.(Te plote lexoje ne Diellin e printuar)

Filed Under: Vatra Tagged With: Clearwater, shqiponaj, Zamira Rubjeka

Jemi bërë pis

December 15, 2015 by dgreca

…Eshtë luftë pa kompromis qeverisja, lartësi. O bëhesh Enver me haluçinacione gjumi. O qaraman i përjetshëm. Megjithëse ka dhe një rrugë fare të hapët. Atë që ofrojnë martirët… të cilëve ti sapo u kërkove ndjesë./

Nga Ilir Levonja-Florida/

Edi Rama i kërkoi falje publikisht padër Zef Pllumit dhe profesor Sami Repishtit. Po ndërsa i pari është pranë Zotit të tij me misionin e mbushur. Duke lënë për së pari një mëshirë të madhe përballë krimit dhe torturave çnjerëzore. Luftës së njëriut ndaj njeriut. Duke i kujtuar shoqërisë së tij se tjetër është të dukesh. Dhe tjetër të ndihesh. Mëshira për xhelatin është dashuri. Që Zoti ia jep shpirtit të fortë. Megjithatë në atë shoqërinë tone një shpirt i tillë është akoma humbacak. Kjo për shkak se aty vetëm sa duken. Dhe aspak nuk ndihen. I dyti është akoma gjallë dhe me një mendje të kthjellët dhe po kaq paqësore. Ofron për treçereshekulli ura komunikimi dhe bashkëpunimi.

Duke shmangur pikërisht frymën ideollogjike mbi të cilën po shinohet demokracia, jo më e re shqiptare. Nuk ka për të vonuar. Madje unë e parafytyrojë se si po sillet në muzgjet e dimrit amerikan. Brenda dhomave, duke nënqeshur me faljen ideologjike të Edi Ramës. Me ankesën e pendurakut të shtirur duke qeverisur përjetësisht, plot ankesa, ndaj dhe vetëm një emri. Ai quhet Sali Berisha.Edi Rama rrahu gjoksin se fitoi me një million vota. Dhe sot qeveris me një million ankesa ndaj vetëm një personi. Edi Rama flet për shtetin e së drejtës. Dhe sot ankohet për padrejtësitë e një shtetari unik. Edi Rama foli për mirëqënie, zhdukje të papunësisë.

Dhe sot ankohet se nuk e lë Sali Berisha. Edi Rama mburret se mori 1 million vota. Megjithatë ankohet se po nget një makinë që e ka projektuar paraardhësi i tij. Dhe jo rastësisht në internet është hedhur. Bashkë me faljen plot lot krokodili të Kryeministrit. Një video montazh me arrestimin e Sali Berishës. Më mire nga të gjithë ne, e di vet lartësia e tij që loja me Saliun është për të mbuluar dështimin. Dhe duke e ditur se Sali Berishën nuk e arreston dot. Ai vetëm qahet.

Eshtë luftë pa kompromis qeverisja lartësi. O bëhesh Enver me haluçinacione gjumi. O qaraman i përjetshëm. Megjithëse ka dhe një rrugë fare të hapët. Atë që ofrojnë martirët… të cilëve ti sapo u kërkove ndjesë. Kjo është hedhja e bazave të shtetit të së drejtës, pa ankesa, pa pendesa të shtirura, pa qaravitje, pa frymë ideologjike, pa dasime jug­veri, pa fantazinë e provincialit ballkanas, bëj si them unë dhe jo si bëj unë. Kjo është më fisnikja…, ajo e bashkëpunimit dhe e ndjesës së madhe karshi një populli që do apo nuk do ti, eshtë fytyra martire e padër Zefit dhe e profesorit që akoma frymon këtu në Amerikë. Por kjo nuk ndodh, pasi ti vet e thua. Jemi bërë pis të gjithë. Shumë mire që nuk e përjashton veten. Por kaq është vetëm llafollogji. Fakti është kokëfortë, i qartë. Si ai që ti mban në krahë, në aleancën tënde të madhe mbi bulevardin e 21 janarit. Përpara se të arrestosh Sali Berishën, u thuaj rolexave të drejtësisë shqiptare, të arrestojnë aleatin tend. Pastaj, edhe veten e tyre… Ti shko më këmb. Ty të pëlqen të ecësh më këmbë. Biles vish një bluzë me logon e faljes. Mblidhuni bashkë se, ka vend me bollëk. Dhe falja është më pranë Zotit nga hijet e qelisë. Veç ashtu mund t’i ndjesh emrat të cilëve vërtet u falesh publikisht.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Jemi bere pis

KRISTI KONDAKÇI-DIRIGJENTI QË PO NDERON SHQIPËRINË NË AMERIKË

December 15, 2015 by dgreca

-Ky program, ishte kartolina më e bukur për ne në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të cilën na i dhuroi Kristi, u shprehën pjesëmarrësit pas shfaqjes së ditëve të fundit, që dirigjoi ai./

Nga Fuat Memelli/

Boston- Këto ditë në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, isha i ftuar në një koncert këtu në Boston, që do ta dirigjonte i riu shqiptaro-amerikan, 24 vjeçari, Kristi Kondakçi. Kisha dëgjuar të flitej për këtë të ri të talentuar, por nuk më ishte dhënë rasti të shoh nga afër dirigjimin e tij. Një sallë në North And, zonë shumë e njohur në Boston e bizneseve dhe e banimit nga italiano-amerikanë, ishte mbushur plot. Muzika e zgjedhur, ishte “Messiah” (si gjini është oratorio, gjini vokale-orkestrale) e kompozitorit të shquar,George Frederik Hendel. Qysh me hyrjen në sallë të dirigjentit Kristo Kondadakçi, pjesëmarrësit e duartrokitën fort , që me sa duket i njihnin talentin e tij.

Për një orë e gjysëm, ata ndoqën orkestrën dhe korin e dirigjuar nga i riu shqiptar. Në mbyllje të programit, ishte lënë pjesa “Hallelujah”.Ajo  shënoi  edhe momentin më kulmor të shfaqjes. Duartrokitje të shumta, vazhduan për minuta të tëra. Kristi përkulej para spektatorëve të ngritur në këmbë, për t’i falenderuar. Si “shpërblim” për vlerësimin e bërë, Kristi  i kërkon orkestrës, për ta përsëritur edhe një herë këtë pjesë. Kthehet me fytyrë nga salla duke dirigjuar njëherësh , orkestrën dhe publikun. Kur duartrokitjet pushuan, pjesëmarrës të ndryshëm afrohen te Kristi , i shtërngojnë dorën dhe e falenderojnë.-Ky program ishte kartolina më e bukur për ne në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të cilën na i dhuruat ju, u shprehën ata. E falenderojnë edhe pjesëtarë të orkekstrës e të korit. Afrohet edhe shqiptari Petrit Alibej, i cili e ka ndjekur ndër vite ecurinë e Kristit. Pasi e falenderon, bën edhe një foto me ‘të.- Ky djalë, na ka nderuar ne si shqiptarë, thotë Petriti. Fatkeqësisht atë më shumë e njohin amerikanët , se sa shqiptarët. Duhet ta bëjmë më të njohur këtë djalë mes shqiptarëve të Bostonit si dhe shqiptarëve të tjerë të Amerikës, thotë Petriti. Organizatorët e pasqyruan veprimtarinë brenda natës, te faqja: messiah by kristo kondaci.com (Ata që duan të shohin veprimtaritë e tij, i gjejnë te kjo faqe.) Por, cili është Kristi Kondakçi?

Kanë kaluar rreth 18 vjet kur familja e tij, bashkë me gjyshin, të ndjerin Beqir Omari, ish i përndjekur nga regjimi komunist, emigroi nga Shqipëria në Amerikë dhe u vendos në Boston. Për ta arsimuar sa më mirë, familja e dërgoi në shkolla private, ku u shqua si nxënës i shkëlqyer. Paralelisht vazhdoi edhe shkollë private për piano, nën drejtimin e mësueses së shquar ruse, Tatjana Dodoçki. Më pas vazhdon për katër vjet “New England Conservator”, në degën e kompozimit, të cilën e mbaron më rezultate të larta. Në vitin 2009, merr çmimin e parë në shkollë për kompozim. Krahas kompozimit, vazhdon studimet edhe për dirigjim, duke u shkolluar në dy fusha. Ai tani jo vetëm dirigjon , por edhe luan në piano. Aktualisht është asistent dirigjent në dy orkestra: “Landmarks  Orchestra”si dhe në Filarmoninë e Bostonit. Është një pozicion jo i vogël ky , për një djalë 24 vjeçar, në qytetin e Bostonit, një nga qytetet më të njohura të Amerikës.

Brenda një kohe të shkurtër,  ka dhënë 18 shfaqje, të cilat janë vlerësuar nga specialistët e fushës si dhe spektatorët. Kohët e fundit, ka krijuar edhe orkestrën e tij me emrin “Eureka”, e cila përbëhet nga 49 instrumentistë të moshës 18 vjeçare. Janë të talantuar, ashtu siç është vetë Kristi. Me pasionin dhe këmbënguljen që ka ai, kjo orkestër nesër mund të bëhet me emër në Boston. Dëgjuam se shpesh Kristi komunikon me fjalë shqipe me trupën e orkestrës. Dhe kjo, nuk është rastësi. Është dashuria që ai ka për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, e cila e nxit t’u mësojë atyre edhe ca fjalë shqipe.( Një i ri i kësaj trupe, ka mësuar 50 fjalë shqip nga Kristi.) Megjithëse ka ardhur fare i vogël në Amerikë dhe është shkolluar në anglisht, e flet shumë mirë gjuhën shqipe.Dashurinë për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, ia kanë rrënjosur jo vetëm prindërit, por edhe gjyshi i tij, i ndjeri Beqir Omari,  që ndrroi  jetë këtu në Boston para tre vjetësh.

“Magneti” i Shqipërisë e tërheq vazhdimisht, ndaj në shtator të vitit të kaluar , i ftuar nga drejtori  i Teatrit të Operas dhe Baletit, Ilir Kërni, shkoi aty dhe drejtoi orkestrën e këtij  institucioni. Pjesa që dirigjoi, ishte sinfonia ” Titani” e kompozitorit Gustav Mahler.Kish marrë me vete partiturat dhe në një kohë rekord prej 5 ditësh, arriti të verë në skenë këtë pjesë të vështirë dhe të panjohur në Tiranë. Nuk ishte parë që në kohë kaq të shkurtër, të përgatitej për shfaqje një sinfoni nga një dirigjent i ri (23 vjet vitin e kaluar ) me moshë shumë më të re se pjesëtarët e orkestrës dhe që nuk i njihte më parë. Me pasion dhe këmbëngulje, dy “armët” e tij të forta,e bëri për vete trupën dhe shfaqja pati një sukses të merituar. Në fakt dha dy shfaqje njëra pas tjetrës.

Një cilësi e veçantë e Kristit, është thjeshtësia e tij.Ai komunikon me trupën  e orkestrës, me korin dhe spektatorët, si shok i tyre.-E gjithë grupi: orkestra, kori dhe dirigjenti,duhet të funksionojnë si një trup i vetëm. Ndryshe nuk ka sukses, thotë ai.

Ky është shkurtimisht portreti i dirigjentit të ri shqiptaro-amerikan, Kristi Kondakçi, i cili po nderon Shqipërinë. Është i vetëdijshëm se ndodhet në hapat e para të karierës së tij, ashtu siç është i vendosur për të hedhur hapa të tjerë edhe më të mëdhenj në të ardhmen. Në mëndje ka plot plane, por nuk do të nxitohet. Do të ecë i sigurt. As reklamë nuk kërkon.-Reklama më e mirë është puna, thotë ai. Sipas Kristit, një nga planet më të afërta është përgatitja e një koncerti me pjesë nga kompozitorë të shquar shqiptarë si Çesk Zadeja, Tish Daia,  Preng Jakova ,Feim Ibrahimi, etj. Do të jetë ky program edhe një mirënjohje për këta kompozitorë të shquar shqiptarë. Synimin e ka që shfaqja të jetë gati  në muajin maj të vitit që vjen dhe të jepet në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston. Në orkestër kërkon të ftojë muzikantë shqiptarë që jetojnë në Boston e qytetet rreth tij si dhe nga Shqipëria. Plane të tjera ka për shfaqje në Amerikë si dhe në vënde të ndryshme të Botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Në mëndje ka shumë plane, në zemër plot tinguj. Jeton në një botë tjetër, në botën e tingujve, ashtu si gjithë muzikantët e shquar.

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Fuat Memelli, KRISTI KONDAKÇI-DIRIGJENTI, ne Amerike, QË PO NDERON SHQIPËRINË

Elida Buçpapaj :Viktimat vijojnë të mbeten të persekutuara nga genocidi i kujtesës

December 15, 2015 by dgreca

Nga Valeria Dedaj/

 Vajza e poetit, Vehbi Skënderi, tregon për kalvarin e vuajtjeve që ka kaluar i ati./

Si poete dhe publiciste, por edhe si një njeri që i ka përjetuar persekutimet komuniste, Elida Buçpapaj, hapjen e dosjeve e shikon domosdoshmëri për viktimat.

Shkrimi i një fejtoni do t’i ndryshonte jetën plotësisht. Aty do të niste zanafilla e vuajtjeve të tij dhe të familjes. Bëhet fjalë për poetin Vehbi Skënderi (1929-2011). Vehbi Skënderi shkruan fejtonin “Klubi i të qetëve” dhe një pamflet për të cilin kishte bashkëpunuar me një grup të shquar intelektualësh, që e dërgoi për botim te “Zëri i Popullit”. Në të kritikonte rëndë institucionet e Akademisë së Shkencave. Por pamfleti nuk botohet, edhe i dorëzohet Byrosë Politike. Në Komitetin Qendror e akuzonin ai nacionalist. Pasi i shpëton burgut, e dërgojnë për riedukim, si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Por ky ishte vetëm fillimi i vuajtjeve të tij, ata do të vazhdonin ta endnin nga një vend në tjetrin, deri në repartin e plehrave në Kombinatin Poligrafik. Vajza e tij, Elida Buçpapaj, poete edhe publiciste prezanton për lexuesin vuajtjet që i ka shkaktuar familjes së saj sistemi komunist. Ajo ndalet edhe te domosdoshmëria e hapjeve të dosjeve në vendin tonë.

E nisim nga fëmijëria. Vitet kur poeti, Vehbi Skënderi, babai juaj ju tregonte përralla dhe plotësonte çdo dëshirë tënden. Si i kujton sot ato vite?

Elida Buçpapaj:Fëmijëria ime ishte efemer, si një ëndërr, që zgjat sa zgjasin ëndërrat. Më kujtohet kopshti 31 tek ish-Blloku, ku babi vinte e më merrte e më mbante në krahë. Nganjëherë më çonte tek gjyshja që e kishte shtëpinë ngjitur me Hotel Internacional, pas ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, tek rruga e Kavajës. Ishte një rrugë që netëve të dimrit mbante erë tym, kështu e kam të fiksuar. Babi më adhuronte, më kishte kthyer në një objekt poetik. Në një poezi që më ka kushtuar (se më ka kushtuar poezi pa fund), unë yjet i konsideroja fëmijë të hënës. Pastaj kujtoj shtëpinë. Kur më tregonte përralla. I krijonte këto përralla enkas për mua. Ishte një personazh miush, rebel që sfidonte mbretëreshën dhe aventuronte. Pastaj më deklamonte poezitë e Nolit, sepse deklamonte si një aktor i madh, merreni me mend që një fëmijë pa shkuar ende në kopsht të dëgjojë Rent or Marathonomak, apo Anës Lumenjve, pastaj më deklamonte poezitë e tij, duke më mbajtur në gjunjë përballë makinës së shkrimit, ose më lexonte libra. Nganjëherë më merrte tek Revista Ylli ku punonte, kujtoj gjithçka nëpër mjergull. Kur shkoja tek revista Ylli më kujton Ajtanga Lubonja që punonte me babin. Kur mbusha pesë vjeç, babi na solli në shtëpi kolegun e tij, fotografin e Revistës Ylli, Petrit Kumi që më bëri fotografi shumë të bukura. Megjithëse unë i kisha flokët e verdhë, i thosh mamit që të m’i krihte alla Xheki Kenedi me kordele. Revista Ylli asaj kohe kishte një vizion shumë modern, pasi aty punonin disa shkrimtarë e poetë, si Naum Prifti, Kin Dushi, kryeredaktor kishin Qamil Buxhelin. Lidhja e Shkrimtarëve ishte ku është sot Teatri Popullor, babi më merrte me vete nganjëherë edhe aty, i pëlqente të luante shah, megjithëse nuk krenohej se ishte një lojtar i madh. Por gjithçka mbaroi pa nisur mirë dhe u zhduk sa hap e mbyll sytë.

Fill pas botimit të fejtonit “Klubi i të qetëve ose Klubi i të lumturve” për Klubin e Lidhjes se Shkrimtarëve dhe të Artistëve, në vitin 1967, jeta juaj do të ndryshonte plotësisht. Shqetësimet e babait, ishin edhe pjesë e juaja… Çfarë kujton nga ajo periudhë?

Elida Buçpapaj:Tek fejtoni “Klubi i të qetëve” nis zanafilla e vuajtjeve tona. Unë vetë nuk e kam lexuar kurrë këtë fejton, sepse, si ju thashë, kam qenë shumë e vogël dhe ia kanë zhdukur. Kanë ardhur në shtëpi dhe ia kanë marrë kopjet që kishte. Atëherë nuk kishte komputer si sot. Mund të jetë ndofta në Arkivin e Shtetit. Por kalvari i tim eti nisi kur, në të njëjtin vit me “Klubin e të qetëve”, ai duke bashkëpunuar me një grup të shquar intelektualësh si Profesor Selman Riza, Profesor Ligor Mile, Profesor Dhimitër Pilika, Kolonel Dilaver Radeshi, historiani i mirënjohur Zija Shkodra, majori Bektash Bedo etj shkroi një tjetër pamflet që e dorëzon për botim në Zërin e Popullit. Aty kritikoheshin rëndë disa institucione të Akademisë së Shkencave. Sipas një biografie të shkruar nga vetë babi, në këtë pamflet kritikohej Instituti i Historisë, që në vend se të merrej me figura e epoka madhore të historisë kombëtare, merrej vetëm me Haxhi Qamilin, duke mos bërë asnjë monografi për Pirron e Epirit, Teutën e Ilirisë, Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin e Fan Nolin, duke mos bërë asnjë studim për Lashtësinë, Mesjetën, Rilindjen Kombëtare, duke mos bërë asnjë studim për Kosovën. Kritikohej edhe Instituti i Gjuhësisë që në atë kohë nuk kishte përgatitur ende Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Këto dy institucione që mbuloheshin direkt nga krimineli Manush Myftiu krijonin bazën ideologjike të sistemit. Pamfleti nuk botohet. Zëri i Popullit që asaj kohe drejtohej nga Todi Lubonja ia dorëzon dorëshkrimin sekretarit të parë të Tiranës dhe me të merret Byroja Politike, duke e cilësuar veprimtari armiqësore grupazhi e njëjtë me Konferencën e Partisë së Tiranës. Babi më tregonte se në Komitetin Qendror, gjatë seancash të terrorit të gjyqit politik, e akuzonin për veprimtari antiparti sepse, sipas tyre, sulmonte institucionet e superstrukturës së shtetit, e akuzonin edhe si nacionalist, meqë u deklarua se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Gjyqi ishte kaq i tmerrshëm sa njëri prej pjesëtarëve, i ndjeri Bektash Bedo, vrau veten.

Unë s’kisha vajtur ende në shkollë, por e përjetoja tmerrin e vonesave të babit që kthehej në mesnatë, i shkatërruar nga marrja në pyetje. E kujtoj edhe se si qante babi kur vrau veten Bektash Bedo. Kur i shpëtoi burgut dhe e dërguan për riedukim si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, kjo njerëzve të shtëpisë iu duk si shpëtim. Me kujtohet se asaj nate kur u mor vendimi nga Komiteti Qendror, unë nuk e kisha konceptin e kohës, dhe m’u duk mesi i natës kur nusja e xhaxhait të vogël më mori e bashkë shkuam tek një ëmbëltore që ishte aty ku sot është sheshi para Muzeumit për të blerë tullumba për gjithë familjen që na priste.

Dhe pikërisht këtu do të merrte fund edhe fëmijëria ime, pa shkuar ende në klasën e parë, kur babi u nis në Vaun e Dejës dhe mua do të më ndërpriteshin të gjitha, përrallat, recitimet, vetë fëmijëria.

Regjimi i heq të drejtën e botimit dhe e dërgon në kantieret e klasës punëtore… ç’mund të thoni sot pas kaq vitesh për këtë dënim të sistemit? 

Elida Buçpapaj: Dënimi në Vaun e Dejës ishte njëri prej dënimeve, ose preludi i dënimeve që babit nuk ju ndanë kurrë deri sa vdiq këtu në Zvicër. Ambasada e Shqipërisë në Bernë bënte takime folklorizante deri në banalitet, por kurrë nuk ndërmori një aktivitet vlerësues për tim atë. Fakti që në krye të Ambasadës së Shqipërisë për 8 vjet qendroi një ish-censor i Komitetit Qendror që kishte mbetur i pakonvertuar dhe me mendësinë totalitariste, paçka se i emëruar nga PD, tregon se Shqipëria nuk e ka ende një sistem demokratik të mirëfilltë.

Pas një gjyqi politik, babin e dërguan si punëtor në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Ia hoqën të drejtën e shkrimit e botimit. Punonte me tre turne, sondist. Fliste me ne në telefon dy herë në javë. Bashkë me mamin shkonim tek Posta Qendrore e Tiranës sepse nuk kishim telefon në shtëpi dhe komshinjtë bezdiseshin e nuk pranonin që një grua e re dhe një fëmijë të flisnin nga telefoni i shtëpisë së tyre me një të dënuar të Partisë.

Në kantier babi i kishte caktuar vetes një kuotë shpenzimesh, hante vetëm 67 lekë në ditë dhe të tjerat ia niste mamit për rritjen time. Ai nuk i kishte mbushur ende 40 vjeç kur shkoi në Vaun e Dejës. Por megjithë vuajtjet e tij dhe izolimi që përjetonim ne në Tiranë, babi i deshi ata njerëz me të cilët punonte dhe shumica e tyre, punëtorë të thjeshtë dhe inxhinierë ia kthyen respektin me respekt.Lidhja e Shkrimtarëve ishte e mbushur me hipokritë e matrapazë arrivistë që për rehatin e tyre ishin gati të ngrohnin duart në zjarrin e inkuizitorëve. Në kantier, e provokonin rëndom, por pas pesë vitesh punë si punëtor, i dhanë prej kantierit një karakteristikë shumë pozitive. Babi kujtonte gjithmonë miqësinë e bukur me piktorin Nexhmedin Zajmi që e forcoi në kantier.

Herë pas here vendimet kundër tij, ishin nga më të ndryshmet. Si arriti babai juaj që të duronte gjithfarë torturash… A fliste me ju?

Elida Buçpapaj:Ishte një regjim shumë mizor. Vetë izolimi ishte i tillë sa dukej se gjithë globi fillonte e mbaronte në hapësirën territoriale të Shqipërisë.. Unë tashmë shkoja në shkollë. Me çelësin në qafë. Babi më kishte edukuar botën e librit. Kur kthehesha në shtëpi lexoja libra pa fund. Ndofta kam qenë në klasën e parë apo të dytë kur kam lexuar Andromakën, tragjedinë e Euripidit dhe vuaja me fatin e të vesë të Hektorit me të cilën kishte rënë në dashuri Akil Pelidi. Po ashtu më magjepsnin Jetët Paralele të Plutarkut. Vetëm lexoja. Kur e mbaroi dënimin, babi rikthehet në Tiranë. Midis viteve 1971-1972. E lënë të punojë si korrektor, pastaj si redaktor në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri në redaksinë e poezisë. Ne ishim të lumtur dhe ndërsa posa e kishim marrë pak veten dhe rifilluar jetën, “rehabilitimi” zgjati vetëm disa muaj dhe në marsin e 1974, babin e akuzojnë si pjesëtar të një qendre korrupsioni. Kjo është temë më vete, e pazbardhur.

Unë tashmë këtë fazë tmerri e kujtoj fare mirë sepse isha në tetëvjeçare. Kjo periudhë që zgjati një dekadë e sa ishte ferri i ferrit. Babin e heqin nga puna, ia heqin prapë të drejtën e botimit, ia djegin librat dhe ne si familje na internojnë në një fshat të tmerrshëm pas Dajtit. Kur shkuan për ta parë, mami e tmerruar vetëm qante. I shitëm të gjitha plaçkat e shtëpisë. Babi me ato para iu lut hallës që të më mbante për të vazhduar shkollën, por burri i hallës nuk pranoi se kishte frikë. Babi u sëmur, villte natë e ditë vrer e nuk qëndronte dot në këmbë. U bë kockë e lëkurë dhe u plak menjëherë.

Një ditë e thërrasin në lagje. Ishte një paradite vere dhe shkolla kishte mbaruar. Tek ne kishte ardhur xhaxhai i Durrësit, që punonte si oficer. Të më merrte mua për pushime. Po priste babin të kthehej. Menduam se mos e kishin thirrur që t’i jenin ndonjë punë qoftë edhe si punëtor krahu, se ishte pa punë. Por e kishin urdhëruar që ta linim shtëpinë brenda një kohe të shkurtër, ku edhe ia kishin komunikuar internimin në atë fshatin pas Dajtit. Ky ishte fundi sepse nga ai fshat zor se kthehej njeri aq i izoluar ishte. Kur babi i ra derës, unë po lexoja në dhomën e gjumit. Derën e hapi xhaxhai. Babi vrapoi tek ballkoni për t’u hedhur, shtëpia jonë ishte në katin e tretë, por xhaxhai nuk e la dhe kështu e shpëtoi. Unë nga zhurma dola nga dhoma e kur e pashë skenën, nisa të qaj me të madhe.

Kjo periudhë ka shumë për të treguar. Unë do të kujtoj sidomos armiqësinë e njerëzve që na lanë vetëm nga frika e regjimit. Shoqëria ishte bërë edhe më mizore si regjimi, kënaqej me dramat dhe tragjeditë njerëzore.

Një nga propozimet që iu bë më tepër se një herë ishte që ai të bëhej pjesë e Sigurimit të Shtetit, gjë që nuk e pranoi asnjëherë… Ku e gjente forcën për të kundërshtuar, ata më të lartët. Pasi rreziku që i kanosej medoemos që ishte edhe më i rëndë nga gjendja ku ishte?

Elida Buçpapaj: Po babi më ka treguar se i kanë propozuar disa herë që të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit dhe nuk ka pranuar. Kjo edhe i ka kushtuar shumë në jetë, por ishte rruga që zgjodhi. Që kur unë kam nisur të mbaj mend, kujtoj tim atë që më flet gjithmonë për drejtësinë dhe të vërtetën, për fjalëmbajtjen dhe ndershmërinë. Nga babi trashëgoj edhe talentin, vokacionin për të shkruar. Kam nisur të botoj prej vitit 1991 dhe prandaj që në shkrimet e para kam kërkuar hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Moshapja e tyre ka qenë fatkobi i këtij tranzicioni, sepse njerëzit e Sigurimit prej 25 vitesh janë pjesë e oligarkisë dhe kupolës shtetërore. Tranzicioni u komprometua fillimisht nga përfshirja në politikë dhe institucione e ish-Sigurimsave dhe pastaj nga korrupsioni. Pa integritet të zyrtarit të lartë publik, nuk ka shtet të së drejtës.

Nga ana tjetër ishit ju dhe nëna, çfarë kalonit gjashtë asaj periudhe, që doemos nga një familje e nderuar ju konsideronin, me “biografi të keqe”. Sa të vështirë e kishit gjendjen që ishte krijuar në familjen tuaj?

Elida Buçpapaj: Kam thënë edhe diku tjetër, që Spaçi jetohej edhe në mes të Tiranës, kur shoqëria të fuste në një karantinë virtuale si një njeri i molepsur dhe pastaj të gjuante me gurë fyerjesh. Mendoni një vajzë e re që e fyejnë me të gjitha mënyrat. Sepse shoqëria i izolonte ata që partia i dënonte, dhe kur dënohej njëri anëtar i familjes, dënohej e gjithë familja, përfshi ne fëmijët. Persekutimi ishte si një këmishë që e mbaje të veshur në trup. Kishim të bënim me një shoqëri persekutore. Kolegët e babit ishin zhdukuar nga faqja e dheut. Babin e priste vetëm Sterjo Spasse dhe Zisa Cikuli.

Është shumë e dhimbshme kur flasin për persekutim nga diktatura ata që kanë jetuar mes privilegjeve dhe persekutimin e kanë jetuar si fobi, sepse dinin që edhe brënda sistemit stalinist ekzistonte lufta e llojit.

Diktatura me shërbëtorët e saj ne na e kishte shfarosur sensin e perspektivës. Ishim pa të ardhme. Pastaj babin e dërgojnë të punojë në repartin e plehrave në Kombinatin Poligrafik. Unë mbarova gjimnazin dhe më çuan në Kombinatin Josif Pashko si punëtore në fabrikën e pllakave. Por megjithatë, unë gjithmonë kam thënë se në atë katrahurë ishim prapë me fat, sepse mbetëm të bashkuar të tre, që e donim deri në kockë njëri-tjetrin. Them kështu sepse kam parasysh se diktatura ka shkatërruar familje të tëra. Vetëm ndalimi i së drejtës së shkollimit për fëmijët e të dënuarve është krim i diktaturës.

Kur mori fund kjo torturë për ju? Çfarë ndodhi pas vdekjes së Enver Hoxhës në familjen tuaj?

Elida Buçpapaj:Kjo torturë nuk mori fund asnjëherë. As sot. Nuk ka ende rehabilitim të shtresës së persekutuar. Në vitin 1991, kur ishte rrëzuar Muri i Berlinit dhe ishin mbajtur zgjedhjet e 1991, unë pasi mbaruar fakultetin për letërsi me korrespondencë, pasi kisha mbrojtur anglishten dhe tema e diplomës ishte botuar në Revistën shkencore të Institutit Kultura Popullore, shkova me Skënderin t’i kërkoja Luan Omarit, në Akademinë e Shkencave, mundësinë për të punuar si punonjëse shkencore, pasi kisha përgatitjen e duhur dhe meqë erërat e ndryshimit frynin dukshëm, por kërkesa ime iu duk zotit Omari si padrejtësia më e madhe në botë.

Jeta jonë gjithësesi ndryshoi si për gjithë shqiptarët. Rashë në dashuri dhe u martova me një njeri të letrave, me Skënder Buçpapajn, një selfmademan i ndershëm dhe shumë i zoti. Na lindi djali i parë Prizreni që i dha kuptim gjithçkaje dhe na lumturoi gjithë familjen, duke nisur prej babit. Fitorja e 1992 i frymëzonte gjithë shqiptarët të shpresonin për ndryshim. Por ishte një liri e kontrolluar. Dhe ky kontroll vijon për çerek shekulli. Nga Vëllai i Madh.

Ndërkohë unë kisha nisur karierën time si gazetare.Jam e para reportere shqiptare femër që raportoja nga Tirana për Zërin e Amerikës në prag të zgjedhjeve të 22 marsit 1992. Shpresonim se po ndryshonim botën për mirë. Nuk e kishim mendjen tek hakmarrja, veç tek një sistem i ri, që të ishte diametralisht ndryshe nga tmerri gjysmë shekullor. Por ishte një iluzion. Shteti i së drejtës është vetëm ëndërr për shqiptarët edhe sot e kësaj dite të cilëve u vazhdon kalvari në një formë tjetër.

Elida, një nga diskutimet më të mprehta që është bërë këto kohë është hapja e dosjeve. Ju personalisht si mendoni, a jeni pro apo kundra hapjes së tyre? Bashkë me përgjigjen duhet edhe një argumentim i mendimit, pasi nëse je për pro, çfarë të mirash do të kishte për ata njerëz që i kanë vuajtur në kurriz ato dënime? Po për shoqërinë?

Elida Buçpapaj: Që në shkrimet e mia të para kam kërkuar që të hapen Dosjet. Pretendimi i hakmarrjes së viktimave është pretekst cinik, sepse të gjithë të persekutuarit i kanë njohur persekutorët e tyre dhe ne nuk dimë asnjë rast që persekutori të ketë patur ndonjë vuajtje nga ish-viktima. Hapja e Dosjeve duhet të shoqërohet me dënimin e krimeve të diktaturës, që ka kryer genocid ndaj popullit të vet.

Lexova një lajm dje se qeveria shqiptare ka një plan kërkimi për eshtrat e 6000 viktimave të komunizmit, ndërsa disa ditë më parë Ambasadorja e Be-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, nënvizoi faktin se hapja e dosjeve duhet të ishte bërë më parë. Zonja Vlahutin vuri në spikamë se regjimi komunist vrau rreth 7 mijë kundërshtarë politikë, afro 6 mijë të tjerë janë zhdukur dhe nuk kanë varre, diktatura burgosi dhe internoi dhjetëra mijëra të tjerë dhe mijëra dosje të shërbimit sekret janë ende të mbyllura. Po pse shoqëria shqiptare duhet të presë një diplomate të huaj të evidentojë këto krime rrënqethëse. A ka ndërgjegje kjo shoqëri. Po institucionet e shtetit a ekzistojnë ?

Ne duhet t’i hapim Dosjet. Kjo është domosdoshmëri. Kryejmë një detyrim ndaj viktimave. Dhe do të jemi të fundit në Europë.

Brezat e ardhshëm nuk kanë pse të mbeten peng i hipotekave të ish-Sigurimsave dhe censorëve të historisë. Brezat lëvizin, ata fëmijë që lindën më 22 marsin e 1992, sot janë 23 vjeçarë, ndërsa ish-Sigurimsat vijojnë të bëjnë karierë në politikë, janë kasta oligarke, ashtu si Byroja Politike.

Shteti i së drejtës kërkon zyrtarë me integritet. Vetëm atëherë liria dhe demokracia bëhen reale. Shteti i së drejtës kërkon zgjedhje të lira e të ndershme e jo deputetë listash të zgjedhur nga dora e kryetarit të partisë. Kjo është kriptodiktaturë.

Shqiptarët më në fund duhet ta njohin historinë e kalvarit gjysmë shekullor. Mjaft më me zhurmuesa. Kryeministri Rama e krahasoi para disa ditësh ISIS me nazizmin, ok, por krahasimi i tij ishte gjysmak, sepse duhej ta krahasonte edhe me diktaturën komuniste. 23 gushtin e Europa e kujton si Ditën e Viktimave staliniste dhe naziste, ndërsa ne, edhe pas 25 vitesh, kemi ende dilema të pafalshme dhe viktimat vijojnë të mbeten të persekutuara tash nga genocidi ndaj kujtesës./

Filed Under: Interviste Tagged With: Bucpapaj, gjenocidi i kujteses, Interviste, valeria dedaj, viktimat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT