Shoqëria për të Drejtat e njeriut me seksionin e saj në vendin tonë ka mundësuar ndihma për familjet në nevojë për disa bashki të vendit. Kryetari i siksionit z. Mark Palaj ka mundësuar shpërndarjen e pakove tek familjet më në nevojë, për të zbutuar sado pak problemet jetike që rëndojnë tek disa shtresa të shoqërisë.
Pas fshatit Shtyllas në qytetin e Fierit, ku janë ndihmuar disa familje, në Mamurras të cilat përjetojnë mjaft kushte të rënda. Madje Mark Palaj sapo është ballafaquar me gjendjen e rënduar të pesë vëllezërve Gashi ai menjëherë ka bërë apl strukuturave qeveritare të njihen me problemet e thella, o Zot na ruaj mos të ripërsëritet fakti i ndonjë viktime si dy fëmijëve në Tiranë dhe Durrës.
Pesë vëllezërit Gashi jetojnë në dy baraka të shkatërruara, të ftohtët depërton në ambjentet e barakave, aty ku dhe fëmijët t’i gëzohen dhuratave nga babagjyshi i Vitit të Ri, por më së shumti i gëzohem kafshatës që i mungon, apo dhe mungesës së rrobave të trupit.
Me ardhjen e ndihmave nga Shoqëria Internacionale e krijuar në vendin tonë në muajn korrik, duket për familjen Gashi në Mamurras është dhurata më e çmuar në prag të festave në këtë fundvit.
Marka Palaj Kryetar i Shoqërisë Internacionale ka premtuar donacione dhe pas fastave në disa zona të tjera në vendin tonë, misioni i tyre do të vijojë si kusht i domosdoshëm nga konvetat e të Drejatve të Njeriut të miratuara nga Këshilli i NATO-s.(Ahmet Zani)
***
Ky ishte lajmi, ndersa fotografine shiheni dhe gjykojeni vete. Ja sfondi, ja shtepia, ku jeton kjo familje. Varferi e skajshme qe flet shume per meritat e klases politike tranzitive shqiptare.Shikoni se ku jeton kjo familje dhe kujtoni Qeverine, Parlamentin, kriminelet me mandat, kaubojsit, killerat…hajnat. Shiheni se ne ambjent mizerabel rriten keta femije….Por jo vetem ata… A nuk do te ishte nje Kartoline simbolike kjo per deputetet(jo vetem per ata qe jane inkriminuar), per Kryeministrin, Kryeparlamentarin, parlamentaret, ministrat….I keni pare keto dite shfaqjet e shpifura me pakot e vitit te ri, ku rreken te shfaqin bujari e meshire…te pshtire?!
Archives for December 2015
SAMI REPISHTI, QYTETAR NDERI I SHKODRES
Dhania e titullit Qytetar Nderi Prof Sami Repishtit, vendos nji standard të naltë dhe te veçante/
Nga Romeo Gurakuqi/*
Shume e nderueme zonja kryetare e Bashkise Voltana Ademi,/
Shume i nderuem Kryetar i Keshillit Bashkiak te Shkodres, zoti Xhemal Bushati,
Zonja keshllitare, zoterinj keshilltarë,në radhe te pare ju falenderoj per besimin e dhanun per caktimin tim ne Komisionin e Dhenies se Titujve per Bashkine e Shkodres.
Se dyti, dua t’ju shpreh besimin dhe shpresen e plotë se mandati juej do të jetë një mandat nën të cilin Shkodra dhe krahina, do të bajë progresin e nevojshëm drejt ndërtimit të nji hapësire të lirë të përparimit ekonomik dhe ju do të ndërtoni mjedisin e nevojshëm nënligjor, strukturat e përshtatshme të lehtësimit të investimeve të reja dhe vendosjes nën kontrollin e ligjit të investimeve ekzistuese.
Jam i bindun se interesat e Shkodres në Republikën e Shqipnisë, paqes, progresit ekonomik, shtyllat e bashkëjetëses do të jenë, linjat që do udheheqin punën tuej në këtë mandat. Se treti, me lejoni të deklaroj se në këndëvështrimin tim, asht nji nder i veçante qe Bashkia e re e Shkodres ta nis punen e vet në dhanien e titujve, me vendimin per titullin Qytetar Nderi” për Profesor Sami Repishtin, te cilin une e kam konsiderue dhe e konsideroj, udheheqesin e vertete te bashkesise shkodrane dhe nje lider i mirefillte te te gjithe shqiptareve, ne procesin e emancipimit per nga Liria, mbrojtja e institucioneve te saj, mbrojtja e te drejtave shqiptarëve ne Kosove, Mal te Zi, Maqedoni dhe ne Epirin e Jugut.
Nderkohe, dhania e ketij titulli profesor Sami Repishtit, vendos nji standard te naltë dhe te veçante, qe do te duhet te respektohet ne te ardhmen, ne rastet e dhanies se titujve te ngjashem. Respektimi i ketij standardi kerkon, ne radhe te pare, nji obligim thelbesor ne ndjekjen e rruges qe profesor Repishti ka percaktue. Rruga qe ai ka promovue dhe promovon cdo dite per bashkesine tone, asht e bazueme ne parimet progresiste te ndertimit te institucioneve te qendrueshme qytetare, vendosjes e drejtimit te rajonit tone nen leadershipin e elitave ma te perparueme intelektuale, qe e dojne Shkodren sinqerisht dhe pa interes; ndertimi i akseve zhvillimore dhe marredhenieve tona nderqytetare mbi te njejtat parime te lirise qe kane drejtue me sukses gjysherit dhe stergjysherit tane ne kohet ma te veshtira; refuzimi i perdorimit te shkodranëvë të politikës si apendikse të interesave jo ligjore dhe të qendres se pandjeshme të Shqipnisë; imponimi i interesave zhvillimore të Shkodrës në bashkëpunimin me politikën qendrore të Tiranës; hapja e rrugeve per perfshirjen ne fuqine riperteritese te Shkodres, te brezit te ri te shkolluem ne menyre te pershtatshme jashte vendit.
Une ju garantoj ju se ky titull i jepet nji shkodrani dhe shqiptari te madh dhe te ndritun, qe mendon cdo moment te jetes se tij, atje larg ne ShBA, per Shkodren e vet, progresin e saj ne paqe, liri, demokraci funksionale dhe progres ekonomik te qendrueshem. Kur e njoftova mbi këtë vendim të Komisionit që une drejtoj, të nderuem këshilltarë, ai më tha krejt shkurt: “me vjen shumë mirë që Shkodra jeme nuk më ka harrue”.
Nuk do ta teproja të thoja besoj, se Sami Repishti asht lideri yne, asht frymezuesi i rruges sone, asht shkodrani ma i shquem i gjallë, që jeton çdo çast me gëzimet dhe vuejtjet tona të përditshme dhe ketë e tham me përgjegjësinë ma të madhe për të vertetën para jush të nderuem këshilltarë. Jeta e tij ne emigracion sa kohë që Shqipnia ndodhej nën diktaturë dhe aktiviteti i tij i përditshëm në 25 vite të tranzicionit parademokratik, nga emigracioni drejt Shqipërisë, nga Quins i New York-ut ku jeton, drejt State Department ne Washington DC, apo drejt Bruxell-it zyrtar, që asht nji aktivitet Publik, i hapur dhe i mirënjohur, janë prova të kjarta të statures së pacënueshm të udhëheqësisë morale, politike, zhvillimore dhe të një trashëgimie që Bashkia Shkodër duhet ta vendosë në hyrje të saj si udherrëfyes dhe drejtues.
Ju të nderuem keni mundësinë ta ndiqni këtë aktivtet të Profesor Repishtit gati çdo muaj në gazeten ma të madhe të përditshme në vend. Me lejoni të nderuar këshilltarë të shpreh besimin tim se ju do ta konsideroni me përparësi aprovimin e këtij propozimi për Profesor Sami Repishtin, në 90 vjetorin e lindjes së tij, si shenjë nderimi dhe angazhimi për të vijuar rrugën drejt përparimit në paqe, liri dhe mbrojtje të qytetarëve tanë, të drejtave të tyne të pacenueshme për një jetë ma të mirë dhe në rikompozim demokratik, tolerancë dhe vetëdije të naltë atdhetare.
*Romeo Gurakuqi, drejtor i Shkolles Doktorale Universitet Europian i Tiranes,
Kryetar i Komisionit Keshillimor per dheniien e medaljeve dhe titujve vendore te nderit ne Bashkine e Shkodres Shkoder,me 29.12.2015
*Fjala e mbajtur sot me rastin e dhënies së titullit Qytetar Nderi i Shkodrës Prof. Sami Repishtit
DHIMITËR BERATI – MBROJTËS I INTERESAVE TË KOMBIT
Nga Frank Shkreli/
Ndonëse po merr fund ky vit, që shënon 45 vjetorin e vdekjes së Dhimtër Beratit në shtator të vitit 1970, thashë me vete — mbasi edhe ky është dhe mbetet ndër ata të harruarit, por i cili ka dhënë një kontribut të madh dhe ka luajtur një rol të shquar në veprimtarinë kombëtare — të kujtohet shkurtimisht për meritat e tija të veçanta në 45-vjetorin e vdekjes. Fatkeqsisht, atij iu shkurtua jeta nga një aksident kur një makinë e goditi nga shpejtësia duke e lënë të vdekur në vend në vitin 1970 në kryeqytein italian.
Nuk e kisha njohur Dhimitër Beratin megjithëse shtatorin e vitit 1970 ndodhesha gjithnjë në Itali si refugjat duke pritur miratimin për të udhëtuar drejtë Shteteve të Bashkuara. Por miku i tij Ernest Koliqi fliste me admirimin më të madh për të dhe për veprimtarinë patriotike të Beratit në fushën politike dhe publistike. Dhimitër Berati dallohet qyshë në moshë të re për vepprimtarinë e tij patriotike në fillim të shekullit të kaluar. Ai ishte njëri prej atyre fatbardhëve që nënshkruan Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në Vlorë. Si përfaqsues i kolonisë shqiptare në Rumani, ai veproi me çka kishte dhe me çka dinte për rilindjen e Shqipërisë dhe si përfaqsues i komunitetit shqiptar me influence në atë kohë në Rumani, ai udhëtoi për në Vlorë nga Rumania së bashku me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin. Nënshkrimi i Dhimitër Beratit dallohet qartë ndër nënshkrimet e 40-patriotëve të asaj kohe që e shpallën Shqipërinë të pavarur. Veprimtaria e tij ishte e shumëllojshme dhe në fushë të ndryshme. Ku e kërkonin interesat kombëtare, aty gjëndej Dhimitër Berati. Pas Luftës së parë Botërore në vitin 1919, kur Shqipërisë i kërcënohej pavarësia dhe kufijtë e saj, ku tjetër të gjëndej Dhimitër Berati përveçse si anëtar i delegacionit shqiptar për të mbrojtur të drejtat e kombit në Konferencën e Paqës në Paris së bashku me patriotë të tjerë të dalluar të kombit, përfshirë At Gjergj Fishtën dhe Imzot Luigj Bumçin. Ishin këta lisa të mëdhej të kombit me rrënjë të thella dhe të pamohueshme në historinë e kombit shqiptar, pa marrë parasyshë trajtimit të tyre çnjerzor dhe anti-kombëtar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që jo vetëm i kishte dëbuar nga atdheu për të cilin vepruan dhe punuan aq shumë, por rdhe për faktin se gjatë sundimit të tij, ai regjim u përpoq që rrënjët dhe kontributet e çmuara të këtyre burrave në historinë kombëtare, të shlyheshin përgjithmonë. Fatbardhësisht, Enver Hoxha dhe regjimi i tij nuk ia dolën këtij qëllimi, pasi veprat dhe kontributet e tyre flasin vet dhe historia e vërtetë që do të shkruhet një ditë pa pasione ideologjike dhe interesa partiake, do t’i njohë të gjithë këta vigana të kombit shqiptar për meritat e tyre të veçanta ndaj mbrojtjes së interesave të kombit të tyre. Por, megjithëse regjimi enverist nuk ia doli të fshinte kujtimin e tyre nga historia, fatkeqsisht Dhimitër Berati dhe figura të tjera të kohës së tij vazhdojnë të hidhen në harresë — edhe sot pas 25 viteve të rënjes së atij regjimi — nga apologjetët e regjimit komunist të historiografisë së sotëme orëzezë, gjithnjë nën influencën e praktikave dhe mentalitetit të atij regjimi, duke mos i përfillur ata si kontribues të veçantë në jetën dhe historinë e kombit, por ende konsiderohen si “kollaboracionistë”.
Si mund të konsiderohet Dhimitër Berati kollaboracionist, që nënkupton anti-atdhetar, kur të merret parasyshë kontributi i tij i shquar si pjesëmarrës në ngjarjet më me rëndësi të historisë së shqiptarëve, përfshirë Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve në Konferencën e Paqës në Paris, aty ku kundërshtoheshin dhe sulmoheshin të drejtat e shqiptarëve nga armiqët dhe aleatët e tyre historikë?
Përveç kontributit të tij në fushën politike dhe patriotike, Dhimitër Berati njihet edhe për veprimtarinë e tij dhe kontributin e vlefshëm edhe në publistikën shqiptare. Ai ishte botues i gazetës me përmbajtje politike, “Përlindja e Shqipërisë”, një gazetë që botohej në Vlorë me nëntitullin, “Organ për të Mbrojtur të Drejtat Kombëtare”. A mund të merret me mend sot botimi i një gazetë me një nëntitull të tillë?
Në shtator të vitit 1970 para se të ndërronte jetë, Dhimtër Berati ishte i vetmi dëshmitar ende i gjallë ndër ata që kishin shpallur dhe nënshkruar Pavarësinë e Shqipërisë, por i cili ishte detyruar të largohej nga atdheu nën kërcënimin e diktaturës komuniste, vetëm e vetëm, se para vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai kishte pasur detyra të ndryshme në disa dikastere të qeverive të mëparshme.
Por pa marrë parasyshë moshën e shkuar, as në mërgimin e detyruar, Dhimitër Berati nuk pushon së punuari për të mirën e Atdheut të tij megjithëse e kishte dëbuar atë për arsye politike. Në mërgim, ai ndër të tjera, ishte bashkpuntor i ngushtë i Profesor Ernest Koliqit dhe kontribues me shkrimet e tija në revistën Shëjzat. Në një shkrim të Beratit në revistën Shëjzat të vitit 1961, siç shënon Karl Gurakuqi — edhe ky njëri prej të harruarve — në librin, “Nepër Vullajt e Shëjzave”, Dhimitër Berati botoi me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës, artikullin, “Pater Gjergj Fishta – Kujtime e shënime”. Gurakuqi shkruan se miqësia midis këtyre dy gjigantëve kishte filluar në vitin 1908 në Kongresin e Bashkimit të Alafabeteve në Manastir dhe ka zgjatë sipas Beratit deri sa Fishtën e “Ndieu Perendija në vjetin 1940”. Karl Gurakuqi nënvijon se Fishta dhe Berati kishin një miqësi të fortë dhe shton se në shkrimin e tij kushtuar mikut të tij të madh Gjergj Fishtës, Bberati kujton ngjarje të bashkjetuara, fjalë e fraza të paharrueshme, vizitat që kishin bërë bashkarisht, por edhe talljet që e karakterizonin Poetin. Prandaj nuk është për tu habitur që Berati vlerëson mikun e tij të ngushtë me këto fjalë: “Për ne të gjithë”, shkruan Dhimitër Berati, “Gjergj Fishta është poeti në kuptimin që kishte kjo fjalë për Grekët kur kujtonin Omirin. Oliadha dhe Odisea ishte Bibla, ishte Ungjilli i tyre; ata dy poema ishin për ta udhëheqsa si për doctrine fetare, si për njoftime historike ashtu edhe për çmuarjen vetiake e shqoënore të njeriut…Po ashtu duhet të jenë për kombin shqiptar, “Historija e Skëndërbeut” e Naimit dhe “Lahuta” e Fishtës. T’i këndojmë, t’i mësojmë e t’i nderojmë veprat e tyre më duket si një prirje e natyrshëme ndaj atdheut, si një shënjë dashurie ndaj popullit t’onë.”
Siç dihet me ardhjen e pushtetit komunist në Shqipëri, Dhimtër Berati nuk këthehet më në Shqipëri, por vendoset në Romë të Italisë ku siç thashë më lartë bashkpunon ngushtë me Profesor Ernest Koliqin dhe rëvistën Shëjzat dhe ndonëse në moshë të shkuar merrte pjesë në çdo aktivitet të shqiptarëve në raste përkujtimesh kombëtare dhe kulturore. Madje, ai kishte ardhur edhe në Shtetet e Bashkuara në vitin 1969 për të marrë pjesë në kremtimet e organizatës Vatra.
Miku dhe bashkpuntori i tij Koliqi ka shkruar për këtë burr të madh të historisë së Shqipërisë se Berati, “Ishte dekani i gjallë i Rilindasve ende në jetë dhe simboli i gjallë i idealeve që frymëzuen lëvizjen për Rilindjen Kombëtare dhe kunorëzimin e saj me 1912, mbas sa mundit e gjakut të derdhun”.
Dhimitër Berati nuk duhet të harrohet as të anashkalohen meritat e tija, por të kujtohet dhe të nderohet për kontributin e tij të gjatë dhe për meritat e veçanta në shërbim dhe në interes të kombit shqiptar, ashtu si i ka hije një populli që jeton në shekullin 21.
Me të njëjtin fat si antikomunistë….
Nga Beqir SINA – New York/ Një fotografi* e marrë afro pesëdhjetë vjetë më parë, sjell shumë kujtime të kohës dhe vërteton thënien aksiomatike: një foto vlen më shumë se njëmijë fjalë.Foto shoqëruse derguar nga pedagogu Mithat Gashi sjell në kujtesë veprimtarinë e nacionalistëve shqiptarë në Nju Jork në 1968.
Shkas për t’iu referuar kësaj fotografie shërbeu veprimtaria promovuse e 13 Dhjetorit 2015, kur në selinë e Federates Panshqiptare e Amerikës VATRA, vatranët dhe një grup veprimtarësh të dalluar të komunitetit, do të promovonin librin “Vetvrasja e një Kombi”, me autor Kol Bib Mirakaj, njëri prej protagonistëve kryesorë të ngjarjeve të periudhës kritike për Shqipërinë e viteve të Luftës së Dytë Botërore.
Ky liber me 250 faqe është botuar nga Shtëpia Botuese Fiorentina në Shkoder. Librin e pat lënë në dorëshkrim autori, Kol Bib Mirakaj, të cilin e kishte pvrfunduar që në vitin 1951, por që vetëm tani pa dritën e botimit dhe i është vënë në dispozicion lexuesve dhe historianëve.
Libri është botuar nga i biri, ish i burgosur politik i Diktaturës Komuniste, anëtar i Këshillit të Vatrës, Lek Mirakaj.
Krahas ligjërusëve me këtë rast u ekspozuan edhe dokumente të pa botuara ndonjëher,siç ishte edhe kjo fotografi – në të cilën janë disa nga figurat historike të patriotizmit, atdhetarisë dhe intelektual të shquar.
Krerë të njohur të ideve nacionaliste anti-komuniste, figura më eminente të kohës dhe disa nga ikonat e Lëvizjes anti-komuniste, në atë kohë, të cilat së bashku me Kol Bib Mirakën – ishin nga ato që e sfiduan regjimin e Enver Hoxhës në mërgim.
Në këtë fotografi duke filluar simbas renditjes së saj – nga e majta duken Tahir Kolgjini , Zef Sadria Kapiti , Mark Perpepaj , Gjon Gjinnaj , Prendush Coli, Zef Balaj, Prenge Tomaj , Ismajl Verlaci , Ago Agaj , kapidani i Mirditës Ndue GjonMarkaj .
Kjo fotografi tregon njëri prej pjestarëve të saj – që është gjallë, “ është bërë tek vorri i Kol Bib Mirakës, nga nji grup i antarëvet të Bllokut Kombëtar Independent, në vitin 1968, në Nju Jork”.
Me të njëjtin fat si anti-komunistë….
Duke shfletuar Wikpedia studiues të kësaj lëvizje anti komuniste kan shkruar se pas disa muajsh të jetesës së tyre në kushte tepër të vështira nëpër kampe, pothuajse krejt të braktisur e të lodhur, në kërkim të mundësive të reja e të kompletuara akomoduese e intriguese, mbi 1100 emigrantët që ndodheshin në Itali, u përqendruan dhe krijuan një komunitet politik anti-komunist në Kalabri, në Komunën Rexhio Emilia.
Ky shembull, nxiti edhe ekzilantët që ndodheshin në shtetet e tjerë, të cilët nisën të braktisin kampet e të organizohen.
Fill pas këtij përqendrimi, nën një petk optimizmi e vëllazërie njerëzish me të njëjtin fat, ekzilantët politikë nisën veprimtarinë e tyre, duke u organizuar në parti dhe grupime politike, të “parcelizuar” sipas bindjeve tradicionale, fillimisht në partitë “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti”.
Në kampet italiane psh, në muajin Dhjetor 1948, Partia “Balli Kombëtar” arriti të kishte mbi 200 anëtarë, ku liderë kryesorë u zgjodhën individët e njohur Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Hasan Dosti.
Organizime të tilla politike u bënë nga ballistët edhe në Greqi, ku u krijua organizata “Grushti Ballist”, drejtuar nga Abaz Ermenji, Hamit Matjani etj. Po kështu në Egjipt, u shfaqën me përfaqësim politik përkrahësit e njohur të Mbretërisë Shqiptare, Abaz Kupi, Zenel Shehu etj, të cilët rithemeluan “Partinë e Legalitetit” në emigracion. Në përbërje të kësaj partie, Fiqiri Dine, ish-Kryeministër i Qeverisë së Regjencës, krijoi një degë në Itali. Po kështu, krerë të tjerë të njohur të ideve nacionaliste anti-komuniste, si Kol Bib Mirakaj (ish-Ministër i Brendshëm i Qeverisë së Regjencës, Ernest Koliqi dhe Ismail Vërlaci, krijuan partinë “Blloku Indipendent”.
Ndërkohë, nën drejtimin e Seit Kryeziut, një grup të arratisurish nga familje të njohura shqiptare, krijuan grupimin “Partia Katundare”. Nën drejtimin e Ismail Bej Vërlacit u krijua partia “Blloku Indipendent”, ku figura kryesore ishin edhe Mustafa Kruja e Ernest Koliqi. Kjo nismë, u pasua nga krijimi i partisë “Grupi i Kosovës”, me drejtues Xhafer Devën.
Kështu ndodhi në të gjithë qytetet e shteteve ku kishte të arratisur politikë shqiptarë. Pas krijimit të organizatave politike, me krijimin e kushteve të përshtatshme ekonomike, ekzilantët iu rikthyen synimit të tyre vendimtar: luftë për përmbysjen e pushtetit komunist në Shqipëri. Ata hartuan plane të shumta për rrëzimin e Enver Hoxhës dhe rikthimin si fitimtarë në atdhe.(Ne foto:Tek Varri i Kol Bib Mirakes)
Agjencia Kosovare e Privatizimit, Dëshira e President Rugovës dhe 14 vite zvarritje për RILINDJEN
Kosovë-AKP, 20 objektiva në Vitin e Ri 2016/
-Zëvendësdrejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Avni Jashari, aktualisht drejtuesi kryesor, prezantoi punën në 2015-tën, ndërsa theksoi përgatitjen e planit të punës lidhur me funksionimin në të ardhmen të Agjencisë në periudhën 2016-2018/
-Ndërmarrja Shoqërore Gazetare – gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja pret zgjidhjen e ligjëshme prej gati 14 vitesh/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 29 Dhjetor 2015/ Për vitin 2016, menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka përcaktuar 20 objektiva kryesore të punës, të cilat do të bëhen të ditura pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve.
Në 17 dhjetor, Kuvendi i Kosovës në seancë plenare të përmbylljes së sesionit vjeshtor bëri emërimin e 8 anëtarëve-drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pasi miratoi, me procedurë të përshpejtuar, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për këtë agjenci.
Ndërkohë, gjatë vitit 2015 Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka realizuar asnjë shitje të aseteve për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve.
Në konferencën për shtyp e pritjen e fundvitit, ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Avni Jashari, prezantoi punën në 2015-tën, ndërsa theksoi përgatitjen e planit të punës lidhur me funksionimin në të ardhmen të Agjencisë në periudhën 2016-2018.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e ka përfshirë edhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit në Planin e veprimeve 2015-2018 për zbatimin e programit qeverisës. Qeveria ka paraparë dy masa kryesore lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit: Përmbylljen e procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe rishikimin e legjislacionit që rregullon funksionimin e Agjencisë për të siguruar llogaridhënie të rregullt dhe efikase”, theksoi Jashari, aktualisht drejtuesi kryesor.
Ai bëri të ditur se Agjencia Kosovare e Privatizimit ende nuk i ka shitur rreth 1500 asete të ndërmarrjeve shoqërore dhe se janë 29,373 raste në instanca të ndryshme gjyqësore.
Duke folur për sfidat kryesore në periudhën e ardhëshme, drejtuesi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Avni Jashari, theksoi, mes tjerash, përshpejtimin e procesit të shitjes dhe trajtimit të aseteve në mënyra të tjera, ndërmarrjen Trepça, pagesën e mjeteve të shpronësimit nga qeveria e Republikës së Kosovës për shpronësimet e vendosura në pronat shoqërore.
“Për asnjë ndërmarrje shoqërore nuk mund të mbyllet procesi i likuidimit pa u paguar fondet e shpronësimit, prej të cilave poashtu pritet të paguhet 20 përqindëshi për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore”, tha Jashari.
Që prej themelimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vitin 2008 (më parë emërtohej Agjenci Kosovare e Mirëbesimit), qeveria nuk e ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore. Deri në 10 shtator 2015 janë marrë gjithësej 555 vendime për shpronësime të pronave shoqërore. Gjatë vitit 2016 parashihet që Agjencia të dërgojë letrat formale me kërkesë për pagesë të këtyre shpronësimeve.
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
“Sa i përket shpronësimit të Pallatit të Rilindjes është çështje e dakordimit të veprimit me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, sepse në atë rast ne paguajme vetëm 20 përqindëshin që u takon punëtorëve”, theksonte ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, i pyetur nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli në një konferncë shtypi në tetor.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 70 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht para gati 14 vitesh me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para 7 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”, krahas titullit “Ministri Bajrami: Qeveria do të përkujdeset për Pallatin dhe për punëtorët e Rilindjes, e gatshme ta ndihmojë daljen e gazetës”.
Ky paralajmërim ishte si rezultat i këtij premtimi dhe të drejtës së ligjëshme, duke besuar se Rilindjen do rifillojë të dalë e pёrditshme edhe para privatizimit me statusin qё ka tё ndёrmarrjes shoqёrore, pas pёrfundimt tё rinovimit tё Pallatit Rilindja qё u bё.
Me rastin e rifillimit të punëve për rinovimin e Pallatit të Rilindjes, më 7 nëntor 2008, ministri i atëhershëm i Administratёs Publike, Arsim Bajrami edhe në konferencën e shtypit me atë rast theksonte premtimin për zgjidhjen e ligjshme që do duhej të bëhej edhe për gazetën tradicinale të Kosovës Rilindja.
“Pallatin e Rilindjes përkohësisht e merr Qeveria nën pëkujdesje, ne do të kemi përkujdesje edhe ndaj punëtorëve të Rilindjes. Punëtorët e Rilindjes i kemi pasë pjesë të procesit…” , theksonte ministri Bajrami.
Punimet për rinovimin e Pallatit të Rilindjes rifilluan pasi ai ishte lënë si gërmadhë nga e ashtuquajtura “zhveshje e brendshme”, pas vendimit të qeverisë së Kosovës të datës 15 shkurt 2005 për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”. Kjo pasoi insistimet e vazhdueshme të Rilindjes dhe të Agjencisë Kosovare të Mirbesimit (tash Agjencisë Kosovare të Privatizimit) për pronësinë, si dhe përgjigjen në letrën zyrtare të Rilindjes me shkresë poashtu zyrtare përkrahëse të kreut të UNMIK-ut, kryeadministratorit, Harri Holkeri, në 3 nëntor 2003. Holker në letërën dërguar gazetës Rilindja shkruante edhe se, “UNMIK-u do të bëjë gjithë çka është e mundur për të gjetur lokale alternative në mënyrë që kompania juaj të rifillojë punën në sektorin medial”, duke mbështetur edhe në të drejtën e pronësisë, të shkelur nga kryeadministratori para tij, Hans Haeekerup, në kohën e të cilit gazeta e përditëshme tradicionale e Kosovës Rilindja u dëbua nga Pallati i saj.
Meqë edhe pas rinovimit të Pallatit nuk u përmbushën premtimet dhe nuk u bë zgjidhja e duhur e ligjshme për Rilindjen, kjo gazetë iu drejtua atëherë zëvendëskryeministrit dhe ministrit edhe aktual të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili në përgjigjen me shkresë zyrtare tё datёs 2 maj 2012, shprehte sigurime institucionale në emër të qeverisë dhe personale “pёr zgjidhje tё drejtё dhe ligjore tё problemit tё objektit dhe tё punёtorёve tё Rilindjes”.
PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA NË DHJETORIN 2002: DUHET TA AKTIVIZOJMË GAZETËN RILINDJA, QË KA NJË TRADITË
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në funddhjetorin e para 13 viteve, priti në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë Kryetarin e Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktorin e gazetës Rilindja, Behlul Jashari, me ç’rast i dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë.
Intervista ekskluzive u publikua në botimin special të gazetës Rilindja në ditën e 31 dhjetorit 2002 për festën e Vitit të Ri 2003. Intervista duke nisur nga ballina me kryetitullin “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA” u botua në 5 faqe – 1,2,3,4 dhe 5.
Intervistën me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova e ka zhvilluar kryeredaktori i gazetës historike e tradicionale Rilindja, Behlul Jashari, aktualisht korrespondent në Kosovë i gazetës Dielli.
Nga intervista e gjatë, ja pyetjet-përgjigjet lidhur me gazetën Rilindja:/
RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës «Rilindja» për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës «Rilindja», të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që «Rilindja» të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës «Rilindja».
PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.
Pastaj, me emrin «Bujku», këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.
Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta «Rilindja», t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të «Rilindjes». Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.
RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe për gjithë Kosovën.
PRESIDENTI RUGOVA: Urime, po ashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.
…Korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, ishte Kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i Rilindjes nga administrata e UNMIK-ut.
Foto Gazeta Deilli-Behlul Jashari: Konferenca vjetore për shtyp e Agjencisë Kosovare të Privatizimit
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- …
- 94
- Next Page »