• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

PËR FLAMUR E PËR ATDHE…

December 3, 2015 by dgreca

Shqiptarët e Filadelfias festojnë ngritjen e flamurit dhe 103 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Nga Petrit ZANAJ-Filadelfia/

Pas ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në sheshin para bashkisë së Filadelfias, në një festë madhështore me pjesmarrjen e qindra bashkëatdhetarëve, drejtuesve të shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe përfaqësuesve të qytetit të Filadelfias, në traditën e shqiptarëve të Filadelfias u mbldhëm përsëri bashkë ne restorantin Cannstatter V. V. për të festuar 103 vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë sonë të shtrenjtë, dhe 71 vjetorin e çlirimit të saj nga pushtuesit nazi fashistë në luftën e dytë botërore. Preokupimi i drejtuesve të shoqatës dukej maksimal dhe salla e madhe e restorantit fliste vetëm shqip. Në sfondin e skenës dy figurat më të mëdha të kombit tonë, Skënderbeu dhe Ismail Qëmali, kryelartë e hijerëndë, sikur na ftonin të respektonim këto festa të mëdha, të nderonim nënën tonë Shqipëri, bijtë e saj që dhanë jetën për lirinë e pavarësinë e saj, mëndjet e ndritura të këtij kombi që vunë dijet e pasurinë e tyre, për ta bërë Shqipërinë siç e meritonte, zonjë të rëndë, me burra të mënçur e trima, që kurrë nuk i kishin munguar asaj. Në pjesën e lartme të skenës një banderolë kuq e zi “Shoqata Bijtë e Shqipes, Filadelfia” na kujtonte të gjithëve se edhe pse larg Atdheut ne jemi përsëri bashkë, kemi shoqatën tonë që na bën të mblidhemi e t’i festojmë bashkë këto festa të mëdha. Dhe në të dy krahët e skënës zbukuronin festën tonë dy flamujtë më të shtrenjtë, që  i japin kuptim jetës sonë këtu në USA. Në një krah Flamuri Amerikan, flamuri i këtij vëndi të madh, mikut më të shtrenjtë të Shqipërisë, atdheut tonë e të fëmijve tanë, ku ne ndërtojmë e gëzojmë jetën tonë, dhe në krahun tjetër Flamuri Kombëtar Shqiptar, flamuri i kombit tonë e tokës amë, me ngjyrën e kuqe nga gjaku i bijve e bijave më të mirë të saj.

Kryetari i shoqatës zoti Tajar Domi përcillte me merak e kujdes çdo përgatitje dhe mirëpriste e takonte të gjithë pjesmarrësit në këtë festë. Llazari me Vlashin punonin që portretet e Skënderbeut e Ismail Qemalit, si dhe flamujtë në krah të tyre të vendoseshin sa më mirë. Bashkimi si gjithmone i kudo gjëndur për ti dhënë një dorë të fundit përgatitjeve. Nënkryetar Bujari, Erblina e Orela kontrollonin përgatitjen e tavolinave e kontaktonin punonjësit e restorantit në mënyre që si shërbimi edhe ushqimi të ishte në lartësinë e kësaj festë, si dhe saktësonin edhe një here radhën që do ndiqej në prezatimin e elementëve të ndryshëm të kësaj feste. Me tej nënkryetari tjetër Dritani, në mes të ketyre punëve, shikonte edhe një here fjalën që  do mbante në ketë rast. Salla filloi të mbushet pak nga pak nga njerezit tanë të mirë e atdhetare. Fierakë e kuksianë që bëjnë një pjesë të konsiderueshme të komunitetit shqiptar në Filadelfia, por edhe korçarë e dibranë, vlonjatë e kosovarë, tiranas e durrsakë, çamër dhe librazhsit, të gjithë për të gëzuar ne festën tonë të përbashkët.

Për të nderuar komunitetin tonë në ketë festë morën pjesë si të ftuar Zonja Daniela Kristo Nesho, Konsulle në ambasadën shqiptare në Ëashington DC, Zoti Artan Didi, atashe policor, si dhe Zoti Eduart Bala, atashe ushtarak në ambasadën tonë.

Në një atmosferë të ndezur gëzimi filloi festa për ditën e madhe të Flamurit. Të gjithë të pranishmit në këmbë respektuam e nderuam të parin himnin e shtetit Amerikan. Kur filloi himni ynë i Flamurit salla e mbushur plot gjëmoi. Pjesa më e madhe e të pranishmëve këndonin së bashku duke u drejtuar të tëre në drejtim të flamurit që shpalosej pranë burrit të madh që e ngriti atë vjeshtë të 1912 në Vlorë.

Mbrëmjen ceremoniale e hapi kryetari i shoqatës zoti Tajar Domi. Me emocionin që i jepte kjo ngjarje, ai uroi pjesmarrësit, e bashkë me ta të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë për festën e madhe të pavarësise. Duke falënderuar edhe të pranishmit e ftuar nga ambasada e shtetit shqiptar në Ëashington dhe nga Këshilli i Qytetit të Filadelfias, ai theksoi entusiazmin e bashkëatdhetarëve tanë për ti pritur sa më mirë këto festa, si dhe deshirën e të gjithrëve për ta patur sa më pranë shtetin amë, për të ndihmuar shkollën e fëmijet tanë. Mes duartrokitjeve të të pranishmëve ai ja dha fjalën zotit Dritan Matraku, nënkryetar i shoqatës për të bërë përshendetjen e rastit.                                                                      Dhe fjala e Dritanit nisi me urimin më të mirë.” Gëzuar 103 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – përshendeti ai –  ju, dhe të gjithë shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri, Malin e Zi, dhe kudo që ndodhen nëpër botë. Njëqind e tre vjet më parë plaku i mënçur dhe patrioti i shquar Ismail Qëmali, krah për krah me delegatët e tjerë nga të gjitha trevat e Shqipërisë ngritën Flamurin Kuq e Zi dhe i treguan gjithë botës se ky vend është i pavarur, dhe ka zot popullin e tij”.

Duke u theksuar të pranishmëve se eshtë detyrimi ynë si shqiptarë, si prinder të fëmijeve të cilëve duhet tu përcjellim gjuhën, kulturën e traditat tona, dhe ne si shoqatë e kemi misionin tonë themelor, ai u bëri thirrje gjithë pjestarëve të komunitetit shqiptar, “të dashur motra dhe vëllezër. Bashkohuni dhe antarësohuni në shoqatën “Bijtë e Shqipes”. Të dashur prindër, sillini fëmijët tek shkolla shqipe të mësojnë dhe të ruajnë gjuhën e bukur shqipe, të kultivojnë traditën dhe kulturën shqiptare, të mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar”. Duartrokitjet e gjata të të pranishmëve sikur ishin një zotim e detyrim për të qënë të gjithë bashkë, e të bashkuar me shoqatën tonë, ta çonin më tej misionin e saj fisnik.

Dhe festa filloi, gjëmoi muzika jonë aq e bukur popullore, ku një grup vajzash të reja me Suelen në krye e ndjekur nga Erblina e vajza të tjera e ndezën sallën e sikur ftonin të gjithë të kërcenim e të këndonim në këtë ditë. D.J Ervinit sikur i këndonte zemra me muzikën që luante dhe pas pak sekondash pista e salles u mbush plot, bashkatdhetarë që kërcenin e këndonin se bashku duke i dhënë kuptimin e vërtetë kësaj festë. Ardhja e këngetarit Vedat Ademi, Hermesit dhe këngetares Alida Duka e ndezi me shume sallën, rinia gjeti muzikën që donte e ndjente. Për katër ore rresht ata e mbajtën sallën në këmbë.

E në këtë atmosfere feste kuptohej se gëzimi nuk njeh moshë e lodhje. Krenaria për festat e atdheut tonë i jepte këtij gëzimi atë energji e dinamizëm që vetëm ne kurbetlinjtë në perëndimin e largët e dimë më mirë se kushdo tjetër se nga buron. Eshtë malli e dhimbja për tokën tonë, gjuhën e traditat tona që përpiqemi mos t’i humbasim, për prindërit, vëllezërit e motrat tona që i kemi aq larg e që na mungojnë në këto ditë feste.

Në mes të këtij gëzimi, erdhi për të festuar bashkë me ne, e për të respektuar komunitetin shqiptar në Filadelfia, zoti Mark F. Squilla, Këshilltari i Distriktit të Parë të qytetit të Filadelfias. Pas prezantimit që zoti Tajar i bëri te bashkëfestuesit, zoti Squilla përshendeti në emër të Këshillit të qytetit të Filadelfias. Në fjalën e tij ai theksoi se komuniteti shqiptar në Filadelfia është një komunitet i nderuar e punëtor, qytetarë të nderuar të Filadelfias. Njëkohësisht ai bëri thirrje që të ruajmë traditat tona të mrekullueshme e të punojmë fort për të ruajtur gjuhen shqipe tek fëmijet tanë.

Festa vazhdonte dhe rinia e shumtë që këtë vit e kishte mbushur sallën i jepte shkëlqimin e bukurinë kësaj feste. Por në tortën e rinise se kësaj feste ishte edhe qershia mbi të. Grupi muzikor i fëmijeve të shkolles “Gjuha Jonë” pranë shoqatës “Bijtë e Shqipes”, nën drejtimin e mjeshtrit të muzikës zotit Hamdi Gjana, kënduan dy këngë për Atdheun tonë Shqipërinë. Zërat e tyre të bukur ju përcollën të pranishmëve këngën e bukur shqipe të krijuar, orkestruar e drejtuar nga mjeshtri Gjana. Me kostumet tradicionale popullore të veshura ata rrezatonin bukurinë shqiptare. Dhe po ta shihje sallën në këto momente ndihej krenaria në sytë e të gjithëve, prindërve të tyre, vellezërve e motrave, por edhe ne të gjithëve. Janë gjaku, geni ynë, të cilët do ta çojnë akoma më lart emrin e shqiptarit këtu në Amerikën e largët.

Festa herë-herë arrinte pikun, e herë pas here organizuesit ndërhynin për të zbukuruar këtë festë. E veçanta e këtij vit festiv ishte se për here të parë shoqata “Bijtë e Shqipes” prezantoi aktivitetin më të ri të saj, në ndihmë të komunitetit. Që prej këtij viti e në vazhdim shoqata do japë bursa për disa studentë shqiptarë që plotësojnë kriteret e vendosura e miratuara nga një komision i shoqatës. Këtë vit bursën prej 500 dollarësh e fitoi studenti i Kolegjit të Komunitetit të Filadelfias zoti Sokol Hasa. Shumë nga të pranishmit e vlerësuan këtë veprim të shoqatës dhe zoti Dritan Matraku që prezantoi këtë bursë ju bëri thirrje bizneseve të ndryshëm të kontribuojnë që shumat e dhëna të jenë më të mëdha e numri I studentëve fitues të jetë më I lartë.

Por përveç valleve e këngëve që mbanin gjalë entusiazmin rinor të salles, kjo mbrëmje i kishte pafund surpriza e vlerësime për shumë nga bashkëatdhetaret tanë të mrekullueshëm.
Në një moment përballe skenës del sekretari i shoqatës Vlashi Fili, se bashku me të, kryetari e dy nënkryetaret. Me ton deklamues ai njofton të pranishmit për ndarjen e disa mirënjohjeve e vleresimeve të dhëna nga Keshilli Drejtues i shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

Dhe më e veçanta ishte se mirënjohja e pare “Njeriu i Vitit 2015” që ka ndihmuar më shumë komunitetin shqiptar në Filadelfia, me libra për fëmijët e kostume popullore, ju dha bashkëatdhetarit tonë me banim në Tiranë, zotit Androkli Kokthi. Prindërit e tij, e ëma Shega dhe i ati Kicua, jetojnë në Filadelfia dhe janë nga anëtarët më aktivë të shoqatës. I ndodhur pranë tavolinës se tyre, në momentin që Vlashi lexonte motivacionin për këtë mirënjohje, sytë e tyre u përlotën. Nuk ka gëzim e krenari më të madhe për një prind se sa kur shikon që fëmija i tij mendon e punon për kombin e vet, e sidomos kur mendjen e energjitë i drejtojnë në ndihmën për fëmijet e emigrantëve, për tu përciellë atyre merakun e një kombi për të ruajtur gjuhën, kulturën e traditat e tij. Me hap të ngadaltë Shega shkon e merr mirënjohjen për të birin, e cila ju dha nga zonja Daniela Kristo Nesho, Konsulle në ambasadën tonë në Ëashington. Zonja Daniela e uroi këtë nënë për birin e saj në emër të Ambasadores sonë zonjës Floreta Faber.

Menjëhere pas kësaj zoti Tajar lexon përshëndetjen e veçantë që zonja ambasadore e Shqipërisë, i kishte derguar komunitetit shqiptar në Filadelfia me rastin e festës së madhe të 103 Vjetorit të Pavarësise e të Flamurit tonë. “Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikes – theksonte në përshendetjen e saj zonja ambasadore – si një nga diasporat më të fuqishme të Shqipërisë në botë, dhe organizata “Bijtë e Shqipes” kanë dhënë e japin një kontribut të paçmueshem në mbrojtje të çështjes kombëtare, në mbrojtje të lirive dhe të të drejtave të kombit Shqiptar”.

Me mirënjohjen “Nderi i Komunitetit” u nderua zoti Bujar Cela. Me një emocion të veçantë ketë mirënjohje ja jep nënkryetari i shoqatës Zoti Bujar Gjoka, duke e falënderuar zotin Çela si një bashkatdhetar e baba shëmbullor që sakrifikon çdo javë e sjell tri fëmije në shkollën shqipe dhe është i papërtuar në çdo veprimtari të shoqatës .

Mes këtyre emocionesh, zoti Vlashi thërret një nga anëtaret më të vjetër të shoqatës, një nga themeluesit e saj zotin Llazar Vero. I takon këtij njeriu të nderuar të komunitetit tonë që ti japë mirënjohjen “Nderi i Komunitetit” zotit Haki Collaku. Ky bashkëpatriot, duarartë e zëmërbardhe i përgjigjet shoqatës sikur është punëtor me kohë të plotë i saj, e jo si vullnetar. Stenda e mrekullueshme e kuptimplotë që bëri, kur ngritëm flamurin në Bashkinë e Filadelfias, ishte frut i mëndjes e duarve të tij të pashoqë. Me emocion Llazari e përgëzon dhe e falenderon këtë burrë atdhetar duke u treguar të gjithëve se kanë ç’japin për shoqatën e komunitetin nëse duan ta ndihmojnë atë.

Në vazhdim Bujari lexon emrat e donatorëve që kanë kontribuar më shumë ketë vit në shoqatë me fonde. Binte në sy që ketë vit lista ishte më e gjatë e shumë prej tyre me shuma të konsiderueshme. Këtu mund të përmëndim zotërinjtë Korab Parllaku-$1,000, “Aida Corporation” me pronar Kalosh Kupa-$500, Bujar Aliaj-$500, Nuri Kupa-$500, Jakup Domi-$500, Leonidha Rapi-$300, restorant “Bellini” me pronar Shpëtim Daku-$300, Kimet Hasa-$200 e shumë e shumë të tjere.

Pas ketij momenti këngëtarja Alida Duka fton pjesmarrësit të kërcejnë se bashku napoleonin. Salla ndizet nga muzika e vallja. Rinia është gjithë kohën në pistë dhe Artani me organon si dhe Flori me xhazin duket sikur kërcejnë e këndojnë bashkë me ta. Kur i sheh këta të rinj e të reja, të bukur e fisnike, gjaku e geni ynë, të shkolluar e edukuar këtu në Amerikë, të krijohet ndjesia se Shqipëria do të rrojë e përparojë. Bijtë e saj ketu në Amerikë do i ruajnë e çojnë më tej traditat e saj, do punojnë që të lartësohet më tej emri e fama e saj.

Po afronte fundi i mbrëmjes dhe siç është në traditën e shoqatës u luajt llotaria për të fituar disa dhurata. Orela me Bujarin thërrasin numurat e biletave fituese që ishin shitur më parë të pranishmëve në sallë. Këtë vit dhuratat ishin nje I-Pad 400 dollare i blerë nga Shoqata, 2 karta nga 100 dollare për ti shpenzuar në dyqanët më të mira të Filadelfias, 2 aparate marrës të kanaleve shqiptare me abonim 6 mujor të dhuruara nga Jorgo Xhori, si dhe 2 çifte biletash për të ndjekur ndeshjet e basketbollit të skuadrës “Sixers” të Filadelfias. Dhe si gjthmonë humori e urimet për fituesit nuk mund të shmangeshin edhe në këtë festë. Ndoshta ishte pak, por ne si shoqatë po punojmë që brënda mundësive t’u kthejmë sa më shumë bashkatdhetarëve tanë të mirë e punëtore.

Mbrëmja vazhdon dhe duket sikur Vedati me qëllim e ndez më shumë atmosferën në këto minuta të fundit. Kënga shqiptare e amerikane të përziera bashkë që këndohen në kor nga rinia në pistë e në sallë.

Mes pjesmarresve të shumtë janë edhe miq nga Shqipëria apo vende të tjera ku kanë emigruar. Fjalët e urimet e tyre na prekin më shumë. Spontanisht kryetari i shoqatës, Tajari, fton një nga ata, zotin Sotir Goxhaj, ish emigrant në Greqi, por tani anëtari më i ri i shoqatës Bijtë e Shqipes. I rrahur me jetën e me përvojë të gjatë në aktivitetet me emigracionin atje. Me atë zë të plotë e timbër emocional ai përcolli në sallë lavdinë e heroikën e festës se pavarësisë. Me vargje të goditura, por të interpretuara me mjeshtërinë e një artisti ai përcolli te të pranishmit lavdinë e Vlorës heroike, dhe pavdekësinë e festës se pavarësisë të atdheut tonë të dashur Shqipërise.

Muzika e kënga e kanë një fund, dhe njerëzit të lodhur por të gëzuar largohen pak nga pak me urimin që u del nga shpirti: Gëzuar vëllezër e motra Festat e mëdha të Nëntorit të Nënës Shqipëri,

Gezuar 103 Vjetorin Atdheu ynë i dashur,

Përjetë i kalofshim bashkë të tilla gëzime.

Filadelfia 2 Dhjetor, 2015

Filed Under: Komunitet Tagged With: filadelfia, per Atdhe, Per flamur, Petrit Zanaj

PLATFORMA PEDAGOGJIKE E SHKOLLËS SHQIPE NË VITET E LIDHJES SË PRIZRENIT

December 3, 2015 by dgreca

Nga Avzi Mustafa/

Lidhja Shqiptare e Prizrenit erdhi si rezultat i përpjekjeve ideologjike dhe kulturore të viteve ‘60-‘70 të shekullit XIX. Përpjekjet e para të rilindësve tanë për organizimin e një lëvizje të gjerë kulturore në plan të parë ishin synime të karakterit politik të shqiptarëve të vendit. Ideologët shqiptarë, si: Naum Veqilharxhi, Thimi Mitko, Konstatin Kristoforidhi, Hoxha Tasini, Pashko Vasa, Ismail Qemali, Jani Vreto, Thmi Krei, vëllezërit Frashëri etj., e kishin kuptuar fare mirë se faktori kryesor i mbijetesës dhe perspektivës së kombit shqiptar është arsimi dhe pa të nuk ka as emancipim politik.

Siç dihet, Perandoria Osmane zhvillonte një politikë asimiluese e shkombëtarizuese, sidomos ndaj popullit shqiptar, duke mbrojtur parimin fetar mbi atë kombëtar, kështu që kombin shqiptar nuk e njihte. Prandaj, kur ishin në pyetje kultura dhe arsimi i këtij populli, ajo aspak nuk brengosej që populli ishte katandisur në injorancën më të madhe arsimore e kulturore, por edhe në gjendjen më të mjeruar ekonomiko-sociale. Prandaj iluministët shqiptarë jashtë atdheut kishin marrë mbi supet veta të themelojnë, klube e shoqëri dhe gazeta e revista me synime të qarta politike për të drejtuar popullin shqiptar nga vetvetja. Në këtë kohë paraqiteshin statute, thirrje, procesverbale, artikuj shtypi, relacione të ndryshme dërguar konsujve, që ishin kundërshtim ndaj planeve ekspansioniste të shteteve fqinje se shqiptarët janë një popull i veçantë dhe nuk kanë të bëjnë as me osmanët, e as me grekët, e as me sllavet. Për zgjimin kombëtar dhe ngritjen e ndërgjegjes te shqiptarët s kishte rrugë tjetër, përveç arsimit dhe edukimit kombëtar. “Me anë të arsimit të popullit në gjuhën shqipe në frymë patriotike, rilindësit synonin ta shpejtonin zgjimin kombëtar, ngritjen e ndërgjegjes politike, ndenjën etnike dhe aftësimin e tij në jetën shtetërore të pavarur” (IPS: Historia e arsim it shqiptar,f. 60).

Rreziku më i madh që i kanosej vendit ishte hapja e shkollave të huaja në fillim të viteve të ’50-ta të shekullit 19, ku iluministi parë shqiptar Naum Veqilharxhi do t’u drejtohet pasanikëve shqiptarë që ta japin kontributin e tyre për shtypjen e librave në gjuhën shqipe, si dhe për hapjen e shkollave shqipe. Veqilharxhi më vitin 1866 i paraqiti një memorandum kryeministrit të Sulltan Azizit, me të cilin kërkohej t’u jepej “leje shqiptarëve të shtypim libra shqipe dhe t’i përhapin në Shqipëri” (Hyni Myzuri, Shkollat e para kombëtare shqipe, Tiranë 1972, f. 39).

Me Evetarët e Naum Veqilharxhit, si dhe me kërkesat e tij drejtuar Sulltanatit, sipas pedagogut Bedri Dedja, mendimi pedagogjik ngre “një platformë përparimtare me karakter demokratik e cila lidhet ngushtë me interesat e popullit tonë për liri, pavarësi e përparim shoqërore” (B. Dedja, Shënime mbi historinë e mendimit pedagogjik shqiptar, Tiranë 1972, f, 9).

Në këtë kohë gjegjësisht me daljen e Ëvetarit të Naum Veqilharxhit kemi përpjekje të të shumta e vetëmohuese të intelektualëve të ndryshëm, kjo edhe përkundër pengesave shumë të vështira, që sanksionoheshin nga Perandoria me vdekje, burgime e syrgjynosje. Patriotët po bënin përpjekje që te masat e gjera popullore ta përhapin dijen në gjuhën amtare. Aty ku kishte mundësi hapeshin ose të paktën pranë shkollave të huaja fshehurazi mësohej edhe alfabeti dhe gjuha shqipe.

Kështu në lagjen Varosh të Gjirokastrës hapet një shkollë për vajza në 1851. Thimi Mitko benë përpjekje për hapjen e një shkolle në Korçë, Anstas Byku bënë përpjekje për një abetare të vogël me titull “Gram për shqiptarët” . Në Shkodër filloi të mësohej gjuha shqipe nga Gjergj Benushi. Po në këtë qytet 1862 u hap një qendër mësimore shqipe që funksiononte privatisht për vajza nga mësueset: Kushe Mici e Tereza Bërdica, ndërsa pastaj shkollë hapet edhe në Shirokë .Rifilloi qe  gjuha shqipe të dëgjohet pëerseri edhe në Shkup që para 1820 ishte hapur nga arqipeshkopi  Metej Krasiniqi.

Edhe Hoxhë Tahsini më 1871 në medresenë e Stambollit vendos që kjo medrese të bëhet çerdhe e patriotizmit shqiptar pa dallim feje e krahine. Aty u diskutua për krijimin e një alfabeti të vetëm, për mësimin e gjuhës shqipe, për botimin e librave etj. (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, v. I, Tiranë, , f. 96-100). Gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit intelektualët shqiptar pikërisht në Stamboll, nën organizimin e Hoxhë Tahsinit formuan një institucion të lartë shkencor me emrin “Akademia e Dietareve Shqiptarë”, të cilët e kishin edhe organin e vet me emrin “Revista shkencore” (Nexhat Abazi, Zhvillimi arsimit, i shkollave dhe mendimit pedagogjik shqiptar në Maqedoni (1830-1912), Tetovë, 1997, f. 81).

Këta dijetarë, nëpërmjet shkrimeve, ndikuan mjaft që të kuptohet se Programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit së pari duhet shikuar nga disa pikëpamje, si në bazë të konceptit të autonomisë territoriale-administrative që lidhet ngusht edhe nga pikëpamja kulturore arsimore dhe politiko-ushtarake.

Me aplikimin e Kushtetutës së vitit 1876 ku nenin 15 të kësaj Kushtetute thuhet se “ mësimi është i lirë. Çdo qytetar osman  brenda suazave të ligjit ka të drejtë shkolla publike a private”. Edhe pse në këtë Kushtetutë siç thotë Jashar Rexhepagiqi se nuk  behet fjalë për mësimin e gjuhës shqipe, po me  me sintagmën “ mësim i lirë”  nënkupton  se edhe shqiptarët para ligjit osman mund të hapin shkolla . ( Jashar Rexhepagiq,  Zhvillimi arsimit  dhe i sistemit shkollor  të kombësisë shqiptare   ne territorin e Jugosllavisë së sotme  deri më vitin 1918, Prishtinë, 1968, f. 78)

Që nga viti 1877 paria e jugut të Janinës të parët e ngritën kërkesën që administrata, shkolla dhe gjyqet të ishin në gjuhën shqipe, ndërsa kjo kërkesë u aprovua në Memorandumin e 27 nëntorit 1878, që u miratua në mbledhjen plenare të Lidhjes së Prizrenit dhe iu drejtua Sulltanatit. Dokumentiti mban titullin “Vendimet e Lidhjes së Prizrenit”, ku perarandorisë osmane i behet me dije  edhe kërkesat e shqiptareve për arsim edhe kulturë. Në pikën 3 të këtij memorandumi thuhej: “Arsimi duhej të përhapet nëpër të gjitha anët dhe nëpër shkolla të mësohet edhe gjuha shqipe” (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, v. I, Tiranë, 112)

Kërkesat për arsim në gjuhën amtare u përsëritën shpesh, sepse kishte nevojë për këtë, aq më tepër që disa feudalë shqiptarë e kishin vështirë të shkëputen nga sistemi arsimor osman dhe ata nuk mund ta pranonin vetëm futjen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimore në shkollat turke.

Pashko Vasa, njëri ndër ideologët më të shquar dhe mendimtar i kohës, haptazi kërkon një sistem arsimor për shqiptarët, i cili do të ketë karakter të thellë kombëtar dhe të jetë i përshtatshëm me psikologjinë e shqiptarit. Vaso Pasha nuk ishte utopist, por një mendimtar i cili realizimin e sistemit arsimor e kërkonte vetëm me bashkimin dhe shpalljen e pavarësisë, sepse vetëm atëherë mund të arrihet edhe arsimi popullor.

Lidhja e Prizrenit e formoi edhe organin qendror për një komision për punë brendshme, i e kishte cili për detyrë të merret me rregullimin e arsimit, që t’i analizojë dhe financojë shkollat në gjuhën amtare.

Pas mbledhjes së 10 qershorit 1878 dhe disa muaj pas memorandumit të nëntorit 1878 u mor vendimi i qartë dhe këmbëngulës për mësimin e shqipes, si dhe për hapjen e shkollave në këtë gjuhë.

Platforma pedagogjike e shkollës në gjuhën amtare u bë kërkesë shumë e shpeshtë gjatë muajit qershor-tetor të vitit 1879, sidomos me krijimin e “Shoqërisë së të shtypurit Shkronja Shqip” si dhe Kanonizmës së kësaj shoqërie, që kërkonte lëvrimin e gjuhës shqipe, hapjen e shkollave shqipe dhe botimin e librave në gjuhën shqipe me alfabet të njëjtë. “Shoqëria e të shtypurit Shkronja Shqip”, Kanonizma e sidomos fryma e Lidhjes së Prizrenit me objektivat që i përcaktoi i dha udhë dhe motiv përhapjes së arsimit, të shkollës dhe ngritjes së ndërgjegjes kombëtare.

Me botimin e “Alfabetares” të vitit 1879 bëhet dokumenti i parë i platformës pedagogjike dhe didaktike kombëtare për atë kohë. “Alfabetarja behet një traktat pedagogjik për ruajtjen e gjuhës si shenje identiteti të shqiptarëve për ta dalluar atë nga popujt e tjerë, që ishte rezultat i asimilimeve nga shtetet shoviniste fqinje.

Alfabetarja, siç vlerësohet nga studiuesit, nuk ishte vetëm një libër leximi, por aty u ngjizen edhe shkenca, si gjuha shqipe, historia kombëtare, aritmetika, njohja me natyrën etj. Aty është programi mësimor si didaktika dhe idetë pedagogjike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. “Ajo është përmbledhje e plotë tekstesh për arsimin elementar, për arsimin e fëmijëve… Ajo është njëkohësisht një dokument didaktiko-arsimor dhe teoriko-pedagogjik, ku pasqyrohen pikëpamjet e mendimtarëve dhe ideologëve më të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, v. I, Tiranë 2003, f. 118). Alfabetarja e Stambollit ngërthen në vetvete edhe virtytet me të larta shpirtërore të shqiptarëve, si: atdhetarizmin, diturinë dhe mendimin pedagogjik e didaktik shqiptar.

Lidhja e Prizrenit u bë trajektore e zhvillimit të veçorive kombëtare të popullit shqiptar, individualitetit dhe origjinalitetit. Këtë e kërkonte ndërmjet gjuhës si një ndër faktorët më kryesorë për bashkimin kombëtar pa dallim feje e krahine. Lidhja e Prizrenit ishte një lëvizje kombëtare që vepronte në mënyrë të organizuar në të gjitha trojet shqiptare dhe ajo e hapi rrugën e përparimit dhe avancimit të mendimit pedagogjik shqiptar. Platforma e saj ishte largpamëse dhe gjithëpërfshirëse ndaj interesave të popullit shqiptar, veçanërisht për një arsim dhe kulturë që do të ishte në shërbim të popullit shqiptar.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) hartoi një program me pesë pikat programore për njohjen e gjuhës dhe të shkollës shqipe, ku do të sigurohet lumturia fizike dhe shpirtërore e shqiptarëve. Në këtë periudhë u arrit përcaktimi i një alfabeti të përbashkët, u botua “Abetarja e gjuhës shqipe” dhe, më vonë, edhe tekstet e tjera shkollore.

Në strategjitë afatgjata të zhvillimit të arsimimit kombëtar të rilindësve të shquar është hedhur ideja dhe, deri diku, është përpiluar platforma për krijimin e arsimit të mesëm dhe të lartë. Këtë platformë më vonë e trajtoi më qartë intelektuali erudit Sami Frashëri në veprën e tij enciklopedike “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, që ishte, mes të tjerash, një sintezë në vetvete e gjithë mendimit intelektual pedagogjik rilindës. Ajo mund të konsiderohet si platforma e parë shkencore për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, ku shtron si domosdoshmëri krijimin e “gjithmësimores” ( S.Frashëri “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, f. 9)

Lidhja e Prizrenit, arsimit dhe kulturës shqiptare, i hapi rrugë perspektivës dhe parashtrimit të kërkesave dhe marrjen e aksioneve të përbashkëta për ta avancuar veprimtarinë arsimore dhe kulturore. Ajo i dha përgjigje si Perandorisë, ashtu edhe shteteve fqinje, se gjuha e shqiptarëve është shqipja dhe se dhe mësimi duhet të jetë gjithëshqiptar, si në formë, ashtu edhe në shpirt (Vehbi Hoti, Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, f.151).

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, Lidhja e Prizrenit, Platforma pedagogjike, Shkolla shqipe

“KULTURA E TEPRISË”

December 3, 2015 by dgreca

(Një thirrje për zhbërjen e saj)/

Nga Rexhep KASUMAJ/

Ndërsa një muzg, me erën që ndiqte retë dhe fletët e molisura, mendoja për dramën e fundme të Prishtinës, do t’më kujtohej një floskulë (e kujt kje vallë?) tepër interesante e domethënëse: ”Kultura e teprisë”!Natyrisht, farkuesi i hollë do ta ketë vënë në një kontekst tjetër, por unë me ngasjen e vetishme për ta adoptuar në miljeun e mbërthyer ekstremesh e improvizimesh të çuditshme, thashë me vete: po ku është trollëzuar e tillë farë më mirë?
Etablimi i saj, tashmë, rezulton të ketë dy nivele, dy ndërgjegje dhe dy kahe përballëse a, krejt, të kundërta që prekin kulmet e teprisë: njëra është vepruese, e pandjeshme dhe agresive, kurse tjetra e lëbyrshme, bestyte dhe fatpajtuese! Po kush, vallë, identifikohet me to? Të parët – e cilët tjetër? – janë hierarkët e pushteteve, ndërkohë që të dytët – a s’kuptohet lehtësisht? – janë turma, elektorët dhe hijefigurat nga “Të përbuzurit…” e Franc Fanonit!..Duke qenë një sipërkulturë, ajo ka poshtëvënë gjithë të tjerat: kulturën e përgjegjshmërisë (ligjbërja e kartelave të krimit), të harmonisë (shkallmosja e klasës mesme si nyjë paqëtuese), atë kritike (klientelizmi i pështirë medial), mandej, poaq, të rezistencës civile (nënshtrimi i pakusht ndaj naciokratëve të ndërkryer) dhe, së fundmi, vetë kulturën e lirisë!..Dhe ah, darët e teprisë kapullojnë gjithçka: në një anë, tepri në vjedhje e mashtrim, pabarazi e vobektësim (athua ka masë etike për to!?) dhe, në anën tjetër të humnerës: tepri në apati, si shndërrim i atdhetizmit kushtetues në gjunjëzim popullor (a ka peshore të arsyes për të!?), ose, më saktë, si do thoshte Orveli, meqë i zgjedhin lirshëm përfaqësuesit politikë – tepri edhe në pjesëmarrje e bashkëpunim me shkaktarët e fatkeqësisë së vet.

Gjendja sikur ngjan fare shpresëkotë sepse, mjerisht, perpetuohet pambarimisht në rreth të mbyllur: të parët nuk fisnikërohen, e të dytët, ndërkaq, nuk vetëdijësohen! Rrjedhimisht, ndërsa hierarkët katrrisen me thonj e gjak, për t’mos rënë nga qarkullimi horizontal i sundimit, të përbuzurit zjejnë e rrotullohen në botën e asgjëbërjes, pa ëndërruar, apo organizuar kolektivisht mohin e rendit të bajlozëve të zinj!..

Amorfiteti i të poshtmëve ka, ndaj, shprehjen e kërkimdaljes individuale nga unaza  shtrënguese mbi jetët e tyre. Një palë do të heshtin, një tjetër priret për shpërngulje në largësitë e panjohura dhe ndonjëri nga palë e tretë, po qëlloi të ketë shkundje a vegime shpëtimtare, nuk pikësynon askurrë ti shmanget skemës së trishtë. Madje, besnik i tipologjisë fanoniane, vuan dëshirimin e fshehtë për tu ngjitur në galerinë e të epërmve, pra jo drejt lirisë së vet dhe të tjetrit, por, në ndjekje të rregullave unikale të “teprisë”, për tu bërë edhe ai – Persekutor!

“Ai ç’prej vjetësh tremijë
Nuk mësoi gjë për veten,
I tretur mbetet n’errësi
Nga dita n’ditë t’shtyjë jetën”!

Patriarku i letrave të Europës, Gëte, thuase do ti ketë shkruar këto vargje, disi, parathënshëm, jo për gjermanët e vet, por pikërisht  për shqiptarët, që, të pamësuar çlirësie ndër qindjeçarë, gëzojnë ende statusin e përulshëm të kujdestarisë, tipik për popuj adoleshentë apo veteranë të robnisë!

Filed Under: Analiza Tagged With: KULTURA E TEPRISË, Rexhep Kasumaj

AMERIKA PËR KOSOVËN

December 3, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Marrëdhënjet midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të përshkruhen si, historikisht, të shkëlqyeshme ç’prej sulmeve ajrore të NATO-s  që i dhanë fund fushatës brutale të policisë dhe ushtrisë së diktatorit terrorist Millosheviq kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës që më në fund çojë në pavarsinë e Kosovës e deri në ditët e sotëme. Sulmet e NATO-s të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara ishin një provë historike se spastrimet etnike në Europë — në këtë rast kundër shqiptarëve të Kosovës — nuk do të toleroheshin në prak të shekullit të 21-të.

Washingtoni vazhdon të jetë mbështetësi kryesor i integritetit dhe sovranitetit të Kosovës së pavarur, ndërsa është i angazhuar në përpjekjet, në nivel ndërkombëtar, për njohjen e Kosovës nga vendet që nuk e kanë njohur ende, si dhe për antarësimin e Republikës së Kosovës në organizmat euro-atlantike dhe për ta antarësuar Prishtinën në organizatat kryesore ndërkombëtare, përfshirë organizatën e Kombeve të Bashkuara.  Në të vërtetë, duket sikurë Shtetet e Bashkuara po bëjnë më shumë në këtë drejtim se sa vetë Kosova dhe Shqipëria, marrë së bashku.  Zyrtarët amerikanë të niveleve të ndryshme kanë theksuar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara janë dhe mbeten një partner i vendosur i Kosovës, dhe kanë nënvijuar në deklaratat e tyre në Prishtinë dhe në Washington, se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për një Kosovë demokratike, të bazuar në ligj, tolerante dhe e begatë, që do të  bëhet antare e plotë e familjes europiane dhe euro-atlantike, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta dhe në paqë me fqinjtë e saj.

Vazhdimësinë e këtij partneriteti  historik midis Amerikës dhe Kosovës e theksoi edhe kryeddiplomati amerikan, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, i cili në fjalimin që mbajti me këtë rast tha se, “Në emër të Presidentit Obama, ju sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës”, dhe shprehu falënderimet e të gjithë atyre në Amerikë, që siç tha ai, “E kanë për zemër Kosovën, dhe për të gjithë atë udhëtim të përbashkët që e kanë bërë, një udhëtim të rëndësishëm në të cilin kemi respekt dhe dashuri të ndërsjelltë.”  Dhe duke folur mbi marrveshjet dhe dialogun me Serbinë — të cilat kanë ngjallur kritika dhe kundërshtime, madje edhe dhunë në parlament dhe gjetiu –kryediplomati amerikan pranoi se vendimet e Prishtinës zyrtare ishin vendime të vështira politike, por siguroi udhëheqsit dhe popullin e Kosovës për mbështetjen e vendit të tij duke thanë: “Mos u gaboni, se ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.” Ai nenvijoi se, së bashku “Kemi investuar tepër shumë, ne vetë, së bashku me ju, për në të ardhmen e Kosovës, për ta vënë atë  në rrezik”, u shpreh John Kerry.

Ai theksoi se megjithë përparimet e bëra,”për ndërtimin e një Kosove të fuqishme dhe me prosperitet”, prapseprap Kosova ende ka shumë për të bërë. Kryediplomati amerikan shtoi se për të krijuar një Kosovë të fuqishme dhe të begatë, “Nevojitet edhe më shumë përkushtim nga ana e të gjithë qytetarëve ndaj vlerave siç është mbështetja për sundimin e ligjit, për lirinë e shprehjes, dhe të drejtën për protesta paqësore, të cilat janë të drejta themelore për çdo demokraci.”

Ai u përqëndrua gjithashtu mbi ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës duke thënë se, “Dhuna është e papranueshme.  Kuvendi i Kosovës”, nënvijoi ai, ” duhet të jetë vendi ku ka debat domethënës për politikat publike, ku njerëzit mund të dëgjojnë njëri-tjetrin në paqe, pa marrë parasysh sa e kundërshton idenë, ose ke një ide tjetër vetë.  Në një vend demokratik”, u tha të pranishmëve dhe mbarë Kosovës John Kerry, “Liria e shprehjes do të thotë se njerëzit kanë të drejta ta thonë atë që e mendojnë, edhe nëse nuk ju pëlqen juve. Por kjo pastaj sjell ide tjera, përpjekje të reja për të ndihmuar që të gjendet një mes i përbashkët, ndërsa gjetja e këtij mesi të përbashkët është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ai. 

 Sikurë po i drejtohej jo vetëm ngjarjeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, por edhe debateve  shpesh të ashpëra në Kuvendin Shqipërisë, kryediplomati amerikan, u shpreh duke porositur — si përfaqsues i një vendi mik të shqiptarëve — se,  “Debati duhet të bëhet në demokraci, në veçanti në Kuvend, që duhet të jetë tempull i demokracisë, vend i respektit. Nuk është vend ku duhet të hidhet gaz lotsjellës, apo edhe të bëhen kërcënime.” 

Siç duket i shqetësuar mbi situatën politike në Kosovë, ai u bëri thirrje të gjitha partive që të “dënojnë përdorimin e dhunës në jetën publike, dhe t’i përkushtohen angazhimit në mënyrë paqësore dhe konstruktive, për t’i zgjidhur dallimet e tyre në interesin e vendit”.  Sekretari Amerikan i Shtetit në fjalimin e tij në Prishtinë  shprehu falenderimet e tija për mikpritjen bujare dhe të ngrohtë që iu bë, duke theksuar se më e rëndësishme se vizita e tij atje, është theksoi ai “partneriteti që kemi midis nesh për të ecur përpara”, duke shprehur shpresën se, “Do të vazhdojmë të punojmë së bashku me ju që të kemi përvoja edhe më të mira në të ardhmen, në ditët dhe në vitet në vijim”, përfundoi kryediplomati amerikan fjalimin e tij në Prishtinë.

Fjalimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry u mbajtë në Prishtinë për veshët e klasës politike të Republikës së Kosovës, por jam i mendimit se këto fjalë, nga një përfaqsues i një vendi mik i vjetër i shqiptarëve,ndonëse u prononcuan në Prishtinë, ai fjalim kollaj mund të mbahej edhe në Tiranë. 

Prandaj lind pyetja, jo vetëm për udhëheqsit politikë të Kosovës, të cilëve iu drejtua John Kerry drejtë për së drejti, por edhe për udhëheqsit në Tiranë, nëse përfaqsuesit politikë të shqiptarëve sot janë të aftë dhe të gatëshëm dhe nëse në fakt duan që të përforcojnë mëtej marrëdhënjet, historikisht të forta, midis dy kombeve dhe nëse njëkohsisht janë të gatëshëm të përqafojnë vlerat dhe traditat që bashkojnë Amerikën me kombin shqiptar.

Natyrisht se për nga gjeografia, Kosova gjëndet në Europë dhe fati i saj është i lidhur me atë kontinent, por porositë miqësore të Sekretarit Amerikan të Shtetit në Prishtinë janë këshilla vullnet mira që  shpresohet se do të forcojnë mëtej marrëdhënjet midis dy vendeve — në dobi të dy palëve — dhe do t’i shërbejnë përparimit dhe zhvillimit të Republikës së Kosovës dhe populllit të saj. Por, njëkohsisht do të forcojë paqën dhe stabilitetin afatgjatë në atë pjesë së kontinentit europian.  Në këtë moment të historisë, pa paqë dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, humbin si Shqipëria ashtu edh Kosova, por dhe të gjithë shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta. A janë të gatshëm shqiptarët që më në fund të angazhohen seriozisht për sundimin e ligjit, të luftojnë krimin dhe korrupcionin dhe të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ashtuqë të meritojnë më në fund antarësimin e tyre në Bashkimin Europian?  Demokracia e vërtet u shpreh John Kerry, “Kërkon, që udhëheqësit kosovarë ta kundërshtojnë korrupsionin, dhe të insistojnë që të gjitha rastet korruptive të hetohen, dhe kushdo që gjendet fajtor duke abuzuar me besimin e publikut, të dal para drejtësisë.”

 Sekretari Amerikan i Shtetit, u angazhua gjatë vizitës së tij në Prishtinë se, “Shtetet e Bashkuara do t’i qëndrojnë Kosovës përkrah në të gjitha këto përpjekje”, duke pohuar se kombi im, “ka investuar pothuajse një miliard dollarë në ndihma të ndryshme për Kosovën, në qeverisje, demokraci, paqe, zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit, apo ndihma humanitare  e të tjera.”

Fjalët e kryediplomatit amerikan, ishin shprehjet miqësore dhe angazhimi si edhe dëshira e tij për një zhvillim edhe më të fortë të marrëdhënjeve midis Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në emër të cilës ai foli.  Por, mbetet për tu pa nëse udhëheqsit e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi do të punojnë, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra drejtë realizimit të vizionit të hershëm të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës, i cili e dëshironte Kosovën, “Shtet të pavarur e sovran, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Filed Under: Analiza Tagged With: AMERIKA PËR KOSOVËN, Frank shkreli

Kosova falënderon SHBA-të

December 3, 2015 by dgreca

-Mustafa në mbledhjen e qeverisë: Vizitë shumë e rëndësishme e Sekretarit amerikan Kerry në Kosovë. Edhe në emrin tuaj dhe të qeverisë falënderoj edhe sot Sekretarin Kerry për vizitën që i bëri Kosovës dhe politikën amerikane për përkushtimin shumë të madh për vendin tonë/
-Ne, qeveria, jemi në çdo moment të ulemi me opozitën, të diskutojmë preokupimet e opozitës, të gjendet zgjidhja mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe rregullores së punës së Kuvendit/
Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 3 Dhjetor 2015/ Vizita në Kosovë e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili dje në Prishtinë theksoi se, “në emër të Presidentit Obama sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës”, u vlerësua shumë e rëndësishme nga kryeministri kosovar Isa Mustafa, në mbledhjen e qeverisë të mbajtur sot.

“Kemi biseduar për çështjet aktuale në Kosovë, për orientimet tona euroatlantike dhe integruese, për punën që qeveria po bën në stabilitetin në rajon, në paqe, dhe poashtu edhe për çështjet të cilat aktualisht e preokupojnë vendin tonë. Kemi marrë përpkrahje të plotë për punën që po e bëjmë dhe ne jemi të lumtur që kemi pasur një tajkim të tillë shumë përmbajtësor dhe të shumë të përkushtuar. Edhe në emrin tuaj dhe të qeverisë falënderoj edhe sot Sekretarin Kerry për vizitën që i bëri Kosovës dhe politikën amerikane për përkushtimin shumë të madh për vendin tonë”, theksoi kryeministri Mustafa.

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, dje pasdite, i pritur me ceremoni solemne shtetërore në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, u takua me kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrat HashimThaçi, njëherit ministër i Jashtëm, dhe Branimir Stojanoviç, i komunitetit serb.

“Ritheksoj edhe një herë përkushtimin tim, të zëvendëkryeministrit Thaçi, por edhe të qeverisë, të koalicionit qeverisës, që ne jemi në çdo moment të ulemi me opozitën, të diskutojmë preokupimet e opozitës, të gjendet zgjidhja mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe rregullores së punës së Kuvendit”, tha në vijim kryeministri Mustafa.

 Ne, vijoi kreu i qeverisë së Kosovës, do t’i bëjmë edhe një herë ofertë opozitës, që të ulemi, të bisedojmë, të dialogojmë dhe të gjejmë zgjidhje.

“Konsiderojmë se zgjidhja më e mirë është që dialogu e debati të zhvillohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne jemi të përkushtuar që të gjendet zgjidhje institucionale, që më mos të ketë gaz lotsjellës në Kuvend, që afo fotografi të jenë imazhe të kaluara dhe që Kuvendi i Republikës së Kosovës të punojë në përbërje të plotë, të pozitës e opozitës, dhe në mënyrë demokratike të trajtohen të gjitha çështjet që shtrohen para nesh”, theksoi kryeministri Mustafa.

E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt, të 62-të, shqyrtoi dhe miratoi Projekligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe mori vendime tjera të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Plotësimet dhe ndryshimet në Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit synojnë të rregullojnë përbërjen e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, zgjedhjen e bordit dhe procedurat e vendimmarrjes në bord.

Kryeministri Isa Mustafa, tha se kjo çështje është shtruar në mënyrë emergjente për arsye se është konstatuar se ka disa papajtueshmëri me Ligjin ekzistues sa i përket emërimit të Bordit të Drejtorëve në Kuvend, për arsye se aty ka mbetur një dispozitë e cila thotë se së paku njëri duhet të jetë i jashtëm, ndërsa mandati i drejtorëve të jashtëm ka kaluar dhe kjo do të krijonte pengesë që tani Kuvendi të vendos për bordin e drejtorëve.

“Ne në mënyrë emergjente kemi shtruar nevojë që zyra jona ligjore të punojë së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe vetëm të përpunoj këtë pjesë që i përket mënyrës së zgjedhjes së bordit, përbërjes së bordit dhe vendimmarrjes në bord. Ndërsa, të gjitha çështjet e tjera të mbesin si çështje në të cilat ne do të punojnë në ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, tha kryeministri Mustafa, duke i konsideruar të arsyeshme edhe kërkesat e ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi, sa i përket tokave bujqësore.

Edhe Udhëzimi Administrativ për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme në Universitetin Publik “Hasan Prishtina” është miratuar sot nga qeveria e Kosovës. Miratimi i këtij udhëzimi i hap rrugë zgjedhjeve në Universitet në pranverën e vitit të ardhshëm.

Në mbledhjen e sotme, qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet e nismave për lidhjen e marrëveshjeve financiare IPA 2014 dhe IPA 2015 për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Strategjinë për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës 2016-2021.

 Pas një jave bëhet një vit që nga zgjedhja e qeverisë së re kosovare në Kuvendin e Kosovës në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit. Pas zgjedhjes, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, për vitin 2015 kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.

*Ne Foto: Qeveria e Kosovës në mbledhje, 3 dhjetor 2015,  foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, falënderon SHBA-të, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT