• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

Parlamenti Evropian voton Raportin për Kosovën

January 28, 2016 by dgreca

Komisioni për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar sot Raportin për Kosovën të përgatitur nga nënkryetarja e Parlamentit, Ulrike Lunaçek, dhe ka votuar edhe rreth amandamenteve të shumta, të propozuara nga deputetët.
Ky raport ka kaluar në këtë komision parlamentar me 37 vota në favor, 12 kundër dhe 9 abstenime, njofton sonte Radio Evropa e Lirë.
Kundërshtimet e këtij raporti kanë qënë kryesisht nga vendet që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe të cilave u është bërë thirrje që ta njohin Kosovën.
Gjatë votimit kanë qenë të pranishëm edhe deputetët e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës.
Ulrike Lunacek, që ishte propozuese e raportit, ka shfaqur kënaqësinë pas këtij votimi.
“Vota e sotme dërgon edhe një herë sinjal se e ardhmja e një Kosove të pavarur është në Bashkimin Evropian. Deputetët edhe një herë i kanë bërë thirrje BE-së që të kompletojë njohjen zyrtare të Kosovës dhe pesë shteteve, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që të heqin kundërshtimet e tyre”, ka thënë Lunaçek.
***
Kosova në takimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës
-Janë realizuar takime të shumta në funksion të votimit të rezolutës me temë “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës”/
-Lobohet për shfuqizimi e amendamenteve të shtyra nga Serbia/
PRISHTINË, 28 Janar 2016/ Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës i përbërë nga nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Aida Dërguti po merr pjesë në punimet e Sesionit të Parë të Rregullt 2016 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, nga data 25-29 Janar.
Gjatë kësaj kohe, delegacioni i Kuvendi të Kosovës është takuar me delegacione të ndryshme nga Shqipëria, Suedia, Gjermania, Italia, Franca, Turqia, Maqedonia, Sllovenia dhe Hungaria. Temat e takimeve janë zhvilluar kryesisht lidhur me votimin e rezolutës me temë ‘Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës’ me raportues Agustin Conde.
Duke pas parasysh që Kuvendi i Kosovës nuk gëzon status të anëtarit në këtë institucion, delegacioni i Kuvendi të Kosovës ka lobuar fuqimisht që përmes delegacioneve tjera të paraqet amandamentet të cilat synojnë të shfuqizojnë amandamentet e Serbisë. Amandamentet do të propozohen dhe argumentohen nga delegacioni i Shqipërisë dhe Suedisë.
Ndërsa delegacionet tjera kanë konfirmuar që do të mbështesin Kosovën në çdo hap të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me synim që raporti që del nga Këshilli i Evropës të tregojë situatën reale në Kosovë. Rezoluta për Kosovën, fillimisht është diskutuar sot në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci, dhe pas debatit do të votohet në sesion./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: n Raportin, Parlamenti Evropian voto, per Kosoven

Mesazhe nga memoria

January 28, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
-ese-/
Më mbetën sytë tek një shishe uzo. Një shishe hollake me nuanca qielli dhe që thoshte se ishte prodhuar në Greqi. E mora në dorë dhe e tunda. Thjesht për atë zakonin e buburricave në pijen tonë tradicionale, rakinë. Shumë gjëra më vërshuan në mendje. E para mos diku aty ndodhej ndonjë grek?! Më afrohej e më fliste si fillim për uzon, pastaj për vlerat dhe virtytet e Greqisë, si vendi ku u shpik demokracia.? (E kam patur një radheje një hall të tillë me djathin e bardhë.) Mirëpo heshtje. Gondolat me malll pluskonin në një mërmërimë dritash plot qetësi. Asnjë grek nuk mu afrua. E dyta…, mbrëmjet e largëta në Shqipëri. Pah çfarë orësh, plot aromëra. Por le t’i përmendim nga pak. Le të lodrojmë ca sytë atyre viseve.
Mbaj mend se kur isha i vogël, im at’ më dërgonte shpesh të blija uzo. Ka qënë një dyqan në pazarin e vjetër të qytetit tim. Një aradhë shitoresh me stilin e një pazari Turqie. Me rrugën shtruar me gurë të bardhë, që dukeshin si sipërorja e kokës pa flokë. Ashtu krahas njëri-tjetrit tej e tej. Midis shitoreve diku, ndodhej dhe ajo e pijeve, ku një burrë plak në banak nuk e kishte problem të hapte njërën nga shishet e rafteve dhe të mbushte atë tënden për aq lekë sa ti kishe. E thënë ndryshe, kishe për tre dopio, tre të jepte. Nuk ishte nga ata shitsa që të thoshte, jo, jo nuk i prek shishet unë. Plaku quhej Lipe dhe kishte ca sy të butë që reflektonin paqe. Madje mund të them se qe një nga arsyet që unë vrapoja sapo më urdhëronte ime më që të shkoja. Pra paqja e syve dhe komunikimi i butë. ”Të mungon ndonjë metelik more bir? Nuk ka gjë, më jep sa ke se e rregullojmë atë punë”, thoshte ai. Se afërmendsh, ndonjëherë nga nxitimi, binte edhe ndonjë qindarkë rrugës.
Tje tër gjë që më vjen ndërmend…, janë ato tavolinat e sime mëje. Sidomos kur i vinte i ati. Më ka mbetur në mëndje si gjëja më e bukur e mbrëmjeve fëminore. Ajo sillej në atë kthinë të vogël duke bërë më të pamundurën. Për ne që kishim pak oborr, ndonjë kotec etj…, ishte karakteristike pula e fushës. Mezetë me të përbrendshmet ishin të parat. Të tjerat çfarë të ndodhej sipas stinës. Dimrit përshembull, sallata e ullinjëve me presh dhe lëfore portokalli, rigon e vaj ulliri. Buka e thekur, djathi… Kurse verës, pa diskutim sallata e domates, shalqini etj. Ato meze të vogla midis tim eti dhe gjyshit. Dy burra me nga një shishe në dorë. Shishe të vogla që mbanin rreth nga njëqind gram, ose njëmijë mililitër. Dhe ime më që dukej sikur edhe duart i ndrinin për shkak se në tavolinë kishte të atin dhe të shoqin. Dy burrat më të rëndësishëm në jetën e saj. Sapo ata i mbaronin ajo i kishte gati dy të tjerat, ato zbardhëdhonin sikur të ishin mbushur me qumësht. Ishte uji që e bentë uzon e bardhë. Gjithmonë ato shishka të vogla rrinin të pastra dhe seç kishin një lezet në duart e tyre. Sot burrat pinë me gota, por nuk e di…, ose nuk e shoh më atë, po e quaj lezetin e duarve të kohës.
Më vonë kur dola botës vura re se ashtu e pinin edhe në Greqi, edhe në Turqi. Diçka që mbeti në fëmijëri.
Tashmë kur e provojë edhe vetë, vërej se më shumë më shijon me ujë dhe ashtu e bardhë, se sa e qartë dhe e kthjellët. Ndofta edhe për hatër të memories? Ndaj dhe thelbi i kësaj sprove të rastësishme, është tek memoria. Kuadrati i kujtesës brenda njeriut. Ndërkohë janë edhe shumë probleme të tjera nga dita që mund të trajtohen. Raporti midis pronorit i imi, imja, jona, etj. Dhe faktit të jetuar. Tërësia ballkanike apo pellgu i Mesdheut në përgjithësi. T’i marrim me radhë.
Afrimitetet.1)Kur e pyeta një ditë një fqinjin tim turk se, a kishte gjëkundi ndonjë dyqan ushqimor, shkurt me ushqime të Turqisë. Ai ma ktheu gjithë qejf: ”Të ka vajtur mëndja për byrek? Kadaif.? Fol çfarë do.? Më ka ardhur mamaja, mërzitet vetëm. Po ashtu po e vë të bëj byrekë se vdes për këto. Të paktën shtyn edhe ditën”. Dhe ashtu u bë… 2)Diku afër kam një restorant grek. Shkojë ndonjë të shtune. Sapo futem në derë i zoti, një djalë nga Kreta ma bën menjëherë me dorë. Më vjen në tavolinë dhe gjëja e parë më ofron një gotë hollake me pak uzo, një pjatë nga ato të filxhanave të çajit me gjiro dhe fillojmë avazin me lajmet e fundit nga Ballkani ynë. Por dhe Mesdheu i madh…, qartazi sikur të jetojmë akoma atje. Dhe jo këtu në këtë vend kaba, të zhveshur nga pronori imi, i joti, i yni etj. Mua ndërkohë më kujtohet mezetë e sime mëje. Mbrëmjet me dy burrat e mëdhenj të memories sime. Lëngëzohem dhe them se me patjetër edhe ky burrë grek duhet të ketë patur kësisoj kujtimesh. E pyes dhe çfarë nuk më tregon. Copëza të arta. Biles në varësi të atyre ka ngritur dhe mban biznesin e tij. Madje ka sipër derës një parrullë të tillë…, ushqime safi prej Greqie. 3)Tek vendi i punës ku jam vet, gjithmonë u shërbej dy motrave të moshuara italiane. Për shkak se kanë një biznes të tyre, piceri e të tjera. Nga që kanë një jetë që vetëm aty punojnë, nuk flasin thuajse fare anglisht. Kështu sapo vinë, pyesin për mua. Dhe fjala e parë që më thonë është, Çiao paesano? Come va la vita? Pastaj më shpjegojnë se për çfarë gjënden aty dhe si gjithmonë më duhet t’i ndihmojë e tu shërbejë. Pastaj kur shtrohemi, më pyesin se çfarë ndodhi me mbretin e tyre dikur në Shqipëri. (Unë qesh se këtë pyetje ma blnte dikur edhe një napoletan i moshuar, ai që unë e quaj heroi im.) Atë që solli Duçja kur ato ishin fare të vogla. Unë u them se asgjë, veç e vumë të na gatuante makarona. Dhe ato kënaqen së qeshuri. Por nuk harroj t’u kujtojë se na ndërtoi edhe rrugë, ura, etj. 4)Dentinstin e kam nga Bejruti, madje i vjen mirë që unë shqiptari i jam një klient besnik. Jemi mesdhetarë më thotë, edhe pse krruhemi, prapë pak a shumë kemi të njëjtat rite. Deri diku të njëjtën soj guzhine etj. Ju i thoni kështu e ne ashtu, po në fund të fundit gjethe rrushi me oriz janë, apo jo?. Dhe i referohet memories se si në kohën e Turqisë, ata kishin guvernator një shqiptar. Unë i them se quhet Pasho Vasa, nga Shkodra kultura e vendit dhe se është poet i madh. ”Se edhe ju keni qënë kështu me Turqinë” më thotë ai duke vendosur dy duart përbri njëra-tjetrës dhe fërkuar gishtat tregues. I them kalimthi se jo Turqia, por Perandoria Osmane dhe në të’ nuk ishin vetëm shqiptarë. Por gjithfarësoj popujsh etj…, ndaj quhej Perandori. Por nuk ia vlen. Për ‘të ne kemi bashkëpunuar me Turqinë. Pastaj nxiton të tregojë për traditat, tu më thotë ai. Për ato grimca memorie, me qejf me kënaqësi. Dhe si pa dashur edhe origjinën e distilimeve dhe fermentive. Pastaj nxiton të plotësojë që këtu jemi ëngjuj për njëri-tjetrin. Kurse atje, fashistë, xhihadistë, kriminelë. 5) E njëjta gjë edhe me serbët, boshnjakët, kroatët, maqedonasit. E deri tek bullgarët. Kemi kaq shumë gjëra të bukur nga memoria, aq sa tërësia i duket një tryeze të shtruar nga një nënë. Përshembull aq sa edhe çorba si gjellë, më befasoi që për e rumunët ishte diçka e mëngjesit si paçja në mëngjesoret tona. Megjithatë në e kemi referim të problemit, këtë gjellë plot lëng, kur themi se na i bëri punët çorbë etj.
Jo vetëm vendet ballkanike apo ato rreth pellgut të Mesdheut, janë prirur historikisht në histori luftrash, dhune dhe pushtime. Dhe mbi të gjitha në një urrejtje tipike mes fqinjit me fqinjin. Por shumë syresh rreth e rreth botës. Njerëzimi kështu qënka ngatërruar. Problemet më të mëdha t’i ketë me fqinjët. E kam theksuar sipas rasteve, por në distancë…, ata vërejnë përmes memories, zakone, tradita, ushqime etj…, që kanë plot përbashkësi. Madje krenohen me to. Përdorin pronorin imi, jona, joni, yni. Madje me këmbungulje, i gëzohen edhe shijes. Por edhe asaj ndjesie përpjekjeje për të bërë më të bukur jetën tonë. Dhe vërejnë gjithashtu se, memoria jonë ka brenda saj një botë sa një qiell. Megjithatë ajo vërtitet si një kuvli në një qiell tjetër. Akoma më të madh se qielli i memories tonë. Ai i regresit të urrejtjes dhe Unit dominant. Dhe kjo të trishton për faktin se tek forcat revashnshiste, politikat ultranacionaliste, kuvlia e memories sot, ka zëvendësuar ushtarin e gjallë me Zotin vet. Kjo është akoma më e vështirë se edhe koha në luftrat e mëdha. Le të flasim për të përbashkëtat. Jo për tu lodhur, për tu shplodhur. Jo për tu grindur, për tu argëtuar. Jo për atë pjesë, gjetkë…, ku përkundet e hidhta Por thjesht për atë dashuri njerëzore që vjen edhe nga gjërat më të thjeshta. Pasi aty fillon në fakt e vërteta, koha reale. Ajo, që është më e madhe se vet njeriu. Në fund të fundit ne jemi tashmë, qytetarë të globalizmit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, Mesazhe nga memoria

Kosovë-Serbi, me dallime e pa afat kohor për Asociacionin e komunave serbe

January 28, 2016 by dgreca

“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, ka thënë kryeministrat kosovar Isa Mustafa pas takimit në Bruksel me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç/
-Gjatë takimit Mustafa-Mogherini është diskutuar për aspektet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe perspektivat e dialogut për të ardhmen/
AAK: Mustafa nuk ka më legjitimitet të bisedojë me Serbinë/
PRISHTINË, 28 Janar 2016-B.Jashari/ Në Bruksel, mbrëmë, ka përfunduar raundi i 30-të i dialogut në nivel të lartë Kosovë-Serbi, me takimin e përbashkët trilateral të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, pasi i takoi veçmas duke nisur pasdite.
Në këtë raund bisedimesh për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash dhe rrugën përpara në dialog, sipas raportimeve nga Brukseli, temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku nuk ka pasur ndonjë dakordim për afat kohor dhe kryeminsitri kosovar Mustafa dhe ai serb Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.
Në njoftimin e dërguar nga Brukseli nga delegacioni kosovar bëhet e ditur se, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Gjatë takimit është diskutuar për aspektet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe perspektivat e dialogut për të ardhmen.
Ishte vlerësim i të gjithëve që dialogu në Bruksel dhe thellimi i bashkëpunimit me Bashkimin Evropian është interes madhor i Republikës së Kosovës në rrugën e saj përpara në integrimet euroatlantike”, theksonte njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, pas takimit bilateral të shefes së diplomacisë evropiane, Mogherini me kreun e qeverisë kosovare Mustafa, që u pasua me takimin me kryeministrin serb Vuçiç.
Ndërsa, pas takimit të përbashkët trilateral Mustafa-Mohgerini-Vuçiç, ndërmjetësuesja e BE-së, përmes një deklarate për media, ka falënderuar kryeminsitrat për, siç ka thënë, përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për të normalizuar më tej marrëdhëniet e tyre në kuadër të dialogut.
“Takimet e sotme kanë treguar gatishmërinë e tyre për të ecur përpara me një qasje shumë konstruktive. Ne të gjithë e kemi parasysh nevojën për të sjellë përfitime të drejtpërdrejta dhe konkrete për të gjithë njerëzit në Serbi dhe në Kosovë, të cilët dëshirojnë të përparojnë në rrugën e tyre evropiane”, ka thënë Mogherini, duke shtuar se të dyja palët janë pajtuar për të nisur bisedimet për lidhje direkte ajrore dhe hekurudhore midis Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa ka deklaruar për median se bisedimet kanë qenë të mira dhe konstruktive. Ai ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të zbatohet “vetëm në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të marrëveshjes së parë (të nënshkruar në Bruksel në raundin e 10-të në 19 prill 2013) dhe të ligjit të ratifikimit të marrëveshjes së parë (të miratuar nga Kuvendi i Kosovës)”.
“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se nuk është rënë dakord për asnjë afat kohor për formimin e Asoaciacionit.
Ndërsa, kryeministri i Serbisë, Vuçiç, ka insistuar se nuk pranon asnjë vendim të, siç ka thënë, të ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese të Kosovës.
“Bisedimet nuk janë të lehta dhe po kërkojmë mënyra se si të zhbllokohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Vuçiç për Radio Televizionin e Serbisë.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raunin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohet nga opozita kosovare me bllokim të seancave të Kuvendit të Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës e me protesta, prej më shumë se katër muajsh dhe me paralajmërime edhe në vazhdimësi.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Takimet në nivel të lartë në Bruksel të kryeministrave aktualë Mustafa e Vuçiç, të qeverive të zgjedhjeve 2014 në të dy shtetet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, pasojnë 23 raundet e zhvilluara nga kryeministrat e mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët edhe tash janë pjesëmarrës delegacionesh në këtë dialog si ministra të punëve të jashtëme. Raundi djeshëm ishte i shtati i takimeve në Bruksel të kryeministrave Mustafa e Vuçiç, i pari në vitin 2016.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012.
Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tani ministre e Dialogut.
***
AAK: Mustafa nuk ka më legjitimitet të bisedojë me Serbinë

PRISHTINË, 28 Janar 2016/ Partia opozitare e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, reagon pas raundit të 30-të të dialogut Kosovë-Serbi, të zhvilluar dje në Bruksel.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, deklaroi sot se, “konsideron se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku konstatohet se Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, është në kundërshtim me Kushtetutën, kryministri i Kosovës e ka humbur legjitimitetin që ta përfaqësojë Kosovën në çfarëdo bisedimesh”.
“Aq më tëpër ai nuk mund të ketë mandat që të diskutojë të njejtat çështje, të cilat i ka negociuar një herë dhe i ka nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën”, shtohet në deklaratë.
“Krejt çka mund të bëjë ai, është që të kthehet në Kosovë dhe ta hapë rrugën që vendi të dalë nga kriza politike, duke shkuar në zgjedhje të parakohshme”, përfundon AAK.

Filed Under: Opinion, Rajon Tagged With: Behlul Jashari, e pa afat kohor për Asociacionin, Kosove-Serbi, me dallime

Shqiptarët, të rritur me kultin e besës e mikpritjes

January 28, 2016 by dgreca

-I shndërruan shtëpitë në strehimore të shpëtimit për hebrenjtë që iknin nga persekutimi/
-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit/
PRISHTINË, 27 Janar 2016/ Shqiptarët, të rritur me kultin e besës e të mikpritjes, i shndërruan shtëpitë e tyre në strehimore të shpëtimit për hebrenjtë që iknin nga persekutimi, tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, organizuar nga Bashkësia Hebreje Bet Israel Kosova, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës.
Në fjalën e tij të rastit, kryeparlamentari Veseli e konsideroi holokaustin një nga ngjarjet më të errëta dhe më barbare, që simbolizon urrejtjen e njeriut ndaj njeriut.
Duke e cilësuar atë si pikën më të zezë dhe tragjedinë më e rëndë në kontekstin e luftës së racave, Veseli shtoi se nazizmi, në emër të kësaj lufte, ndërtoi kampet e shfarosjes dhe zhyti gjithë botën në Luftën e Dytë Botërore, e cila u mori jetën rreth 60 milionë njerëzve.
“Në ato ditë të errëta për njerëzimin, derisa trenat nga e gjithë Evropa dërgonin hebrenj drejt kampeve të shfarosjes, në periferi të Evropës po ndodhte një mrekulli: mrekullia e humanizmit! Një popull i vogël dhe i lashtë, duke bartur mbi vete një kod të nderit dhe besës, po i refuzonte trenat e industrisë naziste të vdekjes. Ky ishte populli shqiptar”, tha në vazhdim të fjalës së tij Veseli.
Shqiptarët, shtoi kryetari i Kuvendit, të rritur me kultin e besës e të mikpritjes, i shndërruan shtëpitë e tyre në strehimore të shpëtimit për hebrenjtë që iknin nga persekutimi, sikur ta dinin që një ditë treni do të bartë edhe pasardhësit e tyre dhe historia e errët do të përsëritet në fundin e shekullit XX për shqiptarët e Kosovës, nga një sistem po aq i egër sa ai nazist.
“Zhurma e trenit të Bllacës është ende e freskët për ne, që na bën të bashkëndjejmë edhe më tepër me fatkeqësinë e miliona viktimave të Holokaustit.
Sot, kur ne përkulemi para këtij kujtimi dhe njëkohësisht, përkulemi me respekt para veprës së qindra familjeve shqiptare që strehuan në vatrat e tyre hebrenjtë e ikur. Ne sot ndihemi krenarë se jemi pasardhës të këtyre familjeve”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke treguar për takimin e disa muajve më parë me zonjën Stela Levi, një qytetare hebreje e lindur në Kosovë dhe e mbijetuar e Holokaustit, e cila ka rrëfyer për humanizmin heroik të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve nga terrori nazist.
“Zonja Levi më tregoi edhe për jetën e komunitetit hebre në Kosovë. Rrëfimi i saj përputhej me sa e sa rrëfime që kam dëgjuar gjithandej Kosovës nga Familja e Asllan Rezniqit, Familja Sharri, Familja e Hysni Domit, Familja Lleshi, Familja e Hasan Remë Xërxës, Halim Spahiut e shumë familje të tjera. Komuniteti hebre në Kosovë është një komunitet i respektuar. Vetëm pak metra nga këtu ishte sinagoga e cila përballë kishte xhaminë dhe pak më tutje edhe kishën katolike. Një simbolikë e fuqishme e bashkëjetesës fetare”, tha Veseli.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se përkujtimi i Holokaustit është mësimi më i madh nga historia për njerëzimin, që ideologjitë e urrejtjes të mos kenë mundësi të kthehen. Kur kujtohet Holokausti, shtoi kryetari Veseli, kuptohet se sa shumë duhet të punohet në forcimin e demokracisë, në forcimin e lirive e të drejtave të njeriut, në kultivimin e vlerave të tolerancës, mirëkuptimit e bashkëjetesës mes kulturave, religjioneve dhe shteteve.
Në këtë ceremoni përkujtimore ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve qendrore dhe lokale të vendit, përfaqësues të misioneve diplomatike të akredituara në Kosovë, të konfesioneve fetare etj./b.j/

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, e besës, e mikpritjes, shqiptaret, të rritur me kultin

Romanet e Ismail Kadarese ne nje kurs veror te gjuhes franceze

January 28, 2016 by dgreca

Romanet e Ismail Kadarese ne nje kurs veror te gjuhes franceze
Nga Sadik ELSHANI/*
Ismail Kadare eshte shkrimtari yne me i madh, me i afirmuar ne arenen nderkombetare dhe sot ze nje vend te rendesishem e te nderuar ne letersine boterore. Ne kete shkrim po sjell disa kujtime per vleresimet qe i jane bere vepres se tij ne nje kurs veror te gjuhes franceze ne fund te viteve te 70-ta, kur sapo kishte filluar te behej emer i njohur ne France. Gjate viteve te mia te studimeve, por edhe pas mbarimit te studimeve, per disa vite me radhe gjate pushimeve te veres kam ndjekur ne France nje kurs te gjuhes, letersise dhe qyteterimit francez. Kursi ne fjale zhvillohej ne qytetin e vogel, Menton, ne Bregdetin Azur, mu ne kufi me Italine. Per bukurine dhe magjepsjen e tij e quajne “perle de la France” (“margaritari i Frances”). Pjesemarresit e atij kursi vinin nga shumica e shteteve te Europes dhe disa vendeve tjera te botes. Ne periudhen 1978 – 1987 kam mare pjese gjashte here ne ate kurs dhe kam qene shqiptari i vetem. Gati per te gjithe isha shqiptari i pare qe ata kishin pare ndonjehere. Une ne fillim (1978) kisha shkuar gati pa ditur asnje fjale, prandaj ne ato fillime e kisha shume te veshtire komunikimin. Pervec librave, me duhej te shoqerohesha edhe me pjesemarresit tjere per te patur me shume mundesi per te ushtruar gjuhen. Si te thuash, isha bere si “i perkeledhuri” i atij kursi, te gjithe mundoheshin te me tregonin dicka, te me mesonin ndonje fjale te re. Ata e dinin qe vija nga ish Jugosllavia (jam lindur e rritur ne Kosove), por habiteshin kur u thoja se jam shqiptar. Atehere me duhej t’u spjegoja pak historine tone per t’i sqaruar gjerat. Pra, ne baze te “njohurive” te mia te gjuhes franceze, une u caktova ne klasen e fillestareve. Profesoresha ime, zonja Andree Guignaud, ishte nje profesoreshe nga po ai qytet, nje zonje mjaft e sjellshme e me plot kulture – zonje tipike franceze. Ajo e njihte shkelqyeshem edhe gjuhen gjermane, sepse vinte nga krahina e Alzasit. Trupin pedagogjik te atij kursi e perbenin shume profesore te universiteteve te njohura, te cilet ishin specialiste te gjuhes dhe letrsise franceze dhe qe kishin pervoje me studentet e huaj. Kishte profesore nga Universiteti i Sorbones, Heidelbergut, Kolumbias (Nju Jork), Helsinkit, etj.
E dija qe disa vepra te Ismail Kadarese ishin perkthyer frengjisht ne fillim te viteve te 70-ta dhe ai gezonte nje popullaritet te lakmueshem ne France, sidomos me romanin e tij, “Gjenerali i ushtrise se vdekur”. Pas disa ditesh pasi isha sistemuar ne ate kurs dhe pasi tani njiuheshim deri diku me profesoreshen time, i tregova se ne kemi nje shkrimtar te njohur me emrin Ismail Kadare, veprat e te cilit ishin perkthyer ne gjuhen franceze dhe nga kurreshtja e pyeta se a kishte degjuar per te, apo kishte lexuar ndonje liber te tij. “Jo”, me tha, ende nuk kishte degjuar per Ismail Kadarene. Pas disa ditesh kur m’u dha mundesia e pare, dola per ta vizituar qytetin. Qyteti i vjeter shtrihej ne nje koder, me ato rrugicat e ngushta me kujtonte qytetet shqiptare, Prizrenin, Beratin, Gjirokastren, kuptohet, pa detin. Prane detit kishte nje shetitore te gjere e te bukur me plot restorante e hotele. Qyteti vlonte nga turistet. Mua me teper me interesonte te gjeja nje librari, dhe ja diku afer qendres se qytetit e pashe nje. Menjehere u futa brenda dhe fillova te kerkoja veprat e Ismail Kadarese. Ajo ishte nje librari relativisht e vogel, por per kenaqesine time, aty e gjeta romanin “Gjenerali i ushtrise se vdekur” (“Le general de l’armee morte”), nje botim i formatit “liber xhepi” (“Livre de poche”). Ne kete format ne France botoheshin librat qe ishin shume te popullarizuar me lexuesit. dhe qe shiteshin shume (“bestseller”). Ja pra, nje nga ata libra ishte edhe “Gjenerali i ushtrise se vdekur”. E bleva te vetmen kopje qe ishte ne ate librari dhe ia dhurova profesoreshes sime. Pas ca ditesh, pasi e kishte perfunduar se lexuari romanin, ajo me tha se kishte mbetur e mahnitur; se ishte nje roman i mrekullueshem, nje rrefim krejt origjinal per luften dhe tmerret e saj, shkruar me nje stil te lart, figuracion mjaft te pasur dhe se kishte kohe qe nuk kishte lexuar dicka te tille. Ndersa per Ismail Kadarene tha se ishte nje shkrimtar mjaft i talentuar me shije te holle artistike e imagjinate te pasur. Pastaj ajo me tha se kishte mbetur e befasuar qe nje shkrimtar i kalibrit te tille dhe nje veper aq cilesore si “Gjenerali” te vinte nga nje vend i vogel e i izoluar si Shqiperia e atyre viteve, vend per te cilin ajo gati nuk dinte asgje. Kuptohet, pastaj vinin me radhe bisedat per Shqiperine, shqiptaret, historine, artin, kulturen, traditat shqiptare. Vepra e Kadarese ishte nje pikenisje e mire per biseda te tilla.
Me vone kur m’u dha rasti e vizitova edhe Nicen qe eshte qyteti me i madh dhe qendra e atij rajoni dhe kuptohet, qe edhe librarite i kishte me te medha se ato te Mentonit. Aty i gjeta te gjitha veprat e Ismail Kadarese qe ishin botuar gjer atehere: “Keshtjella” qe ne frengjisht ishte botuar nen titullin “Daullet e shiut” (“Les tambours de le pluie”), “Kronike ne gur” (“Chronique de la ville de pierre”), “Dimri i madh” (“Le grand hiver”) dhe vepra te tjera dhe ato qe do te perktheheshin me vone nder vite. Pervec profesoreshes Guignaud, librat e Kadarese ua dhuroja edhe profesoreve te tjere si dhe disa miqve te mi. Qe te gjithe e shprehnin adhurimin, vleresimet me te larta per Kadarene dhe veprat e tij dhe te gjithe e shihnin si nje kandidat potencial per Cmimin Nobel. Veprat e Kadarese per ta ishin nje zbulim i kendshem, u kujtonin Kafken. Zonja Guignaud u be nje adhuruese e Ismail Kadarese dhe vepres se tij. Kur Kadareja shkonte here pas here ne France dhe jepte ndonje interviste ne televizionin francez, profesoresha menjehere me shkruante per kete: “Mbreme zoti Kadare ka dhene nje interviste ne televizionin francez – ishte i mrekullueshem”.
Kursi zhvillohej paradite dhe pasi hanim dreke, pasditen zakonisht e kalonim ne plazh. Nje pasdite kur po shkoja ne plazh e pashe nje profesoreshe te kursit qe e kishte ulur koken dhe po lexonte dicka. Kur me verejti qe po shikoja ne drejtim te saj, me buzeqeshi, sikur donte te me thonte se isha duke e takuar tamam ne castin e duhur. Kur iu afrova edhe me afer, e ngriti librin qe ishte duke lexuar dhe po me tregonte mbulesen, ishte romani “Kronike ne gur”, te cilin dite me pare ia kisha dhuruar nje profesorit tim. Nga perkushtimi qe i kisha bere ne liber, ajo e kishte pare qe ishte nje dhurate nga une. Pasi u pershendetem dhe une u ula afer saj, ajo m’u drejtua: ” Sapo kam filluar ta lexoj, por po e shoh qe eshte nje liber shume interesant, i shkruar me nje gjuhe te bukur, mjaft shprehese e poetike. Qytet shume i cuditshem me nje arkitekture interesante, te pashoqe”. Pastaj i perseriti disa fjali nga libri qe i kishin bere pershtypje per pjerresine e atij qyteti (Gjirokastres): ” Po te rrezohesh ne skajin e nje rruge, do te bije mbi kulmin e nje shtepie dhe po ta zgjasje doren nga rruga, mund ta veje kapelen ne majen e nje minareje”. “Shume interesant”, vazhdoi ajo, eshte nje roman shume poetik. I thashe se edhe Mentoni me pjerresine e tij po me kujtonte Gjirokastren, se keshtu quhej ai qytet qe njeheresh ishte edhe vendlindja e shkrimtarit. I tregova qe e kisha lexuar romanin ne gjuhen shqipe dhe vertet ishte nje roman, nje proze e bukur poetike – per mua, vepra me e mire qe kishte shkruar Kadareja gjer atehere dhe me siguri do te mbetej vepra me e mire e tere krijimtarise se tij. I thashe se me pelqente shume ky roman dhe se pjesen e fundit, “Memoriale”, e kisha mesuar permendesh. Ashtu?! – ma ktheu e habitur. Biseduam pastaj per Kadarene dhe krijimtarine e tij.
Per suksesin e nje vepre te perkthyer ne nje gjuhe te huaj, merita jo te pakta i takojne edhe perkthyesit. Nga ky parim nuk bejne perjashtim as veprat e Ismail Kadarese te perkthyera me aq mjeshteri ne gjuhen franceze.Te gjithe profesoreve te mi qe i kishin lexuar veprat e Kadarese, kuptohet, pervec tematikes, ngjarjes, stilit, u kishte bere mjaft pershtypje edhe perkthimi i mrekullueshem – “par excellence”. Thonin se ishte nje frengjishte e perkryer: e pasur, elegante, e paster, e rrjedhshme – perkthyesi me siguri duhej te ishte nje njohes shume i mire i gjuhes franceze. Kete e thonin ata qe ishin specialiste te njohur te gjuhes franceze, te cilen e kishin edhe gjuhe amtare. Pyesnin se kush ishte perkthyesi, por emri i perkthyesit atehere nuk dihej , vetem shkruhej se ishte perkthyer nga shqipja (traduit de l’albanais). Aty diku nga viti 1984 filloi te paraqitej emri i perkthyesit, ishte Jusuf Vrioni (1916 – 2001), per te cilin pervec emrit gati askush nuk dinte asgje. Vepra e Kadarese ka qene me fat qe ne gjuhen franceze eshte perkthyer nga nje mjeshter, njohes i shkelqyer i gjuhes franceze, perseri, “par excellence”. Pa perkthimin mjeshteror te Jusuf Vrionit, me siguri vepra e Kadarese nuk do te mund te depertonte me aq sukses ne nje vend si Franca qe ka nje lexues te edukuar, me kerkesa te larta e shije te holle artistike. Prandaj, keto dite kur po festojme 80 vjetorin e lindjes se shkrimtarit tone te njohur, duhet ta nderojme dhe ta kujtojme edhe perkthyesin e tij te suksesshem, Jusuf Vrionin, ne 100 vjetorin e lindjes.
I solla sot keto kujtime ne 80 vjetorin e lindjes se shkrimtarit tone me te madh, jo per ta mburrur veten, sepse nuk kam bere asgje, por vetem per te shpalosur krenarine qe une ndjeja si bashkekombas i Ismail Kadarese, kenaqesine time kur e shihja nga afer se si vleresohej nje shkrimtar shqiptar ne nje mjedis aq te kulturuar, nga njerez qe ishin specialiste te gjuhes dhe letersise franceze. Vlerat e verteta jane perfaqesuesit, ambasadoret me te mire te nje kombi dhe ne te gjithe duhet te perpiqemi qe te krijojme vlera e te bejme perpjekje qe t’i perhapim ato vlera ne te gjitha menyrat brenda mundesive tona.
I urojme shkrimtarit tone te nderuar shendet, jete te gjate e pune te sukseshme, te na dhuroje vepra edhe me te mira ne te ardhmen!
Gezuar!
Philadelphia, 20 janar, 2016
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Kulture Tagged With: ne nje kurs veror, Romanet e Ismail Kadarese, Sadik Elshani, te gjuhes franceze

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT