Nga Ilir Levonja/
… Unë vet vij nga bataku. Nga gjirizet…, janë ca katakombe njerëzore me dy botë. Mizerjen nëpër këmbë, laçka, plaçka, kusi, tenxhere. Më lehtë për t’u evakuar. Sidomos kur vërshojnë edhe këta lumenjë bibilushë si Lana e Tiranës. Se me atë Gjanicën e Fierit jemi mësuar tashmë. Deri në çati e kemi hipur kaun. Kemi soditur bashkërisht faqen e ujit të turbullt. Kurse me ata në fushat e Lezhës dhe Shkodrës. Ohu …, e qelbëm. Ndaj na quajnë rob të paterur. Me një një fjalë të patharë ndonjëherë. Pra jam një varfanjak. Bota e dytë mes kësaj mizerje, përbëhet nga ëndrrat. Ftohim të ndenjurat në ujë. Dhe kullosim sytë në qiellin e Orientit të Një mijë e një netëve. . E mban mend Sherezaden. Ne djemt e paterur. Shikojmë qiellin. Ja atje mes reve të skalafitura,gjysmë të sterrta si mizerja jonë. Kjo katakombë me dekor nga kinematografia e Luftës së Yjeve. Atje del Sherezadja dhe hedh shaminë. Shanci më ra mua. Mora gruan e pasur. Mos u mërzisni se unë do u rregulloj edhe ju. Gjithmonë ka kohë dhe vend për përmisim. Ndërkohë u bëra dhe politikan. Kështu është moda në katakombën tone. Politikanë të varfër me gra që pas një gjumi shtresash nga tregu. Gdhihen të pasura në dhoma vilash e dizajne firmatosh. Vila mes tokash të shkreta. Të askujt.
1)Ndofta dikush po e lexon si një çartje. Por ky është realiteti shqiptar. Kjo është ndjesia e përfituar. Sidomos kur lexon apo dëgjon fjalën e mister qetësisë dhe dashurisë shqiptare. Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Djalit që krenohet me varfërinë e tij. Por mburret me pasurinë e gruas. Ndërkohë nuk harron të na kujtojë se sa aprofesional’ është një gazetar që punon në një institucion si VOA. Apo Zëri i Amerikës, bash vendit ku të shkundin pluhurin me presjet e ligjit. Jo me ligjin. Pasi ligji është çështje më e shenjtë se fjala e mesies. Në këtë vend, ku po ta vini re se, edhe një president me ngjyrë. (Soji njerëzor që me zor thinjet dhe rrudhoset). Si Obama, u thinjos që në dy vitet e para. Politikanit të varfër shqiptar. Nuk i mjaftojnë as njëzet e kusur vite qeverisje për të thinjur të paktën tëmthat. Ehu t’marrsha t’ligat…, do thoshte ai populli apo njerëzimi i madh. Madje edhe kur ftillohen grimat e para, nxiton tek ngjyrosja e kokës.
2)Mister Kryetar, që i njeh vetes prejardhjen është mire. Ndofta të vret sadopak luksi i xhamave të tu, ku vragen gjerbat e një shiu që përjashta vret njerëz. Dhe ky është ndryshim thelbësor, i madh, katastrofik. Tek ty ndërgjegjen, përjashta jetë. Por duket se nuk ndodh. Jo vetëm me ty. Ti përmend varfërinë karshi një bote tjetër që të është bashkuar si pasuri. Si Sherezadja e Orientit. Përmend prejardhjen dhe harron luftën aq vjeçare. Midis varfërisë dhe pasurisë. Deri dje e kthyer edhe si një ideollogji. Një armë. Të cilën dje e përdore drejt për drejtë. Duke i grabitur pronat të pasurve. Dhe sot duke ia përvetësuar përmes strategjisë grua e pasur.
Ashtu me qetësi dhe dashuri. Pra shkurt,armikun e klasës e luftove për t’u bërë vet kllasë. Jo për të ndërtuar rendin apo shtetin që ëndërrojnë shqiptarët.
3)Në katakombën e mjerë, vazhdon të bjerë shi. Edhe ato pak orendi që u blen me kursimet e fundit nga rroga matanë maleve dhe detit. I mori llumi. Do e vëri dorën në zemër paria. Do na ndreqin duke na dhënë ndonjë thes miell. Ndonjë dele, apo dhe duke na shkruar emrin për ndihmë sociale. Paria jonë po përpiqet. Po përpiqen shumë. Shikoni si po bëjnë për njëzet e kusur vite reformë. Reformë të fortë sa edhe veten do çojnë në burg. Nuk rëndësia vetja e tyre. Nuk e shikoni se sa të varfër janë. Se si flasin dhe nuk e harrojnë katakombën tone. Tani me fatin e tyre nuk do hahemi. U ranë për pjesë gra të pasura. Sidomos me vjehrra të pasura. Sa shumë që kanë. Gjithë atë Shqipëri sa një pëllëmbë dore. Dhe i ziu njëri, atje mes Gjanicës së turbullt, Lanës së nevrikosur, apo Drinit të përjetshëm… shikon gruan e vet. Të lagur si pulë fushe. Gjysmë gjel e gjysmë pulë. I bërtet …, po ti pse nuk qëllove e pasur. Dhe ai i ziu tjetër, njeriu i mizerjes shikon vajzën, I bërtet, po ti pse nuk qëllove e pasur. I bërtet djalit, po ti pse nuk ke vila, makina, dashnore…
Ta bëft Zoti hallall Kryetar, se harrami është në anën tone.
Archives for January 2016
Autoriteti Portual Durrës, më pak lundrime në 2015-n
Në një vit, tragetet e linjave të lundrimit nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas kanë regjistruar më pak lundrime se viti paraardhës, ndërsa sasia e mallrave të transportuara ka njohur rritje. Sipas statistikave operative të Autoritetit Portual të Durrësit gjatë vitit që lamë pas tragetet janë shfrytëzuar nga 774.411 udhëtarë, ose 271 më pak se në vitin 2014. Numri i udhëtarëve në hyrje, përkatësisht 365.128, vazhdon të jetë më i ulët se ai i udhëtarëve në dalje që janë 409.283 gjithësej e që përdorin portin e Durrësit drejt porteve italiane të Barit, Brindizit, Ankonës dhe Triestes. E kundërta ndodh me autoveturat që regjistrojnë një numër më të lartë në hyrje. Kjo dhe për shkak të tregtimit të tyre në vend. Një rritje prej 3 përqind kanë shënuar kamionët me mallra. Gjatë një viti janë transportuar mbi 744 mijë ton mallra, ose 13 mijë ton më shumë se në 2014-n. Pavarësisht kësaj, në 365 ditët e vitit 2015, tragetet realizuan 1.090 lundrime, ose 43 më pak se një vit më parë. {Sh.K}.
Ish-Kryeminsitri, Koço Nuçi Kota
Më 5 shtator 1928, dr.Koço Kotta u zgjodh Kryeministër dhe Ministër i P.Brëndshme/
Nga, Harallamb Kota/
Studiues i Historisë/
( Jetëshkrim )/
Ne Foto;Koco Kota, ne mes/
Kostaq Kota ose Koço, siç i pëlqente ta quanin, lindi më 14 mars 1888 në Korçë, qytet shqiptar i dalluar për lëvizjet e mëdha patriotike, për lirinë e mëmëdheut, për kulturë dhe arësimimin në gjuhën shqipe, procese në të cilat ishin përfshirë historikisht edhe kontribuon intensivisht familjet Kota. Origjina e tyre është nga Kalaja e qytetit të Beratit. Koço ishte djali i dytë i Nuçit, i cili kishte edhe dy djem të tjerë, Kristaqin dhe Ilian, si dhe një vajzë Leonorën. I jati ishte njeri shumë praktik, tregëtar dhe merrej me tregëti lëkurësh. Koço lindi. u rrit dhe u formua në një mjedis familjar të lidhur ngushtësisht me fatet e atdheut dhe të kombit, për interesin e të cilëve ishin të angazhuar pandërprerë. Ky mjedis ndikoi fuqishëm në formimin e karakterit të Koços dhe e bëri atë vazhdues të paepur të traditës familjare, idealit kombëtar dhe ndjenjave patriotike e atdhetare të saj. Koço e kreu arësimin fillor në Korçë, arësimin e mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, arësimin e lartë në Universitetin e Athinës, ku u diplomua në Shkencat Politike. Arsimi i lartë i dha mundësinë të njihet me figura të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe shpejt u lidh dhe nisi bashkëpunimin me ta, duke u bërë një nga më aktivët e të dalluarit e saj. Në udhën e jetës së tij pati fatin të takonte, të punonte, madje shpesh herë të bashkëpunonte ngushtësisht me tre nga figurat qëndrore të kombit shqiptar gjatë katër dekadave të para të shekullit XX,me Fan.S.Nolin me Ismail Qemalin, dhe Ahmet Zogun.
Koço Kota pasi përfundoi studimet e larta dhe mbrojti diplomën, në qershor të vitit 1911 u largua nga Athina dhe u vendos në qytetin e Vlorës nga ku, pas pak kohe, emigroi në Amerikë. Në SHBA, u anëtarësua në shoqërinë e emigrantëve shqipëtarë, “Përlindja” ose “Malli i Mëmëdheut” dhe u zgjodh Kryetar i saj. Mbështeti Fan Nolin në veprimtaritë e tij atdhetare, lidhur me çështjen kombëtare shqiptare, kishën ortodokse autoqefale, bashkimin e shoqërive të emigrantëve shqiptar në Amerikë etj. Në saj të veprimtarisë patriotike Koço Kota shpejt u bë i njohur në radhët e emigrantëve shqiptarë dhe midis drejtuesve dhe organizatorëve të tyre. Atje, ai ishte një nga pesë anëtarët e Komisionit nismëtar që shqyrtoi, diskutoi dhe vendosi për themelimin e Federatës “VATRA” shoqëri patriotike e emigrantëve shqiptarë në SHBA, e cila siç dihet u themelua në Boston (SHBA) më 28 prill 1912. Vatra ishte nga më të mëdhatë, më të rëndësishmet, dhe më jetëgjata në Diasporën Shqiptare.
Më 1912 Federata Vatra e zgjodhi Koço Kota-n si një nga përfaqsuesit e tij delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës i cili më 28 nëndor 1912, shpalli pavërësinë e Shqipërisë. Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, drejtuesit e Kuvendit e ngarkuan Koço Kotan me detyrat e shkruesit (sekretarit). Me formimin e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali, e emëruan në detyrën e inspektorit të përgjithshëm në ministrinë e Arësimit të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin dhe programin e tij qeverisës, lidhur me reformat: administrative, arësimore dhe agrare, të cilat u sabotuan nga elementi turkoshak dhe nga pronarët e mëdhenj të tokave.
Në fillim të marsit 1914 Koço Kota bashkë me figura dhe personalitete patriotike të njohur të lëvizjes kombëtare shqiptare, themeluan në Durrës organizatën politike “Krahu Kombëtar” e cila u përpoq të organizonte dhe drejtonte lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e stabilizimin e shtetit shqiptar
Në datën 20 mars 1914, Koço Kota-n e emëruan në Ministrinë e Arësimit, e cila drejtohej nga dr.Turtulli Ministër Arësimi në qeverinë e Turhan Pashës.
Meqenëse shkolla shqipe thuajse nuk funksionoi, ai u largua nga Durrësi dhe u vendos në Berat, ku punoi në profesionin e tij të juristit -Avokat.
Më 4 shtator 1914, shkoi në Shkodër, sëbashku me patriotët shqiptar të “Krahut Kombëtar”.Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, komanda ushtarake e ushtrisë malazeze që pushtoi Shkodrën, e arrestoi Koço Kota-n bashkë me patriotët e tjerë dhe i internoi në Mal të Zi. Pasi doli nga burgjet malazeze u largua dhe shkoi përsëri në Amerikë.
Më 27 janar 1916, u rikthye në Shqipëri pas largimit të Esad Pashës dhe ardhjes së austrohungarezëve.
Në fund të shkurtit 1916, Koço u caktua anëtar i Gjykatës së Apelit në Prefekturën e Beratit. Në fillim të gushtit 1916, u largua nga Berati dhe shkoi në Shkodër, ku e caktuan inspektor arësimi në Drejtorinë Arësimore, të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Qëndroi në këtë detyrë deri më 30 tetor 1918, kur ushtritë austrohungareze u larguan nga Shqipëria dhe në teritorin shqiptar u vendos ushtria italiane.
Luigj Gurakuqi, ministri i Arësimit në qeverinë e Turhan Përmetit më 30 dhjetor 1918, e emëroi Koço Kota-n “Inspektor Arësimi” pranë Prefekturës Berat.
Në shkurt të vitit 1919 shkoi në Korçë për të krijuar lidhjet e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Beratit me Shoqëritë Atdhetare të Korçës drejtuar nga Sotir Kotta dhe të Aleksandrisë në Egjipt drejtuar nga Llambi N.Kotta.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nisi në Paris Konferenca e Paqes, e cila u hap më 18 janar 1919. Në atë Konferencë, morën pjesë edhe delegacioni shqiptar. Më 30 prill 1919, Kostaq (Koço) Kota Inspektori i Arësimit, bashkë me një grup patriotësh përfaqësues të popullit të Beratit, (Hekur be Vrioni Kryepari i Katundariës, Zarif Aga Haznatari-Kryetar i klubit“Bashkim”,Fevzi Ruli-Advokat, Themistokli Kassapi -Notablë i krishter, Salih Gjuka -direktori Arsimit, Adem Shehu -sekretari i Arësimit, Islam be Vrioni -Notabël muhamedan,Melek be Frashëri -Kapitanë, Xhevdet Meqemea–Advokat,Zejnel be Prodani–Notabël,Teki be Selenica-Notabël, Zoj Tonçi –Tregtar,Todi Naska -Nëpunës drejtësie,Bektash H.Berberi-Zanatli,Gaqe papa Zaharia-direktori i Kancelarisë së Prefekturës, Emrullah Psarizi-Sekretari i Perlimentares, Hajredin Kuçi –Notabël,Andon Capo –Tregtar, Hysni aga Kafasi -Këshilltari i Perlimtares, Nuri Osman Smundja -Sekretari i Drejtësisë), bëhet nismëtar për hartimin e një “Memorandumi” në favor të çështjes shqiptare, drejtuar Komandës Franceze në Shkodër, Konsullit amerikan në Shqipëri e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ku ndër të tjera kërkohej: “Nëse, shteti shqiptar duhet të mbetet nën mandate të nji Guvernes së madhe, atëherë na dëshirojëm mandatin amerikan, qi kështu të mundim të sigurojëm e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulëzimit të vendit tonë”.
Më 6 shtator 1919, sëbashku me patriotët dhe vullnetarë berates Koço Kota ishte ndër drejtuesit më aktiv në komisionin “Mbrojtja e Korçës”, në organizimin e forcave vullnetare e mbledhjen e ndihmave materiale për mbrojtjen e krahinës dhe qytetit të Korçës nga agresioni dhe sulmet e andartëve grek
Më 21 dhjetor 1919 shkoi në Korçë, për të mobilizuar dhe organizuar patriotët dhe vullnetarët korçare dhe përkrahësit e tyre, në luftën vendimtare kundër synime aneksioniste greke dhe për krijimin e kushteve që edhe Korça ti bashkëngjitej Shqipërisë. Ai u shpreh hapur publikisht kundër marrëveshjes italo-greke dhe ishte i bindur e besimplot tek amerikanët.
Më 21-31 janar 1920, Koço Kota mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Lushnjës si delegat dhe përfaqësues i Korçës, midis 50 përfaqësuesve të gjithë krahinave të përfshira më 1913 në kufijtë e shtetit shqiptar. Sikurse dihet Kongresi Kombëtar i Lushnjes ishte ngjarje me rëndësi të veçantë, mori vendime për rimëkëmbjen e shtetit Shqiptar, për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e tërësisë teritoriale të tij. Drejtuesit e Kongresit e caktuan Koço Kota-n Sekretar të Kongresit. Në fund të punimeve Kongresi i Lushnjes e zgjodhi Koço Kota-n anëtar të Këshillit Kombëtar, përfaqësues të krahinës së Korçës në atë organ me 37 anëtar që kryente funksionet e parlamentit shqiptar, organ i krijuar për here të pare në Historinë e Popullit Shqiptar dhe që shënoi fillimin e parlamentarizmit dhe të demokracisë parlamentare. Në këtë mënyrë, vendimet e Kongresit Kombëtar të Lushnjes në të cilin mori pjesë mjaft aktive edhe Koço Kota, shënuan një moment kthese në Historinë e Shqiptarëve, shënuan fillimin e një periudhe të re. Përmbajtjen e procesit të ri historik, Koço Kota jo vetëm e kuptoi qartësisht dhe plotësisht, por me ndërgjegje e bindje të patundur i kushtoi angazhimin pakushte dhe devocionin e paepur mbi 20 vjet të jetës së tij.
Dokumentet arkivore të kohës, dëshmojnë se Koço Kota gjatë vitit 1920, sipas kërkesës së ministrisë së Arësimit, hartoi tekstin e parë të matematikës në gjuhën shqipe, për tre klasat e para të shkollës fillore. Më 21 qershor 1920, Qeveria e Sulejman Delvinës e emëroi Koço Kota-n Prefekt të Korçës. Përballja me pronarë të mëdhenj tokash dhe me pushtetarë turkoman, e detyruan Koçon ti shprehte Ahmet Zogut Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e S. Delvinës, indinjatën e të krishterëve shqiptar ndaj ligjeve osmane në fuqi dhe praktikave diskriminuese turkomane. Paralajmëroi strukturat shtetërore, për rrezikun e madh që i vinte shtetit Shqiptar nga vazhdimi i zbatimit të legjislacionit otoman, parimet dhe praktikat e të cilit ishin në kundërshtim me parimet e Rilindjes Kombëtare dhe me vendimet e mara në Kongresin Kombëtar të Lushnjes.
Qysh në fillimin e fushatës së zgjedhjeve të para parlamentare pluraliste në Shqipëri në janar të vitit 1921, Koço Kota konstatoi dhe kundërshtoi parregullsitë në hartimin e listave të kandidatëve për deputet në dëm të përfaqësuesve të popullsisë ortodokse. Për ti bërë presion qeverisë, që të merrte masa për mënjanimin e parregullsive, i inkurajuar edhe nga mbështetësit e tij, u tërhoq nga kandidimi. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Koço Kota me një grup intelektualësh korçarë, më 13 shkurt 1921 i paraqitën qeverisë Vrioni një “Memorandum”, ku kërkonin që në Shqipërinë Juglindore të ngrihej një “Administratë Autonome” me parlament dhe legjislacion të vetin, me qendër në Korçë por e varur plotësisht nga pushteti qendror i shtetit Shqiptar. Në Memorandumin drejtuar Qeverisë Shqiptare, K.Kota e personalitetet që e mbështetën, i paraqitën edhe argumentet që spjegonin dhe justifikonin parashtresën e tyre. Ata analizonin shkaqet dhe arsyet politike, sociale, fetare, kulturore, legjislative (juridike) specifike dhe të veçanta të krahinave të Juglindjes së shtetit Shqiptar, shkaqe të cilët diktonin, sipas hartuesve të memorandumit, nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të saj si njësi e posaçme teritoriale-administrative autonome, por të varur plotësisht nga pushteti dhe administrata qendrore e Shtetit Shqiptar. Madje në Memorandum i sillnin në vështrim Qeverisë Shqiptare edhe organizime të tilla shtetërore të suksesshme në shtete të ndryshme të Europës.
Kur qarqet drejtuese shtetërore Greke u përpoqën ta shfrytëzonin këtë çështje në favor të tyre Koço Kota e tërhoqi Memorandumin dhe me një telegram dërguar Lidhjes së Kombeve, deklaroi: “Të huajt nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brëndshme të shtetit Shqiptar”.
Në korrik të vitit 1921, qeveria e Iliaz Vrionit e caktoi dr.K.Kota-n Prefekt të Beratit, detyrë të cilën e kreu deri në fund të vitit 1923. Në ushtrim të detyrës së prefektit, u njoh me situatat social ekonomike të popullsisë krahinore dhe ju përvesh punës për çeljen e fondeve dhe fillimin e punimeve botore. Gjatë viteve 1921-1923, periudhë gjatë të cilës K.Kota ishte Prefekt i Beratit u hapën 19 shkolla të reja; në Sinjë, Sadovicë, Pobrat, Drobonik, Tomorr dhe Kapinovë, duke e çuar numërin e tyre në 61 shkolla fillore
Më 14 tetor 1921,ai u përfshi në hartimin e një plani konkret veprimi lidhur me shkëputjen e familjeve ortodokse të Toskërisë nga Patriarkana dhe lidhjen e tyre me Kishën Katolike.
Nga 10-19 shtator 1922, me përkrahjen e K.Kota-s që ishte Prefekt i Beratit dhe mbështetjen e kryeministrit Xh. Ypi, ministrit të P.Brendshme A.Zogu, në Berat (në sallën e Shkollës së Mangalemit) u mbajt Kongresi Themeltar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (KOASH)..
Më 27 dhjetorit 1923, dr.K.Kota u zgjodh deputet i Korçës për Asamblenë Kushtetuese e cila u mblodh në janar 1924. Më 30 mars 1924 K.Kota u emërua minister i Punëve .Botore dhe i Bujqësisë, në qeverinë Vërlaci.Më 27 maj të vitit 1924, në qeverinë Vrioni mbajti të njëjtin portofol.
Më 16 qershor 1924, Noli u zgjodh kryeministër i Shtetit Shqiptar, por më 24 dhjetor 1924, Zogu i mbështetur nga forcat mercenare jugosllave erdhi në Tiranë. Qeveria demokratike e Fan Nolit u rrëzua. Më 6 janar 1925, Ahmet Zogu zgjidhet President i Shqipërisë, njëkohësisht Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Brëndshme.
Më 6 janar 1925, Kostaq Kotta në qeverinë e Ahmet Zogut, caktohet me dy detyra tepër të rëndësishme: Ministër i P. Botore dhe zv.Ministër i P.Brëndëshme.
Më 21 janar 1925, Shqipëria shpallet Republikë. President u rizgjodh Ahmet Zogu. Më 2 mars 1925 u miratua kushtetuta e parë e shtetit shqiptar.
Më 17 maj 1925, Dr.Koço Kota u zgjodh deputet i popullit të Korçës, në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga Presidenti Ahmet Zogu.
Më 18 korrik 1925, Asambleja Legjislative e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Senati dhe Dhoma e Deputetëve, vendosi për ndërimin e kufive të vijës Vermosh e Shën Naum në favor të Jugosllavisë.
Më 23 shtator 1925 dr.Koço Kota u caktua me detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe më 28 shtator 1925 u zgjodh Kryetar i Dhomës së Deputetëve
Më 11 maj 1928 kryeministri Ahmet Zogu e emëroi K.Kota-n Ministër të P. të Brëndëshme.
Më 17 gusht 1928, Ahmet Zogu në cilësinë e Presidentit të Republikës, shpërndau Asamblenë dhe shpalli zgjedhjet e reja.
Më 1 shtator 1928 u mblodh Asambleja Kushtetuese, e cila në mbledhjen historike të saj procedoi me një zë:“Shqipëria është Mbretëri Demokratike Parlamentare Trashëguarë” dhe e shpalli Ahmet Zogun, Mbret të Shqiptarëve.
Më 5 shtator 1928, dr.Koço Kotta u zgjodh Kryeministër dhe Ministër i P.Brëndshme. Ahmet Zogu i kurorëzuar Mbret, nxiti reformat legjislative në marëdhëniet civile, tregëtare dhe agrare. Kryeministri u angazhua tërësisht, për ndarjen e fesë nga shteti, për reformën arsimore, për krijimin e shkollës kombëtare e laike dhe për herë të parë u projektuar një program pesëvjeçar zhvillimi. Gjatë mandatit të tij, u ndërtuan ministritë, bulevardi i madh, disa spitale, burgu i Burrelit dhe disa burgje të tjera. Më 4 mars 1930, Kryeministri Kota, duke mos dashur të bëjë hapa prapa, dha dorëheqjen. Në letrën drejtuar Mbretit Zog, kryeministri Kota theksonte, se shkak i dorëheqjes së tij “ishte mungesa e harmonisë midis qeverisë dhe Parlamentit, gjë që pengonte zhvillimet e veprave të rëndësishme”.
Në vitin 1930, K.Kota u zgjodh deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, i cili në mbledhjen e pare të tij zgjodhi dr.Koço Kota-n Kryetar Parlamenti.
Gjatë ushtrimit të mandatit, shqyrtoi në seancë parlamentare dy ligje: më 13 prill 1930, Ligjin “Mbi Reformën Agrare”, i cili u miratua po atë ditë dhe ligjin për Reformën Legjislative dhe Kodin Civil.
Në vitin 1932 dr.Koço Kota, mandatohet përsëri deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, ku zgjidhet përsëri Kryetar Parlamenti. Diskutimet e deputetëve në legjislaturat parlamentare, përqëndroheshin mbi problemet e arësimit e luftës kundër dukurive dhe shfaqjeve që nuk i përkisnin kulturës dhe tradidave të popullit shqiptar. U dekretuan tre ligje: modifikimin e ligjeve 197,206,207, për shtetëzimin e shkollave, “Mbi ndalimin e Mbulesës së Fytyrës dhe Mbulesën e Kresë të grave; Mbi ndalimin e martesës së nëpunësave me gra të huaja.
Mbreti Zog më 9 nëndor 1936, dekretoi dr.Koço Kota-n Kryeministër dhe Ministër i Punëve Botore dhe i Ekonomisë Kombëtare(Bujqësisë), për ta pasur në kontroll dhe për të ndjekur nga afër investimet në sektorët e industrisë e bujqësisë.
Më 31 janar 1937, parlamenti i dha votbesimin qeverisë së Koço Kotës. Në detyrën e Kryeministrit, Koço Kota u kujdes për organizimin e xhandarmërisë, duke marë masa drastike për të vendosur rendin në Shqipëri dhe për të goditur çdo ideologji e qëndrim kundër monarkisë. Edhe administrimi i bashkësive fetare, bëhej sipas ligjit të hartuar nga Koço Kota dhe dekretuar nga mbreti Zog-I, më 16 korrik 1929. Sipas këtij ligji, klerikët nuk kishin të drejtë votimi e nuk mund të kishin asnjë detyrë publike. Bashkësitë nuk duhej të mernin asnjë ndihmë e subvencion nga jashtë. Ata kishin për detyrë të mbanin qëndrim patriotik. Beteja për kishën shqiptare, e nisur nga patrioti dhe rilindasi i madh Fan S.Noli, qysh në vitin 1909, i cili themeloi kishën autoqefale shqiptare në Amerikë, u përfundua në prill të vitit 1937 nga Ahmet Zogu dhe Koço Kota.
Më 23 prill 1937, qeveria shpalli një dekretligj për fajet kundër rendit shoqëror dhe ekonomik, sipas të cilit ndalohej formimi i shoqatave që kishin për qëllim “vendosjen e diktaturës së një klase mbi një tjetër”, përmbysjen me forcë të rendit shoqëror-ekonomik në fuqi dhe përhapjen e ideve komuniste.
Në 15 maj 1937, shpërtheu në Delvinë një lëvizje antiqeveritare e organizuar nga Ethem Toto, ish ministër i P.Brendëshme në qeverinë e kryesuar nga Mehdi Frashëri, e cila u shtyp me lehtësi. Për uljen e tensioneve politike me emigracionin, Ahmet Zogu dërgoi Koço Kotën në Paris, për të biseduar me ta, të arinte kompromise dhe tu mbushte mëndjen që të ktheheshin në Shqipëri, por misioni dështoi. Pasi qeveria jugosllave i ndërpreu ndihmat financiare, emigrantët antizogist, pas shumë dilemave vendosën kthimin në Shqipëri.
Në gusht të vitit 1938, Koço Kota vajti për një kurim në Paris. Për të realizuar qëllimin e tyre, anëtarët e komitetit drejtues, shfrytëzuan ardhjen e Kryeministrit, u takuan me të e i paraqitën kërkesën e kthimit në Shqipëri. Mbreti e dëgjoi me vëmëndje kryeministrin e i tha: -Tashmë është tepër vonë për kundërshtarët e mi.
Më 1 shtator 1938, u festua me pompozitet të madh dhjetë vjetori i Monarkisë Shqiptare. Në shtator 1938, Koço Kota, në kontakt të vazhdueshëm me Mustafa Krujën, u informua për një “Lëvizje italiane” në ndihmë të patriotizmës shqiptare, për largimin e Zogut, me kushtin që në vendin e tij “shqiptarët të pranojnë një princ Italian”.
Në shtator 1938,Koço Kota,Mustafa Kruja, Qazim Koculi, Angjelin Suma, Kol Tromara, Rrexhep Mitrovica e Sejfi Vllamasi, firmosën një Marëveshje lidhur me aprovimin e “lëvizjes italiane” me kushtin e mospranimit të një princi italian për Shqipërinë. “Marëveshja e Parisit” quhej e shfuqizuar, në rastin e një pushtimi italian të Shqipërisë dhe vënien e sajë nën kurorën perandorake të Savojës.
Më 11 janar 1939, Konsullata italiane në Tiranë, e njofton Legatën italiane, për pregatitjen e një “Lëvizje për largimin e Koço Kotës nga Qeveria”.
Më 7 prill 1939, nisi agresioni ushtarak fashist italian në brigjet shqiptare.Mbreti sapo kapërceu Kapshticën e shpërndau qeverinë dhe kaloi në mërgim si Sovran i arratisur. Shqipëria mbeti pa një qeveri antifashiste në mërgim.
Më 7 prill 1939, Koço Kota i zhveshur nga funksioni i kryeministrit, u shkëput nga oborri mbretëror dhe u sistemua në Selanik.
Në periudhën pas 7 prillit 1939 deri në dhjetor 1944, ish kryeministri Koço Kota, i palëkundur në qëndrimin e tij atdhetar nuk u përfshi në asnjë Qeveri Kuislinge të formuar gjatë pushtimit Italian të Shqipërisë dhe në asnjë nga Qeveritë Rregjencë të ngritura nga Ushtria Gjermane.
Në pranver të vitit 1944, për të ndalur marshimin sllavo-komunist në Ballkan, Mithat Frashëri ideoi një dokument lidhur me një aleancë të forcave të djathta shqiptare dhe greke, si dhe krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar federatë apo konfederatë. Sipas Mithat Frashërit, delegacioni i të djathtës shqiptare do të përbëhej nga Dhimitër Fallo –përfaqësues i Ballit Kombëtar dhe Koço Kota –përfaqësues i Legalitetit. Projekti shqiptar pranonte si kufij jugorë të Shqipërisë ato të vitit 1939, ndërsa kërkonte mbështetjen greke për përfshirjen e Kosovës e tokave shqiptare në zonën e Dibrës në shtetin shqiptar të pasluftës. Kushti i palës greke, që pala shqiptare të pranonte dorëzimin e Vorio Epirit, ishte toleruar nga Balli, por u quajt i papranushëm nga Legaliteti. Dr.Koço Kota i kërkoi z.Dhimitër Fallo, një shtesë në materialin e ideuar nga z.Frashëri, si më poshtë: “Përfaqësia shqiptare kishte kujtuar gjithashtu se të dyja shtetet janë nën të njëjtin pushtim dhe që të ketë sukses bashkimi duhet të ndërmarin aksione të përbashkëta kundër gjermanëve”. Projekt-idea e fundit,e paraqitur nga Fallo-Kota, pra një front greko-shqiptaro-turk kundër nazistëve dhe rrezikut sllavo-komunist, ishte krejtësisht e papranushme nga qeveritë kuislinge shqiptare dhe greke. Operacioni diplomatik e njëkohësisht politik i Mithat Frashërit, falimentoi në muajt prill-maj 1944.
Pas vendosjes së rregjimit komunist në Shqipëri
Një rruge në Kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë të cilës në vitet 30-të i qe vënë emri Rruga “Koço Kota”, pas pushtimit fashiste italianët asaj rruge ia hoqën emrin K.Kota dhe i vunë emrin Rruga “Galeaco Çiano”, pas vendosjes së rregjimit komunist po asaj rruge iu hoq emri Galeaco Ciano dhe iu vu emri Rruga “Qemal Stafa”.
Më 1945, Koço Kota u rrëmbye në Selanik nga një oficer i zbulimit sovjetik së bashku me oficerin shqiptar Andon Çeti, të ndihmuar nga EAM-i grek dhe u soll në Shqipëri. Në gjyqin special, Koxi Xoxe e akuzoi Koço Kota-n ndër të tjera, edhe për dy çështje.
Lidhur me mosorganizimin e rezistencës, kundër pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Koço Kota ka thënë: Më 7 prill 1939, qeveria jonë jo vetëm nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur, ….Unë i kam sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë….Unë pjesën time si qeveri e bëra. Në rast se ka patur ndonjë neglizhencë, kjo u takon Forcave të Armatosura.
Lidhur me marrëveshjen greko-shqiptare, për krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar
Koço Kota deklaroi: Nuk kam qenë kryetar i delegacionit shqiptar, nuk kam përfaqësuar Partinë e Legalitetit, por kam qenë pjesëmarës në bisedime si person privat.
Pavarësisht nga mospërfshirja e tij në organizimet e kundërshtarëve të rregjimit hoxhist, dr.Koço Kota u gjykua nga gjyqi farsë i drejtuar prej shërbëtorit të serbëve Koxi Xoxe.
Ish Kryeministri u dënua me burgim nga gjyqi special komunist shqiptar dhe vdiq në vitin 1949, në burgun e Burrelit. Me vdekjen e Koço Kotës, segmentet sllavo-komuniste, realizuan eleminimin fizik dhe moral të njërit prej kundërshtarëve të tyre më të vendosur, atdhetarit të paepur e të pakopromentuar, i cili jetën e tij ja kushtoi vetëm atdheut dhe kombit shqiptar.
Pas vendosjes së sistemit demokratik pluralist,
Më 24 Nëndor 2014, Dr Koço Kota u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, me medaljen “Nderi Kombit” pas vdekjes, me motivacionin: “Për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste”.
————————————————————————————————————Historia e jetës dhe e veprimtarisë politike kombëtare e patriotit Koço Kota, dhe kontributet e tij plot devocion në interes të Atdheut e të Kombit, nuk i harroj populli shqiptar, por i rregjistroi në analet dhe në kujtesën historike kombëtare, si pjesë e ndërgjegjes kombëtare, duke e vendosur figurën e tij në panteonin e patriotizmit shqiptar . Populli nuk i harron bijtë dhe bijat e tij, që i kanë shërbyer me ideal kombëtar, me shqiptarizëm dhe me përkushtim kanë bërë e dhënë gjithçka që kanë mundur për interesat e popullit, të Atdheut e të Kombit, siç veproi edhe Dr.Koço Kota.
Studiues i Historisë
Harallamb Kota
Tiranë më 31 dhjetor 2015
Reshjet, situatë problematike në Krujë dhe Lezhë
Nga Ahmet ZANI/
Reshjet e vazhdueshme të shiut në zonat e Krujës dhe Qarkut Lezhë kane krijuar situatë problematike në përmbyetjen e dhjetra ha tokë bujqësore. Në fshatin Gurëz të Kurbinit një banesë është shembur duke lënë 12 anëtarë të familjes pa strehë. Kjo situatë paraqitet e rënduar thuajse për çdo vit si rrjedhojë e bllokimit ta kanaleve të ujrave të larta. Lumi Zezë në qytetin e Fushë Krujës ka shfaqur rrezik pasi niveli i ujrave ka arritur në pikën e daljes nga shtrati duke rrezikuar mjaft banesa të qytetit ashtu si dhe pesë vite më parë. Disa nga fshatrat e Fushë Krujës ndohen në mbretërinë e ujrave, ndërsa janë në terren shtabet e emergjencave.
Qyteti i Lezhës si dhe disa fshatra të saj ndohen në situatë problematike.
Nëse kushtet meterologjike vijojnë me reshje situata mund dhe të pëekrqësohet në Fushë Krujë. Kurbin si dhe në Lezhë.
Situata më problematike në vend si pasojë e përmbytjeve paraqitet në qarkun e Lezhës.Në fshatin Zejmen vërshimi i ujit nga fryrja e përrenjve malorë ka përmbytur dhjetra banesa dhe qindra hektarë tokë bujqësore.Banorët thonë se uji u ka ardhur në mënyrë të papritur duke shtuar se situata është e përsëritur.Situata u inspektua edhe nga zv/ministri Niko Peleshi i cili kërkoi që strukturat vendore të angazhohen në dhënien e ndihmës për banorët e prekur nga përmbytjet.
Peleshi ka thënë se janë vënë në dispozicion disa eskavatorë dhe mjete të tjera me qellim zhbllokimin e ujrave në fshatrat problematike. Përmbytje masive pati edhe në qytet, ku uji përveçse mbuloi rrugët është futur dhe në katet e para të bizneseve.
Përmbytje ka edhe në fushën e Zadrimës, por nuk ka banesa nën ujë vetëm toka bujqësore Problem dhe në njësinë administrative të Shën Kollit dhe Blinishtit në zonën e Zadrimës ku janë përmbytur qindra ha tokë bujqësore.
Shtabi i Emergjencave Civile ndodhen në terren për të monitoruar situatën. Edhe lumi Mat është fryrë duke rrezikuar dhe argjinaturën.
Për shkak të vërshimit të përrenjve malorë është bllokuar aksi i vjetër që lidh Lezhën me Laçin.
Kosova drejt zgjedhjes së Presidentit të Republikës
– Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga: Mandati im përfundon më 6 prill 2016/
-Shtypi: PDK e LDK duan votimin e Thaçit për president më 11 shkurt/
-Sipas marrëveshjes PDK-LDK për bashkëqeverisje, Hashim Thaçi është zëvendëskyeministër i parë dhe ministër i Jashtëm derisa të zgjedhet President i Kosovës, pas mandatit të Presidentes aktuale/
– Kushtetuta: Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Janar 2016/ “Mandati im përfundon më 6 prill 2016”, ka thënë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në një intervistë në shtypin e Prishtinës në prag të festës së Vitit të Ri, ndërsa sot në një kryetitull gazete theksohet se, “PDK e LDK duan votimin e Thaçit për president më 11 shkurt”.
Dy partitë kryesore të koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë dakorduar që 11 shkurti të jetë data kur do të hidhet në votim në Kuvend kandidati i tyre konsensual për president, Hashim Thaçi, shkruan sot Koha Ditore.
Burime të afërta me dy partitë kanë bërë të ditur se ka marrëveshje edhe për rikompozim të disa resorëve kryesorë në qeveri.
“Liderët e dy partive, Thaçi e Mustafa, janë marrë vesh që votimi të bëhet në pjesën e parë të periudhës së paraparë me ligj (Ligji për presidentin v.j.), që i bie në muajin shkurt, si dhe janë marrë vesh për ndërrimin e udhëheqësve të dy ministrive, asaj të Jashtme dhe asaj të Brendshme”, kanë bërë të ditur burimet nga mazhoranca, cituar nga gazeta.
“LDK-ja e sigurt: Thaçi president”, është kryetitulli në ballinë te Zëri.
Sipas kësaj gazete, koalicioni qeverisës PDK-LDK duket krejt i qetë para zgjedhjes së ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, në postin e presidentit të Shtetit, duke u bazuar në marrëveshjen për koalicion. Të dyja partitë janë të bindura se pavarësisht “rebelimit” të disa ligjvënësve të mazhorancës, do t’i sigurojnë votat e mjaftueshme që kreut të PDK-së Hashim Thaçit, t’ia sigurojnë një mandat pesëvjeçar në krye të Shtetit.
Këta deputetë, që janë kundër Thaçit president, thonë se nuk kanë ndërruar qëndrim dhe se nuk do të kishte logjikë që të votojnë kundër liderit të tyre për kryeministër, pikërisht për shkak të koalicionit me PDK-në, e të votojnë pro Hashim Thaçit për president.
Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës sigurojnë se do ta realizojnë marrëveshjen e koalicionit qeverisës, për ta zgjedhur kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, në postin e presidentit, ashtu siç janë marrë vesh, përfundon citimi nga gazeta.
Atifete Jahjaga u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës më 7 prill 2011, pasi Behgjet Pacolli në fundin e marsit la postin e presidentit kur Gjykta Kushtetuese e vlerësoi jokushtetuese zgjedhjen e tij më 22 shkurt pa kundërkandidat dhe pa praninë e së paku dy të tretave të deputetëve në seancën e Kuvendit të Kosovës, nga e cila ishte larguar opozita.
Me atë rast Kuvendi miratoi një Rezolutë në mbështetje të Memorandumit të Marrëveshjes në mes të Behgjet Pacollit, Isa Mustafës (LDK) dhe Hashim Thaçit (PDK), të nënshkruar më 6 prill 2011. Marrëveshja ishte lehtësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë në atë kohë, Christopher Dell.
Marrëveshja përfshinte edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta, dhe sipas saj zgjedhjet presidenciale, por edhe ato parlamentare do mbaheshin më herët se që ishte e përcaktuar me Kushtetutë. Por, ndryshime kushtetuse për zgjedhjen e presidentit nuk u bënë dhe do të zgjedhet nga Kuvendi i Kosovës.
Komisioni për ndryshime kushtetuese kishte dërguar që në pranverën e hershme njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës në Parlament dhe prej andej ato ishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit kishte kërkuar një opinion të presidentes lidhur me këto ndryshime. Presidentja Jahjaga në përgjigjen e saj ka theksuar se propozimi për shkurtimin e mandatit të saj nuk është në pajtim me Kushtetutën.
Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka mandatin e plotë meqë ndërprerja e mandatit do ishte jokushtetues, sipas vendimit që Gjykata Kushtetuese mori në 6 Korrik 2012 në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara të Kushtetutës së Kosovës.
Sipas Kushtetutës, “Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë”, zgjedhja “duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
“Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës. Teksti i betimit rregullohet me ligjin. Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet. Pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjedhet vetëm edhe një herë”, përcakton Kushtetuta.
Sipas marrëveshjes PDK-LDK për bashkëqeverisje, Hashim Thaçi është zëvendëskyeministër i parë dhe ministër i Jashtëm derisa të zgjedhet President i Kosovës, pas mandatit të Presidentes aktuale Atifete Jahjaga.
Në një situatë të “ngrirjes” politike, në mbrëmjen e 19 nëntorit 2014, dy partitë më të mëdha kosovare, PDK dhe LDK arritën pajtimin në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak që hapi mundësitë për krijimin e institucioneve të vonuara të Kosovës. Plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, në 8 dhjetor të atij viti u konstituua Kuvendi, i cili të nesërmen zgjodhi qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa-lideri i LDK-së.
“Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”, përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, prandaj Hashim Thaçi nëse zgjedhet President gjatë ushtrimit të këtij funksioni nuk mund të jetë lider i PDK-së.
- « Previous Page
- 1
- …
- 73
- 74
- 75
- 76
- 77
- …
- 87
- Next Page »