• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

Si të mposhtet ideologjia e Shtetit Islamik?

January 3, 2016 by dgreca

Nga Charles Recknagel/
Daniel Koehler është në mesin e një grushti njerëzish në Perëndim, të cilët punojnë me militantët islamikë që kthehen nga Siria, në përpjekje për t’i riintegruar ata në jetën normale.
Shtetasi gjerman punon me ish-luftëtarë të tillë dhe me familjet e tyre në vende të ndryshme të Evropës dhe në Amerikën e Veriut dhe e njeh mirë fuqinë e ideologjive xhihadiste për të tërhequr rekrutë të rinj.
Pasi Shteti Islamik (IS) është bërë grupi më famëkeq në botë, ai dhe të tjerë në fushën e tij kanë vërejtur se kjo organizatë shkon përtej grupeve të tjera të tilla, përfshirë edhe Al Kaidën, vetëm për të tërhequr ndjekës në gjithë botën.
Koheler thotë se të gjitha grupet e vetëquajtura xhihadiste rekrutojnë anëtarë të rinj, duke argumentuar se Islami po sulmohet nga forcat e këqija, se besimtarët duhet të luftojnë dhe se duke iu bashkuar grupit, rekrutët do të ndihmojnë të ndërtojnë një vend të ri për myslimanët e vërtetë.
“Në thelb, Shteti Islamik po e plotëson tregimin e tij edhe me vepra në terren. Ai kontrollon territor të gjerë gjeografik, ai vërtet bën përpjekje të paraqitet si shtet që funksionon plotësisht dhe me tregimin e tij thotë se ai është në fakt i vetmi që përmbush të gjitha premtimet, të cilat Al Kaida dhe organizatat e tjera xhihadiste nuk kanë qenë në gjendje t’i bëjnë në të kaluarën”, thotë Koehler.
Si kryetar i Institutit Gjerman për Studime të Radikalizmit dhe Deradikalizimit, Koehler ka folur me dhjetëra luftëtarë që janë kthyer nga Siria dhe Iraku dha ka zbuluar se motivet e tyre individuale janë një përzierje faktorësh.
Ata mund të jenë të zemëruar dhe frustruar me situatat jofunksionale në vendet e tyre dhe të armiqësuar nga racizmi i perceptuar dhe përjashtimi në shoqëritë e tyre. Në të njëjtën kohë, ata mund të kenë dëshirë për një aventurë dhe duan të ndihmojnë të tjerët që ata mendojnë se janë në rrezik.
Shteti Islamik është treguar i suksesshëm në tërheqjen e njerëzve, pjesërisht për shkak se ka adoptuar të njëjtat teknika të tregimeve me ato që përdor Hollywood-i për krijimin e filmave epikë, të cilët joshin audiencë të gjerë.
Shteti Islamik tregon tregime “duke imituar kulturën pop perëndimore, filmat e Hollywood-it dhe video-lojëra”, thotë Koehler.
Shteti Islamik ka prodhuar versionin e vet të një video-loje, një dokumentar të metrazhit të gjatë, video të shkurtra për Twitter, si dhe ka postuar pamje të betejave në Siri dhe Irak, duke përdorur mediat sociale dhe kanalin e tij të shpërndarjes.
Zëdhënësi i Shtetit Islamik, Abu Mohammad al-Adnani, ka deklaruar në vitin 2013 se qëllim i grupit është të krijojë një shtet islamik, i cili nuk njeh kufij.
Por, disa vëzhgues besojnë se ideologjia e Shtetit Islamik mund të mposhtet nëse shoqëritë perëndimore dhe të tjera bëjnë përpjekje më të mëdha për të ekspozuar realitetin e organizatës përpara rekrutëve potencialë.
Koehler beson se luftëtarët që kthehen nga Iraku dhe Siria në shtëpitë e tyre, duhet të jenë thelbi i kësaj përpjekjeje. Ai thotë se shumica e atyre që kthehen sot, janë njerëz të traumatizuar nga përvojat me Shtetin Islamik, veçanërisht nga brutaliteti i tij ekstrem.
“Shumë luftëtarë të huaj që kthehen, janë jashtëzakonisht të zhgënjyer, të tronditur dhe të traumatizuar”, thotë Koehler.
Ai mendon se luftëtarët që kthehen mund të jenë zërat më efektivë në komunitetet e tyre për të dekurajuar të tjerët që duan t’i bashkohen grupit ekstremist.
Koehler shton se kjo do të kishte efekt më të madh sidomos nëse vendet e tyre u ofrojnë atyre një shans të dytë dhe provojnë t’i integrojnë në shoqëri, e jo t’i burgosin.
Një qasje e tillë është duke u provuar në disa vende të Evropës veriore. Autoritetet e qytetit Arhus të Danimarkës kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare me përpjekjet për riintegrim, që i kanë nisur qysh në vitin 2013. Në këtë mënyrë, ato kanë ulur ndjeshëm numrin e rekrutëve të rinj nga qyteti.
Gazeta britanike The Guardian ka raportuar në nëntor të vitit 2014 se 31 të rinj janë larguar nga qyteti Arhus për në Siri në fund të vitit 2012 dhe më 2013. Por, në vitin 2014, vetëm një person ka bërë një gjë të tillë.
Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Analiza Tagged With: Charles Recknagel, Mposhtja e ISIS

Lufta e Sirisë dhe pjesëmarrja e shqiptarëve nga Kosova

January 3, 2016 by dgreca

Krahas shumë problemeve politike dhe ekonomike, Kosova edhe në vitin 2015, është përballur me fenomenin e pjesëmarrjes së qytetarëve të saj në luftën e Sirisë dhe Irakut.
Rreshtimi i shqiptarëve nga Kosova përkrah organizatave të shpallura terroriste, si forcat militante të Shtetit Islamik apo edhe organizatës Al Nusra, ka vazhduar edhe në vitin 2015 gjë që ka paraqitur një shqetësim dhe problem të madh për Kosovën.
Autoritetet e sigurisë dhe të ndjekjes penale në Kosovë, janë duke zhvilluar hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin ndaj më shumë se 110 personave.
Prokuroria e Shtetit, pati deklaruar se “lidhur me statistikat për rastet e terrorizmit, 31 persona gjenden në paraburgim, 21 persona janë nën masën e arrestit shtëpiak, 37 persona në masën alternative, kurse 22 persona janë liruar nga paraburgimi ose masat tjera alternative”.
Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri në 2015, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300. Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, lidhur me këtë fenomen, ka deklaruar se mekanizmat institucionalë të Kosovës, nuk do të lejojnë që cilido grup ekstremist të sfidojë shoqërinë dhe shtetin.
Zonja Jahjaga ka kërkuar nga mekanizmat e sigurisë, por edhe të tjerët që të jenë të vëmendshëm për kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë.
Sipas saj, “përpos rrezikut konvencional, Kosova përballet edhe me kërcënimet e strukturave ekstremiste të akterëve joshtetërorë, të cilët kanë gjetur shtrirje edhe në Kosovë”.
Presidentja e Kosovës, në fjalimin e saj vjetor për vitin 2015 në Kuvendit e Kosovës, ka theksuar se “këtë vit Kosova ka qenë dëshmitarë e përpjekjeve të këtyre rrymave terroriste që të shtrijnë ndikimin e tyre, duke vazhduar rekrutimin e qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkuar kauzave të tyre të rrejshme dhe terroriste në Siri dhe në Irak”.
Megjithatë, presidentja e Kosovës, ka theksuar se në vitin 2015 është shënuar një rënie drastike e kosovarëve që u janë bashkuar rrjeteve terroriste, kjo sipas saj, ka ndodhur falë sensibilizimit për këtë fenomen, por edhe për shkak të vendosmërisë së institucioneve që të veprojnë dhe të mos lejojmë që Kosova të bëhet strehë e terroristëve.
“Nuk mund të lejojmë që vlerat e lirisë dhe të demokracisë të sfidohen nga grupe ekstremiste dhe radikale. Ne nuk mund të shndërrohemi në strehë të asnjë grupi ekstremist dhe prandaj jemi bërë partner global në luftën kundër këtij kërcënimi”.
“Por, beteja jonë është edhe e brendshme, për të ndihmuar të gjithë të rinjtë e të rejat tona, që të mos bien pre e ekstremizmit fetar, duke iu ofruar më shumë mundësi, më shumë shanse në jetë, më shumë arsimim dhe më shumë perspektivë. Ne nuk do të lejojmë grupe ekstremiste të sfidojnë shoqërinë dhe shtetin tonë, nuk do të lejojmë ta godasin Kushtetutën tonë dhe të lëkundin vlerat e diversitetit dhe tolerancën e harmoninë fetare, të ndërtuar me shumë mund brenda shekujve”, ka deklaruar Jahjaga në konferencën vjetore të prokurorëve të Kosovës.
Institucionet e Kosovës, gjatë vitin 2015, kanë miratuar Ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe përveç tij, autoritetet në Kosovë kanë hartuar edhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, konsiderojnë se në disa drejtime mekanizmat përkatës janë duke punuar dhe po zbatojnë “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se prej se kur është miratuar strategjia, janë ndërmarrë disa aktivitete.
Shqipe Mjekiqi, këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme, ka shpjeguar për veprimet që po ndërmerren nga autoritetet kompetente lidhur me këtë çështje:
“Policia e Kosovës, ani pse ka rol më tepër reaktiv, është marrë me parandalim, edhe para hyrjes në fuqi të strategjisë. Policia ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të Bashkësisë Islame. Ata kanë dhënë përkushtimin e tyre, kanë premtuar se nga viti i ardhshëm do të zhvillojnë një numër ligjëratash. Krerët e Bashkësisë Islame, kanë zhvilluar ligjërata me xhematin ku kanë folur për islamin tradicional”.
Policia e Kosovës, ka theksuar se në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, “ka bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me institucionet tjera të sigurisë në vend, duke përfshirë edhe institucionet relevante ndërkombëtare në rajon dhe më gjerë”.
Kurse, zyrtarët në Bashkësinë Islame të Kosovës kanë theksuar se duke marrë parasysh që fenomeni i radikalizmit të dhunshëm fetar është bërë problem global, Bashkësia Islame e Kosovës është duke dhënë kontributin e saj në disa rrafshe.
Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion me kohë ka dhënë dhe po jep rekomandime për këtë çështje.
“Në këtë aspekt, mendoj se ka nevojë që të ketë një koordinim mes institucioneve tona, mes Qeverisë, mes të gjitha institucioneve relevante që të arrihet një sukses. Përndryshe, nuk do të thosha se jemi aq shumë të kënaqur me rezultatet, por besoj se një dukuri që ka qenë më shumë prezent para një viti, sot vërehet se është në rënie, falë edhe angazhimit të Bashkësisë Islame”, ka deklaruar Sadriu.
Sipas tij, në drejtim të parandalimit të disa dukurive që kanë të bëjnë me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, koordinimi ndërmjet bashkësive fetare dhe institucioneve qeveritare, nuk ka qenë i duhuri.
“Nuk dua që t’ia vë fajin dikujt tjetër, por ka pasur një neglizhencë edhe nga institucionet tona në raport me Bashkësinë Islame. Ne kemi vepruar sa kemi pasur mundësi, ndërsa ajo çka nuk ka qenë në kompetencat tona, e kemi pasur të pamundur të veprojmë”.
“Përmenda edhe çështjen e literaturës, këtu është shpërndarë literaturë e pakontrolluar. Nuk janë kompetencat tona, me të cilat ne mund t’i ndalojmë [këto aktivitete]”, është shprehur Sadriu duke shtuar se moszgjidhja e statusit juridik të BIK-ut, po paraqet problem edhe në këtë drejtim.
Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, konsideron se në përgjithësi Kosova mund të merret si shembull i mirë se si i është qasur luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
“Nëse e shikojmë trendin prej vitit 2012 deri në vitin 2014 dhe nëse i krahasojmë [shifrat] me vitin 2015, atëherë vërehet një rënie e numrit të qytetarëve të Kosovës për të marrë pjesë si luftëtarë të huaj kryesisht në Siri dhe Irak”.
“Si shoqëri civile, Qeveria dhe mediet në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishëm që qytetarët e Kosovës të vetëdijesohen pak më shumë se ata persona që marrin pjesë në luftën e Sirisë dhe Irakut, i shkaktojnë më shumë dëme komunitetit mysliman në Siri e Irak, e shumë pak mund t’i ndihmojnë”, tha Perteshi.
Autoritetet e rendit në Kosovë, ka theksuar se janë duke mbikëqyrur “çdo aktivitet të personave fizikë dhe juridikë, për të cilët siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale” dhe se “e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”.
Strukturat e dobëta shtetërore në Kosovë, politika e paqëndrueshme, korrupsioni, varfëria, sistemi i dobët ekonomik, janë ndër shkaktarët kryesorë të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në grupe ekstremiste në Siri dhe Irak, kanë konstatuar zyrtarë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Prishtinë, në një raport të publikuar më herët lidhur me përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e Sirisë dhe Irakut.(Kortezi:Arton KOnushevci_Europa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Isis, Shqiptaret e Kosoves

Kosovë: Dënohet dëmtimi i varrezave të komunitetit katolik

January 3, 2016 by dgreca

Në Kosovë, autoritetet dënuan një incident në një fshat të komunës së Prizrenit ku në rrethana të panjohura janë dëmtuar disa varreza të shqiptarëve të besimit katolik.
Policia në Prizren tha se është duke zhvilluar hetime lidhur me këtë incident por ende nuk dihet asgjë për motivet apo autorët e mundshëm. Incidenti ka ndodhur ne fshatin Dedaj të kësaj komune dhe sipas mbishkrimeve në pllakat e dëmtuara shihet varrezat i takojnë një familjeje të këtij fshati.
Qeveria e Kosovës dënon ashpër dëmtimin e varrezave. Në një reagim të saj thuhet se “thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës. Populli i Kosovës është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare, vlera të trashëguara brez pas brezi në vendin tonë”, thuhet mes tjerash në reagim.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan se thyerja e varrezave “është vepër kriminale dhe përpjekje dëshpëruese për të zbehur tolerancën fetare në Kosovë, e cila ka kohë që është shembull për shumë vende në rajon dhe më gjerë. E dënoj ashpër këtë akt qyqar dhe kërkoj që organet e rendit dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë, të bëjnë të pamundurën që të zbardhet ky rast, i cili i qet hije të keqe, jo vetëm kësaj ane, por gjithë Kosovës”.
Në reagimin e zotit Haradinaj thuhet se “varrezat janë objekte të shenjta dhe kushdo ngre dorë mbi to, ka ngritur dorë mbi shenjtërinë e jetës së përbashkët shekullore të qytetarëve të të gjitha besimeve në Kosovë. Prandaj nuk do të lejojmë askënd që t’i rrezikojë këto vlera. Unë dua të besoj se kjo është vepër e kriminelëve dhe keqbërësve ordiner, por pavarësisht prej kësaj, zbardhja e këtij rasti, është me interes të jashtëzakonshëm për të gjithë ne”, thuhet në reagimin e kryetarit të AAK-së.
Kosova është vlerësuar shpesh si shembull i tolerancës fetare, një nam që është sfiduar në disa raste kohët e fundit, në radhë të parë për shkak të ndikimit nga luftërat në Lindjen e Mesme.(VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: demtohen, Kosove, Prizren, varrezat katolike

STUPCAT JANË ZËRI I POPULLIT DHE I UÇK-SË

January 3, 2016 by dgreca

Nga Ramadan Bozhlani/
UÇK-ja e simbolizon zemrën heroike të kryengritjes shqiptare dhe shfaqja e saj mbi sipërfaqe të tokës e ngjalli shpresën për frymëmarrjen e lirë të popullit tonë.
Bashkimi i këtyre tri shkronjave e ngërtheu përmbajtjen hyjnore për çdo shqiptar dhe në këtë mënyrë u skalitën në ballinën e lavdishme të historisë. Kushdo që e dyshon konceptimin e përgjithshëm të saj e konfirmon antishqiptarizmin, ndërsa kushdo që ka guxim të shpreh kritika për individ të caktuar të saj duke i përfillur faktet, konsiderohet përpjekje fisnike, sepse, shënjestrohen personat të cilët kanë dalur nga suazat e misionit të shenjët duke e përligjur egon e shthurur. A ka persona të tillë? Fatkeqësisht ka dhe ne nuk mund të kemi qëndrim nderues për ta, përkundrazi duhet të tregohemi shumë kritik, sepse, përmes tyre u krijua një imazh i zymtë i ushtrisë.
Autorët e frazës tmerruse menjëherë mbas luftës nëpër objekte të ndryshme reflektuan ndërkombëtarisht habi: UÇK e nxane! Përdoruesit e asaj fraze famë keqe kanë qenë luftëtar dhe jo luftëtar, po kushdo qofshin ata konsiderohen armiqët e uniformës ushtarake dhe të aspiratës së UÇK-së.
Kam takuar me qindra ushtarë të denjët të UÇK-së që jetojnë në mjerim të thellë dhe që janë shprehur me ashpërsi ndaj babëzisë së kolegëve të tyre.
Modele shembullore ka me mijëra, por njëri që më ka bërë përshtypje të posaqme quhet Mensur Kasumi. Ai ka qenë pjesë e luftës së Sllovenis, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës dhe sot mezi arrin t’i grumbullon parat e qiras mujore, ku edhe disa herë është detyruar të del në rrugë. Ai mohoj çdo gjë për hirë të kaluares së tij të lavdishme. E ka edhe mijra të tillë që i ka përfshi harresa dhe i kanë mbuluar plagët sociale. Ndërsa ka edhe të atillë që e jetojnë jetën e sheikave, e këta janë të detyruar ta mbartin koston e kritikave, prandaj le të tregohen më zemërgjërë.
UÇK-ja është populli dhe populli është UÇK. Vetë kritikat janë të mirëseardhura para se ato të na shfaqin të huajt.
Analizat evropiane i shestojn me objektivitet anët pozitive dhe negative pastaj dalin në një konkluzion të arsyshëm për një individ pavarësisht se kush mund të jet ai.
E kaluara nuk e ndriçon të tashmën dhe e tashmja nuk është e aftë t’ia errëson të kaluarën askujt, prandaj duhet të bëheni zemërgjërë për t’i pranuar opinionet publike në përputhje për të bëmat.
Për ta shikuar edhe për ta kuptuar humorin e stupcave duhet të kesh kultur të nënkuptimit, sepse, ata shprehen me metafor.
Stupcat e kanë lujtur rolin e një opozite të denjët dhe më shumë kanë bërë politik se sa humor nëpër projektet e tyre.
Ata janë zëri i denjët i popullit, e në të njëtën kohë i UÇK-së.
Nga skeçi e kuptova himnizimin e meritorëve dhe çmitizimin e pa meritorëve.

Filed Under: Featured Tagged With: DHE I UÇK-SË, I POPULLIT, JANË ZËRI, Ramadan Bozhlani, STUPCAT

RUSIA: SHBA dhe NATO, “kërcënim” për sigurinë kombëtare

January 3, 2016 by dgreca

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO janë dy emrat e rinj, që Rusia i ka cilësuar si kërcënime për sigurinë kombëtare të saj. Mesa duket, nisja e vitit të ri nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhëniet Moskë-Perëndim, por përkundrazi i ka përkeqësuar ato. Dokumenti me titullin “Rreth strategjisë së sigurisë kombëtare të Federatës Ruse”, që u nënshkua nga Presidenti Vladimir Putin në prag të mbylljes së 2015-s, zëvendëson një version të 2009-s, i cili ka qenë i miratuar nga ish-Presidenti Dmitry Medvedev, kryeministri aktual i vendit. Ndër të tjera, aty përmendet fakti se roli i Rusisë në arenën ndërkombëtare, si dhe në zgjidhjen e problemeve globale, është rritur. Por, sipas dokumentit, ky angazhim i madh i Kremlinit ka shkaktuar reagim nga Perëndimi. “Forcimi i Rusisë vjen në sfondin e kërcënimeve të reja ndaj sigurisë kombëtare, të cilat kanë një natyrë komplekse. Kryerja e një politike të pavarur, ndërkombëtare dhe vendase, ka shkaktuar kundërveprim nga SHBA dhe aleatët e saj, të cilat po përpiqen të ruajnë të njëjtën dominancë të tyre në çështjet globale”, citohet nga dokumenti strategjik. Për Presidentin Vladimir Putin, kjo strategji e ndjekur nga Perëndimi ka gjasë të shkaktojë “presion politik, ekonomik dhe ushtarak” në Rusi. Dokumenti liston një sërë ankesash kundër NATO-s, duke përfshirë edhe “intensifikimin e veprimtarive ushtarake të vendeve anëtare”, “zgjerimin e mëtejshëm të aleancës”, si edhe “lëvizjen e  infrastruktures ushtarake shumë pranë kufijve të Rusisë”, gjë që e konsideron si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Ndër të tjera, Moska thotë se ISIS ka theksuar “politikën e standardeve të dyfishta, që disa vende po u përmbahen në luftën kundër terrorizmit”, çka është e qartë se i referohet politikës së jashtme të Perëndimit në Siri.
Akuzat e Kremlinit kundër NATO-s dhe SHBA-ve, tashmë të dokumentuara në politikën zyrtare të sigurisë kombëtare të Rusisë, me shumë gjasë do të përshkallëzojnë më tej marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit gjatë këtij viti.

Filed Under: Opinion Tagged With: “kërcënim”, Kombetare, për sigurinë, RUSIA: SHBA dhe NATO

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT