• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

GAZMEND GASHI DHE MALLI I MERGIMTARIT PER VENDLINDJEN

February 25, 2016 by dgreca

Bisedë me mërgimtarin Gazmend Gashi/

Ndonëse mot i lig dimri me borë e stuhi e acar, po malli për mëmëdhe i mund të gjitha. Këto ditë erdhi për pak çaste t’i kaloj ne familje. Me këtë rast zhvilluam këtë bisedë./

Intervistoi:Saranda R.Shala/

Saranda Shala: Kush është Gazmend Gashi?

 Gazmend Gashi: Kam lindur më 15 Dhjetor 1963, në Graboc të Pejës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Gorazhdevc, një fshat etnikisht i banuar me popullsi serbe, kurse shkollën e mesme pranë shkollës teknike “Shaban Spahija ” në Pejë në majin e vitit 1983. Pas përfundimit të shkollës së mesme nuk kishte mundësi të regjistrohej në Universitet, pasi familja e tij ishte gjithmonë në shënjestër të shtetit Titist jugosllav, si një ndër familjet më të persekutuara në rrafshin e Dukagjinit e më gjerë. Pasi nuk kishte mundësi shkollimi të lartë, në gushtin e vitit 1986 ilegalisht arratiset duke kërkuar strehim politik në shtetin Austriak. Si shumë të rinj shqiptarë që detyroheshin të largoheshin nga trojet stërgjyshore, në moshë shumë të re, 22- vjeçar ishte i detyruar te lë familjen dhe vendlindjen e tij. Fate shqiptarësh që me dekada nuk kishin dhe nuk kanë të ndalur fatkeqësitë.

Pyetje: Cila është e kaluara e familjes suaj?

 Përgjigje: Babai im, NEZIR IBISH GASHI ka lindur më 21 prill 1934, në Mamurras, Shqiperi . Është veprimtar i kauzës së shenjtë kombëtare. Ish i burgosur politik në vitet 1964, 1981,1984 dhe 1997. Ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në vitet 1998-2001. Veprimtar i palodhur i kauzës së shenjtë kombëtare në të gjitha kohërat, kur e kerkonte Atdheu. Shkollën fillore e kreu në Pejë, kurse të mesmen në Kaçanik. Diplomohet në Universitetin e Shkupit, Republika e Maqedonisë. Kishte filluar në vitin 1957 të punojë si mësimdhënës në Drenovc të Klines dhe Gorazhdevc të Pejës. Pikërisht, gjatë atyre viteve dallohet për veprimtarinë patriotike, edhe pse rreziku ishte tepër i madh. Babai nuk kishte nguruar së afirmuari vlerat letrare, kulturore dhe padrejtesitë historike që beheshin duke i dalë zot Atdheut. Meqë kishte kundërshtuar disa herë, edhe hapur pushtetin e atëhershem, shpejt bie në sy të organeve të atëhershme të pushtetit.

Pyetje: Po më vonë si rodhën ngjarjet me familjen tuaj?

Përgjigje: Kalvari i ngjarjeve është i gjatë, por në mënyrë të përmbledhur, do të përmend disa nga gjërat më kryesore.

Në pranverën e vitit 1964 duke mbajtur orën e mësimit para nxënësve burgoset. Bënte pjesë në grupin e të burgosurve politikë, i njohur si grupi i Adem Demacit LRBSH-s. Ishte sekretar i organizatës për Komitetin e Pejës. Në pranveren e vitit 1964 nga kjo organizatë atdhetare, e cila vepronte në tërë Kosovën, u burgosën së bashku me babain tim për flamur shume intelektualë, atdhetarë, në krye me Adem Demaçin, Ramadan Shalën, Myrteza Xaj Nuren, Avni Lama, Kadri Kusari, Hyda Dobruna, Asim Vula, Azem Beqiri , Mehmet Krasniqi, Mustaf Venhari, Fazli Grajqevci, Syle Shala, Hazir Shala, Sabri Novosella, Shefqet Deqani, Vesel Rexhepaj, Zeqir Shala, Vesel Rexhepaj, Avdyl Shala, Ahmet Zeka, Ejyp Kastrati, Remzi Baloku, Selajdin Daci, Din Spahija, Teki Dervishi, Zeqir Gërvalla, Ahmet Haxhia, Sabit Ratkoceri, Abdullah Lahu, Tefik Sahiti, Xhafer Mamuxhiku, Hilmi Rakovica, Nimon Podrimja, Hysen Bukoshi, e shumë e shumë atdhetarë të tjerë.

Pyetje: Ju a kini njohur nga emrat e përmendura?

Përgjigje: Unë pata fatin që shumicën e këtyre kolosëve të lirisë t’i njoh personalisht. E ne vecanti babai kishte raporte shumë të mira edhe me të burgosurit dhe shokët e idealit: të mdhenjtë Metush Krasniqin, Ali Aliun,e me vone me Isa Demajn , Muhamet Rogovën, Hysen Gegën, Ali Lajcin e shume te burgosur tjere politik , të cilët mbajtën shumë vite burg . Ishin të pathyeshem karshi torturave që u beheshin, tortura anti-njerëzore nga kriminelë të sigurimit shtetëror serb e shqiptar. Tani nga këta burra që i permenda më lart, gjenerata e vitit 1964, ishte gjeneratë e çeliktë, mjerisht shumica nuk jane më në mesin tonë. Ky grup intelektualësh ishin ata, të cilët i shtyne proceset përpara , ishin një elektromotor i kauzës së shenjtë kombëtare. Por pa i harruar edhe gjeneratat tjera më të hershme të LNDSH- s, të cilët u burgosën pas Luftës së Dytë Botërore, aty në vitet ‘50 dhe gjeneratat në vijim, në vitin 1968 si: Isa Demaj, Zymer Neziri, Ramadan Blakaj, Xhemajl Gashi, etj.

Pyetje: Çfarë ju kujton viti 1981?

Përgjigje: Ishte Viti 1981 ishte rinia studenteske që e tronditi furishem shtetin Jugosllav , dhe aty filloi që ky shtet të përmbyset.Në ato demostrata muarrën pjesë shumë student me në krye Hydajet Hysenin, Ali Lajqin , Syle Mujën, Bajram Kosumin e shumë studentë, intelektualë u burgosën, por edhe gjenerata e viteve 1964 dhe 1968 nuk u kyrsyen nga arrestimet . Gjahu i pushtetit ndaj këtyre atdhetareve nuk kishte të ndalur , prapë një pjesë e tyre u burgosën. Disa, pas lirimit nga burgu, nuk kishin të drejtë punësimi, pasi konsideroheshin si armiq të shtetit, e të tillë edhe ishin. Një pjesë e tyre u detyruan të arratiseshin jashtë Kosove, pasi gjahu i shtrigave ndaj tyre s’kishte të ndalur. Fantazmat e zeza ishin në lëvizje ditë dhe natë për të ndaluar veprimtarinë atdhetare të tyre. Kështu pra, babai im në vitin 1964 në Gjykatën në Pejë, dënohet me 5 vite burg, të cilat i mbajti ne burgun famëkeq të Nishit, 18 muaj i kaloi në qeli, si dënim brenda dënimit. Aty këta burra atdhetar kaluan ditët dhe vitet më të tmerrshme të rinisë nga torturat antinjerzore që u bëheshin nga gardianët dhe sigurimi i shtetit fashist. Pas lirimit nga burgu babai nuk kishte të drejtë punësimi askund, çdo lëvizje e tij përcillej nga organet e sigurimit UDB-së dhe bashkëpunëtorve të tyre shqiptar me shpirt të shitur. Ishte nga të burgosurit politik, i cili nga UDB-a, trajtohej si armik shumë i rrezikshëm i Jugosllavisë, – i tille edhe ishte. Gjatë gjithë kohës shtëpia jonë ishte bërë poligon bastisjesh. Demostratat e studenteve ne Vitin 1981 ishin një shkas tjetër i pushtetit dhe babai im prapë arrestohet, me që gëzonte një autoritet në mesin e rinisë shkollore dhe universitare. Po ashtu në vitin 1984 sërish arrestohet dhe dënohet. Dhe herën e fundit arrestohet në vitin 1997 gjate protestave gjithëpopullore për lirimin e shkollave shqipe në Pejë.

Pyetje: Në luftën për çlirimin e Kosovës, ku ishte babai juaj?

Përgjigje: Gjatë luftës babai im ka qenë në istikamet e para si luftëtar më i moshuar i UCK- së, në ato anë së bashku me tre vëllezerit e mi, ku njeri nga vëllezërit e mi është plagosur në betejën e Loxhës dhe Grabocit, vendlindjes sonë dhe vendlindjes së gjeneral Bekim Berishës Abes. Kjo lufte dirigjohej nga policia, paramilitarë dhe armata serbe. Loxha dhe Graboci u sulmuan nga shumë drejtime: nga Peja dhe nga Gorazhdevci, fshat etnikisht i banuar me popullat serbe . Aty një ditë më parë ishte Vojvoda cetnik serb, Voisllav Sheshel dhe pastaj u muarr një ofenzivë e egër, ku kishte të vrarë e shumë të plagosur.

Pyetje: Ju kini kryer shërbimin ushtarak?

Përgjigje: Në moshë 19- vjeçare u detyrova t’i iki shërbimit ushtarak, pasi që në atë kohë të egër shqiptarët ishin në shenjestër të gjahut nga sigurimi shtetëror i asaj kohe të egër . Ne si shqiptarë ishim ata, të cilët dënoheshim dhe malltretoheshim shumë duke u vrarë , masakruar, lënduar, montoheshin procese politike, gjoja për nacionalizëm dhe armiqësi ndaj shtetit jugosllav. Pastaj në ato procese të montuara politikisht, shqiptarët dënoheshin me vite nga ish Gjykatat e shteti Titist diktatorial, i cili ishte shumë i egër për shqiptarët. Siç e thashë më lartë, në moshën 19 -vjeçare më është dashur të shpërngulem qëllimisht nga vendlindja ime . Në fund të qershorit punësohem me ndihmen e disa atdhetarëve dhe miq të familjes në një organizatë hidroekonomike në Komunën e Vitisë . Qëllimi ishte të largohem nga vendlindja që mos të bija në gjurmë nga ish sigurimi i shtetit Jugosllav që në atë kohë ishte në ofenzivë të madhe kundër shqiptarëve që ishin në anën e kundërt.

Aty u vendosa që mos të dyshohej që aty është një djalë nacionalist , i cili familjarisht ishte në shënjestër të gjuetisë nga aparati shtetëror jugosllav që ishte shumë aktiv në atë kohë.

Mbahej si ilegalisht punësimi im, pasi që ishte rreziku i largimit tim nga puna , atëhere ishin dy opcione të hapura për mua , burgosja apo dërgimi në shërbimin ushtarak.

Aty isha i punësuar nga fundi i qershorit 1983 gjer në korrikun e vitit 1986 . Më vonë informohem që ishte marrë vesh që unë isha i punësuar, menjëherë detyrohem ta lë punën dhe të largohem nga aty.

Në muajin gusht të vitit 1986 arratisem ilegalisht me ndihmën e dy bashkëvendasve të mi më besnik në shtetin Austriak.

Pyetje: Na fol pak për punën tuaj në emigracion?

Përgjigje: Dihet që puna në emigracion është shumë e vështirë, por dua të them se me punë arrihet çdo gjë. Çdo gjë e kemi filluar nga zeroja. Personalisht jam në gjendje që të punoj ditë e natë që fëmijët e mi mos të mbesin punëtorë krahu, edhe pse çdo punë është nder . Tani jam i fokusuar në shkollimin e djemve të mi, ku edhe suksesi gjer me tani nuk mungon.

Më duket se 40 vite mërgimi janë të mjaftueshme. Gjithmone kam qenë aktiv , kam kryer shumë kurse profesionale. Pastaj kam kryer kualifikimin e lartë profesional për menaxhim në Vjene. Jam i punësuar në një firmë, e cila merret me shumë punë, ku puna kryesore është demontimi i teknikës, si TV- Kompjuter etj, e shumë e shumë punë të tjera. Prej 13 vitesh kam kryer punën në menaxhim. Puna ime kryesore është prodhimi , personeli, dhe operativa e disa punë të tjera administrative. Suksesi nuk ka munguar asnjeherë. pasi që unë çdo punë e kryej me seriozitet dhe ndershmeri.

Pyetje: Dhe kur ktheheni në atdhe për herë të parë?

 Përgjigje: Për herë të parë në Atdhe kthehem pas plot 14 vjetësh, në vitin 2000.Personalisht t’u them të vërtetën 8 gjer ne 10 vite e kam në plan, në qofte se jam shendoshë të kthehem në vatrën time, në vendlindjen time, në Pejën time, ku kalova një pjesë të rinisë sime.

Pyetje: Cka mendoni për aktualitetin politik në përgjithësi? 

Pergjegje:Po mometalisht situata politike dhe ekonomike nuk është e mirë.Kosova ka nevoi per kuadro te reja në politikë. Të pahargjuar politikisht,kuadro të profileve të ndryshme që nuk janë të korruptuar,dhe proceset të hecin më mirë drejtë zhvillimit dhe integrimit në BE. Në qoftë se nuk kemi strategji, vizion,  dhe të zhduken disa gjëra të shëmtuara do mbesim si dele të zeza në mes të Europes.Ne si Mergatë që me dekada dham atë cka kishim munëdsi për Atdheun kjo situatë e rëndë na shqetëson shumë.Andaj uroi që në të ardhmen të zgjedhen ata që punojnë për Atdhe e jo vetëm për veti. Ne s’kemi asgjë me shumë as më pak e gjitha çka e kemi është Atdheu i jonë që për shumë shekuj mbi supe e rëndonte barra e robërise nga pushtues të kohërave të egra.Andaj një apel i imi kishte me qenë që të jemi sa me të matur, të vendosur kur është në pyetje Atdheu.Se ditë për ditë mbi kokë na sjellen korbat e zi që me çdo kusht mundohen ta ndajnë zogun nga Nëna e vet.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Gazmend Gashi, Malli per vendlindjen, Saranda R. Shala

Rruga e gjatë drejt prosperitetit në Kosovë

February 25, 2016 by dgreca

Andrew Russell, Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së dhe Koordinator i OKB-së për Zhvillim/

Më 24 shkurt 2016, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, festoi 50 vjetorin e themelimimit. Kjo datë është shënuar në të gjitha vendet ku ne jemi prezent, diku më gjatë e diku për kohë më të shkurtër por me shpresë që jemi pjesë e ndryshimeve pozitive kudo që ndodhemi. Ky shkrim është kontributi im për këtë datë të shënuar dhe një reflektim personal i të arriturave tona në Kosovë.

Lajmet e fundit nga Kosova kanë qenë të zymta. Tensionet mes koalicionit qeverisës dhe opozitës janë në rritje me protesta të vazhdueshme publike kundër marrëveshjeve të fundit me Serbinë dhe Malin e Zi.

Por të bëjmë një hap prapa dhe të shikojmë anën tjetër të tregimit.

Në vitin 1999, pas një dekade të konflikteve në Ballkanin Perëndimor, paqja u kthye në Kosovë. Mes viteve 2000 dhe 2010, ekonomia e Kosovës është rritur më shpejtë se mesatarja e Evropës. Bashkësia ndërkombëtare ka ndihmuar në rivendosjen e sigurisë, rehabilitimin e infrastrukturës, dhe në krijimin dhe fuqizimin e institucioneve publike. Dhe partnerët tonë kosovarë kanë investuar burime te konsiderueshme në reduktimin e varfërisë, hapjen e vendeve të reja të punës, dhe përmirësimin e mirëqenies.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) filloi punën e vet në Kosovë në gusht të vitit 1999. Këtë vit, ne do të festojmë përvjetorin tonë të 17-të. Në fillim, ne kemi qenë të përqëndruar në rindërtimin dhe rehabilitimin emergjent: ndërtimin e shtëpive, shkollave dhe qendrave shëndetësore, dhe rikthimin e energjisë elektrike për bashkësitë. Mijëra armë janë asgjësuar. Ndihmuam themelimin e një gamë të gjerë të institucioneve publike, krijuam mbi 10,000 vende të reja pune, dhe i ndihmuam Kosovës që të merr hapat e parë të saj drejt arritjes së qëndrueshmërisë së mjedisit.

Unë arrita në Kosovë në vitin 2013. Që nga ajo ditë, unë kam qenë i frymëzuar nga shpirti dhe potenciali i saj rinor. Së shpejti kuptova që, nëse Kosova nuk i fuqizon dhe këshillon të rejat dhe të rinjtë e saj, ajo mund të bjerë pre e një përzierje të rrezikshme të papunësisë, rritjes së zhgënjimit dhe rritjes së ekstremizmit. Si rezultat, shumë nga të arriturat që nga viti 1999 do të mundeshin vërtet të hidheshin tutje, “në ujë”.

Dhe vërtet, aq shumë njerëz të rinj që kam takuar janë jashtë shkollës dhe të pa punë. Shumë prej tyre, edhe kur janë të angazhuar në ndonjë lloj të arsimimit, nuk janë në gjendje të përshkruajnë se si do të duket e ardhmja e tyre. Afër 70 përqind të Kosovarëve janë nën moshën 35 vjeçe, por një numër relativisht i ulët i tyre e din se si është të kesh një vend punë. Vetëm 40 përqind të meshkujve në moshë pune, dhe 13 përqind të femrave në moshë pune janë të punësuar. Shumica e tyre e kanë bërë të qartë, në sondazhet e opinionit publik të UNDP-së të cilat publikohen çdo gjashtë muaj, që ata mendojnë se Kosova është duke shkuar në drejtim të gabuar, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.

Në vitin 2015 – duke u bazuar në një përvojë më të gjatë se një dekadë në krijim të punësimit – ne ndihmuam në krijimin e 1,000 vendeve të reja të punës me fokus të theksuar tek femrat, të rinjtë dhe bashkësitë pakicë.

Por, ngjarjet e fundit në Prishtinë janë një tregues që ne kemi ende një rrugë shumë të gjatë për të kaluar. Ne po përpiqemi të kuptojmë më mirë se çka do të ishte e nevojshme për të integruar edhe më shumë të rinj në ekonomi, dhe të nxisim gjenerata të reja të sipërmarrësve. Për femrat, kjo gjithashtu nënkupton edhe përmirësimin e qasjes në kredi, tejkalimin e barrierave kulturore të posedimit të pronës, dhe eliminimin e dhunës brenda dhe jashtë bashkësisë familjare.

Kemi edhe shumë sfida para nesh. Shpresoj që, së bashku, do të arrijmë të ndërtojmë një vend për lakmi ku të gjithë kosovarët do të jetojnë një jetë më të mirë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Andrew Ressell, kosova, rruga e prosperitetit

KAPEDANI I DETIT MURAT ÇEPAJ

February 25, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/

Prej brengës i kam të gjitha, pikërisht prej asaj që nuk e dëshiroja të ulur kështu këmbëkryq në jetën time. Herë-herë më duket se po më merr frymën, aq ngushtë më zë. Shpesh më bëhet sikur po më ikën dhe largohet tej, si ai qeni që pasi të kafshon, leh mbyturazi dhe të shikon me vëmendje asgjësuese, o për t’u sulur sërish kundër teje, o për t’u larguar më tej. Ideja se fajtore për gjithçka është brenga ime e pandashme, ma forcoi dita kur më erdhi në shtëpi për t’më ngushëlluar Murat Çepaj, nga Muradia e Vlorës. I prerë në fytyrë, me një hije lojcake të syve, me buzën e sipërme paksa të ngritur lart dhe me buzëqeshjen më të ëmbël midis burrave. Fjalështruar dhe zëulët, ai gjendej kurdoherë krahë teje. U takova me të duke m’u dridhur shpatullat dhe me një ndjesi të hapur dhimbjeje. S’kisha ç’fshihja më. Ishin ditë të pritjes së tmerrshme të kufomës së tim biri nga Italia. Dy javë të tmerrshme, shoqëruar me egërsinë e mahnitshme të pritje-përcjelljeve të njerëzve, të lëndimit të gjithnjëshëm të plagës së hapur. Tmerr më vete. Prisnim me shpresë se nuk do të kishte vonesa, njëlloj si shprehja «në duart e Zotit». U takuam dhe Murati më ndenji afër. Ky do të ishte takimi i fundit midis nesh, sepse do të vinte një kohë tjetër edhe më e egër se kjo dhe ne do të ndiheshim si jetimë të fatit tonë, pa duar e këmbë dhe pa një qeveri mbi krye…

«Ç’ke që e ha veten kështu?» – e pyeti im atë, i mbështetur para vetes mbi dorak, një shkop i gdhendur bukur e me merak ustai. Murati ngriti sytë dhe e pa me vëmendje tim atë, sikur të kishte marrë ndonjë goditje prapa kokës. Vërtet ishte një gjendje që s’të mbante dot me aq mirësi, për më tepër që burri para meje, detari i famshëm, ai që na mbante si ujët e pakët po dukej aq i leqendisur nga kjo dhimbje e hatashme që të çorientonte me gjithsej. Viktima e parë isha unë për momentin, po të mos shkoje në dhomën tjetër ku ime shoqe, nëna e tim biri, pothuajse nuk përmendej fare. E drobitur. Edhe Murati mungonte që ta rrëshqiste gjendjen në teh të thikës e ne të ndiheshim aq fatkeq. «Ah, Murat, biri im, është e tmerrshme, por bëj gajret për mua, për tim bir, për atë njomëzakun që humbi jetën, për…» Zëri i tim eti u përhumb…

E kisha njohur Muratin, kapedanin e anijes, në Vlorë, në një nga pushimet tona të verës në bregdet, gjatë fundviteve shtatëdhjetë. Shkak u bë shoku dhe miku im Qatip Mara, i cili më bëri përshkrimin e duhur dhe unë i përvetësova të gjitha fjalët. U takuam afër drekës, kur sapo doli nga Porti dhe erdhi drejt kabinave të Plazhit të Vjetër. Kishte marrë me vete, si duket nga gjahu i asaj nate, një arkë me sardele. Kurrë nuk kishim parë aq peshk. Dhe nuk vonoi t’i shtronim si duhet drekën, bisedën, studimet, punën, fëmijët dhe të merreshim vesh për bukuri. Ja, iku pesëmbëdhjetëditëshi po thoshte Murati, vjen i riu dhe mblidhemi te shtëpia ime. Zemrën e kishte të madhe, edhe pse nuk kishte shtëpi për vete: i sapomartuar dhe ku ngrysej nuk gëdhihej. Vështirë ta merrje me mend. Gruaja rrinte te prindërit e saj dhe ai në det. Anija ishte shtëpia e tij. Kurse dita kalonte nëpër hijet e pemëve. Gjashtë vjet hije më hije dhe veç ëndërronin për më tej. Ajo kishte mbetur pasuria e tyre. Ta shikoje ç’qeshje e ëmbël ia rrethonte fytyrën prej njeriu të mirë. Urimet, shëndetet me gota rakie (ende s’kishim qullosur në verë!), zëri i vobektë dhe si i ngjirur, madje i mbështjellë si karamelet me letër heshtjeje, barsoletat e bukura me detarë e peshkatarë, toni i ngritur për pjesëmarrjen patriotike, dëshira për të qenë gjithnjë i pari në çdo «betejë». I tillë ishte gatuar që në vogëli: kripa e detit aq sa duhej, bunaca e admirueshme, dallgët e kreshpëruara sa herë e zinte fortunali në befasi, vështrimi nga malet pranë si për t’iu larguar ngërçit në bisedë, shakatë e ëmbla. Të ishe në det netëve me furtunë do të duhej të viheshe kurdoherë përballë rrezikut. Ata gjuanin shumicën e rasteve brigjeve të Karaburunit, dilnin edhe matanë Sazanit dhe në faqe të Jonit, ngjiteshin sipas rrymës drejt Veriut ose mesit të Adriatikut. Një muskul vertikal e shoqëronte dinamikën e fytyrës së tij kur tregonte dhe kjo i jepte një hijeshi të pazakontë. E pëlqente vëmendjen e të tjerëve. U premtoi të dy djemve të mi se do t’i merrte në anije dhe se do t’iu bënte një xhiro në det. Thua se djemtë i mbante vendi? Dhe Murati aq donte, sa t’i nxiste për t’i futur në valle. E ku nuk vraponte imagjinata e tyre! Kapedanit i ishte mbushur mendja se mund të bënte shumë për dy djemtë dhe ata e pëlqyen menjëherë. Madje arriti puna që i madhi t’i bashkohej vrullit të mikut tonë të ri për një eksplorim të lumit të Vlorës, Shushicës. Se ai lumë qenkej i paeksploruar, de! Mendo ç’peshk do zëmë në zgafellet dhe gjeratoret smerald të kulluara të lumit! Peshk origjinal! Edhe këtë s’e kisha dëgjuar…

Si ajo ditë e parë erdhën edhe shumë të tjera. Atë verë ne kishim zënë po atë kabinë për dy pesëmbëdhjetëditësha radhë dhe do të kalonim gjysmën e muajve të pushimit në det. S’kishte ndodhur tjetër herë. Murati u kthye në njeriun e familjes. Vajtëm ku mundëm. Një mbrëmje e gjeta buzë detit tek po rrinte duke vështruar në thellësinë e bruztë. Ia vura re vuajtjen, madje ai vuante nga një brengë e pashërueshme, por gjithnjë e groposte brenda vetes me një dhimbje të padurueshme. Flladi ia merrte sytë gati të perënduar. S’kishte faj. Ajo që bënte ishte një vuajtje e madhe. Puna e rëndë, por vetvetiu e pëlqyeshme për atë që ishte mësuar me detin dhe me tekat e tij, e kishte bërë të bronztë. Historitë me detarët e mbytur në det netëve të egra e plot stuhi, të drithëronin e të shkaktonin një trazim të madh. Shumë më tepër vuante prej hapësirave që nuk i rrokte dot, prej hapësirave (edhe pse në det) bëheshin përherë e më të pakta. Murati priste të ndodhte diçka e bukur në jetën e tij. Vëllezërit, motrat, nipërit. Mbesat, e ëma, i ati dhe gjithkush tjetër ruanin një vend të madh në jetën e tij. I futur në punë që në vogëli, ai kishte fituar autoritetin e prindit mbi ta. Dhe jo se nuk e luante atë rol. Mundësia, të themi të vërtetën, i jepej shpesh. E kërkonin, e mbanin të mbyllur brenda, e prisnin me beft, i luteshin ta kryente ai dhe vetëm ai një punë, i kërkonin të mundshme e të pamundshme (kërkesat ishin të pafundme!), ai qe rob i kohës që vazhdimisht ndryshonte. Luhej teatër tejet absurd, i varfër, i pa mëshirshëm, teatër i përshkuar nga magjia e lëmoshës, sikur një dorë e një sy i largët në qiellin me yje a me rrufe, i filmonte… Vazhdimisht ndodhte e njëjta lojë e egër. Kush s’ka jetuar në det nuk arrin të kuptojë asgjë nga jeta. Përndryshe edhe kur ke fatin e të tjerëve në duar bëhesh vrasës ordiner. Kurse deti të mban dorën, frymën, të bën tjetër. Edhe malli të merr ndryshe, edhe takimet me njerëzit të nesërmen në Port janë krejt të tjera, habitshëm më të sinqerta, më të bukura, të rralla. Detari i duhet gjithkujt dhe nuk i takon as vetvetes. Sepse ka një brengë të madhe detari, sigurisht ajo s’i duhej më kujt, por njerëzit i kujtojnë gjithnjë me mall bëmat e tyre jo aq të rëndomta. Detarët e mëdhenj të kohëve që njohim nga librat janë vetëm ca të vërteta të mëdha që duhen besuar dhe duhet të të shërbejnë vëlla… Sa bënte vdekja në det, nuk gjeje dot fjalën e duhur për ta thënë. Kur vdisnin detarët rrethoheshin nga një brejtje ndërgjegjeje dhe viheshin palë-palë kurorat për harresën magjepsëse. Në vdeksha në det, thoshte si i përhumbur, kjo do të thotë se Zoti i madh ma ka përmbushur kërkesën…

E lashë të shikonte detin ndërsa tej dy delfinë harkonin kërcimet e tyre të mrekullueshme në ujin e kuqërremtë nga perëndimi. Hijet e mbrëmjes mbështillnin çdo gjë me një butësi të çmendur. Kjo duhej të qe mbrëmje e veçantë tokësore që Murati nuk dilte në det. E habitshme ishte skena e teatrit në det, zërat bëheshin më të thellë, skenografia e dallgëzuar, muzika e thellë dhe me sfond të magjishëm e ngashënjyes që të thëthinte, pa pikën e regjisurës, ndonëse nuk përtojnë ta quajnë si të hollë e të tejdukshme, sigurisht me tonet e një spontaniteti të papërmbajtur që ndillte çudira të llojllojshme plot shije e përkujdesje të panjohura. Enigma të rrethonte ngado. Dhe ti luaje përbindëshin ose njeriun e urtë. Të gërricnin në shpirt ide të llahtarshme po edhe të një ndjenje aq të thellë për hapësirën e pamasë, paqësore ose të xhindosur s’prishte punë, pjesë e lojës sate në atë skenë të paparë… Po, ai ishte Murati, kapedani i detit, që luante në skenën e tij, që sogjetonte të papriturat e erës, të frymës, të shpirtit dhe të magjisë së epërme e sublime. Njeriu dukej aq i vogël, thërrime. Nuk i shkonte asgjë hundëpërpjetësisë, madje kjo e kthente gjithçka me këmbë përpjetë. Pa le meloditë e holla të detit, orkestra e tij e jashtëzakonshme, këngëzimet që buitnin nga thellësia herë me magji shtazarake dhe herë me një shpirt të madh e jashtëzakonisht të kulluar. Dy hapa larg ishte deti i mbyllur dhe mund të dëgjoje belbëzimin e tij të trishtuar. Sepse deti tregon gjithnjë histori të trishtuara. Ka brengë të madhe deti! Aty është origjina e të tërëve. Deti të flet shumë bukur, me një art të madh, kurrë të dëgjuara ndonjëherë në skenat tokësore. Se betejat mbi tokë janë të pashpirta, të ftohta dhe të thata. Sado që përpiqen e rreken tokësorët (ata që rrojnë në stere!) s’e kanë dot sqimën dhe zellin e artistit, të mbyllura në kullën e ndershmërisë, fare pa çmim dhe si të ujdisura me shumë pasion e durim. Kurse deti ka brenda një zemër të madhe dhe shpirt të paepur përkëdhelie. Deti ka ajër madhështor, një zezonë të bukur që të bën për vete dhe të përpin derisa t’i mëson edhe ty sytë e shpirtit. E gjithë kjo madhështi supreme ka një çmim të lartë, shumë të lartë. Aty gjeje kësisoj qetësinë e shumëpritur, të amshuar, të largët, fshehur nga sytë e banalitetit tokësor. Eleganca e detit të përpin, të rrëmben, prandaj dhe ke dëshirën e marrë për të vdekur aty…

Do ta shtronim patjetër darkën, pa sajuar asgjë të tepërt. Asaj darke donim të sajonim enkas gjëra të vogla tërheqëse rrethuar me habi të padurueshme, por të domosdoshme ama. Do të tregonim gjëra të jetuara në det e në tokë dhe ndërkaq e dinim që stima e Muratit do të ishte e pakrahasueshme, e madhe, gati-gati me një elegancë të trashëguar nga deti, sepse ai njeri kishte lindur në prehrin e varfërisë dhe i qe drejtuar detit. Vinte që menatë buzëdetit, fisnikëria e të cilit i jepte për të ngrënë, për të veshur dhe sulej me not brenda tij, zinte peshkun me dorë, gjente gjithë çfarë hidhnin marinarët në thellësi:bidonë të mëdhenj, bidonë të vegjël, disa edhe të mbushur me letra të shkruara, gazeta, revista, najlonë, qeska të bukura, foto, takime, sende të çmuara. Të gjitha përfundonin në «tregun» te sofati i portës dhe Murati asaj dite do të ishte i lumturuari i madh: kishte siguruar gjëra të mëdha, një çapë bukë. Kjo mjaftonte sa vetë jeta! E kush ia falte? Deti! Sepse ai ishte fëmija i parë që puthej me detin. Dhe deti e mori, e bëri kapedan. E, me dashjen e tij, anijes i vuri emrin, duke ia gdhendur: «De Rada». S’ka më bukur. Rëndom mungonte estetika mbi stere, kurse në det do të çante dallgët me një pavarësi të kërthndezur De Rada. E tepronte ca me ato që bënte e që pas gjumit të paradites i ritregonte duke ripërtypur mendime. Se njeriu dallon nga kafsha, apo jo? A nuk ripërtyp ushqimin bagëtia? Poo. A nuk ripërtyp mendime njeriu? Poo. Ja, pra. Po ndoshta kjo ishte enigma e tij dhe e detit që e rrethonte. Do të donte që të shkëlqente si në një film që bëjnë regjisorët e mëdhenj me detin. E, ndërkaq, ai ia kalonte çdo regjisori të madh që ishte aty. Ai kurdoherë do të vinte me një shpirt të madh deti, duke zgjedhur melodi të rralla që uturinin përbrenda me një madhështi të pa treguar, si vepër e lartë mjeshtërore, tërë intimitet të madhërishëm shoqëruar kurdoherë me fllad të ëndur nervozizmi. Ngutej, gjithnjë pa kohën e mjaftueshme, i rrethuar nga një brerore pengese e zilie. Një grusht detarësh në De Radën e rij, brenda vetmisë së bukur e të thellë të detit, melodisë së tij plot finesë, shoqëruar me korin asgjësues të frymëmarrjes gjigante, duke përshpejtuar misionin fisnik, famën e lodhur, kryengritjen më të madhe të jetës, kredhur nën hijeshinë e një dashurie asgjësuese, një gjë e rrallë dhe me një ngjashmëri të hatashme me vdekjen, sa që s’duroje dot pa marrë frymë edhe njëherë për herë të fundit dhe sidomos pa buzëqeshur, pa qeshur me të madhe, se buzëqeshjen as e shihte dhe as e dëgjonte njeri. Të paktën të dëgjonin…

Dhe erdhi një ditë që deti e mbajti në gjirin e tij, do të çahej De Rada, ndoshta për t’ia parë burrërinë edhe një herë. Mos qe etur De Rada? Lexonte shumë Murati, kapedani i detit. Romanet e lexuara prej tij janë atje në Çole te shtëpia që arriti ta merrte një ditë. Por librat e Muratit i gjen edhe në Muradie, rrëzë Kuz Babasë, atje ku lindi dhe u rrit, por mund t’i gjeni edhe në fund të detit atje ku fle ende De Rada i tij si i dalë nga mitet. Mua përherë do t’më sillet në kujtesë ajo dëshira e tij për të luftuar në Kosovë, përkrah vëllezërve të gjakut. Kishte një gjë krejt të vetvetishme e të bukur ai njeri. Dhe tani, ka njëzet vjet gati që bisedon me detin. Sozí e njeriut të përjetshëm. Asket i Adriatikut të shenjtë dhe i ujërave të tij! Aty është guva e thellë ujore ku lutet e lutet pa fund për fatin e njerëzve mbi stere dhe kjo kohë e gjatë është sakrificë e skajshme që pret t’i shfaqet shenjti i madh, Bindi i lavdishëm i ujërave dhe Lebetitë e qiellit. Dritë, jeta kërkon dritë. Dhe ai, Murat Çepaj, kapedani i madh i detit, s’mund ta mbante për vete dritën në fund të detit. Por deti sikur t’ia kuptonte qëllimin e ruajti përjetë aty në guvën e tij të thellë e të përshpirtshme. I bekuar do të shpallet një ditë, me siguri. Shtegtonte shpirti i tij nëpër ujëra…

Ndoshta s’do të kridhesha kaq thellë po të mos ishte ajo batutë e tim eti. Kishte parë vërtet një dritë të veçantë në sytë dhe shpirtin e mikut, të cilin e nderonte si shenjë mbarësie, si dalje në dritë… Mos vallë, që nga ai çast edhe ai po nisej, për të parë tej botës sonë, në qiell dhe në det? Vetëm një plak i madh çuditshëm mund ta kuptonte këtë. Diçka përdëllyese.

Shihte i përmalluar, ndërkohë që lotët dhe britmat i la mënjanë. Po refuzohej diçka e madhe dhe e padrejtë, duke mbajtur mbi krye një kurorë xigluese fjalësh. Janë kurorë e bukur fjalët dhe Murati i ardhur nga thellësia e asaj që aspironte, ndjente që velej shpejt prej dëshirës që të dëgjonte atë që gatuajnë raste të tilla të rënda fatkeqësie. Ai mund ta kuptonte kotësinë e gjërave pa peshë dhe, ndonëse synonte larg, me një dritë të paimagjinueshme, hidhte dritë mbi vetveten. «Më dhemb shumë kjo gjëmë!» «E, prandaj janë gjëmat, për të dhembur e për të provuar burrat» Pas këtyre fjalëve të tim eti, Kapedani mori frymë thellë. T’ia ndije frymëmarrjen e kuptoje menjëherë brengën e thellë, drobitjen e madhe, si diçka të pandreqshme. Një hije thjeshtësie thuajse ia përshkoi fytyrën e dhembshuruar, brenda përdëllimit dhe dritës që ruante përbrenda. E kam vërejtur me shumë kujdes fytyrën e atij njeriu ato çaste. Vërtet të kaplonte një ëndërrim i çartur si sensacion i fortë, ndoshta për hir të tensionit të rëndë të vdekjes. M’u bë se po mendonte çastin e rëndë të asaj çfarë kishte ngjarë, po edhe ëndërrimin e tij për detin dhe guvën në thellësi të tij.

E dallova se ai donte të shprehej përsëri, por e shtypi dëshirën e brendshme e të pa shprehur, që nganjëherë humbet e tretet teksa kërkon të shpërthejë e ngashënjyer pse jo prej dritës së fuqishme që buron vetiu. Sa e kam njohur atë çast nuk pata kurrë mundësi ta njihja më parë. Një çast vlen sa një jetë. S’mund të të mashtrojë e as të lërë në baltë, sepse mendimi nuk vithiset në humbëtirat e brendshme. Jeta vjen një ditë dhe merr tatëpjetën, por mbetet në një hir të mjaftueshëm për të arritur tek suksesi. «Faleminderit Murat, biri im», tha im atë. «Burri i fortë në të keq duket dhe fjala e tij mbahet mend…» «S’të ngushëlloj dot, baba…» «Fjalë që vjen erë deti, bir. Të ka hije!» Dhe mua, meqë ishte takimi i fundit, ajo hije burri më mbeti në mendje, kur deti nuk e nxori në breg kapedan Muratin dhe e mbajti në thellësinë e mrekullueshme të gjirit të të tij të errët, duke rënkuar thellë herë pas here me një sqimë dhe elegancë të përsosur. Shpesh më bëhet se takimi me të ka qenë thjesht një ëndërr e mrekullueshme, sidomos pse më tingëllojnë ende ato fjalë të fundit. Njeriu mbahet mend edhe prej një fjale, sigurisht nga ato që mbajnë erën e detit dhe vijnë nga shpirti i tij përfund thellësisë, që u bë shtrati i përjetshëm i kapedanit Murat Çepaj…

 

Tiranë, më 22.02.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: KAPEDANI I DETIT, MURAT ÇEPAJ, Xhevair Lleshi

Kosovë-Thaçi: Ju ftoj që të festoni në shtëpi!

February 25, 2016 by dgreca

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, i kandiduar për President të Republikës së Kosovës, ka shkruar sonte në ‘facebook’:

Miq të dashur,

Ju falënderoj përzemërsisht për urimet tuaja dhe gatishmërinë që keni shprehur masovikisht për të ardhur në Prishtinë për të festuar zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Nesër duhet të jetë ditë e vërtetë e festës së demokracisë dhe tranzicionit të suksesshëm në respekt të Kushtetutës sonë dhe vlerave më të larta europiane, përmes një procesi transparent dhe demokratik. Nesër është dita kur Kosova do t’i dëshmojë tërë botës se respekton institucionet, Kushtetutën dhe proceset demokratike. Do te jem gjithmonë me ju dhe pranë jush. Kemi bërë një rrugë mjaft të gjatë dhe të sukseshme së bashku. E ardhmja do të jetë edhe më sfiduese, por bashkërisht do t’i arrijmë të gjitha. Së bashku fituam lirinë dhe pavarësinë, së bashku do ta integrojmë Kosovën në NATO dhe BE. Nesër bota do t’i ketë sytë nga ne, të tregojmë pjekuri shtetërore dhe qytetare.As nesër, as pasnesër dhe asnjëherë nuk duhet të kemi ditë të ballafaqimeve dhe dhunës në rrugë. Neser duhet të kemi një ditë normale dhe të festës dinjitoze. Unë, duke u përulur me respektin më të madh për secilin nga ju, iu ftoj që të festoni në shtëpitë tuaja, me familjet tuaja dhe kështu të gjithë të tregojmë pjekurinë politike dhe respektin ndaj institucioneve për të cilët luftuam së bashku në luftë dhe në paqe. HTH

Filed Under: Opinion Tagged With: Hashim Thaci, Ju ftoj, te festoni ne shtepi

“Une kame një ëndër” të përafërt me ëndrën e Martin Luter Kingut

February 25, 2016 by dgreca

Shkruan:Zenel Çeliku/

TIR-FAX News Agency/

Në SHBA rreth viteve 1963, afrikano-amerikanët përballeshin me  diskriminimi rracor, të cilëve në disa shtete të Amerikës I ndalohej të votonin, dhe nuk I ofronin për punëra të mira, pa lënë pas dore varfërinë e tyre. Dr. Martin Luter King u bë flamurtari dhe avukati I paepur për mbrojtjen e të drejtave civile të afrikano-amerikanëve dhe grupeve të tjera  rracore, që ata të shikohen si të barabartë me të bardhët, dallimet dhe diskriminimet rraciste të mos egzitonin më, që liria të mbizotërojë në SHBA. Nëse Amerika do të jetë një komb i madh, kjo duhet të bëhet e realitet. Vërtetë Dr. Luter King me kauzën e tij, u bë figura më e dashur  jo vetëm për njerëzit me ngjyrë, por edhe për shumë e shumë të bardhë që e mbështetën pa rrezerva kauzën e Luter King  “Unë kamë një ëndërr”, kauz e cila flururoi në tërë botën. Edhe më I famshëm u bë Dr.King, kur mbajti një fjalim historic në Uashington, në Gusht 1963, si aktivisti i të drejtave civile ku deklaroi ; “ dua që fëmijët e mi të jetojnë një ditë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.” Fjalimi I Luter Kingut bëri jehonë në tërë Amerikën, por edhe mbarë botën. Dhe ja, më 2008, në SHBA për të parën herë zgjidhet një president afrikano-amerikan I suksesshëm, ku me bindje mundet të themi se, ëndrra e Martin Luter Kingut, u bë realitet.E pra, kjo është Amerika, ku sot nuk ka dallime ngjyre, ndaj edhe unë dua të shpreh hapur mendimin tim të lirë ashtu si Dr.Luter King  5.3  dekada më parë. Unë do të respektoj pa asnjë mëdyshje cdo president të SHBA-ve, por si një dashamirës I Amerikës, kamë të drejtë dhe vlerësim objektiv që të themë;  “I Have a Dream” (unë kamë një ëndërr), që SHBA-të  të bëhen për të parën herë me president femër, e cila I ka të gjitha mundësitë, aftësitë, përvojën, kapacitetet dhe vullnetin që ta drejtojë Amerikën në rrugën e duhur dhe drejt suksesit të pa diskutueshëm, dhe kjo është Zj. Hilari Klinton.

“Unë e kamë një ëndërr”, si një nga shqiptarët që e duan Amerikën, tek e cila shikojmë mikun dhe partnerin strategjik të shqiptarëve. Zgjedhjet për presidencën amerikane po ofrohen, dhe e gjithë bota sytë I kanë nga SHBA-të, atje ku një nga figurat më potente, dhe më pretëndente, është një feëer shumë e dashur për amerikanët, por aq e dashur edhe për shqiptarët. Ish Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës-Hilari Klinton, senatore dhe Sekretare e Departamentit të Shtetit, tashmë në garë për fronin e presidentit të SHBA-ve, pa dyshim ka kaluar edhe moment shumë të ngarkuara dhe delicate, ndaj disa momente mjaft të rëndësishme Zj. Klinton I ka përshkruar në biografinë e saj me titull, “Vendime të Vështira. Gjithsesi, unë duke e ndjekur me shume kujdes politikën amerikane, ka shumë rëndësi të theksoj se Hilari ka shumë energji, forcë dhe aftësi për të hecuar përpara dhe për të dhënë gjithshka për Amerikën, gjë për të cilën ajo ka ndërmarë këtë inkursion shumë serjoz, shumë të guximshëm dhe historic për atë personalisht, por historic edhe për SHBA-të që do të kenë për herë të parë një femër president-kjo është bindja ime e pa lëkundur. Kudo që shkel  kandidatja demokrate për presidencën amerikane Znj. Hilari Klinton, priet me shumë popullaritet, me dashuri dhe me vlerësime mjaft pozitive. Po ta ndjekësh Znj. Klinton në fushatën e sajë, e shikon plot energji, kupton se tek Ajo spikat  shumë entuziazëm, dhe  atmosfera ku Hilari është prezente merr flakë nga prezenca e sajë shumë popullore, e shoqëruar me muzikë. Hilari Klinton, ndiqet nga miliona e miliona amerikan që e adhurojnë, duke e parë si figurën më pretendente për presidencën e ardhshme. Në një takim me elektoratin democrat amerikan në Nju York, Hilari tha, jamë e re në shpirt dhe në zemër, jamë plot vitalitet dhe energji, nëse amerikanët do të votojnë për mua, unë do të jemë presidentja e parë  femër në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe më e re në moshë. Një tjetër avantazh që kam është se, ndryshe nga presidentët amerikan meshkuj që janë thinjur në Shtëpinë e Bardhë, mua nuk do të më shihni të thinjem sepse unë kam vite që i lyej flokët. Me këto fjalime ku edhe shakaja dhe humori I sajë zë vëndin e tijë, Znj. Klinton troket kudo tek amerikanët me shumë inteligjencë, ajo bën për vehte masa të gjëra simpatizantesh që e ndjekin anë e mbanë Amerikës profilin e sajë shumë simpatik. Edhe pse respektimi ndaj kundërshtarit është një element kyç në demokracinë amerikane, jo rrallë herë ka ndodhur që kandidatët për president në SHBA, kanë kaluar në denigrime ndaj kundërshtarëve, ndërsa Hilari ndryshe nga ndonjë tjetër kadidat konkurent I fortë për Zj.Klinton, në asnjë rast Ajo nuk sulmon kundërshtarët e sajë. Ajo me mjaft etikë, me shumë pjekuri politike, modeste dhe shumë e angazhuar si një ZONJE e madhe, me mjaft kurajo dhe me shumë personalitet, përballet me kundërshtarët e sajë duke iu imponuar atyre respekt. Unë pa ndrotje deklaroj se jamë plotësisht I bindur se Znj. Klinton, do të  jetë kandidate e demokratëve për presidencën në SHBA, duke e bërë shumë interesante fushatën në momentet e finalizimit të sajë. Për kadidatin e pritshëm republican Z. Donald Trump, Hilari  në takimet me simpatizatet e sajë, asnjëherë nuk e ka atakuar  personalisht Trump ,por ka folur për republikanët si forcë politike në tërësi, për idetë dhe qëndrimet e republikanëve në masë, të cilat ndryshojnë nga idetë dhe qëndrimet e demokratëve amerikan. Hilari me shumë kulturë është e gatshme të debatojë me kandidatët e tjerë brënda dhe jashtë partisë së sajë, lidhur me rrugën në të cilën duhet të vazhdojë Amerika,  se si do të realizohen premtimet dhe planet e tyre, si dhe në çfarë mënyrë do të krijohen vënde të reja punë, si do të operohet me shërbimet shëndetsore, ku do të gjëjnë fondet për të bërë realitet angazhimet e tyre në fushatë, e të tjera element ku ka vënd për debate konstruktive.

Znj. Klinton ndalet shpesh në problemet sociale, për ekonominë amerikane, për politikën e jashtme të Amerikës dhe për gjithshka që  Ajo mundet të bëjë për popullin amerikan. Ajo nuk premton gjëra të pa mundura dhe të pa studiuara, por me mjaft modesti ndalet tek problemet e lartpermendura duke ofruar kontributin e sajë nëse ajo do të jetë presidente e SHBA-ve. Jamë I bindur se republikanët amerikan nuk do të gabojnë për të sulmuar në mënyrë të ashpër dhe pa kriter Znj. Klinton, sepse ata e provuan me Xhon McCain, që I bëri sulme personale Obamës në zgjedhjet presidenciale të 2008, dhe e humbën presidencën, ku president I SHBA-ve për te parën herë u bë një afrikano-amerikan, tek I cili u realizuar ëndra e Dr. Luter Kingut .

Angazhimi I madh politik dhe qytetar që  ka ndërmarë Zj. Klinton, kurajo e sajë e madhe për të marrë përgjegjësi të mëdhaja dhe për ti përballuar ato me sukses të plotë, Ajo ka marë parasyshë ngarkesën e madhe të shtetit më të fuqishëm të globit, personaliteti, integriteti dhe pjekuria politike në karierën e deri tanishme të sajë, inteligjenca dhe përvoja e sajë e çmuar, pa dyshim do ta bëjnë Hilari Klinton, presidenten e para femar ta Amerikas, dhe me siguri do të jetë president e suksesshme. Ja pra, “kjo është ëndra e ime”, por pa dyshim edhe ëndra e shumë e shumë shqiptarëve kudo që ata janë.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: ëndër, Martin Luter King, Zenel Çeliku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT