• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

Nje tregim per mikun tim

February 25, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

E njoha shumë vite më parë në kondita të jashtëzakonshme. Isha i burgosur në qelinë nën rampën e shkallës, që të çonte në katin e dytë të godinës së sigurimit. Fare pranë saj, nën shesh pushimin, ndodhej një qeli tjetër, që formonte me qelinë time germen L. Dritaret e vogla me hekura ndodheshin aq pranë njera tjetrës, sa nëpërmjet tyre mund të komunikoje ose shkëmbeje ndonjë send. Atë e prunë një natë vonë. Duhet të kishte kaluar mesi i natës. Dëgjova këmbët e gardianëve që zbrisnion shkallët dhe mendova se mos vinin për të më marrë mua. U ngrita ngadalë dhe pashë nga dritarja. Atë po e binin duke e hequr zvarrë. E kishin torturuar aq shumë, sa nuk mund të qëndronte dot në këmbë. E përplasën në qelinë ngjitur dhe u larguan nga kishin ardhur.

U afrova në dritare dhe i fola me zë të ulët që të mos më dëgjonte roja e brendëshmje që kishte kaluar nga qelitë e tjera:

– Hej, kush jeni? Nga vini?

Asnjë përgjigje. Nga qelia pranë vinte një rënkim i mbytur, por atë nuk e shikoja. E përsërita edhe një here pyetjen. Mbas pak pashë një fytyrë të gjakosur, që u ngrit me vështirësi dhe duke u mbajtur mbas hekurave të dritares

– Ujë! – tha me gjysmë zëri.

Vështrova rreth e rrotull dhe kapa shtëmën e vogël që mbaja me ujë dhe u mundova t’ia jepja, por hekurat nuk e lejonin. Sytë më vajtën te këpucët e mia. Mora njerën, e mbusha me ujë dhe ia dhashë. E piu me një frymë. Ia mbusha përsëri dhe e piu po ashtu deri sa e mbaroi të gjithë shtëmën.

– Faleminderit, nuk do t’ju a harroj kurrë! – më tha.

Mbasi e mori pak veten më tregoi emrin e tij. Ishte një moshatari im, nxënës i vitit të parë të shkollës tregëtare. Biri i një ish tregëtari të njohur të qytetit. Ishin gjashtë veta në familje., dy prindërit, një motër dhe tre vëllezër. Motrat e tjera ishin të martuara. U kishin shtetëzuar gjithçka, fabrikën e vajit, dyqanin, ullinjtë dhe tani jetonin vetëm me rrogën e së motrës apo duke shitur herë mbas here plaçkat e vyera të shtëpisë. Një vit më parë i kishin dënuar edhe njërin nga vëllezërit.

Çfarë krimi kishte kryer që e kishin burgosur? Asgjë më tepër, por vetëm e vetëm se kishte guxuar të shkruante nëpër fleta fletoreje, vargje patriotike të marra nga poetë të ndryshëm, të cilat i ngjiste nëpër muret e qytetit, së bashku me dy shokë të tjerë të moshës së tij. Ja se çfarë shkruante në njerin prej tyre:

 

“ E dashura mëmëdhe,

Të dua dhe kështu si je,

Por kur të të shoh të lirë,

Do të të dua më mirë! “

 

Kaluam së bashku në qelitë pranë njëra tjetrës për gjashtë muaj. Pastaj mua më dënuan dhe më hoqën prej andej. Mbas pak kohe u dënua edhe ai, por fati e solli që të endeshim nëpër burgje dhe kampe të ndryshme, por asnjëherë të mos takoheshim së bashku.

U takuam mbas shumë vitesh. Ishte martuar, lindur fëmijë. Punonte si murator në sektorin e investimeve të ndërmarrjes bujqësore “ Vlora “.

Viti 1990. Një erë e re lirie filloi të fryjë mbi vendin tonë. Sytë e mikut tim filluan të

ndriçojnë nga shpresa për të ardhshmen,. U angazhua me përkushtim në Shoqatën e të Përndjekurve Politikë të vendit si antar i forumeve drejtuese të saj. Nuk u angazhua në asnjë prej forcave të reja politike të krijuaranë atë kohë.

Ngjarjet e vitit 1997 e tronditën së tepërmi. U tërhoq nga të gjitha aktivitetet dhe u mbyll brënda vetes së vetë. Vitet e fundit nuk e takova më. Më thanë se kishte shkuar për të banuar në fshatin e gruas së tij.

Vendosa të shkoj për ta takuar. Mora autobuzin e linjës dhe u nisa. Banonte në shtëpinë e vjehrit të tij. Kur u afrova te porta e shtëpisë dëgjova një zë që këndonte një këngë të vjetër. Trokita. Asnjë përgjigje. Trokita për së dyti dhe përsëri asnjë përgjigje. Atëhere hapa portën dhe hyra brënda. Bëra disa hapa dhe qëndrova pranë portës së hapur të njërës nga dhomat e shtëpisë. Aty pashë mikun tim të ulur pranë një tavoline me kokën të futur midis pëllëmbave të duarve të tij. Disa letra të shkruara ishin përhapur mbi tavolinë. Miku po këndonte me një zë të ulët:

 

“ Në kohën e pleqërisë,

Më zunë hallet e rënda,

Për shkakun e Shqipërisë,

Që s’u bë si ma kish ënda! “

 

U kollita që ta zgjoja nga ëndrrat ku ishte zhytur. U kthye, më pa me habi dhe u ngrit në këmbë. Për një çast mbetëm, të dy pa folur.

– A pranoni miq! – i fola më në fund.

– Miqtë e mirë në shtëpi të mirë, – u përgjigj duke më përqafuar me mall.

U ulëm dhe filluam të bisedojmë. Sejcili tregonte ngjarjet e veta. Folëm dhe qamë hallet ashtu si nuk i kishim qarë ndonjëherë. Për herë të parë aty mësova disa anë të karakterit të tij që nuk i kisha njohur më parë.

– Kur u lirova nga burgu, – filloi të tregonte miku për veten e tij, – kërkova të vazhdoj shkollën e mesme. Ishte një dëshirë e madhe e imja. Pas shumë pengesash më në fund më lejuan. Por gjatë katër viteve të shkollës ndieja mbas vetes diskriminimin që më bëhej nga një pjesë e mësuesve apo edhe deri nga nxënësit e klasës. Vendosa që kësaj t’i kundërvihesha me rezultate të larta. E mbarova shkollën shkëlqyeshëm.

U ngrit hapi një sirtar dhe nxorri prej andej dëftesën e pjekurisë që e ruante me kujdes të madh. Ma tregoi pa më thënë asnjë fjalë. Kur e hapa një drithtërimë më përshkoi të gjithë trupin. Dëftesa fliste vetë. Pranë çdo lënde ishte shënuar nota “ 10 “ dhe pranë saj shënimi   “shumë mirë “.

– Po pastaj? E pyeta pa e ditur edhe vetë përse.

Pastaj? Asgjë. Isha i vetmi i klasës që nuk m’u dha e drejta e studimit për shkollën e lartë. Megjithatë një gjë të tillë e prisja.

Mbasi qëndroi një cope herë pa folur vazhdoi:

– E paharruar do mbetet për mua mbrëmja e maturës. Meqënëse ne, maturantët e shkollës së mbrëmjes, ishim pak, këtë e zhvilluam së bashku me ata të ditës. Kur mbrëmja arriti kulmin e saj, siç ishte zakon në raste të tilla, filloi ndarja e fletëve të nderit. Emri im nuk u dëgjua. Nxënësit filluan të pëshpërisin me zë të ulët. Të gjithë i dinin rezultatet e mia. Unë qëndroja i heshtur në qoshkun ku ndodhesha. Atëhere drejtori i shkollës për të përmbysr këtë gjendje, ndërhyri me shpejtësi dhe propozoi që, sipas dëshirës, të recitohej ndonjë poezi, të tregohej ndonjë anekdote, apo gjëra të tjera të këtij lloji. Për të dhënë shembullin e filloi vetë me një të tillë. Pastaj vazhduan dhe të tjerë. Gjëndja ndryshoi.

Papritmas më lindi idea se duhej të bëja diçka., duhej t’i kundërvihesha këtij diskriminimi. U ngrita dhe thashë se do recitoja diçka. Nuk foli asnjeri. Fillova të recitojë poezinë  “ Ultima Verba “ të Viktor Hygoit, strofën e fundit të së cilës e kisha përdorur dikur në traktet e mia:

 

“ Njëmijë po të mbeten, do mbetem edhe vetë,

Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem jo q’aty,

I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë,

E në mbet vetëm një, unë do jem ay! “

 

Një veprim i tillë nuk e di se si më shpëtoi nga një burgim i dytë. Ndoshta fati im.

U ngrit, hapi një dollap, nxorri dy gota dhe një shishe raki dhe mbasi i mbushi m’u drejtua:

– Gëzuar, le të pimë për këtë takim!

– Për miqësinë tone! – u përgjigja unë.

Biseduam gjatë. I tregova për jetën time. Folëm për shoqatën tonë, për partitë politike, për Shqipërinë.

– Kur hyra dëgjova që po këndoje një këngë të vjetër, – i thashë.

– Jetuam një gjysmë shekulli në skëterrë dhe kur shkrepi dita e lirisë, menduam se më në fund ajo do të na jepte edhe neve atë dritë që na kishte munguar. Por u zhgënjyem. Me lirinë u spekullua. Ajo u bë pronë e varrmihësve të saj. Ata u bënë papritur ithtarët e saj, kurse ne mbetëm në hije. Lirinë duhet ta administrosh mirë, përndryshe mund ta humbësh në çdo çast. Kështu e pësuam edhe neve.

Më 20 shkurt 1991 rrëzuam monumentin e diktatorit. Atëhere menduam se bashkë me të rrëzuam edhe përbindëshin që na kishte shtypur për gati një gjysëm shekulli. Por koha tregoi se kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumenti, ndërsa shpirtin e zi të tiranit e kishim lënë të lirë të endej nëpër vendin tonë, për të komplotuar dhe përgatitur katastrofën e madhe kombëtare të vitit 1997. Ndaj më pëlqen shumë ajo këngë e vjetër të cilën e këndoj shpesh herë me veten time.

Më vjen shumë keq, por në këtë valle u futën edhe disa nga njerëzit tanë. Me siguri ata i kishin mbetur borxh diktaturës dhe tani po ia kthenin atë. Edhe njëherë liria pushoi së ekzistuari. Edhe njëherë filloi të shtypet mendimi i lire. Edhe njëherë filloi të sundojë shtypja dhe diskriminimi. U rikthyen përsëri vitet e para të mes shekullit të kaluar. I vetmi ndryshim ishte se ndërsa atëhere flitej me gjuhën e mbrojtjes së fitoreve socialiste, sot flitet me gjuhën e pseudodemokracisë që sundon vendin. Dhe kjo është shumë më e rrezikshme. Sot në Shqipëri mungon nocioni i ligjit dhe ku nuk ka ligj, nuk mund të ketë as shtet.

Miku heshti përsëri. Kthyem gotat e rakisë. Pinim dhe vazhdonim bisedën tonë, e cila sa vinte dhe bëhej më interesante.

– Sot Shqipërinë e sundon dora e zezë. Eshtë po ajo dorë që masakroi mijra qytetarë shqiptarë, që shkatërroi çdo gjë të mirë që kishte ky komb. Hidhe vështrimin nëpër Shqipëri. Rinia po fluturon nga sytë këmbët, për të siguruar një jetë më të mirë, por që shpesh herë gjen vdekjen. Ata që qëndrojnë këtu janë të uritur dhe nuk gjejnë mjet për të shpëtuar nga kjo gjendje. Korrupsioni po futet në çdo qelizë të jetës. Po kryhen vrasje nga më mafiozet. Trafikimi i njerëzve dhe drogës, si dhe prostitucioni janë në rend të ditës. Kjo dorë e zezë duhet prerë.

– E si mund të arrihet kjo simbas teje? – e ngacmova unë.

– Natyrisht jo ashtu si ëndërronte shoferi furgonit të mishit në “ Dimrin e Madh “ të Kadaresë. Më vjen keq që shkrimtari i madh nuk arriti të kuptojë karakterin tonë. E ç’është për ne hakmarrja e vogël kundër spiunëve pa moral, hetuesve të pashpirt apo gjykatësve kukull, karshi përçmimit të madh të kombit kundër sistemit të urryer që e shpërfytyroi nëpërmjet krijimit të të ashtuquajturit njeri të ri socialist?

Heshti sa për të marrë pak frymë, pastaj vazhdoi:

– Kur u emërua komandant i forcave aleate në Gjermani, gjenerali Ajzenhauer i vuri si detyrë të parë vetes denazifikimin e Gjermanisë. Kurse ne nuk e bëmë dekomunistifikimin e Shqipërisë. Për këtë mungonte dëshira sepse njerëz të ndershëm për këtë ka plot. Por ata janë lënë në hije. Vendin e tyre e kanë zënë ata që në vitin 1992 fshiheshin si struci, ndërsa sot kanë veshur petkun luksoz të demokratit.

– Pendë  këndezi  kunadhja  vënë, – e  ndërpreva  unë  duke cituar vargjet e fabulës së

famshme.

– Pikërisht ashtu. Para pak kohe gjatë një ndeshje futbolli në stadiumin e Romës u çfaqën disa parrulla naziste. Kjo mjaftoi që të ngrinte në këmbë opinionin publik dhe bashkë me të edhe qeverinë italiane. Kurse te ne vazhdon të hymnizohet diktatura nëpërmjet gazetave dhe televizioneve, nëpërmjet shkollave dhe konferencave. Në rradhë të parë të kësaj fushate janë vetë pushtetarët.

Padashur vura buzën në gaz. Ai e vuri re, më pa me vëmendje dhe vazhdoi:

– Ata nuk kanë kurajon të pranojnë se ishin dritshkurtër, kur besonin verbërisht në komunizmin e dështuar që në lindjen e tij. Ata nuk kanë kurajon të pranojnë të vërtetën edhe atëhere kur janë të bindur për ekzistencën e saj. Ata janë gati të pranojnë çdo lloj flirti, vetëm e vetëm të mos u preken interesat e tyre të ngushta.

– Po e vërteta? – e pyeta unë.

– Ajo do të dalë kur të vendoset demokracia e vërtetë. Kur të shkrijë dëbora do të zbulohen si lulet edhe plehrat. Kështu është edhe demokracia. Ajo shpërndan mjegullën, ndan të vërtetën nga gënjeshtra, tradhëtinë nga patriotizmi. Ajo ndëshkon fajtorët.

– Çfarë po shkruan ? – e pyeta mikun duke dashur të ndërrojë temën e bisedimeve.

–           Jetën time dhe të miqve të mi. Shtrydh kujtesën dhe nxjerr ngjarjet më të rëndësishme që më kanë ndodhur mua, apo m’i kanë treguar miqtë e mi. Janë ngjarje që nuk duhen harruar. Janë një dhuratë për brezat e ardhshëm. Eshtë detyra e jonë t’i shkruajmë, për t’iu a kaluar atyre. Nuk janë kushedi se çfarë, por mendoj se duhen treguar. Por më parë lejomë të të tregoj një ngjarje që më ka ndodhur shumë vjet më parë.

Përplasëm përsëri gotat e rakisë duke uruar njeri tjetrin, pastaj miku vazhdoi:

– Vazhdoja vitin e parë të shkollës së mesme të mbrëmjes. Mësues Milo Duni, mësues i nderuar i letërsisë që, mbas disa vitesh, do provonte edhe ai burgun, po shpërndante fletoret e hartimit. Ishte një temë e lirë mbi fillimin e vitit të ri shkollor. Për habinë time vura re se në fletoren time nuk kishte vënë notë. Në vend të saj ishte shkruar me laps blu:

– Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime.

Ndërsa më poshtë vazhdonte të shkruante me laps të kuq të vendosur në thonjëza

“ Po të kesh kohë të lirë! “

Më bëri përshtypje ky detaj. Isha relativisht i ri, pa preokupime të mëdha familjare dhe si rrjedhojë kisha plot kohë të lirë. Ç’donte të thoshte mësuesi me fjalët në thonjëza, shkruar me laps të kuq?

Megjithatë ndoqa këshillën e tij. Shkrova një tregim ku personazhi kryesor ishte një fëmijë jetim, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e luftës. E dërgova për botim në gazetën “ Letrari i ri “ që botohej në atë kohë. Mbas disa ditësh mora një përgjigje lakonike ku thuhej se shkrimi im nuk mund të botohej mbasi i mungonin disa kërkesa të kohës.

Atëhere e kuptova se ç’donte të thoshte mësuesi me fjalët në thonjëza E kuptova se për shkrimet e mia do të qëndronte e ndezur drita e kuqe që do ndalonte botimin e tyre. Kështu që nuk shkrova më. Ndoshta bëra gabim. Mund të kisha shkruar dhe t’i ruaja në shtëpi pa i botuar. Por kështu e mendova.

Solla një shembull fare të rëndomtë ku sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po aq totalitare të artit, për t’iu kundërvënë mendimit të lirë, formulën e realizmit socialist, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe që krijoi vepra standarte që në me të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.

Ktheu goten e rakisë dhe e piu të gjithën. Unë e vështroja me vëmendje. Nuk kisha dëshirë të flisja, por rrija dhe dëgjoja atë me një endje të madhe.

– Diktatura përdori të gjitha mjetet për mbytjen e çdo shkëndije të lirisë. Ajo i shpalli luftë inteligjencës së trashëguar nga e kaluara e vendit, duke e eliminuar atë plotësisht. Nuk janë të rralla rastet kur shkencëtari, fillozofi, shkrimtari, gazetari apo artisti dërgoheshin para togave të ekzekutimit. Të tjerë do provonin për vite me rradhë qelitë e errëta të burgjeve, denigrimet e kampeve të internimit, nga ku një pjesë e mirë prej tyre nuk do të ktheheshin më kurrë.

Por talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat apo prangat e hekurta në vend të nënshtrimit apo lirisë së përdhunuar. Të tjerë heshtën dhe nuk shkruan më. Një pjesë e tretë nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte të koncentruar brënda vetes një kod të brëndshëm demokratik të lirisë dhe bukurisë njerëzore. Një kategori tjetër zgjodhi një rrugë më të maskuar dhe më pak të rrezikshme. Brënda veprave të tyre që, natyrisht nuk mund të dilnin jashtë suazës në të cilën jetonin, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera indirekte, jepnin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë.

Veprat e këtyre talenteve patën meritën se mbajtën gjallë ndërgjegjen kombëtare të vendit, qoftë edhe si ushqim i ëndrrave më intime të individit, se një ditë ato do të bëheshin realitet. Ato frymëzonin dashurinë për kombin, që në atë varfëri shpirtërore ku e kishte katandisur sistemi, shqiptarët të gjenin veten duke pasuruar shpirtin me ndjenjën e së bukurës, urtësisë, dijes dhe mendimit të lirë.

Miku im vazhdonte të fliste e të fliste me një pasion të madh dhe unë rrija dhe e dëgjoja.

– Por çudia më e madhe më ndodhi në Marsin e vitit 1991. Ishin krijuar partitë e para opozitare. Kishin filluar të dilnin gazetat e para të djathta. Mendova se kishte ardhur koha e ime. Bëra një shkrim ku flitej për televizionin shqiptar dhe problemin e refugjatëve. E dërgova për botim në njerën prej tyre. Mbas një fare kohe mora përgjigjen e mëposhtme nga kryeredaktori i saj:

 

“ Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj! Nuk mund ta botojmë për dy arsye. E para ne nuk polemizojmë me televizionin shqiptar dhe e dyta ngjarja kryesore që përballoni në shkrimin tuaj, ajo e refugjatëve, është trajtuar te ne dhe tani mendojmë të trajtojmë probleme të tjera. “

 

U habita pa masë. Polemizimi i gazetës me televizionin vazhdoi edhe për një kohë të gjatë, ndërsa problemi i refugjatëve, vazhdon të trajtohet edhe në ditët tona. Siç e shihni ishte një përgjigje e ngjashme me atë të shumë viteve më parë. Megjithatë kësaj here nuk hoqa dorë. Shkruaja dhe i botoja në gazeta të ndryshme që tani ishin shumuar, sidomos në gazetën “ Liria “.

Këto tregime i kam shkruar edhe për fëmijtë e mi. Dua që ata ta njohin më mirë periudhën në të cilën ka jetuar babai i tyre dhe të mos gabojnë aty ku unë mund të kem gabuar. Vajzat i kam shumë larg, në Amerikë, ndërsa djali punon në Tiranë. Jeton atje me gruan dhe vajzën. Nguli këmbë që të na mbante edhe ne atje, por unë e kundërshtova. Më ishte mërzitur jeta pa kuptim e qyteteve tona, zhurma e saj e madhe politike. Tani jetoj i qetë këtu, larg gazetave që nuk vinë kurrë, bile edhe lajmet i dëgjoj fare pak në televizor. Kështu shijoj këtë ajër të pastër dhe dëgjoj këtë këngë bilbilash, ku frymëzimi të vjen vetë. Gruaja ka shkuar për të parë vajzat dhe kthehet mbas dy javësh.

Vura re se ishte i kënaqur me këtë lloj jete. Kishte gjetur qetësinë shpirtërore. Në atë kohë ra zilja e celularit.që mbante me vete. I qeshi fytyra dhe filloi të bisedojë me gjallëri.

– Ishin vajzat, – më tha kur mbaroi bisedën. – marrin çdo dy javë. Dje mori edhe djali. Ai merr më shpesh. Ka merak për mua.

U ngrit, hapi një sirtar dhe nxorri prej andej një sërë shkresash të shkruara me makinë shkrimi.

– Janë krijimtaria ime, fjalime, kumtesa, tregime e të tjera të shkruara nga unë.

I mora dhe fillova të lexoj titujt e tyre. Pastaj iu drejtova atij:

– A mund t’i lexoj?

– Po, patjetër, – u përgjegj ai.

Atëhere u hoqa mënjanë dhe fillova të lexoj shkrimet e mikut tim.

 

Nxjerre nga libri me tregime me te njejtin titull botuar ne vitin 2004

 

Filed Under: Featured Tagged With: Nje tregim, per mikun tim, reshat kripa

BUJARIA E MALESOREVE KA KRAHET E ENGJELLOREVE

February 25, 2016 by dgreca

    NGA ZEF PERGEGA/ Michigan/

Jane te njohura bujarite e malesoreve qe jetonje ne SHBA. Per to eshte shkruar dhe do te shkruhet se gurra e tyre u jep drite krojeve te vlerave te larta njerezore.

Me 22 shkurt 2016 shoqata e Malesise Madhe shtroi nje darke ne lokalin e kishes se Shen Palit, jo per te festuar dekoraten “Urdheri i Lirise” te akorduar nga Presidentja e Kosoves, por per te mbledhur ndihma per malesoret ne nevoje qe jetojne ne trojet e tyre ne Malesi te Madhe ne Mal te Zi. Dhe jo pak por 32 mije dollare ne pak ore. Ne keto ndihma me se shumti dha Simon Palushaj me 16 mije dollare dhe Pero Stani me 3 mije dollare, te cilet spikasin me humanizmin e tyre ne disa aktivitete kulturore dhe investime ne vendlindje.

Ne darken e shtuar moren pjese edhe shqiptare ne trojet e tyre ne Shqiperi dhe ne Malesi, te cilet edhe ata dikush me shume e dikush me pak kontribuan ne fondin e pervitshem qe u dergohet nevojtareve ne Malesi. Luigj Gjoka e ka te caktuar tash 14 vjet normen prej nje dollar ne dite ose 365 dollare ne vit. Ne fjalen e tij Gjokaj tha se per 14 vjet jane derguar ndihma ne vlere 946 mije dollare nga te cilat 176 mije per shtepine mortore ne Tuz dhe 50 mije per shtatoren e heroit te popullit Ded Gjo’lulin, e cila u inagurue ne Tirane.

Ne fjalen e tij Lek Leci Gjonaj ne cilesine e kryetarit te shoqates Malesia e Madhe tha se motoja e kesaj darke eshte ndihma per studentet malesore qe studiojne ne universitete dhe dege te ndryshme, te cilet duke u diplomuar do te kthehen ne te mire te Malesise. Nga kjo ndihme kane perfituar shume familje malesore. Malesia ka nevoje per ndima, per investime, per perkrahje, ka nevoje per lobim e ngritje zani, per te gezuar te drejtat sipas konventave nderkombetare. Viset shqiptare nen Mal te Zi jane te pasura me resurse dhe jane me te pazhvilluara se kombesite e tjera qe jetojne ne kete shtet. Malesia sa te kete bijte e vet ne Amerike nuk guxon te vuaj! Me 8 shkurt 2015 u mbodhen 43 mije dollare, te cilat u shperndane si vijon: Shoqates “Martin Dreshaj” nje mije dollare, Kisha e Kastratit 2 mije dollare, Kristian Camaj 1500 dollare, Shtjefen Ivezaj 1800 dollare, studenteve nga Malesia 15700 dollare, shoqates “Dukagjini” 500 dollare, tifozave kuq e zi  nje mije dollare. Grupit “Shqiponja” nje mije dollare, portalit “Malesia.org” nje mije dollare. “Alb Tv USA  me pronar Gani Vila ne Detroit nje mije dollare, Tv Boin 1700 dollar, Shoqata “Labeatet” dy mije dollare., Pashk Nicaj nepermjet Nikoll Camaj tre mije dollare, dy mije dolare per ujet e pijshem ne Malesi, Dede Pjetrit Bojaj dy mije dollare. Me inisiativen  e dy shoqatave te Malesie nga ajo ne Detroit u mbodhen 32 mije dollare dhe ajo ne New-York 23 mije dollare per ngitjen e permendores se Ded Gj’lulit dhe 16 500 dollare jane dhene per bursat e studenteve ne Malesi.

Ne kete darke folen edhe Shtjefen Palushaj e Rush Dragu, te cilet shprehen nevojen e nguteshme per financimin e shkolles shqipe ne Detroit. Masho Uli ngriti shqetesimin se kjo bujari duhet te kthehet dhe nga vetja per te realizuar ato nevoja qe kane shqiptaret dhe familjet e tyre ne megrim. Pershendeten takimin edhe Ndue Ftoni e Luigj Sterbyqi.

Darken e shtruar me kete rast e mbuloi keshilli i kishes se Shen Palit

Si konkluzion i diskutimeve: Te mendojme globalisht dhe te punojme lokalisht. Te nderojme njerezit qe kane kontribute ne humanizem, ne lemin e dokumentimit historik, letrar e kulturor dhe t’u krijojme sa ma shume hapsire njerezve e sidomos intelektualeve qe te kene respekt per ata qe marrin detyra mbi supe.

Filed Under: Komunitet Tagged With: BUJARIA E MALESOREVE, KA KRAHET E ENGJELLOREVE, Zef Pergega

25 VJET B.S.P.SH- NË SHKODER…THEMELUE NGA FERDINAND TEMALI

February 25, 2016 by dgreca

 Ne Foto: FERDINAND TEMALI- 1991 BSPSH – SHKODER/

■BASHKIMI I SINDIKATAVE TË PAVARUNA TË SHQIPNISË OSE B.S.P.Sh./

NË SHKODER, ISHTE FLAMURTARE E FITOREVE TË DEMOKRACISË !/

■Ramja e Murit të Berlinit me 9 Nandor 1989, vrasja e Çausheskut me 25 Dhjetor 1989/

Nga Fritz RADOVANI/Australi/

Demostrata e Parë e heshtun me 14 Janar 1990 në Shkoder, per heqjen e bustit të Stalinit, Mesha e Parë në Rrëmaji me 11 Nandor 1990 nga Don Simon Jubani, shpallja e Don Simonit per me formue në Shkoder “Partinë Demokristjane” nga Prof. Nush Radovani, me 13 Nandor 1990, dhe zhgulja e bustit të diktatorit Enver Hoxha me 13 Dhjetor 1990, tek Prefektura e Shkodres, i paraprijnë Demokracisë, Lirisë Fesë dhe pluralizmit në të gjithë Shqipninë. Këto vepra heroike u pasuen nga Kavaja, Durrësi dhe në fund Tirana.

■Kur trashigimtarëve të fronit të Enverit, Nexhmijes dhe Ramizit filloi me ju dukë nder skutat e pallateve të tyne në Bllok fantazma e Çausheskut me të shoqen të shkrryem perdhe, nga tmerri pranuene “pluralizmin” e shpikun nga Kotovica: “…dhe të shartuem në Venecia, me ndihmen e Mentor Çokut dhe De Mikelis, tue i lanë “krijimin e disa partive” Fatos Nanos, Sali Berishës dhe Sabri Godos, i cili këte “pluralizem mashtrues” e mbrojti edhe me Kushtetuten e “Republikës së Shqipnisë” që i lejonte Shqiptarëve që me 2 Dhjetor 1992, edhe “praninë e kësaj Republike në “Konferencen Islamike”!

■Po Rinia Shqiptare, e harroi parullen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”?

Shkodra nga viti 1990 e deri nga fundi i vitit 1992, asht kenë e zeza e komunizmit që u kalb mbi dhe e qelbi Ballkanin, kur të gjitha vendet e Lindjes e kishin varrosë e i kishin vue tek koka nga një shenjë të zi, ku mblidheshin qyqet e kuluenverat me e vajtue…

■Me daten 25 Shkurt 1991, u shpall në Teatrin “Migjeni” formimi i BSPSh në Shkoder nga Kryetari i Nderuem Ferdinand Temali dhe Arben Borshi, si dhe Kryesia e saj. Asht aprovue edhe një Program i randsishem i bazuem në parimet Demokratike Europjane.

■Me 11 Mars 1991, Ministria e Drejtësisë aprovoi BSPSH e Shqipnisë themelue në Shkurt 1991. Ferdinandi mori pjesë në zgjedhjet e Kryesisë BSPSH për të gjithë Republikën e Shqipnisë në Tiranë, dhe u zgjodh anëtar i asaj Kryesije, me të gjitha votat pro të pjesmarrësve nga e gjithë Shqipnia. Ai ishte ndër organizatorët kryesorë të saj në të gjitha betejat dhe fitoret e mohueme të cilat, sot, po punohet nga “rilindja” me u harrue!

■Perpjekjet per shkatrrimin e BSPSh së Shkodres dhe të Shqipnisë që drejtohej nga të nderuemit Gzim Shima, Eqerem Kavaja, Gzim Kalaja etjerë, ishin të vazhdueshme. Po e njajta rrugë kercnuese asht ndjekë edhe me BSPSh e Kavajës. Nuk duhet mohue kurrë roli i madh që kanë luejtë në trandjen e thëmeleve të komunizmit, minatorët e Valiasit, të cilët rrëzuen monumentin e diktatori perbindsh të Shqipnisë, njenin nga 100 Tiranët e Botës, sherbëtorin e sllavokomunizmit dhe mikun e shovenistëve grekë, Enver Hoxhën, bashkpuntorin e Nexhmije Hoxhës dhe parardhësin e Ramiz Alisë me bedelat e sotem.

■Në Mars 1991, BSPSh ishte e pranishme në ma shumë se 70% të ndërmarrjeve të Shkodres, dhe ishte formue në disa pika kyqe si, në hidrocentralin e Vaut të Dejës, Stacionin hekurudhor, Uzinat e mëdha të fermentimit, Pelhura, e telit, letrës etj., dhe kishte marrë mbas vetës armaten e madhe të mësuesve me kryetar Qazim Lika e Xhelal Fejzo, dhe të mjekëve të spitaleve, të poliklinikës me mjekun Leonard Kçira, përfshi këtu edhe klinikën dentare. Nuk imagjinohej kurrë nga komunistët se ndërmarrja e Minjerave dhe ajo gjeologjike ishin forca në favorin tonë. Per mue ato zgjedhje ishin Fitore!

■Me 29 Prill BSPSH mori edhe kokën drejtuese të arësimit dhe kulturës shkodrane, me serena nga z. Xh. Gjurkaj elektriçist në Institutin Pedagogjik. Nuk më besohej kur kam numrue 68 profesora nga 103 vetë, ku, përjashtohej grupi i spijunve me Sadik Ramën e Angjelin Kumrinë etj…të cilët, as nuk i kemi pranue në sallën e madhe ku janë zhvillue zgjedhjet e kur aty, u zgjodh kryetar i BSPSh Prof. Gjovalin Kolombi.

■Dy institucione me vlerë për ne ishin PTT dhe Radio Shkodra, sidomos e dyta, Radio ka luejt rol kryesor mbas shkumjes drejtor aty të z. Prof. Anton Çefa. Ashtusi në Shkoder priteshin emisionet e demaskimit të komunizmit, po me atë andje qytetarët tanë vraponin me u interesue a mërrijtën gazetat “Sindikalisti” dhe “RD” nga Tirana…

■BSPSh e Shkodres e lidhun me Tiranën e Kavajen, ishin qendrat ku BSPSh po hartonte ramjen e qeverisë komuniste… dhe, duhet vue në dukje roli i madh i rinisë shkodrane i pasuem nga mbarë Populli i Shkodres, në protesten e paorganizueme para selisë së komitetit të PPSH në mbasdreken e 1 Prillit 1991, kur turma mija vetësh u drejtuen nga ajo seli, mbas thirrjeve tek busti i Stalinit dhe Leninit në sheshin qendror. Ishte pikërisht Ferdinand Temali, që kërkoi me ngulm nga protestuesit mjete paqësore, dhe mbas orës 21.00 u shpërndanë tue thirrë në bulevardin e Shkodres: “Nuk e duam komunizmin jo, jo, jo..!” Pa u errë nata në Shkoder ishte zv. ministri i mbrendshëm Hajredin Shyti, i cili, në bashpunim me Çapajev Taçin, Dilaver Paparen dhe Gjekën e policisë, organizuen vepren terroriste që u realizue me 2 Prill 1991, (per të cilen duhet të jenë dekorue sivjet me Shyqyri Çokun…), mu në atë Shesh, ku një natë ma përpara çdo veprim ishte demokratik … Po aty, në mes të predhave dhe vrasjeve të organizueme nga presidenca terroriste e Ramiz Alisë, mbi trupat e të rinjve Arben Broci me 97 vetë tjerë të vramë e të plagosun, ishte Ferdinand Temali me Marina Rraboshtën, që hyjnë nën shnajpër për me i thanë sekretarit I-rë PPSh Xhemal Dymylja: “Kush asht ai terrorist që ka urdhnue me gjujtë mbi turmat e pambrojtuna të studentave të shkollës “J.Misja” dhe Popullit të Shkodres, o ndaloni zjarrin ose drejtohuni kufinit e ikni, se Populli do t’ju shkyejn përsëgjalli!” E pra, këta sindikalistë nuk kishin as armë, as tanke…Vetem guxim!

■Po, drejtuesit e PD së Shkodres ku ishin?…Cilat ishin parullat që u hodhën në rrugë Xhabijej e ma vonë tek Radio Shkodra? – Besoj i kujton mirë Populli i Shkodres “ata” dhe rolin që ka luejt BSPSh, Ferdinandi, Tanush Mulleti, Besnik Komi, Arben Borshi Marina Rraboshta, Lela Zorba, Muhamet Gradeci, Fritz Radovani, etj., për ruejtjen nga djegëja të Radios, Fototekës, hetuesisë dhe të vetë Prefekturës, të cilat i kemi mbrojtë edhe me rrezik koke, kur shnajpërt ishin në gatishmeni mbi kokat tona…

■Po kerkesa ynë cila ishte? – Qeveria komuniste me dhanë dorëheqje sa ma parë, mbasi BSPSh do të organizojnë Grevë të Përgjithëshme në gjithë Shqipninë. Vrasësit e Arben Brocit me shokë ti kalonin organeve kompetente, njëkohësisht, edhe do të organizohën zgjedhjet e reja etj…Ndersa, kryetari i PD Pjeter Arbnori, i kerkoi gjyqtarit që “gjyqi i vrasësve, të zhvillohet mbasi PD të marrin pushtetin!”, domethanë “asnjëherë”! Edhe këte besoj e kujtojnë të pranishmit, bashkë me pergjegjen time: “Gjyqi duhet fillue që diten e hane, dhe mbasi të fillojë gjyqi, nderpritet greva e organizueme nga BSPSh!”.

■Sigurimin e shtetit, spijunët e sigurimit dhe oficerët besnik të tij, me dt. 2 Prill 1991, ora 14.00 nuk kanë pasë asnjeni ndër dyer etiketat e emnave në apartamente…tue fillue nga Çapajev Taçi e deri tek i dekoruemi per “trimni” Shyqyri Qoku…

■Me 20 Maji kam shkue në Tiranë dhe i kam paraqitë Kryesisë BSPSh., propozimin tonë për Presidentin e ri të Republikës, ku kerkohej nga BSPSh e Shkodres, ardhje e Prof. Arshi Pipa, Sami Repishti dhe zonjës Nermin Vlona (Palaschi) në poste qeveritare. Mbas dy ditësh z. Eqrem Kavaja na ka komunikue edhe aprovimin e Kryesisë së Tiranës. Kuvendi Popullor botoi ligjin e pranisë në Shqipni, në 20 vjetët e fundit…për me evitue ardhjen e të gjithë personaliteteve nga diaspora në organe drejtuese.

■Qeveria vertetë ra…Me 10 Qershor, ora 11.00, në intervistën e dhanun “Zërit Amerikës” nga anëtarët e kryesisë BSPSH së Shkodres, kam theksue: “Qeveria e ardhëshme kurrë nuk do të realizojë aspiratat tona dhe të mbarë Popullit Shqiptar, nëse në përbamjen e saj do të ketë kjoftë edhe vetëm një komunist..!”. Atëherë, shumë vetë më quejtën “ekstremist”…por, sot, besoj janë me mendimin tim edhe ata që atëherë menduen me bashkpunue në qeveri me “komunistët e konvertuem”! Ky ishte gabimi i madh! Prania e tyne në çdo zyrë sjelli vetem korrupsion, mashtrime, vjedhje dhe luftë per pushtet edhe nga trashigimtarët e tyne, që po kerkojnë edhe “rilindjen komuniste”!

■Në Shtator 1991, pak ditë mbasi krijueme edhe “Shoqaten e të Persekutuemëve Politik” me 11, 12, 13 dhe 14 u organizue në Durres një seminar i BSPSh me rreth 200 anëtarë nga kryesitë e të gjithë Shqipnisë. Aty drejtonin amerikani Donald Slaiman nga USA, Tom Cook nga Britania dhe Sasha Morina nga Gjermania. Ata dhanë konkluzionet e porositë e tyne për BSPSh, tue u cilësue nga D. Slaiman me këto fjalë: “…Ju jeni Sindikata që keni thye dogmen e komunizmit!”. Ndërsa, në emnin e të  gjithë BSPSh, Ata u falnderuen dhe u përshëndetën nga anëtari i Kryesisë së Shkodres Fritz Radovani.

■Mbas mbledhjes së organizueme në teatrin “Migjeni” me z. Tony Freeman, që ishte Nënsekretar i Shtetit në USA, me datën 18 Korrik 1991, dhe takimit të nesërm me Té në hotel “Dajti” bashkë me Ferdinandin, unë kam kuptue mirë lojën e sindikatave italiane, të cilat bashkë me socialistët e Kraksit e Martelit, kanë luejtë rolin ma negativ për t’ardhmen tonë në të gjitha drejtimet, kryesisht në zhvillimet e ngadalshme demokratike. ■Pushteti demokratik porsa mori drejtimin e shtetit, bani kompromis me ishkomunistët tue ua krijue të gjitha mundësit e ruejtjes së “imunitetit” të paprekshëm të gjithë kriminelëve, nga Ramiz Alia e N. Hoxha deri tek vrasësit e të rijve në të katër anët e vendit prej piramidave kufitare e deri tek Mali me gropa…në afersi të Tiranës…apo, gjaksit e pafalshem të sigurimit shtetit që filluen me vra me “ligjët” e Kanunit, kur 95 % e tyne, as nuk njihnin as emnin e Autorit të Tij, e që as nuk e kishin pa kurrë atë liber!

■Njerzit e ndershëm që luftuen në ballin e luftës mbetën fukara dhe të vorfen pa asnjë fitim për mos me thanë se humbën edhe të gjitha iluzionet e Fitores…e, një ndër ta ishte edhe luftari i Demokracisë në Shkoder, Ferdinand Temali…pa u zgjatë me qindra të tjerë qytetarë shkodranë dhe shtetas në të gjithë Shqipninë.

***

■Shokët e bashkpuntorët e BSPSh, që luftuen për me rrëzue komunizmin gjakatar do të kujtojnë përjetë Luftarin Trim të Saj Ferdinand Temali…në sa e sa Përvjetorë të tjerë e zanin e Tij, që vazhdon me ushtue si gjithmonë: “Do fitojmë apo jo?!…Po, Po, Po..!”

■Me këte rast po ripërsëris fjalët e Prof. Arshi Pipës, që mi ka thanë personalisht mue:

“…Jeni e vetmja Sindikatë e një vendi të vogël, por që keni rrëzue një qeveri me të gjitha tiparët e terrorizmit komunist, gja që deri sot nuk ka ndodhë në historinë e të gjitha Sindikatave të Botës!…” (Shkoder, 1993).

■Themelues i Asaj BSPSh, 25 vjetë perpara, organizator dhe luftar besnik në betejën per përmbysjen e komunizmit  ishe Ti, o i pavdekshmi Ferdinand Temali!..

Vertetë që mbas Teje nuk ishim aq pak sa kujtojnë disa…

■Me Ty BSPSh… ishte i gjithë Populli Heroik i Shkodres dhe gjithë Shqipnia!

Melbourne, Shkurt 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: 25 VJET B.S.P.SH, ne shkoder, THEMELUE NGA FERDINAND TEMALI

Grotesku i sfidantëve!

February 25, 2016 by dgreca

Nga Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

Arena politike e Kosovës, do të ngjante komike, sikur të mos ishte tepër dhimbsunore.

Njëfarë Rafet Rama – rivalizon Hashim Thaçin!

Ç’cinizëm!

Një shpirtësi tipike diktaturash! A s’është vërtetë kështu?

Do t’më kujtojë kjo dromcë shpotitëse, një sfond të ngjashëm politik të një kohe të perënduar. Ishin vitet e 90-ta. Millosheviqi, i cili poashtu njihte formalisht postulatet e demokracisë, jetonte kulmin e Fuqisë. Gatiteshin zgjedhjet presidenciale të Sërbisë dhe cili ishte sfidanti i tij?
Nikolla Sheqeroski! Një pensionist strugan që shtynte ditët e fundjetës në Belgrad. Vinte në studio për të kaluar kohën, e me vete sillte prore një çantë të rëndë përplot procese, përmbarime gjyqësore, ankesa…Por dhe redaktorët kishin poaq një moment prehjeje nga lodhja e tempos elektorale.

Mirëpo, nëse kryeparët do të kenë mjaft vegëza përlidhëse të optikës politike, kundërshtarët e tyre dytësorë, i shquan një ndryshmëri e hollë karaketriale.

Ndërsa, pra, i pari dukej qiellësisht i mirë, bablok i shtruar që, madje, qahej për padrejtësitë e përjetuara, Sheqeroski i këtejmë e i kësomotshëm, është vetë autori i së padrejtës. Ka kryer vepër të dënueshme dhe, jo vetëm gëzon lirinë, por kujtohet të bëj teatrin politik për të marrë fronin e Presidencës!

Sidoqoftë, në të dy rastet, qëllimi dhe epilogu i pretendimit të tyre, do të kenë prapaskenën dhe fatin e njëjtë: një stoli shëmtuese për demokracinë e përdhunuar!

Dhe, mjerisht, një groteskë e trishtë në trupin dhe zemrën e këputur të Kosovës!

 Berlin, fundfror 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Grotesku i sfidantëve!, Rexhep Kasumaj

Mitrovica, një park me emrin Adem Demaçi

February 25, 2016 by dgreca

MITROVICË, 25 Shkurt 2016/Një park në Mitrovicë merr emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare, simbolit të rezistencës Adem Demaçi, me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Vendimin e mori unanimisht Kuvendi i Komunës së Mitrovicës jugore, në mbledhjen e mbajtur sot. “Simboli i rezistencës kundër pushtuesit, intelektuali dhe shkrimtari i madh Adem Demaçi, tërë jetën ia kushtoi shqiptarisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Është nderë dhe krenari për ne që parku afër Shkollës së muzikës të mbajë emrin e kolosit të çështjes kombëtare”, u shpreh kryetari i komunës, Agim Bahtiri.Vendimi edhe u duartrokit nga këshilltarët e Kuvendit të Komunës jugore të Mitrovicës, qytetit më të madh verior të Kosovës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Adem Demaci, Mitrovice, nje park me emrin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT