• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

DR. AGIM LEKA

February 2, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/
Ditët e fundit lexova në gazetën Dielli të Federatës Pansqiptare të Amerikës”Vatra” një letër që doktori i njohur për aktivitetin e tij prej më shumë se 50-vjetësh në komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Agim Leka i drejtonte famullitarit të Kishës Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në New York, At Pjetër Popaj. Me atë letër, Dr. Leka, njofton udhëheqsin e kësaj kishe se në muzgun e jetës së tij ka vendosur t’i dhurojë “Klinikës Nënë Tereza” pranë këtij objekti fetar, klinikën dhe zyrën e tij prej pesë dhomash ku ai ka ushtruar mjekësinë për pothuaj 50-vjetë, në Baldwin të Long Island-it. Dr. Leka falenderon Perendinë për këtë frymëzim për t’ia dhuruar Klinikën e tij Kishës Katolike në New York, duke thënë se ka qenë “gjithmonë ëndërra ime për të ndihmuar imigrantët të cilët kishin nevojë për kujdesje shëndetsore, në një vend si ky i yni ku, ku anglishtja është gjuha zyrtare.”
Doktori i denjë i komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr Agim Leka i shkruan Dom Pjetrit se “beson që është detyra jonë e përbashkët që të ndihmojmë ata të cilët kanë imigruar në këtë vend dhe të cilët nuk janë të përgatitur të përballen me problemet që paraqiten në vendin e ri ku kanë vendosur të kalojnë jetën e tyre.”
Nuk është për tu habitur për këtë gjest humanitar të doktorit të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan. Dr. Leka ka një histori të gjatë prej pothuaj 50-vjetësh aktiviteti në ndihmë të të gjithë refugjatëve, por sidomos në mbështetje të komunitetit shqiptar në Amerikë, e të cilit ai ka qenë dhe është pjesë e pa ndarë dhe ku zë një vend të denjë në historinë e këtij komuniteti, prej më shumë se një shekulli. Veprimtaria e tij e gjatë në shërbim në komunitetit shqiptaro-amerikan ka filluar në vitin 1953, pikërisht në një komunitet arbëresh në shtetin Nju Xherzi, të bashkuar rreth organizatës së tyre, “Gjergj Kastrioti Skendërbeg”
Pak kohë më vonë, rrëfen në letrën e tij Dr. Leka, “Mora një telefonatë nga Mons Zef Oroshi i Kishës Zoja e Këshillit të Mirë (në Bronx të New Yorkut), i cili më ftoi që të shkoja tek kisha e tij për të vaksinuar fëmijtë shqiptarë të ardhur në këtë vend nga trojet e tyre nën Malin e Zi”, vaksina të zakonshme për fëmijtë e asaj moshe, thotë Dr. Leka, “por që në të vërtetë u ishin mohuar fëmijve shqiptarë në vendin e tyre të origjinës.” Duke përgëzuar Mons Oroshin për këtë nismë, Dr. Leka i shkruante atij se ishte tepër i kënaqur që i ishte t’i përgjigjur ftesës së tij, duke u shprehur se, “Rrallë herë e kam ndjerë veten aq të kënaqur në ushtrimin e profesionit tim –pa kurrfarë interesi material ose monetar –duke I dhënë ndihmën time mjekësore bashksisë shqiptare, këtij populli në nevojë e që është pjesë e pa ndarë e races sonë.”
Në letrën e tij, dërguar udhëheqsit fetar Mon Oroshi, në vitin 1972 Dr. Leka përgëzon Kishën Katolike Shqiptare pë nismën shëndetsore të asaj kohe dhe premton ndihmën e tij të vazhdueshme, në bashkpunim edhe me mjekë të tjerë shqiptarë, ashtuqë si pas tij, “të gjithë fëmijtë shqiptarë të çdo feje dhe krahine të gëzojnë shëndet dhe jetë të lumtur në vendin bujar të Amerikës.”
Premtinin e shprehur në atë kohë për të ndihmuar komuntetin shqiptar në Amerikë, ai e mbajti gjatë dekadave të fundit pa përtesë dhe i gjithkugjendur. Mirëpo, duke i dhuruar “Klinikës Nën Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare në New York, ndërtesën e klinikës së tij prej 50-vitesh kësaj qendre, Dr. Agim Leka premitimin e dhënë në fillim do e vazhdojë përgjithmonë edhe në të ardhmen edhe pasi Perendia të ketë vendosur t’a thërras në atë jetë shërbestarin e vet të mëshirës.

Dr. Agim Leka në letrën e tij dërguar famullitarit të Kishës Katolike Shqiptare në New York, Dom Pjetrit i uron sukses në themelimin e “Klinikës Nënë Tereza” duke thënë se shpreson që të gjejë kënaqësinë e veçantë që ai e kishte përjetuar duke u shërbyer sidomos atyre shqipztarëve dhe kombësive të tjera, të cilët kanë vuajtur në kampet e përqëndrimti dhe në burgjet e komunizmit. Për më tepër, shprehet Dr. Leka, klinika do mbajë emërin e Nën Terezës, e cila së shpejti do të shpallet shënjëtore dhe e cila do të vazhdojë të shërbejë si shembull e mirësisë për të gjithë poujt e botës, e sidomos thotë Dr. Leka, “shembull për populin tonë, i cili ka vuajtur për pothuaj gjyëm shekulli nën një diktaturë të egër komuniste”.
Dr. Leka përfundon letrën e tij dërguar Dom Pjetrit dhe e cila u botua në gazetën Dielli, duke thënë se, beson që “martirët, klerikët e të gjitha besimeve dhe njerzit e thjeshtë do të jenë të kënaqur kur nga Parajasa shohin punën tonë” të përbashkët në këtë fushë, në shërbim të komunitetit.
KUSH ËSHTË DR. AGIM LEKA — Agim Leka është një njeri me shumë talente, ndërkohë që është dalluar nga dedikimi i tij gjithë jetën ndaj educates dhe shërbimit ndaj të tjerëve. Dr. Leka ka lindur në Delvinë të Shqipërisë, një fshat I vogël afër kufirit me Greqinë, më 25 Janar, 1924. Dashuria e tij për Shqipërinë dhe për shqiptarët pa dallim është frymëzuar nga ngjarjet historike që kishin influencuar jetën e prindërve, të gjyshave e gjysheve, profesorve të tij dhe të tjerë, të cilët nepërmjet sakrificave për Atdheun e tyre, bënë Shqipërinë një shtet të lire, më 1912. Babai i Dr Agim Lekës, Rakip Leka – ishte nga fshati historik i Borshit dhe ishte diplomuar “suma cum laude” në Universitetin Perandorak në Stamboll, Dega e Jurisprudencës. Babai i tij Rakipi ka shërbyer si njëri prej gjykatësve të parë të emëruar nga Ismail Qemali, duke arritur nivelet më të larta të jurisprudencës shqiptare të kohës. Gjyshi i Dr. Lekës, nga ana e mamasë, Nebi Sefa, ka qenë njëri prej nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë. (Marrë nga Libri, Shqiptarët më të sukseshsëm të Amerikës).
Dr. Agim Leka ka marrë l[vdata dhe dekorime përfshirë Kongresin ameirkna, orgnaizata të ndrshme mjekësore e të tjerea. Foto më lartë është me rastin kur m 19 Mars 2011, Shoqata Mjekësore Shqiptaro-Amerikane organizoi një Mbrëmje madhështore kushtuar përkushtimit të tij gjysëm shekulli në shërbim të shëndetit të qytetarëve. Dekorata e shoqatës iu dorëzua Dr. Lekës nga Nobelisti me origjinë shqiptare, Dr. Ferid Murat, kryetar nderi i shoqatës.
* Në foto sipër, Dr Leka nga e majta duke vaksinuar fëmijtë shqiptarë në Kishën katolike Shqiptare në Bronks, viti 1972. Në foto gjithashtu Mons Zef Oroshi/

Filed Under: Komunitet Tagged With: Dr. agim leka, Frank shkreli

Nëse poezia është një akt hyjnor…

February 2, 2016 by dgreca

Rreth antologjisë poetike të porsabotuar të Skënder Rusit/
Nga Shpend Sollaku Noé/
Pse duhet blerë antologjia e çmuar «Me vete kam gjithnjë një Evë»? Pse duhet patur në bibliotekën personale? Pse duhet lexuar vazhdimisht? Çfarë mund të bëjë ky poet për ju?
Shumë, shumë. Mundet edhe tʼju ndryshojë jetën.
Nëse poezia është një akt hyjnor, keni lexuar librin e një shenjtori: Shën Skënderi i Korçës. Në altarin e perëndive të artit për dashurinë Ai është patjetër përçori, shenjti kryesor, ikonës së të cilit i janë drejtuar e do tʼi drejtohen të dashuruarit dhe gjithë ata që banojnë në trevën e ndjenjave.
Gjeni gjithçka në këto fletë, që nga tiparet fillestare të një vegimi të brishtë në rrëzë të Moravës, deri tek shkrirja e plotë me të përhershmen, ku vetëm disa vargje vlejnë sa dhjetë «atynë»!
Vargu i tij është serum për shpirtra në agoni, ku edhe ai vetë është kryq dhe i kryqëzuar, ku ti si lexues je pjesë e asaj lëngate, ku të duket se ato fjalë i ke shkruar ti, ku je edhe qielli, edhe toka, edhe loti, edhe e qeshura e shpërthyer prej syve të këtij fëmije të marrëzisë.
Brenda të nëjtës poezi Shën Rusi është edhe klithmë e mprehtë dhe përqafim i heshtur. Tek ai dashuria është totale, mbitokësore dhe e nëndheshme: ajo eshtë dashuri për jetën dhe vdekjen; është hingëlllima e një kali që krijon ylberët, është fjetja në një shtrat me motrën e diellit, atje ku tradhëtonin si të ishin Eseninë, ku të vdekurit shkojnë me natën për të fjetur, duke e lënë jashtë porte, si për tʼi thënë që u duhet si uji të gjallëve. Për tʼu kthyer sa më shpejt atje, në botën-Korçë të lindur nga puthjet.
Pse duhet lexuar patjetër ky libër? Sepse pa të, të gjithë ju do të jeni më të varfër në ndjenja, më të paaftë për të dashuruar.
Sepse këto janë vargje të shkruara edhe për ata që nuk kanë studjuar kurrë teknika e truke të artit të fjalës. Sepse janë të kapshme, me dukje të thjeshta; por është një thjeshtësi e kërkuar, e studjuar dhe njëkohësisht spontane; një thjeshtësi që i jep peshë magjike edhe fjalës më të rëndomtë, asnjëherë banale dhe e përsëritur, që kthehet në shkollë të artit të poetrimit. Sepse tek ky shenjt i poezisë dashurore e rëndësishme është jo vetëm ajo që do të thotë, por edhe si do ta shprehë, që të mos e lodhë lexuesin, të mos e detyrojë tʼi flakë vargjet në një qoshe. Aq e punuar e peshuar dhe e ekuilibruar është kjo kapshmëri e poezisë, saqë çdo fjalë duket sikur ekziston vetëm brenda vargut të tij. Një varg i kristaltë, ku, nëse heq edhe një rrokje të vetme, gjithçka copëtohet në mijëra thërmija.
Është e tepërt tʼju bëj një listë banale të botimeve të këtij poeti: Ai është ngjizur në shtratin e Muzave, në ditën e festës së tyre madhore. Është e kotë tʼu theksoj se ku ka lindur, atdheu i tij është zjarri i të puthurës. Veç është e domosdoshme tʼju kujtoj se, kur shumëkujt mund edhe tʼi jetë zbehur boja e emrit në gjendjen civile, kur tʼi jetë sheshuar varri prej errozionit të harresës, Ai – Shën Skënder Rusi i Korçës – do të jetë në limfën e jetëve të ardhshme, si një dehje e këndshme, soundtrack i dashurive të përditshme.

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: Nëse poezia është një akt hyjnor, Shpend Sollaku Noe', Skender Rusi

FAIK KONICA: KUR TA PRISHIM SHQIPËRINË, KU DO TË VEMI?

February 2, 2016 by dgreca

FAIK KONICA: KUR TA PRISHIM SHQIPËRINË, KU DO TË VEMI?
NJE THENIE E PA PERSHTATUR PER SHQIPERINE SOT DHE KLASEN E SAJ POLITIKE/
Kur ta prishim Shqipërinë, ku do të vemi? Do të vemi atje ku kemi vënë paratë në bankë.
Po pse të mos rrijmë të hyjmë në shërbim të atyre që ua shesim Shqipërinë?
“S’do të na qasin!
Se tradhëtorëve as armiku nuk u zë besë!”
Faik Konica, Dielli 17 qershor 1922

Filed Under: Vatra Tagged With: FAIK KONICA: KUR TA PRISHIM SHQIPËRINË, KU DO TË VEMI?

Plasi peshku në Gjirokastër

February 2, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja
Djemtë e Gjirokastrës kanë qënë këtë muaj, bumi i publicitetit. Suksesi i bujshëm i drejtësisë. E filluan me Gaten, tani me Kserën. Ndërkohë mbytën televizionet me koferenca, analiza, deklarata për korrupsionin. Të merr malli të shikosh në tv-t tona një program, nga jeta e njeriut shqiptar. Të gjithë janë o kështu, o ashtu…, të gjithë me t’ja futur të gjithëve. Aq sa ne këtej që blejmë ca paketa televizive me stacionet tona, pyesim me naivitet shoqi-shoqin. Ore a rrojnë më ata gazetarët e bujqësisë përshembull?. Seç kanë qënë ca me emrin Marash. Që bëjnë ca rubrika mbi zanatelinjtë, traditat, vëndet. Apo kulturën tonë. E kërkojmë internetit përshëmbull një me emër Alma Çupi. Se që ta themi hapur, janë bërë këto të pakta rubrika, si faqet e fundit të gazetave një herë e një kohë. Na mbyti bumi i zhurmshëm i scoopeve. O nga politika, o nga Prokuroria. Na mbytën edhe studiot me debatet shterpe.
Disa e quajnë fillimi i reformës. Disa pragnisja e spastrimit të admistratës. Lufta e ashtuquajtur, me zero tolerancë ndaj krimit, korrupsionit etj. Dhe i ra për pjesë Gjirokastrës. Qytetit me heronjë dhe antiheronjë. Vendit të gurit dhe i një burri të bukur që vërtet ëndërronte një Shqipëri shtet sovran. Ndaj shkoi e u vra në fushën e Shtojit. Mirëpo i pshurrën në kokë për vite me radhë antiheronjtë aq sa edhe një qivur nuk kanë ujë t’ia lajnë. Edhe pse Gjirokastra shquhet për shi. Shquhet për steret e gurta.
Kanë tre ditë me Spiro Kserën. Standarti i tenderave. Paska vjedhur ca harixhinjë. A e dini se nëntëdhjetë e nëntë përqind e shqiptarëve drejtues. E kanë edukatë normale fitimin e tenderimit.
E fillojnë nga byrekët me gjizë, silla e mëngjesit. Dhe përfundojnë tek moda e frutave të detit. Nuk ka nënpunës shqiptar që mos ta ketë ndyer dorën në atë t’lyn. Nuk e shkruajti kot ai plaku nga Vlora, që e kishte për zor të shkruante vjersha. Ali Asllani, atë verdiktin e Kohës së maskarenjëve. Përpara se të bërtisni që Ksera është vetëm fillimi. I thoni njerëzimit që Ksera e dinte prej kohësh që do e arrestonin. Dhe nuk u largua nga vendi. Mund të kishte përfituar pension admirimi. Dhe mund ta kishin bërë kolonel në Greqi. Por nuk iku. Gjykojeni me urtësinë e ligjit, jo të koferencave për shtyp. Me suksesin imagjinar të reformës në drejtësi. Me fillimi imagjinar të luftës ndaj krimit, korrupsionit. Jemi në atë pikë, ku vendi para së gjithash ka nevojë për një reformë të tipit duart e pastra. Kush i ka të pastra në shtëpinë e drejtësisë shqiptare. Kush i ka të pastrat në administratën shqiptare. Reforma fillon nga vetja. Kush e ka kurajon nga koferencaxhinjtë të deklarojë pasurinë. I kanë të gjitha nga gratë. Asgjë nga vetja. Nga paga. Kush e ka kurajon të fillojë nga vetja. Pastaj nga qoshet.
Peshku i madh nuk në Gjirokastër, në atë fshat ku priste ekzekutimin një ishministër minoritar. Peshku i madh është në Tiranë.
_______
Dy fjalë edhe këtyre minoratarëve që heshtin. Me që veproni edhe nën sloganin si Parti e të Drejtave të Njeriut. Dhe që jeni bërë katërsh. Ju ka kapur sëmundja e politikës pragmatiste. Për një pozitë, për një aleancë. Për mëri personale se keni për gjë të flirtoni gjithçka. Edhe vetë ekzistencën tuaj. Edhe pse çirreni për të drejtat tuaja. Të etnisë tuaj. Diktaturat kanë për t’ju tetëfishuar dhe përdorur. Pasi e dini…, ata që ju përdorin janë diktatorë. Nuk është turp të jesh minoratir. Të ndihesh grek, e të jetosh si shqiptar. Turp është kur ju përdorin. Ashtu sikur po përdoren edhe çamët. Dhe kurrë ai Jug i bukur. Nuk e gjeti paqen mes vedit. Po u them edhe juve. Peshku i madh është në Tiranë. Jo në Derviçan…

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, në Gjirokastër, Plasi peshku

POEZI NGA FAIK KONICA

February 2, 2016 by dgreca

Botohen me rastin e Vitit të Faik Konicës(2016 Viti i Faik Konices), shpallë prej Vatrës me 20 Dhjetor 2015/

FITOVA MOJ ZEMBËR/

Fitova, fitova, fitova, fitova, moj zembër/
Ah mos derth më lot ah mos derth më lot/
Nga zgjedhë e dashurisë shpëtova sot./

I flaktë i verbër gjer sot un’ i gjori,/
E desha diallushen lumi mënt më mori,/
Remës marësisht i shkoj tani koha,/
Zjarri i dashurisë mu shua shpëtova./

Kur buz’ e saj qeshte zembra ndizej,/
Vështronjam pshertinja nga malli dot s’flisnje,/
Tani ësht’ i thyer zinxhiri mërzitshmë,/
Që më mbante lidhur posi skllav të frikshm./

DRIT’ E SHPIRTIT TIM

Drit’ e Shpirtit t’im,
Ki pakëz besim:
Se pa ty s’roj dot,
Jeta është kot.

Unë i mjeri heq,
Zëmra më rënkon:
Si s’të vjen keq,
Pse më mundon?

NJË TË DASHUR KUSH KA GJETUR

Një të dashur kush ka gjetur,
Q’është e besës dhe e drejtë
Le ta puthë le ta dojë,
Jetën le t’ja ëmbëlsojë,
Dhe me lule le t’ja shtrojë.

Po besnike që të jetë,
Në kafas duhet ta ketë,
Djallushet kur ndrojnë erë,
Ju pëlqen nga no njëherë,
Të shijojnë tjatër verë.

Kur veçan Hëna kadritë,
Miq, i hapni mirë sytë,
Se bandilli përgjon çastin,
Vogëloshes i jep rastin,
Hap edhe zbraz kafazin.

FLAMURI

Skënderbeu kur jetonte
Shqipëria lulëzonte.

Ishe e fortë, ish e zonjë
Kish në flamur një shqiponjë
Një shqiponjë me dy krerë
Ai lirisht hapej në erë.

Kur armiku na vërvitej
Flamuri i kombit ngrihej

Gjëmonin një mij trumbeta
Suleshin treqindmij veta.

Derdhji ngjakun si të marrë
Që të mbaheshin Shqipëtarë.

Derdhjin gjakun pa peshuar
Për flamunrin e bekuar.

Po trimatshkuanpërjetë,
Shqipëriambet e shkretë

Trimat shkuan edhe vanë
Kordhët po ndryshken mënjanë.

Kordhët ndryshkën e në baltë
Na ra flamuri i naltë!

Na raflamuri i naltë
Mbeti e u kalb në baltë!

Sot kan dalë ca zuzarë
Që ulërti në shqipëtarë,

Po këtë emër e lanë
U bashkuan me aganë

E punojnë nat’ e ditë
Që të mbtemi pa dritë,

O zuzar, o tradhëtorë
Ne na bëjtit shërbëtorë,

Na e vuatli të lirinë
E na shkel të Shqipërinë.

Rrëmbyet e po rrëmbeni
Gjith se ç’patmë e se ç’kemi!

Po mjaft! Koha ësht afër,
Kur të ndizet luft’e ashpër,

Lufta tri her’e bekuar
Qëna ka për të shpëtuar,

Jo luftë kundrë Turqisë,
Jo kundrë mbretit Shqipërisë,

Po luftë për ca zuzarë
Që u lind në shqipëtarë

E, armiq të Shqipërisë,
I fryj në dritës së lirisë,

S’na lënë dhe ne të tjerët,
T’dalim nga gjum’i errët,

Po ç’dëgjoj në ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhëtojnë

Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash!

Ngrehuni, o shqipëtarë,
T’i shtypim këta zuzarë!
(1899)

KUSHTRIMI OSE MARSEJEZA E SHQIPËTARËVE

Përpara djemtë e Shqipërisë
Zëri i kushtrimit po gjëmon!
Kundër nesh i mizorisë
I ndryri Flamur po valon!
Malet tona po ushtojnë.

Nga bërtimet e nizamit:
Egërsirat Ju kërkojnë
Nder’ e gruas, gjaknë e djalit!
Burra, kush është trim,
Në luftim me nxitim,
Me hov, me hov!
Bini me tërbim!
Armikut për shpërblim.

II
Ç’kanë me ne këta barbarë
Shtazë në shpirt e në turi?
Hapni sytë o shqipëtar,
Shikoni hekurat gati,
Qafën kujt duan t’i vënë
Nën zgjedhë, e nën kërbaç.
E turp i tmerrshëm i pa dhënë

Shkabën ta ngasim si margaç!
Topi buçet, pushkët p’ushtojnë
Plagë, me plumb, vdekje dhe zjarr.
Trumbetat ndizen dhe çfryjnë!
Yt fat po lozet,
Komb Shqipëtar.

Që nga Janina
E gjer në Shkodër,
Burrë dhe grua,
Foshnje dhe plak,
Çdo lum e përrua
Çdo shesh e kodër,

Po rrjedhin lot
Po rrjedhin gjak.

Burra, kush është trim.
Dridhuni ujq të Mongolisë,
Dhe ju shqiptar për mallkim
Që ç’panë sytë e Shqipërisë
Ah, dridhuni se s’ka shpëtim!

Çdo krah do ngrihet të ju bjerë
Dhe këta trima po të mbeten,
Vend’ ynë pjell trima të tjerë
Gati të ngrihen të ju dridhen

Burra kush është trim
Zemrohuni një herë
Mprihni kordhën për të prerë
Mprihni kordhë e mprihni pallë
Të ju ndritin yj në ballë.
Flamur të ngrini në erë
Me shqiponjën me dy krerë.
Dhe në vend ‘ tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

VAJTIM PËR ROBËRI TË SHQIPTARËVET

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!
Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!
Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.
As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!
Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.
As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.
I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?
Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.
Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!
O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur
Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,
Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,
Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,
E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

(1901)

ANADOLLAKU NË MESALLE

Ka ndenjur si një ka
Po ha edhe po ha,
Shembet me pilaf,
Fruhet me hoshaf;
S`ka kohë të flasë
Hedhe sa të pëlcasë:
Llop një bakllava,
Llop një hallva,
Llop një revani,
Llop muhalebi.
Therret:-Hiç je medum!
– O burra, bre dudum!
Kërkon një syltjaç,
Porosit një kulaç,
Rrëmben një bugaçe,
– Të rrëmbec një kapaçe!
Të tërë për një darkë,
Të tëra në një barkë!
Kur lodhet sa ngjinjet,
Pushon e shtrihet
Shtrihet dudumi
Dhe na e zë gjumi.
Nesër kur të zgjohet
E, me “bismil-lah”,
Prapë pilaf
E prap hoshaf.
“Qebap boll-boll
Koxha Anadoll!”
More dudum kokëkungull
Gojëbuall e barkrrumbull
Thuamë, të rëntë pika!
Ç`të duhet ty politika?
Hiq, more dudum dore, hajde
Të të kllasëm në një kade
Plot me mjalt`e me reçel
Ha pi e kurrë mos del.
(1901)

HELENA E TROJËS

Në Trojë, nga maja e një kullë të lartë
Helena e bardhë zgjat kryet dhe përgjon
Poshtë nënë muret luftën që luftonMenella syzi me Parin flokëartë..
Shikon buzëqeshur e me ballë të qartë
zjarrin që ka ndezur vetë dhe ëndërron
e stolisur si ditën që hipi në fron
Kur vajti nus’e re nga Amykla në Spartë.
Dhe në shesh Menella me Parin të tërbuar
Goditën me sulm për të mundur a për të vdekur
Gjëmojnë duke çuar zërin në qiell.
Gjaku u ka hyrë faqe dhe duar
Kordhë me kordhë hekuri me hekur
Përpiqen, tringëllojnë, shkëlqejnë në diell.

(Gusht 1916)
– See more at: https://gazetadielli.com/poezi-nga-faik-konica/#sthash.Q4DUfwbM.dpuf

Filed Under: Vatra Tagged With: perg. Dalip Greca, Poezi nga Faik Konica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT