Prishtinë, 2 shkurt 2016 – Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot për një takim bilateral ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maltës, George William Vella, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Malta do të marrë për herë të parë kryesimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian më 1 janar 2017.
Zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri Vella nënshkruan një marrëveshje kornizë për bashkëpunim ndërshtetëror, për dy vitet e ardhshme. Kjo marrëveshje parasheh dinamizimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat me interes për të dyja palët si dhe një bashkërendim më të madh gjatë Presidencës së BE-së nga ana e shtetit maltez.
Dy shtetet zotohen të mbajnë konsulta të rregullta politike si dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën me informacione për sa i përket zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, ndërsa institucionet relevante do të inkurajohen për të rritur bashkëpunimin ndërshtetëror Kosovë-Maltë.
Gjatë konferencës së përbashkët për medie, zëvendëskryeministri Thaçi është shprehur se shteti i Kosovës po vazhdon të konsolidohet. “Kosova po shënon suksese në rrugëtimin e saj evropian, posaçërisht pas hyrjes në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, ndërsa tani po e presim rekomandimin për liberalizimin e vizave”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka falëndëruar shtetin maltez për njohjen e hershme të Republikës së Kosovës dhe për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ai tha se Malta shërben si shembull se si edhe shtetet gjeografikisht të vogla mund të jenë të suksesshme në familjen e shteteve të mëdha të BE-së dhe, njëherësh, e mbështeti idenë që të zgjerohet bashkëpunimi edhe në fushat e ekonomisë, sigurisë, arsimit dhe kulturës.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Maltës, Vella tha se duhet kërkuar mënyra për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve, duke shtuar se bëhet fjalë për dy ekonomi të vogla por me mundësi për bashkëpunim. Vella tha se është e rëndësishme që Kosova po ecën përpara me hapa të sigurtë.Marrëdhëniet aktuale mes dy vendeve janë të shkëlqyera. Republika e Maltës ka qenë vazhdimisht përkrahëse e agjendës evropiane dhe multilaterale të Republikës së Kosovës, si dhe i ka dhënë mbështetje shtetit kosovar në të gjitha proceset e tjera.
Kjo kornizë e bashkëpunimit vjen edhe si rezultatet i një bashkëpunimi të nisur që nga viti 2013, kur ishte nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit mes dy ministrive gjegjëse.
Ministri maltez Vella do të jetë folës kryesor në njërin prej paneleve të konferencës vjetore “Germia Hill”, punimet e së cilës do të nisim sot, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, së bashku me institutin me renome botërore, Aspen Institute.
Archives for February 2016
Kosovë-AKP: Prioritet, shlyerja e obligimeve ndaj punëtorëve
-Bordi i i Bordit të Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) takoi përfaqësues të punëtorëve të dy ndërmarrjeve shoqërore, “KHT Kosova” dhe Trasing-
-Në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 2 Shkurt 2016/ Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve tw Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi me anëtarë tjerë të Bordit dhe menaxhmentin e Agjencisë zhvilluan sot një takim me përfaqësuesit e punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore “KHT Kosova” dhe “Trasing”, të cilët mbajtën një protestë para dyerve të Agjencisë.
Drejtuesit e AKP-së u njoftuan nga përfaqësuesit e punëtorëve me kërkesat e tyre, që ishin shlyerja e pagesës së pagave të papaguara, borxh ky i mbetur në të kaluarën nga ndërmarrja shoqërore. Bordi dhe menaxhmenti i Agjencisë, pasi që i dëgjuan kërkesat e punëtorëve i sqaruan ata se Bordi me përbërjen e re do ta trajtoj me prioritet këtë çështje të shlyerjes së pagave të papaguara të trashëguara nga e shkuara, ndërsa i informoi ata se kërkesat e tyre do të trajtohen sipas Ligjit gjatë procesit të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore “KHT Kosova” dhe “Trasing”.
Bordi konfirmoi zotimin se shlyerja e obligimeve ndaj punëtorëve për këtë rast dhe për raste të tjera do të jetë prioritet në axhendën e punës gjatë ushtrimit të mandatit ligjor dhe për këtë është e nevojshme informimi nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për numrin e ankesave të parashtruara për secilën ndërmarrje në likuidim, ndërsa punëtorët dhe opinioni i gjerë do të njoftohet me kohë për çdo vendim që do të merr Bordi në lidhje me pagesat e punëtorëve.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nisi vitin 2016 me Bordin e Drejtorëve, të ri, të munguar në 2015-tën. Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit emërimi i Bordit të Drejtorëve të saj në fundin e seancës përmbyllëse të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës dhe konstituimi i këtij Bordi në ditën e fundit të vitit 2015 është një ngjarje e rëndësishme dhe e pritur gjatë.
“Gjatë vitit 2015 Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka realizuar asnjë shitje të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve”, ka theksuar në konferencën vjetore për shtyp Avni Jashari, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit menaxhues të kësaj Agjencie, e cila në mungesë Bordi kishte mbetur pa drejtor menaxhues.
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në 31 dhjetor, pak orë para ardhjes së Vitit të Ri 2016, ka mbajtur mbledhjen e parë, konstituive, të udhëhequr nga Petrit Gashi, Kryesues i Bordit, ku u diskutua për një varg çështjesh të përcaktuara me axhendë bazuar në mandatin ligjor të Agjencisë.
Për vitin 2016, menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka përcaktuar 20 objektiva kryesore të punës, të cilat ka paralajmëruar se do të bëhen të ditura pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve.
Në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK para 14 vitesh në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Welcome Shkelzen Gashi !
*Shkelzen Gashi, firmosi për 4 vjete me Colorado Rapids në SHBA/
*Shkelzen Gashi është ftbollisti i dytë shqiptar që vjen nga Europa në super Ligën Amerikane MSL, pas bombierit shkodran Hamdi Salihut që luajti me Washington D.C/
Nga Beqir Sina/
CLOLORADO : Futbollisiti kuqezi Shkelzen Gashi, ka firmosur, kartonin e tij dhe do të bashkohet me skuadrën e super Ligës Amerikane MLS – Colorado Rapids për sezonin 2016.
Në Colorado Rapids ai vjen mbasi më përpara pati nënshkruar për të luajtur ndeshjet ndërkombëtare me Shqipërinë, shkruan faqja e internetit të skuadrës Amerikane, duke njoftuar të hënën se Shkelzen Gashi ka marrë të drejtën nga pala zvicerane FC Basel, për të luajtur me një klub të MLS, Colorado Rapids nga Colorado.
Gashi ka nënshkruar një kontratë të caktuar e ashtuquajtur “Designated Player contract,”, duke e bërë atë futbollistin e tretë nga Europa, të një klubi të MLS, “Colorado Rapids” nga Colorado, pasi përpara tij, ka nënshkruar kartonin e tij edhe futbollisti skocez Kevin Doyle.
Në rrjetin social Facebook dhe Twitter, klubi Amerikan shkruan se 27-vjeçari me pashaport shqiptare Shkelzen Gashi, e ka çuar në Super Ligën zvicerane, ne krye të tabelës skuadrën e tij, duke qenë golashenuesi më i mirë në secilin prej dy sezonet e kaluara.
Javën e kaluar, Colorado Rapids, ka huazuar një tjetër PD, spanjollin Juan Ramirez, nga Almeria.
“Shkelzeni Gashi ishte objektivi kryesorë i ynë, për një kundërsulmes këtë season që vjenë,” tha drejtori klubit të futbollit Colorado Rapids Paul Bravo.
“Ai ka provuar të jetë një golashënues “pjellor” në suksesin e klubit të tij, por edhe në kupat evropiane. Përveç kësaj ai ka qenë i rëndësishm në ndeshjet kualifikuese, të ekipit të tij kombëtar për Euro 2016, Shqipërisë. Ne jemi të kënaqur për të nënshkruar atë në një transferim të përhershëm dhe të shohim përpara , duke luajtur tek ne për të parë atë në vazhdim . ” thotë drejtori teknik i klubit amerikan.
Më pas të hënën, Rapids dërgoi mesfushorin Marcelo Sarvas tek D.C. United në këmbim të parave në merkaton e shpërndarjes.
Gashi përfaqëson Shqipërinë në nivel ndërkombëtar, por ka lindur në Zvicër, ku ka kaluar gjithë karrierën e tij profesionale.
Përveç Basel, Gashi ka luajtur ndër të tjera, edhe me FC Zurich, Neuchatel Xamax, Aarau, dhe për Grasshoppers.
Që nga Basel deri tek bashkimi me Grasshoppers në vitin 2014, ai ka shënuar 31 gola në 55 paraqitje në të gjitha garat si lojtar titullar.
Colorado renditet e fundit në MLS sezonin e kaluar në shënimin e golave, duke gjetur rrjetën vetëm 33 herë në 34 ndeshje kampionat, dhe klubi tani mendon se ka shpresa që Gashi jo vetëm që mund të vazhdojë të gjejë rrjetën – golin e tij për të shënuar me Rapids, por gjithashtu ai mund të shërbej me pasime për Doyle.
Në nivel ndërkombëtar, Gashi ka shënuar një gol në 10 paraqitje.
Shkelzen Gashi është ftbollisti i dytë shqiptar që vjen nga Europa në super Ligën Amerikane MSL, pas bombierit shkodran Hamdi Salihut që luajti me Washington D.C
Kosova shtet edhe me Himn 8 vjet…
-Propozimi me shifrën “Europa” u miratua në 11 qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime/
-Himni i Kosovës e ka tekstin:O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë/Çerdhe e dashurisë/N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë/Vend i të parëve tonë/….
Nga Behlul JASHARI/ PRISHTINË, 1 Shkurt 2016/ Në vitin e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurtin historik 2008 edhe Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës mbush poashtu 8 vjet nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri.
Propozimi me shifrën “Europa” u miratua në 11 qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime.
Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin.
Komisioni për Simbolet Shtetërore të Kosovës kishte dërguar në Kuvend tre propozime, ndërsa Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare nxorën në votim vetëm propozimin e parë – melodinë me shifrën “Europa”.
Në seancë plenare, deputetët u ngritën më këmbë për të nderuar Himnin e Republikës së Kosovës, të transmetuar në sallën e Kuvendit.
Në prag të 15 qershorit 2008, ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, shteti i ri i Kosovës me Himnin i plotësoi simbolet shtetërore, pasi Kuvendi kishte miratiuar edhe Flamurin e Stemën që në 17 shkurt, në ditën e shpalljes së Pavarësisë.
Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës kishte një konkurrencë të madhe, nga 134 propozimet 110 ishin nga Kosova, ndërsa 24 nga shtetet tjera të botës: 7 prej Francës, 5 prej Shqipërisë, nga 2 prej Gjermanisë, Suedisë e Sllovenisë, nga 1 prej SHBA-së, Britanisë së Madhe, Holandës, Rusisë, Zelandës së Re dhe Kroacisë.
Autori i Himnit, kompozitori Mengjiqi menjëherë pas miratimit të melodisë ka thënë se pret që me kohë ajo të bëhet edhe me tekst.
“Kur e kam punuar këtë himn tërë kohën kam menduare në tekst dhe me kohë ma merr mendja do t’u mbetet poetëve që të shkruajnë vargjet për këtë muzikë”, ka thënë autori.
“Himni është një vepër solemne dhe ekzekutohet nëpër raste të veçanta, duhet të jetë muzikë e mburrjes, e krenarisë, muzikë e paqes, dhe këtë ma merr mendja se e kam thënë përmes muzikës”, ka deklaruar Mengjiqi.
“Himni i Kosovës e ka tekstin”, ka shkruar shtypi kosovar në 6 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë duke bërë të ditur se në fakt kur ishte propozuar melodia nga autori Mendi Mengjiqi, ajo shoqërohej edhe me vargje.
“Për shkak të limiteve të vendosura nga Pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që të heq tekstin”, shkruante shtypi, duke shtuar se “tashmë që kjo pako i takon së kaluarës, ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës të mësojnë edhe tekstin e bukur që i kushtohet dashurisë për mëmëdheun”.
HIMNI I KOSOVËS
O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë
N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë
Vend i të parëve tonë
Ti qofsh bekue për jetë e mot
O nënë e jonë
Ne të dalim zot
O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë
Kosova para tetë vitesh u bë me Himn Shtetëror edhe në prag të Ditës së Lirisë – 12 Qershorit, ditës kur në vitin 1999 nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s.
Në 2016-tën e 17 vjetorit të Lirisë e të 8 vjetorit të Himnit, Kosova me Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 është e njohur deri sot nga 111 shtete anëtare të OKB-së.
AVOKATËT E KURBINIT NË PROTESTË
Nga Ahmet ZANI/*
Rritja e pageses për kontributet shoqërore në masen 400 % për profesionet e lira është kundërshtuar nga avokatet e Kurbinit. Ata kanë bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore gjatë dites së hënë në shenjë proteste ndaj këtij vendimi të qeverise që ka hyrë sëfundmi në fuqi. Avokatet e Kurbinit e kanë konsideruar si masakren e radhes që qeveria po ndërmerr për të ndeshkuar Shqiptaret. Sipas tyre në një situate kur ekonomia është në momente të vështira, vlera prej 40 mijë lekesh nuk do të ishte e mjaftueshme sikur të përfitohej prej tyre dhe jo më qe të paguajnë këtë vlerë. “Rritja e takses në 400 % për sigurimet shoqërore është një taske e papranueshme për ne. Në këto momenti ekonomia e popullit Shqiptar është në gjendjen më katastrofike dhe është e papranueshme kjo mënyre me të cilen po vepron qeveria. Nuk ka komunikuar asnjëherë me grupet e interesit për këtë veprim të ndërmarrë dhe kjo është tepër absurde. Ne kemi bojkotuar punen gjatë gjithë dites nuk kemi marrë pjesë në asnjë gjyq në Gjykaten e Kurbinit. Këkrkojmë në mënyrë urgjenet reagimin e Qeverisë Shqiptare, pasi rritja e kësaj take ndikon drejtperdrejt në ekonominë tonë familjare. Ne do të vazhdojmë me protesta e deri në greve urie nëse nuk do të ketë reflektim nga qeveria” u shpreh Sami Dema Avokat në Kurbin Në të njejete linjë është edhe avokati Islam Ismaili sipas të cilir rritje e kësaj takse është një absurditet, duke ju referuar edhe faktit të gjendjes së vështirë që po kalon populli shqiptar. “Ne si avokat të Kurbinit jemi mbledhur të gjithë dhe kemi arritur në konkluzionin që kjo takse duhet të jetë shumë më ulet dhe jo në këtë nivel që është bërë tani. Ne po punojmë për mbijetese dhe më këtë profesion mbajmë familjet tona. Me këtë mënyrë veprimin shteti po na çon drejt falimentimit të plotë. Kërkojmë një reagim të menjehershem të qeverisë për ta parë këtë çështje, pasi kjo mënyrë veprimi është e papranueshme” tha Islam Ismaili Avokat i Kurbinit Pas ndryshimeve të paketës fiskale në fund të vitit të kaluar, qeveria ka miratuar edhe vendimin që përcakton pagat referencë, mbi të cilat do të llogariten kontributet e profesioneve të lira. Sipas vendimit, pagat referencë do të luhaten në varësi të kategorisë së bashkisë, madhësisë së aktivitetit dhe vjetërsisë së tij. Kjo do të thotë se kontributet për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, që kjo kategori individësh paguajnë në shtet do të rritet deri në 20 mijë lekë në muaj. Avokatet e Kurbinit do të vijojnë të bojkotojnë punen, deri në zgjidhjen e këtij problemi që sipas tyre ndikon drejteperdrejt në ekonominë e tyre familjare. Nga ana tjetër i kontaktuar me telefon kryetari i Gjykates së Kurbinit Alfred Gjoni ka bërë të ditur se seancat gjyqësore kanë vijuar normalisht në këtë gjykatë edhe pse nuk kanë qenë të pranishem avokatet.
* Bashkepunetor i Diellit nga Shqiperia