• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

LETER E HAPUN FQIUT TIM SERB

April 22, 2016 by dgreca

Nga Prof. Sami REPISHTI/*

 Dielli-Arkiv- Botoi DIELLI(New York) v.11,nr.73, ff.1,2 – Prill,1982). Ribotohet me rastin e 35 vjetorit te demonstratave  studenteske ne Kosove/

Fqiu i im i vjeter:

Nji vjet ma pare, kur dimni paloste krahet e bardhe e toka e jone shkrihej per lulezim e fllade pranverore, ti erdhe ne Kosove. Te pashe qe kalove i harlisun neper rruget e sheshet kosovare, i veshun me rrobe ushtarake, i mberthyem ne arme, i mbrojtun me qerre te armatosuna, i percjellun me fluturake qe gumezhijshin ne qiellin lane shkret nga zogjet e frikesuem. Nuk u besova syve te mi!

Po ate dite, ne tryezen e menses se studenteve, supa e zeze qe ushqente ishte ftohe nga pritja e gjate ne rreshtat e pa fund te  te rinjeve qe gjallnojshin me ate supe kazani. U deshprova, e ndjenja e vorfnise qe me mundonte per shume vjet me rradhe, brumosi vendimin tim me protestue, me demonstrue haptas e pa frike, me trumbetue te verteten time me fuqi, per ty e per boten mbar.

Ti nuk e ndigjove zanin tim, por bota mbar deshmoi krizmen e armes tande vrastare qe shkrepi, e vazhdoi pa nderpremje, por jo ma e fuqishme se zani i im e i mijera shokeve te mi. Pashe rreth e rrotull meje gjakun e kuq qe rrodhi nga trupat e te rinjeve te vrame, fetyrat e zbeme te viktimave, friken e madhe te voglusheve qe na ishin ngjite per trup, e ndigjova te perzieme me shamjet tueja, britmat e mases ne panik, e vajin e te vegjelve qe nuk kuptojshin, ashtu si edhe te gjithe ne, pse vellau dhe motra ma e madhe po vriteshin ne sheshet kryesore te qyteteve tona te lindjes.

Tri dite me rradhe vazhdoi perleshja e uniformes serbe me kesulat e bardha shqiptare! Ato dite, -per mue, per te mijte, per te gjithe ata qe nuk veshen rroben ushtarake si ti-, nji bote e rreme u rrokullis, u permbys njihere e perhere, e ne zbraztine e mbetun u gjet turma e kercenueme dhe e keqtrajtueme.

Zjarri i armes vrastare ne doren tande, me vdekjen qe keputi jetet e shokeve ne lule te rinise, vulosi rrugen e se ardhmes per te kercenuemet: ne rreshtat e gjate te te shtypunve ne marshim per buke, e paqe edhe liri!

*****

Sot, nji vjet ma vone, fetyra yte tregon shprehjen e kenaqesise qe ndrite tek fitimtari. Ngadhenjyes! Ne ate fetyre pasqyrohet e tashmja qe ti e shikon si vazhdim i panderpreme i se kaluemes sate te lavdishme. Qe nga ditet kur te paret tuej zbriten nga Uralet e u vendosen ne kete gadishull tragjik te Ballkanit, tue u ba keshtu fqinji i im shekullor, fiset e shperndame sllave qe formuen ma vone kombin tand serb kane njohe nji histori plot vuejtje e plot lavdi, kane kalite vjet mbas vjeti nji karakter qe u dallue per kambengulje e guxim, kane ndertue mbretni e perandori, e me te gjitha veshtiresite qe u dha koha e vendi ku jetuen kane arrijte sot, ne shekullin tone, te sigurojne per ty dhe per ata te  te kombit tand nji shtet te pavarun qe permbledh ne gjiun e vet te gjithe bijat e bijte e fisit  serb, dhe mundeson zhvillimin perhere ma te plote te identitetit tyne serb. Ne kete bashkesi politike e shoqenore, serbin nuk e shtyp ma i hueji, as nuk pengohet ai me kendue lavdite e se kaluemes, e me festue ditet e medha te kombit  serb. Ne kete shtet serb, ku herojt e kombit serb ngrihen ne piedestalet e pavdekshmenise, rinia serbe ashte e lire me  adhurue simbolet e krenarise serbe, ndersa mesuesi i tyne, ne shkollen ku edukohen, ushqen me frymen e dashunise per vend e respekt per traditeen serbe trembedhete here shekullore….

Per  serbin, po! Por jo per shqiptarin!

I huej ai ne vendin e vet, ende sot i mohohet atij kombesia, I fyhen atij herojt, i nençmohet historia, e te rinjte e te rejat shqiptare mbahen sot te lidhun ne vargoj. Prandej, shprehja yte ngadhenjyese tregon dukshem edhe gjurmet e randa te shtypesit. Ne hovin e pa permbajtun te rritjes sate, kamba yte ka shkele toket qe nuk jane tuejat, ka shkele token time. Vendi qe ti sundon sot, si fitimtar, nuk ashte ai i vellazenve tuej; ai ashte vendi i im e i vellazenve te mij. Shteti qe ti zgjanove mbylli mbrenda kufijve trojet e mia stergjyshore, trevat ilire e dardane ku ata kishin banue, para ardhjes tande ne Ballkan., kohet epike te mbretnive te tyne te lavdishme, dhe tragjedite e shkaterrimeve barbare qe sollen invazionet e njimbasnjishme te gadishullit. Ne ato troje ishte formue tashma identiteti i popullit tim ma i vjetri ne Ballkan.

Megjithate, para rrezikut te perbashket qe kercenoi Ballkanin dhe Europen, na gjetem vullnetin e duhun per bashkim e perpjekje te perbashket, ma shume se nji here. Gjate atyne koheve, ti krijove legjenden e Kosovopoljes ku humbja u shndrrue ne fitoren ma te madhe shpirtenore te popullit serb, ndersa ne toket shqiptare epopeja qe filloi prane Nishit e kulmoi ne Kruje, frymezoi per ma shume se pese shekuj çdo fjale e veper te vellazenve te mi. Te dy te shtypun, na u afruem si dy fqinj te frikesuem nga pesha e rande e kercenimit te huej e njohja e vuejtjes se perbashket, ruejtem ne zemrat tona kujtimin e lavdive te kalueme, e ushqyem me kujdes per vete e per te tjeret shpresen e nji dite te lire e fatlume…!

Ma vone, gjaku e gjuha sllave qe te bajne vella me kombe tjera te shumte e te medhaj sollen ftohjen tone, largimin, ndamjen e ballafaqimin. Tragjedia ime rifilloi me fitoren tande te pare. Ushtrite e hueja e tueja se bashku dogjen e plaçkiten toket tona, e katundet ku shqiptari vendas nuk pati kohe me u largue me kohe u mbushen me viktima, burra, gra e femije. Nji vale e eger urrejtje u versul mbi kombin tim qe ne Prizrenin e lashte u perpoq t’i tregonte botes mbar, e sidomos ty, o fqiu i im i vjeter, se rruga e paqes ne Ballkan e liria e perbashket kalojshin vetem permes trojeve te lira te te gjithe kombeve ballkanike, tue perfshi edhe kombin shqiptar.

****

Per fat te keq,  ti as ndigjove thirrjen time, as kuptove dhimbjen time!

Une lexoj kudo sot tregimet mbi aktet e shemtueme te ushtrive serbe ne token shqiptare, mbi perpjekjet e qeverive serbe kunder lirise se shqiptareve, mbi urrejtjen patologjike te klases sunduese serbe kunder fqiut shqiptar, e pyes veten: perse? Ne arkivat e pasuna zyrtare e ne kanget e thjeshta popullore, une lexoj e ndigjoj vetem per krimet tueja kunder meje e vellazenve te mi, e kambenguljen tande me me pengue lirine e jeten ne paqe ne toket qe banoj per tridhjete shekuj te gjate me rradhe. Kundrejt kujtimeve te ketilla, zanet fisnike serbe qe denuen krimin e kriminelet qeveritare mbeten per mue te vetmet burime ngushellimi.

Sot, te shkruej o  fqiu i im i vjeter, sepse kam nevoje te ndigjoj zanin e nji serbi fisnik qe denon krimet e sotme serbe kunder meje. Kam nevoje per nji za qe te ringjalle ne zemren time shpresen se fisnikeria e kombit tand, cilesia qe mveshe me dinjitet karakterin e kombit tand, nuk ashte shue fare e mbetet veçse nji kujtim i se kaluemes, shpresen se nana serbe linde perseri bij e bija  te afte per ate fisnikeri.

Ne qofte se fjala “njerezim”(covecanstvo) ka nji kuptim per ty, ajo keshillon te ushqesh nji cilesi thellesisht njerezore, nji ndjenje e prirjes kah dashunia e respekti per cdo qenie njerezore, tue perfshi edhe Shqiptaret.

Ne qofte se fjala “dinjitet”(dostojanstvo) ka nji kuptim per ty, ajo keshillon te ushqesh nji cilesi qe nalteson karakterin tand si qenie njerezore, keshillon nji perpjeke fisnike kah ngritja e vleres sate si individ, e siguron admirimin e besimin e te tjereve, tue perfshi edhe ate te Shqiptareve.

E ne qofte se fjala “komb” (narod) ruen ende tingullin magjik qe mobilizoi serbet per shekuj me rradhe, ajo  fjale keshillon gjithashtu te shikosh tek kombi nji bashkesi njerezish qe jeton me ndjenjen e vellaznimit ne gjak e gjuhe te perbashket, qe banon ne trojet e veta me doke e zakone te veta, e qe bashke me interesat e se tashmes shpreson per nji te ardhme te perbashket e perhere ma te mire- nji anderr shekullore qe perkdhelin edhe Shqiptaret.

Shqiptaret, o fqiu i im i vjeter, jane nji komb, jane qenie njerezoe me dinjitet, jane pjese e pandame e njerezimit mbar. Ky ashte mesazhi qe dergojne rreth e rrotull botes dy miljone shqiptaret qe banojne sot ne Jugosllavi: i thjeshte, logjik, historik!

Karakteri historik i mesazhit u forcue perseri me gjak nga shqiptaret e Kosoves se martirizueme ne pranveren e vjetit qe kaloi, ndersa ne burgjet e erreta te Serbise ai po kalitet gjithenji e ma shume me vuejtjet e qindera, ndoshta mijera, shqiptaresh te mbyllun e te torturuem vjete te gjata me rradhe. Ata qe rane ne altarin e atdheut shqiptar, ata qe u mbyllen e qe po mbyllen çdo dite mbrenda mureve te frikeshme te keshtjellave te vjetra serbe jane sot ndergjegja vete e nji kombi te tane. Ata jane çfaqja ma e nalte, shprehja ma koshiente e nji natyre njerezore, e dinjitetit personal, dhe e kryenaltesise kombetare shqiptare. Ata, o fqiu i im i vjeter, nuk jane “meturinat e se kaluemes””elemente te degjeneruem””fundrrinat e historise” siç i trumbeton sot shtypi i shitun i kalemxhinjve qe shperblehen per çdo shamje, “udheheqsit” qe nuk udheheqin veçse veten e tyne ne rrugen e servilizmit ndaj sistemit- “
klasa e re” e te privilegjuemve, pergjegjse e vrasjeve, e burgimeve dhe internimeve, pergjegjse para viktimave, nanave qe nuk pushojne se vajtuemi, te vejava qe u ashte nexi jeta, te jetimeve qe rriten pa prind…!

Qe nga fushat dhe qytetet kosovare te reduktueme ne krematore nga ushtrite serbo-malazeze deri ne masakrat e rinise kosovare te pranveres se kalueme; qe nga mohimi i gjuhes shqipe e i librave shqip per femijte shqiptare sot ne bankat e shkollave shqipe ne Jugosllavi; qe nga ditet e “sharraxhinjeve te Beogradit” deri tek njiqindmije te papunesuemet shqiptare qe nuk kane sot buken e perditeshme; qe nga “shiftari” i perbuzun e i perçmuem i se kaluemes deri tek ”bastardhet e Kosoves” siç quhen sot ata dhe ato qe po fitojne admirimin e perkrahjen e botes se qytetnueme, kalon e veshtire dhe e mundimshme rruga e Golgotes shqiptare ne Jugosllavi, kryesisht per arsye te arrogances serbe qe, ashtu si klaset e privilegjueme ne shoqenite e padrejta, refuzon me njohe lirine dhe te drejtat e shqiptareve, popullit ma te vjeter ne Ballkan.

Liria ashte shperblimi i guximtarit!

Shqiptaret po i tregojne sot botes mbar se kane kuptue ma se mire mesimet qe u dha historia e se kaluemes jo shume te larget. Shqiptaret ne Jugosllavi sot po rrezikojne jetet e tyne ne vijen e pare te zjarrit qe te fitojne lirite e mohueme, lirite qe ju serbet konsideroni si privilegje ekskluzive te kombit tuej. Shqiptaret ne Jugosllavi po tregojne me bindje dhe guxim se ju nuk do te jeni kurre me te vertete te lire, o fqiu i im i vjeter, ne qofte se nji pjese e bashkevendasve te juej nuk gezon te njejten liri – edhe pse nuk jane sllave si ju!

Atje ne Bella Crkven serbe, pushka trime e Ivica Jovanoviqit kumtoi nji mesazh per te gjithe popujt e shtypun te Ballkanit te okupuem: vullneti i nji kombi te vogel me jetue i lire dhe i pavarun nuk mund te thyhet kurre nga nji tjeter komb shtypes dhe i huej, sado i madh e i fuqishem te jete ai. Si ashte e mundun, o fqiu i im i vjeter serb, si ashte e mundun, qe sot, kater dekada ma vone, ti nuk pranon mesimin e madh qe te dha  njeni nga bijte tuej ma te mire, kur fjala ashte per lirine e pavaresine e shqiptarit?

Oh! Sa do te deshirojshe une me pa diten kur dy kombet tona, zote ne trojet e veta, te jetojne prane njeni tjetrit, e ne miqesi per shekuj te gjate me rradhe.

Sami Repishti, Ph.D.

11 mars 1982                                                   i  kombesise  shqiptare

——————————————————————————————-

(Shenim: Botue ne DIELLI(New York) v.11,nr.73, ff.1,2 – Prill,1982)

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: LETER E HAPUN FQIUT TIM SERB, Prof. Sami Repishti

Lodrat prej vërteti

April 22, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/

Lërini armët…, ka lodra më të bukura se ato. Këtyre lodrave prej vërteti u ka ikur koha. Ka komunikim. Kush nuk e bën dot është i paaftë. Kush nuk e përdor dot, nuk e vë në punë. I mungon aftësia bazë, ajo e njeriut me njeriun. Besimi me ndjesi njeriu. Dhe i është rritur nepsi i kafshës me kafshën.

Shteti funksionon me ligje. Armët e një shteti janë ligjet. Jo më bëj këtë favor se ta zbraza. Ta mbusha barkun me plumba.
Lërini armët se ata poshtë i marrin kaq seriozisht sa rrezik janë armatosur tashmë. Dhe nën petkun e qelbësirës, komunistit, hakmarrjes, gjakut, favorit të munguar. Heqjes apo vënies në punë. Shitjes së vajzës, nuses. Apo kësaj e asaj historie vrasjeje. Po planifikojnë. Po bëjnë planet.
Ndërsa eremitëve iu duket se pranvera po shkëlqen në varrezë.
1)Që jemi popull pa memorie, kjo është lehtësisht e vërtetueshme.
Që shitemi për armë, kjo është lehtësisht e verifikueshme. Që na pëlqejnë lodrat e kalibrave me silenciator, shutgunn, 12.7…, kallashin e kemi perëndi tani. Që na pëlqen c4-tra, telekomanda etj., nuk asnjë diskutim. Që shitëm armë, që ndamë armë, që morëm armët në 1997-të kjo bërtet. Këtë e dimë mirë të gjithë. Ndaj nxitojmë t’ia hedhim fajin njëri-tjetrit. Por e vërteta është sa një mal. Dhe faji i përbashkët. Dhe, si ai që bërtet … dhe si ai që akuzon sot, janë njësoj.
Po, ne i morëm armët.
Megjithatë gjykuam se vitet dymijë do ishin një epokë e re. Në heshtje një ndjenjë faji e pranuar. Një afrim me botën perëndimore. E cila rrokapjekjet, shëmbjet, ngritjet, luftën civile e kishte provuar përpara nesh. Dhe më hidhur se ne. Por me sa duket. Kjo nuk është udha e vënies mënd. E përsosjes së vetvetes. Ne duhet domosdoshmërisht të kalojmë nëpër këtë kalvar.
2)1997 kalvari shqiptar. Që sot interpretohet e stërinterpretohet me mendësi palësh. Jo me faktin real. A shkoni në varreza njerëz.
Ose kur të shkoni, mos shkoni vetëm për njerëzit tuaj. Hidhini një sy asaj shoqërie që i mungon mbrëmjeve, kafeneve apo birrarive tuaja. Hidhini një sy asaj shoqërie trotuaresh, teatrosh apo zyrave të pushtetit. Të atij pushteti të vogël, lokal. Se nga pushteti i madh nuk do shikoni gjësendi aty.
Unë rrjedh nga një vend, trualli i të cilit u bë shesh plumbash e gjaku. Më 97 më la edhe im atë. E përcollëm në krah. Dhe gjysmë fshehurazi. Fshehurazi më solli dhe një mik ca kafe. Gjëndje e jashtëzakonshme. Ku edhe qytetari më thjesht i bënte policit rreshtore. I bënte çfarë të donte. Mbrëmjet mbylleshin në mesditë. Në kryqëzime përmbyseshin mjete, shpoheshin gjokse. Varreza mbushej me lapidare mermeri. Me kangjella të përsosura.
Aq sa një garë e marrë na kishte bindur për një dashuri ekstazë nda vdekjes.
3)Në gjithë këtë humbje, veç protoganistët zjejnë akoma. Duke filluar nga Berisha vet. Deri tek ish Berishët. Ata që sot janë opozitarët më të mëdhenj të Berishës. Dhe kjo është paradoksija më madhe e Shqipërisë. Dhe kjo është verbëria e saj. Që i jep pushtet njërit apo tjetrit me devizën e plakur të atij vendi otoman. Se për inat të sime vjerre, po shkoj me mulllixhinë.
Sot gjithë rrjetet gëlojnë. Gëlojnë prej ishBerishëve. Unë po marr vetëm një rast. Ai që i thonë avokat Ngjela. Në 97-tën ishte me Berishën. Shumë i ashpër, shumë pro forcës, shumë pro grushtit shtypës etj. Këtë e bëri edhe me 21 janar të 2011. Kësaj radhe me Ramën.
Kemi pasur njëri-tjetrin afër. E kam parë të hypte në makina të fortish etj. Megjithatë të fortët janë në varrezë, kurse pushtetarët akoma bërtasin.
E mora Ngjelën si shembull se, ta dini…., keni me dhjetra, me qidra që po bërtasin. Me qindra bafshkëfajtorë. Që sot janë opozitarë pushtetarë. Po i gërmushen Berishës. Dhe ne të lumtur që po qeverisim. Për inat të sime vjerre.
4)Eshtë koha e një politike të re. Dhe po çirremi duke e thënë. Një sërë e tërë. Pasi shohim se sa natyrshëm dhe sa pa tifozllëk ndodhin transformimet në një shoqëri të madhe. Në një demokraci të konsoliduar për shkak të rotacionit, mungesës së protoganizmit, tifozllëkut partiak. Të Njëshit absurd. Se sa natyrshëm i jepet mundësia gjithsecilit të tregojë një planprojekt zhvillimi shoqëror. Se sa natyrshëm largohet, hap krahun. Dhe se…, se sa fije të brishta bari janë përballë ligjit dhe shtetit.
Eshtë koha për lodrat e jetës, jo të vdekjes.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Levonja, Lodrat prej vërteti

Kosovë-Serbi, ndërtohen 6 pikëkalime kufitare

April 22, 2016 by dgreca

-Ministrja Tahiri: Progres në pikëkalimet e përhershme kufitare të IBM-së/

PRISHTINË 22 Prill 2016/ Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka deklaruar se ka përparime të rëndësishme në përgatitjet për ndërtimin e gjashtë pikëkalimeve të përhershme kufitare të IBM-it, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ajo ka thënë se faza e parë e projekteve është në finalizim e sipër, ndërsa pastaj vijojnë fazat tjera të projektimit final të ndërtesave të përhershme të pikëkalimeve kufitare mes dy shteteve. Ky projekt madhor për Kosovën financohet nga Bashkimi Evropian.

BE ka përzgjedhur organizatën UNOPS për agjenci zbatuese të këtij projekti si në Kosovë e po ashtu edhe në Serbi. Ndërtimi do të përfshijë të gjitha gjashtë pikë-kalimet kufitare në mes të dy shteteve dhe do të kushtoj rreth 24 milionë euro të ndara nga fondet IPA të BE-së për të dyja shtetet.

Nga ana e saj, Qeveria e Kosovës është duke i përmbushur sipas afatit të gjitha obligimet që ndërlidhen me zbatimin e marrëveshjes për IBM dhe aspektit të ndërtesave të përhershme, pasi tashmë është duke i bërë shpronësimet për lokacionet ku do të vendosen ndërtesat e pikë kalimeve kufitare si dhe obligimet tjera rreth këtij procesi.

UNOPS ka kryer survejimet topografike dhe gjeoteknike të tokës dhe shumë shpejtë do t’i paraqes për aprovim dizajnët e ndërtesave. Nga muaji korrik deri në gusht të vitit 2016 do të tenderohet projekti dhe ndërtimi pritet të filloj në mes të muajit shtator në PKK-në e IBM-së në Merdare, një muaj më vonë në PKK Mutivodë dhe në mes të nëntorit PKK Bërnjak, ka theksuar Ministrja Tahiri e cila ka thënë se projektet e lokacioneve janë përfunduar dhe për opinionin publik po i ndajmë pamjet e dizajnëve./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Kosove-Serbi, kufitare, ndërtohen 6 pikëkalime

Universiteti Publik “Fan S.Noli” zgjodhi rektor Prof.Dr. Ali Jashari

April 22, 2016 by dgreca

FOTO Lajm/

Mbas numurimit te votave, mbasditen e 20 prillit 2016, fitues për postin e Rektorit në Universitetin Publik “Fan S.Noli”, Korcë, u shpall Prof.Dr. Ali Jashari.  Ishte  një garë demokratike sipas modelit amerikan ku triumfuan vlerat qytetare, intelektuale  dhe familjare. Kujtojmë lexuesit se program zhvillimor i këtij universiteti dhe jeta akademike e kandidatit për Rektor në Universitetin “Fan S.Noli” u promovua  nga gazeta  “Dielli”, më datën 14 prill 2016.  Me këtë rasta redaksia e gazetës “Dielli” dhe shoqata “Vatra”, i urojnë prof.Dr.Ali Jasharit së bashku me stafin pedagogjik dhe studentor të Universitetit Publik “Fan S.Noli”, suksese  në detyrën e re dhe procesin e formimit të tyre arësimor-edukativ-shkencor në dobi të shtetit shqiptar dhe familjeve të tyre. Gjithashtu përshëndesim cdo projekt e nismë që i shërben bashkëpunimit të frutshëm  të universitetit “Fan S.Noli” me shoqatën “Vatra” dhe  gazetën  “Dielli” këtu në SHBA. Ndërkohë personeli mësimdhënës dhe studentët e këtij Universiteti janë të mirëpritur në vatrën e “Vatrës” dhe faqet e gazetës “Dielli”.

Redaksia e gazetës “Dielli”.

Filed Under: Komente Tagged With: Prof.Dr. Ali Jashari, Universiteti Publik “Fan S.Noli”, zgjodhi rektor

Thaçi: Kosova ka evituar zhytjen në krizë politike

April 22, 2016 by dgreca

-Presidenti Thaçi në takim me ambasadorin britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell: Po kërkojmë mënyra që të dinamizojmë dialogun në rajon dhe me BE-në/
PRISHTINË, 22 Prill 2016/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve dhe për mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi.Presidenti Thaçi theksoi se Kosova ka evituar zhytjen në krizë politike dhe se në ditët e fundit ka një sjellje konstruktive të të gjitha palëve.

“Është për t’u vlerësuar që debati është kthyer në çështjet si zbatimi i MSA-së dhe zhvillimi ekonomik i vendit”, u shpreh presidenti Thaçi.Ambasadori O’Connell u shpreh i kënaqur që po krijohen rrethana që Kosova të paraqitet sa më pozitivisht në botë.

Në këtë takim, u diskutua edhe për prezantimin në sport dhe mundësitë për paraqitje pozitive të Kosovës në Lojërat Olimpike, si dhe për marrëdhëniet rajonale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.“Po kërkojmë mënyra që të dinamizojmë dialogun në rajon dhe me BE-në”, ka thënë presidenti Thaçi./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: në krizë politike, Thaçi: Kosova ka evituar, zhytjen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT