• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Aksidenti tragjik – Bazo: Humbën jetën dy ushtarakë të devotshëm

April 6, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani shpreh ngushëllimet për viktimat e helikopterit ushtarak të rënë aksidentalisht/

-Dy ushtaraket u shpallen “Deshmore te Atdheut”/

Ne Foto:Togeri Donald Hoxha, i cili humbi jetën në aksidentin e sotëm tragjik të rrëzimit të helikopterit të Forcave të Armatosura, kishte planifikuar të martohej në muajin korrik./

Shefi i Shtabit të Pergjithshem te FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo,ne nje në një konferencë për mediat te merkuren pasdite  sqaroi detaje për ngjarjen e rëndë të rrëzimit të helikopterit të FA në Malësinë e Madhe ne veri te vendit.Bazo në prononcimin e tij për mediat pohoi se “Me keqardhje duhet të bëj me dije se dy nga anetarët e ekuipazhit, kapiten Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxha, kanë humbur jetën, ndërsa personi i tretë, ushtari Gerald Baramuca është plagosur dhe po trajtohet në spitalin rajonal të Shkodrës, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën”.

“Knë humbur jeten dy ushtarake të devotshëm, dy pilote të talentuar, që gjithmonë kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë për të tjerët e me këtë rast, në emër të ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe personelit me uniformë ose jo të FA, përcjellim ngushëllimet për familjarët e të rëneve në krye të detyrës. Ju urojmë shërim të shpejtë  të plagosurit. MM dhe Shtabi i Përgjithshëm  menjëhere kane angazhuar burimet në dispozicion për të hedhur dritë mbi rrethanat në të cilat ka ndodhur ky aksident tragjik”, tha Bazo.

Presidenti Nishani shpreh ngushëllimet për viktimat e helikopterit ushtarak të rënë aksidentalisht/

Presidenti i Republikës,  Bujar Nishani, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura shpreh dhimbjen e thellë për dy viktimat e shkaktuara nga rënia aksidentale e helikopterit ushtarak sot në mesditë në Liqenin e Shkodrës, në zonën e Malësisë e Madhe.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e rrëzimit aksidental të helikopterit ushtarak në ujërat e Liqenit të Shkodrës si dhe për humbjet e jetëve të vyera të Kapiten Florian Deliaj dhe Togerit Donald Hoxha.

Në cilësinë e Presidentit të Republikës dhe atë të Komandantit të Përgjithshëm, ju shpreh ngushëllimet më të ndiera, edhe në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë, familjarëve dhe të afërmve të dy të ushtarakëve të rënë në krye të detyrës duke i siguruar njëkohësisht se gjendem pranë tyre shpirtërisht në këto çaste të rënda e të trishtuara.Në të njëjtën kohë i uroj shërim të shpejtë edhe ushtarit të lënduar në këtë aksident tragjik, Gerald Baramuça.Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura, do të jenë ngahera krenare dhe mirënjohëse përjetësisht për sakrificat dhe vetëmohimin e ushtarakëve tanë” shprehet Kreu i Shtetit shqiptar.

Kodheli: Dhimbje, pikëllim, trishtim për humbjen e dy ushtarakëve të devotshëm/

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka shprehur sot ngushëlimet për dy viktimat e helikopterit ushtarak të rënë aksidentalishtNë një postim në rrjetin social “Facebook”, ajo shkruan:“Floriani dhe Donaldi ishin të destinuar për të qëndruar në qiell. Qielli ishte puna, detyra, pasioni i tyre. Atje lart u prehshin!”

“Dhimbje, pikëllim, trishtim për humbjen e dy ushtarakëve të devotshëm, dy pilotëve të talentuar, dy djemve model për shoqërinë.”, thekson Kodheli.

“E kishin jetën përpara, por ranë në lule të moshës, në krye të detyrës. Nuk kam fjalë të ngushëlloj nënat e tyre. Vuaj bashkë me to. I shërbyen vendit dhe dhanë jetën për të. Lutem për shpirtin e tyre. Shërim të shpejtë Geraldit!”, përfundon ngushëllimin e saj ministrja Kodheli.

Dy ushtaraket u shpallen “Deshmore te Atdheut”

 

Filed Under: Komente Tagged With: – Bazo: Humbën jetën dy ushtarakë, Aksidenti tragjik, të devotshëm

Personazh/ Flet gazetarja dhe moderatorja e TVSH, Elona Paja

April 6, 2016 by dgreca

“Mini-Mini Show”, një emision i veçantë për fëmijë/

-Sot bëj krahasimin me brezin e fëmijëve të para 13 viteve/

– Ata atëherë ishin më të drejtpërdrejtë dhe më naivë në pyetjet që u bënin të ftuarve. Ishin me më pak komplekse/

– Ky brezi i sotëm, i cili i di të gjitha që në bark të mamit ka dhe një vetëkontroll/

– Dikur pjesa më e madhe e të ftuarve i përkisnin fushës së politikës, sot ata i kemi lënë mënjanë/

– Një femër e pavarur ekonomikisht, do të thotë një femër, e cila nuk do të durojë më dhunën në shpinën e saj/

Nga Albert Z. ZHOLI/

Elona Paja mbetet një ndër gazetaret e suksesshme që ja ka kushtuar krijimtarinë e saj dhe performancën televizive fëmijëve dhe vetëm fëmijëve. Një vajzë kërkuese ndaj vetes, korrekte dhe me vizion. Mini-Mini Show ka startuar për herë të parë në vitin 2003. Një format që në atë kohë rezultoi i suksesshëm. Më pas ai vazhdoi deri në vitin 2009. Tashmë, Elona, vendosi t’i rikthehet këtij emisioni, sepse nevoja për të patur një emision për fëmijë nuk ndihet vetëm në TVSH, por në të gjitha kanalet televizive. Këmbëngul gjithmonë, sepse fëmijët janë e ardhmja dhe si e ardhme, ata meritojnë të kenë hapësirat e tyre, vëmendjen tonë dhe t’i drejtojmë e t’i edukojmë siç duhet.

– Kush janë të veçantat e këtij emisioni dhe cilat janë risitë në këtë këndvështrim të ri?

Sot bëj krahasimin me brezin e fëmijëve të para 13 viteve me sot. Ata atëherë ishin më të drejtpërdrejtë dhe më naivë në pyetjet që u bënin të ftuarve. Ishin me më pak komplekse. Ky brezi i sotëm i cili i di të gjitha që në bark të mamit ka dhe një vetëkontroll. Shpeshherë ata kanë informacion edhe më shumë se ne të rriturit. Risitë ketë radhë janë të shumta,duke nisur që nga personazhet e ftuar të cilët vendosen përballë fëmijëve. Dikur pjesa më e madhe e të ftuarve i përkisnin fushës së politikës, sot ata i kemi lënë mënjanë. Ftohen personazhe, për të cilët vetë fëmijët kanë interes, por njëkohësisht në përzgjedhjen e tyre ne përpiqemi të mos i japim shikuesit një emision argëtues(natyrisht edhe për këtë mendojmë,por si qëllim i fundit),por një Mini Show edukativ dhe informativ.

-Si ndiheni në këtë emision dhe cilat janë përgatitjet dhe vështirësitë për realizimin e tij?

Le të themi qe ndihem mirë. Është formati im dhe e bëj me shumë dashuri. Puna me fëmijët më jep mjaft kënaqësi. Natyrisht që të hysh në botën e tyre dhe të fitosh besimin e tyre është e vështirë, por po e fitove ketë besim ti ja del mbanë. Vështirësitë janë të shumta në TVSH por mbështetja dhe përkushtimi i stafit me te cilin punoj, bën që në fund të ditës të gjitha të harrohen.

– A mendoni se emisione të tilla duhet të jenë të vazhdueshme në të gjithë stacionet televizive?

Sigurisht që po. Ka tentativa të vazhdueshme por janë të vogla. Më shumë këto tentativa i shoh si show për të korrur sukses me pafajshmërine e fëmijëve. Fëmija është fëmijë dhe ka kohë të rritet. Ne natyrisht e kemi për detyrë tu përgjigjemi të gjitha pyetjeve të tyre,por jo ti shtyjmë ata të sillen si të rritur. Atë ç’ka mbjell- Atë do të korrësh

-Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të afërt në këtë nismë, sa të bukur po aq dhe të vështirë?

Sa mirë që ma bëre këtë pyetje. Së pari ekrani i shenjtë i Televizionit Shqiptar,i cili në 18 vite pune aty nuk më ka braktisur kurrë. Së dyti unë kam një regjisor të talentuar i cili si puna ime ka një jetë që merret me fëmijët e ai quhet Artur Dauti. Pa gazetaren dhe koordinatoren e këtij formati Nevila Hoxha (Islami) nuk besoj se do t’ja dilja dot mbanë e vetme. Dhe pastaj dy njerëz të dashur për mua, operatori Arben Ametlli dhe mjeshtri i zërit Kristaq Kristo, të cilët më durojnë edhe kur jam e mërzitur, edhe kur jam me nerva (qesh).

-Pse zakonisht femrat janë më të pranueshme në realizimin e emisioneve të tilla?

Këtë se’ di. Ndoshta, sepse gjuhën me të cilën u flitet fëmijëve vetëm ato e njohin. Instinkti i nënës…

-Mendoni se femrat shqiptare e kanë gjetur veten dhe respektohen si moderatore në televizione?

Përderisa në një pjesë të mirë të formateve televizive e drejtojnë femrat natyrisht që po. Në ato formate që kërkohet gjuhë më e ashpër e mbulojnë shumë mirë meshkujt. Megjithatë një gjë mund ta them me siguri. Femrat janë shumë të zonjat në punën që bëjnë dhe u besohet. Me femrat vështirë se mund të bësh kompromise.

-Po në emisione të tjera, femra a është po aq premtuese sa në ato për fëmijë?

Sigurisht. Ju keni emisione politike që drejtohen nga femrat, edhe në botë. Emisione me tema të forta sociale, ekonomike. Femrat janë shumë të zonjat dhe dinë t’i çojnë punët deri në fund. Egoizmi që i karakterizon i bën më të forta.

-Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

Së pari, dhe më kryesorja mendoj është pavarësia ekonomike. Që këtu nisin të gjitha problemet. Një femër e pavarur ekonomikisht do të thotë një femër e cila nuk do të durojë më dhunën në shpinën e saj, nuk do t’i trembet divorcit, do të dijë të ngrejë zërin për të drejtat e saj etj.

-Në emisionin tuaj a ndikon politika dhe në fakt a duhet të ndikojë?

Aspak. Gjatë këtij sezoni gjeja e parë që ramë dakord njëzëri ishte të mbanim larg politikës fëmijët. Mjaft më me personazhe politikë se na kanë ardhur në majë të hundës. Natyrisht që herë pas here ata bëhen kuriozë dhe e pyesin të ftuarin por detyra e një televizioni publik është të merret me edukimin dhe informimin e tyre. Ndonjëherë më ndodh t’i ngacmoj me humor se me kë parti janë ata dhe aty kuptoj që ata janë partizanë të bisedave të prindërve në familje. Këtu kuptoj që në familjet tona flitet më shumë për politikën, sesa për hallet tona të përditshme.

– Po filmi për fëmijë, a është në nivelet e duhura dhe a ka rëndësinë e duhur sot?

-Unë sapo kam përfunduar një serial me 20 seri për fëmijë, “Dadoja e pallatit tonë”. Ndërkohë që kam rinisur seritë e reja të tij. Filmat për fëmijë janë të paktë. Natyrisht që duhen buxhete por mendoj që edhe skenaristë që shkruajnë për fëmijë janë me kokrra. Në një të ardhme kemi për të patur, por kjo e ardhme sot që po flasim më duket e largët.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, Elona Paja, moderatorja e TVSH

Shqipëra në Eurovision, për gjithë shqiptarët

April 6, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari: Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision Eneda Tarifa,  me drejtorin përgjishëm të Radio Televizionit Shqiptar, Martin Leka, e drejtorin e përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, në konferencë shtypi, 6 prill 2016 -Prishtinë/

 -Eneda Tarifa me këngën “Përrallë” është fituesja e Festivalit të 54-ët të Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa në Eurovision do të performojë në natën e dytë, në 12 maj 2016. Sot në Prishtinë foli edhe për Gazetën DIELLI/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Prill 2016/ Kënga e Shqipërisë  në Eurovision do ketë zërin e përfaqësimit të gjithë shqiptarëve edhe në Kosovë e trojet tjera etnike, edhe në diasporë – në Evropë, SHBA dhe kudo në botë, tha sot Eneda  Tarifa, në një konferencë shtypi në Prishtinë, duke theksuar pritjet për mbështetjen e gjithë kombit.

“Të shpresojmë që ai tre minutëshi i artë që ka Shqipëria në Eurovision të jetë në favor dhe me shkëlqimin e suksesit”, u shpreh përfaqësuesje shqiptare në Eurovision në konferencën për shtyp, ku është përgjigjur edhe në interesimet e korrespondentit në Kosovë të Gazetës Dielli.

“Kësaj here do të na duhet shumë më tepër ndihma e bashkatdhetarëve tanë kudo që ndodhen dhe do e kemi besoj. Do të mundohem të japë maksimumin tim që përfaqësimi të jetë dinjitoz”, u shpreh Tarifa.

Para Festivalit Eurosong që do të mbahet në Stokholm, Suedi, përfaqësuesja e Shqipërisë Eneda  Tarifa,  si dhe  drejtori i përgjishëm i Radio Televizionit Shqiptar- RTSH, Martin Leka, e drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës – RTK, Mentor Shala, kanë folur në një konferencë shtypi në kryeqytetin kosovar.

 “Ne do të bëjmë më të mirën e mundëshme për të gjithë shqiptarët, të votojnë këngën tonë”, thekoi Lekaj. Ndërsa, Shala paralajmëroi se, “këtë vit do të vendoset se a do mund Kosova të jetë pjesëmarrëse vitin e ardhshëm në Eurovizion”.

 U bë e ditur se, këngëtarja Eneda Tarifa që paraqitet në festivalin më të madh të këngës në Evropë, Eurovision, do jetë së bashku në skenë me tre këngëtarë bekvokalistë, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Eneda Tarifa me këngën “Përrallë” është fituesja e Festivalit të 54-ët të Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa në Eurovision do të performojë në natën e dytë të këtij festivali në 12 maj 2016.

 Bashkë me Shqipërinë në të njëjtën gjysëmfinale do të këndojnë edhe Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Maqedonia, Serbia, dhe për herë të parë do të jetë edhe Australia.

 37 shtete do të garojnë në dy gjysmëfinalet e datës 10 dhe 12 maj, dhe vetem 10 prej dy gjysëmfinaleve do të kalojnë në natën finale ku do t’i shtohen edhe 5 shtetet që automatikisht kalojnë në finale Gjermania, Spanja, Italia, Franca dhe Britania e Madhe si dhe mikpritësi i festivalit që këtë vit është Suedia.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, për gjithë shqiptarët, Shqipëra në Eurovision

Hermira Gjoni, një jetë me muzikë

April 6, 2016 by dgreca

Violeta Mirakaj  /New York/

Nr Foto:Hermira Gjoni  , pianiste/ SHBA/

Për shekuj me radhë, thesarë tingujsh u grumbulluan në botë. Tingujt e fuqishëm të simfonive të Bethovenit, operat madhështore të Verdit dhe Gunose, meloditë e ëmbla të Shopenit, Grigut dhe të tjerë kanë kumbuar në të katërt anët e vendit,të cilët kanë ndriçuar si gurë të çmuar  Çdo gjë kalon, vetëm arti është i përjetshëm. Muzika u jep kënaqësi, ëmbëlsi, shpirt, jetë e madhështi gjithë njerëzve, kjo është dhe lejtmotivi i gjithë veprimtarisë muzikore e Hermira Gjonit.  Znj. Hermira, nga komentet e njerëzve të shquar të muzikës është përcaktuar si  një koncertmaestër që di të trasmetojë me elegancë  te spektatori shpirtin dhe muzikën që interpreton.

Biseda me Hermirën nisi ashtu thjesht, nisi si një bisedë midis një artdashëse dhe një artisteje, e cila me thjeshtësinë e saj karakteristike, me lirëshmërinë e mendimit dhe me kulturën e gjerë të bën për vete dhe gjithmonë ke çfarë të mësosh. Ajo mendon se muzika është një okazion për ta jetuar jetën më mirë, është gjuhë që kuptohet nga popujt e gjithë kombeve të botës, është gjuhë origjinale e çmueshme për transmetimin e mendimeve dhe ndjenjave.

Një jetë mes tingujve të pianos, një jetë që nisi që në moshën fëminore dhe vazhdon deri në ditët e sotme…. Ajo shprehet : -“Kryesorja në skenë është të luash thjeshtë, lehtë, pa mundim. Gjithmonë kujtoj fjalët e pianistit të madh, F. Buzonit: Pianisti duhet të ketë një inteligjencë mbi të zakonshmen , forcë këmbëngulëse, kulturë, ndjenjë, poezi dhe magnetizëm personal që të frymëzojnë spektatorin” – Pianistja Hermira Gjoni formoi personalitetin e saj artistik kur në Shqipëri po hidheshin hapat e para drejt kristalizimit të artit muzikor profesional. Gati për 25 vite me radhë ka qenë e emëruar Koncertmaestre në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Ajo tregon për vitet e Teatrit të Operas dhe Baletit :- “Të bësh në jetë të dendur koncertale nuk është e lehtë, do një impenjim të plotë. Kam punuar me pasion, me shumë vullnet dhe frymëzim në koncertet e mia solo; por edhe kur shoqëroja shumë artistë të talentuar, këngëtarë, instrumentistë, kërcimtarë. Për të bërë këtë duhej një përkushtim i plotë dhe i thellë, duhet t’i japësh mendjen, veten tënde veprave që ekzekuton.” Orë të tëra të jetës së saj i janë dedikuar ndihmës për të çuar në një nivel më të lartë artistik, talented e reja. Ajo ka patur rastin të punojë 4 – 5 breza këngëtarësh dhe këtu nuk mund të mos përmendim ariet, me nivelin më të lartë artistik që ajo arriti së bashku me këta këngëtarë në koncerte të ndryshme, si me Artistin e Popullit M. Xhemali, apo me Ll. Kaçaj apo me A. Mula, R. Kovaçin,N. Mula, Xh Athanasi, I. Tukiqi, T. Kota, R.Dabulla,F.Mamaqi.Të shumta janë vlerësimet pozitive  Një ndër ta është dhe vlerësimi nga Zh. Ciko, “Mjeshtër i Madh” midis të tjerave shprehet -“...kam patur fatin ta njoh hershëm (Hermirën) si person me formimin kulturor artistik të plotë dhe njëherësh si pianiste e shquar e cila ka debutuar si soliste në koncerte të ndryshme. Veçanërisht një nga meritat kryesore të Znj.Gjoni është përgatitja e premierave të veprave shqiptare në shumë prej të cilave ka qenë ekzekutuese e parë…Ajo ka interpretuar gjithashtu si soliste pianiste në koncertet e Orkestrës Sinfonike të TOB. Institucioni që unë drejtoj i është mirënjohës Znj. Gjoni për kontributin e vyer dhe personalitetin e saj të cilin e vlerësojmë lart”. Prof.M. Krantja, Dirigjent, Artist i Popullit e vlerëson:” Hermira Gjoni është e shquar për cilësinë e saj të lartë si soliste dhe koncert – maestre gjatë koncerteve dhe shfaqjeve të dhëna sa në Shqipëri dhe jashtë vendit. Dallohet për formimin e saj të veçantë kulturor e artistik, për horizontin e pasur…” Prof. Ç. Zadeja, Kompozitor, Artist i Popullit shprehet :“ Si pianiste me plot pasion dhe profesionalizëm është dalluar jo vetëm për lojën në ansambël si koncertmaestre por dhe si pianiste e koncertiste e shquar”. Në emrin e “luftës së klasave”, në 1975, papritmas aktiviteti i saj ndërpritet. Ajo ndalohet të ekzekutojë në koncerte, të realizojë regjistrime në Radio -Tirana, apo të dalë në emisionet e TVSh, deri në  1990.  Vite të humbura të mundësive krijuese dhe interpretuese artistike që nuk do të ktheheshin dot më, por dhe që nuk mund të harroheshin… por nuk e lëshoi veten kurrë. Mosvlerësimi, injorimi, dhe mënjanimi nga aktivitetet artistike për 15 vite ishte sfilitës. Si thotë vetë Znj. H.Gjoni:-“Unë isha shpirtërisht e rrënuar sepse ekzekutimi në piano ishte themeli i identitetit tim.” Megjithatë,me punën e saj, tregoi se shpirti njerëzor ka një fuqi dhe një dinamikë të pashtershme….Në jetën e Hermira Gjonit ka ndikuar, ndihmuar në profesion bashkëshorti i saj kompozitori dhe dirigjenti i shquar S. Gjoni. Kritiku i muzikës, G. Leolsakos, e karakterizon kështu:- “S. Gjoni është një kompozitor i shkëlqyer, krijues i destinuar, me një kulturë të thellë estetike dhe muzikale, por mbi të gjitha me një personalitet të mrekullueshëm human, me një zemër të artë në harmoni të plotë me kulturën e tij të rafinuar” Deviza e Simonit  ishte se artet janë esenciale për një komb të zhvilluar e të shëndetshëm dhe në periudhat e përmbysjeve sociale dhe orientimit shpirtëror mbështetja tek arti është mbështetje për civilizimin e Kombit.

Me gjithë mosvlerësimet dhe mënjanimet e atyre viteve, Znj. H. Gjoni i ruajti principet e veta artistike dhe pas viteve të izolimit e rindërtoi repertorin e saj pianistik dhe rifilloi koncertet me shumë sukses në vende të ndryshme të botës. Në 1993 ka qenë pianiste në konkursin “Plaçido Domingo” Paris – Francë. Aktiviteti artistik i Hermira Gjonit do të ringjallej dhe do të arrinte shkallën më të lartë të vlerësimit në vitet e punës dhe të suksesit artistik në SHBA. Pra ja që fati i njeriut është i çuditshëm dhe atëhere kur nuk e pret i hapen mundësi të paparashikueshme për përmbushjen e dëshirave. Si për të gjithë shqiptarët dhe për Hermirën dhe familjen e saj, ardhja e demokracisë ishte e barabartë me një rilindje shpirtërore dhe artistike. Një proverb amerikan thotë se: “përgjigja më e shkurtër është të veprosh”...dhe kështu ajo veproi…  Koncertet do të pasonin njeri- tjetrin nga dy koncertet në Qendrën Botërore të Tregtisë apo Festivali multikulturor i zhvilluar në 22 prill 2001.K. Gilhur në intervistën e tij shprehet për H. Gjonin:“Teknika e saj dallohet për pjekuri dhe mjeshtëri në instrumentin e pianos.” Më 13 nëntor 2004 në kishën e “Shën Pjetrit”, artdashësit shqiptarë dhe amerikanë ndoqën një koncert me pianisten tonë dhe sopranon amerikane Xh. Yaffe. Një seri koncertesh me sopranon japoneze Junko Arita, pedagoge e kantos në konservatorin e muzikës në N.Y. Ja si shprehet në intervistën e saj, artistja japoneze Z. Takakusaki: “ Koncerti ishte me nivel të lartë artistik. Gjoni ishte një pianiste shumë krijuese dhe e transmetoi muzikën japoneze qartë dhe kuptueshëm. Aty spikati për gamën e gjerë dhe për variacionet dinamike” Në konferencën Botërore të Pedagogëve të pianos, Prill 2005, H. Gjoni mbajti leksionin- “Ana emocionale e interpretimit në piano”. Koncerti festiv me rastin e Ditës së Kolombit ishte një ditë e madhe për pianisten H. Gjoni. Për herë të parë pianistja shqiptare ishte e ftuar të ekzekutonte përpara një publiku që kishte ardhur posaçërisht nga shumë shtete të SHBA, Kanada, Itali etj. Ovacionet nuk pushonin për interpretimin e tenorit të famshëm K. Makio, i cili u shoqërua nga Hermira si dhe nga interpretimet e veprave solo nga kompozitorët Shopen dhe List. Në mbyllje të koncertit u zhvillua ceromonia e dorëzimit të medaljes për tenorin K.Makio, Miss Amerika K. Zanzaro dhe për pianisten Hermira Gjoni. Ajo shprehet: “Ishte një surprizë kjo medalje, dhe ky fakt më bën që në të ardhmen t’ju dhuroj koncerte edhe më të bukura për nderimin që më bëtë”.…Dhe fjalën e mban… Koncertet vazhdojnë në vite…Pas koncertit me rastin e 200 -vjetorit e lindjes së kompozitorit dhe pianistit të madh F.Shopen, Hermira pasi e ndjen veten të gëzuar që merr pjesë në këtë eveniment me pianistë me nivel të lartë të të gjithë kombësive , thekson: “Ai ishte poeti i pianos, prandaj mendoj që të transmetosh në mënyrë të natyrshme ta ndjesh veten në harmoni të plotë me muzikën që ka lënë Shopeni; kjo është detyra e pianistit”.

   Ajo vazhdon koncertet me artisten e operas së Parisit, M. Mingheras dhe sopranon amerikane M. Wintson dhe së shpejti do të ketë një turne në Europe Itali, Rumani, Izrael.

Znj. Gjoni është anëtare e Fondacionit të Artistëve “The Bohemians” në N.Y; është nderuar me medaljen “Naim Frashëri” nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë dhe me medaljen “Associazione Compania – USA

Pra, aktiviteti artistik i Znj.Gjoni ka fituar sukses dhe një rilindje shpirtërore dhe artistike në N.Y. Sipas mendimit të saj këtu, në SHBA çlirohesh nga ndikimi i opinionit të të tjerëve, nga paragjykimet, nga frika e rrëzimit ose e dështimit. Kjo të bën të jesh vetvetja, të ndjekësh pikësynimet dhe kështu njeriu arrin potencialin e tij më të lartë. E gjithë kjo eksperiencë të jep forcë dhe të bën të mos e kthesh kokën prapa, po të shohësh se çfarë mund të arrish në të ardhmen. Me kalimin e kohës ndryshojnë shijet, ambienti që na rrethon, ndryshojnë mjetet, (piano, akustika, spektatori) dhe pianisti vazhdimisht provon, mediton, kërkon, perfeksionohet dhe fillon të kuptojë më mirë sesi duhet të ekzekutosh në piano. Të punosh në art kërkohet pak më tepër se sa thjeshtë të kesh talent, duhet të kesh disiplinën brenda vetes për të përballuar orët e studimit dhe koncertet. Por të kesh një jetë të dendur artistike do hasësh më shumë xhelozi, bile nga kolegët. Ky është realiteti! Suksesi ka gjithmonë një çmim, je gjithmonë në dritën e pamëshirshme të publicitetit, – dashamirëve dhe ziliqarëve, të cilët nga realiteti dhe zilia përpiqen të të përbuzin apo të të shkatërrojnë. Të githa këto duhet t’i përballosh me qetësi, kurajo dhe këmbëngulje.

Pra, thekson se pianistët me pikësynime gjithmonë kanë sukses ,sepse ata e dinë ku po shkojnë. Njohja me pianistë botërorë, kontaktet dhe bisedat  me ta janë shumë të vlefshme,e përfundon mendimin e saj, të pasurojnë nga ana muzikore, intelektuale dhe shpirtërore. Ata ndihmojnë të ecësh përpara sepse janë artistë me një vizion të kompletuar për muzikën, krijojnë një botë të tyre dhe shpërthejnë në fluturimet magjepsëse të fantazisë. Ço ekzekutim tek ata rrjedh me lehtësi dhe kjo është përsosmëria që kanë arritur ata. Kjo është dhe një eksperiencë e vyer dhe për brezat e rinj.

Violeta Mirakaj / NY/ 6 prill 2016

Filed Under: Komunitet Tagged With: Hermira Gjoni, një jetë me muzikë, Violeta Mirakaj

Papa përqafon Lizzy-n, vogëlushen amerikane, që do të verbohet e do të shurdhohet

April 6, 2016 by dgreca

Papa përqafon Lizzy-n, vogëlushen që do të verbohet e do të shurdhohet… Në përfundim të audiencës së përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku përshëndeti dhe bekoi Lizzy Myers, vogëlushen amerikane gjashtë vjeçe, të sëmurë nga Sindroma e Usher e tipit 2, sëmundje e rrallë, që dëmton plotësisht shqisen e të  parit e atë të të dëgjuarit.Papa vuri plot dashuri dorën mbi sytë e saj, e përqafoi, e përkëdheli dhe shkëmbeu dy fjalë të ëmbla me të e me familjarët, që e shoqëruan, nga Ohio, ku banojnë. Vajza e vogël mundi, kështu, të realizojë ëndrrën e saj më të bukur, të takojë Atin e Shenjtë, edhe falë ndërmjetësimit të Unitalsi-t (Bashkimi kombëtar italian i transportit të të sëmurëve në Lurdë dhe në shenjtëroret ndërkombëtare), që u vu në dispozicion të familjes Myers gjatë qëndrimit të  saj në Romë.( Radio Vaticani)

Filed Under: Komente Tagged With: e do të shurdhohet, Papa, përqafon Lizzy-n, që do të verbohet, vogëlushen amerikane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT