• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Kristo KIRKA, Kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”

May 14, 2016 by dgreca

Nga URAN BUTKA/*

Në vitin 1908  Kristo Kirka u zgjodh kryetar i shoqërisë “Besa-Besën” dhe punoi me vetmohim për ta bërë atë vatrën kryesore ku të mblidheshin dhe të bashkëvepronin gjithë shqiptarët. Shoqëria “Besa-Besën” u shndërrua në shoqërinë më të fuqishme të shqiptarëve të Amerikës dhe u bë faktori kryesor i bashkimit të të gjitha shoqërive të tjera në një federatë gjithëshqiptare.

Në këto kushte lindi nevoja për një gazetë, zëdhënëse e shqiptarëve të Amerikës, por edhe tribunë e mendimit të çështjes sonë kombëtare. Më 15 shkurt të vitit 1909, shoqëria “Besa-Besën” nisi botimin e gazetës së mirënjohur “Dielli”. Vetë titulli i saj “Dielli”, i qëmtuar nga Fan Noli, ishte kuptimplotë: Dielli, që do të ndriçonte mendjen dhe rrugën e shqiptarëve. Numri i parë i saj doli në Boston më 15 shkurt 1909, si gazetë e përjavshme, mandej  dy herë në javë, ndërsa në kohën e Çekrezit u bë e përditshme, shqip dhe anglisht. Në krye të numrit të parë, shpallej diviza: “Dielli është organ i shqiptarëve kombëtarë, që kërkojnë vetëqeverimin për Shqipërinë”.

Gjatë gjithë ekzistencës së saj, ka qenë një nga faqet më të rëndësishme të shtypit shqiptar. Qysh në krye, ajo ka përkrahur lëvizjet për autonomi në kuadrin e katër vilajeteve, mandej lëvizjet për ndergjegjësim kombëtar, për liri dhe pavarësi, luftën kundër politikave shoviniste e pushtuese të shteteve fqinje, si: Greqia, Serbia dhe Italia, kundër planeve të disa Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, si edhe ka propaganduar vijimisht idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet kombëtar e demokratik, sipas modelit të demokracive perëndimore.  Ndërkohë, ka pasqyruar jetën, veprimtaritë kombëtare, politike, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës dhe ndihmën e tyre në dobi të atdheut e të  çështjes kombëtare.

Redaktori dhe editori i parë i gazetës “Dielli” ishte Fan Noli, i cili me editorialet e tij të thukta, i dha drejtimin dhe peshën e duhur kësaj gazete kombëtare.

Në mbledhjen e përgjithshshme të shoqërisë “Besa-Besën” në Boston, më 14 mars 1909, për të zgjedhur Pleqësinë e shoqërisë dhe për të këqyrur ecurinë e gazetës “Dielli”, folën Fan Noli, Kristo Kirka, Nikolla Poçi e të tjerë. Pleqësia e zgjedhur i bëri thirrje Faik Konicës , drejtor i gazetës “Albania” në Londër, që të pranonte drejtimin e gazetës “Dielli”, ftesë që  ai e pranoi.

Në këtë mbledhje u zgjodh edhe redaksia e gazetës: G.Gjoleka menaxher, Kristo Kirka  gazetar dhe K.Kristofor arkëtar.

Me ardhjen e Faik Konicës në Amerikë, më 9 tetor 1909 dhe vendosjen e këtij personaliteti të shquar për të drejtuar gazetën “Dielli”, u rrit dukshëm cilësia dhe fama e gazetës, por edhe veprimtaria kombëtare e shqiptarëve të Amerikës.

Gjatë vitit 1909 u rishtrua çështja e bashkimit të të gjitha shoqërive në një të vetme. Pleqësia e shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut”, përmes një letre botuar te gazeta “Dielli”, argumentonte domosdoshmërinë  e shoqërive të krijuara an’e kënd Amerikës. Shoqëria “Besa-Besën” mori nismën që të organizonte një sërë mitingjesh në qendrat kryesore ku banonin shqiptarët, për të propaganduar bashkimin. Mitingu i parë u organizua  më 1 nëntor 1909 në Phoenix Hall, ku erdhën shqiptarë nga Bostoni, por edhe nga Natick, Hudson, Buffalo, New Bedford, Worcester etj. Mitingun e hapi Kristo Kirka, kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”.  Në emër të kësaj shoqërie, ai bëri thirrje për bashkim, si një aspiratë  kombëtare. Oratorët  Faik Konica, Fan Noli,Themistokli Millona dhe Kol Kristofori folën për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë dhe për organizimin e shqiptarëve tëAmerikës.

Mitingje  masive u organizuan edhe në Hudson, më 12 nëntor 1909, në Bedford, më 18 nëntor, në Natick, më 25 nëntor, në Worcester, më 1 dhjetor, në  Southbridge,  më 14  dhjetor.  Këto tubime luajtën një rol të rëndësishëm për fuqizimin dhe rritjen e shoqërisë “Besa-Besën”, por edhe në rrugëtimin drejt bashkimit. Thuajse një miting në javë, një gjë e pazakontë, por edhe një punë e palodhur, veçanërisht e organizatorit  Kristo Kirka, që kishte një energji të pashtershme dhe një vullnet  të pathyer.

Gazeta “Dielli” e datës 28  janar 1910, shkruante: “Pleqësia e Besa-Besës mbajti një mbledhje të dielën e shkuar në zyrë të “Diellit”. Ishin në mbledhje Z.Kristo Kirka, kryetari; z. Tromara, sekretari dhe z.Andea Kristo, Stavre Mihal, Xheli Sotir nga pleqësia” [1]   Kryetari i shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka,  luajti një rol të rëndësishëm  bashkues. Por, krahas zgjerimit të shoqërisë “Besa-Besën” me anëtarë të rinj dhe mirëkuptimit gjithnjë e më të madh për bashkimin e gjithë shoqërive në një organizatë të vetme, u shfaqën edhe mosmarrëveshje të brendshme.

“Kulmin këto mosmarrëveshje e arritën në mbledhjen e 20 shkurtit 1910  të kësaj shoqërie, që u mbajt në Boston.  Kryetari Kristo Kirka, i cili e drejtoi këtë mbledhje, theksoi domosdoshmërinë dhe nevojën e një lidhjeje apo federimi në mes të shoqërive shqiptare të krijuara në Amerikë… Nga diskutimet që u bënë në këtë mbledhje, u dukën qartë kontradiktat midis kryetarit të shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka dhe drejtorit të “Diellit” Faik Konica, kryesisht për disa artikuj të botuar në gazetën “Dielli”. Kryetari i shoqërisë kërkoi me këmbëngulje që drejtimi i gazetës “Dielli” të kalonte në duart e kryesisë së shoqërisë, gjë që nuk u pranua  prej Faik Konicës, i cili theksoi se “përsa kohë do të ishte drejtor i këtij organi, nuk do të lejonte kërkënd të fuste hundët në punët e tij”.[2]         Mosmarrëveshjet u thelluan edhe për një problem tjetër që u ngrit në këtë mbledhje: botimi i një gazete tjetër në Boston të titulluar “Flamuri” dhe që drejtohej po prej Faik Konicës. “Flamuri” ndryshonte nga “Dielli”, sepse e kërkonte vetëqeverimin e Shqipërisë vetëm në rrugë kushtetuese. Konica theksoi se e kishte botuar me qëllim këtë gazetë, që ajo të hynte në Shqipëri, sepse gazeta “Dielli” nuk lejohej prej xhonturqve”.[3]

Faik Konica dha dorëheqjen si drejtor i gazetës “Dielli”, ndërkohë që vazhdoi të botonte “Flamurin”. Shoqëria “Besa-Besën” zgjodhi një komision me Kristo Kirkën në krye, për të drejtuar shoqërinë dhe organin e saj, “Diellin”.

Gjithsesi, kjo mosmarrëveshje ishte në dëm të shoqërisë e të gazetës “Dielli”, por edhe të projektit të bashkimit, ndaj të dyja palët bënë një marrëveshje, u ulën në bisedime, zgjodhën një komision të përbashkët dhe shkuan në votime demokratike, me votë të fshehtë. Kryetar i shoqërisë u zgjodh Josif  Pani. Kryesia e re  ia dorëzoi sërish gazetën “Dielli” Faik Konicës, maj 1910. Të dyja gazetat, për një kohë,  u bashkuan në një emër të përbashkët “Dielli dhe Flamuri”.

Pavarësisht nga mospërputhja e mendimeve për probleme apo qëndrime të caktuara, midis Kirkës dhe Konicës vazhdoi bashkëpunimi në dobi të çështjes kombëtare.

Në përvjetorin e parë të  “Diellit”,  më 11 shkurt 1910, editori i gazetës, Faik Konica, tek përshkruante rrugën njëvjeçare, do të vlerësonte në mënyrë të veçantë veprimtarinë e shoqërisë  “Besa-Besën” dhe  të kryetarit të saj, Kristo Kirka:

“Me këtë numër, “Dielli” mbush motin e parë të botimit të tij.  Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron ndonjë herë, rri mbi një gur dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje  dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh sesa eci dhe ç’mbaroi gjer atje. Ashtu, edhe ne do të marrim forcë të re, duke shikuar punët që bëmë gjer sot…Shoqërisë  “Besa-Besën”, kryetarit atdhetar dhe të palodhur  të saj, Kristo Kirka, pleqësisë së nxehtë , kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra”[4]

Pas shoqërisë “Besa-Besën”,  në SHBA u themeluan edhe mjaft shoqëri të tjera të rëndësishme, që ndikuan në bashkimin, ndërgjegjësimin dhe arsimimin e emigrantëve shqiptarë atje, por edhe ndihmuan bashkëkombasit e tyre në Shqipëri.

Një nga këto, shoqëria korçare ”Arsimi”, e themeluar në vitin 1909 në Hudson, por e zhvendosur më pas në Boston, dha një ndihmesë të çmuar në arsimimin e emigrantëve shqiptarë  në Hudson e Boston, por edhe në zhvillimin e arsimit në qytetin e Korçës. Në krye të kësaj shoqërie ishte Kristo Kirka.

Po ashtu, u formuan edhe shoqëritë “Shpresa” në Bideford, shoqëria “Dallandyshe” dhe “Mbarësia” në Marlboro, shoqëria ndihmëtare ”Bashkimi”, “Flamuri i Krujës” e të tjera.

Të gjitha këto shoqëri dhe organet e tyre të shtypit e kishin kthyer shikimin  nga Shqipëria që lëngonte nën sundimin osman, por edhe që përpiqej të dilte nga kjo gjendje. Shoqëritë patriotike të Amerikës inkurajonin çeljen e shkollave shqipe, arsimimin në gjuhën shqipe, ngritjen e çetave të para të lirisë, luftën kundër shovinizmit dhe kishës greke,  përkrahjen e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1911, si edhe mbrojten e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA.

Ja ç’shkruan gazeta “Dielli”, 18 nëntor 1910:

“Ende pa marrë kryesinë Z. Kirka, anëtarët e Shoqërisë  korçare “Arsimi” qenë shumë të pakë, por që kur u zgjodh kryetar Z.Kirka, i cili kurdoherë  është rrëfyer atdhetar, anëtarët u shtuan shumë dhe është shpresë  që të vejë më përpara  shoqëria “Arsimi” për të përmbushur qëllimin e saj. Kryetari Kirka foli me hollësi për qëllimin e shoqërisë dhe u dha kurajo gjithë dëgjonjësve  që të mos dëshpërohen për mbylljen e shkollave shqipe në Shqipëri, se do të vijë  koha  që do të hapen prapë dhe atëherë shoqëria jonë ka për detyrë t’u ndihë shkollave shqip, për të cilat është ngritur”.[5]

Kristoja ishte i mendimit që shqiptarët duhet të përfitonin nga liritë e shpallura nga xhonturqit, për të përhapur abecenë e njësuar , për të ngritur shkolla, klube kulturorë, shtyp të lirë dhe veprimtari të tjera, që të vetëdijësoheshin e të bashkoheshin shpirtërisht.

“Gjuha dhe letërsia shqiptare bënë udhën e tyre, por me mundime. Armiqtë filluan luftën e rregullt kundra shqiptarizmës… Më 1908, kur u shpall lirija konstitucionale, në të gjithë anët ku ndodheshin shqiptarë, u hapnë klube, u botuan fletore, edhe u shtypnë e u përhapnë libra edhe u krijua Normaleja e Elbasanit për të pregatitur  mësonjës të aftë. Mirëpo , faktorët ngatërrestarë të huaj, duke u mbështetur n’elementët fanatikë të vendit, dëndësuan luftën në të katër anët. Lufta për shkronjat dhe gjuhën doli në krye. Xhonturqit kërkuan që shqipja të shkruhej me germa arabishte dhe të përhapej kultura osmane. Me qenë se shkronjat arabishte, përveç që nuk kanë zënore, por edhe si një gjuhë semitike, nuk përfshijnë as bashkëtingëllore, me një fjalë ishte një mjet  mashtronjës për t’i ndaluar shqiptarët në fushën e kulturës. Në tërë Shqipërinë bota u nda më dysh: partizanët e shkronjave latine dhe partizanët e shkronjave arabe. E para përfaqësonte kulturën evropiane edhe e dyta kulturën orientale, e para përfaqësonte nacionalizmën shqiptare, edhe e dyta fanatizmën fetare, e para gjallëri në jetë, e dyta vdekjen. Në këtë luftë, grekët dhe serbët ndihmonin propagandën e xhonturqve…Nacionalistët u detyruan  të formojnë çeta dhe t’organizojnë kryengritje. Me rëndësi ishte ajo e Kosovës, e cila përfundoi me zbritjen e kryengritësve në Shkup” – shkruante  Kristo Kirka.[6]

Ai përpiqej që shqiptarët e Amerikës të mbanin gjallë gjuhën shqipe, të shkruanin e të lexonin në gjuhën e mëmës, të merrnin dituri dhe të kulturoheshin. Nga shoqëria  “Arsimi” organizoheshin kurse dhe shkolla sezonale për të mësuar gjuhën shqipe të shkruar.  Madje, Kristo Kirka, bënte thirrje për themelimin e një shoqërie theatrale, që të zbukuronte jetën e emigrantëve shqiptarë dhe të edukonte atdhetarizmin e tyre:

“Thërriten gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në dramat “Besa” të Sami Frashërit, “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos etj. dhe çdo atdhetar që dëshiron të marrë pjesë në një shoqëri theatrale, të ndodhen në mbledhjen që do të mbahet më 29 të vjeshtës së dytë 1911, për të rregulluar një shoqëri theatrale”[7]

Kështu, me nismën e Kristos,  u themelua shoqëria teatrale “Lahuta”, me qendër në Boston.

[1] Gazeta “Dielli” 28 janar 1910

[2] Po aty

[3] V. Duka, Shqiptarët në rrjedhat e shek.xx

[4] Gazeta “Dielli” , 11 shkurt 1910

[5] Gazeta “Dielli” 18 nëntot 1910

[6] Gazeta Fjala e Korçës, qershor 1944

[7] K.Kirka, thirrje për një shoqëri theatrale, Dielli, 19 vjesht’e dytë.

*Marre nga Libri”Kristo Kirka” i Uran Butkes

Ne Foto: Kristo Kirka ne te majte te Fan S Nolit

Filed Under: ESSE Tagged With: Besa-Besen, Kristo Kirka, Kryetar i shoqërisë, Uran Butka

Kreativiteti i “Sagës” së Dilenjve

May 14, 2016 by dgreca

Nga Prof.Kristaq F. Shabani*/

Kreativiteti, në kuptesën e mirëfilltë të kësaj shprehie, është një veprimtari e përditshme e dhuntisë , talentit, një spikatje dinamike, e cila ka të bëjë me produktivitetin material te mendimit novator, të risisë. Kjo realizohet, si rrjedhojë e veprimtarisë së epërme mendore.

Në këtë kontekst, duhet të përcaktojmë saktë zjarrminë inkadeshente të thelbit që, kreativiteti është një veprimtari e konkretizuar e aftësisë, e predominancës së saj, e dominimit të proceseve volitive, në kahje plotëdimensionale, plotmendore dhe plotngjyrore. Kreativiteti e ka buresën nga rrjedhoja e përmendur më sipër, por edhe nga aktivizimi i genit, përcjellshmëria e tij në gjeneratat e reja, sensi i realizimit konkretizues dhe prakticitetit me parime te gjetura. Kreativiteti ka cilësi gjetjen, prirjen, zhdërvjelltësinë, vitatitetin, vërtetësinë e kryeprovës dhe kryefjalës reale.

“Saga” e Dilenjve dhe Prijësi i saj

Zagoria, kjo krahinë inteligjente dhe potente në fushën e produktesës së mëndafshit të pronës intelektuale, ka veçanësi të përligjjes së këtij fenomeni dhe dallesa në krahasim me shumë krahina të tjera është tepër e dukshme dhe finalizuese. Në këtë referencë të shkurtër kemi fokusuar dhe rrokur përfaqësues tipikë të një familje, e cila, në vetvete, përbën një “Sagë” në “Sagën” e madhe të Zagorisë, mbartëse përfaqësuese të kreativitetit, një shembëlltyrë referuese dhe modeluese. Fjala është për Sagën e Dilenjve, e cila ka një pasqyrim efikas përfaqësues në pemën e saj gjeanologjike kreative .

Prijësi i këtij kreativiteti, pa dyshesë, është Ilia Dilo Sheperi, i cili, si rrezultat i zjarrmisë intelektuale, i dijësisë, kulturimit, prodhueshmërisë begatore në fushën e gjuhës shqipe, në lëvrimin e spikatërisë në fushën arsimore, me shpërthesën dhe bollukun mendor, hartoi një libër tipik, të munguar deri në atë kohë: “ Gramatikën dhe Sintaksën e gjuhës shqipe”, duke u nderuar me skeptrin e mendimtarit, gjuhëtarit, studiuesit në një kahje të munguar.

Klima gjuhësore, sinoptika gjuhësore, ku përlindi ky kreativitet

Elmentë të tillë si: prezenca e fillimit të “gumzhitjes” arsimore në shkolla të mesme të sapofilluara , etja e përgjithshme për dije, nxorën në dritë mendimin për të dritësuar të parën gramatikë për shkollimin e mesëm, e shndërruar në një vepër tejet themeltare e gjuhësisë shqiptare, e cila kishte si autor një zagorit, i motivuar bindshëm si pionier i Arsimit Kombëtar, studiues i devotshëm dhe vullnetor në fushën e studimeve albanologjike, i pajisur me një energji të madhe të pozitivitetit kreativ …

Pra, një rol parësor kontributi të kreativitetit, të lindjes dhe krijimit të një vepre të munguar… Kjo e lidhur me shkallën e epërme të mendimit. Natyrisht, vetëm ata që kundrojnë lart, larg, në vertikalitetin dhe horizontalitetin, mundësojnë kreativitetin. Duhet të shprehemi se, këndvështrimi dilian, në përpjekjet kombëtare për gjuhësinë të realizuara më parë në një diagram e kalvar në këtë objekt nga Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri e përpjekës të tjerë të gjuhës, të cilët kishin kërkuar rrugë dhe kishin hedhur tharmin ndriçues për të rrugëtuar mbarë gjuhësia jonë, madje kishin hedhur bazat e shkencës sonë gjuhësore është vazhdë e këtyre përpjekjeve .Ashtu, sikundërse çdo fenomen real, fillon nga zanafilla e të dukurit edhe gjuhësia jonë, si shkencë, ka kaluar në disa faza ecjeje dhe prurjesh, prezenca diletante, deri te shndërrimi në shkencë të vërtetë.

Dhe këtë sipar ecje e ideoi, e skenoi, e aktroi e regjisoi, Ilia Dilo Sheperi

Me këtë vepër u dha sinjali i një studimi tërësor i strukturës së gjuhës shqipe, duke parasjellë vështrimin në të kaluarën parahistorike e historike dhe kjo siguroi flakjen tutje të dilentantizmit, të spontaneitetit, të rakitizmit dhe proliksitetit. Ndaj, vlerësimi për këtë tekst, ishte në kufijtë e bukur ekstreme dhe qiellorë : “…vepër me vlera të rrallësisë gjuhësore, vepër meritore në historinë e gjuhës shqipe…, vepra është një perlë e gramatografisë sonë; nga shumë anë, kjo gramatikë ështe sot një minierë e pasur; vlerë e kreativitetit për studiuesit e sotëm të shqipes”.

Bindjen time vetjake : “Jetëgjatësia e gramatikës shpreh bazën e themeltë të rezistencës së punimit gjuhësor dhe përligj atributin, aftësinë dhe plotinë studimore, e cila lejon procesin evolutiv “.

Ishte shfaqur në teatrin e kreativitetit gjuhësor shqiptar një vepër rrallësore, e cila jep ndihmesë për të kuptuar vertetësinë dhe përmasën e kulturës dhe kulturimit shqiptar, ku prijës është mendimi i Rilindsave me rrezatim profetik , të cituar nga Prijësi i “Sagës” gjuhësore të Dilenjve, Ilia Dilo Shperi, qysh në vitin 1918: “Kombi ynë do të zërë një ditë vendin që i takon historisë së tij midis kombeve më të qytetëruar”.

Një mendim, sa profetik aq dhe bindës , sa thelbësor, aq dhe ndjenjësor, sa zhbirues aq dhe penetrues, sa i ditës aq dhe i së ardhmes së konfiguruar…

Nuk është detyra ime të bëj zbërthim të substratit të gramatikës dhe sintaksës, pasi kjo paraqitet në referencat e tjera, por është e nevojshme të ndalem në dy stacione thelbësore:

Gjuha jonë ka udhëtuar në rrugëtimin e saj plot kundërti, plot atake, për arsye të lashtësisë dhe të bukurisë së saj, të aftësisë së saj buronjë dhe të plotësisë së saj figurative edhe simbolike, e cila pasurohet nga veprat kreative, por studiuesit apatikë nuk mund t’i afirmojnë prurjet.

Dihet se ç’efekt i dha mësimit dhe zhvillimit të gjuhës shqipe kjo Gramatikë e Princit të saj kreativ.

Njihet mirë dhe spostimi i kësaj vepre dhe çoroditja e fatkeqësuar në sistemin monoide, të cilën albanologu i i famshëm Nobert Jokl e ka motivuar: “…tekst për shkollat eprore… kontribuon në lëmën e hulumtimeve gjuhësore…”, por duhet theksuar se “tharmi “ i kësaj vepre ndihej , por jashtë emrit të krijuesit të saj të tejzgjuar.

Gramatologjia jonë, asqë mund të kuptohet, pa këtë vepër mirëfillore.

Kjo dihej, por frika dhe stepja s’lejonte ditirambin e saj real, por ditirambin e saj të fshehur.Çfarë nxjerr në pah ditëshmëria dhe studimi gjuhësor në lidhje me veprën kreative të Dilos?

Studimi i veprës së Ilia Dilo Sheperit sugjeron sot se vetëdija gjuhësore është e cunguar; dëshirat e tij shkencore janë ende çështje të ditës; gjithashtu, mund të shikojmë me tej se problemet e ditës, si të gjejmë rrënjët e vjetra, të operojmë me fjalën aktive , elementet e të cilës na tregojnë se shqipja është një nga gjuhët më të vjetra, “nismon , kur nisin gjuhët primitive”. Natyrisht që shkenca gjuhësore ka ecurinë e saj ; zgjerohet dhe thellohet në këtë rrugëtim shkencor me konceptin e gjuhës; nxirret pahësisht primordialiteti gjuhësor. Studiuesit e mirëfilltë, asqë mund të mos vinin re se Gramatika dhe Sintaksa e Gjuhës shqipe, pavarësisht se, kur u shkrua, ka një bazë të moderuar të konceptit gjuhësor modern dhe se mendimi i hartuesit kreativ ka qenë pararojues, në disa raste të mendimit gjuhësor shqiptar, madje dhe në përtejshmërinë e këtij mendimi. Pra, kjo siguron prioritetin dhe fitimin e çertifikimit të përftesës së gjuhës sonë në hullinë, hyrjen e rrjedhave të zhvillimit të gjuhësisë botërore. Këtu duhet të vëmë në dukje krenimin e kreativitetit universal. Një dukuri e tij qartësisht eliminon ndjenja të inferioritetit dhe nxit elementin konkurrues. Kumbuese janë fjalët e gjuhëtarit dhe albanologut Dilo, të cilat kumbojnë sot dhe në këtë auditor inteligjent si një kambanë e fortë tringëlluese, tingëlluese, kushtrimuese : “Të vendosësh si gjuhë letrare njërin dialekt, është kundër vetë gjuhës; të vendosësh dialektin tënd, është gjë e shëmtuar”. Është një thelb kreativ edhe për studiuesit e sotëm sythe zgjuar e të pazgjuar që tentojnë të zgjohen.

Në këtë koncept dhe në këtë vlerësim, vepra e Dilos duhet të konsiderohet si një libër i shenjtë i shkencës gjuhësore shqipe. Asqë mund të mendohet kurrë vjetërsi e tempujve, amortizim i tyre moral, të cilët e ruajnë shkëlqimin dhe, madje , kur është aftësia vlerësuese e tyre shkrepëtijnë … Çoroditja e ndodhur duhet të harrohet . Ndaj t’u falemi këture tempujve gjuhësorë të tempetamentit kreativ “Dilo”!

  1. I profilizuar në kreativitetin krijues të Sagës , përshfaqet Etjen Dilo

Shkrimet e Etien Dilos, janë realitete, konkrete, madje del në pah dhe sfumimi kohor i figurave dhe personaliteteve : ”Në një botë që lind e nuk lind dot“, “Bija e Sheperit, një emër që rron mes nesh” , “Ilia Dilo Sheperi asht nga ashti i Mëmëdheut”, ”Një zë atje, ku nuk kishte më zë”, ”Fletë nga historia e një familjeje me rrënjë te Rilindja Kombëtare”, ”Personalitete të padiskutueshme, kur luhej fati i kombit”. Një gjashtëtet dinamik. Vetë këto tituj tregojnë anën e tyre “romanore” të një jete.

Veçanësia spikat në librin “Personalitete të padiskutueshme, kur luhej fati i kombit” rrëfejnë me shumë inteligjencë figura dinjitoze të Kombit, të cilët rrjedhojnë nga krahina e Zagorisë, por përmastohen në historinë e Kombit për kontributin e tyre si: Mihal Harito, Petro Harito, Jorgji (Gjergj) Çako, Andon Çako (Çajupi), Ilia Dilo Sheperi, Aristidh Ruci, Jani Dilo , etj… Një superiorit kreativ i shpërthyer nga një kurorë kreative i ndërlidhësuar me kurorat e tjera kreative të Kombit .

Autori i këtij kreativiteti përsjell frymëmarrjen e elementëve, të cilët bënë historinë më informacionin real të ndodhisë : ”Tek unjeshim nga Dhëmbeli për në Përmet, takova Abdul be Frashërin me të tjerë që po venin në Gjirokastër për të lidhur besë me atë krahinë. Abdul Frashëri me Mihal Hariton e të tjerë zagoritë në udhëtim… nga Prizreni shkojnë në Jugun e Shqipërisë për të vënë në jetë vendimet e Lidhjes së Prizrenit. Çelin një rrugë të re në Historinë e Shqipërisë, në të cilën do të ecnin dhe… djali i Abdulit, Mit’hat Frashëri; i Mihal Haritos, Petro Harito; Jorgji Gjergj Çako dhe i nipi, Andon Çako (Çajupi); Ilia Dilo Sheperi dhe i biri, Jani Dilo; Aristidh Ruci… (Lidhje brezive e përcjellje brezive- gjerdan kreativiteti).

Vargu është i gjatë, po në Historinë e Shqipërisë në sistemin monoide, si shumë personalitete, u lanë mënjanë, u sfumuan totalisht, u mbyllën në lëvozhgën mit.. Mbetën të panjohur në njohjen e tyre. “Koha, “Nëna e të vërtetave”, i kërkonte dhe i kërkon. E sotmja ka nevojë për një bazë morale mbi të cilën të mbështetet e ardhmja “- shprehet autori deduksionalisht. Personalitete të padiskutueshëm, ngulës të piketave kreative në dallgët e ngjarjeve të historisë e në ecurinë e kulturës sonë, me të cilën lidhej e mira, largimi i ligësisë anti gjuhë , anti komb i antëve të konturuar përqark trojeve të lashta, përparimi dhe shpëtimi i kombit, përgjithësisht pranohet që janë lënë në heshtje.

Heshtja natyrisht ka përçmimin e saj . Kreatori Etjen Dilo shpreh mendimin e tij në një pyetje , të cilës vetë i përgjigjet : “Kur nuk njihen e vlerësohen ata që “bënë histori”, si mund të ecet përpara ?!” Habitësi retorike. Thënësia balzakiane vjen në përforcim mendimi: “Një komb që nuk njeh prindërit e tij, zhduket”. Një nga synimet e kreatorit: sipërmarrja për të paraqitur guximshëm figurën e atdhetarëve zagoritë, të cilët bëjnë pjesë në Panteonin e Burrave të mençur e dimensional të Kombit, elitën e Kombit, të cilët hapën shteg, bënë atdhe , por disa prej tyre i mjegulluan , i vranësuan në qiellin që krijuan vetë për të zmadhuar dimensionet e vogla, duke eliminuar përballjen me triumfuesit…

Bindësia reale: Këta janë njerëz, jo të zgjedhur prej dikujt, po prej kohës, që imponohen bukur me idetë e tyre, që na ndriçojnë udhën, si kostelacion yjesh, që na detyrojnë t’i dëgjojmë e t’u bindemi, që na japin forcë, na prijnë, na hapin shtegun pa e ndjerë, pa e parë ne. Ky është përfaqësimi i pjesës më të vyer të Kombit, e cila flet me pasurinë konkrete të fakteve dhe të realitetit. Kur e vërteta flet vetë, s’ka nevojë të mbrohet. Duke shfletuar shkrime të këtyre atdhetarëve e dijetarëve, kreatori është ndalur te një mendim i Jani Dilos: “ Të përpiqemi për të kërkuar të vërtetën… Këtë ta paraqesim sa më thjesht e sa më bukur … dhe t’i shërbejmë eskluzivisht të vërtetës … Duke vlerësuar punën dhe vleftën e të parëvet tanë, tek e mbramja, do të ndihemi kryelartë si pasardhësit e tyre dhe si Shqiptarë”.

Studimi i personaliteteve të kulturës sonë pa u marrë me idenë dhe përkatësinë , por me reagim e drejtësi shkencore del në pah përmasa e kulturës shqiptare , del në pah shtrëmbëresa e kolonave kreative. Historia reale nuk pranon deformimin, shtrëmbërimin, irealitetin, përgënjeshtrimin , manjatizmin, eliminimin e okularitetit , dëshmisë e faktit real.

Në kete libër, ka folur shpirti dhe kur flet shpirti, ai thotë gjithmonë të vërtetën. Si thotë dhe vetë autori: “ Nuk do ta pëlqeja kurrë një libër që nuk thotë të vërtetën, sado i shkruar bukur; apo, kur zgjat fjalën pa punë. “Mos shkruaj atë që e nënkuptoj vetë”,- shkruan Jani Dilo.

“Nuk është zgjuarsi ta zgjatësh fjalën, po shkurt dhe vetëm aq sa duhet”, porosit Ilia Dilo Sheperi.” Në librin :”Një zë atje, ku nuk kishte më zë” Etjen Dilo ka mbledhur zëra nga Sheperi i Zagorisë, nga familja e Ilia Dilo Sheperit. Një libër me kujtime, dokumenta e studime për njërin nga rilindësit tanë, Ilia Dilo Sheperin, pa lënë mënjanë dhe djemtë e tij Themo Dilo, Qiriako Dilo, Mihal Dilo, Margarit Dilo, Orest Dilo , Koço Dilo…, përfaqësues dhe këta të denjë të Sagës së Dilenjve. Në këtë vepër ndihet apelimi si dhe kreativiteti i Sagës. Libri : “Bija e Sheperit një emër qe rron mes nesh “ i përkushtohet Mësueses së Merituar, Viktori Dilo. Ai ka vlera njohëse metodike e pedagogjike sidomos, nëse shikojmë përtej asaj që kemi jetuar e njohur, në vitet e shkollimit të atij brezi, që nis detyrën e mësuesit, fill pas lufte, që lidhin brezin e parë të mësuesve të shqipes, personalitete të kulturës sonë, me brezin e mësuesve që u përgatitën në vitet e monoidesë. Si ishin arsimuar e edukuar ata? Si u bënë ballë problemeve e vështirësive të kohës? Ndjehet se ishte edhe një detyrim i mirëpritur për të që të shkruante për mësuesen e më pas kolegen e tij që i takon atij brezi, që “ka mbetur në kujtesë si shembull i ndritur”; na tregon ç’vlerë ka puna dhe si me punë njeriu mund të krijojë emrin e vet. “I është dashur të mos hyjë menjëherë në klasë e të qendroja brenda mureve të shkollës; i është dashur të niset nga vendlindja, nga nis dëshira për punë, ndjenja e bukur e mirësisë dhe e atdhedashurisë. Ka gjurmuar gjurmë jete, lufte e qëndrese, se, të shkruash për Viktori Dilon, do të shkruash dhe për Ilia Dilo Sheperin, për Aristidh Rucin, për vëllezërit e saj, veçanërisht për Jani Dilon. Të gjithë janë të një pemë atdhetarizmi me rrënjë tek Rilindja Kombëtare”. Viktoria Dilo është një personifikim i mençurisë zagorite, duke krijuar portretizimin e një moduliteti pozitivitet mësuese e sferës kreative.

Libri “Në një botë që po lind e nuk lind dot”, ka rrëfime të shkurtëra, të cilat deklamojnë për histori të dhimbshme,ku kundërshtia klasore arrin pikun e saj të lartë dhe dëshmon zjarrminë e padrejtësisë, e cila duhet të gjykohet me logjikë. Dëshmimi zbulon arsyet, shkaqet, veprimet e vërteta që kanë ndodhur e ndodhin. Në librin ”Fletë nga historia e një familjeje me rrënjë tek Rilindja kombëtare”, Etjen Dilo ka fokusuar Sheperin, atë qytezë mendimtarësh dhe kreatorësh, duke këndvështruar gjatë jetën dhe veprën e Jani Dilos. Librin e përshkon ideja e tij për një Shqipëri të lirë, demokratike, të të gjithëve. Librin për Ilia Dilo Sheperin Etjeni e ka titulluar “Ilia Dilo Sheperi, asht nga asht i mëmëdheut”. Një trajtesë e bindshme dhe emotivuar e figurës potente të Ilia Dilo Sheperit si themelvënës i albanologjisë.

  1. Larmiteti kreativ prezent dhe te përfaqësues të tjerë të Sagës

Këtu do të mjaftohemi me një ekspoze të shpejtë të veprave të krijuara , të cilët marrin pjesë në bibliotekën kreative mendore të Sagës.Jani Dilo, krahas veprimtarisë së tij në sferën e idesë së tij , realizoi dhe krijoi disa vepra, të cilat mbartin idetë dhe qëndrimet e tij ndaj çështjeve kapitale, mbi të cilat sot , në kushte të një mendimi të lirë, vlerësimi për veprimtarinë e tij kreative është me real.

“Skënderbeu” , “Të njohim martirët e kombit”, “Lufta civile në Shqipëri”, “Problemi i shtetit”, “How the comunists took over in Albania”, “Russia’s dream of conquest doomed to failure”, “Titoism on the march” , “ Si lindi dhe u rrit komunizmi në Shqipëri”.

*Vangjel Dilo 1936- 2002

Lindi në Kavallë, me prindër të origjinuar nga Sheperi. Arsimin fillor e mori në Sheper, ndërsa shkollimine mesëm në Tiranë në gjimnazin ‘Qemal Stafa”. Kreu studimete larta në Institutin Pedagogjik 2 vjeçar, dega Matematikë -Fizikë (1956-1958) në Tiranë. Për idetë e tij progresiste, por kundërshtuese të regjimit u bë i padëshirueshëm. Ai provoi më sukses përkushtimin në fushën shkrimore dhe arriti të shfaqet me tre romane për fëmijë si “Prapamalasi” (1993), “Takim me ujorët e Adës” roman fantastiko- shkencor (1985) dhe “Bekshiu i fshatit” (1991). U pranua Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë vetëm në vitin 1985. Gjatë veprimtarisë së tij të mirëfilltë botuese Vangjeli botoi mjaft studime e tregime te revistat shkencore dhe në shtypin periodik. Në vitet 1991- 2000 emigroi në Kavallë, ku shkroi dhe botoi analizën shoqërore “Parajsa e Ballkanit” dhe novelën fantastiko- shkencore “Një Sos Kozmik”.Në botën kreative është shfaqur dhe Ilia (Ylli) Dilo, i cili ka botuar në vitin 2010 në Bukuresht vëllimin poetik “Dhurata e Zotit”; është pjesëmarres në Antologjinë poetike “Shpirti i Fjalës”, botuar po në Bukuresht në vitin 2009 , ku, krahas poezive në gjuhën shqipe, ka dhe poezi të përkthyera në gjuhën rumune. Po kështu sfera e tij e kreativitetit rrok dhe fushën publicistike me shkrime problemore dhe studimore te “ Dielli”, “ Illyria” , “Dituria “, “Zemra shqiptare”, “Tribuna shqiptare . Është i përfshirë në WIKIPEDIA- (Enciklopedia e lirë), në kategorinë: “Biografi Shqiptarësh”.

Eduard M. Dilo një tjetër kreator nga Saga e Dilenjve : bashkautor në antologjinë “Zemra Prindërore” (Botimet “Almera”, Tiranë 2008), bashkautor me shkrimtarin e njohur Jorgo Telo në librin “DILOIADA”(Gjirokastër , 2009); ka botuar vëllimin poetik “Shpirti i Trazuar”, Bukuresht 2010, gjithashtu përfshirës në antologjitë poetike: “Kështjella e ëndrrave”, Bukuresht 2012, “Vargu në Përjetësi”, Bukuresht 2013, “Eksili i ëndrrave”, Bukuresht , 2008; pjesëmarrës në antologjinë për Dëshmorin e Kombit, Kol Mirdita (Kosovë) 2014 etj. Janë përkthyer në rumanisht e përfshire në Antologji dhe poezi të shumta te tij. Shquhet dhe në lëmin publicistik, duke botuar shkrime me objekte të ndryshme si dhe studime dhe poezi të tij në gazetat: “ “DIELLI”, “ILLYRIA”, “BALLI I KOMBIT”, “DITURIA”, “RRENJET” , “TEMA”, “PENA”, “ZEMRA SHQIPTARE” , “TRIBUNA SHQIPTARE” etj.

Është një veprimtari kreative ,e cila duhet të merret në konsideratë.

Nga brezi i ri mund të përmendim për sferën kreative Angela E. Dilo e përfshirë dhe kjo në Antologjinë “SHPIRTI I FJALES”, Bukuresht 2009. Angela ka botuar shkrime dhe poezi në gazetat “DIELLI”, “ILLYRIA”, “DRITA”, ZAGORIA” . Në moshën 15 vjeçare arriti një sukses, duke u shpallur “Poete Famoze” në USA, ku veç çertifikatave u nderua dhe me një një statujë të Shekspirit me emrin e saj.

Një kontribut të veçantë ka dhënë dhe vijon të japë publicisti Ksenofon M. Dilo, i cili ka botuar librin monografik të suksesshem “ ILIA DILO SHEPERI “ dhe mjaft shkrime me karakter problemor,duke tërhequr vëmendjen për sensin e trajtimit dhe përmbajtjen e materialeve dhe progresin mendimor.

Gjetje dhe prurje kreative mbresëlënëse dhe inteligjente, Elda Dilo

Ndalësia dhe bukuria shprehëse e kreativitetit të Dilenjve është pa dyshesë Elda Dilo, e cila dallohet për shprehësinë dhe kombinativitetin ekspresionist, të moderuar midis shkencës së saktë dhe letërsisë , pikturës artit, një objekt në thelb i mençuruar, një gjetje dhe prurje kreative mbrësëlënëse dhe inteligjente. Vepra në Udhëtim …” e Eldës , është një vepër e cila të befason me konkretizimin e lidhësisë midis këtyre fushave, të cilat, në një këndvështrim të shpejtë, të duken sikur nuk kanë lidhje njëra me tjetërn , por kanë lidhësi kaq të forta saqë përdorimi i argumentave bindëse, i provave, i eksperimentit kreativ , të befason dhe është shumë mbushamendës. Është një trajtesë e konteporaniteti, ku mendësia , prakticitetit kombinohen me argumentin bindës me ilustrimin dhe faktin e ndodhisë, gjasisë dhe ngjarjeve.

Elda ka hyrë me aftësinë e saj në brendësi të këtyre formacioneve duke përcaktuar qartësisht phashin e këtyre formacioneve, duke dritësuar fenomene dhe procese vështirë të pashpejgueshme më parë. Kjo lidhësi është një partiturë kreativiteti me nota pentagramore të disiplinuara. Përveç kësaj Elda po shquhet dhe në fushën studimore, në përsjelljene frymës së re të mendimit kritik bashkëkohor , duke epasuruar me elemente të reja , si dhe me përçapje në poezinë moderne.

***

Në sferën e Artit, nga “Saga” e Dilenjve vend të rëndësishëm, zë në fushnë e këngës dhe këngëtarja e talentuar, madje dhe krijuese, Rovena Dilo, një këngëtare shumë dimensionale, me vokal dhe tonacion të veçantë e “dafinizuar”, pse jo, me kurorën e Artë të Këngëtarëve të Shekullit.

Përfundesë

“Saga” e Dilenjve vijon rrugëtimin , ndaj fokusimi ynë do të vijojë me të fokusuarit e tjerë, po kështu dhe me ata që kanë shkruar për Dilenjtë, ndaj preferoj një ndalesë me një shenjë pikësimi , të quajtur presje.

*Referencë e mbajtur në veprimtarinë “ DITA E DILENJVE” 08.05.2016, në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar Tiranë

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kreativiteti i “Sagës” së Dilenjve, Prof.Kristaq F. Shabani

LDK: DECANI NUK ESHTE PASHALLEK I DAUT HARADINAJT

May 14, 2016 by dgreca

Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj përpjekjes së zotit Daut Haradinaj, që duke etiketuar kryetarin LDK-së, njëherësh kryeministrin e Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafën, të bëhet protagonist dhe të faktorizohet në këto ditë të turbullta për opozitën.
Sa i përket asaj që zoti Haradinaj ka thënë, i bëjmë me dije se LDK-ja nuk i jep llogari atij pse dhe kur lideri i saj e viziton Deçanin, pasi që Deçani nuk është “pashallëk” i tij.
Ndërkaq, për hir të informimit i bëjmë me dije opinionit se sot në Deçan kryeministri Mustafa ka qenë për të përkujtuar 26 vjetorin e themelimit të LDK-së dhe aty është pritur nga qindra deçanas të mrekullueshëm, të cilët kanë ardhur në këtë manifestim me vullnetin e tyre të lirë, pa kurrfarë presioni apo kuponi.
Sa i përket frikës nga protestat, LDK-ja dhe kryeministri Mustafa e kanë dëshmuar se nuk i frikësohen as “protestave të molotovëve”, e as presioneve dhe kërcënimeve të tjera me të cilat janë përballur që nga themelimi.
Sa për keqpërdorimin e përvjetorëve të masakrave të tmerrshme në Qyshk, Zahaq e Pavlan… nuk i bën nder zotit Haradinaj që të manipulojë me këto sakrifica epike të popullit tonë për përfitime politike, aq më shumë kur dihet se për të gjitha kategoritë që kanë sakrifikuar dhe kontribuar në mënyrë të veçantë gjatë luftës, sot më shumë se kurrë ka përkujdesje dhe përkrahje institucionale.
Ndërkaq, se kush, ku ka qenë në kohë të vështira, kjo mund të merret vesh nga aktakuzat që janë ngritur nga regjimi serb që në fillimvitet ‘90 dhe se insinuata të tilla si këto i janë atribuuar edhe Presidentit Historik Ibrahim Rugova, por koha i ka sqaruar të gjitha.
Sa i përket filozofisë, çfarë mund t’i thuhet zotit Haradinaj për filozofinë, fundi i fundit, çka kanë të përbashkët Dauti dhe filozofia!?
Lidhur me përfundimin e kohës së komunizmit, LDK i bën me dije zotit Haradinaj se kryeministri Mustafa ka qenë sot pikërisht në përvjetorin e 26-të të partisë e cila e rrënoi atë komunizëm, ndërkaq që LDK-së aktualisht i mbetet që të rrënojë “filozofinë” e mediokritetit dhe injorancës.
Andaj, zoti Daut Haradinaj, më mirë se t’i nxjerr njerëzit në rrugë për qërim hesapesh me ish-partnerin opozitar, bën mirë që të jetë pjesë e përkushtimit të përbashkët për arritjen e sukseseve të njëpasnjëshme madhore, të cilat po i përjetojmë këto ditë

Filed Under: Politike Tagged With: I DAUT HARADINAJT, LDK: DECANI, NUK ESHTE PASHALLEK

26 VJET LDK,Isa Mustafa në Istog dhe Deçan

May 14, 2016 by dgreca

Kryetari Mustafa: LDK-ja po e vazhdon rrugën shtetndërtuese të arkitektit të pavarësisë, Ibrahim Rugova/

Prishtinë, 14 maj 2016/  Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë të shtunën në shënimin e përvjetorit të 26-të të themelimit të degëve të LDK-së në Istog dhe Deçan.

Në këto dy manifestime morën pjesë qindra aktivistë dhe qytetarë të Istogut dhe Deçanit, duke konfirmuar mbështetjen e gjerë për LDK-në dhe veprimtarinë e saj shtetndërtuese politike.

Para të pranishmëve në tubimin e mbajtur në Istog, kryeministri Mustafa ka folur për fuqinë e pakontestueshme politike dhe rolin e LDK-së në zhvillimin e gjithanshëm të Istogut.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Dega e LDK-së në Istog është një degë shumë e qëndrueshme, një degë e cila pareshtur i ka fituar zgjedhjet që nga paslufta.

“Dega e LDK-së e ka edhe simbolikën e vet, sepse është vendlindja e Presidentit Historik Ibrahim Rugova. Kjo degë, me fuqinë e saj gëzon respektin më të madh pasi që po e vazhdon veprën e Rugovës këtu”, tha kryetari.

Kryetari Isa Mustafa, po ashtu, foli për përkushtimin dhe punën e veprimtarëve të LDK-së në progresin konkret që po arrihet në këtë Komunë.

“Janë njerëzit punëtorë të cilët po e ndërtojnë komunën e tyre në mënyrën më të mirë, po i përplotësojnë detyrimet e tyre ndaj qytetarëve dhe po tregojnë se janë koshient për përgjegjësinë të cilën e kanë marrë para qytetarëve të Istogut, por edhe para Kosovës. Sot në këtë 26 vjetor, përkujtohet vepra e të gjithë atyre që kanë punuar por edhe të rinjve që janë kyçur në LDK më vonë dhe zotimet se do të punojnë në interes të vendit”, tha kryetari Mustafa.

Ndërkaq, para të pranishmëve në shënimin e 26-vjetorit të Degës së LDK-së në Deçan, kryetari Isa Mustafa ka përkujtuar të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë kontribuar për LDK-në, që kanë vënë bazat e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës.

“E përkujtojmë në rend parë Presidentin Historik, Ibrahim Rugova, njeriun i cili i ka meritat kryesore për Kosovën por edhe për demokracinë në regjion dhe më gjerë, njeriun të cilin e pranuan zyrat më të mëdha evropiane dhe botërore, njeriun i cili i hapi rrugën Kosovës dhe të vërtetës për Kosovën. Prandaj, ajo që sot kemi ne të gjithë, ajo që ne sot mburremi është pavarësia, themelet e të cilës i vuri Ibrahim Rugova si kryetar i LDK-së dhe si President i parë i Kosovës. Ne e kemi për detyrë ta vazhdojmë atë rrugë, ta qojmë këtë vend përpara. Por detyrat tona natyrisht së ndërrojnë edhe në kontekstin e kohës sepse problemet me të cilat ne sot po ballafaqohemi nuk janë problemet e viteve të 90-ta, janë probleme tjera, janë problemet e një konkurrencë të ashpër politike, probleme të një konteksti tjetër ekonomik, social dhe ndërkombëtarë, por gjithsesi në ballafaqimin tonë në këtë ambient ne po bëjmë përpjekje maksimale që të ndjekim rrugën e LDK-së, që partinë tonë ta zhvillojmë si parti e qendrës së djathtë dhe që ta thellojmë bashkëpunimin me partitë tjera evropiane të qendrës së djathtë”, tha kryetari Isa Mustafa.

Ai më tutje tha se fitorja që u realizua me rekomandimin për liberalizimin e vizave, për MSA-në dhe sukseset tjera që janë arritur së fundi janë rezultat edhe i kontribut tejet të madh që kanë  dhënë Partitë Popullore Evropiane, familja e partive evropiane, pjesë e të cilës është LDK-ja.

Kryetari Mustafa, po ashtu, ka folur për qeverisjen e vendit duke theksuar po mbahen premtimet e dhëna, duke përmendur përparimet e rëndësishme në zhvillimin ekonomik, ku është arritur norma më e lartë e zhvillimit në rajon.

“Kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, në këtë mandat Komisioni Evropian ka bërë rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe ka krijuar kushte që qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë të barabartë me gjithë qytetarët e tjerë evropianë. Kemi arritur të anëtarësohemi në organizatat më të rëndësishme botërore të sportit, këtë rast futbollit, dhe përmes tyre të jemi në metropolet kryesore të botës si Kosovë, me emblemën tonë shtetërore, me flamurin tonë, me dinjitetin tonë, me kulturën tonë. Ne po i shpërthejmë kufijtë të cilët i kemi pasur të mbyllur deri më tani”, tha kryetari Mustafa.

Kryetari Isa Mustafa më tutje ka thënë se do të punohet shumë dhe do të respektohet vota dhe besimi i qytetarëve dhe aktivistëve të LDK-së, që LDK-ja të zgjerohet, të rinohet, të ketë sa më shumë gra dhe të zhvillohet një konkurrencë e brendshme.

“Asnjë partie në qeverisje deri më tani, në këto vitet e pas luftës, nuk i është bërë destruksion i tillë i qeverisjes ashtu siç është na është bërë ne. Mund të ju them se jo 100 ditë, por ne si kemi pas as 100 orë normale të punës si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe në këto kushte ne kemi arritur që ta bëjmë punën tonë, kemi arritur që ta realizojmë programin tonë qeverisës dhe do ta arrijmë që ta realizojmë më shumë se sa kemi planifikuar deri më fund të këtij mandati”, tha kryetari Isa Mustafa.

Filed Under: Politike Tagged With: 26 VJET LDK, Isa Mustafa, në Istog dhe Deçan

PESË VJET, PRAKTIKË DOBIPRURËSE E “MEDIA-KONTAKTIT”

May 14, 2016 by dgreca

Çertifikohen 10 studentë për gazetari/

Nga Prof.Murat Gecaj/

Një ndër profesionet më të bukur dhe të pëlqyer, për të rejat dhe të rinjtë tanë të talentuar, është gazetaria. Siç dihet, pranë shkollave të larta janë hapur degë të tilla, të cilat i përfundojnë sa e sa studentë. Pastaj, shumë prej tyre, fatkeqësisht jo të gjithëve, ua shohim temrat në gazeta e në faqe të ndryshme të Internetit ose në median elektronike, pra në radio a televizione. Nuk po ndalemi këtu në aftësitë, që ata shprehin ose shfaqin në jetë, gjë që lidhet edhe me tërë punën e veprimtaritë, të cilat i kanë zhvilluar ata gjatë periudhës së studimeve disavjeçare.

Kësaj radhe, fjalën e kemi për një praktikë tjetër mjaft dobiprurëse, që ka nisur këtu e pesë vjet më parë, nga drejtues të Media-Kontaktit. Konkretisht, pas njoftimit të bërë, aty u paraqitën për të provuar aftësistë e tyre, në fushën e gazetarisë, rreth 100 veta. Prej tyre, u përzgjodhën 10 vajza, që premtonin më shumë. Pastaj, nën drejtimin e publicistëve të njohur dhe specialistëve të kësaj fushe, morën pjesë në trajnimin profesional 3-javor, me temë “Njohuri praktike për gazetarinë”.

Kështu, ata do t’i dëshmonin aftësitë e tyre për njohjen dhe realizimin e proceseve të punës në Televizionin Kontakt. Sigurisht, kjo gjë kërkonte aftësimin në disa procese pune, si: përdorimin e kameras, përgatitjen e tekstit  dhe realizimin e vidiomontazheve. Me rëndësi ishte edhe përzgjedhja e tematikës, pra se ku studentët do ta realizonin temën e tyre. Sigurisht, gjatë asaj kohe, ata u përballën me vështirësi të ndryshme, të cilat i tejkaluan,, me ndihmën e pedagogëve të fushës së gazetarisë e televizionit, si prof.Hamit Boriçi e gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilirian Agolli, Esat Teliti etj.

Në tërë këtë punë intensive, me vlera teorike e praktike, me Media-Kontakt bashkëpunoi e ndihmoi Instituti i Karrierës “Proteus”, institucion i njohur për trajnimet në fushën e gazetarisë.

Pas tre javësh punësh e veprimtarishë të dendura, u arrit që sot paradite të organizohej festa përmbyllëse. Veprimtaria u organizua në mjediset e Amfiteatrit të  Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC). Ishin të ftuar përfaqësues të medias së shkruar dhe asaj elektronike, studentë  nga disa universitete të kryeqytetit etj.

Në fillim të veprimtarisë, vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqi shfaqja në ekran e një reportazhi njohës, për Media-Kontaktin. Kjo e filloi jetën 18 vjet më parë e gjatë kësaj kohe ka dhënë një ndihmesë mjaft të çmar në periudhën e vendosjes dhe konsolidimit të demokracisë në Shqipëri. Më tej, ishin interesantë vidiomantazhet e shfaqura, të cilët i kishin realizuar vetë studentët e kursit trajnues.

Për punën  e bërë me këta studentë folën: drejtoresha e Media-Kontaktit Jolanda Lila, prof.Musa Kraja, gazetarët Ilirian Agolli e Shpresa Ukcama dhe Esat Teliti. Gjithashtu, i përgëzuan ata për punën e mirë dhe realizimin cilësor të vidiomontazheve të tyre. Me rëndësi ishte se studentët trajtuan anë të ndryshme të jetës, si familjen, botën fëminore, jetën qytetare me problematikën e saj etj.

Çast emocionues ishte koha, kur studenteve iu dorëzuan Çertifiktat përkatëse. Ndonjëri nga ata foli dhe falënderoi përzemërsisht, si nismëtarët e këtij kursi dhe pedagogët, që i udhëhoqën në ditët e kursit trajnues.

Shënojmë këtu se morën pjesë me sukeses në këtë kurs trajnues dhe merituan çertifikatat në fushën e gazetarisië, studentët: Erisa Sipri (moderatore e veprimtarisë së sotme), Alma Ismaili, Fjona Çela, Armela Malaj, Enxhi Beka, Krenita Xhaferri, Ledjana Mërtiri, Xhevrije Xhani, Anxhela Shurbi dhe Entela Hidri.

Pastaj, të pranishmit bënë fotografi të përbashkëta dhe morën pjesë në një kokteil, që ishte shtruar për të gjithë të ftuarit.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, i përgëzojmë për realizimin, për herë të pestë të kësaj nisme dhe tërë veprimtarisë, Media-Kontaktin, me drejtoreshë Jolanda Lilën dhe pedagogët, që punuan për trajnimin e këtyre krsaantëve. Shpresojmë dhe presim që këta studentë do ta dëshmojnë me punë cilësore, përgatitjen e tyre profesionale dhe emrat e tyre do t’i shohim, me sa më shumë sukses,  në median e shkruar dhe atë elektronike!

Tiranë, 14 maj 2016

Filed Under: Komunitet Tagged With: 10 studentë, Çertifikohen, Murat Gecaj, për gazetari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT