• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Kur u betova si vullnetar i Korpusit të Paqes

May 7, 2016 by dgreca

Nga Donald Lu/*

Kryetar i Bashkisë, familje mikpritëse, vullnetarë të rinj dhe të vjetër të Korpusit të Paqes, personel i talentuar i Korpusit të Paqes, zonja dhe zotërinj!

Kur them vullnetarë të vjetër të Korpusit të Paqes, më kujton se sa shumë vite kanë kaluar që kur isha në vendin tuaj e prisja që të bëja betimin me Ambasadorin tim. Të jesh në Korpusin e Paqes ngjan pak sikur bie në dashuri për herë të parë –është emocionuese, turbulluese, jetëndryshuese dhe paksa frikësuese.Sot do të ndaj me ju historinë e ditëve të mia të para në fshat pasi u betova si vullnetar i Korpusit të Paqes.  Pastaj dua të them dy fjalë se përse Korpusi i Paqes është një burim kaq i çmuar mes dy vendeve tanë.  Së fundi, kam disa fjalë për të falënderuar familjet kaq bujare që pritën vullnetarët. Ditët e para Në kohën që unë isha me Korpusin e Paqes kishim motoçikletë. Nuk isha motoçiklist shumë agresiv dhe kam rënë më shumë herë prej tij sesa do të doja ta pranoja. Për të shkuar në fshatin tim për herë të parë m’u desh të kaloja nëpër një urë të bërë me trungje palme. Ato nuk ishin vendosur në varg për ta bërë të vështirë udhëtimin. Ato ishin tre trungje të vendosura për së gjeri, ndaj me mjeshtëri të madhe (e cila më mungonte) duhej ta ngisja motoçikletën në qendër të trungut të mesit dhe të lutesha që të mos rrëshkisja, përndryshe do të përfundoja në lumë dhe motoçikleta do të binte mbi mua. Mora guximin, shtypa pedalen e gazit e kalova vrik përmes urës më shpejtë sesa e kisha menduar. Dhe kjo ishte jeta ime për shumë ditë. Merrja frymë thellë, merrja guxim, e shkoja përpara si shigjetë. Një makinë nga zyra e Korpusit të Paqes së bashku me Zv/Drejtorin e Korpusit të Paqes për programet shëndetësore, Dr. Juxton Smith, zbritën dy valixhet e mia dhe një kuti me ushqime që e kisha sjellë nga kryeqyteti.  Kur ai u largua me makinë, mbaj mend ndjesinë e thellë të braktisjes.  Me sa kuptoj, këtë gjë e shmangin këtu, pasi ju paketojnë në një furgon të linjës së Elbasanit dhe ju urojnë fat. Unë isha 22 vjeç.  Me njohuri shumë të kufizuara gjuhësore mësova si të lëvizja. Mësova si të gatuaja dhe të pastroja.  Mësova t’i bëja miq njerëzit me të cilët ndaja pak gjëra të përbashkëta.  Mësova si t’i kërkoja ndihmë komshiut tim.  Ishte me të vërtetë pak frikësuese, por kur kthej kokën pas them se ishte koha ime e preferuar në Korpusin e Paqes.  Në jetën tuaj, në kohë të ndryshme do të jeni më shumë ose më pak të hapur ndaj përvojave të reja. Ju sugjeroj se çasti i sotëm është një nga ato raste të jetës suaj kur ju do të jeni më të hapur se kurrë. Tani gjithçka duhet të bëni është të shtypni pedalen e gazit dhe të mbaheni fort gjatë udhëtimit.

Përse kemi një Program të Korpusit të Paqes?

Kur isha në Korpusin e Paqes, shumë njerëz besonin se qëllimi i programit ishte i mbrapshtë. Në Afrikën Perëndimore ka libra të tërë të shkruar për mënyrën se si vullnetarët e Korpusit të Paqes janë përdorur për të rrëzuar qeveritë dhe për të kontrolluar popujt e Afrikës Perëndimore. Më lejoni t’ju siguroj se ky është një absurditet i plotë dhe se gjëja e fundit që Uashingtoni dëshiron të bëjë është kontrolli i Afrikës Perëndimore, Shqipërisë apo 77 vendeve të tjera ku kemi Korpusin e Paqes. Ajo që jemi të përkushtuar të bëjmë është t’i ndihmojmë të 8,655 vullnetarët që shërbejnë aktualisht në Korpusin e Paqes të jenë qytetarë më të mirë globalë.  Shpresojmë që të merrni me vete një pamje më të sofistikuar dhe më të mprehtë të rolit të Amerikës në botë.  Shpresojmë të mësoni gjuhë të huaja dhe të ndihmoni të ndani me njerëzit anembanë botës se si janë në të vërtetë amerikanët –përtej imazheve të Hollivudit dhe të medias.

Kur iu bashkova Departamentit të Shtetit 25 vite më parë, një e katërta e klasës në të cilën isha regjistruar për në Shërbimin Diplomatik, kishin shërbyer si vullnetarë të Korpusit të Paqes.  Kishim mësuar ta donim aventurën e të jetuarit në vende të tjera; të folurën e gjuhëve të rralla; dhe krijimin e lidhjeve me njerëz që kanë pasur përvoja të ndryshme jetësore.  Shpresoj që për të gjithë ju periudha në Shqipëri të jetë një përvojë po aq transformuese si ajo që unë kalova si vullnetar i Korpusit të Paqes.

Dhe në përfundim, më lejoni t’ju them disa fjalë falenderimi familjeve tona pritëse.  

Të dashur prindër pritës të vullnetarëve, faleminderit që ndani atë që është më e mira e kulturës shqiptare – ndjesinë e jashtëzakonshme të mikpritjes.  Shpresoj që do të qëndroni në kontakt me fëmijët tuaj të Korpusit të Paqes.  E di se shumë prej fëmijëve tuaj biologjikë dhe fëmijëve të Korpusit të Paqes do të mbeten përjetë miq dhe do të bëjnë vajtje-ardhje mes Shqipërisë dhe Amerikës.  Ju i keni bërë këta burra dhe gra ambasadorë më të mirë të vendit të tyre. Jam i sigurtë se nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ju i keni njohur ata kur sapo kishin nisur të mësonin mbi vendin tuaj.  Kur ata të shkojnë në komunitetet e tyre të reja në Librazhd, Shushicë, Thanë, Belsh, Bishem, Pajovë dhe Peqin, miqtë e tyre të rinj dhe familjet pritëse do t’i pyesin se nga kanë mësur për tavën e kosit, të thonë “shëndet” pas prerjes së flokëve ose si të pijnë raki siç duhet.  Mund t’ju siguroj se sa herë të ndodhë kjo, fëmijët tuaj të Korpusit të Paqes do t’ju mendojnë. Faleminderit sërish për mikpritjen tuaj të mrekullueshme. Trajnues të Korpusit të Paqes, përpara se t’ju dërgoj përmes urës imagjinare me trungje palme pa motoçikletë, kam edhe një punë tjetër për të bërë.

Nëse mundeni të ngriheni në këmbë për të bërë betimin dhe të ngrini lart dorën tuaj të djathtë:

Unë, thoni emrin tuaj, solemnisht betohem ose pohoj

se do ta mbështes dhe do ta mbroj

Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

kundër të gjithë armiqve, të huaj dhe të brendshëm,

se do të tregoj besim të vërtetë dhe besnikëri ndaj saj;

se unë e ndërmarr këtë detyrim lirisht, pa asnjë hezitim mendor apo qëllim shmangieje;

dhe se do t’i zbatoj mirë dhe me besnikëri

detyrat e mia në Korpusin e Paqes. 

Ndaj, Zoti më ndihmoftë!

*Fjala e plotë e Ambasadorit Donald Lu, gjatë Ceremonisë së Betimit të Vullnetarëve të Korpusit të Paqes ( Tiranë 6 maj, 2016)

Filed Under: Komente Tagged With: Donald Lu, i Korpusit të Paqes, Kur u betova si vullnetar

Pse u dhunua dhoma historike e kardiologut, Dr. Berisha?!

May 7, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyci/

Dhoma e mjekut kardiolog Prof. Dr. Sali Berisha, ne spitalin e Kardiologjise ne Tirane eshte shkaterruar, eshte shnderruar me urdher te Rames e Beqjes ne dhome pushimi rojesh. Jane hequr prej aty tavolina e punes, blloku e recetave, shenimet per pacientet, stilolapsi i fundit me te cilin ai kishte firmosur terapite e epikrizat e pacienteve te tij. Ndodhi kjo ngjarje pas rrreth 26 viteve. Nuk e bene kete bandat e vitit 1997, por e bene bandat e shtetit shqiptar te vitit 2016. E beri nje kryeminister qe per filozofi ka fillimin e historise me veten e tij, e shumta me Kocon ose dajen e tij, Koleka. Edhe Miloshevici nuk mundi t’i shkaterronte vlerat historike te shqiptareve sa kohe nuk kishte filluar luften per zhdukjen e elementit shqiptar ne Kosove. Vetem diktatori Hoxha e kishte filluar historine me veten e tij, duke mohuar se Shqiperia te kishte pasur histori shteti e institucionesh para tij. Psh festoi si date te krijimit te ushtrise jo 3 dhjetorin e vitit 1912, por 10 korrikun e vitit 1943. Kjo qe ka ndodhur me dhomen historike te kardiologut Sali Berisha, synon zbehjen e aktivitetit human te Doktorit. Synon zhberjen e suksesit te kardiologjise shqiptare ne historine e saj. Kjo qe ka ndodhur eshte nje krim kunder civilizimit. Edi Rama po shkon hapur e pa u trembur ne gjurmet e atyre qe kane bere genocid kunder trashegimise kulturore te popullit te vet ose popujve te tjere. Genocdi kunder trashegimise kulturore e historike te vendit te vet eshte kryesisht tipar i diktaturave te majta. Po ka perjashtime, Miloshevici psh. Ndersa ai kunder popujve te tjere eshte tipar i nazi-fashisreve. Ky veprim kriminal i qeverise shqiptare ne Kardiologji drejtohet kunder trashegimise kulturore e historike te popullit qe kjo qeveri perfaqeson. Edi Rama po deshmon cdo dite se ka ardhur ne pushtet me mashtrimin e madh se do ishte “sherbetor i qytetareve”, por pas pak oresh filloi zbatimin e filozofise nihiliste te mohimit te gjithckaje ne kete vend. Kjo deshmon se ne kemi ne krye nje kryeminister paranojak, me paranojak se kasapi i Ballkanit, Sllobodan Miloshevic. Si i tille ai eshte njekohesisht nje drejtues shteti i rrezikshem, i frikshem, i dhunshem, i papajtueshem me vlerat minimale te civilizimit. E di se mbeshtetesit e qeverise se sotme per shkaqe politike do ta pershendesin aktin mizor te Edi Rames per asgjesimin e dhomes se punes te kardiologut te shquar Sali Berisha, edhe pse ata ose pjestare te familjeve te tyre kane ndjere nga afer kujdesin human re tij ne dite te veshtira. Por kjo nuk do t’i ndihemoje as ata, as vete autoret e jetij krimi ne trashegimine tone, perkatesisht Edi Ramen, Ilir Beqjan e te tjere qe shqiptareve t’ u sigurojne me shume siguri, me shume liri, me shume qetesi, me shume prosperitet e me shume shprese. Perkundrazi vepra te tilla te erresires e nentokes se qeverisjes se sotme vetem se cojne ne regres politik, ekonomik, social e kulturor. Nga ana tjeter, ky akt barbaresh ka dhe nje agjende politike ditore: Te ngacmoje emocionet e Sali Berishes per t’iu kundervene reformes ne drejtesi, te cilen Rama perfundimisht nuk e do. Ai thote se e do reformen, por punon cdo minute te rrenoje konsensusin. Berisha disa here i emocionevr ne pushtet, eshte tashme Berisha aktiv dhe racional ne opozite. Keshtu ka ndodhur gjithnje me Berishen. Ndaj nuk ka shans ta kape Rama edhe pse e ndjek nga pas me kurth ne dore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dhunohet Dhoma e mjekut, Enver Bytyci, kardiolog, Prof. Dr. Sali berisha

KOSOVA FITON ÇMIM SPECIAL NGA EUROPA NOSTRA PËR EPOSIN E KRESHNIKËVE

May 6, 2016 by dgreca

Nga Zymer Ujkan Neziri/

Projekti hulumtues shkencor nga Kosova: Eposi i Kreshnikëve-monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi ((Krajë dhe Malësi e Madhe),Maqedoni (zona Kumanovë-Kërçovë), Serbi (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), 2012-2015, është fitues i sivjetëm i Çmimit Special të Jurisë “Europa Nostra 2016”. Bartës i projektit është prof. dr.Zymer Ujkan Neziri, Instituti Albanologjik i Prishtinës. Projekti është financuar nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë.

Në komunikatën për shtyp të Europa Nostrës, Hagë, më 4 maj 2016, thuhet se çmimet speciale të Çmimit të Bashkimit Evropian për Trashëgimi Kulturore / Europa Nostra Awards /2016-  janë bërë sot publike nga Europa Nostra dhe Komisioni Evropian. Këtë vit, juritë e çmimeve kanë dhënë çmime të veçanta për 16 të arriturat e trashëgimisë nga 11 vende. Çmimet speciale janë dhënë për kontributin e shquar në ruajtjen dhe për përmirësimin e trashëgimisë, të cilat janë vlerësuar veçanërisht nga juritë, por të cilat nuk janë përfshirë në përzgjedhjen përfundimtare që të marrin një çmim. Fushat e vlerësuara me çmime speciale janë arkeologjia,arkitektura, restaurimi, konservimi, muzeologjia, kurse trashëgimia jomateriale përmendet vetëm në një rast në Spanjë dhe projekti ynë nga Kosova.

Për projektin nga Kosova, në kategorinë hulumtim, kryetari i Jurisë, prof. Işık Aydemir,thotë: se unë do të doja të Ju falënderoj për dorëzimin e aplikimit tuaj dhe për përpjekjet tuaja të rëndësishme në favor të trashëgimisë kulturore të Evropës. Në veçanti, Juria ka njohur një dimension ndërrajonal të hulumtimit, me rëndësi në të gjithë Ballkanin. Është e rëndësishme për të mbështetur këtë lloj të trashëgimisë jomateriale, e cila ka të bëjë me identitetin rajonal dhe evropian. Juria në veçanti ka vlerësuar origjinalitetin e hulumtimit në trashëgiminë jomateriale të Ballkanit.

Bashkëpunëtorë të këtij projekti janë: prof. dr. Shaban Sinani, Qendra e Studimeve Albanologjike,Tiranë, prof. dr. Zeqirja Neziri, Universiteti i Shkupit, prof. dr. Begzad Baliu,Universiteti i Prishtinës, si dhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës: dr. sc. Bashkim Lajçi, dr.sc. Albin Sadiku, dr. sc. Vlorë Fetaj-Berisha. Bashkëpunëtorë jo të rregullt të projektit janë: prof.dr. Hamit Xhaferi (Maqedonia Perëndimore), Nebih Balaj (Llap e Gallap), Fazli Hajrizi (Shalë e Bajgorës, Drenicë), Anton Prenkoçaj (Malësi e Madhe), kurse ekspertë të jashtëm janë profesor David Elmer, Universiteti i Harvardit, dhe profesor Nicola Scaldaferri, Universiteti i Milanos, tëcilët kanë dhënë vlerësime shumë të larta për këtë projekt. Kanë bashkëpunuar edhe rreth 90 vullnetarë terreni, si dhe afër 700 studentë të Fakultetit të Edukimit, Prishtinë, në krye me prof.dr. Begzad Baliun.

Rezultatet e këtij projekti, ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji ndër ne e në Evropë, janë: 15 vëllime me këngë dhe tregime të shkruara (me mbi 5 mijë faqe) dhe 16 vëllime me anketa (afër 6 mijë faqe). Janë shënuar 440 këngë e motërzime, me 103 069 vargje, si dhe janë shkruar 69 tregime me 2 679 rreshta.

Subjekte të terrenit kanë qenë 235 këngëtarë e tregimtarë. Me kamerë janë 5 289 minuta incizim, nga Baton Z. Neziri. Rëndësia e këtij projekti, thuhet në paraqitje, është tejet e madhe për njohjen e traditave gojore të këndimit epik dhe të interpretimit, për ngritjen e vetëdijes dhe për ndryshimin e mendësisë për respektimin më të madh të trashëgimisë jomateriale, për ruajtjen e saj, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për promovimin e vlerave artistike, si dhe për ndërgjegjësimin e gjeneratave dhe rritjen e pjesëmarrjes së komunitetit, për ndërtimin e ndjenjës së vendit dhe të identitetit të pronësisë, për dialogun ndërkulturor dhe promovimin e diversitetit, për respektin e kreativitetit njerëzor në nivelet ndërkombëtare për vlerat që ka eposi shqiptar për trashëgiminë kulturore jomateriale. Ky material ka rëndësi për studime shkencore poetike,dialektologjike, fonetike, sintaksore, etnomuzikologjike, etnosociale, etnopsikologjike etj.

Çmimi special i Jurisë së Europa Nostra ka rëndësi tejet të madhe, sepse Eposi i Kreshnikëve për herë të parë vlerësohet në shkallë evropiane, duke i paraprirë UNESCO-s që këtë pasuri të madhe poetike shqiptare ta rendis në vlerat e trashëgimisë botërore të njerëzimit. Përveç Kosovës, shtete fituese të çmimeve speciale janë Gjeorgjia, Turqia (2), Britania e Madhe (2),Belgjika, Letonia, Spanja (3), Republika Çeke, Italia (2), Gjermania, Rusia. Ceremonia e dorëzimit të çmimeve të trashëgimisë evropiane bëhet në mbrëmjen e 24 majit në Teatrin Zarzuela në Madrid.

Filed Under: Kulture Tagged With: cmim special, KOSOVA FITON, NGA EUROPA NOSTRA, PËR EPOSIN E KRESHNIKËVE, Zymer Ujkan Neziri

Kosova organizon për herë të parë takimet vjetore të Konstituencave të BB-së dhe FMN-së

May 6, 2016 by dgreca

 -Në Prishtinë mbahen takimet vjetore të Konstituencave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar/

*Vendet pjesëmarrëse në Konsituencat e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në  këto takime vjetore nw Kosovw janë: Austria, Turqia, Sllovenia, Republika Çeke, Hungaria, Sllovakia, Bjellorusia, Luksemburgu dhe Belgjika. /

 PRISHTINË,  6 Maj 2016-B.Jashari/ Në Prishtinë sot, për herë të pare, janë mbajtur punimet e takimeve vjetore të Konstituencave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Kosova është e anëtarësuar me të drejta të plota në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore në vitin 2009, një vit pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008. Punimet e Konstituencave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore janë organizuar nga  Ministria e Financave  dhe Banka Qendrore e Kosovës. Mbledhjet e Konstituencave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore janë mbledhje vjetore ku diskutohet rreth zhvillimeve të përgjithshme ekonomike globale, sfidave rajonale, si dhe çështjeve të brendshme të Konstituencave. Gjatë punimeve të Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Prishtinë të pranishëm ishin ministri kosovar i Financave Avdullah Hoti, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza dhe zyrtarë tjerë të lartë të institucioneve publike të Republikës së Kosovës, Delegacionet e Konsituencave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuara nga zëvendëspresidenti për Evropë dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore Cyrril Muller, drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore Franciskus August Godts,  zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar Mitsuhiro Furusawa,  drejtori ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar Ibrahim Halil Canakci, si dhe përfaqësues të Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC).

 Vendet pjesëmarrëse në Konsituencat e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në  këto takime vjetore nw Kosovw janë: Austria, Turqia, Sllovenia, Republika Çeke, Hungaria, Sllovakia, Bjellorusia, Luksemburgu dhe Belgjika.  Gjatë punimeve të mbledhjeve vjetore të Konstituencave janë diskutuar shumë tema ekonomike me të cilat po preokupohen vendet e Konstituencave: si çmimi i ulët i naftës dhe ndikimi i saj në inflacion, ngadalësimi i rritjes ekonomike kineze, kriza e refugjatëve në Evropë dhe reformat e nevojshme që janë të domosdoshme për një rritje më të madhe ekonomike.  Gjithashtu gjatë këtyre takimeve u shkëmbyen edhe përvojat në mes të vendeve pjesëmarrëse.

 Organizimi i mbledhjeve të Konstituencave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Prishtinë tregon shumë për rolin konstruktiv dhe partneritetin e fuqishëm që ka Kosova me Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, dhe këto nëntë shtete. Por, gjithashtu është dëshmi se institucionet e Kosovës po i forcojnë edhe më shumë lidhjet ekonomike dhe politike me organizatat financiare ndërkombëtare dhe shtetet anëtare të Konstituencave të FMN-së dhe Bankës Botërore.

 Kosova është pjesë e Konstituencës së Evropës Qendrore dhe Lindore në FMN së bashku me vendet e tjera si Austria, Turqia, Sllovenia, Republika Çeke, Hungaria, Sllovakia dhe Bjellorusia.  Këto vende dhe Luksemburgu e Belgjika bëjnë pjesë në Konstituencën e Bankës Botërore.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Banka Boterore dhe FMN, Behlul Jashari, kosova

Problemi i Rilindjes është vetë Rilindja

May 6, 2016 by dgreca

Nga Jorida Tabaku /*

Indro Montanelli shprehej dikur se problemi i socializmit është vetë socializmi, pra ai shteti autoritar që do të fusë hundët në punët e gjithkujt. Për ta aktualizuar pak më tej këtë citim mund të them që problemi rilindjes është vetë rilindja, apo më saktëështë dëshira e saj për të varfëruar tëvarfrit duke rilindur bizneset e oborrit.Dhe kjo nuk është më një opinion por është një fakt, 90 milionë dollarë para të nxjerra nga arka e qeverisë për të shkuar në luksin e qeverisë në rregullime zyrash ndërsa gjysma e gjithë shqiptarëve marrin frymë me nën 5$ në ditë. Ku shqiptarëve borxhi publik u është rritur dhe shpenzimet për shërbime dhe infrastrukturë bien përditë e më shumë.

Investimet bien e ndërkohë taksat rriten në mënyrë progresive sa më i varfër aq më shumë taksa, në tre vjet taksat janë rritur me 450 milionë usd dhe çdo ngritje është trumbetuar si arritje e madhe, si lehtësi ndaj biznesit të huaj dhe në fund sigurisht si diçka që ndodh për herë të parë në këto 25 vite.Rezultati është i qartë, çmime më të shtrenjta, shqiptarë më të varfër, biznese që mbyllen dhe në fund investime të huaja 5.7% më të ulëta se sa vitin 2013.

Po ndërkohë jo të gjithë shqiptarët janë varfëruar, çdo të hënë që del buletini i prokurimeve publike lexon të bardhë mbi të zezë 11 kompani që fitojnë përherë tenderat.11 persona që janë vula, flamuri dhe stema e një ekipi të korruptuar qeveritar që po zhyt përditë e më shumë shqiptarët jo vetëm në varfëri por dhe në terror.

Por sikur të ishin veç kaq mëkatet tuaja.

Shqiptarët kanë 25 vjet që largohen nga Shqipëria, në përpjekje për të krijuar një jetë më të mirë por edhe si reagim i asaj çfarë qeveritë e ndryshme nuk kanë mundur të plotësojnë.Nuk ka ndodhur, aq më tepër në këtë 10 vjeçar, që qytetarët e këtij vendi të largohen në këto përmasa si këto tre vjet.Nuk ka ndodhur që ato të jenë kaq të bindur në korruptimin që kjo qeveri dhe kjo mazhorancë i ka bërë jo vetëm institucioneve shtetërore por edhe vetë shoqërisë.

Rilindja është qeveria që në këto tre vjet ka shpenzuar energjitë e saj për të korruptuar shoqërinë e këtij vendi, duke blerë mediat, duke blerë zërat opozitarë dhe mbi të gjitha duke sulmuar me ushtarët e bandave ato që i dalin jashtë rreshtit.Prandaj sot jemi ne të parët e Ballkanit sa i takon emigrimit në dyert e Europës, të zhgënjyer nga një gënjeshtër e ndërtuar bukur. Të demoralizuar nga një qeveri që ka korruptuar jo vetëm institucionet por që dëshiron të shkatërrojë edhe vetë shoqërinë.

E me gjithë këto , duket se nuk kemi parë asgjë akoma.Gjatë gjithë këtij tre vjeçari në qeverisje hija e juaj ka qenë krimi dhe kriminaliteti, të cilin e keni shtrirë nëçdo degë të shoqërisë.

Nuk ka pasur ndonjëherë në kujtesën time kaq shumë vrasje kriminale, nuk ka pasur ndonjëherë kaq shumë panik, shqiptarët i kanë harruar kohët kur ndodhnin grabitje rrugëve siç ndodh sot.Nuk ka ndodhur kurrë që deputeti të qëllojë me armë në komisariat e të vijë të votojë në kuvend, e nuk ka ndodhur kurrë si me këtë qeveri në dy raste, t’i fshihet edhe Interpolit të dhënat për sponsorizuesit e kësaj qeverie.Dhe e gjitha kjo ndodh sepse tashmë Shqipëria është peng i karteleve të mafias, që kanë uzurpuar edhe karrige të këtij kuvendi.

Të cilët nuk kanë frikë, se me shumë gjasë janë edhe ministrat hije të kësaj qeverie, që kanë autoritet dhe pushtet jo vetëm mbi shpirtrat dhe trupat e kësaj mazhorance por edhe mbi jetët e shqiptarëve.Ky është krimi më i madh! Pikërisht ky krim, qëështë instaluar brenda katër mureve të këtij parlamenti, për të cilin kjo opozitë ka luftuar dhe për shkak të kësaj beteje ajo është sulmuar, luftuar si e si që kjo qeveri të vrasë brenda shqiptarëve KURAJON, GUXIMIN dhe SHPRESËN.

Vetëm kështu kjo qeveri mund të jetë e lumtur!

Prandaj nuk është habi që jemi të fundit në listën e gjermanëve, amerikanëve madje edhe kinezëve të EXIM Bank për të investuar.Në një vend ku krimineli të vjedh pronën, ku mafia kërcënon akademikun apo akoma më keq kur jeta e një biznesmeni është në rrezik. Nuk ka më vend jo për biznese por as për qytetarë.

Dhe më e keqja nuk ka ardhur ende!

Prandaj nuk i bëjnë më përshtypje qeverisë as 68 mijë shqiptarët që largohen brenda vitit, as 2530 biznese që ulin qepenat e tyre sepse nuk e përballojnë dot çmendurinë fiskale të rilindjes dhe as 200 mijë shqiptarë që aplikojnë për të ikur nga ky vend.Kanë dështuar nëçdo reformë të ndërmarrë dhe kanë përkeqësuar raportet ndërkombëtare duke filluar nga Doing Bussiness, Freedom House, Raporti i DASH e kështu me radhë.Dhe fatkeqësia është se justifikimi i tyre për të gjitha dështimet mbetet gjithmonë qytetari, opozita, tjetri.A është faji i opozitës që eksportet kanë kurbë rënëse për vitin 2015? Apo është faji i opozitësqë Shqipëria ka renditjen më negative në rajon sa i takon investimeve të huaja?

A është faji i qytetarëve që papunësia ndër të rinjtëështë rritur? Që BSH vazhdon të ulë normën e interesit (ditën e djeshme e uli në 1.25%) ndërkohë që ekonomia nuk prodhon dhe nuk konsumon ndërsa qeveria flet për rritje punësimi?

Të gjitha këto nuk janë prej gabimeve tona…jo!Përkundrazi, ata që këndojnë si gjeli mbi pleh për reformën fiskale rilindase duhet të kuptojnë që janë fajtorë për atë që sot shohim.

Madje, ato të cilët të mbytur në këtë pisllëk që kanë ndërtuar këto 3 vjet përpiqen të kapen pas fijeve të barit duke sulmuar opozitën dhe atë alternativëçfarë ajo ofron, duhet më parë të përgjigjen për këtë shkatërrim që kanë sjellë.

Duhet të përgjigjen për shkretimin, varfërimin progresiv dhe mbi të gjitha tentativës për të zhdukur çdo institucion në këto 3 vjet.

Ne nuk besojmë se shqiptarët janë qorra apo dembela prandaj edhe do t’i japim atyre pushtetin i cili nuk do të jetë një e drejtë e një pakice që hiqet si shumicë.

Do të jemi garantues jo vetëm të lirisë së tregut, duke garantuar konkurrencën e ndershme në treg, por mbi të gjitha garantues të lirisë së qytetarëve nga banditët që sot kanë bekimin e qeverisë.

Dhe këtë do t’ua ofrojmë përmes forcimit të institucioneve kushtetuese, duke i rikthyer edhe këtij parlamenti integritetin që një qeveri e etur për pushtet ia poshtëroi.

Ndryshe nga pushtet mbajtësit e sotëm ne besojmë se liria edhe mundësia reale e individit për të zgjedhur është më e rëndësishme se sa dëshira për pushtet e një personi apo një klike.

Sepse ne besojmë se institucionet jetojnë më gjatë se sa njeriu apo se një parti politike dhe kjo është frika e kësaj qeverie, që një ditë këto institucione do të funksionojnë dhe do të ndëshkojnë këdo që ka gabuar.

Por, frika e kësaj qeverie është shqetësimi më i pakët i joni dhe i 2.8 milion shqiptarëve!

* Fjala e mbajtur ne seancen e djeshme parlamentare

Filed Under: Opinion Tagged With: është vetë Rilindja, Jorida Tabaku, Problemi i Rilindjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT