• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

“Legjitimiteti i alibive”

June 10, 2016 by dgreca

… Një nga problemet më madhore me të cilat mplekset vargani dramatik i hakmarjes dhe gjakmarrjes është çështja e pronave, që është nyja gardiane e kësaj të keqeje. /

Shkruan: Av. Serxhio MAZREKU/

Çështjet e raportit mes lirive dhe të drejtave qytetare dhe tejkalimit të lirisë nga individët keqbërës, grupet dhe bandat kriminale janë komplekse dhe kërkojnë një trajtim të specializuar nga ekspertët e antikrimit, sociologët dhe psikologët. Një nga rrymat më moderne bashkëkohore të psikoanalizës së sotme lidhet me shentologjinë, përfaqësuesi më karizmatik i së cilës Hobardi, ka një teori mjaft interesante, ku sipas saj, devijimet psikologjike, traumat shpirtëore dhe prirjet antishoqërore të njeriut lindin dhe kultivohen që në paralindje, kur gjendet në barkun e nënës. Nëse i besojmë kësaj teorie, njeriu nuk është plotësisht përgjegjës për atë që është, në kuptimin e sjelljes dhe të modelimit social, pasi nuk ka të drejtën e zgjedhjes dhe të alternativës. Teoritë më racionale të psikologjisë, shkencës dhe fesë thonë se njeriu nuk ka të drejtë të zgjedhë shumë gjëra në jetë, por mënyrën e tij të sjelljes, kulturën, mënyrën e komunikimit dhe raportet me të ngjshmin, etj.,sigurisht që po. Por edhe familja, shkolla, shoqëria kanë shumëçka në dorë për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, që modelet e tyre sociale të sjelljes, etikës, punës, talentit etj të jenë produktive dhe në përputhje me modelet më të suksesshme sociale e shoqërore, në të gjithë brezat.

Hapja e Shqipërisë, krahas zgjimit të resurseve të gjithëfarëshme, të energjive pozitive shndërruese e transformuese, solli me vete dhe një radikalizim të keqbërjes, lulëzim të botës së krimit, grupeve shoqërisht të rrezikshme dhe bandave kriminale, të cilat kulmuan në vitin 1997, kur shteti ra dhe krimi i rrugës fitoi legjitimitet. Grupet e krimit dhe bandat e aramtosura u bënë mbretër të rrugës, sfiduan ligjin dhe të drejtën, mbollën frikë e terror, lanë pas hijen e kobshme të anarshisë dhe kaosit. Një gazetë prestigjioze perëndimore e cilësonte Shqipërinë e vitit 1997, si “mbretëria e gangsterëve dhe figurave të krimit të rrugës”, si vendi ku “mjafton të keshë një kallash në njërën dorë dhe një krikëll birrë në dorën tjetër” dhe mund të bësh çfarë të duash pa të hyrë gjëmb në këmbë.

Ky vizion gjysëmapokaliptik do ta shoqëronte për një kohë të gjatë imazhin e vendit të shqipeve, aq sa dhe sot, pas kaq vitesh, megjithë luftën e madhe të strukturave të shtetit shqiptar, kryesisht të policisë dhe antikrimit, për ta frenuar këtë paranojë kërcënuese, bota e krimit vazhdon të rezistojë me dëshpërim.

Është e vërtetë se pas vitit të mbrapashtë, nisi një goditje frontale ndaj grupeve dhe bandave të armatosura, të cilat do të pësonin goditje të rënda, shaktërruese, por jo rrallë ato do të ripërtëriheshin me elementë të rinj kriminalë. Me kohë, disa nga anëtarët e këtyre bandave janë të vrarë në larje hespesh midis bandave rivale ose me njëri tjetrin, disa të tjerë janë arrestuar dhe kanë marrë dënimin përkatës nga gjykata, ka syresh që  ndodhen në burgjet e huaja, duke vuajtur dënimin ose në pritje për tu ekstraduar, ndërkohë që ka prej tyre që janë në kërkim nga policia shqiptare apo Interpoli.

Plaga më e infektuar dhe që ende pas njëzet e pesë vitesh luftë të shtetit dhe shoqërisë nuk po mbyllet është ajo e gjakmarrjes dhe hakmarrjes, jo dhe aq për motive kanunore (sigurisht edhe për këto motive) se sa për motive të dobëta, për të përligjur hakmarrjen, keqbërjen, grabitjen, trafiqet e qenieve njerëzore etj.  Të përfshirë në ethet e hakmarrjes, dhjetëra banda në vendin tonë, përgjatë një lufte të gjatë e të egër, janë shpërbërë, ndërkohë që mjaft protagonistë të tyre janë ekzekutuar në mënyra mafioze.

Krimi për motive hakmarrje, ku përzihen hakmarrjet primitive e për motive të dobëta me hakmarrjet sociale, pronësore etj, po kthehen përsëri në rend të ditës, duke vazhduar të inicojnë ngjarje të rënda, të cilat shpesh nuk arrijnë as të parandalohen e as të zbulohen kur ndodhin.

Një nga problemet më madhore me të cilat mplekset vargani dramatik i hakmarjes dhe gjakmarrjes është çështja e pronave, që është nyja gardiane e kësaj të keqeje.

Edison Ilir Hoxha nga Lezha, 27 vjeç, bëhet viktimë e një hasmërie midis familjes së tij dhe familjes Ndocaj për çështje pronësie, që ka nisur që në vitin e largët 1915, me vrasje dhe presione të ndjërsjellëta. Me 11 gusht 2015, dora e gjaksit të vjetër ka nxitur një akt dhune në dyqanin e Edsonit, ku nga sulmi i disa personave të panjohur, Edisoni ka pësuar dëmtime serioze në kokë dhe ka përfunduar në spitalin e traumës.

Olsi  Tonuzi nga Dibra, 41 vjeç, me arsim të lartë për ekonomi agrare, po për çështje pronësie më 25 gusht 1997 plagoset pranë spitalit të Peshkopisë, me pasoja dëmtim i rëndë veshke dhe rrezik jete. Pas dy muash ndaj tij është bërë përsëri atnetat, çfarë e ka detyruar të shkojë në Greqi, ku për një vit i është nënshtruar transplantit të një veshke, por hasmi e ka ndjekur dhe në tokën helene. Konflikti ka nisur për njëzet e dy dynim tokë të grabitura familjes Tonuzi nga mafia  e kromit, ku persona me një inkriminim të rëndë e kanë ndjekur hap pas hapi e kohë pas kohe dhe ende vazhdojnë ta ndjekin për ta ekzekutuar, vetëm pse ky person kërkon të drejtën e tij të ligjshme, të drejtën e pronës. 

Marrja kurajë e individëve dhe familjeve kriminale për të mbajtur peng qytetarë dhe familje që kërkojnë të drejtat e tyre qytetare e pronësore, ndodh në kushtet kur presioni i botës kriminale nuk ndesh aq sa duhet në përgjigjen e organeve të ligjit dhe të drejtësisë.

Në zonat ku kanuni ka vepruar si një rregullator i brendshëm i jetës së fisit, po shfaqet dukuria e shndërrimit të tij, në mjaft raste, në një selektiv të përgjakur të dimensionit kriminal të shoqërisë shqiptare. Ai po shndërrohet me përdhunë, në këto raste, në një keqinterpret të “së drejtës”, e cila shtegton nga njëra palë kriminale te tjetra, duke lënë prapa saga tragjike vrasjesh në errësirë që i etiketohen kanunit.

Shqipëria po del gradualisht nga harta e vendeve të pasigurta, bile ka dalë, përveçse në krimin e gjakmarrjes, e kryeisht nga krimi për çshtje pronësore, i cili për hir të së vërtetës shfaqet si hakmarrje kompleksive, me një agresivitet të fortë dhe përzihet në luftën mafioze mes bandave, me trafiqet njerëzore dhe krimet e tjera. Këto krime qëllimisht i faturohen Kanunit për të fituar “legjitimitet”. Kuptohet që ky nuk është “legjitimitet”, por një tentativë e botës së krimit për të fshehur këmbët, që të mos marrë goditjet e merituara nga dora e fortë e ligjit dhe e drejtësisë.

* Ilustrimi:Karikature nga mjeshtri Medi Belortaja

 

Filed Under: Opinion Tagged With: “Legjitimiteti i alibive”, Serxhio Mazreku

Shqipëria një vend i varfër dhe jo i lirë!

June 10, 2016 by dgreca

Opinion Nga Nderim LUSHI/Aktivist i shoqërisë civile/

Shqipëria nuk është më shtet, por i ngjet një kampi të madh përqendrimi, ku jetojnë pensionistë të vrarë dhe të venitur, të cilët mashtrohen me pensione qesharake, ku baza e jetës së pensionistëve janë dërgesat e emigrantëve.

Plot me të rinjë, por të pashpresë!

Jemi vendi, ku jetojmë mes ujit të pijshëm dhe ky ujë mungon në rubinetët e shtëpive tona, siç është rasti i qytetit të Kukësit dhe shumicës së qyteteve në Shqipëri.

Një vend plot spitale, të cilët shërbejnë për ti vdekur njerëzit, apo për ti udhërrëfyer drejt spitaleve private, që më pas për ti grabitur ato pak pasuri, që disponojnë.

Një shtet pa universitete, por plot me “fabrika”, ku fabrikohen skllevërit e rinjë dhe votuesit e ardhshëm, të cilët janë gati të shesin votën dhe nderin nëse akoma mund ti quajmë të ndershëm. Universitete, ku edukohet kopja dhe korrupsioni. Shkolla bajate me mësues të paaftë, të cilët mësimjapin sepse kanë paguar 2000$ për tu punësuar.

Shkollat tona përgatisin skllevër modernë dhe ftillojnë njeriun-skllav, të aftë për të jetuar i shtypur, të aftë për të heshtur dhe për të vdekur i varfër dhe pa liri.

Universitetet, ku pedagogët, si stalinë të vegjël, përfaqësojnë denjësisht: të degjeneruarin, manjakin seksual, partiakun skllav, simbolin e sistemit korruptiv dhe udhëheqësin drejt kopesë të humbësve të mëdhenj, ngjashmërisht me Eskilin e varrosur në humnerën e humbjeve dhe të harresës.

Shteti ynë ka kryeministra, të cilët rrugëtojnë drejt Kukësit, Tropojës dhe Hasit dhe flasin për bujqësi dhe fusha pjellore, ndërsa në Lushnjë predikojnë vjeljen e energjisë elektrike, si dhe përpunimin e kromit.

Jemi vendi me 300 mijë ndërtime pa leje, sepse politikanët tanë e deshën një gjë të tillë.

Jem shteti, ku kemi angazhuar të gjithë të paaftët dhe të korruptuarit në politikë, vendi ku vrasësi quhet burrë i mirë dhe i zoti.

Kemi kthyer tokën bujqësore në një sipërfaqe të copëtuar me shtëpi të hedhura, si të rëna nga qielli.

Na mungojnë nobelistët apo dijetarët për të qenë referenca e madhe e kombit, por na dalin me bollëk tutorët e prostitutave dhe shpërndarësit e drogës.

Prej kohësh jemi turpi i Europës, me një eksport rekord prostitutash dhe kriminelësh.

Nuk ka më Shqipëri: siç e njohim në ëndërrat tona, por ka një copë tokë të populluar nga skllevër dhe tutorë-diktatorë.

Me male të prera dhe të masakruara vetëm për të fituar pak para, toka e lumenjëve të ndotur, e detit-depozitë për ujërat e zeza.

Vendi, ku gjykatat sekuestrojne lirinë dhe grabisin njerëzit, me avokatë sekserë dhe policë të varfër nga koka dhe xhepi.

Jemi vendi i Shqiponjave të vdekura, të fundit e varrosën në Shëmri të Kukësit (eshte shqiponja ne foto), në tokën anti-komuniste dhe krejt të varfër.

Si shëmbëlltyra të venitura ecim rrugëve, dhe përgjumur jetojmë jetën, e cila përsëritet vetëm një here. Të gjithë kanë mësuar vlerën e parasë dhe kanë harruar kuptimin e moralit. Flasin për krenari dhe për komb, por të tmerruar nga vdekja ndërsa flasin, sepse kanë frikë të humbasin jetët boshe në të cilat rastësisht janë fundërruar të jetojnë; pavlerësisht dhe pa ndonjë qëllim të shenjtë dhe human. I shikon të gjithë të vetëkënaqur për kotësinë, që u fali kjo jetë, e cila pak e nga pak po i shpie në varr, ashtu të palirë dhe të skllavëruar.

…po sot është koha të kthejmë kokën prapa dhe të hedhim shikimin e mendjes tek gjurma e historisë. Të kujtojmë fjalën “burrë” se si kumbonte, dhe sa fort therte fjala “besë”. Jemi ne ata, që lindëm nga toka e besës dhe trime, dhe jemi po ata, që fjala Shqipe na vinte për shtat, krenarë, të fortë dhe fort të besës. Ka shpresë në këndet e Kukësit dhe në cepat e Tropojës, ashtu siç ka shpresë në luginat e Dibrës, për tu shtruar në Burrel-Mirditë-Lezhë, dhe për të vazhduar rrugën fluturimthi kudo në tokën e Shqipeve. Ka shpresë dhe trima, të aftë të japin jetën për komb, të kombit, që mbahet pushtuar nga aleanca Pro Serbe dhe Anti-Shshiptare PD+PS+LSI. Ka burra të mençur, por të varfër, të cilët njohin të vërtetën se si partitë i krijoi komplotisht Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha.

Koha për qëndresën finale, për të merituar Ismail Qemalin dhe Adem Jasharin dhe për të pagëzuar shpirtin e lirisë dhe triumfator me heroin Havzi Nela, që më parë pranoi të vdiste i lirë se sa të jetonte i skllavëruar.

Koha për tu ngritur si Shqipe, dhe për ti kthyer kombin Shqiptarëve, koha për qëndresën finale kundër partive të Sigurimit të Shtetit dhe PPSH-së.

Të organizohemi një grup të rinjësh, që të udhërrëfejmë protestat anti-diktaturë.

Të kundërshtojmë aleancën Anti-Shqiptare PD+PS+LSI.

Vjeshta të na gjejë të bashkuar, të gatshëm për sakrificë dhe të etur për liri.

Shpresë dhe ndryshim!

Aktivist i shoqërisë civile, Nderim Lushi

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe jo i lirë, NDERIM LUSHI, një vend i varfër, shqiperia

“Përgjegjësia individuale” e deputetëve kriminelë!

June 10, 2016 by dgreca

Opinion nga Enver Bytyçi/

Faktori ndërkombëtar u ka bërë thirrje deputetëve të parlamentit shqiptar që të votojnë draftin e Edi Ramës për reformën në drejtësi sipas përgjegjësisë individuale. Kjo thirrje do t’i bashkojë për herë të parë të gjitha vullnetet e deputetëve kriminelë dhe të ashtuquajturve deputetë idealistë e komercialë në votimin që pritet të ndodhë gjatë muajit qershor. Armando Prenga do të jetë atë ditë në parlament për ta dhënë përgjegjësinë e tij personale si deputet dhe do të votojë për reformën që e bën Edi Ramën despot të këtij vendi. Eshtë ai, për të cilin Rama thotë se “e ka përjashtuar nga Partia Socialiste”. Do të “ushtrojnë përgjegjësinë e tyre individuale” gjithashtu të gjithë ata deputetë që nga Edi Rama përfitojnë tendera, koncensione, favore, përfshirë dhe deputetët që kontrollojnë parcelat e kanabisit në këtë vend. Këta do t’ia japin kryeministrit despot të gjitha pushtetet me kushtetutë. Kush nuk e beson këtë, le të shohë se si sillet ai dhe si do të sillet këto ditë të ardhshme kundër prokurorisë dhe gjykatës, të cilat për herë të parë po dalin nga rrethi vicioz i apatisë për të ndëshkuar krimin qeveritar, i cili nga rrezikshmëria dhe dëmet që shkakton është i barabartë me të gjitha krimet ordinere të qytetarëve shqiptarë të marrë së bashku. Krahas Armando Prengës dhe sojit të tij kriminal në parlament këtë përgjegjësi individuale do ta ushtrojë edhe Ben Blushi. Së paku kështu deklaroi kritiku i ashpër i Ramës mbrëmë në emisionin e Ylli Rakipit në Ora Neës, “Të Paekspozuarit”. Por do ta ushtrojë këtë përgjegjësi gjithashtu Gramoz Ruçi, dhëndërrit dhe vajzës së të cilit Edi Rama i fali miliona euro të investuar nga Banka Botërore në impiantin e sterilizimit të spitalit “Nënë Tereza, gjithnjë në formën e PPP të koncensionit. Nuk dihet si do të bëjë Namik Dokle, por nuk ka gjasa që t’i shkëputet valles së rilindjes. Deputetët e LSI-së janë në rrjesht – asnjëri prej tyre nuk pritet të mos përdorë “përgjegjësinë individuale të Ilir Metës” në votimin e këtij drafti. Përgjegjësia individuale e LSI përdoret vetëm atëherë kur Ilir Meta kërcënon Ramën, duke e shkarkuar përgjegjësinë e tij te deputetët e bindur e të përulur deri në këmbët e kreut të partisë. Ndërsa deputetët e Shpëtim Idrizit në shumicë do ta ushtrojnë dhe ata “përgjegjësinë individuale” dhe do ta votojnë Edi Ramën si monark të këtij vendi, me shpresën jo për të zgjidhur çeshtjen çame, por për të kapë një kockë dikasteri. Nuk dihet vetëm përdorimi ose jo i përgjegjësisë “individuale” të dy prej këtyre deputetëve, të cilët janë rendit djathtas. Ndërsa Vangjel Dule i merr urdhërat nga Athina, çfarë t’i thonë ata, atë do të votojë ai. Opozita ka deklaruar se nuk do të përdorë këtë “përgjegjësi” individuale e as kolektive për ta votuar variantin më të keq të mundshëm për kapjen politike të gjyqësorit dhe drejtësisë. Megjithatë Edi Rama është betuar se do t’i blejë me çdo çmim disa prej këtyre deputetëve. Me siguri që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën plenare të votimit të të ashtuquajturës reformë, që synon eleminimin e krerëve të drejtësisë së sotme, të cilët shihen si rrezik për hetimin e krimeve të kabinetit qeveritar “Rama”. Por nuk dihet nëse do ta bojkotojnë aleatët e Partisë Demokratike, republikanët dhe Dashamir Shehi. Edhe pse ata i janë bashkuar publikisht qëndrimit të PD-së, në emër të fleksibilitetit mund të thonë se, ndryshe nga PD, do të jenë të pranishëm në votim. Prania në votim do të thotë rrjedhje e votës nga e djathta në favor të projektit shkatërrues të kryeministrit për drejtësinë në këtë vend. Ka mundësi që ndonjë deputet i grupit të demokratëve të kërkojë në këmbim të ofertës së Edi Ramës “ushtrimin e përgjegjësinë e tij individuale” për votimin e ligjeve kushtetuese. Por në rastin e bojkotit të seancës nga grupi, ky ose këta deputetë do të shiheshin si “delja e zezë” e familjes politike ku ata bëjnë pjesë. Nëse ka nga ata që për një grusht euro do të bëjnë metamorfozën e ngjyrës dhe pamjes, është mirë që tani të ndahen dhe të shkojnë në stanin e “përgjegjësive individuale”. Përgjegjësia individuale e deputëtëve në çdo vend normal të botës shkon në favor të interesit publik dhe të qytetarëve. Nëse është interes i këtij vendi dhe i qytetarëve uzurpimi i pushtetit gjyqësor dhe komandimi i tij nga pushteti ekzekutiv, atëherë Shqipëria nuk mund t’i përkasë Europës, me ç’rast u thuhet deputetëve se me këtë reformë Shqipëria hap negociatat për pranim në BE. Edhe nëse formalisht do të shkohej të hapja e negociatave, ato do t’i bllokojë diktatura e konfirmuar me kushtetutë, të cilën Edi Rama do ta ushtrojë në formën erdoganiste të pushtetit dhe do ta largojë Shqipërinë nga Unioni Europian. Janë bërë 12 vite që Turqia ka hapur negociatat për t’u pranuar në BE. Por as ka gjasë që të qaset me metodat e tij autoritariste të ushtrimit të pushtetit në dyert e Brukselit. E njëjta gjë do të ndodhë me Edi Ramën, i cili tashmë është familjarizuar me metodat autoritariste të Erdoganit dhe “suksesi” I miratimit të kësaj reforme do ta nxisë të ndërtojë një pallat presidencial për veten e tij. Megjithatë unë shoh edhe një shans për kompromis: Më 14 qershor vjen në Tiranë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank–Valter Steinmeier dhe ka mundësi që të gjendet një zgjidhje kompromisi midis mazhorancës dhe opozitës. Drejtorja për Ballkanin në Komisionin Europian dha sinjalet se po bëhen përpjekje në këtë drejtim. Le të shohim e të bëjmë. Skenari i djeshëm që Edi Rama e shpalli në foltoren e parlamentit, gjithësesi është më i keqi i mundshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: "Përgjegjësia individuale", e deputetëve kriminelë!, Enver Bytyci

Kryeministri Mustafa në Graçanicë, komunë me shumicë serbe

June 10, 2016 by dgreca

-Qeveria e Kosovës përkrah përmirësimin e jetës së të gjithë banorëve/

 PRISHTINË, 10 Qershor 2016-B.Jashari/ Qeveria e Kosovës përkrah përmirësimin e jetës së të gjithë banorëve, tha kryeministri Isa Mustafa gjatë vizitës sot në komunën e Graçanicës, ku u prit nga kryetari Vladeta Kostiç me bashkëpunëtorë. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Mustafa shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi si dhe nga ministri i Kthimit dhe i Komuniteteve, Dalibor Jevtiç.

 Kryeministri Mustafa pas takimit tha se gjatë kësaj vizite është njoftuar nga kryetari i komunës për çështjet aktuale. “Kemi biseduar edhe më përpara, por kemi biseduar në selinë e qeverisë dhe jemi munduar t’i koordinojmë punët sa i përket përkrahjes në kërkesat aktuale që i ka komuna e Graçanicës. Është një komunë, e cila ka arrit që të plotësojë qëllimin për çka është themeluar, ka punuar mjaft në ndërtimin e infrastrukturës, në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Por, po ashtu ka nevojë për një përkrahje edhe më të madhe të qeverisë qendrore dhe të ministrive, edhe në fushën e ndërtimit të infrastrukturës, në fushën e ndërtimit të një rruge, e cila e anashkalon qendrën dhe mundëson që të lidhet drejtpërdrejt me rrugën për Gjilan. Mundësisht të krijohet një komunikim shumë i mirë i kësaj komune me Prishtinën, i Graçanicës, por edhe i fshatrave përreth”, tha kryeministri Mustafa. Më tej, kryeministri Mustafa tha se kjo komunë ka nevojë për përkrahje edhe sa i përket deponisë dhe zgjidhjes së atij problemi për qytetarët. “Veçmas biseduam për perspektivën ekonomike të kësaj komune, sepse ka një zonë themi kushtimisht ekonomike shumë të mirë e cila shtrihet përgjatë dy anëve të rrugës që shkon për Lipjan dhe Ferizaj dhe që po ashtu do të ketë një komunikim të mirë me autostradën e cila shkon për Shkup. Ne shohim arsye të madhe që ta përkrahim këtë komunë në mënyrë që të ketë investime këtu, të ketë punësim dhe që qytetarët e Graçanicës të kenë perspektivën e tyre të jetës në Kosovë, në këtë komunë dhe të jenë pjesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa. Kryetari i Graçanicës, Vladeta Kostiç,  tha se gjatë takimit me kryeministrin është biseduar në mënyrë shumë konstruktive dhe e ka informuar me të gjitha problemet me të cilat përballet qeverisja lokale në komunë. “Ne gjithashtu e njoftuam kryeministrin me planet tona. Këto janë disa projekte infrastrukturore të cilat janë të arritshme në afat të shkurtër kohor, në një periudhë afatmesme”, tha Kostiç. Kryetari i Graçanicës po ashtu tha se i kanë paraqitur problemet me të cilat ballafaqohet komuna, duke veçuar problemin me buxhetin e vogël. “Ne kemi dhënë disa sugjerime për zgjidhjen e këtyre problemeve tona urgjente. Ne shpresojmë se Ministria e Financave dhe qeveria e Kosovës dhe vetë kryeministri do të kenë mirëkuptim për problemet tona, dhe unë jam i kënaqur që kjo vizitë sipas vlerësimit tim ishte shumë e suksesshme”, tha Kostiç, kryetar i komunës së re kosovare të Graçanicës me shumicë serbe.Në Republikën e Kosovës me gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare, ndërsa 10 komuna janë me shumicë serbe,  5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.Një komunë, Mamusha në rajonin e Prizrenit, është e banuar me shumicë nga komuniteti pakicë turk.

Filed Under: Komente Tagged With: Kryeministri Mustafa, ne Gracanice

“Serbia nis kolonizimin e Kosovës”?

June 10, 2016 by dgreca

-Kosovë-qeveria: “Lugina e Diellit” në veri, i papranueshëm implikimi i Serbisë/

 -Një nga gazetat në Prishtinë sot në ballinë ka kryetitullin “Serbia nis kolonizimin e Kosovës”/

 PRISHTINË, 10 Qershor2016/Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Qeveria e Republikës së Kosovës i konsideron të papranueshme përpjekjet e qarqeve të caktuara, që në kundërshtim me aktet ligjore dhe procedurale, të iniciohet ndërtimi i projektit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës deklaroi sot se është informuar nga ministrat përkatës për këto veprime të kundërligjshme dhe ka ngarkuar Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor si dhe Ministrinë e Kthimit dhe të Komuniteteve, në bashkëpunim edhe me Komunën e Zveçanit, që të ndërmarrin masat e duhura për ndërprerjen e veprimeve të tilla dhe të përmbushen të gjitha kushtet ligjore.

 Qeveria e Kosovës, po ashtu, e konsideron të papranueshëm implikimin e qeverisë së Serbisë që duke nxitur komuna të caktuara të Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime të paligjshme dhe në dëm të relacioneve ndërmjet qytetarëve të Kosovës.

 Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet që të krijojë kushte normale për të gjithë qytetarët e saj si dhe kthimin e tyre në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Ky proces, thekson qeveria e Kosovës, do të jetë i mundshëm dhe i qëndrueshëm vetëm duke respektuar ligjet të cilat ofrojnë siguri dhe stabilitet afatgjatë për çdo qytetar dhe në linjë me proceset eurointegruese.Një nga gazetat në Prishtinë sot në ballinë ka kryetitullin “Serbia nis kolonizimin e Kosovës”.

“Qeveria e Serbisë ka nisur ndërtimin e një vendbanimi prej 300 shtëpive në veriun e Kosovës, për kthimin e 1500 serbëve nga Serbia. Ky projekt gjigant që quhet “Suncana Dolina” i ngjan kolonizimit dhe është investimi më i madhi i Serbisë në periudhën e pasluftës në Kosovë. Kryeministri Mustafa dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, këtë projekt e cilësojnë të paligjshëm”, thekson Zëri.

Filed Under: Komente Tagged With: “Serbia nis kolonizimin, e kosoves, Kodra e Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT