• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

Rrugëtimi artistik i regjisorit dhe aktorit Llesh Nikolla

July 6, 2016 by dgreca

Personazh/Flet regjisori dhe aktori Llesh Nikolla: Në juri për arte ishin Pirro Mani, Esat Oktrova, Viktor Zhusti, Timo Flloko, Dhimitër Anagnosti/

-Nuk mund të harroj kurrë pedagogët e mi Vera Zheji dhe Viktor Zhusti/

-TVSH është një lokomotivë e fuqishme, por që ka ecur me marshin e parë/

-Nga 10 rolet në film veçoj “Dhimbja e dashurisë”, një telenovelë e TVSH me regji të Ylli Pepos/

– Në TVSH nuk duhet të ketë vend për sekserë dhe matrapazë/

– Platforma e re e z. Gëllçi duhet ta lëvizë me marshin e kohës këtë lokomotivë/

Nga Albert Z. ZHOLI/

Punëtor dhe i heshtur. Ecën në rrugët e Tiranës gjithmonë me këmbë duke tymosur, a thua se tymi i cigares i nxit më shumë mendimin në krijimtari. Askush që e shikon në këmbë ecjen e tij s’e merr me mend ky njeri ka mbi vete, 10 role në kinematografi, 10 në teatër, regjisor dhe moderator i 130 Festivaleve Kombëtare të zhanrit popullor, 1500 orë transmetime spektaklesh dhe emisionesh në TVSH, autor i 50 dokumentarëve dhe më tej… Zëri i tij i metaltë, kumbues, i qartë, përbën një ndër vlerat artistike që ka tërhequr vëmendjen e regjisorëve dhe drejtuesve të spektakleve ndaj, Lleshi nuk ka kohë për të qenë i lirë. Shtëpi të parë ka zyrën në TVSH, ku e gjen deri në mesnatë, ndërsa orë pushimi ka vetëm 6 orëshin e gjumit, në një shtëpi me qira në periferi të Tiranës. Serioz, korrekt, këmbëngulës, vizionar në 10 vjet punë në TVSH, atij i dhemb ky gjigand i gazetarisë fonike dhe vizive shqiptare që ka shërbyer si “metalurgji” për gjithë televizionet dhe radiot e reja shqiptare post-komuniste, ndaj në këtë intervistë jep mendimet e tij për moderimin e tij…

Rrugëtimi artistik/

-Aktor, regjisor, recitues. Regjisor i Teatrit Peshkopi me 8 premiera si regjisor dhe aktor në këtë teatër,1979. Regjisor i Qendrës Kombëtare artistike Tiranë, regjisor i TKOB. Regjisor i Departamentit të Spektakleve në TVSH 2006-2016. Regjisor i disa aktiviteteve masive:

-10 premiera si regjisor i Ansamblit të Shtetit

-Regjisor i 130 festivaleve mbarëkombëtare, shumica e zhanrit popullor, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Preshevë. Regjisor i 30 spektakleve të ndryshme në Tiranë, Shkodër, Durrës, Prishtinë. Në 10 vjet regjisor në TVSH ka drejtuar 1500 orë transmetim direkt apo të filmuar në emisione në studio, transmetime aktivitetesh masive, dokumentar, telereportazhe. Ndër telereportazhe dhe filmat dokumentarë mund të përmenden “Telereportazh në Beograd” dhe dokuemtarët “Besim Zekthi” dhe “Anton Çeta”. 10 role në filma dhe 10 role në teatër. Ndër rolet kryesorë mund të përmendim ato në filmat “Guri i besës” “Besa e kuqe”, “Letra fatale”. , “Dhimbja e dashurisë” serial televiziv. Por ai nuk mund të rrinte pa hyrë dhe në labirintet e klipeve ku ai ka ideuar si regjisor 10 të tilla.

Ju vinit në konkurim për në Akademinë e Arteve pas një sërë aktivitetesh masive në Mirditë, pra si aktor, drejtues aktivitetesh masive, edhe pse ishit i ri. Kush ishte në juri, kur ju konkurruat dhe çfarë interpretuat? Po emocionet?

Janë vite të tëra larg që më vijë të freskëta. Unë vija dhe kisha një eksperienca por kur mendoja se kush do ishte në Juri emocionet të kapnin vetiu. Juria përbëhej nga Pirro Mani, Esat Oktrova, Viktor Zhusti, Timo Flloko, Dhimitër Anagnosti, etj. Emra të mëdhenj, përgjegjësi e madhe. Unë i shihja në filma këta njerëz dhe më dukeshin tjetër brum, të mëdhenj në heshtjen e punës së madhe. Ishin disa pjesë që unë interpretova, si poezi, tregimi humoristik, tregimi poetik, monolog. Kisha disa pjesë të ndryshme nga autorë kosovarë dhe vendas. Të gjitha këto pjesë kishin ngarkesat e tyre emocionale si pjesë plus dhe faktin se ishe përballë një Jurie tepër profesional dhe serioze që nuk bënte kompromis. Unë pas pak hezitimi në sekondat e para, hyra në magjinë e pjesëve duke u bërë një me të. Sigurisht fitova dhe isha ndër më të mirët. Gjatë shkollës kam luajtur disa role që nuk kanë lënë gjurmë në karrierën time por dua të theksoj se vija nga trupat amatore me një bagazh të madh ku në shumë aktivitete në Mirditë kam luajtur role kryesore nga Etydi e me radhë. Shkolla nuk të jep talentin, por të jep rrugët. Shkolla është atmosferë. Të jep kulturën e përgjithshme dhe të jep bazat se ku duhet të ecësh në shinat e regjisë apo të aktorit.

Si do ta cilësonit shkollën shqiptare të aktrimit në regjimin komunist?

Shkolla jonë ishte nga më të mirat në Ballkan, me kërkesa të mirëpërcaktuara profesionale dhe me objekt të orientuar ndaj mësimit për studentët. Kishte orar të përcaktuar, por edhe ambiente ku studentët mund të studionin apo të bënin prova deri në mesnatë për rolet apo mësimet e mara. Kishte një organizim të përsosur. ishte një shkollë që të kultivonte dashurinë për artin, për të njohur të panjohurat e mëdha të këtij arti që mbërthen botën e qytetëruar.

Si do t’i cilësonit pedagogët tuaj dhe cilët do të veçonit ndër ta?

Të gjithë pedagogët tanë ishin të lexuar, të ditur, plot surpriza. Ata dinin gjuhë të huaja dhe kishin studiuar jashtë. Por unë do përmendja pedagogun e fjalës artistike Viktor Zhustin dhe Vera Zhejin. Këta të dy për mua janë të papërsëritshëm. Në përgatitjen e recitimit të poezisë, Zhusti mbetet unik, largpamës, plot ide dhe me një komunikim mbresëlënës. Ai na jepte ato mënyra komunikimi se si duhej të mbërrinte në mënyrë të arrirë poezia tek spektatori. Nuk e di pse nuk vazhdon ende të jap mësim por vazhdon ende më shumë në teatër. Nga ana tjetër Vera Zheji më ka ndihmuar shumë, pasi unë kisha një vokal të ngrohtë që ajo e vlerësonte. Vera punonte mbi baza shumë profesionale sepse dinte të kapte të veçantat e çdo zëri. N. q. s do shikosh regjistrimet e mia të poezive në vitin 1981, do shikosh se nuk kam ndonjë ndryshim të madh, pra nuk do shikosh transformim drastik. Kultivimi i zërit si recitues, interpretues i poezisë ka dhe ndihmën e kësaj pedagogeje. i jam mirënjohës.

Koha ecën, ka zhvillime, transformime, tekste të reja, pedagog të rinj. Po sot shkolla e aktrimit a ka të njëjtin nivel?

Nuk e kam ndjekur, por besoj se nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Por ajo që dua të them shikoj se sot ka një superprodhim të regjisorëve dhe aktorëve kur tregu ynë është shumë i ngushtë. Pra po krijohen “viktima” në thonjëza, pasi dihet tregu ynë sa mban. Ekuilibrat e prodhimit janë të domosdoshëm në një shoqëri me treg të hapur, pasi prishen balancat në kurriz të cilësisë.

Cili është roli i parë juaj në kinematografi dhe kush ju ofroj rolin?

Kur isha student kam lozur rolin e parë tek “Besa e kuqe” por nuk ishte ndonjë rol mbresëlënës. Një roli vogël pa ndonjë ngarkesë të madhe. Nga rolet e mi unë do veçoja rolin tek filmi “Dhimbja e dashurisë” një telenovelë e TVSH me regji të Ylli Pepos. ishte një rol që befasoi dhe mua dhe kolegët pasi ishte ndryshe nga natyra ime. Por Pepo guxoi dhe më dha një plan tjetër që unë e kalova me sukses. Ky rol ka qenë dhe mbetet shtrati i roleve të mia kinematografike.

Ke ndonjë peng për ndonjë rol të veçantë?

Jo! Shumë herë pas viteve 1990 regjisorët, përzgjedhjen e roleve ja kanë lënë sipërfaqes se sa brendësisë. Aktori shpesh herë merret pa kinoprovë të rregullt dhe me baza njohjeje. Kjo mënyrë oferte është e dëmshme për të dyja palët.

Po në teatër, cilat ishin rolet që ndani ende emocione të veçanta?

Në teatër kam lozur deri në vitin 1992 në teatrin e Peshkopisë ku kam qenë regjisor dhe aktor. Kam disa role aty, por në ato kohë shumë gjëra dhe nuk filmoheshin. Unë në ato role veçoj rolet tek dramat “Shënomëni dhe mua’, “Pas martesës”, “Zjarrvënësit” “Jo të gjithë hajdutët vijnë për të vjedhur”. Por pas vitit 1992 unë u mora vetëm me spektaklet, pasi e tillë erdhi situata. Megjithatë, e ndjej se për teatër kam ende fuqi, kam emocion të brendshëm. Kam të gjithë pontecialin emocional për ta ndërtuar një rol më së miri.

Si do ta cilësonit ndryshimin mes teatrit dhe filmit?

Tetari është arti i elitës. Jo se dhe filmi nuk është i tillë, por teatri, është live, me imazh të cunguar për me forcë emocionalë të drejtpërdrejtë. Sot teatri ka marrë një formë tjetër, nga ana regjisoriale, rolet aktoreske, dhe përcjellja në skenë. Fuqia e teatrit është e madhe pasi nxjerr në të vërtetët fuqinë e interpretimit të aktorit. Ndërsa filmi ka më shumë imazh. Teatri emocionet i ka të fuqishme, të drejtpërdrejta, që do një përqendrim, intuitë, mobilizim maksimum. Teatri nuk lejon përmirësim.

Keni 10 vjet punë si regjisor spektaklesh dhe emisionesh në TVSH. Si do t’ia përcillnit lexuesit këtë përvojë?

Unë erdha në TVSH me plot dëshirë. TVSH ka regjinë skenike, atë televizive, ka dramën brenda. Çdo emision ka të veçantat e veta ndaj është dhe drama brenda. Çdo realizim skenik apo emision ka pikën e zgjidhjes, që t’i duhet ta realizosh me profesionalizëm. Këtu duket aftësia e regjisorit. Si në dokumentar, telereportazh, në spektakle, gjatë montazhit duhet te gjendet kjo pikë për të përcjellë qartë mesazhin. Unë erdha me këtë synim në TVSH që të gjitha gjinitë e artit viziv t’i realizoja me këtë frymë, me këto ide. Gjatë këtyre 10 viteve unë kam jetën më të mirë artistike. Diku e cekëm se në TVSH unë kam 1500 orë transmetimi, nga këto rreth 40% janë direkt nga sheshet, studio apo ambiente të ndryshme. Kam rreth 50 filma dokumentarë apo reportazhe. Dokumentari sot është vepër artistike.

Nga dokumentarët kë mund të veçosh për tematikën dhe vlerësimin nga kritika?

Janë disa që disa herë nuk më bëhet t’i veçoj, por sipas kritikës më të arrirë janë dokumentarët për “Besim Zekthi” dhe “Anton Çeta”, “Shkurte Fejza” etj.

Ju në filmat që keni realizuar jeni dhe skenarist?

Në përgjithësi të gjithë regjisorët janë dhe skenarist. Rrallë ndodh e ndarë. Është e vështirë bashkëpunimi skenarist-regjisor pasi regjisori e ka Brenda tij veprën, idenë e realizmit, imazhin, mendimin, zhvillimin e situatave, figurën e personazhit, personazheve. Në këtë këndvështrim disa herë nuk mund të bashkohet qartazi koncepti i regjisorit me atë të skenaristit. Pra për mendimin tim, ose duhet të jesh bashkë skenarist, ose duhet ta realizosh vetë dhe këtë pjesë. Fjala është e vdekur pa imazhin, pa gjetje në dokumentar.

Spektaklet janë pjesë e pandarë e jetës suaj artistike. Përse keni këmbëngulur më shumë në këtë gjini arti?

Pas teatrit unë e isha idenë e realizmit të spektakleve. Doja të përkushtohesha me të. Spektakli është një mrekulli pasi aty përmblidhen gjithë zhanret aty është vallja, kostumet, veshjet e veçanta me zbukurime, koncerti fonik, veglat e shumta muzikore, janë kabatë, vallet e kënduara, muzika popullore, thesaret e popujve në shekuj, recitimet, Deri në moshën 30 vjeç nuk kisha dëgjuar shumë për muzikën dhe këngën e trashëguar popullore, për folklorin tonë të shenjtë që janë thesare të paimagjinueshme. Këtu u njoha me folkun e madh shqiptar duke filluar nga Presheva deri në Konispol. Gjeta dhe pashë nga afër shumë treva, këngëtarë, valle, në spektakle me mbi 1000 pjesëmarrës. Kur e mendoj se janë 130 spektakle me një pjesëmarrje të tillë nuk më besohet. Por do të veçoj dhe regjinë televizive që kam bërë në TVSH në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 2009. Vlerat e këtyre spektraleve janë të magjishëm, plot frymë dhe ndjenjë patriotike. Këto janë prurje nga thesaret popullore. Folklori nuk ka autorësi, autori është populli. Folklori ka lindur pa autor. Folklori është i virgjër ndaj dhe pëlqehet. Kur e merr dhe vë dorë specialisti ahere ai humbet virgjërinë por merr përmasa të tjera.

Tek këngët folklorike mbizotëron tematika patriotike?

Për shumë vite kanë mbizotëruar këngët patriotike, që lidhen me problemet e trojeve tona. Kjo lidhej kryesisht me Kosovën e cila për shekuj ka qenë nën shtypjen serbe. Por tashmë tani këto këngë kur shumë problem janë sheshuar, këngët më të kërkuara janë ato lirike. Folklori dramatik përcjell këngët patriotike që mbizotërojnë në Labëri dhe Malësi.

Kaq vite në TVSH. Thuhet është zbehur ky gjigand, thuhet ka rënë audienca. Sot një drejtori i ri që diskutohet si i aftë dhe vizionar. Kush është për ju TVSH dhe çfarë duhet të ndryshojë këtu, në shtëpinë tuaj të parë?

Për 10 vjet unë TVSH e kam shtëpi, e kam studio, e kam familje. TVSH është një lokomotivë gjigante që deri tani ka ecur me marshin e parë. Ka vite që nuk e merr ecjen e duhur për shumë arsye. Në TVSH për këtë gjendje ka fajtorë pa faj. Sot çdo gjë matet me shikueshmërinë. Ne sot kemi televizione private që janë ndër më të mirat në Europën Juglindore të cilat e kanë lënë në hije TVSH. Kush është arsyeja? Profesionalizmi, programi?! Dhe për çudi, të gjithë që drejtojnë emisionet televizionet private shumë kanë dalë nga kjo shkollë e TVSH. Por nga ana tjetër e them me bindje se TVSH është në kohë që ta ndërrojë këtë marsh. Të ecë me marshin e dytë ose të tretë. Mundësitë janë të gjitha. Ju siguroj se, nëse ekipi i ri që ka ardhur do zbatojë Platformën që ka paraqitur Drejtori i ri z. Thoma Gëllçi, atëherë lëvizja është ë e pritshme. Duhet që kjo platformë duhet të konkretizohet me strukturën organizative e cila sapo është miratuar, e cila është profesionale, funksionale (eliminon burokracitë e panevojshme) por duhet shoqëruar me idealizëm. Ky idealizëm duhet shoqëruar me strukturë programore të mirë përcaktuar ku të mos ketë vend spontanitetit. Aty ku ka vend spontanitetit fillon dhe amatorizmi, ose fillon “biseda dyshe me tre vetë”. Reforma e re me strukturë organizative dhe programore të qartë do të thotë një vizion i ri, një përthithje e vlerave që ka TVSH. Këtu ka intelektualë që kanë punuar gjithë jetën dhe që kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme që duan t’i vënë në shfrytëzim. Këtu ka mbingarkesë personeli që duhen përzgjedhur dhe shfrytëzuar në maksimum. Gjetja është shumë e thjeshtë. Ne kemi një masë, Ekranin. Sa jemi në transmetim?!. Ky është produkti! Nuk ka punë pa produkt. Nuk duhet të abuzohet më në TVSH. Marrëdhëniet me të tretë duhen parë se sa e ndihmojnë TVSH. N. q. s mbarojnë rezervat tona vetëm ahere duhet të shikojmë marrëdhëniet me të tretët. Në TVSH nuk duhet të kenë vend matrapazët dhe sekserët artistik, por jo vetëm. . Unë kam besim se, RTSH me drejtorin e ri i cili di të hesht, di të dëgjojë që punon shumë, ka aftësi të marrë vendime në kohën dhe momentin e duhur, një gazetar dhe me eksperiencë i gazetarisë shqiptare dhe nëse do të shoqërohet me mençuri për përzgjedhjen e stafit drejtues, shumë shpejt do t’i jap TVSH vendin e merituar në mediat shqiptare.

Filed Under: Interviste Tagged With: dhe aktorit, Llesh Nikolla, Rrugëtimi artistik i regjisorit

TRUPI pa ORGANE

July 6, 2016 by dgreca

Nga Mr.Sc Blerta Haxhiaj/

Njerëzit pyesin se çfarë është trupi pa organe?Mirëpo akoma pa u përgjigjur jemi të përfshirë në këtë trup pa organe. Zhvillojmë gjithë aktivitetin tonë jetësor, një proces ku trupi ka mjaft organe dhe tashmë dëshiron ti flake ato tutje apo ti humbë ato. “Trupi i njeriut është në mënyrë të pamjaftueshme skandaloze, në vend që të kemi një gojë dhe anus për të gjithë proçesin pse mos të kemi një vrimë dhe për të ngrëne, edhe për të eliminuar.” (A THOUSAND PLATEAUS Capitalism and  Schizophrenia Gilles Deleuze Felix Guattari) Për të gjetur trupin pa organe duhet të gjejme si si duhet kompozuar ajo, kjo është një çeshtje jetë a vdekje, moshe, gjinie, gëzimi apo hidhërimi. Një trup pa organe është një i tille kur kemi hequr çdo gjë, ajo që mund të hiqet bëhet saktësisht me fantazinë dhe subjektifikimi i të tëres – psikoanaliza bën të kundërtën, ajo konverton çdo gjë në fantazi, ngushton në fantazi. “Një trup pa organe është tashmë pjesë e trupit prodhues, është i përfshirë në trup”. Çdo herë dëshira është e tradhëtuar, e mallkuar mirëpo gjithmonë pas saj qëndron një “prift” i cili shërben si një pararojë për mallkimin e dëshirës, dëshira është një litar që të ngërthen, prifti mban sakrificën e parë dhe të gjithë bien në tatëpjetë, figura më prezente te prifti është psikoanalisti me tri parimet Deshira; Vdekje; dhe Realiteti. Intensiteti i prodhuar nga çdo trup pa organe jep një vazhdueshmëri e intensitetit të vazhdueshëm,  Gregory Bateson përdorë  termin Plateu si një regjion i vazhdueshëm i intensitetit të konstituuar në ate mënyrë ku nuk lejohet të ndërpritet vetëvetja nga një ngacmues i jashtëm.

Një Plateu është një pjesë e imanencës, dhe çdo trup pa organe ëshë i përbërë nga Plateus, çdo plateu është vet një plateu në komunikim më plateus-ët tjerë  në një plan konsistence, një trup pa organe është një përbërës i një kalimi. “Gadualisht po afrohemi realizimit të asaj që trupi pa organe nuk është e kundërta e organeve. Organet nuk janë armiqët. Armiku është organizmi. Trupi pa organe ështe kundërshtare jo e organeve mirëpo e asaj që organizon organet e cila quhet organizem” ku le të analizojmë pak shqetësimet që na rrethojnë, organizmi – kuptimi dhe subjektifikimi – sipërfaqja e organizmit, kendi i kuptimi dhe interpretimi – Ti do të organizohesh, do të jesh një organizëm, do të artikulosh trupin tënd, shkurt do te jesh një i shtypur. Do të jesh nje interpretues dhe i interpretuar, nje deviacion. Nje ure kaluese. Do të jesh një subjekt, i gozhduar, një subjekt eunuk. Trupi pa organe rrëshqet mes sipërfaqes së ngurtësuar dhe planit të saj gjë që kjo e bën atë të lirë; “Trupi pa organe tregon vetëveten për atë që është: një bashkim dëshirash; bashkim i fluksit, vazhdueshmëria e intensitetit:” ku trup është dëshirë, është ajo çka dikush dëshiron dhe po ai të jetë i dëshiruar, dhe jo vetëm një imanence e dëshirës. Dëshira shkon dhe më larg – paraja; armët; policia; Shteti; bile dhe fashizmi është dëshirë. Atje ku ka konstitucion të trupit pa organe atje ka dhe dëshirë në relacion me tjetrin, kjo nuk është thjesht ideologji por një çështje reale, një fenomen i fizik, biologjik, psikik social apo kozmik.

Testi i dëshirës nuk është të denoncosh dëshirat e rreme por të dallosh me dëshirë atë të cilin i përket ndasisë dhe cila i përket konstruksionit të planit të imanencës. Plani i imanencës ( i brendshëm që mund të qenësojë ndryshe, por vetem brenda diçkafit ) nuk është aq i thjeshtë sepse ka gjëra që edhe mund të refuzohen si psh. zgjedhjet e trupit pa organe si një funksion makinës që e projekton atë.  Në përgjithësi konsiston se identiteti i efekteve, vazhdimesia, totaliteti i trupit pa organe nuk mund të nënshtrohet nga plani i imanencës vetëm në qoftë se nga një makinë ë aftë për të mbuluar apo krijuar e aftë për lidhshmëri mbrenda dëshirës, apo duke mbushur dëshirën duke absorbuar lidhjet e vazhdueshme. Ndryshe trupi pa organe – plani i tij do te jetë në dysh nga gjenitë, të margjinalizuarit ndërkohe qe planet tjera boshe do të triumfojnë. Trupi pa organe permban nje shumesi kombinimesh te flukseve te deshires.

Filed Under: ESSE Tagged With: Mr.Sc Blerta Haxhiaj, TRUPI pa ORGANE

Politikanët e Shqipërisë në delir për Brexit, parashikojnë BExit, SHBAexit!

July 6, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

(Grotesk)/

Politikanët e Shqipërisë londineze me maçkë e me kuçkë janë në eufori të plotë duke shijuar Brexit!I ka kapur aq shumë entusiazmi analizues sa kanë vendosur që me punimet e këtyre dy-tri ditëve botuar në shtypin e Tiranës të mbrojnë në Universitetin e metropolit Europianist nga një Ph.D. për të marrë titullin Brexit-ologë!

Janë gjetur po ashtu sponsorët për një seri botimesh dhe përkthimin e tyre në gjuhët angleze, franceze, gjermane, kineze dhe hindu.

Do të ketë edhe një çmim me emrin David Cameron për Brexit-ologun më të thekshëm shqiptar. Thuhet se do të vijë vetë Cameron në një Gala që do të jepet live në të gjithe televizionet kombëtare shqiptare përfshi BBC.

Maçkë e kuçkë e përdor si eufemizëm përkatërisht për opinionistët dhe portalët  që po shkruajnë e botojnë me një bollëk të paparë oped-e, opinione, editoriale, shkrime, analiza, komente, reagime, polemika, debate, dialogje, monologje duke shkaktuar zili deri në Oksford për mënyrën se si janë duke i qarë hallin dhe përshkruar tash e mbas vetminë e madhe të Anglisë.

Po e analizojnë situatën në nivel kombëtar, kontinental dhe global se çfarë pritet pas referendumit të 23 qershorit, që për koincidencë përkon me datën e zgjedhjeve në Shqipëri, tri vite më parë.

Politikanët e Shqipërisë londineze po shqetësohen tmerrësisht për fatin e botës anglo-saksone, kur ata imagjinojnë shkëputjen e Skocisë nga Britania e Madhe, ditë e ëndërruar që nga koha e Sir Walter Scott e deri tek Sir Sean Connery, kryespiuni 007, më i famshëm i Mbretëreshës.

Pas shkëputjes së Skocisë i vjen rradha Irlandës së Veriut që t’i bashkangjitet Republikës së Irlandës.

Politikanët e Shqipërisë londineze po u qajnë hallin bursave, miliardave që shkrumbohen, uljes të vlerës së Pound-it, ndërsa nga ana tjetër e shohin legjitime që të qeshin nën hundë me të gjithë ish-Ambasadorët e Britanisë së Madhe në Tiranë që u jepnin leksione me qëllim integrimin e Shqipërisë në BE!

Dezintegrimin e ishullit, politikanët e Shqipërisë londineze, e shohin si hapin e parë të një efekti domino apo reaksion zinxhir, quajeni si të doni, a nuk doli Marine Le Pen menjëherë me thirrjen për Frexit, që pritet të shkojë deri tek dezintegrimi i BE-së. Nga BE të bëhet BExit!

Në këtë pikë politikanët shqiptarë me maçkë e kuçkë nuk përmbahen, nuk pyesin fare për sjelljen diplomatike dhe tallen për fushë!  Sidomos me zyrtarët e BE-së dhe veçanërisht e kanë pikën e tyre të dobët Ambasadoren Vlahutin e cila do të mbetet pa punë kur të dezintegrohet BE-ja!

Kur të mbetet pa punë, parashikojnë  politikanët shqiptarë,  Ambasadorja Vlahutin do të bëhet ish-Ambasadorja Vlahutin dhe më në fund do ta mbyllë gojën e nuk do t’i lodhë me reformën në drejtësi. E çfarë i duhet Shqipërisë reforma për drejtësi tani kur të gjithë po dalin exit!

Por, politikanët shqiptarë nuk ngopen as me Brexit dhe as me BExit, pas dezintegrimit të BE-së syrin e parashikimeve e kanë përtej oqeanit, aty e kanë pikën e qejfit,  sepse sipas tyre kur arrin të dezintegrohet ish-Mbretëresha e Deteve e përse të mos dezintegrohen sidomos SHBA-të, një ish-koloni e Brexit!

Dhe pastaj ajo puna e reformës në drejtësi is over. Mbyllet përfundimisht.

Nga dezintegrimi i SHBA do të krijohen 50 shtete, që do të kenë 50 DASH e në Shqipëri do të hapen 50 ambasada; nga çdo shtet i ish-SHBA do të dalë një president që do të emërojë në Shqipëri seicili nga një ambasador!

Ndërsa ky aktuali s’do të ketë çfarë të bëjë, aq më tepër që e ka tepruar shumë duke ndërhyrë deri në punët e brendëshme e shkelur sovranitetin!

Dezintegrimit dhe shkërmoqjes i shpëton vetëm Sali Berisha me të tijtë, Edi Rama me të tijtë, Ilir Meta me të tijtë, plus maçkat dhe kuçkat, sidomos ky Fatmir Mediu, me të gjithë të emëruarit në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, me gjithë presidentin, kryeprokurorin e shefin e SHIK-ut.

23 qershori 2016 do të do të hyjë në historinë botërore si data e startExit, ndërsa për klasën politike shqiptare kjo datë përkon me triumfin në rrang global të sistemit të tyre model dhe sfidues ndaj BE, SHBA, NATO, CIA, FBI, Interpol, ku të gjithë rrezikojnë të dezintegrohen përveç sistemit të Shqipërisë londineze që shkëlqen si fener ndriçues i mafies demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, politikanet shqiptare, SHBA exit

Presidenti Nishani, darkë për Fiter Bajramin në Pallatin e Brigadave

July 5, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani feston Fiter Bajramin: Të na i pakësojë ky Bajram keqkuptimet, grindjet, sherret, dhe të na i shpeshtojë mirëkuptimet, bashkimet!/

 

 

 

 

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani kremtuan në Pallatin e Brigadave Fiter Bajramin me një darkë festive ku ishin të pranishëm Kreu i Kuvendit Ilir Meta, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Skënder Bruçaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas, Nunci Apostolik Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues të lartë të besimeve fetare në Shqipëri, drejtues institucionesh të pavarura kushtetuese, deputetë, klerikë si dhe shumë besimtarë myslimanë.

Në përshëndetjen e Tij, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh: “Është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që festës Suaj, lumturimit Tuaj, devocionit Tuaj, në këtë ditë të shënuar, t’i bashkoj përunjësisht urimin tim: Për shumë vjet gëzuar Bajramin e shenjtë, këtë festë madhështore të myslimanëve të botës, këtë mundësi të mrekullueshme që na afron me njëri-tjetrin dhe me Zotin, që na pakëson vuajtjet dhe dëshpërimet, dhimbjet e plagëve na i bën të durueshme.

 

 

 

 

 

 

Të dashur besimtarë myslimanë! Të bëjmë çmos të na e shtojë ky Bajram ndjeshmërinë ndaj fukarenjve dhe të dëshpëruarve, për t’i bërë ata më pak të varur ekonomikisht dhe më të sigurt e më të fortë shpirtërisht.

Të na i pakësojë ky Bajram keqkuptimet, grindjet, sherret, dhe të na i shpeshtojë mirëkuptimet, bashkimet.

Paçi vetëm gëzime në jetët Tuaja, Familjet Tuaja, punët Tuaja!

Kurrë mos u ndaltë adhurimi Juaj për Zotin, bashkë me të mirat e gjithfarshme dhe obligimet e domosdoshme që rrjedhin nga ky adhurim!

Kurrë mos u shterrtë mes Jush dashuria, mirësia, mëshira, urtësia, për veten, për njëri-tjetrin, për komunitetin, për Kombin, dhe më gjerë për njerëzimin që aq shumë etje ka për Besim, aq shumë uri ka për paqe, aq nevojë të ngutshme ka për begatim të tanishëm dhe shpresë për të ardhmen.

E bekuar qoftë dëshira Juaj për më tepër prehje shpirtërore dhe shoqërore me të gjithë, pavarësisht nga Besimi apo të tjera dallime.

Të vazhdojë të forcohet bindja Juaj se po aq e madhe sa është Mëshira e Zotit është edhe falënderimi ynë,  edhe vetëdija jonë për përunjësi të pafundme ndaj Tij në çdo aspekt, në çdo rast dhe në çdo çast.

Kurrë mos u pakësoftë frika ndaj mëkatit. Po të lutemi me gjithë shpirt, Zoti që na i ka dhënë të gjitha liritë dhe na ka lënë të zgjedhim, mëkatet na i fal. Por gjatë rrugës së mundimshme drejt përsosjes duhet të kemi mirë parasysh sa pa besimin tek Zoti, rrëshqitja në mëkat është fare e kollajtë.

Kurrë mos u pakësoftë por vetëm u shtoftë bindja e brendshme e solidaritetit reciprok human të atyre që kanë ndaj atyre që s’kanë, të atyre që u tepron ndaj atyre që u mungon, të atyre që Fati i ndihmon ndaj atyre që Fati i harron.

Ta gëzojmë si e meriton këtë ditë të lumnueshme si mundësi e rrallë për të reflektuar hollësisht dhe thellësisht për principe themelore, ato principe të cilat, të rrëmbyer nga telashet e përditshmërisë, ndodh që edhe i nënvlerësojmë, pse jo dhe i harrojmë, si për shembull për çfarë është e shenjtë e çfarë është banale, çfarë paraqitet si e dobishme por është e dëmshme, çfarë duket e drejtë por është e shtrembër, çfarë duket e mbarë por është e mbrapshtë, çfarë shfaqet si e arsyeshme por është e gabuar, çfarë duket e këshillueshme por është kurth. Të reflektojmë në këtë ditë për arsyet e vështirësive të komunikimit ndërnjerëzor kryesisht ndërpersonal, kollajllëkun e sherrit, mungesën e urtësisë, dhe të mundohemi t’i ndreqim duke pasur parasysh se të dish të pendohesh është më e vështirë, por më e dobishme se të vazhdosh të gabosh, të japësh është e vështirë, por e shenjtë, të marrësh pa e merituar është e kollajtë, por kriminale, të fitosh është më e vështirë se të humbësh, por është e lavdishme, të pajtohesh është më e vështirë se të dhunosh, por është e shenjtë.

Ditët e udhëtimit sakrifikues drejt Zotit, ditët e Ramazanit të finalizuara me ditën e Bajramit, na dhanë mësimin madhështor se po aq i madh sa është tundimi i mëkatit është edhe kujdesi i Zotit për të na mbajtur gjithmonë sa më larg atij tundimi. Ky kujdes i pandalshëm është arsyeja që sakrifica e ditëve të kaluara nuk ishte i fundit Ramazan, dhe ky sotmi nuk është i fundit Bajram, por çfarë po përjetojmë është vetëm një fragment i rrugës së pafundme të përsosjes së mendjes dhe të shpirtit në zbatim të përpiktë të vullnetit të Zotit, pra pa barrën e zakonshme të materialitetit.

Sa më lart, dhe të tjera, janë të një rëndësie të pallogaritshme. Sidomos sot kur qytetërimi dhe vlerat korresponduese janë më tepër se kurrë të rrezikuara, kur njerëz të të njëjtit Besim, që falen e luten njësoj në emër të të njëjtit Zot, zbatojnë të njëjtat rite si ky Bajram, shkaktojnë barbarizma të pashembullta, kasaphana të përgjakshme duke vrarë njerëz të pafajshëm edhe brenda të njëjtit besim e duke u kallin tmerrin gjithë të tjerëve.

Njeriu që sakrifikon për përsosjen shpirtërore, është i pamposhtur. Energjia e njeriut të pamposhtur vjen pikë së pari nga realizimi dhe respektimi i barazpeshës mes të drejtave dhe detyrave, në mënyrë të atillë që ajo barazpeshë të jetë funksionuese dhe produktive. Nëse barazpesha në fjalë çrregullohet, sidomos kur me të drejtat teprohet, vijnë të gjitha rreziqet që shkaktojnë të gjitha të këqijat. Të mos kujdesesh për ekuilibrin mes të drejtave dhe detyrave, do të thotë të keqes t’i hapësh portën. Të keqes porta nuk i duhet haopur. Të keqes porta i mbyllet. T’ia mbyllësh portën së keqes dhe t’ia hapësh të mirës, për së pari e për së fundi, do të thotë ta kesh mendjen të kthjellët dhe shpirtin të pastër, me fjalë tjera, t’i bindesh vullnetit të Zotit, të zbatosh me përpikëri porositë e Tij. Jo nga frika, por me gjithë shpirt. Pas kësaj, vetëm pas plotësimit të këtij kushti, vijnë të gjitha të mirat.

Ju, besimtarë myslimanë, klerikë të nderuar këtë e keni bërë, po e bëni, dhe do ta bëni.

Kjo është arsyeja që Besimi Juaj, përkushtimi Juaj, sakrifica Juaj, meritojnë të gjitha lëvdatat.

Kjo është arsyeja që unë, Presidenti i Republikës, besues i palëkundur i një bote me sa më pak dhunë dhe sa më tepër Liri, sa më tepër Besim dhe sa më pak zhgënjim, duke ju kujtuar edhe një herë se nuk ka gjë më aftë se të tilla festa për ta larguar urrejtjen dhe afruar dashurinë, pakësuar veset dhe shtuar virtytet, harruar mëritë dhe sjellë pajtimet, si President, personalisht dhe institucionalisht, me gjithë shpirt ju falënderoj e ju uroj: Gëzuar Bajramin!” – theksoi në fjalën e Tij Presidenti Nishani.

Në këtë darkë festive, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi dhe nderoi figura dhe personalitete të shquara të bashkësisë myslimane si dhe të bektashinjve.

Presidenti Nishani dekoroi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”: Hafiz Shaban Saliajn (pas vdekjes) “Për kontributin e tij të padiskutueshëm e të vyer në rikthimin e lirisë së besimit fetar dhe ripërtëritjen e praktimit të tij,, duke shërbyer si Myftar i Tiranës dhe njëkohësisht si mësues në Medresenë e Tiranës”; zotin Xhemal Balla  “Për kontributin e tij të shquar arsimor e kulturor dhënë nëpërmjet botimeve të shumta dhe veprimtarisë së vyer si mësues e drejtor i Medresesë së Tiranës” dhe zonjën Rukije Skifteri “Në shenjë vlerësimi të figurës saj të papërsëritshme në mbajtjen gjallë të besimit në zot tek njerëzit duke shërbyer me përkushtim për më se 70 vjet në Teqenë e Dervish Hatixhesë, si një nënë me zemër të madhe, e cila me guxim dhe përvuajtje u vetësakrifikua, duke ia dalë mbanë ta shndërronte atë vend të shenjtë besimi në një pikë të rëndësishme pelegrinazhi shpirtëror”.

Me Dekoratën “Nderi i Kombit” u vlerësuan: Hafiz Xhemal Mullai (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi të figurës së tij të shquar atdhetare dhe kontributit të vyer si kryetar i Shoqatës ‘Bashkimi’ në Stamboll, si deputet dhe nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Komitetit të Drejtësisë në Parlamentin Shqiptar”; Abaz Hilmi Dede Elezi (pas vdekjes) “Në vlerësim të figurës së prijësit të shquar shpirtëror të brezave bektashianë, deri në fund të jetës së tij, mbrojtësit të kodeve zakonore dhe traditave më të vyera të besimit të Haxhi Bektash Veliut.” dhe Dervish Iljaz Qafoku (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi dhe nderimi ndaj klerikut të përkushtuar, i cili gjatë gjithë jetës së tij u shqua për atdhetarizëm e kontribut të dhënë për arsimin kombëtar, figurë që i dha krahë dhe lartësoi pelegrinazhin e shenjtë në Malin e Tomorrit”.

Ndërsa me Titullin “Naim Frashëri” u dekorua: Haxhi Zyber Halluli (pas vdekjes) “Në vlerësim të kontributit të çmuar si themelues i strehës së parë vorfnore në vendin tonë dhe të rolit të tij të spikatur si kryetar i parë i Bashkisë së Tiranës, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”.

Presidenti Nishani nderoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Haxhi Vehbi Dibrën (Agollin) (pas vdekjes) “Për kontributin e shquar e të vyer në lëvizjen kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, si firmëtar i Pavarësisë, Kryetar i parë i Parlamentit të Shqipërisë, si Kryetar i Kongresit të Dibrës dhe Kryetar i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”.

Filed Under: Kronike Tagged With: darke, në Pallatin e Brigadave, për Fiter Bajramin, presidenti Nishani

Petro Zheji, shenjtori, mentori, i persekutuari i gjithë elitës shqiptare këtë çerekshekulli dhe dy fjalë për Artur Zhejin

July 5, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Në shtypin shqiptar është ribotuar një biografi jo vetëm e Artur Zhejit, por e gjithë familjes së tij, me nënë e babë, me listë familje nga Kastriot Myftaraj. Për hir të së vërtetës, do të shpreh mendimin tim.

Nuk kisha menduar kurrë se mund të fliste dikush pa superlativa për Petro Zhejin.

Nuk kisha menduar se mund të dilte dikush e mund të hidhte pluhur në figurën e tij poliedrike të një gjeniut-patriot dhe altruistit të përmasave të Petro Zhejit.

Nuk di në botën shqiptare një altruist të tillë përveç Nënë Terezën.

E adhuronin të gjithë, miq e armiq, intelektualë, akademikë, profesorë, ziliqarë, spiunë.

Petro Zheji mund të ishte Kryetari i Akademisë të Shkencave;

Petro Zheji mund të ishte Ministër i Kulturës,

Petro Zheji mund të ishte Ambasador i Shqipërisë në SHBA, Francë, Itali, Gjermani.

Nëse në Shqipëri do të ishte rrëzuar me të vërtetë nga themelet ngrehina e diktaturës.

Petro Zheji është figura më e ndritur e një shqiptari.

I fundmi shqiptar me të gjitha ato vyrtyte, superinteligjencë, mirësi, kulturë, sakrifica, që përbën farën shqiptare.

E gjithë elita e sotme politike në Shqipëri ka dalë prej hundës së Petro Zhejit.

Të gjithë nxënës të përulur të tij, ai në përmasat e Shenjtorit në një apartament të mjerë, ku gjithë rinia elitare shqiptare shkonte dhe i falej.

Sepse ai i mësonte se si të mbeteshin njerëz!

Sepse Petro Zheji rrezatonte dituri, rrezatonte kulturë, rrezatonte shqiptari, rrezatonte antikomunizëm, rrezatonte antikonformizëm, rrezatonte mirësinë e Zotit.

Im atë, i persekutuar nga diktatura e njihte Petro Zhejin kur punonin bashkë në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri, Petro Zheji ishte përkthyes, ndërsa im atë redaktor.

Im Atë e adhuronte Petro Zhejin, Im Zot Fan Noli i dukej nxënës përpara gjenisë së Petro Zhejit.

Edhe nëse Im Zot Fan Noli do të ishte gjallë ashtu do të ndihej përpara gjigandit të gjuhës shqipe.

Kur nuk më doli e drejta e Universitetit, im atë i shkoi Petro Zhejit në shtëpi dhe iu lut nëse do të ishte e mundur të më jepte mua, bijës së tij të vetme, leksione të frëngjishtes.

Petro Zheji pranoi menjëherë. Shtëpia e tij dhe jona ishin në dy cepe të kundërta të Tiranës. Ai nuk mungoi asnjëherë. Ai nuk mori asnjëherë asnjë lek.

Dita e javës kur na vinte në shtëpi për ne ishte festë e madhe.

Ishte simboli i së mirës dhe ndershmërisë. Tek ne fliste pa doreza, talleshim dhe qeshnim me kukullat e regjimit dhe të pseudoelitës.

Ishte besimtar i madh dhe nuk ka shkelur kurrë dikë në besë. Ka ndihmuar kë ka mundur, cilido që i ka kërkuar ndihmë pa i kërkuar kurrë shpërblim, pa i marrë kurrë shpërblim.

Regjimi komunist me superstrukturën e ka urryer sepse përpara tij ishin liliputë, ndërsa ai gjigandi i mirë.

Familja e Petro Zhejit mund të konsiderohet me gojën plot një nga Familjet e Mëdha të Shqipërisë. Që nga Spiro, i jati, të gjithë të ditur, të shkolluar, të pasur dhe sidomos patriotë, çka binte ndesh me logjikën e diktaturës së proletariatit dhe të çakejve të sodit.

Në fushën e përkthimit, njohjes të gjuhëve, erudicionit, kulturës, poligloti Petro Zheji është unik për kohën që jetoi, për shekullin XX-XXI.

Unë nuk gjej sot një kokë shqiptare që ta krahasoj me të.

Ishte punëtor i madh. I mblidhte të gjitha fjalorët e dialekteve të shqipes për të qëmtuar një perlë të gjuhës shqipe;

Është i pari që e ka mbrojtur tezën se gjuha shqipe është nëna e të gjitha gjuhëve, nga ky plan i kalon të gjithë shkencëtarët dhe linguistët shqiptarë prej Eqrem Çabejit e këtej.

Në lidhje me ndryshimin e mbiemrave. Në diktaturë të ndërroje emrin e familjes ishte mënyrë për t’i shpëtuar ferrit të persekutimit, për t’i shpëtuar rrezes së shikimit të diktaturës kriminale.

Marr një shembull brenda gjakut tim, dy dajat e nënës time nga Starova e bënë mbiemrin Darova.

Por Petro Zheji është njohur vetëm me këtë emër. Sikur e gjithë familja e tij. Nga familja e Petro Zhejit kanë dalë intelektualë të elitës, Gjergj Zheji, Vera Zheji e me radhë.

Nuk kam dëgjuar asnjë shqiptar që t’i akuzojë këta emra apo t’i marrë nëpër gojë ! Kanë mbetur të respektuar nga fillimi në fund, me jetë të pastër nga nisja në finish.

Ndërsa Petro Zheji ishte përjashtimi, antirregulli, antirryma, antikonformisti, tallësi dhe përqeshësi ndaj të keqes, adhurues i lirisë, dhe luftëtar i paepur i saj, ishte adhurues i dijes dhe dijetar i përmasave kozmike, ishte adhurues i kulturës dhe ishte një diell që buronte kulturë. E njihte kulturën Perëndimore, të Francës, Italisë, Gjermanisë që zor mund ta njihnin kokat e këtyre vendeve. I adhuronte SHBA, Perëndimin sepse aty e kishte shpresën për shpëtimin e Shqipërisë dhe Shqiptarëve.

Mbeti i persekutuar në diktaturë, por edhe gjatë çerek shekulli në post diktaturë, sepse u persekutua nga dishepuj e tij, nga ata që Petro u përpoq me gjithë shpirt që t’u mësonte diçka.

Në lidhje me SHBA nëse Petro Zheji paska thënë se  “aty paska gjetur komunistë” nuk besoj kurrëqysh të jetë kjo arsyeja e kthimit të tij.

Në fakt, Petro Zheji ishte ithtar i së vërtetës, ka thënë atë që shumë e kanë thënë pas tij, sepse të parët që shkuan në Amerikë ishin komunistët, ish-sigurimsat, njerëzit e diktaturës dhe Ramiz Alisë, pasi ata kishin mundësi që të merrnin viza, pasi i kishin në dorë të gjitha instrumentat e shtetit.

Arsyeja që është kthyer në Shqipëri mund të ketë qenë zhgënjimi apo malli për vendin e tij, sepse Petro Zheji është Shqiptari më i madh i kohës sonë.

Arsye e kthimit në Shqipëri dhe e jetës së tij është padyshim Artur Zheji. Kur Petro Zheji kishte një zemër për të dashur të gjithë botën, e si të mos e deshte të birin e tij, të cilit i kushtoi jetën.

Artur Zheji nga ana e tij ishte produkt i të jatit dhe një aktoreje të shquar. Ishte i lindur mes kulturës, i rrethuar prej librave, prej dijes, prej elitarizmit. S’kishte nga të dilte ndryshe. Ishte i përkëdhelur. Padyshim që ishte. Por nuk e përkëdhelte shteti, e përkëdhelnin prindërit e tij, rrethi i tij.

Të fillojmë e të diskutojmë jetën private të gjithësecilit do të thotë të vemë në lëvizje logjikën e regjimit kriminal.

Ta kthejmë në krim një  histori dashurie të Artur Zhejit kur ishte 23 vjeçar, është çmenduri. Aq më tepër kur ai ka treguar kujdes atëror për frutin e dashurisë së tij. Nuk e braktisi vajzën asnjëherë.

Në lidhje me formatin e Artur Zhejit. Mos harrojmë se Petro dhe Arturi u larguan nga Shqipëria si refugjatë në vitin 1990, ndërsa në moshën 29 vjeçare Artur Zheji punonte gazetar tek Radio Radicale dhe ishte miku i të madhit Marco Panella! Njihte italishten në mënyrë perfekte dhe kishte fituar një vend pune që ia kishte zili çdo kush sot e jo 25 vjet më parë dhe këtë gjë e kishte arritur me forcat e veta!

Kthimi i Artur Zhejit në Shqipëri mund të shpjegohet me faktin e ngopjes me Perëndimin. Këtë shpjegim e jap duke u nisur nga eksperienca e refugjatëve, që pasi e shohin se çfarë është Perëndimi, kërkojnë të kthehen në vendin e tyre duke shpresuar për një copy paste apo kushedi çfarë.

Fakti është se u kthyen në Shqipëri Ati dhe i Biri, Petro Zheji nga SHBA dhe Arturi nga Italia. Zoti mbeti në qiell, ndërsa shqiptarët nuk gjenjë ende forca që të ringjallen dhe e vetmja mënyrë për të mbijetuar është konformizmi.

Të jetosh në Tiranë nuk ke si të mos konformohesh. Dhe vetëm këtu mund të jem dakord me Kastriot Myftarajn, por kësaj kilisheje nuk i shpëton dot askush, kush dëshiron që të jetojë në Atdheun e tij. Dhe konformizmi shihet si një sakrificë për qëllime patriotike, deri sa elita vijon të dergjet mjerueshëm duke merituar mëshirën dhe neverinë. S’ka Samaritan të Mirë në Tiranë! Asnjë! Petro Zheji po, ishte Samaritani i Mirë!

Më vjen mirë që skulptori i mirënjohur amerikan Thomas Marsh, autor i statujës në nderim të viktimave të komunizmit  “Goddess of Democracy” e vendosur ne Washington, DC ka treguar gadishmëri të plotë të krijojë  statujën e Petro Zhejit, të gjuhëtarit antikomunist dhe të elitarit elitarist, statuja e të cilit e ka vendin përpara Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ashtu sikur edhe Akademia e Shkencave do të nderohej me emrin e Petro Zhejit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, i elitës shqiptare, i persekutuari, mentori, Petro Zheji, shenjtori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT