• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

Kosovë-Shtatore dëshmorit Ndue Përlleshi në sheshin me emrin e tij në Klinë

August 17, 2016 by dgreca

 

2 Ndue Përlleshi-1-Në Akademinë përkujtimore e në ceremoni mori pjesë edhe delagacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”/

PRISHTINË, 17 Gusht 2016-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë, Behlul Jashari/Në Kosovë, në qytetin e Klinës, u bë sot zbulimi i Shtatores së dëshmorit Ndue Përlleshi  në Sheshin me emrin tij, si dhe u mbajt Akademi përkujtimore në Qendra e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”.

Në përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, është mbajtur Akademi përkujtimore në të cilën kanë marrë pjesë personalitete të shumta të jetës politike, kulturore, shkencore e fetare.  Pjesëmarrës ishte edhe delagacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Agim Rexhaj – zv/kryetar, Marjan Cubi, i cili është edhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, si dhe vatranë të tjerë.

Në përcjelle të gardës ceremoniale të Forcave të Sigurisë së Kosovës, pas Akademisë përkujtimore  në Qendrën  e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, ceremonia ka vazhduar në sheshin “Ndue Përlleshi”, ku dhe u zbulua shtatorja e luftëtarit Ndue Përlleshi (1908-1949).

Me këtë rast u tha se, Klina i ka katër sheshe, ka katër personalitete me tre histori. Historia e Nënë Terezës, që njihet si nëna e gjithë botës, histori të përbashkët kanë edhe dy sheshe ai i Mujë Krasniqit e Faruk Elezit që i takojnë luftës së fundit të UÇK-së. Dhe, kjo shtatore këtu e luftëtarit Ndue Përlleshi. Nuk i kemi lënë në harresë në memorien e shqiptareve.

Ishte pikërisht periudha e viteve 1945 të shekullit të kaluar kur Kosova u la jashtë kufijëve të shtetit shqiptar, prandaj sakrifica e Ndue Përlleshit me bashkëluftëtarë ishte për t’ia bashkangjitur këto troje vendit amë.

“Qytetit të Klinës po i shtohet bukuria pas vendosjes së shtatores së një figure, e cila në momentet me të vështira të këtij vendi, kur po tradhtoheshin interesat e kauzës shqiptare, këta u vendosen në ballë të mbrojtës së këtyre interesave. Sakrifica e tyre ishte shembull për të gjithë ne më të rinjtë që ta vazhdojmë përpjekjen deri në çlirimin e vendit. Falë mbështetjes së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, falë angazhimit dhe sakrificës së djemëve dhe bijave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne sot po e gëzojmë këtë ditë, por gjithmonë si institucione të këtij vendi jemi mirënjohës dhe borxhlinj për të gjithë ata të cilët kanë dhënë me të shtrenjtën e tyre, jetën për ketë ditë”, ka thënë kryetari i Klinës, Bashota.

Po ashtu, kryetari i Klinës, me një fjalë rasti u paraqit edhe në Akademinë e organizuar me ketë rast në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, ku poashtu vlerësoi lartë veprën dhe jetën e luftëtarit Ndue Përlleshi.

Me kumtesa u paraqiten prof.dr. Lush Culaj, prof.dr. Asllan Krasniqi dhe prof.dr. Muhamet Shatri.  Familja Përlleshi ka falënderuar gjithë ata që kontribuuan në ngritjen e shtatores së Ndue Përlleshit, vendimin e të cilit e kishte mbështetur unanimisht edhe Kuvendi i Komunës së Klinës. Familja Përlleshi, një falënderim të veçante ka bërë për kryetarin Bashota në ngritjen e shtatores. Skulptori që e ka punuar ketë vepër është Ylber Krasniqi, bashkëluftëtar i komandant Mujë Krasniqit.

Në 13 korrik 2016 njoftohej se filluan punimet e Sheshit “Ndue Përlleshi”. Në vazhdën e shumë projekteve të Komunës së Klinës, filluan edhe punimet e ndërtimit të bazamentit të shtatorës së Ndue Përlleshit. Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, gjatë ceremonisë me atë rast tha se, ishte një ditë e veçantë për të gjithë fillimi i punimeve të Sheshit “Ndue Përlleshi”. “Ndue Përlleshi, është person i cili ka dhënë  kontribut shumë të çmueshëm në lëvizjet kaçake të asaj kohe dhe  ky shesh do të mbajë emrin e tij”, ka thënë Bashota dhe ka përshëndetur veçantë familjarët e Ndue Përlleshit, të cilët ishin prezentë në ceremoni.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ndue Perlleshi, Shtatore dëshmorit, Vatra

BEAU JOE BIDEN, GUXIM, PREMTIM E NDERIM AMERIKAN

August 17, 2016 by dgreca

2 bajden familja

Nga Ramiz LUSHAJ*/

   1.Beau Biden i përngjante shumë babait të tij në gene jete e në hapa udhe, aq sa ata të cilët e kishin njohur nga afër si dhe ata që ia kishin dëgjuar famën prej nga larg, e shihnin dhe e prisnin si një “Joe Biden i ri”. Kaherit, qyshce në korrik 2003, e pohonte një fakt të tillë Shannon Canton tek gazeta “Delaware Today”. Presidenti Amerikan Barak Obama, në maj 2015, e cilësonte “Beau Biden, njësoj sikur baba i vet, njeri i mirë, zemërgjerë, katolik i devotshëm, me besim të madh fetar”, që i kreu të njëjtat shkolla si i ati, iu përkushtua veprimtarisë publike si i ati, etj.

Beau Biden ishte e mbetet një realitet i mirë amerikan, një profil i lartë i politikanit, juristit e ushtarakut bashkëkohor amerikan, një udhëtar i përjetshëm i idealeve amerikane, një ëndërr e madhe amerikane.

Erin McPike, në nji shkrim më 9 nëntor 2012, e cilësonte Beau Biden: “një tjetër yll Biden në ngjitje në Partinë Demokratike” i cili “po shkëlqen në politikën kombëtare”.

Ai, Beau Biden, ndonëse ndrroi jetë 445 ditë ma herët, nuk është një meteor politik, por ende mbetet një yll në horizont të kohërave, ende vjen drejt nesh i nderuar, i paharruar, guximtar, qëndrestar, shembëlltarë.

2.Vjet 18 dhjetori ishte e premte, por Nënpresidenti Amerikan Joe Biden e bani pushim. Si gjithmonë në këto 43 vitet e fundit. Kjo datë, kjo ditë, i kujton tragjedinë e parë ma të madhe në jetën e tij. Ishte 18 dhjetori 1972. Gruaja e tij 30 vjeçare, Neilia Hunter Biden me tre fëmijët e saj, po shkonin për të marrë në treg dhurata e shumçka tjetër për Krishtlindje. Rrugës pësuan aksident të randë. Fatal. Vdes nana e re Biden me vajzën e saj të vogël, Naomi mbi një vjeçare, ndërsa dy djemtë e saj, Beau Biden – rreth 4 vjeç e Hunter Biden rreth 3 vjeç morën plagë të randa.

Në Konventën Kombëtare të Demokratëve, në fundgushtin 2008, në Denver – Kolorado, kur u shpall Joe Biden Nënpresident i Amerikës, ishte aty dhe 39 vjeçari demokrat Beau Biden – një nga përfaqësuesit premtues të brezit të dytë të politikanëve të Amerikës, Prokuror i Përgjithshëm në Delaware, një nga ushtarakët rezervë vullnetarë për të shkuar atë vit në Irak. Ai, Beau Biden, në atë Konventë, foli për aksidentin familjar tragjik të vitit 1972, për humbjen e nanës e të motres së tij, foli për virtytet e vlerat e larta të babës së tij, Joe Biden, si një prind i rrallë, i përkushtuar, njerëzor e gjithçka tjetër ndaj fëmijëve të tij në rritje jetimë, foli për humanizmin e “nanës së dytë” të tyre (prej vitit 1997) dr. Jill Jacobs Biden, Zonja e Dytë e Amerikës. Gazetari John M. Broder, në një shkrim në “The New York Times” të gushtit 2008 theksonte se fjala e Beau Biden i përloti shumicën e delegatëve në sallën e Konventës të Demokratëve.

Joe Biden, i nominuar për Nënpresident i Amerikës, ky njeri i dimensioneve të mëdha amerikane e simbol i vlerave të larta amerikane, foli aq mirë në Konventën e gushtit 2008 sa që delegatët mbetën shpeshtas me duartrokitje e brohoritje, salla e madhe dukej e përflakun. Ai iu drejtua djalit të tij të madh, politikan në rritje i kohës amerikane: “Beau, të dua. Jam shumë krenar me Ty. Jam krenar me Ty për burrërinë që ke brenda teje. Jam shumë krenar me Ty, je baba i përkryer!” Ai iu drejtua familjes së tij të mbetur e zonjës së tij të madhe, akademikes, Jill Jacobs Biden:  “Jam po aq krenar edhe me birin tim, Hunter, dhe me bijën time, Ashley’n. Dhe me gruan time Jill, e vetmja që më lë edhe pa frymë edhe pa fjalë në të njëjtën kohë”. Ai foli dhe për dy prindërit e tij, babën Joseph Robinette Biden, Sr. (1915-2002) dhe nanen e tij, Catherine “Jean” Eugenia Biden (1917-2010): “Babai im kishte një shprehje. Ai thoshte: Një baba e di që ka pasur sukses, kur e kthen kokën prapa, dhe e sheh të birin e të bijën e tij dhe e di se ata ia kanë dalë në jetë më mirë se ai. Jam një sukses…Do të doja që ta kisha babain këtu, por ai s’është më me ne. Por jam mirënjohës që nëna ime, Catherine Eugenia Finnegan, është këtu me mua. Të dua nënë”.

Kur Joe Biden doli për të dytën herë Nënpresident i Amerikës, në Konventën Kombëtare të Demokratëve, në Charlotte të Karolinës së Veriut, në atë fillim shtatori 2012, ishte aty delegat dhe djali i tij i madh, Beau Biden, 44 vjeçar, i cili kësi herit mbante dhe statusin e lartë “Veteran i Luftës”. Ai, në atë Konventë, me një fjalë të pazakontë foli për Amerikën e idealeve e shanseve të mëdha, për babain e tij të jashtëzakonshëm, për Presidentin Barak Obama në mandatin e dytë dhe me misione presidenciale të traditës e të reja. Ai, si major i luftës e paqes në Irak, i dha vlerësimet e tij për vizitën e papritur dhe nderuese të babës së tij, Joe Biden – Nënpresident i Amerikës, me 4 korrik 2009, në kampin e atyshëm amerikan “Victory”. “The Huffington Post” e 6 shtatorit 2012 e botoi të plotë fjalën në atë Konventë të politikanit me të ardhme, Beau Biden, e cila përmbyllej me thanien nderim madhor: ”Babai im, Heroi im, Joe Biden !”

3.E cekëm në kryerradhë se, Beau Biden, sikurse i ati i tij, Joe Biden, i ndoqi Archmere Academy të Universitetit të Pensilvanisë dhe Syracuse University College of Law në New York. Emrat e të dyve, babë e bir, janë të skalitur publikisht e përhershëm në historinë e këtyre shkollave.

E, nuk kishte si të ndodhte ndryshe për të mos ecur në gjurmët e tij, pasi i ati, senatori Joe Biden, e merrte shpesh me vehte në udhëtime e veprimtari të ndryshme në Delaware e shtete të tjera të Amerikës, qyshce kur Beau Biden ishte mbi 4 vjeç.

Çdo prind e don fëmijën e vet, por Joe Biden e shihte me plot besim djalin e tij të madh, Beau Biden, se ai do të ecte shpejt, larg e lart në karierën e tij politike, juridike e ushtarake.

Beau Biden në moshën 25 vjeçare filloi detyrën e gjyqtarit në qytetin Concord në New Hampshire të Amerikës, në vitet 1994-’95. David Brooks teksa shkruan tek “The Telegraph” i Amerikës, citon fjalët e gjyqtarit të njohur  Steven Mcaliffe : “Ai ishte djalë i veçantë, e donin të gjithë pa përjashtim, me të vërtetë. Edhe ata që nuk pajtoheshin me të, nuk mund ta urrenin atë”.

Beau Biden, më 1995-2004, punoi në Departamentin e Drejtësisë të SHBA në Filadelfia, fillimisht si këshilltar i Zyrës të Politikave të Zhvillimit dhe më pas si prokuror federal në Zyrën e atyshme të Prokurorit të SHBA.

Gjatë kësaj kohe, Beau Biden, shkoi nga Filadelfia e Amerikës në Europë, në Kosovën euro-atlantike të pasluftës, si këshilltar i lartë ligjor i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, ku shërbeu me dinjitet e efektivitet, la gjurmë e mbeti emër i nderuar.

Beau Biden në vitin 2004 ishte një partner dalëzotas në studiot ligjore të njohura  “Bifferato”, “Gentilotti”, “Biden & Balick”, derisa u zgjodh në detyrën e lartë të Prokurorit të Përgjithshëm të Delaware.

Kjo përvojë e gjatë në Filadelfia i shërbeu atij gjatë gjithë jetës së shkurtër e me kontribute të mëdha.

Gjithnji, i ati, senatori Joe Biden, e shihte djalin e tij – Beau Biden, si dhe zonja akademike Jill Biden e shihte nipin e vet – Beau Biden,  si guxim amerikan, si premtim amerikan.

4.Beau Biden ishte një ushtarak i mirë, në rezervë, i përkushtuar, i guximit, i aksionit, i sakrificës.

Në vitin 2003 ai iu bashkua Gradës Kombëtare në Delaware. Ai e shihte se që të jesh një politikan i aftë në udhën e tij për të ardhmen amerikane duhej medoemos të ishte dhe një jurist i zoti, të mësonte për historinë amerikane. kontinetale e atë globale, por dhe të çmohej si një ushtarak i mirë.

Ndaj shkoi për rreth dy vite në front, në Irak nga tetori 2008 deri nga fundi i vitit 2009, ndonëse ishte djali i madh i Joe Biden, Nënpresidentit të Amerikës, ndonëse kishte angazhime të mëdha politike, juridike e civile në Delaware, duke lanë gruan e tij të re, zonjen e nderuar e të përkushtuar Hallie Olivere Biden (2002-2015) në Delaware të përkujdesej e vetme si nanë e çmuar për dy fëmijët e tyre të vegjël Natalie – katër  vjeç dhe Hunter Biden II – dy vjeç.

Majori e juristi i njohur Beau Biden shërbeu në Brigadën Signal 261. Ai dha atje në Irak dhe me fjalimet e tij në Konventën e Demokratëve Amerikanë, në disa veprimtari në SHBA, një shembull frymëzues për Amerikën, për të gjithë ata që shkonin në Irak. Ai ishte guxim e premtim amerikan. Një shemull i mirë i traditës ushtarake amerikane.

Pjesmarrja e major Beau Biden nga fronti i Irakut në Betimin e të atit, Joe Biden si Nënpresident i SHBA më 2009, ishte një nderim amerikan për babë e bir, për kontributet e atributet e tyre të larta.

Beau Biden, për kontributet e tij në Irak mori vlerësime të larta meritore.

U nderua nga vendi i tij, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Medaljen Ylli i Bronxtë për merita e arritje heroike në shërbimin e tij në Irak.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes në SHBA i dha majorit Beau Biden dekoratën “Legjioni i Meritës” për arritje të randësishme dhe sjellje meritore gjatë veprimtarisë ushtarake në Irak.

Shefi i Shtabit të ushtrisë së SHBA, gjeneral Raymond  Thomas “Ray”  Odierno, pjesmarrës në Luftën e Gjirit Persik e në Irak, duke e dorëzue dekoratën “Legjioni i Meritës” deklaroi botnisht se “Beau Biden zotëronte tiparet që i dëshmojnë vetëm liderët e mëdhenj”.

5.Beau Biden (Joseph Robinette “Beau” Biden III) “si jurist me përvojë të begatshme dhe i përgaditur gjithanshëm, kishte shprehur dëshirën për të shërbyer në Kosovën e pasluftës, ende pa u shpallur Pavarësia e saj.

Ai qëndroi mbi një vit në harkun kohor 2001-’02.

Kësokohe, pas studimeve në Hollandë, shkoi në Kosovë për disa vite dhe i riu jurist e poltikan, Lulzim Basha, kryetari demokrat i Opozitës së sotme Parlamentare, i cili shërbeu në detyrën Këshilltar Ligjor në Departamentin e Drejtësisë së Administratës së Kombeve të Bashkuara, Zëvendës Shef i Kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut, Këshilltar Special për Tranzicionin në Departamentin e Drejtësisë së UNMIK-ut drejt një Ministrie të Drejtësisë të Kosovës dhe është “Qytetar Nderi” i Prishtinës, i Mitrovicës e Deçanit.

Kryeministri aktual Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë (8 qershor 2016) dha vlerësime të larta për juristin e ri amerikan Beau Biden, duke theksuar se: “Ai shërbeu si këshilltar i lartë në OSBE, konkretisht u mor me ndërtimin dhe menaxhimin e institucioneve juridike të Kosovës, me ç’rast ka trajnuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj dhe me punën e tij ka ndihmuar dhe mundësuar themelimin e sistemit të ri penal në Kosovë”. Beau Biden, si jurist, ushtarak e politikan klas, si rrallëkush, ndonëse pati një jetë të shkurtër 46 vjeçare, kontribuoi në tri kontinente: në Amerikë, në Kosovë dhe në Irak.

Beau Biden është nderuar me dekoratën ma të lartë të shtetit Delaware, me dekoratën e kryqit për shërbime të veçanta, për kontributet e meritat e tij, për heroizmin e tij, për kryerjen e detyrave në lartësitë e kohës.

Beau Biden, më 4 nëntor 2015, u dekorua (pas vdekjes) me Çmimin e Lidershipit “Albert Schweitzer”, nderimi ma i lartë i dhanun nga Hugh O’Brian Youth Leadership (HOBY) për aftësitë e tij si lidership, “për shërbimet e tij për njerëzimin”.

Beau Biden edhe vdekjes i qëndroi si një hero i vërtetë në mbi dy vite të përballjes me sëmundjen e fshehtë, me kancerin në kokë. Ai ishte një hero i heshtur dhe mbetet i tillë. Si heroi të tyre e shihnin dhe vllai Henter Biden dhe motra e tij nga baba, Ashley Biden. E kanë pohuar dhe në masmedia një fakt të tillë. Si hero e ka vlerësuar shumkush që e ka njohur gjatë jetës së tij në gjallje, si kur kryente detyrat juridike në Amerikë, në Irak e në Kosovë, në gjithato raste, në vazhdimësi. Vdekja e parakohshme e Beau Biden ishte një tjetër tragjedi, e dyta, tejet e randë, fort e madhe, që e goditi Jo Biden dhe Familjen e Tij Biden dhe, njiherash, ishte një humbje e ndjeshme dhe për vet Amerikën pasi humbi nji nga njerëzit premtues të saj në fill shek. XXI, në politikën amerikane, për kohën amerikane.Kosova e ka nderuar Beau Biden duke i dhënë  emrin e tij rrugës nacionale Gjilan-Ferizaj, në afri të Kampit amerikan paqeruajtës Bandsteel, çka është një nga vlerësimet meritore për veprën e tij në tre kontinente, dhe në Kosovë. Pjesmarrja në ceremoninë e 17 shkurtit 2016 të babës së tij, Joe Biden – Nënpresident i Amerikës, mik i madh i Shqiptarëve, i dr. Jill Biden – Zonja e Dytë e Amerikës dhe e familjes së nderuar e të çmuar Beau Biden – dy fëmijët e tij, Natalie e Hunter, është një nderim amerikan për Kosovën dhe për krejt Kombin Shqiptar

 6.Beau Biden ishte një investim amerikan genetik familjar e shtetëror ndër breza të kaluar e të tijët, një premtim amerikan në kohën amerikane e për brezat e rinj të Amerikës.

Ai pati një jetë të shkurtër, por emri e veprimtaria e tij do të jetojnë gjatë. Si histori. Si mirënjohje. Si frymëzim. Si kujtim. Si nderim.

Ai lindi e u rrit në një familje amerikane aristokrate, kombëtare, politike. Nga të dy krahët, nga linja e gjakut dhe e qumështit, prej kryehere, në shek. XVIII, janë anglo-sakson, të origjinës irlandeze, të cilët kanë ngritur dhe biznese, kanë ba karrierë në strukturat politike, ushtarke, ekonomike e shoqërore në disa shtete të Amerikës si Maryland, Pennsylvania, New York, Delaware, Filadelfia, e deri në Washington D.C. Historia e Biden-ëve është si vet Historia e Amerikës në shekujt e fundit.

Këta, Biden-ët, erdhën në Amerikë, Baltimore (MD), në shek. XVIII, aty nga viti 1790, me të parin e tyre shtetas amerikan, William Biden.

Në shek. XIX vijnë në vargni breznitë e tyne genetike: Joseph J. Biden, George T. Biden, Joseph H. Biden.

Në shek. XX: Joseph Robinette Biden Sr. (1915-2002), Joseph Robinette “Joe” Biden Jr. (1942, përndryshe: dy vite ma i madh se ish presidenti e ish kryeministri shqiptar, Sali Berisha) dhe Joseph Robinette “Beau” Biden III (1969-2015).

Në shek. XXI kemi dy fëmijët e Beau Biden: vajzën Natalie (Natalie Paige Biden) 12 vjeç dhe djalin Hunter ( Robert Hunter Biden II) 10 vjeç, të cilët janë shpresë e mirë në udhën amerikane lavdiplote të të atit (babait) dhe të gjyshit të tyre.

Aristokracia e Familjes të Madhe të Biden-ëve të Amerikës duket dhe tek emrat e tyre trashëgimtar. Emra fisnikësh. Dinastor. Joseph Robinette Biden Sr. (gjyshi i Beau Biden), Joseph Robinette “Joe” Biden (babai i Beau Biden) dhe Joseph Robinette “Beau” Biden III apo siç thirrej ndryshe “Joe i riu”, për nga pamja fizike, shkollimi, udha politike, etj.

Beau Biden ishte politikan amerikan i të ardhmes, për të ardhmen amerikane. E parandjenin të tillë të gjithë ata që e njihnin, kushdo që kishte nuhatje politike, gjithësecili që synonte lartësitë federale në politikën e lartë amerikane.

Sigurisht, të jesh Prokuror i Përgjithshëm i Delaware, i një shteti amerikan me 6.452 km2 e rreth 1 milionë banorë, nuk është pak, pasi dhe historia, kultura, ekonomia, turizmi, etj. e tij kishin një peshë e randësi të veçantë.

Beau Biden u lind më 3 shkurt 1969 në qytetin Wilmington, që është në afri të kryeqytetit Dover të të parit shtetit amerikan federal Delaware. Përndryshe, qyteti Wilmington, për nga sipërfaqja, është mbi dy herë ma i madh se territori etnik shqiptar që Kosova po don me ia dhanë Malit të Zi me Marrëveshjen e keqe të Demarkacionit.

Në kulminacionin elektoral të Zgjedhjeve Presidenciale Amerikane – 2008, kur senatorët Barak Obama dhe Joe Biden po ecnin drejt fiores së sigurtë, Beau Biden u konsiderua si kandidatura ma e mirë për të zënë vendin e të atit senator në shtatë mandate (1973-2009). Shkroi dhe gazeta prestigjioze “The New York Tajms” e gushtit 2008. Asokohe, Ted Kaufman doli senator i përkoshëm (16 janar 2009 – 15 nëntor 2010). Në tetor 2009 Beau Biden lëshoi një deklaratë për mundësi konkurimi si senator i SHBA në shtetin Delaware. Po Beau Biden u tërhoq, pasi iu kushtua çështjeve të drejtësisë dhe rikandidoi më 2010 për Prokuror i Përgjithshëm i Delaware dhe fitoi me 79.8 për qind të votave.

Beau Biden, Prokuror i Përgjithshëm i Delaware, dy vjet ma herët e kishte shfaqur objektivin e tij politik vizionar për të kandiduar në nëntor 2016 për guvernator i shtetit Delaware. E kjo ishte mjaft e randësishme, pasi Delaware ishte një nga 13 kolonitë e Revolucionit Amerikan, e për ma tepër, ishte shteti i parë që e ratifikoi Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 7 dhjetor 1787. E, prej kësaj, qysh atëherit, Delaware e fitoi statusin e shtetit të parë të Amerikës.

Ai e kishte të sigurtë fitoren. E para, ishin kontributet e atributet e tij disa dekadore dhe në dy mandate (2007-janar-2015) Prokuror i përgjithshëm i Delaware. E dyta, aktualisht, shteti Delaware është bastion i fortë i demokratëve të Amerikës, si bashkia e Tropojës për demokratët e Shqipërisë. Aty, guvernatori Markell, në dy elektoriada mandatore ka fituar me dy e deri tre fishin e votave, si më 2012 me 69.1 për qind ndaj 28.6 për qind ndaj kandidatit republikan. Aty, kanë fituar senatorët demokratë Joe Biden, Tom Carper e Chris Coons, kongresmeni demokrat John Carney. Aty pritet të fitojë dhe kandidate demokrate për Presidente e Amerikës, Hillary Clinton, mike e madhe e shqiptarëve. E treta, komuniteti ma i madh në Delaware është ai i irlandezëve, etj.

Pra, sikur Beau Biden të ishte i gjallë fizikisht, ai pa mëdyshje, prej nëntorit 2016 do të ishte Guvernator i shtetit Delaware. Jo vetëm kaq. Përndryshe, ai do ia niste karierës së lartë politike kombëtare në legjislativ apo ekzekutiv nga Delaware , sikurse dhe  i ati, Joe Biden, që hyri në politikë nga senator  në senatin e shtetit Delaware (1972) dhe po në Delaware u zgjodh në shtatë mandate (1973-2009) senator i Senatit të Amerikës.

7.Prognoza politike parashihnin se në elektoriada të ardhshme (ndoshta) Beau Biden do të ishte një konkurent dhe rival dinjitar për postin lidership botëror të Presidentit të Amerikës. Ndoshta, do ia kalonte të atit, Joe Biden. E, kësisoj, familja e tyre politike, në brezni kariere politike, do t’iu përngjante dinastive politike amerikane Ruzvlet,…Bush, Clinton. Do të ishin Dinastia Biden.

Presidenti amerikan Barak Obama është shprehur me vlerësime të veçanta në maj 2015 për figurën e lartë të Beau Joe Biden, si njeri i mirë, i vërtetë, që bani gjithçka mundi për Amerikën kur të tjerë nuk arrijnë t’i bajnë as në 146 vjet.

Askush ma mirë nuk e ka portretizuar Beau Biden në udhën e tij politike, juridike, ushtarake, në gjallje të tij fizike, se sa Matt Miller, me shprehjen aksiometrike: “Qielli është kufiri i tij”.

I shquari jurist, ushtarak, politikan amerikan, Beau Joe Biden, mik i mirë i shqiptarëve, me kontribute në tre kontinente, ishte e mbetet investim, guxim, premtim e nderim amerikan, i kohës amerikane.

*Drejtor Ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike

Tiranë, 17 gusht 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: BEAU JOE BIDEN, E NDERIM AMERIKAN, GUXIM, PREMTIM, Ramiz Lushaj

“Bijtë e Shqipes” në Filadelfia nderojnë pilotët dëshmorë në Shqipëri

August 17, 2016 by dgreca

Para disa ditësh, në Bazën Ajrore Farkë u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave dhe boceteve të Shqiponjës për dy dëshmorët e Atdheut, Kapiten Florian Delia dhe toger Donald Hoxha, nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, me seli në Filadelfia, SHBA. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë Komandanti i Bazës Ajrore Farkë, Kolonel Kuto Hasani, Kryetari i shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit”, zoti Kujtim Serani, Kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, dega Filadelfia, zoti Tajar Domi, Zvëndëskryetari, zoti Haki Kollaku, familjarë të dëshmorëve dhe të ftuar të tjerë. Fillimisht, Komandanti i Bazës Ajrore, Kolonel Kuto Hasani, falenderoi organizatorët e ceremonisë dhe përfaqësuesit e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia, për vëmendjen dhe interesin e kushtuar ndaj dy pilotëve të rënë në krye të detyrës. Më pas zotërinjtë Tajar Domi dhe Haki Kollaku në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan të Filadelfias, shprehën ngushëllimet e tyre për humbjen e pazvëndësueshme të dy bijve të rënë në krye të detyrës. Ata në shenjë respekti, mirënjohje dhe vlerësimi për dy pilotët e rënë gjatë zbatimit të detyrës, i dhanë familjarëve të tyre “Certifikatën e mirënjohjes”,{Pas vdekjes}, shoqëruar me kokën e shqiponjës me motivacionin: “Kryesia e shoqatës Atdhetare –Kulturore, Bijtë e Shqipes, Filadelfia, SHBA. Të gjithë anëtarët e saj dhe bashkëatdhetarët e tjerë, përulen me nderim para jetës dhe rënies në krye të detyrës të dy pilotëve të Forcave të Armatosura Shqiptare. Mirënjohja jonë për veprën e tyre, bashkohet me atë të popopullit shqiptar, të afërmit e tyre, shokëve dhe miqve, kolegëve ushtarakë në trojet shqiptare dhe jashtë tyre. I paharuar qoftë kujtimi i tyre!”, shkruhet në bocetin e dhënë nga kjo shoqatë. {Sh.Kërcelli}

PS: Me këtë rast redaksia e gazetës “Dielli”, përshëndet aktin human dhe atdhedashës të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia dhe i uron atyre punë të mbarë në këtë mision fisnik.

Filed Under: Komunitet Tagged With: bijte e shqipes, nderojnë, ne Shqiperi, pilotët dëshmorë

SPECIALE- ZV PRESIDENTI BIDEN PERFUNDON VIZITEN: SHBA Gjithmonë Përkrahje Kosovës

August 17, 2016 by dgreca

biden-mustafa

-NË KOSOVË RRUGA FERIZAJ-GJILAN EMËRTOHET BEAU BIDEN/

*Kryeministri Mustafa: Tek SHBA-të, Kosova sheh aleatin e saj të përhershëm/

-Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden në vizitë Kosovës: Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit/

-Joe Biden, tash e dy dekada ka mbështetur luftën për lirinë, pavarësinë dhe integrimin e Kosovës në NATO e BE\

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI /më vonë raporti i plotë/

PRISHTINË, 17 Gusht 2016/ Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, mbërrti mbrëmë për vizitë në Kosovë, i pritur në Aeroportin e Prishtinës me ceremoni shtetërore, me nderimet më të larta e mirënjohjen e gjithëmonëshme.

Presidenti i Republikës Hashim Thaçi ka pritur në Aeroport nënpresidentin Joe Biden dhe familjen e tij, siç është shprehur, për t’iu uruar përzemërsisht mirëseardhjen miqve të përjetshëm të Kosovës.“Partneriteti strategjik me SHBA-të na ka mundësuar të bëhemi shtet dhe gjithnjë e më shumë po na bën një shoqëri demokratike me mundësi të barabarta për të gjithë”, është shprehur presidenti i Kosovës.

“Joe Biden, tash e dy dekada ka mbështetur luftën për lirinë, pavarësinë dhe integrimin e Kosovës në NATO e BE”, ka theksuar Thaçi duke shprehur falënderim.Në Prishtinë, sot, nënpresidenti amerikan Biden zhvilloi takime dypalëshe me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa.

“Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit”, deklaroi  në konferencë për shtyp pas takimeve nënpresidenti amerikan Joe Biden.

“Kosova ka shënuar progres dhe ka marrë njohje më të mëdha globale. Jeni në një pozitë ku bota po ju njeh po ashtu jeni duke bërë përpara nën emrin tuaj dhe duke garuar me flamurin tuaj”, tha nënpresidenti amerikan në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin kosovar Thaçi.

“SHBA do të qëndrojë përkrah Kosovës sepse ne besojme tek ajo. SHBA ka dhënë 2 miliardë dollarë ndihma dhe do vazhdojmë të ndihmojmë më tej Kosovën”, theksoi, mes tjerash, në“Pata nderin e veçantë të pres sot Zëvendës Presidentin Amerikan, mikun e madh të Republikës së Kosovës, Joe Biden. Pasi i urova Zëvendës Presidentit Biden mirëseardhje në Kuvendin e Kosovës, zhvilluam një takim shumë të frytshëm bilateral.

Jam thellësisht i bindur se kjo vizitë do të ketë ndikim pozitiv në fuqizimin e mëtejshëm të miqësisë dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Zoti i bekoftë Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, u shpreh kryeministri Mustafa.

Kryeparlamentari kosovar Kadri Veseli ka shkruar në ‘facebook”: “I urova mirëseardhje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mikut tonë të çmuar, zëvendëspresidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe Familjes së tij. Shtetet e Bashkuara janë sinonim i lirisë dhe pavarësisë tonë. Përgjithmonë.”

Gjithashtu, nën patronatin e qeverisë së Kosovës, nënpresidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden do të shkojnë për vizitë afër kampit Bondsteel për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë, Joseph R. “Beau” Biden, III, bën të ditur Ambasada e SHBA në Kosovë.

Ndërkohë, bashkëshortja e nënpresidentit amerikan Biden, Jill Biden do të shkojë në manastrin e Graçanicës, ku do të takohet me peshkopin Teodosije, si dhe do të vizitojë ambientet e manastirit.

Në prag të vizitës, Ambasada amerikane në Prishtinë ka deklaruar për shtypin kosovar se “nënpresidenti vjen në Kosovë për të dëshmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimet demokratike në Kosovë, si dhe për të përforcuar marrëdhëniet e fuqishme midis dy vendeve tona”.

Kjo është vizita e dytë e nënpresidentit të SHBA, Joe Biden,  në Kosovë, pas të parës në 21 maj 2009, pak më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë, kur është dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë, e cila u jepet personaliteteve të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës.

Pavarësinë e Kosovës, të shpallur në 17 shkurtin historik 2008, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.

Që prej 20 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 20 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.

Në pritjen në Aeroport të nënpresidentit amerikan Biden ishte edhe Majlinda Kelmendi, fituse e medaljës së artë në xhudo në “Rio 2016”, të parës medale olimpike të Kosovës shtet. Trajneri i xhudistes, Driton Kuka ka thënë se nënpresidenti amerikan Joe Biden ia dhuroi Stemën Shtetërore të SHBA-ve kampiones olimpike Kelmendi, e përgëzoi dhe nipave të tij ua prezantoi si heroinë të Kosovës.

“Joe Biden Nënkryetar Amerikan jep dekoratë Stemën Shtetërore për Majlindën gjatë zbritjes në Aeroport. Përgëzoi Kampionen tonë dhe ja prezentoj Majlinden nipave të tij si Heroina e Vendit tonë”, është shprehur Kuka.

NË KOSOVË RRUGA FERIZAJ-GJILAN EMËRTOHET BEAU BIDEN

Në Kosovë, emrin e Beau Biden, djalit të ndjerë  të nënpresidentit amerikan Joe Biden e mori sot rruga 35 kilometërshe që lidh dy qytete, Ferizajn e Gjilanin.“Ky është një moment i ëmbël, por edhe i hidhur, pasi po këtu në këtë vend isha me Beau para disa viteve”, tha nënpresidenti amerikan dhe shprehu falënderimet e tij dhe gjithë familjes Biden,  në fjalën e mbajtur në ceremoni, ku morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës dhe drejtuesit e komunave.

Beau Biden ka ndërruar jetë me 6 janar të vitit 2015. Beau Biden, ka punuar në Kosovë në vitin 1998-99 pas luftës, duke ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve vendas për organizatën për siguri dhe bashkëpunim në Evropë (OSCE).

Beau Biden ishte edhe Prokuror i Përgjithshëm në Delaware ndërsa për një kohë kishte shërbyer edhe me Forcat Amerikane në Irak.

PËRFUNDON VIZITA E BIDEN, POLICIA E KOSOVËS: ASNJË INCIDENT

Gjatë realizimit të vizitës së Zëvendës Presidentit Amerikan Joe BIden në Kosovë, në 16 e 17 gusht 2016, Policia e Kosovës ka qenë e angazhuar sipas planifikimeve operacionale të parapara për garantimin e rendit dhe sigurisë së përgjithshme, e në veçanti ka qenë e përkushtuar në ndermarrjen e masave shtesë për siguri që parashihen per porsonalitete të larta.

“Vizita e Zëvendës Presidentit Amerikan z. Biden, në Republikën e Kosovës, ka perfunduar sipas planifikimeve të parapara, nuk është raportuar asnjë incident”, deklaroi pak më parë Policia kosovare.

Policia e Kosovës falenderon të gjithë akterët e përfshirë, e në veçanti qytetarët e vendit për maturinë e treguar dhe mirkuptimin gjatë nderprerjeve të përkohshme të qarkullimit nëpër disa rrugë gjatë realizimit të vizitës dhe njofton se të gjitha rrugët tani janë të lira për qarkullim.

Fjalimi i presidentit Thaçi në ceremoninë e përurimit të rrugës “Beau Biden”/

17 gusht 2016/

I nderuari zëvendëspresident Biden,

E nderuara Dr. Biden,

E nderuara familje Biden,

I nderuari Kryeministër,

I nderuari ambasador Delawie

Të nderuar mysafirë të ceremonisë,

Jemi sot në këtë vend për një arsye shumë të veçantë.Jemi këtu të kujtojmë Beau Biden, por, nëpërmjet këtij kujtimi, të reflektojmë pak edhe për rrugën e përbashkët që kemi ne – Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë botë plot sfida. Beau Biden i ndjerë, për ata që nuk e dinë, përveç se ishte i biri i zëvendëspresidentit Biden, ishte edhe një nga amerikanët që kanë shërbyer me zell dhe me dashuri në Kosovën e pasluftës.Si një jurist i ri dhe entuziast, ai ka ndihmuar që të ngritën kapacitetet e para të sundimit të ligjit.Ai ka ndihmuar prokurorët dhe gjykatësit vendorë të fitojnë përvojën e duhur të drejtësisë, ashtu që Kosova të mos jetë vetëm një shoqëri e lirë, por edhe një vend me të drejta të barabarta.

Ju ftoj të mendojmë pak për këtë koncept të të qenit të barabartë.Zëvendëspresidenti Biden shquhet në SHBA dhe në mbarë botën si një luftëtar për të drejta të barabarta në mes njerëzve. Si i pasuri, ashtu dhe i varfëri, si pjesëtari i shumicës etnike, ashtu edhe ai i pakicës kanë lindur mbi këtë tokë e nën këtë diell, me të drejtën e pamohueshme të lirisë dhe të barazisë.Para 20 vitesh jemi strehuar nëpër male, kur s’ka pasur as autostrada e as rrugë të reja, duke luftuar për lirinë tonë.Kemi luftuar që çdo njeri të jetë i lirë në Kosovën tonë të përvuajtur.

Kemi pasur një fat të paparë.Intervenimi humanitar i SHBA-së dhe aleatëve të tjerë na ka shpëtuar.Partneriteti ynë strategjik tash e një çerekshekulli na ka bërë shtet, na ka bërë një demokraci dhe na ka sjellë në prag të integrimeve euroatlantike.Në majën e majës së këtij udhëtimi të gjatë, por të rëndësishëm historik midis dy shteteve dhe dy kombeve ka qenë zëvendëspresidenti Biden, fillimisht si senator, pastaj si numri dy i shtetit amerikan, por edhe si baba krenar i Beau Biden.Beau, i cili erdhi këtu, na dha kohë të çmuar të jetës së tij të shkurtër dhe mbetet deri në përjetësi simbol i vlerave tona të përbashkëta.

E nderuara familje Biden,

Më lejoni të ju them edhe ca fjalë në fund:Beau, disa vite para vdekjes së tij të hershme, ka thënë se “nuk është gjithmonë mirë të përqendrohemi te caku, pa i shikuar mjetet me të cilat arrijmë në cak”.Nganjëherë duhet të ngrihemi mbi emocione të çastit dhe mbi zhurmën e lajmeve ditore.Duhet të shikojmë më tutje.Mu si kjo rrugë ku jemi sot, që është pjesë e një lidhjeje të re të Kosovës me botën, ashtu edhe ne duhet të jemi pjesë e solucioneve rajonale dhe botërore.Ne, tani, si Kosovë duhet të ofrojmë zgjidhje.Duhet t’u ofrojmë miqësi fqinjëve dhe duhet t’i mbyllim kapitujt e së kaluarës.Nëse ia zgjasim dorën edhe një prindi kosovar serb që ende kërkon fëmijën e zhdukur, nuk na bën kjo të dobët, por shumë më të mëdhenj.Nëse përkrahim të drejtat e barabarta të dashurisë për komunitetin LGBT, nuk na bën kjo më pak të moralshëm, por me fuqi superiore morale.

Nëse kërkojmë të drejtat e një nëne apo motre të goditur nga dhuna familjare, kjo na bën më të fuqishëm.Nëse ngulmojmë në dinjitetin e veteranit të luftës dhe fëmijëve të veteranëve, kjo na bën më krenarë.

Po ashtu, nëse me Malin e Zi forcojmë partneritet strategjik pa asnjë dilemë për kufirin në mes nesh, nuk na bën kjo humbës historik, por na bën fitues të përbashkët të një ardhmërie të sigurt në NATO.Nëse plotësisht normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, ne i japim kuptim paqes – pajtimit në mes popujve dhe vendeve tona.

Të gjithë do të jemi fitues.

Zëvendëspresident Biden dhe Dr. Jill Biden,

 Ju siguroj këtu, në këtë vend, nën emrin e djalit të juaj të ndjerë Beau Biden, se Kosova është  një rrëfim suksesi, është një storie fenomenale e mrekullisë së SHBA-së.Por, mbi të gjitha, ju informoj se në këtë vend, falë punës tuaj, familjes suaj dhe të ndjerit Beau, jemi duke ndërtuar një vend të barabartë për të gjithë.Jam i sigurt se bashkërisht do t’ia dalim.

Ju faleminderit!

***

Kryeministri Mustafa: Tek SHBA-të, Kosova sheh aleatin e saj të përhershëm

Prishtinë, 17 gusht 2016-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës Ferizaj-Gjilan me emrin Joseph R. “Beau” Biden, III, djalit të Zëvendës Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden.Ceremonia që u organizua në Sojevë të Ferizajt, në afërsi të kampit Bondsteel, u mbajt pas takimeve që Zëvendës Presidentit Biden zhvilloi në orët e mëngjesit me Kryeministrin Isa Mustafa dhe Presidentin Hashim Thaçi.

Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve të shumtë ku ishin edhe familja e Zëvendës Presidentit Joe Biden, dhe shumë personalitete vendore e ndërkombëtare, shprehu bindjen se emërtimi i kësaj rruge  me emrin e Beau Biden, do ta forcojë edhe më shumë lidhjen ndërmjet popullit të Kosovës dhe të SHBA-ve.

Duke vlerësuar lartë kontributin e Beau Biden dhënë pas luftës në vënien e themeleve të sistemit juridik në Kosovë, Kryeministri Mustafa, tha se ai meriton të jetë engjëlli mbrojtës i kosovarëve për shkak të historisë së jetës së tij.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Kosovës. Prandaj, edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin Beau Biden, ju lutemi ta shihni si një përpjekje të kosovarëve për të respektuar angazhimin e qindra, mijëra e miliona amerikanëve për çlirimin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj. Partneriteti mes dy vendeve tona është natyral. Ne ndajmë vlera të përbashkëta. Prandaj, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sheh aleatin e vet të përhershëm, të cilin, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka emërtuar mrekullisht si Miqësi të përhershme të dy vendeve që kanë të vendosura lidhje speciale”, tha kryeministri Mustafa.

 ***

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në ceremoni.

 I nderuari Zëvendës president i SHBA-ve, Joe Biden

E nderuara doktor Jill Biden

Shumë e respektuara Familje Biden,

I nderuari President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi

Të dashur kryetarë të Gjilanit dhe Ferizajt, z. Lutfi Haziri dhe Muharrem Svarqa

Të nderuar të pranishëm, 

Jam i nderuar që Ju drejtohem nga kjo pjesë e rrugës Beau Biden, e cila lidhë dy qytete të mëdha të Kosovës, Ferizajn dhe Gjilanin.Kjo rrugë, jam i bindur se do ta forcojë edhe lidhjet mes dy popujve dhe shteteve tona.Beau Juaj i dashur, në këtë mënyrë bëhet i Kosovës, ku ai shërbeu me fisnikëri për të vënë themelet e një shteti të së drejtës. Kjo rrugë përshkon Bondstill-in, ku kosovarët shohin garantin e mbrojtjes dhe të sigurisë së tyre dhe të rajonit të Ballkanit.Beau Biden e meritoi të jetë Engjëlli Mbrojtës i kosovarëve.Për shkak të historisë dhe jetës së tij.Për shkak të gatishmërisë së tij për t’ia krijuar sistemin e drejtësisë një populli të sunduar padrejtësisht për shekuj të tërë.Për shkak se karakteri i tij luftarak për jetën është simbiozë e përpjekjes për mbijetesë të kosovarëve.Për shkak se emri i tij Beau dhe mbiemri i tij, Biden, mishërojnë kuptimin e mikut të çdo kosovari.  Doktor Biden, Faleminderit që keni nderuar popullin tim me ardhjen tuaj në Kosovë.Ju jeni një shembull i shkëlqyer i ruajtjes së vlerave të familjes.Populli im ka mbijetuar duke kultivuar këtë vlerë të shenjtë.Miku im, Joe, më lejoni t’ju drejtohem në emër dhe më fal nëse trazoj ndjenjat tuaja.Beau nuk mund të ishte ndryshe. Veçse një djalë i denjë i familjes së mrekullueshme Biden.Populli i Kosovës dhe unë, admirojmë forcën dhe karakterin tuaj për t’u ngritur mbi dhimbjen.Për të shikuar përtej saj, tek e ardhmja, për pasardhësit e Beau-t, Natali e Hunter. Për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të globit tonë.

I nderuar zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotëri Joe Biden.

 Siç biseduam edhe në Prishtinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Kosovës.Prandaj, edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin Beau Biden, ju lutemi ta shihni si një përpjekje të kosovarëve për të respektuar angazhimin e qindra, mijëra e miliona amerikanëve për çlirimin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj.Partneriteti mes dy vendeve tona është natyral. Ne ndajmë vlera të përbashkëta. Prandaj, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sheh aleatin e vet të përhershëm, të cilin, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka emërtuar mrekullisht si Miqësi të përhershme të dy vendeve që kanë të vendosura lidhje speciale.

 I nderuar zëvendëspresident Biden,

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpëtuar Kosovën.

Kanë mbështetur e po mbështesin rindërtimin dhe shtetndërtimin e saj.

Ne e ndjejmë se falënderimi ynë më i mirë për tërë këtë investim tuajin është ta bëjmë Kosovën një shtet të denjë për të qenë mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ne kemi shumë punë për ta arritur këtë objektiv.

Kemi edhe shumë pengesa gjatë rrugës.

Por, populli i Kosovës do t’u del ballë shtigjeve të gjata.

Ai do t’i kapërcejë pengesat dhe do ta bëjë Kosovën një vend të denjë për të jetuar secili qytetar i saj, pavarësisht përkatësisë etnike dhe pavarësisht besimit.

Populli i Kosovës i beson përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta mbështetur Kosovën.

Për zhvillimin e saj ekonomik.

Për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.

Për sundimin e rendit dhe të ligjit.

Për forcimin e demokracisë së saj.

Për të qenë faktor i stabilitetit rajonal.

Për të krijuar raporte të mira me fqinjët.

Për të forcuar subjektivitetin e saj shtetëror.

Për të qenë e barabartë në familjen euro-atlantike.

Për të qenë një rrëfim i plotë i suksesit, të cilit i gëzohen të gjithë miqtë e saj.

Siç iu gëzuan triumfit të Majlinda Kelmendit në Olimpiadë.

Për ta bërë Kosovën një shtet që sillet me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj interesave të tyre.

Një shtet që është i gatshëm të marrë dhe t’i zbatojë obligimet ndërkombëtare.

  Doktor Jill, i nderuar zëvendëspresident Joe,

 Rruga, emërimin e të cilës po e promovojmë sot, jam i bindur se do ta kthejë shpesh vëmendjen e familjes tuaj kah Kosova.Sipas traditës tonë, shtëpia e kosovarit është shtëpi e mikut të tij.Ju tashmë jeni miqtë e Kosovës.

Nuk keni nevojë për ftesë që të vini në Kosovë.

Sepse ju tashmë vini në shtëpinë tuaj.

Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme

Zoti e bekoftë familjen Biden

Zoti e bekoftë popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.

Biden-Kosove-16-e-17-gusht-2016

Filed Under: Featured, Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Joe Biden, perkrahje Kosoves, SHBA gjithmonë

Zv/ Presidenti Biden mbërrin në Prishtinë, pritet nga Thaçi

August 16, 2016 by dgreca

Zv/presidenti amerikan Joe Biden mbërriti në aeroportin e Prishtinës, ku u prit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Biden do të vijojë takimet zyrtare me Thaçin dhe kryeministrin Isa Mustafa ditën e nesërme.

Më parë gjatë ditës Biden vizitoi Serbinë, aty ku foli për marrëdhëniet ndërshtetërore, bisedimet Kosovë-Serbi dhe mbi të gjitha për një përmirësim të të gjithë marrëdhënieve në Ballkan, porosi e cila do të përcillet edhe në Prishtinë.

“E para që kemi diskutuar janë bisedimet dhe rëndësia e ecjes përpara me kujdesin e BE-së që Serbia dhe Kosova të mund të ecin para. Është e vështirë dhe nuk ka asgjë të lehtë lidhur më këtë, ka shumë histori që duhen tejkaluar. Këtë do ta them edhe në Prishtinë, por jam i bindur se ju dhe ekipi juaj mund të bëni të pamundurën”, u shpreh Biden.

Filed Under: Kronike Tagged With: Joe Biden, mberrin ne Prishtine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT