NATO-ja rikonfirmoi angazhimin e saj ndaj Turqisë, si anëtare me vlerë e aleancës 28 vendeshe, në përpjekje për të zbutur shqetësimet e Ankarasë se ajo mund të mos ketë mbështetjen e plotë të Perëndimit. Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu tha sot në një deklaratë se Turqia është një aleate e çmuar, që jep kontribut të ndjeshëm në përpjekjet e përbashkëta të NATO-s. Turqia, tha ajo, merr pjesë plotësisht në vendimet me bazë konsensusi të aleancës, tani që NATO-ja përballet me sfidat të mëdha të sigurisë, më të mëdhatë në një gjeneratë. Zëdhënësja e bëri deklaratën në përgjigje të “njoftimeve spekulative të shtypit” rreth grushtit të dështuar të shtetit muajin e kaluar në Turqi dhe rreth anëtarësisë së Ankarasë në NATO. “NATO-ja – tha ajo, – i sheh me rëndësi kontributet e vazhdueshme të Turqisë dhe Turqia mund të mbështetet te solidariteti dhe përkrahja e NATO-s”. Deklarata vjen një ditë pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Shën Peterburg të Rusisë. Takimi u bë shkak për hamendje se marrëdhëniet e forta të Turqisë me Perëndimin mund të ishin dobësuar.
Archives for August 2016
Kadetë të Ushtrisë së SHBA familjarizohen me kulturën dhe gjuhën shqipe
Nga Shefqet Kërcelli/
Në kuadër të programit të shkëmbimit kulturor dhe gjuhësor “CULP”,(Cultural Understanding & Language Proficiency), gjatë muajit korrik dhe ditëve të para të gushtit, 36 kadetë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zhvilluan vizitë në vendin tonë. Fillimisht ushtarakët miq u njohën me jetën e ushtarakëve shqiptarë dhe gjuhën shqipe në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes “Skënderbej”. Më pas ata vizituan mjediset e Batalionit të Forcave Speciale (bFS) të Forcës Tokësore. Kjo vizitë kishte për qëllim njohjen e kadetëve me misionin, detyrat dhe aktivitetet e kryera nga bFS ndër vite. Mbas një brifing të shkurtër rreth aktivitetit të bFS në vite, vecanërisht pjesmarrjen në operacionet paqeruajtëse, për nder të vizitës së miqve nga SHBA, efektivat e këtij batalioni elitë të Forcës Tokësore kryen një demonstrim stërvitor, me tematikë nga stërvitja e tyre e përditshme si dhe taktikat që aplikohen nga këto forca në misionet “Combat” si, qitje të ndryshme (transition, 5×25, precision), veprimet luftarake në qendrat e banuara, çlirim pengu, aksionet antiterror, etj. Këto demostrime luftarako-stërvitore u zhvilluan në poligonin e dhuruar për bFS nga Departamenti i Mbrojtjes dhe Ambasada e SHBA në Tiranë me vlerë 1 milion $. Ndërkohë gjatë këtyre demonstrimeve kadetët amerikanë u njohën dhe me armatimin e ri që përdoret nga bFS. Në përfundim të aktivitetit, përgjegjësi i ekipit të kadetëve amerikanë, Nënkolonel Troy Bucher, shprehu falënderimet e tij të përzemërta për pritjen e ngrohtë dhe vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Ai vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të operacioneve paqeruajtëse dhe antiterror të NATO-s. Gjithashtu nënkolonel Buher shprehu një falënderim dhe përgëzim të veçantë për trupat e bFS në performancën e treguar gjatë këtyre demonstrimeve. Në ditët në vijim në kuadër të programit shkëmbimi kulturor dhe gjuhësor, kadetët dhe instruktorë amerikanë zhvilluan vizitë në Komandën e Forcës Detare.
Të shoqëruar nga koordinatori i këtij aktiviteti për palën shqiptare, N/Kolonel Behar Mara, kadetët amerikane u pritën nga Shefi i Shtabit i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë Arsen Mullaj dhe kuadro të Forcës Detare.
Pas urimit të mirëseardhjes në Komandën e Forcës Detare, ushtarakëve miq ju prezantua shkurtimisht një pjesë e aktivitetit të Forcës Detare. Kështu, Kapiten Lejtnant Elvis Cenka, i njohu studentët me historikun, detyrat dhe misionin e saj, konceptin operacional se, si Forca Detare kryen dy misione, sistemet e mjetet në përdorim për patrullimin në det, ashtu dhe ato për vëzhgimin e hapësirës detare, organizimin e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, iniciativat dhe angazhimet rajonale në të cilat Forca Detare është pjesëmarrëse si dhe planet e së ardhmes për pjesëmarrje në misionet e reja në kuadër të NATO-s. Kadetët e rinj shfaqën interes veçanërisht mbi konceptin e funksionimit operacional të Forcës Detare “Një flotë dy misione” dhe cila është perspektiva e zhvillimit të FD në të ardhmen. Në vijim të programit kadetët amerikanë vizituan bregdetin piktoresk të Vlorës, shijuan prodhimet e detit në hotel “New York” dhe vizituan Flotiljen Detare në Pashaliman. Më pas zhvilluan një lundrim në ishullin e Sazanit ku u njohën me këtë mrekulli natyrore të shqiptarëve. Para largimit nga Shqipëria kadetët amerikanë vlerësuan mikpritjen e ushtarakëve shqiptarë dhe pasuritë turistiko-historike të vendit tonë.
Buzëqeshja kozmike e një gjeologu të shquar
Duket si befasues titulli i librit të ri të profesorit-gjeolog Hazbi M.Shehu: “Buzëqeshi jetës”! Në kopertinë figuron madje edhe një trëndafil i kuq, metaforë e ngjyrave të simbolit tonë kombëtar, por edhe simbolikë dhe paralajmërim i asaj çfarë të pret kur nis të shfletosh faqet e librit. Mesazhi i Profesor Shehut është i drejtpërdrejtë: me punë të vështirë e plot pasion në shërbim të shoqërisë dhe të përparimit, vjen gëzimi, vijnë buzëqeshjet dhe poezia.
Tek nisa të lexoj librin e Hazbi M.Shehut, m’u desh të përballesha me ndjesinë e të panjohurës, e cila buron nga fakti se nuk njihesha personalisht me autorin dhe nuk kisha lexuar më parë asgjë nga krijimtaria e tij. Por Profesor Shehu ja bën të lehtë çdo lexuesi zbulimin e mesazheve dhe të qëllimit fisnik që e shtyu të ulet për të hedhur në letër mendimet e tij, pas një jete të gjatë plot punë e pasion prej gjeologu.
Pak faqe pasi ke nisur të lexosh, fillon të marrësh me mend gëzimin që ndjen zbuluesi i pasurive të nëntokës, që vijnë si rezultat i punës së tij, i studimit të palodhur. Të duket sikur i sheh duart e tij të mbushen ethshëm nga ari i zi – nafta – që sapo shpërthen nga nëntoka ku ka qëndruar miliona vjet e fjetur.
Por e shkuara në librin “Buzëqeshi jetës”, qëndron e lidhur fort me të tashmen, me jetën e profesor Shehut, në një kontekst krejt tjetër nga ai maleve, hartave dhe çekiçit të punës së gjeologut. Në fakt libri nis me një reflektim shumë më të gjerë sesa profesioni i Hazbi M. Shehut. Një trajektore e gjatë ku ndërthuret filozofia me shkencën, kozmosin, fillesën dhe kuptimin e jetës në Tokë, atdheun, përjetimet personale dhe ndjesitë më private për njeriun, ku më e para qëndron dashuria për nënën dhe kujtimin e saj.
Qysh në parathënien e librit, autori na paraqet se ka ndërmend të marrë një sfidë të vështirë. Ai thotë se “jam përpjekur të shpreh egzistencën, lëvizjen dhe transformimin e materies së paraqitur në të gjitha format e saj në përgjithësi dhe të qenieve të gjalla në veçanti”.
Siç shihet, profesor Shehu e ka vendosur shumë lart “stekën” në materialin që i ofron lexuesit. Në 300 faqet që pasojnë, ai ja ka arritur në mënyrë të admirueshme të kombinojë dilemat e mëdha egzistenciale, me përjetimet më të thjeshta të jetës së përditshme, analizimin e fenomeneve më të mëdha të natyrës, me skutat më private e në dukje të parëndësishme të shpirtit njerëzor. Nuk është e rastit që brenda një vepre të qëndrojnë afër njëri-tjetrit, kapituj ku flitet për arsyet që i shtyjnë banorët e Nju Jorkut që të shetisin të shoqëruar nga qentë, me trajtesa të një natyre krejt të ndryshme, siç janë ato të të drejtave të shqiptarëve. Apo kur ngjarjet e moshës së re në qytetin e gurtë të Beratit, ja lenë vendin përsiatjeve për forcat që venë në lëvizje Universin, yjet dhe planetet.
E njëjta gjë vlen edhe kur ai prek tema të një dimensioni madhor, siç është lëvizja e kontinenteve apo formimi i vullkaneve, duke i trajtuar njëherësh me dramat personale apo familjare të specialistëve të naftës, nën diktaturën komuniste të pasluftës së Dytë Botërore.
A kishin faj inxhinierët e Institutit Gjeologjik të Naftës, që u burgosën si sabotatorë e armiq, pyet Hazbi M. Shehu. Dhe po vetë na e jep të qartë përgjigjen: …Sabotimi ka qenë i pamundur…jo vetëm unë, por edhe gjithë punonjësit e Institutit Gjeologjik të Naftës e dinë mirë se ata nuk ishin armiq. L.Nashi, B.Alia, P.Murataj, Th.Nasto etj ishin komunistë dhe familjet e tyre ishin të lidhura me partinë që në fillim. Më tej ai shton: Unë kam qenë bashkëpunëtor me ta në punë, në terren, në përpunimin e materialit…ata ishin njerëz të kulturuar dhe të edukuar…si mundet një njeri i dashuruar pas profesionit të tij, ta denigrojë, ta poshtërojë zanatin e vet?!
Siç shihet, autori ka arritur t’i mbajë këto nocione krejt të largëta mes tyre në hapësirë dhe në kohë, të lidhura nga filli i përjetimeve të tij për gjithçka që e rrethon, për gjithçka që ka qenë, që është apo që nuk është më. Ky është dhe aspekti që e bën të veçantë librin “Buzëqeshi jetës”, i cili është konceptuar me mjeshtëri nga Profesor Shehu si një rrugëtim, ku lexuesi hap njërën pas tjetrës dyer që e çojnë në botë krejt të ndryshme.
***
Hazbi M.Shehu i përket atij brezi të specialistëve shqiptarë që i bënë “radiografinë” tokës tonë. Ai i përket gjithashtu gjeneratës që u bë pararoja e zhvillimit ekonomik që e nxorri Shqipërinë nga gjendja gjysëm-feudale, gjatë gjysëm së dytë të shekullit të 20-të. Asnjëherë më parë Shqipëria nuk kishte pasur një elitë ekspertësh të përgatitur dhe të aftë për të shfrytëzuar pasuritë e mëdha të nëntokës – naftën, gazin, kromin, bakrin e dhjetra minerale të tjera të dobishme për progresin ekonomik të vendit.
Ky brez specialistësh të rinj e të devotshëm shpërfillën kushtet e vështira në të cilat ndodhej Shqipëria e kohës, ata shkelën mbi privacionet, paragjykimet dhe mungesat e panumërta. Ishte një kohë kur idealizmi sfidonte prapambetjen, ideologjitë dhe paragjykimet. Ngritja graduale e ekonomisë dhe industrisë kombëtare kanë vulën e sakrificave të panumërta të specialistëve si Profesor Shehu, të cilët vunë dijet e tyre në themelin e një epoke që, megjithë kufizimet e mëdha, solli progres e zhvillim ekonomik.
Gjeologjia është një profesion i vështirë për t’u përvetësuar dhe ushtruar. Më mirë se kushdo këtë e di Hazbi M.Shehu. Ai dhe moshatarët e tij bënë që gjeologjia shqiptare t’i japë vendit miliona e miliarda në të ardhura financiare. Nuk e teprojmë nëse themi sot, se gjeologët arritën t’i kthejnë thesaret e nëntokës, në lokomotivën e zhvillimit të vendit. Kontributi i tyre vazhdon të mbetet sot edhe i panjohur, edhe i shpërfillur nga një shoqëri sipërfaqësore, ku peshë ka forma, e jo përmbajtja.
Në sajë të angazhimit të këtyre specialistëve, u bënë të mundura zhvillimi i degëve të tëra të ekonomisë, lindën profesione të reja, u krijuan në hartë qytete të reja dhe u punësuan dhjetra mijë njerëz në të gjithë territorin e vendit. Gjeologjia shqiptare ja ndryshoi një herë e mirë faqen tokës shqiptare, duke transformuar edhe njerëzit, raportet sociale, mënyrën sesi ata e shihnin botën. Shqipëria hyri në hartën botërore të nxjerrjes dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore, e ky ishte shpërblimi më i madh i punës pasionante të gjeologëve, minatorëve e specialistëve të tjerë të nëntokës.
Libri “Buzëqeshi jetës” niset nga këto premisa bazë, për të hedhur disa mesazhe qëndrore, herë të pasqyrimit të natyrës së thellë njerëzore, herë të meditimit filozofik e herë të refleksioneve e kujtimeve që lidhen me ngjarje konkrete. Profesor Shehu ka ditur të jetë analitik pa qenë i tejzgjatur, ka ditur të ngacmojë, pa qenë deklamativ, ka ditur të përçojë ide dhe ndjenja, pa qenë kurrsesi i mërzitshëm e përsëritës në ato që shkruan.
Në rreshtat e librit të tij ndjehet pulsi akoma i gjallë i njeriut të punës, i ekspertit të nëntokës, i shqiptarit që sheh dhe që vuan. Një gjendje melankolie e dëshpërimi përshkon paragrafet dhe faqet ku Profesor Shehu flet për gjendjen e sotme të industrisë minerare. Është në fakt një qëndrim i dyzuar i autorit, teksa analizon të sotmen, duke e vendosur në antitezë therëse me të djeshmen. Vendburime nafte e gazi, miniera e qendra përpunimi të mineraleve, dikur faktorë me peshë vendimtare në ekonominë shqiptare, sot ose heshtin, ose janë kthyer në vatra zemërimi e zhgënjimi për punëtorët që ende vijojnë aty punën. Tjetërsimi dhe rënia në duar amatorësh e spekulantësh, i kanë transformuar ato në vatra të shuara zjarri, që nxijnë në vend që të përhapin dritë dhe ngrohtësi.
Janë braktisur objektet, galeritë dhe puset, janë braktisur gjithashtu edhe njerëzit që i krijuan ato. Ndërrimi i sistemit, në fillim të viteve ’90, i përmbledhur në termin e shumë abuzuar “tranzicion”, ka sjellë largimin e një numri të madh ekspertësh të nëntokës, të cilët e kishin shkelur, vrojtuar dhe studiuar atë në të gjitha anët e vendit. Libri i Profesor Shehut është një elegji e spikatur e kësaj drame shumëvjeçare, gjatë të cilës u bjerrën vlera, u harruan investime shumëvjeçare në përvojë e ekspertizë. Mesazhi i autorit të librit është se këto figura të shkencës shqiptare mund të japin ende edhe sot kontribute, megjithë moshën e thyer dhe flokët e bardha. Sepse sipas tij, shkëputja e “zinxhirit” të brezave, lënia në hije dhe pa punë e të “vjetërve”, madje pa e mbushur as moshën e pensionit, është një sfidë jo vetëm ndaj të shkuarës, por edhe ndaj të ardhmes.
Një minierë mund të vihet në funksion edhe brenda një pesëvjeçari, por për të përgatitur një inxhinier të zotin, duhet më tepër kohë. Autori i librit ve re me keqardhje: “në kohën e tanishme, qeveria shqiptare po e shet nëntokën tonë, burimet e naftës, gazit, kromin dhe bakrin. Drejtuesit e sotëm të shtetit duken të painteresuar për pasuritë kombëtare, të zbuluara e të pazbuluara akoma. Specialistët dhe skencëtarët tanë bredhin nëpër botë dhe ju shërbejnë të huajve”. Më tej ai vazhdon: “Këta që po drejtojnë gjatë këtij tranzicioni, nuk kanë punuar asnjë ditë në sektorin e naftës, prandaj edhe nuk e vlerësojnë si duhet”. “Ata e kanë lëshuar naftën tonë në duart e firmave të huaja, që shohin vetëm interesat e veta. Këto firma punojnë me shifrat dhe hartat tona, marrin prodhimin dhe pastaj nuk paguajnë (shpesh herë) as taksën që i detyron ligji sipas kontratës”. “Unë që po shkruaj kështu, jam autor i zbulimit të disa vendburimeve të naftës dhe të gazit në Marinëz, Bubullimë, Kolonjë, Cakran etj. Unë i kam rënë kryq e tërthorë gjithë territorit tonë. Prandaj më dhemb në shpirt kur shoh të shpërdorohen këto pasuri”, shprehet Profesori.
Specialisti me një karrierë dyzetetetëvjeçare në kërkim të mineraleve të dobishme, mbajtësi i kumtesave shkencore në disa universitete të Europës dhe Amerikës, udhëheqësi i dizertacioneve të dhjetra të rinjve universitarë, i bën thirrje rinisë së sotme të mësojë dhe të mos vrasë kohën kot, sepse vetëm atëhere mund të bëhen të vlefshëm për veten dhe vendin. Vetëm kështu mund ta bëjnë tokën “të flasë”, edhe shkëmbinjtë të hapin portat e thesareve.
Në librin që kemi përpara, shkencëtari i shquar shtron një pyetje që sot u intereson shumë lexuesve në Shqipëri e jashtë saj: A ka perspektiva vendi ynë për shtimin e vendburimeve të naftës e gazit?
Përgjigjen s’mund ta japë kush tjetër, më mirë se vetë Hazbi M.Shehu: Një “Po” e madhe! Ja si shprehet ai:
– Unë e shoh si detyrën time, të shpreh besimin e plotë për perspektivën që na pret. Madje jo vetëm për naftën e gazin. Unë kam punuar gjithmonë në terren dhe siç e kam thënë edhe në shkrime të tjera, në vendin tonë egzistojnë rezervuare të tëra naftëmbajtëse, jo vetëm në brendësi të territorit, por edhe në brezin detar. Po kjo mund të thuhet edhe për mineralet e tjera të dobishme. Duhet vetëm vëmendje, aftësi dhe patriotizëm!
Libri i Hazbi M.Shehut mund të konsiderohet jo vetëm si një manual i vlefshëm për kërkuesit e mineraleve, por edhe si një guidë e vërtetë e patriotizmit dhe dashurisë për Shqipërinë e shqiptarët. Të dyja këto, profesionalizmi dhe përvoja e shkencëtarit dhe në anën tjetër, vetëdija atdhetare e shqiptarit që merakoset për vendin e tij, janë dy shtylla që Profesor Shehu ka ditur t’i ngrejë dhe t’i mbajë në balancë gjatë gjithë librit “Buzëqeshi jetës”.
Në aspektin thjesht profesional, libri i Profesor Shehut sherbën edhe si një doracak i çmuar për ata që punojnë në sektorin e naftës dhe të gazit. Autori e ndan territorin e Shqipërisë në rajone të shkallës së parë, të dytë dhe të tretë, duke adresuar dhjetra zona naftë dhe gaz mbajtëse, si dhe duke saktësuar thellësitë e çpimit në çdo zonë. (fq.140)
Profesor Hazbi M. Shehu është një intelektual që e njeh botën. Ai nuk ka shëtitur si një vizitor i thjeshtë me aparat fotografik dhe hartën turistike ne xhep, por e ka shfrytëzuar kohën dhe hapësirën, për të krijuar imazhin e tij mbi botën, por edhe për të zgjeruar eksperiencat e tij profesionale. Profesor Shehu ka krijuar një perceptim të saktë mbi emigracionin shqiptar, sidomos brezin e shqiptarëve që emigruan pas viteve ’90 në shumë anë të botës. Vlen të përmendet fakti se njohja nga afër e jetës në vende të ndryshme dhe problemet me të cilat ndeshen emigrantët, e kanë nxitur autorin që të japë edhe disa gjykime interesante në libër.
E para gjë që bie në sy, teksa lexon mendimet e profesorit, është se atij nuk ja kanë errësuar aspak gjykimet shkëlqimi i universiteteve ku ka shkelur e ku ka dhënë leksione. As ndriçimet vezulluese të aeroporteve e qyteteve të mëdha ku ka udhëtuar e jetuar, nuk e kanë bërë më indiferent e shpërfillës për vendin e tij, siç ka ndodhur jo rrallë me një numër specialistësh apo edhe njerëzish të thjeshtë, që janë larguar prej vitesh nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë.
Hazbi M. Shehu ndjehet krenar që është shqiptar, kudo që ka jetuar dhe punuar. Ai jeton, mendon dhe merr frymë si shqiptar patriot. Në librin e tij, ai kujton me mall vendlindje, Teknikumin “7 nëntori”, shokët e miqtë e tij, pedagogun e tij të paharruar Gjergj Canco, rrugicat e vjetra të Tiranës, lagjet e gurta të Beratit ku lindi. Gjithçka rri e gjallë në kujtesën e tij, edhe kur ndodhet përpara një hoteli luksoz të Nju Jorkut.
Në një moment, i ndodhur në mesin e luksit e zhurmës së metropolit perëndimor, ai ëndërron: Ah sikur të vinte një pëllumb e të më sillte një ftesë për në Shqipëri! Simboli i zogut që sjell lajme të mira, është parandjenja e një lajmi nga vendlindja. Një lajm i cili një ditë erdhi. Ish-shokët e tij të klasës, i dërguan një ftesë për një takim në Tiranë, me rastin e 30 vjetorit të gjimnazit “Qemal Stafa”. Ajo ftesë ka lënë kujtime të paharruara tek profesor Shehu: “Gati të gjithë shokët e mi të klasës erdhën në atë takim dhe shumica prej tyre na treguan se kishin kryer shkollën e lartë, madje kishin marrë edhe tituj e grada shkencore…Secili prezantoi profesionin e tij. Disa prej tyre i kishin kryer studimet jashtë shtetit…Gjatë atij takimi, ashtu siç e kanë zakon të rinjtë, kujtuam edhe rregullat e forta dhe kërkesat e larta të pedagogëve, të cilët na dukeshin të rrepta, por që, më vonë, e kemi ndjerë se ato rregulla e kërkesa na ndihmuan në jetë, na përgatitën për të përballuar detyrat”.
Duke marrë shkas nga ai takim dhe nga bisedat me ish-bashkëpunëtorë e nxënës të tij, që tashmë kanë marrë rrugët e emigracionit, profesor Shehu e sheh largimin e të rinjve nga Shqipëria, si një plagë të rëndë, madje si një fatkeqësi kombëtare. Këta “gurë të çmuar”, në mjaft raste sigurojnë një të ardhur financiare për veten e tyre, por në të njëjtën kohë, paguajnë një çmim të madh: Ata vuajnë dhe do të vuajnë tërë jetën largimin e tyre nga mëmëdheu, nga njerëzit e tyre të afërt, nga shoqëria e fëmijerisë.
Ndonjëherë ata mblidhen dhe këndojnë këngë shqiptare, por ajo është tashmë një Shqipëri që e kanë braktisur. Në letërsinë tonë të vjetër dhe të re, në letësrinë e shkruar apo në folklorin tonë, nuk mund të gjendet as edhe një këngë e vetme apo poezi, ku të mos ndjehet vaji për kurbetin.
***
Studiuesi i pasionuar Hazbi M. Shehu është autor i shumë shkrimeve me karakter shkencor, në fushën e profesionit të tij – gjeologjisë. Edhe libri i tij i fundit (që urojmë të mos mbetet i tillë), i shtohet fondit të kontributeve të vyera që ai ka dhënë, për njohjen e nëntokës shqiptare. Këto kërkime do të mbeten një investim i çmuar edhe për brezat e ardhshëm, që do të kërkojnë të dinë për pasuritë e vendit të tyre.
Siç e përmendëm edhe në fillim të këtyre shënimeve, libri “Buzëqeshi jetës”, ka një mesazh të madh për ata që e marrin në duar. Ai është një himn për kujtesën, për të mos harruar dhe për t’i dhënë vendin që u takon kontributeve madhështore të brezave të tërë të specialistëve shqiptarë, të mjeshtrave dhe ekspertëve që ditën të vendosin gurët e themelit, në projektin e Shqipërisë moderne.
Përvoja e baballarëve dhe gjyshërve nuk është një relike e bezdisshme që i ka “zënë rrugën” brezave më të rinj. Ajo është një gur kilometrik që na provon sot e gjithë ditën se ky vend mund të bëhet, se jeta shqiptare nuk është vetëm kaos, keqqeverisje, korrupsion, krim dhe pesimizëm. Rinia duhet të kthejë kryet pas, për të parë atë pjesë racionale të punës dhe përpjekjeve të baballarëve e gjyshërve të tyre, të cilët zhdukën analfabetizmin, elektrifikuan vendin, ngritën ekonominë, investuan në shkencë e në art e kulturë, zhdukën sëmundjet dhe epidemitë, duke u përpjekur të shkelin mbi privacionet dhe vështirësitë nga të më ndryshmet. Brezi që sot po tërhiqet në emër të ligjeve të hekurta të natyrës, ka megjithatë shumë për t’i thënë pasardhësve të tij.
Lexoni librin e profesor Hazbi M. Shehut dhe do ta kuptoni më së miri këtë. Sepse siç e thotë proverbi i vjetër latin: E shkruara mbetet, fjalët i merr era!
Skënder Minxhozi
Tiranë, më 9 korrik 2016
AMBASADORJA TEUTA SAHATÇIJA, KONSULLE E PËRGJITHSHME E KOSOVËS NË NJU JORK, VIZITOI VATRËN
Bronks, NY, e Mërkurë, 10 Gusht 2016- Sot në mesditë ambsadorja Teuta Sahatçija, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, e shoqëruar nga Konsulli Fatmir Zajmi, ishte mysafire në Vatër. Diplomatja e re u pritë nga Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj i shoqëruar nga zonja Nikoleta, anëtarët e Kryesisë së Vatrës z. Marjan Cubi i shoqëruar nga zonja Dila, Mithat Gashi, nga anëtari i Këshillit të Vatrës Zef Balja, Zef Përndocaj, Kryetari i të Rinjëve të Vatrës Saimir Dashi, anëtar i Këshillit të Vatrës, si dhe nga editori i Gazetës Dielli, anëtar i Kryesisë së Vatrës, Dalip Greca. Takimin e ndoqi dhe gazetari i Komunitetit Beqir Sina.
Në fjalën e mirëseardhjes Kryetari Buçaj, tha se ishte kënaqësi dhe privilegj që e priste Konsullen e përgjithshme të Republikës së Kosovës , ambasadoren Teuta Sahatçija në Selinë e Vatrës. Ai tha se Vatra ndjehet mirë që ka marrdhënie të ngushta me diplomatët e shtetit të Kosovës, të cilët pa përjashtim, ndër vite e kanë vizituar Vatrën dhe kanë bashkëpunuar me të. Më pas dr. Buçaj i njohu mysafirët me ecurinë e veprimtarive të Vatrës, qëndrimet e saj dhe fokusimin në Çështjen Kombëtare. Ai tha se brezi i tanishëm që drejton Vatrën e ka obligim që ta ruaj këtë thesar Kombëtar, dhe të mos ia prishë imazhin historik . Ne, theksoi z. Buçaj, e kemi për detyrë që ta përciellim misionin e Vtarës tek brezi i ri. Është kjo arsyeja që po i kushtojmë kujdes aletrnimit të moshave në radhëte Vatrës; po ruajmë frymën tradicionale përmes vatranëve të vjetër, dhe po anëtarësojmë edhe të rinj. Sot kemi këtu edhe përfaqësuesion e të rinjëve të Vatrës, z. Saimir Dashi. Për Vatrën, ka rëndësi Çështja Kombëtare. Prandaj u kemi bërë apel dhe partive politike në Shqipëri dhe Kosovë që për çështjet madhore kombëtare dhe ato që kanë të bëjnë me demokracinë,forcimin e saj, të bashkëpunojnë.
Më pas dr. Buçaj trajtoi me detaje bashkëpunimin e Vatrës me Konsullatën e Kosovës, veçanërisht për shkollat shqipe, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës Kombëtare.
Ambasadorja Teuta Sahatçija , tha se ndjehej e emocionuar në këtë sallë, ku historia e shqiptarëve të Amerikës, të dikton respekt për Vatrën e vatranët dhe për të gjithë shqiptarët e Amerikës. Ju, tha ajo, keni luftuar për një shekull për të mbrojtur Kombin, veçanërisht në vitet ’20 për mbrojtjen e territoreve shqiptare, bëtë për vete Amerikën, që me presidentin Wilson,Klinton. Bush, dhe vazhduat te kontribuoni po kështu edhe kur ishit të izoluar nga Atdheu, luftuat pa kompromis edhe kur ra komunizmi, siç luftuat edhe për Lirinë e Kosovës. Që këndej nga Amerika erdhën ndihmat, erdhën djemtë luftëtarë,erdhën aeroplanët e NATO-s, erdhën armë, por sot ne nuk presim nga ju që të na dërgoni armë, por kemi nevojë që së bashku të luftojmë fort, të bashkuar, për të përcjellë imazhin real të Kosovës, jo atë imazh që turbullojnë bombat tymuse dhe gazi, që e turbullojnë pamjen, por për pamjen reale, atë vitale të Kosovës. Së bashku ne duhet t’i kundërvihemi propagandës ofensive denigruse dhe dezinformuse që bën shteti i Serbisë me aleatët e saj, kundër shtetit më të ri. Është “sukses” i politikës dezinformuse të Serbisë ndalja e njohjeve të reja të shtetit tonë, siç ishte edhe ofensiva agresive kundër pranimit të Kosovës në UNESCO. Përcjellja e imazhit real të Kosovës me arritjet e saj tek kongresmenët, senatorët, tek të gjitha nivelet e politikës dhe ekzekutivit amerikan, nga ato lokale deri në Washington, mbetet detyrë e jona e përbashkët. Duke u ndalë tek suksesi që arriti Majlinda Kelemndi në Lojërat Olimpike Rio 2016, e emocinuar, ambasadorja tha: Majlinda na nderoi duke e ngritur Flamurin e Kosovës mbi të tjerët, ç’ka tregon se ky vend i vogël, ka me çfarë të krenohet. Po ne duhet ta shfrytëzojmë më mirë shembullin e Majlindës, ashtu siç duhet të shfrytëzojmë edhe famën e artsiëtve tanë si: Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa, apo tenorët e talentuar që pushtojnë sallat moderne të muzikës amerikane e botërore. Ne, tha ambasadorja Sahtçija, duhet ta ngremë imazhin e Kosovës edhe me këtë rast.
Duhet të jemi të bashkuar, porositi ambasadorja. Kundër Kosovës punohet shumë, veçanërisht duke e identifikuar atë me terrorizmin dhe islamin radikal, me ISIS-in. Tendenca për ta barazuar Kosovën me Sirinë për rrezikshmërinë e terrorizmit, është dashakeqase. Duke i amplifikuar rastet e përfshirjes të qytetarëve të Kosovës në shtetin Islamik, dhe duke bërë krahasime me numrin e popullsisë, tentohet të përmbyset imazhi pozitiv dhe demokratik i Kosovës. Nga njëra anë Kosova anatemohet dhe sulmohet nga qarqe të caktuara, nga ana tjetër nuk pranohet anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL! Kjo është e papranushme. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol, do ta bënte më të lehët luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit. Megjithatë, tha ajo, duhet të ndajë me ju lajmin e mirë, se- që nga Shtatori, nuk ka as edhe një rast të përfshirjes të qytetarëve kosovarë në ISIS.
Më pas u diskutua edhe për problemet për të vërtetat e demarkacionit dhe për tymnajën që endet nga segmente ta caktaura radikale, që amplifikojnë të pavërteta.
Gjatë takimit e morën fjalën edhe Konsulli Fatmir Zajmi, anëtari i kryesisë së Vatrës Mithat Gashi, Zef Balaj, Marjan Cubi, Zef Përndocaj,Dalip Greca etj.
Në fund të takimit ambasadorja Teuta Sahatçija shkroi në librin e vizitorëve në VATER :”U ndjeva shumë e emocionuar, e lumtur, që sot pata privilegjin të jemë në zyrat e këtij Institucioni Mbarëkombëtar, që ka dhënë aq shumë për shqiptarët me punën e vet shembullore në ndihmë të Kombit.
Falenderoj z. Buçaj dhe ët gjithë bashkëpunëtorët e tij në këtë takim, të cilët e bënë aq të veçantë këtë vizitë dhe më mbushën me shpresë për punën që do të bëjmë në të ardhmen, duke u mbështetë edhe tek kaluara e lavdishme.”
Ambasadore Teuta Satçija
Konsulle e Përgjithshmee Republikës së Kosovës në Nju Jork
NY, 10 Gusht 2016.
(Korresp. i Diellit)
Takimi i sulltanit të Turqisë me carin e Rusisë
NGA FRANK SHKRELI/
Këtë javë u takuan në Shën Petersburg – kryeqyteti i carëve të Rusisë — Presidenti rus Vladimir V. Putin dhe Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan për të biseduar mbi përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike midis dy vendeve, si dhe mbi gjëndjen në Siri, ku të dy vendet luajnë rol kyç në atë konflikt. Duke marrë parasyshë se deri këtë javë marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Moskës konsideroheshin si tepër të acaruara, si rrjedhim, ky takim u cilësua nga media dhe analistët ndërkombëtarë si një takim i papritur që habiti të gjithë, për kohën në të cilën u mbajtë, menjëherë pas grusht-shtetit të dështuar në Turqi. Por, megjithëkëtë ishte një takim që sipas presidentit rus Putin, “kishte një rëndësi të veçantë për fatin e marrëdhënieve ruso-turke”, ndërkohë që megjith armiqësitë e deritanishme midis tyre, gjatë një konferencë me shtypin ai iu referuar vazhdimisht Erdoganit si, “mik i dashur”. Ndërsa udhëheqsi turk u shpreh se takimi në Shën Petersburg me presidentin Putin do të forcojë marrëdhëniet ekonomike dhe politike, ndërkohë që të dy u zotuan se janë gati të rivendosin të ashtuquajturin “boshtin e miqësisë” midis dy vendeve të tyre.
Ky takim u mbajtë gjithashtu në një kohë kur marrëdhëniet e Moskës dhe të Ankarasë me vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se janë keqësuar në mënyrë të dukëshme. Aneksimi i Krimesë nga Rusia ka shkaktuar më heret venjen e sanksioneve kundër Moskës nga vendet perëndimore, ndërkohë që në lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe ushtarake në Turqi nuk kanë munguar kritikat e udhëheqësve perëndimorë ndaj burgosjes dhe spastrimit në masë të dhjetëra mijëra ushtarakëve, zyrtarëve civilë dhe gazetarëve turq, si rrjedhim i grushtshtetit të dështuar në atë vend. Nga ana e tij, presidenti Erdogan ka kritikuar reagimin e vendeve perëndimore ndaj përpjekjeve për grusht-shtet në Turqi. Të dy vendet, Rusia dhe Turqia, për shkak të politikave të tyre autoritare, sipas analistëve, janë të izoluara në nivel rajonal dhe ndërkombtar.
Por kur diktatorët — për arsye të politikave të tyre të mbrendshme dhe ndërkombëtare — e ndjejnë veten të izoluar sidomos në fushën diplomatike, megjithë kundërshtimet dhe armiqësitë midis tyre, ata gjejnë mënyra dhe përpiqen t’i tregojnë botës së në të vërtetë nuk janë të izoluar – se ata kanë njëri tjetrin dhe kanë mbështetjen e njëri tjetrit. Si të tillë, ata nuk çajnë fortë kokën ndaj kritikave që mund tu bëhen nga jashtë politikave të tyre të mbrendshme ose të jashtme, as për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe as për shtypjen e lirisë së fjalës dhe të medias.
Ky është edhe vlerësimi i takimit Putin-Erdogan të martën, nga shumë analistë ndërkombëtarë. Ata thonë se të dy këta udhëheqës kanë shumë gjëra të përbashkëta – mbi të gjitha, mënyrën autoritare të qeverisjes, ndërkohë që të dy këta nuk kanë fshehur aspak admirimin, ndjenjat dhe ambiciet nacionaliste dhe imperialiste për historinë e kaluar të vendeve të tyre. Nuk është sekret se bazuar në politikat e ndjekura gjatë disa viteve të kaluara, Putini dhe Erdogani dëshirojnë të rivendosin atë që ata e konsiderojnë si “madhështinë” e së kaluarës historike të kombeve të veta, në kurriz të kombeve të tjera dhe kundër vullnetit të tyre: Putini dëshiron të rivendosë influencën ruse mbi ish-vendet e orbitit komunist sovjetik, ndërsa Erdogani synon përhapjen e influencës fetare, kulturore dhe ekonomike të Turqisë në rajonet që dikur ishin të pushtuara nga perandoria osmane, në përpjekje për të ringjallur perandorinë osmane.
Por, ëndërrat e Putinit për të rikapur influencën e perandorisë komuniste sovjetike dhe ambiciet e Erdoganit për të ripushtuar ekonomikisht dhe fetarisht pjesë të Europës lindore që dikur sundoheshin nga perandoria osmane — përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën — shikohen si shënja tepër shqetësuese nga politika perëndimore. Konsiderohet se Turqia nën udhëheqjen e presidentit Erdogan dhe Rusia e Putinit po shkojnë drejtë krijimit të regjimeve gjithnjë e më autoritare mbrenda vendit po se po, por edhe në relacion me vendet e tjera të rajonit, gjë që kërcënon paqën dhe sigurinë rajonale.
U tha se në takimin ruso-turk në Shën Petersburg u bisedua gjithashtu edhe mbi çështje të mbrojtjes dhe mbi çeshtje europiane, por nuk u dha ndonjë hollësi se cila mund të ketë qenë përmbajtja e bisedimeve mbi këto çështje.
Nuk ka asgjë sekrete rreth ambicieve të Rusisë së Putinit dhe Turqisë së Erdoganit se duan që me çdo mjet të rivendosin influencën e tyre, sidomos në në vendet e Ballkanit Perëndimor. Turqia përpiqet të rivendosë “madhështinë” osmane në vendet me shumicë myslimane si në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë, ndërkohë që Rusia nga ana e saj ka vazhduar të përkrahë politikisht dhe ekonomikisht Serbinë dhe serbët e Bosnjës. Me përpjekjet e tyre diplomatike, si Rusia ashtu edhe Turqia, po përpiqen ta paraqesin veten para udhëheqsve politikë të rajonit të Ballkanit, si partnerë të pazëvendsueshëm ekonomikë dhe gjeopolitikë në përgjithsi. Kjo është e qartë nga politika e këtyre dy vendeve ndaj Ballkanit Perëndimor gjatë viteve të fundit. Sidomos kohët e fundit vihet re një rritje e aktiviteteve të ambasadave ruse dhe turke në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat duket se kanë bërë përpjekje të dukshme për të rritur nivelin e propagandës së tyre në krahasim me të kaluarën, në orvatje që duke angazhuar dhe duke siguruar mbështetjen e politikanëve, të influencojnë jo vetëm politikën por edhe median vendase, në një nivel të pa parë deri tani.
Ndërkaq, mbetet për tu parë nëse takimi Erdogan-Putin në Shën Petersburg të martën që kaloi, ishte një manovër e përkohshme politike e dy udhëheqsve apo një partneritet strategjik afatgjatë midis dy vendeve të tyre. Por një gjë është e sigurt. Rivaliteti historik midis Rusisë dhe Turqisë në rajonin e Ballkanit Përendimor — pa marrë parasyshë nëse u arrijtë gjë ose jo në takimin Putin-Erdogan — do të mbetet siç ka qenë gjithmonë historikisht. Është në dorë, sidomos të dy shteteve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës) që të zgjedhin alternativat: Përendimin apo politikat autoritare të Erdoganit e Putinit.
Si me të gjitha kombet e tjera, Shqiptarët kanë nevojë për marrëdhënie të mira të një respekti të pëbashkët me popullin turk dhe me popullin rus, por jo me carët dhe sulltanët modernë të cilët kanë kërkuar haptas rishkimin e historisë dhe të cilët kanë venë në pikëpyetje madje edhe identitetin kombëtar të shqiptarëve. Gjatë historisë, carëve dhe sulltanëve, shqiptarët ua kanë ngrënë çorbën, duke u parë sherrin me pasoja katastrofike, të cilat shihen kudo edhe sot nepër trojet e përçara dhe të ndara shqiptare.
- « Previous Page
- 1
- …
- 43
- 44
- 45
- 46
- 47
- …
- 79
- Next Page »
