• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2016

MIRËNJOHJA, VEÇORI NJERËZORE

September 28, 2016 by dgreca

Nga TAJAR  DOMI*/

Shpesh kemi dhënë mendime, nga më të ndryshmet, duke mbrojtur secili prej nesh idetë e tij lidhur me mirënjohjen si veçori te karakterit individual, por edhe familjar,  të jetës në komunitet e më gjërë. A janë të gjithë njerëzit mirënjohës, të asaj çfarë marrin apo përfitojnë në rrugë të ndryshme ( jo vetëm financiare), dhe a duhet të harrojnë ato gjëra apo sjellje të të tjerëve, të cilat i kanë bërë ata që të ndjehen më të qetë, më të lehtësuar, më me krahë e  më të fuqishëm në jetën e tyre? A duhet të jetë njeriu mirënjohës, dhe a duhet ta shpreh mirënjohjen në një mënyrë a një tjetër? A duhet që t’ja kërkosh tjetrit mirënjohjen çdo ditë apo javw, edhe për dicka që ti e ke bërë pasi ke pas mundësi ta besh duke mbrojtur edhe ecurinë e punës apo bisnesit tënd? Kështu, mund të rendisim shumë pyetje të tilla. Secili, mund të jap përgjigje të ndryshme, varësisht me atë çfarë jeta i ka provuar . Gjithashtu, jemi të njohur me shprehje të tilla si: “Bëje të mirën, hidhe ne det se të del në tokë “,  “ Mos prit të të kthehet prej atij që i ke bërë një të mirë”, “ E mira shpërblehet me të keqe”,   etj.  Pra , të tilla shprehje  e vlerësojnë ndihmën, mbwshtetjen që duhet të japim gjatë jetës për njeri – tjetrin, me mënyra të ndryshme, e duke mos e menduar që do ta kesh mirënjohjen e menjëhershme për to. Ndërsa shumë thënie të tjera, të fusin në mendime, pasi sipas tyre,  në se e bën një nder apo një të mirë ndaj dikujt, mund të të shpërblehet me një të keqe. Te dya variantet qwndrojnë, dhe mbrojtësit e tyre mund të sjellin plot raste për të provuar variantin që mbrojnë. Por unë mendoj, se më së shumti, jeta  tregon se mirënjohja pwrbën një vlerë të shtuar në karakterin dhe moralin e secilit. Sigurisht, kjo është e varur jo vetëm me personin, përfshi edhe origjinën e tij, por edhe me kohën e shumë rrethana të tjera .  Kështu, ndoshta edhe opinioni i përgjithshëm sot, është me mendimin, se ashtu si shumë gjëra të tjera  që lidhen me shoqwrinë e sotme njerëzore, kanë ndryshuar, edhe mirënjohja, ka evoluar në mënyrën se si ajo serviret, por nuk është e pranishme në çdo hap të marrëdhënieve midis njerëzve, sic ishte më parë, duke e zbehur edhe vlerën e saj në këto marrëdhënie. Akoma më e dukshme bëhet kjo, kur bëjmë fjalë për shoqërinë tonë, qoftë në atdhe, ose në diasporë. Duke ardhë në zbehje shumë nga normat tona morale që lidhen me sjelljen, dashurinw, ndihmën, besimin etj, të cilat kanw konsoliduar për një kohë të gjatë marrëdhëniet mes njerëzve gjatë organizimit të jetës që nga familja deri te grupet shoqërore në një teritor të caktuar. Edhe mirënjohja ka shoqëruar këtë proces, për fat tw keq, në rënie të kësaj vlere njerëzore. Tek shumë nga njerëzit tanë, edhe këtu në diaspore, çfaqet mendimi: “Mundohu, bëj diçka për të ec përpara, por mos u merr me shqiptar”. Po pse të jetë krijuar ky mendim vallë? Thjesht nga inati, xhelozia që na shoqëron që në ardhjen këtu larg atdheut, apo ka një bazë më të hershme në qenien tonë ( që sigurisht nuk marrim përsipër ta shtjellojmë në këtë shkrim të shkurtër), apo ka një mungesë besueshmërie midis shqiptarëve në varësi të kohës kur kanë emigruar, para apo pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri.   Ndoshta të dy anët mund të jenë faktor i krijimit të atij mendimi që cituam më lart, duke sjellë në vend të dashurisë e mirënjohjes për njeri- tjetrin, mosbesimin, ndarjen e mosmirënjohjen, të cilat nuk na lënë të rritemi të bashkuar e të kemi një zë të fuqishëm që të shpreh vlerat dhe forcën e komunitetit kudo ku ka shqiptar.

Në komunitetin shqiptar të qytetit të Filadelfias në SHBA, prej 14 vitesh është ngritur Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, e cila përveç ruajtjes e trashëgimisë të gjuhës e historisë tonë kombëtare në brezin e ri, mundohet të nxisë afrimin e bashkatdhetarëve tanë në gjirin e saj . Organizimi ë festimeve masive të festave të Nëntorit, e  7-8 Marsit, e pavarësisë të Kosovës, si dhe mjaft veprimtari që lidhen me përkujtimin e figurave të mëdha kombëtare në fushën e historisë, gjuhës, artit e kulturës, veçanërisht aktiviteti i shkollës shqipe “Gjuha Jonë ”, kanë krijuar një emër të kësaj shoqate që po njihet e shtohet me antarw e miq tw saj çdo ditë e më shumë.  Kryesia e saj, mundohet të jetë pjesëmarrëse në familjet shqiptare në raste të ndryshme, veçanërisht në fatkeqësi, pasi ky është momenti më i vështirë të të qënit në emigrim, ku tw mungojnë njerëzit e afërt, miqtë e shokët e mëparshëm të dheut tënd. Njoftimet në FB dhe WEB-in e shoqatës për fatkeqësinë e ndodhur, luajnë një rol të rëndësishëm duke bërë që pjesëmarrja e njerëzve në varrim të jetë e madhe, gjë që lehtëson jo pak familjarët e prekur nga ajo. Në këtë mënyrë shumë ngjarje të tilla organizohen e përjetohen si në Shqipëri.

Nuk kanë munguar rastet kur janë organizuar fushata për mbledhje fondesh për të ndihmuar familjet e prekura nga fatkeqësia, apo edhe duke dhënë ndonjë ndihmë modeste nga ana e shoqatës, pa përmendur kurorën me lule që dërgohet në çdo rast të tillë, duke respektuar të ndjerin dhe familjen e tij.

Nuk me harrohet biseda që zhvilluam me një bashkatdhetar nga Librazhdi, që kishte ardhur tek vajza e tij ku qwndroi për 3 muaj, ndërsa një ditë përpara se të udhëtonte për Shqipëri, dhëndërri i tij  Refik Albrahimi, në moshën 55 vjeçare vdes nga një atak në zemër. Tek kjo familje shkuam me disa shoke për ngushëllim, ndërsa disa të tjerë nga kryesia e shoqatës kishin marrë pjesë në funeralin e varrimit , duke dërguar edhe kurorën në emër të shoqatës. “Megjithëse ishte një vdekje e papritur për ne, pas pak kohe e harrova dhimbjen dhe fillova të mendoj si do të bëjmë për varrimin, pasi nuk po shihja asnjë shqiptar tjetër përveç njerëzve të familjes dhe 2-3  të tjerëve”, – fillon e tregon i moshuari. Në fytyrwn e tij nuk kishte vetëm dhimbje por edhe lot gëzimi, pasi shqetësimi i tij i momenteve te para nuk ekzistonte më. “Faleminderit shumë të gjithë shqiptarëve këtu, -vazhdon ai- vecanërisht ju të shoqatës, që me sa kuptova unë na nderuat jo vetëm me pjesëmarrjen, por me ndihmën tuaj u bënë kaq shumë pjesëmarrës në ceremoninë e varrimit që na e lehtësuan dhimbjen”.  Grupi i djemve të Librazhdit , sic thirren këtu, janë kaq të mirë, të bashkuar e të gjindshëm për çdo situatë, – i themi ne , – dhe janë një shembull ku secili prej nesh, mund të marrë prej tyre.

E tillë ishte edhe vdekja e kuksianit Hasan Kotarja, për të cilin komuniteti dhe shoqata e tyre, kontribuan për t’u duk gjithçka si në atdhe, ndërsa femijtë e tij te vegjël u vendosen në shtëpi të re, falë këtij kontributi të bërë nga bashkatdhetarët e tij. Ishte një mirënjohje e shprehur me vepra, ashtu sic duhet.

Ndërsa , ditët e fundit ndahet nga jeta një shqiptar tjetër në Filadelfia, Behar Alimadhi, i njohur si xha Behari. Ishte një burrë i rrahur me jetën, që pavarësisht vështërsive, e kishte ndërtuar atë duke pas me vete mençurinë, që e kanë jo shumë veta. I qeshur, i urtë por i muhabetit, xha Behari i jepte shije e bukuri vendit ku ishte. Vinte nga familje e madhe nga zona e Skraparit, por që ishte vendosur në Fier për shumë kohë. Mbarte me vete ndjenja të forta të atdhedashurisë, kontribues i bashkëpunimit mes shqiptarëve, çka e bëri që të jetë një mbështetës i fuqishëm e i drejtëpërdrejtë për restaurimin e godinës të shoqatës tonë 10-12 vite më pare, e anwtar i saj qe nga krijimi. Si i tillë, ai do tw trashëgonte tek femijtë e tij këto cilësi. Vajza e tij  Frida Sulo Alimadhi, një eksperte e arrirë në kontrollin financiar, u twrhoq vitin e fundit si anwtare e kryesisë të shoqatës, për ti qëndruar sa më afër babait të saj, deri ditën e fundit. Ndërsa djali i xha Beharit, Gentiani me arsim juridik, një nga themeluesit dhe president i  shoqatës “ Skënderbeg”  nw Parma të  Italisë njwkohwsisht edhe anwtar I shoqatws “Bijtw e Shqipes” nw Filadelfia, udhëton pothuajse çdo vit në Filadelfia për të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes të Flamurit tonë kombëtar pranë bashkisë të këtij qyteti, ndërsa kthehet pastaj  për të vazhduar aktivitetet atje, në  Itali, për të vazhduar punën dhe veprimtarinë atdhetare.

Këto ditë shoqata “Bijtë e Shqipes”, mori nga kjo familje një letër ku shprehej “…falenderim dhe mirënjohje për nderin qw treguat per babain tonë të dashur….”  Letra vazhdon: “…Në kohë të vështira si këto për ne, ngushëllimet tuaja të sinqerta, prania juaj tek homazhet dhe ndarja e kujtimeve me të gjithë, na e lehtësuan dhimbjen dhe na bënë të ndjehemi edhe më krenar për babain tonë të mrekullueshem. Gjithashtu ju falenderojmë nga zemra për kurorën e bukur që sollet për babanë. …Për këto arësye ne si familje i dhurojmë shoqatës këtë çek modest, për të kujtuar dhe nderuar kujtimin e tij…”.

Ishte një mirënjohje, që e shprehur në këtë formë,  përmbante një vlerësim të madh brenda nga ana e kësaj familje. Fjalët e mësipërme të shkruara plot ndjenjë, sigurisht i marrim si mesazh për të vazhduar në punën tonë, ti qëndrojmë komunitetit afër me mundesitë që kemi, veçanërisht në raste të tilla. Të gjithë gëzohen nga prania e miqve dhe e shokëve. Gëzohen edhe trarët e shtëpisë, kur vjen një mik–, thonte një burrë i mwnçwm në fshatin tim dikur. Dhe të gjithë e ndjejmë këtë në këto raste. Njeriu si qënie shoqërore, ka nevojë për njerëz, ka nevojë të ndaj me to çdo të mirë apo të keqe të tij. Sigurisht me njerëz të mirë, dashamirës, që gëzohen për të mirat apo arritjet e tjetrit dhe jo për njerëz zemër ngushtë, ziliqar, dashakeqës, që nuk ndajnë të keqen e tjetrit, nuk hidhërohen në raste të tilla. Kohërat kanë ndryshuar, dhe njeriu është bërë më “privat” edhe brenda familjes, e jo më në shoqëri , sepse “ shif rrushi rrushin e piqu” . Por prap se prap, secili e pëlqen që të dëgjoje fjalë të mira, të merituara,  për veten e tij, e kur këto fjalë, kur këto vlerësime vijnë nga një grup njerëzish që janë të organizuar në shoqata apo shkolla, ndjenja e krenarisë  rritet pa masë. Prandaj, është në dorën tonë t’i fuqizojmë këto qendra të komunitetit shqiptar, ti mbështesim organizatorët në punën e tyre vullnetare që bëjnë për të realizuar misionin kombëtar të këtyre qendrave. Të shohim përpara, duke mos paragjykuar, por duke vlerësuar në radhë të parë, duke iu bashkuar nwpërmjet pjesëmarrjes direkte të sa më shumë bashkatdhetarëve, për t’i shndrruar këto qendra social- kulturore, në një vend bashkimi, dashurie për njëri – tjetrin, në një vend ndihme  dhe sigurisht në një vend ku mësohet gjuha jonë shqipe, historia e kultura e lashtë e kombit tonë. Këtu, në këto qendra, të bëhen vërejtje për të përmirësuar më tej punën e bërë e bashkërisht hajdeni ti bëjmë, por më parë kemi nevojë për fjalë të mira për çfarë është bërë mirë, duke shprehur mirënjohjen në mënyra të ndryshme, për gjithçka qw  i ka shërbyer misionit për të bashkuar shqiptarët. Secili nga ne ka mundësi të lërë një emër të mirë në këtë drejtim. Jo për lavdi, por sepse kemi detyrimin për të qenë shqiptar kudo që jemi, sado larg atdheut  jetojmë.

Filadelfia, Shtator 2016

Autori i këtij shkrimi është kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia

Filed Under: Komunitet Tagged With: mirenjohja, Tahir Domi, vecori njerezore

Doni të studioni në Akademitë Ushtarake në SHBA? Kriteret…

September 28, 2016 by dgreca

*Qendra e Personel Rekrutimit e Forcave te Armatosura te Republikes se Shqiperise, ka filluar regjistrimin e kandidatëve për të ndjekur studimet ushtarake në Akademitë Ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vitet akademike 2016-2020./

*Afati kohor për dorëzimin e dokumentacionit pranë QPR-së është deri në 04 Tetor 2016./

Kriteret e pranimit të kandidatëve: · Të ketë shtetësi shqiptare. · Të ketë kryer arsimin parauniversitar brenda ose jashtë vendit, të njohur dhe ekuivalentuar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë ose të jetë në vitin e fundit të studimeve parauniversitare. · Të mos jetë i dënuar apo i ndjekur penalisht nga organet e drejtësisë. · Të jetë në moshë jo më pak se 18 vjeç dhe jo më shumë se 22 vjeç, në ditën e fillimit të vitit akademik. · Të mos jetë i martuar. · Të jetë i aftë nga ana shëndetësore. · Të ketë një trup me fizik të rregullt, të shëndetshëm nga të gjitha pikëpamjet, pa asnjë mangësi apo shenja që deformojnë pamjen. · Të ketë gjatësinë trupore jo më pak se 165 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 për femrat. · Të mos jetë bartës i virusit HIV, Hepatit B dhe SST (Sëmundje Seksualisht të Transmetueshme) të tjera; të mos ketë kaluar apo të vuajë ndërkohë nga sëmundje të tjera të zemrës, veshkave, hepatike, pulmonare, neuropsikiatrike, sistemit lokomotor (sistemit kockor dhe lëvizjes) apo të ketë qenë ose jetë përdorues i lëndëve narkotike. · Kandidatët që do të aplikojnë për ndjekjen e studimeve në institucionet arsimore ushtarake jashtë vendit të kenë notën mesatare të ponteruar, si dhe notën mesatare për specialitetet (Matematikë, Fizikë, Kimi) jo më pak se 8 (tetë). · Kandidatët duhet të zotërojnë gjuhën angleze në të lexuar, të shkruar dhe të folur dhe të sigurojnë mbi 70 pikë në testimin ALCPT. Ata duhet të jenë të rregjistruar për zhvillimin e testimeve online të TOEFL, SAT ose ACT. · Kandidatët nuk mund të regjistrohen për ndjekjen e studimeve në institucionet arsimore ushtarake jashtë vendit, në rast se: a) Zotërojnë diplomë ushtarake për nivelin arsimor për të cilin aplikojnë; b) Kanë fituar më parë statusin e studentit ushtarak; c) Kanë qenë kontingjent i Forcave të Armatosura për ndjekjen e studimeve ushtarake brenda dhe jashtë vendit dhe nuk i kanë përfunduar studimet. · Kandidati që nuk plotëson qoftë edhe një nga kriteret e përmendura më sipër, skualifikohet. 2. Dokumentet për regjistrim: Kandidatët për regjistrim duhet të paraqesin pranë Zyrës së Rekrutimit dhe Pranimit Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm: · Kërkesë me shkrim e nënshkruar nga kandidati për ndjekjen e studimeve ushtarake në SH.B.A, ku të specifikohet institucioni arsimor dhe preferenca e degës për të cilën aplikohet. · Formular me të dhënat personale sipas formatit të përcaktuar, ANEX A. · Fotokopje e noterizuar e dokumentit zyrtar (diplomës) që vërteton përfundimin e arsimit përkatës së bashku me listën e notave, e cikluar nga Drejtoria Arsimore e Rrethit që ka lëshuar diplomën. · Fotokopje e kartës së identitetit. · Certifikatë familjare 1 (një) copë. · Fotografi për dokument (4×6), 2 (dy) copë. · Fotokopje të pasaportës e vlefshme për jashtë shtetit. · Dëshmi penaliteti. · Vërtetim nga gjykata që nuk është në proces gjyqësor. · Vërtetim nga prokuroria që nuk është në proces hetimi. · Vërtetim nga përmbarimi. · Dokument i cili vërteton se aplikanti është rregjistruar për testimet që zhvillohen online për TOEFL, SAT, ose ACT. · Çertifikatë për TOEFL, SAT ose ACT. · Raportin mjekësor të lëshuar nga Komisioni mjeko – ligjor (KML) i qendrës shëndetësore të vendbanimit të kandidatit të shoqërurar edhe me një raport ose vërtetim nga mjeku i familjes ku deklarohet se kandidati eshte i shendeteshëm dhe nuk ka sëmundje infektive, si dhe ekzaminimet për agjentët infektivë (Hepatit B, Hepatit C, HIV/AIDS), dhe grupin e gjakut të lëshuar nga Qendra Kombetare e Transfuzionit të Gjakut ose bangat e gjakut apo drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethet ku banojnë . 3. Datat e testimit: Testi Fizik: 05.10.2016 Testi Intelektual: 06.10.2016 Testi i Gjuhës së Huaj: 05.10.2016 Testi Psikologjik: 06.10.2016.

  1. ANEKS A

 

FORMULARI I TE DHENAVE PERSONALE TE APLIKANTIT

APLICANTS PERSONAL INFORMATION

 

Name (Emri)
Surname  (Mbiemri)
Date of Birth  (Datëlindja)
Place of Birth  (Vendlindja)
Address/Adresa e banimit
Father’s Name  (Atësia)
Mather’s Name (Amësia)
Sex (Male/Female)
Passaport Number/ID Number
Occupation (Statusi)
E-mail address/Adresë e-maili
Contact number,Cell Phone (Numër kontakti)
Name of the academy you are applying for.(Emri i akademisë për të cilën po aplikoni)
Air Force Academy (FA)
Navy Academy (FD)
Marines Academy (Marins)
West Point Academy (FT)

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: në Akademitë, Studimet, Ushtarake në SHBA

Kryetari i PD Basha, takon ish ambasadorin Arvizu dhe ambasadorin Lu

September 28, 2016 by dgreca

Zgjedhjet dhe stabiliteti në rrezik nga droga, krimi dhe korrupsioni/

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje në një takim te vecante Zv Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Sundimit të Ligjit dhe Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve,  Aleksander Arvizu, i cili shoqërohej nga Ambasadori Donald Lu. Droga, dekriminalizimi, korrupsioni dhe  zgjedhjet ishin në qender të këtij takimi. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndau me bashkëbiseduesit shqetësimin për rritjen e kultivimit dhe trafikimit të drogës me shtrirje në të gjithë territorin e vendit. Partnerët kanë bllokuar deri tani në kufijtë e tyre sasi rekord droge të ardhura nga Shqipëria.  Transporti i drogës po kryehet nga toka, ajri dhe detit, tha zoti Basha, duke sjellë në vëmendje trafikun me skafe dhe me avion. Rasti i fundit, ku për t’i shërbyer trafikut të drogës ishte ndërtuar edhe një pistë ajrore, tregon se trafiku me avion është një mënyrë e preferuar nga trafikantët. Kjo shtrirje masive dhe në sasi e kultivimit të kanabisit, lehtësitë e kalimit të saj nga territori i Shqipërisë do të ishin të pamundura, tha zoti Basha, pa bashkëpunimin dhe  mbrojtjen e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve politik të saj. Rast flagrant është së fundmi dhe ndalimi me kokainë i vëllait të shefit të Komisariatit të Dibrës, Robert Aga, ndersa ai vetë është nën akuzë për mbrojtjen e parcelave me hashash në Dibër. Zgjedhjet në Dibër, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, janë shembull i impakti të drogës në zgjedhje.  Rreziku që sjell me vete droga  është kriminalizimi i shoqërisë, ekonomisë dhe politikës. Lideri i opozitës theksoi se kthimi i Shqipërisë në hambar droge është pasojë direkte e kriminalizimit të politikës dhe administratës. Edi Rama promovoi në poste kyçe në administrate dhe futi në Kuvendin e Shqipërisë persona të dënuar për trafik droge, të cilëve edhe sot vazhdon t’u japë mbrojtje duke sfiduar haptas ligjin e dekriminalizimit i cili nuk po zbatohet.  Siç u pa dhe në zgjedhjet e Dibrës, këta persona po angazhohen në procese elektorale dhe po mbrohen nga kryeministri për t’i përdorur në zgjedhjet e 2017 duke sjellë disa shembuj si rasti i Elvis Roshit, Artur Bushit, Artur Bardhit të cilët vazhdojnë të mbajnë postin e kryebashkiakut në thyerje të dispozitave të ligjit të dekriminalizimit apo Armando Prengës dhe Arben Ndokës. Një tjetër shqetësim që zoti Basha ndau me zyrtarët e lartë amerikanë ishte korrupsioni i paprecedent në 25 vite demokraci. Koncesione dhe tendera që jepen pa garë dhe në fondet limit duke injoruar ofertat më të ulta,  me përfitues vetëm një grusht njerëzish të lidhur miqësisht dhe politikisht me Edi Ramën. Dibra është shembulli i qartë se cili është rreziku që u vjen zgjedhjeve, nga droga, krimi dhe paratë e korrupsionit. Reforma, theksoi zoti Basha, u vonua qëllimisht, për të pamundësuar votimin elektronik i cili do t’i priste rrugën shitblerjes së votës. Shumë të rëndësishme e konsideroi kryetari i Partisë Demokratike cështjen e financimit të partive, ku PD ka propozuar kriminalizimin e donacioneve private dhe  financimit 100% nga buxheti i shtetit si dhe auditimin e plotë e të besueshëm të financimit dhe shpenzimeve të partive politike. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm për demokracinë dhe shtetin ligjor theksoi zoti Basha, ndaj është koha për një reagim të fuqishëm publik dhe politik kundër këtij rreziku të qartë dhe të madh ndaj investimit të përbashkët për Shqipërinë demokratike, stabile dhe euroatlantike.

Filed Under: Politike Tagged With: Lulzim Basha, me lU dhe Arvizu, takim

JAKUP FERRI

September 28, 2016 by dgreca

Nga: Prof.Dr.Naser Ferri/

Jakup Ferri, i biri i Ferr Durit, u lind në vitin 1832 në Plavë, në veri të Bjeshkëve të Nemura buzë Liqenit të Plavës prej të cilit buron lumi Lim, që në atë kohë ishte pjesë e Shqipërisë nën sundimin e Perandorisë Osmane, sot e Malit të Zi. Për shkak të pozitës së vetë gjeografike dhe rëndësisë strategjike Plava njihej si “mburojë e Rrafshit të Dukagjinit” e madje edhe e tërë shqiptarisë.

Familja Ferri i takon fisit Kuçi ndërsa rrjedhë nga Luhari i Malsisë së Shkodrës, prej nga kishte dalë i pari i familjës, Gjergj Prentashi me një vëlla dhe ishin vendosur në Podgoricë , ndërkaq prej aty Gjergj Prentashi kishte kaluar në Plavë (Shqipëria nën pushtimin e Perandorisë Osmane), ku sipas gjasave ishte konvertuar në islam. Gjergj Prentashi e kishte djalë Shabin e Shabi i kishte dy djem: Halilin e Durin, ndërsa Duri i kishte poashtu dy djem: Ferrin (Ferr Duri-babai i Jakupit) e Hajron., prej të cilëve rrjedhë familja Ferri e Plavës.

Thuhet se Jakup Ferri që nga rinia e hershme dallohej për shkathtësi, force fizike e bukuri por edhe për atdhedashuri, burrëri, zemërgjerësi, drejtësi, sinqeritet e shkathtësi në përdorimin e armëve. Trimërinë thuhet se e kishte trashëguar nga e ëma Zyl Rexha, e njohur në tërë Malësi si grua trimëreshë e cila kishte bartur kobure në brez, madje në një rast i kishte vrarë dy bejlerë duke i mbrojtur vajzat plavjane nga ngacmimet e tyre. Në aspektin fizik Jakupi ishte i gjatë, me mustaqe të zeza, hundë shkabë e shikim të mprehtë.

Jakupi i kishte tre vëllezër: Zeqon, i cili kishte qenë mjeshtër i dueleve dhe kishte vra me dhjetëra malazezë në duele ballë për ballë dhe ishte vrarë në Betejën e Moraçës 1876, Shaqirin, i cili ishte vra në një nga betejat e shumta kundër malazezëve dhe Beqirin i cili kishte rënë në Luftën e Nokshiqit.

Në moshën 25 vjeçare Jakupi ishte martuar me Pembën, kushërirën e Ali Pashë Gucisë dhe me të i kishin lindur tetë fëmijë (pesë djem Hasani, Mehmedi, Omeri, Agani e Emini dhe tri vajza: Kusha, Bardhokja dhe Zadeja).

Jakup Ferri kishte filluar veprimtarinë e tij patriotike e luftarake kudër malazezëve e turqëve në vitet e pesëdhjeta të shekullit XIX, që pasuan pas reformave të Tanzimatit, kishte marrë pjesë në shumë beteja, ndërsa në vitet e shtatëdhjeta ai ishte bërë njëri nga trimat më të shquar të Malësise së Plavës e Gucisë dhe kishte marrë pjesë në kuvende burrash. Kulla e Ferrajve ishte bërë qendër e kuvendeve ku vinin burra jo vetëm nga Plava e Gucia por edhe nga Kosovë e trojet tjera shqiptare. Në këtë kohë Jakupi ishte njoftuar me Sylejman Vokshin, Haxhi Zekën, Ali Ibër Nezën e shumë prijës të tjerë të popullit shqiptar.

Në vitin 1875 në disa vende të Ballkanit ishin bërë kryengritje kundër Perandorisë Osmane, e po në këtë kohë edhe në Mirditë e Dukagjin ishte ngrit popullsia. Në vitin 1876 Serbia e Mali i Zi i kishin shpallë luftë Turqisë, por meqë u thyen ato në vitin 1877 edhe Rusia i shpalli luftë Turqisë e cila e humbi luftën dhe si pasojë nënshkroi paqën në Shën Stefan 1878. Sipas Traktatit të Shën Stefanit Mali i Zi, Serbia e Rumania ishin bërë shtete të pavarura, Bullgaria kishte fituar autoniminë ndërsa Shqipëria kishte mbetur nën Turqi, e madje disa pjesë të saj iu kishin dhënë Bullgarisë (Kumanova,Kaçaniku, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, Pogradeci, Korça), Serbisë (një pjesë e sanxhakut të Prishtinës deri në afërsi të Gjilanit e Mitrovicës) e Malit të Zi (Plava, Gucia, Vermoshi, Hoti, Gruda, Kelmendi, Kraja, Anamali, Tivari, Ulqini) gjë me të cilën shqiptarët nuk u pajtuan dhe u bënë rezistencë të armatosur sipas vendimeve të “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare” e cila më 10. qershor 1878 (tri ditë para mbajtjes se Kongresit të Berlinit) formoi “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” me kërkesë të njohjes së kombit shqiptar me një gjuhë dhe një kryeqendër. Një ndër pjesëmarrësit të Lidhjes  së Prizrenit ishte Jakup Ferri bashkë me Abdyl Frashërin, Iliaz Pashë Dibrën, Ymer Prizrenin e shumë prijës të tjerë shqiptarë.

Në Kongresin e Berlinit fuqitë e mëdha: Gjermania, Austro-Hungaria, Franca, Italia e Rusia kishin vendosur ta rishikojnë Traktatin e Shën Stefanit, ti copëtojnë tokat shqiptare dhe t’ua ndajnë ato Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë e Greqisë (Çameria).

Vendimet e padrejta të Traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit kishin tronditur mbarë shqiptarinë. Gjatë verës së vitit 1878 të gjithë shqiptarët ishin ngritur në mbrojtje të trojeve të veta kundër vendimeve të sulltanit e të fuqive të mëdha. Pikat kryesore të mbrojtjes i kishin organizuar Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri në Plavë e Guci me ndihmën e vullnetarëve nga Peja, Gjakova, Tropoja e viset tjera shqiptare.

Në gusht të vitit 1879 Turqia kishte dërguar forca të mëdha në drejtim të Plavës për ti përmbushur vendimet e Kongresit të Berlinit, por në  shtator të atij viti Jakup Ferri udhëhoqi betejën në Gjakovë me ç’rast bashkë me Ali Pashë Gucinë, Ali Ibrën me bashkëluftëtarët të tjerë nga Plava, Gucia, Peja, Gjakova, Hasi, Reka, Tropoja etj. rrethuan forcat turke në Gjakovë, dhe në një betejë të përgjakshme e vranë Mehmet Ali Pashë Maxharin të cilin e kishte dërguar sulltani për t’ua dorëzuar Plavën e Gucinë malazezëve kundër dëshirës së shqiptarëve. Pas fitores së shqiptarëve në Gjakovë, kishte filluar shturrja e administratës turke në viset shqiptare dhe gjykatat shqiptare punonin paralelisht me ato turke apo edhe punonin vetëm gjykatat shqiptare, ndërsa Jakup Ferri, Ali Pashë Gucia e Ali Ibra kishin organizuar tubimet mbarëpopullore tek Verrat e Llukës dhe tek Lisat e Zogjëve në Prizren, ku u forcua besa dhe u bënë përgatitjet për qëndresë kundër armiqëve.

Pas përgatitjeve e marrëveshjeve me krerët e krahinave të ndryshme (Sylejman Vokshin, Hoxhë Koronicën, Hamëz Batushën, Musë Tahirin e me bajraktarin e Junikut), Jakup Ferri ishte nisur në Plavë për ta organizuar mbrojtjen ndërkohë që Kryesia e Lidhjes së Prizrenit i kishte emëruar Ali Pashë Gucinë dhe Jakup Ferrin komandantë të mbrojtjes së kufijve të Shqipërisë së veriut. Të gjithë shqiptarët “nga  Prizreni deri në Dibër” e madje edhe nga viset e tjera (Tetova, Tropoja, Shkodra, Kurveleshi) ishin mobilizuar dhe kishin dërguar ndihma  (vullnetarë, armë, ushqim, municione e tjera) në Plavë. Jakup Ferri udhëhiqte mbrojtjen e katër rajoneve rreth Plavës: në Qafë të Çakorrit, në Qafë të Diellit, në Arzhanicë-Pepaj dhe Brezovicë-Visitor si dhe tek Qafa e Previsë dhe nga ana e Gërçarit në rajonin e Gucisë.

Në tetor të vitit 1879 Mali i Zi kishte kërkuar nga Turqia dhe fuqitë e mëdha evropiane dorëzimin e Plavës e Gucisë, por meqë shqiptarët nuk lejuan një gjë të tillë Mali i Zi kishte filluar operacionet ushtarake nën komandën e Mark Milanit e Todor Milanit.

Mali i Zi kishte angazhuar 28 batalone me këmbësori, kalorësi e artileri të armatosura deri në dhëmbë me armë austriake (revole “Gaser”, pushkë “Vergel” e topa “Sferger”) dhe ruse (revole e pushkë “Nagant”), ndërsa vullnetarët shqiptarë ishin më pak në numër dhe dobët të pajisur e të armatosur (me jataganë, sakica, kosa, me pak pushkë kapsollaqe e kobure).

Betejat madhështore u zhvilluan në Qafë të Previsë (nëntor 1879), në Velikë, Nokshiq (dhjetor 1879), ndërsa beteja vendimtare në janar të vitit 1880 në fushën e Nokshiqit, kur mbrojtësit shqiptarë fal taktikës së Jakup Ferrit, edhe pse më të dobët ushtarakisht (12000 malazezë mire të armatosur kundër 8000 vullnetarëve të armatosur e të pajisur dobtë), i shpartalluan njësitet e ushtrisë malaziase nën komandën e Todor Milanit e Bllazho Petroviqit. Në betejën e fundit në breg të Limit më 4 janar 1880 ishte plagosur rëndë edhe Jakup Ferri (me shtatë plagë dhe me tridhjetë koka të prera të armikut rreth veti) bashkë me 103 udhëheqës të tjerë popullor shqiptar. Jakupi kishte ndërruar jetë në Plavë më 11 janar nga plagët e marra në betejë. Sipas disa informatave Jakupin e kishte plagosur Grujo Radosheviq Bratonozhiq, ndërsa duke e mbrojtur Jakup Ferrin e plagosur që mos ti bie malazezëve në duar, ishin vra tetë bashkëluftëtarë të tij nga Plava. Mark Milani kishte pësuar disfatë të tmerrshme dhe i kishte 2500 ushtarë të vrarë në betejë apo të mbytur në Lim gjatë ikjes nga shqiptarët ndërsa 1200 malazezë ishin zënë robër. Nga ana shqiptare ishin 1000 të vrarë e 600 të plagosur.

Jakup Ferri ishte varrosur në varrezat e Plavës, jo larg nga Lagjja e Ferrajve, në të cilën, afër kullave të veta, bijtë e Jakupit: Hasani, Mehmedi, Omeri, Agani e Emini e kishin ngritur edhe xhaminë për shpirtë të te atit në vitin 1901/1902, gjë të cilën e dëshmon mbishkrimi i shkruar në gjuhën osmane mbi derë në hyrje të xhamisë, i cili ekziston edhe sot.

Mbrojtja e kufijve shqiptarë në Plavë e Guci ishte rast i jashtëzakonshëm i gatishmërisë së popullit shqiptarë që ti kundërvihen vendimeve të fuqive të mëdha e të Turqisë, e njëkohësisht është edhe fitorja më e madhe ushtarake e shqiptarëve në histori të re, të cilën e kishin arritur me forca vetanake, pa kurrfarë ndihme nga jashtë. Fal kësaj fitoreje dhe luftës së vazhdueshme të shqiptarëve edhe pas saj, rajoni i Plavës e Gucisë deri në vitin 1912 kishin mbetur “territori neutral”.

Pas vrasjës e të atit, i biri më i madh i Jakupit, Hasani ishte bërë kryefamiljar dhe e kishte trashëguar autoritetin e babait, kështu që e gëzonte respektin e tërë Malësisë së Plavës e Gucisë  por edhe të Dukagjinit, Shqipërisë Veriore e më gjerë.

Edhe Hasan Ferri, duke e vazhduar misionin e Jakupit  kishte vazhduar, bashkë me vëllezër e bashkëluftëtarë, luftën për mbrojtjen e Shqipërisë etnike deri në vitin 1919 në Plavë, e pas pushtimit e Plavës kishte kaluar në Shqipëri prej nga e kishte organizuar rezistencën kundër armikut dhe kishte marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme si: pjesëmarrja aktive në Luftën e Koplikut 1920, përkrahja e Revolucionit të qershorit 1924, pjesëmarrja në Kongresin e Lushnjës 1929 e tjera, ndërsa në vitin 1938 për shkak të mospajtimeve me mbretin Zog u shpërngul ne Turqi ku edhe vdiq në vitin 1946.Pas vitit 1919 pjesa më e madhe e familjës Ferri ishte detyruar të shpërngulet nga Plava, por përkundër këtij fakti traditën patriotike e luftarake të familjës Ferri pas tij e kishin vazhduar edhe nipat e Jakupit Shémsi (prefekt i Plavës në 1941)  dhe Riza Ferri (prefekt i Dibrës) si pjesëtarë të Ballit Kombëtar.

Për merita të tyre patriotike më 26.janar 1993 presidenti i Shqipërisë dr. Sali Berisha i dekoroi post mortem Jakup Ferrin me “Urdhër të lirisë të klasit të parë”, e poashtu e dekoroi edhe Hasan Ferrin me  “Urdhër të lirisë të klasit të parë”.

Sot pasardhësit e Jakup Ferri jetojnë e veprojnë të shpërndarë në Plavë, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Tiranë,  Durrës, Shkodër, Stamboll, në Gjermani, Holandë, Finlandë e disa vende të tjera (në mesin e tyre ka akademikë, profesorë universitarë, arkeologë, inxhinierë, mjekë, ekonomistë, juristë, kostumografë, piktorë, muzicistë etj.) dhe e ruajnë traditën dhe gjuhën e Jakup Ferrit..

përgatitur nga: Prof.Dr.Naser Ferri

Filed Under: Histori Tagged With: Jakup Ferri, Prof.Dr.Naser Ferri

Presidenti Nishani në Dhomën Amerikano-Hebreje të Ekonomisë në Çikago

September 28, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani me Dhomën Amerikano-Hebreje të Ekonomisë në Çikago: Rritja dhe forcimi i bashkëpunimit mes nesh, kontribut jo vetëm për dy popujt, por për të gjithë njerëzimin/

Nga Ilaz Kadriu/ Chikago/

Për nder të presidentit të Republikës së Shqipërisë Zt. Nishani dhe zonjës se pare, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në shtetin e Illinois-it, me seli në Chicago, organizoi një pritje solemne të përcjellur me darke dhe me fjalime të hapjes së kryetarit Breznica dhe nënkryetarit Arusha duke përfunduar me fjalimin kryesor të presidentit Nishani.
Në praninë e më shumë se 250 pjesëmarrësve tubimin e hapi kryetari i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në shtetin e Illinois-it me seli në Chicago zt. Bujar Breznica, i cili, presidentit dhe zonjës se pare te Republikës së Shqipërisë i uroi mirëseardhjen në këtë komunitet, duke dëshiruar që nga ky moment, Republika e Shqipërisë dhe Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Chicago të krijonë urat e lidhjeve të para institucionale me qëllim të vazhdimit dhe krijimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Nënkryetar i Komunitetit Zt. Arusha,  ne fjalimin e tij poashtu përshëndetës, kishte disa kërkesa konstruktive drejtuar institucionit më të lartë të shtetit shqiptar zt. Nishani lidhur me krijimin e ministrisë së diasporës, të drejtën e votimit nga ana e diasporës dhe hapja e një përfaqësie konzulare me apo pa Kosovën për nevoja të përgjithshme të qytetarëve të shteteve shqiptare. Në fjalimin e tij zt. Arusha nuk e pa të arsyeshme të përmendi bile një herë shqiptarët e Maqedonisë, Luginës, Malit të Zi dhe Camërisë.
Pastaj, në foltore doli shkëlqesia e tij zt Nishani, president i Republikës së Shqipërisë.
Pas një përshëndetje të ngrohtë drejtuar të gjithë të pranishmëve pa marrë parasysh besime dhe krahina, presidenti Nishani, në gjuhën shqipe dhe angleze, vuri në pah sukset dhe sfidat me të cilat është ballafaquar dhe ballafaqohet edhe sot Shqipëria. Në mes tjerash, ai ceku se Shqipëria më nuk është komuniste, nuk është diktatoriale, por demokratike dhe me orientime perëndimore, duke vënë në rradhe të parë anëtarësimin në NATO dhe tendencat dhe përpjekjet e Shqipërisë për inkuadrim në strukturat tjera euroatlantike.
Ai u zotua se do të bëjë gjithë atë që eshtë në mundësinë dhe kompetencat e tij për të realizuar kërkesat e këtij komuniteti shqiptar në Chicago, duke e lavdëruar aktivitetin e tij si në proceset e demokratizimit të Shqipërisë, poashtu edhe në lobimin e tij në drejtim të pavarësimit të shtetit të Kosovës. Ai dha shpresa të mëdha se krijimi i kushteve të reja në gjeneratat e reja dhe të shkolluara do të mundësojë avansimim e shqiptarëve në përgjithësi.
Pastsj,ai nuk e la pa i përmendur shqiptarët e Maqedonisë, Preshevës, Malit të Zi dhe Camërisë, por, porencoi edhe ate se komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Amerike duhet të bëje më shumë për të zgjidhur këto probleme me të cilat ballafaqohet i tërë populli shqiptar në Ballkan.

***

Presidenti Nishani u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit dhe të bashkësisë së shumtë hebreo-amerikane duhet të thellohen e të zgjerohen më tej duke u përkthyer në rritje të shkëmbimeve ekonomike-tregtare, sidomos po të kihet parasysh miqësia dhe lidhja e veçantë historike si dhe vlerat e parimet e përbashkëta që ndajmë, të cilat u forcuan edhe më shumë gjatë periudhës së tmerrshme të Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore.

Për sa i përket zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike si rritjen e pranisë së investitorëve hebreo-amerikanë në Shqipëri, Presidenti Nishani vuri në pah burimet e shumta e të pasura natyrore, sidomos ato ujore, klimën dhe pozicionin e favorshëm gjeografik, legjislacionin ndihmues në fuqi, por mbi të gjitha miqësinë tradicionale dhe besimin e sprovuar.

Kreu i Shtetit shqiptar dhe drejtuesit e Dhomës Tregtare Amerikano-Hebreje të Çikagos, njëra prej institucioneve më të vjetra e kësaj bashkësie në Shtetet e Bashkuara, ndanë pikëpamjen e përbashkët se investimet e sipërmarrësve hebreo-amerikanë në përgjithësi dhe atyre izraelitë duhet të jenë më të pranishme në numër dhe cilësi duke zbatuar ide dhe projekte konkrete në fusha si turizmi, bujqësia, shfrytëzimi i pasurive natyrore, teknologjia e informacionit, etj., duke pasur parasysh potencialet dhe mundësitë e mëdha vendi ynë ofron.

Drejtuesit dhe anëtarët e Dhomës Amerikano-Hebreje të Çikagos vlerësuan veçanërisht strehimin dhe shpëtimin që vendi ynë dhe populli shqiptar u ofroi hebrenjve gjatë Holokaustit duke e quajtur “dëshmi të kurajës dhe staturës morale për t’i rezistuar dhe bërë ballë trysnisë së regjimit të pashpirt nazist”.

Duke ndarë të njëjtën pikëpamje me Presidentin Nishani, ata u shprehën se kjo dëshmi e heroizmit të shqiptarëve duhet të promovohet edhe më tej në botë si një shembull që duhet të përhapet, sepse tregon respekt për të tjerët ndryshe, bashkëjetesë dhe parime të përbashkëta.

Presidenti Nishani, duke nënvizuar se historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka është shembulli që shqiptarët janë të gatshëm ta përhapin e bëjnë të ditur jo vetëm në rajon dhe në Evropë, por edhe më gjerë, e vlerësoi këtë takime si shprehje e miqësisë së konsoliduar dhe partneritetit mes dy kombeve, u shpreh se: “dy komunitetet duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht së bashku duke u bazuar në parimet, vlerat dhe virtytet e përbashkëta”.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: dhe Dhoma Amerikano-Hebreje, Nishani, pritet nga komuniteti shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT