• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

PRESIDENTI NISHANI KTHEN PLEHRAT NE PARLAMENT

October 14, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 92/2016/

D E K R E T/

PËR/

KTHIMIN E LIGJIT NR. 92/2016 “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10463, DATË 22.09.2011, “PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE”, TË NDRYSHUAR./

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,/

D e k r e t o j/

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”.

Nr. Dekretit 9765

Tiranë, më 14.10.2016

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BUJAR NISHANI

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”

Të nderuar deputetë,

Në seancën plenare të datës 22 Shtator 2016, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr.92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”.

Përmes këtij ligji është rilejuar importi për mbetjet e ngurta jo të rrezikshme të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvëndësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme.

Sipas Dokumentave Parlamentarë, Relacioni dhe Raporti i projekt ligjit, aktualisht në Shqipëri operojnë disa industri, nevojat e të cilave për lëndë të parë siç mund të jenë mbetjet e listës së gjelbër, nuk përmbushen nga mbetjet e krijuara në vend kështu që është kërkesë e vazhdueshme dhe e pranuar që nga viti 2003 importi i këtyre mbetjeve në bazë të procedurave e rregullave të forta. Sipas propozuesve të ligjit, në rast se nuk lejohet riciklimi i mbetjeve, atëherë të gjitha industritë duhet të bazohen në shfrytëzimin ekstensiv të burimeve natyrore të lëndëve të para, duke çuar në shterimin e plotë dhe më të shpejtë të burimeve ekonomike. Si rezultat, kjo industri krijon biznese të reja si ato që lidhen me transportin, përpunimin dhe shitjen e materialeve të ricikluara, si dhe kompani që lidhen me prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve të prodhuara me material të ricikluar, duke u shoqëruar me krijimin e vendeve të reja të punës dhe shtim në të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Referuar Raportit të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, thuhet se projekt-ligji është diskutuar në seancë dëgjimore me grupet e interesit të ricikluesve dhe me pjesëtarë të shoqërisë civile, shoqata ambientalistësh e ekspertë të ndryshëm të mjedisit.

Në lidhje me sa më sipër, në ushtrim të funksioneve të përcaktuara në Kushtetutë, kam dëgjuar grupet e interesit të cilët e kundërshtonin ligjin e përcjellë për dekretim nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe kam dëgjuar përfaqësuesit e shoqatave të ricikluesve. Nga ana tjetër kam kërkuar nga ana e Kuvendit dhe Ministrisë së Mjedisit, vlerësimet e ligjit nga ana e Qeverisë, grupeve të interesit, ekspertëve, institucioneve të tjera, të cilat janë marrë në konsideratë nga ana e Komisionit përkatës.

Gjithashtu, kam marrë në konsideratë iniciativën e 65 mijë zgjedhësve, të cilët në Nëntor të vitit 2011 paraqitën kërkesën për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e pikës 3 të nenit 22 dhe të nenit 49 të ligjit 10 463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, e cila u pranua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.8, datë 08.03.2013 dhe mbi bazën e të cilës vendosa dhe datën e zhvillimit të Referendumit, me Dekretin nr.8093, datë 08.04.2013.

Ky referendum nuk u zhvillua, pasi Ligji 156/2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr.10 463, datë 22.09.2011” Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” “, shfuqizoi pikërisht dispozitat që ishin dhe objekt i referendumit, dhe si rezultat Dekretit nr.8093, datë 10.4.2013 “Për caktimin e datës për referendum të përgjithshëm” i pushoi fuqia.

Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë, në respektim të kuadrit ligjor ndërkombëtar të detyrueshëm për Republikën e Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme:

Së pari: Ligji 92/2016 është në kundërshtim me Direktivën 2008/98/EC , sipas të cilit duhet të zbatohet parimi i ‘vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë’ dhe për më tepër nuk është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit apo ndonjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit në nenin 108 të saj përcakton se: ’Palët do të zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin në detyrën shumë të rëndësishme të luftës kundër degradimit mjedisor, me synim promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore. Bashkëpunimi përqendrohet kryesisht në fushat prioritare që lidhen me acquis e Komunitetit për fushën e mjedisit.’ Përmes ligjit nr. 10 463, datë 21.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” u hodh hapi i parë në drejtim të përafrimit me Direktivën 2008/98/EC, në drejtim të modernizimit të sektorit të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri. Me ligjin nr. 156/2013 u ndalua importi i mbetjeve jo të rrezikshme, gjë që përmbushi edhe pritshmëritë e 65 000 zgjedhësve, të cilët i kërkuan KQZ zhvillimin e një referendumi me qëllim shfuqizimin e dispozitave përkatëse që lejonin importin e mbetjeve jo të rrezikshme.

Direktiva 2008/98/EC përmban një parim të rëndësishëm që është “vetëmjaftueshmëria dhe afërsia”,që do të thotë se çdo shtet duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit. Pra, nuk ekziston asnjë detyrim që Shqipëria të importojë mbetje jo të rrezikshme nga shtete të tjera. Përkundrazi, Shqipëria ka ratifikuar me ligjin nr.8216, dt.13.05.1997 Konventën e Bazelit “Mbi kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”, sipas të cilës: “Secila palë do të marrë masat e duhura: a) për të siguruar që prodhimi i mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera, brenda saj është pakësuar në minimum duke marrë parasysh aspektet sociale, teknologjike dhe ekonomike;.. g) për të ndaluar importimin e mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera në qoftë se ka arsye të besohet që mbetjet në fjalë nuk do të trajtohen në një mënyrë të shëndoshë nga ana mjedisore”.

Pra, është e qartë që Konventa e Bazelit nuk ka vendosur ndonjë detyrim për Shtetet Palë, përfshirë Shqipërinë që të parashikojnë dispozita në drejtim të importit të mbetjeve jo të rrezikshme.

Sipas propozuesve të ligjit, ndryshimet ligjore do t’i hapin rrugën implementimit të plotë të direktivës nr.1013/2006 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit për qarkullimin e mbetjeve, duke pretenduar se ligji 156/2013 ishte në kundërshtim me të.(1)

Në fakt, propozuesit e Ligjit i referohen një Direktive, ndërkohë që është një Rregullore nr. 1013/2006 “Për tregtimin e mbetjeve”, e cila ka si parim themelor që në rastin e tregtisë së mbetjeve për disponim duhet të mbajë parasysh afërsinë, prioritetin që i jepet rikuperimit dhe vet-mjaftueshmërisë kur flitet në nivelin e Komunitetit dhe në nivele kombëtare, gjithashtu.

Me Ligjin 156/2013 u shfuqizua dispozita që lejonte importin e mbetjeve jo të rrezikshme, duke arsyetuar se: ‘dispozitat që lejojnë importin e mbetjeve me qëllim riciklimin e tyre në Shqipëri, bien në kundërshtim me direktivën e BE-së për zbatimin e “Parimit të vetmjaftueshmërisë dhe afërsisë”. Sipas direktivës 2008/98/EC (neni 16) çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit. Gjithashtu, importi i mbetjeve bie ndesh me përparësi që duhet të ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar. Kjo do të thotë që me politika stimuluese fiskale, siç janë heqja e TVSH-së apo subvencionet, duhet stimuluar industria e riciklimit që të trajtojë mbetjet lokale. Lejimi i importit i bën të pamundura politika të tilla shtetërore, pasi nuk mund të subvencionohet trajtimi i mbetjeve që vijnë nga jashtë. Për më tepër, importi i mbetjeve nga jashtë ul interesin për trajtimin e mbetjeve që prodhohen brenda territorit tonë.’(2)

Çuditërisht, pas tre viteve propozuesit e ligjit mohojnë diçka të cilën e kishin pranuar më parë, duke sjellë pretekstin e përafrimit me një Direktivë tjetër që në fakt është Rregullore.

Referuar Konventës së Bazelit, Shqipëria duhet të marrë masa për minimizimin e mbetjeve të brendshme dhe në asnjë rast nuk është e detyruar të importojë mbetje të tjera (jo të rrezikshme) nga jashtë. Madje, ka të drejtën edhe ta ndalojë me ligj nëse ka arsye të besohet se nuk do të trajtohen në mënyrë të shëndoshë mga ana mjedisore. Në fakt, nga viti 2013 kur u shfuqizua ajo dispozitë, progres-raportet për Shqipërinë nuk flasin për një pozitë të favorshme të Shqipërisë në menaxhimin e mbetjeve dhe në asnjë rast nuk janë lënë detyra për të parashikuar dispozita në lidhje me importin e mbetjeve të rrezikshme.

Në progres raportin e vitit 2013 thuhet se: ‘Menaxhimi i mbetjeve vazhdon të mbetet problem serioz për Shqipërinë. Ndarja nuk ka filluar ende, me disa përjashtime, dhe niveli i riciklimit vazhdon të jetë shumë i ulët. Investimet e reja duhet të përqëndrohen më tepër në ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve’.(3)

Edhe në progres-raportin e vitit 2014 thuhet se:”… kapacitetet e autoriteteve të menaxhimit të mbetjeve mbeten të dobëta. Ndarja e mbetjeve është pothuajse inekzistente dhe niveli i riciklimit vazhdon të jetë shumë i ulët… Menaxhimi i mbetjeve vazhdon të jetë shqetësim për Shqipërinë”(4)

Ndërsa, në Progres-Raportin e vitit 2015 thuhet se: ’Planifikimi, koordinimi dhe zbatimi i politikave për menaxhimin e mbetjeve po përparon shumë ngadalë dhe kapacitetet administrative mbeten shumë të kufizuara. Legjislacioni zbatues në përputhje me acquis është miratuar në fushën e eksportimit dhe kalimit të mbetjeve jo të rrezikshme dhe të ndërtimit, si dhe në fushën e përdorimit të llumrave të ujrave të zeza. Veçimi i mbetjeve është shumë i kufizuar dhe niveli i riciklimit mbetet i rrallë”(5)

Shqipëria ka për detyrë të luftojë kundër degradimit mjedisor, duke marrë masa në drejtim të menaxhimit sa më të mirë të mbetjeve përmes ndarjes në burim dhe riciklimit të tyre, gjë e cila nuk ka ndodhur gjatë këtyre tre viteve. Ndërkohë, që ka dështuar në këtë drejtim, përmes këtij Ligji do të lejojë importimin e mbetjeve nga jashtë, pa paraqitur një analizë transparente se këto mbetje do të trajtohen në mënyrë të shëndoshë nga ana mjedisore. Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Kuvendit, apo edhe referuar dokumenteve parlamentarë në asnjë rast nuk rezulton të jetë bërë një analizë e tillë, përkundrazi shoqëria civile ka paraqitur të dhëna të cilat e bëjnë edhe më të dyshimtë qëllimin e propozimit dhe të miratimit të ligjit. Këshilli i Ministrave në mendimin e dhënë në lidhje me projekt-ligjin është shprehur se: ‘Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e eficencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386,728,650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17 % e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83% e mbetjeve është ende një treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit’(6)

Për më tepër, referuar Relacionit të projekt-ligjit, ky Ligj nuk ka qenë i parashikuar në programin analitik të akteve të Ministrisë së Mjedisit, pasi për të miratuar një akt të tillë janë dashur të bëhen një sërë investigimesh pranë doganave të vendit dhe pranë impianteve të riciklimit të mbetjeve në vend.

Është plotësisht e qartë se Shqipëria nuk ishte në kushtet optimale që pasi kishte bërë një analizë dhe transparencë në lidhje me menaxhimin e mbetjeve, të merrte vendimin që të importonte dhe mbetje të tjera nga jashtë, gjë e cila në asnjë rast nuk rezulton të jetë e detyruar nga instrumentet ndërkombëtarë.

Së dyti: Ligji bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet se: ‘Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm’.

Lejimi i importit të mbetjeve referuar Ligjit, duke gjeneruar një ndotje shtesë në raport me popullsinë dhe territorin e vendit mund të kompromentojë në mënyrë të pakthyeshme parimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sanksionuar në Kushtetutë.

Shqipëria është një vend me shumë avantazhe bazuar në atë që i ka dhënë natyra dhe burimet njerëzore vendase, dhe ka strategji zhvillimi në bujqësi, turizëm, energji, të cilat nëse vihen në eficencë krijojnë e do të krijojnë mjaftueshëm vende pune dhe mirëqenie në vend. Avantazhi konkurrues për Shqipërinë nuk mund të jetë riciklimi i mbetjeve të importuara.

Në kushtet që Relacioni i projekt-ligjit përmendte një investim prej 120 milion Euro dhe 35 mijë vende pune, Këshilli i Ministrave në Mendimin e dhënë përmes Vendimit nr. 360, dt.3.8.2016 ka sugjeruar që projekt ligjit t’i bashkëlidhet një raport i detajuar, i bërë nga kompani vlerësuese, qoftë nga ana teknike edhe nga ana financiare, i këtyre investimeve dhe punësimeve.

Sipas Mendimit të Këshillit të Ministrave, nuk duhen marrë në konsideratë vetëm investimet e deklaruara, por edhe vlera reale në treg e makinerive ricikluese, sa kanë ricikluar ato nga mbetjet vendase dhe kapacitetet për të trajtuar dhe mbetjet e huaja. Gjithashtu, sugjerohen të përfshihen dhe të dhëna të sakta për të punësuarit lidhur me siguracionet e tyre, kushtet në punë, higjenën etj.(7)

Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion nga ana e Kuvendit nuk rezulton që të jetë bërë një raport i tillë vlerësimi. Përkundrazi, shifrat në lidhje me investimet dhe të punësuarit kanë ngjallur debat në diskutimin e projekt-ligjit në Komision me grupet e interesit.(8)

Referuar Relacionit dhe Raportit të projekt ligjit, në vitin 2013 u ndalua importi i mbetjeve për arsye riciklimi, pasi institucionet përkatëse nuk ishin në gjendje të inspektonin cilësinë e mbetjeve për shkak të mungesës së laboratorëve përkatës.(9)

Referuar Relacionit të projekt-ligjit, pretendohet nga propozuesit se gjatë këtyre tre viteve, janë bërë përmirësime të dukshme në: (i) rinovim të Inspektoriatit të Mjedisit, si në infrastrukturën përkatëse (e cila i mungonte), ashtu edhe (ii) në trajnimin e personelit si brenda dhe jashtë vendit. (iii) Agjencia Kombëtare e mjedisit është pajisur me një laborator, i cili kryen analiza të ndryshme, dhe në rastet kur ai nuk ka mundësi t’i kryejë ato i bën në laborator privat të specializuar dhe akredituar për këtë qëllim. (iv) Gjithashtu, edhe në doganë ka përmirësime si në infrastrukturë dhe në personel të trajnuar.(10) Sipas propozuesve të ligjit, nënshtrimi i këtyre mbetjeve ndaj analizave specifike të përbërjes dhe rrezikshmërisë së tyre, eliminon mundësinë e rrezikut të futjes së mbetjeve të rrezikshme në R.SH-së, duke shtuar kështu edhe rrezikshmërinë për jetën dhe shëndetin e njerëzve.(11)

Por, ndryshe nga sa pretendohet nga propozuesit e ligjit, ekspertë të mjedisit, mendimet e të cilëve më janë vënë në dispozicion nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, vënë në dukje se aktualisht nuk ekziston ndonjë raport për analizat/matjet laboratorike të mbetjeve dhe se Drejtoria e Akreditimit nuk ka akredituar asnjë nga laboratorët e Doganës apo Institutit të Fizikës Bërthamore. Sipas ekspertëve, kontrolli dhe inspektimi kanë rezultuar dobët dhe nuk kanë dhënë sigurinë e nevojshme që procesi i importit garantonte mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik.(12) Ekspertët hedhin dyshimet, se me këto mangësi sa më sipër, pavarësisht faktit se nuk do të importohen mbetje të rrezikshme, kjo nuk do të thotë që këto mbetje në një përqindje të caktuar do të kthehen në mbetje të rrezikshme. Sipas ekspertëve duhet të ishte bërë një studim dhe në përfundim të ishte përgatitur një Raport i vlerësimit Strategjik Mjedisor që do të jepte përputhshmërinë e objektivave të importit të mbetjeve me objektivat mjedisore, me ato që prek shëndetin e një populli. Sipas ekspertëve, mungon një Raport i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis që përmes standarteve evropiane përcakton se si një aktivitet riciklimi të godasë sa më pak shëndetin mjedisor dhe atë të njerëzve.(13)

Progres raportet për Shqipërinë flasin qartë se Shqipëria nuk ka kapacitetet e duhura të kontrollit dhe monitorimit institucional të cilat do të lejonin kontrollin efektiv, moslejimin dhe mospërdorimin e importimit të mbetjeve jo të rrezikshme. Kjo do të thotë se pretendimi i propozuesve të ligjit referuar Relacionit të projekt-ligjit, referuar sa më sipër nuk qëndron.

Qeveria përmes Kuvendit dhe Ministrisë së Mjedisit ka dështuar të paraqesë një informacion të qartë në lidhje me masast konkrete të marra në drejtim të forcimit të kapaciteteve ekzistuese apo kapaciteteve të tjera shtesë kontrolluese/monitoruese që do t’i shtohen strukturave të doganave apo inspektoriateve përkatëse, rritjes së buxhetit, ngritjes së laboratorëve etj, me qëllim krijimin e kushteve dhe standarteve bashkëkohore në menaxhimin e mbetjeve të importuara referuar ligjit me qëllim arritjen e objektivave socialë të përcaktuara në nenin 59/ d të Kushtetutës. Menaxhimi i mbetjeve të importit kërkon fonde shtesë dhe hapësira publike shtesë për minimizimin e efektit të tyre në mjedis e shëndet. Në këtë mënyrë shteti shqiptar shpenzon fondet e tij publike në funksion të përpunimit dhe depozitimit të mbetjeve që prodhohen jashtë Shqipërisë.

Pra, është e qartë se Shqipëria nuk disponon infrastrukturën dhe kapacitetet njerëzore për monitorimin e kontrollin e importit të mbetjeve dhe ekziston rreziku i futjes ilegalisht të mbetjeve me rrezikshmëri të lartë. Sipas ekspertëve, Shqipëria është një vend i pasur me burime ujore dhe një sasi më e madhe e mbetjeve, sado i lartë qoftë standarti i menaxhimit të tyre rrit rrezikun e ndotjes së mjedisit dhe vë në rrezik shëndetin e qytetarëve.

Stukturat shtëtërore qëndrore dhe vendore duhet të miratojnë politika, kuadër ligjor dhe të forcojnë institucionet për të mundësuar ndarjen në burim, mbledhjen, menaxhimin dhe përpunimin e mbetjeve të cilat ndodhen në Shqipëri.

Ministria e Mjedisit duhet të maksimizojë mbrojtjen e mjedisit, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të shtetasve shqiptarë dhe jo mbrojtjen e interesave të industrisë ricikluese, ku në konkurrim mes tyre, mbizotërojnë shtetasit shqiptarë.

Nga ana tjetër, duke vlerësuar biznesin e shoqërive të riciklimit në Shqipëri, këtyre duhet t’u krijohen kushtet nga organet shtetërore në mbledhjen e lëndës së parë dytësore në Shqipëri dhe jo nga mbetjet e importuara, duke mundësuar në këtë mënyrë arritjen e objektivit për të siguruar një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Së treti: Procedurat e ndjekura në miratimin e Ligjit kanë qenë të përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrje të qytetarëve Shqiptarë, në kundërshtim me nenin 56 të Kushtetutës referuar të drejtës së qytetarëve për t’u informuar me gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij si dhe Konventën e Aarhus “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”

Kushtetuta e R.SH-së në nenin 56 të Saj përcakton se: ‘Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij’.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka ratifikuar me ligjin nr.8672, datë 26.10.2000, Konventën e Aarhus “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”. Në nenin 1 të Konventës së Aarhus përcaktohet se: ’Me qëllim që të kontribuojmë në mbrojtjen e të drejtës së çdo individi të brezave të sotëm e të ardhshëm, për të jetuar në një mjedis të përshtatshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tij, çdo palë do të garantojë të drejtën e publikut, për të pasur informacione për mjedisin, për të marrë pjesë në marrjen e vendimeve mjedisore..’

Sipas parimeve kryesore të kësaj Konvente e drejta e secilit për të marrë informacionin mjedisor që mbahen nga autoritetet publike mund të përfshijë:

(i) informacion mbi gjendjen e mjedisit, por edhe në politikat ose masat e marra, ose për gjendjen e shëndetit të njeriut dhe sigurisë kur kjo mund të ndikohet nga gjendja e mjedisit.

(ii) autoritetet publike janë të detyruar, në bazë të Konventës, që në mënyrë aktive të shpërndajnë informacionin mjedisor në posedim të tyre;

(iii) vendimmarrjet mjedisore duhet të bëhen publike nga autoritetet shtetërore për të mundësuar publikun e ndikuar dhe organizatat mjedisore joqeveritare për të komentuar mbi, propozimet për projekte që ndikojnë në mjedis, apo planet dhe programet që kanë të bëjnë me mjedisin; këto komente duhet të merren në konsideratën e duhur në vendimmarrje dhe duhet dhënë informacion shpjegues në rast se nuk do të merren në konsideratë mbi arsyet se përse nuk janë marrë në konsideratë;

(iv) e drejta për të shqyrtuar procedurat për të kundërshtuar vendimet publike që janë bërë pa respektuar të drejtat e lartpërmendura apo ligjin e mjedisit në përgjithësi.

Konventa në nenin 6 të saj përcakton se publiku duhet të njoftohet në procedurën e hershme të marrjes së një vendimi për mjedisin dhe në një mënyrë të përshtatshme, efektive dhe në kohë. Në fushën e veprimtarive për të cilat ka të drejtë të marrë informacion dhe pjesë në vendimmarrje publiku është dhe administrimi i mbeturinave.(14)

Në një rast të tillë është e qartë se procedura e konsultimit nuk ka qenë e hershme dhe nuk është zhvilluar në mënyrë të përshtatshme, efektive dhe në kohë. Në rastin konkret janë shkelur Konventa e Aarhusit dhe ligjet e brendshme si: Ligji “Për mbrojtjen e mjedisit”, “Për njoftimin dhe konsultimin publik’, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, etj përmes të cilave garantohet aksesi në informacionin mjedisor, akses në vendimmarrjen mjedisore dhe aksesi në drejtësi për çështje mjedisore.

Në rastin e pranimit të kërkesës për Referendum të Përgjithshëm që kishte pikërisht të bënte me shfuqizimin e dispozitës së ligjit që përcaktonte importimin e mbetjeve jo të rrezikshme, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka rikonfirmuar qëndrimin e mbajtur edhe më parë nga ana e saj, duke konkluduar se: ‘Instrumentet e demokracisë direkte konsiderohen jo si pushtet konkurrues i organeve përfaqësuese, por si instrumente që mundësojnë mënjanimin e mungesës së veprimit nga ana e përfaqësuesve, ose balancimin e kësaj mungese. Ato nuk mundësojnë bërjen e ligjeve, funksion i cili i është ngarkuar ekskluzivisht ligjvënësit. Në këtë mënyrë, referendumi paraqitet si mjet për integrimin dhe stimulimin e procesit ligjvënës në parlament, në rastet kur nuk gjen zbatim parimi i përputhjes së vullnetit të shumicës parlamentare me shumicën e popullit në një çështje konkrete. Pra, bëhet fjalë për një instrument që mundëson transmetimin e mendimit të zgjedhësve në drejtim të instancave politike ‘(15)

Në fuksionin e Presidentit të Republikës përmes Dekretit nr. 8093, datë 8.04.2013 kam caktuar datën 22 Dhjetor 2013 për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e pikës 3 të nenit 22 dhe të nenit 49 të ligjit nr. 10 463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Dispozitat e ndryshuara të ligjit 10 463/2011 përmes ligjit 156/2013 që hyri në fuqi në datë 14 Nëntor 2013 kanë qenë dhe objekti i referendumit, i cili duhej të ishte zhvilluar në datë 22 Dhjetor 2013.

Si rezultat hyrja në fuqi e ligjit 156/2013, i cili është dekretuar nga Presidenti i Republikës ka sjellë si pasojë dhe pushimin e fuqisë juridike të tij, pasi është arritur qëllimi për të cilin do të mbahej ky referendum.

Në kushtet që pas tre viteve nuk konsiderohet zëri i publikut dhe çbëhet ajo që u arrit nga ligjvënësi pas përfshirjes së publikut në vendimmarrje në vitin 2013 është në kundërshtim me çdo standart të vendosur nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa e Aarhus-it e detyrueshme për R.SH-së.

Është e drejta e publikut të përfshihet në një vendimmarrje kaq të rëndësishme sa ç’është ajo e importit të mbetjeve që ndikon direkt në mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.

Ka rezultuar se ky ligj nuk ka qënë në programin analitik të akteve të Ministrisë së Mjedisit, por pavarësisht kësaj, me hapa të përshpejtuar, pa asnjë konsultim paraprak me publikun siç kërkon Kushtetuta dhe Konventa e Aarhus është futur në kalendar, duke e vënë publikun para faktit të kryer dhe duke i dhënë mundësinë që vetëm në dy séanca të shpreheshin në lidhje me projekt-ligjin. Ndërkohë, referuar procesverbaleve të seancave në Komision dhe dokumenteve të vëna në dispozicion nga ana e Kuvendit, ka rezultuar se koha ka qene tepër e shkurtër, e papërshtatshme (korrik, shtator) dhe për më tepër edhe mendimet e dhëna me shkrim nga ana e ekspertëve apo grupeve të interesit nuk janë marrë në konsideratë.

Nga ana tjetër është pretenduar se Ligji duhet të përafrohet me acquis të BE. Është e vërtetë që Plani Kombëtar për Integrimin Europian (2016-2020) ka vendosur si prioritet riciklimin e mbetjeve në burim, forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e mbetjeve si dhe ndarjen e mbetjeve në burim, por kjo nuk do të thotë që prioritet është rregullimi ligjor në lidhje me importin e mbetjeve.

Projektligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian duhet të jenë të shoqëruara me relacionin shpjegues dhe tabelat e përputhshmërisë (instrumentet e përafrimit) dhe se organet e Kuvendit (Kryetari i Kuvendit dhe Komisioni për Integrimin Europian) mund të kthejnë te nismëtari projektligjet e depozituara në Kuvend kur konstatojnë mangësi në dokumentacionin që shoqëron projektligjin. Gjithashtu, projektligjet e propozuara Kuvendit që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian (siç pretendohet se është rasti i ndryshimit të ligjit të mbetjeve) shqyrtohen nga Komisioni për Integrimin Europian, i cili ka në fushën e tij të përgjegjësisë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.(16) Sipas Rregullores së Kuvendit, raporti i Komisionit për Integrimin Europian është i detyrueshëm për t’u shqyrtuar nga komisioni përgjegjës para miratimit në tërësi të projektligjit.

Në rastin konkret, duke patur parasysh parimet e përcaktuara në Konventën e Aarhusit dhe kushtet e përputhshmërisë me acquis, duke patur parasysh se çështja është tepër sensitive, në kuadër të transparencës dhe gjithëpërfshirjes, duhej që ky informacion të ishte bërë publik., gjë e cila është sugjeruar edhe nga ana Këshillit të Ministrave përmes Mendimit të dhënë në lidhje me projektiligjin.(17)

Së fundi, ligji është miratuar me votat e vetëm 63 deputetëve të Kuvendit, gjë që vë në dyshim rregullsinë dhe kushtetutshmërinë e këtij Ligji, për të cilin duhet të kishte një bashkëvendimmarrje nga publiku.

Të nderuar deputetë,

Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin Tuaj në rishqyrtimin e ligjit nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar” pasi bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe marrëveshjet ndërkombëtare me fuqi detyruese në Republikën e Shqipërisë.

Me respekt,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BUJAR NISHANI

Filed Under: Analiza Tagged With: kthen plehrat, ne Parlament, presidenti Nishani

Thaçi: Prishtinë-Tiranë-Tetovë, trekëndësh akademik

October 14, 2016 by dgreca

 

1-thaci-portret

-Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  i ndahet titulli ‘Doctor Honoris Causa’ nga Universiteti i Tetovës/

1-thaci-salle

-Universiteti i Tetovës është pikë e patejkalueshme e trekëndëshit akademik Prishtinë-Tiranë-Tetovë/

-Prishtina, Shkupi dhe Tetova janë gjithnjë e më afër njëra-tjetrës/

TETOVË, 14 Tetor 2016- Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot Universiteti Shtetëror i Tetovës i ka ndarë titullin ‘Doctor Honoris Causa’.

Në akademinë solemne, të mbajtur pasdite, presidenti Thaçi ka thënë se Universiteti i Tetovës është pikë e patejkalueshme e trekëndëshit akademik Prishtinë – Tiranë – Tetovë.

Ai ka thënë se lidhja e Prishtinës me Tetovën, Shkupin, Prizrenin, Kërçovën, Gjakovën, Dibrën dhe me qendra tjera urbane ku jetojnë shqiptarët është një lidhje historike, kulturore, arsimore, familjare e kombëtare dhe mbi gjitha vëllazërore.

“Prishtina, Shkupi dhe Tetova janë gjithnjë e më afër njëra-tjetrës. I lidhë historia, e sotmja dhe e ardhmja. Liria e njërës është produkt i tjetrës dhe e kundërta. Liria jonë është produkt i yni i përbashkët”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Ndërtimi i autostradës Arben Xhaferi është infrastrukturë e ofrimit të qendrave tona”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se në Tetovë ka shkuar tash e sa decenie në kapacitete e kohëra të ndryshme dhe se kujtimet e tij për këtë hapësirë janë të llojllojshme.

“Në fakt, nga ky vend sot mund të përkujtojmë shumëçka që ka të bëjë me ne, si gjeneratë dhe si popull. Dikur elita e shqiptarëve në Maqedoni, sikurse e gjithë shqiptarëve tjerë në ish Jugosllavi, formohej në Universitetin e Prishtinës. Mu aty, në ambiente universitare ka lind dhe është zhvilluar ideja e një gjenerate që do të di t’i mbrojë interesat kombëtare, në thyerje kohësh dhe sfidash me përmasa historike. Kjo elitë edhe sot udhëheq me jetën politike, akademike dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se nga kjo retrospektivë mund të evokojmë situata nga më të ndryshmet për këtë rrugëtim të përbashkët dhe të suksesshëm.

“Para disa dekadave ishim aktorë dhe dëshmitarë të një procesi të madh ndryshimesh historike”, ka thënë ai, duke shtuar se rruga për të ardhur këtu sot është produkt i sakrificës së madhe edhe të kësaj gjenerate, si vazhdimësi e pandërprerë e përpjekjeve të gjeneratave para nesh.

Në akademinë e ndarjes së titullit ‘Doctor Honoris Causa’, presidenti Thaçi ka folur edhe për marrëveshjen e Ohrit.

Ai ka thënë se synimet e përbashkëta, si të Kosovës, ashtu edhe të Maqedonisë, përputhen me aspiratën reale për të qenë së bashku pjesë e familjes euroatlantike.

Titullin ‘Doctor Honoris Causa’, presidenti Thaçi ka thënë se e ndjen si çmim për gjeneratën e tij, për gjithë ata studentë nga Kosova e Tetova, që së bashku sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe emancipimin e shqiptarëve kudo ku ata gjenden.

Pjesëmarrës në këtë akademi solemne ishin liderët politikë të shqiptarëve në Maqedoni, zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe Kuvendit në Maqedoni, kryetarja e komunës së Tetovës, përfaqësuesit e komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, rektorë dhe përfaqësues të shumicës së universiteteve publike në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, përfaqësues të shoqatave të të burgosurve politikë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në Maqedoni.

Universiteti Shtetëror i Tetovës është themeluar në 17 dhjetor të vitit 1994 si iniciativë e intelektualëve shqiptarë, të shoqatave dhe asociacioneve të ndryshme apolitike dhe të gjithë dashamirësve të arsimit të lartë në vend dhe më gjerë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Thaçi: Prishtinë-Tiranë-Tetovë, trekëndësh akademik

Energjia-Takim në Sarajevë, Kosova merr Presidencën

October 14, 2016 by dgreca

 

1-sarajeve

-Kosova merr Presidencën në kuadër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për 2017-ën/

-Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë do mbahet në Prishtinë/

2-stavileciPRISHTINË, 14 Tetor 2016-B.Jashari/ Në takimin e14-të të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë që po mbahet në kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Sarajevë, Kosova mori Presidencën për vitin 2017.

Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci pas marrjes së presidencës nga homologu i tij nga Bosnja dhe Hercegovina prezantoi prioritet e propozuara nga Kosova për vitin e ardhshëm që do të jenë njëkohësisht edhe prioritet e këtij komuniteti.Sipas tij, këto prioritete janë në linjë me obligimet kontraktuale që Kosova ka në kuadër të Komunitetit të Energjisë si dhe janë të bazuara nga konkluzionet e axhendës së Parisit, me fokus te kapitulli i zhvillimit të qëndrueshëm, efiçienca e energjisë, burimet e ripërtëritshme dhe ambienti.

Gjithashtu, gjatë vitit të ardhshëm do të vazhdohet me procesin e reformave në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet liberalizimit dhe integrimin në tregun rajonal.Një nga të arriturat shumë të rëndësishme sa i përket Kosovës në këtë takim është miratimi njëzëri i aneksit 8, i cili dëshmon për interferimin e Serbisë dhe krijimin e barrierave në operim të Operatorit kosovar të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut  (KOSTT), parim ky që bie ndesh me përgjegjësitë kontraktuale ndaj Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Ky është edhe një hap që e dëshmon se Serbia duhet të tërhiqet nga interferimi në operim dhe të hyrat e KOSTT, po ashtu shtron nevojën që KOSTT sa më parë të njihet si zonë rregulluese e pavarur në kuadër të ENTSO-I, thekson njoftmi dërguar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës.

Në  kuadër të takimit të 14-të, Gjeorgjia u anëtarësua me të drejta të plota në Komunitetin e Energjisë dhe kjo tregon se komuniteti është një nga partnerët më strategjikë për sektorin e energjisë.Duke përfunduar, ministri kosovar Stavileci uroi që ky vit të jetë një vit i suksesshëm dhe realizimit të prioriteteve. Ai  po ashtu ftoi homologët e tij për pjesëmarrje në takimin e radhës, i cili do të mbahet në Prishtinë në fund të vitit të ardhshëm.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Energjia, kosova, presidenca, sarajeve

REUTERS: PLANI I FHEHTE RUS PER EUROPEN LINDORE

October 14, 2016 by dgreca

 

1-europa_qendrore_e_lindore

Përgatiti për Diellin Gjon Kadeli/Ënti që merret me studime strategjike, dhe me ato të cështjeve ndëkombëtare, me qendër në Uashington, dhe enti që merret me studime reth demokracisë, me qendër në Sofie’ përgaditën raportin lidhun me planin rus, i cili u ba i ditun dy ditë ma parë.

Ky raport bazohet në një studim prej 16 muajsh lidhun me planin e naltpërmendun. Në raport thuhet se, Rusia ka filluar një fushatë të fshehtë, masash ekonomike e politike, për të manipuluar pesë shtete të Europës lindore dhe qendrore. Qëllimi i këtij plani asht për të diskredituar modelin liberal demokratik perëndimor, dhe për të minuar marrëdhanjt ndëratlantike.

Në raport thuhet se Moska bane përpjekje për bashkpunim me politikanë prorus, kështu që të dominojë tregun e energjisë, dhe degë të tjera të ekonomisë, të pengojë përpjekjet për të paksuar korrupsionin, kështu që të ketë ndikim ndaj qeverisë Bullgare,Hungareze,, Serbe, Sllovake dhe asaj të Latvisë

“Në atë raport thuhet se në disa vende, ndikimi rus ka sfiduar stabilitetin dhe animin pro perëndimore; si edhe qëndrueshmëninë Euro-Atlantike.”

Ish zyrtari i Departamentit të Shtetit Heather Conley, i cili ishte personi kryesor që përgaditi raportin, si edhe zyrtarë amerikanë, thanë se janë dakord me të dhanat që paraqiten në atë raport, të cilat vejnë në dukje veprimtarinë ruse në Europën lindore.

Një zyrtar amerikan, i cili ka pasë studjuar sjelljet ruse që nga koha, perpara shpartallimit të Bashkimit Sovjetik më 1991 tha se”Rusia ka ndërmarrë një fushatë të vazhdueshme, për të marrë mbrapa,atë që Putini e konsideron “zonë asnjanëse, që gjoja me të drejtë i takon Rusisë, në Europën lindore; kështu që tu kundervihet, jo vetëm planeve të NATOs e të Bashkimit Europian por edhe bazës demokratike të këtyne instuticioneve.”

Në veprimet në fjalë të Putinit, përfshihen rushfete, propagand e gënjeshtra(rrena ditën me diell). “Nga një herë”vrasjen e atyne që kritikojnë Kremlinin në Rusi dhe jasht vendit, dhe tashti edhe perdorimin e mjeteve elektronike, për të minuar nga mbrenda kundërshtarët dhe për të dobsuar institucionet perëndimore.

“Zyrtari amerikan tha se “Në planin e Kremlinit, përmenden një varg përpjekjesh për të zgjeruar ndikimin ne  Europën lindore e qendrore”

Në këto përpjekje përfhiheshin përpjekje “madhore.” si për shembull, kontrata për të ndertuar dy reaktorë bërthamore në Hungari me një cmim prej 12.2 milairdë Eurosh, që u nënshkruar me Hungarinë, kushtet e të cilës nuk janë të qarta, për të bind tregëtarët pro rus që të zanë pozita të nalta qeveritare, kështu që ata, mund të mbrojnë interesat ruse.

Heather Conley tha në një intervistë se, qëllimi për këtë studim ishte për të theksuar se , sfidës në fjale, nuk i ashtë kushtuar vëmendja e mjaftueshme, nga politikanet amerikanë e europianë.

Në atë raport bahen propozime për marrjen e masave, kundër atyne që ai i quajti Një veprimtari “jo  e ndershme” të ndikimit të fshehtë rus.

Në këto përfshihen ma shumë përqëndrime në veprimtaritë jo ligjore dhe në rishtimin e ndihmave nga Shtetet e Bashkuara, për të përforcuar sistemin qeverisës, dhe për t’iu kundërvene ndikimit rus në vendet në fjalë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, per Europen Lindore, plani i fshehte rus

Jeta e Katerinës

October 14, 2016 by dgreca

 ….Katja rrjedh nga një familje patriotësh të persekutuar politikë nga rregjimi komunist. Në vitin 1945 i pushkatojnë pa gjyq të atin, Gjergj Cima Maçin, vet i dytë. Ishte koha kur ish partizanët dhe komunistët e zonës Pulti në Xhan të Dukagjinit, i bënin thirrje popullit të dorëzojë armët. Mbas Meshe në Kishë, ata që kishin armë i dorëzuan, mes tyre edhe i ati i Kates dorëzoi një revolver të prishur./
1-katerina1-prinderit13-vellai-koleci-e-rozana-ok4-nikolla-ok
Ne Foto: Katerina                                        Prinderit e Katerines                         I vellai i Katerines; Koleci me te bijen Rozana    I vellai, Nikolla
 Nga Mimoza Dajçi/

Mimoza-Dajci       Jeta e Katerinës është e trishtë dhe shumë e dhimbshme. Me Katen, siç e njohim shkurt, jemi veprimtare të organizatës së gruas “Hope & Peace” në New York, por së bashku kemi miqësi të vjetër qysh në Shqipëri, pranë Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike. Katja rrjedh nga një familje patriotësh të persekutuar politikë nga rregjimi komunist. Në vitin 1945 i pushkatojnë pa gjyq të atin, Gjergj Cima Maçin, vet i dytë. Ishte koha kur ish partizanët dhe komunistët e zonës Pulti në Xhan të Dukagjinit, i bënin thirrje popullit të dorëzojë armët. Mbas Meshe në Kishë, ata që kishin armë i dorëzuan, mes tyre edhe i ati i Kates dorëzoi një revolver të prishur.

– Me kë tallesh ti – i thotë i plotëfuqishmi i zonës – nuk e shikon që kjo pistoletë nuk punon? – dhe e ofendoi rëndë.

Aq u desh dhe malësori krenar nuk e duroi dot fyerjen, e godet me grusht në fytyrë. Gjergj Cimën e arrestojnë, e mbajnë një javë të izoluar nën tortura të tmershme në një shtëpi të improvizuar si burg, e pas gjashtë ditësh në të gdhirë e pushkatojnë së bashku me një kundërshtar tjetër të rregjimit. I ati Kates, Gjergji ishte rritur jetim dyerve të botës, kur ai ishte vetëm 4 vjeç i kishin vdekur të dy prindërit nga malarja.

Për familjen Cima filloi kalavari i vuajtjeve të mëdha. Roza, nëna e Kates e cila mbeti e ve me 6 fëmijë të vegjël, 4 djem e 2 vajza nuk kishte të ardhura të mjaftueshme të ushqente fëmijët me bukë, detyrohet dy prej vocërrakeve ti lerë në shtëpinë e fëmijës. Katja 7 vjeç dhe vëllai i saj Koleci 5 vjeçar, u rritën mes lotësh e dhimbjesh me jetimorët e gjorë.

Vitet kaluan, ngjarje të reja rodhën edhe për Katen, të cilën nëna dhe vëllezërit e martojnë me Dedë Lulin, djalë patriot e punëtor ngjitur me fshatin e saj. Familja e re vendoset në Laç të Krujës, ku shtohet me një djalë, Kastriotin. Deda siç ju tregova ishte shumë punëtor, njeri i përkushtuar për familjen dhe mekanik i zoti për rregullimin e makinave. Sigurimi shtetit ja vuri syrin për ta bërë bashkëpunëtorë të tij. Një herë dy, tentuan, por aha, asnjë përgjigje pozitive nuk morën prej tij.

Një ditë prej ditesh Deda arratiset. Të shoqes së tij nuk i tregon planin që kishte në kokë së bashku me dy miqtë e tij. I thotë se, do të shkojë për disa ditë në fshat tek daja i sëmurë. Katja ishte në gjumë, djali i vogël po ashtu, kur organet e sigurimit gati sa nuk i shqyen derën e shtëpisë dhe hyn brenda për kontroll. Katen e bombarduan me pyetje e fyerje të rënda, ndërkohë që ajo ishte shumë e re në moshë e nuk kishte dijeni fare se çfarë kishte ngjarë. I shoqi i kishte thënë në besim të plotë se sigurimi do që, ta rekrutojë, por nuk mundem ta bëj një gjë të tillë i kishte thënë ai së shoqes. Nuk mund të bëhem spiun i njerëzve të mi, komshive miqve e farefisit, më mirë pranoj plumbin, se sa të bëhem spiun. Po të refuzonte hapur Deda rrezikonte 20 vite burgim. Pranon arratisjen dhe nuk bëhet spiun, por pasojat do ti hiqte familja, gruaja dhe djali i vogël.

Bëjnë ç’bëjnë një prej vëllezërve të Kates ish i burgosur politik në Spaç, Koleci i thotë një mikut të tij të mirë Nikollës, që kur të dilte nga burgu ti propozonte për martesë motrës së tij. Bashkë burgu i kishte lidhur e kishin parë tek njeri tjetri një miqësi të mirë e të sinqertë. Nikolla dilte pas një jave nga burgu, pas një dënimi 10 vjeçar si “spiun i jugosllavëve” dhe “armik i popullit”. Vëllai Kates pa tek ky i ri cilësitë e një malësori trim e të dhimbsur për njerëzit. Kur Nikollën e arrestuan, ai ishte fare i ri vetëm 18 vjeç. Nikolla ishte arratisur nga Mali Zi me disa shokë të tij, por përfunduan në duart e egra të sigurimit shqiptar dhe dënohet me 13 vjet heqje lirie. Në Shqipëri nuk kishte asnjë nga familja. Kur të dilte nga burgu nuk kishte derë ku të trokiste. Koleci, vëllai i Kates, meqë kishte vite që kishte ndarë çapën e bukës me atë dhe e njihte mirë, i afroi këtë propozim për motrën e tij, tashmë të divorcuar nga i shoqi, dhe që jetonte me djalin akoma në Laç të Krujës.

Dera e Kates troket, mysafiri i paftuar i tregon se kush ishte dhe i zgjat letrën e të vëllait. Katja pasi e dëgjon e dërgon menjëherë tek vëllai i madh Nikolla dhe nëna e saj. Pas bisedash të gjata familja e Kates mendojne dhe vendosin se do të jetë më mirë nëse ajo martohej me këtë njeri të mirë e të vuajtur sikurse dhe familja e tyre, aq më tepër që e kishte rekomanduar vëllai i tyre, Koleci.

Katja si përfundim në pranverën e 74′ lidh kurorë me Nikollën, i biri që në atë kohë ishte vetëm 3 vjeç, e quante Nikollën babë dhe ai bir. Në vitin 1991 Katja së bashku me të shoqin marin një vizë tre mujore për në Mal të zi, për tek familja e Nikollës, i cili kishte 35 vite pa parë njerëzit e tij. Djalin e vetëm që kishin (17 vjeçar) e lenë tek vëllezërit e Kates.

Nikolla mëson në vendlindje se i kishte vdekur e ëma, pikëllohet e qan nën zë. Jeta luftë, por nuk kishte çfarë të bënte. Aty i paraqitet një rast për të marë vizë amerikane. Shfrytëzon momentin, hyn së bashku me Katen në Ambasadën Amerikane ku u njihet statusi i azilantëve politikë, e pas gati një viti arritën në New York, ku Katja jeton edhe sot. Jetuan për disa vite së bashku, u vjen edhe i biri Kastrioiti, por në vitin 1997 pas një ataku në zemër Nikolla ndëron jetë.

Kastrioti njihet me një vajzë italiane, jetojnë së bashku në Belgjikë. Jeta rrodhi e tillë dhe Katerina Cima jeton vetëm në New York, rrethuar me shumë dashuri nga mikeshat e kushërirat e saj. Eshtë një grua fisnike dhe shumë mikëpritëse. Të gjithë e duan dhe e respektojnë. Dera e saj është kurdoherë hapur për njerëz të mirë.

*    *   *

Dedë Luli, pas arratisjes nga Shqipëria më 22 prill 1972, nëpërmjet Greqisë mbërin në Australi, ku një mik i tij e sistemon me punë e shtëpi. Me ardhjen e parë të tij në Shqipëri kërkon të takojë të birin, me të cilin kalon disa ditë nëpër atdhe, e më pas e mer me vete disa muaj në Austriali. Kur e takon të birin pas 16 vitesh e pyet:”I kujt je ti more djalë”. Kastrioti i vendosur i përgjigjet: “I Dedë Lulit”.

Sipas Kates faji i vetëm i Dedës ishte se ai, nuk i tregoi asaj që kishte planifikuar arratisjen. Djali, Kastrioti pregatitet të shkojë me bashkëshorten në Austraili, aty ku i jati i ka afruar shtëpi, e një jetë më të mirë e më të rehatshme, falë punës së tij e duarve të tij të arta si mekanik makinash.

Ndërsa Koleci vëllai Kates, pasi vuajti dënimin si “armik i popullit” në burgjet Burrel e Spaç, me krijimtarinë e tij letrare hodhi dritë mbi vuajtjet e shtresës ish të persekutuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri, veprat e tij më të spikatura janë: “Përbindshja”, “Jashtë Parajsës”, etj. Ndërsa vajza e Kolecit, Rozana ish kompione e shahut për vitin 1978, sot është avokate e zonja dhe nderuar në Shqipëri.

New York, nentor 2016

Filed Under: Komunitet Tagged With: Jeta e Katerinës, Mimoza Dajci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT