• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2016

Samiti i Diasporës pa Diasporë, Bashkim apo “PERÇARJE”…?

November 6, 2016 by dgreca

*Si bashkëthemeluese e TV “Alba Life” dhe e shkollës Shqipe “Alba Life” ….s’ka të drejtë askush të më përfaqësoje, sepse si anëtarë të Diasporës nuk kemi zgjedhur asnjë përfaqësues të shkollës shqipe, ndryshe quhet private dhe një rrugë jo e ndershme./

*…. “Working together is success”, përndryshe, samiti i Diasporës bëhet pa Diasporë…/

Nga Keze Kozeta Zylo/2-shkolla-kozeta-300x137

Bashkimi është një nga fjalët më kuptimplote dhe më të rëndësishme për Kombin tim, por në se nuk e zbatojmë në praktikë kjo fjalë kaq e rëndësishme dhe kaq e bukur shëmtohet sepse zëvendësohet me “PERÇARJE”…Bashikimi i Kombit bëhet kur mblidhen pozitë, opozitë dhe Diasporë së bashku. Ndonëse pozita dhe opozita I ka “përfaqësuesit” e vet në Parlament, Diaspora akoma nuk i ka përfaqësuesit e saj për këtë samit.

Konkretisht jemi tek samiti i Diasporës i propozuar nga k/ministri Edi Rama, por në bazë të informacioneve publike që kam të botuara në gazeta lexoj se opozita, presidenti dhe shumë të tjerë nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për këtë samit, pra aktiviteti me togfjalëshin e madh “samiti i Diasporës” kryhet i njëanshëm…që i shkon jo samitit.

Këtu në Diasporë në Amerikë meqënse jetoj mjaft aktivisht prej gati 20 vjetësh dhe e njoh mirë punën që bëhet pasi i kam pasqyruar shumë aktivitete të rëndësishme dhe kam qenë e ftuar si media “Alba Life” TV, asnjëherë nuk jemi mbledhur për të diskutuar rreth samitit, dakordësisë për këtë samit dhe nëse ndodh dakordësia që për mua ngelet utopike, ëndërr, kush duhet të na përfaqësojë?…

A nuk do të ishte mirë që njerëz që punojnë fort për Kombin, të integruar në Amerikë, politikanë shqiptarë në Amerikë që janë fare të paktë, kryetarë shoqatash, dhe ambasadorja në Washington dhe në UN të takoheshim dhe te diskutonim rreth Samitit të Diasporës?

Kryeministri dhe këshilltarët e tij rreth Samitit në se “ka” të cilët të krijojnë përshtypjen se punojnë si celula ilegale s’duhet të kërkonin vetëm aplikimin në online, pa program, pa asgjë, bosh, duhet të sillnin programin e detajuar, çështjet që do të diskutonin dhe në fund në se binim dakord të dilnin përfaqësuesit në një konferencë shtypi për ta bëre publike në të gjithë Diasporën. Si mund të shkohet pa program, të marresh rrugën, të harxhosh dollarët lumë dhe të vihesh në rresht si delet? Konkretisht si bashkëthemeluese e TV “Alba Life” dhe e shkollës Shqipe “Alba Life” me një program tejet serioz dhe me plot profesionalizëm s’ka të drejtë askush të më përfaqësoje, sepse si anëtarë të Diasporës nuk kemi zgjedhur asnjë përfaqësues të shkollës shqipe, ndryshe quhet private dhe një rrugë jo e ndershme.  Duhet të bëhej votimi që të zgjidheshin përfaqësuesit e Diasporës, po kjo do të ndodhte në se kishte një strategji, në se kishte një vullnet të mirë për të arritur ndershmërisht atje ku të çon demokracia e vërtetë. Si mund të marrin guximin ata që e organizojnë këtë samit që në fakt akoma s’kanë deklaruar emrat e tyre, por veprojnë në ilegalitet, dhe të thonë publikisht përfaqësuesit e Diasporës, kur asnjë nuk është zgjidhur nga Diaspora që të më përfaqësojë?  Ç’mjerim! Të jetosh në Amerikë dhe të të hajë përsëri miku, shoku, servili, djalli, dreqi me të bir, është më se përçarje është më se tronditëse…

Vetëm së bashku ëshë suksesi, vetëm së bashku ëshë BASHKIMI!

“Working together is success”, përndryshe, samiti i Diasporës bëhet pa Diasporë…

5 Nëntor, 2016

Staten Island, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: apo “PERÇARJE”…?, bashkim, Keze Kozeta Zylo, Samiti i Diasporës pa Diasporë

VELLAZERIA UNGJILLORE SHQIPTARE NE AMERIKEN E VERIUT

November 6, 2016 by dgreca

1-steve-galegorSimpozium për Shkollën e Parë Shqipe dhe themelimi i Vëllazërisë Ungjillore shqiptare në Amerikën e Veriut/1-evangjelistet-shqiptar-amerikeNga Keze Kozeta Zylo/

 Në kishën Baptiste “Calvary”, Manhattan, NY, u përkujtua nën frymën e Zotit 125 Vjetori i hapjes së shkollës së parë Shqipe të vashave në Korçë nga Familja Qirjazi.  Aktiviteti u organizua nga Pastori i Kishës Evangjeliste miku i gjithë shqiptarëve që flet një shqipe të kulluar z.Steven Galegor.Besimtarët e Vëllazërisë Ungjillore si dhe jo besimtare u mblodhën së bashku brenda kishës amerikane “Calvary” për të marrë pjesë në këtë ngjarje historike për shqiptarët dhe kishat envagjeliste.Simpoziumi u hap me përshëndetjen e Pastorit Steve Galegor i cili pas lutjes ka përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit dhe shqiptarët kudo që ndodhen.

Vlerësimi maksimal për familjen Qiriazi të cilët ishin me besimin tek Ungjilli dhe arritën të hapnin shkollën e parë shqipe në Korcë duke dalë hapur kundër patrikanave dhe hordhive që penguan për 500 vjet hapjen e shkollave shqipe e bënte këtë Pastor të fliste plot krenari jo vetëm si besimtar i devotshëm, por dhe si mik i shqiptarëve.

Në program që monitorohej me plot kulturë ishin dhe këngët e adhurimit në shqip si “Beko o shpirti im ti Perëndinë”, “Dashuri e Perëndisë”, “ Perëndi plot madhështi” të interpretuara nga Bledar Kurti dhe Endrit Mullisi, ndërsa në fletëpalosjet e programit ishte një fragment poezie i shkëputur nga Gjerasim Qiriazi nga “E para ditë e Majit” si: “Dashuria, vëllazeria, nga Zoti vetë kanë buruar/ dhe ai njeri i urtë, qëllimin e jetës që e kupton/ dhe për të bërë mire tjetrit ai gjithnjë mendon/  Me gëimin dhe lumturi, i këtillë do të jetë rrethuar/ se zemra e tij e bardhë, me Zotin është bekuar…

Kumtesa e Pastorit Steve Galegor nën titullin “Misioni dhe Vizioni i Vëllazërisë” përgatitur me shumë dashuri dhe fakte historike u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit.

Z.Martin Katro mbajti kumtesën: “Themeli i Qiriazëve”.

Znj.Dana Stucky referoi “Reflektimi në jetën  e Sevasti Qiriazit”.

Dr.Bexhet Asani mbajti kumtesën: “Abetaret e Parashqevi Qiriazit dhe besimi protestant i Qiriazëve”. Midis të tjerash ai tha: Kur femra shqiptare vuante nën thundrën e obskurantizmit, ndërsa mësueset numëroheshin nëpër gishta, Parashqevi Qiriazi mori pjesë në Kongresin historik të Manastirit, por pa të drejtë vote. Meqë punimet e Kongresit zhvilloheshin në shtëpinë e të vëllait Gjergj Qiriazit asaj iu dha mundësia që t’i ndiqte nga afër pothuaj të gjitha seancat dhe komisionet e Kongresit. Kështu , ajo u shërbeu atyre burrave të kombit me nikoqirllëk, së bashku me gruan e Gjergj Qiriazit ishin mjaft të shqetësuara, për faktin se shtëpia e Qiriazit në ato ditë gumëzhinte nga delegatët të cilët priteshin dhe përcilleshin sipas zakoneve dhe traditës shqiptare (Dishnica,1997:74) Komisioni që u zgjodh nga kongresi për të paraqitur një projekt mbi çështjen e alfabetit, nuk mundi të caktonte një alfabet të vetëm për gjuhën shqipe. Por Kongresi e pranoi vendimin e komisionit që “të merret Abeceja e Stambollit e me të bashkë edhe një Abece thjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mes të shqiptarëve. Të dy alfabetet do të mësoheshin detyrimisht në shkollë. Ky vendim, siç e pranoj vetë kongresi, nuk i shërbente sa duhej përparimit të gjuhës shqipe dhe ishte një hap prapa në krahasim me qëllimin e kongresit, por u muar, me sa duket, për të mos shkaktuar përçarje në radhët e delegatëve. Më vonë jeta e bëri të nevojshme mbajtjen e një alfabeti, të alfabetit të mbështetur krejtësisht në karakteret latine. (H.P.SH. 1979:286). Edhe pse nuk mori pjesë gjatë diskutimeve, mësuesja Parashqevi Qiriazi pati nderin që të materializojë dhe t’i jetësojë vendimet e këtij kuvendi të madh gjithëkombëtar. Kështu, ajo do t’i përvishet punës për të shkruar Abetaren e Dr. Bexhet Asani 24 parë disa muaj më vonë pasi kishte përfunduar punimet me sukses Kongresi i Manastirit. Shoqëritë e shumta të kohës që ishin themeluar dhe që u themeluan anë e kënd vendit nëpër qytete të ndryshme i drejtoheshin shoqërisë “Bashkimi” të Bukureshtit me qëllim që kjo shoqëri t’i furnizonte me libra të botuara para dhe pas Kongresit. Qerim Gunbardhi nga Vlora kërkon nga shoqëria “Bashkimi” t’i dërgojë libra të botuara pas Kongresit për t’i përhapur këto nëpërmes librarisë. (Dërmaku, 1983:350). Nga 14 titujt e librave të kërkuar si: Lulet e Verës, Iliada e Homerit, Erveheja, Istori e përgjithshme, Shqipëria ç’ka qënë…, Bagëti e bujqësia etj. (Dërmaku, 1983:350), nuk përmendet Abetarja e Parashqevisë. Atëherë shtrohet pyetja:kur u botua Abetarja e Parashqevi Qiriazit? Pedagoges së shquar iu desh një motmot për ta përgatitur Abetaren sepse nuk e ka pasur të lehtë, mbase mund të ishte teksti i parë që përgatitej me dy alfabete! Pra siç mund të shihet vështirësitë për përpilimin e tekstit kanë qenë të natyrave të ndryshme.Sihariqin për daljen e Abetares nga shtypi një vit pas Kongresit e ka dhënë gazeta “ Bashkimi i Kombit”, më 5 nëntor 1909. Kjo gazetë midis tjerash shkruan: ”Kjo libër e vogël me 32 faqe dhe 18 fytyra është radhitur bukur e pas metodës së re me abecenë që vendosi Kongresi i Manastirit ( Dishnica,1997:74-75)

Pranimi i besimit protestan nga Qiriazët dhe disa shqiptarëve të tjerë ortodoksë ka pasur edhe karakter politik. Te misionarët që vepronin në Manastir dhe në Korçë Qiriazët shpresonin te një përkrahje dhe shihnin një urë afrimi midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan. Vepra “Këngë të shenjtëruara për falëtoret shqipe” siç duket u botua nën ndikimin e misionarëve dhe nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Komitetit të Fshehtë. Më 1905 në Manastir nën udhëheqjen e Bajo Topullit, u formua Komiteti i Fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Njër ndër anëtarët më aktivë të këtij Komiteti pa dyshim ishte edhe Gjergj Qiriazi. Kështu midis të tjerash në nenin 1 të Statutit të Komitetit të Fshehtë” shkruhet: “… duke përhapur udhën e qytetërimit me anë të librave që do të shtypen…”

 

Gjithasht kanë përshendetur simpoziumin z.David Hosaflook nga Instituti i Studimeve për Shqiptarët dhe Protestantët, z.Qemal Zylo themelues i TV dhe Shkollës Shqipe “Alba Life”, Jason Stryd oferta dhe bekim, Pastor Holger Dashi, në kishën ungjillore të Korcës, Z.Ylli Doci dhe z.Driton Krasniqi në Kosovë.

Kanë prezantuar kishat, Pastor Galeegor si kishën në Clifton, New Jersey, Brooklyn, Staten Island, Pastor Martin Katro kishën në Filadelfia, Pastor Kristo Pango nëMadison, NJ dhe Queens, Endrit Mullisi nga Toronto Kanada dhe kisha në Chicago nga Bani Doci.

Në programin me muzikë nuk mungoi dhe kënga polifonike labe me një sarkazëm dhe humor të hollë inerpretuar nga Pastor Ben Pango me origjinë nga Zagoria dhe grupi I besimtarëve të tij.

Pas kumtesave dhe përshëndetjeve u firmos akti i themelimit të Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare në Amerikën e Veriut nga të gjithë pastorët e kishave në New York, New Jersey, Filadelfia, Chicago, Toronto Kanada.

Në fund për të gjithë besimtarët dhe të pranishmit u shtrua nje kokteil ku nuk munguan argëtimi me këngë dhe valle shqiptare.

 

5 Nëntor, 2016

Manhattan, New York

Filed Under: Histori Tagged With: ne Ameriken e veriut, shqiptare, Steve Galegor, VELLAZERIA UNGJILLORE

Më 11 nëntor 2016, pak kohë për të respektuar veteranët

November 6, 2016 by dgreca

1-foto-ilustrueseNjoftohen të gjitha shqiptaro-amerikanët se, më datën 11 nëntor 2016, duhet të pushojnë vullnetarisht për dy minuta, që të nderojnë sakrificat e veteranëve të Luftës. Në këtë ditë të veteranëve më 11 Nëntor, heshtja do të ndodhë njëherësh përmes gjithë kombit amerikan, konkretisht  në orën 2:11 {p.m}, mbasdite në Boston,  dhe 11:00 {a.m}, paradite në Los Angeles. Shumë veteranë dhanë vitet më të mira të jetës së tyre në luftën për liri. Ndaj le të respektojmë veprën dhe jetën e tyre  dhe në shqiptaro-amerikanët.  Me këtë rast Qendra Alba Rest Quincy, ditën e premte, 11 nëntor, ora 12:00 , organizon takim përkujtimor për ditën e Veteranëve.

Veteranët Shqiptaro-Amerikanë të Luftës të Shteteve të Bashkuara.  

Boston.

Filed Under: Kronike Tagged With: 11 nentor 2016, Veteranet shqiptaro-amerikane

Për kë do të votojnë shqiptarët e Amerikës?

November 6, 2016 by dgreca

1-clinton-trump-300x169

Dhe një digresion për Suzanna Shkrelin/

1-suzana-shkreli-2-300x269Nga Rafael Floqi/

1-rafael-floqi

Kjo është një pyetje e ligjshme në këto momente kur pak na ndan nga data e zgjedhjeve. Si në  çdo komunitet emigrantësh ka një farë dyzimi për vetë faktin e të qenit si komunitete të lidhur si me jetën në Amerikë në atdheun e dytë ashtu edhe me ndikimin amerikan për vendin e lindjes Shqipërinë e Kosovën. Por kësaj here dilema e shqiptaro amerikanëve është edhe ajo mes vetë amerikaneve, midis ndryshimit dhe vazhdimësisë të politikave: midis të panjohurës dhe të njohurës, por edhe mes bindjeve të tyre si qenie politike si nënshtetas amerikanë me interesa dhe  nevoja të përmirësimit të jetës së përditshme e sidomos të klasës së mesme.Në këto ditë prag zgjedhjesh në mungesë të një sondazhi të mirëfilltë mes shqiptarësh, bëra një sondazh të thjeshtë mes miqve të mi me të cilët ndodhesha së bashku në një veprimtari të fondacionit studentor të bursave “Skënderbeu”. Miqtë e mi në fjalë ishin intelektualë dhe aktivistë të çështjes kombëtare nga të gjitha trojet shqiptare. Nuk po i përmend emrat, pasi ndonjëri prej tyre mund të ndërroj mendim, deri në ditën e zgjedhjeve, por mendoj se mjaft nga përcaktimet e tyre rezonojnë qëndrimet e shqiptaro- amerikanëve.

Miqtë e mi do ti përcaktoja si të tillë: demokrati besnik, patrioti demokrat, republikani i zhgënjyer nga Trump, republikani besnik, dhe një person pa të drejtë vote.

Sot ndër shumë shqiptarë në SHBA ende kanë një “pëlqim sentimental” për Hillary Clinton, për shkak të rolit të presidentit Clinton pati për ndërhyrjen e SHBA në Kosovë, por megjithatë shqiptarët janë gjithashtu të ndarë në preferencat e tyre, pasi në to peshojnë çështjet e rëndësishme individuale dhe lokale dhe interesa jetikë.

Shqiptarët si dhe amerikanët janë të ndarë mes republikanëve dhe demokratëve. Duke e njohur komunitetin do të ishte naive të besonim se të gjithë do të votonin të gjithë për një kandidat apo për një tjetër.  Votuesit shqiptarë gjenden në të dyja kampet – të organizuar në qytetet e tyre – për dyshen Trump-Pence dhe për Clinton-Kaine mjafton të shohësh tabelat e vendosura në oborret e tyre apo në makina.

We own Clintons.

“ Po ne i detyrohemi Clintonëve”. Një djalosh i ri i sapo diplomuar si farmacist i pranishëm në tryezë, kur ra fjala për zgjedhjet, tha një shprehje në anglisht, që ndoshta është proverbiale për qëndrimin e shumicës së shqiptarëve në këto zgjedhje. “We own Clintons”. Që përkthyer lirshëm do të thotë Clintonët janë tanët. Nuk besoj të ketë një statujë për Hillary Clintonin diku por në Sarandë gjendet.

“Shqiptarët i kanë mbështetur gjithnjë Clintonët dhe kanë arsye të mirë për ta bërë këtë,” tha ai. Simpatia e tyre lidhet me veprimin e Bill Clinton për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga represioni i ashpër i Serbisë nën sundimin e Sllobodan Millosheviçit në vitin 1999, kur shqiptarët në Kosovë kërkonin pavarësi. Shumë shqiptarë besojnë se Hillary e ka çuar përpara trashëgiminë e mbështetjes së Kosovës gjatë mandatit të saj si Sekretare e Shtetit në administratën e Barack Obamës.

I vetëdijshëm për këtë mbështetje, Bill Clinton, i shoqëruar nga kongresmeni i Nju Jorkut Eliot Engel, një mbështetës i çështjeve shqiptare dhe Mark Gjonaj, një politikan shqiptaro-amerikan në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, zhvilluan në Nju Jork në prill për të bërë fushatë te shqiptarët për zgjedhjen e “Hillary për Presidente”. Në tetor 2015, Clintonët mbajtën dy evente për mbledhje fondesh në Nju Jork dhe Connectikat të organizuara nga filantropët dhe biznesmenët shqiptarë.

Trump dhe Shesheli

Mbështetës i votimit kundër Trump ishte një miku im aktivist i lëvizjes për të drejtat e shqiptarëve më Mal të Zi.  Faktet që mbështetës të Sheshelit dalin në rrugë në favor të Trump edhe me gjithë përgënjeshtrimin e fushatës së tij  ai i mbetej besnik qëndrimit jo të pabazuar që përmendte dhe analisti Veton Surroj në koment të fundit për këtë temë.

“Çështja se a do të zgjidhet presidenti (Trump) apo presidentja (Clinton) kësaj here ka të bëjë edhe më shumë me jetët tona se zakonisht, sepse përzgjedhja që do të bëhet nuk është mes dy kundërshtarëve tradicionalë ideologjikë, njëri pak në të majtë të qendrës tradicionale, tjetri pak në të djathtë të qendrës tradicionale. Kësaj here, përzgjedhja është mes një kandidateje të traditës politike amerikane dhe të një kandidati që i përket një tradite tjetër. Atë traditë nuk do kërkuar në Amerikë, është lehtë e identifikueshme në fqinjësinë e afërt të shqiptareve. Ajo traditë quhet Vojislav Sheshel.” . Këtu ka dhe spekulime bazuar në stilin populist, por krahasimi përtej konspiracionit qëndron.

Miku im më theksoi edhe reagimin e një sërë shoqatash shqiptare nga komuniteti që kërkuan që fushata e Trump të distancohej nga mitingjet e Sheshelit në Serbi. Ai ishte e mendimit që duhej të mbështetej Clinton për të ruajtjen e së njëjtës platformë dhe qëndrimi të mirënjohur në favor të shqiptarëve.

“Para luftës në Kosovë të gjithë ne e dimë se Jugosllavia ishte shteti më i afërt nga Lindja për SHBA, kush më garanton mua se me Trump nuk ndryshon qëndrimi”. Në fakt këto dyshime janë theksuar edhe nga teori konspirative të pranisë të këshilltarëve serbë të Trumpit. “Donald Trump nuk ka pasur nevojë të investojë shumë mund intelektual për të gjetur platformën e tij politike Ai sillet sikur ta kishte lexuar dr. Sheshelin, pohoi miku im.

Për hir të Shqipërisë do të votoj për Clintonin

Ai është një mësues shqiptar historie nga Tirana i konvertuar në protestant dhe ai ende mendon se parimet morale të republikanëve duhet të mbeten. Ai është kundër martesave gay dhe disa qëndrimeve të demokratëve.

“Unë jam për një parti republikane e fortë dhe për një líder si tipi i Reganit. Ai e njeh mirë sistemin elektoral amerikan. Që kur isha në moshë të re në Shqipëri dhe ndiqja TV italian, RAI , shpjegon ai mbaj mend fjalimin e Reganit “Z Gorbacov shembe këtë mur, dhe mendoja dhe pse isha i ri se ai do t’ia arrinte të rrëzonte komunizmin dhe ia arriti”. Ai në zgjedhjet parake republikane mbështeste Kasich si një konservator ekonomik, me politika liberale në ekonomi, por profili dhe sjellja e Trumpit binte ndesh me imazhin e tij për moralin dhe për liderin dhe parimet e tij morale.

Tani ai thotë se po zgjedh të keqen më të vogël po voton për Clinton, me gjithë gafat e mëdha qe ka bërë dhe skandalet e emaileve. Ai nuk beson që Tump është aq i përgjegjshëm sa të ketë butonat e armëve bërthamore në dorë .

“Nuk më mbetet gjë tjetër, veç të votoj për Clintonit”, shpjegon ai qëndrimin e tij. Pasi ajo është zgjidhja më pro Shqipërisë”.

Me gjithë qëndrimet e ndryshme të gjithë janë patriotë. Dhe është pikërisht ky republikan i zhgënjyer një nga organizatorët e një mbledhje fondesh në një restorant shqiptar për kandidaten demokrate Suzanna Shkreli ku shqiptaro amerikanët mblodhën gati 30 mijë dollarë.

“E kam të vështirë ta kuptoj guximin e saj , por ajo na pohoi se është e moderuar dhe se do t’i kundërshtonte dyja partitë për të luftuar për një agjendë që do të bënte që familjet e Miçiganit të ecnin përpara. “Unë kaloj ditë pas  dite në gjykatë duke luftuar për të drejtat e fëmijëve dhe grave dhe ti e kupton se duhet të marrësh guximin për të mbrojtur njerëzit në zonën tënde elektorale. Unë e di se njerëzit  dhe votuesit janë te lodhur nga fryma partiake, janë te lodhur nga një kongres i rrënuar janë të lodhur nga përfaqësuesi i tyre qe luftoi për interesat e veçanta te lobeve te caktuara dhe duan dikë si unë që të luftojë për interesat tyre”, më citoi ai platformën elektorale të Suzanës duke shtuar se ajo

i dukej se përputhej dhe me mendimet e tij.

Dilemat e një republikani besnik dhe dëshira për ndryshim

“Unë nuk e mbështeta Trumpin në zgjedhjet parake thotë një aktivist i njohur shqiptaro- amerikan i çështjes kombëtare, isha për Cruz, por në moshën time është vonë të ndryshosh. Amerika ka nevojë për ndryshim, Clinton në këtë rast është statuskuoja. Natyrisht politika e jashtme amerikane nuk mund të lidhet vetëm me emrin e një personi, shton ai. A nuk ishte Bush që shpalli pavarësinë e Kosovës” argumentoi, duke se më thënë në konfidencë se ai nuk mund të ndërronte kahet ai i mbetej besnik zgjidhjeve të tij :”Unë kam qenë dhe mbetem me LDK-në me PD në Shqipëri dhe me republikanët në Amerikë”.

“Ti nuk mund ta dish seç është ndryshimi nëse nuk ke rriskuar për ta provuar atë ka thënë Ajnshtanji, shton ai që është një lexues i mirë librash. Trump është për ndryshim. Mua nga na tjetër nuk më pëlqejnë dinastitë, dhe shton, jam takuar dhe kam darkuar me dy presidentët Bush, George W Bush mund të ishte një njeri i mirë për të pirë një birrë , por jo  për të sjellë ndryshime për Amerikën”, bën ai krahasimin me Hillary-n.

Por nga ana tjetër ne si lobistë shqiptaro amerikanë  kemi patur sukses po të kemi lobimin për Kosovën me të dy krahët në kongres dhe senat, të njëjtën rrugë pat ndjekur edhe Joseph Dioguardi me Ligën Shqiptaro-Amerikane se duhet mbështetur dy krahët e politikës, dhe pse Kongresi nga një herë është më i rëndësishëm sesa vetë Presidenti, duhet ruajtur tradita. Ne jemi mbështetur dhe nga John McKain dhe nga Joe Biden, duhet lobuar në të dy krahët.

Dhe natyrisht dhe ai përmend si fakt mjaft pozitiv kandidatin e Suzanna Shkrelit dhe pse demokrate në distriktin tetë, këtu në Miçigan . “ Për mua fakti që një shqiptaro amerikane në moshë të re merr përsipër këtë kanditim është mjaft domethënës dhe i guximshëm, Kjo edhe në mos fitoftë është një shembull se ne shqiptarët mund të arrijmë gjithçka”.

“Dhe nuk më pëlqejnë ato reklamat negative të kundërshtarit të saj republikan që e akuzon atë për politika tejet liberale. A mund të jetë liberale kjo deklaratë e saj se ne duhet të ruajmë vendet e punës, duke votuar kundër marrëveshjeve që mbyllin vendet e punës vendet e Mike Bishop kundërshtari i saj  votoi për Fast Track Act që do ta dëmtonte sektorin e manifakturës këtu ne Miçigan ne nuk mund te jemi ne anën humbëse këtyre marrëveshjeve tregtare”. A nuk del ajo këtu kundër vendimit të Obamës. Dhe qëndrimet e saj liberale janë më shumë sociale.  Unë marr shume pyetje nga njerëzit se duan një përfaqësues të mbrojë Social Security dhe Medicare, unë do ta bëj këtë do të luftoj çdo përpjekje për të mos lejuar privatizimin e social security apo kthimin e saj një voucher sistem, këto i thotë dhe Trump.

Diskutimet  për zgjedhjet kalojmë pastaj tek problemet e emigracionit dhe natyrisht një miku i unë që ende nuk rregulluar statusin e tij, i cili s’ka mundësi të votojë, ai natyrisht mbështet Clintonin për perspektivën e rregullimit të statusit të tij. Ai s’voton dot por i druhet deportimeve që mund të fillojnë Trump sapo të marrë pushtetin. Në fakt ai është personi më i interesuar për rezultatin e zgjedhjeve. Po të kishte mundësi ai do të votonte që sot.

“Që nё 100 ditët e para në detyrë, Hillary do të prezantojë njё reformë gjithëpërfshirëse qё  u hap rrugë emigrantëve drejt shtetësisë së plotë . Ajo do të trajtojë çdo njeri me dinjitet, duke  rregulluar vizat e vonuara tё  familjeve, mbështetur nё respektimin e ligjit, mbrojtjen e kufijve tanë dhe sigurinë kombëtare, duke i sjellë miliona punëtorë ekonomisë amerikane. Do t’i japë fund ligjit t ndalimit 10 vjeçar pёr ri-hyrjen nё SHBA qё i detyron familjet, sidomos ato anëtarët e së cilës kanë shtetësi amerikane, të jetojnë tё ndara pёr njё kohё tё gjatё”, dhe ai na nxit të gjithëve të votojmë për të.

Natyrisht dhe shqiptarët nuk janë ndryshe nga fqinjët e mi që i kanë mbushur oborret e tyre me pankarta pro Clinton apo pro Trump, por si komunitet ne kemi një të metë ne flasim shumë por nuk votojmë. Duhet që shqiptarët më 8 Nëntor të dalin më shumë në votime të votojnë dhe të bëhen faktor me votën e tyre që politikanët të mos i kërkojnë ata, vetën për mbështetje financiare, por të jenë faktor edhe me vota që edhe të zgjedhurit e tyre, ta kuptojnë se vota e tyre nga një herë vlen më shumë se dollarët e tyre, dhe ta ushqejnë brezin e ri që të angazhohet në politikë ashtu si prokurorja “e rreptë” dhe e re, Susanna Shkreli.

Sfida është e madhe kësaj radhe dilemat më të mëdha. Në një sondazh të fundit Clinton prin me vetëm 2 %,  dhe votuesit e Trumpit duken më entuziastë se ata të Clintonit nga votuesit e Clinton 25 votojnë pro saj dhe të tjerët pse janë kundër Trump ndërsa ndër ata të Trump 48 janë pro tij dhe të tjerët kundër Clintonit.  Natyrisht këto zgjedhje janë më të përfolurat, sa thuhet se nuk votohet pro kandidatëve, por kundër kandidatëve kundërshtarë. Shqiptaro amerikanët dihet se nga do të anojnë…   Pavarësisht dilemave një është e sigurte se demokracia amerikane është dhe mbetet e konsoliduar, dhe nuk ka vend për teori konspiracioni pas 8 Nëntorit.

Filed Under: Politike Tagged With: per ke do te votojne, Rafael Floqi, Shqiptaret e Amerikes

Tsipras do të takohet me babain e çështjes çame Servet Mehmeti

November 6, 2016 by dgreca

*Kur dëgjon Ministrin e Jashtëm të Greqisë Kotzias, të deklarojë se çështja çame nuk ekziston, xhaxhi Serveti i ndjen sytë e ti bëhen si deti i Arpicës. Kur dëgjon ti thuhet se shtëpia, toka, babai i tij, nuk ekzistojnë, deti i syve të tij dallgëzon furishëm. Kur dëgjon ti thuhet nga Kotzias se në moshën 2 a 3 vjeçare ai është dënuar nga Gjykata si bashkëpunëtor i nazizmit, furia e dallgëve në detin e syve i mbyt faqet dhe zemrën. Servet Mehmeti është në Tiranë. Atdheu i tij është Shqipëria. Shtëpinë, tokën dhe babain i ka në Arpicë…/

1-arian-galdini-620x330Nga Arian Galdini/*Servet Mehmeti është një burrë me flokët e bardha borë, i cili ka ardhur 2 apo 3 vjeç në Shqipëri. Është bir në një familje me shumë fëmijë që u rritën vetëm nga nëna e tyre sojlie, për të cilën, kur e kujton e flet për të, xhaxhi Serveti përlotet. Vuajtjet dhe sakrificat e nënës së tij për të ushqyer, shkolluar e rritur me dinjitet fëmijët e saj, xhaxhi Serveti i ka të skalitura si 10 urdhëresat e Zotit në pllakat e gurta të Moisiut. Ajo nënë çame, nuk i pa kurrë varfërinë, mungesat, padrejtësitë, si shkase e arsye për të ushqyer smirë, mllef, ligësi, dorëzim apo marifete te fëmijët e saj. Përkundërazi, çdo ditë mjerimi e zbukuroi me këngët e gëzueshme të krahinës së Çamërisë. Çdo mungesë e padrejtësi e mveshi me histori burrash e trimash Çamërie që luftonin për të mbrojtur vendin e tyre, tokat, pronat dhe familjet e tyre, që lundronin deteve për të bërë tregëti me botën, që punonin nga agimi në muzg për të ndërtuar të mirat, që së bashku zhvillonin qytezat, lagjet dhe fshatrat ku jetonin, e që kurrë nuk bënin armiq, e që lindnin e vdisnin kryelartë. Asnjëherë nuk e pa a dëgjoi nënën e tij, Servet Mehmeti që të shante, mallkonte a urrente ndokënd për hallet e mëdha që i kishin rënë si male mbi shpinë. Ajo dinte të bënte gjellë e haje të shijshme edhe nga ajri. Dinte ti ngopte fëmijët e saj me gëzimin e buzëqeshjen e saj. Dinte ti ngrohte kur kishin ftohtë, me dashurinë e saj. Kur ishin pa strehë, ajo u tregonte fëmijëve të saj se trimat e Çamërisë ishin yjet e qiellit dhe i mbronin ata nga shiu, bora, ftohma dhe të ligjtë. Kur gjenin strehë, ajo u thoshte fëmijëve se pluhuri i yjeve të qiellit i kishte bërë ato mure e atë çati, që ata të ishin gjithmonë e të pandarë nga trimat e Çamërisë. E kur fëmijët e pyesnin se përse ishin pa shtëpi, përse ishin pa baba, përse ishin të varfër, ajo me sytë lart nga qielli e të lagëta si deti Arpicës u përgjigjej, i kemi edhe shtëpinë, edhe të mirat edhe babain, i kemi. Fëmijët që kurrë nuk e kishin parë të qante nënën e tyre, i uleshin përreth e përpiqeshin të kuptonin nga valët e detit të lotëve që i rrëshkisnin në faqe nënës së tyre, se nëse i kishin të gjitha këto, çfarë i kishte prurë larg tyre. Jemi në atdheun tonë, por jo në vendin tonë, u thoshte teksa psherëtinte nëna. Me kaq e mbyllte detin në sy dhe niste të këndonte tumankuqen a ndonjë këngë tjetër të gëzueshme çamërie. Ku e gjente forcën ajo nënë që detin e lotëve ta mbyllte me këngë të gëzueshme, asnjëherë nuk e kuptoi askush. Derisa fëmijët u rritën e këngët u bënë histori dhe historitë u bënë kujtesë, e kujtesa u bë ndërgjegje, e ndërgjegja u bë kushtrim. Në ditët e sotme, xhaxhi Serveti është ai plaku i moçëm e i urtë që qëndron në udhëkryq e të dëfton se cila është rruga që të çon e të kthen, e cila është ajo që stë kthen. Deti i Arpicës në sytë e nënës së tij është bërë shkumë e bardhë dallgësh të rrepta në flokët e tij. Këngët e trimave të Çamërisë janë bërë urtësi në fjalët e tij. Historitë e Çamërisë janë bërë fuqi dhe drejtësi në mendimet e veprimet e tij. Kujtesa është bërë kudhra dhe çekani i karakterit të tij. Ndërgjegja dhe kushtrimi janë bërë arsyeja e jetës së tij. Njëlloj si atëherë kur ishte 2 a 3 vjeçar, ai pyet, përse jam larg detit të Arpicës, larg shtëpisë sime, larg babait, përse? Me këto pyetje ai jetoi çdo ditë të jetës së tij. Me këto pyetje u bë edhe njëri ndër themeluesit dhe Kryetari i parë i Shoqatës Çamëria. Me këto pyetje u përlesh para Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2004, ndërsa e përgjakte policia që mbronte deputetët që kishin frikë të votonin Rezolutën Çame. Me këto pyetje e fitoi Rezolutën Çame. Me këto pyetje iu bë krah e mbështetje Shpëtim Idrizit, Tahir Muhedinit e të tjerëve që të themelonin Partinë e Kauzës Çame. Me këto pyetje refuzon ti bindet kufizimeve të moshës dhe si një luftëtar i paepur e nis dhe bitis ditën duke notuar në detin e Arpicës që i kanë ngulitur në mendje sytë e lagët të nënës së tij. Ai noton në ato sy, noton në atë det sepse kërkon bregun. Është Uliksi i kohëve moderne. Kërkon Itakën e tij. Kërkon atë Itakë ku ka shtëpinë, babain dhe detin ku lundronin të parët e tij. Do të prekë ata gurë që ngriti me duar babai i tij për të ndërtuar shtëpinë. Do të shkelë në atë tokë prehet babai i tij e shumë të tjerë që u vranë e masakruan pabesisht nga bandat e Napoleon Zervës. Do të shohë atë prag prej ngaku e larguan përdhunshëm, krejt pa arsye ndërsa ai ishte vetëm 2 a 3 vjeç. Do të shkojë në vendin e tij. Në Tiranë e ngado në Shqipëri, të gjithë ata që e njohin Servet Mehmetin, e nderojnë si një njeri e burrë të rrallë. Shpesh ai ngjason me ndonjë nga ata yjet lart në qiell si në rrëfenjat e nënës së tij që ka zbritur këtu si burrë i çmuar Çamërie. Ai këtu është në atdheun e tij. Por nëna i ka lënë amanet që të mos harrojë kurrë vendin e tij, shtëpinë e tij, babain e tij. Kur dëgjon Ministrin e Jashtëm të Greqisë Kotzias, të deklarojë se çështja çame nuk ekziston, xhaxhi Serveti i ndjen sytë e ti bëhen si deti i Arpicës. Kur dëgjon ti thuhet se shtëpia, toka, babai i tij, nuk ekzistojnë, deti i syve të tij dallgëzon furishëm. Kur dëgjon ti thuhet nga Kotzias se në moshën 2 a 3 vjeçare ai është dënuar nga Gjykata si bashkëpunëtor i nazizmit, furia e dallgëve në detin e syve i mbyt faqet dhe zemrën. Servet Mehmeti është në Tiranë. Atdheu i tij është Shqipëria. Shtëpinë, tokën dhe babain i ka në Arpicë. Nëse Ministri Kotzias thotë se Servet Mehmeti nuk ekziston, ndoshta duhet që vetë Kryeministri Tsipras të vijë në Tiranë për ta pirë një kafe me xhaxhi Servetin. Xhaxhi Serveti nuk është armik i Greqisë, nuk i uren grekët. Përkundërazi. Atje në Greqi ai ka vendin e tij ka tokën, shtëpinë, pronat dhe babain e tij. Ai do vetëm të shohë detin e Arpicës. Është thinjur duke notuar në detin e Arpicës nëpërmjet syve të nënës së tij. E nuk do që sytë e tij të bëhen det Arpice për fëmijët e tij. Do vetëm të shohë detin me sy, që ta heqë detin nga sytë.

  • E dergoi per Diellin, z. Kolec Ndoja, Kryetar i deges se Vatres , South Florida

Filed Under: Opinion Tagged With: Arian Galdini, do të takohet, e ceshtjes came, me babain, Servet Mehmeti, Tsipras

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT