1) Duhet të ketë qënë viti 1984-85 kur nga ato aksionet e shkollave të Myzeqesë, pambuk, misër etj. Kthehesha më këmbë anës xhadesë. Nga fushat e Plukut. Më kujtohet si tani, kur një burrë me mustaqe, majë një biçiklete kineze më ofron të hipi në portobagal. Si ta kishte kuptuar lodhjen time. Përfshi dhe një zënkë moshe që më bëri të humbja autobuzin. Më tha se e kishte rrugën për Lushnje. Dhe unë pranova. Erdha shumë mirë dhe e falenderova.
Por kurrë nuk ia mësova emrin. Veçse tani vonë, aty e ca vite më parë. Në një nga ato kronikat me vrasje për efekt të detyrës. Pashë atë. Në krye të familjes. Viktima ishte i biri. Një oficer i policisë së shtetit. Dhe që vrasja e tij kurrë nuk u zbulua deri sot që unë po e kujtojë. Shkurt njeriu i mirë i memories sime. Vinte nga një familje e persektuar. Dhe vrasja e të birit, mos vënia para drejtësisë e autorëve, është padiskutim persekutimi i tij i dytë. Ky i demokracisë otomane shqiptare. Së cilës në një apo tjetër mënyrë iu bashkua edhe shtresa e të persekutuarve. Së cilës në një apo tjetër mënyrë, iu bind zvarritjes së reformave të vërteta, aq të domosdoshme për një vend, mjaft që tek-tuk morën pak pushtet, pak kompesim pronash si depot e çarmatosura të regjimit. Duke bërë kështu kompromisin më të ulët, përballë vuajtjeve dhe përndjekjes gjysmë shekullore. Ndërkohë që një pjesë e madhe ikën botës, për shkak të lidhjeve historike që familjet e tyre kishin me regjimet, një pjesë të dorëzuar nga ëndrrat dhe makthet diktatoriale. Me vulën se ai vend kurrë nuk ka për tu bërë. Një mundësi e artë kjo për të gjithë nomeklaturën e djeshme. A një batalion aparatçinjsh që dispononin edhe medaljen e familjes së dëshmorit, heroit të punës etj. Dhe së fundi atë të të përndjekurit dhe të persekutuarit politik.
Kjo ishte panaroma e fillimeve të demokracisë.
2) Fushat e qytetit tim që ishin edhe kazermat e borgjezisë, e antiregjimit, ordinerëve gjysmë politikë, e të shushaturve nga zakonet e gjakmarrjes, kosovarëve të arratisur nga raprezaljet. Dhe të fundit, byroistë të çmontuar që ndiheshin pjella të ironisë së fatit, për shkak se u duhej të jetonin me produktin e dhunës së sistemit të tyre. U zbrazën vrullshëm. Aq sot në ato kampe kanë mbetur ca baraka iterniti. Dhe hallexhinj nga malësia rreth malit të Tomorit. Ca si ruajtës prone, ca si zabtues të saj.
Myzeqeja është e paqtë. Mund ta mbjellësh farën me gisht.
Të përndjekurit, tashmë skajeve të globit. Ose skajeve të kompromiseve me xhelatin shkojnë aty sa për të bërë foto. Për të bërë ca deklarata dhe për të rrëfyer pa u lodhur kalvarin e vujatjeve.
Në një farë mënyre këtë bënin edhe persekutonjësit me luftën e tyre. Me heroizmat në emër të popullit.
3) Në prillin e vitit 2015, Kuvendi i Shqipërisë miraton ligjin për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit. E gjitha një panoramë ku po t’i kthehesh kujtesës. Një inisiativë e një maxhorance që duam apo nuk duam ne, ka lidhje të drejtpërdrejtë me persekutorët. Një tjetër ironi e fatit të të persekutuarve, ligjin e relaton një ministër i mirëqënies sociale. Kur duhet të ishte ndryshe. Ndofta nje relatim i karakterit me lot mes vidjove horror. Mbi mëkatet, torturat, shantazhet deri nga motra për vëllanë, vëllai për vëllanë, gruaja për burrin, burri për gruan, shoku për shokun etj. Të gjithë ishin të një gjaku. Dhe gjaku o falet në shesh burrash. Ose nuk falet kurrë.
Duhet të ishte një relatim nga një komision që nënshtron qeveritë. Dhe jo nga ministra të përkrahjes sociale.
Persekutimi nuk ishte çështje mirëqënie. Por mënyra sipërore e çnderimit, përçudnimit e një klase shoqërore. A një pjese të shoqërisë që mendon ndryshe nga ty. Që siç e tha edhe martirja e madhe e jona, Musine Kokalari…, se përse mendoj ndryshe nga ju, nuk do të thotë që nuk e dua vendin tim.
Por nga prilli i 2015 e deri sot qeverisë dhe Kuvendit iu desh tetë muaj për të emëruar një kryetar për komisionin që do zbatojë këtë ligj. Tetë muaj dhe me 69 vota pro. Jo me plot kapacitetin e domosdoshëm dhe të nevojshëm që e kërkon koha. Ndërsa qeverive shqiptare plot 26 e vjet …, edhe pse aty ka akoma të përsektuar që rrahin gjoksin me vuajtjet e sojit. Marrin vota me shumicë. Dhe abstenojnë kur nuk janë më në pushtet. Po thjesht deputet. Abstenojnë jo se u dhëmbin vuajtjet. Po për inat të ministrit të punëve sociale. Ose atij të keç-up-it. Ose Ilir Metës që iku e bëri aleancë me armiqtë.
4) Të persekuturët i njohin persekutorët e tyre. I dinë se ku janë. Çfarë postesh kanë. Madje i tregojnë me gisht sapo ndonjë nga ata u ngrihet nga tavolina. Kuptohet pasi ka paguar kafenë dhe pijet.
I dinë se kush ua nënshkroi dëshmitë, dënimin.
E dinë tashmë që në këto 25 vite demokraci. Dosjet kyçe kanë ikur në drejtim të paditur. Ose janë bërë kontigjent shantazhi mes socialistit dhe demokratit. Ashtu sikur edhe mes të persektuarit me të persekutuarin. Nuk u kujtohet rasti i këngëtares Hisku. Një denoncim të sajin më shumë e sulmuan të persekutuarit se sa krahu i persekutonjësve. Nuk u kujtohet se si një burrë shteti i tha botës së po të hapen dosjet shqiptarët do vriten pasi kanë spiunuar njëri-tjetrin. Një llogjikë si ajo barcaleta me burgjet jashtë vendit, ku hekurat e qelive të shqiptarëve janë të rralla dhe pa gardianë. Pasi shqiptarët ruajnë njëri tjetrin.
Të persektuarit sot kanë dhe një seli, por shumë shoqata.
Sidomos kur vjen fjala për përvetësime fondesh, a marrje bursash.
Sidomos kur duan ndonjë favor. I nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Edhe pse përbetohen në varje njerëzish. Në koka të prera.
Në fakt i janë larguar çështjes së tyre, me këto kompromise thërrime rehatie. Duke i quajtur vujtjet si kriter për ndreqjen e jetës së tyre. Jo të çështjes së madhe.
5) Dhe ky komision, i ngritur kështu…, mes këtyre kompromiseve përciptas. Eshte persekutimi yt i tretë miku im biçikletës. Mjafton edhe një xhest i thjesht për tu mbajtur mend. Të tjerat janë lojrat e radhës brenda sojit.
Archives for December 2016
ZDHEDHJE NE KOMUNEN E DRENASIT
-KOSOVË-ZGJEDHJET E JASHTËZAKONSHME NË DRENAS, DERI NË ORËN 15:00 VOTUAN 27 PËR QIND
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit deri në orën 15:00 kishin votuar 27 për qind, 14. 193 votues nga më shumë se 52.000 në listën e certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Përqindjen e daljes në zgjedhje e njoftoi në një konferencë të re shtypi pasdite kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, sipas së cilës procesi i votimit në Drenas po vijon me rregull. Konferenca e radhës për shtyp do të mbahet në orën 19:30 dhe ka të bëjë me mbylljen e procesit të votimit dhe me daljen e votuesve në zgjedhje, ndërsa shpallja e rezultateve preliminare pritet sonte vonë./
-Për kryetar komune garojnë gjashtë kandidatë, 5 të partive politike e një i pavarur/
PRISHTINË, 4 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në komunën e Drenasit, në krahinën e Drenicës në Kosovë, sot po zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar, ku garojnë gjashtë kandidatë, 5 të partive politike e një i pavarur.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka tha se:“Në bazë të informacioneve nga qendrat e votimit procesi është duke vijuar normalisht”, tha ajo.Në orën 07:00 janë hapur 28 qendra votimi me gjithësej 72 vendvotime për më shumë se 52 mijë votues në listën e certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka akredituar 853 vëzhgues.
“Është shpërndarë sipas planifikimeve i gjithë materiali sensitiv nëpër të gjitha qendrat e votimit dhe ato janë hapur me kohë”, deklaroi në mëngjes KQZ, i cili gjatë ditës do mbajë edhe disa konferenca shtypi e në mbrëmje vonë pritet të njoftojë edhe rezultatet preliminare.“Për orën e saktë të publikimit të rezultateve preleminare do t’iu njoftojmë me kohë”, shprehen në KQZ.Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, përcjellën nga afër procesin e votimit gjatë paraditës në Qendrën e Votimit te Skolla Fillore “Rasim Kiqina”, në qendër të qytetit të Drenasit.
“Pata kënaqësinë të dëgjoj se gjithçka është duke shkuar në rregull. Shpresoj që gjatë ditës gjithçka të shkojë mirë. Është e mundur ndonjë vonesë për shkaqe teknike, por nuk ka pengesë që e dëmton procesin apo tendencë për dëmtim të procesit”, deklaroi Daka.
Sipas Koalicionit për Integritet Zgjedhor “nga 72 vendvotime 58 janë hapur me kohë, kurse 12 janë hapur me vonesë prej 10 deri 50 minutash. Në shumicën e vendvotimeve vonesat kanë ardhur për shkak të mungesës së materialit zgjedhor”.
“Sipas të dhënave të gjertanishme nga monitoruesit e Koalicionit, deri në orën 12:00 dalja e qytetarëve në zgjedhje në Komunën e Drenasit është 12%”, deklaron Koalicionit për Integritet Zgjedhor, sipas të cilit janë evidentuar disa parregullsi. Edhe Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” duke iu referuar vëzhguesve nga terreni deklaroi se, “rreth 10% të të gjitha vendvotimeve 72 vendvotimeve janë hapur me vonesë”.
Sipas Koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, në Drenas dalja e votuesve deri në orën 12:00 është 6,956 votues (përfshirë ata me kusht) apo shprehur në përqindje 13.23%, ndërsa “parregullësia më e shpeshtë që po shoqëron shumicën e vendvotimeve është votimi familjar”.Prokurori i Shteti e Kosovës deklaroi se ka angazhuar ekipin e prokurorëve të mjaftueshëm në komunën e Drenasit dhe në Prishtinë, së bashku me stafin mbështetës të udhëhequr nga Koordinatorja Nacionale për zgjedhje, Laura Pula, të cilët janë duke përcjellë të gjithë procesin zgjedhor për komunën e Drenasit.Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar për mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor.Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas u shpallën pas dorëheqjes së ish-kryetarit, të cilit gjykata e Apelit ia konfirmoi dënimin në rastin “Drenica 2”.
Amishët-Populli “i çuditshëm” i Amerikës
Nga Albana Lifschin/*
Më është bërë zakon që kudo ku shkoj për udhëtime turistike të blej mags’. Këta janë filxhanat e mëdhenj të kafesë që përdorin amerikanët. Shpesh ata kanë dekoracione, pamje të ndryshme që përfaqsojnë vendin apo shtetin ku blihen, një ngjarje historike, apo thjesht një simbol të tij. P.sh.filxhani nga Bostoni ka një pikturë të Masakrës së Bostonit, një mag nga “Qyteti i mëkatit” Las Vegasi, ka letra bixhozi. Nga fshati ‘Sleepy Hollow’, Nju Jork, kam një filxhan me figurën e kalorësit pa kokë, sipas legjendës për të cilën kam shkruar edhe më parë. Nga shteti i Dellëuerit kam një mag nga i cili mëson se ky shtet dha të parin regjiment për ushtrinë e Xhorxh Washingtonit. Nga Merilendi kam një… Janë bërë shumë për t’u numëruar e në çdo mag është shkruar një histori. Ky koleksion i magëve,-hob i imi, tashmë ka kaluar edhe përtej Atlantikut, por qëllimi im këtë herë është të ndalem pikërisht këtu, tek një komunitet i veçantë që ka Amerika, tek Amishët. Nga vendi ku banojnë ata(Amish county) Pensilvania, kam tre relike. Filxhani ka tabllone tipike, më tipike amishe: një karrocë e vogël e tërhequr nga një kalë, me urimin e mirseardhjes në vendin e tyre. Relikja e dytë, është një skulpturë e vogël që paraqet një grua amishe , me futë ( përparëse), me kapuç të zi në kokë, duke rrahur dybekun. E treta, është figurina e një gruaje në moshë që po qep një jorgan, mbi prehërin e saj. Gruaja me dybek, më kujton shumë gjyshet tona në kohën e tyre, kur gjalpin e djathin e zinin vetë, e gjithçka tjetër në shtëpi pothuajse ishte produkt i duarve të tyre.
Mirëpo, këto objekte të vogla arti, që flasin, nuk janë punuar nga ndonjë artist nostalgjik i kohës së shkuar, por janë simbole të jetës amishe të sotme, që vazhdon rrjedhën ende në origjinalitetin e vet shekullor dhe ruhet me një fanatizëm të pashoq. Dhe kjo është ajo çka e bën këtë komunitet të jetë krejt ndryshe nga shoqëria moderne amerikane, edhe pse jeton në gjirin e këtij shteti.
***
“Welcome to Intercourse!”
Ishte një fundjave e ngrohtë, kur vendosëm të shkonim në vendin e amishëve në shtetin e Pensilvanisë. U ishim afruar disa dyqaneve të vogla buzë rrugës dhe i thashë tim shoqi të ndalonte makinën. Këto lloj dyqanesh janë në shënjestrën time sepse tek ato gjej antikitete. Zbritëm nga dhe para se të kapërxenim rrugën, mbajta këmbët para një tabele vendosur në një shtyllë të lartë:Welcome to Intercourse!
-.Mos jemi gabim këtu? i thashë tim shoqi disi e shokuar, sikur papritur u ndodha para një moteli famkeq.
-.”Intercourse” duket është emri i këtij fshati. Shikon? Nën përshëndetje thotë që është krijuar 100 vjet më parë.
-.100 vjet …dhe s’ka dalë një i mençur të sugjerojë ndërrimin e emrit të fshatit? thashë sikur po flisja me vete. Tim shoqi, Pollit, nuk iu duk se i bëri përshtypje “vërejtja” ime.
Hymë në një dyqan, tip kinkalerie ku shikoje orendi të natyrave të ndryshme, të punuara me dorë.Midis tyre, kishte edhe mags, ku shkruhej “Përshëndetje nga Intercourse, Pensilvania“. Mora njërin prej tyre në dorë. Tablloja tipike e karrocës së vogël me kalë, mbulonte faqen e filxhanit.
-.Bleje, -.më tha im shoq,duke vënë buzën në gaz,-mos bë përjashtim nga rregulli.
Shitësja ishte një vajze e re që mbante në kokë, një kapuç të vogël,të zi, karakteristik nën të cilin kish mbledhur flokët. Qe ulur në karrige, në një kthinë të dyqanit, si në kuvlinë e saj dhe dukej se qe përqëndruar në një qëndisje. Më bëri përshtypje ‘indiferenca’ e saj, kur në dyqan kishin hyrë të huaj. E tërhequr nga veshja e saj, nxora aparatin.
-.A mund t’u bëj një fotografi? e pyeta.
Ajo më refuzoi në mënyre të sjellshme, por të prerë.
“Pse vishen në mënyrë kaq të veçantë”, pyeta veten. Në kthim, duke gërmuar nëpër libra mësova se veshja e tyre e thjeshtë, pa ngjyra,(me saktë mbizotërimi i të zezës) ka të bëjë me devotshmërinë ndaj Zotit.Veshja e tyre shërben si një “flamur” etnik. Amishët vetë janë një grup etnik dhe fetar. Amishët refuzojnë stolitë, dekoracionet në veshje,varëset floriri apo perlash,madje edhe orën e dorës, pasi ato shprehin dëshirën e individit për t’u admiruar nga të tjerët. Veshja e tyre uniforme ka të bëjë me besimin që çdo kristian duhet të jetë i barabartë, dhe kjo shprehet edhe në veshjen e thjeshtë e të njejtë për të gjithë. Ata besojnë se duke larguar vëmendjen nga paraqitja,i hapet rruga ndriçimit të virtytit. Ai bie në sy. Idea e thjeshtësisë shtrihet deri tek godinat fetare. Ata e gjykojnë lluks ndërtimin e kishave e shumë prej tyre preferojnë t’i luten Zotit në shtëpitë e tyre.
Im shoq, më bëri shenjë duke më drejtuar tek një kënd i dyqanit me sergjene.
Pikërisht aty, më ranë në sy edhe ato dy skulpurat e vogla, gruaja me dybek dhe ‘nënokja’ që qepte jorganin. Sepse më kujtuan gjyshen time labe. Kam qenë fare e vogël atëherë, por kujtesën e kam më të fortë për vegjëlinë time, se sa për ç’ndodh sot. E shoh si tani me sytë e mendjes gjyshen time, ja ashtu, përkulur mbi një jorgan të ri. Martohej djali më i vogël i familjes dhe ajo qepte jorganin me dorë; qe një copë me lule shege, e kuqe flakë. Kjo, e kësaj nënokes amishe, qe si me copa të ndryshme të bëra bashkë me njera tjetrën nga gjilpëra-.një farë mozaiku i jo fort i kombinueshëm.
I mbështolla me kujdes këto relike,të cilat i ruaj ende në bufenë time,që nga ajo ditë.
Pas atij dyqani morëm rrugën për në fshat, thellë. Ecëm në këmbë deri atje ku dukej një shtëpi dy katëshe pranë një are me grurë. Në faqen ballore,(apo ashtu m’u duk mua) shtëpia kishte një banak të hapur , në të cilin dukej sikur s’të priste askush. Pritëm me durim, ndërsa kundronim gjithëçka kishte dyqani. Im shoq, tha se shpresonte që këtu të gjente edhe root beer. Mua, më zunë sytë në një qosh të banakut një libërth. Ishte në madhësinë e fletoreve 16-çe, si i quanim dikur,fletët e se cilës sikur qenë qepur me dorë. E çfletova dhe gjeta në të edhe pjesë këndimi, edhe gramatikë, edhe matematikë, edhe histori. Ishte e shkruar nga një mësues i fshatit për nxënësit e shkollës fillore. Mendova se faktet historike qe kishte libri ,të dhëna në mënyrë të thjeshtë, por interesante, hera herës si gjë e gjëza, duhet ishin të mira edhe për emigrantët fillestarë të Amerikës.
-.Po këtu nuk paska njeri, -thashë më në fund e paduruar. Si e kanë lënë dyqanin pa njeri?
-.Poshtë është dyqan, por lart është shtëpi. Duhet të kenë dëgjuar me siguri që dikush është në dyqan, -.tha Polli
-.A ka njeri këtu? lëshova zërin unë.
-.Prit,-.tha ai duke më treguar një zile si këmborë të varur mbi banak. E tërhoqi dhe këmbora u dëgjua e fortë jo vetëm në dyqan, por besoj edhe më përtej. Në dyqan hyri një grua me veshjen tipike amishe, me të cilën isha mësuar tashmë. Unë bleva libërthin enciklopedik i cili më bëri punë kur u jepja anglisht emigrantëve të rinj , dhe im shoq disa shishe nga pija e tij e preferuar .
* * *
Por cilët janë amishët dhe pse janë kaq të veçantë? Është pyetja e natyrshme që bën çdo visitor.
Popullsia amishe ka ardhur disa shekuj më parë në Amerikë. Ata përbënin një nga grupet kristiane anabaptiste me rrënjë në reformimin protestan në Evropë , në shek. e XVI. Mirëpo nuk ranë dakort as me katolikët dhe as me protestanët në disa pika, dhe dolën si lëvizje më vete që u quajt Anabaptizëm. Ata filluan të vijnë në Botën e re, pas vitit 1700.Natyrisht edhe atyre si të gjithë evropianëve të parë u është dashur të përballojnë refuzimin e sulmet e popullsisë vendase, që Kolombi i ka quajtur “indianë’. Pra shumë syresh ranë të vdekur nga shigjetat e indianëve. Në librat e historisë së amishëve janë rregjistruar incidente të paharruara,ku tregohet se sa “kokëfortë” ishin amishët në respektimin e fesë dhe edukatës së tyre paqsore.Parimi i tyre ishte”Duaj Zotin dhe fqinjin tënd”.
Në librin e autorit Stiven Nolt, tregohet episodi i familjes Hocestler që ra viktimë e një sulmi nga vendasit, për shkak të përkushtimit ndaj parimeve të tyre paqsore e mësimeve të besimit të tyre që ata respektonin me devocion. Rrëfenja e trashëguar nga gjeneratat amishe, na thotë se në një natë shtatori,një nga djemtë e familjes Hocestler hapi derën e shtëpisë për të parë se përse lehnin qentë. U godit menjëherë nga shigjetat e vëndasve që kishin rrethuar shtëpinë. ( ngjarja ka ndodhur në fillim të shekullit të XVIII) Dy vëllezërit e tjerë rrëmbyen çiftet e gjahut për t’u mbrojtur,por babai i ndaloi djemtë sepse ai ishte i lidhur nga parimi i “mosmarrjes hak”, duke respektuar mësimin e Krishtit,”të goditën në një faqe, kthe tjetrën” dhe nuk mund t’i shikonte djemtë e tij të bënin të kundërtën. E gjithë familja u fsheh në podrumin e shtëpisë dhe” indianët” i vunë zjarrin shtëpisë. Në përpjekje për të shpëtuar duke dalë nga dritarja e qilarët, familja u kap rob.”
Amishët janë një popull me zakone e tradita që e dallojnë nga e gjithë popullsia e saj. Amishët kërkojnë të jetojnë të shkëputur nga bota si një mënyrë për të ruajtur pastërtinë e besimit të tyre dhe respektuar traditën e mënyrën e jetesës së stërgjyshërve të tyre. Ju ecni në një rrugë automobilistike dhe në të dy anët e rrugës shikoni shtëpi te bukura, kryesisht dykatëshe, tipike amerikane, të gjelbëruara për rreth ,të pastra të rregullta , por nuk ka makina të parkuara para dyerve të tyre. Amishët nuk përdorin makina, elektricitet, dhe kanë parimet e traditat e tyre të cilave u qëndrojnë besnikë. Ata janë kundër luftës dhe për pasojë nuk e njohin rregjistrimin në lista rekrutimi. Martesat bëhen vetëm brenda fesë së tyre, dhe komunitetit amish dhe çdo përjashtim nga ky rregull është me pasoja të rënda për atë të ri apo të re që e thyen atë. Ai ose ajo ekskomunikohet,( çkishërohet) dhe braktiset nga familja dhe shoqëria për jetë.
Amishët, ndryshe nga shoqëria amerikane, njohin e respektojnë të tjera vlera. Ata respektojnë identitetin e grupit mbi atë të individit, bindjen mbi inisiativën individuale, modestinë e përuljen mbi krenarinë, kooperimin mbi indipendencën. Flasin tre gjuhë: një për jetën e përditshme, një për në kishë, dhe e treta për tregëtinë më botën që i rrethon. Gjuha e tyre e trashëguar është një degë e gjermanishtes që quhet ‘gjermanishtja e Pensilvanisë’. Pas ardhjes në Amerikë, ruajtja e gjuhës së tyre, u kthye në simbol të ruajtjes së mbijetesës së origjinalitet të tyre, të idenditetit të tyre, traditave , veç nga bota amerikane. Fëmijët mësojnë anglisht kur shkojnë në shkollë, por ajo kurrë nuk bëhet si gjuhë e nënës për ta. Gjuha e Zotit-është gjermanishtja e vjetër në të cilën lexojnë Biblën,thonë lutjet dhe këndojnë himnet e vjetra. Anglishtja është gjuha e bisnesit. Gjithësesi kur shumica e amishëve jetojnë e punojnë në farm dhe anglishtja është e kufizuar vetëm për aq sa u duhet, kryesisht për shitje produktesh e komunikimit me blerësit.Në shtëpira,amishët nuk përdorin telefonat, radion, televizorin e paisjet elektrike. Gratë gatuajnë ende në soba me dru. Siç përmenda më lart, nuk përdoren makinat dhe kali mbetet simbol i jetës së tyre. Pikërisht këtë simbol mbante edhe filxhani, të cilin bleva në udhëtimin e parë në vëndin amishëve të Pensilvanisë.
*(Nga libri i ri “Perendimi mistik” me publicistike letrare i Albana Lifschin )
KALAJA E TEPELENËS DHE HISTORIA RRETH SAJ
Muret i gjen gjithkund ato qarkojnë kodrën e qytetit, ku erërat jugore kanë shpirtin e tyre, si simbol të fuqisë .Studiuesi Gj,Karaiskaj vijon:Muret e kalasë ndjekin formën natyrore të terrenit .Ashtu si dhe kalaja e Gjirokastrës ajo nuk ka ndonjë formë të rregullt gjeometrike. Përveç tri kullave poligonale, që janë vendosur në kthesat kryesore të mureve, për të kontrolluar më mirë këto të fundit, janë përdorur shpeshherë edhe dalje me kënd të drejtë të kurtinave, që shohin në drejtimet kryesore të lëvizjes së mundshme të sulmuesve,të cilat zëvendësojnë në këto raste kullat ndërmjetëse. Terreni mbi të cilin është ndërtuar kalaja, paraqet pengesa të fuqishme natyrore,nga ana lindore dhe pjesërisht nga veriu; nga perëndimi, ku ndodhet edhe një nga hyrjet e kalasë, terreni është i ulët dhe për më tepër, në këtë anë, kalaja zotërohet nga një kodër më e lartë. Kështu, për sa i përket aftësive mbrojtëse, kalaja e Tepelenës qëndron shumë më poshtë nga ajo e Gjirokastrës. Muret vijnë duke u zgjeruar në bazë, duke rënë me pjerrësi në anën e jashtme dhe kanë një trashësi që lëviz nga 2,5-5 m në pjesën e poshtme dhe 2-4 m në të sipërmen. Në brendësi, ato përforcohen me breza druri dhe deri në gjysmën e lartësisë shërbenin dhe si mure mbajtëse, për shkak të mo nivelimit të terrenit të brendshëm me atë të jashtëm. Kullat, si dhe në ndërtimet e tjera të Ali Pashës, bien me faqe shumë të pjerrëta. Ato janë veshur nga jashtë me gurë të skuadruar me kujdes dhe zbukurohen nga korniza horizontale guri. Në pjesën e sipërme, muret përfundojnë me shtegun e rojeve dhe një parapet ku janë hapur frëngji të shumta për armë zjarri, midis të cilave ka frëngji dyshe përpushkë, ndërsa në vendet më delikate janë ndërtuar mashikula përhedhje lëngjesh të nxehta. Ndërtimet e brendshme, për ekonomizimin evendit, i mbështeten mureve rrethuese. Ato mbulohen me qemere cilin-drike, një thembër e të cilave është pjesë përbërëse e murit rrethues,Kalaja ka tri porta, njëra prej të cilave (lindorja) mban mbishkrimin«Porta e Vezirit» (fig. 177). Interes për zgjidhjen e tyre arkitektonike,paraqesin edhe dy hyrjet e tjera, prej të cilave më e ruajtur është hyrja jugore (fig. 178). Ajo është ndërtuar pranë njërës nga kullat poligonale. Porta e jashtme nuk i ekspozohet drejtpërdrejt shikimit, pasi ajo është ndërtuar në faqen anësore të një të thelluare drejtkëndëshe të murit të kalasë. Përballë portës qëndron kulla poligonale, e cila,duke qenë me përmasa të mëdha, kontrollon jo vetëm sheshin e vogël drejtkëndësh, që krijohet para portës, por dhe krejt murin jugor. Porta e parë ose e jashtme, është e tipit portë-urë. E vendosur mbi një bosht rrotullimi horizontal në nivelin e pragut, ajo komandohej nga brenda në-PO KUR TË MARROHEN BURRAT ?!
Nga Fritz RADOVANI/
Ishte viti 1913, kur Mark Kakarriqi ishte ambassador në Vjenë, dhe Shkodra vazhdonte me kenë e rrethueme nga Mali i Zi… Një gazetar e pyeti Markun: “Po kur të marojnë Burrat, shka keni nder mend me ba? – “Kur të mbarojnë burrat, luftën do ta vazhdojnë gratë”, ju pergjegj Mark Kakarriqi… E fjala e Tij besa, vazhdoi edhe në okupacionin e 1944…/
Edhe një Marije tjeter mbas Maria Shllakut rroku armët…/
70 vjetori i VRASJES…/
- ISHTE MARIA ZOJZI (DEDA) ME BURRIN E SAJ PJETER DEDEN…, në Sheldi.
Me 5 dhjetor 1946 në Shkoder festohej Nata e Shën’ Kollit. Një mbramje jo e zakonshme në këtë qytet të lashtë, që gjithmonë ka përcjellë brez mbas brezit doket e zakonet e të parëvet të vet. Edhe pse shumë qytetarë janë largue ndër krahina të ndryshme të vendit ose edhe jashta Atdheut, zakonet i ruejnë, ashtusi atë ditë që festohën në Shkodër.
Atë natë të duket sikur qyteti asht prush ose ma mirë me thanë, sikur toka asht ndezë flakë prej dritave që depërtojnë jashtë dritarëve e kafazlijeve karakteristike të qytetit. Rrugët janë paqtue mjaft herët mbasi sejcili e ka mendue dishka para se me ra muzgu. Një gjel asht flijue edhe ndër shtëpitë e Pazarit të vjetër ndër kodrat rreth Kalasë, sëpse festa ka kohë që ka shkapërcye muret e nalta, të veshuna me shermashek e lulevile të shtëpive katolike.
Festa e Shën Kollit kremtohet në të gjitha anët ë qytetit. Dugajtë janë mbyllë njëherësh tue urue njeni-tjetrin: “Për shumë mot festën, pritshi të mirë mot!”
Në çdo votër asht vue buzmi, sigurisht jo, ma i madhi, mbasi ai ruhet për natën e madhe të Këshnellave, por sejcili oxhak nxjerr tym simbas forcës se asaj mbramje përzie me erën e gjellëve, që amvisat përgatisin me mjeshtrinë ma të madhe të grave të njohuna në këtë natë feste. Ajo që e ban ma të veçantë këtë natë asht qiri që ndezet në çdo shtëpi. Qiri i Shën’ Kollit asht i pikturuem me lajle e lule shumëngjyrshe që vëndoset në krye të vendit dhe ndezet nga i zoti i shtëpisë e, festa fillon!
Fëmijët janë ma të gëzuemit në sofren e vet dhe me sytë e tyne vezullues kontrollojnë çdo qoshë pa u rrëshqitë asgja. Aty kanë vargjët e fiqëve të thatë, arrat e lejthijat që aq shumë ua kande, molla e fruta të stinës, dikund shihet edhe ndonjë ftu e portogal.
Gjyshet e moshueme, prej kohësh ndër kanavetat e tyne me dryj kanë ruejt për këtë natë të mbështjellun në letra xhami, qyfterin e derdhun ndër format e bukura të peshkut.
Vena nuk i mungon as ma fukarasë. Ulen ndër sofrat e shtrueme me sofrabezat e kuq, fillon urata prej ma të moshuemve dhe mbas sajë në kupë të qiellit kanga e Shën’Kollit: “Vjen Shën’Kolli prej Misirit…” Vazhdon zani ma i bukur i shoqnuem prej korit të pjestarëve të familjes. Naltohet zani me u ndigjue edhe prej komshijve, mbasi asht kënaqësi kur të nesërmen bisedohet prej grave se kujt i asht ndigjue zani ma larg.
Prej sofrës së fëmijve vjen lajmi se kur, do të vijnë në sofrën e tyne bukfikja e pitegjarpni i bamë me arra e rrush të thatë Selaniku. Mbas sofrës, fëmijët e gzuem e të marrakotun nga gzimi vazhdonin laradashat në dhomën e fjetjes ndër dyshekët e shtruem përtokë. Gaz’ e hare në atë dhomë fëmijësh, ndërsa në dhomën tjetër nder të gjitha sofrat bisedohej: “Ku e merr me pasë mendjën e tyne!”…
Ma plaku rrëmon zjarmin e në plasat e trungut të lisit me mashë kërkon me ba xhixha e shkëndia që çohen përpjetë. Krizmat e tyne i kujtojnë fishekzjarret që zbërthenin dikur në naltësi. Mendja i fluturon tek Kisha e Madhe… Sigurisht shenjë nervoziteti… Gratë i heqin vërejtje: “Boll ma, mos e luej se bukuri tèk asht!” Lodhja e ditës e shoqnueme me atë të pijes bajnë punën e vet e, kështu, ngadalë në Shkoder fillon e bie qetësia…
***
- NATA SHËN KOLLIT…, dukej, sikur u mbyll pa krisma armësh partizane…
Atëherë, kur ndër sofra shkrepën gotat e vëndosuna mbi sofrabezat e bukur që sonte kanë sipër gjithë të mirat, ndër mjaft shtëpi asht i treti Shën’Kollë që gratë kanë hapë arkat e baulat e nusisë dhe kanë hjedhë mbrendë, ndoshta, përgjithmonë fustanet e bukura me lloj-lloj ngjyrash, se ato janë zëvendsue me futat e zeza dhe degërmitë e bardha ashtusi në shtëpijat e Dedejakupëve, Kazazëve e të sa e sa të tjerëve, burrat e të cilave janë pushkatue. Janë mjaft në Seksionin e mbrendshëm tue u torturue e kushedisa ndër birucat e qelitë e këtij qyteti, ku çdo ditë djelmët e sa nanave hidheshin si thasë prej dritaresh me u thye kokat dhe me u hapë rrashtat ndër kalldramët e oborreve, ku ndihej vetëm era e shfarosjes së qytetnimit shkodran e atij kombtar europian, nën parullën e njohun të komunistëve: “Borgjezëve e reaksionarëve, plumbin ballit!”
Mbas mesnatës ndigjohen vetëm gjurmët e randa të këpucëve me thumba të agjentave, patrullave, zhurmat e xhipsit të Sigurimit të Ahmet Sujit e topolinos së Dulaç Lekiqit që merreshin me arrestime. Punojnë vetëm zyrat e hetuesisë së Seksionit të Mbrendshëm, të Seksionit Katolik, ndonjë zyrë e qarkorit të Partisë, që vazhdon në ilegalitet tue shpërnda urdhnat e sajë me agjentët terroristë të natës që tashma kanë pushtue qytetin.
Këto zyra, të drejtueme nga agjentët jugosllav bashkpunojnë me oficerët tanë tradhhtarë Qazim Kapisyzi, Arif Gjyli, Lilo Zeneli, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri, Zoji Themeli, Pjerin Kçira, Rasim Dedja, Nesti Kopali, Xheudet Miloti etj., që nuk i fikun dritat kurrë mbasi ditë e natë dritaret janë të mbylluna, për mos me u ndigjue ndër rruga virrmat e britmat e të torturuemve të shkallmuem nder kalldrame për vdekje.
Ka mjaft nana që nuk i zë gjumi tue mendue se në duert e kujt ka loçkën e zemrës.
Një prej këtyne nanave asht edhe fatzeza Pina, e shoqja e Shtjefën Zojzit, që zemra i ndien dishka… Ajo, atë natë feste rri me sy të ngulun harû ndër gaca tue vrojtue kah votra, nuk i bahet me u ulë në sofër. Ajo asht e veçantë në të gjithë Shkodrën! Ajo ka në mal vajzën me emnin Maria. Vetë emni të ban me kujtue pa e njohë fare, një grue të pastër, besnike dhe trimneshë. Asht grueja fisnike e Pjetrit të Dedëjakupëve, që për besën e dhanun një ditë në kunorën Shenjtë kur në gisht vuni rrethin e martesës, merr malët bashkë me fatin e sajë dhe del me luftue komunizmin që ka pushtue mbarë Atdheun.
Nuk ishte jo hov rinie edhe pse ishte 30 vjeçe, por në zemër kishte mullâ urrejtjen e vrasjes së kushrinit nga komunistët, ingj. Ludovik Zojzit, arkitekt i vorrëve të Rrëmajit. Vllaun e saj prof. Rrok Zojzin, e kishin torturue në Sigurim se kishte guxue me thanë se, sa ka vra Zogu për 15 vjet komunistët i kanë vra për 15 ditë. Kjo grue zgjodhi rrugën e malit mbasi nuk mund të jetonte pa Lirinë e Atdheut, një dëshirë e pathyeshme edhe e burrit të saj që nuk kishte pranue bashkpunimin me komunistët. Ata nuk dinin me nda Shqipninë nga familja ashtusi dikur, burrat e motit bashkë me gratë burrnesha që morën malët për liri.
Edukata qytetare e atdhetare ishte brumosë edhe prej dy axhave klerikë të familjes Zojzi.
Në heshtjen e asaj natës kriminelët mendojnë vetëm për krime e vrasje. Këtë detyrë do ta kryenin ma së miri Zoji Themeli, Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil Kapisyzi e Zenel Cani me shokët e Ndjekjës. Në të dalun të dritës së datës 6 dhjetor, rreth orës 04.00 të mëngjezit, në luginën e prronit të Hijes së Madhe, në Meshkallë të Sheldisë, kur Maria e zgjueme… doli nga çadra e vendosun prej Pjetrit në atë vend, u ndigjue një za: “Dorëzou Marije, se nuk të vrasim!”…
Ajo, u përgjegj: “Për së gjalli kurrë, mor qena….!”, nxori armën nga brezi sëpse, e njihte mirë “besën” e komunistëve… Po, gjuejtjet e automatikëve të katilëve komunistë nga pozicionet e vëndosuna rreth asaj çadre gjatë natës, e rrëzuen përdhé…
Ajo u vra me pushkë në dorë. Gjaku i pastër i Marijes u derdh në përrue dhe zbriti në Dri, për me përshëndetë ma afër Shkodrën. Ajo me ujët e Drinit pershëndeti edhe Nanën e vet për me i tregue Asaj se, “kur më linde Ti, bashkë me qumështin gjaku më mori erë baroti, ashtu si më pate mësue qyshë të re, në besë të burrit qëndrova e bashkë me Pjetrin e dashtun u vramë për liri!..” Rozafa veshtroi Vajzen e Zojzakëve e nuk ju ndigjue zani!
Maria nuk ishte as e para shkodrane e as e fundit që doli malësh me armë në dorë mbas vitit 1944 me luftue kundër komunistëve. Ishte edhe Maria Shllaku po prej Shkodret, që zani i sajë do të jehonte për 50 vjet ndër malët e Kosovës. Vajza shqiptare u tregue gjithmonë e denjë për armët që mbante në brez. Ajo nuk u përkul as para pushkatimit, as para torturës, as para yllit të kuq të “çlirimtarëve jugosllavë”, me të cilin na zhigatne Flamurin. Ajo i provoi burgjet komuniste, ajo provoi malët e Tepelenës, ajo provoi baltat e kënetave të Myzeqesë, ajo nuk iu tremb as presionit moral, shpirtnuer e fizik të hetuesisë, as interrnimeve, as punës së randë të fermave e kooperativave bujqësore por, gjithkund mbas burrave vuejtën për një kafshatë bukë, lindën dhe rritën fëmijë që njëditë… do të ishin ndera e Atdheut.
***
- Vajzat e vërteta shkodrane në ballin e Rozafës vendosën dafina!
Vajzat e vërteta Shqiptare, Shkodra i ka pa edhe më 2 prill 1991!
Ishin vajzat e djelmët e shkollës “Jordan Misja” që me Flamurin e ngjymë në gjakun e djelmoçave trima shkodranë, marrshuen drejt Demokracisë! Ishin po ato vajza që më 14 janar 1990 i trandën thëmelet bustit të diktatorit të shekullit Stalin. E, prap më 2 prill, do të djegin tankun para diktatorit tjetër Enver Hoxha, që nuk i la gja mangut atit të tij, tue paralajmërue fundin e veprës së tyne: Turpit të Shekullit XX-të.
Toka Shqiptare i ruen në gjiun e sajë Herojtë, edhe pse sot na nuk dijmë ku pushojnë shumica e Tyne. Fshatarët e Meshkallës e ruejtën për 45 vjetë Marijen në tokën e tyne, me një rrasë të vogël si shenjë nën kaçuba ferrash. Aty çobanët kishin shkrue me kujdes: “Këtu pushon Maria e Shtjefën Zojzit, besnike e burrit të saj”. Njëditë ata fshatarë bashkë me krahinat e Jubanit, të Gurit të Zi, të Sheldisë e përrreth e përcollën për në Rrëmaji, Heroinën e tyne. Aty e priti Shkodra, sigurish, Ajo nuk erdhi me petkun e bardhë të nusisë por me atë visar që asht ma i Shenjti dhe ma i shtrenjti, Ajo erdhi e veshun me Flamurin e Shqipnisë si një zonjë e randë, me atë Flamur që Maria, me gjakun e sajë i ka shlye pergjithmonë yllin e qelbun të Titos, Stalinit, Enverit e Ramizit.
Edhe Flamuri, në shenjë nderimi për Heroinën e vet në zemrën e tij ka vu portretin e saj: SHQIPËN DYKRENARE. Ajo sot prehët me Nanën Pinë, mbasi burrin e besës komunistët e zhdukën, tue e vra për së vdekuni në Zallin e Kirit, pranë vorreve të Rrëmajit. Edhe Ai asht aty afër Marijes, aty ku janë shumica e Martirëve të Shkodrës…
- Të gjithë bashkë pa Shenjë as Emen tek koka…
- Marije! Më duket se, për kërkend ma shumë se për Ty….Shkruente dikur…, i madhi ynë
At Gjergj Fishta: “… Ju besën
Ka për t’ua dhanë mbi vorr, se kurr për s’ gjalli
S’ ka me e koritun namin t’uej e nderën,
Se ka me dekë p’ r Atdhé si desin burrat
Si diqet, qé, ju për nji Shqipni t’lirueme.”
Shenim: U lexue në Radio Shkodra nga autori, me 5 Dhjetor 1992.
Botohet në Dhjetor 2016.
- « Previous Page
- 1
- …
- 55
- 56
- 57
- 58
- 59
- …
- 63
- Next Page »





