• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2016

ENVER HOXHA SI FIGURE ARTISTIKE NE VEPRA TE REALIZMIT SOCIALIST

December 4, 2016 by dgreca

1-thanas-gjikaNga Thanas L. Gjika/
Në vitet e diktaturës, partia shtet bënte presion të vijueshëm për të popullarizuar e hymnizuar Enver Hoxhën si një burrë të shquar shteti, politikan të madh, luftëtar e strateg të pashok, etj. Këtë presion ajo e bënte përmes artikuj gazetash, këngësh, librash me kujtime veteranësh, filmash dokumentarë, pllakatash, etj. Me porosi ose jo të udhëheqjes së partisë, Enver Hoxha u kthye në figurë artistike për të trumbetuar këto ide edhe në vepra letrare, në piktura, vepra monumentale skulpturore, etj. Të gjitha këto vepra i shërbenin diktaturës për të mashtruar popullin se gjoja udhëheqësi legjendar po e drejtonte vendin dhe popullin nga fitorja në fitore, kur në të vërtetë po ecej drejt një fundi të palavdishëm e të turpshëm. Këtë e dëshmoi kapitullimi i sistemit diktatorial njëpartiak me ekonomi të përqendruar dhe zëvendësimi tij me sistemin pluralidt me ekonomi të tregut të lirë.
Të tilla vepra artistike kishin kryesisht vlera propagandistike dhe shumë pak vlera artistike. Themi se kishin pak ose shumë pak vlera artistike, sepse ato ishin vepra të hartuara sipas metodës së realizmit socialist. Si të tilla autorët e tyre për t’i realizuar ato ishin udhëhequr nga parimi i partishmërisë komuniste, parim i cili kërkonte që pa tjetër vepra t’i shërbente politikës së partisë. Dhe si të tilla ato i shërbenin propagandës politike të partisë shtet, por jo artit të vërtetë. Veshja e tyre me art i bënte ato shumë më të dëmshme se veprat thjesht propagandistike, si ishin artikujt e gazetave, fjalimet e politikanëve, pllakatat, apo filmat dokumentarë.
Veprat me vlera të vërteta edukative artistike i përkasin artit të realizmit, art i cili e pasqyron jetën jo sipas parimeve /interesave të imponuara të kësaj ose asaj parti politike, por sipas parimit të tipizimit duke e pasqyruar jetën në përputhje me të vërtetën historike.
Ta hymnizoje Enver Hoxhën si një burrë të shquar shteti në një potret, si bëri piktori Zef Shoshi më 1974, pa pasur porosi nga familja Hoxha, madje pa e parë asnjëherë nga afër dhe pa e pasur as personin si model, ishte shprehje e frikës që kishte ngjallur ky diktator dhe partia e tij në mendjen e këtij artisti të talentuar. Themi ishte shprehje, ose më mirë pjellë e frikës, sepse në atë vit Zef Shoshi dhe gjithë intelektualët kishin dëgjuar për krimet që kishte urdhëruar Enver Hoxha dhe ishin kryer gjatë viteve 1943-1960 ndaj intelektualëve shqiptarë të formuar në botën Perëndimore, kundër klerit e sidomos atij katolik në vitet 1945-1967, kundër artistëve pjesëmarrës në festivalin e këngës së vitit 1973 dhe kundër disa komunistëve disi liberalë si Fadil Paçrami e Todi Lubonja, etj. Pra portreti i Enver Hoxhës krijuar prej piktorit Shoshi në vitin 1974, ndonëse duket si portret i realizuar bukur, është një vepër me vlera artistike negative propagandistike. Ai portret është krijuar nga halli, nga frika që vlonte në ndërgjegjen e autorit të saj se mos dënohej dhe ai si shumë artistë të tjerë. Vetë Zef Shoshi ka thënë në një intervistë se “ajo vepër është pjellë e kohës…, se ai dhe gjithë vepra e tij i përket kohës kur e ka krijuar”. E pikërisht kjo thënie duhet shpënë deri në fund me sinqeritet e guxim, pra duhet pranuar se në atë kohë klima krijuese ishte një klimë nënshtrimi ndaj rregullave të realizmit socialist e partishmërisë komuniste. Se po të doje në atë kohë të hartoje një portret të Enver Hoxhës nuk mund të bëje ndryshe vetëm se ta hymnizoje atë, pra shkurt duhej të bëheshe vegël e propagandës së partisë. Dhe të pranosh se ke shërbyer si vegël e asaj partie është një akt qytetar i guximshëm, por që nuk mjafton të ndalesh deri aty, por ta shpiesh deri në fund, deri tek dënimi i vetes për dëmin që i ke shkaktuar popullit tënd. 
Sot, kur metoda e realizmit socialist nuk përbën më një metodë krijuese, dhe kur kanë dalë në shesh edhe shumë krime të tjerë të Enver Hoxhës, piktori Zef Shoshi po t’i kthehet hartimit të portretit të Enver Hoxhës nuk mund të hartojë një portret të njëjtë hymnizues për atë person historik. Ai patjetër ka për të hartuar një portret shumë të ndryshëm nga portreti i vitit 1974, sepse tani piktori do të punojë i çliruar prej frikës dhe do të përdorë një kombinim tjetër ngjyrash përmes të cilave do të shprehë jo hymnizim, por kritikë ndaj figurës së këtij diktatori të egër e gjakatar. Portreti i vitit 1974 u krijua me qëllim që të shprehte idenë e gabuar: “ Enver Hoxha është një burrë shteti largpamës, që mendohet thellë para se të marrë vendimet e tij”. Kjo ide binte dhe bie ndesh me të vërtetën historike, sepse e vërteta historike tregoi se me luftën e tejskajshme të klasave, me izolimin e tepruar të Shqipërisë, me varfërimin e jetës së popullit, Enver Hoxha nuk ishte aspak një burrë shteti largpamës, që mendonte thellë para se të merrte vendimet. Pikërisht kjo na bën që portretin e Enver Hoxhës të vitit 1974, që u vlerësua me çmime në atë kohë si portret i bukur, do të mbetet thjesht si një vepër me vlera edukative negative si vepër e propagandës komuniste. Ajo u realizuar në kohën e mungesës së lirisë krijuese, e nxitur prej frikës dhe autocensurës së autorit dhe jo prej kërkesave të brendshme të një artisti të lirë. Në atë kohë ajo u pëlqye prej ish komunistëve dhe masave të gjera të droguara nga propaganda e partisë, kurse sot ajo mund të pëlqehet vetëm prej disa ish komunistëve që nuk u ka dalë ende droga komuniste, si dhe prej atyre personave të cilët i patën lyer duart me gjak dhe nuk duan të pranojnë krimet e tyre, duke u justifikuar se ai rregjim ishte përparimtar dhe ata kryenin detyrën ndaj partisë e komandantit. Ai portret dhe simotrat e tij e kanë vendin në skutat e studiove të autorëve të tyre, ose në bodrumet e Galerisë së Arteve. Ato nuk duhet të riprodhohen dhe nuk duhet të ribotohen në organe shtypi a në media. Riprodhimi e ribotimi i tyre në ditët tona ka pa tjetër një qëllim keqdashës ndaj ecurisë së mendësisë së popullit tonë drej Europës demokratike. Kurse mosdënimi i tyre prej vetë autorëve tregon se autorët nuk janë ndërgjegjësuar për krimin që kanë kryer dhe nuk duan të kuptojnë rëndësinë e katarsës që duhet të kryejnë si artistë shërbëtorë të propagandës vrastare të diktaturës komuniste. 
Të njëjtët vlerësime mund të shprehim edhe për veprat monumentale që krijuan skulptorët Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami, Sali Shijaku e Shaban Hadëri për figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës i shquar i partisë, pas vdekjes së tij. Këto vepra kanë pasur kryesisht vlera propagandistike dhe pak vlera artistike të mirëfillta, sepse duke u krijuar me porosi nga lart në kushte të mungesës së lirisë, ato, ashtu si dhe potretet e diktatorit, shprehën ide të gabuara në kundërshtim me të vërtetën historike për vlerat e vërteta të Enver Hoxhës si shtetar e politikan. Po të rikrijonin po ata piktorë e skulptorë portrete e monumente të rinj për të njëjtin person historik pasi u shkërmoq diktatura, kur u njohën më mirë krimet e atij sundimtari, asnjëri prej tyre nuk do të krijonte më portrete ose monumente të ngjashëm me ato që kishin krijuar në vitet e diktaturës. Enver Hoxha do të jepej dhe me të metat e karakterit të tij si person dhe si shtetar, sepse të krijosh sot në kushte lirie një portret ose një monument hymnizues për një diktator si ai, do të thotë të jesh një artist qesharak e regresiv.
Ndryshe qëndron puna me vepra të tjera të këtyre piktorëve dhe skulptorëve, ku janë vënë në qendër njerëz të thjeshtë, malësorë, bujq të fushës, luftëtarë të së kaluarës, personalitete si Ismail Qemali, Kostandin Kristoforidhi, etj. Në këto vepra figurat njerëzore janë krijuar në përputhje me vërtetësinë historike të kohës së cilës i përkasin heronjtë që janë vënë në qendër të tyre, pra ato vepra i përkasin artit realist. Trajtimi i temës së jetës shqiptare nga e kaluara ndihmonte krijuesit për të qenë më të shpenguar ndaj kërkesave të realizmit socialist, prandaj shkrimtarë, piktorë, skulptorë, kineastë etj shpesh herë iu drejtuan të tilla temave në vitet e vështira të diktaturës.
Përsa i pëket romanit “Dimri i vetmisë së Madhe” të Ismail Kadaresë, ku është vënë në qendër figura e Enver Hoxhës si udhëheqës i PPSh-së, kemi të bëjmë me një rast më të veçantë dhe kompleks . Kjo vepër ndonëse u hartua në kohën e mungesës së lirisë krijuese, madje si kemi dëgjuar, dhe me kërkesë të Nexhmie Hoxhës, përsëri aty ka nota kritike ndaj personalitetit historik të Enver Hoxhës. Vepra ka në qendër mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë, në nëntorin e vitit 1960, ku Enver Hoxha u ngrit kundër vijës politike të Nikita Hrushovit, drejtuesit të kampit socialist. Pavarësisht se ky guxim i Hoxhës e kishte burimin tek interesi i tij për të mbrojtur karrigen e vet, përsëri ishte një guxim i pajetuar midis drejtuesve të partive komuniste. Ky akt në fakt ngjallte shpresa për ardhmërinë e Shqipërisë, për ndaljen e procesit të rusifikimit të kulturës shqiptare, pra ishte një akt që duhej vlerësuar prej shqiptarëve për guximin. Dhe këtë vlerësim autori e bën me ndërgjegje. Më tej në skalitjen e Enver Hoxhës si burrë shteti, si udhëheqës i PPSh-së autori krahas notave hymnizuese ka dhe nota kritike. Kritikat e shprehura kundër punonjësve të Sigurimit të shtetit me në krye Ministrin e Brendshëm Koçi Xoxe duhen kuptuar dhe si nota kritike ndaj vetë drejtuesit të partisë, i cili në fakt drejtonte dhe komandonte dhe Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin e shtetit. Pikërisht kritikat e ashpra ndaj Sigurimit të shtetit dhe Koçi Xoxes, tregojnë se notat hymnizuese me të cilat përshkruhet Enver Hoxha në këtë vepër mund të merren dhe si një dëshirë e autorit për të shprehur idenë sesi duhej të ishte udhëheqësi i PPSh-së pas kësaj ngjarjeje të madhe. Në mbështetje të mendimit tonë janë dhe dy thënie që hasen në roman: “Në Socializëm konkurojnë të aftët me të paaftët, ku të aftët lodhen të parët” dhe “Ashtu si borgjezia prodhon proletariatin – varrmihësin e saj – diktatura e proletariatit prodhon inteligjencën, varrmihësen e saj”. Këto shprehje pavarrësisht se në gojën e kujt janë vënë, shprehnin mendime të subkoshiencës së autorit për karakterin e socializmit dhe ardhmërinë e tij të pasigurt si sistem shoqëror, mendime që lidhen përmes nëntekstit me të vërtetën historike ndaj sistemit socialist. Jo rastësisht autori u urdhërua që ta ripunonte këtë roman. Pra kjo vepër letrare edhe pse u krijua në kohën e mungesës së lirisë dhe me porosi nga lart, për shkak të talentit të fuqishëm dhe guximit qytetar të autorit, është larg së qeni një vepër propagandistike e kohës kushtuar diktatorit Enver Hoxha. Ajo renditet midis veprave të artit realist. Aty heroi qendror është krijuar jo thjesht sipas kërkesave të realizmit socialist, jo thjesht i himnizuar, por ndërthurrur dhe me kritika ndaj sistemit shoqëror dhe vetë heroit që kishte përgjegjësi për krijimin e atij sistemi.
Deri sot shkrimtarë të talentuar nga radhët e të dënuarve të ndërgjegjes si Visar Zhiti dhe disa studiues u kanë bërë thirrje krijuesve të ndryshëm që të njohin dëmin që i kanë shkaktuar shoqërisë me veprat e tyre propagandistike artistike dhe të dalin hapur me kritika ndaj atyre veprave, por këto thirrje nuk janë marrë si akte dashamirëse dhe janë lënë pa përgjigje e kanë kaluar pa u vlerësuar. 
Tani mendojmë se është radha e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili më 1992 e hodhi i pari hapin drejt katarsës me skicën “Prometeu i pajtuar” ku pranoi me guxim qytetar se e meritonte epitetin “poet i oborrit”. Ai mund të ndihmojë e mund të dëgjohet më mirë prej kolegëve shkrimtarë e artistë për të kuptuar se është e pamjaftueshme të thuhet “vepra ime ishte pjellë e asaj kohe”, por të pranohet se veprat e tyre artistike propagandistike të realizmit socialist kryen një krim shoqëror që duhet dënuar. Duke qenë shkrimtari më i talentuar i kohës dhe me guxim qytetar më solid fjalët e tij mendojmë se do të zenë vend dhe ecuria drejt qytetërimit europian do të marrë formë të qartë. Ismail Kadareja me një vepër analitike mund të zbulojë procesin e dyzimit të krijuesve gjatë diktaturës. Ai mund të tregojë me kurajë se si frika, presioni për të jetuar e dëshira për të krijuar sajonin në ndërgjegjen e tyre një autocensurë që i pengonte të krijonin jashtë kërkesave propagandistike të partisë shtet. Një vepër e tillë analitike mbi laboratorin krijues të shkrimtarëve e artistëve të asaj kohe, do të jetë një ndihmë e pallogaritshme për të nxitur e ndihmuar krijuesit e tjerë të ecin me kurajë në rrugën e katarsës, akt që ka 25 vjet që pritet të kryhet për çlirimin e mendësisë së mjaft krijuesve nga vargojtë e ndryshkur të asaj partie mëkatare. 
Kjo vepër do t’i ndërgjegjësojë ish krijuesit e kohës së diktaturës dhe ata që kanë filluar të krijojnë mbas diktaturës sesa madhështor dhe hyjnor ka qenë akti i kundërshtimit të së keqes që kryen me pasoja flijimi poetë si Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nelaj dhe ata që pësuan burgjet si Visar Zhiti me shokë e sot lihen mënjanë, kur meritojnë të kthehen në ikona të kombit tonë, sepse ata dëshmuan ashtu si thotë Franc Kafka “NUK KA ART TE MADH PA MORALIN DHE TE VERTETEN BRENDA”… 

Filed Under: Opinion Tagged With: figura e Enver Hoxhes, si figure artistike, Thanas L Gjika

Ulet numri i kosovarëve drejt ushtrive të huaja

December 3, 2016 by dgreca

1-isisDrojë nga rrugët alternative drejt luftërave të huaja/

Numri i shtetasve të Kosovës, të cilët kanë tentuar të shkojnë në vend-luftimet e huaja, në Siri dhe Irak, por që janë arrestuar nga organet e rendit, gjatë këtij viti ka shënuar rënie. Të paktën, kështu vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe njohësit e rrethanave të sigurisë në vend, në rubrikën e përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e lirë. Sipas tyre, faktorët që kanë ndikuar për rënien e këtij numri, janë të ndryshëm.

Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i shtetasve të Kosovës, të cilët gjatë këtij viti janë parandaluar të shkojnë në zonat e konfliktit, është shumë më i ulët se sa në vitet e kaluara.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me agjencitë tjera të sigurisë në vend dhe ato ndërkombëtare, ka arritur që ta parandalojë një numër të caktuar të personave, gjatë tentimit të tyre për të shkuar në zonën e konfliktit. Nga viti 2012 deri në vitin 2015 janë rreth 40 persona, përderisa në vitin 2016, deri në këtë periudhë janë 5 të tillë”, thotë zëdhënësi Hoxha.

Por, cilat janë shkaqet që kanë ndikuar në, siç thuhet, trendin e uljes së numrit të personave nga Kosova, të cilët tentojnë, që t’ia mësyjnë zonave të konfliktit në Siri dhe Irak, për t’iu bashkangjitur grupeve ekstreme dhe të dhunshme?

Mentor Vrajolli, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se të dhënat nga terreni tregojnë se te qytetarët e Kosovës është ngritur vetëdija lidhur me grupimet ekstreme dhe terroriste që veprojnë në konfliktet në Siri dhe Irak.

“Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm që grupet si ISIS-i, janë pa kurrfarë dyshimi organizata terroriste brutale, të cilat keqpërdorin religjionin për të kryer krime absurde ndaj të gjithë atyre që nuk i nënshtrohen botëkuptimeve të këtij grupimi. Pra, qytetarët e Kosovës, tashmë janë të vetëdijshëm se lufta në Siri dhe Irak nuk bëhet për t’u dalë krah qytetarëve të pambrojtur. Andaj, si rezultat, edhe interesimi i qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkangjitur këtyre grupeve, ka rënë në mënyrë drastike”, thotë Vrajolli.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, profesor i Sigurisë Kombëtare në Kolegjin ISPE, thotë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në rënien e numrit të personave nga Kosova që u bashkohen luftërave të huaja, kanë dhënë efekte tri nivele.

“Së pari, institucionet e Kosovës dhe shoqëria e Kosovës në përgjithësi, e ka trajtuar më seriozisht këtë çështje. Së dyti, është rritur bashkëpunimi me shtetet e ndryshme dhe bashkëpunimi ndërkombëtar edhe për këtë çështje. Së treti, trendi global i njerëzve që i bashkohen konfliktit në territor të Sirisë dhe Irakut është në rënie dhe kjo ka reflektuar, normalisht, edhe në Kosovë, por edhe në Ballkan”, shpjegon Ramadani.

Shtetasit e Kosovës, të cilët janë parandaluar të shkojnë në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, deri vonë kanë shfrytëzuar, siç thuhet, rrugët ajrore dhe ata janë ndaluar në aeroporte. Rrugët e tilla, tashmë janë bërë të pamundura për ta.

Megjithëkëtë, mekanizmat e sigurisë, por edhe njohësit e rrethanave të sigurisë, kanë shfaqur drojën dhe dyshimet se persona të caktuar, eventualisht, i shfrytëzojnë rrugët alternative, tokësore, drejt Shqipërisë dhe Malit të Zi, për të vazhduar më pas drejt Italisë, në mënyrë që të arrijnë në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, Vrajolli vlerëson se ekziston probabiliteti që një gjë e tillë mund të ndodhë.

“Sa i përket rrugëve alternative, mund të them se një gjë e tillë, për momentin, është spekulative. Pra, mundësitë që një gjë e tillë të ndodhë, nuk mund të mohohen, për shkak se janë rrugë dhe gjithsesi probabiliteti mund të jetë se ato mund të përdoren. Në qoftë se edhe nuk janë përdorur, ato mund të përdoren në të ardhmen”, vlerëson Vrajolli.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Valdet Hoxha, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpjegon se autoritetet e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, janë duke punuar për një marrëveshje të përbashkët lidhur me aspektet e sigurisë.

Sipas tij, në këtë kuadër një qendër trepalëshe e bashkëpunimit policor do të jetë me qendër në Plavë, në Mal të Zi, nga ku do të shkëmbehen të dhënat e interesit të përgjithshëm, por me theks të veçantë për fushën e sigurisë, për situatën në rajon dhe më gjerë.

“Në kuptim të përgjithshëm, kjo jep material, kryesisht për parandalimin e akteve të dëmshme kundër rendeve kushtetuese dhe juridike të vendeve përkatëse, duke përfshirë këtu edhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit, luftimin e terrorizmit, por edhe dukuritë tjera, siç është migrimi i paligjshëm, siç është një fushë përmes të cilës mund të lulëzojë ndonjë rrugë e paligjshme e trafikimit me qenie njerëzore, por edhe infiltrimi i ndonjë, po e quaj, luftëtari të Lindjes së Mesme për qëllime të caktuara”, thekson Hoxha.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës që kanë udhëtuar për në Siri që nga viti 2012 është rreth 316, në mesin e tyre 44 gra dhe 29 fëmijë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Hoxha, thekson se aktualisht në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, vlerësohet se janë më pak se gjysma e këtij numri të shtetasve të Kosovës.

“Vlerësohet se aktualisht numri i qytetarëve nga Kosova në zonat e konfliktit është rreth 140, duke përfshirë këtu75 persona që dyshohet se në forma të ndryshme janë aktiv në organizatat terroriste, të përcjellë nga gratë dhe fëmijët e tyre”, thotë ai.

Sipas të dhënave të policisë, në Siri dhe Irak, aktualisht janë edhe 38 gra dhe 27 fëmijë, ndërkaq 58 shtetas të Kosovës janë raportuar si të vrarë. Shumica prej tyre besohet të jenë vrarë prej vetë terroristëve pas tentimeve për t’u larguar nga zonat e konfliktit. Deri më tani 117 prej tyre janë kthyer në Kosovë.

Të dhënat e policisë tregojnë se shtetasit e Kosovës, të cilët kanë udhëtuar për në zonat e konfliktit, kryesisht janë të rinj të moshës 18-27 vjeç. Shumica prej tyre, siç thuhet, ishin me gjendje të rëndë ekonomike dhe probleme sociale, me një edukim të ulët ose nuk kanë pasur fare qasje në edukim, si dhe një pjesë e tyre ishin me të kaluar kriminale.

Për gjatë aktiviteteve për parandalim të përhapjes së ekstremizmit, radikalizmit dhe përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në konflikte jashtë vendit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka iniciuar hetime penale ndaj 237 personave, me dyshimin se kanë kryer veprat penale: organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, pjesëmarrje në konflikte jashtë vendit, organizim, rekrutim, lehtësim dhe financim të terrorizmit, si dhe vepra tjera kundër rendit kushtetutës dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.

Si rezultat i këtyre hetimeve, që nga viti 2013 e deri më tash, mbi 127 persona janë arrestuar, duke përfshirë personat kyç të grupit që është marrë me rekrutimin dhe lehtësimin shkuarjes së shumicës së luftëtarëve nga Kosova, në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.(Kortezi:Bekim Bislimi REL) 

Filed Under: Analiza Tagged With: kosovaret, ushtrite e hyaja

DATËLINDJA E FORCAVE TË ARMATOSURA SHQIPTARE

December 3, 2016 by dgreca

4 DHJETOR 1912 – DATËLINDJA E FORCAVE TË ARMATOSURA SHQIPTARE/

1-forcat-e-armatosuraNga Safet RAMOLLI/Paradoksalisht, deri në vitin 1992, si datë krijimi e Forcave të Armatosura është mbajtur 10 korriku i vitit 1943, datë që përkon me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional­-Ҫlrimtare Shqiptare, a thua se historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve fillon pikërisht atëmot, duke fshirë në mënyrën më të keqe të mundëshme rrugëtimin e paraardhësve tanë shekuj e shekuj të shkuar. Me sa duket kalvari i Ushtrisë dhe i ushtarakëve Shqiptarë nuk ka të sosur. Thuajse në çdo katër vjet, kur edhe bëhen zgjedhjet e përgjithëshme politike, ato gati sistematikisht i nënështrohen një çoroditjeje dhe çorientimi nën slloganin “Reformë”, tashmë mjaft i bajatosur… 

Hyrje/

   Ushtria Shqiptare në rrugëkalimin më shumë se njëshekullor, ka bashkëshoqëruar zhvillimet në tërësi në Shqipëri duke ecur krahpërkrah me ato. Në raport me komunitetin në tërësi përbëjnë një grup shoqëror specifik, por me qëllim dhe interesa të përbashkëta. FA-të janë një bashkim njerëzish, me profesion të njëjtë a të ngjajshëm, të organizuar në mënyrë të posaçme, por edhe të armatosur, për t’i shërbyer bashkësisë në tërësi. Ato kanë lindur që në fillesat e organizimit shtetëror, si strukturë në shërbim të tij. Historikisht janë përbërë nga armë dhe shërbime të ndryshme, të integruara në qëllim të përbashkët për çështjen kombëtare. Gjithëherët kanë punuar në kushte të vështira dhe të privuara nga mjaft të drejta, janë përballur me sakrifica, që shpesh u kanë kushtuar edhe jetën.

   Por si një absurd të skajshëm, politika këtë ndarje shoqërore të punës, e ka gjykuar, dhe vlerësuar papërgjegjshmërisht nga këndvështrime ideologjike të skajshme, herë-herë fyes dhe ofendues. Por gjithësesi është pranuar si datë krijimi 4 dhjetori 1912, që kushtëzohet nga shpallja e pavarësisë  më 28 nëntor 1912 dhe krijimin e Qeverisë së Përkohëshme nën kryesimin e Ismail Qemal Vlorës.

Pararendja e Ushtrisë Shqiptare

   Përgjatë historisë së ekzistencës së paraardhësve tanë, kanë qënë të pranishme në sasi dhe cilësi të ndryshme forca të armatosura, me mision: mbrojtjen e tërësisë territoriale. Ilirët, paraardhësit tanë, kanë patur të organizuar një forcë të armatosur. Atë  e gjejmë prezente që në shek. IV p.e.r, kompletohej me qytetarë të aftë për të përballuar veprime luftarake.

   Në shek. XV-të, në trojet e të parëve tanë për gati 25 vjet drejtoi Skënderbeu, i cili krijoi një forcë të armatosur të përherëshme mjaft të fuqishme për kohën, por që kur rreziku ishte eminent, gjithë shtetasit e aftë mobilizoheshin dhe organizoheshin në reparte ushtarake ose në çeta. Prandaj edhe u mundësua që Gjergj Kastrioti Skënderbeu, doli fitimtar në përballjet me forcat osmane në 23 beteja, duke pësuar vetëm 2 humbje.

   Më vonë, në periudhën e Pashallëqeve dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, FA-të, marrin pamje më të plotë, misioni i tyre bëhet edhe më i qartë. Shekulli i XIX shërben si kufi ndarës midis periudhës së pashallëqeve dhe fillimin e periudhës së re e epitetuar: “Rilindja Kombëtare Shqiptare”, e cila nga studjues shqiptarë, por jo vetëm, është çmuar si periudhë historike, kur ndjenja kombëtare ishte në lulëzim dhe jeta ishte në ecje vijëpërpjetë. Në qytetet kryesore si Shkodra, Peja, Prizreni e Janina qeverisin pashallarë shqiptarë edhe me të drejtë trashëgimie, ashtu sikurse patën lulëzim të mirë edhe FA-të.

  Gjatë sundimit otoman, vendi ynë udhëtoi krahas dhe në një trase me fqinjët, por edhe sipas një farë “paracaktimi” disi më të imponuar nga Fuqitë e Mëdha. Në vitet 1832; 1859; 1878 “Çështja Lindore” përfshihet nga tri kriza. Ky evoluim i dha Lëvizjes Kombëtare Shqiptare brënda dhe jashtë territorit dimension më të qartë politik. Në prill 1878, në Janinë, në një mbledhje të personaliteteve nën drejtimin e Avdyl Frashërit, iu kërkua Portës së Lartë njohja dhe shpallja e autonomisë të territoreve shqiptare të bashkuar në një elajet të administruar nga nëpunës vendas, ku gjuha e administratës dhe e shkollës të ishte shqipja.

Më 10 korrik 1878 u krijua Organizata Nacionaliste e Lidhjes së Prizrenit (L.SH.P) me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të katër vilajeteve dhe nga tre besimet fetare, me nismën e Avdyl Frashërit. Ajo, posë të tjerash, krijoi edhe Ushtrinë Kombëtare me rreth 50.000 luftëtarë, vullnetarë dhe atdhetarë këta të ardhur nga i gjithë vendi. Synimi ishte të garantohej paprekshmëria e territoreve shqiptare në Hot e Grudë, Plavë, Guci e Ulqin. Një forcë e tillë e armatosur nuk është e pakët për rrethanat e kohës.

   Shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912, krijoi kushte të reja për të ngritur e mëkëmbur Shtetin Shqiptar me gjithë institucionet dhe hallkat e domosdoshme. Prandaj edhe u shënua një hap cilësor për organizimin dhe konsolidimin e FA-ve. Më 4 dhjetor 1912, bëhet publike, krijimi i Kabinetit Qeveritar. Krahas institucioneve të tjera, konstituoi edhe Ministrinë e Luftës, e barazvlerëshme me Ministrinë e Mbrojtjes së sotme; prandaj kjo datë është vlerësuar si Data e Krijimit të Forcave të Armatosura. Në krye të saj u përzgjodh gjeneral Mehmet Pashë Dërralla. Edhe në të pastajmen, gjatë vitit 1913, kreu i Shtetit Shqiptar, realizoi organizimin e xhandarmërisë dhe një bërthamë ushtarake për t`u bërë ballë sulmeve të andartëve grekë. Patriotit të dëgjuar dhe me influencë në krahinën e Vlorës, Sali Vranishtit, i ngarkoi detyra të rëndësishme në FA-të, por edhe detyrën e komandantit të Trupës së Rojeve të I. Qemalit dhe të Qeverisë së Përkohëshme. Komandant i xhandarmërisë u caktua Alem Mehmeti nga fshati Tragjas i Vlorës, i cili fillimisht ishte edhe komandant i repartit të kavalerisë. Në Qeverinë e Vlorës ishte prezente edhe struktura që merrej me grumbullimin e materialit informativ, për të mundësuar, sa të ishte e mundur, që të mos ndodhte asgjë e papritur. Forca e armatosur përbëhej nga  4.000-5.000 vetë, si mbrojtëse e parë ushtarake për qeverinë e re. Por kjo mbetet edhe meritë e posaçme e gjeneral Mehmet Pashë Dërrallës, me cilësinë e ministrit të luftës. Në këtë sipërmarrje kishin ndihmuar edhe ushtarakë të ardhur nga Evropa, sidomos një trupë oficerësh hollandezë nën drejtimin e gjeneral De Vor (De Weer). Në përbërje të ushtrisë ishin disa batalione vullnetarësh në krahinat e Vlorës, Kurveleshit, Kolonjës, Skraparit, Elbasanit. Por zhvillimi i dy Luftave Ballkanike dhe i Luftës I Botërore, ndikuan drejtpërdrejt në dobësimin deri në shpërbërje të FA-ve. Megjithatë, edhe në vitet 1914-1920 realizohet diçka në organizimin e FA-ve. Më 1919 Qeveria e Përkohëshme e Durrësit grumbulloi disa oficerë, që i vuri nën komandën e Ismail Haki Kuçit, kapiten i parë, me karrierë pozitive në ushtrinë e Perandorisë Turke. Ai formoi një trupë xhandarmërie “… për të  mbajtë qetësi”, – shprehen dokumentat e kohës.

   Kongresi Kombëtar i Lushnjës (janar 1920), i ngjajshëm me atë të Vlorës më 1912, kompozoi një qeveri me patriotë në zë por edhe të dijshëm. Në krye u vendos Sulejman Delvina, statist i mirëfilltë, bashkëpunëtor i I. Qemalit. Ky shtet u njoh nga ndërkombëtarët si Shteti Modern Shqiptar. Edhe kjo qeveri organizoi një ushtri kryesisht prej vullnetarësh e atdhetarësh të komanduar prej Bajram Currit. Ajo kishte në dispozicion një resurs të kufizuar forcash ushtarake, me gati 3.200  xhandarë, 1.200 këmbësorë, 600 trupa xheniere, por që gjithësesi, të komanduar nga oficerë italianë, francezë, austro-hungarezë dhe turq. Kjo forcë e vogël plotësohej prej forcave të parregullta të fiseve të kontrolluara kryesisht prej Ahmet Zogut, atë mot ministër i brendshëm. Në vitet 1921-1924, qeveritë e shumta, të përkrahura, sipas preferencave të drejtuesve nga Italia apo Jugosllavia, krijuan ushtri të kufizuar në numër. Ndërkohë janë prezente edhe forca që ishin nën kontrollin e kryetarëve të fiseve apo të njerëzve me influencë në krahina të ndryshme si B. Curri, E. Isufi, e të tjerë, të cilët në ndonjë rast u kundërviheshin edhe forcave qeveritare. Përfundimi është i qartë, FA-të në vitet 1920-1924, kanë qenë të kufizuara dhe jo me efektivitetin e duhur.

   Në qershor 1924 pati zhvillime të pazakonta. Vendi u përfshi nga lëvizje të armatosura, që palët politike i kanë emërtuar “Revolucioni Demokratik i Qershorit 1924”, apo “Revolucion i armatosur regresiv”. U krijua një kabinet qeveritar nën kryesimin e Fan S. Nolit, i cili në lëmin e forcave të armatosura, në përgjithësi, ruajti ndërtimin organizativ dhe përbërjen e ushtrisë së mëparshme, e cila rezultoi pas gjashtë muajsh jo efektive.

   Në funddhjetori 1924 krijohet kabineti qeveritar nën kryesimin e Ahmet Zogut, personalitet mjaft kompleks në vitet 1920-1939. Kjo qeveri pati mendimin se, në vitet 1912-1924 ushtria kishte kaluar caqe të ndryshme, në të cilët mbizotëroi elementi i një tërësie të shpartalluar vullnetarësh. Më 7 janar 1925, koloneli Ahmet Zogu, krijoi një kabinet qeveritar në të cilin thirri personalitetet më të preferuara prej tij. Vetë fillimisht u quajt kryeministër, dhe pak më vonë president. Programi i qeverisë në fushën e mbrojtjes përfshinte: suprimimin e Ministrisë së Luftës; shpërndarjen e ushtrisë ekzistuese dhe ngritjen e një xhandarmërie të fortë. FA-të u organizuan mbi bazën e sistemit të Milicisë në përmasat me rreth 3.000 veta, si dhe duke patur asistencën e organizatorëve të huaj si p.sh. kolonelët Mirach e Stirling, gjenerali Percy, (i pari austriak, dy të tjerët anglezë S. R), e mjaft të tjerë. Në Statutin e Republikës Shqiptare legjitimohej, që kryetari i Republikës të ishte edhe komandant i përgjithshëm i Fuqive Armate. Asistenca e specialistëve të huaj mbetet prezente deri më 1938.

Ndërkohë FA-të marrin pamje dhe përmbajtje më të plotë: kompletohen me bazë ligjore të huajtur nga perëndimi, me resurse njerëzore që stërviten sipas përvojës perëndimore, trajtohen financiarisht dhe moralisht në nivele të kënaqshme. Komponentë përbërës të tyre ishin dy: Ushtria Kombëtare dhe Xhandarmëria, ashtu si komandimi i tyre ishte unik.

   Më 24 qershor 1928 u muar Ligji i Parë Organik i Ushtrisë dhe Xhandarmërisë, si bazë për organizimin dhe funskionimin e tyre. Komanda Eprore e Fuqive Armate ishte nën drejtimin e Kryetarit të Republikës. Për mbajtjen e trupave ushtarake, konsumohej gati 48,03% e buxhetit të shtetit. Por, në çastin tragjik, më 7 prill 1939, forcat ushtarake rezultuan të paafta, të paorganizuara mirë dhe të komanduara jo profesionalisht.

Forcat e Armatosura në Sistemin Monopartiak (1941-1990)

   Pushtimi i vendit nga Italia fillimisht, dhe Gjermania më vonë, shtroi përpara forcave përparimtare detyrën imediate për organizimin e luftës çlirimtare. Gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, u krijua gradualisht një forcë e armatosur, e cila mori mbi shpinë barrën e rëndë për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Rritja shkallë-shkallë e Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare (U.N.Ç.SH) kaloi në tre faza kryesore.

E para përfshin kohën: nëntor 1941-korrik 1943, gjatë së cilës si forcë e armatosur konsiderohen fillimisht grupet dhe njësitet e vogla guerrilje, mandej çetat dhe batalionet e rregullta partizane, si dhe çetat dhe batalionet vullnetare territoriale të vetëmbrojtjes të popullit. Kjo forcë përbëhej afërsisht nga 10.000 luftëtarë, të inkuadruar në 22 batalione dhe në një numër më të madh çetash ushtarake të zonave të lira dhe të atyre të pushtuara.

Faza e dytë përfshin periudhën korrik 1943-maj 1944, kur është krijuar Shtabi i Përgjithshëm i U.N.Ç.SH. U krijuan formacione të mëdha ushtarake: Brigadat Sulmuese, Grupet Partizane, Shtabi i Zonës së I Operative, dhe Shtabet e Qarqeve. Në fund të kësaj faze forcat e armatosura u emërtuan Ushtri e Rregullt me gati 35.000 luftëtarë të organizuar në 9 Brigada Sulmuese, në 10 Grupe Partizane, dhe në 14 Batalione të veçuar. Por kishte edhe Batalione Vullnetare Territoriale, Njësi Guerrilje në qytete e krahina.

Faza e tretë konsiderohet periudha maj – nëntor 1944, kur U.N.Ç.SH kaloi në shkallën e saj më të lartë, duke u shndërruar tërësisht në Ushtri të Rregullt. Me krijimin e Komandës së Përgjithëshme u kalua në formacione të mëdha ushtarake, operative dhe operativo-strategjike, në krijimin e Divizioneve dhe të Korpoarmatave. U organizuan edhe 16 Brigada Sulmuese të reja, duke rezultuar e gjithë ushtria e inkuadruar në 8 Divizione dhe 3 Korparmata, me gjithsej gati 70.000 luftëtarë e luftëtare.

   Nga shumica e atyre që kanë qënë pjesëmarrës në këtë luftë, por edhe nga Misionet Ushtarake të Anglisë, dhe jo vetëm, pranohet se Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare u udhëhoq nga Partia Komuniste Shqiptare, e cila, pët fat të keq, më vonë e degradoi misionin çlirimtar dhe demokratik duke vendosur një regjim totalitar. Por Historia e Ballkanit dhe ajo e Evropës pohon qartazi se në Shqipëri ishte prezente një forcë e armatosur, e cila edhe u ndihmua nga anglo-amerikanët me armatim e veshmbathje. Kjo forcë bënte pjesë në Koalicionin Antifashist Botëror të udhëhequr nga tre të Mëdhenjtë e Kohës: Ruzvelt, Çurçill dhe Stalin. Ky Koalicion funksionoi efektivisht, por me disa “plasaritje”, deri në mposhtjen përfundimtare të forcave regresive fashiste, naziste dhe militariste.

Më 10 korrik 1945, U.N.Ç.SH u quajt Ushtria Kombëtare Shqiptare. Më vonë u quajt Ushtria Popullore, duke u pasuar nga epitetime që mori vetë shteti, përfshi edhe “socialiste”. Deri në vitin 1983 ato ishin organizuar në 7 Korpuse dhe 2 Grupime Operativo-Strategjike (këto të fundit quheshin Rezervë e Komandës së Përgjithshme S.R). Në shkurt 1983 u bë riorganizimi i Forcave të Armatosura, dhe njësia më e madhe ushtarake ishte Divizioni (u krijuan 22 Divizione S.R). Në vitin 1986 u krijua hallka e Komandave të Drejtimeve Operative (ishin tre të tilla, S.R), të cilat drejtonin disa divizione.

   Gjatë pranisë së Shtetit Komunist, forcat e armatosura, u vunë në shërbim të plotësimit të detyrave të vëna nga ky shtet; por kjo nuk do të thotë kurrësesi, se, mijëra shetasit që shërbyen në to, kanë edhe përgjegjësinë edhe detyrimet e padrejtësive që bënë drejtuesit e vendit. Kontributi i çmuar dhe i vyer që luftëtarët e lirisë dhanë, deri duke bërë sakrifica sublime, nuk mund të mohohet nga askush. Ata meritojnë mirënjohje dhe respekt për vullnetin dhe gatishmërinë që treguan për t’i dalë zot Vatanit. Ata meritojnë të kujtohen me obligim dhe të përjetësohen në Lapidarin e Nderit të Popullit Shqiptar, ata meritojnë edhe dekorime herë pas here, dhe askush nuk ka përse të bëhet “xheloz” për këtë vlerësim, sepse ata firmosën çlirimin e vendit jo vetëm me sakrifica të pafund por edhe me gjak.

Forcat e Armatosura në Shoqërinë Pluraliste.

   Pas vitit 1990, edhe FA-të po integrohen hap pas hapi në shoqërinë pluraliste. Kjo periudhë, tashmë një çerekshekullore, është e njohur për lexuesin shqiptar, sepse evoluimin e tyre, e ka përjetuar hap pas hapi, dikush drejtpërdrejt dhe të tjerët indirekt. Duhet nënvizuar domosdoshmërisht se, përafrimi me simotrat e Perëndimit, ka nxjerrë mjaft probleme, të cilat po kapërcehen, jo vetëm me vështirësi por edhe me “dhembje” për efektivat ushtarakë dhe familjet e tyre. Forcat e Armatosura janë përballur me mjaft probleme të panjohura më përpara, rrjedhimisht edhe të vështira. Kryesorja ndër to mbetet e ashtuquajtura “reformë”, e cila ka mbajtur në gjendje ankthi personelin e shërbimit ushtarak dhe familjet e tyre. Politika shpesh herë ka gatuar “çorbën e prishur” jo vetëm për vetveten, por për gjithë mjedisin. Kjo sepse, sa herë që në parlamentin shqiptar ka ndryshuar raporti i forcave, po aqë herë, por edhe më shumë, ministrat e mbrojtjes kanë “gatuar” nga një “reformë”, pasojat negative të të cilave i kanë mbajtur mbi supe ushtarakët dhe familjet e tyre. Pra në përgjithësi çdo e ashtuquajtur “reformë”, e reklamuar si një e ardhme më e mirë, në fakt në përgjithësi ka prodhuar një produkt gati të pakonsumueshëm jo vetëm për ushtarakët, por edhe për vetë politikëbërësit. Janë qindra kuadro me vlera, por që janë paragjykuar politikisht, që janë zëvendësuar me të tjerë “të vlerësuar” të përshtatshëm për të realizuar progres. Janë sajuar struktura e nënstruktura, të ideuara qëllimisht për të mënjanuar kuadrot e aftë, janë bërë deri edhe emërime në detyrë jashtë kritereve të përcaktuara duke ndërhyrë arbitrarisht deri në kompetencat e kreut të shtetit. Problem shqetësues ka rezultuar administrimi i pronave të ushtrisë, ai i administrimit të armatimit e municionit, i shërbimit inteligjent, e mjaft të tjera. Objektet ushtarake të nxjerra jashtë funksionit, nuk u kanë shërbyer ushtarakëve për strehim apo çështje të tjera, por janë dhënë në përdorim apo nxjerrë në shitje të dyshimta. Ka patur edhe akuza për keqpërdorimin e shërbimit inteligjent të ushtrisë apo për abuzime me armatimin dhe municionin luftarak, deri në shitje armatimi në shërbim të regjimeve militariste ose në vatra të nxehta; për prodhim të armatimit dhe municionit jo në përshtatje me detyrimet e anëtarësimit në NATO, për blerje armatimi “të kripur”, por që është vënë dorë në pajisjet e tyre, për financim të pamjaftueshëm të forcave të armatosura, etj.

   FA-të janë para detyrimit, që të kenë jo vetëm qartësinë e misionit në kushtet e reja, të armatosen me armë dhe pajisje bashkëkohore, por edhe të aftësohen profesionalisht për të përballuar detyrat me dinjitet si brenda vendit edhe jashtë, në kuadrin e bashkëveprimit me forcat e NATO-s, ku edhe bëjnë pjesë. Duhet pranuar dhe pohuar se FA-të, nga koha në kohë, po hedhin hapa të sigurt për t’u integruar denjësisht me simotrat e tyre dhe për të kontribuar me profesionalizëm deri edhe në misione ndërkombëtare, duke shënuar edhe Heroin e Parë, të ndjerin kapiten Feti Vogli, i cili pushon i qetë në krah të paraardhësve të tij luftëtarë të lirisë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: datelindja, e forcave, te armatosura shqiptare

Stani i tradhtisë kombëtare

December 3, 2016 by dgreca

eshref-ymeriNga Eshref  YMERI/Ndoqa deklaratat shoviniste të eurodeputetes qipriote Eleni Theocharous, e cila kishte ardhur në Tiranë posaçërisht për t’i futur frikën në palcë Tiranës zyrtare dhe mbarë klasës politike shqiptare. Ajo, pa iu dridhur qerpiku, deklaroi haptas se Himara është tokë greke dhe krejt Vorioepiri është tokë greke që nga lashtësia e kryehershme.

Shovinistja Eleni Theocharous vërtet është eurodeputete qipriote, por në Tiranë ajo erdhi me autorizimin e Athinës, për të shprehur botërisht pretendimet shoviniste të Athinës zyrtare ndaj Epirit të Veriut dhe për të nënvizuar edhe një herë deklaratat e ish-presidentëve Stefanopulos dhe Papulias se Himara është tokë greke. Prandaj jo rastësisht ishte bërë kombinimi i duhur: deklaratat shoviniste të eurodeputetes qipriote Eleni Theocharous, të shoqëroheshin me ngritjen e flamurit grek në kalanë e Himarës dhe me parullën “Vorioepiri është grek”, e cila qe shkruar dhe vendosur pranë rrugës Gjirokastër-Tepelenë.

S’mund të ndodhë ndryshe, sepse stani i tradhtisë kombëtare që përfaqëson Tirana zyrtare, këtë bulmet do të ketë. Tradhtia e interesave kombëtare ka pushtuar çdo qelizë të klasës politike shqiptare, e cila s’përfaqëson gjë tjetër, veçse një qen të rrahur nga Athina zyrtare gjatë një çerek shekulli.

Shqipëria është vend pa zot gjatë këtij çerek shekulli, prandaj edhe stërnipërit dhe stërmbesat e evgjitëve të Nilit dhe të Sinait, me emrin grekë, sillen si zot shtëpie në mes të Tiranës. Se sikur Shqipëri të kishte zot, ajo shovinistja Eleni Theocharous, një sahat e më parë, duhej të përcillej me teneqe për në Rinas ose për në Kakavi. Por Shqipëria është vend pa zot, sepse ka vdekur burrëria shqiptare, ka vdekur inteligjencia shqiptare, ka vdekur rinia universitare me profesoratin e vet, është shuar vetëdija kombëtare. Prandaj edhe shovinizmi grekokaragjoz, me Janullatosin në krye, kërcen valle në mes të Tiranës, si në një varrezë të gjallësh, çka dëshmon se Shqipëria është një e vdekur dhe e pakallur.

Indianapolis, Indiana

03 dhjetor 2016

Filed Under: Komunitet Tagged With: Eshref Ymeri, i tradhtisë kombëtare, Stani

Udhëtimi i Ismail Qemalit në Sicili dhe Pietro Scaglione

December 3, 2016 by dgreca

1-ismail-qemali-siciliNga Gezim Llojdia/Botimi “Kujtimet e Ismail Qemalit” është një ndër 1000 copët   në gjuhën  shqipe të publikuara për herë të parë në Toronto,Kanada. Brenda këtyre kontureve,brenda faqes së parë të këtij botimi gjejmë emrin e përkthyesit nga anglishtja  Reshad Agaj.Faqja e dytë shfaq këto  të dhëna: The Memoirs of  Ismail Kemal Bey  që kujtimet e Ismail Qemalit si dhe editorin  që në këtë rast është  Edited by SOMMERVILLE STORY ëith a preface by ËILLIAM MORTON FULLERTON Copyrights by Constable Publishers London. Permission granted for publication in the Albanian Language Jan. 9th, HARMONY PRINTING LIMITED TORONTO, CANADA
1.
Një fillesë e çuditshme: dy poezi në faqen 5. Fryte dritë e Shqipërisë,/ nga qytet i erret,/Ti veç dermën tin dhelpërisë/E të gëzoç na të mjerët./ Ti që kurdole në jetë/, Që  kur bëri nëna djalë,/ Kokën e mbajte përpietë/ Edhe shpirtin zjarr e valë.
(Nga  “Kalendari Kombiar” i vitit 1900) (Kushtuar Ismail Qemalit nga Poeti i ri i asaj kohe Duçe J. Baba)
Poezia e dytë që është renditur pas kësaj  i përket lirik Poradeci(“Bjene Telat” — Rapsodi nga poeti Lasgush Poradeci).
Bjenë Telat ven e vinë, Po na tundin Shqipërinë/, Toskerin, Gegërinë/, Me çdo vend me çdo krahine:/ Që në  Shkodër në Janinë/, Që në Vlor’ e në Prishtinë:/ Opopo ç’’fitoj Lirinë ! Opopo ç’u ngrit rrëmeti!/ Seç u tunt si vale deti:/ Posi  det që  vjen me valë/, Po vjen rëndë e me ngadalë/, E po ndjek Smail Qemale:/ Smail-burri i shpje në  Vlorë/ Me Flamur të kuq në  dorë/, Me Flamurin e Lirisë/, Mu ndë thelp të Shqipërisë/! Shqipëri moj Shqipëri/! Hidhe lark atë shami/ Që të treti në  të zi /Në vajtim e robëri!
2.
Faqja 7 :Udhëtimi i Ismail Qemalit në Siqeli:
Pietro Scaglione që përshkruan këtë udhëtim historik te Ismail Qemalit na bën një shërbim të shquar. Ne të shohim me habi dhe me dridhje te forta shpirti se vëllezërit e gjakut tone e pritnë Atin e Kombit të udhëhequr si të thuash nga një fuqi profetike se Ay një dite do t’a nxirrte Atdheun në dritë. Kjo çerdhe e mrekulluarshme e arbëresheve na del para syve në atë kohe të largët të 1903 si një qendër ku valojnë këngët e bukura të Arbëris me bandën në krye dhe ku Shoqëria Kombëtare Shqiptare cvillon aktivitetin e vet për çlirim te Atdheut. Shume interesante të  vrehet se si, qysh në atë kohë  Ismail Qemali sheh rrezikun e Shqipërisë nga Rusija dhe kërkon t’i hapë sytë dhe Italisë vetë duke dashur që  të  kuptojnë se fati ynë dhe i atyre vetë është i njëjtë andaj duhet të ndihmojmë njëri tjetrin . . .
Po kush ish ky Pietro Scaglione dhe c’ka bërë? Qe një shqiptar i flaktë nga arbëreshet e Siqelisë i cili lindi ne Plana dhe sosi ditët e  tij në Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Nuk dihet as data e lindjes as ajo e vdekjes. Ka qenë shumë  i varfër dhe vetë mësoj si autodidakt i shtyre me tepër që t’i shërbej idealit tij që aqë me buçitje valonte në zemër. Në Shtetet e bashkuar nxori për disa kohe një gazete me emrin “Afrimi” dhe në 1929 e ndryshoj në “Albania”. Gjithë jetën rrojti i varfër se gjithë  c’kish i prishte për botime.
Vëllimi nga është nxjerre përshkrimi i udhëtimit të  Ismail Qemalit në Siqeli quhet “Historia e Shqiptareve te Italisë” dhe mban gjithashtu një perhyrje nga Lumo Skendua (Midhat Frasheri) i cili në atë kohe ndodhej ne Barcelone (8 Prill 1921). Qofte perhyrja e Midhat Frasherit qoftë parethenja e Prof. Josef Kadikame lavdërojnë veprën e këtij arbreshit te flakte Petro Scagliones. Në perhyrjen e Midhat Frasherit lexojmë midis te tjerave: “Kam dëgjuar se arbreshet, pasi dalin nga kisha, burra, gra dhe fëmijë, kthehen nga dielli — drejt asaj pike ku në  kujtim të  tyre janë varret e stërgjysheve — bien në  gjunjë dhe këndojnë një kantike patriotike. Nuk e di në jetën t’ime gjë me të  mallëngjyeshme dhe me poetikërisht sentimentale se këto lutje, që lutje ,është  dhe një hov, një klithje e zemrës drejt një vendi prej të  atit fati i verbër i ka ç’këputur po që  gjaku nuk i le t’a harrojnë.

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, Pietro Scaglione, udhetimii I Qemalit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT