-Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli: Jemi thellësisht të përkushtuar që ekonomia jonë të zhvillohet në marrëdhënie të ngushtë me ekonomitë e vendeve demokratike perëndimore/
ROMË, 31 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeparlamentari Kadri Veseli ka ftuar investitorët italianë në Kosovë që të eksplorojnë mundësitë e saj të shumta ekonomike, i bindur se do të gjejnë argumente të bollshme për ta sjellë kapitalin e tyre në ekonominë kosovare. Ai ka thënë se, me këtë rast, përfitimi do të ishte i trefishtë: do të përfitonin investuesit, qytetarët kosovarë dhe perspektiva evropiane në rajon.
Veseli këtë thirrje e ka bërë në “Forumin Ekonomik për Kosovën”, i cili po zhvillon punimet në Romë të Italisë, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Isa Mustafa dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.Duke e vlerësuar organizimin e këtij Forumi si një lajm të mirë për ekonominë e Kosovës, Veseli ka thënë se Italia është një nga shembujt më të mirë që tregon se zhvillimi vjen vetëm përmes ekonomisë së tregut të lirë, në bashkëveprim me një shtet të fuqishëm që mbështetet mbi parimet e sundimit të ligjit.Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, Kryeparlamentari Veseli ka pohuar se Kosova qëndron fuqishëm mbi vizionin se zhvillimi ekonomik dhe forcimi i vazhdueshëm i demokracisë nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri. “Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbesim përgjithmonë një vend evropian, shtet demokratik, shoqëri sekulare dhe ekonomi e tregut të lirë. Mbi bazën e këtij vizioni, ne jemi thellësisht të përkushtuar që ekonomia jonë të zhvillohet në marrëdhënie të ngushtë me ekonomitë e vendeve demokratike perëndimore”, është shprehur ai.Por, që gjërat të ecin mbarë, Veseli ka vlerësuar se duhet parë gjendjen ekzistuese të tyre. Ai ka theksuar se të dhënat e bashkëpunimit ekonomik, të investimeve italiane, ose edhe atyre me kapital të përbashkët, të regjistruara në Kosovë, janë pakrahasueshëm të vogla në raport me synimin e Kosovës. “Shenjat e kohëve të fundit janë inkurajuese, por jemi ende në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar tek investitorët për vendin tonë për vite të tëra. Mirëpo, reformat tona dhe evidentimi i tyre ne raportin e Bankës Botërore për Doing Business, arritjet e konsiderueshme në luftën kundër krimit e korrupsionit, reforma rrënjësore dhe e suksesshme në fushën fiskale, kanë pasur efekt pozitiv dhe do të kenë në të ardhmen”, ka thënë ai.Veseli ka rikujtuar se në 7 vjetët e fundit Kosova ka pasur një rritje të GDP-së mesatarisht prej 5%, ndërsa ka konsideruar se trendët ekonomikë pozitivë në Kosovë janë indikatorë i reformave të ndërmarra nga institucionet e Kosovës.“Qeveria e Kosovës ka iniciuar një sërë reformash, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të biznesit, forcimin e sektorit privat, si dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike”, ka thënë ai.Kryeparlamentari kosovar, po ashtu, ka përmendur rritjen e vazhdueshme të investimeve kapitale që nga shpallja e pavarësisë dhe ka vlerësuar se rritja e investimeve publike është bërë e mundur nga një menaxhim më i mirë i buxhetit, performancë më e mirë e autoriteteve doganore dhe administratës tatimore, si dhe nga një plan ekonomik më i përshtatshëm për nevojat e sektorit privat.Të gjitha këto përpjekje për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes, sipas Veselit, janë reflektuar në përmirësimin e rangimit të Kosovës në Raportin e Bankës Botërore e të Bërit Biznes. Por, ka tërhequr vërejtjen Veseli, nuk janë vetëm reformat në përmirësim të ambientit biznesor si arsye për të investuar në Kosovë.“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian dhe CEFTA janë ndër arsyet kryesore që u mundësojnë investitorëve potencialë ta shohin Kosovën, jo vetëm si një treg prej 2 milionë konsumatorëve, por si një treg prej nga mund të eksportohet pa doganë në një treg prej 32 milionë konsumatorëve në vendet e CEFTA-s dhe afro 600 milionë konsumatorëve në Bashkimin Evropian, duke mos përfshirë masat preferenciale tregtare me SHBA, Japoni dhe Norvegji”.“Gjithashtu, Kosova ofron një sistem më efikas të taksave, duke pasur parasysh vlerësimin e zyrtarëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si sistemin më të mirë në botë pas Zelandës së Re, pasi që është shumë i thjeshtë dhe i lehtë për bizneset”, ka thënë ai.Kryeparlamentari Veseli, ka shtuar më tutje se, përveç sistemit efikas të taksave, Kosova ofron tatimet më të ulëta në Evropë, duke u ofruar investitorëve të huaj vetëm 10% në profit të korporatave, vetëm 5% kontribut të detyruar të pensioneve dhe 0% tatim në dividendë. Ai ka thënë se janë edhe me shumë përfitime të tjera që ofron Kosova, siç është mbrojtja e investitorëve të huaj, ku garantohet i gjithë investimi i tyre përmes ligjit për investimet e huaja.Por, me gjithë përparimet, Veseli ka pohuar të jetë i vetëdijshëm që Kosova ende ka sfida ekonomike dhe, ndonëse në përmirësim e sipër për çdo vit, deficiti tregtar ende është i lartë për Kosovën.Në vazhdim të fjalës së tij, para pjesëmarrësve të “Forumit Ekonomik për Kosovën”, në Romë, Veseli ka premtuar se do të vazhdohet thellimi i reformave ekonomike në Kosovë.“Zonat e lira ekonomike, shpenzimet më të ulëta operative në Evropë, tatimet ndër më të ulëta në Evropë, qasje e lirë në tregun e Bashkimit Evropian, Evropës Juglindore, Turqisë, Amerikës, Japonisë dhe Norvegjisë, sigurimi i investimeve të huaja, përmirësimi i infrastrukturës, si dhe reformat e vazhdueshme në përmirësim të klimës investive – janë vetëm disa nga arsyet pse Kosova duhet të konsiderohet si vend i përshtatshëm për realizimin e investimit tuaj”, ka deklaruar ai.Kryeparlamentari Veseli, duke ftuar investitorët italianë në Kosovë, ka rikujtuar se Kosova është shumë afër Italisë dhe kjo është një përparësi që nuk e kanë shumë vende në zhvillim që synojnë të tërheqin kompanitë perëndimore./b.j/
Archives for January 2017
KOSOVË – KRIME, OSE SHPIKJA E NJË “UJDIE”
Nga Dr. Islam LAUKA*/Pas valës së trampomanisë që përfshiu Serbinë dhe parashikimeve se, në kuadrin e afrimit Tramp-Putin, Presidenti i ri amerikan do t’ia sillte Beogradit Kosovën në tepsi, shpërtheu një tjetër valë, ajo e dyshimit dhe e frikës se mos kurban i “ujdisë” ruso-amerikane bëhet Serbia, duke këmbyer njohjen, nga Washingtoni, të aneksimit rus të Krimesë, me njohjen, nga Moska, të pavarësisë së Kosovës.
Frika dhe dyshimet serbe pompuan një valë entuziazmi naiv tek një numër analistësh në Tiranë dhe Prishtinë, të cilët shpërthyen me artikuj dhe opinione, në shtypin e shkruar dhe emisione televizive, duke u vënë në garë me njëri tjetrin se cili do ta formulonte më bukur “zbulimin” bombastik se Presidenti rus, Vladimir Putin, do ta njohë Kosovën.
Të dy palët e “ekspertizës”, shqiptare dhe serbe, nuk e morën fare mundimin për të bërë nje analizë që mund të çonte tek përfundimi i tyre për njohjen e Kosovës, por iu referuan një shkrimi të publicistes britanike, Meri Dezhevski, në të cilin ajo shprehu idenë se pjesë e marrëveshjes-paketë midis Presidentit Putin dhe Presidentit Tramp mund të ishte këmbimi i njohjes së aneksimit të Krimesë me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Siç e pranon edhe vete Dezhevski në nje intervistë në radion “Europa e Lirë’, ideja e hedhur rreth këtij këmbimi, ishte, më shume, një hamendësim i saj. Për fat të keq, një hamendësim i pabazuar, me një përfundim të paargumentuar.Analiza kritike e marrëdhënieve ndërkombëtare, në përgjithësi dhe e politikës së jasthme, në veçanti, në nivel individual, shtetëror dhe sistemor, marrja në konsideratë e bashkëveprimit dhe bashkëndikimit të ndërsjellë aktorë-struktura, si dhe e kontekstit në të cilin zbatohen vendimet e aktorëve në fushën e politikës se jashtme, ofrojnë një numër elementësh që, ose nuk njihen, ose injorohen për arsye te caktuara nga Dezhevski dhe mbështetësit e hamendësimit të saj mbi këmbimin Kosovë – Krime.
Së pari, pas aneksimit të saj, Krimeja nuk përbën më interes parësor për Putinin. Për të, ai është një problem i mbyllur, një herë e përgjithmonë. Natyrisht, ai do të mirëpriste njohjen e saj nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar, si pjesë të Federatës Ruse, por ajo nuk është një çështje jetike për Kremlinin. Më shumë është një çështje prestigji dhe kredibiliteti. Për Moskën, konsiderohen parësore problemet e hapura që lidhen, siç shprehet ajo, me sigurinë kombëtare të Rusisë, si: afrimi i strukturave të NATO-s pranë kufinjve të saj; ndërhyrja perëndimore në hapësirat ish-sovjetike (Ukrainë, Gjeorgji); prishja e ekuilibrit strategjik ,etj. Në këtë kuptim, për “paketën e ujdisë”, me Trampin, Putini ka çështje më të “nxehta” se Krimeja.
E njejta gjë mund të thuhet edhe për Trampin. Edhe ai ka çështje më të rëndësishme se Kosova për “paketën e ujdisë” me Putinin : lufta kundër ISIS-it; përmbajtja e Kinës; rregullimi i krizës në Lindjen e Afërt; (c)armatimi bërthamor, etj. E vërteta është se, jo vetëm Kosova, por as Ballkani, nuk është përmendur gjatë fushatës elektorale të Trampit dhe as në javën e parë të tij si President i SHBA.
Pavarësisht rangimit, relativisht të ulët, të Krimesë dhe Kosovës në shkallën e përparësive ruse dhe amerikane, Putini duket të jetë më i interesuar për njohjen, nga Amerika, të aneksimit të Krimesë, se sa Trampi për njohjen, nga Kremlini, të pavarësisë së Kosovës. Edhe i fituari i kësaj ujdie, me gjasë do të ishte Putini, sepse do të këmbente njohjen e aneksimit me forcë ushtarake të Krimesë, me njohjen e pavarësisë së Kosovës, si e drejtë e vetëvendosjes të popullit të saj. Ai do t’i gëzohej këtij akti, si iu kishte gëzuar Hitleri njohjes, nga perëndimorët, në vitin 1938, të aneksimit prej tij të Krahinës Sudete, deri athëre, pjesë e ligjshme, e pranuar ndërkombëtarisht, e Çekosllavakisë. Sot, aneksimi me dhunë është një akt i dënueshem në të gjitha dokumentet ndërkombëtare. Po të zbresim në terrenin konkret, lidhur me aneksimin e Krimesë, ka një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, miratuar më 27 mars 2014, e cila e klasifikon Rusinë si agresore dhe e shpall të paligjshme përfshirjen e nje pjese te territorit ukrainas në Federatën Ruse. Ndërkohë, sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Së dyti, vendimmarrja në politikën e jashtme në SHBA është një gjë dhe ajo në Rusi, diçka krejt tjetër. Në rastin e parë, Presidenti ka rolin e vet, por thelbësor është edhe roli i Kongresit. Presidenti nuk është krejt i lirë në vendimmarrje edhe për shkak të kufizimeve kushtetuese. Ndërkohë, kur ka çështje të diskutueshme, ndërhyn Gjykata e Lartë. Nuk është pa ndikim edhe mendimi i ekspertizës, përfshirë mendimin e asaj që ka zgjedhur dhe po emëron Presidenti Tramp. Sekretari i ri i Shtetit, Reks Tillerson, këto ditë, e krahasoi veprimin e Pekinit, lidhur me ishujt në Detin e Kinës Jugore, me aneksimin e Krimesë,nga Rusia, veprim që, sipas tij, nuk do të njihet kurrë nga qeveria amerikane. Njohja hipotetike, nga ana e Trampit, e aneksimit të Krimesë, do të haste në kundërshtimin e administratës së tij, të Partisë Republikane dhe të Kongresit. Partia Republikane e ka kritikuar vazhdimisht Obamën për politikë të butë ndaj Putinit dhe kapitullim para tij. Por, a do të kishte kapitullim më të madh se sa njohja e aneksimit të Krimesë? Në të dy Dhomat e Kongresit, aktualisht, mbizotëruese është fryma kundër Putinit. Një vendim i njëanshëm i Presidentit Tramp, vetëm sa do t’i hidhte benzinë këtij zjarri. Nuk ka dyshim se legjitimimi i agresionit të një vendi si Rusia, kundër fqinjit të vet, Ukrainës, do të ishte një armë e re në duart e kundërshtarëve, jo të paktë, të Trampit.
Nisur nga sa më sipër, duket e dyshimtë që presidenti Tramp t’i hyjë një aventure të tillë të rrezikshmë edhe për postin e tij, si njohja e aneksimit të Krimesë.
Për Putinin, si udhëheqës autoritar, këto probleme nuk ekzistojnë. Vendimet e tij janë ligj për Dumën, për gjykatat, si dhe për administratën. Nuk do të përbënte problem as “sakrifikimi” i Serbisë”, pavarësisht se Beogradi ushqen të tjera iluzione. Putinin e vënë në lëvizje interesat personale dhe ato të fuqisë së madhe, jo serbofilia dhe sllavofilia.
Së treti, pasojat e një “ujdie” të tillë, jo për shkak të njohjes nga Rusia të pavarësisë së Kosovës, por të njohjes nga SHBA të aneksimit të Krimesë, do të ishin fatale për sigurinë dhe stabilitetin në Europë dhe në botë. Në një zhvillim të tillë, do ngrihej një numër pyetjesh: pas Krimesë, a do të njihej pavarësia e Abhazisë dhe e Osetisë së Jugut, të dyja të shpallura si shtete të pavarura me ndihmën e tankeve ruse? A do të njihej sovraniteti i Pekinit mbi ishujt artificialë në detin e Kinës Jugore? Dhe më tej, cili do të ishte hapi i radhës i Putinit, për aneksimin e territorit të një fqinji tjetër? Cili do të ishte qëndrimi i fuqive të tjera ndaj “ujdisë” ruso-amerikane? Pa folur për Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Japoninë, që janë hapur kundër këtij akti, për arsye parimore e ligjore, njohja e aneksimit të Krimesë, kundërshtohet edhe nga aleatët e Moskës në Organizatën e Shangait, apo në BRIKS si Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut, veç arsyeve parimore, edhe nisur nga interesat e tyre të brendshme. Edhe logjika më elementare nuk do ta pranonte që, për hir të rregullimit të marrëdhënieve me Putinin, Trampi të vendoste të hidhte ne erë gjithe rendin nderkombetar,të ndërtuar pas vitit 1945, duke i rezervuar vetes në histori, nje vënd si të Cemberlenit.
Në qoftë se mbahen parasysh elementët e mësipërm, vështirë të arrihet në përfundimin se do të ketë një ujdi midis Trampit dhe Putinit për këtë çështje. Më shumë gjasë ka që administrata e re amerikane të vazhdojë të mos e njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia. Për 50 vjet, SHBA, pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet, nuk e njohën aneksimin e republikave ballktike nga Bashkimi Sovjetik. E njejta praktikë mund të ndiqet edhe në rastin e Krimesë. “Lëshimi” i Trampit në kontekstin e përmirësimit të marrëdhënieve me Putinin, mund të jetë mosngritja e saj si problem në marrëdhëniet dy a shumëpalëshe, pra, të heshtet rreth Krimesë.
Sa i takon Kosovës, zhvillimet e fundit nuk flasin për ndonjë pajtim të Moskës për njohjen e pavarësisë së saj. Përkundrazi, Agjensia Kosovare e Inteligjenës, keto ditë, bëri publike një listë të agjentëve rusë që veprojnë në Serbi dhe në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se në Veri të Kosovës janë të pranishëm kontigjentë rusë që po merren me përgatitjen e njësive paramilitare serbe. Nuk besoj se me këto “lojëra klandestine” dhe teknologji politike të pista, Moska po përgatit njohjen e pavarësisë së Kosovës. Analistë seriozë flasin për rrezikun dhe kërcënimin rus në Kosovë. Putini është mjeshtër për krijimin e “fakteve” në terren,psh,ne Veri te Kosoves dhe pastaj daljen e tij si paqebërës, natyrisht, në kushtet ruse. Siç dihet, Kosova ka arritur deri ketu ku eshte sot,shtet i pavarur dhe sovran,jo duke zbatuar kushtet ruse,por duke mos i përfillur ato.
Për shqiptarët, kërcënimi rus ka qenë dhe mbetet real. Në etapën e tanishme, ai është bërë edhe më i mprehtë dhe, në gjykimin tim, përbën kërcënimin numër një për shtetin e Kosovës dhe, për pasojë, edhe për kombin shqiptar. Kërcënimit të një niveli të tillë, duhet t’i përgjigjemi me politika dhe masa të të njejtit nivel, në plan shtetëror dhe kombëtar, natyrisht, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë, nëqoftëse edhe ata, në kundershtim me çfarë është folur, kohët e fundit, për një farë tërheqjeje nga udhëheqja globale për të kaluar në neoizolacionizëm, i përgjigjen dëshirës dhe vullnetit tonë për të bashkëpunuar me ta. Deklaratat e Sekretarit të ri të Mbrojtjes, Xhejms Mettis, për vazhdimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë, aq sa të jetë e nevojshme, apo theksimi i rëndësisë së NATO-s në takimin Tramp-Mej, gjithsesi janë inkurajuese. Me kusht që edhe ne të bëjmë punën tonë, më mirë, më me përkushtim dhe kryesorja, më me mend se sa deri tani.
____________
*Doktor i shkencave politike, ish ambasadori i parë i Shqipërisë në Kosovë, president i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike.
Fundi i Filozofisë apo Fundi i Teorisë – Richard Rorty
Nga Blerta Haxhiaj /Interesi në filozofi zana-fillën e ka te Habia sepse edhe pyetja Pse e ka një se-pse …Pa brirë je mbret! Pa brirë je pasha! Pa brirë është dhe moda! Duke teorizuar postmodernen pashmangshmërisht inkurajojmë sulmet ndaj postmodernes, siç janë sulmet e Lyotard dhe Foucault mbi teoritë moderne për qasjet e saj karakteristike totalitare dhe thelbësore (Steven Best and Douglas Kellner). Argumenti është ironik qëkurse falsiteti e njëjëson apo ndryshon ‘traditën moderne’ dhe qëkur teoricienët postmodern sikurse janë Foucault dhe Baudrillard janë të përgjithësuar si çdo mendimtar modern. Loytard kërkon justifikimin e teorisë me lojërat gjuhës duke e lokalizuar e argumenton se asnjë kriter universal është i mundur për të vendosur në një terren të së vërtetës objektive apo të vlerave universale. Për Foucault justifikimi zë në grackë iluzionet metafizike sikurse është e Vërteta dhe vetëm shqetësimi i kritikave filozofike çmonton mënyrat e vjetra të të menduarit. Një sulm i traditave ekzistuese dhe institucioneve ekzistuese, për tu hapur ndaj horizonteve të reja dhe eksperiencave për një liri më të madhe individuale. Ajo që është në qënder është rezultat dhe nësë ky rezultat sjell një liri më të madhe ku prespektivat teorike janë të justifikuara, aty ku diskursi teorik nuk shikohet si i saktë apo i gabuar por si efikas duke prodhuar efekte pozitive.
Rorty e sulmon meta-teorinë-refleksionin mbi statusin e teorive në vete, e cila merret me justifikime epistemologjike dhe normative të prepozicioneve dhe vlerave ku teoria e cila kritikon në tre mënyra të ndryshme duke dhënë tezen e ‘fundi i filozofisë’. Rorty (filozofia analitike) bëhet në një renegat dhe braktis dogmën profesionale ku filozofia ‘është mbretëresha e shkencës(?!)’, apo themelimin e së Vërtetës përmes kërkesave të vlerave të vërtetësisë. Ai referon se filozofia nuk ka një dije të veçante të së vërtetës sepse si çdo fenomen kulturor është përmes asaj fenomenit linguistik. Për Rorty-n gjuha është një kosntruksion poetik që krijon botën, jo një pasqyrë që e reflekton realitetin dhe aty ka më pak predispozita apo të vërteta neutrale që baraktisin kontigjencat e krijimit historik. Aty nuk ka një pikë arkimediane rrethore për një teori të vendosur, gjuha mund vetëm të na japë një ‘përshkrim’ të botës. Përçapja e parë në sulmin e Rorty-t është mbi idenë se kjo teori mund të sigurojë bazamente objektive për dijen dhe etikën, duke qënë e lidhur me të vërtetën universale, maskat e së Reales nuk mund të jenë të njohura. Tentativa e dytë e Rorty-t tregon se aty nuk ka të vërteta universale apo objektive, nuk ka një gjuhë neutrale si arbitër atëherë teoria nuk ka pushtet për të gjykuar përmes gjuhes apo përshkrimeve. Një sipërmarje që e transformon teorinë në meta-teori atëherë kur kushtet e argumentit në vetë bëhen mjaftueshëm problematik. Qëkur Rorty e mohon se teoricienët saktësisht mund te kritikojnë, kundërshtojnë apo ‘dekonstruktojnë’ atëherë nuk ka as mirë, keq, apo saktë. Teoria zëvendësohet më ironinë, ai që paralajmërohet nga kontigjenca e paeliminueshme e vetes dhe diskursit, pranimi i limiteve të reja, ai që ironizon mundet vetëm ta ripërshkruajë teorinë e vjetër në gjuhë të re dhe të ofrojë përshkrime të reja për vetëvetën dhe të tjerët. Ne adoptojmë vlera dhe ideologji mbi emotiven se sa mbi terrene racionale, çdo fjalor është i ndjekur nga një tjetër dhe aty nuk ka një fjalor përfundimtar më një tjetër që mund të arbitrojë frazat normative dhe epistemologjike. Metoda është të ri-përshkruajë shumë gjëra të reja në rrugë të reja derisa individi të krijojë një përmbajtje të sjelljes linguistike e cila pret që gjeneratat e reja ta adoptojnë atë. Ky lloj të bërit filozofi punon pragmatikisht duke thënë se ‘tento të mendosh në këtë mënyrë’ apo ‘tento të injorosh në përgjithësi çeshtjet tradicionale duke zëvendësuar atë me të reja dhe mundësisht duke ngritur pyetje të reja’. Rorty e mohon termin që i mvishet ‘relativist’ mirëpo ai është realativist në sensin që dikush që nuk mund të demonstrojë një pikëpamje nuk është më i vërtetë se sa dikusht tjetër që mund ta demonstroje. Ai shkon drejt përshkrimeve që celebrojnë kontigjencën, ironinë, solidaritetin dhe vlerat liberale por deklaron se dikush nuk mund të argumentoje për përshkrime të reja. Duke e shfronësuar filozofinë Rorty proklamon se literatura është më shumë së sa një mënyrë e pushtetshme e interpretimit të botës dhe ofron përshkrime që janë të domosdoshme për vetë-krijimin dhe progresin social. Trillimi zë vend në teori, mirëpo Rorty ka shkruar filozofi dhe jo trillim, këtu është sulmi i tretë i autorit, teoricienët duhet të braktisin të gjitha qëndrimet për të kritikuar radikalisht institucionet sociale, mirëpo kritika nuk ka fuqi të Rorty dhe një përshktim është aq i mirë sa një tjetër, por teoria në këtë nivel nënkupton së ka qëllim që në mënyrë klasikë është e përshkruar të Republika e Platonit, për të zhytur publikun dhe shqetësimet provate, për të bashkuar çështjet private për përfeksionim sëbashku më drejtësinë sociale. Autori udhëheqet edhe nga përgjithësimi së tradita dhe bindja janë forca të fuqishme se sa arsyeja në konstruktin social të jetës duke mbajtur ngjitësin social sëbashku. Këtu janë pikëpamjet filozofikë mbi tema siç është natyra e vetes apo kuptimi i jetës se mire që janë irrelevantë ndaj politikës siç janë argumentet për ekzistencën e Zotit. Duke u mundur të rivitalizoje vlerat liberale pa ndjenjat e domosdoshmërisë për të mbrojtur ato mbi nivelin filozofik, ajo çka është e domosdoshme është një lloj i intelektualit analog i virtytit civik, tolerance, ironia dhe kujdesi që sferat e kulturës të pluskojnë pa qënë të shqëtësuara shumë për terrenin e përbashkët, unifikimi i tyre. Qëkur filozofia arrin të sigurojë një themel për konceptin e filozofisë ajo duhet të braktiset dhe të zëvendësohet me një përshkrim poetik dhe narrativ historik duke marrë një hap gjigand drejt Foucault, Rorty referon se jo vetëm filozofia siguron themelet për politikë, ajo nuk luan rol politikë apo diçka të ngjashme. Kundrejtë këtij sulmi mbi fundamentalizmin Foucault përdore teorinë si një armë për luftën politikë. Për Rorty-n filozofia nuk ka rol as politik as publik, ,(prandaj zvetnohet roli i saj në kurrikulat shkollore dhe universitare) duke rivitalizuar dallimin klasik liberal mes publikës dhe privates Rorty paraqet se filozofia duhet të rezervohet për një jetë private, aty ku mund të behet ironike në maksimunin e saj ndërkohe që traditat politike dhe morale duhet të qeverisin jetën publike. Edhe Derrida një i arrirë në ironi supreme insiston se entitetet dekonstruktiviste politike përmbushën dhe bëhen publike paraqesin një varg problemesh. Kundër fundamentalizmit, është e mundshme teoria për të kosntruktuar një terren jo-arbitrar për akses vlerave dhe fakteve konkuruese. Këto terrene nuk janë metafizike apo historike, ato janë gjetur brendave kritereve të logjikës dhe argumentimit që janë të arsyeshme dhe të shpërndara te vlerat sociale të asaj demokracie liberale. Nuk e gjejme arbitrare së racizmi është i gabuar apo kritikat se racizmi, seksizmi janë përshkrime të mira me të cilat duhet të pajtohemi. Një e tillë duhet të konstituohet më një komponent të fortë racional, për të luajtur lojën e gjuhës në një argument demokratik. Interesi në filozofi rrallë është një ekzaminim i tezës pro dhe bashkë saj, argumentimi është i vështire jo gjithmonë shumë seksi, sidomos në mëndjen e një estetiku të padurueshëm që kërkon vetëm bukurinë, rininë.
Duke qënë një hap larg Baudrillard vete-proklamimi si ‘intelektual terrorist’ që preferon thjeshtë të hedhe në erë idetë me fraza josubstanciale, me ekzagjerime jashtë kontekstit në vend që të prese evaluimin e të vërtetës apo falsitetit. Me Loytard-in Rorty kërkon sa më shumë përshkrime të reja të vetës dhë të botës. Kjo ka vlere të asaj që vjen por përfaqëson një fetishizëm të së resë mbi shqëtësimin për të vërtetën dhe drejtësinë, aty ka vetëm pika të diskontiunitetit dhe dije në drejtime të copëzuara.. fundamentalizmi, racionalizmi dhe narracioni progresivist i teorise përëndimore mund të ri-përshkruhet në mënyre edhe më të mirë që të jenë vegla më efektive për analiza historike dhe kritike sociale. Personalja nuk është më politike, çështja nuk duhet të bëhet teorike qëkur të gjitha orientimet filozofike, kritike apo politike janë teorike deri në fundin e përmbledhjes që shërben si guidë në mendim dhe veprim. Plogështia potenciale e afrimit jo-teorik është e dukshme aty ku fara jo-teorike të shumë studimeve kulturore manifestohen në media, kulture si interes duke injoruar funksionet ekonomike dhe ideologjike. Teoria është e domosdoshme për shtrirjen e asaj që bota nuk është e kompletuar dhe transparente ndaj ndërgjegjjes. Rorty kishte të drejtë se narracioni në mënyrë të fuqishme mund të ndriçojë konditat të jetës më shumë dhe më konkrete duke iluminuar metodat më shumë se sa teoria. Të dyjat narracioni dhe teoria, kuptimi i tyre, i prespektivave të ndryshme, postmodernia i sulmon ato mbi teori pjesërisht dhe me parcela të misogonisë bashkëkohore. Vlera pozitive e kritikave pragmatike e teorisë është të ri-kujtojë se si duhet mirëmbajtur një lidhje të ngushtë mes teorisë dhe praktikës për të shmangur një analizë abstraktë dhe të mos zhytet në mëta-teori që bëhet e fiksuar më justifikimin e teorise përmbi aplikimin e saj. (Habermas). Kritika pragmatike na ndihmon të mirëmbajmë teorinë nga ajo që mund të bëhet ezoterike, e specializuar në diskurset të manipuluara dhe të kuptuara vetëm nga një kateder e ekspertëve akademik. Roli i teorisë është të sigurojë ‘armët’ për një kritikë sociale dhe ndryshore për të ndriçuar burimin e jo-lumturisë së njeriut dhe të kontribuoje në emancipimin e njeriut. Më Rorty-n ne nuk besojmë se teoricieni duhet të kërkojë të ndërtojë një urë përfektë mes publikut dhe privates, për hir të veprimit dhe zgjedhjes mbi pjesën e individuales gjithmonë e cila kërkon atë rendin në një shoqëri të lire. Roli i teoricienit është të ndihmojë, analizoje kushtet e mirëqënies të njeriut, lirinë, të pyesë nëse ato janë të përmbushura. Në kemi intelektuale publik si specialiste në mendimin kritik që mund të angazhojnë aftësitë e tyre për të paraqitur abuzimet e publikes, në rend për të ndihmuar për të rikonstruktuar shoqërinë, politikën në mënyrë sa më demokratike. Mediat elektronike, teknologjitë e reja kanë krijuar sfera të reja publike dhe raste të reja për këta intelektuale që të shfaqin aftësitë e tyre të kritikës dhe argumentimit. Teoria (besojme) se mund të sigurojë hartat shoqërore dhe narracionin historik e cila përkohësisht mund të kontekstualizohet në kohërat e sotme. Narracionet historike mund të kontekstualizojnë të tashmen duke e identifikuar të tashmen dhe të kaluarën, që ka konstitualizuar të tashmen dhe se si e tashmja hapet ndaj nesh me alternativa ndaj së ardhmes. Në formën e saj të gjenealogjia e Foucault, narracionet historike tregojnë trajektore të përkohshme të kuptimit të eksperiencave dhe ngjarjeve, lëvizjeve politike apo forcave që konstituojnë subjektet. Kundër postmodernes është tendenca që të bëjë të rastësishme historinë si një seri e shkëputur e ngjarjeve, narracionet historike duhet të kapin dy anët ate të vazhdueshmërisë dhe diskontiunitetit duke analizuar se si kontinuiteti e mbushë zhvillimin dinamik. Udhëtimi drejt postmodernes nga hedh neve brenda një botë të re duke na bërë eksplorues pa busull, hartat që janë provizore, në këtë botë të re të postmodernes kultura dhe shoqëria paraqesin një interes të mjaftueshëm duke bërë ndryshime. Aty paraqiten format e fuqisë tërë globale të tekno-kapitalizmit. Si një levizje e re sociale ajo premton shumë në ndryshimet dhe transformimet e saj në të tashmen e demokracisë sociale. Kështu që si me brirë apo pa brirë filozofia qëndron e ‘palëkundur’ nga froni i saj.
Rivarrim i Heroit Zahir Pajaziti dhe Akademi Përkujtimore
U bë rivarrimi i Heroit Zahir Pajaziti dhe u mbajt Akademi Përkujtimore në 20- vjetorin e rënies së Heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha/
Prishtinë, 31 janar 2017/
Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u organizua ceremonia e rivarrimit të Heroit Kombëtar Zahir Pajaziti dhe u mbajt Akademia Përkujtimore, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Rivarrimi i Heroit Kombëtar Zahir Pajaziti u bë në Kompleksin Memorial në Turuqicë të Podujevës, në prani të përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, ministra, zëvendësministra, deputetë, komandanti i FSK-së, familjarë të familjeve Pajaziti, Zejnullahu e Hoxha, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë të Zahirit, Edmondit e Hakifit, si dhe përfaqësues të tjerë.Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, para të pranishmëve, në ceremoninë e rivarrimit të Heroit Zahir Pajaziti, foli ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.Ministri Demolli, tha se rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, në janarin e vitit 1997, ia shtoi listës së “janarëve të përgjakshëm” të historisë tonë kombëtare edhe tre dëshmorë të devotshëm, të cilët njëherësh u bënë paralajmërues të luftës së lavdishme çlirimtare të UÇK-së, epilogu i të cilës ishte çlirimi përfundimtar i Kosovës nga okupimi serb.
“Andaj, me plotë të drejtë, ne vlerësojmë se gjaku i këtyre tre trimave dhe heronjve të pavdekshëm u derdh dhe njomi themelet e pavarësisë së shtetit tonë dhe të lirisë të cilën ne jemi duke e gëzuar sot”, tha ministri Demolli.
Duke folur për luftën e lavdishme të Zahirit, ministri Demolli tha se Zahiri me shokë u vranë, duke rënë në kurthën e okupatorit serbo-sllav, në një ditë të zymtë të janarit të acartë të vitit 1997, në një periudhë të rëndë të pushtimit të egër të pushtuesit serb, por që njëherësh ishte periudhë e përgatitjes së patriotëve dhe atdhedashësve kosovarë, në krye me Komandantin legjendar Adem Jasharin, për të filluar luftën e armatosur ndaj pushtuesit shekullor të Kosovës, duke vlerësuar se liria ishte më e shtrenjtë se jeta, andaj duhej luftuar dhe mposhtur okupatori serb njëherë e përgjithmonë.
“Përmbushja e detyrave të luftës me përgjegjësinë më të lartë, puna e palodhshme, gatishmëria për sakrificë, si dhe rënia e tyre e hershme, në kohën kur frontit të luftës i nevojiteshin më së shumti, sikurse Zahiri, Hakifi ashtu edhe Edmondi, i bënë ata që të radhiten përkrah bashkëluftëtarëve dhe heronjve të orëve të para të lirisë, siç janë Adem Jashari, Adrian Krasniqi, Luan Haradinaj, Sali Çekaj, e shumë e shumë trima të tjerë të kombit tonë”, tha ministri Demolli, duke theksuar se gjaku i dëshmorëve të kombit dhe lufta e drejtë çlirimtare, pastaj vrasja, torturimi, masakrimi i popullatës civile nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe, trokitën në ndërgjegjen e botës së civilizuar, e cila e krijoi frontin e përbashkët me aleancën më të madhe ushtarake në botë, me NATO-në, të udhëhequr nga SHBA-të dhe shtetet tjera demokratike të botës, i cili front përfundimisht solli lirinë e Kosovës.
Më tej, ministri Demolli tha se çlirimi i Kosovës e bëri realitet ëndrrën e të gjithë dëshmorëve tonë, e bëri realitet ëndrrën, mundin dhe gjakun e të gjithë heronjve, luftëtarëve, veprimtarëve dhe martirëve të lirisë, i bëri realitet aspiratat dhe dëshirat e shumë brezave të popullit tonë, e bëri realitet projektin e arkitektit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidentit Historik Ibrahim Rugova.
Ai tha se ndërtimi i Kompleksit Memorial, me kullën e ngritur, e bënë kujtimin për Zahirin dhe bashkëluftëtarët e tij, jo vetëm historik dhe emocional, por tash e tutje edhe historiko- monumental.
“Ky kompleks që nga dita e sotme, po pasurohet edhe më shumë, sepse po kompletohet edhe me trupin e Heroit Zahir Pajaziti, rivarrimi i të cilit po bëhet në hapësirën e Kompleksit, i cili do t’iu mundësojë vizitorëve që krahas vizitave, të mund të shfaqin edhe nderimin dhe respektin e merituar, para varrit të heroit tonë”, tha ministri Demolli, duke theksuar se sakrifica dhe rënia heroike e Zahirit me shokë, dhe të gjithë heronjve të tjerë të kombit, për të gjithë ne paraqet një obligim, që të punojmë me nderë e përkushtim në krijimin dhe ndërtimin e shtetit tonë, i cili do të angazhohet dhe përkujdeset për ngritjen e mirëqenies së familjeve të dëshmorëve, veteranëve të luftës dhe të gjithë qytetarëve tonë.
“Shtet i cili në vazhdën e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK). Shtet i cili do të përmbush kriteret dhe standardet për tu anëtarësuar dhe integruar si në Unionin Evropian ashtu edhe në Aleancën Veri Atlantike të NATO-s, si dhe organizmat tjerë relevantë ndërkombëtar. Pikërisht ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë i pavarur dhe demokratik, do të paraqet plotësimin më të mirë të amanetit të Zahirit me shokë, si dhe të gjithë, heronjve, dëshmorëve dhe veprimtarëve që sakrifikuan dhe kontribuuan për liri”, tha ministri i MFSK-së, Haki Demolli.
Ndërkaq, në orët e pasdites, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, u mbajt Akademia Përkujtimor, në të cilën po ashtu morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, kryetar të komunave, familjarë të dëshmorëve dhe shumë personalitete të tjera.
Duke folur në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se 31 janari i vitit 1997 është dita kur tre heronj, tre burra të mëdhenj të Kosovës, Zahir Pajaziti, njëri ndër themeluesit kryesor të UÇK-së dhe dy bashkëluftëtarë të tij të ngushtë, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, bënë atë që është sakrifica më sublime, dhanë jetën për lirinë e vendit.
“Puna e tyre e pakursyer dhe e gjatë për liri dhe pavarësi është shembulli më unikal dhe i veçantë i vendosmërisë së popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe sovran. Sot 20 vjet pas, jemi mbledhur sërish në një 31 janar tjetër, të përkujtojmë me pietet të madh këta heronj që ranë në altarin e lirisë, tre emra të mëdhenj të historisë së Kosovës”, tha ministri Hyseni, duke theksuar se jeta, veprimtaria dhe flijimi i këtyre tre burrave është dëshmi e veçantë, shumë e fuqishme e dashurisë për atdheun dhe e përkushtimit të popullit të Kosovës për të qenë i lirë.
Më tej, ministri Hyseni tha se flijimi i tyre, sikundër e gjitha lufta sublime e popullit të Kosovës është flijim i pastër, ashtu siç ishte lufta e Kosovës për pavarësi, e mëvetësi, sovranitet e demokraci.
“Ideali për të cilin dhanë jetën këta heronj u kurorëzua përfundimisht më 17 shkurt 2008 me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”, tha ministri Hyseni.
Mal Berisha in Boston: “A Promise and a People: The Albanian Jews and the Holocaust”
Following the International Holocaust Remembrance Day, a special event, co-sponsored by the Jewish Caucus, Israel Caucus, and European Club, featuring Mr. Mal Berisha, a distinguished Albanian ambassador of career, is going to bring the Albanian – Jewish History to the fore.
Get The Times of Israel’s Daily Edition by email
and never miss our top stories FREE SIGN UP!
This event, open to the public, is entitled “A Promise and a People: The Albanian Jews and the Holocaust.” It will be held on February 1, at 7 p.m. in the premises of Harvard Kennedy School (Starr Auditorium, Belfer Building, Second Floor, John F. Kennedy School of Government, 79 John F Kennedy St. Cambridge, MA 02138.)
Albania, the only Muslim-majority country in Europe, emerged from the atrocities of the Holocaust with a tenfold increase in its pre-war Jewish population. Based on the highest moral values of “BESA”, the Code of Honor for Albanians, thousands of Jews were sheltered unconditionally by ordinary people, mostly in rural areas of the country, the announcement explains.
During this presentation, Mr. Mal Berisha, a writer and a seasoned diplomat (the last posting was an Ambassador of Albania to the United Kingdom), is expected to examine the political, cultural, and historical accounts through the eyes of a Jewish American Ambassador to Albania, the Monarch of Albania, and everyday Albanians who risked their lives to come to the help of fleeing Jews.
Ambassador Berisha will offer remarks, followed by a moderated discussion and Q&A with journalist and public radio host, Christopher Lydon (Radio Open Source, WBUR).
“If there is a single Gentile nation that has the right to commemorate, being proud of its history of the time of Holocaust, that is the Albanian Nation. To remember that Day, I have the honor and privilege to hold this presentation, Mr. Mal Berisha said earlier this week via a posting to his official Facebook.

Photo courtesy: www.malberisha.com
In 2014, Berisha presented his first English book in Manhattan at the YIVO Institute of Jewish Studies in New York City and the US Embassy in London: “Herman Bernstein, US Ambassador to Albania” where he detailed the close relations between Jews, Albanians and the United States Government. The work of the U.S. Ambassador to Albania, Herman Bernstein (1930-1933), championed positive Albanian-Jewish relations.
This book raised a lot of interest but even more the fascinating spectrum he found to explore the relations between the Albanians and the Jews.
Ambasador Berisha, KCFO, has served as the Ambassador of the Republic of Albania to the United Kingdom of Great Britain and Northern Ireland and Ireland from 2012 to 2015. Previously Berisha served as General Consul of Albania to Istanbul from 1993-1997. Berisha has graduated from the Academy of Arts of Albania. His life has been tightly linked with cultural anthropology in Albania. He is a history scholar and has published a number of books and articles about various subjects of history, culture and diplomacy.
- 1
- 2
- 3
- …
- 69
- Next Page »
