• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2017

Mirënjohje për profesorin e gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut

January 4, 2017 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/aleksander-rusakovNe Foto: Akademiku Aleksandër Rusakov/

Para pak ditësh, në faqen e internetit “VOAL”, u njoha me informacionin e mëposhtëm:“Akademiku rus Aleksandër Rusakov deklaron se Rusia duhet ta njohë patjetër Kosovën. I ardhur në Tiranë me ftesë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës në një konferencë shkencore për shkrimtarin Ismail Kadare, Rusakovi dha një intervistë të gjatë për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One”.

Një njohës shumë i mirë i gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe, Rusakovi deklaroi për gazetarin Qafoku se nuk ka asnjë arsye që Rusia të vazhdojë të mos e njohë shtetin e Kosovës. “Kjo duhet të bëhet patjetër dhe nuk mund të ketë më hezitime”, tha Rusakovi që një pjesë të studimeve të tij për gjuhën dhe kulturën shqipe i ka bërë në Kosovë” (Citohet sipas: “Akademiku rus: Rusia të njohë Kosovën”. Faqja e internetit “VOAL”. 20 dhjetor 2016).

Mendoj se çdo shqiptar të ndershëm, për të cilin çështja kombëtare është yll karvani në jetën e tij, duhet ta ketë gëzuar një deklaratë e tillë, e cila del nga goja e një përfaqësuesi të botës akademike ruse. Do të dëshironim që të ishin të shumtë intelektualët rusë që kanë sadopak informacion për kombin shqiptar dhe për trojet e tij etnike. Mirë do të ishte që profesorati i degës së gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut, i cili me siguri që është në një mendje me profesorin Aleksandër Rusakov, në mjetet e informimit masiv rus, të dilte me një kërkesë publike, drejtuar Presidentit Putin, Kryeministrit Mevedjev dhe Ministrit të jashtëm Llavrov, për njohen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Ky do të ishte një kontribut me të vërtetë mjaft i ndjeshëm i profesoratit të degës së gjuhës shqipe në universitetin e lartpërmendur, me qëllim sensibilizimin e mjeteve ruse të informimit masiv për emancipimin e politikës zyrtare ruse në qëndrimin ndaj kombit shqiptar në tërësi dhe në qëndrimin ndaj Republikës së Kosovës në veçanti. Kjo për arsye se politika ruse, tradicionalisht, që prej kohës së carizmit rus të shek. XIX dhe deri në fundin e shekullit XX, ka mbajtur një qëndrim tejet armiqësor ndaj kombit shqiptar. Profesorati i degës së gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut, me siguri që e ka informacionin e duhur se ishte pikërisht diplomacia ruse ajo që luajti rolin vendimtar për fillimin e copëtimit të trojeve etnike shqiptare, së pari, në Kongresin famëkeq të Berlinit të vitit 1878.

Para nënshkrimit të Traktatit të Berlinit në atë kongres, sipas dispozitave të një projekti franko-austriak, përfaqësuesit e Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë, i rekomanduan Portës së Lartë që krejt trevat etnike shqiptare t’i bashkonte në një vilajet të vetëm, çka krijonte kushte për shpalljen e autonomisë së tyre në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por agjenti diplomatik rus Hitrovo interpretoi “qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë së tij që ishte kundër çdolloj autonomie shqiptare” (Citohet sipas: Arben Puto.“Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll.I (1867-1912). Tiranë, 1984, f.34).

Së dyti, kur të katër vilajetet shqiptare ishin në prag të shpalljes së pavarësisë dhe kur vendeve fqinje nuk u ishin ndezur ende epshet shoviniste për copëtimin e tyre, pikërisht diplomacia Rusia ishte ajo që kishte marrë në dorë hanxharin për një copëtim të tillë dhe për zhdukjen e tyre nga harta e Evropës. Kështu, më 27 tetor  (9 nëntor) 1912, në një telegram sekret që i dërguari rus në Beograd, N.G. Hartvig, i dërgonte Ministrisë së Jashtme Ruse në Sankt Peterburg, thuhej:

“Për shkak të zgjerimit të ardhshëm të territoreve të të katër aleatëve, një Shqipëri autonome do të dukej si një anomali, si një vatër e përhershme trazirash, të cilat do të ngjallnin shqetësime për paqen në Ballkan… Shqipëria do të duhet të copëtohet mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë” (Citohet sipas librit: “Allbanskij faktor v razvitii krizisa na teritorii bëjvshej Jugosllavii. Dokumentëj. Tom pjervëj (1878-1997)”. Izdatjelstvo “INDRIK”. Moskva  2006, f. 57).

Së treti, menjëherë pas këtij njoftimi, vjen edhe reagimi i ministrit të jashtëm të Rusisë Sergej Sazonov. Në kujtimet e veta, ky ministër, si armik i betuar i kombit shqiptar, shkruan:

“Kuptohet vetvetiu se nga ana e Rusisë copëtimi i Shqipërisë mes ballkanasve, në thelb, nuk mund të haste në kurrfarë kundërshtimesh (Citohet sipas: Sergej Dmitrijeviç Sazonov. “Vospominanjija”. Izdatjelstvo “Harvest”. Minsk 2002, f.77).

Së katërti, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, Rusia që mbante në dorë hanxharin për zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Evropës, kishte vendosur të kënaqte përfundimisht epshet shoviniste grekosllave.Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta përmend një audiencë që ka pasur asokohe në Carskoje Sjello më 21 nëntor 1914, me kërkesë të carit rus Nikollaj II. Ai shkruan: “Perandori më pret me mirësjelljen e tij karakteristike, me përzemërsi dhe paksa me druajtje… Mandej, pasi shpalosi hartën e Gadishullit të Ballkanit, ai, në vija të përgjithshme, më parashtron këndvështrimin e vet se cilat duhet të jenë ndryshimet territoriale, të cilat ne, sipas vlerësimeve të tij, duhet t’i dëshirojmë: Serbisë t’i aneksohen Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe pjesa veriore e Shqipërisë. Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, përveç Vlorës, e cila do t’i lihet Italisë” (Citohet sipas: Moris Paleologu. “Carskaja Rossija v hodje mirovoj vojnëj”. Izdatjelstvo “Mezhdunarodnëje otnoshenjija. Moskva 1991, f. 129).

Së pesti, sipas vendimit që mori Konferenca famëkeqe e Londrës më 30 maj 1913, u njoh pavarësia e Shqipërisë së sotme, jashtë së cilës, me këmbënguljen e jashtëzakonshme të diplomacisë ruse, mbetën ¾  e trojeve tona etnike. Profesorati i gjuhës shqipe i Universitetit të Shën Petrërburgut, le të marrë mundimin dhe të shfletojë Fjalorin enciklopedik rus, botim i Akademisë së Shkencave të Shën Peterburgut të vitit 1896, të ndalet në zërin “Albania” dhe të njihet me shtrirjen e territoreve etnike shqiptare prej Artës e Prevezës dhe deri në Tivar.

Së gjashti, në Traktatin e fshehtë të Londrës më 26 prill 1915, u vendos që edhe ajo ngastër Shqipërie që kishte mbetur pas copëtimit që Perëndimi evropian  u bëri trojeve tona etnike në Konferencëne Londrës, të zhdukej tërësisht nga harta e Evropës. Në marrjen e atij vendimi kriminal, diplomacia ruse luajti violinën e parë.

Së shtati, në një bisedë që J.V. Stalini ka pasur në muajin shkurt të vitit 1948 me një delegacion të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, të përbërë nga  M. Gjilasi, K. Popoviçi dhe V. Tempoja, është zhvilluar një dialog. Me këtë rast, M. Gjilasi kujton deklaratën e Stalinit:

“- Në Shqipëri ne nuk kemi interesa të veçanta. Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë!

Dhe ai mblodhi gishtat e dorës së djathtë dhe i afroi te goja, sikur po kapërdihej. Mua më çuditi, pothuajse më turbulloi kjo mënyrë shprehjeje e Stalinit dhe gjesti i tij”. [Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova. (Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 104).

Pra, Stalini e ka deklaruar shkoqur se Shqipëria nuk paraqiste kurrfarë interesi për Rusinë, prandaj ajo duhej gëlltitur prej Jugosllavisë.

Së teti, Ma fatet e Republikës së Shqipërisë, diplomacia ruse ka tentuar të luajë edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Profesor Beqir Meta shkruan:

Më 7 korrik 1948…përfaqësuesi sovjetik në Greqi (Çernjishev – E.Y.), kishte propozuar fillimin e bisedimeve midis qeverisë sovjetike dhe qeverisë greke për zgjidhjen e problemeve që kishin dalë… Ishte lënë të kuptohej se sovjetikët ishin përgatitur të diskutonin jo vetëm marrëdhëniet e përgjithshme të Greqisë me fqinjët veriorë, por gjithashtu edhe çështjen e Epirit të Veriut… Kjo ofertë e Bashkimit Sovjetik për qeverinë greke, nxjerr në pah si mungesën e sinqeritetit të qeverisë sovjetike në marrëdhëniet me Shqipërinë, ashtu edhe rëndësinë e papërfillshme që kishte Shqipëria në planet dhe në objektivat sovjetike…” (Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 612- 613).

Së fundi, edhe pas vdekjes së Stalinit, diplomacia ruse i vazhdoi pazaret me shovinizmin grekomadh, në dëm të tërësisë tokësore të Shqipërisë. Kështu, Venizellosi, më 5 qershor 1960, “i kërkoi Hrushovit ndërmjetësimin e tij që udhëheqja shqiptare të pranonte autonominë e “Epirit të Veriut”…  Ai (Hrushovi – E.Y.) u angazhua se do t’ia transmetonte këto gjëra E. Hoxhës kur ta takonte në Bukuresht. Këtë bisedë me Hrushovin, Venizellos e bëri atëherë publike në shtypin grek dhe ajo nuk u përgënjeshtrua nga ndonjë burim sovjetik” (Prof.dr. Beqir Meta. “Shqipëria dhe Greqia. 1949-1990. Paqja e vështirë”. Shtëpia Botuese “Koçi”. Tiranë 2004, f. 165).

Gjithsesi, qëndrimin më flagrant ndaj kombit shqiptar, diplomacia ruse dhe mbarë klasa drejtuese ruse  (establishment rus) e mbajti gjatë luftës në Kosovë, kur u rreshtua totalisht përkrah shovinizmit gjakatar serbomadh millosheviçian dhe krejt mjetet ruse të informimit masiv villnin vrer kundër shqiptarëve dhe mbronin me zjarr kriminelin Millosheviç. Madje asokohe, në Moskë, në ministrinë e mbrojtjes, u regjistruan 70 mijë vullnetarë për t’u nisur për në Serbi dhe për t’u rreshtuar përkrah bandave kriminale të Arkanit dhe të Sheshelit për vrasjen e shqiptarëve.

Pra, diplomacia ruse, kombit shqiptar i ka një borxh të madh politik se ka mbajtur ndaj tij qëndrime kriminale, duke ndikuar fuqimisht për copëtimin e trojeve të tij etnike. Ajo duhet të gjejë forca në vetvete dhe të dalë me një pendesë publike para opinionit publik ndërkombëtar për këto krime të rënda, të cilat sollën si pasojë rrudhosjen tragjike të trojeve të tij deri në 28 mijë km², paçka se ato zinin faktikisht një sipërfaqe prej më shumë se 100 mijë km².

Këto të vërteta tragjike, me vërtetësi historike, që u renditën më lart për qëndrimin tradicionalisht armiqësor të diplomacisë ruse ndaj kombit shqiptar, do të ishte mirë që t’i bëheshin të njohura mbarë opinionit publik rus përmes mjeteve të informimit masiv. Por kjo është e pamundur, sepse ai që do të kuturiste ta bënte një gjë të tillë, ku ta dish, mund të pësonte edhe fatin e gazetares Politkovskaja ose  të politikanit Boris Njemcov.

Si një qytetar i thjeshtë i Republikës së Shqipërisë, Profesorit të nderuar të gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut, zotërisë Aleksandër Jurjeviç Rusakov, dëshiroj t’i shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time të thellë për deklaratën e tij, me të cilën, tërthorazi, i bën thirrje politikës ruse të njohë Republikën e Kosovës. Me rastin e festave të fundvitit,  atij dhe profesoratit të gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut, u përcjell urimet më të mira: shëndet, mbarësi dhe suksese në veprimtarinë shkencore.

Kolumbus, Ohajo

25 dhjetor 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: akademiku, Aleksandër Rusakov, Mirënjohje për profesorin e gjuhës shqipe

Dialogu Kosovë – Serbi, në udhëkryq

January 3, 2017 by dgreca

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, edhe gjatë vitit 2016 ishte një nga temat që ka dominuar skenën politike.Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, konsiderojnë se pavarësisht disa pengesave dhe vështirësive, dialogu ka dhënë rezultate.

1-serbi-kosove

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri thotë se në kuadër të vizionit euroatlantik për shtetin e Kosovës dhe të politikave të fqinjësisë së mirë, si njëri prej kushteve themelore për integrimin evropian dhe euroatlantik, Kosova ka vazhduar angazhimet në dialogun ndërshtetëror me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga SHBA-ja.Ajo thotë se marrëveshjet e Brukselit dhe zbatimi i tyre kanë bërë të mundur vendosjen e kufirit ndërshtetëror me Serbinë, zhbërjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës si dhe, siç thotë Tahiri, ka ndikuar në rritjen e integrimit të pjesëtarëve të komunitetit serb në sistemin shtetëror të Kosovës.Si rezultat i dialogut të Brukselit, Tahiri pos tjerash përmend kodin telefonik që Kosova ka fituar në fund të vitit 2016.

“Kosova është bërë me kodin shtetërorë telefonik 383 të cilën ia ndau ITU-ja me aplikimin e Austrisë. Ne e konsiderojmë si një të arritur madhore, madje edhe historike, sepse për herë të parë shteti ynë është bërë më kodin e vet telefonik”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.Ministrja ka thënë se si rezultat i dialogut të Brukselit dhe i plotësimit të standardeve të kërkuara evropiane, Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) me BE-në vitin 2016 dhe ka nisur dialogun zyrtar me BE-në për reformat evropiane që lidhen me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA).

“Kjo çështje ka rëndësi të madhe sepse Kosova edhe zyrtarisht është në procesin e integrimit evropian”, tha ajo.

Tahiri rikujton po ashtu se gjatë viti që lamë pas ishte arritur edhe marrëveshja për reciprocitet në tabelat e automjeteve si dhe ajo njohjen e certifikatave për mallra të rrezikshme.Dialogu gjatë vitit 2016, sipas Tahirit, ndihmoi që pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ta mbështesin Kosovën në proceset integruese euroatlantike.

“Ato kanë mbështetur MSA-në për Kosovën, kanë mbështetur lidhjet zyrtare të Kosovës me NATO-n, si dhe mbështetën edhe kodin telefonik shtetëror për Kosovën”,theksoi Tahiri duke shtuar se Kosova gjatë këtij 2016 ka arritur të bëhet anëtare me të drejta të plota në disa organizata ndërkombëtare.Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka mirëpritur përparimin në dialogun Kosovë-Serbi, edhe gjatë vitit 2016. Ajo ka përshëndetur sidomos marrëveshjen për Telekomunikacionin.“Dialogu është mënyra me të cilën i afrohemi procesit të normalizimit”, ka thënë Mogherini.Kurse, analistët politik vlerësojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2016 ka qenë mjaftë problematik.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dy palët më shumë janë marrë me arritjen e marrëveshjeve për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, sesa që kanë arritur ujdi të tjera në të mirë të qytetarëve. “Këtë vit të dialogut e ka shënuar marrëveshja për telekomunikacionin. Mbetet të shihet si do të zbatohet në praktikë ajo dhe a është e dëmshme për vendin, siç po pretendojnë ekspertë të fushës. Por, ende ka ngecje në marrëveshjen për lëvizje të lirë ndërmjet dy shteteve dhe në atë për njohjen e diplomave. Çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është temë më vete, ndërkaq ajo e urës së Mitrovicës, pas ndërtimit të murit, po kthehet në çështje të ndjeshme dhe problematike”, tha Mushkolaj.

Analisti Mushkolaj thotë së në viti 2017, përfaqësuesit e institucioneve duhet të mendojnë në ndryshimin e formatit të dialogut me Serbinë.

“Duke pasur parasysh se Beogradi në të shumtën e rasteve pengon zbatimin e marrëveshjeve dhe, ndryshe nga ideja për normalizim marrëdhëniesh, saboton shtetin e Kosovës, Prishtina duhet të mendojë ndryshimin e kursit, respektivisht modifikimin e dialogut. Po ashtu, Prishtina duhet të vendos reciprocitet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve”, tha Mushkolaj.

Në Qeverinë e Kosovës mendojnë se dialogu i Brukselit duhet të përfundoj me njohjen reciproke mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, para pranimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Ministrja Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se në viti 2017, dialogu do të ketë dy drejtime; një zbatimi i marrëveshjeve të pazbatuara dhe drejtimi i dytë siç thotë ajo ‘dialogu do të kaloj në fazën përmbyllëse’.

“Temat e tjera do të jenë njohja reciproke mes dy shteteve, demarkacioni i kufirit mes dy shteteve, kompensimi i dëmeve të luftës, reparacionit. Ndër temat e tjera do të jetë edhe çështja e të zhdukurve, kthimi i pensioneve, dëmshpërblime për luftën dhe gjenocidin që Serbia ka bërë në Kosovës e të tjera”, tha Tahiri.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimin e komunitetit serb në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës. Ndërkaq, zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve nga ky dialog, Kosovës dhe Serbisë, u është vënë si kusht në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Kosova dhe Serbia kanë filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me lehtësim të Bashkimit Evropian që prej vitit 2011. (REL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Dialogu Kosovë - Serbi, në udhëkryq!

SHBA, Kongresi i ri bën betimin

January 3, 2017 by dgreca

*Republikani Paul Ryan u zgjodh pa vështirësi kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve/

1-kongresi

*Presidenti i zgjedhur Donald Trump do ta fillojë mandatin e tij me një Kongres të kontrolluar nga republikanët.Kongresi i 115 i SHBA bëri të martën betimin në Uashington. Republikani Paul Ryan u zgjodh pa vështirësi kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Në Senat, republikanët kanë paraqitur një projektligj që do t’i paraprijë përpjekjes së tyre për të shfuqizuar reformën e kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama.

Ndërkaq, kryetari republikan i Komisionit të Senatit për Politikën e Jashtme tha se seancat e konfirmimit për kandidaturën e zotit Rex Tillerson si Sekretar i Shtetit do të fillojnë javën tjetër dhe pritet të zgjasin dy ditë. Komisioni do të marrë shumë shpejt një deklaratë të hollësishme financiare nga zoti Tillerson, i cili ka punuar për firmën Exxon Mobil prej 43 vjetësh.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump do ta fillojë mandatin e tij me një Kongres të kontrolluar nga republikanët. Por megjithë zotimet ambicioze që bëri gjatë fushatës për reforma në kujdesin shëndetësor, në politikat fiskale si dhe për shkurtime buxhetore, asgjë nuk është e garantuar për presidentin e ardhshëm:

Në fillim të dhjetorit u pa një moment uniteti pas takimit të Kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan dhe presidentit të zgjedhur Donald Trump.“Jemi shumë entuziastë për mundësinë që kemi t’i futemi menjëherë punës për ta vënë vendin në rrugën e duhur,” tha zoti Ryan.

Për presidentin e ardhshëm suksesi do të matet nga disa reforma të rëndësishme:“Donald Trumpi do të përpiqet të sigurojë ulje masive taksash, ndërkohë që ka premtuar shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen, dhe ka propozuar projekte në infrastrukturë me shpresën se do të mund të deklarojë fitore në këto përpjekje për reforma brenda 100 ditëve të para,” – thotë analisti Norm Ornstein.

Për amerikanët, të cilët me votën e tyre sollën këtë qeverisje republikane në Uashington, suksesi matet me reforma në politikat e imigracionit, me ekonominë dhe shkurtime në programet qeveritare. Edhe pa ardhur zoti Trump në Shtëpinë e Bardhë, Kongresi është mobilizuar për të anuluar ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor.

Por republikanët kanë vetëm një shumicë të ngushtë në Senat dhe do të duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mos anulojnë elementë të ligjit që gëzojnë popullaritet, në mënyrë që të mos humbin kapital të nevojshëm politik.

“Do të ketë një numër të mjaftueshëm demokratësh në Senat që mund ta pengojnë procesin, por çfarë do të nxjerrin në atë mënyrë?” pyet udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

Kandidaturat e zotit Trump për poste kabineti kërkojnë konfirmim në Senat. Pritet që të dyja partitë të ngrenë pyetje të forta për këta kandidatë, shumë prej të cilëve nuk kanë eksperiencë në qeveri.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët do t’u bëjnë rezistencë planeve të kryetarit Paul Ryan, për të reduktuar programet qeveritare të asistencës.

“Demokratët në Kongres dhe miliona amerikanë në të gjithë vendin do ta bëjnë shumë të qartë se nuk duan shkurtime në programin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit”, thotë Nancy Pelosi, Udhëheqëse e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Shkurtimet do të binin ndesh me premtimet e zotit Trump për të mos i prekur këto programe. Ndërsa për tregtinë ai mund të ndeshë kundërshtime të forta nga vetë republikanët:

“E dimë që shumë nga ato që premtoi Trumpi nuk janë gjëra që i duan republikanët. Lind pyetja, sa do ta përdorë Trumpi autoritetin e tij për urdhra ekzekutivë, i acaruar që Kongresi nuk po bën ato që i kërkon ai,” thotë analisti Norm Ornstein.

Përgjigja që do të marrë kjo pyetje mund të diktojë nëse uniteti mes republikanëve do të vazhdojë, edhe pas 100 ditëve të para të presidencës Trump.(Kortezi:Zeri i Amerikes)

Filed Under: Analiza Tagged With: bën betimin, Kongresi i ri, Paul Ryan, SHBA

DERVISH UKA, NJE MITIK I PA STUDIUAR

January 3, 2017 by dgreca

Nga Tahir BEZHANI/Gjakovë/
Dervish Uka u lind në vitin 1898 në fshatin Ponoshec, pa datë të ditur, nga baba Hisen e nëna Gjyle, komuna e Gjakovës, Rekë e Keqe. Ka vdekur me 02.01.1969 në vendlindje, Ponoshec, regjistruar nën nr.rendor 2/1969 Libri i të vdekurve në Zyrën e vendit Ponoshec./1-ok-dervishi
 (Foto : Dervish Ukë Ponosheci,lindur me 1898-02.01.1969)/
 Dervish Uka, (alias Hisen Uka), emri  e mbiemri i vërtetë, para formimit të tij si klerik-Dervish, ishte një person si gjithë tjerët, me jetën  normale të një të riu si gjithë njerëzit.  Më pastaj, pas veshjes së tij Dervish, diku rreth moshës 22 vjeçare, jeta e tij pëson ndryshim të madh, merr një rrugë e kahe tjetër, i cili gjatë jetës, bëhet figurë kleriku i nderuar e i respektuar në gjithë rajonin e Rekës së Keqe, gjithë Malësisë së Gjakovës e kudo.  Jeta e tij është mbushur me shumë ngjarje, me shumë  tregime mistike, me shumë fakte e bëma të tjera që vërtetë, tërheqin kërshërinë e kujtdo, çdo qytetari, që të dihet diç më shumë se të folurat që tani gati pesëdhjetë vite pas vdekjes së tij, njerëzit i flasin  përsëritshëm e me mburrje ngjarjet e Dervish Ukë Ponoshecit të Rekës së Keqe. Si klerik, Dervish, u vesh nga Dervish Rama i Tyrbes se Babes Dan, tarikati Sadi, nga fshati Duzhnje, komuna e Gjakovës, një derë klerikësh e patriotike e njohur nëpër shekuj. Menjëherë pas veshjes Dervish, lëshon mjekrën të cilen nuk e hoqi kurrë, deri në vdekje.
 
                 TRI GJENERATA DERVISH
 
Me të ditur e dëgjuar për jetën e veprën shumë interesante të Dervish Ukë Ponoshecit, para ca ditësh u drejtuam te shtëpia e nipave të Dervish Ukës, me qëllim që të mësojmë më tepër, të dimë më shumë për të ndjerin dhe trashëgimin e tyre si klerik-dervish-sadi, të trashëguar tash e tre breza.
2-foto
 Hadi Haziz Uka, nipi i Dervish Ukës së ndjerë, (tani dervish), na pranoi me shumë bujari në shtëpinë e tij, por edhe në Tyrben, ku tani e afër 5o vite pushon trupi i gjyshit të tij, Dervish Ukë Ponoshecit. Hadia, na njoftoj mbi ato gjëra që kishte trashëguar nga baba i tij, Hazizi, dervishi i brezit të dytë, ku ia kishte shpjeguar jetën e babait dhe mistiken e disa ngjarjeve jetësore, për të cilat bëri përpjekje që të na i përcjellë sa më bindshëm, për interesin publik e historik. Hadiu nuk dinte vitin e lindjes, por dinte datën e vitin vdekjes se gjyshit, sepse ai personalisht nuk e ka njohur ne detaje e as nuk ka pas të dhëna për vitin e lindjes. Por, ato që kishte në vemendje, pra jetën e gjyshit në një kohë shumë të vështirë të rrethanave politike të viteve 60-ta, filloi të na i rrëfeji  bindshëm, sikur ato të kishin ngjarë para pak ditëve. Ajo që ishte me rëndësi se rrëfimet e Hadiut për gjyshin e tij, Dervish Uke Ponoshecin, përputheshin plotësisht me gojëdhënat e popullit në tërsi që ishin të përcjella gjatë historisë, nga bashkëkohsit e moshatarë të Dervishit.
 
  VITET 60-ta TË SHEKULLIT TE KALUAR-MË TË VËSHTIRAT E JETËS SË DERVISH UKË PONOSHECIT.
 
Vitet 60-ta të shekullit të kaluar, ishin vitet më të vështira, jo vetëm për Dervish Ukën, por për mbarë popullin shqiptarë të Kosovës. Regjioni i Rekës së Keqe të komunës së Gjakovës, rreth 24 fshatra, i takonin zonës kufitare me Shqipërinë, sipas trajtimit të politikës zyrtare të ish Jugosllavisë. Në këtë zonë lëvizjet bëheshin me lejet speciale të sigurimit të shtetit (UDB-es), por megjithat, në orët e vona të mbrëmjes nuk lejohej lëvizja me leje e as pa leje në atë zonë. Taani në këtë kohë Dervish Ukë Ponosheci, ishte burrë në moshë, por edhe një  klerik më zë, ku populli e admironte skajshmërisht. Qysh në moshë më të re kishte filluar të pinte rakinë, kështu që tani, ishte vështirë ta gjeje jasht efektit të alkolit. Ishte në lëvizje gjithë kohen, ditën e natën. Mbante një kali të bardhë, trupvogël e sertë. Kur i tekej, shkonte nëpër shtëpia të fshatarë edhe në mes natë, ku dyert ishin të hapura kurdoherë për Dervish Ukën. Kur ishte në kulminacion të ndejës e të qejfit të alkoolit, çohej nga oda e burrave, i hipte gjokut dhe shkonte në drejtim të pa ditur, ndërsa kur kërkonin fshatarët që ta shoqëronin, nuk i lejonte e as nuk guxonin ta pyesin se ku shkonte. Ishte kjo një shprehi jete e si natën, ashtu edhe ditën. Kurrë nuk kërkonte  që të gostitej me shpenzime të veçanta, bile nuk lejonte atë mënyrë veprimi. I dinte hallet e popullit ne ato vite te kahershme…! Nga këso peripecish jetësore që e kanë përcjellë gjatë Dervishin, edhe para viteve 60-ta, rrjedhin e madhërohen bëmat e tij, përjetimet që kalojnë deri në mit.  Ai ishte një person që nuk dinte se çka është frika as nga pushteti e as nga askush. Kishte besim të pathyeshëm në veten e tij. Kurrë nuk ka zgjedhur kohe:  katër stinë të vitit për te ishin të barabarta, pa marre parasysh dimrat e egër që dinë të përfshinë shpesh këtë zonë, si në Siberi.
Nga interpretimet gojore në popull, por edhe nga nipi i tij, Hadiu, tregohet një rast shumë specifik, kur Dervish Ukë Ponosheci, kthehej vonë në natë vjeshte nga fshati Popoc, fshat i afërt me Ponoshecin, dhe arrin në hyrje të shatit të tij, te rruga e lagjes Zhvinaj, dëgjon raportimin e dy armëve, pa asnjë zë goje. Pastaj kur ndegjon edhe shkrepjen e tyre, por jo krismën, dy persona i dalin para dhe e ndalojnë, duke folur në gjuhen serbe. Pasi ndalet Dervishi, nga xhepi i xhybes së uniformës klerikë, nxjerr një matare me alkool dhe e gëlltit një fyt për vete, pastaj ua jep atyre të cilët e gëlltitin nga një fyt rakie të mirë. Patrulla UDB-ashe e sigurimit të zonës kufitare mbesin të ngrirë  dhe i thonë,” ik, ec e shko në punë tande….”
Të njëjtit  persona të sigurimit, pak ditë më vonë, duke pirë në kafenenë e fshatit Ponoshec, e ftojnë në tavolinë të tyre një qytetarë nga Stublla, Haxhi Brahimin, nga i cili kërkojnë sqarime  për Dervish Ukën, të cilin e kishin takuar në mesnatë në rrugë…Pasi u sqaron në detaje jetën e Dervishit,  ata i thonë: “ tregoni Dervishit që nga sot e pas, është i lirë të lëviz ditën e natën, pa lejen e askujt dhe pa asnjë përgjegjësi nga askush” Këta persona zyrtarë të pushtetit të atëhershëm famëkeq të Shërbimit të Sigurimit të shtetit, kohë e  Rankoviçit, ishin Baboviçi e Savleviçi, dy figura që kishin futur tmerr në popull gjatë aksionit të mbledhjes armëve. Këta zyrtarë, si “privilegj” të kohës, kishin “liruar” nga çdo kontroll tre qytetarë nga Reka e Keqe:  Ram Gegen, një person me të meta psikike dhe një femër, Dushën, po ashtu e sëmurë, e pa aftë psikik. Këtë e bënin kinse për “humanizëm” shtetërorë…
Pas takimit të Haxhi Brahimit me Baboviqin e Savleviqin në kafe të fshatit Ponoshec, dhe pas njoftimit se Dervishi është i lirë të lëvizë  kudo, kur të doj, Dervishi futet në  pjesën e territorit të Shqipërisë, i cili ven kontakte me Dervish Luzhën e njohur të Tropojës, me te cilin ka pasur disa kontakte në anën tjetër në Shqipëri. Takimet mes këtyre Dervishëve janë bërë gjatë natës, deri  në zbardhjen e dritës. Për këtë konfidencë askush nuk ka mundur të din asnjë fjalë, ka mbetur e përcjell si fshehtësi familjare deri vonë, pas ndryshimeve të raporteve shoqërore  e politike të kohës në gjitha shtete e Evropës. 
Një karakteristikë e rrallë shprehëse  e Dervish Ukës ishte fjala “mos u tutni, mos keni frikë, nuk kanë shka na banjë ….”,fjalë të pa përcaktuara se për kënd bëhej fjalë në atë kohë. Vetëm ndonjë person i tundur, si thonë tropojanët, se rrallë kush e merrte vesh kuptimin e atyre pak fjalëve në atë kohë. Kuptimi e qëllimi ishte te situata politike e viteve të renduara fort mbi popullin, gjatë aksionit të armëve, ne fund të viteve 50-ta. Fjalë me kurajë, për qëndresën, nga se aludonte se do ndryshoi situata. Dhe vërtetë ndryshoi, pas do kohe, me rrëzimit të klikës së Rankoviqit nga pushteti i hekurt e shovinist serbo-sllav. Pra Dervish Ukë Ponosheci, ishte një personalitet i rrallë, i formuar në mënyrën e vet personale si klerik, ku fjala dhe vepra e tij kishte peshe e ndikim te masat, e ku pti shprese…!
 
   DISA RASTE TË MISTICIZMIT QË I DIN POPULLI EDHE SOT
 
Duke dëgjuar me vëmendje Dervish Hadiun, për shumë e shumë ngjarje të jetës se gjyshit, të cilat i kishte transmetuar babai i tij Hazizi, na tregoi edhe disa raste karakteristike, të cilat, vërtetë të habisin, të sjellin në udhëkryqin e dilemave, bile edhe ateistet e përbetuar, mendojnë në qasje të disa thëmave, të cilat tash e 50 vite mbesin si besim e rrëfim i banorëve të Rekës së Keqe të Gjakovës.
Thuhet se njëherë moti ( në vit të paditur) Dervish Uka kishte dalë para derës së oborrit të shtëpisë, buzë rrugës që shkon në Botushë-Junik. Rrugës vijnë Dervish Isufi i Brovinës ( babai i sheh Beqes sot) dhe i thotë:” Dervish hajde me neve, “dhe pa pritur fjalë tjetër Dervish Uka, hedhet ne qerre me kuaj dhe shkojnë në Brovinë te shtëpia e  Dervish Isufit. E njoftojnë Dervishin se do të shkojnë në një dasmë ne Koshare. Dervishi u thotë pritni pak dhe gruas së Dervish Isufit ia kërkon një litër raki. Ajo i thotë se nuk e kam fijen baba Dervish. Dervish Uka i thotë,”shko ne filan kutinë e nusërisë në oden tende, ne fund të sajë, e ke një litër raki dhe bjerma këtu.”  Ajo shkon dhe e gjen rakinë dhe ia sjellë Dervish Ukës. Ndërsa, të tjerë te dera, nuk e kishin pritur të kthehet, duke thënë se “është i dehur e nuk dihet se kah shkon tash e tutje,”hajde të  shkojmë ne dasmë, mos te vonohemi. Kur shkojnë në Koshare, Dervish Ukë Ponoshecin e gjejnë te Rrasa e Koshares duke i pritur këta. Pastaj mahniten me madhështinë e tij dhe askush nuk kishte guximin të bënte ndonjë pyetje, pos që në dasmë shkuan se bashku….
Ka shumë e shumë këso gojëdhënash që edhe sot i përmendin si gajdhën  karakteristike  banorët e Rekës  së Keqe, në  gjithë Malësinë e Gjakovës.
 Duke ditur thesarin e pafund të jetës  së Dervish Ukë Ponoshecit, mora të hedh në letër ato përshtypje që edhe sot populli i përmend me kërshëri, respekt dhe dashuri të veçanet. Dervishi, mbiemrin shtesë Ponosheci,e ka marrë bazuar në përhapjen e emrit të tij në gjithë Kosovën, në Maqedoni, ku janë gjeografikisht shqiptarë, si “nam” si “Zë” si “fuqi” e paparë…!  Bazuar në këto rrethana, por edhe në ato që nuk janë cekur në këtë shkrim, Dervish Ukë Ponoshecit, iu ka ndërtuar Tyrbja  afër shtëpisë së tij, buzë rrugës Gjakove-Ponoishec- Botushë, ku vizitorët nuk janë të rrallë.
1-brenda(Foto:Varri Dervish Ukë Ponoshecit,brenda në Tyrbe-Ponoshec)/
1-tyrbja-1
 Unë, autori i këtyre rreshtave, nuk jam person që merrem me fenë, as me teologjinë, por  nuk e pash të arsyeshme të heshti, si tash e disa kohë, duke ndier një popull të një regjioni që as pas 50 vitesh nga kalimi i Dervish, nuk e heqin nga mendja e as nga goja e tyre. Do doja, do dëshiroja shumë, qe ata që merren me këtë  lami, të futen në hullitë e këtij besimi dervish-sadi dhe të hedhin më shumë dritë mbi figurën e Dervish Ukë Ponoshecit. Unë respektoj me vetëdije të gjitha fetë, të cilat në thelbin e vet nuk kultivojnë urrejtje ndaj asnjë populli, ndaj asnjë feje tjetër, por na mësojnë e edukojnë për pastërtinë shpirtërore të qenies njeri për njeri…!
Personalisht e kam njohur Dervish Ukë Ponoshecin, por për fat, atëbotë isha shumë i ri, mos të them fëmijë, që të di diçka të veçantë nga jeta e tij.  E respektoj atë figurë të ndritur!
 
Gjakovë,
Janar,2017

Filed Under: Histori Tagged With: DERVISH UKA, NJE MITIK I PA STUDIUAR, Tahir Bezhani

Urime per 2017

January 3, 2017 by dgreca

Duke kujtuar Migjenin dhe shkrimin e tij, “Urime per 1937”/

1-migjeniNga Sadik ELSHANI/*

Sa here qe afrohet Viti i Ri, mendja gjithnje me shkon te shkrimi, skica e Migjenit: “Urime per 1937”, sidomos kur jane pervjetoret e plote, si ky i sivjetmi. E di qe kete ndjenje e kane edhe shume te tjere. Me kujtohet ne vitin 1987, me rastin e 50 vjetorit te ketij shkrimi, gazetari Ali Sutaj e ka botuar nje shkrim ne gazeten “Rilindja” te Prishtines. Ky Shkrim i Migjenit ne shikim te pare te duket nje shkrim i thjeshte, i rendomte, por mjaft domethenes me nenkuptime figurative e filozofike tipike migjeniane…

“Shok i dashtun un pergjithesisht nuk shkruej urime, as per Krishtlindje as per Bajram, as per ditelindje as per ndoj feste tjeter. Nuk shkruej pse urimet qe n’ato dite tan bota ban, nuk dij a plotesohen nji per qind se pothuej te gjitha dalin nga hipokrizia. Bota kete e din, por njisoj vazhdon te shkruej urime. As per Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja. Por kesaj here due te hy ne radhen e njerezve korrekte dhe t’u uroj shokve te mi Motmotin e Ri 1937…”

Keshtu shkruante, keshtu uronte Migjeni 80 vite me pare. Me nje ironi e sarkazem te holle u uronte shokeve te tij gjume te embel qe te mos i shihnin vuajtjet e njerezve rreth tyre, ta ndien veten te gezuar edhe kur nuk duhej te ndiheshin te gezuar, kur vuanin ne rrethanat shoqerore te asaj periudhe. Ishte pikerisht ajo natyra e ndieshme e qenjes se Migjenit, ajo ndjenja e dhimbjes per vuajtjet e te tjereve qe edhe ne raste te tilla gazmore te nderrimit te motmoteve nuk e linte ate te qete, te patrazuar, indifferent. Ne nderrimin e motmoteve njerezit shpresojne se gjera te mira do te ndodhin ne jeten e tyre ne Vitin e Ri, si ne boten magjepse te perrallava e legjendave te lashta. Por koha si kuptim fizik vetevetiu nuk sjell asgje, eshte vetem nje levizje qarkore e monotone qe perseritet e perseritet nder vite, shekuj e mijevjecare. Kohen e bejne njerezit, boten e ndryshojne njerezit, per te mire apo per te keq. Jane veprimet apo mosveprimet e njerezve qe e percaktojne, e vulosin, i japin drejtimin  nje periudhe te caktuar historike, qe ndryshojne rrjedhat e historise. Nganjehere per te mire, nganjehere per te keq.

Nga viti 1937 kur Migjeni e shkroi kete urim, derguar ne adresen e ndergjegjes se brezave te tere (edhe neve), eshte e sigurt se shume gjera kane ndryshuar, por edhe shume gjera, ceshtje qe e kane shqetesuar Migjenin gjate tere jetes se tij te shkurter e plot vuajtje, ende jane te pranishme ne shoqerine e sotme shqiptare.  Nuk ka nevoje te hy ne imtesira se lista eshte teper e gjate dhe kam friken se mos ndoshta po dal nga tema. Prandaj, duket se ky urim nuk eshte shkruar para 80 vjeteve, por eshte shkruar dje. Urimet e familjareve, shokeve e miqve per njeri – tjetrin jane urime te ciltera, shprehin deshirat per nje vit te suksesshem, plot shendet e lumturi. Por ne urimet e politikaneve, ministrave e kryeministrave, kryetareve te shteteva qe ua drejtojne popullit, ka mjaft dyfytyresi (hipokrizi). Premtojne shume ne nderrimin e motmotove, por shume pak nga ato premtime permbushen (realizohen). Dhe jane pikerisht keta politikane, ministra e kryeministra, kryetare shtetesh qe kane nevoje te nderrojne veten e tyre, sjelljet e tyre, sepse nga veprimet apo mosveprimet e tyre varen fatet e popullit, fatet e vendit. Ne keto caste te nderrimit te viteve uroj qe politikanet, udheheqesit tane t’i nderrojne sjelljet, shprehite e tyre, te heqin dore nga joshjet dhe lakmite vetanake per pasuri te pakufizuar e te paligjshme e t’u rreken me perkushtim detyrave per te cilat e kane kerkuar voten e popullit, ceshtjeve madhore te kombit tone. E di qe kjo nuk eshte nje gje e lehte per njerezit tane, por ia vlen qe ta provojne pak.

Migjeni e ka njohur mire filmin dhe i ka percjellur me interesim filmat e kohes se tij, prandaj e permend Greta Garbon ne rolin e saj ne filmin “Mbreteresha Kristina”. Po te kishte jetuar me shume dhe po ta kishte pare filmin “Gone with the wind” (“Perftoi me eren”apo “Iken me eren”, 1939) me siguri do ta kishte permendur Scarlet O’ Haren dhe fjaline e saj me te cilen perfundon edhe filmi: “After all, tomorrow is another day” (“Pas te gjithave (ose tekefundit) neser eshte nje dite tjeter”).

Sidoqofte, me gjithe zemer: Urime per 2017! Gezuar!

 

Filadelfia, 1 janar, 2017

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Komente Tagged With: Sadik Elshani, Urime per 2017

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT